• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

BE ta Kushtëzojë Serbinë: Të ndalë diskriminimi në Medvegjë,Bujanoc dhe Preshevë

August 14, 2016 by dgreca

Serbia do të duhej kushtëzuar nga BE-ja: Të  ndalë dikriminimin në Medvegjë,Bujanoc dhe Preshevë/

Shkruan: Refik HASANI/

Parlamenti i Serbisë dha betimin e legjislaturës së re nga zgjedhjet e 24 prillit 2016 dhe votoi kabinetin e ri qeveritar.z.Aleksandar VUÇIQ,Kryeministri vazhdoi mandatin sikurse edhe z.Ivica DAÇIQ,zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme të cilët edhe do të ken rolin dominantë dhe krysesor. Edhe kjo përbërje e qeverisë dhe parlamentit do të vazhdojn të mbajn qëndrim dhe kursin e njëjtë ndaj Republikës së Kosovës.  Edhe kjo legjislaturë do të mundohet që  të krijon përshtypje jo reale që gjoja Serbia do të vazhdojë rrugën dhe raportet e afrimit me BE-në.  Serbia ashtu si kemi shkruar shumë më herët  është dhe do të mbetët në mesë të BE-së dhe Rusisë.  Serbia i konsiderojn dhe i trajton Rusët si vllezër dhe miqë të përjetshëm  dhe disa shtete të veqanta kurse  strukturat edhe mekanizmat e BE-së  si partnere  dhe me interes  strategjik për të përfituar sa më shumë ekonomikisht. Po ashtu edhe me vllezërit Kinezë do të vazhdojn të mbanjë,forcojn dhe rrisinë raporte  miqësore. Bashkësia ndërkombëtare  do të duhej vendosur kushte dhe standard që duhet së pari t’i plotëson nëse don të antarësohet në radhë të parë në BE, mbi të gjitha jo vetëm të pranoj Republikën e Kosovës por edhe do të duhej ndalur dikriminimin në Vojvodinë,Sangjak, Medvegjë,Bujanoc dhe Preshevë,dhe Rajone tjera ku jetonjn vllehët, Bullgarët etj,të mos përzihet Serbia dhe në Republikën Srpska në Bosnjë Hercegovinë,në Veri të Kosovës, në Malë të Zi, Maqedoni etj.

      Beogradi zyrtarë do të duhej kushtëzuar

Beogradi zyrtarë së pasi të kushtëzohet dhe të kërkoj falje Paralamenti dhe Qeveria për krimet dhe gjenocidin shekullor ndaj neve shqiptarëve,  të pranoj realitetin e ri duke pranuar Republikën e Kosovës,të ndryshohet preambulla e kushtetutës e që në vendë të Kosovës të përfshen shqiptarë e Krahinës shqiptare si Rajon dhe popullatë autoktone që përfshin Medvegjën, Bujanocin dhe Preshevën dhe si komunitet që ka gjithandej në Serbi dhe Vojvodinë.  Legjislatura e Parlamenti të Serbisë do të duhej të ndalin dikriminimin  në Medvegjë,Bujanoc dhe Preshevë dhe në Rajone tjera të populluara me banorë autokton.

 Diskriminimi vazhdon

Vetëm nëse kushtëzohet Serbia do të ndalet diskriminimi, në radhë të parë pranimi i rezultateteve të Referendumit të mbajtur më 1 e 2 mars 1992,pranimi i luftës së UÇPMB-ës dhe marrëveshje së Konçulit,kthimi i lapidarit të UÇPMB-ës, përfaqësim proporcional në hirarkin dhe zingjirin menaxhues të policisë multietnike,gjykata,prokurori,që të lejohet përdorimi i gjuhës son shqipe në gjitha institucionet dhe duke u rregulluar me ligjë përdorimi i simboleve e festive kombëtare, të ndalen gjyqet politike dhe të vlen amnistia ndaj ushtarëvë të UÇPMB-së, të demilitarizohet kjo krahinë dhe i gjithë arsenali të tërhiqet nëpër kazerma,formimin i një universitet publik në gjuhën shqipe,investimi në këtë Rajon ,të kemi përfaqësim në të gjitha nivelet e admnistratës, sistemit bankar, kadastër.Funksionalizimi i Trupit Koordinues të ndryshohet tërsisht pasi deri më tani nuk ka treguar asnjë efekt dhe rezultate në instalimin dhe ngritjen e institucioneve Rajonale. Pjesëmarrjen e shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë do të duhej kushtëzuar me vende të rezervuara.Beogradi kupton vetëm kushtëzimin nëse BE-ja dëshiron të pranon në radhë të veta atherë duhete të ndalet diskriminimi

 Prishtina dhe Tirana zyrtare

Politika dhe diplomacia e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë të ndërkombëtarizojn çështjen e kësaj krahine Shqiptare uke u harmonizuar në të gjitha instancat dhe mekanizmat e BE-së dhe OKB-ës kur është në pyetje krijimi i raporteve me Beogradin zyrtare dhe të ngrisin shtrojn me një zë që kjo legjislatura e Parlamentit të Serbisë të fillon të ndërpres dikskriminimin në Medvegjë,Bujanoc dhe Preshevë. Këto do të duhej kërkura me vendosmëri reprocitetet dhe vendosjen e një misioni paqeruajtës në tri Komunat. Kjo legjislaturë të pranon zyrtarisht kategorin e të dëbuarave,zhvendosurve dhe shpërngulurve shqiptarë jo vetëm në tri komuna por gjithandej Serbisë dhe Vojvodinës.Gjithashtu t’ju krijohen kushte duke investuar për të dëbuarit, zhvendosuri dhe shpërnguluri shqiptarë nga këto komuna. Një çështje me urgjencë për të ndërmarrë veprime konkrete nga organizata si që është OSBE-ja e instanca tjera të BE-së dhe atyre ndërkombëtare është shlyerja nga vendbanimet dhe fshirja nga librat amzë, kësaj i thon ,,zvoglimi’’, i shqiptarëve përmesë ligjeve e formave më diskriminuese.Prishtina dhe Tirana zyrtare, do të duhej të deklaruar dhe të mbajn një qëndrim të unifikuar rrethë një qëllimi, programi dhe patforme dhe të kushtëzohet edhe raporte ekonomike dhe diplomatike me Beogradin zyrtarë për sa i përket çështjeve fundamentale për tri komunat. Kjo legjislaturë e dalur nga data e zgjedhjeve 24 prill 2016 do të duhej të reflekton pozitivist në shumë drejtime.

Filed Under: Analiza Tagged With: Be, Bujanoc dhe Preshevë, diskriminimi ne Presheve, Refik Hasani, Serbia, Të ndalë dikriminimin në Medvegjë

U mbajt seminari i mësuesve nga diaspora në Shkodër

August 14, 2016 by dgreca

 

2 seminari    Nga Hazir Mehmeti, Vjenë/

U mbajt seminari i mësuesve nga diaspora në Shkodër …synohet hapje horizontesh përfshirëse të nxënësve shqiptarë, metodologjinë bashkëkohore mësimore, kurrikulën unike, standardet e mësuesit, financimin, furnizimi me tekste mësimore. A.Bajrami: …mësimdhënësit tanë janë patriot të vërtetë të kohës moderne” /

Katër ditët e fillimgushtit të ngrohtë të këtij viti u pasuruan në kalendarin e Mësimit Shqip në Diasporë me seminarin e 12-të në vendlindje Morën pjesë rreth 160 mësues nga gjithë kontinenti. Organizimi u bë nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, MA e Kosovës dhe Bashkia e Shkodrës. Seminari u mbajt në lokalet e UN – “Luigj Gurakuqi”, ku përshëndetën me fjalë rasti ministrat Lindita Nikolla, Arsim Bajrami e Valon Murati. Në emër të Bashkisë së Shkodrës përshëndeti, kryetarja Voltana Ademi: “ Jemi krenar që Seminari organizohet në Shkodër dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Shkodrës ju dëshiroj mirëseardhje”. Seminarin simbolikisht deklaroi të hapur mësuesja nga Suedia, Fatmire Ismaili. Programi i seminarit nisi nga nxënësit shkodran të cilët u paraqitën me këngë të kënduara me mjeshtri e shije që do ngelin në përjetim të gjatë. Ministrat në fjalime u zotuan në emër të dikastereve të tyre, se do përkrahin mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Nga ana e tyre mësueset/it shtruan shumë probleme për zgjidhje si: financimin e mësuesve, përmirësimi i kushteve të mësimdhënies, dërgimi me kohë i teksteve e mjeteve mësimore etj. Lindita Nikolla:”Ne do përqendrohemi në mbështetjen më të gjithanshme e cilësore të Mësimit Plotësues në diasporë. U jemi mirënjohës të gjithë mësuesve në mërgatë për punën madhore që bëjnë.” Nga Ulqini përshëndeti Nazif Cungu, Drejtues i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Ulqinit: “Ne, sa i përket shkollimit, sytë i kemi nga Shqipëria e Kosova, kurse nga mësuesit e diasporës kërkojmë tërheqjen e sa më shumë nxënësve mërgimtarë në mësimin e gjuhës shqipe”. Arsim Bajrami, mes tjerash tha: “Është kënaqësi e veçantë që sot po vazhdojmë traditën e shkëlqyer të seminareve të mësimit plotësues në diasporë, një ngjarje e rëndësishme arsimore e kulturore. Ky është seminari i dymbëdhjetë dhe kemi mundësi sado pak t’i kultivojmë mësimdhënësit tanë, të cilët janë patriot të vërtetë të kohës moderne, sepse ata po mbajnë gjallë frymën e mësimit shqip kudo që ka shqiptar, dhe pa dyshim diaspora ka luajtur një rol të rëndësishëm në emancipimin kulturor të shqiptarëve Ne po përpiqemi të ndërtojmë një politikë kombëtare dhe një standard unik të mësimit në diasporë, të ndërtojmë kurrikulë çfarë tani e kemi, të punojmë me standarde unike në përgatitjen e mësimdhënësve për diasporë, të promovojmë metodologjitë më të reja.” Seminari u drejtua nga Nuhi Gashi, Shqipe Gashi, Anila Ferizaj, Zamira Gjini, Enida Kume, Erida Koleci, Kadri Ymeri, Arbër Salihu. Tema e referuesit Gerti Janaqi “Kurrikula e unifikuar…” zgjoi interesim tek mësuesit të cilët diskutuan dhe bënë vërejtje të shumta lidhur me ecurinë e hartimit dhe prurjes së “Draftkurrikulës” për plotësime eventuale nga mësuesit në seminar. Zyrtarët qeveritar mospjesëmarrjen në hartimin e draftkurrikulës nga mësues me përvojë nga vende të ndryshme e arsyetuan me profesionalizmin e komisionit përkatës i cili e sjell atë për diskutim e pastaj plotësimet deri në aprovimin e tij. Nga shumica e diskutuesve u paralajmërua dështimi zbatues i Kurrikulës e cila nuk merr parasysh rrethanat specifike të zhvillimit të mësimit amtar në secili vend veç e veç. Pa ndonjë konkluzë konkret vetëm në formalitet u përfundua ky diskutim aq me vlera për nesër. Nga Agim Berdynaj erdhi tema: “Standardet e mesësit në diasporë” e cila u përcoll me vëmendje nga të pranishmit. Koha për pyetje e diskutime rreth kësaj teme, po ashtu kyçe për mësueset/it ishte e kufizuar. Nuhi Gashi doli me kumtesën “Profili i një krijuesi poliedrit, Prof.DrDr. Basil Schader” duke prezantuar një pjesë të punës madhore të Prof.Schadrit, një metodist autor librash i njohur në kontinent në theks mësimi i gjuhës amtare. Prof.DDr. Basil Schader dhe Nexhat Maloku nga Zvicra prezantuan 6 tekstet doracak me udhëzime për mësuesit e gjuhëve amtare në Europë, mes tyre edhe për mësuesit shqiptarë në gjuhën shqipe. Tekstet u shpërndanë falas për të gjithë seminaristet. Ato u hartuan nga metodistë mësimi e pedagog të njohur në kontinent. Tema tjetër e paraqitjes nga Prof.Basil Schader ishte nga përvoja praktike e mësuesve nga disa vende, me theks mësimi dygjuhësor përmes sekuencave filmike. Ishte kjo temë e nxjerr nga koncepti përmbajtjesor i teksteve mësimore për diasporën tani në shfrytëzim nga shumica e mësuesve/eve. Nga Finlanda mësuesi Ragip Kçiku me grupin e tij prezantuan “Libër elektronik..” i cili tregon shtytjet në forma të reja të mësimit përmes elektronikës, një shembull edhe për vende tjera. Filmi dokumentar “Shqiptarët në Suedi” nga Murat Koci dhe Arian Melonashi u prit me emocione të veçanta nga seminaristet. Gazetari i njohur Abdurrahim Ashiku u paraqit me “15 vjet shkollë shqipe në Greqi”. Prof.Dr.Musa Kraja ofroj monografinë Social-Pedagogjike “Mësues e krijues në diasporë…”. Ishte kjo një monografi e veçantë e cila u prezantua vetëm pak minuta. Kumtesat nga përvoja e mësuesve prej vetëm dhjetë minuta ishin formalitet rasti sa për faqet dekorimi me emra të mësuesve mërgimtarë në agjentë, në vend që të jetë e kundërta. Shkarravitja e agjentes programore nga ndërhyrjet anësore dhanë shije të keqe, për çka organizatorët do duhej të nxjerrin mësim. Kumtesat, ndërrim përvojash u prezantuan për vetëm disa minuta nga: Gerti Janaqi, Anila Ferizaj, Raif Mehmeti, Feime Llapashtica, Mimoza Bejkollari, Harun Osmani, Iris Gjinofci, Luli Imeri, Isni Idrizi, Etleva Mançe, Rifat Hamiti, Osman Ademi, Aurela Konduri, Erida Koleci Hazir Mehmeti, Blerta Avdia, Besnik Rama, Merita Ymeri,, Dinore Loshi, , Ruzhdi Jata, Kristina Gega, Lutfi Vata, Nexhmije Mehmetaj, Ines Rushiti Albana Tahirim, Kledi Shegani, Natasha Kazmaj, Fatmire Ismaili, Enida Kume etj. Seminaristët vizituan muze, kështjella dhe vende turistike në rrethinën e Shkodrës. Përjetimet katër ditore do mbesin të fuqishme tek çdo mësues/e me dëshirën e ndërtimit të jetës në atdhe ashtu siç do duhej për kthimin e gjeneratave nesër. Shpresa e mbështetjes financiare për mësimin amtar vazhdon të mbetet akoma varur në fjalorin e politikës dëshpëruese. Shkodra me Rozafën e saj u ngulit më thellë në gjenin e sakrificës shekullore për mbijetesë të gjuhës e identitetit shqiptar edhe në hapësirat e skajshme të kontinentit. Dje, sot e nesër Rozafa u mishërua në secilin, edhe një herë iu kthye porosisë “së gjirit” për të birin, për breza në pambarim, mishërim me porosinë mirësi, njerëzi e urtësi.

Filed Under: Mergata Tagged With: Hazir Mehmeti, Seminari, shkoder

Speciale e Diellit- Nënpresidenti amerikan Joe Biden në vizitën e dytë në Kosovë

August 14, 2016 by dgreca

 

1 Behlul

-Ne Foto:Diplomati i parë i SHBA në Kosovë Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në konferencë për shtyp, ku është korrespondenti tash i Gazetës DIELLI Behlul Jashari – në plan të parë në mes dhe gazetarë tjerë

Nënpresidenti amerikan Joe Biden në vizitën e dytë në Kosovë/

-Nënpresidenti amerikan Joe Biden dhe dr. Jill Biden vizitojnë Kosovën javën e ardhëshme/

-Thaçi: Zëvendës-Presidenti Biden është i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Populli i Kosovës është krenar me mikun i cili që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë ishte shpresa dhe zëri i fuqishëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në Washington/

-“Kosova pret në festë zëvendëspresidentin amerikan Joseph Biden”, “Biden: Njohja e Pavarësisisë së Kosovës përbën proces të pakthyeshëm”, “Ambasada e SHBA: Biden, i prekur nga të shprehurit masiv të dashurisë dhe respektit”, janë titujt e raportimeve që kam bërë gjatë vizitës së parë historike në maj 2009./ -Që prej 20 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, më 12 janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë/

-Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës në Kosovë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 14 Gusht 2016/Nënpresidenti i SHBA, Joe Biden dhe Dr. Jill Biden do të udhëtojnë për në Prishtinë, Kosovë, javën e ardhëshme.

Të martën, 16 gusht, në mbrëmje, mbërrinë në Aeroportin e Prishtinës.

Të mërkurën, 17 gusht, Nënpresidenti Amerikan Biden do të zhvillojë takime dypalëshe me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Isa Mustafa.

Gjithashtu, nën patronatin e Qeverisë së Kosovës, Nënpresidenti Joe Biden dhe Dr. Jill Biden do të shkojnë për vizitë afër Kampit Bondsteel për të marrë pjesë në cermoninë e emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë Joseph R. “Beau” Biden, III.

Para vizitës, Ambasada e SHBA në Kosovë ka dërguar axhendën.

Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka paralajmëruar se, javën e ardhshme vjen Zëvendës-Presidenti Biden në Republikën e Kosovës.

“Kjo vizitë e mikut të Kosovës shënon një moment të ri dhe historik për Kosovën. Tash e 26 vite, Zëvendës-Presidenti Biden është i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Populli i Kosovës është krenar me mikun i cili që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë ishte shpresa dhe zëri i fuqishëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në Washington. Miqësia e Kosovës me SHBA-në është e përjetshme. Kosova dhe populli i saj i janë mirënjohës për jetë Zëvendës-Presidentit Biden dhe familjes së tij për kontributin e tyre. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë SHBA-në”, shprehet presidenti Thaçi.

Kjo do jetë vizita e dytë e nënpresidentit të SHBA, Joe Biden, në Kosovë. E para ishte në maj 1999, për të cilën atëherë kam raportuar me titujt: “Kosova pret në festë zëvendëspresidentin amerikan Joseph Biden”, “Biden: Njohja e Pavarësisisë së Kosovës përbën proces të pakthyeshëm”, “Ambasada e SHBA: Biden, i prekur nga të shprehurit masiv të dashurisë dhe respektit.

20 Maj 2009: KOSOVA PRET NË FESTË ZËVENDËSPRESIDENTIN AMERIKAN JOSEPH BIDEN

PRISHTINË, 20 maj 2009/ Kosova pret në festë zëvendëspresidentin amerikan, Joseph Biden në vizitën e nesërme të vlerësuar historike nga institucionet e vendit dhe populli, ndërkohë që përgatitjet për mikpritjen e mirëpritjen e madhe shihen kudo në Prishtinë , kryeqytetin e shtetit më të ri në  botë, raportoja në 20 maj 2009.

Më tej, mes tjerash, theksoja se, në orët e pasditës së sotme, derisa punëtorët komunal të kryeqytetit kishin përfunduar punët në stolisjen e shesheve dhe rrugëve me flamuj të SHBA-ve dhe të Kosovës dhe në vendosjen në bilborda të  fotografive të mëdha të zëvendësprsidentit amerikan Biden bashkë me përshendetjet e mirëseardhjes.

Ndërsa , në ditën e vizitës, në 21 maj 2009 raportoja:

21 Maj 2009: BIDEN: NJOHJA E PAVARËSISISË SË KOSOVËS PËRBËN PROCES TË PAKTHYESHËM

Zëvendëspresidenti amerikan, Joseph Biden sot në Prishtinë në takim me drejtuesit më të lartë të vendit ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së se pavarësia e Kosovës përbën proces të pakthyeshëm.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë tashmë se njohja e pavarësisë së Kosovës përbën proces të pakthyeshëm. Kjo nuk do të ndryshojë”, tha ai pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu e kryeministrin Hashim Thaçi.

“Së dyti, një Kosovë e tërë dhe e bashkuar është kusht minimal, për aq sa i përket qëndrimit të SHBA-ve. Një Kosovë e Bashkuar dhe e pandarë është absolutisht kusht esencial dhe themelor”, theksoi Biden.

“Gjëja e tretë që dua ta potencoj është se mendoj se qeveria ka arritur një progres të konsiderueshëm gjatë vitit të parë. Progresi që qeveria e ka arritur brenda një viti është i jashtëzakonshëm dhe unë mendoj se një element qenësor i suksesit të vazhdueshëm të qeverisë dhe i faktit që kjo qeveri është përqafuar nga bota është natyra vërtetë shumetnike e kësaj shoqërie, e këtij vendi dhe e kësaj qeverie”, tha Biden.

“Dhe unë jam i bindur se përkushtimi për këtë është i vërtetë dhe njëmend i përhershëm. Për aq sa të ekzistoj ky përkushtim, do të ekzistojë edhe mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, vijoi ai.

“Gjatë udhëtimit tim në Bosnjë, Serbi dhe tani në Kosovë, unë kam thënë se ky është një rast historik. Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e shteteve evropiane kanë ëndërruar një Evropë të tërë, të bashkuar, të lirë dhe në paqe. E vetmja pjesë që i mungon kësaj gjëegjëze – ndonëse më herët thashë paqe – e vetmja pjesë që i mungon kësaj gjëegjëze apo tërësie është që, për herë të parë në historinë e tij, Ballkani të ketë rast të jetë tërësisht i integruar në BE. Kjo është mundësia që ne e kemi tani, ky është qëllimi i SHBA-ve, ky është qëllimi i këtyre liderëve dhe ky është qëllimi i – kujtoj unë – pothuaj të gjithë liderëve të rajonit. Kur kjo të ndodhë, ëndrra që ka lindur pas Luftës së Dytë Botërore do të bëhet realitet”, theksoi zëvendëspresidenti Bajden.

Në vizitën e parë në Kosovë pas shpallljes së pavarësisë Biden tha se për të kjo ishte një ditë vërtetë e mrekullueshme.

“Bazuar në përvojën tonë, kur një vend është demokratik dhe kur është i bashkuar me vendet e tjera demokratike, të gjitha gjërat që e kanë pllakosur atë vend në të kaluarën tejkalohen dhe ofrohet një mundësi më e mirë për një të ardhme më të ndritshme, kështu që unë jam optimist. Jam optimist dhe edhe njëherë dua ta falënderoj qeverinë për mikpritjen dhe dua t’ju tregoj se sa kisha kënaqësinë të kthehesha në një Kosovë që po ndërtohet dhe zhvillohet. Pash njerëz nëpër rrugë që po buzëqeshin. Gjersa po fluturoja për në aeroport, pashë çati të shtëpive të tjera, të reja; pashë përparim, pashë se njerëzit po ecnin para. Për mua kjo është një ditë vërtetë e mrekullueshme, që pata rastin të kthehem. Dhe unë u jam shumë mirënjohës, jo vetëm qeverisë, por edhe tërë popullit të Kosovës”, përfundoi zëvendëspresidenti i SHBA-ve,  Biden.

Ndërsa, që në fillim të fjalës së tij, zëvendëspresidenti Biden falënderoi për nderimin e tij nga presidenti Sejdiu me Medaljen e Artë të Lirisë, duke e quajtur këtë si një nga nderet më të mëdha që i janë bërë ndonjëherë, raportoja, mes tjerash.

***

Në Ditën e Lirisë, 12 qershor 2004 – në 5 vjetorin e hyrjes shpëtimtare të NATO-s në Kosovë në 12 qershorin e vitit 1999, Presidenti në atë kohë Ibrahim Rugova në akademinë solemne njoftonte se me rastin e atij përvjetori kishte vendosur të dekorojë me “Medaljen e Artë të Lirisë” burra shtetesh dhe personalitete të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e lirë të Kosovës.

Në tekstin e Dekretit Presidencial thuhej:

“Në pesëvjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s/KFOR-it në Kosovë, 12 qershorit, Ditës së Lirisë së Kosovës, në bazë të fuqive kushtetuese të Presidentit të Kosovës me Dekret të veçantë kam vendosur të dekoroj me ‘Medaljen e Artë të Lirisë’ shefa të shteteve, të qeverive, senatorë, kongresmenë, deputetë, ushtarakë, ministra, personalitete të Amerikës e të Evropës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës, dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë e kombeve të lira të botës”.

22 Maj 2009: KOSOVË – AMBASADA E SHBA: BIDEN, I PREKUR NGA TË SHPREHURIT MASIV TË DASHURISË DHE RESPEKTIT

PRISHTINË, 22 maj 2009/ Ambasada Amerikane  në Prishtinë falënderon popullin e Kosovës për mirëseardhjen e ngrojhtë dhe zemërgjerë për nënkryetarin  SHBA-ve, Joseph Biden, gjatë vizitës në Kosovë, duke theksuar ai  ishte i prekur nga të shprehurit masiv të dashurisë dhe respektit.

“ Ambasada e SHBA-ve dëshiron të falënderojë popullin e Kosovës për mirëseardhjen e ngrohtë dhe zemërgjerë që ia ofruan nënkryetarit Biden me 21 maj. Gjersa nënkryetari nuk pati mundësi të takohet personalisht me gjithë ata mijëra njerëz që shfaqën entuziazmin e tyre duke u rreshtuar pranë rrugëve të Kosovës, ai ishte i prekur nga të shprehurit masiv të dashurisë dhe respektit”, thekson deklarata e kumtuar nga Ambasada Amerikane.

“Kërkojmë falje për çdo vështirësi të shkaktuar nga mbyllja e rrugëve dhe masave tjera të nevojshme që ishin të lidhura me vizitën”, shtohet në kumtesë.

 

SHBA, 20 VJET PRANIE NË KOSOVË

 

Që prej 20 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, më 12 janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 6 qershor 1996. Presidenti Rugova bashkë me familjen ka marrë pjesë në hapjen solemne të Zyrës Amerikane në Prishtinë, të parës nga gjithë bota, në një ditë historike.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja para 20 viteve.

Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si Ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Zyra e SHBA-ve në Prishtinë u bë Ambasadë në një ceremoni ku kanë marrë pjesë udhëheqësit më të lartë të Kosovës. “Si rezultat i statusit të ri të Kosovës si vend i pavarur, i njohur nga shumë prej kombeve më të fuqishme dhe më të përparuara të botës, na është dhënë leja nga Kongresi i SHBA-ve për t’u hapur formalisht si ambasadë e Shteteve të Bash kuara”, ka thënë Kaidanow në ceremoninë solemne.

Ajo ka shtuar se, “derisa Zyra e SHBA-ve në Prishtinë ka funksionuar për shumë vite me të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat e një misioni të zellshëm diplomatik, emërimi si ambasadë pasqyron një fazë të re në zhvillimin tonë dhe nënvizon përkushtimin tonë të thellë dhe të qëndrueshëm për të punuar për përparimin e Kosovës dhe popullit të saj”.

Diplomatja e SHBA-ve në Prishtinë, Kaidanoë, siguroi për vazhdimin dhe intensifikimin e përpjekjeve në vitet në vijmim dhe se asistenca amerikane Kosovës do të ketë për qëllim sigurimin e një të ardhme më të ndritur për të gjithë.

“Ju sjell urimet nga niveli më i lartë i Qeverisë së SHBA-ve për këtë rast shpresdhënës, përfshirë nga Sekretarja e Shtetit Rice, e cila dërgoi përshëndetjet e saj personale”, tha më tej Kaidanow.

“Është kanqësi dhe nder të jemi këtu në Kosovë në një kohë aq të rëndësishme, dhe i shprehim mirënjohjen tonë të posaçme popullit të Kosovës, i cili na ka ofruar besimin dhe bashkëpunimin e vet gjatë gjithë këtyre viteve”, ka theksuar e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë.

Duke e marrë fjalën në ceremoni atëherë Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu tha se “Kosova ka tashmë një histori të marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë farkuar nëpër kohë të stuhishme të ekzistencës sonë”.

Më tej presidenti Sejdiu përkujtoi:

“Po mbushen 12 vjet që kur kemi përfaqësim diplomatik të SHBA-ve në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane më 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit John Kornblum, ka shënuar vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Ky shënonte moment të rëndësishëm të marrëdhënieve të shkëlqyeshme në mes të Kosovës dhe SHBA-ve, do të thoshte më 1996 Presidenti Ibrahim Rugova, i cili me të drejtë e quante këtë lidhje ‘miqësi të përhershme’ në mes të dy vendeve tona”.
Më tej Sejdiu tha se Presidenti amerikan George W. Bush, në letrën e tij të njohjes së pavarësisë së Kosovës, që ia kishte dërguar atij të nesërmen e shpalljes, përkujtonte “lidhjet e thella dhe të sinqerta të miqësisë që bashkojnë njerëzit tanë”.

“Kjo miqësi, theksonte Presidenti Bush, ‘e farkuar gjatë orëve më të errëta të tragjedisë së Kosovës, është bërë edhe më e fortë në nëntë vitet që kur ka mbaruar lufta në Kosovë’”, tha Sejdiu.
“Sot, me hapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, po kurorëzohet njëra pjesë e punës për vendosjen e marrëdhënive të plota diplomatike në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Kjo do të përmbyllet me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Sejdiu, President në atë kohë.
“Dita e sotme është e veçantë për ne, sepse miku ynë më i madh, SHBA-të po avancojnë statusin e prezencës së tyre në shtetin tonë të ri”, ka thënë në ceremoni  atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, Presidenti i tashëm i Kosovës.

Ai vlerësoi se, “duke e avancuar statusin e zyrës së deritanishme në Ambasadë të plotëfuqishme, dëshmohet së SHBA-të kanë besim në Kosovë”.

“Prandaj, unë si Kryeministër dhe i tërë populli i Kosovës jemi të nderuar dhe jemi mirënjohës për këtë gjë. Si përfaqësues i popullit tim, me lejoni që të them se edhe ne kemi besim të madh në Shtetet e Bashkuara. Ne gjithmonë e kemi çmuar dhe do ta çmojmë miqësinë dhe marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.

“Besimi në liri, barazi, dhe drejtësi janë vlerat sublime, të cilat e bëjnë kombin amerikan të jetë madhështor sot. Prandaj, ne me vendosmëri shikojmë drejt Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim dhe kultivojmë këto vlera të përbashkëta”, nënvizoi kryeministri në atë kohë.

“Ndërkohë, që Kosova do të vazhdojë udhëtimin e saj në mesin e vendeve të lira dhe demokratike të botës, ne përgjithmonë do të ruajmë në zemrën tonë respektin e veçantë për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët janë të përfaqësuar nga kjo Ambasadë këtu”, përfundoi Thaçi duke uruar “në këtë rast madhështor”.

Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.

Atëherë kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa (tash kryeministër) dhe ambasadorja amerikanë në Kosovë Tina Kajdanow, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për dhënien e truallit në shfrytëzim Ambasadës Amerikane, në lagjen Arbëria të kryeqytetit.

Memorandumi është edhe një shembull i forcimit të lidhjeve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, u theksua në ceremoni.

Në 5 maj 2015, në Prishtinë u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve më të larta kosovare, si dhe  të ambasadave në Kosovë.

“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet”, theksonte atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në fjalën e rastit, duke iu drejtuar, Ambasadores së SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson, e cila përfundonte misionin në Prishtinë.

Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars njoftonte se, Presidenti Obama ka nominuar Greg Delaëie-n që të shërbejë si Ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë.

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë me “mirëmengjes” niste prezantimin e tij përmes videos duke paralajmëruar ardhjen në Prishtinë. “Unë jam Greg Delawie dhe është nder për mua të shërbej si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës. Pres ta vazhdoj miqësinë e gjatë mes shteteve tona. Zyrën tonë informative në Kosovë e kemi hapur në vitin 1996. Tani pothuaj 20 vjet më vonë, objekti i ambasadës sonë të re në Prishtinë është në ndërim e sipër”, shprehej ambasadori duke shtuar se shërbimi publik është i rëndësishëm për familjen e tij.

“Gjithmonë kam besuar në vlerën e marrëdhënieve mes popujve, jo vetëm mes qeverive. Vazhdimi dhe ndërtimi i lidhjeve të tilla me Kosovën, demokracinë më të re të Evropës, do të jetë njëri prej prioriteteve të mia kryesore”, theksonte ambasadori amerikan.

Njoftimi dërguar nga ambasada e SHBA në Prishtinë theksonte se, Greg Delawie ndjehet i nderuar që do të shërbejë si ambasador i ardhshëm amerikan në Kosovë.

Në 21 gusht 2015, Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës.

Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Joe Biden, ne Kosove, Vizita e dyte

A e ka Basha fuqinë të diktojë qeverinë teknike?!

August 14, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyçi / Një kërkesë gati e pakthyeshme e liderit të opozitës për krijimin e një qeverie teknike, si kusht i domozdoshëm për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të drejta, të pamanipuluara dhe reale ka hasur në reagime jo të pakta të kundërshtarëve të kësaj skeme. Disa i motivojnë kundërshtitë e tyre me arësye institucionale e disa të tjerë me nevojën e vazhdimit të reformave e në dukje duket se argumenti është deri diku bindës. Megjithatë zoti Basha mbetet këmbngulës në aksiomën e tij të zgjedhjeve me kushtin e “qeverisë teknike”, duke i dhënë idesë së tij gjithnjë e më shumë një koperturë absolute. Diskutimet kontraverse gjithmonë kanë dilemën mes tyre. Dilema është se si do të implementohet një alternativë e tillë politike? A do të ketë konsensus për këtë opsion? Nëse jo, si do të arrihet që të rrëzohet qeveria aktuale, e cila do të duhej t’i lëshonte vendin një qeverie tjetër “ekspertësh”, “teknikësh”, “të pavarurish”? Cilat do të ishin detyrat themelore të asaj qeverie dhe cila do të jetë mbështetja e saj politike? Të gjitha këto dilema dhe diskutime kontraverse do të duhej të viheshin në peshoren e arësyetimit të paanshëm dhe të shkohej drejt një përfundimi sa më të saktë. Kritikët e idesë së shndërruar në një vendim për aksion politik, që zoti Basha ka hedh në publik, thonë e shkruajnë se kjo nismë, kjo alternativë “dobëson shtetin dhe institucionet”, se “Shqipëria humb kohë dhe ne s’kemi kohë për të humbur”, sepse “për nëntë muaj do të duhet që vendi të qeveriset pa program politik të mirëfilltë”. Ata i adresohen edhe eksperiencave të shkuara të vitit 1991 e të vitit 1997 dhe thonë se “qeveritë teknike të atyre kohëve ishin të pasuksesshme”. Dikush e trajton këtë aksiomë të qeverisjes me “teknicenë” si ultimatum të liderit të opozitës, i cili, nëse nuk gjen zbatim do të shoqërohej me bojkotin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Por këta kritikë nuk kanë artikuluar dy-tri çeshtje kyçe të problemit që diskutohet: Së pari, ata nuk e marrin aq seriozisht kreun e opozitës shqiptare. Zoti Basha në mbështetje të idesë dhe vendimit të Partisë Demokratike ka kërkuar dhe realizuar mbështetjen e të gjithë aleatëve opozitarë, republikanë, mjedisorë, liberalë, zhvillimorë, përveçse nja dy partive “të djathta” të formuara me sponsorizimin e Rilindjes. Megjithatë kritikët e zotit Basha nuk po e marrin seriozisht faktin e mbështetjes që ai ka gjetur te aleatët e tij. Këta kritikë nuk po marrin seriozisht as aleancën që opozita dhe zoti Basha kanë krijuar me qytetarët shqiptarë, të cilët janë të gatshëm të përballen me qeverisjen e Rilindjes dhe ta “lëshojnë atë për tokë”, madje para kohe. Kjo aleancë e opozitës me qytetarët shqiptarë është dhuratë e qeverisë, të cilët kritikët e Bashës e konsiderojnë “institucionale”, “të ligjshme” dhe gati-gati “të paprekshme”. Nuk do të ndalem të analizoj arësyet pse dhe si mazhoranca ia bëri kaq shpejt një dhuratë të tillë opozitës, pra kundërshtëve të saj politikë. Thelbi është se kjo mazhorancë dhe kjo qeveri në tri vite bëri reforma në favor të oligarkisë dhe në kurriz të qytetarëve, madje duke i dhunuar ata në mënyrën më brutale dhe më përbuzëse. Jo vetëm ua shkatërroi jetën, por edhe i poshtroi. Në asnjë moment qeveria Rama nuk u shfaq si “shërbëtore” e qytetarit, megjithëse këtë ua premtoi një ditë pas fitores së 23 qershorit 2013. Kryeministri nga shërbëtor u shndërrua në despot e mashtrues dhe ndërtoi tullë pas tulle një mal me gënjeshtra. Prandaj dhe zoti Basha llogarit në forcën qytetare të imponimit të projektit të tij: Zgjedhje të lira e të ndershme vetëm me qeveri teknike. Së dyti, fuqia e Bashës është dëshmuar në dy aksionet politike të fundit, të cilat përbëjnë një fitore epokale në kapërcimin e tranzicionit në Shqipëri. Ai dhe opozita imponuan ligjin e dekriminalizimit si dhe ligjin për reformën zgjedhore. E vërteta është se këto dy ligje zoti Basha i imponoi me ndihmën e aleatit të zotit Rama, pra të Ilir Metës. Por është fakt se idetë, këmbngulja, ballafaqimi me të vërtetën dhe rrugën e drejtë të zhvillimit e bënë shefin e opozitës dhe opozitën në tërësi promotor të zgjidhjes. Në këto dy aksione politike, sidomos për reformën zgjedhore, u duk se kundër zotit Basha është rrjeshtuar faktori ndërkombëtar. Megjithatë. kur është fjala për marrëdhëniet ndërkombëtare topi nuk mund të përfundojë në rrjetën e Bashës. Ai i ka dëshmuar aftësitë e tij në këtë fushë së paku në tri raste: Gjatë fushatës diplomatike për pranimin e Shqipërisë në NATO, gjatë aksionit diplomatik për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe gjatë veprimit me ngulm për realizimin e standardeve për liberalizimin e vizave. Ai i ka paraprirë kërkesës politike për qeveri teknike me një aksion të gjerë ndërkombëtar për të realizuar zgjedhje të lira e demokratike në vend. Ky vit do të jetë viti i ballafaqimit të qeverisë Rama me Bashkimin Europian dhe SHBA-të për shkak të hashashizimit të të gjithë territorit të Shqipërisë dhe kjo do të jetë një arësye bindëse e pakontestueshme për argumentin e shkuarjes në zgjedhje elektorale me një qeveri teknike. Nisur nga ky realitet i krijuar tashmë si dhe eksperienca e mëparshme duhet besuar se opozita do ta çojë deri në fund angazhimin e saj për zgjedhje të lira e të ndershme përmes krijimit të një qeverie teknike. Në këtë aksion ajo do të ketë në një moment të caktuar, kur konflikti do të shkojë në majë, edhe mbështetjen e LSI-së, e cila ka marrë mësimet e veta gjatë fushatës së zgjedhje lokale të 21 qershoorit të vitit të kaluar. Në fund të fundit nuk do të kishte kuptim as dekrimanilizimi, as ligji i reformës në drejtësi, nëse Shqipëria do të vazhdonte pa fund manipulimin e zgjedhjeve, blerjen e votës e të komisionerëve, nëse pasanikët e baronët e drogës në politikën shqiptare do ta shndërronin këtë vend në një vend pa shpresë. Zgjedhje të vjedhura, të blera e të manipuluara do të thotë përfundimisht degradim total e humbje e çdo shprese për zhvillim e përparim, për qeverisje të mirë. Së treti, motivi i kërkesës për “qeveri teknike” është shumë më bindës sesa të gjitha argumentet që paraqiten kundër. Institucion i qeverisjes nuk është vetëm qeveria dhe strukturat e saj vartëse. Qeverisja ka një numër të pafund institucionesh ndërtuar në tri rrafshe, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori. Legjislativi funksionon në çdo vend edhe kur ka qeveri teknike. Madje në rastin konkret do të duhet të funksionojë në mënyrë konsensuale, para së gjithash për të miratuar një ligj të drejtë elektoral. Nga ana tjetër sfida kryesore e kësaj periudhe është përgatitja e zgjedhjeve të reja dhe infrastrukturës që duhet për to. Këtë process nuk e ndalon dhe as e pengon krijimi i një qeverie teknike. Nga eksperienca dijmë se qeveria të tilla në të kaluarën nuk kanë ndërmarrë reforma ekonomike e politike të mirëqena, por kanë krijuar një mjedis besueshmërie më të madhe për ndërtimin e të ardhmes. Ndërsa në kushtet e kësaj qeverisje të sotme, kur akti i saj i parë dhe i fundit është aksioni i kultivimit të hashashit, aksioni i linçimit të kundërshtarëve politikë, si dhe aksioni i valimit të drunit mbi qytetarët dhe varfërimit të tyre, qeveria teknike do të ishte së paku indiferente dhe jo nxitëse e këtyre fenomeneve. Propozimi për “qeveri teknike” është ndihmë e të sotmes e për më tepër garanton për një përspektivë të qarte dhe përfaqësim dinjitoz në qeverisjen e ardhshme. Për mua, shqetësimi kryesor i shumicës së kritikëve të propozimit të Bashës për “qeveri teknike” deri në zgjedhjet e reja është se “të shkosh në zgjedhje me qeveri teknike, do të thotë të krijohet fryma e ndryshimit”. Në këtë pikë ndoshta ata kanë disi të drejtë. Krijimi i frymës së fitores në një palë zgjedhje është detyrë dhe sfidë e çdo opozite. Më rezultatin e dy aksioneve politike opozita ka krijuar parakushtet për krijimin e kësaj fryme. Por besoj se ende nuk ka një atmosferë të gjallë e të palëkundur të besimit për rrotacion në zgjedhjet e ardhshme. Nëse zoti Basha dhe opozita formulojnë një program të saktë e bindës, atëherë fryma do të vijë duke u forcuar në favor të tyre. Mbetet të merret seiozisht vetëm një aspekt i krijimit të bindjes për këtë: – Mosmbajtja e premtimeve dhe mashtrimet e Rilindjes kanë bërë efekt shkatërrues në formimin dhe besueshmërinë e qytetarit te politikani. Për të qenë realist, në mjaft raste edhe vetë Partia Demokratike në qeverisjen e saj nuk i ka mbajtur premtimet e saj. Do të ishte mirë që qytetarëve t’u premtohet vetëm aq sa do të mund të realizohet, madje më pak se kaq, me qëllim që ata të mos zhgënjehen e mbi të gjitha të vendoset standardi I një marrëdhënjeje korrekte midis politikës dhe qytetarit. Do të kishte rezultat nëse gjithçka do të shfaqet e detajuar dhe argumentuar, me shifra, me fakte, me numra, me veprime aritmetike në ekranet televizive. Një fushatë bindëse dhe një aksion i çuar deri në fund do ta krijojë frymën e fitores për opozitën. Qeveria teknike duhet thjesht për të garantuar votën e lirë. Nëse qeveria teknike shihet si qëllim në vetvete, ajo nuk sjell e nuk mund ta sjellë rrotacionin politik në këtë vend. Përfundimisht mund të besojmë plotësisht në fuqinë dhe zotësinë e zotit Basha dhe opozitës për të imponuar jo vetëm zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme, të çertifikuara si të tilla nga institucionet demokratike ndërkombëtare, por edhe për të imponuar formimin e një qeverie teknike, si dhe për të formuluar një program bindës e korrekt për Shqipërinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: A e ka Basha, Enver Bytyci, fuqinë të diktojë qeverinë teknike?!

Shqipëria, pronë private e Edi Ramës

August 14, 2016 by dgreca

1 stadiumi ok

Nga Gavrosh Levonja/

Ende dita nuk ka ague/

T’ndërtojmë na muzej n’Shqipni/

Me kuletë t’shpueme n’gji/

Se për tash muzeu do lane/

Kur ne jemi bark pa ngranë/

Këto vargje nga “Gomari i Babatasit” më vijnë nëpër mend sa herë që Edi Rama flet për të ashtuquajturën “Rilindje urbane” ose kur paralajmëron ndërtime apo shembje objektesh. Natyrisht, nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur ai paralajmëroi ndërtimin e një teatri të ri në kryeqytet. Jo vetëm kaq, po shpalli se do të ndërtohet mbi “rrënojat e Institutit të Hidrologjisë” diku në njërën nga rrugët që të cojnë në parkun e liqenit, madje bëri të njiohur dhe emrin e tij “Turbina”. Që nga mënyra, me të cilën publikut i bëhet i njohur ndërtimi i një objekti të rëndësishëm në kryeqytet cdo njeri normal arrin në përfundimin se në Shqipëri shteti nuk funksionon. Ashtu si të gjitha punët e projektet “Rama” as mund të bëht fjalë qoftë dhe për një minimum transparence. Normalisht, publiku duhej të ishte njohur prej kohësh me zhvillimet përsa i përket idesë së shndërrimit të godinës së institutit në fjalë në një teatër “modern”, duke filluar nga diskutimet në aspektin urbanistik, për të vazhduar më tej me fizibilitetin, sa e rëndon buxhetin e shtetit, kur dihet se ky nuk është në gjendje të plotësojë nevojat minimale të një pjese të popullsisë e mbi të gjitha a ka nevojë Tirana për një teatër të ri në raport me aktivitetin artistik që zhvillohet aktualisht. Kështu, para kryeministrit duhej të kishim dëgjuar zërin e ndonjë përfaqsuesi të Këshillit të Rregullimit të Teritorit, kryebashkiakun e Tiranës, ministrin e Financave apo ndonjë zyrtar të këtij, ministren e Kulturës etj. Por, duke dëgjuar gjithcka nga goja e kryeministrit nuk ka si të mos krijohet përshtypja se ky sillet me pasuritë publike si t’i kishte pronë personale a thua se i ka të trashëguara nga familja e tij. I teket të ndërtojë ose të shkatërrojë një objekt, teatër, stadium, pallat, rrugë duke përcaktuar dhe kompanitë private qo të ekzekutojnë projektet e tij apo do t’i marrin në koncesion pasi të jenë ndërtuar dhe, të gjitha i bën pa e carë kokën për askënd. Ndërkohë Himara është bërë shembulli i asaj që kryeministri aktual po sillet dhe si zot edhe i pronave private të himariotëve duke u rrekur t’u shembë shtëpitë e ngritura nga paraardhësit dhjetra vite më parë. Gjitmonë, pa pyetur askënd duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen e ndonjë sejmeni në funksionin e amplifikatorit të fjalëve të tij. Por më shume se trillet e kryministrit shqetësues është fakti që si nuk i del ndonjë zyrtar me dy para mend në kokë dhe me një minimum ndershmërie që t’i thotë: “ndal, kjo nuk ka logjikë…” në kohën që të tjerë të cilët nuk varen prej tij mund t’i a thonë më copë: “mjaft më o i cmendur”. Por, duket se dhe Edi Rama e ka njohur mirë karakterin e shqiptarit që nuk e can kokën fare për atë që është publike, pos hapsirës që ndodhet nën catinë e tij. Po të vazhdojë të jetë kryeministër dhe për disa vite, jam i sigurt se jo shumë vonë mund të asistojmë në shembjen e pallateve “Agimi”, Shallvareve etj per t’i zevendësuar me ndërtesa të reja, sic predikonte muaj më parë një arkitekt italian i lidhur me Ramën & Co. Kjo do të ishte dhe mënyra e vetme për të vazhduar me ndërtime tashmë kur nuk ka më hapsira boshe. Nuk jam kundër ndërtimit të objekteve social kulturore, por ai vend ka nevojë për gjëra të tjera jetike. Para stadiumeve e teatrove që në fund të fundit janë objekte “qejfi”, ku njerzit shkojnë për t’u argëtuar, duke kaluar kohën e lirë, paratë e buxhetit duhen shpenzuar për objekte që krijojnë punë ose që kthejnë shpenzimet e bëra brenda një kohe sa më të shkurtër duke krijuar mundësi financiar për investime të tjera, pa pasur nevojë që të përdoret koncesioni si gomë shpetimi. Ka ca kohë që po flitet për dhënien me koncesion të “Rrugës së Kombit” më duket për nja tridhjetë vjet. Koncesioni është një mekanizëm i cili përdoret përgjithsisht në situata kur shteti nuk i ka mundësitë financiare për të ndërtuar apo menaxhuar me efikasitet një objekt të caktuar. Por dhënia apo marrja me koncesion kërkon eksperience dhe aftësi në një nivel të lartë ekonomike, financiare dhe në specialitetin përkatës të objektit të caktuar për t’u dhënë me koncesion. Nuk mund të japësh dicka me koncesion si të japësh një kothere bukë. Një koncesion i pastudiuar, i bërë në bazë llogaritjesh të përcipta, pa përmendur aspektin korruptiv i shkakton humbje të konsiderueshme arkës së shtetit dhe pasojat bien mbi xhepin e qytetarëve. Konkretisht koncesionet e dhëna nga qeveritë shqiptare duke filluar që nga Rinasi për të përfunduar tek koncesionet qesharake të viteve të fundit në shëndetësi kanë rezultuar me pasoja për shqiptarët. Duke i u kthyer koncesionit të “Rrugës së Kombit” mendoj se po të mos i conte paratë për stadiume, për shembje objektesh, për mobilim zyrash etj do t’i kishte fondet që I duheshin për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme që do të mundësonte mbledhjen e taksës së kalimit në “Rrugën e Kombit”. Në këtë mënyrë, ato para që do t’i mblidhte koncesionari do të shkonin në arkën e shtetit për t’i shpenzuar pastaj në mirëmbajtjen e përmirësimin e saj. Logjikisht koncesionari llogarit fitimin përndryshe nuk ka pse i hyn një ndërmarrjeje të tillë, a thua se ka para tepër për të humbur. Duke devijuar fitimin e koncesionarit në drejtim të arkës së shtetit Edi Rama mund të kënaqë trillet e tij për të ndërtuar stadiume e teatro si dhe të zbukurojë zyrat. Nuk ka dyshim, se shteti me mjetet që nevojiten i ka të gjitha mundësitë që t’i a dalë mbanë menaxhimit të “Rrugës së Kombit” dhe shumë gjërave të tjera për të cilat ka në majë të gjuhës koncesionin tashmë të maskuar nën “partneritet publik privat”. Në kohën e komunizmi një ndërmarrje si “Rruga-Ura” mirëmbante gjithë rrugët e vendit, vallë kaq i pafuqishëm të jetë shteti i sotëm sa të mos ketë mundësi e mjete për t’u kujdesur për 60 km rrugë, apo për ndërtimin e tetë sporteleve ku drejyuesit e mjeteve të paguajnë taksën e kalimit?

Filed Under: Analiza Tagged With: e Edi Rames, Gavrosh Levonja, pronë private, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT