• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

Qeveria: Kosova nuk ka humbur asnjë metër katror territor

March 3, 2017 by dgreca

unnamed-Qeveria e Kosovës miratoi Raportin Faktografik të Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës/

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vlerësoi faktin se qëndrimet e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, vlerësimet e Komisionit Ndërkombëtarë i cili është përcaktuar nga presidentja Jahjaga, por edhe konkludimet e Komisionit Shtetëror të mëparshëm për Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, përputhen në mënyrë të plotë me rezultatet faktografike të këtij Raporti/

unnamed (1)-“Padrejtësitë historike nuk mund t’i korrigjojmë”, tha Akademik Hivzi Islami. Në mbledhje ishin të pranishëm edhe kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu dhe drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari/

PRISHTINË, 3 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, ka mbajtur sot pasdite mbledhjen e 135-të me radhë, në të cilën ka miratuar Raportin Faktografik të Komisionit të ekspertëve për matjen e Territorit të Republikës së Kosovës.Kryetari i Komisionit, Akademik Hivzi Islami, njoftoi kabinetin qeveritar lidhur me punën e bërë nga ekspertët dhe bëri të ditur se para se të mbyllet raporti përfundimtar me konstatimet përmbledhëse, ekspertët morën edhe rezultatet e debatit publik dhe më pas, në konkluzat e dërguara në Qeveri, ata kumtuan rezultatin që madhësia territoriale është 10 mijë e 905.25 kilometra katrorë.“Kur u matën të gjitha sipërfaqet e komunave administrative, u matën 38 komuna, u matën sipërfaqet e 1 mijë e 305 zonave kadastrale, që pajtoheshin zonat me kumulativin e sipërfaqes së komunave administrative. Kjo u bë një kohë të gjatë dhe u bë disa herë, minus ndryshimi që ndodhi me Planin e Ahtisaarit me Maqedoninë, doli kjo shifër që e kemi, dhe ne mendojmë që kjo shifër, sipas ekspertëve, është absolutisht e saktë, e tolerueshme me këto gabimet minimale. Prandaj, ta kemi ndërgjegjen e pastër dhe të fashiten emocionet. Kosova nuk humb asnjë metër katror. Atë që e kemi pas, e kemi. Padrejtësitë historike nuk mund t’i korrigjojmë”, tha ndër të tjera Akademik Hivzi Islami.Në mbledhje ishin të pranishëm edhe kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu dhe drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari.Ahmet Zejnullahu foli për çështjen e 614 hektarëve të pyjeve që më herët janë menaxhuar nga Agjencia Pyjore, ndërkaq nuk janë të regjistruar në regjistrat kadastral të Pejës.

Ekrem Hajdari siguroi se bazuar në shënimet kadastrale që i ka Agjencia e Privatizimit në dispozicion, shënime këto të dhëna të bazuara në shënimet kadastrale të Republikës së Kosovës, AKP mund të konfirmoj lirisht që pronat e ish ndërmarrjeve shoqërore përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi, nuk preken fare nga procesi i shënimit të vijës kufitare.Qëndrimet e tyre në mbledhjen e Qeverisë i kanë shfaqur edhe zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Ramiz Kelmendi, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vlerësoi faktin se qëndrimet e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, vlerësimet e Komisionit Ndërkombëtarë i cili është përcaktuar nga presidentja Jahjaga, por edhe konkludimet e Komisionit Shtetëror të mëparshëm për Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, përputhen në mënyrë të plotë me rezultatet faktografike të këtij Raporti.“Kjo na jep të drejtë të jemi të sigurt se Kosova edhe për këtë gjeneratë edhe për gjeneratat e ardhshme mund të konfirmoj se nuk e ka humbur asnjë metër katror në Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi.  Është fakt notor, që Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë gjithmonë e gatshme që përmes ekspertizës dhe nuk ka hezituar në asnjë moment që të punojë dhe të konstatoj gjendjen reale të kufirit tonë me Malin e Zi ashtu siç nuk do të hezitojmë në asnjë rast që këtë ta bëjmë edhe me Serbinë më vonë, në mënyrë që Kosovës të mos i cenohet asnjë metër katrorë të territorit në përcaktimin e vijave kufitare përkatësisht në shndërrimin e vijave administrative që i kemi pasur ne përpara me shtetet fqinje ose me Republikat fqinje tani në kufij ndërkombëtarë dhe të arrijmë atë që ministri i Punëve të Jashtme e tha këtu që këto konstatime dhe këto rezultate t’i depozitojmë edhe në Kombet e Bashkuara.

Ne kemi një përkushtim të madh edhe sot, dhe kemi argumente të plota dhe të pakontestueshme që Republika e Kosovës nuk ka humbur asnjë metër katror gjatë shënjimit të vijës kufitare dhe shpresoj se me këtë hapet një proces i ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi.

Unë jam shumë i bindur se qytetarët e Republikës së Kosovës por edhe ekspertët, njerëzit edhe të pozitës edhe të opozitës do të kenë arsyen që të konkludojnë mbi bazën e fakteve sepse ne nuk mund të ndryshojmë faktet dhe që vendimi i mëvonshëm do të merret mbi këtë bazë.

Ne, këtë raport pasi që Qeveria të deklarohet për këtë, do ta publikojmë në faqen zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do t’ia përcjellim Presidentit të Republikës së Kosovës për informim dhe njoftim, do t’ia përcjellim deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në mënyrë që çdonjëri të ketë qasje të informohet dhe të njoftohet lidhur me këto rezultate. Po ashtu, do të bëjmë përpjekje që ta prezantojmë në forma të ndryshme, përmes mjeteve të informimit, dhe kanaleve tjera edhe para qytetarëve të Republikës së Kosovës në mënyrë që çdo qytetar i Republikës së Kosovës ta ketë këtë dokument dhe të ketë rezultatet e një Komisioni shumë kredibil, profesional e shkencor i cili ka punuar.

Unë jam i bindur se edhe ky raport do të jap rezultate pozitive në unifikimin e spektrit politik dhe apeloj që ky spektër politik të unifikohet rreth një çështje madhore dhe në interes të vendit siç është shënjimi i vijës kufitare, do të ndikoj në përparimin e perspektivës euroatlantike të vendit tonë, në fuqizimin e marrëdhënieve me SHBA-të, BE-në dhe vendet e tjera mike”, tha kryeministri.

Në fund, kryeministri Mustafa ka falënderuar Komisionin Qeveritar të Ekspertëve, akademik Hivzi Islamin dhe dy kryeshefat që prezantuan gjendjen reale që ata kanë në Agjencionet e tyre para Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Kjo gjendje është marrë në mënyrë faktografike dhe kështu është shënuar edhe në Raport dhe unë e konsideroj këtë si një kontribut të veçantë edhe të kësaj seance por edhe të Raportit Faktografik të Komisionit”, tha kryeministri Mustafa./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: asnjë metër, katror territor, Qeveria: Kosova nuk ka humbur

Dosja e emigrantëve- MIKU I POPULLIT, NUK JETON MË

March 3, 2017 by dgreca

1 Ok TartariARANIT TARTARI, MIKU I POPULLIT, NUK JETON MË/

Mjeku gojë ëmbël, që të shëronte me fjalë, u mbulua në dheun e Filadelfias, të Shteteva të Bekuara të Amërikës. Ne mbuluam dhimbjen në zemrat tona.

1 ok emigranti

Nga Enver Memishaj/Në Vlorë e quanin: Miku i Popullit. I qeshur gjithnjë, i pa përtuar, i duruar, i arsyeshëm , i matur në fjalë e në veprime, por i pa tundur në qëllimin human që i kishte vënë vetes: tu shërbente njerëzve si asnjë tjetër. Ai ishte një magjistar i shpirtit njerëzor. Ishte alturist, i gatshëm për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve, dëshira e synimi jetës së tij ishte: t’u bënte mirë qytetarëve të tij.

*     *    *

Babai i Aranitit Azbi Tartari ka punuar si nëpunës në Korçë,Tepelenë  dhe në disa fshatra të Vlorës. Me ardhjen në fuqi të komunistëve të cilët nuk i shikonin me sy të mirë nëpunësit e djeshëm, familja me katër fëmi të vegjël u detyrua të shiste shtëpinë në lagjen Karabash të Vlorës dhe u kthyen në fshatin e origjinës, në Vranisht, por në vitin 1950, u kthyen përsëri në qytet. Në vitin 1957, babai i Aranitit, në një moshë ende të re ndërroi jetë, kështu që Araniti u detyrua të futet në punë.

Pa mbaruar vitin e tretë të gjimnazit e morën ushtar. Eprorët e tij vunë re inteligjencën dhe aftësitë fizike dhe e regjistruan në një kurs për aviator. Kjo ka qenë një nga ditët e lumutra të jetës tij. Tashmë ai do të fluturonte lart në qiell, si shqiponjat e maleve të Vranishtit. Në vitet 1956 -1958 mbaroi  kursin dhe falë aftësive të tij, arriti te fluturonte edhe vetem ne qiellin shqiptar. Ky ishte pasioni më i madh i tij, dhe që do ta kujtonte përherë me nostalgji. Por ëndërrën për të fluturuar me avion ja prenë në mes.

Sigurimi i Shtetit vigjëlonte. Ndërsa ishte nisur të vazhdonte studimet e larta në Bashkimin Sovjetik, e kthyen mbrapsht nga Rinasi për disa verifikime! Kjo, tregonte më vonë Araniti, ka qenë një nga ditët më të zeza të jetës sime. Kështu ai e humbi dashurinë e parë, fluturimin në qiellin e kaltër, humbi shpresën, zogut i kishin prerë krahët…

Enderrën e prerë në mes për pilot nuk e harroi gjith jetën. Ai më von, ndërsa ndiqte Fakultetin e Mjekësisë në çdo faqe të leksioneve do të vizatonte aeroplanë dhe posht tyre shkruante:  Guxova dhe fluturova ne qiellin e kalter shqipetar.

Pas kesaj ngjarje ai nuk u dekurajua. Nuk donte që të ishte nën shokët e tij. U kthye në Vlorë, punoi dy vjet si punëtor dhe kreu natën gjimnazin dhe në vitin 1961, fitoi të drejtën për të ndjekur Fakultetin e Mjekësisë, në Tiranë. Studimet i kreu me sukses dhe në vitin 1966 u diplomua mjek. Në vitin 1967 u specializuar si mjek laborant dhe u emërua në spitalin e Vlorës. Që nga ai vit ai u shërbeu me përkushtim qytetarve të tij për gati 30 vjet. Ngritjen profesionale e arriti nëpërmjet studimeve individuale dhe fitoi vetitë e një shkencëtari. Ai diti të mësonte nga përvoja e mjekëve të vjetër të Vlorës që ishin diplomuar në perëndim: dr. Tepelenës, dr. Hysenbegasit, dr. Myzabegut, dr. Berberjanit etj.

E mbaj mënt, kur çdo ditë e gjeja në laboratorin e tij me dr. Tepelenën duke përkthyer nga revistat e huaja frëngjisht dhe italisht.  Botoi shumë shkrime për mjeksinë në gazetat dhe revistat shkencore.

Te qenurit mjek per te ishte nje mision dhe pergjegjesi e madhe, prandaj çdo pacienti i shërbente me devotshmëri, jo vetem si specialist, por edhe si njeri që dinte të hynte në botën shpirtërore të pacientit dhe gjente gjithmonë zgjidhje.

*      *     *

Dr. Aranit Tartari kishte lindur në qytetin e Vlorës më 16 shkurt 1938, në një familje me tradita atdhetare e qytetare. Ai ishte demokrat në shpirt dhe mendje dhe i priti me entuziazem ndryshimet demokratike duke marre pjese familjarisht në çdo manifestim të Partisë Demokratike në Sheshin e Flamurit.

Doli ne pension ne vitin 1993 dhe ne vitin 1996 emigroi familjarisht në Shtetet e Bekuara të Amerikës siç e quante ai këtë vend të bekuar.

Aranitit nuk i mungonte asgjë për të jetuar në Vlorë. Ai ishte një mjek i talentuar me të dhënat e një shkencëtari, Lutfija, e shoqja ishte mësuese e nderuar dhe e respektuar, Helidoni, djali, një inxhinjer i talentuar dhe Anila, vajza, një mjeke me perspektivë.  Atëhere përse Aranit Tartari emigroi në Amerikë?

Ai njeri adhuronte lirinë dhe ëndërronte të jetonte në vendin e lirisë por edhe pse donte të shëronte atë plagë të rinisë: fluturimin në qiellin e lirsë, që ja vranë  në moshën më të bukur.

Në vitin 2001, pasi kishte punuar e dhënë shembuj qytetarie ai mori nënshtetësinë amerikane. Kjo ishte një nga ditët më të gëzuara të jetës tij. Tani ai mund të fluturonte jo vetëm në qiellin shqiptar por edhe nëpër qiejt e botës.

*      *     *

Kur mora lajmin e hidhur të humbjes së Dr. Aranitit nuk më besohej. Ai njeri që kishte dalë fitimtar në të gjitha bejejat e jetës së tij, qysh ishte mposhtur. E ktheva kokën pas dhe pash si në një film udhën e jetës që kisha përshkuar me një mik të mirë, si Aranit Tartari…

Ai ishte qytetar dhe mjek me virtyte të rralla. Ishte njeri me shpirt të gëzueshëm, gjithnjë optimist, shakaxhi, bisedat e tij të bëra me hiperbola që veç ai mund  t’i sajonte, i përsërisnin të gjithë gojë më gojë dhe provonin ta imitonin, por pa sukses.

Ishte një nga njerëzit e rrallë të qytëtit tonë, që kishte shokë dhe miq të shumtë, për të mos thënë se qytetarët e Vlorës, por edhe fshatarët, ishin të gjithë miqtë e tij. Ai nuk lodhej duke i ndihmuar të gjithë, prandaj e quanin miku i popullit. Ishte gjithnjë i pranishëm, pranë mikut dhe shokut, në festë, në dasëm, qoftë edhe në mort,  dhe takimet me atë burrë mbaheshin mënt gjatë.

Edhe Lutfijen, bashkëshorten, e kishte gjetur si vetja. Ishin një çift i përsosur. Fati e kishte bashkuar me atë gruan që nga karakteri dukej më tepër si motra e tij. Edhe ajo, gjithnjë  qeshur, e gëzuar dhe që të bënte për vete që në takimin e parë . Rrallë çifte ngjajnë dhe shkojnë me njeri tjetrin si Lutfia me Aranitin.

Ajo me fisnikërinë dhe bujarinë e saji i siguroi atij një jetë të bardhë  dhe i dhuroi dy fëmijë, si vetja Helidonin, që ishte edhe ai Diell si i ati dhe Anilën, të bukur dhe të qeshur si i ati dhe e jëma.

Nga prindërit, si të gjithë ne, nuk trashëgoi pasuri, por ai kishte një shpirt të pasur si asnjë tjetër.Ishte alturist,  i gatshëm për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve, dëshira e synimi për t’i bërë mirë tjetrit.Araniti, motra Teferia dhe i vëllai, profesori i njohur Teki Tartari, e shkundën blozën e shtëpisë së Vranishtit dhe hodhën themelet e shtëpisë qytetarëe në Tiranë dhe në Vlorë, duke e ngritur emërin e familjes dhe fisit më lart.Nga bindja Araniti ishte thjesht një shpirt i pastër demokrati. Ishte kundër dhunës. Miqëve dhe shokëve që kishin mbetur më atë anë të barikadës komuniste nuk ua ktheu shpinën. Jetoi me kokën lart, kishte një dinjitet të pa shembullt dhe askujt nuk pranoi t’i përulej.

Me Aranit Tartarin humba një shok të jetës sime, një bashkëqytetar nga më të vlefshmit, një burrë të qëndrueshëm, i cili gjatë gjith jetës tij kreu detyrën qytetare, duke u bërë shërbëtor i vlonjatëve, ditën dhe natën, nuk mungoi në asnjë çast t’u vinte në ndihmë njerëzve, pa asnjë kusht  dhe pa pyetur, si dhe cili ishte ai që vuante, ç’ ngjyrë kishte dhe ç’punë bënte.

Bashkë përshkruam udhën e jetës në të keqe dhe në të mirë, në gëzime dhe në hidhërime. Të kishe shok Aranitin ai ta bëntë diell e dritë, çdo çast të jetës, ta hiqte mërzinë, vujtjen dhe dyshimin, me buzëqeshjen, me pak fjalë dhe me magjinë që të pushtonte. Ai ishte një magjistar i shpirtit njerëzor.

Doktor Isuf Hysenbegasi që e kishja mësues në gjimnaz, thoshte se ç’farë të shkruaj unë në recetë ti nuk e kuptom, por ç’farë të them me gojë ti e kuptom shumë mirë. I tillë ishte Aranit Tartari, ishte nga ata mjek që të shëronte me fjalë. Të bënin më shumë efekt fjalët dhe këshillat e tij se sa barnat.

Më tha prof. Ëngjëll Saliu që Aniti ishte sëmurë. Shpresoja që të triumfonte mbi sëmundjen, sikundër kishte triumfuar në dallgët e jetës, por besoj se me të njëjtin durim, me të njëjtën burrëri që kishte treguar gjatë jetës për kapërximin e vështirësive do ta ketë përballuar edhe sëmundjen që nuk besoja t’i këpuste fillin e jetës.

Nuk e di, se nuk isha pranë tij, siç dëshëroja, por jam i bindur se ai burrë i rrallë nuk do t’i ketë dalë kurrë prej gojës ndonjë fjalë ankimi dhe nuk do të ketë trguar shenja tronditje sepse ishte trim dhe dinte ta përballonte vuajtjen. E di se e ka duruar dhimbjen.

E di se në çastet e fundit të jetës tij do të ketë përfytyruar malet, burimet dhe bukuritë e Vranishtit dhe bregdetin e Vlorës  tij, me ngjyra ylberi, e drita shumë, do ta ketë ndier mallin e pa shuar që brente zemrën e tij në tokën e ëmbël të Amerikës.

Pusho i qetë në tokën e Shteteve të Bekuara të Amerikës, miku im Aranit Tartari.Ti dhe Lutfia e kryet misionin tuaj në jetë, punuat  jo vetëm për vete por më shumë për vlonjatët, na latë dy fëmi që do ta ngrenë më lartë emërin tuaj.

Aranitin do ta kujtojnë të gjith ata që e njohën si njeri e qytetar model, mjek i talentuar, baba, vëlla, mik e shok nga më të mirët. Për Aranitin jeta ishte shumë e shtrenjtë  sepse ai dinte ta shijonte, dinte të gëzonte dhe këtë u la trashëgim dy fëmijëve të tij Helidonit dhe Anilës dhe dy nipërve: Rafaelit dhe  Brentonit. U la trashëgim dashurinë për njeri tjetrin për lirinë  e kuptohet për Shqipërinë.

I tillë qe Aranit Tartari ky mjek, njeri dhe shërbëtor i popullit të tij, të cilin e mbuluan në dheun e Amerikës më 7 dhjetor të vitit 2016 dhe unë shkrova këto radhë si shenjë e nderim të shërbimeve të shquara që i ka sjellë Vlorës, për miqësinë tonë të gjatë dhe të pa njollë, i hidhëruar që nuk iu gjenda pranë atij miku aq të vlefshëm, atij mjeku që shëronte si me magji plagët e qytetarëve vlonjat, atij qytetari të denj e të nderuar të Vlorës.

Prehu në paqe miku im i pa harruar.

Ai u largua në amëshim, por emërin, jetën, punën, mirësinë,  dashurinë dhe ëmbëlsinë e tij do t’i kenë si model në udhën e jetës, të gjith ata që e kanë njohur.

Ai iku po na la gjurmët, shembullin e një mjeku human, shërbëtor i popullit të tij, të një qytetari të denj, të një shoku të një miku.

Filed Under: Histori Tagged With: Dosja e emigrantëve-, Enver Memishaj, MIKU I POPULLIT, NUK JETON MË

DEDË PRECI: SI MË SPIUNOI KUNATA DHE SHOKËT DHE MË MOHOI GRUEJA E FËMIJËT

March 3, 2017 by dgreca

HISTORIA TRONDITËSE E DEDË PRECIT: SI MË SPIUNOI KUNATA DHE SHOKËT DHE MË MOHOI GRUEJA E FËMIJËT./

1 dede-preci

Nga Andrea Dangolli.*/

Dedë Preci po sa mbushi 69 vjetë edhe pse e ndien veten shumë ma të vjetër. Vjetët e kohës së diktaturës malësorit nga Puka i duken atij se zgjatën ma shumë se sa në të vërtetë ishte numri i tyne, për arsye se vuejtjet ishin plot dhimbje.
Duket se vuejtjet e tmerrshme që ka përjetue në burgjet e komunizmit, nuk mund t’i largojë nga kujtesa e tij.
Ende i kujtohen agjentët e sigurimit që e ndiqshin  vazhdimisht dhe torturat mizore kur shtynte zhagas si skllav vagonat e randa me krom.
Edhe pse i lodhun nga jeta, sot përpiqet të përshkojë nëpër mend kujtesën e tij, ato vjete të errta që i mohuen fëmijninë, i burgosën
rininë dhe e përndoqën deri në pleqni.
Ai ka të vështirë të gjejë nji ditë të mirë mbrenda tyne, mbasi edhe sot e ndien veten, si me pa lindun i përndjekun, dhe si i tillë po
largohet nga kjo botë.
Që kur ishte katër muejsh, baba i tij, i detyrue nga presioni i pushtetit popullor u arratis dhe shkoi në Suedi.
Me prejardhje nga nji familje që kishte dhanë dëshmorë në luftën për clirimin e atdheut, kjo gja nuk ishte bindëse për autoritetet e
sistemit. Fati i tij merr nji rrugë tjetër, mbasi ai u interrnue bashkë me familjen në Lushnjë ku ndejtën disa vjetë në kushte të
vështira. Më merrte vaji kur shifshem se si nana ime përpiqej për të na rritun. U mundoshem edhe unë me punue dicka për të sigurue kashatën e gojës.
Në kohën e luftës Ramiz Alia u strehue në shtëpinë e babës tim për muej me radhë, megjithë këtë prangave nuk u pështova thotë 69 vjecari.
Në vitet e para te rinisë së tij Deda tregoi nji aftësi që i befasonte të gjithë. Edhe autoritetet e asaj kohe befasoheshin nga aftësija e
tij. Unë dëshiroshem të bahesha futbollist e për të plotsue këtë dëshirë të madhe, nuk tregoshëm se baba im ishte i arratisun. Po të
tregoshëm këtë gja, edhe shokët që më afroshin do te më largoheshin.
Në atë kohe nji mik i imi më fton në Shkodër, për t’u ba pjesë e nji skuadre të vogël futbolli. Fillova stërvitjet që ishin të shumta, por
tuej qenë se kur njeriu shef se do të mbërrijë nji qëllim me randësi, lodhja nuk shkaton pengesë.
Por ecja mirë përpara i pat ditët e numrueme. Ishëm djal i ri dhe po sa kisha krijue familje. Nuk veprova kurr kundër sistemit, filluen të baheshin lloj lloj shpifjesh kundra meje, për shkak të babës t’im që ishte arratisun. Spiunët dhe dëshmitarët që më vunë prangat, filluen nga kunata ime dhe ish shokët. Shprehjen “i yti t’a punon sot.” thotë Deda, sepse këte gja e kanë pasë ma shumë se kurr.
Me ardhjen e demokracisë unë e njoftova babën se do të shkoshëm me e pa për herë të para mbas 43 vjetësh. Kur baba mori lajmin, ai pësoi nji goditje në zemër. Kur unë mbërrijta, ai ishte në minutat e fundit të jetës së tij, ai e hapi njenin sy për të më pa,u mbush thellë me frymë dhe menjiherë ndërroi jetë,”thotë ish i përndjekuni.”
Mandej ai flet edhe për personat qe e kanë dënue, “e njoh edhe gjykatsin, edhe prokurorin, të cilët sot ngrejnë supet edhe
justifikohen se ashtu ishte sistemi. Ironia asht se ata vadhdojnë të ushtrojnë edhe sot paturpsisht detyrat e tyne.
Megjthse më dënuen 9 vjetë. unë e konsideroi atë si burgim i përjetshëm. Ata më privuen nga e drejta njerëzore, për të pasun nji
familje, edhe sot, fatkeqsisht nuk kam kurkan pranë.

69 vjecari tregon se si e mohuen familjaret dhe e lane t’u drejtohej dyereve te azilit.Lash fëmijët të vogel kur u burgosa dhe i gjeta të rritun kur u lirova. Sot fëmijët e mij nuk duen të më njohin si atin e tyne.
Azili më ka dhanë nji përgjigje negative, e tash jetoi në nji dhomë me kushte të mjerueshme, që më ka lëshue dikush për sevap. Ku të shkoi thotë i perndjekuni,që sot, realiteti i vështirë ku po jeton, i përngjanë nji burgu të ri.
Kur njeriu ndigjon fjalët e tij, të krijohet përshtypja se cdo të thotë, të lejsh i dënuem për të mos jetue kurr.
Përjetimet e vështira i përngjajnë nji filmi të frikshëm, të cilin asht e vështir t’a besojsh se ka ngja në të vërtet.
Deda përfundoi tuej thanë se tregova historinë time për të vu në dukje të vërtetat e diktaturës komuniste.

* E dërgoi për Diellin:Gjon KADELI

Filed Under: Histori Tagged With: : SI MË SPIUNOI KUNATA DHE SHOKËT DHE MË MOHOI, DEDË PRECI, GRUEJA E FËMIJËT

Urimi i Trampit është një fotokopje administrate

March 3, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ka disa orë që kryeministri i vendit ka hedhur në fb një nga ato letrat me tekst fotokopje, firmë fotokopje. Nga ato të përditshmet, rutinë, me firmën e presidentit. E quaj rutinë, pasi është thjesht protokoll. Thjesht detyrë për të qënë të kujdesshëm në lidhje me kabinetet qeveritare nga bota mbarë. Që denjuan dhe i çuan një telegram urimi. Ku në gjegje të kësaj, këta, amerikanët nuk ta kursejnë aspak letrën dhe bojën. Si me thënë, një punë e bitisur nga rrogtarët. Të cilët përpiqen të mos u shpëtojë edhe grima. Pasi për Amerikën, dhe jo Trampin, praktika e komunikimit është një nivel elementar. Qoftë kur përballë është edhe shteti më modest.

Po kjo është krejt ekzaltuese në Shqipëri.
Madje konsiderohet një eveniment i madh. Dhe si ai fëmija i lumtur…, më përpara se zyra e shtypit. Kryeministri nxiton ta bëj një statut fejsbuku. Dhe ajo që është më e trishtueshmja, sherri i shqiptarëve në atë rrugicën e komenteve me njëri-tjetrin. Ku një pjesë e madhe, krejt të shfrenuar, u nxjerrin sytë atyre që mendojnë ndryshe. Apo denjojnë t’i thonë shefit se, nuk është sukses qeveritar që në hyn në xhep. Po thjesht, punë e përditshme e administratës amerikane.
Madje pas kryeministrit, shtypi. Sidomos ai që mjel qeverinë. Akoma më triumfator. Duke postuar foto plot buzëqeshje të Edi Ramës. Dhe plot ngërdheshje. Apo të shtrëmbërta të Donald Trampit.
Domethënia…., që Rama e fitoi betejën. Deshi apo nuk deshi Trampi ia njohu forcën liderit të madh të Ballkanit perëndimor.
Ah sikur të ishte kështu.
Këto radhë nuk janë për të denigruar Edi Ramën. Asesi. Nuk kam se çfarë i hedh poshtë. Pasi ne shqiptarët kemi plot shprehje, plot romuse. Por që i përdorim për elokuencë, humor. A për tu dukur simpatik etj. Jo për fakte të gjalla. Ndaj dhe unë me humor po e them atë që flet puna për ‘të. Borxhi publik sapo e kaloi shifrën 72. 2%… E gjeti me 62%. Duke na radhitur në vendin e 18, në europë. Përqindja e atyre që duan të ikin nga Shqipëria. Apo që kanë ikur nga vendi, sapo e la 38% -shin.
Ekonomia informale jo vetëm që nuk u tret. Që nuk e luajti vendit pagesën në kesh 150 mijë lekë në muaj për kamarierët. Nga xhepi i pronarit që pi birrë. Dhe kur t’i ketë ai. Fronti më i gjerë i krahut të punës. Sidomos për të rinjtë. Por u pakësua në 100 mijë. Dhe i sheqerosur me togfjalshin po deshe.
Nga ana tjetër falja e faturave të prapambetura. Dhënia e tapive etj… u bënë orë të propogandës politike. Në vend që të bëheshin mubdësi riaftësimi dhe edukatë. Në raport mes qytetarit dhe faturës. Apo taksës etj.
Statuti i nënpunësit civil u zëvendësua me teserën e partisë.
Sheshi i legenave në qëndër të shtetit gëlltiti sërisht miliarda lekë. Kodrat dhe malet, zonat më të thella u bënë një hambar dhe tokë pjellore e hashashit dhe kanabisit. Policia e shtetit mori sërisht dhuratë nga qeveritë simotra ca mjete. Ku pa frikë mund të pohojmë se jemi i vetmi vend në europë, që brenda një dikasteri operojnë me dhjetra marka të ndryshme mjetesh motorike. Policitë e vendeve të tjera dominohen nga një ose dy marka, kjo o për namus të prodhimit vendas. Ose si produkt i kontratave për mjete e logjistikë.
Arsimi publik u kthye në një garë jo të barbartë. Por mundësi ekselente zgjedhjeje me sira. Dhe konkurimi vazhdon me grupime partiake të hanë të parët njëherë, pastaj të tjerët të marrin çfarë të mbetet.
Shëndetësia…, as që ia vlen të diskutohet. Mjafton të përmendësh një fakt. Që është ministër një person i zhveshur nga mandati i deputetit nga gjykata kushtetuese për abuzim me tendera, konflikt interesi etj.
Ushtria. Jemi sot shteti pas asnjë mbrojtje elementare. Pasi festuam çmendurisht marrjen në mbrojtje nga Nato. Dhe që sot nga një grip midis Moskës, Brukselit dhe Washingtonit, dridhemi e pyesim. Cilit bllok do i përkasim. Lindjes apo perëndimit….
Çfarë të vazhdojë më?
E pra Trampi është njëri i biznesit. Dhe i pragmatizmit tipik amerikan. Që i kushton rëndësi të veçantë rezultave.
Ashtu si vetë qytetarët amerikanë. Rezultave, jo demagogjisë.
Ndaj fitoi duke u thënë amerikanëve që ta bëjmë Amerikën si një herë e një kohë.
E me këto rezultate që ka Shqipëria, do e fshinte me gomë Edin Ramajve. Jo ta përshëndeste. Këtë sokol të parruar të dështimit shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: administrate, Ilir Levonja, një fotokopje, Urimi i Trampit është

HERONJT E IDEOLOGJISE SE DIKTATURES KOMUNISTE DHE DEMOKRACIA

March 3, 2017 by dgreca

SI DUHEN TRAJTUAR ‘’HERONJT E IDEOLOGJISE SE DIKTATURES KOMUNISTE’’ SOT NE DEMOKRACI ?/

1 Filip GuraziuNga Filip Guraziu/Demokracia e brishte shqiptare, fatkeqesisht me kalimin e kohes vazhdon te behet edhe me e brishte, kjo per shume aresye, por njera nga  kryesoret qe me rezulton sot pas  25 viteve te veteshembjes se komunizmit, eshte ‘ mosndergjegjesimi dhe mosvemendja serioze  e klases politike ndaj  edukimit te brezit te ri’ . Informacioni qe merr brezi i ri sot eshte kontradiktor dhe kaotik, çka nuk eshte konstruktiv, shembujt jane te shumte; qendrimi ndaj simboleve kombetare (  Skenderbeu, Nane Tereza ); qendrimi ndaj pushtimit turk,  qendrimi ndaj gegnishtes;  qendrimi ndaj luftes civile  ne vitet e lufte se dyte boterore,  qendrimi ndaj denimit te krimeve te komunizmit,…  etj.,  Pra, platforma e institucioneve shteterore, deri sot,  nuk ka arritur te ndertoje nje strategji edukuese te miratuar kolegjialisht, konstruktive dhe  bashkekohore per brezin e ri. Ne gamen e gjere opinioniste te mesiperme deshiroj te  veçoj   qendrimin qe duhet mbajtur sot ne demokraci ndaj  “ heronjve te ideologjise se diktatures komuniste shqiptare“.

Eshte fakt i njohur, se se paku “ zyrtarisht ”,   te gjitha partite politike parlamentare shqiptare kane mbajtur  qendrim   kritik ndaj diktatures komuniste,  gje fare normale dhe ne perputhje me qendrimin politik ndaj diktaturave ( te majta dhe te djathta) ne te gjithe vendet  e Europes dhe me gjere. Shume   persona qe  kane qene ne formacionet partizane  te drejtuara nga komunistet , dhe qe kane vdekur  ne lufte civile kunder formacioneve   shqiptare nacionaliste jane shpallur ‘deshmor ose heronj te atedheut ’, gje ne perputhje me  parimet   komuniste dhe me periudhen ne te cilen  ideologjia e diktatures ishte paresore, edhe mbi ate kombetare ! (internacionalizmi proletar).  Rastet sa me siper jane te shumta, duke filluar qe nga “Heronjt e Vigut”, rezistenca antikomuniste e Muharrem Bajraktarit, ajo e kelmendesve e kryesuar nga Preke Cali, levizja e Llesh Marashit ne Koplik, kryengritja e Postribes, perpjekjet me grupet antikomuniste te derguar ne Shqiperi nga vendet “armike”, SH.B.A dhe Europa perendimore etj. Por a duhet te vleresohen ato tituj sot ne demokraci ?, mendoj qe jo!, pasi ato te vrare nuk e paten  dhene jeten ne lufte kunder pushtuesve te huaj per lirine e atedheut, por per fitoren e idealit   komunist ne lufte me vellezerit e tyre shqiptar, ideal qe me shembjen e komunizmit dhe fitoren e demokracise u shperbe, u denua dhe vazhdon te denohet si imoral dhe kriminal , pra sot ne demokraci   eshte absurde dhe krejtesisht e padrejte  qe  ti ruajne perseri  ato tituj. Kaq i rendesishem ishte vleresimi ideologjik partiak ndaj rasteve te mesiperme sa qe ne veri te Shqiperise  “ heronjve te ideologjise ” ju perkushtua nga diktatura nje monument madheshtor ne qender te Shkodres,  kurse ‘ Tre heronjt ‘ qe vdiqen ne perpjekje kunder pushtuesve fashiste, pra per idealin kombetar u lane ne harrese!

Nje kategori tjeter per tu diskutuar eshte ajo e dekorimeve qe ‘ e majta ne pushtet’ realizoi para dy viteve si dhe e nderimeve apo titujve te nderit qe kudo neper Shqiperi nostalgjiket e diktatures i kane dhene kohet e fundit duke shfrytezuar mangesite ligjore egzistuese.  Jam i mendimit qe duhet dhe  meriton te nderohet e te dekorohet çdo person qe ka dhene kontribut te shquar ‘ pro Shqiperise ‘ gjate viteve te komunizmit, pasi i ka sherbyer vendit te tij duke e zhvilluar Shqiperine, por  jo ato  qe paten punuar ne sigurimin e shtetit , prokurori, hetusi, burgje, gjykate, media dhe ne strukturat politike partiake te cilet i paten sherbyer qorrazi ideologjise dhe diktatures komuniste dhe  jane  pergjegjesit kryesor te terrorit komunist ndaj popullsise shqiptare.

Eshte koha qe te kuptojme nje here e mire se  demokracia shqiptare dhe ardhmja e Shqiperise drejte B.E. nuk mund te realizohet duke i thurur lavdi ideologjise komuniste.  E dini perse? Shume e thjeshte, pasi denimi i krimeve te komunizmi eshte nje nder kushtet kryesore qe duhet te plotesoje Shqiperia per te qene pjese e B.E.   Ne vendet  europiane as qe behet fjale qe te dekorohet  ose te nderohet publikisht ndonji hero i fashizmit ose i nazizmit,  perkundrazi  praktikat jane te tilla  sa qe edhe tentativa per sa me siper  denohet ne baze te ligjit. Nje i tille egziston edhe ne vendet ish komuniste te europes lindore; ne Poloni, Ceki, Lituani dhe Hungari qe shprehet: ‘ Refuzimi publik, vënia në dyshim ose degradimi e faktit të genocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit të kryera nga regjimet socialiste dhe komuniste kombëtare perben  vepër penale ‘

Del detyre imediate qe legjislativi dhe strukturat e pavarura qe funksionojne sipas udhezimeve te B.E. te trajtojne problemin e mesiperm per ta futur ne rrugen ligjore. Vetem ligji duhet te sundoje ne demokraci, ligji duhe te jete mbi   nostalgjite romantike te nje periudhe tashme te denuar nga te gjithe aktoret politike .Sa me siper nuk eshte hakmarrje, por drejtesi shoqerore qe na e mundeson  sistemi demokratik. E ardhmja e Shqiperise dhe e brezit te ri eshte shume here me e rendesishme se sa nje titull ose dekorate  me karakter ideologjik. Shqiptare te ardhmen e keni ne doren tuaj, veproni.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: demokracia, Filip Guraziu, Heronjte e Ideologjise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT