• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2016

NDERI DHE IDENTITETI I KOMBIT SHQIPTAR NË SHITJE

July 5, 2016 by dgreca

* Përfaqësuesi i qeverisë së Kryeministrit grek,një i quajtur Makropulos… foli në kongresin e PDIU-s në prani, jo më pak se të Kryeministrit të Shqipërisë Rama dhe përfaqësuesve të opozitës shqiptare…. përfaqësuesi i qeverisë greke, ball për ball me krerët e politikës së Tiranës foli për shqiptarët e Çamërisë si bashkpuntorë të nazistëve, temë e preferuar kjo e grekëve për të mbuluar gjenocidin kundër shqiptarëve të Çamërisë… Në minimum, sjellja e përfaqsuesit grek, të paktën në një shënjë simbolike duhej që kjo deklaratë të protestohej aty për aty, me ndonjë deklaratë përshtatëse ose me largimin nga salla…/

* Rasti i dytë dhe i freskët këto ditët e fundit ishte edhe më shqetësues, pasi ishte një sulm i drejtë për drejtë kundër kryeheroit, kryetrimit të historisë dhe simbolit të identitetit dhe të bashkimit të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skendërbe.

Nga Frank Shkreli/

I nderuar lexues, nëqoftse gjëndesh në pushimet verore dhe nuk ke ndjekur lajmet e ditëve të fundit, duhet ta dishë se nderi, identiteti dhe interesi kombëtar janë venë në tallje, mund të thuhet janë venë në shitje, në ankandë, për këdo që paguan më shumë. Kjo, në të vërtetë, nuk është diçka e re – e mbani mend deklaratën e Rexhep Taip Erdoganit se Turqia është Kosovë dhe Kosva është Turqi? Por meriton të përmenden rastet e fundit të këtyre përpjekjeve antishqiptare të cilat denigrojnë historinë dhe identitetin e kombit shqiptar, ndërkohë që përbëjnë edhe një ndërhyrje flagrante në interpretimin e historisë së shqiptarëve. Për më tepër, përfaqsues të këtyre rrymave antishqiptare, kohët e fundit madje lëshuan edhe kërcënimet e rastit. Si gjithmonë, në krye të radhës për të bërë ofertat në ankandë janë të njohur, ata që historikisht nuk ndalen së turruri trojeve shqiptare kurdo që shohin një hapje, në kohë lufte e në kohë paqeje: sllavët, turqit dhe grekët.

Kohët e fundit në Tiranë u mbajt kongresi i Partisë për Bashkimin për të Drejtat e Njeriut (PDIU) ku mori pjesë përfaqësuesi i qeverisë së Kryeministrit grek, një i quajtur Makropulos. Ai foli në kongresin e PDIU-s në prani, jo më pak se të Kryeministrit të Shqipërisë Rama dhe përfaqësuesve të opozitës shqiptare. Se pse ftohet një njeri i tillë të marrë pjesë në një takim politik të kësaj natyre është e pakuptueshme, por sidoqoftë, përfaqësuesi i qeverisë greke, ball për ball me krerët e politikës së Tiranës foli për shqiptarët e Çamërisë si bashkpuntorë të nazistëve, temë e preferuar kjo e grekëve për të mbuluar gjenocidin kundër shqiptarëve të Çamërisë. Ai citohet nga media vendase të ketë thënë se “Ajo që mua më shkakton problem është vullneti dhe dëshira e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me të gjitha forcat. Si është e mundur që pasardhësit e luftëtarëve kundër Gjermanisë të pranojnë dhe të tolerojnë pranë disa pasardhës të nazistëve.”

Atëherë, përfaqsuesi grek, sikur po u drejtohej me një leksion nxënsve të klasave fillore, u thotë pjesëmarrësve në kongresin e partisë PDIU se “Ju e dini se cilët janë njerëzit për të cilët unë po

flas. Nuk është e mundur që unë të fyej Shqipërinë me ato thënie që ato kanë ngritur, por ata fyejnë Shqipërinë dhe jo Greqinë,historinë e rezistencës së Shqipërisë dhe ky është një problem”, iu drejtua Makropulos, përfaqësuesi i qeverisë greke, Ramës dhe përfaqsuesve të opozitës shqiptare.

Në minimum, sjellja e përfaqsuesit grek, të paktën në një shënjë simbolike duhej që kjo deklaratë të protestohej aty për aty, me ndonjë deklaratë përshtatëse ose me largimin nga salla. Ndonëse dikush mund të thotë se ne shqiptarët nuk e kemi zakon të sillemi ndaj mikut në këtë mënyrë. E vërtetë, por miku i mirë nuk të ofendon në shtëpinë tënde, në sofrën të tënde. Makropulos nuk u suall si mik i mirë, por si provokues dhe si kërcënues dhe si tillë shkeli mikpritjen shqiptare!

Rasti i dytë dhe i freskët këto ditët e fundit ishte edhe më shqetësues, pasi ishte një sulm i drejtë për drejtë kundër kryeheroit, kryetrimit të historisë dhe simbolit të identitetit dhe të bashkimit të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skendërbe. Pas vizitës në Turqi të Kryeministrit Rama, ku presidenti turk Erdogan shërbeu si shofer i tij, siç duket për të treguar respektin personal dhe miqësinë e ngushtë me kreun e qeverisë shqiptare nga Lezha vjen lajmi se një i ashtuquajtur historian turk me emërin Talha Uğurluel paska vizituar varrin e Skënderbeut. Para se të citoj këtë halldup otoman për ofendimet ndaj heroit kombëtar të shqiptarëve, ia vlen të theksohet se nuk është një koincidencë se ky na qenka një përfaqësues i shoqatës Tika, organizatë kjo që financohet nga Erdogani e misioni i të cilës është të “zbulojë” rrënjët otomane në Ballkan. Sipas një videoje në youtube ai është shprehur, aty pranë varrit të heroit kombëtar të shqiptarëve në Lezhë se, ”Skenderbeu nuk beri luftë, por plaçkitje, terror mbi gra, femijë dhe pleq të pambrojtur. Ai ishte sikurse është sot PKK-ja ….” Por, ky farë historiani, i cili siç duket fletë me mbështetjen, me porosinë dhe në emër të autoriteteve të larta në Ankara, nuk e la me kaq. Pas ofendimeve që ndeshën në duartrokitje të pranishmëve, ai madje i kërcënon shqiptarët, aty në shtëpinë e tyre, në vatrën e kombit, në vendin më të shënjtë të historisë dhe të identitetit kombëtar të Arbërit, duke paralajmëruar me autoritetin e tij, se shqiptarët kanë një alternativë që ose të jetojnë “si Mehmet Akif Ersoy, shqiptar por besnik i Osmanëve, ose si Skënderbeu, tradhëtar.”

Në minimum, siç thashë më lartë, sjellja e përfaqsuesit grek në një takim politik në Tiranë, të pakën në një shënjë simbolike, duhej që deklarata e tij të protestohej aty për aty, me ndonjë deklaratë përshtatëse ose me largimin nga salla. Ndërsa, përfaqsuesi i Erdoganit, Talha Uğurluel duhej të dëbohej aty për aty nga Shqipëria si ofendues i nderit, i historisë dhe i simbolit më të shënjtë të shqiptarëve. Dikush mund të thotë, më ngadalë se ne shqiptarët nuk e kemi zakon të sillemi ndaj mikut në këtë mënyrë. E vërtetë, por miku i mirë nuk të ofendon në shtëpinë tënde, në sofrën të tënde. Për më tepër, miku nuk të kërcënon në shtëpinë tënde, siç bënë këta dy halldupë. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, Makropulosi grek dhe turku Uğurluel nuk u sollën si miqë të mirë por si provokuesë, kërcënuesë dhe mohues të historisë dhe identitetit të shqiptarëve. Si të tillë, të dy këta e shkelën mikpritjen shqiptare!

Si të tillë, ata ishin të pa besë dhe të pa dëshirueshëm në sofrën e shqiptarit. Këta dhunuan mikëpritjen dhe bukën e shqiptarit, por për ata që dinë diçka dhe që duhet të gjykojnë më mirë, në radhë të parë përfaqsuesit e sotëm politikë të kombit shqiptar të cilët duhet të jenë të vetdijshëm se me këtë rast u dhunua diçka më shumë se sa mikpritja shqiptare nga këta dy halldupë. U dhunua historia, identiteti dhe nderi i kombit. Këto, në të vërtetë ishin ato që turku dhe greku, secili sipas interesave të veta, donin të arrinin. Donin që mbi të gjitha të njollosnin dhe të dëmtonin historinë dhe simbolet e kombit shqiptar, para vet shqiptarëve, aty në trojet e veta autoktone shekullore. Ata ia dolën qëllimeve të tyre!

Kombi shqiptar dhe historia e tij vazhdon të njollosët dhe njëkohsisht mbeten të dëmtuar dhe të dhunuar nga deklarata siç është kjo e përfaqsuesit të qeverisë greke në Tiranë dhe të përfaqsuesit të presidentit turk, Erdogan, aty pranë varrit të Skënderbeut në Lezhë. E gjithë kjo ndodhi kur në Prishtinë po celebrohej një meshë në Katedralën Nënë Tereza kushtuar viktimave të terrorit në Turqi dhe në të njëjtën kohë kur vet kryeministri shqiptar po pritej e gostitej nga Erdogani gjatë një vizite në Turqi, vizitë e dokumentuar krenarisht me fotografitë e rastit në facebook-un e kryeminstrit shqiptar. “Something is wrong with this picture!” Diçka nuk është në rregull me këtë situatë!

Fatkeqsisht, kjo nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë e fundit, që jo vetëm përfaqsues të tillë turq e grek, por edhe zyrtarët më të lartë të këtyre dy vendeve kanë bërë, nga koha në kohë, deklarata fyese ndaj historisë së shqiptarëve, madje duke bërë thirrje për rishkimin dhe rishkrimin e saj, sipas epsheve të dobëta të armiqëve historikë të shqiptarëve.

Nuk e di se ç’është me keq: deklaratat ofenduese antishqiptare të këtyre halldupëve, apo heshtja dhe indiferenca ndaj këtyre ofendimeve prej vetë përfaqsuesve të shqiptarëve kudo, nga qeveria e Shqipërisë, nga Kosova ose nga institucionet e tjera të shqiptarëve sidomos ato akademike. Pyetja që duhet bërë është se kush i del sot zot historisë, nderit dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, përballë këtyre halldupëve që mbështeten dhe financohen nga nivelet më të larta qeveritare dhe shtetërore e që përfaqësohen nga njerëz të tillë dhe në emër të cilëve ata flasin. Po kush flet sot në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të historisë së shqiptarëve?

Mos reagimi zyrtar i përfaqsuesve politikë të kombit shqiptar sot ndaj këtyre ofendimeve që fatkeqsisht tashti janë bërë të zakonshme kundër historisë dhe sidomos kundër simbolit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbe — nuk është asgjë më pak se një dëshmi që flet për një dobësi morale dhe për një mungesë atdhedashurie të këtij brezi. Mos Zot më keq!

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, NDERI DHE IDENTITETI I KOMBIT, SHQIPTAR NË SHITJE

Kryeparlamentari Veseli shtroi darkë për nder të festës së Bajramit

July 5, 2016 by dgreca

Veseli: Ne jemi krenarë se asnjëherë nuk kemi lejuar që feja të keqpërdoret për qëllime johumane. Adhurimi për zotin dhe respekti për njeriun janë të pandashëm/

 Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, për nder të festës së Bajramit të madh, ka shtruar sonte darkë, në të cilën morën pjesë drejtues të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të bashkësive të tjera fetare në Kosovë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, qendrore dhe lokale, të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve dhe të ftuar të tjerë.Duke i uruar të pranishmit për festën e Bajramit të madh, kryetari Veseli tha se qëllimi i kësaj darke modeste është përcjellja e mesazhit se Kosova është vend i tolerancës, brenda të cilës bashkëjetojnë në mënyrën më të mirë të gjitha besimet fetare.

“Kjo është Kosova jonë, e cila respekton të gjitha besimet fetare. Populli i Kosovës është krenarë për besimet e tij, duke i respektuar dhe kultivuar ato”, theksoi kryetari i Kuvendit.Kryetari Veseli kërkoi nga klerikët e të gjitha besimeve fetare që të vazhdojnë të përçojnë mesazhin e besimit te zoti, mesazhin e respektit e të dashurisë ndaj njëri-tjetrit, në veçanti ndaj vendit tonë.

“Ne jemi krenarë se asnjëherë nuk kemi lejuar që feja të keqpërdoret për qëllime johumane. Adhurimi për zotin dhe respekti për njeriun janë të pandashëm. Ne si popull asnjëherë nuk e kemi ndarë fenë nga përkushtimi atdhetar. Sot, kur ne jemi të lirë, kemi obligim që për hir të të gjithë atyre që dhanë jetën dhe sakrifikuan për këtë ditë dhe për hir të gjeneratave pas nesh, të jemi të bashkuar në ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit tonë”, theksoi kryetari Veseli.

Ai më tej theksoi se qytetarët e vendit tonë, kanë nevojë të kenë një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme, në mënyrë që fëmijët e tyre të kenë perspektivë edhe më të mirë në Kosovën e tyre të dashur. Më pas, fjalën e mori kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, i cili falënderoi kryetarin Veseli për këtë darkë, duke uruar të gjithë qytetarët për mirëqenie, shëndet e begati.

Filed Under: Featured

VEHXHI BUHARAJA – ËNDËRR PËR TË ARDHMEN

July 5, 2016 by dgreca

Ese nga Xhevair Lleshi/
 Si do t’ia bëjmë? Si? Kështu po më pyeste një pasdite vonë në parkun «Dëshmorët e Kombit». Ishte hera e parë që takohesha me kolosin e përkthimit shqip nga gjuhët orientale. Asokohe shkoja gati dy ditë në javë në Arkivin e Shtetit dhe kërkoja materiale për Beratin. Të gjitha këto vajtje-ardhje nga Tirana në Berat i jepnin një farë koloriti edhe jetës, e cila ato kohë kishte mungesa të hatashme. Nuk e harroj kurrë, bie fjala, porosinë e Sami Starovës që t’i gjeja nja dy kg mollë për të ëmën që po i vdiste! Mollë nuk gjeta, po se ku rregullova ca nga kokërrvoglat thartiçka… Vazhdimisht më kishte intriguar takimi me Njeriun e Ditur, që kishte dalë në pension, si biletaprerës në berberhanen ku punonte Maman Duhanxhiu. E gjeta rastësisht pranë Monumentit «Dëshmorët e Kombit», iu prezantova, madje i thashë se isha shok me Bimin, djalin e madh. Ai, kryqëzoi fort gishtat e duarve dhe përvijoi një buzëqeshje të hollë në fytyrën me tipare interesante dhe tërheqëse. Pastaj përdori një shprehje që më dukej se po më largonte me lezet: Si do t’ia bëjmë? Si? Pastaj, si e pa që u ligështova, më nxiti ta dëgjoja: Këtë fundjavë vjen zoti Ahmet Kondo, daja i Qeramudin Durdisë, si thua takohemi të tre? U shkrifa nga fjalët e ngrohta dhe, kuptohet që nuk do të shkoja dot në Tiranë. Takimi me Vexhi Buharanë ishte ku e ku më i rëndësishëm. Të paktën unë e vlerësoja shumë. I isha lutur Bimit kushedi sa herë dhe kishim mbetur te premtimet dhe pamundësia për t’u takuar bënte gjithnjë majë. Megjithatë unë e kisha vendosur me timen që ky takim do të realizohej dhe u arrit, sido që do t’më duhej të prisja edhe një javë tjetër.
Ahmet Kondo ishte një burrë i shtruar, babaxhan, siç kemi dëshirë ta përdorim midis nesh dhe kishte vendosur të shkruante rreth Vexhi Buharasë: krijimtarinë e tij, përkthime të veçanta, përshtypje e mbresa, të hidhte mendime rreth personalitetit të Buharasë. U gjet shkaku: edhe Kondo donte të këshillohej me mua rreth kësaj teme të fundit. Takimin i la te parku «Dëshmorët e Kombit», në barbufenë verore. Buharaja erdhi i pari dhe u takuam siç e kishim lënë. Me ju të rinjtë, tha, e kam peng të jem mjaft i rregullt. Sepse kam vënë re që keni një lloj padurimi për t’i bërë shpejt e shpejt gjërat. Dhe i prisni shkurt drutë. Për këtë bëni mirë dhe e pëlqej, po sa për ngutin e madh merakosem se mos pësoni ndonjë gjë. Erdhi dhe profesor Ahmeti, të cilit i ndrinte fytyra dhe më mbërtheu me gjithë ato «të keqen» e «t’u bëfsha». I veçantë ishte Ahmet Kondo. Dhe ne atë mbrëmje më tepër u morëm me personalitetin e Buharasë. Dijetari dhe përkthyesi i madh qeshte nën cep të buzës dhe hidhte ndonjë batutë. Të mendonte çfarë të donte Buharaja, por nuk të ndahej Ahmet Kondo, derisa të bindej se ia kishim dalë mbanë. Shumë më vonë në kohë, profesor Ahmet Kondo do të më gjente në Tiranë dhe do të më bindte që ta botonim bashkë librin «Vexhi Buharaja, njeriu, poeti, dijetari 1920-1987». Botimi i atij libri të madh, për mua u bë një kënaqësi. Veç ta shihje ato ditë tek Eurorilindja Ahmet Kondon. Ndrinte dhe zotëronte një energji të paparë. Tek ai libër pashë se personaliteti i Buharasë ishte dhënë sipas tendencës sime. Dhe kjo më dha mundësi ta çoj kërkimin tim më tej.
Në takimet e mundshme që realizonim me dijetarin zemërbardhë, mbetesha tek gjërat që na interesonin: përkthimet e tij dhe dashuria e pafund për Beratin, që zgjati shumë, sepse ishte dëshira e tij që ajo të zgjaste, fillimisht e projektuar si ëndërr për të ardhmen, prandaj dhe shfaqej kaq i ngrohtë, i afërt, herë-herë si një poezi brenge, por një brengë e ëmbël. Ndërsa për historinë e Beratit nuk ngutej, sido që unë, me kodin tim të shënimeve, shkruaja gjithë ç’thoshte, me një besim të çmendur. Te ky besim sikur kisha fshehur një perëndi, dhe fjalët e tij sikur më nguliteshin fort dhe menjëherë në tru. Shpresoja që ta bëja mik. Dhe çdo ditë mendoja aq shumë për të. Vizatimin e personalitetit të tij do ta ruaja më vete dhe ai do të ishte pjesë e krijimtarisë sime. Ia thashë dhe ai e miratoi. Kuptohet që m’u bë shpirti me krahë.
Buharaja im (guxoj nganjëherë ta quaj kështu), më foli për përkthimet e tij, për largimin nga Instituti i Historisë, për bashkëpunimin e mëtejshëm duke ia fshehur emrin (se përse ndodhte kjo një Zot e di, por ama edhe një gjë që kuptohej hapur.) Ai ndihej pak si keq në çastet e ngacmimit për të folur rreth krijimtarisë dhe dukej sheshit se e zotëronte jetën, e mbante fort nën këmbë, por jo aq sa ta shtynte tej të ligën, hera-herës shtronte një tis të hollë humori që vihet re edhe në përkthimet e famshme. Sa e pështirë dukej ajo lodër e tmerrshme që patën bërë për të, ndoshta në këto kohë që jetojmë tani duket si për të qeshur dhe nganjëherë (O Perëndi!) tregohet edhe me ironi, ndërthurur me poezi dhe humor, gjë që tingëllon bukur. A ia vlente të jetoje në atë kohë? Ndoshta po, ndoshta jo, por theksi vihej tek prova: le ta provojmë, thuhej shpesh. Dhe shkruante fragmente të historisë, poezi, përkthime, mbresa kudo që të ndodhej, me një lehtësi të habitshme, me shkrim të vockël fare, në skeda sa madhësia e një karte cigareje, me lehtësi të ekuilibruar, thua se pa e kuptuar ç’po bënte. Nuk e mendonte dot askush aty në berberhane kur shkruante, ose përtypte mendime, se ishte shkrimtar, historian e përkthyes. Dhe çfarë përkthyesi! Gjithnjë shkruante (dukja e jashtme) pa ndonjë përgjegjësi kushedi çfarë, por mbrëmjeve në odën e tij ai jepte e merrte për t’iu gjetur vendin shënimeve të tij, me një disiplinim të hekurt, për të mos i shpëtuar asgjë. Kur doli «Gjylistani e Bostani» botimi i parë nga «Naim Frashëri» vepra e preku fort lexuesin. Ia pëlqyen sprovën e madhe, që edhe sot prej disa kritikëve mbahet si nga librat më të mirë në shqip. Madje edhe më vonë, nën botimin tim, ai u bë një vlerë e mirëpritur në tregun e rrëmujshëm të librit shqip. Kishte mjaft gjëra të çuditshme në këtë botë. Dhe gati puq me veshin Vexhi Buraraja më tregoi se si ishin pushkatuar dy të rinjtë e mrekullueshëm të «Ballit Kombëtar», Dollani dhe Mehqemeja (madje këtij të fundit arrita t’i botoj librin e tij me poezi dhe proza poetike «Shpirti është lot»). Kur ia shihje copëzat e letrave aq të vogla mund të thoshe me vete se ky njeri tallet me ne. Në berberhane o do uleshe për të prerë biletat, o do bisedoje me Maman Duhanxhiun me pamje aktoreske e mustaqet spicë që i shkonin aq shumë. Pale kur vinte aty Mamo Qojle dhe shkulte vendin me ulërimat e tij. Por, sido që e mbante buzën në gaz Buharaja nuk e ngrinte kokën nga ato që kishte shkruar apo prej atyre që po shkruante. Dhe ky regjim zgjati vite e vite të tëra…
Ai e pa në tragjedinë e përdit­shme ndoshta si një shaka të hidhur. Berberhana dukej si barometri i shoqërisë. Aty tregoheshin barsoletat e kripura dhe dialogë qesh e ngjesh. Ai edhe ato i shënonte si për t’i spërkatur shënimet e tij me pak humor. Sikur ta lejonin, me të urtë natyrisht, ai aty do të shiste libra. Do të qeshte me minjtë e librave dhe mbase do të përfitonte prej ngasjes së tyre, për t’i shfaqur në një dritë të re. Dhe për çudi vinte re se njerëzit në përgjithësi e donin librin, siç kërkonin edhe një pako kafe, një litër qumësht, një fije mish! Brrrr! E tmerrshme! Për çfarë nuk kishte nevojë njerëzia! Për kripë, sheqer, litarë, gozhdë! Çfarë ironie! Nga ato gjendeshin me okë. E kush pyeste për kripën baltë të zezë të Vlorës, mirëpo Buharaja i madh do t’u thoshte që ta zienin kripën si pekmezin dhe rehaninë, duke ia hequr shkumën palë-palë. Në librari mbante mend mirë që mund të kërkonin frerë, mëgojëza… Apo mungonte ndonjë tjetër? E pra, gjërat më të domos­doshme të përdorimit të përditshëm nuk i zinte njeri me gojë! E megjithatë nuk ia mbërriti dot, sepse libraria e madhe e Shpresës ishte mu në mes të qytetit dhe, me sa duket, libraritë nuk paskëshin nevojë për studiues e dijetarë. Vonë-vonë do të vinte koha që për librin s’do të pyeste më kush dhe libri do të fryhej kacek nga marazi duke pritur të dashuruarit me të. Sot do të ishte mirë që libraritë të mos quheshin «librari» por minimarkete ku të gjendeshin të gjitha gjërat. Veçse libri aty do të merrte fund. Kujtoni ju se do t’i vijë turp ndokujt që në vend të librit të marrë diçka për të ngrënë?…
Zemra e çdo pune është ajo që quhet ndryshe elementi i fshehur, për të cilin pak bëhet fjalë edhe kur mundohemi të depërtojmë në brendësinë psikike të njerëzve të shquar. E shohim këtë fshehtësi magjike tek Buharaja ynë i mrekullueshëm? Po ky element i fshehur është i pranishëm në krijimtarinë e Saadiut, sidomos në pjesën e dytë, te Bostani, përvijuar me një elegancë të çlirët. Por, në rastin tonë habitesh po të themi se kjo dukuri është kapur nga përkthyesi! Sepse asnjë përkthyes në botë nuk do kapej pas këtij elementi: ose do ta kishte anashkaluar, ose do të mbetej rob i interpretimit sa më të mirë të fjalës. Buharaja gjatë atyre bisedave thoshte se nuk mjafton kurrë të dish gjuhën, por të vësh në funksion nuhatjen tënde sidomos letrare dhe të kërkosh nëntekstin, të gjesh episodin e duhur që e mbart, dhe ta shprehësh këtë me figuracionin e duhur. Veç po nuk të erdhi vetiu, s’ke ç’bën, je i destinuar të dështosh. A e di se kjo gjendje për ditë e ditë të tëra, nganjëherë, nuk të vjen? Kjo është dhe mrekullia e krijimit! Prandaj dhe përkthimi është krijim. Mund t’i dish krejt fjalët e shprehjet, por nuk evidenton dot frazeologjinë që përbën çelësin sol të frazës. Përsëri je i dështuar. Ja, një që përkthen nga shqipja në gjuhë tjetër, ngec te shprehja, bie fjala, s’ia ha qeni shkopin. Me siguri që ngec. Fjalia bllokohet ose do gjejë një tjetër element që do ta ndihmojë, por ama përkthimi pa këtë gjë të bukur s’do të gjejë kurrë prehje dhe ne le ta marrim me mend sa të duash! Tërë eleganca e frazës është e fshehur pikërisht aty! Mund të kesh shkruar ta zëmë pesëqind faqe, po kur nuk jep këtë sinjal të fshehtë, ta dish se je vetëm grafoman. Këto janë esencat për t’u nuhatur. Kjo të bën mjeshtër.
Ose merrni po të doni «Katër stinët» e Naim Frashërit. Po, mirë, kjo vepër është shkruar në persisht dhe mbahet si vepër didaktike. Atëherë ejani te klasikja e tij «Bagëti e Bujqësi». Kur ndiqja njëherë në orën e letërsisë mësuesen e pedagogjikes «B.D.Karbunara» Elsa Xinxo (Vakëflliu), jam mahnitur. Më ftoi vetë. Ishte veshur si për festë, kishte marrë leje te drejtori Skënder Kameniku dhe do të jepte një orë të thjeshtë mësimore. Jam pataksuar, e them me gjithë mend. Ajo ishte përsosmëria vetë. Recitimi i poemës, e gjitha përmendësh, intonacioni, zëri i bukur, kthjelltësia dhe përtheksimi i momenteve të veçanta që përbëninelementin e fshehtë. O Zot! Ç’t’ju them! Jam mahnitur. Në përfundim, kisha afër edhe zotin Skënder Kameniku, e besoni që Vexhi Buharaja, domethënë unë, të kem qarë? Jo thjesht u përlota, por kam qarë me ngashërim. Ajo vajzë nga Mangalemi më ka tronditur thellë. Një artiste e madhe që luante me fjalën. Kurrë nuk jam pasionuar aq tepër. E, mund të ketë ndodhur diku tjetër, si thua? Ndoshta. Por thelbi është te Naim Frashëri. Mendova ndryshe, por shembullin ma jep fakti që sot mjaft vargje të kësaj poeme janë kthyer në këngë që kanë lënë gjurmë të thella. E, duke qenë kështu, edhe te «Katër stinët» kemi zbulimin e Vexhi Buharasë në tekstin e Naim Frashërit! Rrallë ka ndodhur kjo tek ndonjë poet tjetër i Rilindjes sonë.  
E shoh Buharanë dhe më mbushet mendja plotësisht se ai është një fenomen e një karakter që është thjesht dobësi njerëzore… Portreti i tij dukej njëherit edhe i ashpër edhe i bukur. Si qenka e mundur që ai të mbartë të ashtuquajturën dobësi njerëzore? Nuk ka në shkrimet e tij historike, në përkthimet, madje edhe në përkthimet për Arkivin e Shtetit, gjëra të rëndomta, shkruar pa përfillje dhe pa nerv. Këtu, te nerviqëndron e gjithë puna, një fenomen i ngjizur me zjarrin e pasionit. E këtë simbiozë të karakterit të njeriut dhe dobësisë së shfaqur në tekstin e përfunduar, ai ulet ta shkruajë ose ta përkthejë. Pak mister brenda, si një pije që të deh sapo e sheh, që e largon sëmundjen, që fsheh enkas tharmin qoftë edhe të halucinacionit, nuk do të kishim gjenialitet, as aftësi për t’i tjetërsuar gjërat, për të dhënë ndjenjën e pamposhtur e të vetmuar. Për fat të keq atë nuk e kanë shumë krijues. Në profilin psikologjik ajo vjen si madhështi dhe ikën si vuajtje! Kështu e kanë thënë edhe për Dostojevskin. Ju s’e kini pasur rastin të pini një kafe në një mëngjes vjeshte a pranvere me Buharanë. Aty e kuptoje menjëherë se ai njeri ishte shënjuar nga një yll i ndritshëm që, edhe pse i humbiste gjithnjë miqtë, atij përherë i mjaftonte vetvetja! Duket si fjali në erë, por mendohuni pak dhe përqendrohuni. Ka shumë tragjedi brenda. Ashtu siç trazohej në shpirtin e Buharasë. Humbja bëhet gati të të përpijë dhe aty ngrihet monumental inferioriteti i një populli të tërë, që edhe revoltën do ta bënte me një identitet të cenuar e me format të përçudnuar, gjersa shtohen të këqijat gjer në marramendje, me një trysni të hatashme në formatin psikik.
Pse, a nuk kini vënë re që brenda shënimeve historike ka rrjedhshmëri poetike? Duket e çuditshme, por është një gjetje madhështore e vetë historianit, duke e fshehur pas elegancës qytetare të frazës. Sikur ai njeri të kishte shkruar historinë e Shqipërisë, kam bindjen që ajo do të kishte qenë një histori e shkruar jo vetëm bukur dhe me hijeshi, por edhe me një filozofi me peshë të rëndë për jetën e popullit, me nerv dhe akull i ftohtë. Pastaj stili. Me siguri kushdo do të ndiente kënaqësi. Lexon rreshtat e «Historia e lagjes Murat Çelepi në Berat». Një poemë: e shkurtër, e ngjeshur, plot figura artistike, mendim i veshur si aristokrat dhe endet para tyre duke të dhënë vetëm kënaqësi dhe emocion. Shekujt në të vërtetë ecin ngadalë, me ritmin e njësuar të kohës, por ty të duket sikur vrapojnë me ngut të madh. Në atë lagje janë mbyllur banorët e saj, të përfshirë dhe të përjashtuar nga jeta, sepse ata e kanë në gen mospajtimin me realitetin. Dhe vjen një kohë që ata s’janë më, pa e humbur vetëdijen dhe interesin për gjithçka që i rrethon, enden plot mërzi dhe trishtim derisa shekulli mbaron dhe për ty (për këdo) duket se edhe më tej do të jetë e njëjta gjë. Një histori njerëzore, që mbart si element të fshehtë qytetërimin. Kush e ka parë me këtë sy? Nuk e di. Ose lexoni «Mbishkrime turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike » shtrirë në katër shekuj. Historia e shkruar me kaq finesë që gdhenjve u duket si çmenduri është joshje për studentët e sotëm. Po, unë kam parë një historian të sotëm, që madje ecën me guxim kundër rrymës dhe ky është Hysamedin Feraj. Atëherë me siguri fajin e paska shkollimi si metaforë e përjetshme, si ngasje e djallit për t’iu larguar konformizmit të sotëm.
Ne të rinjtë e atëhershëm rrinim me të, pinim nga një kafe çikoreje (por jo kafe turizmi) në një verandë çfarëdo, në tryezat me mbulesa të kuqe që i merrte era. Atje gjatë mbrëmjes digjeshin dritat e kuqe. Zotëria e tij i veshur thjesht, por me pamjen që të frymëzonte rrinte përballë teje dhe ti s’dije ku të futeshe prej sikletit të mundimshëm duke llomotitur (ne) gjer vonë dhe ai që dëgjonte me një neps të paparë e krejt të ngurtë. Ishim gati ta gdhinim gjer në mëngjes, pa qeni qepën të hante. Por s’mundeshim. Vinte një orë që atë sikur e hante arareti dhe donte të dilte nga gracka, të ulej tek tryeza e tij e punës dhe atje të priste mëngjesin, këngën e zogjve. E si mund të mbaroheshin punë të tilla si «Ujanallem» («Të zgjohemi») të Dervish Himës, letërkëmbimin e tij me dr. Ibrahim Temon, veprat shkencore të Hoxha Hasan Tahsinit, dramën «Besa» të Sami Frashërit; «Shahnamenë» e famshme të poetit të madh të Persisë, Firdeusit; «Ëndërrimet» e Naim Frashërit etj., etj. Janë gati pa fund. Edhe pse e gjente të kërrusur mbi tavolinë, ajo, zonja e tij, do të vinte ta përshëndeste, t’ia hidhte dorën mbi shpatulla dhe t’i linte si kurdoherë mbi tryezë një karafil flakë të kuq e përplot aromë. Pastaj ca nga ca do vinin fëmijët, ta përqafonin dhe t’i uronin ditë të mbarë. Heshtja e natës ishte kthyer në një shënim, në një poezi, në një syth të përkthyer. Pastaj, pasi të shpëlante fort fytyrën me ujë të ftohtë, do të dremiste nja një orë apo dy dhe afër drekës do të ishte gati për t’ia filluar melodisë së tij të përditshme…
Befas bëhet heshtje. Dëgjohet era në ballkon dhe kur e kur kërcet në dritare, duke u futur në dhomë tinës e shtrembër, gati në të ngrysur. Vinte koha për të dalë. S’ka lajmëruar njeri? – pyeste. Zonja i thoshte se kishte ardhur Ahmet Kondo dhe po e priste te Parku. Dhe ai ngutej duke bërë zhurmë. Ecte duke parë fytyrat e njerëzve, dëgjonte zërat e tyre, i vinte keq, madje ndjente bezdi dhe ndrojtje që formonin një keqardhje që të mbushte me dalldí frymëzuese. Hapat e çuan tek barbufeja e hapur e Parkut. Ahmet Kondo me një krikëll birrë në dorë dhe gjithnjë duke qeshur. Gjithë të mirat Ahmet! Të mira paç Vexhiu im! Indiferenca përreth i jepte besim. Pikërisht. Fikej psherëtima e një gruaje aty afër dhe pesë tavolina më tej dr.Ymer Dishnica që merrte rakinë e mbrëmjes. Ajri lart çohej tym me përtesë. Gjethet e pemëve të larta shushurinin, një shikim i vëmendshëm përqendrohej tek fytyra e dijetarit dhe linte mënjanë hollësitë e parëndësishme të natyrës. Fresku rrëqethës i mbrëmjes së kaltër vinte papandehur dhe kthehej përbrenda vetëbesimit të tmerrshëm të Buharasë… Nganjëherë mendonte për ditët dhe shekujt që do vinin, pastaj i kthehej befas mendimit të atypëratyshëm që i çelte si syth mëngjesi, ndoshta edhe me bulëza vese. Jo, nuk mendoi kurrë se po bënte ndonjë gjë të madhe, siç kishte ëndër­ruar në rini, ose më mirë në atë që Niçja e quante pranverë e jetës. Dhe pranvera sipas Niçes, vinte pas verës! Mos e besoni po të mendoni keq…
Buharaja mbeti vetëm, krejt vetëm, dhe zërat poshtë s’dëgjoheshin më… Amen!
 

Filed Under: ESSE Tagged With: – ËNDËRR, PËR TË ARDHMEN, VEHXHI BUHARAJA, Xhevair Lleshi

MISS SHQIPERIA 2016, EMIGRANTJA QE JETON NE RODOS

July 5, 2016 by dgreca

Kristina Skurra, Miss Shqipëria 2016/

Fituesja e edicionit të 18 të ‘Miss Shqipëria’, organizuar në Lezhë, është bukuroshja Kristina Skura. Ajo jeton prej vitesh në Rodos të Greqisë. Ajo arriti të rrëmbente kurorën si vajza më e bukur shqiptare.Shoqëruese e parë e ‘Miss Shqipëria’ u zgjodh Emanuela Kadriu, ndërsa shoqëruese e dytë Anxhela Kulla.

Filed Under: Kulture Tagged With: Kristina Skurra, Miss Shqipëria 2016

KRERET E SHTETIT urojnë besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit

July 5, 2016 by dgreca

* Presidenti Nishani uron besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit/

Përmes një mesazhi të publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës, Nishani uroi për të gjithë shëndet, begati, ndriçim të shpirtit dhe kthjellim të mendjes, zemërgjerësi dhe sa më tepër respekt për më të pafatët e për ata që janë ndryshe.Kjo ditë e shenjtë na shërben të gjithëve, shkruan Presidenti Nishani, për të larguar nga vetja urrejtjen, ndasitë dhe përçarjet e panevojshme duke na afruar edhe më tepër me njëri-tjetrin, duke na shtuar dashurinë për bashkatdhetarët si dhe duke na ripërtërirë virtytet, besimin dhe paqtimin.
Kjo Festë e madhe, vijon mesazhi i tij, na mbush të gjithëve me pak më shumë shpresë, me shumë më tepër vullnet për të dhënë e për t’iu gjendur më afër të sëmurëve, fatkeqëve, të vobektëve si dhe atyre të cilët jeta nuk i ka trajtuar edhe me aq mëshirë apo begati.“Nga zemra ju uroj të gjithëve: besimtarë myslimanë dhe jomyslimanët, të cilët në respekt të tjetrit dhe për të mirën e vetes, mbajnë Ramazanin dhe respektojnë Bajramin”, shkruan Presidenti Nishani në mesazhin drejtuar besimtarëve myslimanë.

Kryeministri Rama uron Gëzuar Bajramin – Agjencia Telegrafike Shqiptare Kryeministri Rama uron Gëzuar Bajramin – Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kryeministri Rama uron Gëzuar Bajramin/

TIRANË, 5 Korrik / Kryeministri Edi Rama u ka uruar sot festën e Fiter Bajramit besimtarëve myslimanë me anë të një fotoje ku tregohen vargje nga Kurani.

“Besimtarë, qofshi ju dëshmitarë të drejtë. Që asnjë urrejtje të mos ju shtyjë në krahët e padrejtësisë. Praktikoni drejtësinë, kjo është përshpirtshmëri e vërtetë”, ishte urimi i Kryeministrit Rama

Filed Under: Komente Tagged With: Fitër Bajramin, Nishani, Rama, urojne

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT