• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2016

Thirrje e VATRES

October 6, 2016 by dgreca

Të ndimojmë Suzanna Shkrelin për Kongres/

“Vatra” njofton se do te organizoje nje takim me qellim për të ndimuar Suzanna Shkrelin nga shteti Michigan, në garën e saj për Kongresin Amerikan.
Eshte në misionin e “Vatrës” të nxise dhe të përkrahe përparimin dhe integrimin e shqiptarëve në jetën amerikan, qoftë ajo e arsimit dhe kulturës, e “business-i” dhe politikës, në frymën e traditës së kësaj demokracie të madhe.
Prandaj “Vatra” u ben thirrje antarëve të vet, shoqatavee dhe të gjithë shqiptarëvee në komunitet që, së bashku, të tregojmë solidaritetin tonë me përkrahjen e kandidaturës së kësaj kandidateje shqiptaro-amerikane, për t’a çuar antare të Kongresit në Washington. Ajo ka lindë në Shtetet e Bashkuara te Amerikes nga prind të emigruar prej trojevet shqiptare dhe eshte kryelartë për origjinën e saj. Me përgatitjen profesionale dhe me me cilesitë fisnike të trashiguara jemi të bindur se ajo do te jete nje kongresiste e denjë që do të përfaqësojë me dedikim interesat e zonës së saj elektorale, interesat dhe vlerat me të mira të popullit amerikan, të këtij populli bujar e fisnik dhe mik e dalëzotës i popujve të vegjël në përgjithësi dhe i shqiptarëve në mënyrë të veçantë.
Takimi do të mbahet ditën e djelë me 9 tetor 2016, prej orës 3:00 deri në 6:00 mbas dreke, në selinë e “Vatrës”, në 2437 Southern Boulevad, Bronx NY 10458.
Kryesia
(Gazeta DIELLI)

Filed Under: Vatra Tagged With: thrirje per Suzanna Shkrelin, Vatra

Imzot Prof. Jul Bonati, Njëri nga të Tridhjetë e Tetë Martirët

October 5, 2016 by dgreca

Nga Pirro Dollani/ Las Vegas/

1-pirro-dollani

Prologu/

Pikërisht, më5 nëntor 2016 do tëmbahet dita historike e Ritit të Lumnimit e të Naltimit në Altar të 38 martirëve që dhanë jetën për Kombin e për Fenë.Për të arritur në këtë Ditë Historike është kaluar nëpër një proces të gjatë analize, prej 10 nëntorit 2002 – deri në 8 dhjetor 2010, nga ekspertët e Kongregatës të Selisë së Shenjtë për çështjen e Shenjtërve. Procesi përfundoi më 26 prill 2016 kur Papa Françesku firmosi dekretin për të shpallur të Lumë 38 martirët. Vetëm dy muaj mbas shenjtërimit të Nënë Terezës, vjen ky nderim për 38 martirët.Në dekret është caktuar Sheshi i Katedrales së Shën Shtjefnit, në Shkodër, si vendi ku do të zhvillohet ceremonia.Prefekti për Çështjen e Shenjtërve, Eminenca e tij, Kardinali Angelo Amato, është caktuar Drejtuesi Ritit të Lumnimit.Në listën me 38 emrat e martirëve, të cilët nuk janë rreshtuar sipas rendit alfabetik, emri i Imzot Jul Bonati rreshtohet i treti me këtë përcaktim:“Meshtari i madh intelektual, burgosur, torturuar, e mbyllur në çmendi; si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prenushit, i cili i dha shûjtën për shtegtimin e mbram: Vojimin e Shenjtë.”

1-martires-albania-31-37                                                                                                                                                                        * * *

Kush ishte Imzot Prof. Jul Bonati?/

1-mons-jul-bonatiJul Bonati lindi në Shkodër më 24 maj 1874 në një familje me tradita të shquara patriotike. Gjyshi i tij, Nikollë Bonati ishte një nga themeluesit e Shoqërisë së Shkronjave të Stambollit. Imzot Jul Bonati studioi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër. Është diplomuar në Filozofi dhe Letërsi në Vjenë, Austri dhe në Padova, Itali.Më 1912 dorëzohet prift dioqezan dhe vendoset në Stamboll për të shërbyer në detyrën e famulltarit të katolikëve shqiptarë që ndodheshin atje. Shërben 16 vjet në Stamboll, ku merr pjesë aktive në lëvizjen kombëtare. Nga viti 1920 deri më 1924 ishte anëtar i Klubit “Pragu shqiptar” që kryesohej nga Jonuz Bej Kolonja dhe Anastas Frashëri.Prej viteve  1942 -1946 ka jetuar në Itali ku ka vazhduar punën shkencore e letrare deri në fund të vitit 1945 kur kthehet në Shqipëri. Në hetuesi Imzot Prof. Jul Bonati pohon se “në vitin 1945 jemi mbledhë në Romë në takim me Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë anglezët me avion në Shqipni.” Më 1946, në moshën 72 vjeç arrestohet dhe me vendimin nr. 429 datë 31.10.1947 të Gjykatës Ushtarake është deklaruar fajtor për krimin: Agjent i Vatikanit , dënohet me 7 vjet heqje lirie. Vdes i masakruar në spitalin e burgut më 5 nëntor 1951. Sipas Prof. Dr. Ajet Shahu, “Imzot Jul Bonati u gjet në një dhomë copa-copa, i shkryem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm.”Kështu barbarisht e mbylli jetën filozofi, humanisti, studiuesi, përkthyesi e prifti Jul Bonati. Pikërisht, 65 vjet nga dita e vdekjes së tij do të kremtohet Riti i Lumnimit e i Naltimit në Altar i Imzot Prof. Jul Bonatit, së bashku me 37 martirët e tjerë.Është ky një përkim i rastësishëm apo i paracaktuar për të fshirë nga kujtesa atë vdekje barbare që, mbas sodit, dita e 5 Nëntorit të mbetet në kujtesën e kombit si dita e bardhë e Lumnimit dhe e Naltimit në Altar të Imzot Prof. Jul Bonatit së bashku me 37 martirët e tjerë?

* * *

Grimca kujtimesh

Edhe pse nën regjimin komunist ishte shumë e vështirë të flisje e të përkujtoje të afërmit e tu që pushteti i quante Armiq të Popullit, përsëri njerëzit përpiqeshin të mbanin gjallë emrin dhe kujtimin e tyre.

  1. Aleksandër Bonati, nipi i Imzot Jul Bonatit e që trashëgon emrin e babait të Jul Bonatit, tregon: “Nana jonë ishte shumë e guximshme dhe na merrte ne fëmijëve për të parë axhën në burg. Babai gjithnjë i thoshte të mos shkonte se do të na ndodhte ndonjë gjë e keqe. Por nana i përgjigjej: ‘Mos u shqetëso mor Jerom, se marrim bekimin e Julit.’ Në shtëpi prindërit flisnin për Imzot Jul Bonatin, por me rezerva, se rrethanat ishin shumë të këqija dhe frika ishte se ne fëmijët padashje mund të flisnim jashtë dhe pasojat do të ishin drastike. Për herë të parë kam folur jashtë shtëpisë për të, shumë vite më vonë, kur punoja mësues. Një koleg, më i vjetër se unë, Prof. Burhan Hoti, më merr një ditë veçan larg njerëzve dhe mureve të shkollës, e në një cep të oborrit më thotë: ‘Dua të them diçka. Duhet të dish se nga të dy prindërit tuaj jeni një familje shumë atdhetare. Axha i babait tuaj, Jul Bonati, ka qenë një personalitet e patriot i madh, pavarësisht nga disfatat e jetës. Ai ishte ndihmësi i zotit Luigj Bumçi, kryetarit të delegacionit në Konferencën e Paqes e i ngarkuar nga dërgata e shqiptarëve të Stambollit shkon në Paris së bashku me 50 mijë firma, ku kërkohej që Korça dhe Gjirokastra të mos i jepeshin Greqisë.’ Kjo ka qenë hera e parë në jetën time ku më është folur hapur për figurën e Imzot Jul Bonatit. Po kështu, nipi tjetër zoti Anton Bonati kujton:Mbaj mend që nëna, Esther Bonati, na mori, ne fëmijët për të shkuar në spitalin e burgut për t’u takuar me Imzot Jul Bonatin, se siç na tha, të nesërmen do ta nxirrnin. Sa e takuam, i tha nanës: Mirë që më kanë fut në burg padrejtësisht, po pse m’i kanë dërrmu gjunjët duke më qëllue me objekte hekuri?  Jam shumë i preokupum se nuk do të jem në gjendje me qindrue në kamb’ për me zhvillue meshën kur të dal nga burgu. Mbaj mend nanën që i tha: Mos u shqetso Jul, me bastun ta japësh meshën, me bastun! Ai heshti një çast, fytyra i çeli dhe tha: “Ah, s’më kishte shkue n’mend.” Kishte ruajtur racionin e marmalatës që i jepnin për mëngjes dhe na i dha ne fëmijëve. Të nesërmen pritëm që të dilte nga burgu, por na njoftuan se kishte vdekur. Një vdekje e papritur. Nga prindërit dëgjuam se disa “të sëmurë” të tjerë e kishin rrahur, copëtuar.

Në heshtje durrsakët e vuajtën vdekjen e tij.Paçka se në varrimin të tij ishin vetëm pjesëtarët e familjes,3-4 veta gjithsej, pasi njerëzit ishin të frikësuar nga terrori komunist. Qyteti i Durrësit historikisht ka qenëi njohur për harmoninë ndërfetare midis myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve. Padyshim për këtë harmoni kanë kontribuar klerikët e shquar Mustafa Varoshi, Erazmi Jorgo, Vinçenc Prendushi e Jul Bonati të cilët dilnin shëtitjet bashkarisht nëpër rrugët e qytetit. Gazetari Gëzim Kabashi, mban mend një bisedë me zotin Ilia Jorgo, djalin e At Erazmi Jorgos, që i tregonte se babai i tij, shoqërohej shpesh me Myftiun e Durrësit, Mustafa Varoshin dhe Imzot Jul Bonatin. Një traditë e mrekullueshme që Imzot Jul Bonati kishte dhënë edhe ai ndihmesën e tij e që duhet të përtërihet në kohën tonë.

* * *

Veprimtaria përkthyese e studimore

Imzot Jul Bonati është marrë shumë edhe me studime shkencore e përkthime.

  1. Aleksandër Bonati tregon sesi një kushëri i tij dhe i Imzot Jul Bonatit, zoti Mario Kolenda,me banim në Brazil, kishte marrë një letër nga Imzot Bonati ku ishkruante se gjatë 16 vjetëve të qëndrimit të tij në Stamboll kishte kërku në arshivat e atjeshme dhe kishte mbledh shumë materiale me vlerë për vendin tonë. Po kështu, gjatë periudhës që kishte qenë i sëmurë në Firencë,kishte mbaruar përkthimin në italisht të “Lahutës së Malcis” dhe sapo kishte nisur punën me përkthy “Kanunin” e Lekë Dukagjinit.

Papa Piu X i pati thënë Imzot Serreqit: “Jeni të lum që keni . . .martir si Imzot Bonati që ka përthye Lahutën e Malcis” n’italisht.”

Po këtë pohim e bën edhe Prof. Arshi Pipa. “Një ditë sollën në qelinë tonë, Imzot Jul Bonatin, famullitarin e Vlorës. E sillshin për ta strehue në azilin e të çmendunve në Durrës. E kisha njoftë që kur kisha kenë student në Firenze. Ai përpiqej asokohe, me shtypë përkthimin e vet të “Lahutës. . .”

Kjo anë e krijimtarisë së Imzot Bonatit pati të njëjtin fat tragjik që pati edhe një pjesë e madhe e krijimtarisë së Serembes. Nga tërë përkthimi i “Lahutës së Malcis” na ka mbetur vetëm Kënga e Pestë, ndërsa nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit”nuk dimë asgjë. Sipas zotit Aleksandër Bonati, një kushëri i tij dhe i Imzot Jul Bonati, zoti Mario Kolenda, që gjatë vitit 1945 ka pasur banuar në Bari, e ka ndihmuar Imzot Jul Bonatin duke çuar vetë tre kutia plot me studime e shkrime të Imzot Bonatit te Misioni Shqiptar i UNRRA-s në Bari, me qëllim që t’i dërgonin në Durrës. Zoti Mario Kolenda kishte edhe një letër që Imzot Bonati ia adresonte personalisht znj. Penington, përgjegjëse e këtij Misioni. Mbasi janë bërë gjithë veprimet përkatëse, Znj.  Penington ia kthen letrën z. Kolenda, i cili para se të vdesë ia dërgon kushëririt të tij Aleksandër Bonatit, letër që po e botojmë në këtë shkrim:

“I lutem UNRRA-s, misionit shqiptar në Bari, në rrugën Dante Aligeri, që dashamirësisht të dërgojnë në UNRRA-ne Durrësit,tre pako të përmbledhura brenda një kutie të vetme,duke njoftuar znj.Ruth V.Penington të UNRRA-s, misioni shqiptar CMF Durrës, që kutia e sipërpërmendur i përket të nëshkruarit Imzot Jul Bonati.”1-letraNjë mijë Falenderime,

Prof. Jul Bonati Bonatti

Këto materiale u transportuan dhe arritën në Durrës, por Imzot Jul Bonati mbas kthimit në Shqipëri përfundoi në burg, dhe kjo pjesë e krijimtarisë së tij s’dihet se ku ndodhet apo kush i ka përvetësur.Është detyrë e Institucioneve të Akademisë Shqiptare të hulumtojnë për këtë krijimtari të Imzot Jul Bonatit.

* * *

jul-bonati-varri1Ku prehen eshtrat e tij?

Eshtrat e Imzot Jul Bonatit, ashtu të copëtuar nga barbarët e kuq, prehen në varrin e familjes Bonatinë Spitall, në varrezat e vjetra të Durrësit, së bashku, me nipin e tij, Jerom Bonatin dhe zonjën e tij, Est-herin, gruan e guximshme që i shkonte në burg si edhe me nanën e Jerom Bonatit, Evgjenin. Pranë varrit të Imzot Jul Bonati, është edhe varri i një figure tjetër, e barasvlefshme me të,në shumë aspekte, dhe pikërisht, varri i mjekut Ben Çetta, që dha gjithçka që kishte për njerëzit: dijet, shërbimin, zemrën dhe mori të njëjtën shpërblim si të Imzot Jul Bonatit: burgun, madje edhe më të gjatë se Imzot Bonati. Është rastësi vallë që varret e tyre janë pranë? Ndoshta po, por zemra, na thotë jo, jo! Për Imzot Jul Bonati dhe Dr. Ben Çetta, siç thotë populli, “ka qenë e shkruar” për të qenë pranë e në shoqëri të amshuar me njeri-tjetrin, pasi jo vetëm dijet, zemrat, shpirtrat, por edhe fatet i kishin të njëjta: dhanë gjithçka që kishin për njerëzimin dhe si shpërblim morën përbuzjen,torturat, burgun.

* * *

Epilogu:

Padyshim, që ditën e kremtimit të Ritit të Lumnimit e të Naltimit në Altar të 38 martirëve, së bashku me popullin do të jenë edhe klerikë nga të gjitha fetë, si edhe politikanë e pushtetarë. S’ka dyshim që në mesin e tyre, do të ndodhen edhe “kryqëzuesit” e këtyre martirëve, ata që duke i torturuar e duke i pushkatuar, talleshin me ta: “Hë, ku është Zoti yt?”

Këta xhelatë janë gjallë, por kanë ndërruar lëkurë e kanë veshur petkun e njeriut demokrat. Jo pak njerëz do të donin që ndaj tyre të hakmerrej, ashtu siç e meritojnë. Por, për krishterët e vërtetë katolikë, hakmarrja është e papranueshme. Siç shprehet Imzot Massafra, “Ne urojmë që ata të jenë të pranishëm në Festën e 5 Nëntorit. Qëtë binden plotësisht se Zoti ishte aty, në qelitë e qelbura e para plotoneve të ekzekutimit. . .

…Edhe më 5 nëntor 2016, Zoti do të jetë aty!”

 

Filed Under: Histori Tagged With: Imzot Prof. Jul Bonati, martiri, Pirro Dollani

Ferdinand Gjyli,mekaniku duarartë dhe veprimtar i Vatrës në Tampa

October 5, 2016 by dgreca

NGA  FADIL SHEHU, FLORIDA/

2-gjyli-ferdinand-ok

Ne Foto:Ferdinand Gjyli/

Jeta e Ferdinand Gjylit, lindur dhe rritur në qytetin në qerpik deti Jonian, me madhështinë e gjelbërimit të përhershëm të ullinjve,dhe lartësisë së Kus Babasë, nga ku qyteti i Vlorës,shfaqet si në pëllëmbë të dorës,është një jetë e qetë,me tallaze si deti,i cili në vite mbrujti cilësitë,e respektit dhe dashurisë për njerëzit dhe punën,trashëguar nga prindërit e tij të nderuar,Llazar dhe Gjinovefa Gjyli. I rritur në një mjedis të një familje punëtorësh,zanatçinj  dhe njerëz fisnik,Fedinandi rrinte shpesh herë pranë të atit,të cilit i “hanin” duart për punë.Ai krenohej me vlerat njerëzore dhe pasionin për punë të të atit,i cili po injektonte e mishëronte tek i biri dashurinë për profesionin e bukur dhe interesant të elektroudit.Pas përfundimit të shkollës së mesme të përgjithëshme “Ali Demi”, si zambak i bardhë në zemër të qytetit,ku ende nuk i kishte mbushur të 20-tat,krahas pasionit për tu bërë basketbollist i njohur,falë shtatlartësisë,trupit të  tij babaxhan, duke fitur përditë fansa të kësaj loje magjike,nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur, Vladimir Mustafaj,shumë shpejt brenda tij,po rritej dhe hidhte shtat dhe dashuria për të mësuar profesionin e elektroudit.Në fillim ai nis punën si motorist në parkun e bonifikimit,duke mësuar shumë shpejt të fshehtat e këtij profesioni,të cilin po e zotëronte mjaftë mirë.Gjithashtu deri në netët e vona,shpesh,Ferdinandi apo Fredi siç e njohin tashmë të gjithë në zonën ku shtrihen qytetet Tampa,Saint Petersburg,Largo, Clearuotër,Nju Port Riç…qëndronte,studionte dhe vinte në praktikë të rejat e profesionit të elektroudit,pranë të atit të tij,Llazarit.duke fituar cilësitë më të mira të tij.”Dardha ,bie nën dardhë”-thotë populli. Aftësitë e këtij profesioni që zotëronte me shumë pasion djaloshi, që po mbushte të 24 vitet  e jetës së tij, u bënë të njohur shumë shpejt në mjedisin vlonjat, si të parat rreze të diellit mbi supet e kurrorës së blertë të ullinjve mbi Kaninë, që nisin të ngrohin gjithë qytetin,duke fituar dashamirësinë dhe fjalët më të mira nga banorët e këtij qyteti.Pikërisht në këtë moshë fare të re, Ferdinad Gjyli, njihet si novator i talentuar duke befasuar dhe mjaftë mjeshtra të këtij profesioni. Ai nderohet me titullin,Mjeshtër.Nga duart e tij të arta, prodhohet e para bankoprovë në shqipëri për profesionin e elektroudit. I ati bëhet me krah dhe i lumtur që profesionin e tij,tashmë po e trashëgon i biri. Pas viteve 90-të.si shumë bashkëmoshatarë të tjerë,Fredi, ndërmer tentativë për të shkuar dhe punuar si emigrant në Greqi.Por të ardhurat financiare nuk përballonin dot kushtet e jetesës të familjes së tij, duke bërë që ai të siguroj një vizë pune për të shkuar dhe punuar në SH.B.A. Ishte vjeshtë e vitit 1999,kur ai largohet nga familja,të afërmit,shokët…nga shqipëria,për tu ankoruar përfundimisht,në qytetin Cllearwotër,të shtetit të Floridas,ku më pas integrohet familjarisht në jetën amerikane.Sërish Fredi nis të punoj si mekanik. Puna mjaftë cilësore,përkushtimi dhe korrektësia e treguar ndaj klientëve që shtoheshin përherë e më shumë,bëjnë që ai të hap servisin e tij, madje të punësoj dhe zanatçinj të profesionit të mekanikut dhe shqiptarë. Krahas  shqipes, ai zotëron mjaftë mirë gjuhët greqisht,anglisht dhe spanjisht.çka bëjnë që në kumunikim me klientë, që i përkasin mjaftë kombeve dhe vijnë në këtë servis, të jenë të kënaqur me komunikimin dhe kërkesat e tyre.Prej dhjetë vjetësh ai punon në këtë servis duke synuar që cdo klienti të mos I mungoj as “maja e gjilpërës”dhe të jetë i kënaqur me punën që ai kryen.

1-ferdinand-gjyli

Ne Fotografi: Ferdinand Gjyli gjate punes ne oficinen e tij ne Clearwater/

Ndërkohë në hapësirat e këtij servisi ku padyshim duart e Fredit llangosen nga punët që kryen në trupin e çdo makine,i mbuluar me bula djerse në fytyrë,të terheqin vëmëndjen dhe siluetat e dy djemve të tij, Mario,i cili po studion në vitin e fundit inxhinjeri elektronike dhe kompjuter dhe Antonio për inxhinjeri elektrike.Të dy ndjejnë pranë këshillat dhe sugjerimet e atit të tyre, duke i qëndruar punës tek koka. Por kurrësesi Fredi nuk harron të thotë fjalë mirënjohje  e respekti për bashkëshorten e tij të nderuar Kozeta,e cila jep një ndihmesë të pa kursyer ndaj familjes.Kudo, në rrugë,në kafe Star baks,në vende pune apo në kohën e lirë, kur jo pak shqiptarë mblidhen në mes tyre,padyshim që biseda do të rrok dhe emrin e mekanikut duar artë Ferdinand Gjyli,duke e pagëzuar atë si “doktor”të makinave.Mjaftë klientë nga shqipëria,Mali I Zi,Kosova,Maqedonia,Greqia,Kuba, e vende të tjera, të thonë se makinën për cdo defekt e cojmë tek Fredi,sepse aty kemi siguri,cilësi,korrektësi dhe nuk është i shtrenjtë si në serviset e tjera.Gjithcka për këtë ecuri të sukseshme,Fredi ja dedikon mbi gjithçka trashëgimisë të atit të tij,Llazarit por njëherazi synon që ky profesion të jetë i sukseshëm dhe tek dy djemtë e tij.Vitet ikin duke ndjekur njeri tjetrin…ndoshta tek ai  qëndrojnë si prush i ndezur, malli, nostalgjia…Zemra ndjen qytetin ku u rrit dhe hodhi shtat,për tu kthyer një ditë përfundimisht.Për ndjenjat që i trazojnë shpirtin,i gëzuar ai tregon foto nga shtëpia e re që po ndërtohet sapo kalon tunelin e Ujit të Ftohtë,fare buzë bregut..me shikim nga deti.Në qytetin e Cllearwotër,ku prej dymbëdhjetë vjetësh Fredi ka shtëpinë e tij,përherë është mes miqve e shokëve, madje nuk mungon në çdo aktivitet artistik e përvjetor.Ai është i kudo ndodhur në ngjarje dhe probleme që mbart komuniteti shqiptar në Florida,në veçanti Dega e Vatrës në Tampa Bay.Nuk harron të shpreh respekt e fjalë mirënjohje për drejtuesit e kësaj dege nën përkushtimin e të cilëve,u hap e para shkollë shqipe në Florida,si dhe përgatitjet që kanë nisur qysh tani për festat e 28- 29 Nëntorit, ku shqiptarët do festojnë si gjithmonë së bashku këtë evenimet të ndezur nga vallja e kënga shqiptare, të cilën do e  pasurojnë edhe më shumë prania  e  këngëtarëve të njohur Irma Libohova, Ylli Baka e të tjerë.Biseda rrjedh e pastër,e sinqertë si vetë emri që mban qyteti Clearwatër,midis njerëzve,ku padsyshim  do të përmëndet dhe emri i njeriut fjalë pak,të ciltër,Ferdinand Gjyli,i cili njihet në veçanti dhe për vlerat e tij bamirësie e humanitare.Kryetari i degës Vatra Tampa Bay,Tasim Ruko,njeri prej të cilëve që këmbënguli që të shkruhej një portret për mekanikun e palodhur dhe veprimtarin e shquar të kësaj dege,të flet me optimizëm për vlerat që mbart Fredi,të cilat me të drejtë e kanë bërë të njohur në mjaftë qytete të shtetit të Floridas.Në çdo kohë ai është i kudo ndodhur si anëtar, aktivist dhe i njohur në mjaftë raste si njeri me zemër të madhe dhe human.Ai kurrë nuk kërkon të dalë dhe të tregoj se është dikush në zgjidhjen e problemeve dhe kërkesave, në mënyrë të veçantë ndaj njerëzve dhe familjeve në nevojë,duke i ndihmuar moralisht dhe financiarisht.Rastet ku ai ka ndihmuar individë dhe familje në rast fatkeqësie apo sëmundje nuk janë të paktë, duke treguar së është një njeri pa zhurmë e bujë.I tillë është  Ferdinand Gjyli,vlonjati me duar të arta,njeriu i mirë me vlera humane, bamirësie,aktivisti i palodhur i shoqatës Vatra në Tampa Bay, në Shtetin e Floridas.

 

Filed Under: Opinion, Vatra Tagged With: Fadil Shehu, Ferdinand Gjyli, mekaniku, vatrani

Mundësitë për fitore të Suzanna Shkrelit janë reale

October 5, 2016 by dgreca

Dr. Gjon Buçaj njofton se në Kryeqëndrën e Vatrës në Bronx të New Yorkut, organizata më e vjetër shqiptare në Amerikë, organizon të djelën me 9 tetor nga ora 3-6 një takim me qëllim për të mbledhë fonde për fushatën e Suzanna Shkrelit./  

1 Suzana shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Ja, kanë mbetur edhe katër javë deri në zgjedhjet e përgjithshme këtu në Shtetet e Bashkuara, ku pritet që më 8 nëntor votuesit amerikanë të hedhin votën, në nivel kombëtar, për president, për të gjithë anëtarët e Dhomës së Deputetëve dhe për një numër antarësh të ri të Senatit amerikan.   Një kandidate që synon anëtarësimin e saj në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit të ri amerikan, është edhe Prokurorja shqiptaro-amerikane, Suzanna Shkreli.   

Ajo e filloi fushatën në fillim të korrikut, dhe tani gjëndet në kulmin e një fushate që duket gjithnjë e më shumë si një fushatë serioze dhe bindëse, se mundësitë për një fitore të Suzanna Shkreli ditën e zgjedhjeve, janë reale.  Fushata e saj dhe mbështetja që ajo ka gjetur tek votuesit e distriktit ose të zonës elektorale të saj, në të vërtetë, ka habitur analistët politikë të zgjedjeve dhe njëkohsisht suksesi i deritanishëm i fushatës së saj ka shqetësuar aq shumë kundërshtarin e saj republikan, sa që ditët e fundit, ai është detyruar të sillte në atë distrikt Kryetarin e Dhomës së Përfaqsuesve, Z. Paul Ryan, personin numër një të republikanëve, për të bërë fushatë në favor të kandidatit republikan,  kongresistin e tanishëm Mike Bishop.  Vizita e republikanit numër një të këtij vendi në zonën elektorale të Suzanna Shkrelit, në përpjekje për të shpëtuar kandidatin e Partisë Republikane nga një humbje e mundëshme, nënvijon seriozitetin me të cilin republikanët e konsiderojnë kërcënimin që vjen nga kandidatura e Suzanna Shkrelit, ndaj  kandidatit të tyre.

Kur Suzanna filloi fushatën e saj për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në fillim të korrikut që kaloi – megjithse filloi vonë sepse kandidatja e mëparshme e demokratëve u tërhoq për arsye shëndetsore — Shkreli deklaroi se ishte gati për një ndërmarrje të tillë megjithë punën e rëndë që nevojitej dhe me gjithë ashpërsitë me të cilat karakterizohen normalisht fushatat politike këtu në Shtetet e Bashkuara dhe sidomos fushata për zgjedhjet e këtij viti.   Ajo është duke zhvilluar një fushatë të fortë dhe gjithëpërfshirëse, me një program të qartë në mbështetje të interesave të qytetarëve të zonës elektorale ku jeton, e të cilët ajo shpreson që tani e deri më 8 nëntor, t’i bindë që të votojnë për të.   Fatbardhësisht, Shkreli ka siguruar mbështetjen e fortë të Partisë Demokrate dhe ka marrë tanimë mbështetjen e organizatës më të madhe në Amerikë, e cila veprimtarinë e saj ia kushton zgjedhjes së më shumë femërave në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shtetit amerikan. Njëkohsisht, Suzana Shkreli është duke llogaritur edhe në ndihmën dhe mbështetjen e pa kursyer të komunitetit shqiptaro-amerikan anë e mbanë Shteteve të Bashkuara.  

Andaj, ky shkrim është edhe një apel, drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan në veçanti, por edhe shqiptarëve kudo që të ndihmojnë fushatën e saj.   Sot është dita dhe ky është momenti për komunitetin shqiptaro-amerikan që ta tregojë veten si gjithmonë më parë i gatëshëm për të marrë pjesë masive, jo vetëm në përpjekjet  e tyre për të ndihmuar kur e lypte nevoja, shqiptarët dhe të drejtat e tyre në trojet anë e mbanë Ballkanit Perëndimor, por të tregojnë gjithashtu se janë të gatëshëm të mbështesin komunitetin e vet në këtë vend, duke mbështetur kandidatët, si Suzanna Shkreli, për poste të ndryshme shtetërore dhe federale.

Në këtë frymë mbështetjeje për të cilën është dalluar deri tani komuniteti, kandidatja shqiptaro-amerikane për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara është takuar para dy javësh me një grup aktivistësh të komunitetit në New York dhe të djelën më 9 tetor – siç mund të shihet në njoftimin më poshtë — ajo ka në plan të marrë pjesë në një takim fond-mbledhës për fushatën e saj, në Kishën Katolike Shqiptare të Shën Palit në Detroit, të sponsorizuar nga Shoqata Malësi e Madhe, Shoqata Kosova, Shoqata Dukagjini, Shoqata Vatra dhe nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan i shtetit Miçigan.

Ndërkaq, gjithashtu, Dr. Gjon Buçaj sapo njoftoi se në Kryeqëndrën e Vatrës në Bronx të New Yorkut, organizata më e vjetër shqiptare në Amerikë organizon të djelën me 9 tetor nga ora 3-6 një takim me qëllim për të mbledhë fonde për fushatën e Suzanna Shkrelit.           

Sot, komuniteti shqiptaro-amerikan është një komunitet shumë vital dhe tepër aktiv në një numër fushash të aktivitetit shoqëror, ekonomik, kulturor e madje edhe shkencor, si dhe në fushën e informacionit teknologjik, ndër të tjera.  Nuk besoj të ketë ndonjë fushë me rëndësi zhvillimi në këtë vend që të mos ketë shqiptaro-amerikanë të përfshirë në të.  Fusha ku ne mungojmë është pjesmarrja në arenën politike, në proceset zgjedhore, sidomos në nivel federal, por edhe shtetëror dhe vendor.  Brezi i ri që përfaqëson Suzanna Shkreli është gati për të marrë pjesë në këtë proces.  A është gati komuniteti që të angazhohet seriozisht për të marrë pjesë dhe për t’i mbështetur këta të rinjë e të reja në proceset zgjedhore, ashtu siç kanë bërë e bëjnë shumë grupe etnike në këtë vend?  Shpresojmë që edhe komuniteti ynë këtu në Shtetet e Bashkuara të inkurajojë dhe të mbështesë në mënyrë aktive pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Amerikë, siç është kandidatura e Suzanna Shkrelit.  Megjithëse të suksesshëm në shumë fushë të veprimtarisë dhe të jetës amerikane, komuniteti shqiptar nuk do të arrijë kurrë nivelet e suksesit dhe të integrimit të plotë që meriton   në jetën politike të këtij vendi në veçanti dhe në jetën shoqërore të Amerikës në përgjithësi.  

8 Nëntori pra paraqet rastin dhe mundësinë që komuniteti shqiptaro-amerikan, me mbështetjen e pa kursyer morale dhe financiare për kandidaten Suzanna Shkreli – të bëj histori duke treguar seriozitetin më të madh në angazhimin e tij për të mbështetur Suzana Shkrelin dhe kandidaturën e saj për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.  

Shpresojmë, lutemi dhe urojmë që Suzanna Shkreli, me ndihmën pa rezerva të komunitetit shqiptar në Amerikë dhe me fushatën e saj serioze për të bindur votuesit e zonës së saj elektorale se ajo është personi më i mirë për t’i përfaqësuar në Kongres – të dalë ftuese, duke shënuar kështu një moment historik e triumfues në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan, ndoshta të vogël në krahasim me grupet e tjera etnike – por gjithmonë krenar!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, mundesite e fitores, Suzana Shkreli

Ish te perndjekurit takohen me ish-anetarin e kabinetit te Presidentit Regan

October 5, 2016 by dgreca

Foto-Lajm/

1-te-perndjekurit-ok

Sot ne ambjentet e “Tirana Internacional Hotel”, me nismen e Kryetarit te Partise Republikane, zotit Fatmir Mediu, u zhvillua nje takim i nje grupi te perndjekurish politike nga regjimi komunist me personalitetin e njohur amerikan, Jack Wheeler, ish-anetar i kabinetit te Presidentit Regan. ne kete takim u diskutua mbi trajtimin e te perndjekurve politike gjate ketyre 26 vjeteve. Takimi u zhvillua ne nje atmosfere te ngrohte dhe miqesore. Te perndjekurit politike paraqiten vleresimet e tyre mbi çeshtjet qe jane realizuar dhe mbi ato qe, per fat te keq, nuk kane mundur te realizohen. Ne fund u vendos qe takime te ketij lloji te vazhdojne edhe ne te ardhmen.(Reshat Kripa)

Filed Under: Kronike Tagged With: anetari i kabinetit, ish te perndjekurit, te ish Presidentit Regan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT