• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2017

Shuhet nga jeta Prof. Dr. Musa Kraja

June 15, 2017 by dgreca

Musa Kraja Shkruan:Hazir Mehmeti, Vjenë/

   Një lajm i  hidhur, u shua nga jeta Prof..Dr. Musa Kraja,  kreator i shkencave pedagogjike, themeluesi i Akademisë së Shkencave të Edukimit- Tiranë, kryetari i saj. Shkenca pedagogjike shqiptare humbi njeriun e saj me vlera të mëdha, por vepra e tij mbeti pasuri në rrugën e arsimit e edukimit kombëtar brezave dhe ai vet njëri nga personalitet më të shquara kombëtare.
    Gjithë veprimtaria shkencore hulumtuese, kreative , gjuhësore, publicistike e arsimore e Prof. Dr. Musa Krajës është zhvilluar për të mirën edukimit dhe arsimimit, zhvillimit të shkencës pedagogjike dhe rrjedhimisht çështjes kombëtare.
 Nga ligjëratat e tij në seminaret për mësuesit/et nga diaspora përfitoj edhe mësimdhënësi mërgimtar. Ai ishte me mish e me shpirte mes problemeve të organizimit dhe mësimdhënies në diasporë. “Ju jeni shembulli më i mirë i kohës sonë në kultivimin e gjuhës shqipe në vendet ku ju jetoni. Abetare punuan gjithë rilindësit të cilët jetuan jashtë vendi”,- tha mes tjerash në seminarin e Ulqinit.
  Në të gjitha simpoziumet, konferencat, seminaret, ku ai mori pjesë, nuk la pa marr shembull veprën madhore të mësuesve mërgimtarë. Ai veçonte mësuesit krijues të disa vendeve, gëzohej shumë kur botohej ndonjë vepër apo tekst shkollor dhe fliste me pasion, gjithmonë me frymë pozitive, duke dhënë kurajë, edhe atëherë ku kishte vërejtje nuk ngutej, me virtyte edukatori e sqaronte mendimin e tij bindës.  
    “Do ta hartoj një monografi mbi mësuesit e diasporës si shembulli më i shkëlqyer në rrugën e rilindësve tanë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe”, -thoshte Prof. Kraja. Ai do ta përfundon monografinë, pasi la pas bijën e tij, Prof. Emirjona Kraja, Akademinë e Shkencave të Edukimit-Tiranë, miq e student të tij aktiv të frymëzuar nga puna madhore e Prof. Dr. Musa Krajes.
  Fundi i shekullit njëzet dhe fillim shekulli ynë do flasin me respekt me emrin e Prof. Dr. Musa Kraja, mbi veprën madhore që la pas në pasurimin e rrugëtimi kombëtar drejt progresit dhe civilizimit.
   Letra e 27 –të, e fundit
   Ai kishte respekt të madh për mësuesit dhe veprimtarët e çështjes kombëtare. Në letrën e tij të fundit, me 5 maj 2017, mes tjerash lidhur me planet e Akademisë për organizimin e simpoziumit mbarë kombëtar, shkruan: “ I dashur dhe nderuari Hazir!  Kam biseduar në Tetovë, lidhur me 170 Vjetorin e Lindjes dhe 100 vjetorin e vdekjes se Prof. Rexhep Vokes-Tetova, personalitet i shquar i çështjes shqiptare, mësues , pedagog, iluminist etj, Për  këtë  personalitet  janë shkruar artikuj  studimore, është botuar një doktoratë nga Prof. dr. Vehbi  Bexheti, ka një monument në vendlindje, Shipkovicë.   Është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë “Për veprimtari patriotike me Urdhrin e Klasit të  pare,” prandaj , në  kohën  e  lirë trajtova   për të  organizuar një  Simpozium mbarë kombëtar, nga ana e Akademisë sonë , siç kemi bërë për disa personalitete, përfshirë edhe Atë  Gjeçovin”. Shumë të fala  dhe  mirëupafshim!  Musai.  Tani, e rëndë kur nuk do shihemi më Profesor i nderuar frymëzues në punën time.

Biografi, Prof. Dr. Musa  Kraja

Prof. Dr. Hajrullah  Koliqit, Prishtinë. Në veprën “Historia  e  arsimit  dhe e mendimit  pedagogjik  shqiptar”, botim në vitin  2013, faqe 468, 469, mes tjerash shkruan:   “Musa  Kraja (1938),Mësues  i  Merituar,  është  doktor  i shkencave  pedagogjike, veprimtar arsimi, pedagog  universiteti, autor veprash  të  shumta  pedagogjike, duke  përfshirë  këtu  veprën  enciklopedike  historiko- pedagogjike, “Mësuesit  për kombin  shqiptar”, 1993.   Musa  Kraja  lindi  në  Shkodër, ku  kreu  shkollën  fillore, të mesme  dhe  studimet e larta në dy  degët : Gjuhe-Letërsi  dhe  Histori-Gjeografi  në  institutin e Larte  Pedagogjik  të  këtij  qyteti. Studimet  i vazhdoi në  Fakultetin  Histori-Filologji  te Universitetit  të Tiranës  dhe  arriti deri  në gradën  shkencore  doktor i shkencave  pedagogjike. Tetë  vjet ushtroi  misionin e mësuesit  në zona të  thella malore të Shkodrës  për  të  vazhduar pastaj  në  shkollat e qytetit të Shkodrës. Punoi  në organet drejtuese të arsimi  në rreth (Shkodër), dhe  në qendër ,  (Tiranë), arriti  deri  neë  postin e  zëvendësministrit  të Arsimit  dhe  Kulturës  të  Shqipërisë (Disa  muaj u ngarkua  edhe me  punën e ministrit), Musa  Kraja  dha  ndihmesën e tij edhe  në arsimin e lartë  shqiptar. Prej  vitesh ishte profesor i pedagogjisë në  Fakultetin  Histori Filologji  të Universitetit të  Tiranës. Që  herët  u  shqua   edhe si punëtor shkencor. Punoi  në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Themelues dhe Kryetar i Akademisë së  Shkencave të Edukimit (Themeluar ne vitin 2011)  dhe  Rektor  i  Akademisë  Pedagogjike  të  Tiranës.

Musa  Kraja  është autor i  shumë veprave dhe studimeve  shkencore-profesionale  nga fusha e pedagogjisë, por  edhe nga  letërsia dokumentare, të  botuara  brenda dhe jashtë vendit. Botoi  shumë vepra, kryesisht  me karakter social-pedagogjik, si  “Portrete  mësuesish  dëshmorë (1967); “Migjeni Mësues” (1973); “Ndrec  Ndue  Gjoka..” (1974,”Per  forcimin e punës edukative  ne shkolle” (1981);”Mësuesit  në  Kohën e Partisë” (1986); “Probleme shoqërore-pedagogjike”; (1986) ;Mati  Logoreci”1987),ribotuar “Mati Logoreci, Jeta  dhe Vepra”(2001); ”Për  forcimin cilësor  të  shkollës”( 1988); ”Nexhip Alpan dhe  mendimi pedagogjik i tij”.(1992); “Mësuesit  për kombin  shqiptar” (1993; “Hakmarrja  tek shqiptaret (ne optiken e pedagogut),,1996; “Pestaloci  ne hapsirat  shqiptare”(1997); Teksti  universitar  Pedagogjia, (1998); ribotuar, me  2002; ”Harry  Fultz “Idetë  dhe  veprimtaria pedagogjike ne Shqipëri” (2000);”Vizione pedagogjike  për  zonat  rurale”,(2003); “Bije  të Lunxhërisë  për  arsimin  shqiptar”(Pandeli  dhe  Koto  Sotiri), 2002;”Pedagogji e  zbatuar”, (2008)  dhe  vepra  të  tjera  qofte si autor, qofte si bashkautor.

   Musa  Kraja, mësues, profesor, drejtor shkolle, rektor universiteti  dhe  veprimtar i shquar i arsimit, veç  punës se tij me përkushtim  dhe profesionalizëm, bëri  punë me vlerë  edhe për përjetësimin e dhe afirmimin  e veprës  madhore të  mësuesve shqiptare,  nga mesjeta deri në kohën tonë, nga mbarë  gjeografia  kombëtare  dhe nga diaspora shqiptare”. Prof. Dr. Musa Kraja shkroj edhe veprat “Shkolla shqipe me mësimin plotësues” (2013); “Monografi Social – Pedagogjike “Mësues dhe kriues në diasporë Hazir Mehmeti”. Mbajti ligjërata në shumë Universitete botërore. “Mësuesi, pedagogu, tradita dhe bashkëkohësia”; “Reformator i madh i arsimit, Postaleci”; “Vëllezërit Frashëri dhe mendimi pedagogjik” (Tetovë, 2000) etj.
Prof. Dr. Musa Kraja shkroi për të pavdekshmit: Mati Logoreci, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta,  Luigj Gurakuqi, Vëllezërit Frashëri e shumë tjerë, për tu bërë vet i pavdekshëm.
Tani dheu shqiptarë ngrohet me birin e saj, brumjete i brezave që vijnë.  Lavdi veprës suaj Prof. Dr. Musa Kraja! Prehu i qetë në botën e amshimit! Faleminderit për të gjitha!

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Hazir Mehmeti, Shuhet Prof.Musa Kraja

Faktorë të “lodhjes” së identitetit të peshterasve

June 15, 2017 by dgreca

Represaliet, dhuna, shpërngulja, analfabetizmi faktorë të “lodhjes” së identitetit të peshterasve!/Uglla ( Ugao) viti 1915Duke shfletuar literaturën që posedoj për Sanxhakun më ra në sy një e vërtetë e hidhur: ”Njerëzit me ndikim, posaçërisht në Peshter edhe pas vitit 1935, kanë lutur deputetin e vet që në trevat e tyre mos të hapen shkolla”. Si është e mundur një gjë e tillë, do të mundohem ta shtjelloj më tutje.

Nga Ismet Azizi/

Deri në vitin e 90-të, të shekullit të kaluar, gjegjësisht fundi i viteve të 80-ta nuk kishim analiza , shkrime apo të dhëna  të sakta për gjendjen dhe pozitën e popullsisë së Sanxhakut. Ndër të parët dhe të  rrallët është autori Avdia Avdiq i cili u mor me këtë problematikë. Për pozitën arsimore kulturore të Sanxhakut shkruan: “Për arsimin, kulturën dhe shëndetësinë në periudhën në mes të dy luftërave botërore, është vështirë të flitet, posaçërisht nga viti 1930, kur popullata, pothuajse tërësisht ishte analfabete. Sanxhaku ka qenë i njohur jo vetëm si regjion i pazhvilluar, por edhe për prapambeturinë në aspektin kulturor dhe arsimor. Në fshatra të tëra nuk ka pasur kush të lexoj ndonjë shkresë, gjë që është dashur të udhëtohet me orë të tëra. Novi Pazari ishte qyteti në Jugosllavinë e atëhershme më i madhi për nga numri i analfabetëve. Sipas regjistrimit të popullsisë  së viti 1931, 60% e meshkujve  të moshës mbi 10 vjeçare ishte e pa arsimuar, ndërsa ajo e femrave ishte 92 %. Duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për  popullsinë e përgjithshme, mandej pjesa dërmuese ishte popullsi fshatare, e cila jetonte në kushte të vështira jetësore. Dallimet e mëdha ishin edhe sipas qyteteve, p sh qarku i Tutinit, që ishte i banuar vetëm me shqiptarë dhe boshnjak, shkalla e analfabetizmit ishte  89%, ndërsa ai i Novi Pazarit 63%. Posaçërisht në Sanxhak, popullsia Muslimane (shqiptare dhe boshnjake I.A) ishte e tëra pothuajse analfabete. Ishte rast i rrallë që ndonjë Myslimane të jetë e arsimuar. Faktorët për një gjendje të tillë ishin të shumëfishtë, nga ato: popullsia myslimane nuk ka dashtë ta pranoj shkrim- leximin serb, ndërsa të vetin nuk e kishin,e deri te ajo se myslimanëve nuk ju duhet, posaçërisht femrave myslimane.”

Në tërë Sanxhakun në vitin 1931 kanë ekzistuar vetëm 127 shkolla fillore katër klasash. Shkollat kryesisht ishin në vendbanime të mëdha, ndërsa fshatrat  malore, sidomos ato të Peshterit ishin pothuajse pa asnjë shkollë, pra popullata ishte fare e paarsimuar.

Në tërë Sanxhakun në këtë kohë ekzistonin vetëm katër gjimnaze katërvjeçare ( gjimnazi i ulët) të cilat herë punonin herë ishin të mbyllur. Novi Pazari kishte vetëm një gjimnaz të ulët tetë vjeçar, edhe kjo shkollë mandej zbret në atë katërvjeçar, kështu që vetëm Plevle kishte një gjimnaz  tetëvjeçar në tërë Sanxhakun.

Shkollat ishin me numër të vogël të nxënësve. Prindërit nuk ishin të interesuar t’i shkollojnë fëmijët e tyre, rezistonin t’i dërgojnë fëmijët në shkolla. Posaçërisht popullsia Myslimane, sidomos  vajzat nuk ishin të interesuar t’i arsimonin. Pushtetarëve të atëhershëm kjo iu shkonte për shtati. Njerëzit me ndikim, posaçërisht në Peshter edhe pas vitit 1935, e kanë lutur deputetin e vet që në trevat e tyre mos të hapen shkolla. Si është e mundur një gjë e tillë?!Do të mundohem ta shtjelloj më tutje.

“Sa më larg shkollave dhe kulturës, për popullin ishte më mirë”; ishte bindja e popullatës Muslimane. Por edhe ata që kishin dëshirë që t’i shkollonin fëmijët e tyre nuk kanë pasur mundësi materiale.

Mali i Zi hyri në Luftën ballkanike me qëllim të zgjerimit të territorit të saj në drejtim të Shqipërisë dhe në verilindje drejt Sanxhakut.

Gjatë marrjes së territoreve, pothuajse pa luftë forcat malazeze kudo që hynin vrisnin dhe plaçkitnin popullsinë e pafajshme, Pasi që kishin marrë trevën e Bjelopoles, atë të Kolashinit, Plavën dhe Gucinë, Ushtria malazeze  niset drejt Senicës së cilës i shkon në ndihmë edhe ushtria serbe, të cilët kah do që shkonin vrisnin dhe plaçkitnin popullsinë vendase myslimane. Në tetor të viti 1912 shumë shpejt dorëzohet dhe bie në duart e ushtrisë serbo- malazeze. Udhëheqësi famëkeq ushtarak malazez Boshkoviq, menjëherë të nesërmen fillon çarmatosjen e popullsisë së Peshterit. Boshkovi vendoset në fshatin Doliq të banuar krejtësisht me popullsi shqiptare ku edhe kishte kaluar natën. Doliqin dhe disa fshatra të Peshterit  i çarmatosin dhe i mblodhën mbi 100 pushkë, Një raport i oficerëve flet; “të gjitha fshatrat i kanë sjellë armët, përveç një pjese e cila nuk i solli me dëshirë, por rezistuan dhe filluan të gjuajnë  mbi ushtrinë tonë gjë që qëndruam burrërisht dhe i vranë dhe i therën 20 kriminel. Në këtë raport nuk flitet për humbjen që kishin pësuar nga luftëtarët të cilët mbronin vendin e tyre nga ushtria okupatore serbo-malazeze. Në raport nuk janë raportuar të dhëna për njësitë ushtarake të këtij batalioni a kanë pasur humbje  apo të plagosur në radhët e tyre.

Për shpërnguljen e popullsisë së Sanxhakut, gjatë kësaj periudhe, po veçojmë autorin Safet Banxhoviq i cili shkruan; “Pas Luftërave ballkanike fillon me të madhe  shpërngulja e popullsisë për Turqi, para se gjithash pas krimeve të kryera ndaj tyre. Posaçërisht pas qërimit të hesapeve të ushtrisë malazeze me peshterasit, të përcjellë me plaçkitje, ndezjen e shtëpive. Për rrugën e “Stambollit”, e cila për shekuj ishte e rëndësisë jetësore, letrari Qamil Sijariq më vonë kishte shkruar; “E shkretë është ajo rrugë nëpër fushën e Peshterit, dhe s’ka në te hane, s’janë më hanxhinjtë dhe kafexhinjtë, nuk është askush sepse njerëzit kanë shkuar në anët tjera, të duket se me ta ka shkuar edhe uji- nuk është askush. Kalldërma e dikurshme, kush e di se e kujt, mund të jetë, e romakëve, ndoshta e turqve, e ka mbuluar barishta. Barishta më së shumti paraqitet aty ku dikur ishin hanet. Pavarësisht sa qëndron, apo sa do të presësh asgjë nuk do të dëgjosh, Kanë shkuar nga këtu kaherë karvanët,”

Krimet që i ka bërë Boshko Boshkoviq, sipas autorit Avdiq, flet Skender Turkoviq ( Hukiq) 90 vjeçar.

“Ende pa mbërri ushtria malazeze  iu kishte  shkuar porosia, me të cilën  i këshillohet popullatës myslimane që para se të vjen ushtria malazeze, në shtëpitë e tyre duhet të vendosen flamujt e bardhë, të gjithë t’i dorëzojnë armët, dhe municionin, të gjithë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të jenë të gatshëm t’ju përgjigjen ftesës se ushtrisë. Kush nuk iu përgjigjet këtyre urdhrave do të jetë i vrarë. Objekti për mbledhjen e armëve ishte caktuar shtëpia  më e madhe në qendër te fshatit Doliq. Shtëpia kishte 11 dhoma, dhe në te jetonin  6 familje. me 70 anëtarë

Një dhomë ishte caktuar për Boshkoviqin dhe një dhomë për palët të cilat i sillte patrulla. Kjo dhomë shërbente për  rrahjen dhe maltretimin, para se t’i ekzekutonin apo i zhduknin. Me vendosjen e Boshkoviqit me ushtrinë e tij fillon edhe plaçkitja e popullsisë, duke ua marrë kafshët për sigurimin e ushqimit. Mbledhja e armëve ishte pretekst për të ua bërë jetën të padurueshme, me qëllim përfundimtar pastrimin etnik të kësaj treve. Likuidimet kryesisht bëheshin me vrasje nga pushkët por edhe me therje. Gjithsejtë në Doliq janë vrarë 20 persona pa asnjë arsye. Boshkoviq i pakënaqur me këtë vazhdoi të njëjtën gjë ta bëjë edhe nëpër fshatrat tjera. Në Ugëll vritet Hajredin Qelaj, me dy djemtë e tij, mandej Hidë Uglanini, me gjithë vëllain e tij, hoxhë Omeri të cilin e vrasin me 13 plumba dhe e therrën në fyt. Përveç vrasjes së 5 njerëzve të pafajshëm ata i djegin dy shtëpi, dhe hanin e Hajredin Qelës. Para se ta bëjnë këtë, kishin plaçkitur 700 krerë dele, dhe 60 krerë gjedhe. Të njëjtën ditë në Boroshticë kanë vrarë Tahir Shkrelin, ndërsa në Tuzinje 10 persona të pafajshëm, mandej edhe tre në fshatin Bërniq. Në vazhdim e sipër në fshatin Rasno vrasin një person të Rshlaninëve. Qëllimi i tyre ishte të vazhdojnë edhe në fshatrat tjera, por për shkak se nga ana tjetër kishte hyrë ushtria serbe ata u desh të kthehen mbrapa. Edhe në kthim e sipër,  nëpër vendbanimet tjera ata vazhduan ta bëjnë të njëjtën gjë. Ushtria malazeze, vazhdoi me plaçkitje e vrasje kudo që iu jepej rasti. Kur kishin arritur në Koritë( në anën malazeze të Sanxhakut I. A) atje tashmë armët ishin mbledhur për t’i dorëzuar, dhe ishin vendosur në vend të caktuar, flamujt e bardhë ishin vendosur në të gjitha shtëpitë e Muslimanëve. Të gjitha masat e ndërmarra, si në Doliq, e edhe në fshatrat tjera, nuk i shpëtoi Myslimanët. Me metoda perfide,  marrjen e armëve, mandej,  therjen e popullit duarthatë, u përdorën edhe këtu sikurse edhe në pjesët tjera të Sanxhakut disa vite më vonë. Në këtë fshat ushtarët malazezë vranë 58 meshkuj dhe dy gra, të cilat u munduan t’i mbrojnë bashkëshortët e tyre. U vra edhe një djalosh 18 vjeçar, të vetmin që kishin prindërit, të cilin e ëma ashtu të sëmur, i shtrirë në shtrat, e mbështjell për kraharorin e sajë, duke ju lutur që ta kursejnë. Nuk kishin mëshirë. Së pari ia prenë hundën, mandej para syve të së ëmës e vrasin. Ishte tragjedi e madhe e këtij fshati dhe për banorët e tij të cilët ishin viktimë e një politike brutale.”

Çarmatosja e popullsisë ka vazhduar të zbatohet edhe pas Luftës së parë botërore gjegjësisht  menjëherë pas ri okupimit nga ushtria e Mbretërisë Serbe.

Çarmatimi ka pasur të bëjë me faktin se kjo popullsi konsiderohej e disponuar armiqësisht ndaj “gjendjes së re”. Citon Hakif Bajrami, autorët serb B. Hrabak, D Jankoviq,

Se deri kur kishte arritur në planin e çarmatimit, mësojmë nga raporti rezervë i Shtabit të Divizionit të Kosovës, dërguar Komandës së Armatës së tretë në Shkup, ku thuhet se kjo komandë ka forca të mjaftueshme për çarmatimin dhe se plani tejet sekret numër 172 mund të realizohet, por vetëm duke përdorur dhunën ndaj popullsisë shqiptare.

Për çështje të çarmatimit, në qarkun e Rashkës ishin në dispozicion dy qeta të Regjimentit 24 me 2 topa malesh në Novi Pazar dhe një çetë në Tutin.

Për shpërnguljen e shqiptarëve shkruanin të gjitha gazetat, duke “shpresuar” se për një kohë të shkurtër do të shpërngulen të gjithë shqiptarët. Askush nuk mundi t’i mohojë vuajtjet e fshatarëve të Mitrovicës, të Vuçitërnës, të Sanxhakut dhe të Prishtinës që kanë pësuar mjaft dhe nuk mund të qëndrojnë më, por po i lëshojnë tokat e veta dhe po shpërngulen prej atdheut të vet. Shumë familje kanë lënë krejt çka kanë pasur dhe janë nisur për Turqi. Po dihet se shumë familje tani (1923) gjenden në Bullgari, pa të holla dhe jeta e tyre është në rrezik prej sëmundjeve të ndryshme. Për shpërngulje  po përdoret propaganda e dhunës,  Terrori ishte bërë dukuri sidomos në prag të zgjedhjeve.

Ali Hadri, në veprën e tij LNÇ në Kosovë  shkruante: “Kur merret parasysh pozita dhe gjendja jashtëzakonisht e vështirë e shqiptarëve në Jugosllavinë borgjeze, është plotësisht i arsyeshëm mendimi se Jugosllavia e vjetër për shqiptarët ishte burg me plot kuptimin e plotë të fjalës”.

Lidhur me propagandën serbomadhe nëpërmjet “Klubit Kulturor Serb”, studimi që shkaktoi më së tepërmi erupcion për të ndërmarrë aksione brutale e që ka qenë ndër akuzat më të rënda  kundër  pushtetit që nuk u “interesua” më tepër për të asimiluar popullsinë shqiptare, është padyshim  elaborati i Dr. Vasa Çubriloviqit “Shpërngulja e shqiptarëve”. Problemi i shqiptuarve theksoi ai, nuk lindi sot, ai, sipas tij, ishte problem edhe në mesjetë. Praninë e shqiptarëve Çubriloviqi e quante “Pykë të rrezikshme”. Mprehtësinë e kësaj “pyke”, sipas tij, Qeveria Serbe e kishte dobësuar qysh nga Kryengritja e Parë  serbe. Për të pasur efekt pozitiv  theksonte ai, duhet krijuar psikoza të nevojshme në këto forma: Është e njohur se masa shqiptare bie shumë vështirë nën ndikim dhe bindjet e veta i ruan me fanatizëm. Për këtë, në mes masave tjera  kësaj radhe po përmendim  atë që preferon në lidhje me ligjet të cilat duhet shfrytëzuar deri në maksimum, në mënyrë që t’i vështirësohet jeta  me anë të gjobave, burgimeve, me përdorimin e të gjitha formave të paskrupullt të të gjitha metodave policore me dënime në masë. Mandej e masave  sanitare., rrëzimi i mureve dhe gardhiqeve, masave në veterinari, rritjen e tatimeve. Shqiptari duhet të ngacmohet, duke ua prishur varret, ndalimin e martesave, duhet detyruar që fëmijët të dërgohen në shkollat, ku fyhej  elementi shqiptar dhe ku nxënësve u thuhej se shqiptarët janë njerëz me bishta.

Hajredin Hoxha, në punimin e tij në “Përparimi”; Politika e eliminimit të shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë së vjetër, shkruan: “Gjoka Perina po ashtu ishte i mendimit si Çubriloviqi. Ky titullar i lidhjes së Kooperativave Serbe në Sarajevë thekson praninë e shqiptarëve në regjionin e Sanxhakut. Sipas Perinës popullsia shqiptare në Kosovë paraqet rrezik të përhershëm. Perina preferon shpërnguljen  ciklike brenda për brenda shtetit, sepse ndërrimi i këtillë i popullsisë nuk kërkon mjete të mëdha, ndërsa popullsia shqiptare , thotë ai, do të humbasë në detin e gjerë sllav.”

Represaliet, dhuna, shpërngulja, vazhdoi gjatë Luftës së I- rë, pas , në mes të Dy Luftërave Botërore, por edhe pas luftës së Dytë Botërore. Aksioni i mbledhjes së armëve në Jugosllavinë e Titos, nuk i kurseu sa shqiptarët e Peshterit. Peshterasit ishin therë në sy edhe gjatë  pushtetit të Sllobodan Millosheviqit. Peshterasit vazhdojnë të jenë element i padëshiruar edhe sot e kësaj dite, pavarësisht ndryshimeve të qeverive në Serbi.

Ishin këto vetëm disa të dhëna të cilat dëshmojnë për të kaluarën e hidhur të popullsisë së Sanxhakut me theks të veçantë të peshterasve. Dhe, nga kjo mund të konkludojmë se shqiptarëve të Peshterit, rreziku më i madh iu kanosej nga asimilimi, ishte pikërisht ndjekja e shkollimit në shkollat serbe, çka, që deri diku edhe u dëshmua. Shqiptarët e Peshterit kurrë nuk iu nënshtruan  pushtimit serbo- malazez. Ata ruajtën fenë, doket, zakonet, mënyrën e jetesës, por, në masë të madhe e humbën gjuhën shqipe.

Filed Under: Histori Tagged With: Faktorë të “lodhjes” së identitetit, Ismet Azizi, të peshterasve

Harta e re e qeverisjes në Kosovë dhe fatipolitik i Isa Mustafës

June 15, 2017 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Në Kosovë po vijon debati për krijimin e qeverisë së re. Të drejtën e e mandatit për qeverisje e ka partia ose koalicioni që ka marrë më shumë vota dhe sigurisht që kjo ka të bëjë me partitë PDK-AAK-Nisma. Presidenti i vendit ka detyrim kushtetues t’i japë mandat këtij koalicioni që ai ta krijojë qeverinë e re. Po a do të mund ta bëjë këtë Ramush Haradinaj?! Eshtë pak e komplikuar. Atij nuk i mjafton vetëm lista serbe, e cila ka deklaruar se nuk do të koalicojë me këtë grupim. Me listën serbe dhe pakicat e tjera numri i deputetëve në parlament shkon në 59. Zotit Haradinaj i duhen 61 vota për t’u bërë kryeministër. Nuk po hamendësoj për ndonjë abstenim në radhët e PDK-së, e cila e ka traditë krijimin e vështirësive në kësi procesesh. Atëherë atij i duhet si partner LDK ose Vetëvendosje. Të dyja këto parti kanë deklaruar se nuk bëjnë koalicion me PDK-në e zotit Thaçi e zotit Veseli. Vetëvendosje për shkaqe të pozicionit të saj antikorrupsion, program të cilin ia paraqiti elektoratit të saj. Ndërsa LDK për shkak të paqëndrueshmërisë së koalicioneve të mëparshme fajëson për këtë pikërisht PDK-në. Megjithatë ka eksponentë të LDK-së që do të duan ta realizojnë për të disatën herë një koalicion LDK-PDK, në rastin konkret edhe me AAK-në dhe Nismën. Këta zëra mesa duket duan që të nxjerrin nga përgjegjësia e humbjes kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa. Zoti Mustafa nuk kandidoi në listën e deputetëve të LDK-së. Fillimisht kjo u mor si modesti e tij. Në fakt po rezulton se ai nuk donte të thellonte dështimet e mëparshme. Po të kandidonte do të merrte aq vota sa Sabri Hamiti e Vjosa Osmani do të ishte shume më lart se sa kreu u partisë. Në këto kushte Vjosa do të kishte asin nën mëngë për ta larguar menjëherë Isën. Ndërsa moskandidimi ia ka krijuar atij mundësinë që të mjegullojë situatat. Në këtë lloj mjergulle ai dhe përkrahësit e tij nxisin partinë të bëjë koalicion me PDK-në, me qëllim që zoti Mustafa t’i thotë anëtarësisë së “Ne nuk kemi humbur, ne jemi në pushtet”. Ndoshta ai ka ofertë nga zoti Veseli për detyrën e kryetarit të parlamentit ose të zv.kryeministrit. Zoti Veseli do ta dëshironte shumë një bashkëqeverisje me zotin Mustafa, sepse e sheh atë si aleat për të eleminuar një ditë në formën e një puçi institucional kryeministrin e kandiduar, zotin Haradinaj. Pra në këtë pikë përputhen interesat dhe intrigat e politikës së djeshme. Por LDK duhet të ndryshojë, duhet të rinovohet, duhet të ketë një lidership të ri, i cili të afrojë figurat kontribuese të saj, të bashkëpunojë me këto figura, t’i respektojë ato, sepse në këtë mënyrë respekton trashëgiminë e saj dhe veten e saj. Në këto kushte një koalicion me PDK-në do të ishte vetëvrasje. Do të pengonte për të ndërtuar të ardhmen e saj dhe do ta sillte në një situatë të eleminimit si parti parlamentare. Më e mira është që LDK të mësohet të qëndrojë në opozitë. Në këtë mënyrë do të rritej, do të freskohej, do të kishte kohë dhe mjete të mjaftueshme për t’u rikthyer fuqishëm në skenën politike të Kosovës. Ndërkaq një koalicion i saj me Vetëvendosjen nuk do t’i sillte dëmet që sjell një koalicion me PDK-në, gjithësesi do bëhej pengesë për rritjen e saj. me Vetëvendosjen PDK ka më shumë afërsi sesa me PDK-në. Lidhja Demokratike ka qenë besnike e koalicioneve, ka programe progresive zhvillimi në ekonomi, kurse Vetëvendosja ka një vrull të padëshmuar për qeverisje. Kombinimi i eksperiencës së LDK-së dhe vrullit të Vetëvendosjes do të ishte mundësia e vetme e zhvillimit dhe përparimit të gjithanshëm të Kosovës. Në këtë kuptim, është interes i Kosovës që LDK dhe Vetëvendosje të bëhen bashkë për qeverisjen e vendit. Por do të ishte interes i LDK-së qëndrimi i saj në opozitë, duke e lënë Vetëvendsjen t’i bashkëngjitet koalicionit ë partive të dala nga lufta. Megjithatë një koalicion midis Vetëvendosjes dhe LDK-së do të vinte në rend, vetëm pas dështimit të zotit Haradinaj për të krijuar qeverinë e re. Kjo natyrisht kërkon kohën e vet, por jo pa limit. Më pas duhet ardhur te formula Vetëvendosje-LDK, gjithnjë nëse Albin Kurti do ta refuzonte një lidhje me PDK-në, siç edhe ka deklaruar. Skemën për të pranuar zv.kryeministrin e ministrin e Jashtëm zoti Kurti nuk ka gjasa që ta pranojë. Me LDK-në ai është e do të duhet të jetë kryeministër i vendit, së paku përmes një rrotacioni 2+2 vite. Këtë skemë mund t’ia ofrojë edhe PDK, por nuk ka për ta pranuar zoti Haradinaj. Përfundimisht duket se qeveria e re do të ketë dy aktorë, njëri i ri, Vetëvendosja, dhe tjetri i vjetër, LDK plus pakicave. Me këtë numër deputetësh vendimmarrja në parlament do të ishte solide dhe e pacënuar. PDK, AAK dhe Nisma do të mbeteshin në opozitë, e ndërkaq me kalimin e kohës mundet që zoti Hardinaj dhe zoti Limaj të shkëputeshin prej opozitës, duke iu bashkëngjitur koalicionit qeverisës. Kosova do kishte kështu një shans më shumë për të ndryshuar në rrugën e zhvillimit dhe integrimeve euro-atlantike. Natyrisht që zoti Kurti do të duhet të pozicionohet qartë në vijën politike të njohjes dhe konsolodimit të shtetit të Kosovës, gjë që kushtëzon edhe ndryshimin e koncepteve sa i përket bashkëpunimit rajonal, si kusht i integrimeve Euro-Atlantike.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Enver Bytyci, fati politik i Mustafes, Harta e re qeverisjes

Poezia, si formë e shprehjes së lirisë dhe dashurisë universale

June 14, 2017 by dgreca

Gëzim Hajdari, poeti shqiptar më i pranishëm i antologjive botërore/1 Gezim Hajdari

Nga Hyqmet HASKO/Rrugëtimi poetik i Gëzim Hajdarit është një rrugëtim mbresëlënës, i mbusHur me ankth e peripeci, me vuajtje e sfida, me stres e vetmi, por edhe me magjinë e perlave të tij estetike, ku ka trupëzuar e shpirtëzuar ëndrrën e tij në sirtar, ballfaqimin me poezinë dhe artin kontemporan të fjalës së bukur shqipe. I endur në terrnajën e poezisë së socrealizmit si i papërshtatshëm dhe i refuzuar, poeti lushnjar, me një botë të pasur emocionale dhe me potencë të lartë të imazhit poetik, gjeti në Perëndim eldoradën e tij, duke thyer të gjithë kufijtë e parashikueshmërisë për fatin e një poezie të re në troje e vise të tjera, ku deri atëherë nuk kishte trokitur poezia shqipe, ose më saktë, vetëm tek tuk ndonjë poet i “rekomanduar” ia kishte dalë të ishte deri diku i pranishëm.
Sot, pas një përvoje sfidante dhe ballafaqimesh të forta, mund të themi se Gëzim Hajdari është poeti shqiptar më i pranishëm antologjive botërore, më shumë se cilido shqiptar tjetër, duke qenë kështu edhe ndër më të studiuarit e letrave shqipe jashtë Shqipërisë. Por siç ndodh shpesh është pak i pranishëm e pak i ndjekur nga vet Shqipëria për të cilën ka bërë të flitet nëpër ambientet më elitare të poezisë botërore. Edhe pse paradoksale poeti me një talent të shpërthyer më së shumti e të mirëpritur tej mase jashtë Shqipërisë ka me vendin amë marrëdhënie të ndërlikuara e dyfaqëshe siç nuk mund të mos i kishte cilido idealist që për kohëra të gjata pat ëndërruar një Shqipëri më të mirë, duke varur shpresat në ndryshimet politike, sipas autorit të pambërritura kurrë.
Gëzim Hajdari, i lindur në vitin 25 shkurt 1957 në Lushnje (Shqipëri) dhe është një poet, eseist, përkthyes dhe transmetues shqiptar. Ai u diplomua në letërsi shqipe në Universitetin e Elbasanit dhe letërsisë moderne në Universitetin La Sapienza në Romë. Ai është autor i shumë librave me poezi, nga librat e udhëtimit, ese dhe përkthime. Veprimtaria e tij letrare bëhet e plotë në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe italiane. Poezia e tij është përkthyer në disa gjuhë. Ai është kryetari i “Montale Eugenio” Qendra Ndërkombëtare, si dhe një qytetar nderi për merita letrare, i qytetit të Frosinone, ku ai banon që nga viti 1992.
Kontakti i tij i parë më poezinë ka nisur që në moshën 11 vjeçe, por është një histori shumë e gjatë që i është dashur ta përmbledh disa herë nëpër intervista. Ka nisur në fshatin ku ai ka lindur, në Hajdaraj, vazhdoi pastaj në gjimnaz ku edhe u konsolidua. Pastaj erdhi vëllimi i parë me poezi i quajtur “Antologjia e shiut” që del një muaj para rrëzimit të diktaturës së Enver Hoxhës, natyrisht ka qenë një rrugëtim i mbushur me probleme politike, censure, mungesë lirie, që nuk ndryshuan as pas rënies së komunizmit.
Edhe më pas ka pasur probleme të tilla e madje, siç pohon diku edhe vetë, është kërcënuar edhe me jetë. Ai gjithmonë bënte pjesë tek idealistët, besonte se do të ndryshonin shumë gjëra, se do të ndërtohej një Shqipëri e re, më e ndershme, më e ligjshme, më transparente, por nuk ndodhi asgjë e tillë. Si gjithmonë idealistët janë humbësit e mëdhenj. Edhe në këtë rast fituan po ata që ishin fitimtarët e mëparshëm, ata që ishin ideologët e regjimit të vjetër dhe ky dyzim, kjo qasje repressive, kjo paranojë gjen pasqyrim të gjërë e të thellë në artin poetik të Hajdarit.
Ndërsa pjesës më të lodhur më të vuajtur të vendit iu desh të largohej. Edhe sot mbeten po të njëjtat kushte. Në Shqipëri nuk ka ndryshime. Një pjesë e mirë e idealistëve u detyruan të iknin, dhe Shqipëria mbeti e njëjta që ishte. Kjo natyrisht nuk do të thotë se ne kemi ndërprerë lidhjet me Shqipërinë. Tek Poema e mërgimit (Poema dell’esilio), Hajdari shpjegon gjithë këtë situate, teksa flet për gjithë dështimet e tij në marrëdhënie me Shqipërinë dhe dështimet e Shqipërisë me veten dhe të ardhmen.
Shqipëria, me dritëhijet, enigmat, mungesat, dhimbjet, vetminë, muret, izolimin, hapjen dhe shqyerjen, me gjithçka tjetër, duket se është e pranishme në vargun e tij të lirë, të thjeshtë, komunikues e të kapshëm, fluid e transhendent të Gëzim Hajdarit. Vargu i tij nuk u ngjason aspak atyre të poetëve të larëm, që me stile të padeshifrueshme, duket sikur shkruajnë për të komunikuar vetëm me ndonjë koleg që ndan me ta të njëjtin kod shkrimi, e jo me lexuesin që minimalisht kërkon emocion dhe emocioni nuk mund të vijë kurrësesi nëpërmjet errësirës dhe mosdepërtimit.
Hajdarin nuk joshet nga qasjet e ngutura dhe të hequra shpejt me laps të lehtë plumbi, qasje minimaliste, simboliste, surrealiste, e çfarëdolloj figurash të tjera që eufimizojnë mendimet e hedhura në letër vrullshëm.
Joshja e tij vjen nga thellësitë, nga përballjet me kujtesën, unin, historinë, përditshmërinë shqiptare.
Shqipëria e Hajdarit është Shqipëria e dyzimeve dhe fasadave, e rënieve dhe ngritjeve të vrullshme, e ëndrrës dhe zhgënjimit, e mitit dhe banalittetit, ku mbijetojnë farët e një të keqeje kolektive, por dhe gjallimi i shpresës së lirisë universale, që do ta mbështjellë më në fund fatin e vendit të tij të vogël ballkanik.
Suksesi i tij në Itali është unikal, por akoma më i beftë dhe më mbresëlnës është suksesi i poetit në botën anglo-saksone, që e ka pritur Gëzim Hajadarin krahëhapur dhe me ndjesinë e një befasimi poetik, të një zbulimi.
Botimi në Angli i vëllimit “Vragë” (Stigmata) i poetit Gëzim Hajdari, nga botuesi Shearsman Books në Bristol, me përkthyese Cristina Viti, i botuar në italisht dhe anglisht, pati një audiencë të pa parë në mediat londineze e më gjërë, shoqëruar me promovime të bujshme dhe fjalë të epërme lavdëruese për këtë poet. Promovimi i librit të Hajdarit do të paralajmërohej edhe nga disa site kryesore angleze, si dhe do ta publikonte siti kryesor: “Neës and Events European Literature Netëork”, si një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Londër.
Vëllimi Vragë/Stigmate është botuar tri herë në Itali nga botuesi i tij historik, Besa Editrice: botimi i parë në 2002, pastaj në 2006 dhe në 2016. Është një libër që të befason për ritmet dhe emocionet poetike që sjell, nëpëmjet kujtesave rurale të kthyera në klithma universal dhimbje e dashurie, ku vendlindja e tij, vendi i tij bëhen metafora të kërkimit të lirisë dhe dashurisë universale.
Thënë ndryshe, poezia e tij lind e përjetohet prej formave të pafundme të dashurisë, shndërrohet në joshje, që nxit dhe grish, konturohet e projektohet si një mundësi poetnciale për të njohur veten dhe botën. Poeti, njëlloj si në fillesën e marrëdhënies, gjen vendin në botë. Poezia rifiton vlerën e harruar dhe kthehet në një model kërkimi drejt ëndrrës së kulluar.
Dikush kapërcen vetminë. Dikush gjen fjalën e duhur mes fjalëve të humbura. Një tjetër mban mend vargje të kthjellët, të fuqishëm, plot tingull dhe kuptim, ashtu siç i ndeshim në poezinë e Gëzim Hajdarit. Falë origjinalitetit, kjo poezi na shtyn të besojmë se ç’ishte e poetit është bërë tashmë dritë brenda atij që lexon apo mban vesh ato fjalë magjike dhe drithëruese…
…Me kalimin e viteve, Gëzim Hajdari është shndërruar gjithmonë e më shumë në një poet të brendshëm, nga ai lloj i veçantë krijuesi që ujërat dhe dallgët e të folurës së përditshme i kthen në dritë poezish. I ngjashëm, por jo krejt njëlloj, me atë që mbështet veshin pas tokës për të dalluar lëkundjet, ky poet mbërthen kryet pas gjoksit, në përgjim të ndjenjës njerëzore.
Ja si shkruan poeti tjetër unik lushnjar Faslli Haliti: “Kur pashë këtë poezi të poetit Hajdari në një Blog me poezitë e Staneskut Lorkës A.Merinit, Bodlerit, shkruar italisht nga vetë poeti ynë, e përktheva këtë cikël me gëzimin që më krijoi poezia e lushnjrit tim Hajdari”. Ja një fragment i kësaj poezie:
“I lë këto vargje si një lamtumirë
gëlltitur nga lakuriqësia e kujtesës
duke e ditur se bota nuk ka nevojë për të
Për përshëndetjen time me dorën që dridhet
poshtë në sfondin e ndritur
askush nuk kujtohet.
Horizonte të dyshimta
mbështetem ujit tënd të ftohtë
dhe gërmoj ballin tënd prej qielli të zi
të braktisur në mjegullën e dendur…”
Udhëtimi i Hajdarit ka qenë dhe mbetet sinjifikativ dhe në SHBA, ku tash pesëmbëdhjetë vjet vazhdon të befasojë lexuesin, mediat dhe kritikën letrare amerikane me atë përcjellje krejt të veçantë që poeti i bën kujtesës, kohës dhe historisë shqiptare.
Botimet në revistat më prestigjioze letrare, intervista të bujshme në shtypin dhe mediat e USA, marrja me krijimtarinë e tij poetike të disa emrave mjaft domethënës në qarqet letrare dhe kritike amerikane, e bëjnë Hajdarin një poet dhe një letrar që nga një emigrant, i larguar nga vendlindja për shkak të keqkuptimeve me një kohë të sëmurë, është kthyer në një përcjellës të vlerave të mbetura në hije të letërsisë, artit dhe kulturës elitare të vendit të shqiponjave.
Veç gjithë zulmës së botimeve dhe vlerësimeve që nuk kanë reshtur për asnjë çast, në USA janë shumë universitete që studjojnë veprën e G. Hajdarit. Në USA janë mbajtur disa kumtesa mbi poezinë dhe veprën e poetit shqiptar, ndërkohë që poezi të poetit Hajdari janë recituar edhe në aktivitete e mbrëmje letrare amerikane. Vepra të Hajdarit që janë përkthyer në USA dhe presin të botohen në të ardhmen janë: “Trup i pranishëm”, përkthyer nga Charif Shanahan; “Poezi të zgjedhura 1990 – 2007”, përkthyer nga Viktor Berberi; “Poema e mërgimit”, përkthyer nga Anita Pinzi; “Poezi te zgjedhura 1990 – 2007” dhe “Barihidhët”, përkthyer nga Sara Stickney dhe “Dhimbjehëne”, përkthyer nga Patrick Barron.
Pra, siç shihet, veç Italisë dhe Francës në Europë, në Angli dhe SHBA-të kanë shfaqur mjaft interes mbi veprën e Gëzim Hajdarit.
Duke lexuar Gëzim Hajdarin të duket sikur përballesh me efektet e një kure teraupike, pas një mpirje të gjatë dhe ankthi sindromik dhe ky është efekti i poezisë së vërtetë, të të freskojë shpirtin dhe të të bëjë të ndihesh me mirë me veten dhe me të tjerët, në një botë të pa përkryer dhe stresante, siç është bota jonë, të cilës poeti i bën një autopsi të thellë poetike, të denjë për penat më të mira të artit poetik, në të gjitha kohët dhe e cila ka çuditur botën perëndimore me fuqinë imazhiniste të këtij poeti unik.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gezim Hajdari, Hyqmet Hasko, Poeti i antologie boterore

Pluralizmi i rrremë dhe bojkoti aktiv

June 14, 2017 by dgreca

Dr. Ledian Droboniku_ Lëvizja ShqipON

Nga Dr. Ledian Droboniku*/Shqipëria jo vetëm që ishte dominoja e fundit e rënies së komunizmit por dhe vendi që adoptoi me vonesë një Kushtetute të re. Kushtetuta u aprovua me referendum popullor vetëm në dhjetor të 1998. Ndryshe nga ideologjia komuniste (që i atribuonte rolin diktues jo Kushtetutës por politikës dhe partisë-shtet) Kushtetuta e re synonte ndërtimin e shtetit të së drejtës, ose vënien e politikës dhe ekonomisë nën kontrollin kushtetues.

Çfarë do të thotë kjo gjë?
Do të thotë që jeta politike dhe ekonomike në vend të mos diktohej më nga partitë-shtet, por nga një Kushtetutë që ngrihet mbi sovranitetin popullor dhe të drejtat e individit. Pra regjimi që duhet të adoptonte dhe realizonte Shqipëria, duhet të ishte një demokraci liberale.  Në fakt nuk u realizua as demokracia dhe as liberalizmi ashtu si dhe Kushtetuta vazhdoi të kishte thjesht një rol formal, si kishim eksperimentuar në 45 vjet totalitarizëm.
Demokracia ngritur mbi parimin e sovranitetit popullor (neni 2) kërkonte që shteti të ishte i togëzuar me vullnetin e sovranit. Por instrumentat për realizimin e këtij vullneti nuk iu dhanë kurrë popullit por mbetën përsëri në duart e një oligarkie që vetëmërohej si në Nomenklaturën e vjetër.
Në radhë të parë, instrumentat e demokracisë direkte. Edhe pse Kushtetuta i parashikon ato formalisht, popullit nuk iu lejua kurrë të niste dhe shprehte direkt vullnetin e vet, për çështjet madhore këto dekada. Madje sot, nuk kemi as dhe një ligj formal mbi referendumet kombëtare apo lokale, nismat popullore apo peticionet. Fatet e Shqipërisë dhe shqiptarëve i vendoste dhe i vendos vetëm partia.
Por, nëse partia do vijonte të ishte de facto i vetmi motorr në jetën e vendit, të paktën mund të kishim rekuperuar demokracinë përfaqësuese duke vënë partitë nën kontrollin demokratik të popullit si kërkon neni 1 dhe 9 i Kushtetutës.

    Ajo që ndodhi ishte krejt e kundërta.
Kasta e tranzicionit kishte trashëguar mentalitetin komunist, ku i gjithë pushteti i takon sovjetëve dhe çfarë thotë partia bën populli. Të gjitha reformat kushtetuese e ligjore, çuan në fakt në përqendrim të pushtetit. Është kryetari që kontrollon partinë dhe jo e kundërta. Është partia që kontrollon qytetarët dhe jo e kundërta. Nën këtë totalitarizëm “të butë” të gjitha institucionet shtetërore, ashtu si dhe ekonomia, media, akademia, arti e kultura kontrollohen prej një oligarkie organizuar në parti politike. Ndërsa rituali i votës vijoi të ekzistonte si në komunizëm, për të legjitimuar kastën dhe jo realizuar vullnetin e sovranit. 
Nëse shteti kthehet në pronë të një oligarkie, ai që sakrifikohet është interesi publik përfaqësuar nga shumica e qytetarëve, bizneseve, punëtorëve, profesionistët e rinj, studentëve apo pensionistëve. Pra janë të drejtat e individit që dhunohen përditë prej një kaste autoreferenciale. Kjo do të thotë dhe goditje e shinës së dytë të Kushtetutës: Liberalizmit
Liberalizmi për të realizuar aspiratat e veta ka nevojë për demokracinë, ashtu si dhe kjo e fundit ka nevojë për të drejtat liberale për të formuar vullnetin e lirë të qytetarëve. Të dyja këto ideologji komplementare bashkëjetuan brenda konstitucionalizmit modern dhe shtetit social. Jo pa qëllim përdor kohën e shkuar, pasi prej dekadash, ka filluar në Perëndim një sulm ndaj konstitucionalizmit dhe triumf të globalizmit, erozion të sovranitetit dhe demokracisë në favor të elitave financiare transnacionale.
Po çlidhje ka kjo me Shqipërinë?

Njerëzit priren të lexojnë mikro-realitetin, pa patur instrumenta për të kuptuar totalitetin sikur Shqipëria të ishte ende një vend i izoluar dhe jo kaq e ndërvarur nga bota.
Ajo që ndodh në Shqipëri, në fakt është replikim i trendit të ri botëror mbi një teori hibride, e njohur si neoliberizëm. Nisur prej një dogme ekonomike, ku tregu rregullon gjithçka, ky vizion elitist pushton politikën dhe çdo aspekt të jetës, në një totalitarizëm të ri. Klerikët e këtij sistemi, kanë zbritur nga altari, liberalët klasikë si Locke, Rousseau, Monteskje, Smith për ti zëvendësuar me radikalë si Schumpeter, Hayekun apo Friedmanin.
Interesi publik në këtë vizion nuk realizohet më nga pjesëmarrja e qytetarëve në jetën politike dhe ekonomike të vendit, por falë “konkurrencës mes elitave”. Nuk ka një harmonizim mes publikes dhe privates (si kërkonte Arendt); ndarjes së pushteteve (si kërkonte Monteskje) por supremaci të ekzekutivit; jo ndarjes së Shtetit nga Ekonomia (si kërkonte Smith), por kapjen e shtetit prej lobeve ekonomike-politike (si frikshëm parashikonte Foucault). Në këtë mënyrë politika bëhet domain i lekistëve dhe replikim i mekanizmave të tregut. Ajo shndrrohet në marketing ku dëshirohet veç të shitet një produkt e jo se si prodhohet dhe për kë shkon ai. Diskutimet e qenësishme i lënë vendin slloganeve të marketingut politik, ku qytetari sillet si konsumator që mezi pret të blejë produktin e radhës.
Por çfarë ndodh, nëse ai produkt nuk vjen kurrë megjithë morinë e ofertave në tregun politik?
Çfarë ndodh nëse të gjitha produktet janë skadente dhe larg preferencës së konsumatorëve?
Nuk ndodh asgjë!
Brenda kësaj paradigme ekonomike-politike nuk ka zgjidhje!
Sistemi ka nevojë që masat të konsumojnë, pavarsisht se ekuilibri realizohet në nivele subsahariane. Dogma neoliberiste nuk ngrihet mbi optimalizimin e kërkesës (pra në favor të nevojave të popullit si kërkonte Keynes) por mbi ofertën (privilegjet e elitave, sipas ligjit të Say).  Duket familjare atëherë se përse shtimi i ofertave partiake ngjason me shtimin e produkteve skadente në supermarkete. Dekadenca e partive nuk ndryshon nga kanceri i ushqimeve, jo si përjashtim por si esenca strukturore e këtij sistemi. Në shooqëritë konsumeriste, njerëzit duhet të konsumojnë medoemos, se përndryshe mund të nisë Revolucioni. Këtë gjë e kuptojnë elitat sunduese por jo qytetarët të trasformuar në konsumatorë të një bote fallco e skadente.
Po atëherë çfarë duhet bërë?
Ajo që kemi bërë gjithmonë kur gjërat nuk shkojnë mirë, pavarsisht tentativave!
Të ndryshojmë perspektivën, nga iluzion se toka është e sheshtë në atë se toka është sferë, nga iluzioni se problemet e të mjerëve do i zgjidhin lekaristët në bindjen se “gomarin e nxjerr i Zoti nga balta”
Të kuptojmë që ky sistem nuk është ngritur për të mirën e përgjithshme por për atë të pak njerëzve! Të kuptojmë që deri sa instrumentat ti ketë oligarkia dhe jo qytetarët, interesi publik është i rrezikuar! Të kuptojmë që  çdo lloj oferte brenda këtij modeli është e rremë dhe shton agoninë e një populli të tërë! Të kuptojmë që politika është aktivitet i qytetarëve dhe jo produkt që shitet nga partitë dhe lobet! Të kuptojmë që nëse sillemi si konsumatorë, do presim me dekada përpara kutisë së votimit për një alternativë që nuk vjen kurrë vetë! Të kuptojmë që më e rëndësishmë se “oferta” është “kërkesa”, pra ajo çfarë vërtet kemi nevojë. Dhe nëse ajo nuk gjendet duhet ta prodhojmë vetë!
Totalitarizmi i ri (ndryshe nga ai i vjetri) pranon se është i padrejtë, por në të njëjtën kohë eliminon çdo lloj mundësie për ta ndryshuar. Ai nuk fsheh problemet por përmbys përgjegjësitë, betejat dhe zgjidhjet. Kështu për të mos pranuar kapjen e shtetit dhe ekonomisë flitet për korrupsion, për të evituar revolucionin flitet për evolucion, votime apo rotacion. Duhet që energjia prej pakënaqësisë sociale të derdhet në kanale të parrezikshme ose të anullohet mes vetë të mjerëve.
Refreni që përsërit kasta, “miqtë ndërkombëtarë”, media e intelektualët e sistemit është e njëjtë prej dekadash: <<vota është arma juaj>>. Por ajo është një armë  lodër që nuk arrin më as të zbavisë qytetarët. Armët e vërteta i mban një kastë antikombëtare me mbështetjen e lobeve ndërkombëtare.
Ajo do vijojë të prodhojë pa fund parti sistemike, që replikojnë të njëjtën ADN antidemokratike e antiliberale. Të gjitha partitë organizohen rreth liderrrit absolut me besnikë e mercenarë. Kurse programet ekonomike (kur ekzistojnë) janë të gjitha neoliberale, që shohin problemin tek shteti dhe zgjidhjen tek privatizimi i pasurive publike apo të shërbimeve, që flasin vetëm për taksa e jo politika industriale, politika ekspansive monetare, fleksibilitet të normës së shkëmbimit, banka publike e sovranitet monetar, shpërndarje të pasurisë dhe rekuperim të drejtësisë sociale, fuqizim të sindikatave, etj. Kjo klasë politike nuk mund ti kundërvihet lobeve transnacionale që kontrollojnë sektorët strategjikë e të interesuar vetëm për “stabilitet” që mos tu rrezikohet pagesa e borxheve dhënë me bujari Shqipërisë.     Zgjeruam këndvështrimin për të kuptuar këtë sistem që nuk e shpikëm ne, por e importuam ashtu si importuam komunizmin dhe cdo gjë tjetër në këtë vend. Pa kuptuar shpirtin e epokës ku jetojmë (zeitgeist) nuk do kuptojmë dot as rrugëdaljen. Do vazhdojmë të bëjmë lojën e partive dhe lobeve që na mbushin mendjen, se vota është shpëtimi, se duhet zgjedhur e keqja më e vogël e të tjera si këto. Por vota në këto kushte, ku ekonomia, media, insitucionet, shoqëria civile janë të kapura i shërben vetëm kastës dhe klerikëve të sistemit. Nuk është çudi që përse të gjithë intelektualët në kohën e neoliberizmit janë të gjithë neoliberistë, ashtu sikundër në komunizëm ishin të gjithë komunistë. Kasta promovon e josh vetëm intelektualët organikë e jo ata disidentë. Çdo reformë demokratike për ti kthyer pushtetin politik e ekonomik qytetarëve anatemohet si populiste kurse autorët si radikalë apo komplotistë! Jo shumë larg totalitarizmit komunist ku kundërshtarët,  etiketoheshin si mikroborgjezë apo revizionistë!
Kjo është idea e lirisë prej neoliberistëve.
Nëpërmjet një pluralizmi të rremë, që pavarisht fasadës promovon të njëjtin vizion të botës, liria degradon. Nuk mund të ketë liri, nëse nuk ka mundësi zgjedhjeje për një jetë më të mirë. Ashtu sikundër nuk shuhet etja, nëse të vënë përpara vetëm gota me shëllirë.
Etja e Shqiptarëve për një Shqipëri më të mirë, mund të shuhet npj një reagimi të fortë ndaj status quos. Ky reagim nuk mund të jetë thjesht abstenimi ndaj politikës sepse kjo do të ishte muzikë për kastën që kërkon të mbajë larg qytetartë prej pallatit të politikës. Përgjigjia më e mirë do të ishtë Bojkoti Aktiv, pra zgjedhësit bëjnë të pavlefshme fletën e votimit. Kjo mënyrë e të votuarit, sanksionuar në disa shtete, reflekton të drejtën e rezistencës së popujve,  ndaj një regjimi që ka zaptuar institucionet. Ius resistendi, lindi bashkë me ideologjinë liberale dhe sanskionohet në shumë kushtetuta (ajo gjermane madje parashikon rezistencën e armatosur të popullit).
Nga ana tjetër, vota mund të jetë pohuese, mohuese apo neutrale. Nëse këtë tagër e kanë përfaqësuesit e popullit në parlament, si nuk e paska populli që delegon këtë pushtet.
Sigurisht që një bojkot masiv nuk është zgjidhja përfundimtare, por shkëputja me kastën e tranzicionit! Vetëm pas thyerjes së zinxhirave, mund të braktisim shpellën e Platonit e të nisim një rrugëtim drejt lirisë dhe demokracisë autentike. Ndërsa konformimi me votimin dhe mekanizmat e sistemit, na mban të mbyllur brenda “qelisë së çeliktë” të Weberit ku nuk ka dyer e dritare!
Jemi ne që vendosim, nëse kuptojmë e dëshirojmë shpëtimin!
Është populli që ndalon së qenuri konsumator i këtij pluralizmi të rremë dhe vendos të jetë sovran e vendimmarrës i fateve të tija!
Në një Shqipëri Normale e të begatë, ku demokracia dhe ekonomia vihet në shërbim të të gjithëve dhe jo vetëm një kaste barbare dhe antishqiptare!

*Dr. Ledian Droboniku_ Lëvizja ShqipONDr. Ledian Droboniku

Bashkëthemelues i ShqipON

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe bojkoti aktiv, Dr. Ledian Droboniku, Pluralizmi i rrremë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT