• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2016

DON ALFONS TRACKI: “KËTU, UNË KAM ATDHEUN E DYTË SHQIPNINË..!”

July 17, 2016 by dgreca

1944 – DOSJA NR. 1885/

Nga Fritz RADOVANI/

 NE FOTO: DON ALFONS TRACKI (1896 – 1946)/

–“Jo, nuk vij me ju, mbasi nuk kam ardhë në Shqipni per qellime politike, as ushtarake dhe as, si pushtues. Këtu unë kam Atdheun e dytë Shqipninë, të cilit i kam sherbye si Meshtar dhe, këtu, due të vdes si Shqiptar!” Kështu, i tha Hausdingut në vitin 1944…

  • Nxanësi i Tij At Konrrad Gjolaj, më ka tregue per mësuesin e vet Don Alfons Tracki:

“Ishte aty nga gjysma e nandorit 1944, kur gjermanët që ishin në Velipojë, grumbullojnë 100 burra nga Velipoja dhe Mali Kolaj per me i pushkatue, se kishin vra një ushtar nga forcat gjermane kur po largoheshin nga Shqipnia. Dy djelm nga Velipoja vijnë shpejtë në Shkoder dhe njoftojnë Don Alfonsin, per çka po ngjet në Velipojë. Don Alfonsi shkon me të shpejtë atje, dhe informohet se, “ushtarin gjerman e kanë vra dy agjenta jugosllav, per me ba gjermanët hakmarrje nder Shqiptarët e atyne krahinave…” Takohet me oficerat që kishin grumbullue 100 Shqiptarët me i vra, dhe ua shpjegon atyne qellimin e keq të dy agjentave komunista jugosllav, kunder Shqiptarëve. Ata i besojnë Klerikut Don Alfons Tracki, tue u nisë nga kenja e Tij gjerman, dhe i lirojnë të gjithë Shqiptarët e Pafaj…”

17 KORRIK 1946, ora 17.00 Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetari Mustafa Iljazi, antarë, Zyhdi Shehu e Anastas Koroveshi dhe prokuror Aranit Çela (akti nr. 249), vëndosi: 1. Llesh Marashi, me varje në litar. 2. Kol Ashiku, 3. Nikoll Preng Dedaj dhe 4. Don Alfons Tracki, dënohën me vdekje, me pushkatim. Dihet botnisht se Don Alfonsi, nuk kishte asnjë lidhje me asnjenin nga antarët e grupit me të cilët po dënohej…

  • 18 KORRIK 1946,pra, atë natë bahët kërkesa për falje jete nga avoketnit e sejcilit të dënuem me vdekje. Më datën 18 korrik 1946, bahet shqyrtimi i akteve në Gjykatën e Lartë në Tiranë, nga: Krytari, major Frederik Nosi, antarë kap.Veladin Zejneli dhe kap. Nexhat Hyseni, prokuror Nevzat Haznedari dhe vëndosi:..
  • Me 18 korrik 1946 njoftohët Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, me shkresën nr. 902/7 se: “…në bazë të vendimit të dhënë me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët : Llesh Marashi, Kol Ashiku, Nikoll Preng Dedaj dhe Don Alfons Tracki.

I pari në litar. Dënimi i tyre në përgjithësi është konsideruar me vend nga i gjithë opinjoni. Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë. Shef i Seksionit Shkodër (Zoji Themeli) d.v.

 70 VJET KRIME…

  • Ekzekutimi u krye në orën 5.00 të datës 18 korrik 1946… po kërkesat e të dënuemve kur janë shqyrtue nga Gjykata e Naltë dhe Kuvendi Popullor?
  • Pse në shkresën e Zoji Themelit nuk asht emni i të ndjerit Kel Abati, që u pushkatue me këtë grup pa pasë as Ky asnjë lidhje me ta? Pse asnjëherë nuk doli në dritë vrasja misterioze e Kel Abatit, mos edhe ky ishte “kriminel”? A duhët besue se me të vërtetë Kel Abatit iu fal jeta mbas ekzekutimit? Ndoshta ma vonë e drejta do të dalin, por kam frikë se jo! Vrasësit komunistë gjithmonë punojnë me mbulue krimet e veta, mjeti ma i mirë i tyne asht harresa! Një metodë që e vazhdojnë edhe sot!

“Tracki ishte modeli ma i përkryem i meshtarit Katolik”, shkruen At Konrrad Gjolaj.

***

  • “I HUMBUNI…” DON ALFONS TRACKI… “I humbun…”, vetëm kaq shënohej ndër rregjistrat e klerikëve që ishin mbrenda “perdës së hekurt”, e ndoshta, përgjithmonë mbetëj ashtu. Nuk asht e meritueshme që shumë nga Ata Figura të ndrituna të historisë sonë kombëtare të mbulohën nga pluhuni i harresës. Jo ma pak përgjegjësi historike dhe morale kemi edhe përpara veprës së misionareve të fesë, të cilët në rininë e tyne, me punë vetmohuese provuen me fakte se Toka Shqiptare për ta ishte Atdheu i dytë i tyne. Kjo, dhe vetem kjo, asht arësyeja kryesore që më ka shty me u ndalue tek “i humbuni” Don Alfons Tracki, i ardhun misionar nga Breslau.
  • E pra, Ky “I humbun”…Kushedi sa vetë shpetoi nga zhdukja nder kampet gjermane!

Misionarë që nuk ka kursye as jeten per Shqipni!

Rrezikoi jeten per me shpetue 100 Shqiptarë, që do të vriteshin nga gjermanët…

  • Dhe, as sot, Don Alfons Trackit nuk i dihet as varri!

            Melbourne, Korrik 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: Atdheu i dyte, DON ALFONS TRACKI, Fritz radovani, shqipnia

“GRUSHT SHTETI” NË TURQI, NJË DOGANË E “ERËS ERDOGAN”

July 17, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
 1.Grushti i Shtetit” në Turqi ishte i paralajmëruar edhe para tre vitesh, edhe para tre muajsh.  Gazeta londineze “Guardian”, në korrik 2013, kur e rrëzuan nga pushteti presidentin egjyptian Mohamed Morsi, e paralajmëronte si sinjal për Turqinë e Erdoganit. Gazeta amerikane “Washington Times” e 7 prillit 2016 paralajmëronte se Erdogani do puç ushatarak në Turqi për të rritur pushtetin e tij.
 Tashti, “lira” e politikës neo-otomane dhe e islamit modern, në të dy anët e saj ka “grushte shteti”: me 15 korrik ia nisi ushtria e shtetit militar turk e me 16 korrik ia nisi Erdogani,“militari demokrat”, ky lider i shekullit për Turqinë euro-aziatike.
I pari Grusht Shteti ishte antidemokratik kunder Erdoganit, ndërsa i dyti Grusht Shteti po bahet i tillë – antidemokratik nga vet Erdogani.
E, këto dy grushtshtete në Turqi janë veçse “bubullima” që kanë me sjellë tevona “rrufenë” e një tjetër grusht shteti në Turqi, si para nji gjysëm shekulli – më 1960 apo rreth nji çerek shekulli ma herët – më 1997. Ndoshta, do të jetë ndryshe nga këta të dy. Ndoshta këto “dy grushte shteti” në një ditë apo në dy ditë kohë, janë “telenovela” më e re turke… Edhe në televizione na u duk e tillë.
            2.
            Në këto dy grushte-shteti pati e ka “teori konspiracioni” gjithafërësh e kryesisht të stilit (neo)otoman.
Në këto dy grushte-shteti pati e ka dukuri paranoike që nga vet Erdogani kur akuzoi imamin 75 vjeçar Fetullah Gylen, mikun e kahershëm e rivalin e vonshëm, i cili prej 15 vitesh jeton në Amerikë, të cilit i janë lëshue tre mandat-arreste në Turqi dhe e kanë fut në listën e terroristëve në Turqi, etj.,
Ky dijetar e lider i Lëvizjes “Gylen” me shtrirje mbështetëse në turqi, Azinë Qendrore e disa vende të botës, i një lëvizjeje që flet për Islam të Moderuar, i një lëvizje e pranueshme për Perëndimin, deklaroi se nuk ka dorë në Grushtin e Shtetit në Turqi, se Qeveria nuk duhet të ndryshohet me forcë, po përmes nji proçesi demokratik, etj.
Në këto dy grushte-shteti pati e ka shfaqje të viktimizimit prej grushtit të shtetit si nga Erdogani dhe nga të tjerët, bashkëpunëtorë kabineti e mbështetës rrugëtimi historik-politik-fetar të tij.
 3.
Grushtet e Shtetit në Egjypt më 2011 dhe më 2013 ishin e mbeten  paralajmërim për ish-kryeministrin e presidentin Erdogan, sepse ky donte e me sa po duket ende don t’i shembëllej Hosni Mubarakut, presidentit egjyptian të para 2011-tës, për nga kohëzgjatja në pushtet, në sjelljet ndaj opozitës turke, etj.  Në shumçka, po don të jetë edhe si Muhamet Morsi në karierën e tij politike drejt fronit të presidentit të shtetit turk, etj.  Edhe këta dy ish-presidentë egjyptianë kishin nevojë e interesa për Erdoganin. Vet presidenti i 5-të i Egjyptit, Mohamed Morsi, në vjeshtën 2012, në Kongresin e partisë së tij “Partia për Drejtësi e Liri”, e propogandoi partinë e Erdoganit, Partinë për Drejtësi e Zhvillim, si “model për demokratizimin e Botës Arabe”.
Në këta shembuj e lidhje ka udhë e gufime dhe grusht-shteti zinxhir në Turqinë e 2016-tës.
            4.
Erdogan dhe partia e tij, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, në verën e vitit 2013, kur protestuesit antiqeveritarë që dolën në Parkun Gezi në Sheshin Taksim të Stambollit, i quajtën në metaforë si “Grusht Shteti”. Kjo iu shkoi për shtrat e shtat politik, por nji ditë do t’u shkonte dhe në prag, tek dera e Presidencës së tij, si në natën e 15 korrikut 2016.
Erdogan, si rrallë kush, e dinte fort mirë ato çka thoshte Hatam Ete, nga Instituti SETA, institut i afërt me partinë e tij (Partia për Drejtësi e Zhvillim): “Ajo për të cilën kishte pasur përpjekje në Turqi, pati sukses në Egjypt”. E, kjo thanie, u botue në disa media të botës, nga Atlantiku në Paqësor.
A thue, për Erdoganin, do të jetë i rastësishësh ky fakt i njëjtë në të dy rastet?!
Kur ndodhi “Grushti i Shtetit” ndaj presidentit Mohamed Morsi në Kajro e Aleksandri kryeministri turk, Erdogani, ndodhej me pushime verore larg kryeqytetit Ankara dhe u kthye me emergjencë nga brigjet e Egjeut duke organizuar një mbledhje të shpejtë me ministrant kryesorë të kabinetit të tij dhe e cilësoi këtë Grusht Shteti si “vrasje të demokracisë e të ardhmërisë”, po nuk i ceku aspak të metat e qeverisjes së Morsit.
E, prapë, pas tre vitesh, kur i ndodhi Grusht Shteti në Turqi, në Ankara e Stamboll, presidenti Erdogan gjendej me pushime, larg kryeqytetit të vendit?!
5.
Presidenti turk, Rexhep Erdogan, për fitoren ndaj Grushtit të Shtetit të 15 korrikut 2016 duhet t’i jetë mirënjohës popullit turk, mbështetësve të tij. Këtë e thotë dhe vet Erdogani në thirrjen e tij në orët e para dhe në disa deklarata të orëve të fundit.
Ajo çka nuk e thotë Erdogani me zë e figurë, ajo çka nuk e deklaron në Ankara e në mediat e botës është fakti që Erdogani duhet t’i jetë mirënjohës dhe Euro-Atlantikës, SHBA-ve, NATO-s e BE-së.
Këto ngjarjet e ditëve të fundit në Turqi treguan dhe një herë tjetër se Turqia është një vend europian ma shumë se aziatik, se Europa e bashkuar e don të tillë. Edhe Amerika e don të tillë Turqinë: Euro-Atlantike.
Përndryshe, sido që të ishte skena apo skenari, Turqia do të ishte në valët e Grushtit të Shtetit të përgjakshëm apo të një lufte civile sin ë disa vende aziatike e afrikane. E, ndoshta, pse jo, dhe Erdogani i Turqisë do ta kishte pësuar si Gadafi i Libisë apo fqinji i tij, Sadami i Irakut.
            6.
Sidoqoftë, Erdogani, që pa mëdyshje është mik i mirë i shqiptarëve, një nga tribunalët e Pavarësisë së Kosovës, etj.,  po shohim kah sillet në dekadat e fundit si një Ertuğrul neo-otoman i Turqisë së sotme moderne, që e ka ba Turqinë fuqi rajonale dhe popullin turk e ka kthye për veti në shumësi, pasi ky po eksporton nji lloj islamizmi demokratik populist në Lindjen e Mesme, po dhe në Gadishullin e Ballkanit, në Kosovë, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë, etj.
Erdogani i fillim shek. XXI po i ikën dhe Ataturkut të fillim shek. XX, pasi Erdogani e ka gdhend emrin e vet piedestalor në Turqi e po kërkon të ketë emrin e vet dhe në historinë euroaziatike e botërore.
Erdogani po kërkon një “erë të re”, përndryshe: ”Era Erdogan”.
Këto dy grushtshteti janë “doganë” për Erdoganin, ku ai aq sa mund të marrin “liçensë” për “Erën Erdogan”, po sa kaq mund të marrin dhe “leçitje” për “Erën Erdogan”. Ai, Erdogani, si po vjen i madh, mund të ikin dhe i vogël.
Këto “dy grusht shteti” të ditëve të fundit në Turqi janë fati e fataliteti i Erdoganit, i cili ëndrron disi të kaluaren otomane. Njëherash, janë dhe  fati apo fataliteti i Turqisë së sotme që po ecën drejt të ardhmes moderne, euro-atlantike, edhe me identitetin e vet nacional historik otoman (sulltanor), Ataturk e Erdogan.
Turqia e sotme euro-atlantike nuk duhet t’iu ngjajë fqinjëve të vet të sotëm: as Irakut, as Sirisë.
Tiranë, 17 korrik 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: dogane, Erdogan, Grushtishtetit, Ramiz Lushaj

Ministri i Bujqësise Edmond Panariti në SHBA

July 16, 2016 by dgreca

Panariti në SHBA, takim me të rinjtë shqiptarë që punojnë në BB dhe institucione të tjera/

IMG-20160714-WA0006TIRANE, 16 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave Edmond Panariti, takoi të shtunën në Washington, të rinj shqiptarë, të cilët punojnë në Bankën Botërore dhe institucione të tjera të rëndësishme financiare në SHBA.

Ministri Panariti i ftoi ata, të bashkëpunojnë me ministrinë e Bujqësisë,  duke dhënë ekspertizën e tyre për projektet e Bankës Botërore të cilat implementohen në Shqipëri.
Ata mirëpritën propozimin e ministrit Panariti dhe vendosën që, video- konferencën e parë për të shkëmbyer ide dhe praktika në dobi të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, ta zhvillojnë në javët në vijim.IMG-20160714-WA0007

Kreu i Bujqësisë shqiptare Prof.Edmond Panariti, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë të cilës ka zhvilluar takime të frytshme, me personalitete dhe zyrtare të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, BB, dhe sipërmarrës amerikan të fushës së bujqësisë, për të nxitur bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e bujqësisë dhe për të sjellë asistencën amerikane në sektorë specifik të bujqësisë shqiptare.

Filed Under: Kronike Tagged With: ministri Panariti, ne SHBA, takim me te rinjet shqiptare

Martirët shqiptarë

July 16, 2016 by dgreca

Imzot Massafra: pas 38 të parëve do të kërkojmë njohjen e martirëve të tjerë/

I dënuar me burg, ku edhe vdiq më 1949 pas torturave komuniste, pa pranuar të formojë një Kishë kombëtare të ndarë nga Vatikani, siç i pati kërkuar Enver Hoxha: ky është imzot Vinçenc Prennushi, françeskan e kryeipeshkëv i Durrësit, njëri nga 38 martirët, që do të shpallen të lum më 5 nëntor, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër. Lajmi, siç ju kemi njoftuar, u dha këto ditë nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë. Vetëm dy muaj pas shenjtërimit të Nënë Terezës, tjetër bijë e popullit shqiptar, lartohen kështu në nderimet e elterit 38 dëshmitarët e parë, që derdhën gjakun për fenë në Krishtin. Por si u prit ky lajm nga besimtarët? Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, në mikrofonin e Radio Vatikanit tha se lajmi u prit me gezim dhe se pas 38 martireve do te vijne emrat e tjere.….

Zoti, shikon, dëgjon, vonon… por nuk harron kurrë. Lumnimi i martirëve shqiptarë

Kemi pritur shumë, prandaj Zoti po na dhuron dy festa të mëdha njëra pas tjetrës: Shenjtnimin e Nënë Terezës e lumnimin e 38 martirëve, viktima  të komunizmit.

Fatbardhë, për të martirizuarit, viti 2016. Pritën shumë. Po Kisha është mësuar të martirizohet, e të presë, me bindjen e plotë se Zoti vonon, por nuk harron kurrë.

Zoti nuk na harroi!

Kemi pritur me shekuj, për të pasur një shenjtore, një figurë të njohur botërisht që, duke qenë bijë e zgjedhur e Krishtit, pohoi para gjithë botës “me gjak jam shqiptare!”.

Kemi pritur me vjet. Më se 70. Vite tragjike, që nisen me luftë e vijuan me martirizim, deri në asgjësimin e plotë – besonin kryqëzuesit – të Kishës katolike në trojet shqiptare. Po kush dinte veç të kryqëzonte, nuk mund ta merrte me mend se Kisha, që ata u munduan ta shkulin – i shtriu rrënjët e veta në dy drejtime, krejt të panjohura për vrasësit e saj: nën dhe, ndër katakombe, ku u detyrua të zbresë, e në qiell, ku u ngjitën shpirtrat e të martirizuarve, që  derdhen gjakun me brohorinë “Rroftë Krishti Mbret!”. E   nisën të ndërmjetësojnë, që pasardhësit e tyre të munduar të jetonin, për ta kremtuar këtë ditë!

E gjithë kjo do të tingëllonte si legjendë sot, po të mos ishin ende të freskëta gjurmët e gjakut të tyre.

Shumë vite kaluan, aq sa ndokush kujtoi se Zoti i kishte, na kishte, harruar.

E kishte harruar motrën imcake, që e kaloi jetën ndërmjet të varfërve më të varfër, duke i kujtuar botës etjen e Krishtit për shpirtra, me lajtmotivin: “Ma keni bërë mua!”. Harruar Atë, që vendi i vet ia mohoi edhe një lot mbi varr të s’ëmës.

E e kishte harruar gjakun e derdhur te Zalli i Kirit, në rrethinat e shkreta të Tiranës e në baltën e kënetave, nga veriu, në jug të Shqipërisë.

E si mund ta kuptonin kryqëzuesit, që s’ngopen kurrë me gjak, se Zoti shikon, dëgjon, vonon… por nuk harron kurrë.

Ndoshta edhe ata mund të jenë të pranishëm në këtë festë të vonuar, por kurrë të harruar. Janë gjallë e shëndosh, aq sa t’i kujtojnë të torturuarit, të cilët i shanë, i pështynë, i pushkatuan, i varën, duke mos harruar t’i pyesin sa e sa herë: “Hë, ku është Zoti yt!?!”. Ndokush mund të mendojë se do të duhej të shpërbleheshin me të njëtën monedhë! Po jo ne, katolikët. Ne urojmë të jenë të pranishëm në festën e 5 nëntorit. Ngaqë kështu do të binden plotësisht se Zoti ishte aty, në qelitë qelbura, para plotoneve të ekzekutimit… E do të jetë edhe më 5 nëntor, për t’u kujtuar: “Ma bëtë mua!”. Se Zoti është kudo! Se shikoi, dëgjoi, vonoi… por nuk harroi t’i naltojë të pështyrit e të gjakosurit, në nderimet më të larta, që mund të mendojë njeriu: në nderimet e elterit. T’i kurorëzojë me aureolën e martirit,  e cila ia kalon çdo dekorate a urdhëri njerëzor. Sepse është burim drite për gjithë njerëzimin, të cilit i kujton edhe një herë se Zoti shikon, dëgjon, vonon… por nuk e harron kurrë kalvarin e shqiptarëve, të cilët i falën botës një Nënë Terezë, e po i shtojnë aradhet e Kishës katolike me 38  të Lum të rinj!

Kemi pritur shumë, o Zot! Zot, shiko, dëgjo, vono… por mos na harro kurrë!

Portretet e 38 martirëve, viktima të komunizmit në Shqipëri

Kush janë 38 martirët e  krishterë të Kishës shqiptare, që do të Lumturohen më 5 nëntor 2016:

Imzot Vinçenc Prennushi: françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet i ëmbël. U burgos e u torturua sepse nuk pranoi ta shkëpuste Kishën shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt me 19 mars 1949 në burg, i shtrirë në dheun e lagësht, të ftohtë, këmbëzbathur, si Shën Françesku, bir të cilit ishte.

Imzot Frano Gjini: ipeshkëv, martirizimi i të cilit ia kaloi çdo fantazie kriminale njerëzore: i papërkulur para torturave, si nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars 1948.

Imzot Jul Bonati: meshtari i madh intelektual, si u mbyll, për torturë, në çmendinë e si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prennushit, i cili i jepte shûjtën për shtegtimin e mbram: Vojimin Shenjt.

Dom Alfons Tracki: prifti gjerman, më shqiptar se shqiptarët, bir i Breslaut, u torturua dhe u pushkatua më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçe.

Dom Anton Muzaj: u torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë: si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme mbas pak ditësh, në moshën 29 vjeçare.

Dom Anton Zogaj: famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot Prennushit, meshtar jashtëzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të qelbur, në sa priste ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-tës.

Dom Dedë Maçaj: i akuzuar si spiun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua për rezistencën e tij heroike fetare, në moshën 27 vjeç.

Dom Dedë Malaj: mbeti i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike që i bëri fesë së krishterë në gjyqin e organizuar kundër tij, që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959. Ishte 39 vjeç.

Dom Dedë Plani: dha shpirt në spital më 30 prill 1949, mbasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht torturave mizore.

Dom Ejëll Deda: famullitar i Bushatit, i arrestuar vetëm pse ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, mbas torturash çnjerëzore.

Dom Jak Bushati: e akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë: pretekste të cilat e çuan në pushkatimin pa gjyq më 12 shkurt 1949.

Papa Josif Mihali: Njeri i Zotit, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.

Dom Zef Maksen: meshtar gjerman, pushkatuar me 1946, duke shqiptuar fjalët: “Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit”.

Dom Lazër Shantoja: meshtár i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta  pushkatonin një orë e më parë, gjë që s’munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës, në sa ishte në moshën 54 vjeç.

Dom Lekë Sirdani: personalitet i shquar i Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.

Dom Luigj Prendushi: u arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.

Dom Marin Shkurti: i shuguruar meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura e shumë, në atë të heshtimit: guxoi ta vijojë heroikisht shërbimin meshtarak në kohën e terrorit. U arrestua, prandaj, u torturua e u pushkatua në vitin 1969.

Dom Mark Gjani: u arrestua për veprimtarinë e tij meshtarake dhe u shua gjatë torturave të tmerrshme në duart e salvuesve të tij në qeli, me 1945.

Dom Mikel Beltoja: u pushkatua më 10 shkurt 1974, mbasi mbrojti heroikisht e haptas idealet e veta fetare në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash, i cili e dënoi me vdekje.

Dom Ndoc Suma: vdiq 2 vjet mbasi ishte liruar, i shkatërruar, nga burgu, ku u torturua me akuza për të cilat thoshte: “Vetëm kur dola në gjyq e mora vesht pse isha arrestue”.

Dom Ndre Zadeja: prift e poet, pushkatuar pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë martiri i parë, viktimë e diktaturës komuniste.

Dom Pjetër Çuni: prift; vdiq i varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza.

Dom Shtjefën Kurti: prift, pushkatuar para banorëve të Gurëzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë, furrat e bukës.

Atë Bernardin Palaj: frat e poet i madh, do të vdiste ne Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhësi i parë i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, por edhe muzikant e pianist i talentuar. Gjeni i letrave shqiptare, pasardhës i denjë i Fishtës së madh, i mbytur e i harruar.

Atë Çiprian Nika: françeskan, vdiq nën akuzën e rëndë e shpifëse se kishte fshehur armë në elterin e Shëna Ndout, në Kishën françeskane të Gjuhadolit.

Atë Gaspër Suma: rregulltar, pinjoll i një familjeje, që u shua nga komunistët, u arrestua më 1947 dhe vdiq në burg.

Atë Gjon Shllaku: frati i madh filozof, u pushkatua së bashku me jezuitët Atë Gjovani Fausti (misionar italian) e Atë Daniel Dajani si dhe me seminaristin Mark Çuni, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. U akuzuan për “tentativë arratisjeje” dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të katërtëve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën “Martir i Demokracisë”.

Atë Karl Serreqi: frati që nuk pranoi të kallëxojë rrëfimin e një të plagosuri në ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 4 prill 1954. Është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale.

Atë Mati Prendushi: frati që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq, u përndoq dhe u fal nga krajl Nikolla e nga mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi “gjyq” komunist. Nuk i dihet as varri.

Atë Serafin Koda: frat françeskan; dha shpirt mbasi hetuesit komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, ia shqyen fytin me thonj.

Vëlla Gjon Pantalia: jezuit; u arrestua ndër të parët e vdiq në spital, mbasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.

Fran Miraka, Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u vranë pse deshën Krishtin.

Rishtarja stigmatine Maria Tuci: u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop.  Virgjër e martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme.

Njoftimi zyrtar për ditën e lumnimit të 38 martirëve shqiptarë/

NJOFTIM ZYRTAR

Nga Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë

Lënda: Dita e Lumnimit të “Martirëve” tanë

Pas një kohe relativisht të gjatë, me një punë voluminoze dhe me angazhimin e palodhshëm për të arritur deri në përmbylljen e procesit kanonik, në njohjen dhe në pranimin zyrtar të dëshmisë flijuese për Fe dhe Atdhe të Imzot Vinçenc Prennushit dhe 37 Shokëve të tjerë, erdhi momenti që tani, solemnisht, të shpallim datën historike të Ritit të Lumnimit e të Naltimit në altar të 38 bijve tanë. Procesi dioqezan i filluar me 10 nëntor 2002 e mbyllur me 8 dhjetor 2010…u analizua nga ekspertët e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve…dhe me dekretin që Papa Françesku firmosi më 26 prill 2016 u dekretua se mund të shpallen të Lumë.

Më në fund, me letrën që Ati i Shenjtë, Papa Francesku, na ka dërguar përmes Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, na konfirmon se data e Kremtimit do të jetë 5 NENTOR 2016. Vendi i kremtimit do të jetë: Sheshi i Katedrales së Shën Shtjefnit, Shkodër. Riti i Lumnimit do të udhehiqet nga Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, Hirësia e Tij, kardinali Angelo Amato.

Me këtë shpallje, kemi plotësuar  të gjitha detajet e nevojshme. Tashmë, na takon neve t’i naltojmë e të përgatitemi për t’i nderuar me festën tonë të hareshme shpirtërore. Si Arqipeshëv që ka çuar përpara proçesin e Martirëve, me ekipin e gjyqit kishtar, të cilin e falënderoj, si Arqipeshkëv i Vendit ku do të kremtohet Mesha e Lumnimit dhe në emër të Konferencës Ipeshkvore, ju bëj thirrje dhe ju nxis për të kremtuar sa më denjësisht këtë moment historik për Kishën dhe Kombin.

Zoti Ju bekoftë!

Shkodër, 12/07/2016

+ Angelo Massafra OFM

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult

President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

Don Gjergj Meta: 5 nëntori nuk u zgjodh rastësisht për lumnimin e martirëve

Me 5 nëntor 2016 Dita e kremtimit të lumnimit të 38 martirëve shqiptarë. Është simbolike, dita e kremtimit të lumnimit të 38 martirëve shqiptarë. Pikërisht më 4 nëntor 1990, në Shkodër, u kremtua Mesha e parë pas komunizmit e në këtë muaj, katolikët përkujtojnë gjithnjë, së bashku me të dashurit e vdekur, sidomos martirët e tyre. 5 nëntori, na thotë përgjegjësi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë për komunikimin, don Gjergj Meta, nuk u zgjodh rastësisht.(Kortezi-Radio Vatikani)

Filed Under: Histori Tagged With: Martirët shqiptarë, Massafare, pas 38, vijne te tjeret

Një Jetë me shoqatën Atdhetare”Vëllazërimi”, në Bibliotekën e Vatrës

July 16, 2016 by dgreca

Arriti ne biblioteken e Federatës Panshqiptare te Amerikes”Vatra” libri mbi historinë 20 vjeçare te shoqatës”Vellazerimi”-Athine. Librin e dergoi miku yne , shkrimtari nga Bregu Petraq Pali. Urime autoreve te librit”Një Jetë me shoqatën Atdhetare”Vëllazërimi””, falem8nderit Petraq Palit. Nese ka te interesuar per ta lexuar librin te paraqiten ne seline e Vatres.

Filed Under: Kulture Tagged With: në Bibliotekën e Vatrës, Një Jetë me shoqatën Atdhetare"Vëllazërimi"

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT