• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2017

Shqipëria ende jashtë dyerve të drejtësisë evropiane

April 4, 2017 by dgreca

Nga Skënder Buçpapaj/

Prej fillimit të vitit 2017 Shqipëria nuk ka një përfaqësues në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Dhe gjasat duken të shumta që vendi ynë të vazhdojë të mbetet jashtë dyerve të drejtësisë evropiane edhe në muajt e ardhshëm. Fajin për këtë e ka vetëm qeveria aktuale e Republikës së Shqipërisë. Si?

Siç dihet, Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës rrëzoi në shtator të vitit të kaluar listën e qeverisë Rama me tre kandidatët e paraqitur prej saj për vendin e gjykatësit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Tre kandidatët e propozuar nga qeveria, Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama, udhëtuan madje në Paris për t’u intervistuar nga përfaqësuesit e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, por ata u shpërfillën krejtësisht, duke bërë të ditur se asnjëri prej tyre nuk ishte i pranueshëm dhe nuk do të intervistohej fare.

Lexuesit i sqarojmë se secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës ka të drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Procesi i përzgjedhjes së tyre përfshin dy hapa: fillimisht vendet anëtare përzgjedhin dhe i propozojnë Këshillit të Europës një listë me tre kandidatë. Pastaj Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës zgjedh prej tyre gjykatësin përkatës. Procesi i përzgjedhjes përfshin intervistimin e kandidatëve nga përfaqësuesit e Asamblesë parlamentare. Refuzimi në bllok i listës është një ngjarje e rrallë në përvojën e Gjykatës. Procedurat që ndoqi qeveria për tre kandidatët që dërgoi në Këshillin e Europës u bënë në mungesë të plotë transparence. Kryeministri synonte të kontrollonte politikisht çdo qelizë të drejtësisë. Kryeministri kërkoi të çojë në Strasburg avokatin e interesave të tij dhe jo gjyqtarin e pavarur në majat e drejtësisë europiane. Ai deklaroi se kishte arritur marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut, që pronarët të mos i marrin pronat e shpronësuara ndaj dhe i duheshin në Strasburg avokatët e tij për të mbrojtur ligjin e rishpronësimit të pronarëve.

Ndërkohë këto ditë, më 6 prill, tri kandidaturat e reja të qeverisë Rama pritet të intervistohennë Paris nga komiteti përzgjedhës i përbërë nga 22 deputetë nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës i kryesuar nga deputeti socialist letonez Boriss Cilevis. Ky komitet do t’ia dërgojë kandidaturën fituese Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të përbërë nga 324 parlamentarë, për ta votuar më 25 prill me votim të fshehtë gjykatësin e ri që do ta përfaqësojë Shqipërinë në Strasburg deri në vitin 2026.

Ndërkohë pritet që edhe tri kandidaturat të cilat do të shqyrtohen më 6 prill do të jenë një tjetër dështim i turpshëm si ai i tri propozimeve të para.

Pas vendimit historik të kthimi të tri kandidaturave të mëparshme, në vend që qeveria të reflektonte për të bërë një përzgjedhje me përmbajtje të ndryshme, konstatohet se kjo qeveri përsëri ngulmon për të dërguar në Gjykatën e Strasburgut tri kandidatura të reja të të njëjtit format si më parë, si ajo e Znj Aurela Anastasi, Aleksandër Muskaj, dhe një kandidaturë tashmë të refuzuar nga ana juaj, të Z. Sokol Berberi i cili prej shtatorit ndodhet i papunë. Qeveria, nënvizon shoqata, pretendon se përzgjedhja është bërë duke marrë parasysh dhe pëlqimin e plotë të ekspertëve të Këshillit të Europës, prandaj është e sigurtë se njëra prej kandidaturave do të miratohet në sesionin e ardhshëm të Këshillit të Evropës.

Por kjo duket e pabesueshme. Këto tri kandidatura lënë shumë për të dëshiruar, sidomos në këto momente ku shoqëria shqiptare është në pragun e reformave shumë të thella, sidomos ato që kanë të bëjnë me riorganizimin e sistemit të korruptuar të dejtësisë. Ato janë që të gjitha kandidatura që vijnë nga e njëjta zonë gjeografike, i përkasin të së njëjtës familje politike, dhe të gjithë janë të formuar përpara viteve 1991, pra gjatë periudhës së regjimit komunist, ku juristët ishin të përzgjedhur nga familjet më të përbetuara të regjimit dhe partizanët më të zjarrtë të luftës së klasave.

Këta persona të formuar dhe që i përkasin doktrinës komuniste, të propozuar nga qeveria shqiptare për të qenë pjesë e drejtësisë ndërkombëtare, kanë qenë gjithmonë të lidhur ngushtësisht me privilegjet e administratës shtetërore të të gjithave formatëve dhe përmasave gjatë gjithë kohës. Shikoni CV e tyre.

Intervistimi i tyre dhe propozimi për votim në Asamblenë Parlamentare në Këshilin e Europës, do të ishte plotësisht kundra produktive, duke qenë se, zgjedhja e njërit prej tyre do të binte në kundërshtim të hapur me përpjekjet dhe predikimet e bëra nga komuniteti Komuniteti Europian dhe SHBA për të ndryshuar rrënjësisht sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Nëse, njëri nga këto kandidatë do zgjidhet në postin e gjyqtarit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strazburg, sigurisht që për gjykatat shqiptare do të vijnë ditë të zeza. Ato jo vetëm që nuk mund të largojnë më gjyqtarë të cilët janë të këtij profili, por përkundrazi, do të mbushen plot e përplot me jusristët e regjimit komunist që për më se 73 vjet, kanë kryer vepra makabre ndaj elitës së vendit, ndaj pronarëve të ndershëm dhe ndaj popullsisë së pa mbojtur.

Qeveria tepër e korruptuar e vendit, nëpërmjet këtij provokimi, duke bërë propozimin e këtyre tri kandidaturave Këshillit të Europës, ka për qëllim, jo vetëm për të patur një militant të vetin në gjirin e Gjykatës më të rëndësishme të kontinentit por, me zgjedhjen e njërës prej tyre do të testonte organizmat më relevant të Europës, për të përcaktuar strategjinë e saj meqenëse Gjykatat e vendit do ti nënshtrohen një reforme rrënjësore

Tre kandidatë duhet që t’i nënshtrohen vetingut, ashtu si gjithë kandidatët e tjerë të cilët do të konkurojnë për postet e ndryshme për të qenë pjesë përbërëse e Gjykatave të të gjithave niveleve të drejtësisë shqiptare. Sigurisht ata nuk do të guxojnë ti nështrohen Vetingut nëse po, patjetër që nuk mund të jenë pjesë e sistemit të ri gjyqësor për arsyet që u përmendën më sipër.

Është shumë e rëndësishme për tu vënë në pah fakti se, gjatë përzgjedhjes, janë eliminuar kandidatë të pavarurur që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e sistemit plolitik e gjyqësor aq të përfolur e të korruptuar në Shqipëri. Ata vijnë nga shoqëria civile dhe janë të formuar në Europë, jo vetëm në fushën akademike, por dhe në atë professionale.

Këtu kam parasysh domosdoshmërinë e zgjedhjes së gjyqtarit të ri që do të përfaqësojë Shqipërinë për gjatë 9 vjetëve të ardhshme në Gjykatën e Strasburgut, por kjo për momentin do të ishte kundraproduktive dhe në kundërshtim të hapur me nismat e guximshme që janë ndërmarrë për të reformuar sistemin e drejtësisë në vend në sajë të ndërhyerjes së fuqishme të përfaqësusesve të lartë të Bashkimit Europian dhe SHBA, si dhe me ambicjet e vendit me reformën e re janë që të jetë pjesë përbërëse e Bashkimit Europian.

Konkretisht: Sokol Berberi, i vetmi kandidat i ripropozuar nga qeveria, deri në fund të muajit tetor ishte anëtar i Gjykatës Kushtetuese, por papritur dha dorëheqjen pas pezullimit të ligjit të vettingut nga kjo gjykatë. Në media u përfol se ishte pikërisht kjo arsyeja që ai u lagua në formë proteste, por ai vetë e ka mohuar, se dorëheqja e tij kishte lidhje me ligjin e vettingut.

Kunati që është ndër më të përfolurit se mund të shkojë drejt Gjykatës së të Drejtave të Njeriut është ai i Sokol Berberit, i cili rezulton të jetë edhe kunati i kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafa, aktualisht ministër i Brendshëm.

Berberi ishte piketuar nga Rama për të qenë në krye të një prej institucioneve më të rëndësishëm të drejtësisë pas miratimit të reformës, për ndryshimet dhe specifikimet e vendosura nga opozita e përjashtojnë tani që Berberi të jetë në një nga këto institucione. Rama ka menduar që ta shpërblejë kunatin e Xhafës, duke i vendosur emrin si një ndër kandidatët më të preferuar për në Gjykatën e Strasburgut. Mirëpo, Berberi e ka një problem jo të vogël. Duke qenë kunati i Fatmir Xhafës është në të njëjtën kohë edhe krushqi me të kërkuarin ndërkombëtar për trafik droge, Agron Xhafa, që është vëllai i Fatmir Xhafës. A mund të jetë në kriteret e Strasburgut një kandidat me lidhje familjare me një të kërkuar ndërkombëtar droge? Kjo mbetet për t’u parë gjatë ditëve të ardhshme.

A mund të pranohet në Gjykatën e Strasburgut një kunat i qeverisë që urdhërohet nga Rama për vendimet që mund të marrë. 

Një gjë është më se e sigurt: këto tri kandidatura nuk i përfaqësojnë interesat e shenjta dhe jetike të Shqipërisë, sepse ato përfaqësojnë interesat e dyshimta dhe të dëmshme të klaneve që e kanë sot në dorë Qeverinë Rama.

Filed Under: Opinion Tagged With: drejtesia evropiane, shqiperia, Skender Bucpapaj

Aspirata për një treg të përbashkët Shqipëri-Kosovë

April 3, 2017 by dgreca

Nga Arlinda Gjonaj/

Foto Flor Abazaj (1)TIRANE, 3 Prill/ATSH/- Në Tiranë zhvilloi punimet konferenca “Aspirata për një treg të përbashkët, Shqipëri-Kosovë”, organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë së Shqipërisë dhe Kosovës, në bashkëpunim me Revistën Monitor.

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi e pranishme në konferencë tha se qeveria mbetet e angazhuar për lehtësimin e barrierave tregtare.

“Në tre mbledhjet e qeverisë janë detyra që lidhen me krijimin e e një hapësire me bashkëpunuese mes dy vendeve tona. Bashkë me homologen nga Kosova jemi përpjekur për të krijuar hapësira për më shumë bashkëpunim”, u shpreh Ekonomi.

Ndërsa ministrja e Industrise dhe Tregtise se Kosoves, Hykmete Bajramaj u shpreh se dy qeverite kane bere perpjekje te medha per heqjen e barrierave.

Ministri i Zhvillimit të Kosovës Blerand Stavileci tha se të dy vendet kanë varësi të lartë nga importet dhe industri jo të zhvilluar. Bizneset synojnë fitime afatshkurtra dhe të shpejta duke mos u përqendruar te industria prodhuese. “ Duhen lidhje infrastrukturore që ka shënuar përparime si në telekomunikacion, energji etj”, tha Stavileci.
Në lidhje me energjinë ai tha se kanë arritur marrëveshje me një kompani amerikane për të ndërtuar termocentralet me kapacitet 450 megavat. Ai u shpreh optimist në lidhje me funksionimin e bursës së energjisë.

Irena Beqiraj, këshilltare e kryeministrit Edi Rama për ekonominë tha se Ballkani Perëndimor deri në vitin 2015 ka pasur investime kryesisht në shërbime. Investitori i huaj kërkon stabilitet makro, forcë pune të kualifikuar, siguri pune, si dhe stabilitet politik dhe jo sherre etnike.
Sipas saj duhen unifikuar certifikatat dhe qeveria po punon për këtë.

Analisti i tregtisë, Ilir Ciko tha se struktura e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve mbetet tepër e varfër dhe e përqendruar, duke pasqyruar realitetet ekonomike të tyre.Foto Flor Abazaj (2)
Ciko tha se rajoni duhet parë si pjesë aspiruese për në Bashkimin Europian, ku duhet të synohet një hapësirë më e integruar shqiptare, çka kërkon një angazhim e koordinim të posaçëm institucional. “Shqipëria dhe Kosova kanë ende punë për të arritur një integrim më të thelluar ekonomik mes tyre”, theksoi ai.

Sipas tij, thelbi i diskutimit duhet të zhvendoset nga trajtimi i shkëmbimeve tregtare mes Kosovës e Shqipërisë drejt një tregu tërheqës të përbashkët për bizneset lokale dhe ato të huaja.
Ai rekomandoi që hapja e tregut të brendshëm për konkurrencë të drejtë mes bizneseve vendase, përtej kufirit, apo të huaja mbetet çelësi kryesor për të rritur konkurrueshmërinë e bizneseve të Kosovës e Shqipërisë.

Elemente të tjera lehtësuese do të ishin zhvillimi i infrastrukturës lidhëse, shfrytëzimi i përbashkët i mundësive komplementare (energji, turizëm, miniera etj.), lehtësimi dhe eliminimi i mëtejshëm i procedurave doganore, harmonizimi i procedurave administrative, njehsimi i faktorëve të tjerë të klimës së biznesit, përfshirë qasjen fiskale ndaj bizneseve, etj.
Alban Zusi, sipërmarrës, gjatë fjalës së tij tha se tregtia me Kosovën realizohet nga bizneset e mëdha, që janë në fushën e tullave, çimentos, etj., e që në total janë rreth 15.
Bizneset e vogla dhe të mesme, tha ai, nuk punojnë, për shkak të kostos së lartë.

Saimir Sinani, përfaqësues i doganave shqiptare tha se dogana ka qenë e prirur që çdo element për lehtësimin e procedurave dhe uljen e kostove të shohë me përparësi. “ Prej kohësh funksionon traziti i përbashkët me Kosovën dhe përdorimi i deklaratës së thjeshtuar”, tha z. Sinani.

Era Jashari, përfaqësuese e Dhomës Amerikane të Tregtisë së Kosovës, tha se sipas statistikave nga Banka Qendrore e Kosovës, investimet shqiptare në Kosovë në vitin 2016 ishin 28.6 milionë euro (12% e totalit), nga 40.1 milionë euro në 2015-n. Në total, investimet kumulative nga Shqipëria në Kosovë, nga viti 2007 kanë arritur në 193 milionë euro.

“Në vitin 2015, Shqipëria u rendit ndër pesë investitorët kryesorë të Kosovës, pas Zvicrës, Turqisë, Gjermanisë dhe Austrisë”, tha ajo.Foto Flor Abazaj (3)
Investimet nga Shqipëria, në bazë të aktivitetit ekonomik, në vitin 2016 ishin kryesisht në pasuritë e paluajtshme, ndërmjetësimin financiar, tregtinë me shumicë e pakicë dhe industri përpunuese.

Në vite, investimet që kanë dominuar, sipas prezantimit të znj. Jashari kanë qenë në fushën e pasurive të paluajtshme-ndërtim dhe ndërmjetësimit financiar. Në periudhën 2013-2016, investimet në pasuri të paluajtshme dhe ndërtim ishin përkatësisht 28.1 dhe 23.6 milionë euro dhe në ndërmjetësimin financiar rreth 20.3 milionë euro.

Ndërsa investimet nga Kosova në Shqipëri, në vitin 2016, ishin 15.6 milionë euro. Vlera më e lartë e investimeve nga Shqipëria në Kosovë sesa anasjelltas ngre pikëpyetjen nëse klima e investimeve në Shqipëri është më jo favorizuese në raport me atë të Kosovës.

Për periudhën 2013-2016, investimet në pasuritë e paluajtshme nga Kosova në Shqipëri, që zënë peshën kryesore, ishin 23.8 milionë euro dhe në shërbime tregtare 7.2 milionë euro.
Nga Shqipëria në Kosovë ushtrojnë aktivitetin 903 biznese, ndërsa nga Kosova në Shqipëri rreth 600. Jashari tha se falimentimi i bizneseve nga Kosova në Shqipëri është një aktivitete normal, teksa ka një konkurrencë të lartë me bizneset greke e italiane.

Jashari shtoi se bizneset e Kosovës kanë më shumë probleme me lejet e ndërtimit dhe pagesën e taksave e tatimeve. “Investimet mes dy vendeve janë shumë më të ulëta se potenciali, pavarësisht përmirësimit të infrastrukturës”, tha znj.Jashari. Ajo shton se duhen përmirësuar procedurat doganore.

Avni Ponari, drejtues i kompanisë së sigurimeve “Sigal” thotë se edhe Kosova dhe Shqipëria kanë të njëjtën natyre, të njëjtën formë organizimi. “Industria e sigurimi sot, në të gjithë rajonin nuk është e zhvilluar. Sigurimet për frymë në Shqipëri janë 25 euro, në Kosovë 50 euro kurse në Kroaci 700 euro. Në Kosovë paguajmë një taksë për qarkullimin prej 5% dhe për shkak të kësaj takse, në Kosovë, sigurimet janë me humbje”, tha z.Ponari.

Ministri i Zhvillimit të Kosovës Blerand Stavileci tha se të dy vendet kanë varësi të lartë nga importet dhe industri jo të zhvilluar. Bizneset synojnë fitime afatshkurtra dhe të shpejta duke mos u përqendruar te industria prodhuese. “ Duhen lidhje infrastrukturore që ka shënuar përparime si në telekomunikacion, energji etj”, tha z.Stavileci.

Në lidhje me energjinë ai tha se kanë arritur marrëveshje me një kompani amerikane për të ndërtuar termocentralet me kapacitet 450 megavat. Ai u shpreh optimist në lidhje me funksionimin e bursës së energjisë.

Irena Beqiraj, këshilltare e kryeministrit Edi Rama për ekonominë tha se Ballkani Perëndimor deri në vitin 2015 ka pasur investime kryesisht në shërbime. Investitori i huaj kërkon stabilitet makro, forcë pune të kualifikuar, siguri pune, si dhe stabilitet politik dhe jo sherre etnike.Sipas saj duhen unifikuar çertifikatat dhe qeveria po punon për këtë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Arlinda Gjonaj, Shqiperi Kosove, treg i perbashket

LAMTUMIRE Françesk Radi!

April 3, 2017 by dgreca

Ka ndërruar jetë sot  ne dreke në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, kantautori Françesk Radi. Lajmi konfirmohet nga burime pranë këtij spitali.

Këngëtari i mirënjohur ishte i shtruar prej një jave në reanimacionin e QSUT-së, pas një hemorragjie cerebrale. Pas goditjes në tru, ai ra në gjendje kome për të mos u zgjuar më.

Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme .

Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar. Ishin pikërisht këto dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972.

Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasëm ‘o” etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut.

Presidenti Nishani shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të muzikantit të shquar Françesk Radi

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe dhimbjen për ndarjen nga jeta të muzikantit, këngëtarit, kompozitorit dhe instrumentistit të shquar shqiptar Françesk Radi:

“Të dashur familjarë të Françeskut të ndjerë,

Me hidhërim dhe dhimbje të thellë mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm.

Më lejoni që në këtë ditë të dhimbshme t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, edhe në emër të qytetarëve shqiptarë, duke ju siguruar se në cilësinë e Kreut të Shtetit gjendem shpirtërisht pranë jush në këto çaste tejet të vështira e të trishtueshme!

Me largimit e parakohshëm nga kjo jetë të Françeskut të ndjerë, muzikës shqiptare, kolegëve dhe admiruesve të tij do t’u mungojë intepretuesi virtuoz, këngëtari i rrallë, tekstshkruesi gjenial, muzikanti i talentuar dhe autori i paarritshëm i një krijimtarie të pasur këngësh e kompozimesh, që pasuron cilësisht e në mënyrë origjinale thesarin e trashëgimisë muzikore bashkëkohore e shpirtërore të popullit shqiptar.
Edhe një herë ngushëllimet më të ndjera dhe Françeskut i pastë dritë shpirti përjetësisht!”, shprehet Presidenti Nishani në ngushëllimin e tij.

***

Gazeta”Dielli”  i shpreh ngushëllime familjes së Francesk Radit!.

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, Francesk Radi, Lamtumire

Pesha e kujtesës

April 3, 2017 by dgreca

Nga Alma Liço/

Ishte një mëngjes i kthjellët dhe i freskët marsi. Dielli ndriçonte me tërë shkëlqimin e tij, frymëzues, siç ai di të jetë në stinën e magjishme të pranverës. Kaosi i makinave dhe kalimtarëve në rrugët e qytetit, sikur e zbehnin disi atë magji. Muri me kangjella anash trotuarit tek i cili  po kaloja, më bëri të kuptoj se isha pranë shkollës për ku isha nisur. Teksa po hyja në ambientet e brendshme të saj, seç më pushtoi një emocion i veçantë. Ndonëse, vizita në atë shkollë ishte planifikuar nga një Organizatë që aktivizohej prej vitesh në fushën e kujtesës kolektive të periudhës së komunizmit, nuk mundesha ta shmangija dot refleksionin e një nostalgjie të hidhur. U rrethova nga retrospektiva e mjegulluar, mbuluar me re të purpurta. Ishte kaq prezent një mendim i trishtë, një marrëdhënie e vështirë, një trazim turbullues që kishte në themel të tij fyerjen, flakjen e refuzimin.

Jo pa kureshtje, ndesha fytyrat e shkujdesura të disa të rinjve që rendnin disi të përgjumur, për të mbërritur sa më parë në klasat e tyre. Ndoshta, një natë më parë kishin lundruar për shumë orë në internet, fenomen ky i kthyer tashmë në epidemi. Gjithsesi, edhe për ta, ajo ditë do të ishte disi ndryshe nga të tjerat. Sakaq, koridoret e shkallët gumëzhinin nga zërat e të rinjve që përshëndesnin dhe i uronin mirëmëngjesin njeri tjetrit.

Në pjesën ballore të hollit të shkollës, përbri shkallëve që lidhin katin e parë me të dytin, ishte vendosur një tabelë e madhe.U afrova. Mbi të ishin ekspozuar fotot e nxënësve të dalluar. Djem dhe vajza që shkëlqenin nga vlerësimi dhe suksesi. Po përpiqesha t’i përfytyroja këta të rinj rrezatues në bankat e universiteteve me prestigjioze të botës, dhe kjo ishte mëse e arsyeshme dhe e mundur. Pavarësisht vështirësive që mund të lidheshin me situatën specifike dhe gjëndjen ekonomike të familjeve të gjithsecilit, ata djem dhe vajza ishin të lirë të ëndërronin e të fluturonin drejt aspiratave të së ardhmes.

Në mënyrë të natyrshme, u vendosa nën ndikimin relaksues të një pritshmërie të ndritshme për perspektivën e tyre, por për analogji, nuk kisha si të mos kujtoja se dyzet e tre vite më parë, pranë portretit të diktatorit, slloganeve absurde komuniste, e disa fotove të tjera, ishte edhe një foto e trishtuar, pikërisht një foto e imja, e vendosur mbi një tabelë të tillë, që ishte bërë shkak për të më flakur nga shkolla. Dikush që kishte dijeni për internimin e familjes sime, më kishte njohur në atë fotografi. Përpjekja cfilitëse për të qenë e padukshme, larg çdo protagonizmi, kishte rezultuar e padobishme. Unë, vajza e një familjeje të shpallur armike për shtetin komunist, nuk kisha të drejtë të arsimohesha. Duhej të degdisesha pranë familjes sime, për t’u mbytur në baltën e shtypjes dhe mizorisë, ashtu sikurse edhe ndodhi.

Hëmmmm……Vallë, do arrinin të kuptonin këta të rinj që buzëqeshnin hareshëm nga fotot me ngjyra të krenarisë e vlerësimit, se një moshatarja e tyre, dyzet e tre vite më parë, u flak në rrugë vetëm se guxoi të prekte suksesin????? Do mundesha vallë unë, që me dëshmitë e kujtimet e mia, të hidhja dritë mbi mizorinë e viteve të diktaturës, që nuk kurseu nga represioni  i saj i përbindshëm as krijesat më të pafajshme, siç janë fëmijët ?

Sado e vështirë të dukej, duhej ta bëja. Së paku duhej të përpiqesha. Politika e post-komunizmit kishte mbuluar me pluhurin e harresës gjithë atë terror të përjetuar gjatë viteve të diktaturës. Një mungesë e theksuar vullneti kishte shoqëruar domosdoshmërinë e përballjes me krimet e regjimit komunist. Paradoksalisht, ajo periudhë aq e errët e historisë së Shqipërisë vazhdonte të ofrohej e deformuar dhe e tjetërsuar. E si mund të ndodhte ndryshe, kur ajo është konceptuar e shkruar nga pseudohistorianë, të dalë nga tunelet e errëta dhe laboratorët e demagogjisë së diktaturës?

Disa minuta më pas, zura vend në rreshtin e parë të  Bibliotekës së shkollës, e cila mesa dukej shërbente edhe si sallë mbledhjesh apo eventesh të veçanta. Përbri meje, ishte ulur organizatorja e zbatuesja e projektit, dhe fill pas saj, disa nga mësueset e asaj shkolle. Pas nesh u ulën nxënësit, të cilët përmes pëshpëritjeve dhe disa zhurmave të shkujdesura, përcillnin një lloj padurimi për gjithçka do transmetohej e dëshmohej atë ditë.

Stakimi i dritave lajmëroi se ishte gati të fillonte çfaqja e dokumentarit “Fëmijët e Diktaturës”, me protagonistë katër persona, që përmes dëshmive rrënqethëse, do të sillnin tmerret e përjetuara në kampet e internimit. Kujtime fëminore të pashlyeshme, që kishin shenjuar jetët e tyre me gjurmët e mizorisë, ndoshta nga më të pamëshirshmet dhe të pazakontat e të gjitha kohrave. Fëmijë që u dënuan për bindjet politike të gjyshërve apo baballarëve të tyre. Dhe kjo mynxyrë ndodhi në kohë “paqeje”, në periudhën e “ndritur” të ndërtimit të socializmit. Njera prej personazheve të atij dokumentari, isha unë. Ndonëse me shumë vështirësi ja kisha dalë të ballafaqohesha me kujtimet e përballesha me intervistat, të ndiqja atë dokumentar në cilësinë e spektatores, ishte më shumë se dhimbje. Sa do të përpiqesha ta kontrolloja atë, ndjeja një lëmsh në grykë që gati më merrte frymën e më bënte të lotoja në heshtje. Më dukej kaq e pabesueshme, kaq e pamjaftueshme, që ato minuta të regjistruara në atë film, të përcillnin të pacënuar imazhin e pafajësisë dhe të ofshamave të dëshpëruara e të pazëshme të keqtrajtimit, të mbanin barrën e padrejtësisë, të shtypjes, mohimit e refuzimit, të shtrirë fatkeqësisht në aq shumë vite të jetës së një fëmije……….ishte si të thuash, një rikthim i dhimbshëm, por aq i nevojshëm për të ndriçuar sado pak atë të kaluar të tmerrshme, të mbuluar në mënyrë të qëllimshme nga errësira dhe harresa. Ishte një përpjekje modeste për ta sjellë atë në vetëdijen e atyre të rinjve që nuk e kanë jetuar, dhe as e njohin atë epoke me përmbajtje çnjerëzore.

Pesëdhjetë minuta më pas, sigla muzikore dhe titrat lajmëruan përfundimin e dokumentarit. Me duar që më dridheshin u përpoqa të fshija lotët. Ndërkohë, isha e paduruar të mësoja, si i kishin përjetuar të rinjtë ato rrëfime drithëruese, dhe nëse eventualisht kishin dëshirë të drejtonin ndonjë pyetje. Ndryshova pozicion dhe zura vend në një tavolinë tjetër përballë tyre. Paksa e turbulluar, arrita të dalloj vajza të mallëngjyera, djem të emocionuar, por edhe të rinj që me vështrimet e çiltra përcillnin habi, deri në kufijtë e mosbesimit.

Mjaftuan disa minuta reflektimi që, shumë prej tyre të kërkonin më shumë detaje rreth episodeve të tmerrshme të jetës së fëmijëve të diktaturës, dhe jo vetëm. Ndërkohë, kisha arritur të rivendosja ekuilibrin emocional dhe ndjehesha e gatshme të bashkëbisedoja me ata të rinj për paqartësitë apo perceptimin e tyre rreth dëshmive tronditëse të dokumentarit, ngjarje të panjohura e paimagjinuara për ta.

Çuditërisht, fillova të ndjehesha disi e lehtësuar……….të flisja para atyre vajzave e djemve rreth vuajtjeve të jetuara, e paçensuruar, e pashantazhuar, ishte një lloj “hakmarrjeje” e paqtë ndaj mizorive të pësuara. Sa bashkëvuajtës nuk e patën kurrë fatin të ndanin dhimbjen e tyre me persona të tjerë?  Sa shumë syresh, mbyllën sytë në kampet e internimit apo prapa hekurave të burgut, pa mundur të shijojnë, qoftë edhe një ditë të vetme,  lirinë? Sa fëmijë vdiqën tragjikisht në kapanonet-stalla, rrethuar me tela me gjemba, nga uria apo i ftohti? E pra, isha e privilegjuar. Vërtet, ndjehesha me fat atë moment. Një orientim, një forcë e padukshme, më kishte dhënë të drejtën të dëshmoja dhe në emër të tyre.

Me sinqeritetin karakteristik të moshës, disa prej të rinjve sollën përvojat e vështira të qëndrimit të familjeve të tyre në raport me diktaturën. Dikush ankohej se nuk arrinte të bindte gjyshin komunist për mungesën e lirisë së atij sistemi, dhe dikush tjetër për varfërinë dhe izolimin e tejskajshëm të atyre viteve. Madje, disa syresh, sillnin histori të trishta të persekucionit familjar, të rrëfyera nga prindërit apo gjyshërit e tyre.

Papritmas, bashkëbisedimi emocional me ata të rinj u ndërpre nga një mësuese që ishte ulur në rradhën e parë. E prishur në fytyrë, ajo nuk po duronte dot që nëpërmjet fakteve të pakundërshtueshme, po guxohej të demaskohej sistemi, me të cilin, me sa dukej e lidhte indoktrinimi dhe interesat meskine të familjes së saj. Gjithçka m’u errësua. Në mënyrë të pakuptuar, imazhi i asaj gruaje të mllefosur m’u çfaq në një tjetër sfond. Në sytë e imagjinatës m’u fanitën dhjetra gra e vajza  të shfytyruara, të poseduara nga pushteti demoniak i diktatorit, që qanin e ulërinin në funeralin e tij. Disa prej tyre çirrnin fytyrën dhe shkulnin flokët. Sa tragjike, po aq dhe paranojake, ato pamje dhe fytyra të vrara e përçudnuara nga kequshqyerja dhe trajtimi kafshëror. Ajo mësuese që turfullonte, m’u duk njera prej atyre grave mjerane, që ngjasonin me paciente fatkeqe, që sapo kishin braktisur dhunshëm spitalin psikiatrik.

 

….O Zot…..Ndonëse kanë kaluar tridhjetë vite nga koha kur diktatori  ndërroi jetë, a mundet  vallë që fantazma e tij të endet e patrazuar, duke vijuar sot e kësaj dite të helmojë jetët tona ???

 

E nxirë kokë e këmbë, ajo mësuese shprehu pakënaqësinë për zhvillimin e atij aktiviteti, duke kërkuar që për ekuilibër eksperiencash të ftoheshin dhe veteranë të luftës që të rrëfenin përvojën e tyre të lumtur e të lavdishme gjatë viteve të diktaturës.

 

Ajo grua e ekzaltuar, nuk pranonte dot asnjë realitet tjetër, përveç atij të imponuar me dhunë nga idhtarët e saj. Një mësuese, një edukatore që duhej të përcillte dashuri, mirëkuptim, pse jo, dhe keqardhje prej gruaje a nëne, për terrorin e pashembullt që shqiptarët, xhelatë të regjimit,  u shkaktuan bashkëkombasve,  për më tepër,  që në rastin konkret  viktimat ishin fëmijë.

 

Reagimi i asaj mësueseje ishte surprizë e pakëndëshme për mua. Nuk isha aq naive sa të besoja se nostalgjia dhe fanatikët e sistemit komunist nuk ekzistojnë, madje për fat të keq, janë me shumicë dhe prezentë me të gjithë vrerin e tyre,  por kisha shpresuar se, së paku ajo ditë e mbushur me rrëfime tronditëse, nuk do të kishte hapësirë për kundërshti të tilla. Dëshmitë e kobshme të asaj dite, ishin mëse të mjaftueshme, që në respekt të atyre dhimbjeve, të fiksuara në vetëdijen e lënduar të katër fëmijëve, në mungesë  totale të ndjeshmërisë së asaj mësueseje, së paku të heshtej.

 

Nuk kisha asnjë shtysë të replikoja me atë zonjë të vrerosur, pasi qëllimi i bashkëbisedimit me të rinjtë, ishte përcjellja me vërtetësi e episodeve të jetuara nën terrorin e atyre viteve. Ajo nuk kishte asnjë dëshirë të zgjohej, madje e refuzonte me kokëfortësi e agresivitet një mundësi të tillë. Ishte e destinuar të qëndronte e palëkundur në letargjinë e intolerancën e saj të pafund, dhe të mos shkëputej kurrë nga indoktrinimi prej skllaveje të bindur.

 

……E çliruar, por dhe e trishtuar njëkohësisht, dy orë më pas, u larguam nga ajo shkollë, të përcjellë me falenderime të përzemërta nga nxënësit, të cilët nxituan më pas drejt klasave të tyre. Sakaq, dielli kishte vazhduar rrugëtimin e tij të pandalshëm, dhe unë ndjeja të më përshëndeste nga lartësia. Një re e bardhë, vetmitare, nxitonte për t’u larguar sa më parë nga hapësira e kaltër. Ngrohtësia e asaj dite ishte bashkuar me imazhet e qindra mijra viktimave që endeshin të pasigurt në labirintet e harresës dhe të indiferencës. Zërat e tyre në hapësirë, ngjasonin me tingujt e një simfonie qiellore që bashkohej modestisht me rrëfimin e sinqertë e drithërues të personazheve të asaj dite. Nga kullat e kështjellës së neglizhencës përsëritej ngultas refreni i lirisë së mohuar dhe drejtësisë së munguar. Ata tinguj përcillnin thirrjet inkurajuese të zërave të kujtesës….

 

……Mos harrojmë, kurrë mos harrojmë atë që ka ndodhur.Nuk mund të ecim në drejtim të dritës, pa ndriçuar më parë errësirën, në gërmadhat e së cilës kemi qenë të detyruar të përpëlitemi e zvarritemi për gjysëm shekulli. Ia kemi borxh vetes tonë, ia kemi borxh qindra- mijëra viktimave që nuk arritën t’i mbijetojnë tmerreve të diktaturës, i detyrohemi perspektivës, aktualisht të konfuzuar të fëmijëve që lindën dhe po rriten në vitet e post-komunizmit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Alma LIÇO, Pesha e kujtesës

NË KUJTIM TË MASAKRËS SË TIVARIT

April 3, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Portali i lajmeve nga Ulqini, “Ulqinionline” njofton se të djelën me 2 mars, në kujtim të Masakrës së Tivarit, 72 vjetë më parë – Shoqata “Rumia” nga Ulqini, për të dytin vit me radhë, organizoi rrugëtimin tani të emërtuar, “Rrugës së të mbijetuarve të Masakrës së Tivarit” — rrugës tepër të mundimshme gjatë së cilës humbën jetën qindra ndoshta mijëra shqiptarë nga Kosovan ë udhtimin drejtë eliminimit në Tivar, në vitin 1945.  Udhëtimi simbolik prej 14 kilometrash filloi të djelën nga Tivari i vjetër dhe mori fund në fshatin Brisk të Krajës.  Në këtë rrugëtim mori pjesë një numër ndoshta jo aq i madh, por simbolik shqiptarësh nga Ulqini e Kraja, Ana e Malit, por edhe nga Kosova dhe Shqipëria, për të përkujtuar njërën prej ngjarjeve më të shëmtuara dhe më tragjike të Luftës së Dytë Botërore — jo vetëm në trojet shqiptare — por edhe në mbarë Evropën.  Një krim i vërtetë lufte, ku numri i të vrarëve të pafajshëm të shqiptarëve nga Kosova, sipas të dhënave nga disa historianë, mund të ketë arritur deri në 4300 veta.

“Ulqinionline” njofton gjtihashtu se si pjesë e programit ishte përfshirë edhe vizita tek ndërtesa famkeqe “Monopoli i Duhanit” në Tivar, aty ku thuhet se janë vrarë shumica e shqiptarëve të Kosovës, për të vendosur lule në shënjë nderimi dhe respekti për sakrificën e tyre.  Por, sipas portalit, rrugëtarët shqiptarë nuk u lejuan të hynin mbrenda ndërtesës për të vendosur kurora me lule, megjithse pronari i asaj ndërtese ishte njoftuar më përpara për ceremoninë në fjalë.  Si përfundim, grupi i “bjeshkatarëve” siç e quajnë veten rrugëtarët përkujtimorë të masakrës së Tivarit, bëri homazhe dhe vendosën lule jashtë ndërtesës dhe njëkohsisht mbodhën një pemë ulliri, simbol i traditës dhe jetëgjatësisë.

Shoqata “Rumia” si organizatore e këtij rrugëtimi vjetor për të kujtuar Masakrën e Tivarit, meriton lavdërimet e të gjithve për këtë nismë morale dhe kombëtare, me shpresën se në vitet e ardhëshme pjesmarrja në këtë përvjetor të shëndërrohet në një ngjarje me pjesmarrje më të madhe mbarë kombëtare nga të gjitha trevat, për të përkujtuar viktimat e pafajshme të shqiptarëve nga Kosova, në masakrën e Tivarit.  Masakrimi i mijëra shqiptarëve të pafajshëm gjatë rrugëtimit të tyre të detyruar për në kasaphanen e Tivarit në vitin 1945, mund të quhet lehtë si tradhëtia e madhe kombëtare.

Ndonëse kanë kaluar 72 vjetë nga kjo masakër dhe megjithse ka patur ndonjë botim aty këtu që hedhë sado pak dritë historike mbi këtë tradhëti, e gjithë kjo tragjedi nuk ka patur interesimin, e lere më shpjegimin dhe angazhimin e duhur zyrtar, as nga Shqipëria post-komuniste as nga Serbia e Mali i Zi dhe fatkeqsisht as nga Republika e Kosovës, për të zbuluar të vërtetën e kësaj masakre.  Ajo që nuk mund të mohohet është fakti se ata të shkretë u tradhëtuan dhe si rrjedhim u vranë dhe u masakruan nga elementët më kriminel të ushtrisë jugosllave dhe të Partisë Komuniste serbo-malazeze, me dijeninë dhe bashkpunimin e shokëve të tyre ideologjikë të Partisë Komuniste shqiptare dhe të regjimit të Enver Hoxhës.  Fatkeqsisht, sot kryesisht kjo masakër është hedhur në harresë, me ndonjë përjashtim aty këtu siç është rrugëtimi përkujtimor i organizuar nga Shoqata “Rumia” në Ulqin.

Masakra e Tivarit ishte një akt kriminal dhe tradhëtar i bashkrenduar mirë midis komunistëve shqiptarë dhe shokëve të tyre slave, për të eliminuar çdo rezistencë ndaj regjimeve të tyre dhe për sllavët një gjë e tillë ishte në përputhje të plotë me planet afatgjata të serbo-malazezve komunistë për të spastruar etnikisht trojet shqiptare nën ish-Jugosllavinë.  Krimet komuniste, sidomos ato kundër shqiptarëve, përfshirë masakrën e Tivarit, nuk mund të trajtohen më si çështje për të cilat nuk mund të flitet dhe për të cilat historianët të mos hapin tanimë dosjet në arkivat e shteteve përkatëse, për të zbuluar të vërtetën historike, përfshirë edhe përcaktimin se kush ishin përgjegjësit dhe protagonistët kryesorë që dhanë urdhërat dhe ata që kryen këtë krim kundër njerëzimit, me vrasjen e mijëra shqiptarëve.

Megjithse historiografia komuniste e kishte shlyer masakrën e Tivarit për pothuaj një gjysëm shekulli nga historia, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ajo është dhe mbetet një ngjarje që nuk mund të harrohet dhe as të zhduket lehtë nga kujtesa historike e kombit shqiptar.

Nuk duhet patur frikë nga transparenca dhe as nga zbulimi i së vërtetës mbi krimet komuniste në Ballkan, gjatë dhe pas Luftës së dytë Botërore.  Mos zbardhja e kësaj masakre dhe e krimeve të tjera anë e mbanë trojeve shqiptare do të vazhdojnë të hedhin një hije të zezë mbi ndërgjegjen morale dhe të ardhmen e kombit shqiptar, por njëkohsisht do të pengojë edhe zhvillimin e mirëfilltë të marrëdhënjeve të Shqipërisë dhe Kosovës me vendet fqinje.   Zbardhja e së vërtetës mbi masakrën e Tivarit vetëm do të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve rajonale në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Kosovës me Malin e Zi.  Kjo është një përgjegjësi personale, morale dhe kombëtare për politikën shqiptare.

Marrëddhëniet midis dy shteteve shqiptare dhe Malit të Zi duket se po shkojnë gjithnjë drejtë përmirsimit në shumë fushë, ndërsa gjatë viteve të fundit janë shkëmbyer vizita miqësore të nivelit të lartë midis tyre.  Jo më larg se këtë javë vizituan Malin e Zi, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Kryeministri Edi Rama.  Ndërkohë, Kryeministri shqiptar gjatë vizitës në Mal të Zi njoftoi se qeveritë e dy vendeve kanë vendosur të mbajnë një mbledhje të përbashkët tetorin që vjen në Shkodër, pa dyshim një pasqyrim ky i marrëdhënieve të mira midis dy vendeve.   Kryeministri Rama u shpreh gjatë një konference me homologun e tij malazez për, “Një intensifikim të një cikli të ri marrëdhëniesh dhe e një përpjekjeje të re për të intensifikuar marrëdhëniet në funksion të përmirësimit të jetës ekonomike dhe sociale” midis dy vendve.  “Nuk ka diskutim se ne mbetemi fqinjë të dashur dhe të afërt me njëri tjetrin dhe se rruga jonë e përcaktuar qartë për të qenë krah për krah në koalicionin e shteteve të botës së lirë demokratike është një rugë pa këthim, ku ne jemi vendosur të çojmë përpara këtë marëdhënie strategjike në funksion të ardhmërisë së fëmijve këtu në Malin e Zi dhe pak më tutje në ardhmërinë e fëmijve në Shqipëri.”

Pjesë e këtij cikli të ri të intensifikimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në fushë të ndryshme, duhet të jetë edhe zbardhja e plotë dhe e besueshme rreth masakrës së Tivarit dhe e krimeve të tjera komuniste nga të dy anët e kufirit.  Kjo do të ishte me të vërtetë shënjë e një fillimi të ri marrëdhëniesh në Ballkan dhe simbol i një përpjekjeje për tu shkëputur njëherë e mirë nga krimet e së kaluarës dhe provë e një angazhimi serioz nga të dy palët për të zbuluar të vërtetën historike.  Një gjë e tillë jo vetëm që do të çonte në forcimin e marrëdhënieve midis dy popujve të rajonit, por do të tregonte gjithashtu se Tirana dhe Podgorica, si vende tani të orientuara drejtë perëndimit, janë serioze, që përveç antarësimit në NATO dhe BE, të adaptojnë gjithashtu edhe vlerat e botës euro-atlantike, pjesë e të cilës pretendojnë se duan të bëhen.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli, NË KUJTIM TË MASAKRËS, se Tivarit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT