• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2017

SOFRA E DIELLIT: PILO ZYBA”ERDHA MËMËDHEU IM”

May 22, 2017 by dgreca

KRIJUESIT MERGIMTARE NE SOFREN POETIKE TE GAZETES “DIELLI”-SHBA/

PILO  ZYBA/

1 Pilo Zyba

ERDHA MËMËDHEU IM/

– jo vetëm humoristike -/

Nënë erdha nga mërgimi,/

Se kur e nisa nga fillimi,/

Kacidhe mbetet fitimi!/

 

“28 vjet nga ti i larguar,/

Nëpër botë krejt vetmuar,/

Ditët netët duke numëruar!/

 

Si me shikon, gjallë erdha,/

Dashuri në prehër të derdha,/

Dhe pse ballë,sy kam të verdha!/

 

Të kujtohet nënë kur më lute,

Dy florinj ne xhep me fute,

Lehtë me the, e nuk u tute:

 

“Mërri bir, dhe ike në botë,

Se këtu është klimë e ftohtë,

Fryn veri e ngricë e fortë…”

 

Dhe unë fjalen nuk ta prisha,

Ika nepër pyje dhe pisha,

I pa veshur,ashtu si isha…

 

Herë në natë e herë në ditë,

Herë në livadh dhe pritë,

Herë vetëm dhe me perënditë!

 

Herë në det, e herë në male,

Herë me vrap dhe mengadale,

Herë i çale dhe herë në valle!

 

Herë me grekun, e italinë,

Herë fatlumi me fat – zinë,

Që shumë herë jashtë e gdhinë!

 

Më dhe shkollë, e dashur nënë,

Por në botë nuk është e thënë

Ta jesh bark mbushur, i ngrënë!

 

Kështu dhe unë si të tjerë,

Duke rendur derë më derë,

Herë dimër e herë pranverë…

 

Herë me punë e herë pa punë,

Herë me të mirë,herë me dhunë,

Vitet deri këtu, nënë, më prunë!

 

U përplasa në këtë botë,

Por mundimi shumë herë i kotë,

Kilja rrallë u kthye në okë!

 

Të dërgova,nënë, nga Amerika,

Lek dhe rroba drita – drita,

Te vritej uria, por dhe frika!

 

Të dërgova nga Italia lireta,

Që më e bukur të bëhej jeta,

Kur për vete, dhe rrugësh fjeta…

 

Dergova nga Gjermania,Londra,

Lira e marka, makina e lodra,

Pa blerime të mbeti fusha,kodra…

 

Por tani që erdha, nënë,

Po shoh se të paska rënë,

Hija e vdekjes hënë e ngrënë!

 

Kush ta vodhi, nënë, bukurinë,

Që ma kishe si një lëndinë,

Plot blerim të mbushur gjinë?

 

Kur ika, e mbaj mënd mirë,

Ishe si fruti pjekur, i arrirë,

Në mes të baçes lulëzim-mbirë!

 

Kokën lart, mbushur me parqe,

Mbi kraharor dhjetra oxhaqe,

Që tymonin begati dhe paqe!

 

Ne vërtet, ishim të varfër,

Por të lumtur e të pastër,

Të gjithë bashkë në një vatër!

 

Tani oxhaqet nuk kanë tym,

Kanë mbetur hunj, që qiellit hyn,

Veshur me akull,veshur me brym!

 

Të gjitha të mbjellat kush ti prishi,

Me urdhër prifti apo dervishi,

Cili prej tyre si begenisi?

 

Kush ti preu me këmbë e duar,

Duke të thënë, duke trumpetuar,

Komunizmi na i ka ndërtuar?

 

Komunist, tradhëtar ishte Enveri,

Që vrau, burgosi dhe i theri,

Ata dhe Ato që ishin nderi!

 

Në arë e minierë rrinim ditë natë,

Me një kazëm qysqi dhe lopatë,

Rinia e shqipërisë së ngratë…

 

Ne i bëmë rrugët, dhe ajo ata,

Që duartrokisnin për vepra të mëdha,

Kur supet i bënim araba…

 

Kur shtonim shina, dhe lëndina,

Na dhimbnin karahët edhe shpina,

Kur hapnim galeri dhe vrima…

 

Kur vinim dinamit dhe vlerë,

Kur malin e hidhnim në erë,

Donim dritë të kishim pa ndërprerë…

 

Se dritën komunizmi nuk e solli,

Por urrejtje dhe varfëri na mbolli,

Me keq se na dhurojë Zogolli…

 

Kur merrnim shinat nëpër duar,

Që me durim dhe të menduar,

Donim shekujt të shkonin kaluar…

 

Kur thanim lumënj dhe këneta,

Kërkonim e bukur të bëhej jeta,

Të njihte vetëm të përpjeta…

 

 

 

Kush ishin, nënë, ata që erdhën,

Që qumshin që ne molëm e derdhën,

Dhe ato që gritëm, në grykë i therën?…

 

*

 

Kishe e Laçit shkallë shkallë,

Kur e marr përpjetë malë,

Falmë zot, të lutem falmë…

 

Ti nga kishat, s’ke të dytë,

I shëron njerzit nga sytë

U jep zë, kur fati I mbyt!

 

Bën memecin që të flasë,

I tund muret e kalasë,

Kur ika, gërmadhë të lashë!

 

Tani më je bërë me kate,

U ngjit lavdia, diej mate,

Hënën zbret pas mesnate.

 

Shëron njerës të paralizuar,

Nga këmbët apo në duar,

Me bekimin tënd të uruar…

 

Kur mundesh, shënjt kaq shumë,

E shëron njerzit dhe në gjumë,

Si një det me valë e shkumë…

 

Pse të lutem, e jotja dorë,

Pse s’ngrihet mbi tradhëtorë,

Të bëjë edhe ca therorë…

 

Kur fryn ëmbël, fllad në fletë,

E me frymë na i shtyn retë,

Pse s’shëron Ilirin e Metë…

 

Pse e lë, Shënjt i bekuar,

Që ky njeri mendje shkalluar,

Të bredhë mbi kalë kaluar?…

 

Prija, Shënjt, dhuratnë e prikës,

Thyeja këmbët kalit të politikës,

Që bredh, gënjen në mes të ditës…

 

Shënjti Ndue, po të lutem sot,

Përmbi varfërinë që mbi ne lot,

Dhe nëpër shpirta na derdh lot…

 

Kur lëshon mjaltin prej goje,

Dhe mbush koshere dhe hoje,

Të lutem Edvinin shëroje!

 

Shëroje Edvinin e dehur,

Që rri përmbi mushkën ngrehur,

Me shpatën dhe thikën prehur…

 

Shënjti Ndue, që botën end,

Dhe nga krimi e përmënd,

Të lutem, Bashës jepi mënd…

 

Foli në vesh me mirësinë,

Të dëgjojmë për Salinë,

Ta braktisi të tijën dashurinë!

 

Sepse mosha tutje ikë,

Ai 100 vjeç në politikë,

Mëmës Shqipëri ju bë prikë…

 

Dhe e turpëroi, e shau,

Me luftë e me plumb e vrau,

Më shumë nga greku dhe shkau!

 

Shënjti Ndue, sot të lutem,

Jam gati që në dhe të futem,

Veç me verë ti mbushe buten…

 

Jo me verë, që del prej rrushit,

As me veprimet e pushtit,

As me ëmbëlsinë e mushtit…

 

Mbushe, shenjt, me grusht e vrer,

Të dalë nga çdo sofër e derë,

Që politika si qingja i ther…

 

Mbushe me urrejtjen barot,

Për atë që me fatin tonë lot,

Që e blen, e shet e nuk e thotë!

 

Jepi popullit tim vetëdije,

Që është katandisur si hije,

Nga këta drejtues hafije….

 

Jepi dritën që të kuptojë,

Kur flasin, të mos i dëgjojë,

Por të vërtetën të kuptojë…

 

Të kuptojë, që po e xhvatin,

Sa herë e puthin dhe e matin,

Dhe me thikë ja presin shtatin…

 

Të kuptojmë, që mbi djersën tonë,

Ata lozin sa herë që thonë,

Se do bëhemi Babilonë…

 

Të shikojmë që çdo ditë,

Nga të tyret prapësitë,

Po na vjedhin pasuritë…

 

Ne pa brekë, ata të pasur,

Ata shëndet, ne të argasur,

Gjithë jetën buzë plasur…

 

Ata fryrë e ne të rreshkur,

Ata nginjur ne të xhveshur,

Ata me bujë e ne të heshtur…

 

Ata fjalë dhe premtime,

Dehur çmendur në dëfrime,

Mbi dhimbjen e nënës time…

 

Falëm, zot, ma dëgjon zënë,

Nga e hëna në të hënë,

Ata kolesterinë, e ne pa ngrënë…

 

S’është e mundur, që nëna ime,

Lodhur rreshkur në mundime,

Të ketë dhe ca gëzime?

 

Është ajo nënë e rrallë,

Që me kurorën në ballë,

Lind një çikë e lind një djalë!

 

Është ajo që Aleksandrin lindi,

Më një ëmër sa vetë Olimbi,

Që botën me lavdinë bindi!

 

Lindi Gjergjin, që mbi kalë,

Që për jetë i qofshim falë,

Kalojë si shqipojë mbi malë…

 

Që lavdi mori në Europë,

Që e shpëtojë nga e thella gropë,

Ku donin ta hidhnin si një top…

 

Dhe tashmë bota çdo ditë i end,

Nëpër parqe monument,

Ne të shkalluar nga mend,

 

Duam që brënda në Tiranë,

Si tradhëtarë me namë,

Çdo ditë i gremisim atë famë…

 

Nëna ime, mirë e dini,

Lindi dhe një bir prej trimi,

Që nuk di çfar është harrimi…

 

Lindi Napolonin vetë,

Me ëmër të madh në jetë,

Prej arbërve trima me fletë…

 

Ali Pashën dhe të tjerë,

Mos ti përmënd në çdo derë,

Që atdheut i dhanë vlerë…

 

Si ndryshojë kështu baruti,

Brënda në të, kush ujë futi,

Që lindën dhe burra prej muti!

 

Çfar të të them, nënë e dashur,

Që me kohë të është dashur,

Ti tredhësh këta të fandaksur…

 

Nënë, kështu si u katandisëm,

Deri në themel u gremisëm,

Librin e histories e grisëm…

 

E grisëm e ç’na ka mbetur,

Gurakuqi krejt i tretur,

Bajram Curri për liri i etur…

 

Qëndrojnë bashkë në oborre,

Me Zogollin dorë për dore,

Që të dy flasin për fitore…

 

Njëri vrasës, tjetri i vrarë,

Qëndronjë të dy të parë,

Në muze, qytet dhe arë…

 

Do thoni, është kohë e vjetër,

Po u kthej në kohën tjetër,

Fjalën le ta kthejmë vepër…

 

Vodhi Sala, Nano vodhi,

Deri sa paraja i lodhi,

Drejtësia kurrë farmak s’u hodhi…

 

Tani vjen Edi dhe Basha,

Bashkëpunimin bëjnë fasha,

Për të shkretat nëna e vasha…

 

Dikur vidhnin veç e veç,

Mbeç more shokë mbeç,

Të gjithë në dorë nga një gremç…

 

Tërheqin degët dhe të etur,

Të vjedhin dhe kokrrën e mbetur,

Nga trupi nënës gati i vdekur…

 

Kur nënë linde kaq trima,

Ku u gjet e shkreta vrima,

Që dolën vemje këto mbeturina?

 

Ti i linde si të tjerë,

Pse dolën shalë përmjerrë,

Nëpër shekuj do vinë erë…

 

Këtu korr e atje mbill,

Njëri pusht, tjetri bandill,

Janë, a sillen si kopil?

 

Më fal nënë, sepse të lodha,

Por nga çmbolla, këto korra,

Një grup hajdutësh dhe horrra…

 

Ndaj të lutem, ndaj kam ardhur,

Nga Londra trup e shpirtin mardhur,

Historinë për ta zbardhur…

 

Harram, lindjen, harram sisën,

Harram sofrën që ta gremisën,

Rrëmbe sot ti votë shtizën…

 

Ca ti çajmë, ca ti çjerrim,

Shumë të tjerë ne ti përmjerrim,

Në sytë e botës ti therim…

 

T’u presim dëshirën për mbret,

T’u marrim brekë dhe kuletë,

Se prona e tyre ne na përket…

Ti lëmë lakuriq, siç lindën,

Ti rrahim, përse s’u bindën,

Përse vodhën kudo u gjindën?

 

Ti rrahim, të mësojnë njëherë,

Të mos lindin më kopilë të tjerë,

Që shesin truall edhe nderë…

 

Sot ne bombë të bëjmë votën,

Të bindim veten por dhe botën,

Se kush vjedh nënën,humbet kokën!

 

Askush su thotë, punë e mbarë,

Dhe emri u mbetet si tradhëtarë…

Këta veç djallin kanë për kumbarë…

 

Mos mbiftë kurrë më e tillë farë!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ERDHA MËMËDHEU IM, Pilo Zyba

PARLAMENTI I PARË DHE PARLAMENTI I ARDHËSHËM SHQIPTAR

May 22, 2017 by dgreca

KOMBI KA NEVOJË PËR FILIZA TË RI NË TRUNGUN E VJETËR POLITIK/

1-Frank-shkreli-2-300x183-1majko4

Nga Frank Shkreli/Ndërkohë që përzgjidhen kandidatët për deputetë në Shqipëri dhe në Kosovë, kujtojmë parlamentin e parë shqiptar. Pas marrëveshjes Rama-Basha, partitë politike shqiptare kanë filluar konsultimet me bazën për të përzgjedhur kandidatët e mundëshëm për në parlamentin e ardhëshëm që do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri.  Gjatë këtij procesi, merret me mend, se të pakën, sa për sy e faqe, partitë do të përpiqen të evidentojnë persona kandidatë, që përveç besnikërisë së tyre ndaj partisë dhe posedimit të aftësive bazë që kërkon detyra për të kryer punën e parlamentarit, kandidatët potencial për në parlamentin e ardhëshëm, të jenë edhe njerëz me integritet dhe të cilët gëzojnë njëfarë reputacioni si individ dhe si shqiptarë, në fushën e veprimtarisë së tyre, në rrethin ku jetojnë.

Kështu shpresohet, ndërsa partitë politike kanë deklaruar se do të zgjedhin njerëzit më të mirë, më me reputacion dhe pa konflikte interesi.  Thuhet se partitë e mëdha po përpiqen të zgjedhin edhe kandidatë në moshë të re, të cilët mund të jenë të aftë të mendojnë dhe të veprojnë, “outside the box”, jashtë përcaktimeve të politikës së partive, njerëz të cilët ndoshta nuk e ndjejnë veten edhe aq shumë të lidhur me partinë, por që mund të veprojnë edhe pavarsisht partisë. Por, fatkeqsisht, historia e këtyre 27-viteve post-komunizëm sugjeron ndryshe.

Në këtë periudhë parazgjedhore, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, është një rast i mirë ndoshta për të provuar diçka krejt ndryshe nga e kaluara në përzgjedhjen e kandidatëve të ardhëshëm për në kuvendet e dy shteteve shqiptare.  Që besnikëria ndaj partisë të mos jetë kualifikimi kryesor për një kandidat në parlament, por të jetë aftësia profesionale, mbi të gjitha, dashuria për Atdheun si dhe vullneti për tu shërbyer të gjithë shqiptarëve dhe të mirës së përbashkët, ndërtimit të shtetit të lirë e demokratik, ku të marrin pjesë të gjithë në sofrën e përbashkët, pa dallime politike dhe partiake. Fatkeqsisht, deri tani, devijimi nga vija politike e partisë nga individë memendime ndryshe, është ndëshkuar rëndë nga partitë.  Por, pa liri mendimi dhe veprimi nga antarët e parlamentit të ardhëshëm, qoftë mbrenda partive politike, qoftë pavarësisht tyre, vendi nuk do të ketë liri të plotë as në fusha të tjera në shoqërinë e gjërë shqiptare.  Me këtë mentalitet, Shqipëria dhe Kosova do vazhdojnë të jenë midis vendeve që konsiderohen si gjysëm të lira.Megjithse shpresa vdes e fundit, fatkeqsisht, historia e këtyre 27-viteve post-komunizëm sugjeron ndryshe. Kemi pasur të bëjmë me parlamente jo funksional, të njohur për mosmarrveshje, sharje, debate të denigruara, konflikte politike, që madje kanë përfunduar edhe konflikte fizike. Edhe më keq, vërejtësit shpesh u janë referuar si parlamente krimi.  Si përfundim, në këtë periudhë parazgjedhore parlamentare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ndoshta ia vlenë që nëqoftse jo partitë, atëherë votuesit shqiptarë — ndërkohë që po vlerësohen kandidatët e ardhëshëm për parlament — të pyesin veten: a duam një parlament ndryshe, në krahasim me parlamentet e periudhës post-komuniste të deritanishme, dhe cilët janë njerzit që duan t’i përfaqësojnë ata në tempullin e demokracisë.

A do të kërkojnë votuesit shqiptarë me këmbëngulje një parlamentarizëm të ri, që do të pasqyronte vullnetin dhe interesat e zgjedhësve shqiptarë dhe jo ato të padronëve partiakë dhe të klaneve të tyre politike?  Partitë politike dhe votuesit shqiptarë duhet të reflektojnë seriozisht që të vijnë në përfundimin se gjërat deri tani nuk kanë shkuar aspak mirë dhe njëkohsisht të pyesin veten:  Cilët duhet të jenë parlamentarët e ri që do të përfaqësojnë vërtetë interesat e kombit shqiptar dhe të cilët, me punën e tyre, mundësisht do të lindin pranvera të reja shqiptarizmi të vërtetë dhe tradicional, bazuar në vlerat historike të kombit, përfshirë edhe ato të trashëguara nga disa prej antarëve të parlamentit të parë shqiptar, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, pa dallime politike, fetare ose krahinore.

Gjenerata e re aktuale politike e shqiptarëve, mund të marrë shembull nga breznitë e vjetëra politike të kombit, përfshirë edhe anëtarët e parlamentit të parë shqiptar të vitit 1920.  Mund të thotë dikush çfarë na duhet të shikojmë pas, duhet të shikojmë drejtë ardhëmërisë sonë.   E vërtetë, por po t’u hedhim një sy emrave të burrave që përbënin parlamentin e parë shqiptar, është e pamundur të mos vlerësojmë sot se ata ishin jo vetëm interpretuesit por edhe praktikuesit më të spikatur të atdhedashurisë dhe të shpirtit të fisit arbënor.  Ata ishin gjithashtu edhe promovuesit dhe realizuesit e fortë të shprehjes së vullnetit të popullit nëqoftse këto vlera kanë ndonjë rëndësi për politikanët e sotëm ose të ardhëm.

Sot, kombi shqiptar ka nevojë për filiza të ri në trungun e vjetër të politikës dhe të atdhedashurisë, për të vazhduar zhvillimin natyral politiko-historik të shqiptarëve, të ndërprerë nga regjimi komunist 50-vjeçar dhe nga trashëgimia e tij gjithnjë aktuale në politikën shqiptare.  Parlamentarët e ri që do të zgjidhen muajin e ardhëshëm — si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri — kanë shembuj për të ndjekur, për mirë.  Janë shembuj, antarët e parlamentit të parë shqiptar të vitit 1920.  Këta patriotë ishin kryesisht mbrojtës të vlerave shpirtërore dhe të trashëgimisë kombëtare.  Politika e shqiptarëve sot duhet të jetë tepër e kujdesshme që të ruhet nga influencat e huaja djallëzore antishqiptare– që me sjelljet e tyre, sidmos në marrëdhëniet politike me njëri tjetrin, të mos sjellin ujë në mullijtë e atyre që historikisht nuk ia kanë dashur kurrë të mirën kombit shqiptar.  Si Tirana ashtu edhe Prishtina duhet të kenë kujdes nga ata që trumbetojnë vëllazërim me popullin shqiptar në emër ideologjishë dhe interesash ekonomike. Ata mund të kenë ndryshuar për nga mënyra e veprimit, por jo qëllimet e tyre të influencës dhe të zotërimit.  Mesazhi i parlamentit të parë shqiptar është: “Merrni fatin e vendit në duartë tuaja”, duke krijuar një gjëndje politike, ekonomike, shpirtërore dhe shoqërore, që e bëjnë jetën të denjë për tu jetuar nga të gjithë shqiptarët në trojet e veta.

Parlamenti i parë shqiptar (27 mars 1920 – 20-dhjetor 1020), u krijua nga Kongresi i Lushnjes, si organ legjislativ, përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga delegatët e Kongresit, të cilët “në mënyrë të organizuar politike shprehën vullnetin e shqiptarëve për të marrë fatin e vendit në duart e veta”.  Ishte kjo një brezni plot dinjitet patriotësh shqiptarë që hapi rrugët e lirisë dhe e cila filloi — nën kushte tepër të vështira — ndërtimin e shtetit shqiptar.  Siç tregon edhe fotografia më poshtë, shumë prej tyre janë ndër kolosët e historisë kombëtare të shqiptarëve, të cilët gjithnjë vazhdojnë të hedhin rreze ndriçimi patriotizmi dhe diturie për të gjithë brezat e shqiptarëve.

Le të shpresojmë se një brez i ri politikanësh shqiptarë – mundësisht filiza të ri në trungun e vjetër – të cilët do të zgjidhen në parlamentin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës muajin që vjen si përfaqsues të popullit, të shprehin vullnetin dhe interesat e shqiptarëve tashmë të lodhur nga politika e oligarkëve dhe interesat e tyre.  Që të marrë në duartë e veta fatin e vendit dhe njëkohsisht të ndjekin shembullin e antarëve të parlamentit të parë shqiptar për patriotizëm dhe atdhedashuri, duke hapur kështu udhë të reja në historinë moderne të shqiptarëve, si trashëgues dhe ndjekës të traditës dhe të vlerave kombëtare që shumë prej këtyre burrave të dalluar të kombit të fillim shekullit të kaluar, u lanë pasë trashëgimi shqiptarëve për të gjitha kohërat.

majko4

PARLAMENTI I PARË SHQIPTAR:   Emrat sipas rreshtave, nga e djathta në të majtë:

1¬Llambi Goxhomani, Bahri Omari, Ali Koprenca, Milto Tutulani

2¬Luigj Gurakuqi, Atë Gjergj Fishta, Shefqet Vërlaci, Osman Haxhia, Ahmet Zogolli, Eshref Frashëri

3¬Shefqet Daiu, Ali Këlcyra, Kolë Thaçi, Halit Rroji, Banush Hamdi Bega, Qemal Vrioni, Ahmet Hastopalli, Dom Ndre Mjeda, Maliq Bushati, Pandeli Cale, Anton Beça

4¬Spiro Koleka, Shuk Gurakuqi, Masar Këlliçi, Rexhep Mitrovica, Spiro Papa, Agatokli Xhitoni, Leonidha Frashëri, Syrja Pojani, Stavri Vinjau, Patuk Saraçi, Taqi Buda, Ibrahim Xhindi

5¬Leonidha Koja, Koço Tasi, Mustafa Kruja, Qazim Kokoshi, Loni Kristo, Bajram Fejziu, Mustafa Maksuti, Qemal Mullaj, Sejfi Vllamasi, Bektash Cakrani.

Filed Under: Politike Tagged With: dhe Parlamenti i ardhshem, Frank shkreli, Parlamenti i pare

PËRKUJTESA E REVOLTËS SË SPAÇIT DHE QAFË BARIT NË VATËR

May 21, 2017 by dgreca

PËRKUJTESA E REVOLTËS SË SPAÇIT DHE QAFË BARIT NË VATËR: 20 MAJI, TË SHPALLET DITA E MARTIRËVE ANTIKOMUNISTË/

1 E perbashket une-PARADOKSI SHQIPTAR: MARTIRËT E REVOLTAVE, TË DEKORUAR NGA SHTETI DEMOKRATIK, ENDE TË PA Ç’DAMKOSUR SI TERRORISTË, FAMILJET TË PA SHPËRBLYERA/1 Te perndjekurit

– MOSKTHIMI NË MUZE I SPAÇIT, BURRELIT, QAFË BARIT, AMINISTON KRIMET E KOMUNIZMIT DHE HUMB KUJTESËN KOMBËTARE./1 Lamaj Pellumb

NGA DALIP GRECA/Të Shtunën në mesditë, 20 Maj 2017, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” në Nju Jork u përkujtuan 44 vjetori i Revoltës antikomuniste të Spaçit dhe 33 vjetori i revoltës së Qafë Barit.
1 agimi fletMe një minut heshtje është nderuar kujtimi i martirëve të masakruar nga diktatura komuniste, ndërkohë që në sfond ishte vendosur pllakati”KUJTESË-21 Maj 1973, Revolta antikomuniste e Spaçit-20 Maj 1984, Revolta e Qafë Barit”. Pranë saj një tufë lule të freskëta në kujtim të martirëve: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai; Tom Ndoi, Sokol Sokolin dhe Sandër Sokoli. Zv/Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”Vatra” z. Agim Rexhaj, në emër të Kryesisë dhe Kryetarit Buçaj i falenderoi organizatorët për këtë veprimtari përkujtimore në mjediset e Vatrës dhe bëri apel për mos harresë. Ai vlerësoi aktin e organizatorëve dhe martirëve të revoltave, shprehu admirim për përballjen me diktaturën. Duke iu drejtuar ish të përndjekurëve politikë, ai tha se Shteti shqiptar ka bërë fare pak për vlerësimin e ish të përndjekurëve politikë, siç nuk ka bërë asgjë për Memorien Kombëtare për të kthyer në muze vendvuajtjet, qelitë, hetuesitë, burgjet, kampet etj.

1 Lek Mirakaj
Ai tha se personalisht ju kërkoj ndjesë ju ish të përndjekurëve politik, për mosnjohje të realitetit shqiptar në kohën e diktaturës. Ne shqiptarët e Kosovës ishim të painformuar se çfarë ndodhte në Shqipërinë Amë, ne nuk mund të shihnim përtej fasadës, për ne ajo ishte kështjellë e pamposhtur në brigjet e Adriatikut, ishte e para për çdo gjë në Botë…Është e pafalshme që diktatori Hoxha ende ka fansa në Kosovën e Shqipërinë tonë!
Më pas mikrofoni ka qenë për ish të përndjekurit, për ata që vuajtën në Spaç, Qafë Bar, Burrel, Tepelenë, Zejmen, Ballësh, Sarandë, në kampet e internimit anë e kënd Shqipërisë.1 Bajo Hasan
Organizatori i këtij përkujtimi Pëllumb Lamaj, që prej vitesh e përkujton këtë veprimtari në SHBA, përmes takimeve përkujtimore, intervistave në Zërin e Amerikës, televizionet lokale e median e shkruar, duke mbajtë amanetin që i patën dhënë ish bashkëvujtësit e tij, autor i dokumentarit për Spaçin, i riu që hyri 19 vjeç në Spaç, në burgun famkeq, ku izoloheshine torturoheshin të kundërshtarët, që konsideroheshin të rrezikshëm për regjimin,- Tregon duart, ku ende ka të thelluarën e prangave të ngulura në mish dhe i afrohet posterit-flyer-Kujtesë:I shihni këto vidat shëtrnguse të prangave? Komunistët shqiptar i modifikuan prangat e hitlerianëve gjermanë, duke u vendosur Burma shtërnguse, që të depërtonin në mish. Vështrimi i tij rrëshqet sërish tek duart, ku ka vrragën e thelluar në mishin e duarëve:ne jemi gladiatorët e arenës s ërrezikshme që shpëtuam gjallë.

1 a Rajmondi
Revolta e Spaçit , që zgjati 3 ditë; mbetet e para në Evropën Lindore dhe meriton të ruhet në memorien e kombeve që vuajtën nga komunizmi. Në atë revoltë, nga njëra anë, u shpalos guximi i të burgosurëve antikomunistë që sfiduan diktaturën, nga ana tjetër, u manifistua sadizmi më i egër i organeve të dhunshme të diktaturës që nuk i kursyen mjetet e dhunës për ta përgjakur revoltën. Të burgosurit valvitën në tarracën e burgut Flamurin kuq e zi, pa yllin komunist, duke kënduar këngë atdhetare dhe duke hedhur parrulla kundër diktaturës. Mijëra forca të diktaturës, përfshi dhe forcat special-sampistët, e shtypën me gjak revoltën; 4 nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan.1 Zef Balaj
Pëllumbi, që u burgos kur ishte 19 vjeç thotë: “…unë kurrë nuk harroj fjalët e të burgosurve më të vjetër që thoshnin “Nëse del prej këtu, të lutem thuaj botës së qytetëruar se ne ishim martirë, se ne kërkuam lirinë nga ata që na morën lirinë, se ne kundërshtuam shtetin kriminal të sunduar me grusht të hekurt nga tirani i pamëshirë, Enver Hoxha”.

1 NazoKy amanet, tha Lamaj, më jep kurajo që ta vazhdoj luftën time, edhe pse e ndjej repersionin e shtetit shqiptar, cili për ironi, në vend që të më vlerësonte për përpjekjet që kam bërë për të mbajtur gjallë kujtesën, më ndëshkon duke mos më dhënë as dëmshpërblimin, ndërkohë që disa marrin këstin e shtatë, unë kam mbetë tek I dyti, por natyrisht kjo nuk do t’më tërheqë nga beteja.1 eduardi
Pas Pëllumb Lamaj, mikrofonit i afrohet Lek Mirakaj. Ai sjell në kujtesë revoltën e Qafë Barit, ku kryenin dënimin rreth 500 të burgosur politikë të dënuar me shumë vite burg, shumica mbi 25 vite.
Lek Mirakaj tregon rrethanat e shpërthimit të revoltës: Ajo që drejtusit dhe gardianët e burgut e quanin disiplinë ishte terror e dhunë. Të burgosurit, pa arsye, për shkaqe të sajuar(psh përse nuk e ke vendosë drejt vijën e çarçafit), izoloheshin tek”Kaldaja” dhe atje torturoheshin me metoda mesjetare:Të zhvishnin lakuriq, të shtrinin në çimento dhe të godisnin pa e llogaritur se në çpjesë të trupit binte goditja….Mania e tyre ishte goditja e shputave të këmbëve me kamxhik, ku dhimbjet ishin të padurushme….

1 Lek Perlleshi1 skenderDënimi në birucë ishte i zakonshëm.Dhuna, torturat dhe shfrytëzimi i të burgosurëve ishin bërë të padurushme kur më 20 Maj 1984 shpërtheu revolta. Sandër Sokoli e Tom Ndoi ishin trima që s’u trembej syri, por reagimi I makinerisë shtetërore ishte tepër I dhunshëm. I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake.Të plagosurit hiqeshin zvarrë…Sander Sokolin, e tërhoqën zvarrë në mes të kampit, e shtrinë mbi një dërrasë dhe e këputen në mes sampistët. Tom Ndoin dhe Sokol Sokolin i pushkatuan.Të gjithë të dënuarit i lanë të lidhur, pa rroba dhe me orë të tëra jashtë dhe i ridënuan.

1 Zef Pernocaj
Më pas Leka tregon për dy intelektualë të Kosovës, që vuanin dënimin në Qafë Bari, të cilët kishin ikë nga shiu Titist dhe kishin rënë breshërin enverian.

Fatmiri Marku
Mirakaj, gjatë ndërhyrjes së tij komentoi qëndrimin paradoksal të shtetit shqiptar, që nga njëra anë i ka dekoruar martirët e revoltave, nga ana tjetër nuk ua njeh vitet e burgut dhe nuk shpërblen familjet për shkakun absurd se shteti komunist i pat cilësuar”terroristë”!

(Te plote lexojeni ne Dielline  printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, ne Vater, QAFE BARIT, Revolta e Spacit, U PERKUJTUAN

SASHA

May 21, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nuk ka më PSD, po ka Gjinush. Mbeti studiove burri duke u ankuar se nuk i lane një vend. Ia bën me hile të mëdhenjtë.

PSD-së i ka mbetur veç hiri. Po Sasha, komenton. Gjithnjë të tjerët. Edhe pse PSD nga një forcë e tretë dikur. Në ato fillimet e demokracisë sonë. Sot është katandisur në një vagon cargo. Mallrash. Aty në trenin e së majtës. Ose vagoni i njezeteshtatë. Poshtë, e me sukses. Vit më vit. Sasha prapë është kryetar. Prapë kërkon një vend në kuvendin e shqiptarëve. Prapë nuk pushon, gërr, vërr. Përplaset me inat, si ai harabeli brenda kafazit. Bam, bërrdam, lart poshtë, këlthet, thyen krahët, rripet, skuqet. Flet për liri e parime. Edhe pse dera e kafazit është e hapur. Sasha nuk e shikon. I thonë marrëveshja u bë për të mirën e vendit. Fitoi vendi, Shqipëria. Sasha inatçor, hakërrohet. Ç’më duhet mua Shqipëria. Karrika ime ku është, më vodhët votat. Shpjegon sistemet zgjedhoret, formulat. Magjia e Sashës. Ka një fill me rruzka. Formul pas formule. Një qëmtues thërrimesh. I ka mbetur një përfaqësues këtu aty. Gërrvërret. Votat e mia.
PSD-të simotra në europë qeverisin. Hapin krahun. Zgjedhin, zgjidhen. Kurse kjo e Sashës ka mbetur si beteja e lugëve në një tavë orizi. Po Sasha ama kryetar. Dhe gykon se i takon një vend. Sasha profesori. Ndofta ajo aradha më e keqe e profesorëve, doktorëve, akademikëve. Që nuk dine të hapin krahun. Sasha që edhe një here që e vunë si kryetar kuvendi, I bëri vendit shërbimin më të madh. I rriti vetes numrin e badigardëve. Sasha figure. Vlerë kombëtare, duhej ruajtur.
Vaslav Havel i Çekisë rrëzoi diktaturën, erdhi, drejtoi e iku… pa asnjë badigard. Kurse Sasha vazhdon. Nuk rrëzoi asnjë diktaturë. Atë e rrëzuan të tjerët. Shqyen dyer ambasadash. Pushtuan Italinë dhe Greqinë. Kurse Sasha e gjeti gati. Profesor, madje filozof ishte dhe ky Haveli. Por iku. Kurse këta të Shqipërisë jo që nuk ikin. Por shqyhen në debate pështymash me të rinjtë. Me kalamajtë e tyre. Fara më e keqe e këtyre viteve demokraci. Baballarët më të praptë. E ka të drejtë ai Blushi, kur thotë se duhet rritur shpërblimi për lindjet. Pasi është e zorshme ta largosh Sashën. Po plaket Shqipëria, kurse Sashët jo. As ua varin thinjave fare.
Se do më pyesni pse e quan Sasha. Nuk e quaj unë. Ashtu e ka pasur emrin. Lindi në ato vite të dashurisë së madhe me sllavët. Kur hodhëm në tokë Titon. E hoqëm nga muret, nga kopertinat e librave shkollor. Dhe vendosëm baba Stalinin. Atëhere ishte në mode kur na lindnin fëmijët tu vendosnim emrat rusë. Ndaj kemi kaq me shumicë Vladimira, Sasha, Aliosha, Dimitrovër etj. Dhe ia lëruam nënën kulturës e traditës sonë. Megjithëse kishim kohë, që mbyteshim në emrat turq. Ata tanët ta shpifnin. Dardan, Genti, Pleurant, Enkelejda, Olimpia, Etleva…, për besë ta shpifnin. Kështu edhe Sasha. Por… kur u prishëm me rusët, Sasha, fësht, e bëri Skënder.
Votojeni Sashën. Dhe lërini reformat. Se me ‘të e sojin e shushunjave si ai. Jo 27 vjet vendnumëro, po 270 të tjera i keni hak. Me firmë e me vulë.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, SASHA, Skender Gjinushi

Atdheu thërret dalzotës kalorësit e lirisë…

May 21, 2017 by dgreca

Nga Azgan HAKLAJ/

Ka pak kohë që legjenda e gjallë e shqiptarëve , kalorësi i lirisë Ramush Haradinaj u kthye në Kosovë triumfalisht nga Franca e De Golit. Ai qëndroj disa muaj atje në Atdheun e lirisë së kombeve, peng si prometeu për llogari të Serbisë shoviniste, ekspansioniste e filo-ruse, si dorzanë i Atdheut të Tij, i luftës së drejtë dhe heroike të UÇK-së dhe i kauzës së shenjtë e të shtrenjtë kombtare.

Kapedani i Haradinaj së bashku me komandantet e tjerë të luftës dhe fitores kanë zbritur në një fushëbetejë po aq të rendësishme e jetike per fatet e Kosovës e të Kombit, siç ishte beteja për çlirimin nga Serbia.

Beteja elektorale në Kosovë tashmë ka përballë koalicionin e Lirisë AAK-PDK-Nisma dhe taborret e fundit në Kosovë e Ballkan të idhtarëve të Jugosllavisë titiste të prirë nga binomi Mustafa- Pacolli. E thanë më qartë Europianistet e nacionalistët modern Haradinaj -Veseli-Limaj perballë vasalëve titistë serbianë Mustafa-Pacolli. Aleanca Haradinaj -Veseli -Limaj është krejt e natyrshme. Ata janë protagonistet e medhenj të betejës e fitores për një Kosovë të lirë. Ky kualicion i lirisë zbret në betejën elektoralë me dy armë të kalibrit të randë të cilat kundershtarët e tyre nuk i kanë. Janë komandantë, strategë e fitimtarë të luftës çlirimtare te Kosovës, realizues të endrrës 600 vjeçare për liri. Ata i zhveshen parzmoret e randa të luftëtarëve në momentin historik të Kosovës dhe veshen kostumet e politikanëve për të ndertuar në Kosovë një shtet demokratik në themel të së cilit janë gjaku i derdhur për liri, vlerat Kombëtare e Evropiane. Ramush Haradinej është një piramidë madhështore e Atdheut tonë , siç ishte Oso Kuka në Vraninë, Preng Cali në Vermosh,Isa Boletini në Mitrovicë, apo gjeneral Telini, i cili vuni me drejtësi e ndershmëri kufijtë jugorë të Atdheut tonë në vitin 1913 dhe u vra nga fashistët grekë sepse i doli zot në tē drejtën e tij një kombi tē vogël e fisnik shqipërisë tonë tē shtrenjtë. Haradinaj dha dorëheqjen si kryeministër e shkoj në Hagë si dorzanë, si dalzotës i luftës sē shenjtë të UÇK-së dhe kauzës së Kombit tonë. Nuk lejoj Demarkacionin dhe nuk pranoj shitjen e trojeve shqiptare për përfitime utilitare politike e privilegje personale. Nuk lejoj Zajednicën e Prilluzhen që do ti shërbenin Serbisē si gozhda e Nastradinit. Kualicioni AAK-PDK-Nisma i beri një sherbim të madh Kombit Shqiptarë. Ai i parapriu marrëveshjes Basha-Rama duke i garantuar aleatët tanë të medhenj se shqiptarët kanë me të shtrenjtē se pushtetin Atdheun dhe se dine te jenë faktor stabiliteti në Ballkan.

Filed Under: ESSE Tagged With: Atdheu thërret dalzotës, Azgan haklaj, kalorësit e lirisë…

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT