• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2017

NJË E KEQE OGURZEZË QË PO GODET PA MËSHIRË

April 29, 2017 by dgreca

Nga Sokol Demaku/Abuzimi me substanca psikotrope është një problem i madh shoqëror dhe shendetësor në tërë botën, nga se pasojat që dalin nga efektet e drejtëpërdrejta dhe të tërthorta nga kjo shprehi e kobshme njerëzore janë shumëfish të dëmshme për njeriun që bëhet rob i kësaj të keqje, i marrjes së materieve dehëse, po ashtu edhe për rrethin e gjërë social ku jeton dhe vepron ky ose një grup abuzuesish të drogave.

Duhet të dijmë se droga paraqet një varg materiesh psiko-aktive të cilat nëse merren nga ana e njerëzve, ato kanë aftësi të dëmtojnë dhe ndryshojnë integritetin psiko-fizik të atij që i përdorë. Organizata Botërore e Shendetësisë ka dhënë një definicion mbi varshmërinë nga droga në të cilin thuhet:”Vartësia nga droga paraqet një gjendje helmimi kronik ose periodik të individit me droga naturale.gjysëmsintetike e cila karakterizohet me një dëshirë dhe pasion të pafrenueshëm që të merret me cdo kusht, prirje për të rritur dozën si dhe varshmëri fizike dhe psiqike me veprim destruktiv mbi përsonalitetin e narkomanit. Ky problem del më i mprehtë dhe më serioz kur kihet parasysh fakti se kjo epidemi ugurzezë moderne si të themi prek më së shumti rininë, ardhmerinë e cdo shoqërie në rruzullin tokësor duke mos bëre dallim në shtresat sociale të shoqërisë,gjininë apo moshën e tyre. Të gjithë ata që abuzojnë me këto lendë shkundullisëse përballen me dukurinë e shfaqjes së sindromit abstencial pas nderprerjes se konsumimit të ketyre materieve por më shpesh me varshmeri totale të individit nga këto materie. Keto materie do i ndajmë në bazë të efektit të crregullimeve mentale si rezultat i përdorimit kompulsiv në:Alkooli, iopiatet, kanabinodet, sedative dhe hipnotikë, kokaina, kofeina dhe stimulues të sistemit nervor qendror, halucionagjenët, duhani dhe tretësit që avullohen. Por në anën tjetër është më shumë rëndësi të dihen shkaqet dhe faktorët që sjellin deri tek paraqitja dhe përhapja në përmasa kërcënuese të këtij vesi kompleks që dëmton  mirëqenien e njerëzimit. Dukuria e narkomanisë sa vjenë e bëhet aktuale, ngase për cdo ditë po rritet numri i konsumuesve të rinjë, bile edhe ndër nxënës të shkollave fillore. Eshtë njërrjet shumë i organizuar i prodhimit, përpunimit, distribuimit dhe përdorimit të drogës. E këto janë kanale të thella në këtë veprimtari por mbetët që të punohet në ndergjgegjësimin e rinisë sonë dhe të potencohen rrethanat që qojnë në parandalimin e kesaj shprehie ugurzezë. Janë disa faktorë që shpien në përhapjen e narkomanisë e këtajanë faktorët që përcaktojnë :

a) përsonalitetin e narkomanit ku në raste tipike këta janë adoleshentë psiko-labil të cilët janë intolerant ndaj streseve dhe traumave fizike e psikike, endacak me teke të cuditshme, psikopat latentë të papjekur, neurotikë.

b) kushtet socile-ekonomike ku rolin dominant e ka funksinimi i shendoshëi mjedisit familjar me të gjitha premisat e harmonizuara morale e materiale. Ambienti ku rinia shkollohet dhe edukohet ndikon pozitivisht por në të shumtën e rasteve negativisht në paraqitjen e kësaj

dukurie ogurzezë si dhe raportet e këqija ndernjerëzore në mjedise të

caktuara.

  1. c) substancat psikoaktive si faktor provokues me cilësin e tyre toksike dhe farmakologjike përbejnë nje moment inicues e favorizues për të kerkuar shpëtim idilik, e ketë e kërkojnë dhe e gjejnë tek droga. Por edhe përdorimi legal i medikamenteve, hipnotike bile edhe narkotike që arsyetohet nga mjekët me anë recete, indirekt shton kuotën e narkomanëve.

Derisa bejmë fjalë për faktorët stimulues të kësaj dukurie me implikime të parenovueshme soaciale ekonomike duhet të pranojmë si inkurajues faktin se masat e ndryshme preventive deri në 50% kanë ulur numrin e narkomanëve ndër adoleshentë për një periudhë 10 vjeqe.

Pra cilat janë këto masa që duhet nderrmarrë që mundësojnë një efikasitet kundër kësaj sëmundje socilae?

Së pari duhet punuar më shumë me prindër e mësues të cilët rrisin dhe edukojnë brezin e ri, personeli mjekësor me mjekun familjar, psikiatrët, psikologët, sociologët dhe pedagogët. Praktika jetësore na mëson se një e keqe nuk shkon vetëm andaj edhe ky lloj ”dëfrimi” rrënues përcillet me sëmundje të ndryshme si hepatiti, (Sida) Aids si dhe me kriminalitet, vjedhje, dhunë, prostitucion dhe vrasje. Shumë shpesh ne bejmë gabim kur stigmatizojmë narkomanët ku ata edhe më tepër mbyllen në botëne tyre të pa shpresë ene më këtë veprim ata i qojmë kah gremina jetësore e izolimit dhe bojkotimit social e profesional. Narkomanëve u duhet mbeshtjetje morale e materiale për një risocializimsa më human, qendrim ky i cili do të rriste numrin e atyre qe do të hiqnin dorë nga ky aktivitet ogurzezë keqëberës.

Filed Under: Analiza Tagged With: NJË E KEQE OGURZEZË QË, PA MËSHIRË, PO GODET, Sokol Demaku

AT PJETER MESHKALLA S.J.

April 29, 2017 by dgreca

1967- A  KISHIN  MBETË  BURRA  QË  E  KUNDERSHTUEN “REVOLUCIONIN  IDEOLOGJIK  E  KULTURAL” ?/

1 pjeter-meshkalla-1PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…”/

Nga Fritz RADOVANI/

■Kishin mbetë edhe pak!..

Tirana zyrtare komuniste e “tipit të ri kinez” publikonte artikuj dhe thirrje të “rinisë revolucionare” per një vendosmeni të pashoqe per me çue deri në fund idetë e detyrat e “shokut” Enver… Dhe, kur u kthye nga Shkodra kamera e kinostudjos së Tiranës, dilnin detyra tjera urgjente nga podet e sallës së Institutit Pedagogjik, ku kishte ardhë me “zbatue” ata ide në Shkoder “hija e drejtuesit revolucionit” ose “dora vetë” Ramiz Alia.

■Aso kohe kishte “disa dr. Profesora” që kur ishin në Bulevardin e Tiranës në xhiro dhe, po të fillonte me cikrrue shi… Po të ishin pa mrrela, futeshin derisa të pushojnë shiu në Komitetin Qendror të PPSH, ose edhe në Kryeministri… Ndersa, po t’ ishin tek qendra pra, tek Xhamija, futeshin në ministrinë e mbrendshme jo per gja, po “pinin një kafe”!

■Këta “intelektualë” edhe sot vazhdojnë me thanë dhe me shkrue se: “Mbas vitit 1946 në Shqipëri nuk kishte më kundërshtarë të regjimit dhe as të PPSH, pas atyre që u vranë deri në 46 (dyzetegjashtën), pushteti popullor nuk kishte më asnjë pengesë kundershtare as në qytet dhe, as në fshat. Populli punonte për ndertimin e plotë të socializmit!…”

■Kjo thanje atëherë dhe sot ishte vetem dobsi që mbrohej nga injorantët me tituj. Shumë prej tyne e perforcuene këte “ide” kur filluene bashkpunimin me sigurimin e shtetit.

Në kjoftëse nder “demokraci popullore të Lindjes”, “me të vertetë në 1967 nuk kishte kundershtarë të qeverive atje”, Shqipnia vazhdonte me pasë ma shumë kundershtarë që e dishronin ose e kerkonin perditë permbysjen e pushtetit komunist, sesa e donin ate!

■Një nder Herojt ma të mëdhaj kundershtarë të sistemit komunist në Shqipni (e ndoshta në krejt Lindjen komuniste) asht kenë i Madhi At Pjeter Meshkalla…

■Pak ditë para arrestimit të dytë i ka tregue Nanës s’ime se do të arrestohet, sepse i kishte shkrue një letër kriminelit Mehmet Shehu për shka po ngjante me “Revolucionin Kultural” në Shqipni…Mbasandej, …“Edhe ndonjë meshtar që ka pasë kenë në burg, ka vdekë, e asht e nevojshme me hy dikush prej nesh mbrendë, se aty ka shumë nevojë për meshtar, mbasi ndër burgje janë shumë të rijë dhe njerëz që janë dëshprue nga mërzia dhe vuejtjet e randa, që janë tue kalue tash sa vite. Asht e nevojshme prania  jonë aty…”

Me daten 29 Prill 1967, ora 17.00 u organizue një mbledhje e madhe në auditorin e Institutit Pedagogjik, ku merrnin pjesë instruktorë partije, profesorë dhe intelektualë të “njohun” per kulturen e gjanë ateiste dhe antishqiptare, shumica agjenta sigurimi…  Luigj Shala, i ngarkuem me drejtue mbledhjen i dha të drejtën e fjalës At Mëshkallës.

Ai porsa doli para auditorit dhe porsa iu afrue podit të konferencierit, tha këto fjalë:

“Ah, sa mirë që po më jepet rasa me folë njëherë para Popullit me altoparlanta!

Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që po flas prej një vendi ku kam mundësi me iu drejtue Popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta, me dashni të madhe. Qellimi em ka kenë gjithmonë i mirë…me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!.. Këte kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Muslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në një Zot, jemi të një gjaku, sepse, jemi të gjithë Shqiptarë… Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça dhe nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini servile e hipokrite, që nesër nuk do t’ju durojnë ma as ju, do të ju shporrin qafët, e një ditë ka me ju hangër kryet… Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni…

Unë e kuptoj mirë që ata sot ashtu do të flasin, mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohen nga puna e në darkë nuk kanë shka me u vu fëmijëve para me hangër, sepse të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e gojës… Kjo asht arësyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të Shtetit, kjo më ka detyrue, mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij… Kurrë nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi…

Ju i përgjithësoni veprimet, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por ju harroni se shka jeni tue ba në Shek.XX…Njerëzit i dinë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale e tashti nuk ka as liri feje e ndërgjegje…Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija… Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu, a e dini se po bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!” (Teksti asht ruejtë nga z. Nikolin Muzhani).

U ndigjue një za nga salla, ishte “shoku” Xhemal Dini: “Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” –Mëshkalla ju përgjegj: “Digjeni edhe ju që sonte, ka dymijë vjet që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin e Feja e Krishtit veç sa vjen e po forcohet! Shqiptarët nuk e djegin Ungjillin, këte e them si Shqiptar që jam, mbasi kur kam lindë kam pasë vetëm një emën, ky ishte emni SHQIPTAR, se linda nga prind Shqiptarë. Mbasi u pagëzova me emnin Pjetër, më quejtën Katolik, pra, ma parë jam kenë Shqiptar, mandej kam marrë Sakramendet dhe u bana Ushtar i Krishtit dhe i Papës, Mëkambësit të Krishtit në tokë. Emni i parë që kam marrë në këte tokë dhe e kam mbajtë me nder, asht kenë emni Shqiptar e derisa të vdes do të jem SHQIPTAR! Unë i përkas  Popullit tem, ai me njeh mirë dhe e di sa kam ba unë për té, por ai  mos harroni se ju njeh mirë edhe ju!”…

■Filluen mbas At Mëshkallës diskutimet e zjarrta në sallë kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij Urdhni i përkiste edhe At  Mëshkalla. Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu anadollaku Jup Kastrati, miku i Ramiz Alisë. Ky ishte i porsazgjedhuni “Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjes së Leteraturës Fetare (Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luejtë jezuitët në Shqipni tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje edhe ata prej të cilëve kishte vjedhë e përvetësue edhe librat e artikujt që ka kopjue e botue në emnin e vet. Ishte koha e bashkpunimit me oficerin Rakip Beqja.

Mbas tij e mori fjalën mjeku Ramiz Hafizi, i cili u mundue me shpjegue disa “pakjartësi” të Biblës, por At Mëshkalla i tha: “Shko e lexoi mirë, se as nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që thue ti!..”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli, së cilës në fund të diskutimit i shtërngoi dorën Shefik Osmani, për fjalët e “bukra” që shprehi në drejtim të At Mëshkallës… Asht kërkue me folë aty edhe mjeku Kolë Pepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kanë pranue. Mark Temali, kur asht kërkue me i dorëzue diskutimin Halit Isufi (atëherë drejtor i Gjimnazit), ai nuk e ka marrë se: “E kam pasë mësues At Mëshkallën dhe nuk mund të flas kundër Tij, sepse nuk nderoj figurën e mësuesit me folë në këte moshë kundër mësuesit tim”. Xhemal Dini, sekretar i Komitetit të PPSh, njoftoi per ata Degën e Mbrendshme, “Me pasë në kujdes qendrimin e tyre.”.

■Nga vendët e para u çue xhelati i njohtun i Sigurimit Xhevdet Miloti (që ishte edhe Shef i Seksionit Katolik në Degën e Mbrendëshme të Shkodrës), e tue u ngërdheshë i vuni prangat. Tue hy At Mëshkalla në gjips të Sigurimit, krimineli i ra me shqelm…

***

DOSJA 4191/1 Padër Pjetër Mëshkalla Dosja (Arkivi M. M. Tiranë, 1998)

Hetimet fillojnë me 30 prill 1967, ora 08.00. Oficeri pyetës asht Llambi Jegeni, asistues Skënder Myftafaraj. Në kontrollin që u ba në shtëpinë e tij asistoi oficeri kriminel Dhimitër Shkodrani. Arrestimi dhe kontrolli i shtëpisë u ba me urdhën të prokuror Faik Minarollit. Hetimet u banë në disa seanca gjatë muejt qershor, me dt. 10, 15, 20, 24, 26.

Pyetjet fillojnë nga materiali i mbledhjës së zhvillueme në Institut… Përsa i përket veprimeve të Shtetit në drejtim të Fesë, ata për At Meshkallën janë të papranueshme: “Janë shkelje e të drejtave të njeriut, për të cilat vetë Qeveria Shqiptare asht angazhue se do t’i ruejë të paprekuna.”

■Nga një proçes-verbal rreth dy faqësh i mbajtun me 19 korrik, në orën 14.00, shënohet: “Mbas hetimëve të bëra ndaj armikut të popullit Padër Pjetër Mëshkalla, Gjykata e Rrethit të Shkodrës e përberë nga: Kryetar: Muhamet Tyli, anëtarë: Ferit Halluni e Gjovalin Jaku, prokuror Kostaq Shandro dhe kryesekretari Ibrahim Stankaj, me vëndimin nr. 44, dënoi të pandehurin Pjetër Mëshkalla me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie dhe, me konfiskimin e pasurisë (së tundëshme dhe të patundëshme)”. Ai u dënue me masën maksimale se në gjyq deklaroi: -Se po të shprehin lirisht mendimët e tyne (njerëzit), ky Pushtet nuk ka për të zgjatë shumë.”(Marrë nga proçes-verbali i Gjykatës së Rrethit të Shkodrës). Duket se ajo copë letër nuk tregon asgja, por, jo!..Tregon ate që mohohet!

***

■Gjyqi u zhvillue po, pak kush dinte mbylljen e asaj ngjarje të madhe historike per të cilen vazhdon edhe sot heshtja… E kjo heshtje me siguri njëditë “do të shkrepin”!

Në fjalen e fundit në gjyq At Mëshkalla tha: “Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue nuk keni shka më bani, unë prap se prap do të dal, sepse, ju shpejt keni me mbarue, mbasi shoshojnë keni me hangër, e aty asht fund i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë!”

At Pjeter Mëshkalla ia mbërrijti asaj ditë që pat profetizue ma parë. Ai  pa me sy shka paralajmëroi. Diktatorët me të vërtetë hangrën kokat e njeni tjetrit dhe këtij nuk patën shka me i ba. Ai dhe Ideali i Tij FITOI !

***

Mbas Gjetsemanit, përsëri Kalvar,…. Kalvar i pafund ishte për Klerin Katolik Shqiptar rregjimi komunist! Çohej e rrëzohej, gjakosej, dërmishej e pështyhej, rrahej e torturohej, varrosej për së gjalli, mbytej e pushkatohej, tretej nëpër zallishta e shkurre me coftina. Fluturonin në qiellin e zymtë korba e sorra me copa mishi, zhguni e veladoni në skjep, e askush në Botë nuk mori një “leckë” me Ua fshi fëtyrën e pastër këtyne Martirëve kaq të mëdhaj, të këtij Populli kaq të “vogël”! Shikonte Europa… e bante sehir! Ndokush… edhe zgërdhihej!..Per me vertetue këte që kam shkrue do të Ju paraqes Letren që At Pjeter Mëshkalla S.J., i ka shkrue terroristit njohun të Spanjës, pra atij Kryeministrit që kur u ngjitej shkallave të Kryeministrisë, hapeshin dyertë “vetvetiu”… dhe, ja çka i thotë:

Kryetarit të Këshillit të Ministrave

Mehmet Shehu Tiranë

Shkëlqesë,

   Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.

   Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut. Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.

   Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.

   Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.

   Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin e fesë së vet.

   Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të ?

   Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.

   Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjegjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.

   Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit.

   Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.

Krytarit të Kësh. të Ministrave                                               Me nderime

Mehmet Shehu                                                                   Pjetër Mëshkalla

në Kryeministri – Tiranë                                          meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.

5 Prill 1967.

■Shënim FR: Letra u kopjue nga origjinali në Arkivin e Ministrisë së Mbrendëshme në (1998). 

***

1992 Shkova tek Don Mikel Koliqi per dekorimin e At Mëshkallës e u gëzue shumë. Mbasi firmoi peticionin, më tha: “Ai e meriton, mbasi Ai nuk asht arrestue kur i ka ra ndër mend atyne, por me punën e palodhun të Tijën në drejtim të Fesë dhe të Atdheut, ua ka shti Ai ndër mend atyne arrestimin, gja të cilën, na të tjerët nuk e kemi ba.”

2017 Prill: Po sot, a u kujtue kush per Veprat Heroike të At Pjeter Mëshkallës !?

■At Pjeter Mëshkalla S.J. nuk asht shpallë “I Lumnueshem!”. A duhet rishikue Lista?!

Filed Under: Histori Tagged With: At Pjeter MËSHKALLA S.J, Nga Fritz RADOVANI

Shpërthen Kastriot Islami: Meta-Ti bashkëpunëtor në vrasjen e pluralizmit

April 29, 2017 by dgreca

Nga Kastriot Islami/

Marrëveshja Meta-Rama për të detyruar/pranuar Metën të bëhet president është njëkohësisht një marrëveshje që detyron LSI të futet së bashku me Ramën në zgjedhje pa opozitën. Marrëveshja për Metën-president nuk do të kishte asnjë rëndësi për opozitën nëse ajo nuk do pasohej me pjesëmarrjen e LSI në zgjedhjet pa opozitën, përderisa Rama e Meta i zotëronin votat e mjaftueshme për të arritur një marrëveshje për të zgjedhur kreun e shtetit. Ndërkohë që gjatë të gjithëve kohëve të fundit, Meta kishte deklaruar se “nuk do të futej në zgjedhje pa opozitën”, marrëveshja për Metën-president, e çiftuar me marrëveshjen mes PS e LSI për tu futur në zgjedhje të vetëm, pa opozitën, është një marrëveshje e mbarsur me shumë rreziqe për shkak të trazirave eventuale që do të mund të shkaktonte përballja e qytetarëve me shtetin policor, kriminal e të korruptuar për të penguar vrasjen e pluralizimit dhe rivendosjen e monizmit.

Marrëveshja për të zgjedhur Metën president, në një sallë gjysmë-bosh, pa opozitën dhe me synimin për të shkuar më tej në zgjedhjet e përgjithshme, farsë dhe pa opozitën, e krijuar pastaj së bashku me Ramën opozitën fasadë, është një ogur i keq për demokracinë shqiptare dhe racionalisht nuk do të mund të pranohet asnjëherë nga opozita. Kjo marrëveshja dhe produktet e saj do të konsiderohen gjithnjë ilegjitime dhe do të jenë të papranueshme. Kjo do të konsiderohet vazhdimisht një marrëveshje e bashkëpunimit të fshehtë për vrasjen e pluralizmit dhe rivendosjen e monizmit. Ndër të tjera, Meta do të mbajë mbi shpinë vulën e bashkëpunëtorit që tradhtoi vetveten përderisa më parë kishte deklaruar se “nuk do të pranonte në asnjë rast zgjedhje pa opozitën”, aq më tepër që kjo marrëveshje nxjerr sheshit pazare të tjera në kurriz të pluralizmit.

Marrëveshja i jep fundit çdo iluzioni “dashamirës”/të sforcuar për ti konsideruar parimore përpjekjet e “king makerit”, gjatë katër vjetëve, me synim shmangien e marrëzive e prapësive të Ramës, duke vërtetuar nga ana tjetër apo ndërkohë plotësisht tezën e bashkautorësisë për gjithçka kundër interesit publik. E thënë më thjesht, futja në zgjedhje e Metës, së bashku me Ramën pa opozitën, apo ndryshe lëvizja e tyre për vrasjen eventuale të pluralizimit e rivendosjen e monizmit, duken pasojë e një aleance, në dukje kontroverse, por në thelb konsekuente në veprimet e saj me pasoja të rrezikshme jo vetëm për demokracinë por edhe për stabilitetin e sigurinë e vendit.

Marrëveshja e ka të vështirë të sqarojë publikut nëse Meta ka qenë i detyruar apo e ka dëshiruar këtë lëvizje, duke demonstruar më shumë dobësi e frikë sesa forcë, racionalitet e largpamësi. Për më tepër që kjo lëvizje s’do të mund të jetë një marrëveshje uin-uin, edhe nëse Rama ja ka premtuar si të tillë, sepse Meta duket i detyruar më shumë për të pranuar marrëveshjen për shkak të dobësisë që ndjen së brendshmi, dobësi që vetëm do të shtohet në të ardhmen. Ose e thënë ndryshe, kjo marrëveshje do të jetë së paku për LSI humbëse e deri shkatërrimtare në periudhën afatmesme. Gjasat janë që pas zgjedhjeve LSI të asborbohet nga Rama në kuadër të “bashkimit të së majtës”.

Marrëveshja që e “detyron” Metën të shkojë në zgjedhje së bashku me Ramën por pa opozitën s’do të mund ta shpëtojë LSI nga rrudhja, nga humbja e rolit “king e maker” e me shumë gjasa edhe nga absorbimi i saj nga Rama. Ky është një synim i vjetër i Ramës të cilin po e bën realitet përmes kësaj marrëveshjeje. Nëse herën e parë në vitin 2003, Rama e mashtroi Metën duke e “bindur” të largohej nga PS por me synimin e qartë për ta hequr atë nga PS si një nga pengesat drejt postit të kryetarit të PS. Nëse herën e dytë, Rama e joshi Metën në zgjedhjet e 2005 të futej në luftë me PS për të “hequr qafe” pengesën e dytë, Nanon, drejt kreut të PSSH. Nëse herën e tretë Rama në vitin 2007 e mashtroi Metën për ti marrë mbështetjen për të qëndruar kryetar bashkie sepse vetëm kështu do të kishte mundësi të forconte pozitat në krye të PS për eliminimin e të gjithë kundërshtarëve të brendshëm. Nëse herën e katërt në zgjedhjet e vitit 2009 Rama do të tentonte ta rrudhte LSI deri në eliminim përmes krijimit dhe mbështetjes së G99. Nëse herën e pestë në 21 janar 2011, Rama do të tentonte të eliminonte politikisht Metën. Nëse herën e gjashtë, në zgjedhjet e vitit 2013 e bindi Metën të krijonin “aleancën e qelbësirave” që do ti mundësonte Ramës kapjen e postit të kryeministrit. Herën e shtatë Rama do ta çonte Metën në karrigen e presidentit, me kërcënimin e vjetër të burgut apo me joshjen e shkëmbimit më vonë të pozicioneve, praktikisht e ka anihiluar LSI dhe për rrjedhojë edhe karrierën politike të Metës.

Marrëveshja e arritur do t’i hiqte përfundimisht Metës rolin e “king makerit” por edhe të moderatorit politik qe “flet me të gjithë”, përfshi edhe opozitën, sepse përmes kësaj marrëveshje Meta jo vetëm vendoset tërësisht e pa asnjë ekuivok në anën e Ramës, por ai radhitet si bashkëpunëtor në vrasjen e pluralizmit pra më konkretisht të opozitës. Vrasja eventuale e pluralizmit do të mund të ndodhë nëse zgjedhjet e 18 qershorit do të zhvillohen pa opozitën që do të pasohen nga kalimi i LSI në opozitë fasadë të një parlamenti monist, duke e shndërruar atë shumë shpejt në një “parti presidenciale” inekzistente.

Marrëveshja e nxitur edhe nga ndonjë “ambasador” mercenar i “hashash-diplomacisë” dhe e pagëzuar in esktremis si “legjitime” nga ndonjë tjetër, një marrëveshje “vrasëse e pluralizmit”, pas deklarimeve të papërgjegjshme e kërcënuese të Ramës ndaj BE e SHBA për shtete etnikisht të pastra në Ballkan dhe njëkohësisht me ngjarjet me pasoja të (pa)parashikueshme në Maqedoni duket si një sinjal jo fort optimist për stabilitetin e sigurinë e vendit e të rajonit, një mesazh shqetësues për të gjithë qytetarët e rajonit.

Marrëveshja që do të klasifikohet minimalisht e “turpshme” në historinë e demokracisë së Shqipërisë do të mund të ndalohej të zbatohej vecse nga qyetarët në protestë. Përndryshe vendi do të futej në errësirën e vjetër ose në trazira me pasoja të parashkueshme. Koha nuk pret. Përgjegjësia do të ishte e rëndë edhe për Metën-President që pranoi të shkonte në zgjedhje pa opozitën në vend që të kontribuonte, qoftë edhe përmes sakrificave, për zgjedhjet e lira e të ndershme, me një “qeveri besimi” apo “qeveri teknike” pa Ramën kryeministër. Kështu Meta zgjodhi të keqen më të vogël për interesat e tij personale dhe të keqen e madhe për pluralizimin në Shqipëri, e mbi të gjithë për stabilitetin e sigurinë e vendit.

Filed Under: Politike Tagged With: bashkepunetor, Kastriot Islami, Meta, ne vrasjen e pluralizmit

Shteti i Kosovës, rezultat i luftës njëqindvjeçare të popullit shqiptar

April 29, 2017 by dgreca

-Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri në Izrael: Pavarësia e Kosovës solli lirinë dhe sigurinë. Lufta jonë për pavarësi ishte e drejtë, prandaj mori përkrahjen e botës perëndimore në krye me SHBA-të. Shteti i Kosovës është rezultat i luftës njëqindvjeçare të popullit shqiptar, i cili nuk u pajtua asnjëherë me pushtimin dhe ndarjen e kombit dhe tokave shqiptare/

Tahiri TEL AVIV, 29 Prill 2017-Gazeta DIELLI/ Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri po qëndron në Izrael me ftesë të Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare të Izraelit (INSS) në Tel Aviv, ku mori pjesë në seminarin për çështje të negociatave paqësore dhe ndërkulturore të organizuar nga ky institut. Folësit kryesorë në këtë seminar ishin ministrja Edita Tahiri, ish-gjeneral majori izraelit dhe ish-Ambasador i Izraelit në Kinë, Matan Vilnai, profesori Iliai Alan dhe David Gordon, hulumtues dhe bashkëkryesues të seminarit në INSS.

2 Tahiri

Në hapje të Seminarit, drejtori i programit për negociata të aplikuara, Gilead Sher, njëherësh ish-kryenegaociator në Samitin e Camp Davidit foli për qëllimet e këtij seminari, si dhe paraqiti biografinë e ministres Tahiri në cilësitë e saj si një prej udhëheqësve kryesorë të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës dhe rolin e saj në negociatat paqësore në periudhën e luftës dhe pas luftës në Kosovë.

Ministrja Edita Tahiri në ligjëratën foli rreth proceseve të pavarësisë së Kosovës dhe proceseve paqësore të periudhës së luftës dhe paqes. Ministrja Tahiri, ndër të tjerash, theksoi se pavarësia e Kosovës solli lirinë dhe sigurinë për popullin e Kosovës, ndërsa vendosi një gjeopolitikë të re në favor të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan.

“Lufta jonë për pavarësi ishte e drejtë, prandaj mori përkrahjen e botës perëndimore në krye me SHBA-të. Shteti i Kosovës është rezultat i luftës njëqindvjeçare të popullit shqiptar, i cili nuk u pajtua asnjëherë me pushtimin dhe ndarjen e kombit shqiptar dhe tokave shqiptare”, theksoi ministrja Tahiri, duke shtuar se përfundimi i Luftës së Ftohtë hapi rrugë për liri dhe krijimin e shteteve të reja në Ballkan, ndërsa i dha fund sistemit komunist dhe shteteve artificiale siç ishte edhe ish-Jugoslavia.

Duke folur për luftërat e fundit në Ballkan në periudhën 1989-1999, ministrja Tahiri tha se ato ishin luftëra agresore të Serbisë ndaj Kosovës dhe njësive tjera federale të ish-Jugosllavisë, dhe nga zhbërja e ish-Jugosllavisë u krijuan shtatë shtete të reja përfshirë shtetin tim, Republikën e Kosovës. Ajo sidomos potencoi se ndonëse perceptimet për origjinën e këtyre luftërave janë nga më të ndryshmet, dhe pavarësisht tendencave të Serbisë për t’i mbuluar qëllimet e saj hegjemoniste me pretendime kulturo-fetare, e vërteta është se Serbia bëri luftëra hegjemoniste dhe territoriale, por ne, Kosova, Kroacia, Bosnja dhe Sllovenia dolëm fitues dhe krijuam shtetet tona dhe mbrojtëm territoret etnike.

Ministrja Tahiri po ashtu tha se Kosova ka orientimin perëndimor dhe kemi progres në shtetndërtimin demokratik dhe euro-atlantik. “Sot Kosova është një kontribuuese e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe Evropë. Kosova ka për aleatë kryesor strategjik SHBA-të, është në rrugën zyrtare të integrimit evropian, ka vendosur lidhje zyrtare me NATO-n dhe më shumë se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së kanë njohur pavarësinë e Kosovës, gjithësej 113 vende”,  theksoi ministrja Tahiri.

Ministrja Edita Tahiri ftoi Izraelin që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke thënë se Izraeli është një vend perëndimor, një aleat strategjik SHBA-së, prandaj dhe duhet ta ndjek këtë linjë dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke dhënë kontribut për forcimin e paqes në rajon.

Një pjesë të ligjëratës së saj, ministrja Tahiri ia kushtoi proceseve paqësore në të cilat ka kaluar rruga e pavarësimit të Kosovës, duke folur për Konferencën paqësore të Rambujesë, për bisedimet e Vjenës për statusin, si dhe dialogun për fqinjësi dhe paqe që po zhvillohet në Bruksel. Ajo foli edhe për përvojat e sajë si negociatore e paqes në periudhën e luftës dhe paqes në Kosovës.

Ministrja Tahiri iu përgjigj shumë pyetjeve të pjesëmarrësve, të personaliteteve me kalibër të lartë, nga qeveria, biznesi, akademia dhe drejtësisa dhe negociatorë me përvojë.

Gilead Sher, drejtori i Qendrës për Negociata të Aplikuara në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare (INSS), bëri një vlerësim për ligjëratën e ministres Tahiri ku ndër tjera tha se duhet të jemi mjaft të përkushtuar dhe të mësojmë sa më shumë që mundemi nga përvojat e të tjerëve. Përkundër dallimeve në rrethanat, kontekstin, aktorët dhe arenat, disa elemente mund të shërbejnë në zgjidhjen e konflikteve kudo në botë.

Prokurori dhe ish koloneli Gilead Sher, ish-shef i Izraelit dhe kryenegociator në samitin e Kamp Davidit dhe bisedimet në Taba, i cili ka shërbyer në 1999-2001 si shef i stafit dhe koordinatori i politikave të ish-kryeministrit Ehud Barak, po ashtu theksoi se shpesh gjenden komponentët ‘e butë’ në një konflikt të tillë si psikologjia, kultura dhe tregimet historike që mund të kenë ndikime të mëdha në çështje të diskutueshme që negociohen, duke penguar kështu zgjidhjen e konfliktit.

 

Ndërsa David Gordon, negociator dhe hulumtues i shquar dhe bashkëudhëhqeës i seminarit, në këtë institut theksoi se dallimet kulturore janë “një elefant i madh në dhomë” në negociata kritike dhe ministrja Tahiri me përvojat për ndërveprimet në Ballkan  na njoftoi me disa njohuri të vlefshme në këto çështje. Ai më tutje theksoi se pjesëmarrësit tanë si profesionistë të nivelit të lartë morën analiza me interes që mund të ndërlidhen dhe ndihmojnë në konfliktet në rajonin tonë.

 

Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare të Izraelit (Institute for National Security Studies – INSS) është një institut prestigjioz në Izrael i themeluar në vitet 1975 i cili angazhohet për studime të sigurisë kombëtare me qëllim që ofrojë analiza dhe rekomandime rreth çështjeve që lidhen me axhendën e sigurisë kombëtare të Izraelit, për vendimmarrësit, udhëheqësit publikë dhe komunitetin strategjik, në Izrael dhe jashtë vendit. Si pjesë e misionit të tij, ky institut është i përkushtuar të inkurajojë mënyra të reja të të menduarit për të zgjeruar kornizat tradicionale të hulumtimeve për çështjet e sigurisë dhe strategjisë kombëtare në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar. Kuadri i studiuesve të këtij instituti janë ish gjeneralë, strategë, qeveritarë, negociatorë dhe akademikëtë izraelitë që gëzojnë renome të lartë për punën e tyre në vend dhe jashtë vendit.

Gjatë qëndrimit në Izrael, ministrja Tahiri do të realizojë edhe takime tjera nga axhenda e kësaj vizite./b.j/

Filed Under: Histori Tagged With: Bell Jashari, lufta 100 vjecare, Shteti Kosoves

NJE URIM PER VATREN DHE KUJTESE PE VATRANET MEZHGORANAS

April 29, 2017 by dgreca

100 vjetori

Urime Federatës Panshqiptare “Vatra” në 105 vjetorin e saj/

Nga Keze Kozeta Zylo/
4 agim Laura

Urime Federatës Panshqiptare “Vatra” në 105 vjetorin e saj, organizatës shqiptare më të vjeter në botë e cila u krijua, më 28 prill 1912 në Boston, nga dy korifej të kulturës kombëtare Fan Noli dhe Faik Konica, në bashkëpunim me gjithë shqiptarët e Amerikës…

4 Dritani

Vatra është organizatë kombëtare qe me punen e saj te jashtëzakonshme i parapriu Pavarësisë së Kombit.3 Keze qemal

Urime kryetarit të saj Dr.Gjon Bucaj së bashku me kryesinë dhe gazeten “Dielli” me editor z.Dalip Greca!Vatra dhe historia e saj është pasuri komëëtare që do tëruhet brez pas brezi!  Ne jemi me fat që rreth saj u mblodhën djemtë dhe vajzat shqiptare tëudhëhequr nga njerëz të ditur që kishin në deje gjak shqiptari dhe që kanë zënë vend në historinë kombëtare.  

Është detyrë e çdo shqiptari që historinë e vërtetë kombëtare ta ruaj si të shenjtë plot krenari, sepse kur në krye të saj janë venë burra si Konica dhe Noli medoemos ndihemi tejet krenar, pasi sic shkruante  gazeta “The Manchester Guardian”, më 23 korrik 1924 se “Noli eshte një burrë që do të kishte qenë i shquar në çdo vend”, ndersa per Konicen Noli do te thoshte: “Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë dhe shkruesin e këtyre radhëve”.2 qemaliNë këtë përvjetor të Federatës Panshqiptare “Vatra” kujtoj me plot krenari dhe emocion gjyshin tim Hamit Veis Mezhgorani dhe me një ringjallje të shumëfishtë të dashurisë për te gjithë mezhgoranasit kur si në një film të shfaqen 23 veta nga Mezhgorani në një libër kaq me vlerë, kaq historik siç është Kalendari i Vatrës i motit 1918, të cilën e botoi Federata Pan Shqiptare “Vatra” e Amerikës dhe e editoi At Fan S. Noli.

Ata jane: Jaçe Asllan Mexhgorani, Azis Hisen Mexhgorani, Tahir Xhafer Mexhgorani, Hamit Veis Mexhgorani (Gjyshi im), Isuf Fejzo Mexhgorani, Emin Fejzo Mexhgorani, Hysni Jahja Mexhgorani, Maliq Zenel Mexhgorani, Sadik Ismail Mexhgorani, Sadik Shaban Mexhgorani, Ramadan Qerim Mexhgorani, Rakip Maksut Mexhgorani, Avdi Banush Mexhgorani, Gani Myrteza Mexhgorani, Sadik Bajram Mexhgorani, Ali Skendo Mexhgorani, Telha Husen Mexhgorani, Sadik Muhamet Mexhgorani, Saliko Muhamet Mexhgorani, Haxhi Selim Mexhgorani, Muharrem Nexhip Mexhgorani, Rexhep Hajdar Mexhgorani, Halil Zeman Mexhgorani.  

Ata dhe gjithë atdhetarët e tjere iu përgjigjën thirrjes së Nolit shkruar mjeshtërisht në poemën “Jepni për nënën” nëpërmjet vargjeve si: Ç’thot’ ajo e ve e gjorë/ Mbretëreshë pa kurorë/ Faqe-çjerrur/ lesh-lëshuar/ Shpirt e zëmër përvëluar/ Gjysm’ e vdekur/ O Shqiptarë/ Nënës mos ia bëni varrë/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë/Se ke djemtë n’Amerikë/…

Urimi i gjithë shqiptarëve qoftë në përjetësi për Federatën Panshqiptare Vatra si organizata më e vjetër shqiptare jetë gjatë në botë!

28 Prill, 2017

Staten Island, New York

 

Filed Under: Vatra Tagged With: Kete Kozeta Zylo, trim per Vatren

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT