• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

Thaçi: Kosova do ta ketë ushtrinë

March 16, 2017 by dgreca

Thaçi: Vuçiq mund të bëj fushatë, por Kosova do ta ketë ushtrinë/

epa05836399 A photograph made available on 08 March 2017 and dated 05 March 2017 shows President of Republic of Kosovo Hashim Thaci leaving the podium after his speech during the ceremony to mark the 19th anniversary of Kosovo Liberation Army (KLA) Commander Adem Jashari death, in Pristina, Kosovo. Hashim Thaci during his speech announced that he will submit to the Parliament the draft law on transforming the Kosovo Security Forces (KSF) into an Army. NATO Secretary General Jens Stoltenberg has released a statement saying that on 08 March 2017 he has spoken to Hashim Thaci to convey the serious concerns of NATO Allies about recent proposals by the Kosovo authorities to transform the Kosovo Security Force (KSF) into an armed force, without a constitutional change. However, should the mandate of the KSF now evolve in the way proposed, NATO will have to review its level of commitment, particularly in terms of capacity-building he said in the statement. EPA/VALDRIN XHEMAJ
Ne Foto: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi-EPA/VALDRIN XHEMAJ/

/Kosova nuk do të konsultohet për interesat e saj strategjike me Serbinë, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Këto komente, ai i ka bërë gjatë një takimi me mediat serbe në Çagllavicë, ku ka elaboruar nismat e fundit, me thekës të veçantë, themelimin e ushtrisë së Kosovës.Duke u ndërlidhur me kundërshtimet e Beogradit për themelimin e ushtrisë së Kosovës, Thaçi tha se dialogu me Serbinë që po zhvillohet në Bruksel ka si qëllim normalizimin e marrëdhënieve, por nuk do të përfshijë edhe çështjet e interesave që i takojnë shtetit të Kosovës.

“Vuçiq mund të bëj fushatë në Serbi edhe t’i fitoj zgjedhjet, por ushtria e Kosovës do të themelohet”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, ka nënvizuar Thaçi, edhe zhurma politike që po zhvillohet në Serbi rreth pronave publike, është pjesë e fushatave zgjedhore.

“Serbia nuk ka prona në Kosovë. Prona publike është pronë e Kosovës. Kosova ka qenë pjesë e Federatës Jugosllave, por e cila është shpërbërë”, ka thënë ai.

“Serbia nuk është trashëgimtare e ish-Jugosllavisë, është vetëm një nga ish- Republikat e saj. Prona e Kosovës është e shenjtë dhe e paprekshme”, ka thënë presidenti i Kosovës.

Në këtë bashkëbisedime me mediat serbe, Thaçi është pyetur më së shumti në lidhje me nismën për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision ushtarak.

Nismën për ushtrinë e Kosovës, Thaçi tha se e ka ndërmarrë në harmoni me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

Me ligjin e ri, ai tha se Forca e Sigurisë së Kosovës do të merr përgjegjësi shtesë, duke i dhënë misionin mbrojtës, ushtarak.

Kjo Forcë, sipas tij, do të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, por edhe në funksion të ruajtjes së paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.

Edhe këtë herë, Thaçi ka potencuar se ushtria, i nevojitet Kosovës si një domosdoshmëri, pasi që në rajon po rriten ndikimet dhe kërcënimet e ndryshme.

Ndërkaq, lidhur me përplasjet e nismës së tij me qëndrimet e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës,Thaçi ritheksoi se formimi i ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese, siç kërkon faktori ndërkombëtar, është bërë i pamundur për shkak të qëndrimeve të Listës Serbe, e cila paraqet vullnetin e politikës së Serbisë karshi Kosovës.

Ndryshimet kushtetuese, mund të bëhen vetëm nëse sigurohet edhe mbështetja e komunitetit pakicë, përkrahje këtë të cilën institucionet e Kosovës nuk e siguruan. Andaj, ai tha se po shkohet me opsionin alternativ, të transformimit të FSK-së në misionin e ri ushtarak, përmes ndryshimit të ligjit.

Ai u ka bërë thirrje publike përfaqësuesve politik serb që të kthehen në institucione.“Interesat e qytetarëve serb mbrohen brenda institucioneve të Kosovës dhe jo duke i bojkotuar ato”, theksoi Thaçi. Sipas tij, bojkotimi mund të jetë interes i Serbisë, por në asnjë mënyrë edhe interes i popullatës serbe që jeton në Kosovë.

Thaçi tha se institucionet e Kosovës janë të gatshme të punojnë së bashku me serbët e Kosovës dhe Bashkimin Evropian për hartimin e statutit dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sidoqoftë, shndërrimi i FSK-së në forcë ushtarake përmes ligjit, nuk është mbështetur nga NATO- dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë. Të dyja, kanë inkurajuar institucionet e Kosovës që transformimi të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Megjithatë, Thaçi tha se i garanton partnerët ndërkombëtarë se i gjithë procesi i transformimit do të zbatohet në koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.(REL)

Filed Under: Komente Tagged With: Thaci, Ushtria e Kosoves, Vucic

Samiti i kryeministrave: Rruga evropiane, faktor kyç i stabilitetit në Ballkan

March 16, 2017 by dgreca

1 SamitiPërgatiti: Xhenana Halimoviq/Samiti i kryeministrave të Ballkanit Perëndimor ka nisur në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës dhe mikpritësi, kryesuesi i Këshillit të ministrave, Denis Zvizdiq ka mirëpritur mysafirët e lartë.

Në Samit kanë arritur edhe komisioneri i BE-së për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn si dhe ministri i jashtëm i Italisë, Angelino Alfano.

Komisioneri i BE-së për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, tha të enjten në samitin e kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor që po zhvillon punimet ne Sarajevë, se “takimi dëshmon se pronësia mbi procesin e Berlinit është në këtë pjesë të Evropës”.

Ai tha se edhe pse disa vende po përballen me kriza serioze dhe “me rritjen e retorikës nacionaliste” megjithatë po ecet përpara. Hahn tha se ky është proces serioz dhe se ideja është që rajoni të përgatitet për anëtarësim në BE.

“Propozojmë një treg të përbashkët të Ballkanit Perëndimor si një bazë për qasje dhe krijim të një hapësire të përbashkët ekonomike dh etë tregut si një përgatitje për tregun evropian. Me punën e përbashkët happen të paktën 80 mijë vende të punës deri më 2025. Kjo hapësirë është në prag të tregut evropian dhe me ndërlidhje rriten edhe shanset. Flas për investitorë realë, sepse ky treg është i përbashkët për 20 milionë banorë”, tha Hahn.

Hahn ka ripërsëritur qëndrimin e tij të mëhershëm se nuk duhet të luhet me zjarr dhe se është koha që të shfrytëzohet kjo mundësi, në fakt ‘të tregohet lidership i burrështetasve, që është në interes të Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht edhe qytetarëve të këtyre vendeve”

Samiti po mbahet nën masa të rrepta të sigurisë. Forca të shtuara të sigurisë janë mbështetur edhe nga snajperë.

Takimi i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pritet të përqendrohet në projektet rajonale dhe në bashkëpunimin ndërmjet tyre në, siç thuhet, ruajtjen e stabilitetit dhe në prosperitetin ekonomik.

Qëllim i përbashkët, thotë kryesuesi i Këshillit të ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiq, është rruga drejt BE-së.

“Mendojmë se lidhja rajonale në kuptimin e një infrastrukture kualitative të transportit dhe energjetikës, shkëmbimit më të madh ekonomik që sigurisht çon drejt shtendosjes së marrëdhënieve në rajon”, tha Zvizdiq.

Në takimin e kryeministrave në Sarajevë me mikpritësin Denis Zvizdiq, marrin pjesë kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, i Shqipërisë Edi Rama, i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Kosovës Isa Mustafa, ndërkohë që Maqedoninë e përfaqëson Emil Dimitriev.

Takimi i kryeministrave po zhvillohet në një kohë të ndjeshme për Ballkanin Perëndimor, siç vlerësojnë zyrtarë të lartë të BE-së.

Vetë komisioneri Hahn pak kohë më parë e ka cilësuar këtë pjesë të Evropës si “një enë të mbushur me vaj” dhe i “duhet vetëm një shkëndijë që të shpërthejë zjarri”.

Hahn pati deklaruar se “pajtimi afatgjatë në rajon mund të arrihet vetëm përmes perspektivës evropiane”.

Këshilli Evropian ndërkohë ka bërë thirrje “që vendet e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë me reformat, me ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe me nismat e bashkëpunimit rajonal”

Porositë për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit ka përçuar edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, që ka paralajmëruar edhe mbajtjen e një konference të përbashkët me udhëheqësit e rajonit në muajin gusht.

“Nëse para anëtarësimit nuk ka përparim, sigurisht se nuk do të jetë më lehtë pas anëtarësimit. Është në duart e vendeve, individualisht, nëse do të kalojnë shpejt këto faza apo jo”, ka thënë Merkel, duke vënë theks të vecantë mbi sundimin e ligjit.

Marrëdhëniet në Ballkanin Perëndimor janë tensionuar kohët e fundit. Problemet ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës kërkojnë biseda të përbashkëta për zgjidhjen e tyre.

Për shkak të procesit që Mali i Zi ka nisur ndaj përpjekjeve për sulm terrorist në ditën e zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit të kaluar, marrëdhëniet me Serbinë janë përshkallëzuar.

Në mesin e të akuzuarve ka ish-punonjës shërbimit sekret ushtarak dhe siç thuhet spiunë rusë.

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë acaruar pas arrestimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Rezolutës së Kuvendit të Kuvendit që ndërpret dialogun me Serbinë deri në lirimin e tij.

Një tren i nisur nga Serbia në Kosovë, me ikonografi mesjetare nacionaliste ngriti tensionet për aq sa edhe paralajmërimet për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Në Maqedoni ndërkaq po vazhdon kriza politike prej më shumë se dy vitesh që është përcjellë me protesta.

Takimi në Sarajevë mund të jetë një rast i mirë që kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes bisedimeve të shqyrtojnë mënyrat e tejkalimit të mospajtimeve. (REL)

Filed Under: Rajon Tagged With: Rruga Evropiane, Samiti i Kryeministrave

Bashkim Pas 18 Vjetësh

March 16, 2017 by dgreca

SHBA: Tragjedia e familjes ushtarake bashkon dy botë pas 18 vjetësh/

Nga Besa Pinchotti*/

Kosovar refugees fleeing their homeland. [Blace area, The former Yugoslav Republic of Macedonia]
Kosovar refugees fleeing their homeland. [Blace area, The former Yugoslav Republic of Macedonia]/
KOSOVA-NE-SHBA1

Kur oficeri amerikan CW2 Kevin Reichert hipi në helikopterin e tij Apache për herë të fundit, ishte pjesë e një taskforce që mbështeste ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Ishte një vend për të cilin mezi kish dëgjuar… por unë e njoh mirë atë vend. Baba im, Ramiz Tafilaj, është nga Kosova dhe, si fëmijë, kam kaluar çdo verë atje me familjen time — derisa gjendja u keqësuar aq shumë sa nuk mund të shkonim më. Më shumë se 10-mijë njerëz u vranë nga forcat serbe. Dhe me gjasë i keni parë fotot e miliona kosovarëve të dëbuar prej shtëpive të tyre, duke ecur me javë të tëra, duke fjetë në kampe refugjatësh, duke u munduar  të arrrijnë në vendet fqinje. Vetë familja ime ishte diku në mesin e turmave, dhe na u deshën muaj me i gjetë ata që ishin larguare dhe kishin mbijetuar.9-kosovoblog1

Kur Kevini foli me gruan e tij, Ridgeley, një orë para se me u nisë në mision, e kishte parë me sytë e vet. “Zemër,” i tha gjatë bisedës që asnjërit nuk i shkoi mendja se do të ishte thirrja e fundit, “duhesh me e pa shkatërrimin që e përjetojnë këta njerëz. Do të bëj çmos për me i çlirue.”

Por çmosi qe diçka që familja nuk e kishte përfytyruar  asnjëherë. Helikopteri i Kevinit u rrëzua në Shqipëri. Kanë kaluar gati 18 vjet prej se Ridgeley Reichert e humbi burrin… dhe Carissa (atëherë 9-vjeçe), Chris (7) and Colten (4) humbën baban e tyre. Kevini dhe bashkëpiloti i tij, CW3 David Gibbs, ishin ushtarët e parë amerikanë që u vranë në konfliktin ballkanas. Për vite me radhë, im atë ka dashur me i gjetë familjet e tyre. “Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u shkrua me gjakun e këtyre ushtarëve. Nuk do t’i harrojmë kurrë.”

Në shkurt, në të nëntën Ditë të Pavarësisë së Kosovës, prindërit e mi dhe një mik yni — historiani i njohur kosovar Jusuf Buxhovi — udhëtuan nga Teksasi për në Wisconsin për ta takuar familjen Reichert. Këta fëmijë ushtarësh që humbën të atin e tyre para sa motesh nuk janë më fëmijë — Carissa ka dy fëmijë të saj, Chrisi ndihmon me biznesin familjar dhe Colteni po studion historinë në Universitetin e Wisconsinit, duke u përqendruar në Ballkanin. Dhe Ridgeley, bashkëshortja që përjetoi sakrificën më të madhe dhe i rriti vetë tre fëmijë, udhëheq fermën e familjes.

“Dy milionë njerëz po jetojnë në liri dhe pa frikë falë burrit tënd,” i tha babi im, ndërsa ajo po vështronte të birin tek e fshinte me përpikëri foton në kornizë të helikopterit të Kevinit.

“Për herë të parë që prej se vdiq Kevini, ndiej sikur jeta ka kuptim,” tha ajo. Babi im dhe Ridgeley këmbyen tregime të vuajtjeve, sakrificave dhe respektit të ndërsjellë. “Falë burrit tënd, ëndrrat e vendit tim janë gjallë,” i tha asaj. “Kevini bëri për popullin tim atë që unë vetë nuk munda ta bëj.” Babi im i dha familjes një plis, qeleshen tradicionale shqiptare që e bartin shumë prej të afërmve tanë. Chrisi tha se babai i tij do të ndihej krenar t’i shihte të gjithë së bashku dhe se duke e ditur se i ati nuk i ka vdekur kot – i jep fuqi në kohë të vështira.

Familja ime dhe Reichertët tani janë miq — ndajnë një lidhje të pathyeshme. Ç’do ndodhë në vijim? Ata po planifikojnë me e vizitue Kosovën vitin e ardhshëm për ta kremtuar 10-vjetorin e pavarësisë së vendit, ndërkohë që shpresojnë të kontaktojnë me familjen e pilotit tjetër.

*Autorja është drejtore e komunikimit, Shoqata Kombëtare e Familjeve Ushtarake (National Military Family Association), Washington

Filed Under: Histori

HAPNI DOSJEN E ARKIVIT “FRANÇESKANËT” !

March 16, 2017 by dgreca

*KU  MUNGON  AT  GJERGJ  FISHTA… /

*S’ KA  SHQIPTARË  SE… “HANË  ME  GISHTA”/

 Nga Fritz RADOVANI/* 2 Fishta  At GJERGJ FISHTA O.F.M.-  (Grafikë nga F.Radovani)/ 

PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…”

HAPNI DOSJEN E ARKIVIT “FRANÇESKANËT” E SHIKONI ÇKA PO BANI /!!

■Pak ditë perpara kam shkrue per “Shkollat Shqiptare, pa dyer’ e dritare…”, ku per fatin e keq të Shqiptarëve, rrymat e ndryshme të ideologjive të hueja kanë hy dhe nuk po kanë të dalun nga shkollat tona. Fillojnë tek ushqimi i fëmijve tanë që janë librat shkollore, dhe vazhdojnë deri ku asnjë Shqiptarit nuk i ka shkue mendja aty, ku i ka rrah damari i tradhtisë Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, në “Revolucionin Ideologjik e Kulturorë 1967”, gjoja i modelit kinez, po ma fort i modelit “Haxhi Qamilist të tiranëve të Tiranës sonë”, “kështjellë e pamposhter e socializmit në Ballkan.., e besa, edhe pak ma andej!”.

■Ditën e parë sllavokomunistët jugosllav erdhën në Shkoder, me 29 nandor 1944, gjoja me shoqnue brigadat partizane. Vepra e parë antishqiptare ishte vendosja e Flamurit të zhigatun me yllin partizan të Titos në kompanjelin e Kishës së Fretenve në Gjuhadol…

Partizanëve që hyne në Shkoder ju printe Nexhi Arra e Asllan Lici, dy topalla si “partia”!

Me siguri malazezët e kishin mbajtë ndermend daljen e vet në 1913 nga Shkodra, atëherë kur At Gjergj Fishta vendosi po në atë unazë të kompanjelit Flamurin e Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, me 13 Qershor 1913 dhe, në rrugët e Shkodres rinia shkodrane këndonte me zanin e dalun nga zemra Hymnin e Flamurit me muziken e At Martin Gjokës…

Ata urdhnuen që mos të kndohet ma Hymni i Flamurit që kishte shkrue At Fishta, me muzikë nga At Gjoka, po të zevendsohet me Hymnin që shoqnohej me muzikë rumune.

Kështu okupatorët e rij filluen me ba ligjin që ua kishte lanë në dorë Konferenca e Jaltës.

■Kush ishte Ky Frat i zbathun me Emnin At Gjergj Fishta, që jugosllavët kerkonin me çdo kusht fshimjen e Vepres së Tij, një nga Emnat ma të mëdhej dhe të njohun jo vetem nga Populli ynë, po në gjithë Boten, si Atdhetar dhe Poet Kombtar i Shqiptarëve ?!

Asnjë nga Klerikët Katolik Shqiptar nuk e ka fillue jeten e Meshtarisë në tavolinen e Tyne të punës tue shkrue vjerrsha apo libra historije… Të gjithë edhe pse ishin teolog të perkryem dhe me diploma filozofije, fillonin sherbimin fetar si “Ushtarë të Krishtit” tue shkue nder katundet ma të humbuna dhe ashtu të zbathun u trokitnin atyne dyerve që i kishte shkatrrue robnia shekullore, per me ringjallë Besimin dhe Shpresen tek Zoti.

Ata dhe vetem Ata, ishin që me durimin ma të madh ju ndihmonin vllazenve të vet me dalë prej asaj së tmerrshmes vorfni, ku i kishin zhytë barbarët e pushtuesve të huej me ndihmen e madhe dhe të pakursyeme të tiranëve tanë, jo vetem antishqiptarë po edhe antinjerzorë. Ishte vetem Kryqi i pari që Ju duhej me pajtue gjaqet e grindjet e mbjelluna nga pushtuesit nder Ata Vatra të padhunueme asnjëherë nder shekuj, deri në pushtimin sllavokomunist të shovenistëve antishqiptarë, kriminelëve Tito, Stalin dhe Enver.

Doket e zakonet e Atyne Bjeshkëve ruheshin me pushkë per mos me ua prekë askush.

Vihej cungu i lisit nder Vatra sa u shkonte miku dhe “Bukë e Krypë e Zemer” ju shtrohej të gjithve edhe pa dijtë se cilit Besim i perkiste Miku, të cilit i kishte hapë portaren.

Ishin Fretnit të parët që me durimin e Vllaut dashamirë, ua mbushnin mendjen që me çdo kusht duhej që fëmijët e atyne Malsorëve të atyne vendeve të tretuna, me shkue nder shkolla edhe pse ju duhej me orë të tana me ecë nder malet pa rruga kalit…

E nder ata sofra të rrumullakta, ju vinte buka e kakinit e freskët nga stajanicat burrnesha. Bash nder ata sofra Kleri Katolik mësoi kush asht Besa Burrnia e Bujaria e Maleve tona Fisnike dhe kreshnike, që kishin ndigjue nga gjyshet e veta kur ishin fëmijë… E bash aty dredhej cigarja e shkrepej gota e rakisë, tue u Lavdue Krishti, aty mësuene se kujt i tha sëpari Malësori ynë se: “Shka asht ndera e trashigueme e të Parve të Tyne, nder breza”. Klerikët tanë e filluen jeten si mësues, vazhduen si profesor dhe kur hyne në moshen e pjekunisë u njohën si filozof ase psikolog të kuvendeve të Burrave nder ato krahina…

At Gjergj Fishta ishte i pasionuem nga edukimi dhe mendimi pedagogjik, dhe fillimisht ishte i dhanun shumë në fushen e arsimtarit dhe kuptimin e kulturës kombtare.

Me një mjeshtri të pakrahasueshme arrijti me kenë shkenctar në fushen e Gjuhësisë, të Letersisë, Shkollës Shqipe, pikturës, arkitekturës dhe i prirjes me shpejtësi per vepra të reja artistike, kulturore dhe mbi të gjitha Atdhetare e Fetare të bazueme gjithmonë si të gjithë Françeskanët Shqiptar, besnikë në Formulen e patjetersueshme “Atdhe e Fe”.

■At Gjergj Fishta njëherit me aktivitetin e vet shumë të spikatun në Shoqninë kulturore “Bashkimi” me 1899, që kryesohej nga Imz. Prend Doçi, ishte edhe ideator i një Qendres së Studimeve Albanologjike, me të cilen mendonte që Shkollave tona ti jepte fizionomi kombtare Shqiptare, dhe këte e mërrijti në vitin 1902, kur në Shkollen Françeskane Ai futi Gjuhen Shqipe, dhe nën kujdesin e Tij filloi botimet e revistave dhe teksteve Shqip.

Pranë Shkollës Françeskane në Shkoder, ndertoi edhe Theatrin që asht edhe sot ku, me një pasion e dashuni të madhe mblidhej edhe Populli i Shkodres me u njoh me veprat theatrale të njohuna edhe nga skenat Europjane. Aty shperthej edhe humori shkodranë.

■Në vitin 1908 asht Kryetar i Komisionit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir.

Botimi i Revistës “Hylli i Dritës” në 1914 i paraprinë Komisjes Letrare të 1916. Botimet bahen në Shtypshkronjen e tyne, dhe arkivohen pranë Muzeut Fretenve të pajisun me vlera të mëdha arkeologjike nga bashkpuntori i At Fishtës, i madhi At Shtjefen Gjeçovi.

Shkolla e Fretenve në Shkoder asht e njëkohëshme me tjerat që u hapën në shek. XIX, po si kjo ashtu edhe e Jezuitëve ishin të hapuna per të gjitha Besimet. Ndersa per ato vlera të paçmueshme kombtare që edukonin ato, ua la ligjeratave të Prof. Arshi Pipës dhe Martirit burgjeve komuniste Osman Kazazit, i cili thonte: “Po mos të kishe kenë nxanës nder bankat e shkolles së Fretenve të Shkodres, sot do të njihesha si një spijun!”, dhe vazhdonte me orë të tana tue shpjegue vlerat Atdhetare të Asaj kulture të paster.

■At Gjergj Fishta (këte herë jo me zhgun) asht në 1919 në krahun e djathtë të delegatëve në Konferencën e Paqës në Paris, me Kryetarin Imzot Luigj Bumçi. Atje asht botue dhe një material historik që per fat ruhet edhe sot, po që kush kerkoi me perdhosë Atin e Madh të “Lahutës së Malcis”, edhe sot nuk e ka lexue jo, nga padija se kush e ka shkrue sa, nga urrejtja ndaj vetvetes që gjithë jeten nuk ka mërrijtë me mësue as një të dhjetën e atyne rreshtave që At Gjergj Fishta, ua mësoi delegatëve të gjithë Europës atje.

■Prania e At Gjergjit në Amerikë, dhe lidhja e Tij atje me Kolegjin Katolik Amerikan per çeshtjet aktuale të Shqipnisë, ndoshta, do të kishte zbeh shumë “figura” që sot mburren me meritat dhe vlerat Atdhetare me të cilat At Fishta, arrijti suksese të pabesueshme sepse, ende sot si të gjitha meritat e Klerit Katolik Shqiptar, kerkohen me u errsue, dhe me kohen me i lanë në harresë, tue mendue edhe varrosjen e atyne vlerave Kombtare!

Asht mirë me e botue telegramin që At Fishta e bani porsa u kthye në Paris, jo per gja tjeter por, po i del per zot ndokush që as nuk ia din as permbajtjen atij telegrami…

■Çudija ma e madhe per mue asht qendrimi i klerikëve të rij katolik, që edhe pse ua kam tregue sekretin e Eshtnave të Bekueme të At Gjergj Fishtës, të ruejtuna në Vorrezat e Rrëmajit… Ende sot, nuk kanë ba asnjë veprim per nxjerrjen e Tyne… Kjo veper e tyne më shtynë me u mendue: “Mos ndoshta e urrejnë At Fishten, se nuk e ka shkrue Vepren e Vet “Lahuta e Malcis” toskënisht ?”

■Mos u merzitni… Bani shumë mirë me lexue “Gomarin e Babatasit” !!

            *Pjesa e VI-Vijon Pjesa e VII.

            Melbourne, 17 Mars 2017.

Filed Under: Komente Tagged With: “FRANÇESKANËT”, At Gjergj Fishta, Fritz radovani, HAPNI DOSJEN E ARKIVIT

Mjeranët e kritikës letrare…

March 16, 2017 by dgreca

 

1-ok-Alfonsi-300x198Nga Alfons Grishaj/

Postkomunizmi ka zbuluar dhe aq “shkrimtarë e poetë” sa, kombet e qytetëruara me tradita shekullore në letra, do na e kishin zili…! Për rrjedhojë edhe vlerësimi kritik është sëmurë. Kemi filluar t’u japim tituj si: “Penda e Artë” e “Penda e Argjendë” atyre që nuk kanë vlerë as për skrap bakri.

Shekulli XXI  ka promovuar me shumicë antivlerën se sa vlerën reale letrare. Një pjesë e “letrarëve” të sotëm janë aq shterpë sa mendojnë se mund të fshihen pas një  diplome letërsie të marrë me korrespondencë për të hyrë në artin e letrave. O, Zot! Ata ngatërrojnë publicistikën me fiksionin prozaik, poezinë klasike e quajnë poezi moderne. Epigramet, varg të lirë, dramën e quajnë novelë, etj.,  etj… Shkrimet e tyre janë në nivelin e hartimeve të shkollave fillore, pa dashur t’ i hyjmë në hak fillores. Konfuzë në ide e në botkuptim estetik, shumë prej “kritikëve” nuk janë në gjendje të bëjnë një kritikë te mirëfilltë letrare, jo se nuk kanë dëshirë, por  sepse dijet e tyre janë të pamjaftueshme. Njohja e mirë e teorisë së letërsisë presupozon në rradhë të parë njohjen e termave (elementë) letrarë, si kusht për t’u orientuar më në thellësi në oqeanin e letrave. Dy ndër këto terma janë dhe Verisimilituda dhe Deus ex machina. Njohësit e mirë të letërsisë nuk kanë nevojë për të hapur një “dyzinë fjalorësh” për termat e mësipërme të cilat janë standarte në letërsinë botërore e që ne shqiptarët i kemi huazuar pasi nuk kemi tradicion të gjatë në shkencën e letrave. Terminologjia letrare ashtu si dhe terminologjia mjekësore në mjekësi duhen të mësohen përmendësh nga studentët. Pa mësuar termat bazë nuk mund të bëhesh letrar apo mjek. Njerëzit që nuk njohin të paktën një gjuhë të huaj e kanë shumë të vështirë për t’i kuptuar e shumë më  të vështirë për t’i shpjeguar. Boshllëku  dallohet menjëherë, kur përdoruesi  mundohet që t’i shpjegojë (në përkthim diletantësh) duke vendosur sinonimin e largët dhe jo kuptimin e saktë. Fatkeqësisht, kategoria e tillë nuk njeh as rregullat sintaksore dhe morfologjike të gjuhës, çfarë varfëron vlerën estetike letrare. Gjenialiteti letrar lind, nuk fitohet, porse dhe nëse fitohet, duhet derdhur shumë djersë për t’u ngritur në nivelin e kërkuar që vepra t’i qëndrojë kohës.

Hubris apo egotismi, i zhvesh dhe prej asaj muze empirike që e quajmë “Krijimtari të brishtë” që nuk e ka jetëgjatësinë e një shkëndije zjarri. Me vjen të qesh dhe të qaj njëherësh kur i shoh se me sa zell shpërdajnë miopinë e tyre si letërsi apo kritikë të kualifikuar. Ndodh që degradimi arrin kulmin kur ndonjëri syresh rreket për të bërë kritikë të “kulluar” letrare, duke personalizuar subjektin, si bëri së fundmi, “letrari” Ramiz Gjini, i cili, doli nga tema dhe shkau në vulgaritet me fjalë e shprehje të rëndomta si “bishtuk”… Ai shkapërcen logjikisht  aty , ku pretendon të merret dhe me dekoratat  tona si janë marrë në vite etj. Ky tip ligjërimi nuk është as letrar e as kritik. Është tipik për një “oficer”  sigurimi… Ndërsa për çmimin “Penda e Artë” dhuruar nga kushëriri i tij që ishte kryetar komisioni, s’ kam ç’ të them sepse vetë akti dëshmon më së miri, si një shfaqje tribalizmi, gjendjen e emancipimit të “elitës letrare shqiptare të sotme”. Sigurisht, nuk i fus të gjithë në një thes! Ai devijon  qellimin tim të sinqertë  në vertësinë e opinionit  të Ekerem Bardhes, lidhur me luften civile në shqipëri…Devijim ky,  i njohur prej kohesh që ka dalë nga  një sirtar i qelbur në Michigan! Skenar i stërnjohur që i ka dalur boja prej kohesh…

Por, le të kthehemi tek tema. Në shkrimin e tij “kritik”, Gjini pretendon se shkrimtarin Prifti, e ka mik, por në anën tjetër mundohet ta ngacmojë viganin si miza në bythë të buallit (në atë rast bualli nuk ka nevojë të kthejë kokën se i vret me bisht), duke theksuar se veprat e Naumit nuk janë të atij niveli dhe se unë gjoja paskam shkruar me superlativa për Naumin… Ai duhet të kthehet ta lexojë dhe njëherë shkrimin tim me optikë letrare. Gjithashtu, i sugjeroj që të lexojë shkrimin e tij para disa vitesh: “Sqarim për ikjen e Naum Priftit”… Aty tregohet sa fort e ka dashur Naumin…, miqësi nepërke!

Në këtë kurth bien të gjithë mediokrit, të cilët grackojnë veten duke u bërë qesharakë. Dekonspirimi i qëllimit keqdashës e tërheq zvarrë arsyen kritike që griset e çirret rrugës. Maska e kontaminuar bie, duke shpërbërë sensin intelektual kritik. Dikur të parët tanë kanë thënë: “Fickla  vret veten me gojën e vet” si, dhe ashtu ndodh me mjeranët kritikë që nuk e dinë ku bie me shtëpi kritika letrare…

Po i ndihmoj dhe njëherë “gjinët” dhe “gurët” e mocalit … me një shpjegim të thjeshtë pa hyrë në filozofi, sepse e di se u bie në “qafë”.

Kritika letrare botërore ka shoqëruar zhvillimin e letërsisë, për një kohë të gjatë si opinion e më pas si shkencë. Si e tillë ajo imponon çështjen e metodës. Epoka moderne kritike ka njohur disa metoda, të cilat, më shumë se të kundërshtonin njëra-tjetrën kanë qenë të orientuara drejt pasurimit të mendimit kritik në tërësi. Por të gjitha metodat mbështeten në parimet bazë. Të gjitha i mëshojnë idesë se kritika ka për objekt të ndihmojë në ndriçimin e të panjohurave në procesin krijues, në identifikimin e stili të autorit, në njohjen e të dhënave biografike si çështje rrethanash etj. Me pak fjalë, për kritikën, rëndësi ka zbërthimi i artit të shkrimit. Tek ne nuk është shtruar ndonjëherë problemi i metodës kritike. Mendësia që ka lënë prapa realizmi socialist vazhdon të ushqejë atë traditë opinionesh subjektive. Analiza tekstore as që duket gjëkundi në shkrimet kritike, çka ndodh jo rrallë edhe me njerëzit e katedrave (departamenteve universitare) të letrave. Megjithatë tek këta të fundit, koncepti metodik nuk mungon. Mund të thuhet se të paktën dy metoda ushtrohen në shkrimet kritike të disa pedagogëve të letrave tona:

1-Kritika tradicionale, e cila e studion veprën letrare në raport të ngushtë me biografinë e autorit.

2-Kritika Sociologjike, e cila merret me kushtet e rrethanat shoqërore e historike, të cilat kanë ndikuar tek autori.

Edhe qasja ime kritike mbështetet kryesisht në këto metoda, ndaj dhe besoj se në realizimin e portretit të personalitetit letrar të Naum Priftit, kam shkruar vetëm me objektivitet dhe me kompetencë profesionale, kurse oponenti im shkau në baltën që prodhoi vetë.

E di që pas këtij shkrimi do të ketë sërish reagime mjerane. Sepse si çdo devijacion tjetër, kompleksi i mjerimit intelektual është i vështirë për t’u trajtuar dhe sindromat e pakuruara shndërrohen në sëmundje kronike.

Po e mbyll shkrimin me thënien brilante të Edith Wharton: “There are two ways of spreading light: to be the candle ( bishtuk) or mirror that reflects it.”

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, e kritikës letrare, Mjeranët

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT