• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2017

Kosovë-Priten mungesa votash në Kuvend

May 9, 2017 by dgreca

-Nesër mocioni i mosbesimit për qeverinë e pastaj demarkacioni, priten mungesa votash në Kuvend/

PRISHTINË, 9 Maj 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në një seancë me të vetmen pikë në axhendë: “Shqyrtimi i Mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupet parlamentare: Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, mbështetur nga 42 deputetë”.

Por, për të rrëzuar qeverinë duhen së paku edhe 19 vota për të arritur numrin 61 – një më shumë se gjysmën e Kuvendit të Kosovës me gjithësej 120 deputetë. Ndërkohë që nuk ka deklarime tjera publike për votë pro mocionit të mosbesimit, votimi i fshehtë mund të rrisë numrin e votave kundër qeverisë apo për t’i dhënë fund udhëheqjes së saj nga partia e dytë me numrin e deputetëve.

Në Kuvendin e Kosovës aktualisht Partia Demokratike e Kosovës ka 36 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 33, Lëvizja Vetëvendosje 16, Lista Serbe 11, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8, Gjashtë Plus (i komuniteteve pakicë) 6, Nisma për Kosovën 6, ndërsa pa grup parlamentar janë 4 deputetë.

Qeveria e Kosovës pas shtyrjes së mbledhjes së djeshme, ku sipas axhendës pritej procedimi i demarkacionit, ka parlajmëruar se do e mbajë pas seancës së nesërme të Kuvendit të mocionit të mosbesimit.

“Pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zhvillohet të mërkurën”, bënte të ditur komunikata dërguar nga Kryeministria.

Projekligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi ishte në axhendën e Kuvendit të Kosovës në seancën e 1 shtatorit 2016, por u tërhoq nga qeveria derisa opozita e kundërshtonte edhe me protesta e mungonte Lista Serbe dhe nuk ishte e sigurt se për miratim do arriheshin të paktën 80 vota.

Ky numër i nevojshëm i votave – dy të tretat e totalit të deputetëve nuk mund të arrihet edhe nëse votojnë pro të gjithë nga grupet parlamentare të dy partitve më të mëdha të koalicionit qeverisës PDK e LDK me gjithësej 69 deputetë, e edhe nëse atyre u bashkohen edhe 6 deputetët e Gjashtë Plus të minoriteteve dhe 4 deputetët pa grup, në numrin total 79 do ishte mangu një votë dhe kjo do pamundësonte ratifikimin e demarkacionit.

Tre partitë opozitare, madje edhe disa deputetë nga maxhoranca, kanë paralajmëruar votim kundër dhe sipas disa deklaratave mosratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi në votimin në seancën e Kuvendit Kosovën e çon në zgjedhje të parakohëshme, fillimisht në shpërndarjen e parlamentit.

Filed Under: Komente Tagged With: -Priten mungesa votash, Behlul Jashari, Kosove, ne Kuvend

Bijtë e nomeklaturës

May 9, 2017 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA-Florida/

Pas viteve 90-të opozitarët më të mëdhenj, madje edhe disidentët, dolën pikërisht ata që ishin ose vinin nga shpura e nomeklaturës. Të cilët, për një ose dy arsye dëshmonin me batuta, se sa të acarta ishin marrëdhëniet mes familjeve që kishin pushtetin. Unë e kam thënë dhe herë të tjera, të deklasurit e vërtetë, sapo u hapën dyert, morën arratinë.

Ma përforcoi këtë, fjalët e ikonës së kinemasë sonë, kur i tha gazetares sot, se, i thashë tim biri atëhere, ik dhe kurrë mos e kthehe kokën mbrapa. Ky është Guljelm Radoja. E gjeni kudo sot intervistën e tij. Një prej aradhës së familjeve të të deklasuarve. Eshtë një detaj që tregon masivitetin në ikje të të deklasurve. Mishi për top i diktaturës së proletariatit. Dhe bijve ”disidenta” batutash korridoresh e banjosh publike.

Apo studiove e televizioneve personale.

Dhe nuk i fajësoj. Në 45-së vite poshtërim. Kush nuk do i vërsulej një porte të hapur. Matane ishte liria dhe ata e kishin zbulur me kohë. Ose ndofta nuk u interesonte më asgjë. Pasi liria është më e çmuar se çdo ndjenjë atdhedashurie. Pallavra që u shërbejnë uzurpatorëve. Ose dëshmorë gjakëhumbur. Të kotësisë. Nga ana tjetër e kishin pikasur që çmontimi i një sistemi do merrte aq kohë sa montimi i tij. Por për ta 45 vite të tjera ishin një vdekje pa fund. Ndaj më mire të shijonin pak botë. Për aq sa të ishin. Dhe të varroseshin, ku të varroseshin se, këto varret e rinj nuk do kishin asgjë të përbashkët me gjalljen e varreve në atdheun amë.

Shqipërinë e uzurpatorvëve. U bënë kurbetllinj. Ndërsa një pjesë e vogël u bën shtetar. Pra si të thuahs kolegë me shtetarët gjoja avanguardë nga pjekja kokë më kokë me batuta, midis bijvë dhe etërve. Këtë përshtypje të lënë përshembull gjithë refleksionet e botuara këto vite. Nga Edi Rama, Spartak Ngjela, Lubonja, Zheji Klosi etj. Asnjë nga këta nuk iku në kurbet. Dhe nëse iku kush, shkoi sa për të thënë dhe i strehuar tek ndonjë intenacionalist i kohës.

Ata janë këtu. Me pushtet dhe dirigjojnë. Ndaj nuk është e rastësishme që Shqipëria aktuale. Masmedia e saj. I kushtojnë shumë kohë të shkuarës. Dhe të drejtës individuale. Jo asaj kombëtare, ose së tërës.

Nuk bën atë që bën bota praktike.

Shikoni përshembull Francën. Si ndërron presidentët. Si votojnë. Dhe si përballojnë sfida kombëtare, kudo që janë.Nuk është e rastësishme as kjo që herë më herë hapen debate shterpë si ndalim transemetim i filmave. Kjo vjen nga ajo kolegëzim shoqërie djemsh nomeklature dhe djem te deklasuarish të mbetur. Nuk janë të rastësishme që faqe të tëra i kushtohen përshembull torturave që Enveri i bëri familjes Shehu. Në një vend normal, nuk do tirrej për vite e vite. Ishte një luftë brenda llojit. Dhe kaq. Dhe kokat hëngrën.

Apo si vdiq Hysni Kapo. Çfarë thotë sot djali i këtij apo atij. Dhe si po e kalon pleqërinë kjo apo ajo vejushë. Më të spikatura gjënden tek djali i ish kryeministrit Mehmet Shehu, Bashkimi. Ku gjithë gjindja i bindej një fryme, një bajlozi me vështrim shfarosës. Deri tek këta që luanin kokafshehti me batuta. Ashtu siç thoshte përshembull Zheji pak javë më pare. Se si bashkë me Edi Ramën, kishin shkuar në kopshtin e gjyshes së tij, vetëm e vetëm të çliroheshin nga duhmat e gëzimit. Ose siç thonë shumë të tjerë me sportivitet se si bënin batuta me iksin apo ypsilon byroist. Merita këto që u japin sot të drejtën të flasin për demokracinë. Madje fal apatisë kolektive, i gjen këtyre 27 viteve, sa majtas dhe djathtas. Gjithmonë në funksion të amullisë dhe pushtetit të tyre. Si është përshembull rasti Ngjela. I cili nga këto ”merita” desidenti brenda sojit, arriti të bëhej nga demokratët kryetar grupi parlamentar. Deri dhe minister drejtësie.

Nuk kam asgjë me Ngjelën, as me emrat e tjerë, por po i përmend në funksion të kësaj memorie zhvillimesh politike, gjatë këtyre 27 vite demokraci.

Ndaj nuk më duket krejt i rastësishëm sot, shkuarja e Shqipërisë në zgjedhje moniste.

Eshtë e gjitha një farsë e bijëve. Brenda së cilës ka rënë padiskutim një shoqëri e tërë. Ndaj ka kërcënime për destabilitet. Që merret me të shkuarën e dyzetë e pesë viteve. Jo me këtë të afërmen që mat rezultatet. Erdhe , qeverise, çfarë bëre. Dhe çfarë nuk bëre. Po sot shohim një kor flamurtarësh që i gëzohen slloganit të vetëm pa partinë demokratike. Eshtë kori i bijve të mbetur të nomeklaturës…,

dhe këtyre të deklasurve aleatë e kolegë, që nuk duan as punë, as vendin, as familjen. Por ama vdesin për pushtetitn e kultit të individit. Sot shqiptarët zihen me njëri-tjetrin për street e Ramës. Mahniten me modistin. Ndërkohë Franca e popullit të lirisë zgjedh për president një 39 vjeçar. Ndërkohë ai aktuali nuk ngul këmbë të qëndrojë në pushtet. Ndërkohë gjithë francezët votojnë. Kudo që janë. Në të katër anët e botës. Shqiptarët bëjnë gam gam dhe ua kërkojnë mëndjen për teferi fushatash. U kërkojnë edhe para për lobime pranë zyrave të Washingtonit, a Bundestagut etj. Të lumtur pas streçistave . Dhe mjekrrave modiste. Franca i ndërron burrat e shtetit fët e fët. Shqipëria ka pjellë veç steçista. Veç të pazevëndësueshëm. Eshtë kthyer e gjitha në një ushtri moniste. E ekzaltuar nga bijtë e nomeklaturës.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bijtë e nomeklaturës, Ilir Levonja

11-13 MAJ, FOLKU EVROPIAN ZBRET NË VLORË

May 9, 2017 by dgreca

FOLKU EUROPIAN ZBRET NË VLORË NË EDICIONIN E IX TË “AULONA INTER FOLK FESTIVAL”/

1 Folku Vlora

Nga Gëzim Llojdia/

1.Prej datës 11 -13 Maj 2017 në qytetin e Vlorës folku evropian zbret në Vlorë në edicionin e IX të “Aulona Inter folk festival”.Starton në datën 11 Maj,në skenën e sheshit“Pavarësia”në Skelë dhe mbyllet në 13 Maj, ditë kur në qytet do të kulmojnë veprimtaritë e Çeljes së Sezonit Turistik “ Vlora 2017”, organizuar nga Bashkiae qytetit historik.Nëse klikon te http://www.cioff.org/ do te gjesh eventin shqiptar të regjistruar nga UNESCO ku shkruhet events-festival.cfm/en/4301/Albania-Aulona_International_Folk_Festival.

2.Rrënjët muzikore bashkëkohore të muzikës popullore ringjallin muzikën popullore,thonë burimet. Edhe festival folku ,që tash prej 9 vitesh zhvillohet në jug të vendit  është pjesë e muzikës popullore.

Muzika popullore, lloji i muzikës tradicionale dhe përgjithësisht rurale që fillimisht u kalua përmes familjeve dhe grupeve të tjera të vogla shoqërore. Në mënyrë tipike, muzika popullore, si literatura popullore, jeton në traditën gojore; Mësohet përmes dëgjimit dhe jo me leximin. Ajo është funksionale në kuptimin që ajo është e lidhur me aktivitete të tjera, dhe është kryesisht me origjinë rurale,shkruan Bruno Nettl.

Traditat kryesore të muzikës folklorike transmetohen me gojë ose me zë, domethënë mësohen me anë të dëgjimit e jo me leximin e fjalëve ose muzikës, zakonisht në rrjetet shoqërore joformale të të afërmve apo miqve, në vend se në institucione të tilla si shkolla apo kisha. Në shekullin e 20-të, transmetimi nëpërmjet regjistrimeve dhe mediave masive filloi të zëvendësojë pjesën më të madhe të të nxënit ballë për ballë. Në krahasim me muzikën e artit, e cila sjell kënaqësi estetike dhe muzika popullore, e cila (shpesh së bashku me vallëzimin shoqëror) funksionon si zbavitje, muzika popullore më së shpeshti shoqërohet me aktivitete të tjera, të tilla si ritualet kalendarike ose të ciklit të jetës, Enkulturation, dhe fenë popullore. Muzika popullore ka më shumë gjasa të jetë pjesëmarrëse sesa prezantuese. Koncepti zbatohet për kulturat në të cilat ekziston edhe një traditë muzikore urbane, teknikisht më e sofistikuar e mbajtur nga një elitë më  e vogël sociale, ekonomike dhe intelektuale në qytet, gjykata ose kultura të urbanizuara. Në përgjithësi, “muzika popullore” i referohet muzikës, që segmente të gjera të popullsisë,veçanërisht ato më të ulëta socio-ekonomike, kuptojnë dhe me të cilat identifikohen. Tradicionalisht, interpretuesit e muzikës popullore ishin amatorë dhe disa këngë folklorike njiheshin fjalë për fjalë për të gjithë anëtarët e një komuniteti; Por specialistët-instrumentalistët dhe këngëtarët e tregimeve ishin të rëndësishme për komunitetet popullore. Në shekullin e 20-të, roli i profesionistëve si interpretues dhe bartës të traditave popullore u shtri në mënyrë dramatike. Muzika popullore siç besohet të ketë ekzistuar në kohët e hershme mund të diskutohet ndaras nga periudhat e ringjalljes siç është ajo e nacionalizmit evropian të shekullit të 19-të dhe ringjalljes së shekullit të 20-të, pak para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, të motivuara nga axhendat politike . Në kontekstin e muzikës popullore, shfaqjet e “muzikës popullore” mund të dallohen nga përdorimi i këngëve me axhenda politike dhe përdorimi i instrumenteve tradicionale dhe kitarat akustikë. Në anën tjetër të spektrit muzikor, linjat ndërmjet muzikës popullore dhe artit muzikor ishin të paqarta duke filluar në shekullin e 19-të, kur kompozitorët e muzikës artistike prezantuan këngë nga folklori në kulturën muzikore urbane. Termat e përdorura për muzikën popullore në kultura të ndryshme ndriçojnë aspektet e konceptit. Termi anglez dhe analogët e tij francezë dhe italianë, muzque populaire dhe musica popolare, tregojnë se kjo është muzikë e lidhur me një klasë sociale, “popullore”. Volksmusik gjerman (“muzika popullore”) kombinon konceptin e klasës me unifikimin e një grupi etnik, ashtu si edhe termi indian hindi log git (“muzika e popullit”) në Indi. Çeke, si disa nga gjuhët e tjera sllave, përdor termin narod (“komb”) dhe të afërmit e tij, duke treguar se muzika popullore është unifikuesi muzikor i të gjithë çekëve. Në anën tjetër, termi persian mūsīqī-ye maḥallī (“muzika rajonale”) thekson dallimet në stilin e muzikës popullore dhe repertor midis fushave të ndryshme të Iranit. Termi muzika popullore gjithashtu, është  përdorur për muzikën tradicionale të artit të kulturave aziatike dhe afrikane, për t’i dalluar ato nga sistemi klasike perëndimor,thotë studiuesi te :”britannica.com”.

3.Për  3 mbrëmje me radhë, në datat 11, 12, 13 Maj 2017, Vlora do të jetë nën mbretërinë e flokut evropian, duke përcjellë këngët dhe vallet folklorike që vijnën ga Çekia, Bullgaria,Bjelorusia, Sri Lanka, Kosova, Mali iZi, Maqedonia ,Shqipëria.

  1. Ansambli “Handrlak”, Kunovicë,      Çeki
  2. Ansambli“ Sofia – 6 “, Sofie,           Bullgari
  3. Ansambli“ Raduga”,     Mnisk,        Bjellorusi
  4. Ansambli“  Uma Dancing Academy”,  Colombo, Sri Lanka
  5. Ansambli“ Dëshmorët e Kombit”, Obiliq, Kosovë
  6. Ansambli“ Ilirida”, Shkup,   Maqedoni
  7. Ansambli Narta e grupe të tjerë nga Vlora, Shqipëri

Festivali organizohet nga Qendra Kulturore “ Aulona” Vlorë, me mbështetjen kryesore të Bashkisë qytetit të Vlorës si dhe Ministrisë së Kulturës e donatorë të tjerë.

Festivali Aulona Folk vazhdon të mbetet një manifestim i jashtëzakonshëm i Folkut europian e më gjerë si dhe një promovim i rrallë i  hapjes zyrtare të Sezonit Turistik  të Vlorës.Një gërshetim i bukur i turizmit kulturor me turizmin natyror të  rërës e ujit të detit. Edicioni i Parë i këtij Festivali është mbajtur në vitin 2009 duke shënuar të parin festival ndërkombëtar folku në hapësirën mbarë shqiptare. Për nga standartet që realizon, gjeografinë dhe diversitetin e grupeve, nivelin e zhvillimit në të gjitha planet ky festival prej edicionit të dytë është kualifikuar nga CIOFF duke u bërë pjesë e kalendarit botëror që ky institucion prestigjioz kulture organizon në çdo vit kalendarik.Në tetë edicionet e zhvilluara kanë marrë pjesë rreth 70  ansamble nga vende të ndryshme të Evropës me mbi 2300 festivalistë. Festivali ndan si trofe  “Kupën e Festivalit” e cila deri tani ka shkuar në Sllovaki, Kroaci, Bullgari, Itali, Kosovë, Turqi, Poloni dhe në Tiranë kur fitues është shpallur Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore.

President Nderi i Edicionit të 9 – të do të jetë Akademik Muzafer Korkuti, Kryetar i Akademisë së Shkencave.

4.Historiku i  grupeve , AIFF 2017

Drejtori i përgjithshëm i këtij festivali,Sejmen Gjokoli përshkruan grupet pjesmarrëse në këtë event muzikor folku evropian.

ÇEKIA

Ansambli“ Handrlak”.Ansambli  “HANDRLAK” paraqet këngë dhe vallet dhe kostume popullore kombëtare nga rajoni I pjesës jugore dhe qendrore të Moravës. Grupi I folklorit është I njohur jo vetëm brenda,por edhe jashtë vendit në shumë vende evropiane në festivalet  CIOFF.

BULLGARIA

Ansambli“ Sofia – 6”, Sofie. Ansambli I Valleve Folklorike “Sofje – 6”  është themeluar në vitin1976. “Sofja – 6” ka marrë pjesë në shumë festival në Evropë, Azi dhe Afrikë.

Fitues I shumë çmimeve të mëdha si në 2009 n ëKonkursin e 13-të Botëror të Vallëzimit “Palma – 2009” në Palma de Mallorca, kufitoi Çmimin e Madh dhe u bë kampion bote.

Ka marrë pjesë dhe fituar çmime në Turqi, Rumani,  Azi, Kore e Jugut,, Japoni, etj. Ky ansambël është themeluar dheu udhëhiqet nga Nestor Nestorov.

KOSOVA

AKV” DËSHMORËT E KOMBIT”, Obiliq. Ansambli u themeluanëvitin 1991 nëqytetin e Obiliqit, Kosovë. Është pjesëmarrës në mjaft festivale, Brenda dhe jashtë vendit. Ku është vlerësuar me çmime të ndryshme si në Turqi, Kroaci, Mali I Zi, , në festivale të

shumta në Kosovë etj.Për here të pare në Shqipëri është në Vlorë, në Aulona- Inter Folk.

MAQEDONIA

Ansambli“ Ilirida”, Shkup. Ansambli I Këngëve dhe Valleve ILIRIDA-Shkup u themelua në zemër të Shkupit, pikërisht  në Qarshinë e vjetër të Shkupit në vitin 2015. Aktiviteti I Ansamblit gjatë këtyre viteve ka qenë mjaft i suksesshëm duke marrë pjesë në disa festival në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.

BJELLORUSIA

Ansambli“ Raduga”, Mnisk. Është krijuar në vitin 1958 në kryeqytetin e Bjellorusisë dhe është nga më të njohurit në vend. Pjesëmarrës dhe fitues i  çmimeve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Është fitues i çmimit të pare në festivalin e tretë ndërkombëtar“ Kupa e Evropës”. Pjesëmarrës në shumë festival ndërkombëtare si :Portugali, Spanjë, Poloni, Gjermani, Itali, Francë etj. Ansambli drejtohet nga çifti Orest e Irina Zvir.

SHQIPËRIA

Ansambli“ Narta”, Vlorë.Grupi i valleve të Nartës vjen si një traditë e Ansamblit të kësaj zone me fillime në vitet 70, vite kur nga gjiri I tij doli këngëtarja e madhe e këngës popullore KleopatraSkarço. Është një iniciativë e vajzave dhe djemve të këtij fshati për ta rizgjuare dhe një here traditën e bukur përmes këngëve, valleve dhe kostumet karakteristike plot kolorit e ngjyra.

SRI LANKA

Ansambli“ UMO Dancing Akademi”, Colombo. Historia e këtij grupi fillon që kur kur ishullii Sri Lankës ishte I ndarë në 13 mbretëri.

Muzika dhe vallet folklorike të këtij grupi janë tradicionale e origjinale duke kaluar brez pas brezi. Format e vallëzimit shoqërohen me shfaqjen e ritualeve dhe ceremonive të ndryshme që janë shekullore dhe janë të bazuara në religjionin popullor dhe besimet popullore që shkojnë  para dhe pas ardhjes së Budizmit qysh në shekullin e 3 para Krishtit. Këto ritual dhe ceremoni pasqyrojnë vlerat, besimet dhe zakonet e një qytetërimi bujqësor e rural. Të gjitha vallet e këtij grupi shprehin tematika që lidhen me besime, ritual demonë ,perëndesha, hyjni e ritual ekzotike. Akademia e valleve UMA ka marrë pjesë në mjaft festival jo vetë brenda Sri Lankës por edhe në mjaft vendet  të Indisë, Butanit,Tailandës etj

Filed Under: Reportazh Tagged With: “AULONA INTER FOLK FESTIVAL”, Folku Europian, Gezim Llojdia, reportazh, Zbret ne Vlore

SHALLI SIMBOLIK I PRESIDENTIT RUGOVA NË VATËR

May 8, 2017 by dgreca

                     *SHALLI SIMBOLIK I DR. RUGOVËS, QË PAT “HUMBË” NË HOTELIN MEYFLOWER, IU DHURUA MUZEUT TË VATRES/

1 nderim5salle6 agim panel4 adnan flet

*Kryetari i Vatrës. dr. Gjon Bucaj, u përlot tek mori dhuratën dhe tha se ky ishte nder i madh që i bëhej VATRËS, e cila bashkëpunoi ngushtësisht dhe e kishte mik presidentin Ibrahim Rugova./

*Promovim plot emocione i librit”Në hap me Rugovën” dhe dokumentarit historik“Një dekadë (1989-1999) në 18 minuta” i Adnan Merovci/

NGA DALIP GRECA/

FOTOT: RAMIZ MUJAJ/

10 Fran 27 idriz2 sinan1 dalip1 gjoni ule

Veprimtaria e së Dielës, 7 Maj 2017, në Royal Regensy Hotel, Yonkers,organizuar nga Federata Pan-shqiptare e Amerikës”VATRA”, kushtuar presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ishte e mbushur me emocione dhe surpriza. Takimin e ka hapur zv/Kryetari i Vatrës, një ndër miqtë e Dr. Rugovës, z. Agim Rexhaj, i cili ka prezantuar mysafirin, ish sekretarin e presidentit të ndjerë, Inxhinierin Adnan Merovci, autorin e librit”Në hap me Rugovën” si dhe i dokumentarit historik“Një dekadë (1989-1999) në 18 minuta”. Moderator i takimit promovues ishte zv/Kryetari i vatrës z. Agim Rexhaj.

1 shalli simbol1 dr Gjoni me shall

Moderatori i kërkoi pjesmarrësve që të coheshin në këmbë për përcjellë me 1 minut heshtje Kujtimin e Dr. Rugovës. Më pas, pjesmarrësit kanë përcjellë me emocion dokumentarin historik me filmime nga veprimtaria e Dr. Rugovës “Një dekadë (1989-1999) në 18 minuta”.

Kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj ka përshëndetur pjesmarrësit në këtë veprimtari promovuese dhe autorin e librit si dhe të dokumentarit historik z. Adnan Merovci.

Po ashtu dr. Bucaj falendori katër ligjëruesit që kishin përgatitur kumtesat për këtë promovim. Duke folur për dr. Ibrahim Rugovën, ai tha se brezi i Tij ishte me fat që bashkëpunoi me presidentin historik, një udhëheqës ndryshe i Botës Shqiptare, inteligjent, tolerant, paqësor dhe me vizion perëndimor.

Ndër ligjëruesit i pari që u prezantua nga moderatori Agim Rexhaj, ishte gazetari, analisti, ish drejtor i i Divizionit të Euro-Azisë në Zërin e Amerikës, z. Frank Shkreli, i cili përcolli Kumtesën:”DR. IBRAHIM RUGOVA:  NJË BURRË SHTETI NDRYSHE QË BËRI MIQ PËR KOMBIN SHQIPTAR”.

Gazetari Sinan Kamberaj paraqiti Kumtesën”10 Vjet vetmi e Kosovës”, Studiuesi, ish Gazetari i Zërit të Amerikës, Idriz Lamaj kishte përgatitë Kumtesën”Zëri i Amerikës në hap me Rugovën”, duke sjellë zërin origjinal të presidentit Rugova gjatë intervistave të Zërit të Amerikës, para se të Krijohej LDK, që në vitin 1987, gazetari Dalip Greca solli Kumtesën:” NË HAP ME RUGOVËN”, SI DËSHMI E RUGOVIZMIT.

Një përshëndetje të vecantë ka përcjellë biznesmeni dhe aktivisti Harry Bajraktari.

Më pas e ka marrë fjalën autori i librit dhe dokumentarit për Rugovën, z. Adan Merovci, i cili ka sjellë detaje të pathëna për njeriun që për 10 vite e shoqëroi pa iu nda askund presidentin Historik, analizoi Karkaterin e dr. Rugovës, filozofinë e tij, cilësitë e sjelljes, kapërcimine  situatave të vështira, tolerancën që e karakterizonte, raportet me njerëzit me të cilët bashkëpunoi, marrdhëniet me ndërkombëtarët, takimet, lidhjet me faktorin politik shqiptarë dhe liderët etj.

  1. Merovci i dorëzoi Kryetarit të Vatrës një”LETËR FALENDERIMI” me këtë tekst:

” VATRA”, që nga themelimi ndër vite ishte pishtare e të gjitha proceseve shtetformuese dhe shtetndërtuse në të gjitha hapsirat etnike shqiptare.

            Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova, kur nga krijuesi letrar kaloi si veprues duke udhëhequr politikën kosovare, gjatë të gjitha vizitave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjente mikpritjen dhe ngrohtësinë në VATËR.

  Unë duke qenë në shoqërim të vazhdueshëm të Presidentit Historik Dr. RUGOVA, ruaj kujtimet e ndjesisë së Tij për VATRËN dhe VATRANËT.

        Me rastin e promovimit të librit tim”NË HAP ME RUGOVËN” nën patronatin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, shpreh konsideratën dhe falenderimin për mikpritje të ngrohtë dhe bujare…..

    Në vecanti falenderoj Kryetarin e Vatrës Dr. Gjon Bucaj, nënkryetarin z. Agim Rexhaj, Marjan Cubi, anëtarët e Kryesisë, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të VATRËS, Gazetën e saj DIELLI, dhe të gjithë Vatranët, për gadishmërinë dhe mikpritjen që nga bisedat e para gjatë iniciativës për promovimin e librit tim:”Në Hap me Rugovën”.

Me respekt

Adnan MEROVCI

Autor i Librit”Në Hap me Rugovën”, Ish Sekretar i Presidentit RUGOVA.

Pasi e falenderoi z. Merovci, Kryetari i VATRËS, Dr. Gjon Bucaj, i dorëzoi atij “MIRËNJOHJE NGA VATRA” për kontributin e vecantë që ka dhënë pranë Presidentit Rugova dhe për librin e  tij interesant “Në Hap me Rugovën”.

Emocione të forta solli fundi i veprimtarisë, ku Adnan Merovci, i dhuroi Kryetarit të Vatrës, Shallin Simbolik të Rugovës, duke thënë kush më shumë se sa VATRA meriton ta mbajë këtë simbol të Dr. Rugovës? . Dr. Bucaj u përlot. Fillimisht ai nuk ka pranuar që t’ia vendosin Shallin në qafë, duek thënë se nuk mund ta mbajë unë atë Shall…Rugova ishte Njeri i Madh. Jam tepër i vogël ta meritoj… Gjithësesi këmbëngulja e z. Merovci bëri që shalli përkohësisht të kalojë nga Kryetari tek nënkryetari Rexhaj…. Para pjesmarrësve z. Merovci tregoi historinë tepër interesante të këtij shalli, që kishte “humbur” përkohësisht në Hotelin Mayflower në Washington, ai përshkroi situatën e vështirë që ishte ndodhë Rugova dhe vetë Merovci, si vrapoi ai për ta zëvendësuar, dramaciteti i krijuar pasi po i prisnin në Departamentin e  Shtetit për takim…. dhe se Rugova nuk mund të dilte pa shall. Po si dolën nga situata? Ku u gjet Shalli? (Për më shumë do të lexoni në Diellin e Printuar)

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Adnan Merovci, dalip greca, ne Vater, SHALLI I PRESIDENTIT RUGOVA

Libri “The Power of Myth” nga Joseph Campbell edhe në shqip

May 8, 2017 by dgreca

1-astrit_lulushi-300x223

Nga Astrit Lulushi/

Shqipëria vazhdon të prodhojë bunkerë, jo prej betoni,  por mendje të mbyllura, me dritare të vogla jo për të hyre drita por për të vjellur vrer kundër  ideve të reja, për mungesën e të cilave vetë komunizmi dështoi. Regjimi jetoi aq gjatë sa ndoshta u hoqi njerëzve natyrën njerëzore dhe ata mbetën si pyll i trisht i zhveshur.

Kush jemi, pse erdhëm, ku shkojmë? Të gjithë në udhëtimin për të provuar nëse jemi të denjë, ose të paktën kjo është ajo që Joseph Campbell gjeti kur na njohu me mitet që na kanë ndjekur gjatë shekujve.

Libri “Fuqia e Mitit” është i veçantë sepse është një intervistë mes burrave vërtetë të talentuar që respektojnë njëri-tjetrin dhe flasin për atë që duan, për jetën në përgjithësi, dhe Campbell thotë: “Unë do të marr pjesë në lojë, është një mrekulli edhe pse dhemb.” Nuk di se si mund ta përmbledhësh jetën më mirë se kaq. Jeta është e mrekullueshme dhe dëmton.

Campbell vazhdon: “Heroi është ai që vjen për të marrë pjesë në jetë me guxim dhe vendosmëri, në rrugën e natyrës, jo në rrugën e mllefit, zhgënjimit apo hakmarrjes personale”. Shkrimtarët e ekranit e përdorin punën e Campbellit për të përshkruar filmat sepse është udhëtimi që ne të gjithë e njohim ose në sipërfaqe ose poshtë në nënndërgjegjen tonë dhe e dimë se ne jemi heronj të udhëtimit tonë.

“Pra, Jezusi thotë, mos gjykoni që ju të mos gjykoheni, domethënë, vendoseni veten në pozicionin e Parajsës përpara se të mendoni për të mirën dhe të keqen.” Me këtë deklaratë, Campbell përpiqet të thotë se ne duhet t’i shohim gjërat nga një nivel më i lartë. Një gjarpër helmues nuk është i keq ashtu siç është. Kur e vrisni për të shpëtuar dikë, ju jeni duke thënë jo për situatën, nuk jeni duke thënë se gjarpri është i keq.

“Fuqia e Mitit”, Shtëpia Botuese Milosa, 2017 Tiranë, është i lehtë (relativisht) për të kuptuar dhe hapur para nesh botën e  mitit – kjo e bën Joseph Campbell të jetë heroi i librit, dhe përkthyesin Faruk Myrtaj zëdhënësin e tij në shqip.

Filed Under: Kulture Tagged With: Astrit Lulushi, edhe në shqip, Libri "The Power of Myth", nga Joseph Campbell

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT