• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2016

JETË E RÉ NGA AT PJETER MESHKALLA

July 31, 2016 by dgreca

…E shkruar ne Burgun e Burrelit/

Nga At Pjeter MËSHKALLA S.J./

JETË  E  RÉ/ 

  Në kthesën e një djali të ri:/

           “Kaq i vogël fëmi e kaq i madh mëkatar!”/

                                                           Sh’Augustini/

Në zemrën teme lindi jeta,

   shpirti asht mbushun me dëshirë,

   me ndriti mendjën e vërteta,

   vuejtjet më duken gurrë me hirë.

Lindi Krishti në zemrën téme,

   më pruni paqë e dashuni,

   më rreshi forcë e ngushëllime,

   zhduku errësinën e burgut të zi.

Unë dikur me mburrje shkojshe

   për pusina, kurtha e léqe;

   krime n’têrr unë farkëtojshe:

   holla vrapin për rrugë të kéqe…

Epshi e faji janë veriga

   që, tue lëmue, të skllavënojnë;

   shpirti s’ka qetësi në punë të liga,

   që, veç rrathët ma fort shterngojnë.

Mallkue kjoftë për jetë mbrapshtia,

   rruga e turpit sot kjoftë pré!

   U thyen prangat, ktheu liria,

   shtegu u hap për  J E T Ë  TË  R É  !

BB 1954.

 Shenim nga Fritz Radovani: At MËSHKALLA  poezinë e ka shkrue në Burgun Burrel, (BB) në 1954. Piksynimi i Autorit nder të gjitha shkrimet e Tij ishte: “Mbajtja naltë e optimizmit tek Rinia Shqiptare, e cila, nder pranga vetëm dëshprohej..!”

            Melbourne, Korrik 2016.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: At Pjeter MËSHKALLA S.J, Jete e Re

Zhuliana Jorganxhi, poetja lirike, Mbretëreshë e teksteve të këngëve

July 31, 2016 by dgreca

Intervistë ekskluzive, me Poeten Lirike, Prozatoren dhe Gazetaren Zhuliana JORGANXHI/

 Bisedoi: Raimonda MOISIU/

Poetja Zhuliana Jorganxhi është vlerësuar si një poete lirike, -mjeshtre  e maturuar e vargjeve lirike shqiptare, plot mirësi, mëncuri dhe  vitalitet i  këngës në poezi. Vargjet poetike  të  Zhulianës mbartin frymën tejet lirike, ndjesore dhe njerëzore, që zbulojnë bukurinë dhe të fshehtat e shpirtit. E lindur dhe e rritur në  një familje artistësh, të cilat  e bënë poeten: një kërkuese  tek letërsia, poezia dhe rrënjët e saj,  të  mbështetura këto nga tradita e kulturës të vendlindjes, Korcës, nga frymëzimet e soneteve të serenatave korcare dhe vargut të lehtë të fëshfërimës së blireve, duke hyrë brenda shpirtit njerëzor dhe përpjekjes për të ekslporuar enigmat  e  këndvështrimit personal dhe perceptimit  origjinal të botës e njerëzve që e rrethojnë. Pena krijuese e Zhuliana Jorganxhiut zotëron një ndjeshmëri mahnitëse me elokuencë dhe energji të cmuar intelektuale, filozofike e letraro-artistike. Falë formimit dimensional letrar, artistik, poetik, prozë, letërsi për fëmijë, përvojës në gazetari, historike e filozofike, artdashësit dhe media të ndryshme e kanë vlerësuar  Zhuliana Jorganxhiun “Mbretëreshë e teksteve të këngëve”. Tekstet e shkruara  kanë rëndësinë dhe mesazhin e dhimbjes e dashurisë njerëzore, të zbukuruara me vargje lirike,  për të kuptuar të vërtetën, që ngjallin zemrat e shërojnë shpirtrat, por edhe e  kanë vendosur atë  në elitën e shquar të poetëve lirikë që kanë bërë epokë. Ja si shprehet shkrimtari dhe poeti prof. Vangjush Ziko, për  Zhulianën: “Kam kujtimet më të mira për të si nxënësja ime, por edhe  si njeri; për gjithë familjen Jorganxhi,  me ne krye artistin legjendar të  Korit karakteristik të Korcës, të madhin Gaqo Jorganxhi. Zhuliana meriton shumë ajo, është e sinqertë, po aq edhe njerëzore, me kulturë dhe personalitet të vecantë krijues, me shpirt të vërtetë artisteje,  të trashëguar nga geni familjar.”

Në këtë intervistë, Poetja, Prozatorja dhe Gazetarja e mirënjohur, Zhuliana Jorganxhi rrëfen rrugëtimin e saj njerëzor, qytetar,  intelektrual e krijues. Për më shumë ndiqni intervistën: 

Përshëndetje e nderuar Zhuliana, besoj se na shkon një bisedë arti, paçka se mes nesh është Atlantiku! Disi larg, por arti, i afron kufijtë. Ju  jeni vlerësuar me Disku i Artë i Festivalit, kurse për 40 vjetorin e Festivalit të këngës në RTVSH më 2001-ë, ju dha “Çmimi i Karrierës”, në vitin 2005-ë kini marrë çmimin e “Mirënjohjes” nga RTVSH,  dhe vjet nga Promotor dhe TVKlan kini marrë çmimin “NDERI I KËNGËS SHQIPTARE”. Si  ndjeheni për këto vlerësime?

 Në radhë të parë ju falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj suksese në punën tuaj krijuese, gjithashtu përshëndet gjithë bashkëatdhetarët e mij aty në Sh.B.A. duke ju uruar shëndet te plotë dhe mbarësi! Ju përmendët disa nga vlerësime dhe çmimet, që më janë dhënë nëpër vite për punën time si poete e këngës. Natyrisht jam ndjerë e gëzuar për këtë dhe ju jam mirënjohëse gjithë atyre që më kanë vlerësuar dhe në veçanti kompozitorëve, këngëtarëve, orkestruesve, orkestrantëve të RTVSH-ë dhe dirigjentëve, që kanë bashkëpunuar me mua ndër vite dhe këta iu përkasin plejadave të tëra. Një mirënjohje speciale do t’iu dërgoja gjithë artdashëve tanë kudo që ndodhen, të cilët i kanë duartrokitur dhe i kanë vlerësuar këto këngë nëpër vite edhe sot.

 -Ju jeni një nga poetet pioniere të letrave shqipe. Ju  vetë vini nga ndonjë familje shkrimtare  dhe artistike? A ka qenë  letërsia një  interes shumë i hershëm i juaji apo diçka që lindi si pasion e dëshirë  më vonë?

Jam lindur dhe rritur në një familje muzikantësh, por them që ishte muzika ajo që më çoi tek letërsia. Nëna ime lexonte shumë jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhën greke, se kishte  mbaruar gjimnazin grek dhe ajo kërkonte dhe nga ne fëmijët të lexonim, por për mua ishte motra ime Rozmaria, ajo që më hapi rrugën nga muzika tek letërsia. Ajo, sa herë vinte me pushime në Korçë nga studimet jashtë shtetit sillte pllaka gramafoni dhe partitura. Duke dëgjuar operat e ndryshme si “Fausti”, “Boris Godunov”, “Dama Pik” etj. unë jam njohur me Gëten, Pushkinin etj. Më vonë fillova si të thuash belbëzimet e para në poezi në gjimnaz. Ishin shoqet e mia të klasës lexueset e mia të para. Në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” kemi pasur profesorë të mrekullueshëm në çdo lëndë. Kështu mua më ka dhënë lëndën e letërsisë poeti, dramaturgu dhe përkthyesi i shkëlqyer Profesor Vangjush Ziko dhe Profesor Niko Mustaka. Profesor Vangjushi krijoi rrethin letrar të gjimnazit dhe aty u aktivizova dhe unë. Nuk e di a shkova unë tek poezia apo erdhi ajo tek unë? Them më shumë se erdhi ajo tek unë si pasion!

– A ju kujtohet kur ju së pari keni shkruar  një poezi, tregim apo ndonjë gjini tjetër dhe i keni thënë vetes: Ja dola! Kam krijuar dicka  që është me të vërtetë krijimi im. Kur ka ndodhur kjo, herët apo më vonë?

 Kjo më ka ndodhur tani shumë vonë pas viti 2000, kur kam shkruar një tregim “Fajtor pa faj” kushtuar artistit dhe shkencëtarit të shkëlqyer , të ndriturit Eriko Veizi, i cili hoqi kalvarin e burgjeve dhe vdiq në kulmin e krijimtarisë, shumë i ri në vitin 1993! E kisha si vëlla Erikon dhe ai më quante “motër”, një nga karikaturistët e talentuar dhe një shkëncëtar i shkëlqyer i gjeofizikës. E shkrova me vonesë këtë tregim dhe kur e mbarova dola menjëherë jashtë shtëpisë dhe mora frymë thellë:Ndjeva se kisha shlyer një peng të madh për këtë NJERI TË MADH dhe TË VËRTETË! Kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit, që i thashë vehtes: “Ja dola!”

– Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, -prindërit, artet, letërsia apo  njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të vecantë në frymëzimin tuaj?

 Prindërit, natyrisht kanë qënë ata që më kanë nxitur të shkruaj, por unë them që gjithmonë duhet një “dorë e ngrohtë” që të të ndihmojë. Kur isha në maturë, në Korçë erdhi për pushime shkrimtari i mirënjohur Petraq Qafëzezi, me të cilin kam lidhje familjare. Mora guximin dhe i tregova poezitë e mia. Ishin të gjitha poezi lirike. Ai i mori dhe botoi dy prej tyre në gazetën “Drita” më 28 qershor 1964, që rastisi të ishte dhe mbrëmja e maturës. Ende s’i kisha mbushur 18 vjetët!

 – Ju jeni një autore prodhimtare në shqip e disa gjuhë të huaja. Po citoj disa tituj:  “Net provimesh”(1969), “Rritje”(1971) ,”Lule në pemën e lirisë” (1982), Vëllimin me tregime për fëmijë “Fëmijët e teto Nastës”(1975), “Gaqo Jorganxhi dhe grupi LIRA” (monografi letrare) (2005), “Dhembje e ndaluar” (Poezi) (2008), “Dhimbje e bukur” (Lirika dashurie) (2008), “…Edhe ata pinin çaj…” (vëllim me tregime) (2009).  Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?

 Unë e kam nisur karrierën time poetike si poete lirike, por  nga përvoja ime dhe si gazetare, sepse unë kam mbaruar fakultetin histori Filologji dega gjuhë letërsi shqipe dhe njëkohësisht kursin dy vjeçar të gazetarisë, që u çel atëhere pranë  fakultetit juridik dhe shkencave politike, sepse fakulteti i gazetarisë u çel më vonë. Pra, kam punuar për 6 vjet si gazetare tek revista “Shqiptarja e re”, (revistë për gratë) dhe kam shkelur pothuaj gjithë Shqipërinë, fshat e qytet, përveç Tropojës dhe Përmetit. Kjo punë më bëri të prek me sy gjendjen e popullit tim dhe në veçanërisht të grave. Ishin gratë ato që punonin nëpër fusha dhe ara, ndërsa burrat i gjeje tek zyrat e kooperativave…Kam ndërrojen , se kjo vazhdon ende. D.m.th. gruaja në fshat bën punët më të rënda dhe kjo është shumë e dhimbshme. Nga poezia kalova shpejt në gjininë e tregimit dhe kam botuar disa tregime nga vitet ’69-70 tek “Zëri i Rinisë”, “Shqiptarja e re “, “Pionieri”, “Fatosi”. Ato atëhere u mirëpritën, por unë pas botimit me tregime “Fëmijët e teto Nastës” nuk botova më vëllim me tregime në ato vite, se puna në RTVSH për tekstet e këngëve më merrte shumë mund dhe kohë. Nuk ishte e lehtë në atë kohë të ishe redaktore dhe skenariste e festivalit, pra të mbaje përgjegjësinë e përmbajtjes së festivalit, që ishin tekstet e këngëve! Jam marrë në kohën e festivaleve deri tek programet e tri netëve, që shtypeshin tek shtypshkronja “Mihal Duri”.

 -Ju jeni poete. Qindra vargje poetike në shqip, por edhe të përkthyera në gjuhë të huaj. E vlerësuar me çmime kombëtare për talentin tuaj brilant në vargje. Cfarë mendoni se ju ka frymëzuar për t’u bërë poete?

Jam vlerësuar me dy çmime kombëtare për dy poemat e mia dhe kjo më ka gëzuar dhe nxitur që të punoj më shumë. Çdo punë dhe aq më shumë ajo krijuese do shumë mund, nerva dhe mbi të gjitha frymëzim e pasion. Frymëzimi vjen atje ku s’e pret. Nuk harroj njëherë për një tekstin e një kënge , në mos gaboj titullohej “Këngët e trimërisë” me të ndriturin Agim Prodani punuam gjithë para diten dhe unë nuk arrita të bëj as edhe një varg. Në drekë do të shkoja tek vëllai i vogël, se më kishte ftuar. I hipa autobusit të Tiranës së Re, kur më erdhi vargu i pare. Këtë e shpjegoj dhe kështu: Në trurin tim tashmë ishte melodia e këngës, që më ndiqte pas edhe aty në autobus, ndaj aty lindi vargu i parë, pas të cilit rrodhi gjithë poezia. Ajo këngë me sa më kujtohet u këndua në Dekadën e Majit të viteve ’70-ë nga dy këngëtarë të mirënjohur korçarë Gjergj Suljoti dhe Petrika Rrëmbeci dhe pati shumë sukses.

 -Çfarë shërben si frymëzim për të shkruar poezi? A keni ndonjë ndjesi të vecantë kur ju shkruani një poezi të bukur, të ndjeshme e të mirë?

 Nuk ka receta për frymëzimin, këtë e thotë vetë fjala frymë-zim, pra vjen si frymë e shenjtë, do të thoshnja. Natyrisht kur e ndjen, që ke krijuar një fjalë të bukur të pathënë më parë, ndjen një kënaqësi , sepse ke vënë shpirtin  në të.

 -Ju keni me qindra vargje si krijuese tekstesh për këngë të vlerësuar me çmime të para  në festivalet  e RTVSH-ë? Si ndjeheni për këtë?

 Natyrisht 7 çmime të para nëpër festivalet e RTVSH dhe 4 në koncertet “Kur vjen Pranvera” më kanë dhënë kënaqësinë e veçantë ato çaste, por Unë i jap rëndësi atyre teksteve që i kanë rezistuar kohës , atyre këngëve me tekstin tim që këndohen dhe sot dhe ato nuk janë pak! Këtë e treguan “Këngët e Shekullit” , ku unë kam gati 20% të tyre me tekstet e mia dhe kjo nuk është pak për një krijues, kur diçka ka lënë nëpër vite.

 -Znj. Zhuliana ju keni studiuar edhe për gazetari. A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetare? Çfarë ka ndikuar te ju më shumë apo dicka e papritur, që ju zgjodhët të jeni gazetare? A mund të na përshkruani  momente  nga eksperienca tuaj?

 Dita e parë si gazetare ka qenë kur unë isha ende studente dhe shërbimin e parë e kam bërë në Sukth, tek një ofiçinë, ku punonin edhe gra dhe vajza. Pata emocion që kur mora trenin dhe pyetjet ende nuk i kisha përgatitur, por ato erdhën duke parë aty gjendjen dhe punën e tyre. Ishte një shërbim për revistën “Shqiptarja e re” dhe unë falenderoj ish kryeredaktoren e kësaj reviste gazetaren e mirënjohur Ballkiz Halili për besimin, që pati tek unë si vajzë e re. E kam pasur pasion punën e gazetares, që në vitet kur isha studente dhe atëhere shumë nga miqtë dhe mikeshat e mia poetë dhe shkrimtarë të rinj aktivizoheshin në gazeta dhe revista të ndryshme për reportazhe, portrete etj. Kjo ka qenë dhe një nga eksperiencat e para në fushën e gazetarisë nga shumë prej nesh, që më vonë pas studimeve filluam punën edhe si gazetarë në organe të ndryshme të shtypit dhe në RTVSH.

 – Është një rastësi e mrekullueshme, që ne kemi mundësi për të diskutuar rrëth krijimtarisë tuaj. E them këtë sepse përvec poezisë, hartuese tekste muzikorë ,  gazetarisë, ju lëvroni edhe prozën, në gjininë e tregimit, vecmas asj për fëmijë. Unë  vecanërisht, do të përmendja librin me tregime  “”Fëmijët e teto Nastës”, që pati jehonë në letrat shqipe, por dhe mjaft i  vlerësuar nga kritika e kohës. Çfarë ju tërhoqi për të shkruar këtë libër me tregime? Përse ky titull?

 Vëllimi “Fëmijët e Teto Nastës” e kam shkruar nga vitet ’70-ë. Isha aktivizuar me tregime të ndryshme tek “Zëri i Rinisë”, por edhe në gazetën “Pionieri” dhe atë “Fatosi”. Në gazetën “Pionieri” atëhere ishte kryeredaktor i ndrituri dhe i mirënjohuri shkrimtari për fëmijë Bekim Gaçe, shkrimtarja Elena Kadare dhe poeti shumë i talentuar për fëmijë Xhevat Beqaraj ( ky i fundit ka qenë dhe redaktori letrar i vëllimit tim të parë me poezi “Net provimesh”), të cilët me dashamirësinë e tyre më hapën dyert e redaksisë dhe më nxitën të shkruaj edhe për fëmijë. Po ashtu mikja ime e mirë, shkrimtarja dhe skenaristja Shpresa Vreto atëhere kryeredaktore e revistës “Fatosi”, më botoi tregime për fëmijë. Disa prej këtyre tregimeve të botuara në këto organe shtypi unë i përmblodha edhe në vëllimin tim “Fëmijët e Teto Nastës”. Është e vërtetë , që kritika dhe vetë shkrimtari i madh për fëmijë, i ndrituri Bedri Dedja u shpreh me entusiazëm për vëllimin tim, por ndërkohë unë fillova punën në RTVSH,  si redaktore letrare në Redaksinë e Krijimtarisë dhe Inçizimeve Muzikore dhe nuk munda më t’i përkushtohem siç duhej gjinisë së tregimit për fëmijë. Titulli këtij vëllimi është marrë nga një prej tregimeve, në të cilin unë përshkruaj pak a shumë atë rrugicën time në Korçë, miqte e mikeshat e mia të vegjëlisë, që për çdo mbrëmje, veçanërisht në verë, na mblidhte para portës së shtëpisë së saj një nga të moshuarat e mëhallës, e cila dikur kishte qenë një nga mësueset e para: E quanin Olimbi Ikonomi dhe ishte nusja e xhaxhait të këngëtarit të mirënjohur Mihal Ciko, babait të Zhani Cikos dhe na tregonte shumë legjenda dhe histori të bukura. Unë tek figura e Teto Nastës kam mëshiruar jo vetëm atë, por edhe një nga nënat e dy dëshmorëve të Korçës: Raqi dhe Stavri Themeli, që ishte gjyshja e shoqes sime të ngushtë qysh në fëmijëri, Zhaneta Themelit. Me emrin Nastë, desha të përjetësoj gjyshen time nga babai, që e quanin Anastasi.

Letërsi artistike, poezi, prozë, publicistikë . Në cilën prej tyre ndjeheni më mirë? Çfarë mendoni se ka mbetur e pandryshueshme? Si lindi shtysa për të kaluar nga vargjet në prozë, apo nga proza në vargje?

 Të gjitha këto gjini më pëlqejnë, por gjithmonë do të kthehem tek dashuria e parë, që për mua është POEZIA! Nuk e di si ndodhi kalimi nga poezia në prozë. Mbaj mend që ka ardhur papritur një pasdite në zyrën e redaksisë së revistës ku punoja. U ula pranë makinës së shkrimit dhe fillova të shtyp tregimin “Pragu”, i cili u botua atëhere në “Zëri i Rinisë” me një ilustrim të shkëlqyer nga e madhja, e ndritura Safo Marko. Ishte viti 1969.

 -Çfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë perëndimore, bazuar në ato ç’ka ju keni lexuar apo vënë re?

 Nuk mund të jap mendimin tim të prerë për gazetarinë në Shqipëri, por kam idenë, se mungojnë shumë gjini gazetareske si reportazhi, portreti, analiza e vërtetë e fakteve dhe gazetarët jepen mbas “sensacionit” shpesh pa verifikuar mirë lajmin. Ajo që nuk më pëlqen dhe që më krijon pështjellim është, që nuk ka gazetë tek ne mos të flasë për seksin, shpesh duke rënë në vulgaritet. Shtypi serioz në Perëndim nuk bije në këto vulgaritete. Shpesh gazetari a gazetarja, në vend që të bëjë portretin e plotë të artistit, këngëtarit a kujtdo personi publik rend e gjen rrugën më të lehtë intervistën. Unë çmoj shumë gazetaren Rezarta Reçi , e cila ka bërë dhe bën një punë të shkëlqyer me portretet, që ka dhënë të artistëve, shkrimtarëve, piktorëve, njerëzve të shkencës në emisionin e saj plot kulturë “Arratia e Peshkut të Kuq”. Gjithashtu çmoj penën e gazetarit Aleksandër Çipa për problemet e thekshme që ngre dhe me vërtetësi. Ju uroj suksese gjithmonë e më të mëdha këtyre gazetarëve dhe kujdo, që bën gazetari të vërtetë në Shqipëri.

 – Ju gjithashtu, jeni  bija e këngëtarit veteran lirik, “Artisti i Merituar”, solistit të Grupit historik “Lira”, të Korcës, Gaqo Jorganxhi . Cili është “çelësi sekret” i lidhjes me atin tuaj,  dhe a ka ndikuar formimi tuaj intelektual dhe profesional artistik  në formimin tuaj, poete dhe shkruese tekstesh lirike?

Natyrisht im atë ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në të katër ne fëmijët e tij, gjithashtu dhe nëna. Mbaj mend ende fëmijë 7-8 vjeç ai më merrte përdore në provat, që bënte në Pallatin e Kulturës. Aty unë kam ndjekur pothuaj gjithë provat e operetës “Agimi” (1954) me libret të Kolë Jakovës, muzikë të Kristo Konos, që u vu në skenë nga kori, orkestra dhe solistët e Pallatit të Kulturës në Korçë. Aty im atë luante një nga rolet kryesore atë të Murr Keçit. Atëhere, mbaj mend zjente e gjithë Korça për vënien në skenë të kësaj operete të parë shqiptare. Në rolet kryesore luanin dhe këndonin: Pirro Suljoti, Marika Balashi, Lefkothe Kane, Gaqo Jorganxhi, Dhimitra Mele, Pandi Raidhi, Andrea Trebicka, Liza Skrami etj. Në korin e madh merrnin pjesë punëtorë, zanatçinj, mësuese etj. Ishte një sipërmarrje e madhe, që doli me shumë sukses jo vetëm në Korçë, por edhe në gjithë Shqipërinë. Në vitin 1956 u riorganizua dhe kori i grupi “LIRA” me këngët karakteristike korçare, grup, i cili ishte formuar në vitin e largët 1928-ë. Aty merrnin pjesë gjithë anëtarët e parë të këtij grupi dhe ishin 12-ë,  me gjithë katër orkestrantët, kitara dhe mandolina. Këta të 12-ë,  populli i Korçës i quante “12 Apostujt e muzikës korçare”. Aty im atë dhe Tole Adhami ishin solistë, kurse dirigjent ka qene Profesor Kostaq Osmanlli.

Unë jam rritur mes këngëve korçare, arieve të operave, që im atë m’i këndonte, të cilat ai i interpretonte dhe në koncerte të ndryshme, i shoqëruar nga pianisti i mirënjohur i ndrituri Boris Plumbi. Të gjitha këto ndikuan në formimin tim si poete. Unë me Profesor Boris Plumbin dhe më vonë me pianistin e mirënjohur Sami Bujari kam studiuar 10 vjet piano në Pallatin e Kulturës së qytetit tim. Kjo më ka ndihmuar dhe lehtësuar shumë në krijimin e teksteve.

-Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë? Çfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?

 Nuk besoj të ketë njeri, aq më shumë krijues që të thotë, se ka arritur aty ku duhet me krijimtarinë e tij. Është një shprehje latine: “I gjatë je o, art, e shkurtër je o, jetë!” Kam disa vjet që kam një vëllim gati me tekstet e mia nëpër  vite duke përzgjedhur ato që unë mendoj që janë më të realizuarat, por do dëshëroja ta shoqëroja me vijat melodike dhe dy CD. Kjo është një punë e vështirë dhe ky vëllim ka vite që po fle. Gjithashtu kam disa vjet që po shkruaj kujtimet e mia për punën time si redaktore letrare dhe poete e këngës, por ende s’e kam mbaruar.

 -Ç’mund të na thoni në lidhje me kulturën muzikore dhe atmosferën artistike në Shqipëri? Cfarë do të dëshironit të kishte bota shqiptare  nga kultura muzikore, nga ajo italiane ku ju jetoni aktualisht?

 Çdo brez krijon këngët e tij dhe thuhet se kënga “është modë”, por unë them që një këngë është këngë kur jep një mesazh të bukur dhe atë e merr publiku dhe e këndon dhe kënga pa melosin nuk jeton dot. Në Shqipëri ka muzikantë të formuar në Universitetin e Arteve dhe ata për mua bëjnë muzikën e vërtetë. Një muzikant nuk mund të kuptohet pa njohjen e një vegle muzikore, notave, solfexhit, harmonisë etj., që e formojnë një muzikant, por kam idenë që ndonjëherë mjafton një kompjuter, merret kopja e ndonjë kënge të huaj dhe hidhet në treg. Kënga italiane i provoi të gjitha rrymat pas viteve ’60 dhe ’70, por tani i është kthyer traditës: melodisë. Ata tre djemtë e trios “VOLO” po pushtojnë botën me këngën e vërtetë italiane. Kështu them, që dhe kënga shqiptare duhet të tingëllojë shqip, pa rënë në folklorizëm.

-Sipas mendimt tuaj, çfarë është qëllimi maksimal i Artit? Ju kanë quajtur artdashësit tanë dhe media të ndryshme “Mbretëreshë e teksteve të këngeve”, por a është ndjerë artistja Zhuliana Jorganxhi e vlerësuar nga shteti?

 Kur e pyetën të madhërishmin Bethoven:”Pse shkruani?!” Ai u përgjigj: “Atë që kam në shpirt dua të shpërthejë!” Ky është dhe qëllimi i një artisti, të verë shpirtin në artin e tij dhe ky art të çojë mesazhe tek çdo njeri, ta fisnikërojë atë. Sa për pyetjen e fundit a jam ndjerë e vlerësuar nga shteti po ju them, se përveç çimimeve dhe vlerësimeve nga institucionet e ndryshme nuk kam asnjë titull dhe jam me një pension minimal prej 150.000 lekë të vjetra, kur kam mbi 50 vjet krijimtari të botuar dhe të interpretuar, por mua më mjafton vlerësimi i artdashësve tanë, të cilët ndoshta kanë filluar të më quajnë me një “titull” shumë të madh, siç thatë dhe ju, të cilin ndoshta s’e meritoj duke më quajtur “Mbretëresha e teksteve të këngëve”. Nuk e bëjnë titujt një artist a krijues, e bën ajo ç’ka ai ka lënë prapa.

-Kur jeni ndjerë krenare për punën tuaj?Dhe pse?

Kur njeriu nxjerr nga duart dhe mendja e tij një punë të pastër, që iu shërben të tjerëve, ose iu jep njerëzve kënaqësi shpirtërore unë them që duhet të ndjehet krenar për atë që ka krijuar. Kjo më ka ndodhur jo rrallë, kur teksti, pra mesazhi i këngës ka hyrë në zemrat e njerëzve si p.sh. për tekstin “Në duart e nënës”, “Në sytë e tu”, “Pragu i vegjëlisë”, “Se kënduam Let it be” etj. kam marrë urime nga shumë njerëz, sepse tek teksti i parë ka një varg. “dhe vehten qortova të zënë në gabime, zemrën kur ta theva, o e shtrenjta ime!”, varg i cili për mendimin tim i përket gjithkujt nga ne, se s’ka njeri mos t’i ketë thyer zemrën qoftë dhe njëherë nënës së tij dhe të mos jetë penduar. “Në sytë e tu” preket një temë shoqërore. Aty tregohet një çifti “i zemëruar, që i ndjek pas një fëmijë si zog i trembur i hutuar!”…Tek “Pragu i vegjëlisë” them se gjithkush kudo që të shkojë do të kthejë sytë tek ai prag vegjëlie, ku hodhi hapin e parë, tha fjalën e parë…”Se kënduam Let it be” është një këngë që i kushtohet brezit tim, i cili “mohoi për një çast Zotin”, “por, se këndoi Let it be, rrojti i përgjuar”…dhe i kërkon falje Zotit: “Falna ti dhe mjaft me lot/ veç tek ti kam për të besuar!”

-Çfarë është dashuria për Ju, dhe kur e ndjen një grua se është e dashuruar!

Dashuria për mua është jeta! Një grua duhet të ndjehet e dashuruar kur nuk e kupton dot asgjë në jetë pa atë që dashuron.

 -Sa ju ka mbështetur familja në karrierën tuaj artistike?

 Familja më ka mbështetur në çdo çast dhe ka jetuar me shqetësimet e mia në periudhën e festivaleve në veçanti familja e motrës sime me kunatin tim të ndriturin Profesor Kostandin Leka, i cili gjatë gjithë jetës sime krijuese ka qënë një udhëheqës i shkëlqyer shpirtëror me vërrejtjet dhe kritikat e tij prej njeriu erudit dhe i jam mirënjohëse gjithë jetën atij, prindërve të tij të ndritur Jolanda dhe Minella Leka dhe motrës sime Rozmari. Unë kam jetuar me familjen e motrës dhe jetoj ende me të, pas 15 vjet jete në konviktet e qytetit “Studenti”, 4 vjet studime dhe 11 vjet si nënpunëse e pastrehuar(1964-1979).

-Një mesazh për brezin e talenteve të reja?

Gjithmonë i kam dashur dhe i kam përkrahur talentet e reja, sepse atyre iu përket e ardhmja! Do dëshëroja, që ata të jenë gjithmonë vetvehtja dhe të çojnë gjithmonë e më lart kulturën dhe artin në Shqipëri, sepse vetëm kultura shpëton një vend dhe e çon atë drejt përparimit!

Ju faleminderit!

Bisedoi:Raimonda MOISIU

 

Filed Under: Interviste Tagged With: e teksteve të këngëve, Mbretëreshë, poetja lirike, Raimonda Moisiu, Zhuliana Jorganxhi

Kurrë shqipja ma lehtë e ma ambël s’ka dalë prej shpirtit tim

July 31, 2016 by dgreca

(Disa fjalë për Dr. Lazer Radi, Jozefin e tij dhe Fletoret e vjeshtës)/

Nga Bajame Hoxha-Çeliku (Bruxelles)/

Duke shfletuar e duke lexuar me kujdes librin e fundit me poezi të mrekullueshme “Fletorja e vjeshtës” të poetit Jozef Lazer Radit, konstaton menjëherë një ndjenjë të thellë dashurie me të cilën poeti ka shkruar çdo varg në gjuhën e tij të çmuar shqipe. Poeti ka qëndisur me një gjuhë aq të ëmbël gegënisht, sa të duket se po të shoqërojnë tingujt dehës të një violine gjatë gjithë përmbajtejes, deri në fund, ku shpeshherë  ndjen emocione të forta që fillojnë  te parathënia që poeti e ka shkruar vetë me dhimbje, e deri në vargun e fundit ku nuk i mungon asgjë. Madje poezia është e ndërtuar bukur e veshur me figura letrare, e pasur me metafora të fuqishme. Poezia e Jozefit na ngjall ndenja  e mendime të thella, dhe zëri i tij, origjinal, universal, na shkund duke e lexuar sa na duket se po e përjetojmë, sepse  vargjet e tij vijnë si një komunikim shpirtëror mes poetit dhe muzave poetike që në tërësi i përgjigjen ndjenjave të tij fisnike. Pëmasat e jashtëzakonshme të gjinisë së tij lirike shfaqen pëmes një force krijuese me ecjen e pandalshme drejt lirisë dhe përparimit.

Ja se si shpreht ai në parathënie: “E kam shkrue kët libër t’nji jete të thyeme, shpesh rrugëve të lodhjes, herë me kujtesë e herë ndër mija copa letre që sot i ruej si pergamera. E kam shkrue dhe përsëritë jo vetëm si poezi, po edhe si muzikë, edhe si dhimbje lindjeje, e kam lexue e sterlexue gjer në lodhje rrejedhën e saj, e s’ka njeri që ma mbush mendjen se gjuha shqipe asht e vorfën dhe e pamundun… Sot, veç sot e besoj se gjuha shqipe edhe pse gjuhë e përdhubueme si asnji gjuhë e kësaj bote, mbetet gjuhë e fuqishme, aq poetike dhe aq e lidhun me shpirtin e karakterin e shqiptarit sa asnji identitet s’asht me i fortë se ajo…” Në fund, poeti e mbyl parathënien me këto fjalë: “Kurrë shqipja ma lehtë e ma ambël s’ka dalë prej shpirtit tim…E kështu e lehtë e ambël ardhtë edhe tek ju..!” (J. R.)

Kjo është gjuha e ëmbël e Jozefit dhe shumë poetëve të njohur që  na bashkangjiten tani në sy, dhe na thërrasin kujtesën për 100 vjetorin i lindjes së poetit të pavdekshëm, Migjeni. Tani, më vijnë në mëndje shumë ngjarje drithëruese që më lëndojnë shpirtin dhe më del para sysh takimi i parë i Dr. Lazer Radit me Migjenin, të cilën ma ka treguar vetë në një besim të madh në kampin e Savrës. Gjithashtu më del përpara jeta e vetë shkrimtarit, poetit dekadent, që tharmi surealist mundi të mbijetoi, dhe sot në dritë është i pranishëm por fatkeqësisht pas vdekjes. Dr.Lazer Radin, dhimbja për Migjenin, e shokut, e mikut të tij më të mirë, e plagosi thellë dhe kjo dhimbje e shoqëroi gjatë ndoshta dhe deri në vdekje. Ndoshta ishte një peng që bulëzonte në zemrën e tij, ai peng që s’varej prej tij, ai peng dhe ajo dëshirë për të botuar librin për Migjenin, por që diktatura, ai regjim i mbrapshtë e i egër, nuk e lejoi botimin në ato vite terri, e deri në demokraci.

Familja Radi,  do të mbetet në kujtesën time si pikë referimi, ashtu siç i njoha që fëmijë me atë aftësi thuajse hyjnore. Ata, ishin  të dashur, mirkpritas për të gjithë, të urtë, të mençur, e deri në ditën e fundit të jetës së tyre të robëruar, por të vlerësuar nga e gjithë shoqëria dhe nga të gjitha familjet e nderuara që ishin pjesë e vuajtjeve, e kampeve, dhe e burgjeve. Në zemrën time gjithmonë ka mbetur një vlerësim, një çmim i madh që ja u kam dhënë në ato vite balte dhe skëterre, në ato vite ku vranë jetët tona të reja pa mëshirë e dhimbje. Ashtu do të mbeten në kujtesën time me shumë merita të nalta, siç i njoha në kasollen e internimit të rrethuar me thupra, ku mbrëmjeve pas një lodhje të tmerrshme mblidheshim te kjo kasolle me thupra dhe merrnim dituri, mësime të gjuhës shqipe, të gjuhës italiane etj, etj.

Në atë kasolle vite e vite dëgjuam fshehtas festivalin e Sanremos, Kanconisimat, lexuam dhe diskutuam për shumë vepra, për shumë libra, romane e poezi, dhe njohëm shumë autorë të huaj dhe të vendit.

Të gjitha rreshtat, dhe opinionet që u lanë këto dy ditët e fundit, mbi librin e Dr. Prof. Lazer Radi, për poetin e pavdekshëm  Migjeni, “Një verë me Migjenin” i shoqërova me lot dhimbjeje, dhe emocione të një kujtimi të pa harruar. Unë, këtë libër e kam njohur shumë herët, atëhere kur s’isha rritur akoma, atëhere kur s’isha formuar akoma, atëhere kur e shikoja Dr.prof. Lazer Radi, në sy, në gojë, dhe ia përpija fjalët e tij perfekte nga goja. Ti Nini, duhet të ndjehesh krenar që je biri i një dijetari, biri i një udhërrëfyesi që s’u thye para asgjëje, i një heroi që s’u mposhtë kurrë nga furtunat dhe bëri epokë në zhvillimin dhe përparimin e rinisë së internuar dhe të burgosur.

Tani erdhi koha, por mjerisht vonë! Por erdhi një kohë ku flitet vërtet shqip dhe kuptueshëm, vërtet erdhi  një kohë me vlerësim, për të vlerësuarit e kombit, erdhi një kohë ku nuk tremben trimat dhe trimëreshat për të thënë atë të vërtetë të mohuar, atë të vërtetë të bukur dhe të çmuar.

Ky njeri me vlera të pa tjetërsuara ka ndihmuar pa rreshtur njerëzit në nevojë të asaj kohe brenda kampeve dhe burgjeve. Njerëzit që i kërcënonte rreziku dhe që s’dinin të mbroheshin. Ai s’u kursye kurrë edhe pse ishte një rrezik i madh për të dhe familjen e tij për të dhënë sadopak një mësim, një këshillë, një fjalë të ëmbël e të ngrohtë në atë vend akullnajë. Ky njeri me talent të madh e me dije të thella, njihte thelbin e mirëfilltë të gjërave që e pengonte jetën e lirë të gjithë atyre që patën fatin e keq të jetonin si skllevër në vend të vetë.   Nuk besoj  se kishte mbetur njeri në kampe pa u këshilluar me këtë njeri të ditur me një zemër kaq shumë bujare.

Jo rrallë herë, ky njeri i nderuar, i bënte këto këshillime dhe në sytë e mi, dhe kjo më bënte ta doja këtë besim, ta vlerësoja, sepse të të lëshonte një besim të madh një njëri si ai, duhej të mburreshe, të mendoje me të vërtetë se ishe dikushi, se kishe fituar besimin e një filozofi, dhe unë, s’e theva kurrë besimin e profesorit tim. Hedh sytë nga ajo e kaluar e trembur dhe psherëtij për shumë humbje, por e çmoj së tepërmi atë shoqëri që na u gjend pranë për ngushëllim e dije në ato dekada mjeruese. Tani, ne nxënësit e tij, mburremi tek shikojmë se si çdo ditë, çdo çast, figura e profesorit tonë të nderuar po rritet, po merr pamjen e duhur, dhe po ngrihet në piedestal.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, Dr. Lazer radi, Fletoret e vjeshtës, Jozef

Faslli Haliti sjell ne Sofren Poetike te dIellit Stefano Benni

July 31, 2016 by dgreca

  1. Stefano Benni/ 1947/

 Stefano Benni (Bolonjë, 12 gusht 1947) është  shkrimtar, gazetar, skenarist, poet, dramaturg e humorist italian.

Benni është autor romanesh të ndryshme e antologjish  me tregime të suksesshme; ka bashkëpunuar me gazetat javore L’espresso e Panorama, etj.

 Dy liderët

Kaçiari: fashizmi është larg
Oketo: Fashizmi afër
Kaçiari, po ku e sheh ti?
Oketo: atje, mbi terrenin e disniveltë
Kaçiari, por është vetëm një pikë e vogël
Oketo: por është e madhe, budalla
Kaçiari: është një re e ulët
Oketo: është një skuadër fashiste
Më falni nëse po ju ndërpres bisedën
tha shefi i skuadër së pushkatimit

 Mos e përçmo të paktin/

Mos e përçmo pakicën, të paktën, jo të mjaftueshmen,
Të përulurin, jo të dukshmin, të zbehtin, të heshturin
Sepse kur do të kenë kaluar dashuritë dhe betejat
Në të ecurin e fundit, në dhomën e zhveshur
Nuk do të mbeten zjarri dhe madhështorja, triumfi dhe fanfara
Por thëngjinj, një gllënjkë uji, një fjalë e pëshpëritur, një shënim
E pakta  më e pakta e pa mjaftueshmja.

Ekzitpolli i ardhshëm

Në rastin e luftës civile
sipas një sondazhi të kohëve të fundit
qeveria dhe ushtria
kanë një avantazh të lehtë.
Bokassa Rap

Gjyqtarët nëse duan të gjykojnë duhet të  zgjidhen
gazetarët nëse duan të shkruajnë nuk duhet të kritikojnë
sindikalistët duhet të ngrihen në këmbë kur më shohin të hyj
opozita nuk duhet të kundërvihet përndryshe vlen
shkurt më lini një herë të paktën të punoj
kam gjashtë vila në Sardenjë dhe faturat për të paguar
dhe mbase do të më duhej të shtrohesha në spital
Më lejoni më lejoni dëgjoni
ka shumë anomali në këtë shoqëri të dhunshme

Gjyqtarët në duan të qëndrojnë s’duhet të na arrestojnë
shtypi i huaj s’duhet ta mbikëqyrë Italinë
dhe unë ha në shtëpinë time me atë që më  pëlqen
dhe më në fund ti Betino pusho së telefonuari
më shumë se ajo që kam bërë pikërisht nuk mund ta bëj
kam gjashtë televizione për t’i mbajtur mbi supe

dhe ndoshta do më duhej të shtrohesha në spital
më lejoni më lejoni, më dëgjoni
ka tepër financë në këtë shoqëri të dhunshme

Dhe tre të urtët nëse janë të urtë nuk duhet të ngatërrohen
dhe Rai duhet të jetë plotësuese komplementare
për Perëndi shpjegomëni se ç’do të thotë komplementare
dhe mos thoni se unë nuk di italisht se  më  bëni të  zemërohem
dhe gjyqtarët duhet t’i regjistrojnë proceset gjyqesore
dhe gazetarët nuk duhet ta teprojnë me acarimin
dhe ndoshta do më duhet të shtrohem në spital
më lejoni më lejoni, dëgjoni
ka shumë pak Fininvest në këtë shoqëri të dhunshme

Dhe gjykatësit të ngrihen në këmb para se të gjykojnë
po nëse mafia voton për mua ç’ mund të bëj unë
dhe milionin e vendeve të punës, e kam thënë me shaka
dhe dua tre mijë truproje që duhet të më ruajnë
dhe një portret gjashtë metra veshur si perandor
dhe që jam fashist s’duhet të ma ma thoni
dhe gazetarët para se të shkruajnë duhet të zgjidhen
dhe penalltitë kundër Milanit nuk duhet t’i jepni
dhe agjit-propët të shkojnë në Rusi për të propaganduar
dhe mos më quani Bokassa  ose ju pushkatova
dhe gjykatësit nuk mund t’i nxjerrin vendit rropullitë
dhe mua lajmërimet e garancisë nuk duhet  të m’i dërgoni
dhe mbase do të më duhej të qetësoj pak veten
por nëse unë jam Perëndi ç’mund të bëj
më lejoni më lejoni më dëgjoni
nuk ka më fe në këtë shoqëri të dhunshme.
Udhëheqja e madhe e majtë (Një ëndërr)


Gjysmë sekretari
sovjet ose komiteti qenve të zgjidhur,

vullnetarëve
të qendrave sociale të punëtorëve
atij që kurrë nuk dallohet
atij që kundërshton
edhe nëse nuk është inkuadruar
nga direktivat e marra,
nga telekamerat e ndezura.
Ku janë sytë e tu të zinj,

Ai – Ku janë sytë e tu të zesë,
dhe profilin yt si hyjneshë,
konsumohem në mendimin
si mund t’i shoh përsëri.

Ajo – janë të kaltër tani sytë e mi,
sepse
kam lente kontakti,
dhe hundën e kam ribërë,
njihmë pra i dashuri im.

Ai – Nuk e shoh më buzën tënde,
gonxhen e vogël rozë

që e puthja me epsh.
Dhe gjoksi yt i paprekur
që e mbaja në një dorë
tani më duket mjaft më i madh
katër herë së paku u rrit.

Ajo – Oh më shqetëson ky kujtim
por unë jam përherë po ajo
goja ime është pak më e madhe
dhe gjoksi im i derdhur.
Më
ndryshoi silikoni
por s’ndryshoi aspak pasioni im.

[këndojnë] Oh, dashuria jonë s’do të plaket [aspak]
së bashku me të s’do të plakemi dhe ne
edhe sepse unë s’e di më se kush jam
dhe as s’e di më kush je ti.

Ajo – zemra jote rreh në gjoks,
ndiej zërin dhe ngrohtësinë tënde

por nuk njoh prekjen
e dorës tënde burrërore .

Ai – Zemra ime plakë dhe e lodhur
pësoi një transplant të shkathët
dhe dora s’është imja
është sintetike, është protezë.
U pre në duel
në kopshtin e Fontemblisë
një kirurg e ngjiti atë.

Ajo – Oh fat i mjerë
kaq shumë na ka ndryshuar.
Duke pritur me shpresë dhe vajtim

edhe unë pësova një transplantim
dhe këmbeva seksin tre herë,
por dashuria ime për ty është po ajo.

Ai – Oh fat i mjerë
kaq tepër na ka ndryshuar.
Nuk mundem më aa fsheh

do të të them të vërtetën.
I dashuri yt, jo, nuk jam
I dashuri yt ndiq ushtar

por një pikë e gjakut të tij
u klonua dhe u linda unë
kopje e saktë dhe e përsëritur
e të dashurit tënd të ëmbël antik.

Dhe dashuria mbeti njëlloj
mos më largo edhe nëse
unë nuk jam origjinali.

Ajo – Kjo e vërtetë e fshehtë
praron dhe  gëzon zemrën time

As unë s’jam dashnorja jote.
por një kopje mjaft e arritur.

Atë e hëngri tuberkulozi
unë mushkëritë nuk i kam.
O i dashuri im bëj ç’të duash
me materialet e mia.
Zemra ime jotja do të jetë
dëshirave të tua u jepem
unë të betohem për besnikëri
ja telekomanda ime .

[së bashku] dashuria jonë s’do të plaket kurrë
dhe së bashku me të nuk do të plakemi ne
].

[ajo fillon të humbasë zërin e saj, sikur të shkarkonte baterinë

si një disk me tridhjetë e tre xhiro]

Ai – Mimi … Violeta [publikut] bateria nuk i lë  … vese

pak orë …

Ajo – I dashur … po vdes … shkarkohem … të mallkuarit !
E shkreta jeta ime,

isha ende nën garanci.

nga libri «Beatriçet»

 Kartolinë

Jo më kambanat
do t’i zbulojnë të dashuruarit
por telekamerat
ose Gijomi
Dëgjoj kuartetet
pikturoj vogëlushe

të dërgoj kartolinë
nga ëndrrat,

të shkruaj nga deti
një ishull për tavolinë

si pullë i vë një lulekuqe.

 

Dyshime

Çfarë thua çfarë them
Çfarë thonë për ne
Çfarë mendon çfarë mendoj
Çfarë mendoj për ty
Çfarë thua për mua
Çfarë thonë ata

që kthehen nga deti
brenda autove në rresht
çfarë dreqin dua
çfarë dreqin do
çfarë duan nga ne
çfarë besojnë se bëjnë
ato që nuk besojnë

çfarë do të dish
çfarë do ti që të thotë

çfarë është një shtëpi bosh         
ku askush më nuk thotë
çfarë nuk
shkon më
ku je ku je
çfarë them o zot
çfarë ke bërë zot
çfarë do të bëj vallë
çfarë të ka ngjarë
çfarë ka ndryshuar
çfarë do të ketë qenë
mbase
të ngrënit e tepërt
në kthimin nga deti
çfarë do të ketë menduar
kur plasi

çfarë do të bëjë tani
çfarë do jetë  më pas
më pas çfarë pastaj
çfarë thua çfarë them
çfarë do të dish
çfarë do të doje ti të bëje

çfarë është sonte
që nuk ishte dje?

Luftë yjore
lapidar për një lojtar të videogamës

Vrau tre mijë anije kozmike
pastaj u vra nga një motoçikletë në rrugë


Përngjasim

Ajo vallëzonte mbi çati
ai flinte në shtrat
ai shkonte për peshkim
ajo qëndronte për të hekurosur
ajo kishte një dashnor permanent
ai një papagall të kuq
ajo ëndërronte shpesh
ai jo

Ajo u nis për në Lindje
ai qëndroi të peshkonte
ajo u kthye të hekuroste
ai u hoq sikurur s’kuptoi gjë
ai zuri një dashnore
ajo një qetësues

ai shkonte në stadium
ajo e ndiqte në radio
ai tymoste cigaret zinxhir
ajo
vetëm pas darke
një ditë vdiq
ajo jo…

Perktheu :Faslli Haliti

Filed Under: Featured, LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti, poezi nga Stefano Benni

Ambasada turke paralajmëron Kosovën për sulme terroriste, reagon policia

July 30, 2016 by dgreca

Ambasada turke në Kosovë i ka dërguar një letër qeverisë kosovare ku e paralajmëruar për rrezikun terroristë të shkollave të drejtuara nga Hizmeti, një lëvizje turke e frymëzuar nga kleriku mysliman Fetullah Gylen. Qeveria turke ngre shqetësimin për qendrat kulturore që kanë hapur Kosovës pjesëtarët e lëvizjes civile, e cila ka në thelb të saj promovimin e dialogut midis feve.

Në një komunikim zyrtar të Ambasadës turke në Prishtinë me Ministrinë e Jashtme të Kosovës, autoritetet turke “kanë tërhequr vërejtjen për sulme të mundshme”, nga siç thuhet “Organizata terroriste Fetullah Gylen mbi Qendrat Kulturore Turke ‘Yunus Emre’ në Kosovë”.

Në bazë të shkresës, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, që mban datën e 23 korrikut, Ambasada turke “kërkon nga autoritetet në Kosovë që të ndërmarrin masa shtesë të sigurisë përreth ndërtesave të Qendrave Kulturore ‘Yunus Emre’ me qëllim të mbrojtjes së tyre në Prishtinë, Prizren e Pejë”.

Qendrat kulturore turke ‘Yunus Emre’ u hapën në Kosovë afro 5 vjet më parë dhe u shtrinë fillimisht në Prishtinë e Prizren, dhe më vonë edhe në Pejë, me programe në fushën e kulturës dhe arsimimit, posaçërisht nëpërmjet kurseve të mësimit të gjuhës turke. Mbështetësja kryesore e këtyre qendrave është Konsullata e përgjithshme e Turqisë në Prizren, që thuhet se edhe i financon ato.

Pas grusht-shtetit të dështuar në Turqi, autoritetet në Ankara në përpjekje për të dëshmuar përfshirjen e klerikut mërgimtar Fethullah Gylen në aktivitetet puçiste, nxituan të kërkojnë edhe veprime konkrete të shteteve në Ballkan ndaj organizatave që ai kishte hapur në këtë rajon.

Kërkesa e Ambasadës turke për masa parandaluese në mbrojtje të Qendrave Kulturore nga veprimet, siç thuhet, terroriste nga mekanizmat e sigurisë në Kosovë, është vlerësuar “e pabazuar”.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka asnjë shenjë për “veprime terroriste brenda territorit të Kosovës”, por shtuan se masat e sigurisë në kohë të kërcënimeve globale nga sulmet e mundshme terroriste, janë pjesë e domosdoshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve të vendit.

“Deri tani nuk ka ndonjë indikacion se ekziston ndonjë rrezik potencial në vend, përderisa Policia e Kosovës është gjithnjë vigjilente dhe e përkushtuar për garantimin e sigurisë së përgjithshme dhe lëvizjen e lirë, duke pasur parasysh që edhe në këtë kohë verore edhe fluksi i njerëzve dhe automjeteve është më i madh, posaçërisht kur një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë vjen në vendlindje për pushime”.

“Në pajtim me nevojën për kapacitete shtesë, PK-ja angazhon edhe zyrtarë të mjaftueshëm për menaxhim të sigurisë dhe garantim të lëvizjes së lirë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Filed Under: Komente Tagged With: Ambasada turke, Kosove, sulme terroriste

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT