• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2017

Basha mbledhje urgjente me grupin parlamentar

May 2, 2017 by dgreca

1 Basha grup ParlamentPas më shumë se dy muaj nga vendimi për të radikalizuar protestën me hyrjen në çadër, kreu demokrat Lulzim Basha ka thirrur këtë të martë në selinë e partisë mbledhjen e grupit parlamentar.

Mbledhja është thirrur në orën 18:30 dhe zërat brenda PD-së bëjnë me dije që ajo të ketë lidhje me kritikat që një ditë më parë adresuan për lidershipin deputetët Bregu, Topalli dhe Selami.

Tre deputetët i kërkuan një ditë më parë kryetarit të PD-së të mbledhë urgjent forumet drejtuese të partisë për të diskutuar vendimmarrjen e bërë publike për të mos hyrë në zgjedhje, një vendimmarrje që nuk është diskutuar në asnjë nga forumet drejtuese.

Një muaj më parë kryetari i PD-së e thiri mbledhjen e grupit në praninë edhe të Kryesisë së partisë si dhe të krerëve të Departamenteve në selinë blu.

Mbledhja pritet të ketë në thelb të diskutimit situatën politike dhe vendimin për të mos u bërë pjesë e zgjedhjeve, vendim që do të shoqërohet me debate brenda grupit.

Filed Under: Politike Tagged With: Basha, Mbledh deputetet

Brian Yee: Shumicës parlamentare duhet t’i jepet shansi për formim të qeverisë

May 2, 2017 by dgreca

1 Brien YEeTalat Xhaferi deklaron se do të jetë kryeparlamentar i të gjithëve/

Nga Fatos Musliu/

Zëvendës ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, pas takimeve me partitë politike parlamentare dhe presidentin Gjorge Ivanov, deklaroi se SHBA-ja nuk sheh ndonjë arsye që shumica e re parlamentare të mos marrë një shans për formimin e qeverisë. Të mundësohet krijimi i qeverisë së re me program të ri qeveritar që të nisin reformat. Ky është qëndrimi që ndajnë SHBA-ja, BE-ja, NATO dhe Berlini, porositi diplomati amerikan.

“Besoj se është shumë me rëndësi për liderët politikë që të gjejnë zgjidhje për krizën poltiike. Të gjejnë mënyrën që të lejojnë që shumica parlamentare të formojë qeverinë dhe program qeveritar. E dimë se ka shqetësime rreth programit qeveritar, por për atë duhet të debatohet dhe të votohet në Parlament, jo jashtë. Zgjidhja e vetme e krizës është formimi i qeverisë. Nuk shohim arsye që shumica parlamentare të mos fitojë shans për formimin e qeverisë. Vendi duhet të rimëkëmbet për të mirën e të gjithëve. Është koha që kriza të mbarojë.” – tha Hoyt Brian Yee.

Së bashku në shpirtin e bashkëpunimit

Është e nevojshme që liderët politikë, shoqëria civile dhe qytetarët të punojnë së bashku në shpirtin e bashkëpunimit me qëllim që të shërohen plagët, jo vetëm ato që dolën nga ngjarjet e së enjtes në Parlament, por edhe ato të mospajtimeve politike që zgjatin më gjatë. Ndihmëssekretari shtetëror i SHBA-ve Hoyt Brian Yee është shprehur se SHBA-ja mbështet kryeparlamentarin e ri Talat Xhaferi në detyrën e re. “Ne do të bashkëpunojmë me Xhaferin. Atij duhet t’i jepet mbështetje që të tregojë lidership”, është shprehur Yee.

Gorge Ivanov und Hoyt Brian Yee 27.01.2014 in Skopje (MIA)

Ivanov: Vetëm përmes dialogut zgjidhjet janë të mundëshme

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov në takimin me Hoyt Brian Yee dënoi çdo dhunë politike dhe fizike dhe njëherit ka theksuar  se vetëm përmes dialogut duhet të kërkohen zgjidhje për gjendjen e sapokrijuar politike. Presidentit Ivanov nënvizon se nëse ekziston lidership i vërtetë prej kryetarëve të partive parlamentare, pengesat juridike dhe politike për përcaktimin e mandatit për konstituimin e qeverisë janë të tejkalueshme.Presidenti i Maqedonisë ka kërkuar nga SHBA-ja, si partner strategjik i Maqedonisë, të ndihmojë që pengesat të mënjanohen dhe të mundësohet që shumica parlamentare të marrë mandatin. “Precedentët  që vendosin një praktikë të re duke bërë legale ilegalen, minojnë parimet themelore të demokracisë”, theksoi presidenti Ivanov.

Xhaferi: Do të jem kryeparlamentar i të gjithëve

Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi pas takimit që pati me diplomatin amerikan, Hoyt Brian Yee, tha se e ka informuar atë mbi situatën aktuale në vend dhe se ka marrë mbështetje maksimale nga ai dhe SHBA-të si kryetar i ri i Parlamentit.

“Si kryetar i Parlamenit u zotova se do të marr angazhime gjithëpërfshirëse për t’iu kthyer punës në të gjitha institucionet e vendit. E sigurova diplomatin amerikan se do të jem kryetar i të gjithë deputetëve në Parlament, pa marrë parasysh nga cila forcë politike vijnë  dhe nëse me njohin apo jo si kryetar i ri i Parlamentit”, ka deklaruar Talat Xhaferi.

Zaev: Pas zgjedhjes së kryeparlamentarit do ta formojmë edhe qeverinë

Lideri i opozitës Zoran Zaev pas takimit me Brian Yee tha se qeveria e ardhëshme është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën e ardhshme në interes të proceseve reformuese. Zgjedhja e besueshme e kryeparlamentarit të ri nga radhët e shumicës paralmentare do të rezultojë me zgjedhjen e qeverisë së re të Maqedonisë, tha Zaev.

“Kryetari i ri i parlamentit është i zgjedhur sipas ligjit dhe është legjitim. Në përputhshmëri me rregulloren, ligjet dhe kushtetutën. Vazhdojmë të shtyjmë proceset para por këtë e bëjmë me mençuri dhe në periudhën e ardhëshme do të kemi një qasje për formimin e qeverisë së re reformuese”, tha Zaev.

Sipas kreut të LSDM-së presidenti Gjeroge Ivanov do të informohet nga kryetari i ri i parlamentit se ekziston shumicë demokratike parlamentare dhe do të kërkojë nga Ivanov të veprojë sipas detyrimeve kushtetuese për të dhënë mandatin për formimin e qeverisë. Me këtë do të shterren kërkesat e palogjikshme të Ivanovit, me të cilat ai po e kushtëzon dhënien e mandatit, deklaroi Zaev.

VMRO-DPMNE është i vetmi subjekt politik, i cili nuk është prononcuar pas takimit me diplomatin amerikan.

Filed Under: Politike Tagged With: Brian Yee: Shumica parlamentare, Fatos Musliu, formimi i qeverise

Talat Xhaferi pritet t’i dërgojë letër Ivanovit për mandatin qeveritar

May 2, 2017 by dgreca

Deputetë të VMRO-DPMNE-së bllokojnë zyrën e Talat Xhaferit/

Xhaferi Telat

Ne Foto:Kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi/Kryetari i ri i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, pritet që t`i dërgojë letër zyrtare presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov, me të cilën do të t’i kërkohet që t’i dorëzojë Zoran Zaevit mandatin për formimit e qeverisë së re.

Situata duket se është komplikuar pasi organet kuvendore akoma nuk janë vënë nën kontroll të kryetarittë parlamentit Xhaferi, po akoma janë në duart e kryesuesit të seancës konstituive, Trajko Veljanovski .

“Sot në Kuvend deputetët e shumicës parlamentare bashkë me Kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi janë duke kryer obligimet e tyre administrative të punës. Në mënyrë që Kuvendi të rivihet në funksion, z. Xhaferi, në atmosferë normale pune dha udhëzimet e nevojshme administrative“, ka shkruar në faqen e tij në facebook deputeti, Artan Grubi.

Gazetarët nuk kanë pasur qasje tek kabineti i kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, ndërkohë që deputeti i VMRO DPMNE-së Antonio Milloshovski në rrjetin e tij social facebook, ka publikuar një fotografi ku duket se si po qëndrojnë deputetët e kësaj partie në kabinetin e Trajko Veljanovskit.

Deputeti i VMRO-DPMNE, Antonio Miloshovski publikoi në facebook një fotografi te deputetëve të Partisë në zyrën e kryesuesit Veljanovski

Deputeti i VMRO-DPMNE, Antonio Miloshovski publikoi në facebook një fotografi te deputetëve të Partisë në zyrën e kryesuesit Veljanovski.

Ai ka shkruar se çdo deputet ka mandat dhe obligim që të respektojë rregulloren e punës së Parlamentit, ligjet dhe kushtetutën e Maqedonisë.

“Kundër dy deputetëve Ferit Muhiq dhe Goran Misovski, të cilët vepruan në kundërshtim me rregulloren e punës, nxitën dhunë politike, do të ngremë padi penale në organet përkatëse.

Maqedonisë tani nuk i duhet kryetar jo-legjitim i cili mund të shkaktojë dëme dhe pasoja të pariparueshme. Platforma e Tiranës nuk është më e rëndësishme se rregullorja e Kuvendit, ligjet dhe Kushtetuta ”, ka shkruar në rrjetin social deputeti i VMRO DPMNE-së Antonio Milloshovski

Nga ana tjetër VMRO DPMNE e cila drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski edhe sot përmes një komunikate me shkrim ka theksuar se zgjedhja e Talat Xhaferit është bërë në kundërshtim me rregulloren e punës së Parlamentit të Republikës së Maqedonisë.

Njohësit e çështjeve juridike për Radion Evropa e Lirë thonë se kryesuesi i seancës konstitutive duhet t`ia dorëzojë zyrën kryeparlamentarit të ri, Talat Xhaferit, në të kundërtën do të pasojnë padi penale ndaj tij për pengim në kryerjen e detyrës zyrtare.Kortezi: RFL- Zërijeta Hajro Jajaga/

***

Deputetë të VMRO-DPMNE-së bllokojnë zyrën e Talat Xhaferit/

Deputetë të partisë VMRO-DPMNE e kanë zënë zyrën e kryetarit të parlamentit dhe nuk ia lirojnë atë kreut të sapozgjedhur, Talat Xhaferi. VMRO-ja thotë se zoti Xhaferi nuk u zgjodh në mënyrë të ligjshme. Por, ndryshe mendojnë ekspertët ligjorë në Maqedoni. Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se po pret që vendimi për zgjedhjen e Xhaferit në krye të parlamentit të dalë në fletoren zyrtare.Ish-kryetari dhe kryesuesi i seancës konstituive pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit, Trajko Veljanovski nuk ia dorëzon zyrën kryetarit të zgjedhur më 27 prill, Talat Xhaferit dhe kjo situatë duket se çon edhe më tej drejt thellimit të krizës. Madje një grup ligjvënësish të partisë VMRO-DPMNE në krye me Nikolla Gruevskin, ish–kryeministër, janë futur në zyrë, e kanë bllokuar kabinetin dhe nuk kanë lejuar zotin Xhaferi të hyjë. Ky i fundit nuk është prononcuar mbi këto zhvillime, ndërsa përfaqësuesit e VMRO-së nuk kanë lejuar as qasjen e medias.

Ekspertët ligjorë, siç është profesori Mersim Maksuti vlerësojnë se kryetari i ri i parlamentit duhet të marrë të gjitha detyrat që i takojnë me ligj:“Të gjitha ingerencat kalojnë tek kryetari i ri, Talat Xhaferi, duke përfshirë edhe ]ështjen e sigurimit të tij personal dhe të gjitha të drejtat që i gëzon si kryetar i parlamentit të këtij vendi”, thotë z. Maksuti.

VMRO-DPMNE nuk e njeh legjitimitetin e Talat Xhaferit duke u përpjekjur për ta vënë në dyshim mënyrën e zgjedhjes së tij.

Në lidhje me zërat se partia apo subjekte të afërta me VMRO-në të mund ta kontestojnë zgjedhjen e zotit Xhaferi përmes një nisme në Gjykatën Kushtetuese, analisti Maksuti është i bindur se vendimi i fundit i parlamentit nuk mund pengohet:

“Gjykata Kushtetuese edhepse ka të drejtë të vlerësojë kushtetutshmërinë e akteve juridike, pra edhe të veprimeve politike, në rastin konkret, zgjedhja e kryetarit të parlamentit është krejtësisht legjitime dhe në asnjë moment Gjykata Kushtetuese nuk mund ta kontestojë tashmë vendimin e ri të parlamentit të Maqedonisë, i cili me shumicë votash zgjodhi kryetarin e ri, z. Talat Xhaferin”, thotë eksperti ligjor Mersim Maksuti.

Maksuti thotë se hapi i ardhshëm që i takon Xhaferit ta bëjë, është që ta njoftojë me shkrim presidentin e vendit Gjorgje Ivanov për shumicën ekzistuese në parlament dhe t’i kërkojë atij që ta japë mandatin për formimin e qeverisë.

Në këtë kuadër, kreu i parlamentit Xhaferi ka paralajmëruar se do t’i lejojë një afat prej dhjetë ditësh presidentit lidhur me mandatin, në të kundërt parlamenti do të vepronte përmes alternativave që i mundësojnë ligjet dhe kushtetuta e vendit.

Nga ana tjetër, edhepse gjatë takimeve të së hënës të zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, u duk se qëndrimet, sidomos të presidentit Ivanov të ishin zbutur, për sa i përket formimit të qeverisë, mbështetësit e VMRO-së nuk heqin dorë nga protestat përpara parlamentit. Ata kanë njoftuar për vazhdimin e protestave të marten në mbrëje, ndërkohë që një pjesë e protestuesve të dhunshëm të cilët sulmuan deputetët më 27 prill i kërkojnë presidentit të vendit që të shpallë amnisiti për të akuzuarit. Edhe VMRO-DPMNE bën thirrje për ndalimin e arrestimeve duke i quajtur të pafajshëm ata që u përfshinë në sulmet e dhunshme kundër ligjvënësve të Lidhjes Social Demokrate dhe Ziadin Selës të Aleancës për Shqiptarët dhe duke i cilësuar këta të fundit si provokues dhe nxitës të skenarëve të dhunshëm.(VOA)

 

Filed Under: Analiza Tagged With: leter Ivanovit, mandati qeveritar, Talat Xhaferri

FYERJA DHE SHPIFJA, DUHET TË SANKSIONOHEN SI VEPRA PENALE

May 2, 2017 by dgreca

*Pse u “dorëzua” Ministria e Drejtësisë para zhurmës së gazetarëve e të “shoqërisë civile”/

* Ligjet duhet t’iu përshtatën kushteve, traditës dhe mentalitetit të vendit, duke mbrojtur vlerat sublime/

Përmbajtja e dispozitave të cilat “vdiqën para se të lindnin”/

Nga Adil FETAHU/

Kohë më parë, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, inicoi plotësimin e Kodit Penal, duke propozuar që në atë ligj të futën dy nene të reja, sipas të cilave shpifja inkriminohej si vepër penale, për të cilën, varësisht nga rrethanat dhe vlerat që sulmohen me atë vepër, parashihej dënimi deri pesë vjet burgim.  Bëhej fjalë për plotësimin e Kapitullit XIV të Kodit Penal të Kosovës, në të cilin janë përcaktuar veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Konkretisht ishte propozuar që pas nenit 134, të futeshin si plotësim të Kodit, neni 134/C dhe 134/D, me këtë përmbajtje:

Neni 134/C: – Shpifja ndaj shetit dhe simboleve shtetërore

 

  • Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara: 1.1: fyen apo me keqdashje shprehë përbuzje ndaj Republikës së Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetues, ose 1.2: fyen ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës së Kosovës,- dënohet me burgim deri në tre (3) vjet, ose me gjobë.
  • Kushdo që heq, shkatërron, dëmton, e bënë të papërdorshme ose palexueshme, ose ndryshon me dashje flamurin e ekspozuar publikisht të Republikës së Kosovës, ose një emblemë shtetërore të vendosur nga një autoritet publik i Republikës së Kosovës, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet, ose me gjobë.
  • Kushdo që me qëllim mbështetë përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës së Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, dënohet me burgim deri në pesë (5) vjet.
  • Tentativa për kryerjen e veprave penale të përcaktuara në këtë nen është e dënueshme.

 

Neni 134/D: Shpifja ndaj organeve kushtetuese

 

  • Kushdo që publikisht, në një takim ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara shpif ndaj një organi kushtetues, Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ose një prej anëtarëve të tyre në këtë kapacitet në një mënyrë të dëmshme për respektimin e shtetit dhe kështu qëllimisht mbështetë përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës së Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, do të dënohet me burgim nga tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.
  • Vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni mund të ndiqet vetëm me autorimin e oranit kushetuese apo anëtarit të organit të sulmuar me këtë vepër.

 

* * *

Për qartësinë, gramatikën as sintaksën e tekstit të dispozitave të cituara, nuk do të flasim. Sipas informacioneve që ka dhënë Ministria e Drejtësisë, dispozitat e mësipërme janë kopje e dispozitave gjegjëse të Kodit Penal të Gjermanisë, prandaj as nuk më habitë mish-mashi i tekstit të përkthyer.

Sidoqoftë,  ndaj plotësimeve të paralajmëruara me dy dispozitat e cituara, reaguan disa media dhe ndonjë  organizatë e të ashtuquajturës “shoqëria civile”, duke pretenduar se kështu po atakohet liria e fjalës dhe e shprehjes. Reagimit, kinse,  iu bashkangjit edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, gjoja se këto ndryshime qenkan  në kundërshtim me “trendet ndërkombëtare”. Zhurmaxhinjtë e inkriminimit të shpifjes, duke përfshirë këtu edhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së, thonë  se “legjislacioni civil në Kosovë ofron masa të mjaftueshme në lidhje me shpifjet dhe fyerjet.

A është shteti i Kosovës më demokratik se Gjermania etj.?!

Vet fakti që dispozitat e cituara më sipër janë kopje e dispozitave në fuqi të Kodit Penal të Gjermanisë, flet se dispozita të tilla përmbajnë kodet penale të shteteve demokratike. Këtu përveç Gjermanisë, po përmendim se shpifja dhe fyerja, si vepra penale,  janë të penalizuara edhe në kodet-ligjet penale të Austrisë, Belgjikës, Bullgarisë, Çekisë, Danimarkës, Finlandës, Greqisë, Holandës, Italisë, Letonisë, Lituanisë, Luksemburgut, Hungarisë, Maltës, Polonisë, Portugalisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Spanjës, Suedisë. A mos është Kosova shtet ma demokratik se ato, apo ne po duam të bëhemi “ma katolik se papa”, duke lejuar që gjuha e sharje-fyerjes dhe urrejtjes te mos kete kufi.  Dispozitat në ligjet e shteteve të përmendura, nuk janë “mbeturinë  arkaike e një epoke të kaluar”, siç pretendon dikush, por janë ligje në fuqi. Pse, a s’mund t’i ndërrojnë ato “mbeturina” shtetet e përmendura? Po, ato mbrojnë vlerat dhe dinjitetin e shtetit e të qytetarëve të vet. Dhe, kur kësaj ia shtojmë profesionalizmin dhe pavarësinë e mediave, dhe kulturën e popullit të atyre vendeve, del se në Kosovë këto dispozita duhet të mbahen në fuqi së paku edhe për pesëdhjetë vjetët e ardhshme. Madje, tradita dhe mentaliteti i popullit në Kosovë është i tillë, që për një fyerje apo një shpifje, lindin konflikte me pasoja, deri edhe vrasje. Prandaj, fyerjen dhe shpifjen duhet t’i parandalojë shteti, me ligje e masa të rrepta, për të mbrojtur dinjitetin e njeriut e të shtetit dhe për të ndaluar pasojat ma të rënda që mund të derivojnë prej tyre.

Procedura civile nuk ofron   mbrojtje efikase kundër fyerjes e shpifjes

Pretendimi se mbrojtja e dinjitetit të njeriut e të shtetit është e garantuar mjaftueshëm me ligjet civile, është i pabazë. Këtë e vërteton gjendja aktuale e përhapjes së këtyre shprehjeve në praktikë, kudo e ndaj çdokujt, dhe pambrojtja ndaj sulmeve të tilla. A din dikush të më tregojë, se sa veta u gjobitën dhe me çfarë shuma për sharje, fyerje e shpifje publike që u bëhen njerëzve, institucioneve, simboleve të shtetit.  Sa veta e çfarë shuma (adekuate)  morën kush si kompensim të dëmit moral (dhe material) të shkaktuar nga fyerja ose shpifja?Jo këtë nuk mund të ma thotë askush, sepse kjo procedurë është e panjohur dhe nuk funksionon në sistemin tonë gjyqësor, edhe ashtu joefikas për çfarëdo çështje e procedure.

Kodi Civil i Kosovës, në nenin 159 par.4, ka përcaktuar se përgjegjësia civile për shpifjen dhe ofendimin rregullohen me ligj special, kurse në dy dispozita (neni 213 par.2, dhe neni 214) përmend kompensimin e dëmit moral dhe material të shkaktuar me shpifje dhe ofendime, dhe këtë çështje e lë të rregullohet me ligj të veçantë. Për vlerësimin e dëmit moral, thotë se duhet  duhet të merrën parasysh rrethanat e rastit, duke përfshirë intensitetin, kohëzgjatjen dhe pasojat e dëmit, dhe se ligji mund të përcaktojë se si llogaritet kompensimi i dëmit moral.

Ligji mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve (neni 182), shpërblimin e dëmit jomaterial e parasheh ashtu që: në rast të cënimit të së drejtës së personalitetit, gjykata mund të urdhërojë shpalljen e aktgjykimit, përkatësisht të përmirësimit me shpenzime të dëmtuesit, ose të urdhërojë që dëmtuesi ta tërheqë deklaratën me të cilën është bërë shkelja, ose diç tjetër me të cilën gjë mund të realizohet qëllimi që arrihet me shpërblim. Kjo dispozitë është aq e përgjithshme, sa që nuk përcakton as sqaron asgjë sa i përket efikasitetit të mbrojtjes kundër fyerje-shpifjeve. Po çfarë efekti arrihet  për të fyerin a të shpifurin me tërheqjen e deklaratës, është sikur të krahasosh shpërndarjen nga aeroplani të  një thesi pupla, e pastaj të përpiqesh t’i bledhësh ato!

Një ligj special për këtë fushë është Ligji Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes (Ligji Nr.02/L-65; UNMIK/Rreg.2007/13). Ligji parasheh kompensimin e dëmit të shkaktuar me shpifje e fyerje (neni 14 e 15), por është aq fleksibil, sa nuk garanton kurrëfar mbrojtje efikase, as “ndëshkimi” të fyesit/shpifsit. Për shembëll, në nenin 14 par. 2 dhe 3 të atij ligji, thuhet: Kompensimi për humbjen reale financiare, ose dëme materiale, të shkaktuara nga një shpifje do të caktohet nga gjykata vetëm kur humbja është konstatuar në mënyrë të veçantë. Lartësia e kompensimit për dëmin jomaterial ose dëmin që nuk mund t’i përcaktohet lartësia në vlera monetare…, do të caktohet nga gjykata duke marrë parasysh peshën e dëmit të shkaktuar nga shpifja dhe gjendjen materiale të personit i cili ka shkaktuar shpifjen. Për fyerjet, ligji është edhe më i butë dhe gati-gati nuk ofron kurrëfarë mbrojtje as satisfaksioni. Po si do ta përcaktojë gjykata peshën e dëmit të shkaktuar nga fyerja ose shpifja?! Dhe gjykata u dashka të jetë e mëshirshme për gjendjen e keqe materiale të shpifsit/fyesit!

Mediat tona, të shkruara dhe elektronike, e sidomos disa portale, çdoditë gëlojnë me sharje, fyerje e shpifje kundër individëve, me akuzat më të rënda, për të cilat do të duhej të përgjigjej ose i shpifuri, ose shpifësi, sepse dy të vërteta të kundërta nuk ekzistojnë. Ato thuhen nga urrejtja dhe me qëllim dënigrimi të nderit dhe autoritetit personalitetit të cilit i drejtohen.  Të vjen tugu kur nëpër portale të ndryshme lexon sharje, fyerje, shpifje të nivelit më të ulët, duke hyrë thellë në privatësinë e njerëzve e të familjeve. Madje sharje, fyerje e shpifje shqiptohen edhe në debatet në kuvende të komunave e në Kuvendin e Kosovës, apo gjetkë. Skena publike dhe mediat janë bërë arena ku mund të flitet gjithçka, të fyhet e shpifet gjithkush, pa kurrëfar turpi e konsiderate, dhe pa kurrëfar pasojash për fyesit e shpifësit! Këto “vlera” na i solli  liria e shprehjes sipas  standardeve evropiane. Këto nuk përkojnë me  traditën, kulturën dhe mentalitetin tonë. Për sharje, fyerje e shpifje të tilla, shumëkush ka hëngër dajak, por ka pasur edhe pasoja më të rënda, dhe nuk do të thotë se ai mentalitet është çrrënjosur, sa të durohet gjithkush e gjithçka. Prandaj, fyerja dhe shpifja, gjithësesi duhet të penalizohen në Kodin Penal të Kosovës, dhe të gjykohen e dënohen sipas rastit dhe peshës. Në Kushtetutën tonë është përcaktuar se “dinjiteti i njeriut është i pacënueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”. A nuk është cënim i dinjitetit kur dikush fyhet në mënyrën më të vrazhdë dhe shpifet me shpifjet më të rënda?

Nuk është e vërtetë se penalizimi i fyerje/shpifjes është në kundërshtim me standardet evropiane,  siç mundohen ta paraqesin disa “ekspertë të demokracisë evropiane”, e aq më pak  me lirinë e shprehjes, të përcaktuar me Konventën (evropiane) për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Përkundrazi, sipas dispozitës së nenit 10 par.2 të asaj Konvente, “ushtrimi i lirisë së shprehjes, bartë me vete detyra dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet formaliteve, kushteve ose dënimeve që parashikohen me ligj dhe që janë të domosdoshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, të tërësisë territoriale ose të sigurisë publike, për parandalimin e trazirave ose të krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose moralit, për mbrojtjen e emrit ose të të drejtave të tjerëve…”. A thua nuk e dinë përmbajtjen e asaj Konvente shtetet demokratike të Evropës, të cilat i kanë të sanksionuara në ligjet e tyre   fyerjet/shpifjet si vepra penale. Ku dolëm ne më të mënçur e më demokratë?!

Jam i vetëdijshëm se shumëkush nuk do të pajtohet me këtë opinion timin, sidomos përfaqësues të mediave e të shoqërisë civile, dhe ata që gojën e kanë plot sharje, fyerje, shpifje e denigrime, por e mira e përgjithshme e do që këtyre shprehjeve t’iu ndalet hovi, e të ruhet dinjiteti i secilit dhe kultura e komunikimit. Ka mjaft hapësirë të flitet e të luftohen rastet a dukuritë negative në shoqëri, në mënyrë më të kulturuar e të argumentuar, pa përdorë sharje, fyerje e shpifje. Këto nuk janë argumente, por mungesë e kulturës dhe edukatës elementare të  atyre që i përdorin. Prandaj duhet të sanksionohen, gjykohën e dënohen.

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, Fyerja, lepra penale, Shpifja

Hamz Kazazi dhe kryengritja e vitit 1835…

May 2, 2017 by dgreca

Sipas Epikës Historike/

1 Gezim Zilja ok

Nga Gëzim Zilja/

Në Stamboll thirri telalli/Dilni shihni Hamz Kazazin/Hamz Kazazi çaj burr’ i zi/Shtat’ taborret na i ka gri…Hafëz pasha n’daç me i hikë vorrit/Zdrypi atit hyp vaporit…  /1 Hamza_Kazazi

Hamz Kazazi qysh në rini kishte mësuar mjeshtërinë e përpunimit të mëndafshit e të jorganëve. Njihte mirë gjuhën turke dhe atë arabe. Në kohën e Mustafa pashë Bushatit kishte ushtruar detyrën e kullukçibashit (komandant i rojeve të qytetit), që e mbajti derisa sa e shkarkoi Hafëz pasha, që zëvëndësoi figurën e urryer të Namik pashës. Në krye të 10.000 ushtarëve, Hafëz pasha u përpoq  të vinte në jetë fermanin e sulltanit prej 24 pikash, në zbatim të reformave të Tanzimatit, duke ngritur taksat e kërkuar nizamë: Hafiz pasha kodër m’kodër/Ep haraçin, o mori Shkodër/ Unë haraçin nuk e nap/sa të bahem voj e gjak/Gjuhën turçe nuk e di/ N’Pazar nuk t’la me hi. Fillmisht Hafëz pasha kërkoi vullnetarë për të mbrojtur kalanë e Shpuzës. Shkodra nuk ja dha. Si kundërpërgjigje ai ngriti sërish taksat. Në kohën që kadiu po lexonte fermanin e Sulltanit, banorët e lagjes Tophane e sulmuan kadiun  dhe ushtarët që e shoqëronin atë. Iptida(filloi) u  kndue fermani/Në mehqeme të kadisë/Shkodra të vetën e bani/i erth’ hakut osmanllisë/Të shtunën dy fermana/nji haraç do ta qesin/aty ndodhnë dy asllana/Nuk e lajm, por do të vdesim. Gjatë përpjekjes u vranë disa nizamë turq. Nën presionin e qytetarëve të armatosur, forcat turke mbyllen në kështjellën e qytetit dhe në Pazarin e Shkodrës, që përfshinte një rrjet prej 489 dyqanesh, ku prodhohej e shitej gjithçka në një rreze, që përfshinte Shqipërinë e Mesme, Kosovën, Malin e Zi, e më gjerë. Pazari i Shkodrës, ishte një qytet brenda qytetit dhe mbyllja e tij sillte detyrimisht paralizimin e gjithë jetës së Shkodrës.

Shkodranët e armatosur kërkuan takim me Hafëz Pashën, ku paraqitën kërkesat e tyre, por nuk ranë dakord për asgjë. Me pabesinë e pushtuesit, pas bisedimeve, ai urdhëroi arrestimin e disa krerëve që ishin në takim, midis të cilëve dhe Hamz Kazazin. Për zbatimin e urdhërit u dërgua Selim Reçi, që populli i vuri epitetin Buzështrembri, (më vonë kryengritësit di t’i vinin zjarrin sarajeve të tij në Bahçellëk) si dhe komandanti i rojës së qytetit Hasan aga Xhabia. Hamz’ Kazazi me të mësuar urdhërin, grumbulloi njerëzit e vet dhe i priti me armë. Krismat ngritën në këmbë gjithë qytetin: Hamza aga burr i mirë/Me tagan me dy kobure/Pa ndijoni ju vezirë/Nuk asht Shkodra si n’Babune/Hamza aga me do burra/Vetvedin e ban fida(theror)/Karakollin e qet te ura/Sonde është nata për me u pa. Dhe më tej: Krisi pushka edhe topi/Të gjith’ hallku(njerëzia) ndodhet fjetë/Çonu djelm na ndihmoft’ zoti/Sonde është nata me dekë. Luftimet zgjatën gjashtë orë dhe forcat turke pasi lanë shumë të vrarë u detyruan të tërhiqen. Nuk është Shkodra, Babune, thërrisnin kryengritësit nëpër rrugët e qytetit, duke kujtuar disfatën e Mustafa Pashë Bushatlliut. Menjëherë gjithë qyteti u organizua në bazë lagjesh me komandantët e tyre. Dy ditë më vonë: Të martën mbrama në jaci(lutje) /Në Shkodër u xu nizaja(lufta)/Kush të jetë trim dai/Le të shkojë te Hamzaja./Unë vergin’nuk e laj/Sa t’kem Hamz Kazazin gjallë. Në krye të kryengritjes dolën Hamz Kazazi, Hysen Beu, Haxhi Idrizi, Dasho Shkreli, Haxhi Abdurrahmani, Selja Kasemi, Ali Bajrami, Jusuf beu, Kasem Hoxha etj. Qytetarët e Shkodrës, formuan një këshill të përkohshëm. Hysen Beu u caktua me çështjet administrative dhe Hamz Kazazi me drejtimin e veprimeve ushtarake: tashmë shkodranët e kishin një Komandant të Përgjithshëm dhe e dinin mirë se ç’kërkonin. Më 24 maj të vitit 1935, rreth 10.000 shkodranë të armatosur të prirë nga Hamz Kazazi, sulmojnë Pazarin dhe Kështjellën të vetmet ‘’fortesa’’ në duart e Hafëz Pashës. Hamza aga dredh mustakun/Pa ndigjoni ju shkodranë/Mos e leni pa derdh gjakun/Se ju shtin mbreti nizam/Shkodra namin e ka pasë/veç njitash i qe harrue… Lufta zhvillohet e ashpër dhe e përgjakshme ku trimat shkodranë kanë marrë në sy vdekjen. Vargjet e këngëve japin si në një libër të shkruar nga një historian i kujdesshëm, kronikën e ngjarjeve dhe komandantët:  Haxhi Idrizi kishte thanë/Aferim more ndocjanë (banorë të lagjes Ndocaj)/Që i rrini hasmit n’grykë/Ç’ju griu topi të tanë/E se bat’kabull me ikë. Isuf begu soj vezirit/Pa ndijoni ju tabakë( banorë të lagjes Tabake)/Erth’ nizami në breg të Kirit/T’shkojmë e t’ndeshna flak’ për flak’ /Hasan Hoti thot’ nji fjalë/Hafiz pasha më ndijo mue/me kap Shkodra pushkën mbarë/nji se lanë me teprue/ Hafiz pasha kryelopa/S’merret Shkodra me topa/As me topa as me havana/Dasho Shkrelin (lagja Tudas) s’e ban nana/Preu nizamin te mehana./Trim qenka gjet belanë/ Lufton Dashja me gjith’ të vllanë. Hini Selja në Tabakë/ t’i vem top edhe havanë/Daut Pasha me dyrbi/Vjen Selja tuj hallakatë/mashalla fistanli!  

Në sulmin e tyre kryengritësit gjenden nënë breshëritë e topave dhe të pushkëve, të një ushtrie të organizuar dhe fortifikuar në llogore. Humbjet në njerëz janë të mëdha dhe rreshtat e kryengritësve fillojnë të  kositen nga drapri i vdekjes. N’fund të kodrës n’rrugë të madhe/Vijnë shkodranët tuj hallakatë/Asqeri i grin n’batare. Mirpo Shkodrës do t’i vijnë në ndihmë shqiptarët e tjerë. E para mbërrin Postriba me trimat e saj: Postriba i shkon imdat(ndihmë)… /Postriba porsi motit/Me yruç shkuen te topi/Me yryç te topi shkuen/Dhan’ e dhan’ e dot se muern. Por Shkodra e Postriba nuk janë vetëm. Në ndihmë të tyre vërshojnë të tjerë shqiptarë nga Hoti, Kraja, Shala, Shoshi e Ulqini: Te xhamia e Haxhi Bajramit/U dha tim e u dha flakë/Aty ndodhen zogjt’ e shkodranit/Nizamin e hoqn’ nën shpatë./Hot e Kraj, Shal e Shosh/Postriba me shkodranë/yryç bajnë në Tarabosh/marrin krena e nishana. I ndodhur ngushtë Hafëz Pasha, kërkon ndihmën e  sundimtarëve të Krujës, Tiranës, Dibrës, Pejës, Gjakovës, Matit, Mirditës, të cilat qëndruan në Lezh pa hyrë në luftë. Edhe ndonjë që u përpoq: Pasha i Dibrës vjen në Lesh/me shkodran desh me liftu/t’gjith asqerin ia ban pshesh/iku qeni e u marrue./Abdyrr begu me kruetanë/ka zhgul çadrat e ka ikë/Na s’mund t’luftojmë me shkodranë…

Më 29 korrik një pjesë e kryengritësve me Hamz Kazazin në krye luftuan për katër orë rresht kundër një anijeje me ushqime, që u dërgua në ndihmë të garnizonit turk. Këtu u plagos rëndë Hamz Kazazi, gjë që e detyroi të tërhiqej nga luftimet. Vdiq më 1859. Në varrin e tij është gdhendur një shpatë (tagan) si dëshmi e trimërive të tij. Pas luftimeve të përgjakshme më 10 gusht u vendos armëpushimi. Ti Hafiz me tet’ tabore/Je vadit në Manastir/Kësaj i thonë Shkodër mizore/ta ban hor edhe rezil(të turpëron). Po kështu dhe komandanti tjetër turk: Daut Pasha me tet’ taborre/Nat’ e dit’ po ban llogore/Gjith asqerin e farove/Me Shkodër gja nuk fitove. Forcat e Daut Pashës tërhiqen dhe Pazari i Shkodrës hapet sërish. Shkodra merr frymë lirisht pas pesë muaj luftimesh. Më 18 shtator1935, ushtria turke hyn në Shkodër në bazë të marrëveshjes midis shkodranëve dhe qeveritarit turk. Në marrëveshje midis të tjerash u ra dakord që Shkodra me rrethinat të mos  dërgonte nizamë për Portën e Lartë.

 

Hamz Kazazi

Filed Under: Histori Tagged With: e vitit 1835, Gezim Zilja, Hamz Kazazi dhe, kryengritja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT