• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2016

Adem Demaçi, frymëzim për shumë breza të rezistencës kundër pushtuesit

July 28, 2016 by dgreca

-Raporti i Adem Demaçit me mërgatën është i veçantë, sepse mërgata e diaspora jonë është ngritur e krijuar edhe si mërgatë politike/

-Në hapje të ekspozitës kushtuar jetës dhe veprës së Adem Demaçit, e cila përkon me mbajtjen e Ditëve të Diasporës, morën pjesë ministri i Diasporës, Valon Murati, kryetari i Shoqatës të të Burgosurve Politikë, Hydajet Hyseni, si dhe veprimtarë e qytetarë të tjerë/

PRISHTINË, 28 Korrik 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës,  mbështetur nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Instituti Albanologjik i Kosovës dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Ministria e Kulturës, sot në ambientet e Shoqatës të të Burgosurve Politikë u hap ekspozita kushtuar jetës dhe veprës së Adem Demaçit, e cila përmban një pjesë të fondit të fotografive, dokumente e  botime të mbledhura të Adem Demaçit.

Në hapje të kësaj ekspozite, e cila përkon me mbajtjen e Ditëve të Diasporës, morën pjesë ministri i Ministrisë së Diasporës, Valon Murati, kryetari i Shoqatës të të Burgosurve Politikë, Hydajet Hyseni, si dhe veprimtarë e qytetarë të tjerë.

Ekspozitën kushtuar Adem Demaçit e hapi Meriman Braha, veprimtar i lëvizjes kombëtare, ish-i burgosur politik, i cili tha se ky aktivitet i dedikohet një figure emblematike të lëvizjes sonë kombëtare, Adem Demaçi. Ky vit është viti shpallur si vit i Adem Demaçit, në 80-vjetorin e lindjes së tij dhe në shënim të gjithë veprimtarisë së tij patriotike, atdhetare, kombëtare, intelektuale, kulturore e humanitare.

“Vepra e Adem Demaçit, qëndresa  e tij, ka qenë frymëzim për shumë breza të rezistencës kundër pushtuesit. Raporti i Adem Demaçit me mërgatën është i veçantë, sepse mërgata e diaspora jonë është ngritur e krijuar edhe si mërgatë politike. Veprimtarët tanë kanë punuar në mobilizimin e njerëzve në diasporë në vitet më të rënda, çdoherë duke e pasur përballë edhe figurën e Demaçit, si një simbol i rezistencës, i lirisë universale për shqiptarët dhe njerëzimin. Adem Demaçi, me veprën  dhe punën e tij, nuk është vetëm një figurë e rëndësishme e popullit shqiptar, por  një figurë e rëndësishme për njerëzimin, sepse përpjekja e tij për liri është një përpjekje universale, është një vlerë njerëzore”, tha ndër të tjera ministri Murati.

Me rastin e hapjes së kësaj ekspozite, edhe Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës të të Burgosurve Politikë, foli për figurën e Adem Demaçit.

“Njëzet e nëntë vjet të  Adem Demaçit dhe të shumë veprimtarëve të tjerë kaluar nëpër burgje të Jugosllavisë kanë qenë edhe një lloj ekzili i dhunshëm. Nuk është e rastit që Adem Demaçi është perceptuar në  mesin e mërgimtarëve si përfaqësues  i veçantë edhe i së kaluarës, edhe i së ardhmes. Duke nderuar Demaçin, ne i bëjmë një nder edhe mërgatës, duke shprehur mirënjohje për gjithë atë që ka bërë për atdhetarët. Pa kontributin  e mërgatës, nuk do të ishte as Kosova e as kombi këtu ku është”, tha pos të tjerash Hyseni.

Kjo ekspozitë, e cila po mbahet në kuadër të shënimit të vitit Demaçi, do të qëndrojë e hapur deri në fund të verës.

Filed Under: Kulture Tagged With: Adem Demaci, Behlul Jashari, frymezim per brezat, pushtuesit, rezistences

Prokuroria Speciale e Kosoves:Në kampusin e Universitetit tё Prishtinës nuk janë gjetur mbetje mortore

July 28, 2016 by dgreca

-Njoftim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës/

PRISHTINË, 28 Korrik 2016/ Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njoftoi sot se pas përfundimit tё gërmimeve vlerësuese nё hapësirën e kampusit tё Universitetit tё Prishtinës edhe pёr pikën e tretë dhe tё fundit si vend i dyshuar për mbetje mortore, pёr dy ditё me radhë, me datë 27 dhe 28.07.2016, sipas urdhëresës së PSRK me numër PPP.27/16, tё datës 16.06.2016, nuk janë gjetur mbetje mortore.

Nё ekzekutimin e urdhëresës së lartcekur kanë marrё pjesë; Departamenti i Mjekësisë ligjore (DML), Njësia Hetimore pёr Krime Lufte dhe Persona tё Zhdukur (NJHKLPZH) dhe Komisioni Qeveritar pёr Persona tё Zhdukur (KQPZH), po ashtu ka asistuar edhe Komuna e Prishtinёs.

Konfirmojmë se gërmimet vlerësuese në hapësirën e kampusit tё Universitetit tё Prishtinës, sipas urdhëresës se lartëcekur mbarojnë sot, me datё 28.07.2016.

Çdo informacion tё ri, nё çdo lokacion, PSRK-ja do ta vlerësoj nё përputhje me kërkesat ligjore, e pastaj do tё veprohet sipas kompetencave dhe obligimeve që ka Prokurori i Shtetit. Informacionet mund të përcillen nё sektorin e hetimit të krimeve të luftës dhe personave të zhdukur pranë policisë së Kosovës dhe tё EULEX-it, ose drejtpërsëdrejti nё Prokurorinë Speciale tё Republikës sё Kosovës./b.j/(Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari)

Filed Under: Komente Tagged With: :Në kampusin e Universitetit tё Prishtinës, mbetje mortore, nuk janë gjetur, Prokuroria. Speciale e Kosoves

“Filipi” feston 25 vjetorin e kompanise se bimeve medicinale

July 28, 2016 by dgreca

Nga Ahmet ZANI/
Kompania Filipi @co, lider ne tregun nderkombetar te bimeve medicianale festoi 25 vjetorin  e krijimit te saj. Ne mes miqsh dhe dashamiresish qe festonin dhe gezonin u kujtuan edhe fillimet e veshtira, sfidat dhe arritjet e kesaj kompanie e cila tashme pa frike mund te themi qe eshte lider ne fushen ku ajo operon/
 FILIPI CO Laç është një kompani e lokalizuar në Shqipëri, themeluar ne 25 korrik 1991 dhe e specializuar në mbledhjen, përpunimin e bimëve medicinale dhe aromatike , pergatitjen e tyre për eksport në tregun Europian dhe atë Amerikan.
Fillimisht kompania,e ka nisur aktivitetin si një kompani e specializuar në tregtimin e Sherebelës dhe Trumzës por me ritme të shpejta u zgjerua gama e produkteve të tregtuara në aspektin e shumëllojshmërisë dhe atë të shkallës së përpunimit.
Në vitin 1993 kompania nënshkroi kontratën e parë me firmën Amerikane “AA Sayia” por sot ne kemi arritur të vendosim marrëdhënie me më shume se 57 kompani në Europë dhe Amerikë. Në po të njëjtin vit kompania do të vlerësohej për shkak të kontributit të dhënë në rivendosjen e marrëdhënieve tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Filipi company ka struktura të qarta organizative brenda kompanisë dhe në të njejtën kohë është kontribues në uljen a papunësisë përmes angazhimit të banorëve në zonat rurale, zona të cilat janë burimi kryesor i bimëve që eksportojmë.
Presidenti i saj eshte ne te njejten kohe Presidenti i “Shoqates se Grumbulluesve, Perpunuesve dhe Eksportuesve te Bimeve Mjeksore” e cila ka per objektiv kryesor lobimin ne mbrojtje te interesave te anetareve te saj si dhe promovimin e punes se tyre.
Kompania ka punëtorë te kualifikuar, staf të pergatitur për organizimin e të gjitha hallkave proceduriale duke formësuar kështu një performancë pozitive në tregun ndërkombëtar.
Filipi company ka investuar në makineri, linja prodhimi, pajisje, duke reflektuar në këtë mënyrë seriozitetin, objektivat dhe vizionin zhvillues.
Kompania ka objektiv rritjen e eksporteve, avancimin e teknologjisë prodhuese dhe përpunuese, zgjerimin e kapitalit financiar dhe njerëzor.
Sot, konsiderohet kompania lider në eksportimin e ALBANIAN SAGE duke realizuar në këtë mënyrë njohjen e këtij produkti Shqiptar në të gjithë botën nga operatorët që përpunojnë dhe merren me prodhimin e produkteve me bazë Sherebelën.

Filed Under: Komente Tagged With: festoi 25 vjetorin, Kompania Filipi, Lac

Radikalizmi – Me rëndësi që Islami të tregojë rrugën për një botë paqësore

July 28, 2016 by dgreca

Ambasadori Lu: Të ndihmojmë drejt rrugës së paqes/

Në ditët e sotme, teksa bota përballet me kërcënimet e analfabetizmit, diskriminimit, dhunës dhe shtypjes, është më e rëndësishme se kurrë që Islami të ndihmojë, për të treguar rrugën drejt një bote më paqësore. Ky është thelbi i asaj që ka deklaruar ambasadori amerikan Donald Lu, gjatë një konference të mbajtur në Tiranë mbi “parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, duke promovuar vlerat demokratike dhe angazhimin qytetar”. Ndër të tjera, ambasadori Lu shprehet se të gjithë kemi detyrën të luftojmë për drejtësi në komunitetet tona, pavarësisht nëse jemi myslimanë apo të krishterë, hindu apo budistë. Ai ka bërë thirrje veçanërisht kundër dhunës në familje, pro mbështetjes së shkollimit të djemve e vajzave, pro mbrojtjes së të varfërve dhe mbi të gjitha për parandalimin e të gjitha formave të dhunës, përfshi ekstremizmin e dhunshëm.

Fjala e plotë të ambasadorit Lu:

Kryetar i Komunitetit Mysliman Bruçaj, Gjeneral Lleshi, Z. Gurra, të nderuar imamë të Shqipërisë,

Unë besoj te Perëndia. Si njerëz që besojmë në Zot, qofshim myslimanë, të krishterë, hindu apo budistë, kemi detyrën të luftojmë për drejtësi në komunitetet tona.

Për mua, kjo drejtësi përfshin:

-Të dalësh kundër dhunës në familje

-Të mbështesësh shkollimin e djemve dhe vajzave,

-Të mbrosh të varfërit, dhe të parandalosh të gjitha format e dhunës, përfshirë ekstremizmin e dhunshëm.

Ju punoni çdo ditë për të përkrahur këto vlera. Në veçanti, po i ndihmoni të rinjtë që të përcaktojnë vlerat që do të ndjekin gjatë gjithë jetës së tyre. Shpresoj që sot të mësoni ide të reja se si mund të ndihmoni të rinjtë të shmangin rrugën e radikalizimit dhe të dhunës në komuntietet tuaja.

Ambasada Amerikane është e përkushtuar të punojë mbi këtë çështje në të gjitha nivelet me qeverinë, me të rinjtë dhe me udhëheqësit fetarë.  Puna kundër ekstremizmit të dhunshëm nuk është e lehtë. Do të kërkojë që çdo anëtar i komunitetit tuaj të punojë së bashku për të kundërshtuar mesazhet e rreme nga grupe të huaja radikale.

Ju jeni udhëheqësit e kësaj lëvizjeje. Vitin e kaluar, disa shqiptarë morën pjesë në Samitin e Shtëpisë së Bardhë kundër ekstremizmit të dhunshëm, mbajtur në Uashington.  Qëllimi i tyre ishte të nxiteshin diskutime si ky që po zhvilloni sot këtu.

Shpresoj që ky aktivitet të nxisë mësim, diskutim dhe debat.  Mendoj se burimet më të mira për ide të reja do të jenë idetë që do të mësoni nga njëri-tjetri. Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë partner i Komunitetit Mysliman Shqiptar për këtë çështje të rëndësishme.

E kam kaluar pjesën më të madhe të moshës madhore në vende me shumicë myslimane. Si vullnetar i Korpusit të Paqes në Sierra Leone, jetoja përballë xhamisë së fshatit tonë. Në vend të minares, hoxha e bënte thirrjen për lutje të besimtarëve duke përdorur daullen më të madhe që të kishin zënë sytë.

Për mua, kjo është një prej pjesëve më të bukura të islamit që mund të përshtatet dhe të mirëpresë tradita kulturore nga të gjithë popujt. Tani, ndërsa bota përballet me kërcënimet e analfabetizmit, diskriminimit, dhunës dhe shtypjes, është më e rëndësishme se kurrë që Islami të ndihmojë për të treguar rrugën për një botë më paqësore.

Së fundi, faleminderit Kryetar Bruçaj dhe Fejzi Shaholli për udhëheqjen e treguar në organizimin e kësaj konference sot. Keni mbështetjen tonë të plotë dhe të sinqertë për këtë punë të rëndësishme.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasadori Lu, Kryetari Brucaj, Radikalizmi

Më 28 korrik 1912 u miratua buxheti i parë i Federatës “Vatra”*

July 28, 2016 by dgreca

Më 28 korrik 1912, u mbajt një mbledhje e posaçme e Kuvendit të “Vatrës”, e drejtuar nga Kristo Kirka, për problemet e buxhetit të saj. Në atë kuvend u miratua buxheti i parë i Federatës “Vatra”. Sigurimi i një buxheti të mirë, i dha mundësi “Vatrës” të përballonte gjithë ato veprimtari që lidheshin me mëvehtësimin e Shqipërisë, delegimin e parfaqësuesve të saj në Shqipëri dhe në Europë, dërgimin e vullnetarëve të lirisë, organizimin e konferencave dhe mitingjeve e të tjera.

Vatra e përkrahu kryengritjen e përgjithshme shqiptare të motit 1912.  Por, kur u krijua Aleanca  Ballkanike dhe nisi lufta e saj kundër Turqisë, situata e Shqipërisë u ndërlikua, po ashtu  edhe  qëndrimet e “Vatrës” u tronditën. Luftën Ballkanike, vatranët e denoncuan si një luftë të pansllavizmit kundër Turqisë dhe një luftë grabitqare kundrejt Shqipërisë. Madje, ata e konsideronin rrezikun sllavo-grek si rrezikun kryesor për Shqipërinë. Nën këtë vështrim, liderë të “Vatrës” si Konica, anuan nga një aleancë e mundshme me Turqinë, që  të shpëtohej copëtimi i Shqipërisë nga vendet ballkanike. Konica e shihte si një rrezik aleancën e Shqipërisë me shtetet ballkanike, duke sjellë në vëmendje synimet e tyre, madje edhe shembullin e aleancës me Malin e Zi në kryengritjen e vitit 1911, në të cilën luftuan shqiptarët  kundër pushtuesve osmanë, ndërsa Mali i Zi u përpoq t’i merrte Shqipërisë disa territore.

Kristo Kirka nuk ishte as për një aleancë me Turqinë, që synonte ta mbante Shqipërinë nën rrënojat e saj, as për një aleancë me vendet ballkanike, që synonin ta copëtonin e ta fshinin atë nga harta e Ballkanit. Kirka ishte për një qëndrim asnjanës të Shqipërisë në konfliktin ballkanik, ndërkohë që shqiptarët duhet të luftonin brenda vendit për lirinë e pavarësinë e tyre, që të bëheshin  faktor i ekzistencës.

“Vatra” fillimisht anoi nga përcaktimi i Konicës, madje edhe mitingu i 7 tetorit 1912 u shpreh për mbështetje të Turqisë, por në nëntor të vitit 1912 ndryshoi qëndrim dhe përkrahu luftën çlirimtare për pavarësi, duke shpehur mospajtimin e saj me politikën xhonturke. Në prag të shpalljes së Pavarësisë, dega e “Vatrës” në Boston, me nismën e Kristo Kirkës, organizoi më 17 nëntor 1912 një tubim të madh në mbështetje të luftës për mëvehtësi. Nga ky miting, ku ligjëruan oratorët Konica, Noli dhe Cere, iu dërguan telegrame Presidentit amerikan Taft dhe kryetarëve të shteteve të Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Rusisë dhe Papës së Romës, që të mbronin të drejtat e shqiptarëve dhe të mos lejonin coptimin e Shqipërisë. [1]

“Vatra” e priti me entusiazëm patriotik ngritjen e flamurit kombëtar  dhe shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Madje, në këtë akt madhor të kombit shqiptar, ishte e pranishme dhe çeta e vullnetarëve shqiptarë të ardhur nga Amerika.[2]

Sipas Qamil Panaritit, editor i gazetës “Dielli”, flamuri që u ngrit në Vlorë, ishte sjellë nga Bostoni në Korfuz nga vullnetarët e shoqërisë “Besa-Besën”, të cilët kishin ardhur në Shqipëri për t’iu bashkuar kryengritësve shqiptarë. Marigo Pozio, që vizitonte Korfuzin në atë kohë bashkë më të shoqin tregtar, e mori flamurin nga bashkëkombasit e saj, të cilët e kishin të vështirë ta sillnin atë në Shqipëri pa u diktuar dhe e pruri në Vlorë, ku dora e Ismail Qemalit e ngriti ditën e Pavarësisë.       Federata “Vatra” nëpërmjet kryetarit të saj, Faik Konicës, i dërgoi një telegram urimi Qeverisë së Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë. Ai i lutej Mbledhjes së kombit që të mos pranonte kandidaturën e një princi muhamedan. “Mos e bëni Shqipërinë një mbretëri orientale si Afganistani, Tunizia etj. Ideali ynë është një Shqipëri Europiane, si Norvegjia, Danimarka dhe Belgjika. Prandaj duam më mirë një mbret nga një derë europiane, i cili do të sjellë në Shqipëri traditën e Perëndimit. U lutem veças deputetëve myslimanë që të tregojnë atdhetarinë e tyre duke zgjedhur  një princ të krishterë. Po të veprojnë ndryshe, do të bëjnë një lajthitje të pandreqshme”[3]

Nga një letër e Faik Konicës drejtuar Kristo Kirkës,  më 3 dhjetor 1912, e rikonfirmojmë këtë mendim të tij  për një çështje kaq të rëndësishme:

“Me qenë se një part i fortë në Shqipëri përpiqet për të zgjedhur si mbret të Shqipërisë një princ muhamedan dhe po të bëhet e tyrja, Shqipëria do të shohë shumë dëm si nga qytetaria e përparimi ( se ahere do të jemi një mbretëri gjysm’anadollake), si nga simpathit’ e Europës që do t’i humbasim, komisioni është i mendjes që në këtë rasë “Vatra” ka detyrë, si organi më i fortë i interesave kombëtare, të punojë për të vënë në fron një princ të krishterë nga një derë mbretërore t’Europës”[4]

Disa ditë pas shpalljes së Pavarësisë, u mbajt në Boston, më 8 dhjetor 1912, kuvendi i jashtëzakonshëm i kryetarëve të “Vatrës”, nën drejtimin e At Naum Ceres. U vendos që sekretari i përgjithshëm i federatës , Faik Konica të shkonte në në Europë dhe në Shqipëri, që të përçonte  mendimin  për të caktuar në fronin e Shqipërisë një princ nga një derë mbretërore europiane si edhe për të themeluar një kushtetutë të shtetit shqiptar.

Edhe Kristo Kirka, që ka firmosur këtë vendim si kryetar i degës së Bostonit, ishte i mendimit që për shtetin e brishtë shqiptar, të rrethuar me armiq dhe të panjohur ende nga Europa dhe Amerika, duhej një princ i huaj i krishterë, që Shqipëria të kishte mbështetjen dhe mbrojtjen europiane. Noli dhe, më pas, Konica u vendosën në Londër, ku lobuan me personalitetet britanike për njohjen e pavarësisë dhe të shtetit shqiptar.

Kirka ishte i gëzuar që, më më fund, u shpall pavarësia dhe u ngrit shteti shqiptar, por ishte edhe i brengosur që ky shtet ishte i cunguar dhe i rrezikuar nga brenda e nga jashtë.

“Më në funt, u krijua shteti  shqiptar i pavarur, – shkruante ai, – por me kufinj tepër të ngushtë, me kufinj as gjeografikë, as ethnikë, as edhe ekonomikë” [5]

“Vatra”, që e përshëndeti shpalljen e Pavarësisë, mbajti një qëndrim kritik ndaj qeverisë së Ismail Qemalit dhe nuk i dha mbështetjen e duhur, ndikuar nga Faik Konica .  Konica, që kishte ardhur në  Shqipëri  të parashtronte platformën politike të “Vatrës”, nuk e kreu si duhet këtë detyrë, kështu nuk u realizua ai bashkëpunim i dëshiruar midis emigracionit shqiptar në Amerikë dhe qeverisë së Vlorës. [6]

Madje, ai përkrahu për disa kohë Esat Pashë Toptanin në intrigat për rrëzimin e qeverisë së Ismail Qemalit, gjë që e dëmtoi pozitën e qeverisë së përkohshme, e cila ishte në vështirësi të mëdha dhe presione politike të brendshme dhe të jashtme. Shembullin e Konicës e ndoqën edhe disa patriotë të tjerë, që, të mashtruar nga demagogjia dhe loja e fshehtë antikombëtare e Esat Toptanit, u larguan nga Vlora për në Durrës, në mbështetje të këtij të fundit, i vetëshpallur princ i Shqipërisë së Mesme. Në nëntor të vitit 1913, Faik Konica u nda me Esat Toptanin, pasi e kuptoi nga afër rrezikun që paraqiste politika e tij antikombëtare.[7]  Edhe “Vatra” e ndryshoi qëndrimin ndaj Esatit, duke vlerësuar realisht veprën madhore të Ismail Qemalit dhe të burrave të mëdhenj të Pavarësisë.

Qeveria e Vlorës  kontrollonte një pjesë të vogël të territorit shqiptar. Pjesa më e madhe mbahej e pushtuar nga vendet fqinje: Shkodra – nga ushtritë malazeze, Shqipëria verilindore – nga sebët dhe ajo e jugut, përfshirë Korçën e Gjirokastrën – nga ushtritë greke.

Ja sesi e analizon Kristoja këtë situatë kritike në Shqipëri e më gjerë: “Grekët, jo vetëm Çamërinë, që e gllabëruan, por donin të merrnin edhe Korçën e Gjirokastrën. Sa për serbët, ata ishin fare intransigjentë. Me qenë se Shkodra mbetej nën Mal të Zi, dhe me qenë se Serbisë i lipsej një çfryrje në bregdet, përveç Kosovës  e luginës së Drinit, kërkonte edhe luginën e Shkumbinit dhe skelën e Durrësit. Sipas marrëveshjes së tyre, Shqipëria do të përbëhej prej luginës së Matit dhe Erzenit. Kur thonë ballkanasit për Shqipëri, kuptojnë një Shqipëri në miniaturë dhe këtë e quajnë një koncension. Aleanca trefishore Gjermani, Austri dhe Itali, që interesohej për  brigjet e Adriatikut Lindor që të mos binin në duart armike, doli në fushën diplomatike dhe tha se, në është që Turqia Ballkanike do të ndahej mes popujve ballkanikë në emër të nacionaliteteve, ka edhe një nacionalizmë tjetër, që është nacionalizma shqiptare. Vendet ballkanike fqinj edhe përkrahësit e tyre, Rusia e Franca, në një shkallë të lehtë dhe Inglitera, pretendonin  se shqiptarët nuk janë të zot të formojnë shtet, grinden mes tyre, kanë fe e besime të ndryshme, nuk kanë kulturë, prandaj është e kotë të krijohet një shtet shqiptar. Kjo politikë e kjo propagandë antishqiptare kishte marrë aq zhvillim, sa kur dërgata shqiptare vajti në Londër dhe desh të bisedonte apo të botonte diçka në gazetat e atij qyteti, nuk mundi të gjente vend. Vetëm kur Austria  nuk u kufizua vetëm me fjalë diplomatike, por ngriti një million ushtarë dhe doli në shesh edhe Gjermania, atëhere, që të mos shkaktohej luftë botërore, nga ana e Konferencës së Londrës u pranua pranimi i një shteti shqiptar. Por vendet ballkanike ishin vazhdimisht kundër Shqipërisë, duke përsëritur po ato qëndrime”[8]

Në trevën e Korçës, ushtria e rregullt greke dhe andartët  bënë masakra të parrëfyera, që tronditën botën. Kristo Kirka , që merrte lajme prej andej, inicioi  një protestë të madhe, më 2 shkurt 1913, organizuar nga shoqëria “Arsimi”  dhe  e mbështetur nga “Vatra”, për të dënuar pushtimin grek të Korçës dhe masakrat e saj e të andartëve ndaj popullsisë shqiptare.  Në këtë miting u miratua një telegram drejtuar Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në të cilin theksohej se Korça ishte një qytet shqiptar dhe kërkohej largimi i ushtrive greke prej andej.

Nuk vonoi edhe përgjigjja e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe të “Vatrës” nga Europa:

Telegram. Londër.[9]

Kristo Kirkës,

14, Ferdinant Street, Boston, Mass.

“Telegrami u mor. Ju përgëzojmë për patriotizmën. Jeni duke luftuar për të drejtën. Prisni letër”

Dino, Konica, Noga

Pak  më vonë, më 27 prill 1913, u organizua nga “Vatra” mitingu më i madh i shqiptarëve në atë kohë në Boston, nga ku iu dërgua Konferencës së Ambasadorëve  një rezolutë e firmosur prej  30.000 vetësh, në mbrojtje të çështjes shqiptare të nëpërkëmbur. [10]

Mitingun e drejtoi  atdhetari Kristo Dako, ndërsa Kristo Kirka, në krye të degës së Boston-it,  bëri një punë të palodhur për mbledhjen e këtij tubimi, hedhjen  mijëra nënshkrimeve dhe organizimin madhështor, që s’ishte parë gjer atëherë.

   Ndërkohë, Kristoja ndiqte punët e Kishës shqiptare në Boston, e cila, me largimin e Nolit për në Angli, ku zhvillonte punimet  Konferenca e Ambasadorëve, nuk po funksiononte siç duhej për përparimin e saj dhe të çështjes shqiptare. Atëherë, ai  dha  publikisht dorëheqjen si kontrollor i komisionit kishëtar, duke kërkuar edhe mirësimin e gjendjes anarkike.

“Demicie

Botërisht po u bëj të njohur gjithë degëve kishëtare dhe anëtarëve të kishës “Shën Gjergji”, demicien time si kontrollor i komisionit kishëtar në Boston. Shkaku i demicies është anarkia që mbretëron te komisioni kishëtar dhe te prifti. Nuk merren parasysh as praktikat që janë lidhur ndër mbledhjet e komisionit dhe të kontrollorëve, as marrëveshjet që janë bërë në mes të komisionit të Bostonit dhe degëve me komisionin e Kishës “Shën Kolli” në Southbridge, Mass. Pas atyre që ngjanë këto ditët e fundit, shtrëngohem të jap botërisht demicien, se, sipas mendjes time, njerëzit që formojnë komisionin, s’janë të zotë të kuptojnë vendin dhe barrën q’u kanë besuar anëtarët në gjithë degët. Sa për priftin, mund të them, sa për tani, vetëm këto: është i zoti për çfarëdo tjetër pune, por jo edhe për përparimin e çështjeve kombëtare dhe kishëtare”

Kristo Kirka [11]

 

 

[1] The Albanian struggle in old World  and New, Boston, 1939

[2] Po aty

[3] V.Duka, Shqiptarët në rrjedhat e sh.XX

[4] Arkivi i Federatës “Vatra”.

[5] Gazeta Fjala e Korçës, e cituar.

[6] B.Meta, Federata panshqiptare “Vatra”

[7] Kalendari i Vatrës, v. 1918

[8] Gazeta Fajala e Korçës, Konferenca e K.Kirkës.

[9] Gazeta “Dielli” 13 shkurt 1913

[10] Gazeta “Dielli” 29.04.1913

[11] Gazeta ”Dielli” 25 prill 1913

*Marre nga Libri”KRISTO KIRKA” i Uran Butkes, fitues i Pendes se Argjendet

Filed Under: Featured Tagged With: 28 korrik 1912, Kristo Kirka, Uran Butka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT