• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

VATRA, LETËR GJYKATËS SË COLMAR-it PËR LIRIMIN E HARADINAJT

March 26, 2017 by dgreca

Federata “Vatra” , Letër Gjykatës së Apelit të Colmar-it, Francë: “Lironi Ramush Haradinaj!” /

1 ok LetraNë një letër, të shkruar në gjuhën frënge dhe dërguar Gjykatës së Apelit të Colmar-it, Francë, Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” , kërkon që heroi i Luftës së Kosovës, Ramush Haradinaj, të lirohet nga akuzat e sajuara të Serbissë.

Në letrën e Federatës Vatra, ndër të tjera shkruhet: Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”, shoqëria më e vjetër që përfaqëson diasporën shqiptare që prej vitit 1912, mendon se mbajtja e Z. Ramush Haradinaj nën kontroll gjyqësor, vendosur nga Gjykata e Apelit të Colmar-it, mbështetet mbi baza juridike të kontestueshme dhe se është me pasoja të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Ajo mendon se kjo çështje është tërësisht politike dhe se po përdoret nga Serbia vetëm për qëllime provokuese që nxisin urrejtjen ndaj popujve ballkanikë, dhe posaçërisht ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.

Serbia vazhdon të mos njohë pavarësinë e Kosovës, megjithëse kjo pavarësi është pranuar ligjërisht më 2010 nga Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë dhe sot njihet nga 114 shtete. Serbia i mohon Z. Haradinaj dhe popullit kosovar çdo nënshtetësi që nuk është serbe, si dhe të drejtën për të jetuar të lirë e të pavarur në kufijtë e tyre të ligjshëm, ndërkohë që vetë Serbia nuk ka juridiksion mbi qytetarët kosovarë.

Duke abuzuar me kuadrin juridik ndërkombëtar, Serbia ka lëshuar mandate arresti ndërkombëtar ndaj tij dhe ndaj shumë personaliteteve politike kosovare, ndërkohë që  Z. Haradinaj është paraqitur vullnetarisht në TPI dhe Gjykata ndërkombëtare e Hagës e ka shpallur më 2012 të pafajshëm për të gjitha akuzat që i janë bërë.

Veteran i UÇK-së, hero i Luftës së Kosovës, ish kryeministër i Kosoves,  dhe drejtues aktual i AAK (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), Z. Haradinaj, është një personalitet i shquar dhe shumë i respektuar në gjirin e popullit shqiptar të Kosovës.

Federata “Vatra”, që ka dorëzuar tashmë dy peticione të nënshkruara tek autoritetet franceze, bën edhe një herë thirrje për lirimin e Z.Haradinaj, me qëllim që të marrin fund veprimet provokuese të Serbisë ndaj personaliteteve politike kosovare dhe ndaj pavarësisë së Kosovës.

New York, 20 mars 2017.

Kryetari i Federatës “Vatra”

Gjon Buçaj

Sekretare

Nazo Veliu

Filed Under: Featured Tagged With: Colmar, dalip greca, France, Gjykates se Apelit, leter, Vatra

EKSPOZITA E ARTISTIT BLERIM LUZHA, SPEKTËR ARTISTIK PLOT NGJYRA E FLORË PRANVERORE

March 25, 2017 by dgreca

2 Luzha Blerim

Ekspozitë retrospektive e Blerim Luzhës në Galerinë Kombëtare të Kosovës/

5 Vizitore2-“Puhi freskuese mes petalesh” në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë – ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës, në 80 vjetorin e lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë artistike të tij, është hapur mbrëmë në një ceremoni me shumë pjesëmarrës/

1 Ekspozita Belrim Luzha

-Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI-organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA, Behlul Jashari, ishte ndër të ftuarit në ekspozitë, nga e cila raportoi/

3 Vizitore

-Media e Kosovës:  Ekspozita e artistit Blerim Luzha, spektër artistik plot ngjyra e florë pranverore/

4 IntervistePRISHTINË, 25 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ “Puhi freskuese mes petalesh”, ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës, në 80 vjetorin e lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë artistike të tij, është hapur mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

“Blerim Luzha ka krijuar kopsht me ngjyra e me forma të ndryshme. Gjithçka ngjan sikur në Kopshtet e Samiramidas në Babiloni”, u shpreh kuratori Shyqri Nimani në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, ku theksoi “punën rreth gjashtë dekada art e bukuri”.

Shyqri Nimani për Blerim Luzhën ka shkruar: “Rëndësi parësore për të ka zhvillimi i perceptimeve të ndryshme të përdorimit të ngjyrës, yrnekut, trajtës dhe vijës, herë me kompozicione multiplikative, herë me trajtime asimetrike e herë-herë edhe me shfryrje të lira shpirtërore. Në këtë mënyrë autori përcakton filozofinë e konceptimit të krijimtarisë vetanake sipas parimit ‘simbiozë e traditës dhe e kontemporanes me vlera të mirëfillta’. Kështu, gjatë frymëzimeve nga flora natyrore krijohet një vargan me glosar të gjatë të luleve nga më të bukurat dhe nga më të llojllojshmet…:

“I urojmë ditëlindjen artistit, ndërsa e falënderojmë për rreth 17 vite sa ka punuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës”, tha drejtoresha e Galerisë, Arta Agani, duke shtuar se disa nga veprat në ekspozitë janë të para shumë vitesh, “por çuditërisht janë bashkëkohore”.Artisti me studime e specializim edhe në Paris, Luzha nuk ka folur për veprën e vet, derisa pjesëmarrësit e shumë në hapje të ekspozitës, të cilët i falënderoi, shihnin në muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës edhe “dizajnimet me një spektër të frymëzuar piktural që ka aromën e florës së lulëzuar pranverore”.Ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës “Puhi freskuese mes petalesh” do jetë e hapur për një muaj, deri në 24 prill 2017.

Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI- organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA ishte ndër të ftuarit në ekspozitë, për të cilën ka raportuar edhe për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë.

Media kosovare vlerëson ekspozitën, KultPlus ka shkruar:

EKSPOZITA E ARTISTIT BLERIM LUZHA, SPEKTËR ARTISTIK PLOT NGJYRA E FLORË PRANVERORE

Galeria Kombëtare gjithandej ishte mbushur me piktura të artistit, me kompozicione multiplikative ku vërehej një asocim i ardhjes së pranverës. Spektri i veçantë i pëlhurave erdhi me ngjyra të ndryshme, me larushi dedikimesh unike dhe me një simbiozë mes të mirëfilltës, traditës dhe asaj të resë, bashkëkohores, kontemporanes.

Arbër Selmani

Çka panë sytë e tij nëpër Paris, në Beograd e në qytete tjera ku qëndroi për vizita studimore, kjo duke u ndërlidhur edhe me kontaktet e tij me piktorin Ibrahim Kodra, dashuria për natyrën por edhe ajo për artin si diçka që nuk ka fund, sollën lule e petale në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Frymëzimi nga flora i doli në lule: në lulekëmborë, në luleshpatë, zogparajse, në orkide e në tulipanë, në luledielli e jasemin, jo më pak krizantemë. Blerim Luzha erdhi i tëri i kompletuar dhe me sekuencën e krijimtarisë së tij në ekspozitën retrospektive, sonte në kryeqytet.

Ekspozita retrospektive e artistit u hap në praninë e artdashësve të Luzhës. Arta Agani nga Galeria Kombëtare e Kosovës tregoi për ekspozitën e cila sjellë në retrospektivë punën e artistit.

“Së pari i urojmë ditëlindjen artistit, ndërsa e falënderojmë për rreth 17 vite sa ka punuar në Galerinë Kombëtare si kurator i koleksionit. Veprat që po i shihni sonte kanë elemente nga art nouveau e deri te op-arti, me teknike të jashtëzakonshme dhe dizajn të veçantë. Disa prej tyre janë punuar para shumë vitesh por çuditërisht janë bashkëkohore”, tregoi Arta Agani në hapjen e ekspozitës.

Galeria Kombëtare gjithandej ishte mbushur me piktura të artistit, me kompozicione multiplikative ku vërehej një asocim i ardhjes së pranverës. Spektri i veçantë i pëlhurave erdhi me ngjyra të ndryshme, me larushi dedikimesh unike dhe me një simbiozë mes të mirëfilltës, traditës dhe asaj të resë, bashkëkohores, kontemporanes.

Shyqri Nimani, kuratori i ekspozitës, derisa foli mbi jetën e artistit tregoi se ai i përket plejadës së shkollarëve që u larguan për studim në Akademitë e mëdha të Beogradit, Parisit, Ljublanës e Beogradit por u kthyen për të kontribuuar në vendin e tyre, shkruan KultPlus.

“Dhe e vërteta është se u kthyen në këtë vend, pasi specializuan në vende të ndryshme. Për Luzhën, është interesant se ai pati afinitet me Francën, artin e këtij shteti dhe e vizitoi shpesh Muzeun e Luvrit atje. E kjo ekspozitë që është hapur sonte, në fakt është koincidencë që po mbahet pikërisht në Javën e Frankofonisë në Kosovë” tregoi mes tjerash Nimani, në fjalën e hapjes së ekspozitës “Puhi freskuese mes petalesh”.

Kuratori Nimani pohoi në hapjen e ekspozitës së artisti Blerim Luzha, me punën e tij që kapë rreth gjashtë dekada art e bukuri, ka krijuar një floriadë të madhe, me trajtat, elemente, e me ngjyrat që ka përdorur.
“Ai ka krijuar kopsht me ngjyra e me forma të ndryshme. Për ata që janë sonte këtu ose edhe ata që do të kenë rastin ta vizitojnë studion e artistit, gjithçka ngjan sikur në Kopshtet e Samiramidas në Babiloni” thotë mes tjerash kuratori Shyqri Nimani.
Vetë artisti duke përshëndetur familjen dhe bashkëpunëtorët, sidomos bashkëshorten e tij, nuk ka dashur të flasë mbi veprën e tij, por vetëm është falënderuar për të pranishmit që e çmojnë dhe kësisoj e vlerësojnë karrierën e tij, një pjesë e mirë e së cilës erdhi e shpalosur në muret e Galerisë Kombëtare, nga e premtja e 24 marsit.

Blerim Luzha është ndër krijuesit e rrallë shqiptarë që tërë karrierën e tij ia ka kushtuar fushës së tekstileve. Krijimet e tij në Cikli i dezenëve shquhen për imagjinatën e pasur të stilizimeve të motiveve florale me kolorit gamash të ngrohta e të freskëta dhe me struktura atraktive.

Luzha ka punuar në projektet për pëlhura dekorative, për pëlhura të veçanta, të mëndafshit, të pambukut dhe për veshje solemne. Dy vite përfundon specializim në Paris ndërsa udhëtimet e tij studimore janë realizuar në Gjermani, Francë, Çeki, Belgjikë e në shtete tjera.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, E ARTISTIT BLERIM LUZHA, E FLORË PRANVERORE, Ekspozita, SPEKTËR ARTISTIK PLOT NGJYRA

Basha, nga SHBA në çadrën e Lirisë: Rama ka rënë…!

March 25, 2017 by dgreca

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas vizites ne ShBA eshte kthyer sot dhe ka folur nga çadra e lirisë pas kthimit nga SHBA ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë amerikanë dhe stafin e Presidentit Donald Trump.Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, kreu i demokratëve deklaroi se stafi i Presidentit amerikan Trump do të ndihmojë në fushatën e Partisë Demokratike.Basha u shpreh i vendosur gjithashtu dhe i qëndroi kushtit se nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Ai kërkoi krijimin e një qeverie teknike, e cila do të realizojë zgjedhje të lira dhe demokratike.“Mora mbështetje nga bashkëpunëtorët e Presidentit Trump për kauzat e PD, mesazhi i dytë ishte falenderimi për protestuesit, si një armatë që lufton për lirinë që është e kërcënuar nga krimi, ndërsa mesazhi i tretë është i mbështetjes politike të miqve nga ekipi i Trump për betejën e zgjedhjeve të lira. Do të kemi ekspertizën e ekipit fitues të zgjedhjeve në SHBA”, u shpreh Basha.

Basha: Do të kemi ekspertizën e ekipit fitues të zgjedhjeve në SHBA

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi të shtunën pasdite se mesazhet kryesore që mori gjatë vizitës së tij në SHBA, ishin mbështetja dhe përgëzimi për protestën që PD po zhvillon në Shqipëri.Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Basha deklaroi para protestuesve demokratë se “mori mbështetje nga bashkëpunëtorët e Presidentit Trump për kauzat e PD-së”. “Mesazhi i dytë ishte falenderimi për protestuesit, si një armatë që lufton për lirinë që është e kërcënuar nga krimi, ndërsa mesazhi i tretë është i mbështetjes politike të miqve nga ekipi i Trump për betejën e zgjedhjeve të lira. Do të kemi ekspertizën e ekipit fitues të zgjedhjeve në SHBA”, deklaroi ai.“‘Beteja ka hyrë në një fazë vendimtare, ka vetëm një përfundim; largimi i Ramës dhe një qeveri teknike për zgjedhje të lira. Me ndihmë e miqve tanë do ia dalim në betejën tonë. Erdha me  besim ta kauza jonë me mbështetje nga SHBA dhe Brukseli”, u shpreh Basha.Nje dite me pare, Kryetari i Partisë Demokratike, Luzim Basha ripërsëriti qëndrimin e tij për qeveri teknike nga Washingtoni, ku ndodhet prej pak ditësh, ku sipas tij, ka zhvilluar disa takime me krerë të lartë të Senatit dhe Kongresit, si dhe bashkëpunëtorë të administratës së presidentit Trump.“Qëndrimi i Partisë Demokratike dhe i gjithë opozitës është shprehur tashmë. Partia Demokratike, opozita e bashkuar dhe shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë që prej 18 shkurtit ndodhen në një lëvizje popullore e demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme. Ne as nuk do të pranojmë dhje as nuk do të lejojmë zgjedhje farsë, me krimin, me drogën dhe për këtë kushti i patjetërsueshëm është formimi i një qeverie teknike me vullnet të të gjitha forcave politike që do të mundësojnë zgjedhje të lira e të ndershme, duke zbatuar ligjin për dekriminalizimin dhe duke luftuar influencën e krimit dhe drogës”, deklaroi Basha, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.Basha u shpreh se nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën dhe këtë tha ai, e përcaktojnë qytetarët shqiptarë . “Dua të ndaj sot lajmin e shkëlqyer me qytetarët shqiptarë, jo thjesht me protestuesit, kënaqësinë e jashtëzakonshme për mbështetjen që kam marrë nga të gjithë bashkëbiseduesit e administratës Trump, Kongresit dhe Senatit për kauzën e drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për betejën e qytetarëve për të mos lejuar asnjë standard tjetër, vetëm atë europian në procesin e ardhshëm zgjedhor”, deklaroi Basha.Duke folur për qëndrimin e ndërkombëtarëve, Basha tha se ambasadori amerikan në Tiranë ka mbështetur disa prej shqetësimeve që ne kemi ngritur dhe ka ofruar rrugë praktike të zgjidhjes së tyre. “Ai vetë ka ndihmuar që ligji për SPAK të kalojë me konsensusin e opozitës, ndërsa 6 ligjet e tjera kanë kaluar pa konsensusin e PD-së, sepse Edi Rama donte të përjashtonte opozitën për të kontrolluar sistemin”, tha më tej Basha, në intervistën e dhënë për “Zërin e Amerikës”.Basha tha se edhe sikur sot opozita të ishte në Parlament ligji për Vetting-un nuk kalonte dot, sepse kanë ndërhyrë në përpjekje për të kapur drejtësinë.

1 Basha Z Amerikes

INTERVISTA NE ZERIN E AMERIKES ME 24 MARS

Kryetari i PD Lulzim Basha këmbëngul në qeverinë teknike si e vetmja mundësi zgjidhjeje/

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i dha fund të premten një qëndrimi disa ditor në Uashington. Para largimit ai qëndroi për një intervistë në studiot e Zërit të Amerikës ku sqaroi qëndrimet e demokratëve lidhur me zgjedhjet e pritshme të 18 qershorit dhe reformën e bllokuar të drejtësisë.Intervista e plotë.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, sot Presidenti dekretoi datën e zgjedhjeve në Kavajë. A do të merrni pjesë ju në to?

Lulzim Basha: Qëndrimi i Partisë Demokratike dhe i gjithë opozitës është shprehur tashmë. Partia Demokratike, opozita dhe shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë që prej 18 shkurtit ndodhen në një lëvizje popullore, qytetare, kombëtare dhe demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, as nuk do të pranojë, as nuk do të lejojë zgjedhje farsë, zgjedhje me krimin, zgjedhje me drogën dhe për këtë, kushti i patjetërsueshëm është largimi i Edi Ramës dhe formimi i një qeverie teknike me vullnet të të gjitha forcave politike që do të mundësojnë krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke zbatuar ligjin për dekriminalizimin dhe duke luftuar influencën e krimit të organizuar dhe parave të pista të drogës.

Zëri i Amerikës: Pa dyshim do të ndalemi pak më gjatë në qëndrimin e opozitës. Por le të ndalemi fillimisht tek synimi i kësaj vizite për të cilën ishit në Uashington këto ditë.

Lulzim Basha: Jam i ftuar këtu; jam mirëpritur nga udhëheqësit republikanë të Kongresit dhe të Senatit. Kam takuar krerët e komisioneve relevante: Komisionit të Jashtëm, Komisionit të Sigurisë Kombëtare; një numër të madh senatorësh dhe kongresmenësh të cilët merren drejtpërdrejt me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, si dhe bashkëpunëtorë të nivelit të lartë të administratës Trump, ku kemi diskutuar për gjendjen në Shqipëri, për zhvillimet politike në Shqipëri, për impaktin që ka kriza politike, dhe në veçanti krimi i organizuar, paratë e drogës dhe influenca e tyre mbi procesin politik në Shqipëri, jo thjesht për popullin shqiptar dhe Shqipërinë, por për rajonin në tërësi dhe për interesat gjeo-strategjike të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe dua të ndaj sot, nga kjo studioja juaj lajmin e shkëlqyer, me qytetarët shqiptarë, jo thjesht me protestuesit, të cilët i përshëndes këtu nga Uashingtoni, nga studio e Zërit të Amerikës, por me të gjithë qytetarët shqiptarë, kënaqësinë e jashtëzakonshme për mbështetjen që kam marrë nga të gjithë bashkëbiseduesit në të gjitha nivelet e administratës Trump, të Kongresit dhe të Senatit për kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe për betejën e qytetarëve shqiptarë për të mos lejuar asnjë standard tjetër, përveç standardit evropian dhe euro-atlantik në procesin e ardhshëm zgjedhor.

Zëri i Amerikës: Çfarë prisni ju nga zyrtarët amerikanë? Çfarë ndihme, ose çfarë mbështetje prisni ju prej tyre për zhvillimet që janë në Shqipëri, pasi problemet që keni ju në vendin tuaj, besoj, ka ardhur koha tashmë që mos t’i zgjidhin të huajt, apo jo?

Lulzim Basha: Jo, nuk presim zgjidhjen nga të huajt, sepse po të prisnim zgjidhje nga të huajt nuk do të ishim në këtë ditë të 35-të të një proteste të paprecedent, non-stop. Së pari, informimi ashtu siç duhet të qendrave kryesore të aleatëve tanë strategjikë: të Uashingtonit, Brukselit dhe partnerëve tanë sepse, për fat të keq, me investimin edhe të parave të narko-mafias shqiptare, është investuar fuqishëm në dizinformimin dhe keqinformimin, si të publikut ndërkombëtar, ashtu edhe të qendrave të vendim-marrjes politike. Prania ime këtu është një prani në vazhdim. Unë kam qenë këtu para disa javësh me rastin e inaugurimit të Presidentit Trump.
Zëri i Amerikës: Qeveria amerikane ka një ambasadë jo të vogël në Shqipëri. A e vini ju në dyshim informacionin që ambasada amerikane u jep politik-bërësve në Uashington?

Lulzim Basha: Jo, nuk ka të bëjë kjo. Çështja e komunikimit diplomatik midis ambasadës dhe Departamentit të Shtetit janë çështje të tjera. E kam fjalën për lobistët e paguar me paratë e narko-mafias shqiptare, të cilët veprojnë në Uashington, në Bruksel, në Berlin, në Londër për të fshehur të vërtetat e hidhura të Shqipërisë dhe për të keqinformuar aleatët tanë. Për fat të mire një nga meritat e mëdha të protestës së 18 shkurtit që vazhdon, është që është çjerrur kjo vello e paguar me paratë e drogës dhe narko-mafias shqiptare dhe qendrat kryesore të politik-bërjes shohin me tronditje të mëdha se si, nën qeverisjen e Edi Ramës, Shqipëria është shndërruar në një bazë kryesore të furnizimit të Evropës, jo vetëm me marijuanë, por edhe me heroinë dhe kokainë, se si shteti ligjor është zhbërë, bashkë me garancitë për liritë dhe të drejtat e njeriut dhe se si procesi demokratik është asgjësuar, jo nga një parti politike, jo nga socialistët shqiptarë, por nga kriminelët me damkë, të dënuar për vepra të rënda të krimit të organizuar, që sot bëjnë ligjin në shtetin shqiptar dhe brenda Partisë Socialiste të Shqipërisë. Dhe ky është një realitet që tashmë njihet nga të gjithë dhe konstatohet si problemi kryesor për të ardhmen e Shqipërisë. Këtu në Uashington, sikundër dhe në Evropë, e ardhmja e Shqipërisë shihet si e ardhmja e një vendi në Bashkimin Evropian. Por pengesa kryesore që Shqipëria të antarësohet në Bashkimin Evropian, që të hapen negociatat për antarësim, diçka që Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht, diçka për të cilën Partia Demokratike ka luftuar si në qeverisje, ashtu edhe në opozitë sot dhe do të luftojë fuqishëm edhe nesër, pengesa kryesore është kriminalizimi total i shtetit dhe kërcënimi që krimi i organizuar dhe paratë e drogës përbëjnë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Diçka që Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht, diçka për të cilën Partia Demokratike ka luftuar si në qeverisje ashtu edhe në opozitë sot, dhe do të luftojë fuqishëm edhe nesër. Pengesa kryesore është kriminalizimi total i shtetit dhe kërcënimi që krimi i organizuar dhe paratë e drogës po bëjnë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Zëri i Amerikës: Padyshim konstatimet tuaja mund të jenë më se të drejta, më se të sakta, por unë dua t’ju pyes për diçka tjetër. Kërkesa juaj për qeveri teknike, është hedhur poshtë nga kryeministri i cili ka theksuar se në zgjedhjet e 18 qershorit do të shkohet edhe pa opozitën. Në se nuk plotësohet kërkesa juaj për qeveri teknike dhe zgjedhjet zhvillohen në datën që janë dekretuar, 18 qershor, a do të merrni ju pjesë në to?

Lulzim Basha: Nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën dhe nuk do të lejojë as opozita dhe as qytetarët zgjedhje fasadë, zgjedhje farsë.

Zëri i Amerikës: Më falni, nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën nuk e përcaktoni ju.

Lulzim Basha: Sigurisht e përcaktojnë qytetarët shqiptarë dhe qytetarët shqiptarë kanë folur qartë më 18 shkurt, po flasin ditë për ditë e natë për natë pa çensurë nga ai shesh i lirisë.

Zëri i Amerikës: Ajo janë pjesa që iu mbështet ju e qytetarëve shqiptarë. Pjesa tjetër mund të marr pjesë

Lulzim Basha: Nuk do të thoja se Dritani Hila apo Artan Fuga janë militant të Partisë Demokratike. Po përmend dy emra. Por ka me qindra, me mijëra të tjerë të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me programin tonë elektoral por që thonë zgjedhje me krimin, zgjedhje me krimin në pushtet, zgjedhje pa dekriminalizuar shtetin shqiptar nuk mund të ketë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ka mekanizma Partia Demokratike për t’i bllokuar zgjedhjet?

Lulzim Basha: Sigurisht që po.

Zëri i Amerikës: Cilat janë?

Lulzim Basha: Të gjitha mekanizmat paqësore, por të vendosura për të mos lejuar një proces farsë. Ne këto mekanizma do t’i shpalosim hap pas hapi në varësi të situatës politike në vend. E sigurtë është një gjë dhe ky është një mesazh i qartë që sot e përsëris nga Uashingtoni, zgjedhje me krimin, zgjedhje me drogën, zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Ka rëndësi që këtë e them sot nga Uashingtoni pas pothuajse në përfundim të vizitës pasi pas kësaj interviste kam edhe dy takime të tjera.

Zëri i Amerikës: Dakort me ju. Ndalemi teknikisht. Zgjedhjet janë dekretuar pra janë të ligjshme. Janë dekretuar nga presidenti për në datën 18 qershor. Zgjedhjet mund të organizohen nga institucionet përkatëse, KQZ-ja, qeveria, kushdo që është e ngarkuar me to. Në se zgjedhje zhvillohen, a do të mari pjesë Partia Demokratike në to apo jo?

Lulzim Basha: Zgjedhjet nuk do të zhvillohen. Unë ju garantoj që zgjedhjet fasadë nuk do ishin zgjedhje.

Zëri i Amerikës: S’mund t’i garantoni ju zgjedhjet.

Lulzim Basha: Po nuk ka, nuk mund të ketë një proces demokratik. Votime po, ka patur 50 vjet votime në Shqipëri por nuk ishin zgjedhje.

Zëri i Amerikës: Pra kishte.

Lulzim Basha: Votime po, por zgjedhje jo.

Zëri i Amerikës: Pasojat është tjetër gjë, por zgjedhjet mund të zhvillohen.

Lulzim Basha: Proces të tillë, farsë në Shqipëri nuk ka për të pasur. Ky është zotimi ynë. Së bashku me qytetarët shqiptarë jemi të gatshëm të ndërmarrim të gjitha hapat demokratik dhe paqësor…

Zëri i Amerikës: Pra ju nuk pranoni të thoni se në qoftëse zgjedhjet zhvillohen, ju nuk do të merrni pjesë.

Lulzim Basha: E kemi sqaruar një herë e mirë këtë. Nuk do të ketë bojkot, por nuk do të ketë zgjedhje të diktuara nga krimi dhe nga droga.

Zëri i Amerikës: Nuk do të ketë zgjedhje se keni ju në dorë. Në qoftë se do të ketë zgjedhje. Qoftë edhe nga ato që mund të jenë farsë, ju do të merrni pjesë apo jo?

Lulzim Basha: Në qoftëse ka përpjekje për zgjedhje fasadë, Partia Demokratike dhe qytetarët do të bëjnë atë që i takon çdo shoqërie të civilizuar. Do të ndalin një maskaradë të tillë, dhe do t’u japin shqiptarëve në një mënyrë apo në një tjetër zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra nuk mund të ketë bojkot, sepse nuk do të ketë zgjedhje fasadë, zgjedhje me krimin. Edhe një herë e përsëris dhe këtë mesazh e jap sot në ditën e 35 të protestës dhe e jap këtu nga Uashingtoni pas takimeve me krerët më të lartë, me udhëheqësit më të lartë të Kongresit.

Zëri i Amerikës: Historia e Shqipërisë, në të kaluarën, këto 20 e disa vjet që janë bërë në demokraci me zgjedhje pluraliste, ka treguar se palët shkojnë buzë greminës, po e quaj pak të zmadhuar, deri në minutën e fundit. Pastaj gjendet një marrëveshje, gjendet një formë zgjidhje, dhe situata çbllokohet. A e shikoni ju ndonjë zgjidhje të mundshme përveç kërkesës maksimale me qeveri teknike?

Lulzim Basha: Zgjidhja që ne kemi propozuar është zgjidhja e vetme në këto kushte. Mos harroni që për një vit ne u përpoqëm ta zgjidhim këtë me Edi Ramën kryeministër, me këtë koalicion në pushtet. Duke propozuar paketën e Majit 2016, paketën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përfshirë votimin elektronik, duke propozuar në korrik kalimin në të njëjtën kohë me paketën kushtetuese për reformën në drejtësi edhe zhbllokimin apo largimin e gjithë pengesave ligjore, pikërisht për votimin elektronik biometrik dhe numërimin elektronik dhe një sërë propozimesh të tjera të cilat do ta adresonin problemin e shitblerjes së votës, problemin e kapjes së medias, problemin e përdorimit të shtetit në fushatë. Me vetëdije, zoti Rama asgjesoi ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji çdo mundësi për të zgjidhur këtë çështje në kuadër të institucioneve. 18 shkurti është produkti mbi të gjitha i arrogancës dhe bindjes do të thoja kriminale të zotit Rama se Shqipëria dhe shqiptarët do të pranojnë një proces zgjedhor të kontrolluar nga krimi aq më shumë tani me pretendimet absurde që ky proces zgjedhor mund të zhvillohet edhe pa opozitën. Jo nuk është e vërtetë që ne kemi ardhur me kërkesa maksimaliste. Ne kemi ardhur me kërkesa të diktuara nga koha pasi kemi shteruar çdo mundësi tjetër, është plotësisht e mundur jo vetëm, por është një rrugë e ndershme edhe për zotin Rama të çlirohet nga klanet e mafias që sot diktojnë qeverisjen dhe emërimet e ministrave, të çlirojë Partinë Socialiste është një oportunitet, një mundësi për zotin Rama edhe PS nga zgjedha e krimit të organizuar dhe t’i jap vendit së bashku me Partinë Demokratike edhe forcat e tjera politike një kabinet teknik i cili do të organizojë procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne kemi ardhë me kërkesa të diktuara nga koha pasi kemi shterruar çdo mundësi tjetër. Është plotësisht e mundur, jo vetëm kaq, por është një rrugë e ndershme edhe për zotin Rama të çlirohet nga klanet e mafias që sot diktojnë qeverisjen dhe emërimet e ministrave, të çlirojë partinë socialiste. Është një mundësi për zotin Rama të çlirojë edhe partinë socialiste nga zgjedha e krimit të organizuar dhe t’i jap vendit, së bashku me partinë domekratike dhe forcat e tjera politike, një kabinet teknik, i cili do të organizoj procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Zëri i Amerikës: Ju përmendet majin e vitit 2016, kur keni paraqitur për herë të parë propozimet tuaja për të përmirësuar procesin zgjedhor, apo ligjin e zgjedhjeve. Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti që nga maji i vitit 2016 deri më sot, deri para një muaji, ju nuk keni këmbngulur. Në qoftë se procesi zgjedhor ishte kaq problematik dhe parësor për Partinë Demokratike, nuk ju kemi parë të këmbëngulni prej kohe për një çështje të tillë, kur ju disa herë në të kaluarën e keni bojkotuar parlamentin edhe për gjëra më të vogla siç kanë qenë çështjet e konflitkit të interesit të disa deputetëve socialistë, që nuk u shqyrtuan nga parlamenti. Pra, përse partia demokratike nuk ka reaguar më përpara me një forcë kaq të madhe për çështjen e përmirësimit të kodit zgjedhor?

Lulzlim Basha: Dua të kundërshtoj këtë premisë. Fakti është që ne i atashuam kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme si kusht për votimin e reformës në drejtësi. Shqiptarët e mbajnë mend dhe arkivat tuaja dhe të medias shqiptare mund të tregojnë qartë bisedat e mia telefonike me kancelaren gjermane Merkel, me ish Zëvendës Sekretaren e Departamentit të Shtetit Nuland, me komisionerin Hahn dhe me personalitetet më të larta që më telefonuar për të më përgëzuan për rolin e partisë demokratike në arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi. Dhe në të gjitha këto biseda telefonike me ta, unë kam ngritur çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe kam marrë mbështetjen e tyre, garancitë për mbështejtje për procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Çdo javë në komisionin ad-hok përfaqësuesit tanë kanë ngritur këtë çështje. Është virtyti i mediave të kapura që i bien tam tamëve të qeverisë, të cilat në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër e kanë zhdukur këtë çështje nga axhenda e tyre mediatike në Tiranë. Por e vërteta është se partia demokratike nuk ka patur asnjë çështje më të rëndësishme se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që pas procesit zgjedhor të vitit 2015, e në veçanti gjatë vitit 2016 duke kulmuar me zgjedhjet e Dibrës, të cilat treguan qartë se jo vetëm qeveria Rama nuk ka pas një garanci për zgjedhjet por është kthyer në kërcënimin kryesor për demokracinë dhe për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo ka informuar aksionin tonë politik, i cili siç e thashë nuk vjenë aspak si i papritur, por si përshkallëzim dhe pasi është shterruar çdo mundësi tjetër.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ka pasur kritika që kur i filluat protestat…

Lulzlim Basha: Më fal, dua të them edhe një gjë tjetër. Ne kemi bojkotuar parlamentin jo për konfliktin e interesit, por për moszbatimin e kushtetutës. Pra, kemi ardhur në një vend, ku kushtetuta dhunohet, rregullorja e parlamentit dhunohet, ligji për dekriminalizimin nuk zbatohet. Nuk mund ta them më mirë se sa senatori Mario Mauro, ish Ministri i Mbrojtjes së Italisë dhe ish zëvendës presidenti i parlamentit evropian, kur erdhi në protestë dhe tha “nuk mund t’i kërkosh opozitës pse bojkoton parlamentin kur qeveria ka bojkotuar demokracinë”.

Zëri i Amerikës: Si u përgjigjeni ju kritikave që janë bërë gjatë kësaj kohe që keni filluar bojkotimin e parlamentit, se protesta juaj po synon të zvarrisë dhe po vë në rrezik reformën në drejtësi? Pasi partia juaj me ose pa të drejtë, të paktën nga ana e imazhit, po merr përsiper koston e të qenit shkaktare për mos ngritjen e komisioneve, që do të çojnë përpara reformën në drejtësi.

Lulzlim Basha: Ka dy nivele dizinformimi dhe keqinformimi. I pari është që Partia Demokratike është kundër reformës në drejtësi, kur partia demokratike në fakt ka votuar, ka inicuar ndryshimet në paketën kushtetuese, ka qenë përcaktuese që ndryshmet kushtetuese të ishin të standartit evropian dhe amerikan dhe jo të standartit të Ramës, të Shullazit, të Armando Prengës, të Arben Ndokës, Elvis Roshit, Artur Bushit… se na duhet dy emisione t’i përmendim të gjithë…por të standartit evropian. Dhe ne e fituam këtë betejë. Më 22 korrik ne e fituam këtë betejë dhe ju e patë se Partia Demokratike jo vetëm e votoi, por ishte e lumtur për këtë betejë të fituar ndërkohë që dikush, edhe fytyra ia shprehte palumturinë. Ky dikush nuk e shikon reformën në drejtësi si një mundësi për t’i dhënë shqiptarëve gjyqtarë dhe prokurorë të pakorruptuar, por për të kontrolluar sistemin e drejtësisë. Prandaj, ai theu një marrëveshje të bërë me praninë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkaura të Amerikës, këto shtatë ligje kryesore për të zbatuar paketën kushtetuese do të kaloheshin me konsensus me opozitën. Amerikanët, të cilët ishin përgjegjës për njërin nga këto ligje, ligjin për SPAK-un dhe BKH-n, e detyruan zotin Rama ta mbante fjalën. Dhe ky ligj, nga këto shtatë ligje është kaluar me konsensusin tonë. Gjashtë ligjet e tjera janë jashtë standartit dhe garantojnë që Edi Rama sot apo Lulzim Basha nesër, apo kushdo tjetër t’fus duart në sistemin e drejtësisë. Për mua kjo është e papranueshme.

Zëri i Amerikës: Bashkësia ndërkombëtare e cila ka qenë intensivisht e përfshirë në hartimin e këtyre ligjeve dytësore, e të gjithë këtyre elementëve që dalin nga reforma në drejtësi, e ka përshëndetur miratimin e këtyre ligjeve. Nuk kemi dëgjuar nga bashkësia ndërkombëtare që të thotë që Partia Socialiste ka shkelur marrëveshjen që kishte me ju, me bashkësinë ndërkombëtare për t’i bërë këto me konsensus. Ajo i ka mbështetur, i ka përshëndetur. Atëherë si mund të pretendohet sot që socialistja paska thyer një marrëveshje, të cilën njëra palë kryesore, bashkësia ndërkombëtare, i ka përshëndetur ligjet?

Lulzim Basha: Bashkësia Ndërkombëtare është një term shumë i gjerë.

Zëri i Amerikës: Ju e përmendët…

Lulzim Basha: Ambasadori amerikan në Tiranë ka mbështetur qartësisht disa prej shqetësimeve që ne kemi ngritur. Ka ofruar rrugë praktike të zgjidhjes së tyre. Meqë jemi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po flasim vetëm oër një nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. Ai vetë ka ndihmuar që ligji për SPAK-un të kalonte me konsensus. Gjashtë ligjet e tjera kanë kaluar pa konsensusin e opozitës. Pse, sepse Edi Rama donte ta përjashtonte opozitën nga këto ligje që të kontrollonte sistemin. Këto janë faktet. Këto nuk janë çështje opinioni. Tani të vimë tek fakti tjetër. Edhe sikur sot opozita të ishte në parlament, ligji për vetingun nuk zbatohet dot. E dini pse? Se kanë futur duart dhe kanë bërë një rrëmujë të paparë, në përpjekjen e tyre për të kapur drejtësinë.

Zëri i Amerikës: Ligjet ju i kundërshtuat në Gjykatën Kushtetuese, Komisioni i Venecias e dha mendimin e vet, pra u ezaurua procesi i kundërshtimit…

Lulzim Basha: Nuk do pranojmë kurrë ne. Jo, jo, nuk shterrohet kurrë procesi politik

Zëri i Amerikës: Jo procesi politik, procesi i kundërshtimit të ligjeve në instancat përkatëse …

Lulzim Basha: Po shumë mirë, ne jemi parti politike ne nuk jemi avokatë…

Zëri i Amerikës: U ezaurua. S’mund të dilni ju mbi ligjet …

Lulzim Basha: Jo, nuk dalim mbi ligjet

Zëri i Amerikës: Po derisa u miratua …

Lulzim Basha: Jo, absolutisht nuk dalim ne mbi ligjet. Ne shprehim vullnetin politik. Ne na përjashtuan nga ky proces…

Zëri i Amerikës: E qartë, por në momentin që Gjykata Kushtetuese vendos po …

Lulzim Basha: Ne na përjashtuan nga ky proces dhe në qoftëse na përjashtuan nga ky proces, duan ta bëjnë pa opozitën, urdhëroni ta bëjmë pa opozitën. Por kjo nuk ishte ideja e 22 korrikut dhe as ideja e partnerëve tanë, se po të ishte pa opozitën, e bënin siç donte Rama dhe Rama e do drejtësinë për Shullazin, e do për Hakmarrjen për Drejtësi, e do për Prengën, e do për Ndokën, nuk e do për qytetarët shqiptarë. Duhet të kuptoni që ne këtu jemi në një mision kombëtar për të mbrojtur jo thjesht nga qeverisja aktuale por nga çdo qeveri që të diktojë sistemin e drejtësisë, se kjo e çon Shqipërinë 27 vjet prapa, kur qeveria dhe gjyqtarët ishin një. Një nga themelet e shoqërisë perëndimore është që gjyqësori është i ndarë nga qeverisja. Pse? Sepse duhet të hetojë edhe qeverinë pra, duhet të hetojë lidhjet potenciale të qeverisë me krimin, duhet të hetojë korrupsionin qeveritar dhe kështu siç e ka bërë Rama, e ka bërë pikërisht që ai vetë dhe bashkëpunëtorët e tij, të akuzuar jo vetëm nga opozita por edhe nga faktori ndërkombëtar për lidhje me krimin…

Zëri i Amerikës: Por faktori ndërkombëtar i ka mbështetur gjithë këto ligje, ka dhënë fjalë përshëndetëse, si ka mundësi?

Lulzim Basha: Faktori ndërkombëtar ka mbështetur procesin e reformës në drejtësi….

Zëri i Amerikës: Edhe ligjet..

Lulzim Basha: Absolutisht jo. Jo, jo nuk është e vërtetë, sepse do të ishte e pamundur

Zëri i Amerikës: Po faktori ndërkombëtar po ju bën ju thirrje të shkoni në parlament për të ngritur komisionet. Faktori ndërkombëtar pra, ju ka thënë juve shkoni në parlament, votoni ngritjen e komisioneve, pastaj vazhdoni protestën. Pra, ligjet i quan të mirëqena, i quan të miratuara…

Lulzim Basha: Po mund të quhen të mirëqena shumë gjëra. Dikush mund ta quajë të mirëqenë që në Shqipëri po ecin reformat..

Zëri i Amerikës: …po nuk ka kundërshtime me ligjet …

Lulzim Basha: Një sekondë, një sekondë ta mbajmë pak këtu. Dikush ka ardhur në Tiranë dhe ka thënë “Shqipëria po ecën përpara”. Këtij dikushit duhet t’i themi dy gjëra: Ose nuk i di faktet dhe është mirë t’i marrësh …

Zëri i Amerikës: Po besoj komuniteti ndërkombëtar i di faktet, se ka qenë vetë i përfshirë…

Lulzim Basha: S’po flas për persona të caktuar. Unë po flas në tërësi, duhet të kemi parasysh, se ne tani jemi në 2017-ën, nuk mund t’i trajtojmë shqiptarët si dele. Ata që thonë që Shqipëria s’ka probleme, kur Shqipëria sapo doli këtë javë Departamenti i Shtetin me raport dhe tha do ta rifusim Shqipërinë në listën e zezë të pastrimit të parave, sepse është kthyer në vendin kryesor të prodhimit të marijuanës dhe është kthyer përsëri në vend tranziti për heroinën dhe kokainën dhe korrupsioni është “rampant” nga “widespread” (shumë i përhapur) shkoi në “rampant” (i shfrenuar), atëherë ne nuk mund të pretendojmë që në Shqipëri gjërat janë normale.

Zëri i Amerikës: Absolutisht jo…

Lulzim Basha: Dhe duke mos pretenduar këtë duhet patjetër të ndërmarrim veprime konkrete, kjo është detyra jonë, se ne nuk jemi analistë. Opozita është alternativa dhe alternativa e shqiptarëve po propozon këtë rrugëdalje: qeveri teknike dhe zbatim të reformës në drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut, jo sipas skemave të Edi Ramës dhe Emiljano Shullazit me shokë. Kaq e thjeshtë është. Dhe këtu nuk lëvizim ne. Dikush që nuk e di mirë, t’i shohi mirë faktet. Kush e di këtë dhe prapëseprapë thotë votoni apo vepëroni sipas një reforme e cila në vend që të çojë kriminelët para drejtësisë, i ndihmon të dalin nga burgu, siç kanë dalë këtë muaj, atëherë këtij personi i themi “e ke gabim zotëri, apo zonjë, ne do të vazhdojmë në këtë rrugë, sepse interesi ynë është interesi i qytetarëve shqiptarë”.

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Basha, e lirise, nga SHBA në çadrën, Rama ka rënë...!

Partia e tij i shkakton Presidentit Trump një humbje befasuese

March 25, 2017 by dgreca

Në një disfatë madhore për Presidentin Donald Trump, Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga republikanët, nuk e arriti numrin e nevojshëm të votave për të miratuar paketën e reformës së kujdesit shëndetësor. Vetëm një orë përpara seancës së planifikuar për votimin, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve e tërhoqi mbrapsht propozimin që do të anullonte dhe zëvendësonte Ligjin për Kujdesin e Përballueshëm, që kishte qenë një premtim kyç i fushatës elektorale të zotit Trump. Ky përfundim dramatik mund të shërbejë si një sinjal për të ardhmen e Presidentit Trump dhe të axhendës së tij legjislative.

Rëndësia ishte tepër e lartë. Presidenti Trump luftoi për secilën votë për të miratuar përpjekjen e parë të presidencës së tij për hartim politikash, por nuk ja doli dot.

“Për pak e arritëm. Por, kur nuk ke asnjë votë nga pala tjetër, dmth demokratët, është vërtet e vështirë”, u shpreh Presidenti Trump.

Megjithëse Presidenti fajësoi palën tjetër, ishin realisht ndasitë brenda partisë së tij që i shkaktuan këtë disfatë.

Konservatorët e “Grupit të Lirisë” refuzuan negociatat e minutës së fundit me Nënpresidentin Mike Pence.

Dhe ndërsa republikanë të tjerë iu drejtuan mediave sociale për të shprehur pasiguritë e tyre, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, pas dështimit, u nis drejt Shtëpisë së Bardhë për ta dhënë vetë lajmin e keq.

Zoti Trump dhe zoti Ryan, të cilët bashkëpunuan ngushtë për të përmbushur premtimin e tyre të rëndësishëm elektoral për të zëvendësuar planin e kujdesit shëndetësor të mbiquajtur Obamacare, u shprehën se kjo disfatë nuk ndryshon marrëdhënien e tyre.

((PRESIDENTI DONALD TRUMP))

“Më pëlqen kryetari Ryan. Ai punoi shumë, me grupime dhe fraksione të ndryshme”, tha Presidenti Trump

Por, ky ishte një dështim tepër personal për presidentin e ri, thotë Donald Kettl i Universitetit të Merilendit:

“Ai pati thënë se do ta dëshmonte se është ndërmjetësuesi më i mirë. Dhe, dështoi në të parën marrëveshje që duhet të arrinte.”

Kryetari Ryan u përpoq të minimizonte dëmin për Presidentin:

“Presidenti dha gjithçka në këtë përpjekje. Ai bëri gjithçka mundej që njerëzit të vlerësonin mundësitë që ofronte ky propozim.”

Por, zotit Ryan iu desh edhe të ribashkonte anëtarët e befasuar të partisë së tij.

“Është një dështim që na dëmton të gjithëve dhe ngrihet pyetja si ta marrim veten”, tha ligjvënësi Mike Coffman.

Republikanët e pezmatuar u larguan nga takimi duke u munduar të tingëllojnë optimistë për hapat e mëtejshëm të Presidentit Trump.

“Mendoj se do angazhohet më herët në të ardhmen për iniciativat e tjera të axhendës së tij. Mendoj se do t’u kushtojë më shumë kohë”, shtoi zoti Coffman.

Ata gjithashtu pranojnë realitetin e ashpër se kanë ende shumë punë për të qeverisur.

“Kemi shumë për të bërë”, tha ligjvënësi Lee Zeldin.

U përballën ndërkohë me një Parti Demokrate të fuqizuar prej kritikave ndaj Presidentit.

“Na fajësoi neve për disfatën e kauzës së tij madhore? E pranojmë meritën”, deklaroi udhëheqësja demokrate Nancy Pelosi.

Një paralajmërim se kjo betejë është vetëm e para në shumë të tjera për Presidentin Trump.(VOA)

 

Filed Under: Politike Tagged With: mundet, nga Partia e vet, Trump

Alfons GRISHAJ-Tiara e Herës

March 24, 2017 by dgreca

Alfons GRISHAJ në Sofrën Poetike të Diellit /

2 Alfons-Grishaj1-250x300

Tiara e Herës*/

1 ok Tiara

Krahë çadër  Kerubini,/

Porsi tendë në shkretëtirë…/

Perri qelq  vesh si  rubini/

Shtamb plot nektar për të pirë./

Në prehrin  e Mirelës

Si në parajs më zë gjumi…

Fluturim i  pëllumbeshës,

Seç më zgjoi buzë një lumi!

 

Ja  ! Tridhjetë e dy ura…

Më e vjetra Pont Neuf,

Aty qau dhe e bukra Sura*

Për Seitin  trimin si Wolf!

 

Flauroi më e dashura mike,

Më e bukur vash’ s’ ka le,

Alda , kjo   nimfë magjike

Plot me rreze feks mbi dhe!

 

E kthej kryet larg në vite,

Copë në dhimbje Rrenatë,

Në qeli  paasnjë plas drite

Si balsam , herë  shtrëngatë.

 

Litar shelgjesh grua e bukur

Më lidhi këmbët si shtrigë

Desh’ Alden  për ta zhdukur,

Dhe  Mirelën copë e çikë.

 

Pont Neuf , lash rremat në sule,

Vara Tiaran në parmak.

Mbusha lumin plot me lule,

Theva vazon plot farmak !

 

U çliruan mijra  emra

Si petalet përmes  erës,

Erëmuan të bukurat femra

Për trofe Tiarën e Herës.

 

Disa me kunorë shparg*

Sytë me bisht si razaki,

Zbukuru në qafë varg

Lloj –lloj lulesh n’harmoni.

 

Asnjë buzëvarur , maraz.

Tok të gjithë si njëemrak,

Stolis kandshëm me topaz*

Xhent’s bastun , shik me  frak.

 

Mbusha kupën plot me verë…

E ngrita për at’ madhështi!

Ca trokitje derë me derë

Për t’ sëmurët në ligështi.

 

Me Mirelën në një amulet*

Mbush me  parfum’n e dashnisë,

Ca kujtime  në kulet,

Pal’ betimin  e rinisë.

 

Rrah krahët Kerubini

Tek kulmon në hapësirë,

Jasht prej llampe si flet  Xhini:

“ Ke me zgjedh veç një dëshirë!”

 

Por , seç ngryset në fytyrë

Tek përshkon tokën e tërë,

Dhe  më tregon për mynxyrë,

Si shkëmbinjt’ do bëhen rërë…

 

Prapa andjes se Parisit,

Vrik në  ethe seç u çova

Tek u gris hija  e mrizit

Më fanitet supernova !

 

Rrugës qiellit për tek Zoti,

Më kallzoi se çfarë  thot’ Hyu,

Hije e zezë , tmerr prej morti

Ka me ra rrrept  tek njeriu.

 

Se ata   janë aq shumë,

Sa as Zot’ s’ mund ti numëroj…!

Që notojnë në të pistin llumë

Si në Gamor do i shkatërroj.

 

Si Saturni tinguj tmerr,

Zjarr’ e llava do bëhen hi,

Porsi n’Mars  shpirt i bjerr

Ka me u tretet  në hon të zi !

 

Si Abrahami koh më parë,

Metani* për  disa shpirt’ra…

Hyu  mu  kthye : “ Heratiarë,

Ka shpëtu  frymët e dlirta.”

 

Zot’ në tokën kanistër ,

Gardianët do jenë qiellorë,

As tiranë  e as glistër ,*

Veç  njerëzit  e adorë.*

————————————

Shpjegim Fjalësh:

1-Tiara e Herës = Tiara  apo  diadema e Herës , e gjetur në  Crotone. Mendohet  se i përkiste  gruas së Zeusit , Hera . Tiara e Herës  është e artë  me ca gjethe  dhe gonxhe përreth … Kam patur fatin ta shoh nga afër  gjatë vizitës time(Crotone)tek bashkpuntorët e mi , Dr. Modesto dhe Xhino … Lart në foto, Tiara e Herës.

2-Kurt Seit  dhe Sura , tek Tele-drama Turke.

3-Shparg= Bimë zbukurimi me fije të imta të vogla e të dendura, që formojnë një

kuror të gjelbër e të bukur (Fjalori Shqip).

4-Topaz = Metal i çmuar , bëhen gurët e unazave , vathëve dhe gjerdanëve.

5-Amulet = Varëse qafe , stoli…

6- Glister= Krimb që rri në tokë në lagështirë , zakonisht në pleh.

7- Adorë = Dashuri , devocion…glori.

8-Metani= Bije në gjunjë në lutje para një shenjtori , Engjëlli apo Zotit…

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, Tiara e Herës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT