• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2017

70-vjetori i “Spiegel”-it dhe Kosova

January 4, 2017 by dgreca

Revista e njohur gjermane “Der Spiegel” mbush 70 vjeç më 4 janar – një udhëtim në vite nëpër kryetitujt e kësaj gazete na tregon se në vitin 1999 Kosova ishte disa herë në fokus të ballinës së revistës. Por edhe rajoni.

Bomba, Terror, Dëbime – Ku të çon kjo luftë?

Në numrin e 5 Prillit 1999, revista “Spiegel” i kushton vëmendje kryesore luftës në Kosovë. Mjaft analiza gazetareske, por edhe një intervistë me Ibrahim Rugovën, ku ai thekson se shpresa e Millosheviçit janë përçarjet brenda perëndimit.

2-spegelKosova – Luftë kundër vrasjes – Frika nga zgjerimi i konfliktit

Në numrin e marsit 1999, revista “Spiegel” shkruan se konflikti i Kosovës mund të transmentohet edhe në Gjermani. Ambasadori jugosllav i atërhershëm, Zoran Jeremiç citohet: “Kemi në Gjermani 800.000 serbë, kjo me sa duket nuk dihet aq mirë.” Më vonë ai tha se ky nuk ishte kërcënim.3-spigelProtokoll i tmerrit – Çfarë po ndodh vërtet në Kosovë?

Kancelari Schröder për Kosovën: “Marrim pjesë në këtë luftë për të ndalur vrasjet e dëbimin.” Revista “Spiegel” sjell informacione të dëshmitarëve okularë për krimet serbe në Kosovë, por shkruan edhe për valët e refugjatëve në Maqedoni e Shqipëri, si edhe ofron një analizë për armiqësinë e vjetër shqiptaro-serbe.

4-spegel

Filed Under: Komente

Stefa: Kam strehuar djalin e prokurorit që më dënoi babanë

January 4, 2017 by dgreca

PERSONAZH/ Flet Vitore Stefa Leka “Nënë Lokja”: PERSONAZH/ Flet  Vitore Stefa Leka: – Unë kam strehuar djalin e prokurorit që më dënoi babanë, faji nuk ishte i tij/

-Alarm për gjuhën shqipe, po kaq të shqetësuar dhe arbëreshët e Italisë/

1-violeta-stafaNga Alberet Z.  Zholi/Figura e zonjës së madhe dhe të nderuar, Vitore Stefa Leka, ka vite e vite që është e njohur jo vetëm në atdhe, por në gjithë trevat shqiptare apo në diasporë, në lidhje me veprimtarin e saj humane. Kanë shkruar shumë gazeta për të duke filluar nga viti 1990 pikërisht nga koha që ajo emigroi familjarisht në Itali dhe iu kushtua çështjesh shqiptare duke aktivizuar jo vetëm shqiptar, por dhe të huaj. Këto i kemi lexuar nga intervistat e ndryshme në gazeta që kanë dhënë jo vetëm profesorë, politikanë dhe gazetarë shqiptarë, por edhe të huaj. Vitore Leka Stefa është një nga figurat më të rëndësishme të emigracionit që jetën e saj e ka lidhur ngushtë me bamirësinë. Poetja dhe shkrimtarja, vajza e një prej familjeve më të njohura shqiptare, e persekutuar në kohën e diktaturës, pas pushkatimit të të atit, me akuzën “agjent i amerikanëve”, prej kohësh cilësohet si “Nënë Tereza e Tristes”, “Nënë Lokja”, “Nënë Madhja”. Roli i saj human tashmë i ka kapërcyer kufijtë e bamirësisë, duke e kthyer në organizatore të gjithë diasporës shqiptare. Vitore Stefa Leka është një nga personalitetet e Lidhjes Shqiptare në botë, por edhe e autoriteteve italiane. Babai i saj, Kostaq Stefa, është shpallur pas vdekjes “Martir i Demokracisë”, nëna, Eleni, “Mësuese e Popullit”, ndërsa vetë ajo, nga ish Presidenti Alfred Moisiu, është dekoruar me Medaljen e Artë të Mirënjohjes, për punën e saj humane dhe veprimtari patriotike, si dhe ka marrë titullin “Qytetare Nderi” e qytetit të lindjes Berat. Në këto 126- vjet emigracion, poetja e dhjetëra librave me poezi e tregime, në këtë intervistë ka treguar shumë detaje të jetës së saj në Shqipëri dhe në emigracion.

Ju jeni një ndër gratë më të persekutuara në regjimin komunist. Babai juaj është pushkatuar padrejtësisht. Cili është mendimi juaj për hapjen e dosjeve? A duhet të hapen tani?

Për mendimin tim nuk është koha e përshtatshme ëpr hapjen e dosjeve. Kjo hapje tani pas 26 vitesh do të sjellë shumë pështjellime. Do sjellë pështjellime pasi në këto 26 vjet dosjet ose janë manipuluar, ose janë zhdukur. Pamja tashmë nuk është në kohë dhe nuk do sjellë asgjë në politikën shqiptare. Politikanët apo ata që janë në administratë kanë kohë që I kanë zhdukur të gjitha letrat e tyre diskredituese dhe tashmë janë të qetë në punë  e tyre. Hekuri rrihet sa është I nxehtë thotë populli. Pra dosjet duhej hapeshin në vitet e para të demokracisë që të mos bëhej kjo katrahurë. Hapja e dosjeve në atë kohë do ta kishte bërë që në atë periudhë më të pastër politikën dhe administratën shqiptare. Tashmë kjo shtyrje si në kalendat greke e ka bërë efektin e tyre. Pas 26 vjetësh ata që duhet të marin qoftë dhe një ndëshkim moral janë të mbrojtur, se i kanë pastruar dosjet e tyre. Tani viktimë do të jenë ata që nuk kanë pasur miq që ti pastronin.. Tjetra është se tashmë shumë do hapen plagë të vjetra, plagë që kanë filluar të mbyllen, plagë që nuk duam ti kujtojmë. Unë kam pritur në shtëpi në Trieste djalin e prokurorit që ma ka dënuar babanë dhe e kam falur. Por si unë tashmë ka dhe shumë të tjerë që kanë falur. Jemi në kohën e faljes së madhe, le ti lënë këto dosje të trazuara dhe të falsifikuara të flenë në gjumin e tyre të harresës.

-Ju ishit pjesëtare e Samitit të Diasporës Shqiptare, si do ta cilësonit këtë veprimtari kaq të gjerë?

-Ah, për mua mbetet aktiviteti më me rëndësi në historinë e emigracionit shqiptar. Tashmë dihet që emigracioni shqiptar e ka zanafillën në fund të shekullit të 19 dhe fillim të shekullit ët 20 dhe aktualisht shqiptar gjen në 90 vende të botës. Pra në këto mbi 130 vjet emigracion është i pari Samit që i bashkoi shqiptarët. Kjo ishte një nismë e mirë. Unë rrjedh nga një familje e përndjekur e regjimit komunist ku babai im Kostaq Stefa u dënua nga regjimi për bashkëpunim me amerikanët (!!!!) e pabesueshme për kohën, “agjent i amerikanëve”, është shpallur pas vdekjes “Martir i Demokracisë”, nëna, Eleni, “Mësuese e Popullit”, ka kaluar një kalavar vuajtjesh të pa besueshme në atë regjim, por kjo nuk do të thotë të mos i përgjigjesha kërkesëspër të ardhur në Samit. Në këtë aktivitet tre ditor takova aps 26 vjetësh shumë miq dhe mikesha që kisha vite pa I parë. Në këtë Samit ne shkëmbyem mendime, eksperienca, u çmallëm, pamë ndryshimet në Shqipëri. Folëm gjerë dhe gjatë për hallet, problemet që na shqetësojnë në emigracion. Në këtë Samit kishte emigrant nga 40 vende të botës, pra kishte dhe shqiptarë të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Çamërisë, arbëreshë të Italisë, etj.. Pra një Samit me përmasa botërore që nuk ishte imagjinuar kurrë. Kjo ishte një ëndërr që u bë realitet. Ishte një ëndërr mbi një shekullore që u zbatua në mënyrë konkrete. Të gjithë e pamë veten si shqiptarë të një sofre, të një vatre, të një gjaku, të një gjuhe, të një abetareje. Kosovari ndjehej sit ë ishte në Prishtinë dhe të fliste me gjuhën e zemrës për çka I mungon nga trungu amë. Nuk janë pak 1000 emigrantë të mblidhen në Tiranë dhe të japin idenë e bashkimit, të ruajtjes së gjuhës, të mbajtjes së lidhjeve të vazhdueshme me atdheun.

-Ju rrokët paksa gjuhën, sa rrezikohet sot gjuha shqipe tek fëmijët e emigrantëve në Itali?

Rrezikohet shumë, shumë. Unë kam kohë që punoj me Shoqatat shqiptare në Itali për të ruajtur gjuhën tonë. Sinjalin e parë e kanë dhënë arbëreshët e Italisë. Në një shfaqje që ata dhanë në Teatër bënë thirrje për ndihmë për ruajtjen e gjuhës. Ata e kanë ruajtur plot 600 vjet këtë gjuhë. Pra 600 vjet që e flasin, që e këndojnë që e përcjellin brez pas brezi vetë, si thesarin më të madh shpirtëror. Ata flasin gjuhën e pastër të rilindësve, por globalizmi po bën punën e vet. Fëmijët dhe nipërit e arbëreshëve janë larguar nga shtëpitë në fshatrat arbëreshe dhe kanë shkuar për punë në qytete apo vende të ndryshme. E di sa e dhimbshme është për ta humbja pas 600 vjetësh e gjuhës? Eshtë shumë vrastare se ata e kanë ruajtur për shekuj dhe tashmë po zhduket me vite. Por akoma më shqetësuese është për fëmijët emigrantëve. Aktualisht mësimi i gjuhës tek fëmijët nipërit dhe mbesat tona bëhet në kushtet shtëpiake, pa mësues, pa profesionistë, me abetare të blera në mënyrë individuale. Ambasada po bën punë, por në kuadrin e shpërndarjes së emigrantëve në gjithë territorin italianë akoma më keq dhe në dhe zona rurale. Pra në gjithë këtë shtrirje nuk mundtë bëhet mësim I organizuar, mësim kolektiv. Ne e kemi zgjidhur shumë- shumë pjesërisht nëpërmjet shoqatave që të organizojmë mësime falas, por kjo nuk e zgjidh problemin. Duhet një bashkëpunim emigrant- Shqipëri-Itali.  Është një problem i madh.

-A u politizua ky Samit, a u përdor për suport politik si u cilësua në disa media?

Për mendimin tim drejtpërdrejt nuk u politizua.por indirekt aty ishte qëllimi (është puna e të tjerëve të hamendësojnë apo të hedhin ide). Por unë këtë radhë bashkëbisedova mes  shumë njerëz të një gjaku të një familjeje.

-Po të meta a ka pasur ky Samit?

Pa diskutim shumë të meta. Sigurisht që ka pasur, sigurisht që kamë vënë re dhe të tilla. P.sh kishte zgjatje të disa takimeve jashtë protokollit, tejzgjatje të fjalimeve të disave duke u hequr mundësinë të disa të tjerëve të flasin. Kishte dhe nga ato që ishin menduar në protokoll të diskutonin por për arsye që nuk dihen nuk ju dha fjala. Por më shumë kontestime ka pasur tek dekorimet dhe shpërndarja e diplomave falënderuese. Kishte shumë Shoqata si ajo e Triestes që dhe pse ka qenë shoqata e parë në emigracionin pas 1990 me një aktivitet të madh që nuk mori asnjë vlerësim. Nga ana tjetër u  vlerësuan disa shoqata të reja, pa asnjë aktivitet njohës. Po ashtu pati vlerësime jo realiste për individ të cilët nuk kanë lënë gjurmë në emigracion dhe u lanë në hije shumë të tjerë me një aktivitet të shumë njohur. Ashtu si ka patur të meta në organizimin e vizitave në berat, ku nuk kishte cicerone, nuk kishte një pritje respektuese nga Bashkia, apo një lëvizje korrekte nga drejtuesit e autobusëve. Por këto të meta nuk e zbehin bukurinë dhe rëndësinë e Samitit. Këto të meta duhet të kihen parasysh për një Samit të tillë. Kryesore është që u mbajt një samit i tillë. Kryesore ishte që u mblodhën në kryeqytetin e gjithë shqiptarëve, emigrant nga 40 vende të botës. Kryesore ishte që u thye një heshtje 130-vjeçare e mos takimit të emigrantëve. Si i parë kishte të meta dhe dobësi, por ne le të marrin pozitiven dhe jo negative në këtë Samit. Ndoshta dhe për suport, por….

Filed Under: Emigracion Tagged With: qe denoi babane tim, strehova, te birin e prokurorit, Vitore Stefa

Presidenti Obama, fjalim lamtumire në Çikago më 10 janar

January 4, 2017 by dgreca

1-obama-300x180Presidenti Barak Obama tha se, do të mbajë një fjalim lamtumire në Çikago më 10 janar, ku do të reflektojë mbi sukseset gjatë dy mandateve dhe do të ofrojë mendimet e tij se në ç’drejtim po shkon vendi, ndërkohë që presidenti i zgjedhur Donald Trump vjen në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Presidenti Obama largohet pas 8 vitesh me shkallën më të lartë të miratimit se çdo president tjetër i periudhës moderne, rreth 59 për qind. Republikani Trump ka premtuar se do të zhbëjë shumë prej politikave themelore të parardhësit të tij. Fjalimi i zotit Obama ndjek një traditë të gjatë të presidentëve amerikanë, duke filluar me George Washingtonin më 1796, për t’iu drejtuar vendit para largimit nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti Obama u kthye sot në Uashington nga pushimet e Krishtlindjeve në Hawai, ku ai ka lindur dhe ka kaluar kohën më të madhe të rinisë. Ndihmësit thonë se në javët e fundit në detyrë, zoti Obama ka mundësi të falë më shumë të burgosur për drogë, që ai mendon se kanë marrë dënime tepër të ashpra dhe ndoshta të nxjerrë më shumë urdhra ekzekutivë, në përpjekje për të mbajtur në fuqi disa politika që ai favorizon dhe që kundërshtohen nga zoti Trump. Megjithëse demokrati Obama, ka kërkuar të lehtësojë tranzicionin e administratës Trump, ai ka ndërmarrë gjithashtu veprime që e kanë nervozuar presidentin e ardhshëm. Ai ka lëshuar urdhra ekzekutivë për të bllokuar shpimet për naftë në oqean pranë brigjeve amerikane, ka shpallur parqe të reja kombëtare dhe ka zbrazur më tej burgun amerikan në Gjirin Guantanamo të Kubës, ku mbahen terroristë të dyshuar. Zoti Obama po ashtu për herë të parë urdhëroi ambasadoren e tij në Kombet e Bashkuara për të lejuar miratimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit që kritikon vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor. Ai vendosi sanksione ndaj Rusisë lidhur me ndërhyrjet e dyshuara kibernetike të Moskës gjatë fushatës presidenciale në SHBA. Të dyja këto veprime janë në konflikt të drejtpërdrejtë me presidentin e zgjedhur Trump. Presidenti Obama do të takohet të mërkurën me demokratët në Kongres në përpjekje për të hartuar një strategji për të mbrojtur arritjen e tij më të madhe në politikën e brendshme, reformën e kujdesit shëndetësor që zoti Trump dhe ligjvënësit republikanë kanë deklaruar se do ta shfuqizojnë, edhe pse ata ende nuk kanë rënë dakord mbi një plan që do ta zëvendësonte atë. Kur të bëhet qytetar privat, zoti Obama dhe zonja e parë Michelle do të banojnë në Uashington, jo shumë larg nga Shtëpia e Bardhë dhe kanë në plan të qëndrojnë atje deri sa vajza e tyre e vogël Sasha të mbarojë shkollën e mesme në vitin 2019. Ai është presidenti i parë në gati një shekull që do të vazhdojë të qëndrojë në Uashington pas largimit nga detyra.

My farewell address

In 1796, as George Washington set the precedent for a peaceful, democratic transfer of power, he also set a precedent by penning a farewell address to the American people. And over the 220 years since, many American presidents have followed his lead.

On Tuesday, January 10, I’ll go home to Chicago to say my grateful farewell to you, even if you can’t be there in person.

I’m just beginning to write my remarks. But I’m thinking about them as a chance to say thank you for this amazing journey, to celebrate the ways you’ve changed this country for the better these past eight years, and to offer some thoughts on where we all go from here.

Since 2009, we’ve faced our fair share of challenges, and come through them stronger. That’s because we have never let go of a belief that has guided us ever since our founding — our conviction that, together, we can change this country for the better.

So I hope you’ll join me one last time.

Because, for me, it’s always been about you.

 

Filed Under: Komente Tagged With: fjalim lamtumire, më 10 janar, ne Cikago, Presidenti Obama

Kosova 2017-Ngjarje viti, buxheti rekord

January 4, 2017 by dgreca

-Buxheti i Shtetit prej mbi 2 miliardë euro ka pajtimin e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, theksoi ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti/1ministri-hoti-Ministria e Financave ka realizuar 85% të programit të saj legjislativ për 2016, që është një rritje prej 20% krahasuar me vitin paraprak/2-hoti

-Në kuadër të financimit total janë përfshirë edhe mjetet e privatizimit të aseteve shoqërore nga Agjencia Kosovare e Privatizimit/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 4 Janar 2017/ Arritja e Buxhetit të Shtetit 2017 në më shumë se 2 miliardë euro është rekord dhe ngjarja e vitit e Ministrisë së Finacave në qeverinë e Kosovës, deklaroi ministri Avdullah Hoti. Në një konferencë vjetore për shtyp ai prezantoi Raportin e punës për vitin 2016 të Ministrisë së Financave të Kosovës.

“Kuvendi ka aprovuar buxhetin për vitin 2017 prej mbi 2 miliardë euro, më të lartin që ka pasur Kosova ndonjëherë, i cili është paraprirë nga konsultime e shumta me të gjitha palët e invovluara, përfshirë në veçanti shoqërinë civile”, u shpreh ministri Hoti.Ministri i Financave tha se, ky është buxhet që merr parasysh objektivat zhvillimore dhe sociale, të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, Programin për Reforma Ekonomike, Kornizën Afatmesme e Shpenzimeve dhe Strategjitë sektoriale.

“Ky buxhet ka pajtimin e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me aprovimin e tij ne kemi plotësuar kriterin kryesor për vitin 2016 në kuadër të këtij programi”, theksoi Hoti.

Ai tha se, Buxheti i Kosovës për 2017-tën dhe projeksionet për dy vitet në vijim sigurojnë rritje ekonomike prej mbi 4%, përmes dy elementeve: rritjes së investimeve kapitale dhe mbështetjes për reforma strukturore.Ministri i Financave theksoi veçmas edhe faktin se, “buxheti i komunave është në vlerë prej 440.2 milionë euro, që është një rritje prej 15 milionë krahasuar me vitin 2016”.

Ai bëri të ditur se, në kuadër të financimit total janë përfshirë edhe mjetet e privatizimit të aseteve shoqërore nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në shumë prej 88 milionë euro dhe se, të gjitha këto mjete, pa përjashtim, janë ndarë për projekte kapitale.Buxheti i Shtetit i Kosovës mbi 2 miliardësh, i miratuar në qeveri në 31 tetor e në Kuvend këtë javë, është një rritje e madhe dhe shifrat tregojnë rritje nga viti në vit.Buxheti i Shtetit për vitin 2016, i miratuar nga qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, ishte planifikuar të jenë 1 miliard e 598 milionë euro, me një rritje prej 4.1% krahasuar me vitin 2015 dhe 19% më shumë se në vitin 2014.

Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti, fillimisht tha se Ministria e Financave ka realizuar 85% të programit të saj legjislativ për 2016, që është një rritje prej 20% krahasuar me vitin paraprak.

“Në vitin 2016, janë paraparë 18 projektligje nga Ministria e Financave . Nga këto, 14 Projektligje janë miratuar në qeveri, 1 projektligj është në procedurat e miratimit në Zyrën e Kryeministrit dhe 3 projektligje janë në procedura brenda Ministrisë së Financave. Me këto 14 ligje të aprovuara në qeveri, Ministria e Financave ka kontribuar me 35% në programin legjislativ të qeverisë”, theksoi Hoti në konferencën për shtyp dhe pritjen e fundvitit.

Filed Under: Ekonomi

DHIMBJA!

January 4, 2017 by dgreca

 Tregim Nga Pierre-Pandeli Simsia/ 
1-pandeli-simsia                           “Reagimi mospërfillës i Mirës më vrau shumë shpirtërisht. Dhimbja ishte e madhe, si atëhere para 30-të vitesh dhe, goditjen e grushtit të asaj dite të largët mbi stomakun tim, e ndjeva më të dhimbshëm”.
Personazhin tim, po e quaj, Mira.
Pamja e saj, buzëqeshja, shkathtësia, shakatë e ndryshme që bënim në klasë, kur rrinim grup shokë e shoqe përpara oborit të shkollës dhe prisnim të dëgjonim tringëllimën e ziles për të hyrë në mësim, më kanë shoqëruar gjithmonë, madje si një objektiv filmi edhe më janë shfaqur përpara syve.
Në pamjen e jashtëme Mira nuk ishte shumë e bukur, por kishte ëmbëlsinë e femrës adoleshente; ishte tërheqëse, të bënte për vete.
Ishte nxënëse e mirë në mësime, por jo pretendente për të vazhduar shkollën e lartë.
Shoqëria jonë, si çdo shoqëri e asaj moshe vazhdoi deri në klasën e tetë; pastaj u ndërpre. Disa shokë klase filluan punëra në ndërmarjet e ndryshme të qytetit, disa të tjerë u doli e drejta e studimit në shkolla të ndryshme, madje edhe jashtë qytetit tonë.
Kur ktheheshim nga shkolla për në shtëpi, unë dhe një shoku im duhet të kalonim përpara shtëpisë së Mirës. Kjo ishte edhe arësyeja që, shoqëria midis ne të treve, sikur u forcua edhe më tepër nga shokët dhe shoqet e tjerë të klasës.
Por, Mira ishte e veçantë; në klasë, ajo ishte ajka e humorit, ëmbëlsia e bisedës.
Një ngjarje jo e këndshme na ndodhi pak muaj para se përfundonim klasën e tetë.
Ishte ditë e martë, stinë pranvere. Pemët kishin filluar lulëzimin e tyre.
Ora sapo kishte kaluar 5 e mbasdites. Dola nga shtëpia për të blerë diçka në një nga dyqanet në qendër të qytetit.
Rastësisht, në rrugë shkëmbehem me Mirën. Kur u afruam, Mira ndaloi hapin. Unë i buzëqesha si gjithmonë, ndërsa ajo, m’u duk shumë ndryshe nga herët e tjera.
Pa më pyetur se ku do shkoja, e frikësuar, me një frymëmarje të shpejtuar, më thotë:
     – Të lutem shumë Bert! Të lutem, kthehu për atje ku je nisur. Më shoqëro deri në shtëpi. Duhet të shpejtojmë. – Fjalët mezi po i dilnin. Ishte hera e parë që e shikoja dhe e dëgjoja Mirën të më fliste aq dhimbshëm. Toni i zërit të saj nuk i përshtatej pamjes dhe tipit të Mirës. Ndjeva keqardhje të madhe!
     – Ç’farë ka ndodhur, Mira? – e pyeta i trembur.
     – Të lutem, shpejtojmë hapat; një djalë, një idjot, po më vjen nga pas, madje, jo vetëm që më ndjek, por, para pak minutave, guxoi dhe më ndaloi. Më erdhi nga prapa siç më vjen shpesh dhe, vetëm kur ndjeva mbi supin tim duart e tij të fuqishme. Me forcën e një mashkulli rrugaç dhe idjot, me duart e tij të fuqishme, ma ktheu trupin përpara vetes tij. – Pse nuk e pranon kërkesën time për të biseduar? Unë të dua, madje edhe do martohemi bashkë… – po më fliste Mira me me zë të përvajshëm; mjekra po i dridhej.
     – Mira! – e ndërpreva unë. Nuk po mundja ta dëgjoja. Ndjeva një pikëllim të thellë. Në grykë më ishte bërë një nyje sikur më pengonte frymëmarrjen.
     – Po më duket shumë e gjatë rruga për të mbërritur në shtëpi, Bert. – Vazhdoi Mira të flasë me zë të ngashëryer. Të lutem, të shpejtojmë. Nuk mund ta mendoj kurrë se ç’farë do më ndodhte me atë idjot djalë, mallkova veten që dola për të blerë… Oh, moj mami! – fliste ajo me zë të dridhur dhe  lëshoi një ofshamë.
Pikëllimi që po vazhdoja të ndjejanga ajo ç’po dëgjoja, m’u bë edhe më mbytës.
     – E njeh atë djalin ti? Të ka ndaluar edhe herë të tjera? – vazhdova ta pyes përsëri duke e parë dhimbshëm.
     – Është një idjot nga një lagje tjetër e qytetit tonë. Më ndjek shpesh nga pas, madje, njëherë në autobusin e linjës, shfrytëzoi rastin kur kishte shumë njerëz. Unë, isha e shoqëruar me mamin dhe motrën time më të vogël; më qendroi përballë dhe, në kohën kur po zbrisnim nga autobusi, dëgjova të më pëshpëriste në vesh: “Të dua shumë zemër e vogël! Fiksoje fytyrën time, sepse do më kesh gjithmonë pullë poste ngado që të shkosh…”
     – Çudi! Ti ke edhe vëllanë një vit më të madh se vetja…
     – Nuk dua ta ngatërojë vëllanë, Bert. – më ndërpreu. – Por, nëse do vazhdojë kështu, edhe vëllait do t’i them – m’u përgjigj Mira me zë të trembur.
Unë pohova me një lëvizje të lehtë të kokës.
Nuk e njihja atë djalë, por, me ç’po më tregonte Mira ndjeva një përçmim të madh ndaj tij.
     – Mos u mërzit, – e ndërpeva unë. Po më dhimbsej shumë ndërsa e shihja në atë gjendje. – Pothuajse mbërritëm, nuk kemi edhe shumë rrugë për të bërë deri në shtëpinë tënde. 
Më bënë veshët, sikur dëgjova hapa të shpejtuara prapa nesh. I frikësuar, ktheva kokën.
     – Qendroni aty, se do bëj skandal – më foli djali që m’u shfaq prapa nesh me një rrezatim agresiv duke më vështruar rreptas. – Kur të mos kem njeri në shtëpi, më vdekshin që të gjithë njerëzit, do bëj skandal.
O, mamiiiii! – Bërtiti fort Mira dhe, instiktivisht më kapi mua nga krahu i majtë si të kërkonte ndihmën time, si të isha unë shpëtimtari i saj.
Qendruam të dy të frikësuar, frikë, që, sa herë e kujtoj, edhe pse kanë kaluar shumë vite, prapë e ndjej brenda qenies sime.
Djali, që nuk ishte më shumë se 20-të vjeç, më i gjatë se ne nga shtati, me një pamje të egërr dhe me një vështrim të rreptë, qendroi para nesh. Shikimi i tij i egërr u mbërthye mbi mua.
     – Kush je ti? – më pyeti egërrsisht. 
I frikësuar në kulm, m’u lidhën fjalët, nuk dija ç’përgjigje ti jepja. Një gulç m’u mblodh në grykë. Trupi filloi të më dridhej sa përnjëmend, mendova se do rrëzohesha përtokë. Po e shikoja përhumbshëm.
     – Kush, kush… jam unë! – Nuk po dija si t’i përgjigjesha.
     – Kush je ti, po të pyes, që shoqërohesh me këtë? – ndjeva dorën e tij të fuqishme mbi kraharorin tim. Më kishte kapur nga këmisha dhe po spërdridhte dorën sipër këmishës sime.
M’u errësuan sytë. Si nëpër ëndërr, zëri i Mirës më erdhi i shurdhët që vazhdonte të bërtiste duke qarë: Oh, mami! Ohhh! Jo, Joo!
Papritur, ndjeva një goditje therrëse në barkun tim, në pjesën e stomakut. Bota përreth m’u errësua; çdo gjë m’u shpërfytyrua. Mes dhimbjes së madhe që më kishte bllokuar edhe frymëmarjen, mbaj mend, që s’po mund të merrja frymë, kuptova se kisha rënë përtokë.
Nuk e di se sa kohë ndenjta përtokë gjysëm i shtrirë. U përpoqa të mbledh veten.  Me duart në pjesën e stomakut sikur doja të lehtësoja dhimbjen e madhe që më kishte kapluar, u çova me  ngadalë. Mira dhe djali i panjohur nuk ishin aty. 
Me trupin gjysëm të përkulur, me hapa të ngadaltë edhe nga pesha e dhimbjes, u ktheva në rrugën drejt shtëpisë sime.
Nuk doja kurrsesi ta mësonin prindërit dhe pjesëtarët e tjerë të familjes sime ajo që kishte ndodhur me mua. 
Nuk doja të më shikonin në atë gjendje që isha. Ndjeja vështirësi në frymëmarrje.
Nuk po mundja dot të vazhdoja ecjen. Për fatin tim, pranë shtëpisë sonë, ndodhet një si lulishte e vogël. Eca drejt saj. U ula në një stol dhe, me kurrizin gjysëm të përkulur, kush e di se sa shumë kohë do kem qendruar i ulur aty, derisa mendova se mund të ecja drejt shtëpisë. 
Mes dhimbjes që po ndjeja, mendoja edhe për Mirën; ku do jetë, çfarë do ti ketë ndodhur edhe asaj…!
Atë mbasdite, me shumë vështirësi, në shtëpi, tek njerëzit e familjes sime, u mundova të mos e jepja veten; u shtira i lodhur. Doja vetëm të shtrihesha e të flija gjumë. Dhe ashtu bëra.
Të nesërmen në mëngjes, nuk ndjehesha i aftë të shkoja në shkollë, madje edhe nuk shkova. Më ndihmoi fati që, prindërit e mi iknin në punë në orët e para të mëngjesit.
Kisha shumë dhimbje në stomak. Nuk u shqetësova shumë për mungesën time të paarsyeshme që do merja në shkollë; shqetësimin e kisha më shumë tek Mira; doja të mësoja çfarë kishte ndodhur me të pas asaj që ndodhi me mua.
Atë ditë edhe Mira nuk kishte shkuar në shkollë. Mungesa ime dhe e Mirës, kishte lënë shumë dyshime tek shokët dhe shoqet e klasës sonë.
Mungesa jonë në shkollë interpretohej në forma dhe mendime të ndryshme. Unë dhe Mira atë ditë, ishim bërë objekti i bisedës.
Jashtë dëshirës sonë dhe realitetit që kishte ndodhur, pjesa më e madhe e shoqërisë sonë, ishin më se të bindur që, unë dhe Mira ishim dy të dashuruar. Atë dashuri, e vërtetonte më së miri mungesa jonë në mësim.
Shqetësimin që kishte pasur Mira atë ditë e kishte biseduar edhe me familjarët e saj.
Një ditë, vetë vëllai i Mirës, pas mbarimit të mësimit, po më priste në oborin e shkollës.
     – Bert! Në emër të të gjithë familjarëve tanë, të falenderojmë shumë. Nuk do ta harrojmë kurrë. Më konsidero si byrazerin tënd…
Shtrënguam dorën me njëri tjetrin.
Pas asaj që na ndodhi, nuk donim më ta kujtonim. Unë nuk e pyeta Mirën, por as ajo nuk më foli më për atë djalë, vetëm më tha: – Ai, maskarai, do ta pësojë shumë më keq nëse e merr edhe njëherë mundimin, jo të më prekë me dorë, por as për të më ndjekur nga pas. Ndërsa ti Bert, je dhe do jesh gjithë jetën time shoku im më i mirë, vëlla dhe kaluar vëllait. Nuk kam për ta harruar kurrë, gjithë jetën time, nuk kam për ta harruar kurrë, sakrificën e madhe që bëre për mua, madje, të kërkoj shumë ndjesë, të lutem, Bert.
     – Mira, ç’dokush që do ishte në vendin tim, ashtu si unë do vepronte, por, më beso, edhe mua më erdhi shumë keq për ty. Por, ajo që më shqetëson më shumë, është se: Pothuajse të gjithë shokët dhe shoqet e klasës, madje edhe të klasave të tjera, mungesën tonë në mësim atë ditë, e kanë keqkuptuar dhe keqinterpretuar…
     – E di! – m’u përgjigj prerë, Mira. Fytyra i tregonte mërzitje dhe, menjëherë, i mori një shprehje pa formë që mua m’u duk sikur nuk donte vazhdimin e asaj bisede.
Edhe pak muaj dhe ne përfundonim klasën e tetë. Në ditët në vazhdim, Mira në bisedë e sipër, mes shakave të saja, e përmendte shpesh: Pas mbarimit të klasës së tetë, rrugët e jetës do na ndajnë, por, ti Bert mos harro, për mua kudo që do shkosh, do jesh gjithmonë vëllai im. Madje, e përmendte edhe mes nxënësve të tjerë të klasës si për të hequr dyshimin e tyre.
Dhe ashtu ndodhi vërtetë: Pasi mbaruam klasën e tetë, udhët e jetës sonë edhe na ndanë me shumë shokë e shoqe.
Unë, studimet e shkollës së mesme i ndoqa jashtë qytetit tim. Studimet e shkollës së lartë i përfundova në një qytet tjetër dhe, pas studimeve të larta, u emërova inxhinier në një qytet tjetër industrial ku edhe krijova familjen time dhe u bëra qytetar i atij qyteti.
Portreti i Mirës, emri i saj dhe i disa shokëve dhe shoqeve të klasës, buzëqeshja, shakatë e saja, më kanë shoqëruar gjithë kohën. Sa shumë e dëshiroja, sikur edhe vetëm njëherë ta shikoja në rrugë. Sigurisht, duhet të kishte krijuar familjen e saj. E ëndëroja shumë ta shikoja vetëm, me bashkëshortin e saj, me fëmijët. Kisha pyetur dhe më kishin thënë, se Mira ishte martuar në qytetin tonë të lindjes.
Sa herë shkoja në vendlindje, asnjëherë nuk më kishte rastisur ta shikoja.
Një ditë, me vajzën time të madhe, shkuam për një gëzim familjar në qytetlindje.
Në një dyqan pije freskuese, dallova një grua me pamje fisnike. Edhe pse vitet kishin kaluar dhe mosha, sigurisht, bën punën e saj, fisnikëria e asaj gruaje dallohej qartë në pamjen e saj. E njoha, Ishte mamaja e Mirës.
U gëzova shumë; iu prezantova si një ish shok klase me Mirën, madje e prezantova edhe vajzën time.
Ajo, sapo dëgjoi emrin tim, më pa fort në sy. Diçka po mendonte. 
Nuk e kuptova dot, po ndjehej e hutuar, apo po mundohej ti kujtohej ai emër.
Me një buzëqeshje që i shkëlqeu në fytyrë, doli jashtë banakut, u afrua pranë nesh dhe, pasi shtrënguam duart, më përqafoi. –  Bert, të faltë Zoti! Sigurisht, qenke rritur dhe paske ndryshuar, Bert, por, janë disa tipare tek njerëzit që nuk ndryshojnë, sado që të rritet njeriu. Janë disa veprime, disa sakrifica në jetë që bën njeriu për shokun, për mikun dhe, ato nuk harrohen kurrë…
E përqafoi edhe vajzën time si ta kishte fëmijën e vet.
Po ndjehesha shumë i lumturuar. E pyeta edhe për Mirën.
Mësova disa gjëra rreth Mirës dhe familjen e saj të re. U gëzova shumë, pa harruar ti dërgoja përshëndetjen time Mirës.
 
* * * 
Pothuajse, pas 30 vitesh, shkova përsëri në qytetlindje. isha i shoqëruar me bashkëshorten time dhe me vajzën.
Sigurisht, nuk mund të rrija pa shkuar edhe në dyqanin e pijeve freskuese ku punonte mamaja e Mirës.
Për çudinë dhe të papriturën time, shitëse nuk ishte gruaja që mendoja unë, por një grua tjetër, më e re në moshë se mamaja e Mirës.
Po e vështroja me imtësi. Nuk do ta kisha njohur, nëse nuk di t’i shikoja një nishan të vogël që e kishte në cepin e buzës së sipërme nga ana e majtë.
Pa u menduar shumë, me buzëqeshjen time që më karakterizon me të gjithë miqtë dhe shokët, i fola menjëherë: 
     – Mira! – dhe iu afrova; i zgjata dorën për ta takuar.
     – Po! – m’u përgjigj dhe, në vend që edhe ajo ti përgjigjej zgjatjes së dorës së saj drejt meje, u largua një hap prapa.
     – Mira! – Vazhdova unë të flasë; vërtetë, kanë kaluar shumë vite pa u parë dhe, sigurisht, edhe mosha jonë ndryshimi i pamjes sonë, ndikojnë, por, besoj se, nuk kam ndryshuar kaq shumë sa të mos më njohësh fare. Jam Berti, Mira, Berti F, ish shoku yt i klasës, madje, nganjëherë edhe shoku i bankës. Dhe, si për ta bërë edhe më miqësore bisedën, i prezantoj bashkëshorten dhe vajzën tonë.
Mira, shumë mospërfillëse, sikur unë të isha një njeri krejt i panjohur për të, sikur të mos e kishte dëgjuar kurrë emrin tim, sajoi një buzëqeshje të rremë dhe m’u përgjigj me indiferencë.
     – Paske ndryshuar shumë. Nuk të njoha. Kanë kaluar shumë vite që nga ajo kohë e largët e viteve të shkollës tetvjeçare. Koha ndryshon…
I hutuar, i papërgatitur nga ajo e papritur, nuk po dija si të veproja, madje, për çudi edhe fjalët m’u lidhën.
Pas një heshtje të shkurtër, i fola:
     – Sigurisht, koha ndryshon, por, nuk e mendoja se paskan ndryshuar shumë edhe njerëzit, Mira. Unë kam krijuar familjen time dhe familjarisht, prej shumë vitesh jetoj në shtetin fqinj. Jetën e kam ndërtuar me djersë dhe punë, madje jemi shumë të kënaqur me atë çfarë kemi arritur në familjen tonë dhe me fëmijët tanë. 
Jashtë dëshirës sime, por i sinqert me atë që po bëja, pa më pyetuar ajo për shëndetin tim, i thash: – Besoj se të kujtohet, kur, atë mbasdite të largët, një djalë, më qelloi me grusht në stomak dhe, pasojat e asaj goditje po i ndjej edhe tani, madje edhe më të forta…
       – Më vjen shumë keq për atë që ndodhi në atë kohë të largët. I kam fshirë nga kujtesa ime lodrat adoleshente, – ndërhyri Mira po me të njëjtën indiferencë duke ma ndërprerë bisedën, sikur unë të kisha qenë shkaktari dhe lojtari i keq i asaj lodre adoleshence, siç e quajti ajo.
Po më dukej vetja i tepërt në atë dyqan. Po ndjehesha i fyer edhe përpara bashkëshortes dhe vajzës sime që me sa shumë nostalgji u kisha folur unë për Mirën. 
Qendrimi indiferent i Mirës ndaj meje që, nuk e kuptova pse-në dhe nuk dua ta di arësyen e atij qendrimi, ndikoi, jo vetëm tek unë, por edhe tek bashkëshortja dhe vajza jonë edhe pse ato nuk reaguan fare dhe nuk ma zunë në gojë asnjëherë.
Nuk kisha ç’të flisja më. 
Mira, me qendrimin e saj, me bisedën dhe përgjigjet e saj të ftohta, po më godiste fort, jo me grusht, por me të gjithë forcën e qënies së saj.
Reagimi mospërfillës dhe fyes i Mirës, më vrau shumë shpirtërisht. Dhimbja ishte e madhe, si atëhere para 30-të vitesh dhe, goditjen e grushtit të asaj dite të largët mbi stomakun tim, e ndjeva më të dhimbshëm.

Filed Under: LETERSI Tagged With: dhimbja, Pierre-Pandeli Simsia, Tregim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT