• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2016

ETNOMUZIKOLOGJIA SHQIPTARE GJATE GJYSMES SE DYTE TE SHEKULLIT XX

October 21, 2016 by dgreca

ETNOMUZIKOLOGJIA SHQIPTARE GJATE GJYSMES SE DYTE TE SHEKULLIT XX:  PROBLEME THEMELORE TEORIKE E METODOLOGJIKE/

spiro-j-shetuni1

Shkruan: Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI/

Universiteti Winthrop/

Rock Hill, South Carolina-U.S.A./

Parashtrim/

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, periudhë e cila afërsisht përkon me kohën e sundimit të sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste në Shqipëri (1944-1991), krahas arritjeve, etnomuzikologjia shqiptare ka njohur edhe probleme, mangësi, njëanshmëri.  Në përgjithësi, ato mund të shihen si produkt i katër faktorëve kryesorë:  së pari, moshës së re të etnomuzikologjisë shqiptare si shkencë;  së dyti, drejtimit anti-kombëtar të etnomuzikologjisë nga ana e Partisë Komuniste të Shqipërisë, udhëheqëses së jetës ekonomiko-shoqërore e politiko-kulturore të vendit;  së treti, izolimit dramatik që njohu Shqipëria, rrjedhimisht edhe shkenca e etnomuzikologjisë, gjatë kësaj periudhe historike;  së katërti, paragjykimeve, iluzioneve, mendimeve të gabuara, të cilat e shoqërojnë vazhdimisht një shkencë të caktuar, qoftë ajo e re, qoftë e pjekur, në moshë.  Duke vënë shkurtimisht në dukje disa koncepte, dukuri, përvoja të njëanshme të etnomuzikologjisë shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, shpresoj se do të ndihmohet sadopak, në radhë të parë, vetë procesi i ecurisë së saj në të ardhmen.

Karakteri klasor ose politizimi

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, muzika tradicionale shqiptare u zhvillua gjerësisht.  Ne jemi dëshmitarë të jetës herë-herë mjaft të gjallë që njohu tërë arti tradicional shqiptar brenda kësaj periudhe historike.  Mendoj se, një dukuri të tillë, e sollën dy faktorë kryesorë:  Së pari, prona e përbashkët mbi mjetet e prodhimit.  Duke qenë se njerëzit në të vërtetë s’kishin prona, ata ishin disi më pak ose shumë më pak të zenë me punë sesa, p.sh., në një vend kapitalist, ku njerëzit shpesh herë janë të vetë-punësuar në pronat e tyre.  Veç kësaj, meqenëse, ekonomikisht, popullsia varej tërësisht nga shteti, ajo, në të njëjtën kohë, ishte e detyruar që tu përgjigjej kërkesave të tij për të marrë pjesë në veprimtari të ndryshme kulturoro-artistike.

Së dyti, Partia Komuniste e Shqipërisë u interesua në mënyrë të shquar për jetën kulturore në përgjithësi dhe atë artistike folklorike në veçanti.  Vetëm se, në të vërtetë, pas një interesimi të tillë, fshiheshin qëllime të caktuara politike.  Qëllimi i parë ishte zgjatja, sa më shumë që të ishte e mundur, e jetës së shtetit shqiptar të diktaturës komuniste.  Eshtë e qartë se festivalet folklorike kombëtare, këto veprimtari tepër të kushtueshme për një popull aq të varfër, i thurnin hymne vetëm diktaturës, idealizonin vetëm të ashtuquajturin socializëm, ngrinin lart vetëm rrugën e ndjekur nga shteti komunist shqiptar.  Në vend që t’u këndonin Jezu Krishtit o Muhametit– Zotërve Qiellorë–, festivalet u këndonin plot pathos diktatorëve–Zotërve Tokësorë.  Qëllimi i dytë ishte nënështrimi ideologjik i masave të gjera punonjëse të fshatit e të qytetit:  në historinë e njerëzimit, vështirë se mund të gjendet ndonjë shembull më i plotë i sundimit shpirtëror mbi masat.  Qëllimi i tretë ishte përveçimi kulturor i një populli të vogël nga kombe, popuj e grupe të tjerë etnikë, gjithmonë për të pranuar si rrugë zhvillimi të ashtuquajturin socializëm.

Partia Komuniste e Shqipërisë vuri në shërbim të saj aftësitë artistike krijuese të një populli të tërë.  Pa mohuar disa dukuri pozitive të një procesi të tillë, në përgjithësi, ai solli si pasojë rrënimin e vlerave kulturore të krijuara në shekuj nga populli shqiptar.  Gjatë periudhës së gjatë komuniste, pranoheshin vetëm krijime–tradicionale, amatore, profesioniste–, të cilat, në thelb, përkonin me linjat kryesore të ideologjisë markiste-leniniste.  Në rast të kundërt, ato ndaloheshin që të ekzekutoheshin ose të botoheshin!  Ndërkohë, autorët e tyre ndëshkoheshin rëndë!

Sëmundja kryesore që preku tërë artin shqiptar–tradicional, amator, profesionist–, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, pra, edhe muzikën tradicionale si pjesë të tij, ishte karakteri klasor, ose, me fjalë të tjera, politizimi.  Për fat të keq, një dukuri e tillë, herë-herë, hyri deri në thelbin e pasurisë tradicionale shqiptare.  Thuajse nuk mbeti gjini, zhanër dhe as krijim tradicional që t’i shpëtonte depërtimit të ideologjisë marksiste-leniniste.  Nëse gjinia epike e artit tradicional shqiptar u politizua deri në palcë, as gjinia lirike e tij nuk mbeti e paprekur prej kësaj “sëmundjeje të detyruar.”  Në tërë universin tradicional shqiptar, mund të hasen vargje me frymë politike, të diktuara nga regjimi komunist në fuqi!  Karakteri klasor nuk preku vetëm nina-nanat ose ninullat, vajtimet ose gjamat, këngët maje-krahi ose kushtruese, këngët lirike me llojet më të ndryshme të tyre (të dasmës, rituale, të punës, të dashurisë, etj.), baladat, këngët legjendare, këngët historike, vallet, etj., të krijuara gjatë pesëdhjetë viteve të fundit, por madje edhe ato që ishin krijuar më parë!

Lejomëni të sjell si ilustrim tre tekste të politizuara këngësh tradicionale.Teksti i këngës së parë është dramatikisht i politizuar:  as më shumë e as më pak, ai mund të karakterizohet si një manifest i vërtetë komunist!  (Prandaj, nëse do të lexonin poezi të tilla, të shkruara nga vjershëtorë popullorë, sa të varfër ekonomikisht, aq edhe të indoktrinuar ideologjikisht, themeluesit e socializmit shkencor, Karl Marks (1818-1883) dhe Vladimir Iliç Lenin (1870-1924), me siguri që do të ndiheshin krenarë për veprën e tyre!)  J’u lutem, shihnitekstin e këngës së parë, i cili vjen si shembull tipik i një politizimi të thellë:

“Un’ punoj për shoqërinë,

Dhe ajo punon për mua.

Atje kërkoj lumturinë,

Tjetër sistem nukë dua!

Jam i ngjitur me Partinë,

Ashtu si mishi me thua!

More, më mungon irati,

Por, as kam e as e dua!

Vetëmë proletariati

Janë çifliku për mua!

Karlë Marksi me Leninë

Janë profitë për mua!”

Teksti i këngës së dytë është, gjithashtu, dramatikisht i politizuar:  as më shumë e as më pak, ai mund të karakterizohet si një parullë politike që Partia Komuniste e Shqipërisë përdori gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX!  (Prandaj, kur lexonin poezi të tilla, të shkruara nga vjershëtorë popullorë, sa të varfër ekonomikisht, aq edhe të indoktrinuar ideologjikisht, udhëheqësit e shtetit diktatorial shqiptar, ndiheshin krenarë për veprën e tyre!)  J’u lutem, shihni tekstin e këngës së dytë, i cili shfaqet si një shembull tipik, vetëm se qesharak, politizimi:

“O, moj nus’ e re,

Sa e bukur je!

Kazmën edhe pushkën,

More për paj-e!”

J’u lutem, shihni, më në fund, tekstin e një nina-nane ose ninulle, gjithashtu, të politizuar:

“Nani-nani, çupë e nënës,

Të rritesh si drit’ e hënës!

Punëtore porsi bletë,

Gojëmjaltë, krahëlehtë!

Nani-nani, shpirt-o, fli,

Të më rritesh për Parti!”

Shprehje e ideologjisë anti-kombëtare komuniste, karakteri klasor nuk depërtoi brenda artit tradicional, sikurse brenda tërë artit shqiptar, në një ditë të vetme.  Procesi i politizimit ishte i gjatë, i ndërlikuar e i dhimbshëm.  Sidoqoftë, po të mbajmë parasysh se ideologjia marksiste-leniniste sundoi mendimin shkencor, letrar e artistik shqiptar për një periudhë gati gjysmë-shekullore, atëherë arrihet më lehtë të kuptohen përmasat dramatike të këtij procesi.  Gjithçka u përmbush në emër të “bashkëkohësimit” të artit tradicional, të përshtatjes me “epokën e re,” të “karakterit klasor” që duhej të kishte arti i epokës komuniste, të “frymës së re,” të “frymës së kohës,” etj.  Mirëpo, fakt është se kështu, në fund të fundit, u krye një vepër me të vërtetë mizore:  përfytyra etniko-kombëtare e poezisë, muzikës e vallëzimit tradicional shqiptar u zbeh dhe forca e tyre shprehëse u dobësua!

Koncepti folklor i ri

Koncepti i ashtuquajtur folklor i ri, i cili u përdor gjerësisht në antologji e studime folkloristike e etnomuzikologjike shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, është shprehje e drejtpërdrejtë e ndikimit politik e ideologjik të sistemit politiko-shoqëror komunist në fuqi.  Nëse, nga pikëpamja teorike, një koncept i tillë synonte që t’a ndërsuazonte interpretimin e folklorit brenda qerthullit të ideologjisë marksiste-leniniste, nga pikëpamja praktike, ai vetëm se e dhunonte jetën e folklorit shqiptar dhe të muzikës tradicionale si pjesë përbërëse të tij.  Së paku, në plan muzikor, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, folklori shqiptar nuk ishte aspak i ri, por vetëm tradicional.  Ndoshta për këtë arsye studiuesit e universiteteve të vendeve kapitaliste perëndimore–etnologë, folkloristë, etnomuzikologë–jo rrallë herë kanë shfaqur habinë e tyre për përdorimin e këtij nocioni me përmbajtje thellësisht politike.  S’ka dyshim se koncepti folklor i ri nuk merr për bazë, as thelbin estetik të muzikës tradicionale në përgjithësi, as veçoritë e zhvillimit të saj nga njëra epokë historike në tjetrën në veçanti.  Duke karakterizuar një epokë të caktuar historike në jetën e folkloristikës dhe të etnomuzikologjisë shqiptare, është e qartë, pra, se përdorimi i këtij nocioni s’duhet të ketë më vend në antologji e studime të ardhme folkloristike e etnomuzikologjike.  Një nocion i tillë është estetikisht i gabuar.

Njëanshmëria në studimin e dialekteve muzikorë themelorë

Dihet se, për të forcuar themelet nacionale të muzikës profesioniste të vendeve të tyre, mjaft kompozitorë të Europës Lindore u mbështetën në mënyrë të shquar në muzikën tradicionale në përgjithësi dhe atë fshatare në veçanti.  Lejomëni të përmend, midis të tjerëve, kompozitorët çekë:  Dvorzhak e Smetana;  kompozitorët hungarezë:  Bartok e Kodali;  kompozitorin rumun:  Enesku;  kompozitorët rusë:  Musorgski, Borodin, Rimski-Korsakov, Stravinski, etj.  Një prirje e tillë ekziston edhe sot e kësaj dite në shumë vende të kontinentit europian.  Eshtë interesante të shënohet se, kompozitorë të caktuar, disa herë, u përfshinë edhe në regjistrimin, notizimin, botimin dhe studimin e muzikës tradicionale, duke u shfaqur plotësisht edhe si etnomuzikologë.  Në këtë qerthull, një vend të shquar zënë Bartok dhe Kodali.  Përsa i takon ndihmesës si etnomuzikolog, përkrah tyre, qëndron studiuesi rumun me famë botërore, Brailoiu, i cili e zhvilloi pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij shkencore në Paris (Francë).

Në këtë qerthull, është e rëndësishme të vihet në dukje se, duke filluar që nga gjysma e parë e shekullit XX, kompozitorë dhe etnomuzikologë të ndryshëm të Europës Lindore, si:  Bartok, Kodali, etj., nënvizuan veçanërisht rëndësinë e muzikës tradicionale fshatare, si në plan teoriko-shkencor, ashtu edhe në rrafsh praktiko-artistik.  Sipas tyre, në dallim prej muzikës tradicionale qytetare, muzika tradicionale fshatare shquhet në mënyrë të veçantë për mirëfilltësi etniko-nacionale.  Ide të tilla patën dhe vazhdojnë që të kenë një ndikim të fuqishëm në mendimin etnomuzikologjik europian në përgjithësi dhe atë ballkanik në veçanti.  Mirëpo, siç tregon vetë përvoja etnomuzikologjike, herë-herë, ato, ose u përdorën në mënyrë të gabuar, ose u përdorën për qëllime thjesht politike nga sistemet politiko-shoqërore komuniste të vendeve të Europës Lindore.

Duke e vështruar me sy kritik përvojën e derisotme të etnomuzikologjisë shqiptare, vihet re se, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, muzika tradicionale fshatare–gege, toske, labe–është hulumtuar më shumë sesa muzika tradicionale qytetare.  Gjatë kësaj periudhe historike, studiuesit etnomuzikologë, krahas sivëllezërve të tyre etnologë e folkloristë, ndoshta nën ndikimin e idesë së pasërtisë burimore të muzikës tradicionale fshatare, iu përkushtuan tërësisht hulumtimit të saj.  Ashtu sikurse në vende të tjera të Ballkanit (Greqi, Bullgari, Rumani, Maqedoni, Serbi, Mal i Zi, Bosnje-Hercegovinë, etj.) dhe të Europës Qendrore (Hungari, Çeko-Sllovaki, Poloni, Ukrahinë, Vende Balltike, etj.), edhe në Shqipëri, etnomuzikologët nuk pritën shumë që të regjistrojnë këngë tradicionale fshatare, pjesë muzikore instrumentore tradicionale fshatare, valle tradicionale fshatare, etj., sa të thjeshta në përmbajtje, aq edhe të veçanta në sistemin e tyre modal/tonal.

Si rrjedhojë, muzika tradicionale fshatare, gradualisht, dalngadalë, si pa kuptuar, nisi që të fitojë një status të veçantë midis dialekteve të muzikës tradicionale shqiptare.  Eshtë fakt se, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ndaj saj, u mbajt një qëndrim mbivlerësues, mbiçmues, idealizues.  Kështu, ajo gëzoi plotësisht të drejta të tilla themelore, si:  i)  regjistrimi, notizimi, botimi, studimi sistematik;  ii)  dhënia, transmetimi, popullarizimi në radio, televizion, kinematografi;  iii)  përfaqësimi në festivale folklorike:  lokale, kombëtare, ndërkombëtare;  iv)  ruajtja e integritetit të repertorit, etj.  Duke u mbështetur në përvojën e vendeve të Gadishullit të Ballkanit në përgjithësi dhe të Shqipërisë në veçanti, mund të pranohet se, kështu, dashur-padashur, u arrit idealizimi, hyjnizimi, legjendarizimi i vlerave të muzikës tradicionale fshatare në kulturën e kombeve, popujve dhe grupeve të ndryshëm etnikë.  Nga mënyra se si u trajtua muzika tradicionale fshatare, shekulli XX në përgjithësi dhe gjysma e dytë e tij në veçanti, mund të karakterizohen edhe si periudhë e shkëlqimit të lëvrimi të kësaj muzike.

Sakaq, muzika tradicionale qytetare, gradualisht, dalngadalë, si pa kuptuar, nisi që të humbasë statusin e saj si simotër e barabartë midis dialekteve të muzikës tradicionale shqiptare.  Eshtë fakt se, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ndaj saj, u mbajt një qëndrim nënvlerësues, nënçmues, mohues.  Kështu, asaj iu kufizuan ose ndaluan tërësisht të drejta të tilla themelore, si:  i)  regjistrimi, notizimi, botimi, studimi sistematik;  ii)  dhënia, transmetimi, popullarizimi në radio, televizion, kinematografi;  iii)  përfaqësimi në festivale folklorike:  lokale, kombëtare, ndërkombëtare;  iv)  ruajtja e integritetit të repertorit:  këngë të caktuara, pjesë muzikore instrumentore të caktuara, valle tradicionale të caktuara u ndaluan zyrtarisht, etj.  Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, thelbi, bërthama, zemra e ahengut muzikor qytetar shqiptar u godit mizorisht nga Partia Komuniste e Shqipërisë!  Duke u mbështetur në përvojën e vendeve të Gadishullit të Ballkanit në përgjithësi dhe të Shqipërisë në veçanti, mund të pranohet se, kështu, dashur-padashur, u arrit mohimi, përçmimi, dyshimi i vlerave të muzikës tradicionale qytetare në kulturën e kombeve, popujve dhe grupeve të ndryshëm etnikë.  Nga mënyra se si u trajtua muzika tradicionale qytetare, shekulli XX në përgjithësi dhe gjysma e dytë e tij në veçanti, mund të karakterizohen edhe si periudhë e mjerimit të lëvrimit të kësaj muzike.

Nga pikëpamja teorike, mbajtja e një qëndrimi nënvlerësues, nënçmues, mohues ndaj muzikës tradicionale qytetare, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, solli rrjedhoja të dëmshme në një radhë aspektesh, si:  historia, përfaqësuesit më të shquar, stilet muzikore më të spikatur, sistemi i saj modal/tonal, etj.  Asnjë dëshmi e shkruar nuk ekziston për krijuesit (vjershëtorë e kompozitorë) të muzikës tradicionale qytetare!  Asnjë dëshmi e shkruar nuk ekziston për interpretuesit (këngëtarë e instrumentistë) të muzikës tradicionale qytetare!  Asnjë artikull i vetëm nuk u shkruajt për stilet muzikore më të spikatura të muzikës tradicionale qytetare!  Asnjë studim i vetëm nuk u shkruajt për sistemin modal/tonal të muzikës tradicionale qytetare!  Shkaqet që sollën dukuri të tilla duhen parë si rrjedhojë e tre faktorëve kryesorë:  së pari, sistemit politiko-shoqëror të kësaj periudhe të gjatë historike;  së dyti, vetë-izolimit të pashembullt të popullit shqiptar nga kombe, popuj, grupe të tjerë etnikë dhe kulturat përkatëse të tyre;  së treti, diskutimeve për ngarkesën etniko-kombëtare të muzikës tradicionale qytetare, diskutime të cilat ende vazhdojnë që të ekzistojnë në rrethe të caktuar artistiko-shkencorë të vendit.

Sidoqoftë, në ditët tona, çështja shtrohet që muzika tradicionale qytetare të zërë vendin e saj të merituar në çdo aspekt të jetës e veprimtarisë së shoqërisë demokratike shqiptare.  Eshtë, në radhë të parë, detyrë e etnomuzikologjisë vendase, që të vendosë një raport të drejtë midis lëvrimit të muzikës tradicionale fshatare (gege, toske, labe), nga njëra anë, dhe lëvrimit të muzikës tradicionale qytetare, nga ana tjetër.

Në studimet etnomuzikologjike shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, ndonëse në përmasa më të vogla, vërehet një lloj njëanshmërie edhe brenda vetë muzikës tradicionale fshatare:  midis studimit të muzikës tradicionale gege, nga njëra anë, dhe asaj toske e labe, nga ana tjetër.  Në përgjithësi e para është lëvruar më pak sesa të dytat.  Njëanshmëria shfaqet në dy aspekte kryesorë:  si përsa u takon antologjive muzikore, ashtu edhe përsa u përket monografive shkencore.  Në këtë rast, nuk mund të flitet kurrsesi për një qëndrim zyrtar të njëanshëm:  mendoj se, faktorë të tjerë, objektivë e subjektivë, kanë sjellë këtë disproporcion.  Sidoqoftë, është e udhës që, në të ardhmen, etnomuzikologjia shqiptare të vendosë një raport më të drejtë edhe brenda muzikës tradicionale fshatare:  midis hulumtimit të dialekteve muzikorë kryesorë përfaqësues të saj.

                                                                                                                                    Historizmi vulgar

Një prirje e studimeve folkloristike dhe etnomuzikologjike shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, është ajo që unë do ta quaja historizëm vulgar.  Sipas kësaj prirjeve, studiuesit përpiqeshin që të nxirrnin në pah, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, përparësinë kohore të dukurive e shfaqjeve të ndryshme etnokulturore.  Prandaj, në fushën e studimit të muzikës tradicionale, pyetja që shtrohej vazhdimisht ishte:  “Cila dukuri muzikore ka lindur historikisht më parë?”  Një pyetje e tillë formulohej pak a shumë si më poshtë:

Cili sistem modal/tonal (pentatonika, diatonika, kromatika, enharmonika) ka lindur historikisht më parë?

Cila teksturë muzikore (monofoni, heterofoni, homofoni, polifoni) ka lindur historikisht më parë?

Cila teknikë muzikore (thirrje dhe përgjigje, rrjeshtuese, pjestuese, imituese, kontrastuese, dyfishuese, etj.) ka lindur historikisht më parë?

Cili zhanër muzikor (nina-nana ose ninulla, vajtimi ose gjama, kënga, vallja, etj.) ka lindur historikisht më parë?

Cili dialekt muzikor (dialekti muzikor geg, dialekti muzikor tosk, dialekti muzikor lab, dialekti muzikor qytetar) ka lindur historikisht më parë?

Cili nën-dialekt muzikor (nën-dialekti muzikor tosk, nën-dialekti muzikor myzeqar, nën-dialekti muzikor çam) ka lindur historikisht më parë?

Cili grupim muzikor qytetar (grupimi muzikor qytetar monofonik, grupimi muzikor qytetar polifonik) ka lindur historikisht më parë?

Cili stil muzikor i dialektit geg (stili muzikor i Malësisë së Madhe, i Malësisë së Vogël, i Mirditës, i Matit, etj.) ka lindur historikisht më parë?

Cili stil muzikor i dialektit tosk (stili muzikor i Skraparit, i Kolonjës, i Devollit, i Gorës, etj.) ka lindur historikisht më parë?

Cili stil muzikor i dialektit lab (stili muzikor i Kurveleshit, i Lopësit, i Lunxherisë, i Zagorisë, etj.) ka lindur historikisht më parë?

Cili stil muzikor i dialektit qytetar (stili muzikor i qytetit të Shkodrës, i qyteteve të Shqipërisë së Mesme dhe të Kosovës, i qytetit të Beratit, i qytetit të Përmetit, i qytetit të Vlorës, etj.) ka lindur historikisht më parë?

Cili grupim strukturoro-formal (muzika fshatare apo muzika qytetare, muzika zanore apo muzika instrumentore, muzika një-zërëshe apo muzika shumë-zërëshe, muzika e kënduar apo muzika e kërcyer, etj.) ka lindur historikisht më parë?

Mendoj se, shtrimi i çështjes në këtë mënyrë–“Cila dukuri muzikore ka lindur historikisht më parë?”–nuk është as i rëndësishëm dhe as i nevojshëm që të bëhet, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast.  Më e rëndësishme mbetet zbulimi i tipareve më themelorë dallues lëndoro-strukturorë të të gjithë elementeve përbërës të muzikës tradicionale shqiptare;  studimi i veçorive dhe anëve të përbashkëta të këtyre elementeve;  nxjerrja në pah e dialekteve, nën-dialekteve dhe stileve muzikorë më të kristalizuar;  vëzhgimi sidomos i mënyrës se si trupëzohet përfytyra etniko-kombëtare e muzikës tradicionale shqiptare, etj.

Historizmi vulgar, në teori, ose e absolutizon rëndësinë e aspektit historik të dukurive folkloristike e etnomuzikologjike, ose e kërkon aspektin historik të tyre, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, edhe atëherë kur vetë dukuri të caktuara folkloristike e etnomuzikologjike nuk mund të vëzhgohen historikisht.  Kurse, në praktikë, historizmi vulgar, ose e largon vëmendjen e studiuesit folklorist e etnomuzikolog nga çështjet më themelore që ai duhet të shtrojë për zgjidhje, ose nuk sjell asnjë lloj ndihmese shkencore.

Të udhëhequrit nga kritere letrare në hartimin e antologjive muzikore 

Duke mos njohur specifikën estetike të muzikës tradicionale, mënyrën se si ajo ekziston në vetë realitetin objektiv, disa herë, praktikisht, janë bërë gabime themelore estetike.  Sipas mendimit tim, është teorikisht e gabuar dhe praktikisht pa shumë dobi që lënda e muzikës tradicionale shqiptare të botohet, p.sh., në antologji të titulluara:  Këngë popullore historike, Këngë nga folklori i ri, etj., sikurse ka ndodhur herë-herë në të kaluarën.  Siç mund të kuptohet, përmbledhje të tilla janë konceptuar në mënyrë empirike, duke u udhëhequr thjesht nga kritere letrare në ndërtimin e tyre!  Në këto antologji, pra, vlera e lëndës muzikore i nënështrohet plotësisht vlerës së lëndës letrare, nëqoftëse nuk mohohet tërësisht.  Zgjedhja e krijimeve që janë përfshirë brenda tyre, në thelb, udhëhiqet nga vlera e poezive tradicionale, ose nga faktorë, si:  figura të shquara historike, ngjarje të rëndësishme historike, data të shënuara historike, etj.  Atëherë, me të drejtë mund të pyetet:  Kujt do t’i shërbejnë përmbledhje të tilla, të cilat mohojnë specifikën estetike të muzikës tradicionale në konceptimin e tyre?  Çfarë do të mësojnë studiuesit e muzikës prej tyre?  Sa do të mund të fitojnë etnomuzikologët ose muzikologët në përgjithësi nga antologji të kësaj natyre?  Përgjigjia është:  Pak!  Shumë pak!  Dramatikisht pak!

Nënvlerësimi i rolit të hartuesve të antologjive muzikore

Në botimet folkloristike e etnomuzikologjike shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, vërehet një përvojë e çuditshme, të cilën unë do t’a quaja fshehje, kufizim dhe deri-diku mohim të autorësisë së një libri.  Po t’u hedhim një vështrim të kujdesshëm antologjive etnokulturore– muzikore e koreografike–, që u botuan gjatë kësaj periudhe historike, do të shohim se emrat e hartuesve të palodhur etnomuzikologë, etnokoreologë e folkloristë jepen vetëm diku në pjesën e pasme të njërës prej faqeve hyrëse, por asnjëherë atje ku rregullisht duhet të jetë vendi i tyre:  në kapak të librave.  S’ka dyshim se, duke i dhënë emrat e hartuesve në këtë mënyrë (në pjesën e pasme të njërës prej faqeve të para të librave), sikur është mpakur e nënvleftësuar me dashje puna e përkushtuar shumë-vjeçare e transkriptuesve muzikorë, e redaktorëve letrarë, e autorëve të parathënieve e të hyrjeve, e autorëve të fjalorëve të ndryshëm brenda këtyre librave, etj.  Duhet t’a pranoj hapur se, një praktikë e tillë, nuk i ka nxitur aspak etnomuzikologët, etnokoreologët e folkloritstët për t’u përfshirë në hartime antologjish.  Unë nuk mendoj në asnjë mënyrë se transkriptuesit e muzikës, të vallëzimit dhe të poezisë e prozës tradicionale janë autorët e kësaj lënde etnokulturore:  dihet se autor i tyre është populli që i krijoi në shekuj.  Sidoqoftë, është parimisht e dëmshme që emrat e hartuesve të pëmbledhjeve aq të çmuara të fshihen, të mpaken dhe deri-diku të mohohen.

Dihet se antologjitë etnokulturore–muzikore, koreografike, letrare–janë një hap i domosdoshëm i hulumtimit të kulturës tradicionale të një kombi, populli ose grupi etnik:  ato hapin rrugën për studime në fushën e muzikës, të vallëzimit dhe të poezisë tradicionale.  Lejomëni të kujtoj, me këtë rast një numër antologjish të mirënjohura në historinë e folkloristikës dhe etnomuzikologjisë shqiptare, si:  Bleta shqiptare (Mitko 1878);  Valët e detit (Dine 1908);  përmbledhjen poetike në shumë vëllime të titulluar Visaret e kombit (Ministria e Arsimit 1937-44);  antologjinë muzikore Lyra [sic] shqiptare:  Canti Popolari Albanesi (Dungu 1940);  antologjinë muzikore Valle kombëtare:  Cori Nazionali Albanesi (Kujxhia 1943);  përmbledhjen poetike Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar:  1635-1925 (Sako, Haxhihasani, Harito 1961-2);  një numër veprash të rëndësishme në fushën e folklorit e të etnografisë brenda serisë Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar, si:  Epika legjendare, Epika historike, Fjalë të urta të popullit shqiptar, Këngë të Luftës Nacional-çlirimtare dhe të Ndërtimit Socialist, etj.  Pa libra të tillë, panorama e universit folklorik shqiptar do të shfaqej vërtet e varfër!

Mirëpo, emrat e hartuesve të këtyre antologjive dhe të sa e sa antologjive të tjera, duhet patjetër që t’i bëhen të njohura lexuesit në mënyrë të qartë e të plotë.  Lexuesi s’duhet të përpiqet shumë që të mësojë se kush është hartuesi i kësaj apo asaj antologjie.  Emrat e mbledhësve të hershëm të folklorit shqiptar, midis të cilëve më lejoni të përmend figura të shquara, si:  Thimi Mitko (1820-1890), Spiro Dine (1846?-1922), etj., njihen pikërisht ngase janë dhënë në kapak të librave që ata kanë hartuar.  Mbledhësi dhe folkloristi i shquar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit XX, Qemal Haxhihasani (1916-1992), nuk e pati këtë fat!  Përse?!  Përse vallë?!  Përse vallë të ndodhë kështu?!  Thjesht për shkak të mosnjohjes së karakterit të ndërlikuar të hartimit të antologjive etnokulturore?!  Apo mos ndoshta edhe për të treguar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, një lloj nënvlerësimi ndaj rolit të hartuesve të këtyre antologjive?!

Për vendin se ku duhet të jepen emrat e hartuesve të antologjive etnokulturore–muzikore, koreografike, letrare–ekziston një përvojë botërore, e cila s’ka asnjë arsye se përse të mohohet.  Duke qenë modestë e të hapur ndaj shkollave e përvojave të tjera, edhe në këtë aspekt, mund të mësohet, p.sh., nga përvoja botuese e institucioneve kërkimoro-shkencore të vendeve të Europës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Në këto vende, emrat e hartuesve të antologjive muzikore e letrare, emrat e hartuesve të fjalorëve të ndryshëm, hartuesit e enciklopedive, hartuesit e manualëve, hartuesit e vjetarëve, hartuesit e almanakëve, hartuesit e atllasëve gjeografikë, hartuesit e librave të vegjël e të mëdhenj informativë me vlerë themelore për publikun e gjerë dhe atë shkencor, etj., që të gjithë pa përjashtim, si rregull, jepen në kapak të librave.  Madje, shpesh, edhe emri i autorit të një parathënieje fare të shkurtër (brenda një libri të shkruar nga një autor tjetër) vendoset, po ashtu, në kapak të librit!  Një veprim i tillë s’është vetëm se vlerësim i punës studimore e krijuese të autorëve të ndryshëm, respektim i personalitetit të tyre, shprehje e së vërtetës mbi autorësinë.  Askush nuk duhet të ketë të drejtë që të mohojë këtë autorësi!  Askush!  Askush!  As një perandori biblike!

Fshehja, kufizimi dhe deri-diku mohimi i autorësisë së antologjive etnokulturore– muzikore, koreografike, letrare–, dukuri vetëm e gjysmës së dytë të shekullit XX, është, në thelb, fshirje e personalitetit të individit krijues.  Sipas mendimit tim, këtë lloj fshirjeje e bënte Partia Komuniste e Shqipërisë:  në forma të ndryshme, vetëm se gjithmonë të studiuara mirë, ajo, ose e kufizonte afirmimin e individit krijues, ose e mohonte krejtësisht atë!  Një përvojë e tillë vështirë se gjendet në ndonjë shtet tjetër të Europës.  Më shpesh, ajo mund të haset në kontinentin aziatik, pikërisht në Kinë, ku, sipas orientimit të Partisë Komuniste të Kinës, emrat e krijuesve dhe studiuesve, gjithashtu, mohohen.  Emrat e hartuesve të antologjive etnokulturore– muzikore, koreografike, letrare–, në vend që të fshihen, duhet që të jepen në plan të parë;  në vend që të mbulohen, duhet që të zbulohen;  në vend që të mohohen, duhet që të afirmohen!  Le të shpresojmë, pra, se në të ardhmen emrat e tyre nuk do të jepen më në pjesën e pasme të njërës prej faqeve hyrëse të antologjive, por ashtu siç e meritojnë:  në kapak të këtyre antologjive.

Metodologji e gabuar 

Ndonëse në mënyrë dramatikisht të paargumentuar, në etnomuzikologjinë shqiptare, herë-herë, mjerisht, është lënë të nënkuptohet se, metoda e studimit të muzikës tradicionale, duhet të jetë tërësisht e ndryshme në krahasim me metodën e studimit të muzikës profesioniste (!).  Eshtë e qartë se mendime të tilla e absolutizojnë specifikën e muzikës tradicionale deri në atë shkallë saqë nuk shihen ose mohohen tërësisht pikat e vërteta të takimit midis saj dhe muzikës profesioniste në tërësi.  Karakteri i njëanshëm, parimisht i gabuar dhe praktikisht i dëmshëm, i këtyre mendimeve nuk është vështirë që të nxirret në pah.

Së pari, le të përpiqemi që të jemi objektivë së paku për një çast të vetëm:

A nuk ekziston në mënyrë katërcipërisht të qartë mjeti shprehës i melodikës në tërë muzikën tradicionale botërore, thuajse njësoj sikurse në tërë muzikën profesioniste botërore?!  (Për këtë mund të bindemi fare lehtë, p.sh., nëse ndjekim me kujdes muzikën tradicionale gege shqiptare, ose muzikën tradicionale qytetare shqiptare, brenda të cilave melodika sikur skalitet më shumë në saje të shoqërimit instrumentor.)

A nuk ekziston në mënyrë katërcipërisht të qartë kontrapunkti i trupëzuar përmes imitacionit të gjithanshëm melodiko-modal në muzikën tradicionale toske shqiptare?!

A nuk ekziston në mënyrë katërcipërisht të qartë kontrapunkti i mishëruar me anë të kontrastit të shumanshëm melodiko-modal në muzikën tradicionale labe shqiptare?!

A nuk ekziston në mënyrë katërcipërisht të qartë një harmoni herë dy-zërëshe e herë tri-zërëshe brenda muzikës tradicionale polifonike toske?!

A nuk ekziston në mënyrë katërcipërisht të qartë një harmoni herë dy-zërëshe, herë tri-zërëshe e herë katër-zërëshe brenda muzikës tradicionale polifonike labe?!

A nuk ekziston mjeti shprehës i metrikës/ritmikës në tërë muzikën tradicionale botërore, thuajse njësoj sikurse në tërë muzikën profesioniste botërore?!  (Për këtë mund të bindemi fare lehtë, p.sh., nëse ndjekim me kujdes muzikën tradicionale gege shqiptare, ose muzikën tradicionale qytetare shqiptare, brenda të cilave metrika/ritmika sikur qartësohet më shumë në saje të shoqërimit instrumentor.)

Nëse mjetet shprehëse–melodika, kontrapunkti, harmonia, metrika/ritmika, dinamika, agogjika, organika (timbër, instrumente muzikore, orkestrim muzikor), etj.–, ekzistojnë vërtet në tërë muzikën tradicionale botërore (pra, edhe në muzikën tradicionale shqiptare si pjesë e saj), thuajse njësoj sikurse në tërë muzikën profesioniste botërore, atëherë është vërtet absurde se përse metodat e studimit të tyre duhet që të jenë absolutisht të ndryshme.  Ky do të ishte një gabim themelor teorik me pasoja të dëmshme themelore praktike.

Së dyti, le të përpiqemi që të jemi objektivë për një çast tjetër:

A nuk ekzistojnë në muzikën tradicionale botërore të njëjtat teknika muzikore, thuajse njësoj sikurse në tërë muzikën profesioniste botërore?!  Teknika e ashtuquajtur thirrje dhe përgjigje, teknika e ashtuquajtur rrjeshtuese, teknika e ashtuquajtur pjestuese, teknika e ashtuquajtur imituese, teknika e ashtuquajtur kontrastuese, teknika e ashtuquajtur dyfishuese, për të përmendur vetëm disa prej tyre, përdoren në mënyrë pak a shumë të barabartë, si brenda muzikës tradicionale botërore, ashtu edhe asaj profesioniste botërore.

Së treti, duhet mbajtur parasysh se studimi i muzikës tradicionale mund të bëhet në rrugë të ndryshme:  në historinë e etnomuzikologjisë, s’është aspak e rastit që studiues të ndryshëm e kanë vështruar të njëjtën materie muzikore nga këndvështrime të ndryshme.  Eshtë e vështirë, në mos e pamundur, që të kategorizohen të tëra mënyrat e studimit të muzikës tradicionale:  ato mund të jenë, dhe, në të vërtetë, janë mjaft të larmishme.  Sidoqoftë, të gjitha mënyrat e studimit të muzikës tradicionale kanë një pikë-nyje të përbashkët:  vënien në epiqendër të vëzhgimit shkencor të aspekteve më të ndryshëm të saj.  Pikërisht ky është kriteri kryesor për të pasur studime etnomuzikologjike.  Shumanshmëria e rrugëve të studimit të muzikës tradicionale do të pranohej, pa asnjë mëdyshje, në çdo rast që ajo i shërben studimit të një aspekti të caktuar muzikor, por që, gjithashtu, nuk bëhet as qëllim në vetvete.

Së katërti, duke pranuar larminë e rrugëve të studimit të muzikës tradicionale, duhet të dallojmë, ndërkohë, çështjet më të rëndësishme nga ato më pak të rëndësishme ose pa vlerë të veçantë studimi.  Vijmë kështu tek një çështje me rëndësi parimore:  objekti i etnomuzikologjisë.  Duke u mbështetur në përvojën e derisotme të etnomuzikologjisë botërore, është jashtë çdo lloj dyshimi se, detyra më e parë e studiuesit etnomuzikolog, mbetet dhënia, nxjerrja në pah, zbulimi i tipareve më themelore dalluese të muzikës së një kombi, populli, grupi etnik, krahine, zone, qyteti, fshati, grupi këngëtarësh ose instrumentistësh, një këngëtari ose instrumentisti të vetëm, një rapsodi, një valltari, etj.  Po ashtu, të gjithë studiuesit etnomuzikologë bashkohen në mendimin se hulumtimi i muzikës tradicionale duhet bërë ngaherë brenda kulturave përkatëse, pra, si pjesë e mënyrës së jetesës së një kombi, populli, grupi të caktuar etnik.

Së pesti, duke njohur si detyrë kryesore të etnomuzikologjisë studimin e aspekteve muzikorë brenda kulturave përkatëse të kombeve, popujve e grupeve të caktuar etnikë, s’duhet mohuar ose nënvlerësuar sadopak as rëndësia që paraqet studimi i aspekteve kulturorë jashtë-muzikorë:  historikë, etnografikë, shoqërorë, letrarë, poetikë, etj.  Në një mënyrë ose  tjetër, aspekte të tillë ndikojnë për të përftuar një panoramë sa më të plotë mbi qerthullin historiko-etnografik dhe socialo-estetik brenda të cilit ekziston vetë muzika tradicionale.  Mirëpo është parimisht e gabuar që studimi i aspekteve jashtë-muzikore të kalojë në plan të parë, duke mos nxjerrë në dritë kështu atë që pritet më shumë nga studiuesi etnomuzikolog:  “anatomia” lëndoro-substanciale e muzikës tradicionale;  sistemi modal/tonal i saj;  veçoritë e mjeteve shprehëse;  tiparet e dialekteve muzikorë, nën-dialekteve muzikorë, stileve muzikorë më përfaqësues;  bashkëveprimi i trefishtë:  brenda vetë muzikës tradicionale të krahinave të ndryshme, midis muzikës tradicionale dhe asaj profesioniste, midis muzikës tradicionale të një kombi, populli, grupi të caktuar etnik dhe asaj të një kombi, populli, grupi tjetër etnik;  evolucioni historik i muzikës tradicionale, etj.

Së gjashti, duke u lidhur me disiplina të tjera, etnomuzikologjia sërish e ruan pavarësinë e saj si disiplinë e mëvetësishme.  Rrjedhimisht, edhe etnomuzikologu, duke u marrë me çështje jashtë-muzikore, sërish duhet që të përqëndrohet në objektin kryesor të veprimtarisë së tij, që është muzika tradicionale, aq i ngushtë dhe aq i gjerë sa është ky koncept.  Duke u shprehur kështu, në asnjë mënyrë nuk dua të nënvlerësoj sadopak parapëlqimet individuale të studiuesve.  Një etnomuzikolog, p.sh., mund të parapëlqente që të rrihte më tepër aspekte jashtë-muzikorë, siç do të ishin, ndër të tjerë:  pasqyrimi i instrumenteve muzikorë tradicionalë në poezinë dhe letërsinë tradicionale shqiptare, pasqyrimi i instrumenteve muzikorë tradicionalë në poezinë dhe letërsinë profesioniste shqiptare, teknologjia e prodhimit të instrumenteve muzikorë tradicionalë, etj.  Askush nuk mund të mohojë se aspekte të tillë mund të bëheshin, gjithashtu, objekt hulumtimi.  Vetëm se atëherë çështja do të shtrohej nëse kemi të bëjmë me një studim etnomuzikologjik apo me një studim të një natyre tjetër.  Ose:  nëse kemi të bëjmë vërtet me një objekt shkencor apo me një objekt të një natyre tjetër.

Së shtati, thelbi i etnomuzikologjisë si fushë diturore tashmë është kristalizuar nga bashkësia ndërkombëtare e studiuesve.  Eshtë detyrë e etnomuzikologëve, muzikologëve, kompozitorëve, muzicienëve, tërë njerëzve të interesuar sadopak për mbarëvajtjen e gjendjes së studimeve etnomuzikologjike në vende të ndryshme që t’a njohin, respektojnë, afirmojnë vazhdimisht atë gjatë veprimtarisë së tyre studimore.  Mos-njohja, mos-respektimi, mos-afirmimi i thelbit të etnomuzikologjisë në studime që synojnë të ndërsuazohen brenda qerthullit të kësaj disipline nuk sjell dhe s’mund të sjellë ndonjë lloj ndihmese shkencore.

            Së teti, mendimi sipas të cilit metoda e studimit të muzikës tradicionale duhet të jetë tërësisht e ndryshme në krahasim me metodën e studimit të muzikës profesioniste, siç duket, gabimisht, ngatërron dy elementë të natyrave të ndryshme njëri me tjetrin:  elementin subjektiv me atë objektiv.  Arsimimi, aftësitë profesionale, parapëlqimet e studiuesve të ndryshëm (faktorët subjektivë) janë diçka tjetër dhe objekti i etnomuzikologjisë (faktori objektiv) është diçka tjetër:  ata nuk harmonizohen vetvetiu midis tyre.  Duke qenë subjektivë, të parët mund të ndryshojnë, dhe, në të vërtetë, ndryshojnë nga njëri studiues tek tjetri.  Ndërkohë, objekti i etnomuzikologjisë mbetet gjithmonë relativisht i njëjtë, i pandryshueshëm, objektiv.  Përpjekjet shumë-vjeçare të studiuesve synojnë pikërisht një afrim ngaherë e më të madh midis këtyre elementeve.  Një proces i tillë është i gjatë, i ndërlikuar, i dhimbshëm, herë i suksesshëm dhe herë i pasuksesshëm.  Eshtë e kuptueshme se, sa më mirë që të harmonizohen faktorët subjektivë e objektivë midis tyre, aq më të dobishme do të jenë edhe studimet etnomouzikologjike.

Së nënti, pranimi ose mos-pranimi i afrisë objektive që ekziston midis metodës së studimit të muzikës tradicionale dhe metodës së studimit të muzikës profesioniste, dukuri që buron prej vetë afrisë së natyrshme estetike që ekziston midis muzikës tradicionale botërore dhe muzikës profesioniste botërore, është një çështje me rëndësi parimore.  Ajo shënon vijën e ndarjes midis njëanshmërisë dhe parimësisë, midis qëndrimeve subjektive dhe atyre objektive.  Duke qenë aq e rëndësishme, një çështje e tillë (pranimi ose mos-pranimi i afrisë që ekziston midis metodës së studimit të muzikës tradicionale dhe metodës së studimit të muzikës profesioniste) duhet mbrojtur pa asnjë lëshim.

***

Fushë diturore relativisht e re, etnomuzikologjia shqiptare është vërtet me fat:  ajo gëzon një objekt studimi, sa të kristalizuar në përmbajtjen e vet themelore, aq edhe të pasur nga shumë pikëpamje.  Ndërkohë, etnomuzikologjia shqiptare ka, sigurisht, një përgjegjësi të veçantë, e cila qëndron në të studiuarit e muzikës tradicionale në mënyrë sa më objektive, duke shmangur koncepte, dukuri, përvoja të njëanshme, teorike e metodologjike.

*Prof. Spiro J. Shetuni ka ardhur në Amerikë 25 vite më parë si fitues i bursës Fulbright.  Prej vitesh, punon si Professor në Universitetin Winthrop, Rock Hill, South Carolina.

Filed Under: Kulture Tagged With: ETNOMUZIKOLOGJIA SHQIPTARE, Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI

Mohimi i Kolosit

October 21, 2016 by dgreca

Konica – “Për shpiriten e Vatrës jam resposible unë”/

1-viti-konica

Dy Esse per Konkursin kushtuar Faik Konices/

anton-cefa

1- Mohimi i Kolosit/

NGA ANTON CEFA/

Nga fundi i viteve ’50 dhe fillimi i viteve ’60, kur fryma liberale e Hrushovit u duk se po fillonte të shkrijë ngricat e hapësirës së jetës shqiptare dhe të kulturës sonë, u ngarkuan profesorët Vehbi Bala dhe Jup Kastrati të përgatitnin nga një monografi, i pari për Fishtën dhe i dyti për Konicën, për t’i riabilituar dy kolosët e mëdhenj të kulturës dhe të veprimtarisë kombëtare. (Duhet thënë se për regjimin diktatorial komunist mohimi deri në vdekje dhe riabilitimi deri në apoteozë i personaliteteve të ndryshme, sipar erërave të interesit politik, nuk përbënin ndonjë pengesë a vështirësi).

Në këtë rast, Dh. S. Shuteriqi – atëherë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, si dhe një ndër ideusit kryesorë të historiogarfisë sonë letrare – qe shprehur në mënyrë konfidenciale, ndoshta për të arsyetuar qëndrimet e tij: “Ne i nxjerrim nga dera, ata na futen nga dritarja” (Ishte fjala për Fishtën dhe Konicën). Dhhe megjithëse, këto ishin “fjalë veshi”, ato morën dhenë. Ishte etja për kulturën e vërtetë kombëtare, dëshira e madhe për njëfarë lirie si dhe shpresa se diç e mirë po ndodhte, që i përhapte ato.

Mirëpo menjëherë, me përcaktimin kategorik të Diktatorit që u deklarua haptas kundër “revizionizmit hrushovian”, në Mbledhjen e Përfaqësuesve të 81 Partive Komuniste që u mbajt në Moskë në nëntor të vitit 1960, as që mund të bisedohej më për riabilitimin e dy kolosëve dhe aq më pak për botimin e monografive për jetën dhe veprën e tyre., që ishin plotësisht gati dhe, me sa dimë, ishin dorëzuar për botim.

Si në çdo diktaturë, dhe diktaturat më të egra janë ato të kuqet, në Shqipëri, në çdo fushë e për çdo gjë, ka vepruar dikatati. Kjo është një dëshmi më se e qartë që vërteton se ndalesa e botimit të monografive për Fishtën e Konicën u bë thjesht për arsye politike.

Aq është e vërtetë sa, po në këtë vit, u shndërrua në letër romani “Krim e ndeshkim” i Dostojevskit, që ishte përfunduar së shtypuri dhe priste të dilte në shitje (dhe këtë fat pati edhe ndonjë vepër tjetër), ndërsa një përmbledhje poezish e poetit të madh rus Sergej Esenin, që qe botuar në atë periudhë, u fut menjëherëq në indeksin e librave të ndaluar të bibliotekave dhe u zhduk nga raftet e librarive.

Sigurisht, kishte përfaqësues të kulturës dhe të institucioneve kulturore që qenë fanatizuar mbas poltikës “largpamëse” të Partisë, ose të tillë puthadorë që ishin gjithnjë të gatshëm të plotësonin me një ëndje shtinjake çdo fjalë e porosi “të dhënë nga lart”; por kishte padyshim, bile edhe më shumë, edhe të tillë që nuk u vinte mirë për këto gjëra që po ndodhnin, por që nuk mund të bëzanin, sepse pipëtimma më e vogël donte të thonte “t’i biesh murit me kokë”. d. m. th. burgim e më pas internim, internim i familjes, vënie në shënjestër të “luftës së klasave” e farefisit, shokëve, etj.

Natyrisht, nuk mund të mohohen edhe qëllimet dashakeqe, impulset e gjelozisë dhe prirjet ambicioze e dukuri të tjera negative të psikologjisë individuale të shkrimtarëve e studiuesve të letërsisë, të cilat shpiegojnë zellin e tyre për të anatemuar zi e më zi të aftët.

Kritika letrare zyrtare nuk arriti deri në atë shkallë sa të mohojë talentin letrar, kritik e publicistik të Konicës, siç ndodhi në ndonjë rast me Fishtën, të cilit iu mohua edhe talenti.

Në tekstin e fundit zyrtar të historisë së letërsisë shqipe, që vinte deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, Botim i Akademisë së Shkencave, Institutit të gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, 1983), qenë “përjashtuar” nga letërsia shqipe Fishta, Konica, Mithat Frashëri, Koliqi, At V. Prendushi, Dom Lazer Shantoja, At Donat Kurti, At Bernardin Palaj, Dom Ndre Zadeja, Arshi Pipa, Martin Camaj etj. Këta përmenden aty këtu vetëm sa për t’u hedhur baltë e për t’u diskredituar me çdo kusht. Konica në këtë tekst rreshtohet në të ashtuquajturen “rrymë reaksionare” të letërsisë sonë, ku përmenden si kryesorë edhe Fishta e Sqiroi (f. 112).

Lidhur me vepra të tilla si “Shqipëria si m’u duk”, “Dr. Gjëlpëra . . . “, etj., është thënë se “shpesh e paraqiti në mënyrë të tillë të errët pamjen e vendit, sa ushqeu mosbesim në një të ardhme të përparuar dhe, përgjithësisht, në forcat popullore përparimtare”. (Po aty, f. 471).

Errësohet fakti se veprat madhore letrare Konica i shkroi në vitet ’20 e mbas, kur pati përfunduar nevoja e “mitizimit” të vlerave etnopsikologjike të popullit tonë, e cila qe përcaktuese në periudhën e Rilindjes; në atë periudhë kur rilindësit punonin për të zgjuar vetëdijen kombëtare. Mbas formimit të shtetit shqiptar, në plan të parë dilte formimi i qytetarit, bile i qytetarit demokrat dhe prandaj Konica dhe shkrimtarë të tjerë u përpoqën të nxirrnin në pah të metat e tij, për t’i ndrequr.

Ndërsa në hullitë e veprimtarisë atdhetare, Faiku etiketohet si “politikan i paskrupull”; për “Albaninë” thuhet që u vu në shërbim të poltikës austro-hungareze ndaj Shqipërisë.

Në fushën e kritikës letrare, Konica akuzohet se mbrojti pikëpamjet regresive, sipas të cilave “kritika nuk është shkencë”, se “kritika është subjektive”, etj. Natyrisht, Konica, ndër të tjera, pohonte që “kritika letrare nuk është një shkencë, ku çdo e thënë mund të pohohet me dy e dy bëjnë katër”. E thënë qartë, me saktësi dhe bile në formë matematike! A mund të hidhet poshtë një gjë e tillë? Mandej, a mund t’i hiqet subjektiviteti gjykimit të një vepre letrare? Sigurisht që estetika e kritika letrare e Konicës nuk kishte si të mbështetej e të përfitonte nga metoda “shkencore” e realizmit socialist dhe sidomos nga mendimi teorik i P. P. SH.-së dhe shokut Enver Hoxha!

Kritika letrare zyrtare e ka paditur Konicën edhe sepse “u prir më shumë nga rrymat estetizante e impresioniste të kritikës borgjeze të fundit të shek. XIX” (Idem, ibidem f. 127). Për kritikën letrare të realizmit socialist, rrymat estetizante e impresioniste dhe çdo rrymë tjetër e filozofisë, estetikës dhe kritikës letrare “borgjeze” ishin një sakrilegj, para së gjithash politik. I mbështetur në dijenitë e tij të gjera rreth kulturës dhe letërsisë botërore dhe falë talentit të tij, Konica nuk qe thjesht nismëtar në këtë fushë; ai i vuri themele kritikës sonë letrare. Ndonjë rrëshqitje e shkaktuar sa nga shkaqe letrare aq edhe nga shkaqe jashtëletrare, siç ishte rasti i Naimit, i trajtuar drejt nga Sabri Hamiti në veprën “Faik Konica: jam unë” si një temë-obsesion për Konicën, dhe në të cilën u shfaqën “hujet dhe huqet” e tij, nuk qe dhe nuk u paraqit ndonjëherë si shkaku kryesor pët ta “përjashtuar” atë nga letërsia shqipe.

Veç kësaj, Konica nuk u përjashtua vetëm nga letërsia, ai u “përjashtua” nga e gjithë veprimtaria e tij atdhetare dhe mbi personalitetin e tij u hodh për afër 50 vjet një baltë e neveritshme.

2- Konica – “Për shpiriten e Vatrës jam resposible unë”

“Për shpiriten e Vatrës jam resposible unë” – një dëshmi e gjallë e një ndergjegjeje, që pohon, zotohet e merr përsipër pasojat deri në fund e pa asnjë kusht.

Është kjo responsible, me të cilën shpirtësove tek mërgimtarët shqiptarë shpirtin e bashkimit në emër të një ideali, idealit të shenjtë kombëtar. Tingëllon si një kushtrim kundër përçarjes: “Të realizojmë shpiriten e bashkimit që të mos humbasim!”

Është kjo responsible, me të cilën shpirtësove tek shqiptarët idealin e qytetërimit, në emër të përparimit. “Të përhapim mes shqiptarëve të Amerikës stërvitjen dhe doktrinat morale!”

Është kjo responsible, me të cilën shpirtësove tek shqiptarët shpirtin e demokracisë në emër të së ardhmes.Është kjo dëshmia që shkëlqen me virtytin e moralit, moralit të veprimit, veprimit të detyrës,detyrës së ngadhnjimit.

Është kjo resposible, që të bënte luftëtarin më të zjarrtë të evropianizimit të shpirtit shqiptar, që tingllon aq aktual në dtët tona; por që politikanët tonë ia kanë mbyllur dyert.

Fjalët tua, mësimet tua, kanë qenë dhe mbeten profetike. Ja një nga profecitë: Shqipëria “U-ngjall nga idealistët, U-ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët.” A nuk po e vrasin sot politikanët kuqalosha!

Vatra e shpalli këtë vit, Vitin Tand. Do të jesh gjatë këtij viti i pranishëm në mendjet e në zemrat e gjithë shqiptarëve të vërtetë, atyre shqiptarëve që e duan Shqipërin siç e ke dashur Ti.

Do të dritësohemi duke kujtuar fjalët tua, do të ngrohemi në flakët e zjarrit të dashurisë suaj për Atdheun, do të përpiqemi të ecim në gjurmët e tua.

Dhe së fundi, është kjo responsible që ne e lëmë në hije, që na mungon, a më tej që na e mohojmë, a edhe më përtej e qestisim, e kundërshtojmë dhe e luftojmë.

*   *   *

Përkrah Nolit, me bashkëluftëtarë të përkushtuar si Kristo Floqi, Kristo Kirka, Paskal Aleksi, Llambi Chikozi, Elia Tromara, Kosta Vasil, bashkove shoqatat e fshatrave dhe themelove Vatrën, këtë Kështjellë Kombëtare, Vatrën e dritës dhe të ngrohtësisë, dritës sëshpirtit, ngrohtësisë së zemrës; Vatrën që edhe sot e kësaj dite edhe pse e plakur në moshë, është më e re se kurrë.

Në nyjën e parë të Kanunores së Vatrës, shënove si detyrë të parë të sajën: “Të ritë në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës, dhe me  anë të tyre në mes të Shqipëtarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës  në mes të tyre edhe të dashurisë për kombësin’ e tyre . . .”

Në farkën e Vatrës u kalitën vargane pas varganesh luftëtarë të rinj si Kosta Kotta, Naum Cere, G.Konda Gjoleka, Efthim Natsi, Ilo Zografi, Vani Çekani, Thoma Nassi, etj., brezni pas breznie, deri në ditët tona.

Vëllezër, të mos i harrojmë këto emra, por t’i kujtojmë e t’i mbajmë në shpirt se na ndriçojnë, t’i ruajmë në zemër se na ngrohin. Këto emra janë të madhërishëm, t’u përulemi; janë të shkëlqyeshëm, të ndriçohemi, janë të përjetshëm, t’i ndjekim !

 

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Anton Cefa, Konkursi-Konica, Mohimi i Kolosit

GJIGANTI AT GJERGJ FISHTA DHE LILIPUTËT QE SULEN KUNDËR TIJ!

October 21, 2016 by dgreca

1 fishta ok

Nga Islam Spahiu/Ish i dënuar politik/

PREMISË – Duke shfletuar shtypin e ditës, hasa disa artikuj ku trajtohej figura e At Gjergj Fishtës. Këtë nismë e paskan marrë ca enveristë të njohur – sidomos njëri syresh – duke hapur kështu një debat, të thuash publik. Duke e ndjerë veten te pa-parapërgatitur (për arsye subjektive) nuk desha t’i hyj kësaj “valleje”. Mirëpo, tek shihja portretin e Poetit tonë kombëtar, të paraqitur në gazeta si objekt sulmi, m’u ngacmuan kujtimet e fëmijërisë për të cilat Dostojevski ka thënë që, mjafton një nga ato, kur është i shenjtë, e vlen më shumë se edukata e një jete të tërë. Kështu është vërtet, veç para se të parashtroj mendimin tim për këtë çështje, do të desha të tregoj ca prej tyre. Pata dëgjuar fjalimin që mbajti Enver Hoxha nga ballkoni i bashkisë, para sheshit “Skënderbej”; ishte viti 1946, në “kulmin” e “miqësisë” së tij me Titon. Duke dashur të shfaqë gjoja “dashurinë” e popullit tonë për Jugosllavinë e Mareshalit Tito, e deklaroi me zë shumë të lartë: “Ndjenjat e Fishtës nuk janë ato të popullit shqiptar!” Isha në moshën 16 vjeçare, e thashë me vete: Si gënjen pa skrupul ky njeri. E kujtimi më ktheu disa vite mbrapa, kur vazhdoja shkollën fillore në fshatin e lindjes, me mësues tim-atë. Qe koha e mbretit Zog. Në atë shkollë këndoheshin këngë të poezive të Fishtës, e ne të vegjlit rrëqetheshim duke kënduar:

Edhe hana do ta dije,

edhe djelli do t’ket pá

se përqark ksaj rrokullie

si Shqypnija i’ vend nuk ka!

E po në atê kohë, nëpër darsmat e malësorëve këndoheshin këngë trimërie e kreshnike. Nuk isha më shumë se 8 vjeç. Në një rast të tillë hyra te dhoma e burrave e dëgjova dy rapsodë që po këndonin këngën e Oso Kukës. Ata si analfabetë që ishin, nuk e dinin që atë këngë e kish shkruar një frat shkodran. Por ashtu siç ishin, me qeleshet e mbështjellat me shami, e musteqet “vesh e m’vesh” dukeshin vetë legjendarë tue vikatë:

Ke bje dielli e ke merr hana

Oso Kukë nuk ban ma nana

As n’beglerë e as n’kapidana!

– Kur këndohej kënga, “dhoma e miqve” ishte mbushur plot me burra malësorë, të ulur këmbëkryq, të heshtur ndërsa pinin duhan. Atmosfera e dhomës e mbushur me tym të turbullt, të reflektuar nga kandilët apo zjarri i oxhakut, krijonte një fantazmagori: të gjithë tashmë ishin në ekstazë; një solemnitet dehës. Kur e kujtoj këtë skenë shpeshherë mendoj: sa i ulët apo i cekët duhet të jetë ai njeri që edhe sot mendon si Enver Hoxha dikur. E shumë vite më vonë, pasi mbarova Liceun Artistik, (ku për pak më përjashtuan nga shkolla), sepse si adoleshent me temperament sanguin nuk pata kujdes, por, i ekzaltuar, u recitoja shokëve poezitë e Fishtës, ato që sot e kësaj dite i di përmendësh. Pasi m’u anulua bursa për studime jashtë shtetit nisi kalvari: u internova e pastaj u arrestova dhe u dënova për akuzën “agjitacion dhe propagandë” që tashmë ish bërë e zakonshme nën diktaturë (ky nen nuk ka ekzistuar në asnjë vend tjetër të botës komuniste). Një ndër çështjet që ishin radhitur në proçesin gjyqësor, ishte admirimi im për At Gjergj Fishtën. Kur prokurori më pyeti: “Ç’ne ti në këtë moshë, ku ke rënë në kontakt me veprat e atij, për të cilin shoku Enver ka thënë ‘Rroi e vdiq si akademik i fashizmit’?”. E këtu po tregoj pa u mburrur si u përgjigja: “Së pari ai ka qenë anëtar i Akademisë Mbretërore të Italisë e jo i një partie. Unë e kam çmuar si nder këtë edhe për popullin shqiptar, kur kemi parasysh që Italia është një shtet europian. Edhe pas kapitullimit të fashizmit, pra edhe pas luftës, Akademia në fjalë ekziston dhe emri i At Fishtës qëndron aty. Pastaj, përsa i përket se si “rashë në kontakt me veprën e Fishtës” u përgjigja kështu: Kur unë vazhdoja shkollën fillore, ishte koha e regjimit të mbretit Zog I-rë, dhe Fishta në atë kohë ishte shpallur Poet Kombëtar. Në librat e këndimit ishin poezitë e Fishtës të cilat ishin muzikuar dhe ne i këndonim me emocion, si psh:

“Edhe flamuri i Shqypnisë

Si flak mnije e Perëndisë

Do t’valvitet m’Kaçanik

M’Kaçanik po do t’valvitet

Kuqezi flamuri i shqyptarve

Përse toka shqyp ku flitet

Ajo vetë asht, qi prej t’parvet

Trashigim na e kemi pasë:

Mbrend i huej, jo, ma s’do t’shklasë,

Posë atëherë, kur vjen për mik.”

Këto vargje nuk i citova në gjyq se nuk të linin po i kisha ndërmend kur iu përgjigja prokurorit se ç‘ish arsyeja që isha i prirur ndaj vargjeve fishtjane. E mbaj mend mirë përgjigjen që dhashë, fare sinqerisht: Ato poezi më kanë ushqyer atdhedashurinë bashkë me qumështin e nënës. Çuditërisht trupi gjykues heshti dhe nuk bëri asnjë vërejtje për këtë. Nuk e kapa menjëherë këtë, veç më vonë e kuptova se pohimin tim e vlerësuan nga ana teknike. Ishte pranimi i akuzës dhe nuk pengonte procesin.

Besoj rrëfimi i mësipërm mjafton si premisë. Më poshtë po mundohem të ballafaqohem me enveristët e ditëve tona. Nuk besoj ta kem të vështirë sepse kam aleat figurën e një titani; kundërshtarët janë shumë të vegjël.

Në gazetën DITA të datës 14 gusht 2016, lexova me shumë interes artikullin e Hasan Ulqinit me titullin Faiku që nuk njohim. Dhe më vonë, po në këtë gazetë lexova po mbi këtë temë, artikujt që m’u dukën akoma më interesantë, të Fitim Çaushit, e që janë: 1. Faik Konica miti i një matrapazi – 2. Faik Konica, luftë Luftës se Vlorës – 3. Faiku: Zuzarët nga Frashëri! – 4. Konica me Esadin kundër qeverisë së Vlorës – 5. Faiku spektakël lajkash me Zogun. – Pasi i lexova këto analiza mbi këtë personalitet prestigjioz të letrave shqipe, mbeta sa i impresionuar aq i habitur nga këto hollësira që nuk i dija. Nga ana tjetër, më erdhi mirë që u demaskua një figurë të cilën, për arsyet që dihen, lobi grek po përpiqet ta përdorë këto kohët e fundit për të errësuar imazhin e Nolit tonë të madh.

Para ca kohësh kur më ra në dorë libri voluminoz Fan Noli i Nasho Jorgaqit, m’u dha rasti t’i shtrëngoj dorën dhe ta përgëzoj sinqerisht autorin; por pak më vonë, çuditërisht po e shihja që ky në media po e lavdëronte me superlativë Faik Konicën, më parë mik pastaj kundërshtar i Nolit, do të thosha si Niçe me Vagnerin. Prapë m’u dha rasti dhe e pyeta Jorgaqin për këtë gjë. Ai më shpjegoi me këndvështrimin e tij. E quante Faikun gjeni (!!!). –Se si mund të jetë gjeni një që nuk ka asnjë vepër, këtë vetëm ai e di. – Sigurisht këtu kisha të bëja me një  zhgënjim nga ana e ime, dhe m’u kujtua epigrami i njohur i Nolit:

“Dhe Faiku faqe ndërron

Die shante sot lavdëron

Fryn bulçitë e trumbeton

Që katrani zbardhëllon”.

Epo, të tillë janë ata që ndërrojnë fytyrën. Por këtu na vjen rasti më i çuditshëm akoma: Fitim Çaushi paska nisur një fushatë tjetër fatkeqe: kësaj radhe e paska me gjigantin e letrave shqipe, Patër Gjergj Fishtën. Por edhe kjo mund të kishte një kuptim nëse nuk do të ishte absurdi që ky qenka mik i Jorgaqit me të cilin bie në kundërshtim përsa i përket Konicës. Atëherë: si është e mundur? Çdo gjë mund të jetë kjo përveç ndershmërisë. Këtu kemi të bëjmë me liliputë që i kundërvihen një gjiganti. Arsyet janë të shumta, na mjaftojnë këto që po parashtrojmë më poshtë:

Fitim Çaushi, sulmin kundër Fishtës e fillon ndaj një Gurakuqi të rremë për të cilin nuk dua të flas gjersa ky me deklaratat e tij rezulton të jetë një militant i PD, dhe çështjen në fjalë e banalizon me sloganet Edi Rama dhe Blloku i tij i aventurierëve kanabistë. U çudita kur mësova që ky zotëri na qenka profesor universiteti ndërsa jetoka me mentalitetin e një vulgari. Mjafton ky fakt, me të cilin do t’i jepja të drejtë Fitimit, por ai, duke e çuar më tej analizën, siç duket nuk bën më dallim nga Gurakuqët e rremë, me ata të vërtetët, por “rrëshqet përpjetë” duke i atribuar Luigj Gurakuqit historik, ide e veprime që nuk kanë qenë kurrë të natyrës së tij. Autori i artikullit në fjalë shkruan: “Po t’ishte gjallë Luigj Gurakuqi në vitin 1940, të parin që do të godiste, do t’ishte Gjergj Fishta, sikundër goditi Faik Konicën me shkop kokës në Vlorë, kur tentoi ta shkëpuste nga Ismail Qemali për ta lidhur me Esat Pashën”. Mirëpo, këtë lajthitje e hedh poshtë Gurakuqi i pavdekshëm me kushtimin monumental të veprës së tij «Vargënimi në gjuhë Shqype» :

Fort të ndritshmit Zot

AT GJERGJ FISHTA

Qi me vepra të larta e të shkëlqyeshme

I fitoi nderë e famë të pasosme

Zanave shqyptare

Në shej çmimit e bindjet

Ket punë të vogël

Auktori i përvûjtun

Kushton

Do të mjaftonte ky kushtim për të kuptuar se kush ishte Patër Gjergji dhe kush ishte miku i tij, “vigani liberator” siç e pat quajtur Noli, Luigj Gurakuqin. Por, jemi të shtrënguar t’i përgjigjemi fushatës propagandistike të komunistëve të sotëm që, çuditërisht, si asnjëherë tjetër kanë ndërmarrë këto kohët e fundit kundër vlerave më të mëdha të patriotizmit tonë kombëtar. Fitim Çaushi, çuditërisht e pranon që Gjergj Fishta njihej si kundërshtar i vendosur i Italisë, – por pastaj aty për aty rrëshqet: – por pas, 7 Prillit u mbulua me nder e shpërblime nga italianët, çka ndërroi qëndrimin dhe filloi bashkëpunimin me italianët. – Këtu kemi të bëjmë me një pohim të vërtetë në fillim i cili ndiqet me sajime e thashetheme nga më grotesket. Alergjia instinktive e një komunisti të indoktrinuar gjer në palcë, përpiqet me çdo kusht të eliminojë kundërshtarin në mënyrën më trashanike duke u bërë qesharak. Jo vetëm kaq, i verbuar nga urrejtja luan rolin e injorantit duke u bërë edhe cinik. I themi këto me këtë logjikë: Fishta pra, paska qenë i njohur si kundërshtar i Italisë; por këtu do të ndalemi dhe ta shqyrtojmë këtë dukuri. Kur themi për dikë apo për diçka që njihet, këtu nuk kemi të bëjmë me një thënie “kalimthi” apo me ndonjë individ të rëndomtë, por me një opinion publik, me një shoqëri të tërë. E këtu nuk ka kotësi. Ndërsa ajo që përcjell artikullshkruesi, pas 7 prillit 1939 kur qenka mbuluar me ndere e shpërblime nga italianët, e çka ndërroi qëndrimin e filloi bashkëpunimin me italianët, është pa asnjë bazë dhe vërtetohet lehtësisht e kundërta. Pas pushtimit (7 prill 1939) Fishta nuk është parë në publik. Por ka një fakt tjetër që e shemb përtokë kështjellën prej kartoni qe ngre komunisti enverist: në librin e shkrimtarit të njohur Injac Zamputi, “Fishta – koha, njeriu, vepra” lexojmë: “Akademik i Italisë (Fishta) duke qenë në konferencën që mbajti në kinemanë “Rozafa” për s’di se çfarë rasti përkujtimor – në fundin e jetës së tij, – e solli fjalën te paralelizmi i pushtimit fashist me pushtimin romak të lashtësisë. Dhe pati guximin të fliste për rezistencën që hasën romakët ndër fiset dhe mbretëritë ilire, deri tek kryengritja e kryesuar prej Batos. “Të gjitha këto – përfundoi ai – ndodhën sepse Ilirët e panë menjëherë se trupat romake po sillnin robërinë në vend të lirisë të cilën mburreshin se po ia sillnin botës bashkë me drejtësinë romake”. Aluzioni ishte i qartë. Nuk plasi skandali, por në fytyrat e të gjithëve lexohej habia e madhe për këtë guxim. Ç’rrjedhime do të kishte pasur nuk e dij, sepse në fund të atij viti Fishta vdiq.”

Atëherë, kështu e mbylli jetën ky njeri i madh dhe nuk u la kohë anatemuesve, “flirteve” ala-jorgaq, për të vazhduar lojën djallëzore. Mund të mohosh me fjalë edhe një realitet, por kur është fjala për pavdekësinë kushdo që i kundërvihet dështon. Jean Paul Sartre ka thënë “Ne jemi veprat tona”, e nëse është kështu, vepra universale e Fishtës nuk vdes për sa kohë flitet gjuha, bilbil i së cilës pat qenë ai vetë. Me atë vepër ai, si Horaci i lashtësisë, i ngriti monument vetes, një monument të atillë për të cilin poeti i madh latin pat shkruar: “Kam ngritur një përmendore më të qëndrueshme se tunxhi e më të lartë se piramidat e pamatura mbretërore; këtë përmendore, as shiu rrënues, as Akuiloni i tërbuar, as vargu i pambarim i vjetëve, as rryma e kohëve s’do të mund ta dërrmonin”. Kështu e ka dhe Fishta ynë i madh, të gjitha këto dukuri që përmend Horaci nuk kanë për ta rrëzuar monumentin e tij, e lëre më pastaj orvatjet e liliputëve, as mund t’i afrohen lartësisë së tij.

 

Tiranë, tetor 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: At Gjergj Fishta, DHE LILIPUTËT, GJIGANTI, Islam Spahiu

KOMUNITET- NE ARIZONA,NISIN PERGATITJET PER FESTEN E FLAMURIT

October 21, 2016 by dgreca

 

1-lulzim-mulliqiNGA LULZIM MULLIQI-SHBA/
Me rastin e festave tona kombetare,e vecanerisht te 28 nentorit,festes kombetare te te gjithe shqiptareve qe njihet ndryshe edhe si “Dita e Flamurit”,si cdo vit edhe kete here me aktivitete dhe manifestime te ndryshme kulturore do te kremtohet ne menyre dinjitoze nga ana e Komunitetit shqiptar te Arizones.Jehona e pergatitjeve te kesaj feste kombetare ka filluar te ndjehet kudo ne mesin e bashkeatdhetareve tane me banim ne shtetin e larget te Arizones.Kjo feste njera nga me te rendesishmet ne historine e popullit shqiptar eshte nje date e vecante,data kur u ngrit flamuri yne kombetar ne Vloren heroike,duke simbolizuar Pavaresine e shtetit shqiptar.Me aktin e shpalljes se Pavaresise se Shqiperise edhe kombi yne shqiptar beri nje rrugetimin te gjate per realizimin e aspairatave te lirise dhe Pavaresise se tij.Andaj kjo feste e rendesishme kombetare,duhet te jete nje feste qe do te kremtohet ne menyre madheshtore nga te gjithe shqiptaret e te gjitha trojeve tona etnike e posaqerisht ne mergaten tone shqiptare te Amerikes.Edhe kesaj radhe si ne vitin pararendes,komuniteti shqiptar i Arizones,ka paralajmeruar se do t’i organizoj dy koncerte festive me rastin e 104 vjetorit te Pavaresise se Shqiperise.Sipas organizatorit te Albo Party’s Arizona dhe instrumentistit te mirenjohur,Murat Rama,ne kete pervjetor te Pavaresise se Shqiperise per here te pare ne koncertin festiv ne Arizona do te performoj kengetari brilant i skenave tona muzikore dhe legjenda e muzikes shqiptare,Sabri Fejzullahu.Ky eveniment kombetar dhe kulturor do te mbahet me daten,24 nentor ne American Royal Palace ne adresen:1915W: Thunderbird Rd.ne Phoenix,Arizona,ndersa kengetari tjeter do te jete surprize deri ne diten e shfaqjes se koncertit festiv,theksuan organizatoret e ketij eventi.
Nderkaq sipas nje njoftimi te publikuar ne rrejtin social-fejsbuk,edhe Shoqata kulturore shqiptaro- amerikane ” Shqipe e Arizones” me rastin e festes se 28 nentorit,do te organizoj nje koncert festiv me kengetaret,Irma Libohova dhe Edmond Nikolla.Ky koncert do te organizohet poashtu me daten,24 nentor ne restorantin,Phoenix Airport Marriot ne adresen: 1101 N. 44 st.Phoenix,Arizona.
Hyrja per te rritur 60 dollare dhe per femijet 30 dollare,ne cmimin e biletes eshte e perfshire edhe darka thuhet nder te tjerash ne  rrejtin social te kesaj Shoqate.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Arizona, e Flamurit, Lulzim Mulliqi, NISIN PERGATITJET PER FESTEN

Biblioteka Kombëtare e Kosovës anëtarësohet në IFLA

October 21, 2016 by dgreca

-Federata Ndërkombëtare e Shoqatave dhe Institucioneve Bibliotekare (IFLA), wshtw themeluar në Edinburg në 30 shtator 1927, ka selinë në Hagë, Holandë. Është zëri global dhe më  prestigjioz i profesionit të bibliotekës/

1-biblioteka-kosove

PRISHTINË, 21 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” është  anëtarësuar në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave dhe Institucioneve Bibliotekare (IFLA).

Task-Forca e themeluar nga qeveria e Republikës së Kosovës për anëtarësim të Kosovës në Institucionet / Mekanizmat Ndërkombëtare të Kulturës në kuadër të punës së saj ka lobuar dhe asistuar në anëtarësimin.

“Anëtarësimi i Biblioteka Kombëtare e Kosovës në IFLA vlerësohet të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse përpos që është edhe një bashkëngjitje në rrjetin ndërkombëtar të institucioneve bibliotekare, ai mundëson përfaqësimin e institucionit kryesor bibliotekar të vendit në këtë mekanizëm ndërkombëtar, shkëmbimin dhe marrjen e përvojave të bibliotekave të shteteve tjera dhe shumë përfitime tjera”, deklaroi sot Ministria kosovare e Kulturës.Propozimi i kësaj ministrie për themelimin e Task-Forcës është miratuar nga qeveria e Kosovës në 1 qershor të këtij viti. Task-Forca për anëtarësim të Kosovës në Institucionet / Mekanizmat Ndërkombëtare të Kulturës përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – kryesues, Presidencës, Kryeministrisë, Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme,  Ministrisë të Punëve të Jashtme, Ministrisë së Integrimeve, ekspertë sipas nevojës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.IFLA, e themeluar në Edinburg në 30 shtator 1927, ka selinë në Hagë, Holandë, dhe njëherësh është organi kryesor ndërkombëtar që përfaqëson interesat e bibliotekave dhe shërbimeve të informatave ashtu sikurse të përdoruesve të tyre. Është zëri global dhe më prestigjioz i profesionit të bibliotekës.

Filed Under: Kulture Tagged With: anëtarësohet, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në IFLA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT