Archives for October 2016
Fishta: “Gja ma e lehtë nuk asht se me ia njitë vedit atdhetar e tjerët me i mbajtë se s’janë atdhetar”.
Një replikë me Prof. Nasho Jorgaqin/
Nga Kolec Cefa/
Per fat të mirë, dyert e replikës janë hapur, pakashumë, dhe ne mund të hyjmë nëpërmjet tyre në replika konstruktive, objektive, etike: pa indoktrinim m-l, pa mllefe latente, pa degraduar në vulgaritet, duke i dhënë hapësirë jetësore dokumenteve të shpëtuara e fakteve të jetuara e jo fjalëve pa baza, të hjedhura në erë, për të krijuar një atmosferë virulente, për të ftohur e shuar atë ngrohtësi të madhe zemre që nderonte prestigjin e poetit kombëtar.
Lexova me andje artikullin emotiv të Z. Frano Kullit, artikullin plot buon sens të Mustafa Nanos, si edhe artikullin me mbështetje historike të Romeo Gurakuqit. Mendova të shkruaj edhe unë disa fjalë të vërteta e jo pa vend, për të qartësuar figurën madhore të kombit tonë.
“Për fat të keq, shkruan Prof. Dr. Nasho Jorgaqi në artikullin e tij…, kleri katolik nuk u gjend me ato forca që u hodhën në luftë kundër pushtuesve fashistë. Përkundrazi, kleri katolik në një mënyrë a në një tjetër i hapi rrugën pushtimit italian, e mirëpriti ushtrinë agresore duke cilësuar legjionet e saj “Pëllumba të Krishtit”…”.
Fjalët e “mirëpriti”…,e “Fishta si prelat i lartë…nuk mundi t’i shpëtojë “tundimit”që i bëri fashizmi”… janë fjalë me nëntekst pejorativ, fjalë pa shije, pa vërtetësi, pa prudencë, fjalë të mbërthyera në pranga indoktrinimi. Një lajthitje: Shkruhet: “Fishta, prelat i lartë”, jo: Fishta nuk ka qenë prelat i lartë, por ka fituar autoritet të madh në saje të veprimtarisë së tij e dëgjohej me respekt. (më gjatë shif veprën time: “Nëpër gjurmët e Fishtës”).
Në fakt, në Shkodër edhe gjetkë dëshirohej e mirëpritej ndihmë italiane për rrëzimin e Zogut për të cilin kishin shumë dyshime, jo pushtimi italian. Kemi të drejtë të pyesim: Ku mbështetet autori që pohon një gënjeshtër? Pushtimi fashist u bëri shumë presione klerit katolik: fashistët ngulmonin të hiqej provinciali, Pader Ciperian Nikaj (më vonë i torturuar e i pushkatuar nga diktatura); të merren masa ndaj klerikëve antifashistë; kërkonin të zhvillohej lënda mësimore për fashizmin; ( u shënjua lënda në orar të mësimeve, u caktua profesori dhe dita, në fakt nuk u zhvillua asnjë orë mësimi, sipas bisedave gojore me gjuhëtarin P. Justin Rrota; ndersa Karl Gurakuqi shkruan: “Gjatë vjetëve 1939-1943 nuk asht vu si landë mësimi gjuha italiane” ); synonin të mbyllnin gjimnazin-lice Illyricum; të pezullonin revistën “Hylli i Dritës”, etj. Fashistët bënin çmos të trembnin françeskanët. Parini, përfaqësuesi i Musolinit, mbërriti me i thanë një ditë Pader Anton Harapit: “In somma, voi altri volete essere stato dentro lo stato”(Pra, ju doni të jeni shtet mbrenda shtetit”). Shkollës ia hoqën subvencionin. Po, mbi të gjitha mungonin mësuesit. Atëherë, Pader Donati, drejtori, shkoi te ministri i arsimit për të kërkuar mësues. Ministri iu përgjigj: “Ju e keni krye misionin tuej. Tash ka ardhë koha me vu nji rrasë perkujtimore në shkollën tuej e mos me e çue ma gjatë”. Ndërsa Mëkambësi Meloni përsëriti fjalën: “Hiqni Provincialin e të gjitha ndreqën”.
U lajmërua Fishta që gjëndej në Romë, i cili ngulmoi në Vatikan e çoi përgjigje: “Për së shpejti keni me i çilë shkollat… e mos ta lëshojmë”. (Këto të dhëna, edhe më gjatë, i kam pasë prej gojës së Pader Donatit, drejtorit të shkollës dhe, kur erdhi koha e u hapen kishat, i kerkova provincialit, Pader Kavolinit, dorëshkrimin, e kompiuterizova me Z. Klajdi Kapinovën e redaktova dhe P. Kavolini e botoi).
“Pader, e pata pyetë njëherë Justinin: Pse keni botue në revistën tuej materiale fashiste, si p.sh. Statuti i Partisë Fashiste”? Më pati përgjigjur: “Na çuen materialin, na nuk e botuem. Na thirren e na thënë se do t’ ju mbyllim revistën (na e pezulluan). Na u mblodhem dhe vendosem ta mbajmë revistën”. Kështu u botuan ato materiale!
U zgjata në presionet e fashistëve në fushën shkollore, por presione tjera kanë rënduar edhe në fusha tjera, si: në kuadrin klerikal, në anën financiare, në diskritimin e klerit, françeskanët i paditnin në Vatikan, se merren me politikë, etj.
Kuptohet këtu nuk është vendi të sqarohet ana financiare, por nuk mund ta besojmë në asnjë mënyrë, sa shkruan një historian, si konkluzion: “Kisha katolike, e kushtëzuar dhe nga nevojat e mëdha financiare, përkrahu si partner të mundshem shtetin fashist”…Kisha katolike ka qenë kontigjenti i parë i flijimit. Pra, të flasin dokumentat, jo na. Që kanë marrë pare klerikët kryesorë të katër feve në formë subsidesh, kjo dihet. Këtu duhet vërtetuar çfarë trathtiet kanë bërë klerikët si shpërblim të pareve të marrura. Në jetën e vet, kleri katolik në Shqipëri është gjetur shumë herë ngusht, por nuk ka ceduar, si shkruan Fishta: “frangar non flectar”. Ndersa dokumenti që sjell Profesori është mirë, besohet më shumë duke u dhënë letra e plotë, e jo “ndër të tjera”, pa të ndyeme mizash, në origjinal e në përkthim, kuj i drejtohet e rrethana e udhëzime tjera, që të mos lihet hije dyshimi, sidomos kur je duke i marrë nderin tjetrit.
- Nikollë Mazreku (Nikë Barcolla), autori i punimit “Skandali i Kordinjanos” më ka treguar:
Një ditë erdhi një personalitet ushtarak fashist e më hodhi në tavolinë një zarf.
-Më tha: Jepja famullitarit.
-Çka ka zarfi mbrenda, e pyeta.
-U pergjegj: C’të duhet ty, ti je sekretar, jepja famullitarit.
-Nuk marr zarfa të mbyllun dhe pa adresë të shkrueme dhe ia hodha në tavolinë zarfin në mënyrë jo fort të njerzishme.
E mori zarfin me pare dhe u largue tanë nerva.
Mbas pak kohe, Dom Nikollën (autorin e “Skandalit Kordiniano”) e transferuan në Kryezi të Pukës ku e arrestoi partia e bëri kështu afro 40 vjet burg e internim. Edhe një pasazh.
Kam lexuar korespondencën e shumë klerikëve katolikë (letrat janë të ruajtura në AQSH) e më ka çuditë fakti që shumë prej tyre dalin borxhlij. Kështu borxh janë P.P. Gjeçovi, Marlaskaj, Anton Harapi, Bernardi Palaj, Mati Prendushi etj. etj.
Pader, i drejtohet P. A. Harapi A. Marlaskajt, ti po shkon në Tiranë. Luigji (Gurakuqi) më ka do pare borxh. Ti mos ia përmend, por në t’i dhaftë, m’i nis shpejt se jam ngusht”.
Por, po kthehemi te klerikët “fashistë”
Lexoni“ Përkujtesën” (promemorien)( botohet per here të parë), për të parë si e “mirëpriten” françeskanët fashizmin.
Promemorje
Së pari, Per autoritetet civile e ushtarake, në rrethana jo të zakonshme, ose në rrethana të tensioneve politike nderkombtare, dyshimi asht një detyrë.
Së dyti, Per detyrë mirësie, klerikët janë mbajtë në kufijt e drejtësisë e mbrenda fushës së natyrës të gjendjes së tyne, me ndihmue autoritetet në fuqinë krejt atë që mund të nxisin të mirën e vërtetë morale e material të shtetit.
Kjo premtue edhe në lidhje me propozimet të bame prej Kom. Melonit Provincialatit Françeskan të Shqipnisë lidhun me vendosjen e disa fretenve tanë në liceun françeskan të Shkodres, pra: Dr. Atanas Gegaj, Dr. Gjon Shllaku, P. Lekë Luli e P. Antonin Fishta dhe Pader Anton Harapi, të gjithë mësues në gjimnazin – lice të Shkodres, Provincialati ka marrë masat që vazhdojnë: (nenvizimi im, K.C.).
- Pader Atanas Gegaj e Pader Gjon Shllaku do të mbahen jashtë Provincës per një kohë të pacaktueme.
- Pader Lekë Luli prej Shkodre do të vendoset në një prej famullive tona të Malsisë, mbas gjaset, në dioqezën e Pultit.
- Pader Antonin Fishtës, pjesëtar I Këshillit, do t’ikerkohet rregull .
- Persa i takon P. Anton Harapit, provincialati nuk e mendon të nevojshme me marrë masa speciale, e kjo, per këto arsye:
Së pari, provincialati ka bindjen e plotë që P. Anton Harapi, as me fjalë, as me vepra nuk ka dhanë kurr rasë me dyshue në sinqeritetin e besnikërinë ndaj regjimit të ri në Shqipni.
Së dyti, komisioni perfaqësues shkodran shkoi në asamblenë kombtare me mandatin t’i ofrojë kunorën shqiptare një anëtari të dinastisë së lavdishme të Savojës e jo Madhnisë së Tij aktual mbretit e perandorit tonë. Qe Pader Antoni që, me fjalën e tij të meçme, i paraqiti idenë e bashkimit personal.
Në fund, provincialati mban pozitivisht të sigurtë, se dyshimet mbi sinqeritetin e besnikërinë e Pader Anton Harapit dhe të motrave të nderueme stigmatine kanë qenë krijue nga insinuacionet malinje e të interesueme ndonjë të treti që, ma pak se kushdo tjeter, do ta kishte dashtë me e ba.
Nga e gjitha kjo (sa thamë ma nalt) arrijmë te fakti që P. Anton Harapi asht një personalitet i njohun, mundet me u thanë në tanë Shqipninë, e per ma teper një meshtar rregulltar që nuk të jep shkas me e qortue.
Për këtë, Provincialati e mbanë se çdo masë e improvizueme, marrë në ngarkim të P. Harapit, në kuptimin e propozimeve të Kom. Melonit do të ishte një padrejtësi e besoj mjaft në politikë.
P.G. Fishta ofm
Shënoj: Pader Antoni ka qenë kundërshtar i Italisë, ka pasë probleme, madje i internuar (me forma të ndryshme) nga Italia, prandej të mbrohej ai, ishte si të vepronte kunder politikës italiane. Më thonte Pader Justini: “Pader Antoni ka qenë regjent në kohën e gjermanëve e na thonte: “Luftën e fitojnë anglezët”. Pra, asht mbajtë si filoanglez! Me rastin e 12 prillit, Dergata shkodrane paraqiti kërkesat që të çojshin tek ruajtja e Pavarësisë.( ma gjatë, lexo Prof. Dr. A. Plasari, “Anton Harapi redimensus”. Këto kerkesa i nenshkrou edhe Fishta.
Ka gjurmë në letërkëmbim që Fishta u del zot fretenve të perfolun më lart. Po e ilustrojmë me një shembull: Ndonëse P.Gjon Shllaku pati debate politike, herë edhe kundërshtare me Fishten, Pader Gjergji i dha lejen e nderhyri të shkonte në Perëndim për specializim, i propozoi provincialatit që “Hyllin e Dritë ta drejtonte P. Gjon Shllaku.
Dela Roka nuk e paraqet si duhet P. Anton Harapin:
asnjë fjalë per perpjekjet e tij në dobi të ruajtjes së tërësisë territoriale të atdheut, asnjë fjalë për bashkëpunimin me Fishten e Gurakuqin për memorandumin dhënë konsullit francez në Shkodër të përpiluar nga ai e firmosur nga malsorët tanë të Veriut, përkthyer nga Gurakuqi e dërguar Konferencës së Paqes në Paris, asnjë fjalë për qëndrimin opozitar ndaj zullumeve të qeverisë së kohës, as për përpjekjet për një arsim kombëtar, asnjë fjalë per veprimtarinë e tij shoqërore, letrare, për veprat e tij. etj.
Kleri katolik e ka nderuar, e ka dashur Pader Antonin, i ka besuar në çdo kohë detyra të rëndësishme.
Kryeipeshkvi zgjodhi At Antonin të merrte pjesë në Dergatën e 12 prillit, ndonëse ishte i njohur si antiitalian, apostafat per t’u thanë italianëve se qëndrimi i Pader Antonit asht qëndrimi i klerit katolik. Dela Roka nuk tregon, pse u zgjodh Pader Antoni e ç’qendrim mbajti ai në këtë Dergatë.
Po japim një dokument që flet për besimin e nderimin e klerit ndaj P. Anton Harapit edhe më vonë.
Shkoder, 24. VIII. 42
Shkelqesë
Me rasën e ardhjes së P. A.Harapit në Tiranë, Ju paraqesim nderimet e përshëndetjet t’ona të përzemërta.
Shka ka me folë P. Antoni me Shkelqesën t’Uej, asht edhe fjalë e jona, posaçe per shka u perket shkollave katholike, sistemit të dhetave e kerkesës të taksave të enteve kishtare.
Jena të sigurtë se keni me i marrë para sysh me kujdes të veçantë.
Gasper Thaçi A.M. d.v.
Luigj Bumçi, Ip. i Lezhës d.v.
Po nxjerri nga dorëshkrimet e Fishtes edhe letrën e mëposhtme, shumë sqaruese):
E ejte, 24 gusht 19…
Fort i nderti At Provincial,
Mbasi më duhet me shkue në Luogotenencë e neser kam në mendë me u nisë per Tiranë, po deshe, interesohem pranë Ekselencës së Tij Jakomonit per çeshtjen e Pader Antonit (Harapi) e të Pader Lekës (Luli), si kemi pasë rasë me folë goja-gojas.
Ju lutem me më autorizue me shkrim per këte punë, tue më diftue njiheri, në e pranoni, mbas gjithë hallit, që Pader Antoni të largohet per do kohë jashtë Shkodret e Pader Leka të dalë, edhe ky per do kohë prej Shqypnie, pse mundet me ndodhë, që s’më del me ia mbushë menden Luogotenentit mos me e tjerrë çashtjen ma gjatë.
Nderkaq, Ju puthi dorën e Ju lypi bekimin,
- Gjergj Fishta OFM
Besoj, se vetem këto fjalë që shkrova e që janë të dokumentuara me shkrim, mjaftojnë t’u përgjigjën fjalëve të profesorit se kleri katolik e “mirëpriti” pushtimin fashist e se Fishta“nuk mundi t’i shpëtojë tundimit që i bëri fashizmi”.
Pastaj, nuk na duket e drejtë të përgjithësohet qëndrimi i tërë klerit katolik me qëndrimin e ndonjë rregulltari a kleriku të veçuar që shkruan për “Pëllumbat e Krishtit”. Po t’i kishte shkruar këto fjalë kryeipeshkvi metropolitan, që perfaqësonte klerin katolik, katolikëve u duhet ta ulin zërin në këtë rasë.
Në periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare, pa ndonjë angazhim direkt, pergjithësisht, kleri u afrua, në parim, me Ballin Kombëtar që përfaqësonte idenë kombëtare, Shqipërinë Etnike, por nuk hyni në partinë e Ballit.
Edhe gjindet ndonjë rast i rrallë, si: Dom Zef Shestani që punonte me rininë balliste. Kleri katolik shqiptar e dinte çfarë do ta gjente nën komunizmin ateist, se e kishte parë në Bashkimin Sovjetik.
Kleri katolik përfaqësoi elementin më kundërshtar ndaj fashizmit në vendin tonë, duke perjashtuar ndonjë klerik , si: D. Lazer Shantoja e P. Bernardin Palaj që kishin bindjen se ideja fashiste do ta përballësojë idenë bolshevike: kruente e ateiste që në 1939 kishte zhdukur, pothuaj, tërë klerin e vet të krishterë. Sa per pader Bernardinin, dimë që është kritikuar nga provincialati per përzierje në çështje politike, më 1925, madje deri në kërcnim për ndeshkim brenda Urdhërit.
Unë që kam listën e klerit katolik në tryezë, shoh se shumë më tepër janë klerikë antifashistë se klerikë “profashistë”. Kujtojmë këtu klerikët e internuar a të arratisur, si: Pader Anton Harapi, P. Lekë Luli, P. Gjon Shllaku, P. Atanas Gegaj, si edhe klerikë tjerë, si: P. Frano Kiri, P. Donat Kurti, P. Justin Rrota, Dom Nikollë Mazrreku, D. Ndre Zadeja, P. Pjeter Meshkalla, P. Aleks Baqli, P. Zef Pllumi etj., etj. antifashistë të thekur.
Politikisht, Fishta akuzohet, se 1) “Ka përgatitur pushtimin fashist”, (Në asnjë dokument të derisotëm nuk del ndonjë firmë nga Fishta (veç ndonjë artikull), as nga kleri katolik që të kenë thirrë a përgatitë pushtimin fashist. (Pastaj edhe nga kleri katolik pati të internuar, e të arratisur nga fashizmi).
Më tregonte P. Frano Kiri, atëherë drejtor i shkollës françeskane: “Unë nuk i kam xjerrë nxanësit me përshëndetë fashistat. Ndersa shkolla shtetnore i ka xjerrë”. Kanë ardhë e më kanë ba presion. E pra, drejtori i përgjithshem i shkollave françeskane ka qenë Fishta!
2) Eshtë përpjekur të fashistizojë popullin tonë; 3)“Ka përshëndetur pushtimin fashist”; pohime të hjedhura në erë, pa kurrfarëvërtetësie.
Fishta ka kenë ksenofob, më thonte P. Viktori, komentuesi më i sakti, më i vërteti e më i besueshmi i Fishtës, e ka shkruar Valentini dhe e dokumenton “Lahuta… Për të huajt në Shqipëri (italianët) Fishta shkruante: në satirën “Barabba” (1898)
“Kot me rrahun uj n’havan:
Se ktu i hueji s’ka çka ban.
Barni rraqet, pra, edhe shkoni…”.
Ndërsa për të huajt që vinin si miq, shkruante: “… bukën para por t’ia shtroni… me i besue mos u besoni”.
Fishta pranoi që Shqipnia të jetë nën udhëheqjen e Princit të Savojës, per të ruajtur kufijtë etnikë të atdheut, sikur me 1911 pranoi që Shqipëria të rrinte në çadrën e sulltanit per të ruajtur kufijtë etnikë të atdheut. (“… do të kishte kenë dam fort ma i vogël me vuejtë nën zgjedhë të turkut, se me kenë gri prej kristianëve” (Proza 1, f.324). Njashtu si pranoi të rrinte nën Princ Vidin, pikërisht për të ruajtur kufijtë, e atdheut.
Pranuan edhe një radhë politikanësh që Italia të dërgonte një princ nga shtëpia e Savojës per fronin e Shqipërisë. Përmendim: M.Kruja, M.Libohova, Mehdi Frasheri, Turhan Pasha, L.Gurakuqi (më i rezervuari) etj. As në telegramin drejtuar Duçes që ftojnë Italinë me kusht të na garantojë pavarësinë e integritetin…(shih, K. Cefa, “Nëpër gjurmët e Fishtës” f.86-87), nuk figuron asnjë firmë kleriku katolik, as në pohimin e Valentinit: “ Ernesti (Koliqi) me Mustafen (Kruja), me D. Lazrin (Shantoja), me Sheuqet Verlacin, Gjon Marka Gjonin, me Kolë Bibë Mirakaj, u zhgënjyen e u hidhëruan shpejt, kur nga ana italiane u ndërruan kartat në tavolinë e iu dha regjimit të ri një impostim jo komunuelth, siç ishte bashkëpajtuar, por një perandori. Por zarja e hedhur qëndronte e fiksuar në tavolinë e kush mundte ta terhiqte”? Në Dergatën e 12 prillit Fishta qe pjesëtar, por pa të drejtë fjale. Kleri katolik ngarkoi të flasë Pader A. Harapin e jo Fishten. Mendojmë se Fishta ka qenë dakord me çka do të thojë Pader Antoni, ndryshe nuk do të kishte shkuar, aq më tepër, për të firmosur. Antoni njihej si antiitalian, madje kishte pasë përndjekje nga Italia. Me këtë, kleri donte t’i thonte Italisë, se qëndrimi i P. A. Harapit, është njëkohësisht qëndrimi i mbarë klerit katolik.
Nji ditë pyeta Pader Justinin: Pader, pse ka kryesuar në Dergatë një françeskan, kur dihet që klerin katolik e përfaqëson kleri dioqezan, Kryeipeshkvi metropolitan, ipeshkvi etj., dhe pse nuk qe kryesor Fishta, poeti kombëtar. M’u pergjigj: Kryeipeshkvi ka diskutuar me P. Antonin e kanë përgatitur çfarë do të flasë P. Antoni në mbledhje. Fishta ishte afruar me Italinë, se nuk shihte alternativë tjetër, Pader Antoni njihej si kundërshtari më i fortë.
(Sa shkrova, ma kanë dëshmuar gojarisht P. Justin Rrota para 1964, e Dom Mikel Koliqi, Kardinali, anëtar i kësaj Dergate ku perfaqësonte klerin dioqezan, mbas 1992). Një herë tjetër, më bisedonte P. Justini,”na mblodhi Fishta në rafretorium e na tha: “Sot do të vijë e do të na flasë një personalitet fashist. Të mos mungojë kush”. U mblodhem. Kur hyri Fishta me personalitetin fashist, u ngritën dhe dolën jashtë P. Gjon Shllaku (i torturuar e i pushkatuar më vonë nga diktatura), P. Lekë Luli ( i torturuar e i pushkatuar nga diktatura), P. A. Harapi (i torturuar e i pushkatuar), P. Atanas Gega, P. Antonin Fishta e ndonjë tjetër që s’po më kujtohet.
Edhe një indikacion i besueshem:
“Sot asht zhvillue takimi me Cianon në Legatën Italiane në Tiranë… Nga pala shqiptare ishin: Gjon Marka Gjoni, Pater Anton Harapi, Ndoc Pistulli, Zenel Broja e të tjerë. Arsyetimeve të Cianos për rendin e ri që do të sillte… Gjon Marka Gjoni iu pergjigj shkurt: “Nuk i kemi pasë fjalët kështu. Na e kemi kërkue ndihmën italiane për rrëzimin e Zogut, por jo per ta zevendsue me pushtimin italian, as me bashkimin e kunorave”… Por Pater Antoni, gjoja tue perkthye fjalët e Gjonit, iu pergjigj Cianos se populli shqiptar pikësëpari mendonte per pavarsinë e vet politike e se nuk do të pranonte asnji “rend”, sado i mirë t’ishte, po të mos respektonte pavarsinë e sovranitetin e shtetit dhe të popullit shqiptar…Ndoc Pistulli në emër të asamblistave shkodranë lexoi deklaratën e perpiluar prej Pater Anton Harapit…”.(Ejell Coba, “Jetë e humbun”, T.2012, 126-7).
Fishta ka qenë i bindur se Shqipëria mund të ruajë kufijtë e të zhvillohej vetëm me mbështetjen e një shteti të madh. Austro-Hungaria e, më vonë, Italia interesoheshin per Shqipërinë, per një Shqipëri jo të cunguar. Astro-Hungaria ndiqte politikën e luftës kundër pansllavizmit. Për këtë, aspironte ose të pushtonte Shqipërinë që të mos lejonte sllavët të delshin në Durrës, të pushtonin Veriun shqiptar, ose të ringjallnin ndërgjegjën kombëtare nëpërmjet shkollave, a duke përgatitë kuadro etj. etj., që shqiptarët të ndërgjegjësoheshin e ta mbronin vetë atdhenë e tyre. Zgjodhi rrugën e dytë. Rivaliteti austro-italian mbante pezull fatin e Shqipërisë. Fishta shkruan: “Desh Austria e Italia, / prandej n’veti duel Shqipnia”.”Veprimeve austro-italiane u shoqëroheshin edhe manevrat dinake të qeverisë osmane, që nuk deshi të pranonte as humbjen e Shqipërisë, as pavarësinë e saj”, shkruante Fishta në Letrën derguar V. Prendushit. Fishta kishte të rrënjosur bindjen se Shqipëria nuk i kishte elementet e nevojshme per t’u themeluar si shtet i pavarur. Fishta nuk njihte teorinë e mbështetjes në forcat e veta, sikurse nuk e njifnin as nacionalistët tjerë. Enver Hoxha e shpiku, populli e vuajti. Teza e Fishtës ishte: “ Shqipnia me Italinë”. “Unë nuk them që italianët do ta shpëtojnë, por them e pohoj se askush nuk mud ta humbasë Shqipërinë pa pelqimin e qeverisë italiane. Të ashtuquajturit nacionalistë shqiptarë e kanë hedhur poshtë formulën Shqipëria me ndihmën e Italisë, por ata nuk kanë mundur akoma të na percaktojnë një formulë tjeter politike…”.
Pra, deri më 1918 Fishta donte mbrojtjen austriake. Madje tallej me synimet italiane: “Orëpremja Itale\ Vlonen e Durrcin\Lakmon der n’Tale\. Pse i muer çikën\Kjo Malit t’ Zi\Don me i dhanë Shkoder\ Plavë e Guci.
Mandej erdhen ngjarjet që bënë jehonë: Konferenca e Paqes (e Fishta kishte formulën “Shqipnia me ndihmën e Italisë”); Kongresi i Lushnjes, Lufta e Vlonës, (Në prozën, “Kufijt e Shqypnis” Fishta deklaroi“Pa Vlonë nuk ka Shqypni”! Edhe pse, për interesa kombëtare mund të pranonte alternativë), ngjarje që të ndërrojnë mendim, të ndërrojnë qëndrim, të ndërrojnë rrugë. Marrëdhëniet e reja me Italinë i shikonte me dyshim e mosbesim e i demaskonte me bindje e energji. Fishta demaskoi qëndrimin antishqiptar të Italisë në çështjen e Shkodrës (në këmbim me Fiumen; në mbrojtjen ndaj Esat Toptanit, në çeshtjen e Princ Vidit)… Gjatë vjetëve 1913-1914 Italia komplotoi kunder ekzistences së shtetit shqiptar. Kujtojmë pastaj Luftën e Vlonës, qëndrimin antiitalian tek poema “Palokë Cuca”(1922), ku tallë propaganden italiane ndër njerëzit e thjeshtë, predikuar nga shkollat e huaja që pa na shkimbin çdo ide kombëtare. Kam pasur bindje se Shqipëria nuk mund të formohej, veçse me ndihmën e një fuqie të madhe dhe se, pas zhdukjes së Austro-Hungarisë, vetem Italia ishte ajo që do të kishte pasur të gjithë interesin të formonte një Shqipëri, mundësisht sa më të madhe”. (Lufta e pop.shqip. për çlirimin kombëtar 1918-1920, v.II, f.214-219}.
Për të mos u zgjatë, po citojmë konsullin jugosllav për klerikët katolikë:
“ Që janë antisllavë, e kam dijtë; që janë antiitalianë, nuk ma ka marrë mendja”. (Fjala është për qarqet politike agresive).
“Ditën kur u pushtue Shqipnia, takova Dom Ndre Zadejën, më thonte një plak, po shkonte me thanë meshën. I thashë: Dom Ndre, Italia po pushton Shqipninë. Iu mbushen sytë me lot e u largue tue thanë: “Eh, Shqipnia e shkretë, tesh po humbë””. (kalimthi po shënoj se poeti i “Letres së hapun” kundër Kordinianit u torturua e u u pushkatuamë 1945). Kardinal Koliqi më ka tregue: Dom Ndrenë e kanë mundue shumë. Kam pasë qelinë ngjitë me qelinë e Dom Ndreut. Pa pushim, ndigjojshe tanë dhimbje, eh, eh. E njofta se ishte zani i Dom Ndreut.
Sa herë që Italia kishte synime ekspansioniste ndaj Shqipërisë, Fishta ishte italofob.
Sa herë që e sillnin konjukturat pro Shqipërisë, Fishta bëhej italofil. Shumë politikanë nuk panë rrugë tjeter.
7 prilli permbysi mendime protektorati, asistence, komunuelthi e bashkimi. Qe vetem pushtim. Italia gënjeu sheshazi, se kishte premtuar se do të ruhej pavarësia e Shqipërisë, mashtroi haptazi qëndrimin e vet pushtues.
Fishta ishte per Shqipërinë me Italinë, jo nën Italinë;
për bashkëpunim, jo per nënshtrim;
per zhvillim paralel, jo të diferencuar;
për një Shqipëri të zhvilluar europiane, jo të privuar e të izoluar.
Fishta mbetet flamurtari më i madh i Shqipërisë europiane!
Një episod: Tek po bisedojshim një ditë, Pader Marini (Sirdani) më pyeti:
- Hee, Kolec, çka ke lexue?
- Iu përgjigja: Kam lexuar veprën tande, Pader, “Shqypnija e Shqyptarët”.
- A të ka pelqye?
- Po pader, veç pak faqeve, (atyne që flitshin per Italinë e Musolinin).
- U kuq e m’u drejtue: “Ndigjo, Kolec, mos i lexo librat me sytë e komunistavet. Më foli per klerin ortodokës e musliman. Mandej shtoi: “Kleri katolik ka kenë krejt patriotik, veç ndonjë rasti të veçantë, të cilin e ka dënue vetë kleri. I vetmi gabim që kemi ba, asht se jemi afrue me Italinë ma shumë se duhej”.
- Perfundoj: Fishtës iu ba një nderim i veçantë ditën e vorrimit. Homelinë e mbajti Imzot Thaçi, i cili, nder tjera tha: “Para dy-tri ditësh shkova me pa Fishtën në spital, më tha: “Po më vjen keq, se po ju la Shqypninë e pushtueme”.
Fishta:“Dersa t’mundem me ligjrue/E sa gjall’ me frymë un jam/ Kurr, Shqypni,s’kam me t’harrue/Edhe n’vorr me t’permend kam”.
JETON I GJALLË NË KUJTESËN E BREZAVE
At Zef Pllumi nuk jeton ma. Ai u shue si një dritë që shndriti deri në çastet e fundit të jetës. Por pse them u shue, kur kjo dritë shkëlqen e do të ndriçojë në veprën që la pas. Nuk mund të themi edhe se ai nuk jeton ma, mbasi jeton në kujtimet e njerëzve.
Më ka qëllue të punoj rreth 14 vitet e fundit me të dhe e quej për detyrë e nderim ta kujtoj e ta vlerësoj atë si njeri, si frat e si shkrimtar.
Më thirrën të bashkëpunoj për botimin e “Hyllit të Dritës” në mesin e vitit 1994. Kishte kalue një vit e gjysmë që kur kjo revistë historike e kulturës shqiptare rifilloi botimin me nismën e guximshme të At Zef Pllumit, që u ba edhe drejtor i saj, si dhe me punën e palodhun e cilësore të kryeredaktorit të atyne viteve, Aurel Plasarit. Qëndrova aty deri sa u ndërpre botimi, por e vazhdova bashkëpunimin edhe 10 vjet të tjera. At Zefi kishte nevojë për bashkëpunëtorë në plotësimin e një premtimi që u kishte dhanë shokëve të tij klerikë të burgut, tue u botue dorëshkrimet e fshehuna në qelitë e kampet e përqendrimit, apo të ruejtuna në fondet rezervat të arkivave. Ai gjithashtu kishte nevojë për bashkëpunim, qoftë edhe teknik, se vazhdoi të botojë edhe kujtimet e veta për atë periudhë 27-vjeçare vuajtjesh dhe poshtnimesh si dhe librat e tij me studime, krijime letrare dhe publicistike. Një kontribut të madh në këtë bashkëpunim dhanë si redaktorë Aurel Plasari dhe David Luka. Në kompjuterin tim u radhitën, u faqosën apo u ruejtën pothuaj të gjitha librat e tij si “Rrno vetëm për me tregue”, “Françeskanët e mëdhaj”, “Frati i pashallarëve Bushatlí të Shkodrës”, “U theri dicebamus…”, “Njerëz fisnikë”, etj. Kjo ishte arsyeja që edhe në përmbledhjen e veprës së tij të zgjedhun që doli në dy vëllime vitin e fundit, qe më e lehtë për botuesit të rimerren me saktësi, ashtu siç i donte autori, të gjitha shkrimet e librat e tij. Pra me pak fjalë, kam se ç’të tregoj për këtë frat të madh.
Njeriu e franceskani
Shumë prej atyne që e njohën kanë pa tek ai njeriun e vërtetë, të përkushtuem, të gatshëm për me iu gjetë në nevojë të gjithëve. Kam ndigjue nga goja e tij disa ngjarje, por njena më asht ngulitë në mendje ma shumë. Një vajze i kish dalë e drejta e studimit në Itali, por nuk po shkonte atje sepse familjes së saj të vorfën i mungonin paret. Kur e mori vesh hallin e dëshpërimin e saj bani çmos me i gjetë donatorë tue ia plotësue shumën edhe me kursimet e veta. Nuk ia di emnin asaj vajze, ashtu si nuk ia di edhe shumë të rinjve të tjerë, që morën rrugën e arsimimit nëpër botë me ndërhymjen e palodhun të At Zefit. Ata kurrë nuk do ia harrojnë këtë përkujdesje fratit të tyne.
Ai ishte njeri i andrrimeve të mëdha. Më ka qëllue të njoh një nga këto andrrime. Ai shkonte shpesh në zonën e Ishmit. Për mue, që nuk e kisha pa asnjëherë këtë zonë, ishte një kuriozitet. Dhe njëherë iu luta të më merrte me vete. E pranoi pa ngurrim dhe një të diel shkova me të. Aty mësova se ai interesohej për një kishë të moçme në Kepin e Rodonit që i përkiste shekujve të shkuem, para Skënderbeut. Kishte angazhue shumë njerëz (zona popullohej me katunde katolike) për të ndërtue një rrugë që të çonte deri te kisha, i kishte ba shumë kërkesa shtetit për t’i kthye kishës tokat që ishin pronë e saj, i ishte drejtue institutit të monumenteve për të restaurue këtë kishë të vjetër, ku rastësisht ishte ruejtë edhe një mozaik i lashtë. Kur shkuem atje më shoqnoi vetë në këtë kishë dhe në ambientet e mrekullueshme të saj, më njohu edhe me një kala të kohës së Skënderbeut
në bregdetin e Rodonit. Por ajo që më bani ma shumë përshtypje ishte ideja e tij se në këtë vend të mrekullueshëm bregdetar mund të ndërtohej një kamping ku të sillej rinia nga gjithë vendet e Europës. Do të ishte, thoshte, një prezantim aq i bukur me natyrën e Shqipnisë, por edhe me lashtësinë e katolicizmit të këtij vendi të vogël, por të pakrahasuem për nga vlerat historike. Nuk di deri ku kanë shkue përpjekjet e tij, sa asht restaurue kisha, a i janë kthye tokat asaj dhe ma kryesorja, a do të mund realizohet ideja e tij për të sjellë në këtë bregdet të bukur e historik rininë e Europës.
Si prift katolik ai i kushtonte një randësi të madhe bashkëjetesës midis feve të ndryshme me mendimin se të gjithë njerëzit i bashkon një Zot. Këtë prirje kam pas rastin ta dalloj si vepronte ai në kishën e Tiranës. Ajo ndodhet në një lagje, pothuaj myslimane. Ishte kënaqësi kur shihje në oborrin dhe ambientet e kishës të vinin edhe shumë të rinj myslimanë. Edhe puna e tij për arsimimin e të rinjve në shkollat evropiane, nuk dalloi kurrë elementin fetar. Me kontributin e tij shkuen për studime po aq sa të krishtenë edhe myslimanë.
Këtë ide të bashkëjetesës midis feve At Zefi e pasqyroi edhe në librat e tij. Një nga miqtë më të dashun në burg ishte një hoxhë, Xhabir Dibra, i cilin ndau me të edhe kafshatën gojës. Kur doli nga burgu në vitin 1951, vizitën e parë në Shkodër ia bani familjes së këtij hoxhe.
Ma me forcë shfaqet kjo prirje bashkëjetese në librin “Frati françeskan i pashallarëve Bushatlí të Shkodrës”. Mehmet e Karamahmut Pasha, marrin në sarajet e tyne priftin françeskan, jo vetëm si mjek, por edhe si këshilltar. Këta dy pashallarë , pa asnjë paragjykim, lejojnë, madje inkurajojnë ndërtimin e kishave, dhe si sundimtarë të pashallëkut, janë përkrahës të kulturës europjane dhe të elementit katolik.
Në një pamje edhe ma interesante na jepet në veprën e tij “Njerëz fisnikë” figura e një pasardhësi të Toptanëve, që gjatë studimeve në Zvicër, konvertohet në fenë katolike dhe këtë vetë toptanasi e tregon me një ndjenjë kënaqësie e nderimi.
Personalitetin e At Zefit si klerik me autoritet, si njeri i mendimit dhe i kulturës e kam konstatue disa herë. Ka qenë këto vitet e fundit i pranishëm në ngjarjet ma të mëdha. Ishte një nga njerëzit që priti dhe e përcolli nëpër Shqipni nanë Terezën. Por atë e njohën e e çmuen edhe personalitete të tjera të nalta, e një prej tyne ishte edhe europarlamentari Vander Linden, i cili erdhi në Shqipni në vitin e mbrapshtë të 1997-tës, tue gjetë te At Zefi analistin dhe gjykuesin e saktë të atyne ngjarjeve.
Një herë, kur ai mori vesh se do të baja një udhëtim në Holandë për të takue vajzën time, më solli një tufë librash të tij për t’ia dërgue, në shenjë nderimi e respekti, mikut të tij. Më gjeti ndërsa përgatisja dhuratat e mia për të njohunit e vajzës, midis të cilave edhe një bust të Teutës. U kujtova se kur do t’u jepja miqve këtë dhuratë, duhej t’i thoja diçka ma shumë për këtë mbretëreshë ilire, prandaj po kërkoja në bibliotekë të shfletoja Fjalorin Enciklopedik. Ndërkaq At Zefi, që ishte një enciklopedi më vete, me lehtësinë më të madhe po më jepte aq shumë informacion historik, sa kur ma vonë shfletova Fjalorin, konstatova se jo vetëm ato që më tha ishin të sakta, por isha njohë prej tij me ma shumë informacion historik për mbretëreshën ilire.
Mbi memorien e tij të pakrahasueshme flet edhe një fakt tjetër i habitshëm. Kishte lexue në rininë e tij, kur shërbente në Arkivin e Kuvendit Franceskan, një fletore me dorëshkrimin e fratit Erasmo Balneo. Ngjarjet që përshruheshin e lanë pa mend. Kur doli nga burgu e kërkoi në të gjitha arkivat për ta rilexue, por nuk gjeti. Dikush e kishte zhdukë. Atëherë iu fut punës për të shkrue librin “Frati i pashallarëve…” tue u mbështetë
në kujtesën e leximit të rinisë. Dhe shkruejti një nga librat ma të bukur. Kur e lexoi një frat italian, mendoi se ishte para një krijimi të trilluem artistik. Kureshtarë ai i hyni punës për të gjetë ndonjë gjurmë në Arkivin e Vatikanit. Dhe me një ndjenjë gëzimi i dërgon At Zefit dy dokumente të Pashallarëve që i përgjigjeshin me vërtetësi ngarjes së tregueme. Këto dokumente At Zefi i botoi në veprën e zgjedhun.
E pashtershme ishte njohunia e tij për historinë, kulturën, mendimin filozofik. Dhe gjithnjë kam ba pyetjen, si e formoi ai gjithë atë bagazh njohunish, kur një pjesë të madhe e ma të rëndësishme të jetës e kaloi në burgje, internime, galeri minierash me punë të stërmundimshme.
Thonë për të se nganjëherë ishte nevrik, i ashpër dhe e kishte fjalën e randë. Në vështrim të parë mund të krijohet kjo përshtypje. Por e vërteta qëndron ndryshe. Këtë gjë po përpiqem ta shpjegoj me disa raste që i kam jetur vetë. Ishte koha kur ai po mendonte të krijonte kushte ma të mira për botimet e “Hyllit të Dritës”, tue krijue një ambjent ma të përshtatshëm për zyrat dhe për shtypshkronjën. U thirr një skuadër ndërtimi dhe u banë marrëveshjet financiare për çdo volum pune. Kur mbaroi mueji, kryepunëtori bani matjet dhe kërkoi pagesën. Si njohës i mirë i ndërtimeve kuptoi se e mashtruen me vëllimet e punës dhe pagesën që kërkonin. U mërzit shumë, dhe i heshtun shkoi në dhomën e tij. Pas pak u ul përsëri poshtë. Kishte marrë nji vendim: urdhnoi t’i jepej paga që kërkonin, madje edhe një shpërblim për festën e bajramit që qëllonte ato ditë, dhe u largue tue thanë se të nesërmen do të kërkonte një skuadër tjetër ndërtimi. Nuk di si e ka pritë këtë veprim ai grup ndërtuesish, por për mue ai ishte një mësim se si mund të qortohet një mashtrim i cili të lë ma të turpënuem.
Shpesh atë edhe e keqkuptonin kur bahej nevrik. Po u tregoj një rast që lidhet me mue. Më kishte ngarkue detyrën me zgjidhë një problem të redaksisë me administratën shtetnore. U përpoqa, por nuk munda ta përmbush këtë detyrë dhe u ktheva i mërzitun. E takova në oborrin e kishës ku qëndronte me një person tjetër dhe ia tregova dështimin tim. U zemrue shumë e filloi të shajë, por ajo që më erdhi keq, në një adresë të pacaktueme, pra që mund t’i merrja sharjet edhe në adresën time. I heshtun u largova dhe shkova në zyrën e redaksisë. Aty mora një vendim të dorëzoj çelësat dhe të largohem. Kisha mbushë tavolinën e punës me dosje e shkrimeve, kur befas ai erdhi dhe i habitun pyeti: “Çka je tue ba?” “Do të dorëzoj punën” – i thashë. E kuptoi keqkuptimin dhe ashtu, i nervozuem siç ishte, doli vrullshëm nga zyra tue thanë: “Mos çaj kryet për ata që thashë se nuk e kisha me ty, por për ata burokratët e zyrave.” Mbeta i lehtësuem dhe sigurisht ndrrova mendje. Kam punue edhe 10 vjet të tjera me të pa u grindë kurrë ma.
At Zefi ishte trim. Në rrëmujat e vitit 1997, kur breshëritë e plumbave nuk kursenin askënd, ai nuk ngurroi asnjëherë të bante udhëtimin e tij të zakonshëm Tiranë-Shkodër dhe anasjelltas. Detyrat si frat i kishës françeskane të Tiranës dhe si drejtor i “Hyllit të Dritës” e detyronin t’i bante këto udhëtime edhe në ato ditë plot rreziqe. Në një mbramje ai kthehej nga Shkodra dhe i lodhun siç ishte e kish zanë gjumi në sedilje. “Maskat” i dalin veturës përpara dhe shoferi e ndalë i trembun dhe zgjon At Zefin. I përgjumun e kupton në çast shkakun e asaj ndalese dhe i qetë i drejtohet “maskave”: “Bijt e mi çka doni prej meje, me ju mallkue apo me ju bekua?” “Maskat” të befasuem nga këto fjalë mbyllën derën e veturës dhe u larguen. Veprimet e tyne meritonin vërtetë mallkimin.
Shkrimtari, studiuesi e publicisti
Siç kam thanë edhe ma sipër, kam pas fatin të ndjek hap pas hapi krijimet e tij, mbasi një pjesë të mirë të dorëshkrimeve ose e kam kalue germë për germë në kompjuterin tim, ose i kam redaktue e korrektue. Ai m’i sillte librat e tij kapitull pas kapitulli e unë ia ktheja të printueme. Kishte një dëshirë të madhe të shkruhej gegnishtja dhe e donte këtë drejtshkrim ashtu siç e kishin shkrue mjeshtrat e mëdhenj shkodranë. Ia kam respektue dëshirën me korrektesë. Ai kërkonte që edhe në “Hyllin e Dritës”, sidomos autorët shkodranë, t’i sillnin shkrimet e tyne në gegnisht. Por për fat të keq, kjo nuk realizohej gjithnjë.
Kur i dorëzoja printimet, unë tue e ndie veten afër tij, i baja edhe ndonjë sugjerim redaktimi, që e shënoja anash fletës së printueme. I priste me dashamirësi këto sugjerime kur ishte fjala për ta ba ma të qartë kuptimin e frazës, por jo kurrë kur vërejtja ishte për ndonjë mendim. Më kujtohet një herë i pata ba, anash printimit, pyetjen: “Pse Pater Zef e ke thanë kështu?” (nuk më kujtohet për çka i baja vërejtjen), por asht e befasuese përgjigja që vazhdonte poshtë shënimit tim: “Pse-hin e di vetë!”
Më ka sjellë kapituj pas kapitujsh edhe librin e tij mbi Bushatlinjt që pati shumë sukses. Nga fundi nuk më erdhi ma dorëshkrimi i shkruem prej tij, por një dorëshkrim i panjohtun. At Zefin e kishin lanë sytë dhe ai vinte shënimin: “Këtë kapitull po e shkruen Ejis Rripa simbas fjalëve të thanuna prej Pater Zef Pllumit, i cili nuk shef mâ as me shkrue as me lexue.” Ishte e dhimbshme për të gjithë ata që e morën vesh këtë humbje shikimi. Ma vonë nipat e tij i siguruen një lente të madhe që ai e vinte mbi tavolinën e punës. Me të mundi të lexonte ndonjë shkrim apo të shkruente edhe pak krijimtari të re. Një prej shkrimeve të tij të fundit ishte tregimi biografik “Unë që jetova shumë shekuj”. Ma dha ta radhis vitin e fundit. Kam në kompjuterin tim faqet e para. E kam pyet nëse ka shkrue të tjera kapituj dhe më asht përgjigj se diçka kishte ba, por pak. Ndoshta njerëzit ma afër tij, duhet të interesohen për këtë vazhdim dorëshkrimi që të mund të botohet pas vdekjes, qoftë edhe i pa përfunduem.
Të shkruesh për të si shkrimtar kërkon mjaft vend, mbasi librat e tij kanë shumë informacion, vlera artistike dhe një larmi temash. Por unë do të ndalem vetëm në një aspekt të stilit të këtyne librave, sidomos në fushën e kujtimeve, që më duket e ban të dallueshëm nga lëvruesit e tjerë të kësaj gjinie.
Vërtetësia, thjeshtësia dhe modestia e të treguemit të një kalvari të pafund vuajtjesh që përfshijnë një periudhë ma se 27-vjeçare, janë vlera që lexuesi i përjeton menjëherë. Por tue qenë se asht i detyruem me renditë fakte e ngjarje që i shkaktojnë lexuesit një ngarkesë të lodhshme e të zymtë të jetës së burgjeve, ai, tue e ndie këtë ngarkesë, kërkon të gjejë dritare “çlodhjeje” dhe këtë e ban me shumë sukses.
Po ju kujtoj disa episode të këtij mjeti “çlodhës” . Asht tejet e zymtë jeta në kampin e Maliqit, ku të burgosunit jetojnë me një mijë vuejtje në baltat e kënetës, ku përveç lodhjes e urisë, janë të detyruem të ruhen edhe nga ushujzat gjakpirëse të moçalit. Njerëzit rraskapiten, rrihen, dënohen me izolim, dhe kjo i shkakton lexuesit një përjetim të zymtë. Por ja që autori gjen një “dritare” çlodhëse. Një malësor, i burgosun edhe ai, i tregon një ngjarje sa interesante gati edhe të pabesueshme. Tue qenë në gjak në katundin e tij ai merr arratinë në bjeshkët e nalta për t’u ruejtë nga gjakmarrësit. Jeton në një shpellë i izoluem dhe ushqehet me gjahun që siguron gjatë ditës. Por një mbramje, ndërsa asht ulë pranë zjarrit, sheh në hymje të shpellës shkëlqimin e syve të një ujku. I tmerruem nga ky rrezik i ri s’di çka të bajë. Puna e parë merr një hu të ndezun dhe sheh se ai nuk po i afrohet. Por si do ta kalonte gjithë natën? I hedh një copë bukë, por ujku i merr erë dhe
nuk e ha. Kujtohet se bisha nuk e pëlqen bukën. Atëherë i hedh një copë mish. Sheh me kënaqësi se ujku e përlanë menjëherë. Ishte arrijtë mirëkuptimi. Ujku dhe malësori ndejtën përballë njeni-tjetrit në paqe atë natë. Mbramjen tjetër ai erdhi përsëri në hymje të shpellës dhe malësori prapë i hodhi një copë mish. Mbramjen e tretë ujku ia shpërbleu tue i sjellë gjahun e tij dhe të dy, njeriu dhe bisha, lidhën miqësinë midis tyne. Por një ditë malësori dëgjoi një krisëm pushke dhe në mbramje ujku nuk erdhi ma në shpellës. Të nesërmen shkoi ndër barinj dhe pyeti mos e kishin vra. Një pyetje që ngjalli shumë dyshime, të cilat shkuen deri te posta ushtarake. Ky ishte edhe fundi i tregimit të malësorit mbasi ai u burgos i cilësuem si diversant dhe ishte në një qeli izolimi me At Zefin. Autori i kujtimeve të burgut e tregon këtë ngjarje si një “shplodhje” për lexuesin për ta largue nga tmerret e kampit famëkeq të Maliqit.
Këtë mjet artistik shkrimtari e përdorë shumë herë. Asht torturuese puna në kampin e bregdetit Pishporos të Vlorës. Por midis këtij ambienti torturues ai gjen një “dritare” tjetër çlodhëse tue tregue jetën e pelikanëve që popullonin bregdetin. Të burgosunit kishin numërue rreth 2000 pelikanë. Ishte koha e fluturimeve të tyne në vise të tjera dhe ata bajnë përgatitjet për këtë udhëtim të gjatë e të lodhshëm. Me një mprehtësi vëzhgimi ai tregon se si bahet kjo përgatitje. “Në fillim – shkruen autori – mblidheshin disa pelikanë të mdhaj në grupe të vogla prej 10-12 shpendësh. N’e nesret mblidheshin me shumicë jo në nji vend, por lagje-lagje, dikund 30, dikund 50 e dikund mâ shumë, sikur t’ishin të ndamë ndër fise. Më çojshin mallin e tubimeve ndër male tona… Fluturimi i çetës së parë fillonte mbas orës 9. Rreth 50 pelikanë fillojshin fluturimin të vumë në rresht mbas njanit që printe. Së pari, fluturimi bahej poshtë, në formë rrethore, mbi kënetë, e deri te fusha e shkollës së aviacionit, gjithmonë në ngritje, dhe kur afërsisht mbrrijshin naltësinë 300-400 metër atëherë çohej çeta e dytë, po n’atê mënyrë. Ashtu e treta dhe e katërta, derisa çeta e parë kishte mbrrijtë atje ku merrte drejtimin për udhëtim, gjithmonë drejt veriut.”
Në mënyrë simbolike, jepet liria e atyne shpendëve, përballë një kampi mundimesh ku njerëzve të rrethuem ndër tela u mungonte çdo gja njerëzore.
Asht gjithashtu një ambient i zymtë burgu i Ballshit. Por edhe këtu gjindet një oazë çlodhëse. At Zefi ka marrë detyrën të ushqejë pëllumbat e burgut. Aty çdo ditë vjen nga mali edhe një gushkuq i bukur, që e çmendte me kangën e tij. At Zefi e ushqen dhe ai përsëri kthehet të nesërmen me cicërimat mahnitëse dhe merr shpërblimin e ushqimit. Asht një lidhje shpirtnore midis kafshës dhe njeriut. Por një ditë, aty pari, kalon një oficer i burgut që e ndjek këtë skenë dhe mahnitet. Kur ikë gushkuqi ai e urdhënon At Zefin që të nesërmen ta kapë dhe t’ia dorëzojë. Por oficeri mori këtë përgjigje: “Zotni komandant, ai nuk asht zogu im, por asht zog malit… Don me shtí në burg edhe zogjt e malit!… U asht bâ mendja burg… burg!…”
Asht shumë e bukur thyerja që i ban autori momenteve torturuese të hetuesisë. At Zefi thirret kohë e pa kohë për të hetue një ngjarje kur ai ka qenë prift në një kishë të malësisë. E rrahin barbarisht për të tregue gjana që as i njeh as s’ka se si ti dijë. E shkapetin për mure, i ndrydhin duert, e lenë pa fjetë. Por kur ma në fund shkon në qelinë e tij, akull të ftohtë, e shtrihet në shtrat, i vjen ndër kambë një kotele që asht e gardianit të burgut. Kafsha mundohet t’ia ngrohë kambët kallkan. Krijohet një marrëdhënie e ngushtë midis njeriut dhe kafshës. Hetuesit-njerëz e torturojnë, kafsha i bahet shok në fatkeqësi.
Po e mbyll ilustrimin e këtij mjeti të bukur artistik me një episod tjetër që më ka lanë mbresë. Autori na çon në kampin e Shën Vasisë në Sarandë. I randë dhe torturues si të gjitha kampet e punës. Asht natë dhe At Zefin nuk e zë gjumi. Dëgjon diku larg
kumbimin e disa kambanave. Asht prag krishtlindjesh. I bajnë veshët apo asht një jehonë iluzive? Del jashtë tue u justifikue, para rojeve, se ka nevojë të shkojë në banjë. Jehona nuk dëgjohet ma. Shkon sërish të flejë, por përsëri ajo jehonë kambanash. Nuk u beson veshëve. Del përsëri jashtë dhe prapë nuk dëgjon gja. Autori ia ka arritun qëllimit. Asht fundi i viteve ’80, pragu i ndryshimeve të mëdha. Nuk e di nëse asht një trillim artistik apo i vërtetë ai kumbim kambanash (përballë kampit ishte Korfuzi mbushë me kisha), por unë dëshiroj ta komentoj këtë episod si një paralajmërim simbolik të asaj që do të vinte: lirimin e të burgosurve, por ç’asht ma e rëndësishmja, lirimin e kishës dhe të fesë në këtë vend.
* * *
At Zefi qe një historian e publicist shumë i angazhuem në vitet e fundit. Botoi një libër ku shpalosi mendimet e tij për fatet e demokracisë shqiptare, botoi shkrime për ta vendosur historinë në vendin e vet me të vërteta të pa censurueme, shkruejti një numër portretesh për figura historike, sidomos për ma të mëdhenjtë françeskanë. Ai u ba kështu një nga lëvruesit ma të dalluem dhe realistë të kujtimeve, të veprave letrare, të publicistikës. Dhe me të drejtë meritoi titujt më të naltë “Nderi i kombit” dhe “Penda e artë”. Meritoi edhe atë nderim të madh që i bani shteti, kisha e populli i Shkodrës në përcjelljen për në banesën e fundit. Ai do të mbetet në kujtesën e brezave.
“DOM”, FILM DOKUMENTAR PËR MESHTARIN DON PJETËR POPAJ
Njoftohet Komuniteti Shqiptar në Nju Jork me rrethina se Ditën e Dielë, më 23 Tetor 2016, në orën 3 e 30 pasdite, në Qendrën Kulturore”Nëna Terezë” , pranë Kishës Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës”, në adresën:
361 W Hartsdale Ave, Hartsdale, NY 10530-1657, United Statës
do të shfaqet Filmi Dokumentar mbi jetën dhe punën e meshtarit të palodhur Dom Pjetër Popaj si dhe jeta katolike në Nju Jork. 30 vite ne sherbim të komunitetit shqiptar dhe atdheut.
Ejani ta ndjekim së bashku!
Film Dekomentar është realizuar:
Regjia
Bujar Alimani.
Prezantimi & Idea
Dritan Haxhia.
Drejtor Fotografië & Montazhi
Sabir Kanaqi.
Producent – Dritan Haxhia & Damian Pervizi.
Muzika: Fatrin Krajka
Karamel” shfaqet në New York
Nga Mimoza Dajçi/
Fotot nga Noli- HairSalon/
Pak ditë më parë, në një nga ambjentet e “Producer’s Club” ne Manhattan shpalosi siparin e saj drama “Karamel” me skenar dhe regji të Naser Shatrollit, ku për personazhe kryesore ka babë e bijë – Mel dhe Maks. Rolin e Mel-it, e luan aktorja e talentuar Driada Matoshi, ndërsa babai – Maks interpretohet nga legjenda e artit shqiptar Ismet Azemi. Mundësia që kjo dramë të shfaqej edhe në SHBA, u arrit falë përpjekjeve të duhura të aktorit Xhevat Limani dhe Trupës së tij teatrore në Amerikë. Duke filluar me lojën aktoreske, desha të ndalem tek përzgjedhja e aktorëve, ku paraqiten babë e bijë dy personazhe me botë krejt të ndryshme.
Ismet Azemi është aktor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, vjen tek kjo dramë pas një eksperience shumë të bukur të skenës dhe ekranit. Ka luajtur me qindra role si në teatër, televizion ashtu edhe në ekranin e gjerë të filmave artistike. Eshtë fitues i Çmimeve dhe Vlerêsimeve të shumta, si në Kosovë, Shqipëri dhe botë. Performanca e tij ka qenë gjithmonë e një niveli të lartë klasik e bashkëkohor, ka luajtur jo vetëm në skenat shqiptare, por edhe ato europiane e botërore. Eshtë një aktor i dashur dhe i kërkuar jo vetëm nga regjisorë e producentë, por edhe publiku i gjerë.
Ja si shprehet gjatë bisedës me ne aktori Ismet Azemi: ” Shtrirja e kulturës dhe artit ndër shtetëror me miqtë tanë në Amerikë, qofshin shqiptarë apo amerikanë, për ne si komb tregon hapësirat që SHBA-të krijon për ne. Na bën që të besojmë tek miqtë tanë, të kemi shpresa se kemi një dorë shpirtërore që na mbështet dhe ne zotoheni se do të bëjmë çmos si artist që nëpërmjet artit dhe kulturës, jo t’ja u kthejmë se ndihemi borxhlinj, por tu tregojmë se ne do të mbrojmë artistikisht bashkëpunimin e vlerave të ndërsjellta. Pa dashur të dal nga vetvetja – vijon Z. Azemi, do të shpalos këtu sot, atë që ndjej si mirënjohjen time nga thellësitë e sinqerta për mikun tim të veçantë Xhevat Limani, i cili është një artist me zjarr pa tym, krejt flakë, që bëri të mundur ardhjen tonë me Teatrin e tij në SHBA. Gjithashtu shpreh edhe mirënjohjen time për të gjithë ata që dhanë ndihmesën e tyre për ne, përfshirë edhe ju Mimoza. Do të veçoja në këtë rrjedhojë të gjithë njerëzit që shprehën vullnetin e mirë për mikëpritjen tonë, duke mos lenë në haresë edhe stilistin Nazim Salihun, me emrin e përkëdhelur të biznesit të tij “Noli”, i cili gjithë kohës qëndroi afër nesh, që ne të dukeshim sa më të bukur e skenik gjatë shfaqeve tona”.
Vajza e Maks-it, lozonjarja Mel – Driada Matoshi, një aktore e re, premtuese e artit të së ardhmes. E bukur e gjallë në skenë, me lojën e saj kreative të imponon ta ndjekësh në skenë në çdo hap, fjalë dhe lëvizje të saj. Ajo vjen në këtë fabul shqiptare pas një sërë suksesesh në fushën e artit, televizionit, gazetarisë dhe shoqërisë civile. Ka një CV të pasur artistike. Ka luajtur në një sërë filmash dhe dramash në Kosovë. Për punën e saj të susksesshme ështe vlerësuar me Çmime e Medalje të ndryshme. Ka performuar mrekullishit si aktore në Kosovë, Tiranë, Europë e sot në SHBA, ku shpalosën dramën “Karamel” për disa net rradhazi në New York dhe Connecticut. Dramë që u mirëprit nga publiku artëdashës shqiptar dhe ai amerikan. Driada së fundmi është “përqëndruar” në teatrin urban – jetën urbane, për lirinë e saj mbuluar gjithë sharm. Dëshira e saj është që në menyrë simbolike për Paqen kudo ndër shqiptarë e botë të mbjellë një pemë në Sheshin “Nene Tereza”. Sipas Mel apo Driadës tonë të talentuar: “Drama “Karamel” e bazuar në dy aktorë, është e thjeshtë dhe e lehtë edhe për tu mbartur, se ka pak dekore dhe luhet vetëm ndërmjet dy personazheve babë e bijë. Eshtë një nga punët e mija më të dashura thotë ajo. Drama vijon Driada tregon një moment shpërthimi midis vajzës dhe babait, është dramë e fuqishme familjare, që prek dhe diskuton mbi vizionin e jetës, ardhmërisë e dashurisë njerëzore në familje. Fillimisht e kemi luajtur në Ferizaj, pastaj në të gjithë Kosovën, në teatrin eksperimental të Kiço Londos, në Metropolitan, Skampa në Elbasan, Tiranë, etj. Eshtë një dramë që unë e pëlqeva dhe e mirëprita menjëherë, pasi teatri që ne aplikojmë është përballë me publikun dhe nuk kam patur dyshim se shfaqja do të ishte një produksion i suksesshëm”.
Duke u ndalur tek regjisori i dramës “Karamel”, një nga dramaturgët më në zë, e i njohur në Kosovë Naser Shatrolli thotë se” – Kjo është një dramë njerëzore e ndërthurur me thupra të absurditetit – një komedi e zezë për rrethanat kosovare – shqiptare -universale, e kurthuar në kolovajzë kujtese. Kjo dramë nënvizon dramaturgu Shatrolli ka idenë e një fabule. Eshtë metaforë e mendësisë midis dy personazheve babë e bijë me karaktere e botë të ndryshme. Regjisori i njohur Naser Shatrolli ka një background të pasur si dramaturg, regjisor dhe skenarist, ai është nominuar për krijimitarinë e tij artistike edhe është fitues i disa Çmimeve të mëdha.
“Karamel” thotë Z. Shatrolli, e bëri rrugën e saj në Amerikë. Unë e kisha një dro-dileme, se si dhe sa do gjej interferim – komunikim artstik nëpërmjet tematikës dhe fabules që ka sendërtuar shfaqja në vetvete karshi rrethanave ku e kemi ndërtuar dhe udhëtimi që kemi bërë si dhe çmimeve që kemi marë ndër festivale e skena të shumta. Atë ndjesi unë si autor i shfaqes e kam marë, sespse e ndjeva në sallë tek audienca. Fjalët e tyre ishin më të thururat nga pjesa e komunitetit shqiptar, emra që ka nxjerë skena shqiptare ndër vite. Kemi marë adhurimin dhe bekimin shpirtëror nga kjo botë e këtij komuniteti njerëzor dhe human e artistik. Xhevat Limani qe “sherri” i këtij manifestimi kulturor me të cilin ne udhëtuam në Amerikë dhe u shijuam në të gjitha kuptimet. Mikëpritja ishte në nivelin e mendësisë së shtëpisë së Z. Xhevat Limanit, i cili na ka nderuar së tepërmi”.
Si pasqyryese e kësaj kronike pas shfaqes u takova me artistët shqiptarë nga Kosova. U ulëm në një kafe. Biseda ishte interesante. Në këtë turne ata ishin nderuar dhe shoqëruar edhe nga Udhëheqësi i Divizionit të Promovimit në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve në Qeverinë e Kosovës Imer Hakaj, pasi ky spektakël u mbajt nën patronazhin dhe bashkëpunimin e Teatrit Shqiptar në SHBA që drejtohet nga aktori dhe regjisori Xhevat Limani, Qeverisë së Kosovës dhe Konsullatës së Qeverisë së Kosovës në New York. Ndër të tjera në bisedë me Z. Hakaj ai tha: “Si falenderim i parë dhe i fuqishëm i shkon prej qeverisë tonë aktorit të njohur Xhevat Limani, i cili hapi dyert në fushën e aktrimit në shkëmbimin e kulturave Kosovë – Amerikë. Uroj që këto përvoja të mbahen edhe në fusha të tjera me interes për Kosovën. Falenderojmë miqtë tanë Nazmi Salihun, e të tjerë që na mbështetën në shfaqet e trupës tonë teatrore si në New York ashtu edhe në Connecticut. Si zyrtar i shtetit uroj që së shpejti të fillojë edhe bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore, përkatësisht në Muzeun e Kosovës, ku përveç mikut tonë në SHBA, James L. Griffin dhe Xhevat Limanit, të cilët po punojnë për ekspozitën e luftës në Kosovë, të angazhohen edhe individë apo dashamirës të tjerë të artit, historisë dhe kulturës shqiptare apo dhe amerikane”.
Edhe pse këtij reportozhi po i vjen fundi, nuk mund të qëndroj indiferente pa përcjellë disa rreshta për mikëpritësin kryesor të kësaj trupe teatrale nga Kosova, artistin me zemër të madhe dhe patriotin Xhevat Limani, i cili me dashamirësinë e tij për artin dhe për vlerat e bashkimit të kombit nëpërmjet artit, realizoi shpalosjen e dramës “Karamel” në SHBA. Xhevat Limani një aktor klas, artist dhe regjisor i shumë teatrove, dramave dhe filmave artistikë, njihet kudo për interpretimet e tij të përkryera në role dhe episode të ndryshme artistike. Njeri fisnik e human që i përket asaj pjedale artistësh që edhe pse nën shtypjen e okupatorit krijuan fizionominë e artë të artit skenik shqiptar. Z. Limani është jo vetëm një artist i suksesshëm në fushën e dramës dhe kinematografisë shqiptare, por edhe një lider i suksesshëm në komunitet e më gjerë, një patriot me shprit karizmatik dhe “luftëtar” i paepur i çështjes kombëtare. Nëse më lejon artisti Ismet Azemi më duhet të përsëris fjalët e tij, kur thotë se, artisti Xhevat Limani është një zjarr pa tym, e vetëm flakë, pasi prodhimtaria e tij artistike dhe performanca e tij e lartë e pasqyron më së miri figurën e këtij aktori të përmaseve dhe niveleve me shkallë botërore. Kur e pyeta Xhevatin nëse ka diçka për të thënë për këtë rast, pranon heshtjen. Dhe ishte e kuptueshme, pasi puna edhe zemra e tij e madhe flasin vetë për fisnikërinë dhe lartësinë e tij si qënie humane.
Për grimin dhe stilimin e aktorëve u kujdes stilisti i njohur në Kosovë, Maqedoni, Europë dhe SHBA – Nazim Salihu, si dhe qendra e tij e stilimit “Noli” Hair Salon.
- « Previous Page
- 1
- …
- 20
- 21
- 22
- 23
- 24
- …
- 63
- Next Page »











