• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2017

Krishtërimi dhe Arqipeshkvia e Tivarit ndër shekuj

April 19, 2017 by dgreca

Nga Prof. Gjon Frani Ivezaj/

Iliria, ka qenë një nga vendet e Evropës që e pranoi me vullnet krishtërimin dhe ka një histori të gjatë plot humbje dhe fitore. I pari që predikoi Ungjillin e Krishtit në Shqipëri ka qenë vetë Shën Pali i cili shprehet, “Nga Jeruzalemi e rrethinat deri në Iliri plotësova predikimin e Ungjillit të Krishtit” (Romakëve 15:19).

Është e qartë se themelet e krishtërimit në Shqipëri janë hedhur nga vetë apostujt e Jezu Krishtit. Besimi në Krishtin është predikuar për herë të parë në Evropë nga shën Pali, i cili predikoi “gjer në Illiri”, sipas Dhiatës së Re. Egzistenca e rrugës romake ‘Via Egnatia’, që kalonte përmes Shqipërisë, të bind se predikuesit e parë të krishterë e kanë përhapur lajmin e Krishtit në brendësi të Shqipërisë, ndërsa udhëtonin në drejtim të Romës.

Historiani Farlati shkruan për kishën e Durrësit se ajo është më e lashta në Shqipëri, dhe se u themelua prej apostullit Pal ndërsa ai po predikonte në Ilir dhe në Epir. Thuhet se në vitin 59 të shekullit e parë, kishte një numër jo të vogël të krishterëve në Durrës.

Njoftimet historike mbi bashkësitë e krishtëra, mbi strukturat kishtare, gjetjet arkeologjike (bazilikat e shumta të shek. III–VI mbas Krishtit), elementë të shumtë gjuhësorë, terminologjia kishtare dhe veçanërisht toponimia e krishterë, ofrojnë që të gjitha prova domethënëse mbi raportin e fesë së krishterë me popullin e ilirëve, raport që ishte aq intensiv, saqë një autor i shek. VI mbas Kr., Kozmas, i përfshin pamëdyshje ata në listën e popujve të krishterë.

Nga historia mësojmë, se edhe apostulli Shën Andrea, ka predikuar me passion në Epir. Një numër i madh krishterësh ka jetuar në portin e Durrësit në vitin 58 mbas Krishtit.

Nga shekulli IV-V Krishterimi ka lënë gjurmë të dallueshme anembanë vendit. Peshkopët e krishterë nga Dardania dhe Maqedonia Salutare, d.m.th zyrtarët e lartë nga Shqipëria lindore dhe Kosova e sotme, kanë marrë pjesë në Këshillin e Parë Ekumenik, i cili u mblodh në Nikea në vitin 325 mbas Krishtit nga Perandori Konstandin. Gjithashtu, gjashtë peshkopë nga Dardania, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër morën pjesë në Këshillin e Sardikës në vitet 343-344 mbas Kr.).

Në vitin 395 mbas Kr., Shqipëria Ilire e ndjeu çarjen e madhe fillestare midis Perandorisë Romake të Lindjes dhe Perëndimit, pasi gjendej mes kufirit kulturor dhe politik mes Lindjes bizantine dhe Perëndimit italian.

1-Në monografinë e tij Geografia Ecclesiastica dell’Albania, botuar në 1934, studiuesi jezuit dhe albanologu i madh At Fulvio Cordignano O.F.M., nxori një listë me 275 kisha katolike që ekzistonin në Shqipëri deri në vitin 1670, ku 42 kisha i kushtoheshin Shën Mërisë.

Kisha e Zojës në Shkodër, ka qenë gjithëmonë shumë e nderuar nga katolikët shqiptarë të Veriut të Shqipërisë. Në prill 1946, një vit pas marrjes se pushtetit nga komunistët, mbi 2000 vetë morën pjesë ne shtegtimin tek ajo. Megjithatë, jo shumë kohë më vonë, kisha u mbyll dhe u shndërrua në salle vallëzimi dhe ne vitin 1967, gjatë fushatës komuniste kundër fesë, kisha u rrafshua përtokë.

Provinca e hershme e Prevalisë, në shek. X–XI, ishte riorganizuar në arqipeshkvinë katolike të Tivarit, e cila u vendos nën varësinë e metropolisë së Raguzës. Në shek. XII Selia e Shenjtë e ngriti Tivarin në nivel Metropolie. Në shek. VII mbas Kr. kemi Primatin e Arqipeshkvisë së Tivarit, kur fillon edhe dyndja e sllavëve ne territorin e Ilirisë. Kjo Arqipeshkvi Metropolitane mori vijimsinë e Dioklës antike, në të cilën përfshihej edhe popullsia sllave e atyre territoreve e cila në shek. XI tërësisht ishte pagëzuar.

Tivari u bë vatra kryesore nga ku katolicizmi roman fitoi terren në drejtim të trevave të tjera shqiptare, deri atëherë nën ritin ortodoks.

Në vitin 1583, në zonën midis kështjellave Podgoricë, Zhabjak, Drisht, Shkodër, Lezhë e Krujë, 4/5 e popullsisë vazhdonte të ishte katolike. Në varësi të marrëdhënieve midis shtetit islam osman, Republikës së Venedikut dhe Selisë së Shenjtë, ishin marrëdhëniet e popullsisë katolike me autoritetet osmane në Shqipëri.

Shteti islam osman dhe Papati, nuk ishin vetëm qendra ekumenike, por edhe politike, pa dyshim me ndryshime të konsiderueshme. Popullsia shqiptare nuk kishte një qendër të vetme ku të mbështetej, por orientohej nga Selia e Shenjtë, Venediku, Napoli, Spanja e Austria.

Kur acaroheshin marrëdhëniet politike, dhe shqiptarët e besimit katolik kalonin në anën e aleatëve të natyrshëm evropianë dhe fetarë, në fund të konfliktit furia islame osmane binte mbi shqiptarët. Kështu ndodhi më 1571, më 1683, etj. Më 1688 Jegen Pasha, në krye të një ushtrie prej 100.000 vetësh, kudo mbolli shkretim, pikëllim, çoroditje dhe hidhërim. Kishat u mbyllën dhe populli iku në mal.

I vetmi vend ku mund të drejtoheshin katolikët shqiptarë ishte Selia e Shenjtë, e cila u përpoq nga jashtë të ndihmonte në shumë drejtime. Momente kthese për katolikët shqiptarë ishte krijimi i Kongregacionit Propaganda Fide dhe fillimi i shek. XVIII, kur në fronin papal u ul Klementi XI, me origjinë shqiptare. Me nxitjen e tij, në vitin 1703 u mblodh Konçili i peshkopëve të Shqipërisë.

E ndodhur përherë nën presionin e shqiptarëve katolikë për të vendosur

2-klerikë vendas, Selia e Shenjtë pranoi kërkesën për arsimimin e klerit vendas. Në të njëjtën kohë nga kleri vendas dhe nga përfaqësuesit e Françeskanëve në Shqipëri u bënë përpjekje në dy drejtime: për hapjen e shkollave fetare në Shqipëri dhe për përgatitjen e klerit shqiptar në shkollat e huaja.

Megjithëkëtë, numri i priftërinjve nuk plotësonte nevojat e vendit. Meshtarët ishin larg njëri nga tjetri tri deri katër ditë udhë, prandaj me mijëra katolikë vdisnin pa iu bërë ceremonitë fetare.

Mungesa e klerikëve jo rrallë ishte shkak për të kaluar nga katoliçizmi në ortodoksi. Më 1670, nga arqipeshkvia e Tivarit bëhet e ditur se për mungesë të klerikëve, mjaft katolikë po kthehen në ritin “grek”, d.m.th në ritin bizantin.

Popullsia katolike kishte përballë shtetin dhe fenë islame. Kjo e fundit kishte mbështetjen materiale dhe morale të shtetit islam osman. Të gjithë ata që ngrinin krye, vlerësoheshin në radhë të parë si armiq të fesë dhe pastaj të shtetit. Të gjithë fermanët e sulltanëve theksonin përparësinë e fesë ndaj shtetit. Feja islame kishte mbështetjen e administratës shtetërore. Qysh në vitin 1537 sulltani urdhëroi që në çdo fshat të ndërtohej nga një xhami. Në qytetet shqiptare u vendosën klerikë myslimanë që predikonin lirshëm fenë islame. Herë pas here ata i ndihmonin dervishë të ardhur nga Stambolli. Natyrën e shtetit osman e ka përcaktuar mjaft bukur P. Bogdani më 1648: “Të çlirohen delet e shkreta të Krishtit nga goja e këtij ujku islamik të tërbuar”.

Me ligj ndaloheshin të ndërtoheshin kisha të reja, madje ato të ndërtuara pa leje, prisheshin. Procesi i kthimit të kishave në xhami vazhdoi gjatë shek. XVI – XVIII. Kështu, në një raport të vitit 1745 mbi dioqezën e Shkodrës, thuhej se katedralja e Shën Stefan Protomartirit në Shkodër ishte kthyer në xhami nga autoritetet osmane. Në raste të tjera autoritetet osmane nuk lejonin zhvillimin e ceremonive të ndryshme fetare kristiane, nuk lejonin të çoheshin fëmijët për sakramendin e krezmimit.

Një persekutim i vazhdueshëm iu bë klerikëve që mbronin katolicizmin. Arsyen e këtij persekutimi i jep një përfaqësues i bejlerbeut të Sofjes, që kishte mbërritur në Shkodër. Ai u mat të godiste P. Bogdanin me shpatë, duke e kërcënuar se do ta copëtonte, se “ky është ai që pengon këtë vend të bëhet turk”.

Ilirët e kanë pranuar dhe ushtruar krishterimin qysh nga koha apostolike, nga Shën Pali dhe nxënësi i tij, Titi në tekstet të Besëlidhjes së Re, tek Libri Romakëve, (Rom 15, 19, kah viti 66), ku, Shën Palit shprehe se: “Kështu predikova që nga Jerusalemi dhe përreth deri në Ilirik, duke kryer detyrën e shpalljes së Lajmit të Gëzuar mbi Krishtin.”

Kështu për krishterimin në trevat Iliro-shqiptare, flasin një numër i madh i shkrimtarëve kishtarë: Shën Gregori i Nishit (nga Naissusi, 334-379). Shën

3- Jeronimi (347-420) nga Stridoni e shumë të tjerë.

Studiuesi Pavle Mioviq, duke u mbështetur në gjurmime arkeologjike, konstaton se Ulqinin ishte si dioqezë që në kohen e Justinianit në shek. VI dhe Tivari figuron si dioqezë që në shek. VI. Në valën e krijimit të dioqezave të reja, mund të jenë themeluar edhe, Shasi, Budva, Kotorri dhe Risani si kryeqendër e mbretëreshës Teutë. Kurse, Drishti (Drivasto), në bazë të dokumenteve del si dioqezë në vitit 458. dhe Lezha (Lissus-Alessio) vitin 592.

Si pasoj e pushtimit nga barbarët, avarëve dhe sllavët në shek. VII, të Gadishullin e Ballkanit, nuk dihet asgjë për fatin e mëtejshëm të dioqezave në trevat Iliro – Arbërore deri në Koncilin kishtar, të mbajtur në kohën e papa Gjonit VIII (872-882) në Delmitanum (Duvno) në vitin 877, ku Dioklea figuron si kryedioqezë metropolitan, duke pasur nën juridiksionin e vet dioqezat e tilla si: Kotorri, Budva, Tivari, Ulqini, Shasi, Shkodra, Drishti, Pulti, pastaj Serbia, Bosna, Travunia dhe Zahumle.

Pavarësia e Dioklës gjatë shek. XI-XII, mendohet së zgjati për 140 vjet. Me ardhjen në fronin mbretëror të Dioklesë, mbretit Konstantin Bodinit (1081- 1101), iu drejtua papës të pa ligjshëm, Klementit III (1080-1100), për riorganizimin e jetës kishtare në Prevalitanë. Papa Klementi III, më 8 janar të vitit 1089, nxori në Romë bullën drejtuar ipeshkvit të Tivarit, Pjetrit, “Petro Diocliensis sedis Archiepiscopo”, (Arqipeshkëvit Pjetrit të Selisë së Dioklesë), me të cilën themeloi provincën e veçantë kishtare për Dioklenë, respektivisht gjallon metropolinë e dikurshme të Dioklës, duke i dhënë një formë të re, Mitropolia Diokleato-Tivarase dhe duke e vendos nen juridiksion kryesisht dioqezat, të cilat i kishte marrë në Koncili e Delmitanus viti 877. Kështu ai shtoi, kishat me gjithçka që u takonte dhe kuvendet, si të dalmateve, ashtu edhe të grekëve dhe sllavëve. Nga ana e tjeter papati theksoj dhe dhënien e titullit “Primat i Serbisë”. “Më ketër rast filloj një faze e re e historisë se Kishës në Shqipëri”, do shprehej njohësi më i mirë i çështjeve shqiptare, Milan Syfllay.

Duke u mbështetur në të kaluarën e Diokles, del qartë roli që kishte arqipeshkvia e Tivarit. Në vitin 1248, papa Inocenti IV, emron dominikanin e njohur Gjon Plani Karpini, arqipeshkëv të Tivarit. Karpini, parapriu një sistemi të ri të Selisë Shenjt, sipas të cilit Shqipëria behet baza e operacioneve kundër ortodoksisë në Ballkan, kurse Tivari shtabi kryesor kundër depërtimit të kishës ortodokse në bregdet.

U mundova me pak fjalë dhe në mënyrë telegrafike të përshkruaj një histori të shkurtër të Kishës dhe Arqipeshkvisë Metropolitane të Tivarit ndër shekuj, e cila i ka mbijetuar rrebesheve dhe stuhive të fuqishme të kohës, lutrave dhe pushtimeve të njëpasnjëshme që kanë pësuar trojet shqiptare ndër shekuj. Por historia e popullit dhe kishës sonë të lavdishme është ë mbushur me humbje dhe fitore, duke u shfaqur krenare në ditët tona.

4- Gjithëmonë Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”, në Harsdale Neë York, nën udhëheqjen shpirtërore të bariut të saj të nderuar Dom Pjetër Popaj së bashku me Këshillin e Kishës dhe zotin Leonard Berishaj, po kontribuojnë shumë për të mbledhur fonde, për ripërtëritjen dhe rinovimin e Kishës antike, duke ruajtur vlerat dhe identitetin e saj autokton.

Në këtë nismë të re dhe shumë domethënëse, është përfshirë sot me një përkushtim të përhershëm edhe Arqipeshkvi i ri i Tivarit dhe Primat i Serbisë Shkëlqësia e Tij Imzot Rrok Gjonlleshaj sëbashku me Vikarin e Përgjithshëm apo Sekretarin dhe franceskanin e përkushtuar për Fe e Atdhe Pader Pashko Gojcaj O.F.M. Ato kane gjetur mbështetjen e madhe nga komuniteti shqiptaro- amerikanë, të cilët me bujari po dhurojnë shumë të mëdha për të bërë të mundur realizimin me sukses të projektit rinovues të Katedralës së Tivarit një nga më të vjetrat në Arqipeshkvinë Metroplitane në fjalë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Arqipeshkvia e Tivarit, Gjon Frani Ivezaj, Krishtërimi dhe

BOTIMET SHQIPTARE NE PANAIRIN NDERKOMBETAR TE GJENEVES

April 19, 2017 by dgreca

 

Nje rast i mire per bashkatdhetarët për të kontaktuar me librin shqip- Botimpex në Panairin e Librit e të Shtypit të Gjenevës/

Nga data 26 prill  deri më 1 maj 2017, zhvillohet Panairi Ndërkombëtar i Librit dhe i Shtypit të Gjenevës. Në këtë panair nga Shqipëria do të marrë pjesë me stendë, Botimpex, agjenci e eksport- importit të botimeve.

Botimpex do të paraqesë libra të gjinive të ndryshme, nga më të rinjtë e më të mirët nga Shqipëria, trevat e tjera shqiptare, arbëreshet e Italise dhe bota. Nga tërësia e librave që do të sjellë agjencia, një vend të veçantë do zënë librat e shkrimtarit tonë të shquar,Ismail Kadare. Por aty do të jenë dhe libra të shkrimtarëve dhe krijuesve të tjerë si të Dritero Agollit, Rexhep Qoses, Luan Ramës, Fatos Kongolit, Luan Starovës, Agron Alibalit, Ferit Lamaj, Stefan Capalikut, Blendi Fevziut etj . Në stendë do të ketë dhe krijime të autorëve shqiptarë dhe zviceranë që jetojnë e kryejnë veprimtari në Zvicër si Prof. Jean-Philippe Assal, Prof. Alain Golay, Alfred Papuçiu, Besa Myftiu, Ali Mehmeti, etj.

Agjencia fton bashkatdhetarët e saj dhe miqtë e tyre të huaj, ta vizitojnë stendën. Do gjeni libra për vete, për fëmijët dhe shokët tuaj. Në stendë do ketë romane, libra historikë, për arkeologjinë, fjalorë e metoda për mësimin e gjuhëve, libra në gjuhën frënge, libra me kujtime, libra njohës për Shqipërinë etj. Në stendë do gjeni një ambient të këndshëm shqiptar…Librat që do sjellim, jemi të sigurtë që do u pëlqejnë, të bindur se do u vinë per shtat shijeve tuaja…Për kujtesë në stendë do jenë librat “Mëngjeset në Kafe Rostand”, e Ismail Kadaresë, “Shqipëria në Konferencën e Paqes Paris 1946” e Kristo Frashërit, Studime të Francesko Altimarit,  “Shqiptarët e Leon Gerome” e Luan Ramës, “Urgjenca gjuhësore” e Gjovalin Shkurtaj, “Per Kosovën e djeshme e të sotme” e Luan Omarit, “Shqipja qysh u është dukur? e Xhevat Lloshit, “Këngë e brithma nga qyteti i djegur” e Mitrush Kutelit, “Kohë dhe njerez” (me kujtime e shënime) e Burhan Kavajës , etj.

Botimpex do të paraqesë dhe librat e reja të botuara prej saj, si librin e Nadire Buzos, “Epoka Kadare” (studime)  si dhe librat e parë të një cikli për fëmijë në gjuhën shqipe dhe frënge  të Erida Begës etj.

Stenda e Botimpex do të jetë: në B 284

Jini te mirëpritur

Filed Under: Emigracion Tagged With: BOTIMET SHQIPTARE, NE PANAIRIN NDERKOMBETAR, TE GJENEVES

KUR DO TË BËHET SHQIPËRIA?

April 19, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

 Kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga shembja e komunizmit në Evropë.  Kisha menduar dhe besoja se shqiptari më në fund — i lirë nga zgjedha dhe ideologjia e huaj komuniste sllavo-aziatike e imponuar mbi botën shqiptare – do të merrte në dorë fatet e veta, do të bëhej përfundimisht zotnues në hapësirat e tija politike, shoqërore, ekonomike dhe ushtarake.  Kjo ndjenjë, në të vërtetë, u forcua disi nga shpresat e guximshme edhe me shpalljen historike të pavarësisë së Kosovës.  Me optimizmin tim të natyrshëm, shihja thelbin e diçkaje më të madhe, më fatbardhë për shqiptarët në trojet e veta, një çlirim nga historia mizore e shekullit të kaluar dhe më heret.   Shpresoja për një ringjallje, për një ripërtëritje të vërtetë të vlerave historike të kombëtare të shqiptarëve.  Shpresoja gjithashtu, në mos për zhdukjen, atëherë për pakësimin e urrejtjeve zhburrënore dhe paragjykimeve ideologjike të shqiptarit kundër shqiptarit, të cilat kanë karakterizuar jetën politike të vendit për një kohë kaq të gjatë.   Brenda realitetit politik, shpresoja për një ndjesi vëllazërimi, mirësie dhe pajtimi midis shqiptarëve, për një marrëveshje dhe bashkërendim midis palëve politike, të interesave të përbashkëta jetike kombëtare.  Shpresoja për agime të reja orëmira për të gjithë shqiptarët në trojet e veta.  Shpresoja — duket gabimisht – ashtu siç ka shkruar me një rast Ernest Koliqi, “Në idenë e nji Shqipnie, e cila për secilin prej nesh të ketë fytyrën e zemrën e nënave tona dhe të jetë ngushllimtare, dashunore dhe e adhurueshme, por sidomos e drejtë kundrejtë të gjithë Bijëve të saj”, mbrojtëse e të gjithëve dhe e pranueshme nga të gjithë. 

Sot, në vend të këtyre shpresave, fatkeqësisht kemi një Shqipëri krejt ndryshe, ku energjitë politike i vihen në dispozicion grindjeve e mosmarrveshjeve të pafund e të pa zgjidhje.  Është një klasë politike, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë e anë mbanë trojeve shqiptare, pa unitet moral e kombëtar, pa harmoni idesh e pa përputhje mendimesh mbi interesat madhore të vendit dhe në mbështetje të të mirës së përbashkët kombëtare.   Një klasë politike të cilës i mungon atdhetarizmi i mirëfilltë, një klasë politike, personalitetet e të cilës kanë humbur zërin e arsyes.  Si rezultat i ngërçit të tanishëm politik midis forcave kryesore politike në Tiranë, jemi fatkeqësisht dëshmitarë të një përçarjeje të kobshme në radhët e klasës politike shqiptare, e cila si rrjedhim pasqyron, fatkeqsisht, jo vetëm marrëdhëniet e acaruara midis forcave politike, por edhe në radhët e shqiptarëve në përgjithësi.

Përçarje jo vetëm midis të gjallëve, por përçarje madje edhe midis të gjallëve e të vdekurve. Mos pajtim edhe me të vdekurit!  Një përçarje politike që detyron zbritjen e udhëheqësve më të lartë diplomatikë evropianë në tokat shqiptare për të ndërmjetësuar midis palëve të politikës së përçarë shqiptare, sikur vendi është në një luftë civile ose në një konflikt ndërkombëtar.  Ky fenomen, fatkeqësisht, nuk është i ri, është përsëritur shumë herë gjatë çerek shekullit të kaluar, duke i garantuar kështu Shqipërisë dhe shqiptarëve një imazh tepër primitiv në fushën politike në radhët e organizmave euro-atlantike, të cilave pretendojnë se dëshirojnë tu bashkohen.  Kjo ndodhë vetëm në Shqipëri.  Ndërkombëtarët nuk mund dhe nuk duhet të ndërmjetësojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe të grindjeve politike midis shqiptarëve.  Këto janë punët e shtëpisë që ata duhet t’i zgjidhin vetë, vëllazërisht, në interesin kombëtar dhe për të mirën e përbashkët.  Udhëheqsit politikë Shqiptarë të të gjitha ngjyrave duhet të bindin veten dhe njëri tjetrin, por edhe t’i tregojnë botës se janë të aftë ta bëjnë Shqipërinë të bashkuar dhe të fortë politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht, nëqoftse dëshirojnë të pranohen nga Evropa.  Fatkeqësisht, sot për sot, siç ka thënë kohët e fundit, edhe njëri prej politikanëve shqiptarë, Shqipëria është bërë turpi i Evropës.  Kryeministri vendit Edi Rama, në një intervistë të martën me portalin amerikan “politico.eu” kërcënoi se, “Evropa do të përballet me një “makth” nëse Ballkani “çmendet” për shkak se antarësimi në BE është jashtë rëndit të ditës.”  Evropa ka shumë mëkate ndaj shqiptarëve, por gjëndja aktuale politike në Tiranë, nuk besoj se është krijesë e saj.

Dikush mund të më thotë, e ke shumë gabim, Shqipëria ka bërë përparim këto 25 vitet e fundit.  E vërtetë se ka bërë përparim, në ndërtime, në rrugë dhe të tjera arritje në fusha të ndryshme.  Madje një përqindje e vogël e shqiptarëve edhe janë pasuruar, duke konkuruar me më të pasurit e Evropës, nëqoftse ky mund të quhet përparim.  Shiko Tiranën, mund të thotë dikush, është bërë qytet evropian.  Por a është ky përparim?  Them se jo, duke qenë dakort me At Anton Harapin i cili ka deklaruar se,  “Fuqia dhe madhështia e Atdheut nuk maten me barometrin e pasurisë, as me kompasin e dobisë, por me numrin e njerëzve krijues në art e dituri, të plotësuar edhe me karakterin moral në jetën private dhe publike, sepse duhet ta dini zotërinj se nuk është sendi, as Atdheu që e bëjnë njeriun por janë njerëzit që bëjnë Atdheun, janë ata që ruajnë dhe i shtojnë thesaret kombëtare.”

Jo se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë pasur ose nuk kanë njerëz të zotët për të udhëhequr dhe për tu bërë ballë sfidave me të cilat përballet kombi sot.  E kundërta, Shqipëria ka pasur dhe ka njerëz të dalluar dhe të zotët, nëqoftse këta do të punonin me të vërtetë në interes të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve.   Sami Frashëri ka pohuar në, “Shqipëria, ç’ka qenë , ç’është dhe ç’do të jetë”, se “Shqiptarët kanë treguar gjithë jetën që janë të zotët edhe me kordhë edhe me pendë, edhe me trimëri edhe me mentë e me dituri, e Shqipëria ka nxjerrë shumë njërës të çquar e me nam të math, por nonjë nga ta s’ka punuar për Shqipërinë….kurrë një shqiptar s’është ndodhur t’i bënjë Shqipërisë një të mirë të këtillë…Vetëm një Skënderbe ka punuarë në kohërat e shkuara për Shqipërinë, e vetëm ay është me të vërtetë mburrje për Shqipërinë.”

 Të shumta kanë qenë e janë vështirsit e mbrendshme dhe të jashtme nepër të cilat ka kaluar dhe po kalon Shqipëria dhe shqiptarët.   Intrigat dhe rreziqet që e kanë ndjekur kanë qenë të mëdha përherë, përfshirë edhe gjëndjen aktuale politike dhe ekonomike anë e mbanë trojeve shqiptare.  Tepër gjak është derdhur në ato troje dhe jo vetëm prej plumbit e prej shpatës. Shumë të zeza kanë rënë mbi atë popull si rrjedhim jo vetëm i urrejtjes vëllai-me-vëlla, por edhe nga mërgimi dhe nga vuajtjet dhe padrejsitë shekullore.   Armiqtë e shumtë të saj i kanë qitë gjithmonë pengesa zhvillimit dhe përparimit të shqiptarëve dhe vazhdojnë edhe sot të peshkojnë në ujërat e turbullta shqiptare.  Ka ardhur koha, sa nuk është vonë, që këto rreziqe të mbrendshme dhe të jashtme që i kanosen shqiptarëve të konsiderohen seriozisht dhe të zgjidhen urgjentisht, si dikur në logun e kuvendit, vëllai me vëlla, nga ata që në të vërtetë e kanë shkaktuar këtë ngërç aktual politik në rend të parë.  Populli dhe kombi shqiptar presin nga përfaqsuesit e tij – megjith dallimet e tyre — që tu tregojnë miqëve dhe armiqve, të afërm dhe të largët, se shqiptarët do ta bëjnë dhe do ta ruajnë Shqipërinë e fortë dhe të bashkuar, në pajtim e respekt midis tyre, ashtu siç ka “punuar në kohërat e shkuara Skënderbeu” i cili atëherë dhe sot, sipas Sami Frashërit, mbetet “me të vërtetë mburrje për Shqipërinë.”  Nëqoftse dëshironi që Shqipëria dhe shqiptarët të mburren me ju dhe nëqoftse e doni Shqipërinë si e gjithë Evropa, koha është tani. Demokracia nuk pret!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kur do të bëhet, shqiperia

Presidenti Nishani nderon beratasit e shquar dhe i apelon politikes

April 18, 2017 by dgreca

 

Nishani nga Berati: “Përmes dialogut arrihet kompromisi dhe mirëkuptimi”/

2 Nishani1 Nishani Berat3 Naco Nishani

Naço nga Berati –  Pranë monumenteve çdo ditë për të dy e trefishuar turistët/

Per Diellin nga Berati-Sulo Gozhina/
BERAT – Në ditën e Monumenteve dhe të Siteve në qytetin e muze të Beratit ka mbritur për një visit zyrtare Presidenti i Rrepublikës Bujar Nishani. I shoqëruar nga stafi i tij, Presidenti Nishani është pritur nga kryetari i bashkisë të këtij qytetit Petrit Sinaj ku dhe ka zhvilluar një takim në ambjetet e bashkisë. Të pranishëm në takim kanë qënë ish Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, Deputetja Silva Caka  përsonalitet të kulturës dhe të muzeve si dhe pjestar të pushteti lokal, banor të qytetit dhe të rrethinave të tij. Në fjalën e tij kreu i bashkisë Sinaj u ndal tek dita e Monumenteve e Siteve që qyteti i Beratit trashgon ndërshekuj dhe që është bërë i njohur në historin njerzore botrore fal këtyre Monumenteve dhe Siteve e tij. Më pas Presidenti Nishani i shoqëruar nga kreu i bashkisë Sinaj dhe ish Ministri i Drejtësisë Nasip Naço kanë vizituar  Qëndrën Mesjetare ku janë pritur nga drejtori DRKK-Berat, Eugen Kallfani i cili e shoqëroi Presidentin në ambjentet e Teqjes së Helvetive dhe Xhamisë. Më pas aktiviteti u zhvendos më pas në ambjentet e Pallatit Kulturës “Margarita Tutulani” për zhvillimin e ceremonisë në dhënien e titujve të nderit personalitetve të kulturës dhe të trashgimins kulturore të Beratit. Ceremoninë e përshëndeti Petrit Sinaj, Kryetar i Bashkisë Berat, Hasan Nallbani, dhe Eugen Kallfani.
Presidenti Nishani – “Historia na ka mësuar që dialogu është mjeti më i mirë, përmes dialogut arrihet edhe kompromisi, mirëkuptimi dhe respektimi i standarteve, të cilat janë të detyreshme për të gjitha palët, kështu është shprehur dje Presidenti i vendit Bujar Nishani, nga Berati ku zhvilloi një vizitë disa orëshe në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve.  I pyetur në lidhje me situatën politike në vend dhe mesazhin si kreu i shtetit nga qyteti i vlerave siç e quajti Nishani Beratin, ai u shpreh se “asnjëhere nuk mund ta shkëpusim aktivitetin politik dhe qëndrimet politike ndaj zhvillimeve të ndryshme në vend sepse ky eshte sistemi qe ne kemi ndërtuar, vendimarrësit e angazhimeve në të gjitha fushat, përfshi edhe ata të kulturës, janë në sistemin politik dhe unë do të theksoja se sa i rëndësishëm ëhtë dimensioni civilizues, dimensioni i një kulture të maturuar, i një bashkëpunimi, i një respekti reciprok përmes politikës dhe akteve politike, sjelljes politike dhe angazhimit institucional, në mënyrë që vlerat e kulturës dhe civilizimit të jenë të jetësuara jo vetëm në trashëgiminë kulturore, por edhe tek sjellja e përditshme e institucioneve dhe aktorëve që përbëjnë këto institucione”.
Në lidhje me deklaratën e ministrit të jashtëm gjerman dje në vendin tonë presidenti Nishani u shprej nuk bën komente ndaj deklaratave të diplomatëve të huaj.
“Unë nuk jam takuar me ministrin gjerman, nuk bëj komente të diplomatëve të huaj, padyshim që Shqipëria ka tek Gjermania një aleat të madh, të pazëvendësueshëm dhe strategjik dhe jam i bindur se Gjermania, siç ka qënë deri sot avokate e përparimit dhe integrimit europian të Shqipërisë përmes standarteve të larta, të gjithëpranuara nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, do të jenë gjithmonë inkurajuese nga këto autoritete edhe për Shqipërimë  dhe shqiptarët.  Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë të kenë të njëjtat standarte që kanë qytetaret në Francë, Gjermani, Britaninë e Madhe dhe në çdo vend të BE-së,që është destinacioni ynë i vetëm”, tha Nishani.

Nasip Naço në një prononcim për median vizive dhe atë të shkruar citoj mes të tjerash se – Berati dhe krej treva e tij tashëm është e njohur për mbu 489 monumentet të shtrira në 5 bashkitë. 18 Prill Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve synon të sjellë në vëmëndje nevojën për të ruajtur Monumentet dhe Trashëgiminë tonë Kulturore dhe për të festuar diversitetin e kësaj trashëgimie. Por puna jonë e përditshme është që këto vlera, jo vetëm ti ruajm dhe mbrojmë, por dhe ti bëjëm presentë tek turistët e vendit dhe të huaj, duke bërë një promovim të tyre edhe nëpërmjet këtyre takimeve dhe të tjera aktivitete të kësaj natyre e më gjerë duke ftuar përsonalitete takime me turist të huaj dhe të vendit etj. Ndaj unë sot falnderoj kreun e bashkisë për këto propozime me vjerë, falnderoj presidentin Nishani për akordimin e titujve që përsonalitete të tilla nderojn Beratit dhe krejt trevën tonë të pasur me vlera muzeale që flasin edhe duke i vizituar si dhe ishim në Qëndrën Mesjetare, ndërsa mundet të them me prlot gojën s eqyteti i Beratit është muzeu që flen sapo mbrinë në këtë qytet magjik.
Eugen Kallfa -18 prilli është një ngjarje  shumë e veçantë për trashegiminë kulturore sepse pikërisht në këtë ditë 35 vite më parë ( me konkretisht në 18 prill të viti 1982 ) në Tunizi u mbajt simpoziumi i organizuar nga “ICOMOS”, në të cilin u sygjerua që :
“Dita ndёrkombёtare pёr monumentet dhe zonave me rёndёsi” tё festohet njёkohёsisht nё tё gjithё botёn. Kjo është dita e cila duhet të shërbejë për të perkujtuar dhe festuar diversitetin e trashegimisë kulturore kudo në botë. Ideja u aprovua gjithashtu nga konferenca e pёrgjithshme e UNESCO-s e cila miratoi njё rezolutё nё sesionin e saj tё 22-tё nё nёntor tё vitit 1983, duke deklaruar qё 18 prilli tё jetё  “dita ndёrkombёtare pёr monumentet dhe zonat me rёndёsi”.
Kjo ditё e veçantё ofron njё mundёsi pёr tё rritur ndёrgjegjёsimin e publikut rreth larmisё sё trashёgimisё kulturore dhe pёrpjekjeve qё duhen bёrё pёr ta mbrojtur dhe ruajtur atё nё dobi tё turizmit kulturor. Por kjo duhet të ndodhe vetëm me kushtin që ne duhet ta shohim sot trashëgiminë kulturore ( dhe me specifikisht atë të Beratit ) si  një trashegimi boterore dhe pasuri të përbashkët të njerëzimit dhe për këtë gjithseicili prej nesh duhet të marrë përgjegjësitë e tij qofshin ato politike, profesionale , morale dhe shoqërore. Qarku i beratit është një nga qarqet me dendësinë më të madhe të pranisë së monumenteve dhe vlerave te trashegimise kulturore të gjinive te ndryshme si : banesa popullore të kategorisë së parë dhe të dytë, kala e fortifikime, rrënoja varre monumentale, urra, vendbanime prehistorike, hamame, objekte kulti si : kisha, xhami e teqe. Janë gjithsej 489 monumente të shtrira në të gjithë territorin administrativ që përfshin, Beratin, Kuçovën, Skraparin, Uren Vajgurore e Poliçanin.  Viti 2016 u mbyll me 59 327 vizitore dhe pritet që ky vit të shkojë në rreth 70 000, këto fakte nga njëra anë duhet të na bëjnë optimiste për një të ardhme që do jetë sigurisht e ndritur për Beratin.

Presidenti nderoi me tituj disa nga personalitetet me kontribut të veçantë dhe të spikatur në fushën e Trashëgimisë Kulturore.
U nderuan me çmime :
Z.Jusuf Vrioni, diplomat,përkthyes nderohet me çmim pas vdekjes “Nderi Kombit”
Z. Hasan Nallbani,piktor,restaurator nderohet me çmimin “Mjeshtër i Madh”
Znj.Parashqevi Sahatçi historiane dhe etnografe,nderohet me çmimin “Mjeshtër i Madh”
Z.Myslym Hotova ,muzeolog studiues nderohet me çmimin “Mjeshtër i Madh”
Z.Lorenc Bejko ,arkeolog dhe drejtues i departamentit të Trashëgimisë Kulturore dhe Arkeologjisë në Universitetin e Tiranës nderohet me çmimin “Naim Frashëri”
Znj.Adelina Theodhori mjeshtre artizanati nderohet me çmimin “Merita të veçanta civile”
Në ceremoni mbajtën fjalën e tyre Presidenti Republikës Z.Bujar Nishani, Kryetari Bashkise Z.Sinaj, Drejtori i DRKK-Berat Z.Kallfani dhe Z. Hasan Nallbani një prej të nderuarve me titull.
Të pranishëm në ceremoni ishin përfaqësues të pushtetit lokal, personalitete në fushën e Trashëgimisë etj.

Filed Under: Politike Tagged With: nderon beratasit, presidenti Nishani, thirrje politikes

Askush ka dëgjuar

April 18, 2017 by dgreca

Nga Blerta Haxhiaj/Për të determinuar kur jemi në prezencen e një prepozicioni apo të një fraze është e mjaftueshme të dallojme se vetë ato respektojne rregullat. Sistemi i rregullave nuk është një rrafsh i asociuar aq sa është si diçka që vjen derisa mund të ndërtojmë një prepozicion apo një frazë. Rrafshi i asociuar është diçka më kompleks, është e konstituar nga seri të tjera të formulacioneve të tjera në brendësi të formulimeve në të cilat shenjohet dhe konstituohet një element; është e konstituar nga formulacione në të cilat formulimi i referohet për përsëritje, për modifikim apo adaptim, për mbivendosje; është e konstituar edhe nga formulacione ku formulimi predisponon një mundësi që mund të vjen pas tij si pasojë e saj. Nuk ekziston asnjë formulim që është në gjendje të lirë nga të gjitha fushat e koekzistences së funksioneve, roleve, çdo frazë dhe prepozicion nuk mund të analizohen nese nuk nisemi nga rrafshi formulues ku ato ekzistojne, Foucault-ja thotë se formulimi ka gjithmonë nevoje për një zë (vox) që e artikullon, ka nevojë për një memorie, për një hapësirë për të ekzistuar dhe është pikërisht materialiteti i formulimit që bën të mundshme që një frazë këmbehet sipas paraqitjes në faqen tjetër, që të jetë e shqiptuar nga një zë. Arkeologjia e dijes nuk dëshiron ta përshkruajë atë që gjendet pas diskurseve qëllimeve, mendimeve, përfaqësimeve por pikërisht diskurset e praktikuara nga rregulla preçise. Jo diskurset në cilësi të dokumenteve të interpretuara, si shenjë e diçka tjetre, por diskurse në shpeshtësinë konkrete dhe specifike. Arkeologjia prezantohet si një analizë diferenciale nga modaliteti i diskursit, kjo dëshiron të definojë diskurset në specificitetin e tij, duke i treguar sistemet e rregullave që sundojnë dhe nuk kërkojnë të ri-ngjiten në një identitet unik dhe të pandryshueshëm nga vetevetja, referencat e praktikave diskursive qe kalojnë përmes akteve individuale; Ajo më në fund  nuk kërkon të hyjë në mënyrën e asaj që ka qënë e menduar, imagjinuar në një diskurs nuk kërkon një identitet që është e shpërhapur edhe e humbur nga diskursi; ajo është një lloj rishkrimi i një diskursi i shndërruar në objekt, i asaj që është e thënë dhe e shkruar. Arkeologjia e dijes dëshiron të studiojë raportet mes formacioneve diskursive dhe jo-diskursive (institucionet, ngjarjet politike, proceset ekonomike) por kjo nuk kërkon ardhjen e motivacioneve të njësive të fakteve formulative (hulumtimi i kontekstit të formulimit) dhe as të asaj që i shpreh në vetëvete (detyre e hermeneutikes), por dëshiron të dallojë mënyrat në të cilat artikullohen këto dy baza të formulimit ku raporti i kazualitetit, refleksit, simbolikes mund të dallohen sipas analizës arkeologjike vetëm pas përshkrimit të pozivitetit dhe rregullave të formacionit të këtij pozivitetit. Nese arkeologjia e refuzon hulumtimin e shkakut si metodë të punës së saj nuk dëshiron të shikojë diskursin në sipërfaqe të refleksionit të ngjarjeve që ndodhin tjetërkund, nese eliminon kursin e figures subjekt-padron nuk është për të pohuar kundër pavarsisë absolute të diskursit por për të zbuluar që kjo nuk posedon statutin e pastër ideal, por jeton në brendësi të një rrafshi institucional, të proceseve ekonomike, politike dhe raporteve sociale. Diskursi i konsideruar nga arkeologjia nuk konsiston në një vetëdije që nxjerr projektin e saj nën formën e një gjuhe, por është një praktikë që prezanton forma të determinuara të bashkë-zinxhirëzimit sipas aspektit që duhet të shpjegojë arkeologjia, siç e kemi verejtur, në vend që të lidhë nyje fijet që duhet të bashkojnë diskurset, ngjarjet, kërkon diferencat, diskointinuitetin dhe kërkon të analizojë, t’i diferencojë. Sipas Foucault: “Në të kundërt, arkeologjia nuk përshkruar disiplina por poziviteti në formacionin diskursiv, që në disa raste mund të konçidojne me disa disiplina por jo me disa të tjera. Nuk është asnjë relacion biunivokale mes disiplinave të ndërtuara dhe formacioneve diskursive (në Historinë e Çmendurisë duke analizuar lidhjet mes institucioneve që nuk përshkruhen si elemente të thjeshta të një disipline; të gjitha këto praktika tejkalojnë vet disiplinën duke i takuar rrafsheve të ndryshme asaj të administrates, të filozofisë të gjuhësise, të organizimit të punës dhe asistencës).”  Por atëherë çfarë ishte e diktuar me emrin e formacionit diskursiv nuk mund të jetë bërthama e shkencës së ardhshme? Arkeologjia nuk do të synonte kështu kërkimit të të gjithave elementeve heterogjene që ndërtojnë bazën nga ku lind një shkence? Edhe këtu Foucault jep një përgjigje negative – ajo që për shembull ka qënë një gramatikë e përgjithshme nuk perfshin çdo gjë që deri më tani është thënë (linguistika) apo me atë që merret filologjia.

Filed Under: Sociale Tagged With: Askush ka dëgjuar 2, Blerta Haxhiaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT