-Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë sVerrat e Llukës, në Listën e Trashëgimisë Kulturore
-Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë sAlbanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by dgreca
-Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë sby dgreca
Intervista e ministres për Dialog, Edita Tahiri dhënë Radios nacionale të Izraelit/
“ Një intervistë speciale në ditën e pavarësisë së Izraelit: Është koha që Izraeli ta njoh Kosovën”/
Nga gazetari Eran Cicurel, IBA (Israel Broadcasting Authority)/
1 maj 17, Tel Aviv- Në 69 vitet e ekzistencës së tij, Izraeli është njohur nga 160 vende. 26 vende nuk e njohin Izraelin. Izraeli është një nga gjashtë vendet anëtare të OKB-së që shtetet e tjera anëtare të OKB-së nuk e njohin. Armenia, Kina, Qiproja dhe të dy Koretë, janë gjithashtu në të njëjtën kategori. Një kategori tjetër janë vendet që nuk janë anëtare të Kombeve të Bashkuara, por njihen nga disa nga vendet më të njohura: Palestina, e cila gëzon njohjen e 136 vendeve, Sahara Perëndimore me 49 shtete, Tajvani, i njohur nga 22 shtete, dhe Republika e Qipros Veriore, e cila është e njohur nga një shtet, Turqia.
Rasti më i shquar në kategorinë e dytë është Kosova. Një subjekt politik që gëzon njohjen e 114 shteteve, të kryesuar nga SHBA. Është themeluar në vitin 2008 pasi u tërhoq nga ish- Jugosllavia, përderisa Serbia pretendon se Kosova është pjesë e territorit të saj, një kërkesë e mbështetur nga rezolutat e OKB-së. Por Shtetet e Bashkuara, që janë mbrojtës i shtetit të vogël, kanë mbështetur pavarësinë e saj së bashku me vendet tjera perëndimore, dhe pasojat kanë qenë shumë më të thella: Rusia, që është aleate e Serbisë, ka përdorur Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës për t’i grabitur Gjeorgjisë, Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë, Krimen.
Izraeli po ndjek një politikë të kujdesshme për çështjen e Kosovës, pavarësisht faktit që ky është një projekt amerikan, dhe nuk e njeh atë, por përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira me njerëzit e kësaj Republike. Izraeli, sipas mendimit të tij, nuk mund të kërkojë që vendet e tjera të mos e njohin Palestinën ndërsa vet ta njeh Kosovën. Por pritjet në Prishtinë janë më ndryshe. Këtë javë, ish zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, gruaja e dytë më e rëndësishme në Kosovë, kryenegociatore në negociatat me Serbinë dhe Bashkimin Evropian po viziton Izraelin. Ajo është këtu në një vizitë private.
E morëm atë në një intervistë për marrëdhëniet midis Izraelit dhe Kosovës dhe në fillim ajo tha:Edita Tahiri: Shpresoj që herën tjetër kur të vijë në Izrael, do të jetë një vizitë zyrtare lidhur me njohjen e shtetit tonë nga Izraeli, tha ministrja e Kosovës. Unë besoj se Izraeli është një vend perëndimor dhe kemi një aleat të përbashkët – Shtetet e Bashkuara, që është një mbështetës kryesor i lëvizjes sonë për pavarësi dhe një mbështetës kryesor i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Aleancën Veri- Atlantike.
Shqetësimi i Izraelit është të legjitimojë njohjen e Palestinës, a e kuptoni vështirësinë izraelite?
Edita Tahiri: Nuk ka nevojë të druhet nga një precedent i tillë, sepse Kosova si shtet është produkt i shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Nga shpërbërja e saj u lindën shtatë vende, përfshirë Kosovën. Ky nuk është rasti me Izraelin. Ka sfida të brendshme, por nuk ka ngjashmëri dhe nuk ka precedent. Pavarësia e Kosovës u shpallë në koordinim me mbështetësit tanë ndërkombëtarë në vendet perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe NATO. E kuptoj shqetësimin e brendshëm, por nuk shoh asnjë bazë për të mos njohur Kosovën.
Ju duhet të thoni që Izraeli nuk është i vetmi vend që nuk e njeh Kosovën. Ka një problem këtu dhe gjithashtu një shqetësim për pakicën serbe në Kosovë.
Edita Tahiri: Pavarësia e Kosovës është shqyrtuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe ajo ka përcaktuar që pavarësia e Kosovës është e ligjshme dhe është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, prandaj Kosova është një rast unik dhe ndryshe nga shembujt e tjerë që i përmendët ju. Kosova është territor shqiptar, shqiptarët janë një komb i ndarë në fillim të shekullit të 20-të, gjysma e territoreve shqiptare iu dhanë vendeve të tjera. Pas Luftës së Ftohtë, mundësia e vetëvendosjes për shtetet u hap dhe prandaj pavarësia jonë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Izraeli duhet ta marrë këtë parasysh.
Nga problemet është se ka një ndjenjë të përgjithshme që nuk e dëshironi aspak pavarësinë, por të bashkoni vizionin e Shqipërisë së Madhe. Ju jeni shqiptarë.
Edita Tahiri: Ne jemi i njëjti komb. Tragjikisht na ndan në fillim të shekullit të 20-të. Jemi dy shtete dhe ne besojmë se zgjidhja për problemin e ndarjes është integrimi evropian i dyja shteteve. Shqiptarët nuk janë të vetmit të ndarë në rajon, janë kroatët dhe serbët të ndarë gjithashtu. Pra, rruga është të jetosh në një situatë ku kufijtë kanë më pak rëndësi dhe liria e lëvizjes garantohet, që u mundëson integrimi i shteteve tona në Bashkimin Evropian. Të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë u drejtuan kah perëndimi dhe mposhtën ndikimin rus. Ne i përkasim bashkësisë euroatlantike. E gjithë kjo duhet të merret parasysh që qeveria izraelite të rishqyrtojë çështjen e njohjes së Kosovës.
Cili është hapi tjetër për ju? Kyçja në BE?
Është vetëm një qëllim. Qëllimi i dytë është integrimi në NATO. Por kryesorja është të krijojmë mundësinë që shtetet e reja të jetojnë krah për krah me njëri tjetrin duke njohur njëri tjetrin në një kuadër gjithëpërfshirës të paqes dhe stabilitetit.
by dgreca
Pas dy orësh negociata në selinë e Presidencës, dy liderët kryesor politikë në vend nuk kanë gjetur ende dakordësinë për zgjidhjen e krizëz politike.Kryeministri Rama tha për gazetarët se palët gjendeshin në të njëjtin pozicion që ishin dje. Rama tha se kishte vendosur në tryeze postin e zv/ kryeministrit dhe zvministrave. Ndërsa Basha e quajti mos ofertë për zgjidhje. Rama: Jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë dje. Oferta që unë i kam bërë PD-së nëpërmjet kryetarit të saj është ajo e ditura, për të ndërtuar një mekanizëm monitorimi të zgjedhjeve.Për sa i përket kërkesës këmbëngulëse të PD-së për numërim dhe votim elektronik, kam propozuar që një ministër i Partisë Demokratike të bëhet pjesë e qeverisë për të përgatitur një projekt të besueshëm. Nëse certifikohen si të besueshme, atëherë t’i zbatojmë në zgjedhjet e ardhshme.Për sa i përket datës së zgjedhjeve, data e zgjedhjeve është më 18. Jemi në limitet e fundit të kohës. Përpjekja për të bërë gjithçka që na takon si qeveri për të garantuar PD-në për aq sa na takojnë rregullat e lojës, nuk kanë shteruar. Dua ta përsëris se një ofertë tjetër nuk e kemi dhe nuk do ta kemi.
Basha: Qeveri teknike dhe shtyrje e zgjedhjeve. Negociatat vazhdojnë/
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se propozimet e Kryeministrit Rama për daljen nga kriza, janë propozime teknike dhe jo politike, siç është kërkesa e opozitës.
“Propozimet e ofruara nuk ofrojnë zgjidhje politike. Ajo që është ofruar sot, është një proces monitorimi teknik dhe jo një zgjidhje politike, siç kërkohet dhe lipset. Vendi ka nevojë për zgjidhje politike. Zgjidhja e ofruar nuk është zgjidhje politike”, tha Basha.Kreu i PD tha se janë dy kollona ku bazohet propozimi i opozitës. “Propozimi ynë ka qenë i qartë dhe me dy kollona. E para qeveria teknike me mandat për të zgjidhur dhe ndalur krimin e drogën. Kollona e dytë është eksplorimi i mundësisë që brenda gjashtë muajve të organizohet votimi dhe numërimi elektronik”, shtoi Basha.
Fjala e plotë:
Takimi sot ishte për fat të keq përsëritje. Rama erdhi pa asnjë ofertë, përvec mosofertës së djeshme që buron nga mungesa e vullnetit si rezultat i gjendjes së rendit dhe sigurisë për shkak të krimit, drogës dhe parave të tij, marshimit të administratës në funksion të PS. Mosrealizimi i dy problemeve si kërcënim për votën e shqiptarëve përbën mos premis për zgjedhje. Nëse nuk pranohet nga pala tjetër që kriminelët e veshur me pushtet vazhdojnë të mbajën pushtetin, kërcënimi që vjen nga droga dhe paratë e drogës që qytetarët të mos kërcënohen nga skalionet e baronëve të drogës, si mund të ketë zgjidhje.
Vendi ka nevojë për zgjidhje politike, këtë e thonë shqiptarët, unë, PD e opozita dhe tashmë e gjithë bota. E di që shqipëria në këto 4 vite ka akumuluar një problem të tmerrshëm të kriminelëve në zyrta e shtetit, kryebashkiakë etj. Bota e njeh problemin e shqipërisë të kthyer në kolumbi në zemër të Europës nga vetë pushteti që e përdor drogën si instrument politik dhe pasurimi. Zgjidhja sipas Ramës e ofruar nuk është politike. Monitorimi është detyrë e institucioneve dhe nuk kufizohet. Përdorimi i administratës nuk pranohet sic ka bërë Rama. Pa njohjen e këtyre dy problemeve për demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme nga krimi e droga, s’mund të ketë asnjë premisë për të gjetur zgjidhje. Vullneti politik i PD dhe opozitës ska munguar në asnjë cast. Vullneti i palës tjetër vihet në fyshim dhe asgjësohet kur ajo nuk pranon përgjegjësi për krizën e vendit tonë kur nuk pranon as prolemet kryesore që e sollën shqipërinë në këtë pikë. Ndaj gjykoj se e vetmja rrugë përpara është realizimi nga pala kundërshtare me një sens realiteti, në radhë të parë të krizës dhe faktorëve të saj, që sjellin problemet krysore, varfëria papunësia shërbimi shëndetësor në kolaps sistemi arsimor në kushte të pafavorshme ëpr fëmijët e studentët ekonomia në ngërc total….të gjitha këto janë product i një shteti të kapur nga krimi e droga. Me paratë e tyre synohet kapja e zgjedhjeve. Realizimi i këtyre të vërtetave, mund të vijë vetëm përmes dy rrugëve. Nëse pala tjetër ndal fshehjen pas gishtit e pranimin e përgjegjësive, për të dalë bashkë kundër krimit e drogës dhe ky realizim do vijë herët a vonë. Shpresoj herët por në çdo rast duke u përballur me vullnetin e një populli, nuk është i gatshëm të pranojë vjedhjen e fundit…do jetë i gjithi në këmbë për të pamundësuar vjedhjen e votës së lirë.
Kemi qënë në proces negociatash. Ajo që u ofrua sot është një proces monitorimi dhe jo zgjidhje politike, që lipset nga momenti dhe shqiptarët.
Propozimi ynë: Qeveri teknike me mandate për të zgjidhur dhe për të ndalur influencën e krimit e drogës në zgjedhjte e ardhshme. Eksplorimi i mundësisë që brenda 6 muajve të realizohet votimi dhe numërimi elektronik për të cilat ka munguar vullneti politik.
Propozimet e ofruara që më ishin bërë të ditura nga kanalet afër Ramës, të lobuara prej tij, nuk ofrojnë zgjidhje politike. 4 ministrat teknikë në kushtet kur Rama ka okupuar si manovra politike partitë opozitare, nuk ofron asnjë garanci. Zgjidhja politike vjen përmes vullnetit politik.
Kam paraqitur dy shtylla, skemi marrë asnjë prgj. Sdo zbuloj pozitat tona negociatore, jam i gatshëm që cfarëdo PD ta ofrojmë, të jetë në funksion të zgjidhjes për qytetarët por atyre smund tu japim alibinë se mund të votojnë të lirë kur kjo sdo ndodhë.
Nëse do kishte marrëveshje, nisur nga ajo brenda 3 javëve eksplorojmë nëse votimin dhe numërimin elektronik mund ta realizonim brenda 6 muajve. Kjo ofron garanci për një numër problemesh si tjetërsimi i kartave të identitetit, ato false, votimi i shumëfishtë dhe presioni i 40 mijë militantëve për tjetërsimit të votës në proesin e numërimit.
Jemi në proces negociatash. S’dua t’i paraprij që s’do na çojnë askund. Rama mbetet te propozimi i djeshëm dhe ky është shkaku se bisedimet e sotme ngelën.
Dialogu mënyra jonë e preferuar për zgjidhjen e krizës, sepse besojmë se zgjidhja e kësaj krize të rëndë me kosto për qytetarët duhet të vijë me një faturë sado të vogël. T’u japim qytetarëve një republikë të qytetarëve.
by dgreca
Nga Frank Shkreli/
Antarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior NATO, me të drejtë konsiderohet si arrijtja më e madhe e Shqipërisë në këtë çerek shekulli, në përpjekjet dhe hapat e sajë të mundimshëm për t’u bërë pjesë e integrimeve euro-atlantike. Në të vërtetë, në një shkrim muajin që kaloi, me rastin e 8-vjetorit, e kisha cilësuar antarësimin e Shqipërisë në NATO, si një pikë të shkëlqyer të historisë post-komuniste të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Ndër të tjera, në atë shkrim kam cituar ish-presidentin Xhorxh Bush i cili ka thënë me rastin e pranimit zyrtar të Shqipërisë në NATO, prillin e vitit 2009. “Ne po forcojmë partneritetin e Amerikës me kombet që dikur kanë qenë nën këthetrat e komunizmit”. Ish-Presidenti Bush, pat deklaruar gjithashtu gjatë nënshkrimit të protokollit në Shtëpinë e Bardhë, se menjëherë pasi Shqipëria të bëhej zyrtarisht anëtare e NATO-s (gjë që ndodhi korrikun e vitit 2009), të jetë e sigurt se nëqoftse ndonjë shtet kërcënon sigurinë e saj, çdo anëtar i aleancës tonë do të jetë pranë saj, për t’a mbështetur. Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Jaap de Hoop Scheffer e pat cilësuar me atë rast, antarësimin e Shqipërisë në aleancën perndimore si, “Një përfitim për NATO-n, si një masë që do të forcojë përpjekjet e përbashkëta në ruajtjen dhe promovimin e sigurinë dhe të stabilitetit”, të vendeve anëtare dhe Evropës.
Gjëndja aktuale politike në Shqipëri sot është ajo që është dhe do të ishte e tepërt të komentohet më, pasi sipas deklaratave të vetë zyrtarëve të opozitës dhe pozitës, si dhe analistëve në vend – nga mosmarrveshjet politike midis dy partive kryesore të vendit – Shqipëria është bërë turpi i Evropës dhe i NATO-s, si vend anëtar i së cilës është Shqipëria. Duket se kjo klasë politike po e çon vendin drejtë një kërcënimi të sigurisë së vendit. Jo se kjo situatë po shkaktohet nga ndonjë fuqi e jashtme, por nga vet forcat e mbrendshme, të cilat në rend të parë janë përgjegjëse për sigurinë e vendit dhe për mirëqenjën e të gjithë shqiptarëve.
Konfliktet politike në Shqipëri dhe mungesa e vullnetit politik midis palëve për t’i zgjidhur ato, kanë tërhequr jo vetëm vëmendjen e politkanëve evropianë — të cilët dështuan kohët e fundit dështuan në ndërmjetësimin e tyre midis palëve shqiptare — por edhe të organizatës NATO, e cila nepërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Z. Stoltenberg shprehu shqetësimin në lidhje me gjëndjen e krijuar në Shqipëri. Të mërkurën, duke folur para Komisionit të Punëve të Jashtme dhe nën-Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje të Parlamentit Evropian, Z. Stoltenberg citohet në media të ketë thënë se Aleanca e Atlantikut Verior po i ndjekë me kujdes zhvillimet në Shqipëri dhe se do të dëshironte që problemet politike midis partive politike dhe udhëheqsëve të tyre në Shqipëri të zgjidhen midis tyre, dhe në institucionet e vendit. “Kjo do të thotë se dëshirojmë që atje të zgjidhen problemet politike dhe të përfundojë bojkoti në Parlament” citohet të jetë shprehur Z. Stoltenberg në Parlamentin Evropian, “pasi Shqipëria është aleate e NATO-s, të cilën e çmojmë veçanërisht”, ka thënë ai.
Fatkeqsisht, duket se institucionet më të larta euro-atlantike dhe miqët e Shqipërisë po humbasin durimin dhe shpresat se Shqipëria, si anëtare e NATO-s, në vend që të prodhojë siguri e stabilitet të mbrendshëm dhe të jashtëm, nëqoftse vazhdohet kështu dhe nëqoftse nuk arrihet ndonjë marrëveshje e shpejt politike midis palëve, ajo është në rrugën e de-stabilitetit të saj politik. Shqipëria qe pranuar në NATO me besimin se ajo do të ishte stabile, sidomos të kishte stabilitet politik, një kusht ky për të gjitha vendet anëtare dhe për ato që aspirojnë të bëhen anëtare të NATO-s. Duket se antarësimi i Shqipërisë në NATO qe pranuar më shumë duke shpresuar në vullnetin e mirë të politikanëve shqiptarë për ndryshime politike në Shqipëri se sa në realitetin politik të vendit, 8-vjetë më parë. Është fatkqesi që edhe sot pas 8-vjetë antarësimi në NATO, Shqipëria gjithnjë përballet me mos-vullnetin politik nga pozita dhe opozita, për të zgjidhur sfidat serioze me të cilat përballet vendi, përfshirë korrupcionin, reformat politike, institucionale, elektorale dhe juridike. Shtoju këtyre problemeve gjëndjen aktuale politike, mos tolerancën ndaj njëri tjetrit dhe mos vullnetin për dialog serioz politik– si rezultat pastaj ke para vetes krijimin e mundshëm të një situate të tmershme me pasoja të pa parashikueshme. Sjellje të tilla nga kjo klasë politike nuk i kanë hije një vendi anëtar të NATO-s, e për më tepër nuk u kanë hije shqiptarëve!
Për më tepër është një gjëndje e rrezikshme që Zot ruajna, po të dalë jashtë dore, pret që të përdoret nga infleunca dhe forca të huaja anti-perëndimore, për objektivat e tyre qëllim këqia për rajonin, dhe për nga natyra historike, edhe anti-shqiptare. Mezi presin që forcat e mbrendshme politike shqiptare t’ua përgatisin terrenin për veprim! Të mërkurën u takuan në Soçi të Rusisë, Presidenti rus Putin dhe Presidenti turk, Erdogan. Z. Erdogan u shpreh për takimin e tij me udhëheqsin rus se të dy palët, “Kanë një rast të mirë për të biseduar mbi çështjet bilaterale dhe ato rajonale.” Kemi një punë serioze mbi supet tona”, u shpreh udhpëheqsi turk, duke shtuar se kemi “Një përgjegjësi tepër të madhe. Jam i sigurt se masat që do të marrim së bashku (me Putinin) do të ndryshojnë fatin e mbarë rajonit”, u shpreh Presidenti Erdogan. Ndërsa Presidenti rus, Putin u shpreh se marrëdhëniet ruso-turke po marrin një “status të veçant”. “Është shumë mirë që kemi këtë takim zyrtar për të biseduar çështjet kryesore në marrëdhëniet tona dhe për të diskutuar çështjet ndërkombëtare. “Vet fakti se ne po bashkpunojmë, tregon se marrëdhënjet ruso-turke po marrin një karakter të veçant…”, është shprehut udhëheqsi rus për takimin e tij me Presidentin turk. Mbetet për tu parë nëse këto deklarata ishin kërcënime a po premtime. Ndërkaq, media ruse ka brohoritur takimet e fundit midis Presidentit Putin dhe Presidentit Erdogan, si shënja serioze se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë janë duke u përshkuar nga ndryshime që cilësohen si sizmike, e që mund të ndodhin vetëm në një gjeneratë.
Lëvizjeve putinisto-erdoganiste në fushën ndërkombëtare dhe sidomos në politikën rajonale të Ballkanit Perëndimor duhet tu kushtohet vëmëndje e posaçme dhe të mos u jepet mundësi veprimi në ujërat e turbullta të Ballkanit. Shqetësimi ndaj influencës së këtyre dy autokratëve në punët e Ballkanit është shprehur nga nivelet më të larta të botës perëndimore. Edhe vërejtja e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Stoltenberg për gjëndjen aktuale në Shqipëri duhet të merret gjithashtu seriozisht dhe në këtë kontekst.
Është e vështirë të merret me mend që një udhëheqës i NATO-s të shpreh shqetësim mbi konfliktet e mbrendshme politike të një vendi anëtar, pasi NATO ekziston për të mbrojtur vendet anëtare nga ndonjë sulm i jashtëm e jo nga trazirat e mbrendshme që mund të shkaktohen nga vet klasa politike, e cila si përgjegjësi të parë të sajën ka ruajtjen e stabilitetit të vendit, mbrojtjen e atdheut dhe sigurinë e popullit të vet. NATO si organizatë shumëkombshe angazhohet për zgjidhjen paqësore të mosmarrveshjeve dhe konflikteve në radhët e saj por rri larg konflikteve të mbrendshme të vendeve anëtare. Është e nevojshme që klasa e sotëme politike e Shqipërisë, si anëtare me të drejta dhe përgjegjësi të plota në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO – t’a pyes veten nëse në marrëdhëniet midis tyre, si individë dhe si parti, po sillen ashtu siç meriton kjo organizatë dhe ashtu siç u ka hije shqiptarëve? Qeveria shqiptare duhet ta pyes veten gjithashtu, a janë sjelljet e politikës shqiptare standarde të NATO-s, anëtare e të cilës është Shqipëria dhe a janë këto standard që të çojnë drejtë të integrimeve në organizmat tjera euro-atlantike, siç është Bashkimi Evropian, pjesëtare e të cilit shpreson të bëhet Shqipëria?
Në mungesë të një zgjidhjeje të shpejtë politike midis pozitës dhe opozitës shqiptare në Tiranë, mendoj se kështu nuk mund të shkohet më dhe besoj se është përgjegjësi e Presidentit në detyrë dhe Presidentit të posa zgjedhur të vendit të ndërhyjnë, së bashku dhe urgjentisht, me palët për t’i dhënë fund këtij cirku të rrezikshëm politik, për të shpëtuar vendin nga ndonjë e papritur. Parë nga kjo anë e Atlantikut, me zgjatjen e gjëndjes aktuale, po kalon koha për mënjanimin e një krize të pareparueshme në institucionet politike të vendit!
by dgreca
-këtë vit prezanton 18 filma në Nju Jork/


Nga: Ermira Babamusta, New York/Çdo vit, festivali i filmit shqiptar në Nju Jork, “Java e Filmit Shqiptar” (Albanian Film Week -AFW) rrit nivelin kulturor të Nju Jorkut, një qytet i pasuruar në art dhe kulturë. Programet argëtuese dhe promovuese të festivalit paraqesin para publikut amerikan dhe atij shqiptar projektet më të rejat filmike të regjizorëve, producentëve, dhe aktorëve shqiptar. Falë punës së palodhur të organizatores dhe drejtoreshës të festivalit Mrika Krasniqi, krijimtaria artistike shqiptare po tërheq vëmendje dhe po vlerësohet edhe në Amerikë.
Java e Filmit Shqipar në Nju Jork (Albanian Film Week) është ideuar dhe themeluar nga producentja dhe regjizorja Mrika Krasniqi. Edicioni i festivalit të filmit u mbajt për herë të parë në 5-11 nëntor 2012, ku u shfaqën 100 filma të kinematografisë shqiptare për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë të shtetit shqiptar.
Këtë vit do jenë 20 artistë shqiptarë nga trojet shqiptare që do jenë të pranishëm në festivalin e filmit në Nju Jork, i cili zhvillohet me datat 26-29 maj 2017 në Manhattan. Juria e festivalit përbëhet nga pesë anëtarë: Fatrin Krajka, kompozitor dhe pianist klasik; Jamal Hodge, regjizor, shkrimtar dhe producent; Amina Zhaman, regjizore, skenariste, këngëtare; Lulzim Guhelli, aktor, drejtor dhe scenarist; dhe Diar Xani, aktor, regjizor dhe producent. Moderatori i programit të edicionit të 6-të të AFW është aktori i mirënjohur, Enkelejd Mezini.
Në garën konkuruese të festivalit janë pranuar 18 filma, nga 46 që janë dërguar. Midis tyre, 3 filma janë me metrazh të gjatë, 3 dokumentarë, edhe 12 filma me metrazh të shkurtër, të zhanreve të ndryshme. Filmat me metrazh të gjatë janë: Hije (regj. Jotti Ejli), Home Sweet Home (regj. Faton Bajraktari) dhe Eho (regj. Dren Zherka).
26 Maj 2017: Nata e Parë e Festivalit – Tapeti i Kuq dhe Filmat
Programi i Edicionit të 6-të të Javës së Filmit Shqiptar në Nju Jork fillon me datën 26 maj 2017, me natën e Tapetit të Kuq në orën 7:00 që do mbahet në teatrin prestigjioz SVA Theatre, në Manhattan.
Ceremonia e hapjes fillon në orën 8:00, ku më pas do shfaqet filmi me metrazh të gjatë i regjizorit Jotti Ejlli, me titull “Hije”. Disa nga aktorët kryesorë të filmit janë: Alfred Trebicka, Genti Kame, Antonio Kowdrin dhe Egla Ceno. Pas shfaqjes së filmit është seanca pyetje përgjigje Q&A.
Filmi “Hije” tregon për ngjarjen e vrasjeve të disa personave që ka tronditur një qytet të vogël, ku një grup me të shkuar kriminale është eliminuar brenda natës. Një prokuror heton mbi çështjen duke pyetur të vetmen dëshmitare që është pjesë e ngjarjeve, Gjithçka duket sikur ka ndodhur për motive të dobëta xhelozie. Por e vërteta që kurrë nuk do kuptohet, është komplet e kundërt.
27 Maj 2017: Nata e Dytë e Festivalit – Debati dhe Filmat
Nata e dytë e Festivalit (27 maj) hapet me Debatin që ka për fokus dhe temë rëndësinë e post-produksionit. Debati do udhëhiqet nga juria e festivalit dhe do mbahet në Times Square në “Paul’s” në orën 12:30. Po me 27 maj 2017 do shfaqen 6 filma tek Producers Club Theatre, të pronarëve të njohur shqiptar Alfred the Ernest Tollja në Times Square.
Në orën 4:00 programi hapet me dokumentarin e Mathieu Jouffre me titull “Drums of Resistance” (Daullet e Rezistencës). Dokumentari flet për rënien e regjimit jugosllav në fillim të viteve 90-të, ndërkohë kur regjimi serb ndalon shqiptarët e Kosovës të jenë pjesë e jetës publike, duke përfshirë shkarkim nga puna, mbyllje të shkollave dhe universiteteve dhe mbyllja e mediave.
Programi vijon me filmin dramë me metrazh të shkurtër “Brava” (The Lock) me regji nga Bujar Alimani dhe Erand Sojli, i cili do shfaqet në orën 6:00. Filmi me skenar nga Erand Sojli është frymëzuar nga ngjarjet e fluksit të madh të refugjatëve sirian për në Europë. Personazhet kryesore luhen nga Rina Narazani, Erand Sojli, Flonja Kodheli dhe Greta Sojli.
Regjizori dhe skenaristi Ibër Deari mer pjesë me filmin “A Long Way Home” (Një rrugë e gjatë për në shtëpi). Filmi bën fjalë për një djalë me emrin Olti, i cili pasi lirohet nga burgu, i ndalohet të futet në fshatin e tij. Ai mbetet mes dilemës, rrezikut për familjen e tij ose të ik larg që të filloj një jetë të re. Në këtë film luajnë aktorët: Mirsad Abazi, Sefedin Shabani dhe Musa Isufi.
Regjizorja, dhe skenaristja Luli Bitri, merr pjesë me filmin me metrazh të shkurtër “Water for the Roses” (Ujë për trëndafilat), që flet për jetën e një familje të brishtë, e cila përpiqet të mbijetojë nga dhuna në vend nga ngjarjet e 1997-tës. Aktorët kryesore të filmit janë: Amelia Ndoni dhe Gora Bardho.
Festivali prezanton gjithashtu filmin “Shpirtra të humbur” (Lost Souls) me regji nga Xhustin Kristian. Filmi flet për dy personazhe Gabrielin dhe Orelia, takimi midis tyre ndikon në gjëndjen e tyre shpirtërore. Në këtë film luajnë aktorët: Xhustin Kristian, Sindi Cela dhe Enkel Gurakuqi. Pas shfaqjes së filmit është seanca Q&A.
Nata e dytë e festivalit mbyllet me shfaqjen e filmit “Home Sweet Home” të regjizorit Faton Bajraktari. Filmi kosovar me metrazh të gjatë, me regji nga Zymber Kelmendi, flet për jetën e Agronit, i cili për disa vite ka qenë i zhdukur i luftës. Në këtë film luajnë aktorët: Donat Qosja, Arta Muçaj, Shkumbin Istrefi, Mona Mustafa, Lea Qosja, Albin Bajraktari. Pas shfaqjes së filmit është seanca pyetje përgjigje Q&A.
28 Maj 2017: Nata e Tretë e Festivalit – Filmat dhe Seancat Q&A
Me 28 mars 2017, festivali vazhdon programin natën e tretë të festivalit “Java e Filmit Shqiptar” me shfaqjen e 7 filmave shqiptarë. Programi hapet në orën 5:00 me shfaqjen e dokumentarit “Beyond the Gates” (Përtej Portave) të regjizorit dhe skenaristit Besim Ugzmajli. Filmi bën fjalë për jetën e e re të tre personave pas lirimit të tyre nga burgu.
Në orën 6:00 shfaqet filmi me metrazh të shkurtër “The Last Journey” (Udhëtimi i Fundit) me regji nga Elis Gjoni, shkruar nga Shtatë 7, dhe producent Erlin Rudho. Aktorët kryesor të filmit janë: Ndrec Mustafa dhe Ergest Musabelliu që luajnë rolin e gjyshit dhe nipit.
Më pas do shfaqet filmi dramë me metrazh të shkurtër “Ana” e regizores Ajola Daja. Filmi Ana flet për një mësuese 28 vjeçe e cila jep lëndën e letërsisë në një shkollë të mesme në Tiranë. Ajo bashkëjeton prej vitesh me Benin 32 vjeç, një biznesmen i suksesshëm. Mirëpo, në anën tjetër Ana ka një lidhje dashurie me Ergin 17 vjeç, nxënësin e saj. Në rolet kryesore janë aktorët: Ina Gjonci, Enkel Gurakuqi dhe Igli Zarka.
Drama komedi me metrazh të shkurtër “Meeting” (Takimi) me regji dhe skenar nga Durim Kryeziu, flet për karakterin e Bush-it, i cili ka një takim për investime për institucionin e tij kulturor që ai drejton. Ai ka përgatitur kontratën, fjalimin dhe është gati për takimin, por i mungon diçka. Në këtë film luajnë aktorët: Hysen Binakun, Miradije Muriqi, Ramadan Kurti.
Programi vjon me shfaqjen e dramës me metrazh të shkurtër “Përralla” me regjizor Sabidin Ali. Filmi tregon historine e dhimbshme të dashurisë midis Agronit dhe Lenës, të cilën gjyshi Beni ia tregon mbesës së tij, Rona. Në këtë film luajnë aktorët: Sefedin Nuredini, Merita Cocoli, Arsim Kaleci, Shpetim Beadini, Aurela Shabani, Naime Azi dhe Elmedina Ameti.
Filmi me metrazh të shkurtër “Në pritje të fatit” me regji nga Kastriot Avdyli, flet për jetën e një të riu, i cili martohet me një të huaj për letra me dëshirë për tu integruar në perëndim. Në këtë film luajnë aktorët: Liridona Shehu, Ismail Kasumi, Hamdi Rashiti dhe Bekim Ismani. Pas shfaqjes së filmit është seanca pyetje përgjigje Q&A.
Progami i natë së tretë mbyllet me filmin me metrazh të gjatë “Eho” me regji dhe skenar nga Dren Zherka, i cili do shfaqet në orën 8:00. Në rolet kryesore janë aktorët Klara Hofels dhe Selman Jusufi. Film “Eho” flet për humbjen, vetminë, dhe për një lidhje të pashprehur që i bashkon dy prindërit në moshë, larg nga njëri-tjetri, përmes një aksidenti fatal. Një grua në Gjermani fillon udhëtimin dhe eksplorimin e jetës së emigrantit ilegal, dhe në vend të kësaj gjen dhimbjen dhe vetminë e saj; një njeri të moshuar në Kosovë që humbja dhe vetmia e kanë sjell në fund të udhëtimit të tij
29 Maj 2017: Nata e Katërt e Festivalit – Filmat dhe Ndarja e Çmimeve
Te teatri PC Theatre me 29 maj, ora 5:00, program fillon me shfaqjen e dokumentarit “City of Walls” (Qyteti i mureve) me regji nga Eneos Çarka. Dokumtari tregon për grafitin dhe artin në mur në qytetin e Tiranës, që reflekton konfliktin që egziston midis kulturës, politikës dhe shoqërisë. Në këtë dokumentar marrin pjesë: Stivi Imami, Franko Dine, Sidrit Tarifa, Çeta, Shook Ones.
Në orën 6:00 do shfaqet filmi dramë me metrazh të shkurtër “Toka” me regji dhe skenar nga Ibrahim Deari, producent Arben Fejzullau. Filmi paraqet konflikt mentalitetesh ndërmjet dy vëllezërve, njeri i cili jeton në fshat dhe tjetri i cili kthehet nga jashtë për t`ia shitur tokën. Për vëllanë e madh, toka është vlera më e madhe që ia ka lënë babai para se të vdes, kurse për vëllanë e vogël i cili pas tetë vjetësh kthehet në shtëpi, toka është vetëm një pjesë tjetër e tokave e cila nuk ka vlerë. Konflikti në mes dy vëllezërve njeri që jep besën që do të vdes për ta ruajtur tokën, kurse tjetri i cili ka ardhur për një qëllim, për ta shitur atë. Në këtë film luajnë aktorët: Adem Karaga, Afrim Mucaj, Amernis Nokshiqi, Sefedin Nuredini, Sefedin Shabani, Vebi Qerimi and Muzbajdin Qamili.
Programi vijon me filmin me metrazh të shkurtër “Beneath the Surface” (Nën sipërfaqe) me regji dhe skenar nga Dhimitër Ismailaj-Valona. Filmi tregon për historinë se si një baba dhe bir me etnicitet arab, duke pritur për trenin për t’u kthyer në shtëpi, ballafaqohen me katër gansterë. Në këtë film luajnë aktorët: Danny Boushebel, Khalid Alzouma, Raleigh Dean, Elza Zagreda, Jason John Beebe, Rick Lewis dhe Christopher Dickerson.
Më pas do shfaqet filmi “My Hero” (Heroi im) me regji nga Arbër Krasniqi, xhiruar në Kosovë dhe në Shqipëri. Filmi ka për qëllim projektimin e drejtë të luftës së të UÇK-së, duke u nisur nga prezantimi i vlerave universale njerëzore që fitojnë edhe në rrethana lufte. Pas një aksioni të ndërmarrë, Genci, një ushtar i UÇK-së, nuk arrin të kthehet në transhe. Pas pritjeve të gjata, Lumi, komandant i njësitit, vendos të futet i vetëm në aksion për ta nxjerrë Gencin e plagosur, nga pika e zjarrit. Gjatë këtij aksioni, në tërheqje e sipër, Lumi plagoset rënd dhe ndërron jetë pasi kthehen në transhe. Genci shpëton. Më pas zhvillohet drama e atij që ka mbijetuar luftën. Në këtë film luajnë aktorët: Labinot Lajci, Avni Dalipi, Fron Zehri, Çerkin Krasniqi. Pas shfaqjes së filmit është seanca pyetje përgjigje Q&A.
Në orën 8:30 me datën 29 maj 2017 do mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve. Këtë edicion do ndahen 6 çmime: Filmi më i mirë i metrazhit të gjatë; Filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër; Dokumentari më i mirë; Aktori më i mirë; Aktorja më e mirë; dhe Çmimi i Produksionit (www.albanianfilmweek.net).