• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2016

Pa rënien e partive-shtet nuk ka shtet!

December 27, 2016 by dgreca

Shërimi i këtij sistemi të sëmurë me anë të krijimit të partive të reja, ka aq sukses sa dhe shtimi i gotave të alkoholit ndaj një personi të alkoholizuar…!!!/

parti-skllaveri..

Shkruan:Dr. Ledian Droboniku/*

1-dr-ledian-droboniku

Gjithmonë e më shumë po zë vend mendimi publik, se shkaktarë të paralizës shqiptare janë pikërisht partitë politikë për numrin dhe mënyrën se si këto funksionojnë. Shërimi i këtij sistemi të sëmurë me anë të krijimit të partive të reja, ka aq sukses sa dhe shtimi i gotave të alkoholit ndaj një personi të alkoholizuar.Pavarësisht përbetimeve e premtimeve, të një “dehuri” të tillë kronik, e vërteta është se ai vetë nuk mund të dalë dot nga gjendja ku ka rënë. E tillë është situata e klasës politike të tranzicionit që ndoshta edhe “dëshiron”  të dalë jashtë  sistemi kurth që vetëkrijoi. Por kjo është thjesht e pamundur për toksinën, skemat dhe sjelljet që ka në gjak. Sistemi që krijuan në praktikë, është diamtetralisht i kundërt me kontratën sociale që populli shqiptar nënshkroi pas rënies së komunizmit. Aspiratat e shqiptarëve për ndërtimin e një demokracie substanciale, ekonomie tregu dhe shteti të së drejtës u zvanitën pikërisht për shkak të uzurpimit total të hapësirës prej partive politike që do vijonin të kontrollonin jetën politike e ekonomike të vendit. Demokracia e vërtetë si pushtet i popullit, kërkon pajisjen e qytetetarëve me instrumenta kontrolli dhe vendimmarrës mbi institucionet publike. Pra, një demokraci nga poshtë dhe jo e imponuar nga lart.
Por të gjitha këto instrumenta i mbetën po partisë, edhe pse tani me rotacion. Ato pak institucione që Kushtetuta e 1998, kërkoi ti shpëtonte nga partitë, dalëngadalë do binin nën orbitën e partisë me anë të deformave shitur si reforma. Në këto kushte kapjeje të shtetit, ky i fundit nuk mund të luajë dot, rolin e tij si mbrojtës i interesit publik. Ai vihet në shërbim të një kaste që rigjenerohet me privilegje dhe shantazhime reciproke. Kuptohet atëherë përse shtimi i numrit të partive dhe betejave të ashpra për zaptimin e tyre. Shqipëria është “Republikë pseudo-parlamentare”, prandaj kush kap partitë kap parlamentin e kush kap parlamentin kap të gjithë shtetin duke e vënë në shërbim të interesave të tij.
Dahrendorf kujton se regjimet totalitare ndryshojnë format por jo thelbin e tyre, edhe pse maskojnë me retorikë, uzurpimin e institucioneve publike për interesa klanore e privilegje.
Sovraniteti nuk u bë kurrë popullor por mbeti pronë e partive dhe njerëzve të saj. Kurse shqiptarët vazhdonin të mbeteshin vetëm nënshtetas pa u lejuar të bëheshin qytetarë sovranë që vendosin lirisht e realisht fatet e vendit. Këto vendime vazhdoheshin të merreshin nga një grusht njerëzish të organizuar në parti, që njësoj si në Nomenklaturë emëronin njëri-tjetrin. Edhe rituali i votimit vazhdoi i njëjtë si në komunizëm ku populli voton por pa vendosur dot fatet e tij, fiksuar nga partitë. Për 26 vite populli voton mbi programe zhvillimi, punësimi, përmirësim të shëndetësisë, arsimit, energjisë, bujqësisë, por vendimet e ndërmarra me të ardhur në pushtet janë krejt të kundërta me ato të kontratës në fushatë elektorale. Dhe populli vështron i pafuqishëm sesi mashtrohet me rotacion. Demokracia kërkon një pactum unionis mes qytetarëve dhe jo një pactum subiectionis diktuar nga partitë.
Demokracia liberale thekson Habermas, kërkon pikërisht një hapësirë të lirë ku njerëzit të mund të diskutojnë dhe marrin pjesë në vendimmarrje jashtë skemave totalitare. Por kjo hapësirë e lirë nuk u lejua të krijohej. Në vend të tij u krijua një qeli e padukshme, ku njerëzit brenda saj lëvizin “lirisht” sa mund të lëvizësh brenda burgut por pa dalë jashtë tij.
Kështu, të gjithë mund të flasin por jo aq shumë sa fjalët e tyre të trasformohen në ide të përbashkëta për ndryshimin e realitetit. Mediat, gazetat, sindakatat, shoqëria civile do mbahej nën kontroll nga kasta e organizuar në parti. Të gjithë mund të merren me ekonomi, por ato të thjeshta si lokale e parukeri, pa rrezikuar të prekësh monopolet e vërteta që diktojnë ekonominë.
Mendimi unik iu është ngulur tashmë në tru çdo individi, se ekonomia do rregullohet me sforco personale, me perceptime mikro-ekonokomike. Por kjo s’do ndodhë kurrë, sepse ekonomitë moderne varen nga makro-ekonomia, nga modeli dhe politikat publike që ndërmerren larg syve dhe perceptimit të një qytetari mesatar. Ky model i konkorduar nga oligarkia shqiptare me lobet ndërkombëtare, ka për synim pikërisht mbajtjen në ekonomi primitive, koloni importi, përqendrim të pasurisë, monopole ekonomike dhe oligarki politike në një kontroll reciprok larg qytetarëve dhe biznesit të vogël.
Debati publik, orkestruar nga mediat dhe klerikët e sistemit, u induktua të përqendrohej vetëm mbi fytyra dhe sllogane, por asnjëherë mbi çështjet konkrete. Si reagim i kushtëzuar ndaj kësaj retorike, populli televiziv priret të shohë  zgjidhjen vetëm tek përzgjedhja e fytyrave dhe jo vendimarrja direkte për “gjërat”, tek delegimi i partive dhe jo pjesëmarrja aktive.
Mendimi i partisë është gjithashtu edhe mendimi i tij përderisa ai nuk lodhet të bëjë vetë një sintezë. Në këtë mënyrë parazitare skema parti-shtet përforcohet nga të dyja anët duke u legjitimuar si e vetmja e mundshme. Nëse dikush vë në dyshim këtë skemë 70 vjeçare, denigrohet si populist ose izolohet për të mos u përhapur e shumuar. Politika vazhdon të konsiderohet çështje e një “elite” dhe qytetarët si të paaftë, injorantë që duhet ti rrinë larg vendimmarrjes mbi politikat publike.
Këta mund të llomotisin për politikën por jo të vendosin për të. Kuptohet që ky refren i pëlqen në radhë të parë “intelektualëve”, që shohin problemin tek qytetarët dhe jo tek një grusht njerëzish që kanë gjunjëzuar vendin për privilegje. Kuptohet që është më lehtë të “bësh hajër” duke u rreshtuar pranë partisë sesa në një garë reale. Por kjo perspektivë është iluzore sepse formëson një spirale falimentare e drejtuar poshtë, duke fundosur jo vetëm këta që zgjedhin këtë skemë por për 99% të qytetarëve shqiptarë jetim në një shtet dhe ekonomik të kapur. Administrata ka hequr dorë nga shërbimet publike dhe i gjithë buxheti harxhohet për rroga, si një makineri perfekte elektorale që përjetëson këtë sistem barbar.
Nga ana tjetër, kjo kastë e 1% të popullsisë, për të sunduar e  ruajtuar privilegjet ka nevojë ekzistenciale që të përhapë përçarjen me anë të metastazës së partive. Kudo mbijnë fytyra të reja në parti të vjetra apo fytyra të vjetra në parti të reja, duke shërbyer si trapiantë përbindëshit të shtetit-partiak.  Më rëndësi sesa vuajtjet reale marrin premtimet virtuale dhe pretendimet se vetëm i partitizuar mund të kesh sukses e të mbijetosh. Në këtë grackë nuk bien vetëm intelektualët, por dhe biznesmenët deri tek humoristët dhe artistët e vendit të ndarë si pronë mes partive. Fatkeqëssisht nëse intelektualët tradhëtojnë vendin, populli mbetet jetim e nuk arrin të imagjinojë dot një rrugëdalje jashtë skemës së qelisë, tashmë jo dhe aq të padukshme.
Por si mëson Hegel, asnjë konstukt shoqëror nuk është i përjetshëm, aq më pak skemat piramidale që fundosen nën peshën e tyre. Shumica e qytetarëve dhe intelektualëve kuptojnë tashmë se ky ekuacion nuk mund të mbajë më duke rrezikuar seriozisht të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve.
Ajo që mungon është vetëm guximi për të dalë nga kjo skemë, për ti hequr mbështetjen kësaj piramide, pa patur frikën se do humbasin pozicionin e tyre social. Pasuria dhe begatia për të qenë të qëndruesheme dhe të sigurta kanë nevojë për një shoqëri dhe institucione të shëndosha që i garanton. Fillimisht ky ndyshim i perspktivës duhet të fillojë nga intelekutalë të rinj dhe biznesi i vogël deri sa të arrijë një masë kritike dhe përqafohet nga shumica e stërvuajtur në këtë sistem që nuk krijon as pasuri materiale dhe as shpirtëore.
Kur sëmundja është serioze, nuk ka zgjidhje të thjeshtë pavarsisht doktorëve sharlatanë.
Duhet kuptuar se është po aq e rëndësishme largimi i gjithë faraonëve të mjerimit ashtu si dhe rënia e piramidave për nostalgjikët e së nesërmes. Këto piramida kanë për bazë pikërisht partitë politike, që shërbejnë si brigada plaçkitëse e mbajnë brenda tyre mumje e vampirë të çdo lloj rrace.
Prandaj, pa rënien e partive-shtet nuk mund të ngremë dot kurrë një shtet në kuptimin modern, që arrin të sintetizojë unitetin kombëtar e të kurojë interesin publik e jo atë klientelar. Të rrëzosh vetëm fytyrat pa ndryshuar sistemin, është njësoj si të largosh mizat pa larguar më parë bajgën.
Organizmi i shtetit shqiptar si përmend Sami Frashëri tek vepra e tij “Shqipëria çka qenë, çfarë është e çdo do të bëhet”, ka nevojë për të gjitha forcat e tija materiale dhe morale në një pjesëmarrje aktive dhe në të gjitha nivelet, pa krijuar skema totalitare dhe udhëheqës autoritarë. Pikërisht kjo frakturë e thellë mes shqiptarëve që prodhojnë partitë-shtet, anullon çdo energji pozitive në përplasje mes tyre. Ndarja në fitimtarë dhe humbës, për katër vjet prodhon një luftë klase për privilegje dhe mbijetesë. Si pasojë vendi mbetet në vend numëro, pa trasformuar dot energjinë në lëvizje progresive.
Ajo që duhet të bëjmë si një vend i vogël dhe fantastik për demokracinë – si shprehet Moneteskie – është pjesëmarrja e vazhdueshme e qytetarëve direkt në politikat publike, duke kaluar nga popull spektatorë në vendimmarrës, nga tifozë partish në përgjegjës të jetëve tona. Adhurimi primitiv për dogmën partiake dhe udhëheqësin e saj të trasformohet në dashuri për atdheun dhe territorin si i kanë shërbyer heronjtë e harruar të Shqipërisë. Kështu fillojmë të merremi me Politikë me “P” të madhe dhe jo thjesht me politikanët, me politika publike dhe jo figura publike. Garant i interesit publik është vetë publiku, garant i të drejtave të Qytetarëve janë vetë Qytetarët vetëm nëse këta shtien në dorë instrumentat juridikë për vendimmarrje dhe kontroll të makinës shtetërore dhe politikave publike.
Që këto mos të mbeten vetëm sllogane duhen përkëthyer në institucione të reja mbi një Kushtetutë të re që tani nuk ngrihet mbi partitë si është sot, por mbi demokracinë pjesëmarrëse. Prandaj, këto forca progresiste në vend duhet të punojnë për këto themele të reja të vendit, për inkurajimin e qytetarëve që të heqin dorë nga zbukurimi i bunkerit dhe ndërtimit të një shtëpie të re ku çdo shqiptar ndihet Zot për të kontribuar. Partitë do vazhdojnë të ekzistojnë, por ato do zhvishen nga ku super pushtet që kanë sot dhe atë çfarë partitë e vendosin sot, nesër duhet ta vendosin vetë qytetarët në forume të ndryshme. Pa këtë super pushtet, partitë nuk shërbejnë më si magnet i energjive dhe njerëzve negativë. Ato kthehen në shtratin kushtetues, si ndërmjetëse por jo uzurpuese të vullnetit popullor, si forume të ideologjive dhe elitave alternative pa patur mundësi të jenë totalitare. Për këtë qëllim dhe për rëndësinë që kanë, partitë do vishen me garanci kushtetuese që të ndalojnë oligarkinë e brendshme dhe funksionojnë në përputhje me demokracinë e Republikës. Organizimi nga poshtë lart, zgjedhjet periodike një antar një votë, mandate të kufizuara e jo të përjetshme, trasparenca e financimit, nuk do jenë më çështje të brendshme të partisë në varësi të kryetarit, por të garantuar nga një insititucion publik i zgjedhur direkt nga qytetarët shqiptarë. Ridemensionimi i pushtetit të partive higjenizon vetë ato dhe sistemin prej një numri kaq të madh e të pajustifikuar të tyre. Përhpaja e partive me të njëjtën strukturë e ideologji si ajo totalitare komuniste është si metastaza e një kanceri, që nga një shumohet në shumë. Kështu zgjidhja nuk është një apo shumë kancere por eliminimi i informacionit gjenetik dhe kthimi i partisë në qelizë të shëndetshme për trupin shoqëror dhe shtetin.
Meqenëse pushteti, është një shumatore e mbyllur, dobësimi i partive do të thotë fuqizim i Qytetarëve dhe i shtetit demokratik e të përgjegjshëm.
Tashmë do kemi lejuar jo vetëm lirinë e qytetarëve, por dhe atë të biznesit, të sindakatave, të shoqërisë civile, të mediave dhe shkollës. Shqipëria fillon e merr frymë lirisht, duke dalë nga totalitarizmi politik dhe banaliteti kulturor-ekonomik. Mendimet dhe idetë formësohen në forume të ndryshme duke bërë pjesëmarrës çdo njeri e energji të këtij vendi. Nuk është më e nevojshme të jesh i pasur a me pushtet për të thënë fjalën tënde për politikat publike. Politika zbret tek hallet e përditshme. Armatat e gangsterëve, hajdutëve që emërojnë njëri tjetrin duke zaptuar parlamentin, qeverinë, administratën apo gjykatat, zhduken pasi nuk është më partia që të garanton fitoren por kontakti i drejtëpërdrejtë me qytetarët që vendosin zgjedhjen dhe shkarkimin në çdo moment të përfaqësuesve të tij më të denjë. Shteti ndalon së qenuri një “bunker i mbyllur” që hapet vetëm nga brenda kur duan partitë, por një ndërtesë trasparente që i shërben gjithë qytetarëve që ndërmarrin reformat që dëshirohen prej shumicës së shqiptarëve.
Referendumet në erën e informacionit të shpërndarë kudo, duhet të jenë instrumenti kryesor për miratimin e politikave publike. Aristoteli mëson se një turrmë khehet në popull vetëm nëse ai merr një valencë politike, vetëm nëse ai diskuton dhe vendos fatet e polis-it të tij. Deri sa ai i delegon këtë pushtet partive apo dikujt tjetër, ai mbetet minoren (Kant docet) dhe merret me thashetheme mbi fytyra dhe emra. Shteti do kurojë interesin publik vetëm nëse ai togëzohet me qindra instrumenta tek qytetarët, si insitucioni i parë i vendit. Vetëm kështu shteti dhe populli bëhet një dhe shoqëria rritet së bashku pa rrezikuar fraksionimin dekadent.
Nëse zyrtarët e lartë të shtetit do emërohen prej partisë, ata nuk do jenë kurrë shërbëtorë të Republikës por partisë dhe llogjikës së saj autorefernciale oligarkike. Prandaj, shumë shtete praktikojnë, zgjedhjen direkt nga populli, të Deputetëve, Presidentit, Prokurorit të Përgjithshë, Drejtorit të Policisë, Magjistratëve, Avokatit të Popullit, Governatorit të Bankës, e të tjera agjenci të pavarura. Me këta zyrtarë të lartë zgjedhur prej popullit, largohen hijet e përqendrimit të pushtetit, rritjes së përgjegjshmërisë, kontrollit reciprok dhe higjenizimit të makinës shtetërore. Sigurisht, që këto kontrata me qytetarët duhet të perfeksionohen, duke parashikuar jo vetëm zgjedhjen por dhe shkarkimin në çdo kohë.
Era që po fryn kudo është pikërisht zgjerimi i demokracisë, përditësimi i saj prej formave osbolete të para dy shekujve, rënien e partive si të vetmet rregullatore të jetës kolektive.
Era e re është ngritja e qytetarëve vendimmarrëse, në një botë ku informacioni do jetë gjithmonë e më shumë në dispozicion të të gjithëve, prandaj dhe një përdorim i tij në forma të reja direkte pa ia deleguar një elite autoreferenciale.Kjo erë po fryn tashmë dhe në Shqipëri dhe do fryjë gjithmonë e më shumë në përmbysjen e këtyre piramidave prej letre, që nuk mundin më të mbulojnë dritën që çdo komunitet ka nevojë për tu rritur e prosperuar.

* Autori eshet aktivist ShqipON

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Ledian Droboniku, e partive-shtet, nuk ka shtet!, Pa rënien

Njeriu, idealisti dhe shkrimtari Petro Marko

December 27, 2016 by dgreca

Me rastin e 25 vjetorit te ndarjes nga jeta te shkrimtarit te njohur e te dashur, Petro Marko (25 nentor, 1913 – 27 dhjetor, 1991)/

1-petro-marko

NGA SADIK ELSHANI/ *Kur shkrimtaret, artistet, figurat e ndritura te kombit kujtohen e nderohen ne pervjetoret e tyre te lindjes, apo te vdekjes, dhe jo vetem ne keto raste, tregon se ata jane te paharruar, te nderuar dhe me vepren e tyre, jeten e tyre kane ndikuar pozitivisht ne jeten e shume njerezve, kane fisnikeruar jeten shpirterore te tyre, kane ngritur vlerat morale. I tille ishte Petro Marko, i cili mbylli syte pergjithmone 25 vite me pare, me 27 dhjetor te vitit 1991. Ky shkrim modest nuk ka ndonje qellim tjeter vecse per te kujtuar,nderuar njerin nga shkrimtaret dhe intelektualet me te rendesishem te letersise dhe kultures sone kombetare,me rastin e 25 vjetorit te vdekjes se tij. Nderojme njeriun dinjitoz dhe shkrimtarin e talentuar e prodhimtar,Petro Marko.Sic jane shprehur, me te drejte, edhe te tjeret, ai eshte nje rast i rralle, ndoshta edhe i vetem ne letersine tone ku njeriu dhe shkrimtari jane shkrire, jane bere nje. Pervoja e tij e pasur jetesore, jeta e tij pasqyrohet ne veprat e tij. Jeta u be vepra e tij dhe vepra (shkrimet e tij) u be jeta e tij. Kapitujt e romaneve te tij njeheresh jane edhe copeza te jetes se tij, mund te themi, dramatike. Emrit te tij si shkrimtar dhe intelektual i shkojne shume epitete: i madh, i talentuar, modern, etj.,por epiteti me i domethenes qe misheron vepren e tij dhe ate si njeri eshte: i dashur. Nje shpirt, nje fytyre e perzemert qe rrezaton miresi, mirekuptim njerezor, dashuri njerezore, dashuri pa kufinj. Lexuesi qe shijon vepren e tij e adhuron ate dhe shkrimtarin,sepse ne cdo faqe,ne cdo rresht dhe ne cdo fjale te tij eshte shpirti i tij i paster, i gjere dhe i cilter, dashuria per jeten,dashuria per njeriun. Tere veprat e tij i pershkon nje fryme e ngrohte njerezore, ngadhnjimi i dashurise dhe humanizmit.

Sa here qe permendet emri i Petro Markos,menjehere te godet ne mendje “Hasta la vista”, nje roman shume i popullarizuar shume i dashur dhe i adhuruar nga rinia shqiptare. Dhe jo vetem nga rinia. Me kete roman dhe romanin tjeter,”Qyteti i fundit”,qe merret edhe si romani i pare modern shqiptar, ai i hapi horizonte te reja letersise shqiptare, nxiti, ngacmoi dhe zgjeroi imagjinaten e lexuesit. i hapi, apo thene me mire,i theu kufinjte e provincializmit, botes se ngushte e te mbyllur. Solli motive e qasje te reja ne letersine shqiptare.Bota e tij ishte e gjere dhe e pakufijshme. Ai shkoi per te luftuar edhe per lirine e nje vendi te larget si Spanja. Pervec personazheve si, Halimi, Besa, Leka e shume te tjere, ai solli ne imagjinaten tone edhe figura te tilla si, Anita Gonzales Seto e Anamaria Monti. Permes dashurise se djalit shqiptar, Gorit, dhe vajzes spanjolle, Anites, ai sillte porosine se shqiptaret jane pjese e botes, pjese e familjes se madhe njerezore dhe nuk duhet te vecohen nga ajo.

Ai nen trysnine e diktatures, nuk u be shkrimtar konformist, por i qendroi besnik parimeve te tija te larta njerezore e morale. Shquhej per karakterin e tij revolucionar e kryengrites, por ishte edhe nje shpirt i ndieshem, nje shpirt lirik,qe u perpoq dhe u mundua per nje bote ideale, por ja qe jeta i solli edhe kapituj te hidhur,madje mund te thuhet edhe tragjik. Njeriu qe u ballafaqua me vuajtje, dhimbje shpirti, por nuk u perkul,nuk u thye, ruajti dinjitetin e tij dhe gjithnje koken e mbajti lart. I zhgenjyer me sistemin dhe udheheqjen komuniste te Shqiperise, ai kurre nuk u perkul, nuk u be servil dhe puthadores i askujt, sepse ai kishte boten e tij idealiste, qendrimet dhe pikepamjet e tij dhe ishte i begatuar me parime e vlera te larta njerezore.

Petro Marko lindi me 25 nentor 1913 ne fshatin Dhermi te Himares. Shkollen fillore e ka kryer ne vendlindje, ndersa ne Vlore ka ndjekur Shkollen Tregtare, ku njeri nga mesuesit e tij ishte Ernest Koliqi (1903 – 1975), njeri nga mjeshtrit e tregimit shqiptar. Me ndihmen e Koliqit, botoi tregimet e para ne revistat e kohes. Ne vitin 1936 se bashku me Branko Merxhanin e disa te tjere botoi revisten ABC. Si njeri me shpirt e karakter kryengrites, ne vitin 1936 vajti ne Spanje per te marre pjese ne Luften Civile te Spanjes. Ne Madrid Petro Marko, se bashku me Skender Luarasin (1900 – 1982), nje tjeter intelektual me shpirt kryengrites, fillon botimin e gazetes ne gjuhen shqipe, “Vullnetari i lirise”, qe doli vetem ne dy numra. Ne Spanje eshte takuar me Ernest Heminguein (1899 – 1961), me te cilin ka patur edhe korrespodence. Ne vitin 1940 kthehet ne Shqiperi dhe pas nje viti italianet e internojne ne ishullin e Ustikes ne detin Tirren, ne very te Sicilise. Kete pervoje, kete kapitull te jetes se tij e ka pasqyruar ne romanin e tij “Nata e Ustikes” (Tirane, 1989). Ne vitet 1945 – 1947 ka qene kryeredaktor i gazetes “Bashkimi”. E arrestojne ne vitin 1947, kete radhe komunistet shqiptare, sepse kundershtoi qe “Bashkimi” duhej ta ndiqte modelin e “Borbes” se Beogradit. Pas renjes se Koce Xoxit e lirojne dhe e lejojne te punoje si mesues i gjihes dhe i letersise shqipe ne Tirane. Ne vitin 1973 per tete vite ia ndalojne te drejten e botimit, ndersa me 1975 ia burgosin djalin, Jamarbrin. Kjo ishte nje goditje e rende per nje njeri te ndjeshem e me shpirt te paster si Petro Marko, njeri qe tere jeten e tij ishte perpjekur per nje jete ideale. Por fatkeqsisht nje jete e tille nuk mund te ndertoheh ne Shqiperin e udhehequr nga komunistet e pashpirt. “Dasma me dreqen nuk behet” – thone ne Kosove.

Me shkrime ka filluar te merreet qysh ne vitet e 30-ta te shekullit te kaluar, ndersa ne fund te viteve te 50-ta dhe ne fillim te viteve te 60-ta, ai iu paraqit publikut shqiptar me disa vellime me tregime e poezi, si dhe me romanet e tij tani mjaft te njohur: “Hasta la vista” (1958), “Qyteti i fundit” (1960). Eshte autor i mese 10 romaneve: “Stina e armeve”. “Shpella e pirateve” (roman per femije e te rinj), “Nje emer ne kater rruge”, “Halimi”, etj. Ne vitin 1972 shtepia botuese “Rilindja” e Prishtines e botoi kompletin e veprave te Petro Markos ne 10 vellime.Si njeri me profesion gazetar, ne veprat e tij shquhet per stilin e tij telegrafik, per qasjet moderne ne letersine shqipe dhe merret si themelues i prozes moderne shqiptare (kryesisht romanit modern shqiptar). Per shkruesin e ketyre radheve, romanet: “Shpella e pirateve”, “Hasta la vista”, “Qyteti i fundit” jane nder librat me te dashur. E kush nuk mund te magjepset me personazhet (fytyrat): Rusman-el-Namsur, Anita Gonzalez Seto, Anamaria Monti?! Ku ta dish, ndoshta ndonjeri nga keto personazhe eshte bere edhe pjese e jetes sone.

Ka 25 vite qe ai prehet i qete ne kodrat e Dhermiut te tij te dashur, atje buze ujerave te kalterta te Jonit. Dhe me siguri, ende eshte i magjepsur nga perendimi i diellit, si dikur ne rinine e tij. Por vepra e tij jeton ne zemrat e mijera lexuesve dhe do te lexohet e adhurohet edhe nga brezat qe do te vijne,sepse vepra e tij eshte per te gjitha koherat, vepra e tij ka nje porosi te pergjithsme (universale).

Ne, lexuesit dhe adhuruesit e vepres se tij, me shume dashuri e kujtojme dhe e nderojme gazetarin, publicistin, shkrimtarin, luftetarin e lirise, idealistin, por mbi te gjitha, humanistin, njeriun, ne kuptimin e plot te fjales, Petro Marko – Nderin e Kombit.

Qofte i perjetshem kujtimi!

Filadelfia, 26 dhjetor, 2016

*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptro – amerikane.

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: idealisti, Petro Marko, Sadik Elshani

Kosovë-MPB përmbushi të gjitha kriteret e Udhërrëfyesit për Liberalizmin e Vizave

December 27, 2016 by dgreca

-Në përmbledhjen e punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme  për vitin 2016, të prezantuar sot, mes tjerash, bëhet e ditur edhe se, në luftën kundër krimeve të rënda, terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit, Policia e Kosovës ka zhvilluar 887 operacione, ka goditur 38 grupe kriminale, arrestuar 1246 persona, si dhe ushtruar 1154 kallëzime penale/

PRISHTINË, 27 Dhjetor 2016-B.Jashari/ Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e saj kanë qenë përgjegjëse për 70 prej 95 kritereve të Udhërrëfyesit për Liberalizmin e Vizave dhe të gjitha janë përmbushur plotësisht, tha sot ministri Skender Hyseni në konferencën për shtyp të fundvitit, duke folur për procesin e ntegrimit Evropian dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Në kuadër të Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për  zbatimin e 99 masave zbatuese dhe 14 masave legjislative, nga të cilat 24 janë përfunduar, 34 janë në realizim e sipër dhe 55 masa adresohen në vazhdimësi dhe raportohen përmes të dhënave statistikore”, theksoi ai. Ministri Hyseni bëri të ditur se, është nënshkruar marrëveshja për vendosjen e bashkëpunimit operativ me FRONTEX, është iniciuar procesi për nënshkrim të marrëveshjes me EUROPOL dhe kanë vazhduar përpjekjet intensive për anëtarësim në INTERPOL. “Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, është nënshkruar marrëveshja me Lituaninë ndërsa janë në fazë të negocimit marrëveshjet me Turqinë, Estonin, Italinë, Belgjikën, Danimarkën”, tha ai.Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e saj, vijoi Hyseni, gjatë vitit 2016 kanë arritur rezultate konkrete në menaxhimin i migrimit dhe riintegrimit të qëndrueshëm.“Si rezultat i masave dhe politikave të ndërmarra, numri i kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e BE dhe Zonës Schengen ka rënë nga 73,2015 të vitit 2015 në 10,220 në vitin 2016. Ndërsa, numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës të ri-pranuar deri në fund të nëntorit 2016 është mbi 13,000”, theksoi ministri i Punëve të Brendëshme.Në përmbledhjen e punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme  për vitin 2016, të prezantuar sot, mes tjerash, bëhet e ditur edhe se, në luftën kundër krimeve të rënda, terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit, Policia e Kosovës ka zhvilluar 887 operacione, ka goditur 38 grupe kriminale, arrestuar 1246 persona, si dhe ushtruar 1154 kallëzime penale.

Filed Under: Komente Tagged With: e Udhërrëfyesit, Hyseni, MPB përmbushi, të gjitha kriteret

2016 – Kauza reale dhe batutave banale!

December 27, 2016 by dgreca

Nga Albina Deda/ Deputete/

1-albina-deda

(Në vend të kartolinës për festat e fundvitit)/

 Si kushdo edhe politika bën bilancet e saj në fundvite duke i krahasuar jo vetëm me kundërshtarin por së pari me kontekstin e pritshmërive. PD gjatë këtij viti ka manifestuar si asnjëherë një strategji moderne por dhe nacionale duke tejkaluar dukshëm interesat parciale politike. Ajo është mbështetur mbi kauza reale si:  dekriminalizimi i politikës dhe administratës, lufta me argumenta kundër korrupsionit qeveritar, lufta kundër drogës e krimit të lidhur me strukturat shtetërore. Rezultatet e luftës sonë kanë qenë mbresëlënëse.Ato janë premisa reale jo vetëm për diagnistikimin por për shërimin e situatës së rëndë në kufijtë kriminalë të skajshëm ku Edi Rama dhe çeta e tij e kanë çuar vendin.

PD nuk është mbështetur në strategji skolareske por në një qasje aktive tek mendimi qytetar i marrë ekskluzivisht çdo ditë në bazë nga kryetari Basha dhe drejtuesit politikë të PD-së. Kjo strategji ka shtuar dhe luftën tonë parlamentare , kjo ka bërë që qytetarët ta rikonsiderojnë e ta përqafojnë alternativën e opozitës. Në anën tjetër ne kishim përballë papërgjegjshmërinë , brutalitetin, krimin shtetëror, korrupsionin, gafat diplomatike e bajatshmërinë e propagandës dhe batutave të Edi Ramës.

Është lufta me argumente e opozitës e cila ka bërë që Edi Rama dhe të tijët të shihen sot nga shqiptarët e ndërkombëtarët si një klikë kriminale rastësore e cila një orë e më parë duhet hequr dorë. Viti 2017 po troket. Ai duhet të jetë vit shpresë. Ky është dhe misioni i PD-së. Zgjedhjet janë në prag dhe ne në aleancë me qytetarët dhe interesat e tyre do çmontojmë këtë piramidë kriminale. Asnjë fuqi qoftë dhe kriminale siç shpreson mazhoranca aktuale nuk do mund ta devijojë vullnetin e sovranit. Një epokë post-krim e post-korrusion i pret shqiptarët. Kjo është epoka post-Edvin!

Albina Deda

Deputete e PD

Filed Under: Komente Tagged With: 2016 - Kauza reale, Albina Dede, banale!, dhe batutave

SHBA- U zhvillua Turneu i 8-të i futbollit gjithëshqiptar

December 27, 2016 by dgreca

1-futboll-diaspore
Djemtë e Kelmendit, nga New Yorku,  fituan kupën e më të mirit për vitin 2016, duke “shpartalluar” ne finale Skenderbeun 6 – 1/
2-futboll
Nga Beqir SINA & Faton ARIFI – New Jersey/
New Jersey : Qendra kulturore shqiptaro-amerikane me seli në Riverdale të Nju Xhersit, për të tetin vit me radhë organizoi, turneun tradiocional në futboll të vogël “Vllaznimi”. Ky eveniment i cilësuar si më i madhi në fushën e sportit për shqiptarët e Amerikës, tuboi për një ditë në shtetin e Nju Xhersit qindra shqiptarë, të cilët me ekipet e tyre garuese kishin ardhur nga shtete të ndryshme si Nju Jork, Konektikat dhe Chikago. Pas intonimit të himinit kombëtar amerikan dhe atij shqiptar, fjalën përshëndetëse dhe hapjen e programit e shënoi kryetari i QKSHA-së, Zylfi Alla, ndërsa më pas 28 ekipe të përbërë me futbollistë shqiptarë garuan mes tyre duke synuar titullin kampion.
 Konkurenca e fortë sportive u relaksua me programin artistik kombëtar nga grupi i këngëve dhe valleve të QKSHA-së nën kujdesin e z.Xhemal Bekteshi, por edhe nga ndeshja tashmë tradicionale mes futbollistëve të grupmoshave të reja (Ac Milan Albania vs Albanian Eagles) të cilët me lojën e tyre entuziazmuan qindra shikues në sallë dhe fituan duartrokitjet e merituara.Skuadra e Ulqinit e cila ishte kampione e vititi te kaluar, këtë edicion nuk u shfaq në formën e duhur. Edhe ekipi nikoqir i Vllaznimit i cili llogaritej favorit nuk arriti rrezultatin që pritej edhe pse luajti ndeshje shumë të bukura u ndëshkua nga goditjet e penaltive. Paraqitje për tu vlerësuar ishin ato të ekipve si “Kranja”, “FC Future”, “Cemi”, “Dardania” “Albanian United” “Korabi” etj.
 Dy ekipet finaliste këtë edicion ishin “Kelmendi” dhe “Skenderbeu” të cilët me plotë meritë arriten deri në finale, por në fund më shumë u gëzuan futbollistët e “Kelmendit” të cilët shënuan fitore të merituar duke marrë kupën e vendit të parë por edhe atë të golashënuesit më të mirë, që i takoi futbollistit të këtij ekipi, Glorian Hoxha. Portieri më i mirë me më pak gola të pranuar u zgjodh Ramazan Veliu nga ekipi i Vllaznimit.Ndarja e çmimeve në fund të turneut u bë përmes ceremonisë tradicionale. Kupën e vendit të parë e dorëzoi Mirsadi si pjesë e ekipit organizativ, atë të vendit të dytë gjyqtari profesionist Pajazit Mena, titullin e portierit më të mirë e ndau Kalosh Sela, ndërsa Bedi Zhuta i dorëzoi trofeun golashënuesit Glorian Hoxha.
 “Ishte një ditë e mrekullueshme. Mendoj se ne si staf organizativ ja arritëm qëllimit që edhe këtë vit të vazhdojmë me sukses të plotë këtë eveniment mbarkombëtar të shqiptarëve këtu në Amerikë. Për cdo vit jemi duke shënuar proges në cdo aspekt dhe kam besim të plotë që vitet e ardhëshme ky aktivitet do të jetë edhe më madhështor. Meritat për këtë i kanë pa asnjë dyshim të gjithë aktivistët e QKSHA-së por edhe mysafirët e turneut dhe ekipet garuese, të cilat i falenderojmë për pjesmarrjen dhe sjelljen sportive në këtë ngjarje sportive që na bashkon të gjithëve” tha Ajri Hoxha, një nga anëtarët e stafit më të ngushtë organizativ.
 Kryetari i turneut z.Nebi Kaba falenderoi të gjithë pjesmarrësit dhe stafin e tij që punuan për këtë paraqitje kaq të mrekullueshme, sic tha ai në këtë ditë feste për shqiptarët në SHBA, duke e vlerësuar organizimin si një mision të kryer me sukes të plotë.Moderatori i turneut, Faton Arifi (gazetar), tha se “ Ky turne i tejkalon kufijtë e një gare sportive dhe ka kuptim dhe efekt shumë më të gjërë dhe më të rëndësishëm edhe në aspektin e afrimit dhe unifikimit të shqiptarëve në Amerikë, Sot po japim shembullin më të mirë se sa të mëdhej jemi kur jemi bashkëdhe sa bukur luajmë dhe këndojmë në ngjyrat e flamurit tonë, duke dëshmuar para të tjerëve vlerat tona të vërteta si komb”.
Këtë vit turneu futbollistik “Vllaznimi” u transmetua “live” në facebook, ku u ndoq nga mijëra shikues në Amerikë dhe Europë. Përmbyllja e këtij eventi me këngë dhe valle nga të gjithë të pranishmit, mund të cilësohet si “qershia mbi tortë”, për këtë organizim të madh sportiv ku u angazhuan rreth 280 futbollistë, 28 skuadra, një staf organizativ me mbi 30 persona dhe qindra shikues në sallë të cilët me shumë entuziazëm ndoqën 57 ndeshje futbllistike dhe programin e larmishëm artistik.

Filed Under: Komunitet Tagged With: & Faton ARIFI, Beqir Sina, i futbollit gjithëshqiptar, ne Amerike, Turneu i 8-të

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT