• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2017

Duka:”De Biazit do ti ofrojmë kontratë të re. Shpresojmë qe tekniku të firmosë”.

June 10, 2017 by Administrator

de-biassi

 

24 orë  perrpara takimit Izrael-Shqipëri, Presidenti i FSHF Armando Duka theksoi se nuk ka në plan shkarkimin e teknikut kuqezi :“De Biazi po vjen drejt përfundimit të kontratës dhe mund të diskutohet nëse do të vazhdojë apo nuk do të vazhdojë me një kontratë të re “. 

 

Mbledhja me skuadrën 

“Nuk mund të riprodhoj gjithçka që kemi diskutuar në mbledhje, por qëllimi ishte që realisht kemi kaluar një periudhe jo të mirë dhe një ndeshje ndaj Luksemburgut për tu harruar.

Ajo mbledhje u zhvillua për të kuptuar çfarë po ndodh me ne, pse nuk jemi ata që ishim dhe pse po na ikën shkëlqimi që kishim.

Analizuam gabimet dhe shpresoj të bëjmë sa më mirë që në ndeshjen ndaj Izraelit. Kam kërkuar nga ekipi që të gjejmë forcat, pasi siç e kemi kuptuar të gjithë kemi rënë në vetëkënaqësi.

Festa, Europiani nuk kishte  mbaruar akoma. Uroj që sot kjo festë të ketë mbaruar dhe të kthehemi në futbollin e sakrificës në Izrael.”

Për humbjen ndaj Luksemburgut

“Të humbësh një ndeshje kundër një kundërshtari në letër jo si ne, nuk është fundi i botes. Puna është se ne nuk dhamë më të mirën tone.

Nuk bëmë gjithçka mirë, duhet të japim maksimumin tonë të nxjerrim atë që kemi brenda, se ndoshta se kemi nxjerrë në ndeshjet e post Europianit.

Në qoftë se vjen fitorja në rregull, në të kundërt s’ka problem. Nuk besoj se bëmë gjithçka mirë pasi nuk kishim impenjimin e duhur, ndoshta dhe fakti që ishte ndeshje miqësore.

Shqetësimi nuk ka qenë vetëm ndeshja miqësore, post Europiani ka qenë një periudhe vetëkënaqësie, uroj të ketë përfunduar.”

Kujtimet e Europianit dhe ndeshja ndaj Izraelit

“Kujtimet e Europianit do jenë kujtime të bukura që do t’i kujtojmë gjithmonë, por tani duhet të mendojmë për të ardhmen, duhet të mendojmë se çfarë do të bëjmë më mirë në ketë 11 qershor se në ai i vitit që shkoi.

Jemi në një moment që duhet të demonstrojmë diçka ndryshe. Ekipi është i përgjegjshëm dhe e ka kuptuar çfarë duhet të bëjë në Izrael.”

Energjitë e reja për të rritur adrenalinën

“Pas sukseseve të mëdha është e vështirë ta menaxhosh suksesin. Pasi këtu bëhen diferencat, këtu dallohen kampionët e mëdhenj.

Kampionët e mëdhenj kërkojnë suksese të tjera, ata që nuk janë mësuar e kanë vështirë t’i menaxhojnë këto suksese.

Jemi në periudhë të errët, uroj të mos vazhdoj më kjo periudhë. Kjo skuadër i ka forcat, t’i nxjerri vlerat e veta ndaj  Izraelit.

Nuk duhet të bëhemi si Lituania që u kualifikua një herë në Kampionatin Europian të 2004 dhe se kam dëgjuar më nëse luan futboll apo jo.“

Objektivi i vendit të tretë

“Natyrshëm ne përsëri mund të dalim në vend të tretë, por ajo çfarë kërkoj nga skuadra është që të bëjë atë që di të bëjë, të luaj ashtu siç di të luaj.

Kjo nuk është një skuadër me yje, është një skuadër yll dhe këtë e kam thënë gjithmonë, por që mund të bëhet yll vetëm duke dhënë më shumë se 100 %.

Nëse mendojnë para ndeshjes që janë yje do ta pësojmë si në Luksemburg. Nëse fitojmë në Izrael vendi i tretë atje është.”

Për zërat në mediat italiane rreth largimit të De Biazit

“Nuk është e rëndësishme nëse më bezdis apo ndikojnë te unë lajmet që qarkullojnë për trajnerin, por unë mendoj se nuk janë të mira për skuadrën, sepse ndofta e shpërqendrojnë edhe skuadrën se ekziston një raport mes skuadrës e trajnerit. Nuk besoj se i bëjnë mirë skuadrës.

Për mua besoj se mbeten zhurma mediatike sepse nuk ka asgjë zyrtare. Me trajnerin kam ndjekur stërvitjen bashkë edhe sot dhe nuk kemi biseduar asnjëherë për gjëra të tilla. E kam thënë disa herë që është në një kontratë e cila përfundon në fund të këtij edicioni.

Nuk kemi diskutuar asnjëherë për të ardhmen, aq më keq në një situatë jonormale që ne konsiderojmë paraqitjen tonë. Është shqetësim për ne, shqetësim për trajnerin, shqetësim për të gjithë, nuk ia vlen që të diskutosh për gjëra të tilla”.

Për faktin që De Biazi nuk i komenton dhe mohon zërat

“Për mua, ashtu si për ju, janë gjëra mediatike. Nuk di gjëra zyrtare, janë gjëra që nuk na shërbejnë. Nuk i shërbejnë qëllimit kryesor që kemi ne, interesat e skuadrës Kombëtare. Nuk më interesojnë interesat e asnjë individi, më interesojnë vetëm të skuadrës Kombëtare”.

Nëse mendon shkarkimin e trajnerit nëse mundemi ndaj Izraelit

“De Biazi po vjen drejt përfundimit të kontratës dhe mund të diskutohet nëse do të vazhdojë apo nuk do të vazhdojë me një kontratë të re. Ne, sido që të jenë rezultatet, do t’i shkojmë kontratës deri në fund, të paktën ne si Federatë e Futbollit

Të shkarkosh një trajner nuk është ndonjë kënaqësi se vë një person në një pozitë të vështirë. Por fatkeqësisht unë kam shkarkuar më shumë se një”.

Për arsyet e euforisë së Kombëtares

“Euforia është legjitime në një lloj mënyrë, është një epidemi që nuk ka njeri që nuk kap, apo skuadër. Varet se kush e menaxhon më mirë. Euforia nuk ka kapur vetëm futbollistët, euforia na ka kapur të gjithë neve. Ka kapur ambientin sportiv, nga unë, trajneri, të gjithë ne kemi menduar se u bëmë shumë të mëdhenj.

Por të mëdhenj jemi kur djersijmë shumë, madje-madje duhet edhe të nxjerrësh gjak në fushë e jo djersë që të arrijmë rezultate pozitive. E rëndësishme është që kjo euforia, që i kap të gjithë pas një suksesi ndofta të pazakontë, të kalojë sa më shpejt dhe unë uroj që të ketë kaluar”.

Për diskutimet me trajnerin rreth temës së euforisë

“Kjo euforia i ka kapur të gjithë aq sa kemi dëgjuar shumë diskutime në Shqipëri kur humbëm me Spanjën, ishim aq euforikë sa na u duk fundi i botës. Një humbje ndaj Spanjës është normale për çdo ekip në botë, jo më për Shqipërinë.

Padyshim që çdo ekip në botë futet për fitore por ishim aq shumë euforikë sa na u duk fundi i botës humbja me Spanjën. Ne duhet të dimë vlerat tona, limitet tona dhe të kemi pretendimet tona reale, duhet të dimë edhe armët e forta tonat, t’i shfrytëzojmë ato që janë lidhja e skuadrës me fanellën, përkushtimi maksimal që të arrijmë në suksese”.

Shiriti i kapitenit

“Ai që e merr shiritin duhet ta shikoj si detyrë jo privilegj. Në rastin konkret për ndeshjen ndaj Luksemburgut por edhe tani kapiten është Mavraj, është një nga futbollistët më goxha kontribute këtu dhe e meriton atë siç mund ta meritojnë dhe shumë të tjerë.

Shumë e meritojnë por njëri e merr shiritin. Kjo skuadër nuk e ka problem këtë gjë, janë thjesht zëra mediatike sesa probleme reale. Kapiteni që kishim, patjetër që e kishim shumë të mirë, ai ka krijuar gropën e vet por nuk ta mbanin 50 vjet.”

Situata dhe problemet

“Nuk mendoj që një rezultat pozitiv apo negativ e shpëton situatën. Dua një paraqitje të mirë, ajo ka më shumë rëndësi. Dëshira që mos jetë e njëjta skuadër si në ndeshjen me Luksemburgun.

Duhet të demonstrojmë një gjë ndryshe, atëherë mund të themi që është shëruar problemi që quhet epidemi.”

E ardhmja e Kombëtares

“Gjëja që më shqetëson më shumë është sjellja ndryshe e skuadrës. Duhet më shumë besim te vetja që të bëjmë mirë dhe të jemi pretendentë kryesorë për tu kualifikuar në 2020.

Nuk kam menduar për stafin e ri. Terapi që duhet të bëjmë për të kaluar këtë krizë është një test që duhet menduar për të ardhmen.”

Parashikimi për sfidën ndaj Izraelit

“Kam besim se skuadra do jetë ndryshe në Izrael. Ata na kanë mundur në Elbasan kanë mundësitë dhe pretendimet e veta.

Rezultati është i hapur. Ajo që ka rëndësi është një paraqitje dinjitoze. Uroj të mos humbin në Izrael

Filed Under: Sport

Hoti: Fitorja jonë çliron Kosovën dhe krijon perspektivë për fëmijët tanë

June 9, 2017 by dgreca

 

unnamed (3)unnamed (2)unnamedunnamed (1)Para mijëra simpatizantëve të koalicionit të djathtë, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të premten se fitorja jonë nënkupton çlirimin e Kosovës dhe krijimin e një perspektive për fëmijët tanë.
“Të nderuar qytetarë. Sot, iu shoh të lumtur. Sytë tuaj e tregojnë këtë. Dhe keni të drejtë. Fitorja është afër. Kjo fitore e çliron të ardhmen tonë. Kjo është fitore për fëmijët tanë. Askush më nuk mund të mbajë peng të ardhmen e vendit tonë. Fitorja jonë lindi në Podujevë, Obiliq, Fushë-Kosovë, Kaçanik, Junik, Deçan, Drenas, Shtime. U rrit në Pejë, Gjakovë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Viti, Gjilan. Sot, po kulmon këtu në Prishtinë, me këtë masë të jashtëzakonshme”, ka thënë Hoti.
Ai i ka garantuar të gjithë qytetarët e Kosovës se do ta mbrojmë fitoren tonë dhe askush nuk mund të shkelë mbi të, sepse ne Brezi i Republikës bashkë me qytetarët jemi më të fortë se kurrë.
“Kur baballarët tanë, në krye me arkitektin e pavarësisë, Presidentin Historik Ibrahim Rugova, filluan projektin për pavarësinë e Kosovës, shpresa ishte e madhe. Ajo ishte shpresë për një Kosovë të pavarur, të zhvilluar, demokratike, me rend dhe ligj, të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Sot, ai testament i baballarëve tanë na është besuar ne, Brezit të ri, Brezit të Republikës. Ne jemi të gatshëm ta marrim këtë përgjegjësi. Mua më është besuar ta udhëheqë këtë projekt historik. Dhe unë e mbaj fjalën”, ka potencuar Hoti.
Ai ka deklaruar se Republikën mund ta bëjnë vetëm njerëz të ndershëm e atdhetarë dhe ky është ekipi im, kjo është lista që ne ua prezantojmë.
“Lista jonë përbëhet nga njerëz që e njohin Republikën si atdheun e tyre të vetëm. Mbrojtës të lirive themelore. Liberalë. Ithtarë të pushtetit të deleguar. Legalistë. Ëndërrimtarë për Kosovën që duam. Por, mbi të gjitha, njerëz të dashuruar në atdheun dhe familjen e tyre. Këta njerëz jemi ne, Brezi i Republikës”, ka thënë Hoti.
Kandidati i djathtë për kryeministër ka deklaruar se na duhet patriotizëm qytetar, që mbron të drejtën tonë për jetë më të mirë, që mbron mundësitë tona të barabarta dhe na duhet patriotizëm qytetar, për t’i mënjanur ata që na mbajtën peng kaq gjatë.
“Kosova ka nevojë për një rrugë të re politike. Unë kam marrë përgjegjësinë, që bashkë me aleatët, ta bëj këtë. Dhe unë e mbaj fjalën e dhënë”, ka shtuar Hoti.
Sipas Hotit neve na duhet një Qeveri e vogël dhe e përkushtuar, na duhet një qeverisje me qytetarin dhe për qytetarin. “Unë jam këtu sot për të komfirmuar para jush vullnetin dhe gatishmërinë për t’i udhëhequr këto ndryshime”, ka shtuar ai.
“Nuk mund të lejojmë më tutje dhunimin e lirisë sonë. Nuk mund të ketë indiferencë ndaj shkeljes së lirisë. Ky është rasti ynë për të realizuar ëndrrën e lirisë. Ne jemi përcaktuar për Republikën. Ne do t`ia dalim. Fatin tonë do ta marrim në duart tona më 11 qershor. Kthim prapa nuk ka. Republika u përket qytetarëve”, ka potencuar kandidati për kryeministër.
Hoti ka thënë se përcaktim i yni nuk është çështje partie, por është çështje e përcaktimit të fatit të fëmijëve tanë, është nevojë që çdo zemër ka për ta gjetur lumturinë, përmes drejtësisë, barazisë e të vërtetës.
“Këto ditë kemi udhëtuar bashkë në çdo cep të Kosovës. Ju kemi larguar nga obligimet tuaja, hallet e preokupimet, për t`ua bërë me dije sa e rëndësishme është vota juaj. E kemi bërë këtë, sepse kemi marrë përgjegjësinë e madhe – ta kthejmë te ju lirinë e vjedhur. Atë liri të kapur, të nëpërkëmbur e të përbuzur. Ne duam që përmes votës së 11 qershorit ta çlirojmë lirinë tuaj nga kapësit, një herë e përgjithmonë. Ja pse na duhet vota juaj, e secilit prej jush. Edhe e atyre që nuk na kanë votuar deri tash, për shkak të hallit apo të mashtruar, apo edhe për fajin tonë. Ne iu kërkojmë ndjesë. Por, tash ka ardhur koha të ktheheni në shtëpinë tuaj. Aty ku kanë lindur ëndrrat tuaja për liri, pavarësi e demokraci – në familjen e madhe rugoviane”, tha Hoti.
Ai ju ka drejtuar qytetarëve, në mënyrë të veçantë vajzave dhe djemve që për herë të parë u drejtohen kutive të votimit. “Unë kërkoj nga ju, të dashur të rinj, që votën, ashtu si dinjitetin, ta ruani si të shenjtë. Vota juaj është përcaktuese për të ardhmen tuaj.  Ajo do ta bëjë ndryshimin e duhur. Ju lus që më 11 qershor të dilni në zgjedhje, krenarë dhe besimplotë se ndryshimi po vjen bashkë me ju”, ka qenë mesazhi i Hotit për rininë.
Ai është shprehur i bindur se do t’i fitojë këto zgjedhje, por ne na duhet një fitore e madhe, për ta çkapur shtetin, për t’i çuar në opozitë kapësit e saj.
“Vetëm fitorja jonë i siguron Kosovës frymëmarrje të lirë.  Me mbështetjen tuaj më 11 qershor, ne do të krijojmë një qeveri që do ta udhëheqë Kosovën kah përmbyllja e shtetndërtimit. Vetëm qeverisja jonë, Kosovës ia çel rrugën për integrimet euro-atlantike, sepse vetëm ne jemi forca proevropiane”, ishte mesazhi i Hotit.
Kandidati i djathtë për kryeministër ka thënë se ne do të sjellim liberalizimin e vizave, ne do ta krijojmë ushtrinë e Kosovës, ne e përfaqësojmë denjësisht shtetin tonë, ne jemi seriozë përballë të gjitha obligimeve ndërkombëtare, ne do ta reformojmë dhe do ta pavarësojmë sistemin e drejtësisë, ne kemi miq të fortë që na besojnë dhe na ndihmojnë, na besoni neve, më besoni mua dhe dilni masivisht në këto zgjedhje, që janë referendum për Kosovën.
“Bashkë do ta vulosim të ardhmen evropiane të Kosovës.  E diela është ditë feste. Siç thoshte Presidenti Rugova, në këtë ditë vishuni bukur, të dukuni bukur, sepse 11 qershori do të jetë festa jonë e madhe. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë popullin e saj, Zoti i bekoftë miqtë tanë! Mirupafshim në Festën e fitores”, ka përfunduar Hoti.

Zyra për Informim e LDK-së

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, femijet, Fitorja, Hoti, kosova

JETA PRIVATE E KRISTOFORIDHIT DHE E FAMILJES SË TIJ

June 9, 2017 by dgreca

ME RASTIN E 111 VJETORIT TË VDEKJES/

12_big

NGA RUDOLF DELJANA/*

Jeta e veprimtaria e Kristoforidhit që u zhvillua në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, është tashmë e njohur nga të gjithë , ndërsa jeta e tij private dhe ajo e familjes janë pak ose aspak të njohura . Kështu nuk dihen fëmijët që pati, jeta e tyre dhe ato që ata lanë apo bënë ,veprime këto që në një farë mënyre kanë lidhje me prindërit e tyre. Nëpër  arkivat e sotme në Elbasan dhe Tiranë ka mjaft të dhëna për çka përmenda më lart. Kristoforidhi qe një burrë i rrallë, i njohur e i lidhur me të gjithë ,prandaj shumë prej bashkëkohësve të tij kanë lënë me shkrim kujtimet e veta që ndodhen në institucionet e sipërme.Njohja e tyre është me vlera sepse bën që atë Burrë të madh të Kombit tonë  ta njohësh ashtu siç  ishte ,sidomos gjatë kohës që jetoi në Elbasan.

Më poshtë po paraqis emrat e personave që kanë lënë këto të dhëna: Simon Shuteriqi, bashkëkohësi i Kristoforidhit, veprimtar i periudhës së Pavarësisë , gjuhëtar e profesor i Normales së Elbasanit; Dhimitër Bibaja, i njohur me emrin Mimë Bibaja, bashkëkohës e dhëndër i Kristoforidhit, i martuar me Kleopatrën pak kohë mbas vdekjes së të vjehrrit të vet; Losh Papamihali, bojaxhi dhe shok e mik i ngushtë i Kristoforidhit; vellezërit Grigor e Lef Nosi, i dyti ndër patriotët më në zë shqipëtarë; Josif e Kostë Shuteriqi, banorë të lagjës Kala e fqinjë me shtëpinë ku banoi Kristoforidhi vitet e fundit të jetës së tij,ndërsa të dhëna mbi  origjinën e familjes Nelko ka në Kodikun e Kishës së Shen Mërisë të Elbasanit dhe në kodikët e kujunxhinjve (punonjës të sermit,argjendit) të Elbasanit.

Në Kodikun e Kishës së sipërme përmendet Deka si babai i Ndelkos (fq.5207) ndërsa nga Kodiku i Gëzofçinjve flitet për Ndelkon si hyzmeqar ( shërbyes në dyqan) i Nikolla Martinit (në 5177 fq. 21 datë 20.07.1739). Nga  Kodiku i kujunxhinjve del qartë se Nelkoja ka patur tre djem : Anastasin (i ati i Kristoforidhit),Mihalin dhe Konstandinin (5164 fq.144-155) . Nga këto të dhëna kuptohet që emri  “Nelko” për pasardhësit e tij u kthye në llagap (mbiemër) .

Si biograf i mirëfilltë i Kristoforidhit mund të merret Simon Shuteriqi. Ai më 1911 botoi në Manastir librin me titull “Jetëshkrimi i Konstandin Kristoforidhit”,shkruar me shkronjat e Alfabetit të Stambollit.Në përgjithësi libri ka karakter vlerësues e lavdërues por pak të dhëna konkrete mbi jetën e familjes së Kristoforidhit. Sidoqoftë ato që shkruhen janë të sakta sepse i dëshmojnë edhe të tjerë në kujtimet e tyre.

Nga autori mësojmë se Anastas Nelkoja u martua me Vasilije Josifin , që të dy pjesëtarë  të familjeve të njohura të Kalasë. Më 1830 atyre u lindi një djalë ,të cilin e pagëzuan me emrin Konstandin, të marrë nga xhaxhai i tij .Siç duket data e lindjes nuk përkon me atë zyrtare që është viti 1827.

Me shumë superlativa flitet për fëmijërinë , rininë , shkollimin , studimet  dhe aftësitë  e rralla gjuhësore të Kristofridhit. Autori tregon se punoi si përkthyes në Ushtrinë Angleze në Krime ku fitoi mjaft të holla me të cilat vazhdoi studimet. Mbasi flet për lëvizjet e tij, tregon se kur shkoi në Tunizi punoi si mësues i greqishtes dhe i italishtes. Aty u martua me vajzën greke ,Eleni Panajoti, e cila i solli një pajë të madhe.

Me shumë hollësi flitet për periudhën e fundit të jetës së Kristoforidhit, që e kaloi në Elbasan. Në këtë peridhë, sipas autorit, punoi si mësues i matematikës dhe i latinishtes në shkollën greke të Kalasë. Po në këtë peridhë punoi edhe në gjykatën e Elbasanit. Dallohej si burrë i pjekur, shoqërues e komunikues me të gjithë. Jepet mbas gjuetisë, së cilës ia njihte mirë zhargonin, prandaj, siç shprehet autori, hartoi bukur nga ana artistike veprën e njohur “Gjahu i  Malësorëve”. Po ashtu në këtë kohë shquhet si orator në fjalimet e bukura që mbante në provimet e nxënesve, në Kishë apo në mbledhje me karakter shoqëror. Për familjen e tij autori thotë se kishte dy motra. Njëra prej tyre u martua në Kala  e s’pati fëmijë, ndërsa tjetra u martua në Berat në familjen  e njohur Haxhistasa. Në libër si datë vdekjeje e Kristoforidhit jepet 23 shkurti i vitit 1895. Si karakteristikë e  veçantë e ceremonisë madhështore të varrimit jepet fjala e lamtumirës që i drejtoi Atij, ish-nxënësi i tij, Tushi i Pinës . Për këtë autori thotë: “ U bë i famshëm me fjalët : “Qani ju , o malet e Shqipërisë ,se sot vdiq Konstandin Kristoforidhi,babai i gjuhës shqipe.”

Siç duket epitetin “Babai i Gjuhës Shqipe”, që është përdorur e vazhdon të përdoret rëndom, e paskemi nga Tush Pina, “….mësues, veprimtar i arsimit në gjuhën shqipe, mësues në shkollën greqishte të Elbasanit ku bënte propogandë kombëtare” (Enciklopedia Elbasan).

Në mbyllje të librit duke folur për materialet e përdorura në të, S.Shuteriqi, midis të tjerave vë në dukje se:

          “Tue mbarumun e shoh për detyrë të t’i falem nderit botësisht bashkëqytetarit tem dhe dhandërit të të pavdekunit atdhetar, z. Dhimitër Bibaja, i cili pati mirësien të më japë shënimet e nevojshme mbi këtë jetëshkrim sikurse i pati marrë prej gojës së vetë të të paharruemit Kristoforid”

Për Kristoforidhin dhe familjen e tij na kanë lënë kujtime edhe mjaft persona të tjerë bashkëkohës, miq e shokë të tij. Sipas tyre Kristoforidhi ka pasur katër djem: Anastasin, ndoshta më i madhi i djemve, nga që mban emrin e gjyshit të vet. Ai vdiq më 19.03.1890; Aleksandrin, Stefanin dhe Filipin, më i vogli i fëmijëve. Pati dhe tri vajza: Poliksenin e vdekur më 23.09.1899; Anastasinë që, sipas të vëllait, Filipit, u martua me Apostol Margaritin , nuk pati fëmijë dhe  vdiq më 01.04.1893, pra para prindërve, si dhe Kleopatrën që vdiq më 1963. E ëma e tyre, Eleni, vdiq më 19.01.1896.

Mbahet mend nga të gjithë që kur Kristoforidhi u kthye për herë të parë në Elbasan, aty nga vitet 1872-1973, solli dhe shpërndau ungjijtë e tij të përkthyer shqip. Librat u shpërndanë shpejt dhe nisën të lexoheshin nga të gjithë. Sipas kujtimeve të lëna me shkrim nga Grigor Nosi, prifti grek i kohës u shqetësua, prandaj i mallkoi, i dogji dhe urdhëroi besimtarët që të mos i lexonin. Kuptohet që asnjëri s’ia vuri veshin. Me këtë rast Kristoforidhi shkroi një bejte të bukur thumbuese për priftin me titull “Zbriti ndërtestari”  e me gjashtë vargje. Me anë të kësaj i jep të kuptojë priftit se njeriu para se të flasë duhet të mendojë, përndryshe do ta pësojë. Dy vargjet e fundit nxjerrin pikerisht këtë përfundim:

“shef, pra sa budallallek/ban ai qi ka fodullek”.

Sic thuhet në dokumente këtë vjershë e ruajti dhe e dorëzoi Sif Shuteriqi.Po sipas atyre dokumenteve poemën e vogël të Kristoforidhit e të njohur nga të gjithë, “Ylli i vogël”e ka ruajtur Kostë Shuteriqi. Duket se të dy këta persona duhet të kenë qenë bashkëkohës të tij e ta kenë njohur nga afër.

Ato ungjij u pritën shumë mirë kudo midis shqipëtarëve të kohës. Nga arkivi Qendror i Shtetit mësojmë që Arqipeshkvi i Shkodrës, Pasquale Gerasin me 08.04.1909 shkruan : “I nënshkruari, mbështetur në vullnetin apostolic që më lejohet, I jap të drejtë të riut Zef Melkushi nga Shkodra të mbajë dhe të lexojë “Biblën e Shenjtë” përkthyer shqip prej Kristoforidhit”.(fondi 132; Dosja 22).

Nga ana e tij, Losh Papamihali ka lënë me shkrim mjaft kujtime të vetat.Ne njerin prej tyre saktëson  sasinë e të hollave që Kristoforidhi fitoi nga ushtria Angleze kur qe si perkthyes në Krime. Ai thotë se shuma qe 1200 lira angleze, të cilat i përdori për studime të mëtejshme.

Nga Dh.Bibaja mësojmë se prindërit e Kristoforidhit vdiqën herët e në krye të gjashtë muajve të njëri-tjetrit. Me këtë rast Kristoforidhi në mirëkuptim me motrat shiti gjithçka mbeti nga i ati dhe shkoi në Durrës. Atje me ndihmën e nunit të tij, Mimë Xhufkës, u mor për pak kohë me tregti por pa ndonjë sukses.

Kujtime mbi Kristoforidhin ka lënë edhe patrioti Lef Nosi.Ato ndodhen në Arkivin e Shtetit dhe në ate të Muzeut Etnografik të Elbasanit.Lefi ka grumbulluar tregime e anekdota që kanë lidhje me jetën dhe veprën e Kristoforidhit.Ato janë të shumta. Në njerën prej tyre shkruhet:
“Kristoforidhi nji ditë tyke ndejt me disa shokë të tij ka thanë:”Kur të vdes më shtini(varrosni)në Shijon”. Kjo dëshirë e tij, e njohur nga të gjithë nuk u plotësua, sepse ditën e varrimit qe një mot tejmase i keq që muk lejoi të zbatohej amaneti i tij. Po nga shënimet e L.Nosit mësojmë se ai ka vizituar shtëpine e së bijës së Kristoforidhit për t’u njohur me librat që kishte lënë i ati. Për këtë Nosi shkruan:”Gjeta në shpi (shtëpi)te zonjës Bibaja, bijës së Kristoforidhit , këto libra të përdorura prej tij”.Po aty ndodhet edhe shënimi që shoqërohet me listën e librave që janë anglisht, shqip e greqisht.Ato libra Nosi i mori dhe ia dorëzoi shtetit me rastin e festimeve të 25vjetorit të Pavarësisë më 1937.Nga librat e të atit e bija ruajti edhe librin “Çeta e Profetëve”, vepër e njohur e Budit, të cilën ia fali shtetit më 1950.

Mjaft kujtime u ka lënë me gojë pasardhësve të saj Kleopatra , e shoqja e Dh.Bibasë që mbylli sytë në Elbasan më 1963, në moshën 93 vjeçare. I shoqi vdiq herët, më 1918 nga epidemia e gripit spanjoll të kohës që shkaktoi vdekje të shumta kudo në Europë.Ata duhet të jenë martuar rreth vitit 1897, ndoshta mbash vdekjes së Elenit mamasë së Kleopatrës. Siç tregonte ajo vetë të gjitha orenditë e shtëpisë dhe librat që mbetën në të përfunduan në shtëpinë e saj. Midis tyre qe edhe dorëshkrimi i Fjalorit dhe fotografia e vetme e Kristoforidhit, ajo ku ka dalë ulur ne karrige me dorë mbi libër,të cilën djali i saj Nikollaqi ia dhuroi shtetit më 1954.Sipas saj i vëllai, Stefani, donte ta shiste doreshkrimin e Fjalorit,sepse kishte nevoje per të holla , ndërsa Mima e ruante me fanatizëm me qëllim që ai te mos humbëte e të botohej.Ai kishte frikë se po të shitej, do të binte në dorë të qeverisë greke, e cila do ta zhdukte.Sidoqoftë vëllai ia mbushi mendjen motrës, e mori dorëshkrimin, ia shiti një tregtari elbasanas, i cili nga ana e tij ia shiti konsullit grek të Durrësit.Mima mobilizoi Stefanin,Lef Nosin e të tjerë për ta rimarrë, por përpjekjet e tyre nuk dhane asnjë përfundim.Qeveria greke nuk e ktheu ,por e botoi më 1904.
Mbas vdekjes së prindërve Kleopatra mbajti lidhje me tre vëllezërit që i mbetën:Stefanin, Aleksandrin dhe Filipin.Ky i fundit më 1903 mërgoi në SHBA e pas pak vitesh Stefani vdiq pa lënë fëmijë.Kështu në Shqipëri mbeti vetëm Aleksandri, që gjithe jetën punoi si mësues i gjuhes rumune.Ky u martua me një vajzë nga Voskopoja e quajtur Aleksandra dhe patën 4 fëmijë: djalin Kostaq dhe vajzat Athina, Jorgji e Sevasti. Kostaqi u martua rreth vitit 1926 me një vajzë shqipëtare dhe bashkë me motrat e të ëmën emigruan në SHBA. Aleksandri mbeti në Rumani si pensionist.Nuk mundi të merrte vizë për në Amerikë që të bashkohej me familjen dhe vdiq po atje në vitet 50 te shek.20. Kështu sot meshkuj  pasardhës të Kristoforidhit mund të ketë vetëm në Amerikë.

Filipi, djali i vogël i Kristoforidhit, më 1903 mërgoi në Amerikë dhe më 1910 u zhvendos në Francë ku u martua me një vajzë franceze e nuk pati fëmijë. Më 1914 u nis për të ardhur në Shqipëri por rrugës e anulloi udhëtimin sepse në Shqipëri kishte nisur lëvizja e Haxhi Qamilit që mund ta burgoste si patriot. Ç’prej asaj kohe nuk mundi më të kthehet në atdhe, por me vendlindjen  u lidh ngushtë nëpërmjet letërkëmbimeve me të afërmit e vet si edhe me personalitete te kohës.

Në verën e vitit 1935, e viziton në Francë Kleopatra bashkë me djalin e dytë Kovin. I priti me shumë dashuri dhe mbeti shumë i kënaqur. Si ai, ashtu edhe e shoqja i mbajtën si miq për një kohë të gjatë. Pasi u kthyen, dhe pikërisht më 19.12.1935 Filipi  i drejtohet me letër nipit të mësipërm. Letra nis me fjalët :

“Sot për hërën e parë, që prej motit 1910, po përdor ghuhnën shqipe më nji letër”.

Mbasi lyp ndjesë për gabimet që mund të ketë bërë, vazhdon : “…..në kohët t’ime, kur ishja në Shqipni, shkuajim fort çefës (fshehurazi) dhe vetëm pas mënyrës gramatikale ghithësecilit….”

E falenderon nipin për gazetat që i ka dërguar dhe ankohet sepse sheh që : “…..në ghithë  fletëtë shqipe që më ke dërgumën, pash për fat të keq se ghuhna shqipe po shkatërrohet tyke përdor kot shumë fjalë të pa-këthjellta dhe të huja..”. Me këtë rast I kujton nipit se ç’i thoshte i Ati për gjuhën tonë të cilën e vlerësonte kështu: “ghuhna shqip asht e pasme me fjalë dhe po të përdoren e të fërkohen me re dhe me mjeshtëri, mund të bahet aq e pasme posi ghermanishtja..”

Në fund I kujon nipit një vjershë që ia kishte mësuar I ati kur ishte fëmi e shkonte në pazar me të. Gëzohej kur ai ua recitonte shokëve të tij. Ja vjersha :

“Kush asht ky burrë që po vjen / posi hana plot që shkëlqen / vesh e ngjesh n’arghend / armatosëm kamb mbi kamb  / Skënder Beg shqipëtari / trim’i madh luftëtari. “

Mallin dhe dashurinë, për Atdhenë e gjuhen shqipe që e paraqit në letrën e tij të parë të shkruar shqip, e gjejmë thuajse në çdo letër tjetër të tij që u drejton nipave e mbesës si edhe autoriteteve të vendit të asj kohe. Në këtë drejtim shquhet edhe letra e dt.19.03.1963 , drejtuar Thanas Konomit , ku , duke folur për vlerat e Atdheut, citon shkrimtarin francez Lacordaise që thotë : “Atdheu është i  vetmi vend në botë ku mendja të  shplodhet”

Pra letërkëmbimi  me motrën e fëmijët e saj nis më 1935 dhe vazhdon deri nga fundi i viteve 70 të shekullit 20. Mjaft prej tyne ruhen në familjen e mbesës, vajzës së motrës  Kleopatër.

Po kjo familje ruan tri letra të Aleksandër Xhuvanit që në vitet 50 i drejtohen Filipit, si përgjigje të letrave të tija.

E para mban datën 30.3.1950. Dërguesi mbasi i shpiegon se c’detyrë ka kryer dhe kryen aktualisht, i kujton se ia mbante mend mire fytyrën kur ishte i vogël e kur kishte shumë shoqëri me të vëllanë, Cacin (Anastasin) me të cilin kishte qenë shok e bashkënxënës në gjimnazin rumanisht të Beratit. Pastaj i tregon se kishte nisur punën për transkriptimin e Fjalorit të Kristoforidhit, duke e shkruar shqip dhe me alfabetin e sotëm. Në fund i premton se, po t’i bjerë rasti të shkojë në Francë, patjetër që do ta takojë.

Letra e dytë është e datës 10.2.1951. Në fillim i shpreh falenderimin “ për vjershat mbi Ali Pashë Tepelenën që më dërguet”. Më poshtë i tregon Filipit se Bibliotekës sonë kombëtare i mungojnë vepra të Frangut Bardhë, sidomos vepra “Georgius Castriotus”. Pastaj I rikujton përsëri shoqërinë me Cacin dhe I tregon peripecitë e jetës së tij si student, si mësues etj etj.

Nga letra pasuese e datës 26.10.1951, pra mbas tetë muajsh , i tregon :

“Gjeta këtu edhe librin e Frangut Bardhë, që e kishit fotokopjue dhe lidhë bukur. Ju lumtë! Ju falem nderit për këtë vepër me randësi, të cilën ja dërgova Bibliotekës sonë Kombëtare”.

Kjo tregon se F. Kristoforidhi e kreu detyrën e tij duke i dërguar Atdheut një document me vlera të Frang Bardhit “leksikografi i parë shqiptar, historian, folklorist e etnograf, klerik i latrë katolik nga Zadrima 1606-1643” (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 2008). Fotokopjet e letrave të sipërme ruhen edhe sot. Bashkë me to ruhet edhe një letër  falenderuese që I drejtohet F. Kristoforidhit dhe e nënëshkruar nga 18 intelektualë elbasanas, mjekë, arsimtarë, pushtetarë etj, me anën e sëcilës e falenderojnë për faktin që në qytetin e tyre,Elbasan kishte mbërritur dorëshkrimi I veprës “Gjaja e Malësorëve, Hieja e Tomorrit”. Letra, sic ishte “zakoni” i kohës, shoqërohet me vlerësime të mëdha për faktin se “ tek ne, ku asht në fuqi vetë populli, cmohen e vlerësohen ma së miri traditat kulturore”. Letra mban datën 29.12.1958.

Letra e sipërme i është dërguar nga ana e Thanas Konomit edhe Kostaqit, djalit të vetëm të Aleksandrit, që e ruajti atë dorëshkrim në SHBA. Më 12.4.1959 ky I fundit I përgjigjet Konomit se i mori falenderimet. Pastaj shton se ka marrë falenderime nga ana e “Zotit Tahir Demi. Mund të më jepet rasti që një ditë të vinj aty dhe t’I përshëndosh personalisht”, vazhdon ai.

Letërkëmbimi i Filipit me Th. Konomin ka qenë më i shpeshtë. Kjo për arsye se ky I fundit në vitet 60 u ngarkua për të ngritur Shtëpinë Muze të Kristoforidhit në Elbasan. Për ta kryer sa më mirë këtë punë ai i dërgon letra të njëpasnjëshme Filipit për të marrë mendime dhe sende me vlerë për Muzenë. Sipas letrës së datës 19.9.1963, Filipi tregon se I ati ka lindur në shtëpinë e Dhimitër Bibasë më 1830, prandaj e aprovon mendimin e tij që aty të vendoset Muzeu në fjalë. Duke menduar se shtëpia mund të jetë shembur ose mund të shembet, këshillon që në muret e saj të vendoset një pllakë ku të shkruhet :

“Këtu ndë kët shtëpi lindi Konstandin Ndelko, mbë 1830 ose Kristoforidhi, pseudonym që përdori për veprat e tij”.

Sic shihet, ai përdor për të Atin mbiemrin “Ndelko”, të cilin e merr nga stërgjyshi I tij. Po nga letra mësojmë se Konomi ka ndryshuar mendim dhe Muzenë mendon ta vendosë te Shkolla e Kishës. Edhe këtë mendim Filipi e përkrah duke thënë :

“ Kjo më ngjan fare mirë, se aty ai ka qenë nxanës e mësojës. Aty ai mbolli farat e para për ndjejat kombëtare dhe aty ai përhapi dashuninë për shkrimin dhe këndimin e gjuhës shqipe”

Në letrën e sipërme tregon edhe se po dërgon disa kujtime vogëlie, të cilat sic thotë vetë, po s’u pëlqyen, le të grisen. Në të vërtetë ato u ruajtën sepse janë anekdotat, vjershat, fjalët e urta e të tjera, për të cilat folëm më sipër. Në letër vazhdon duke thënë se kur u nis për SHBA nuk mori asgjë me vete. Madje tregon se edhe fytyrën e së ëmës nuk e mban mend mirë. Në lidhje me të, në letër shkruan :

“Nga kjo s’më ka ngel asnji kujtim, përvec  se një herë që humba paratë që më kishte dhënë për me blem vojguri ndë trek”

Letrat dërguar Konomit janë të shumta e në të gjitha, sic thamë, flitet kryesisht për Muzeun. Nga ajo e datës 26.5.1965 mësojmë se ka dërguar fotokopjet e dy librave të të atit të vitit 1867. Në të tjera jep kujtime të veta nga lagjja Kala, nga Elbasani e nga persona që mban mend. Po ashtu tregon shtëpinë ku jetoi gjatë kohës që qe në Elbasan dhe fqinjët që kishte.

Edhe Shteti Shqiptar për disa kohë mbajti lidhje me Filipin. Ruhet një letër e cila I niset atij nga Tirana më 05.09.1959 dhe e shkruar nga Dhimitër Lamani, ministër i R.P. së  Shqipërisë. Me anë të saj Ministri e njofton se Komiteti Shqiptar i Lidhjes Kulturore me botën e jashtme e fton të vijë në Shqipëri me shpenzimet e Shtetit me rastin e festimeve të 15 vjetorit të Clirimit me 29.11.1959. Aty i premtohet që mund t’i jepet nënshtetësia shqiptare në rast se nuk e ka. Më 14.09.1959 Filipi kthen përgjigje. Mbasi e falenderon ministrin tregon se mosha dhe shëndeti nuk e lejojnë të bëjë një udhëtim të gjatë. Për këtë ftesë të marrë nga Ministri njofton edhe motrën në Elbasan, duke i treguar që s’po vinte për shkak të moshës, ndonëse, sic shkruan vetë, para pak kohësh kishte qenë si turist në Hollandë. Pra shkaku nuk ishte mosha, por dicka tjetër. Madje as nuk kërkoi që të merrte pashaportë shqiptare. Sic ka shkruar më vonë, ai mbante lidhje edhe me shqiptarë të kohës të larguar nga Atdheu mbas vendosjes së Komunizmit dhe, sic duket e kuptonte se cila ishte gjendja politike në Shqipëri. Një i tillë ishte edhe djali I mbesës së tij, bijës së të motrës, me të cilën ruajti lidhje thuajse edhe  mbas vdekjes, nëpërmjet së shoqes, Gabrielës.

Vitet e fundit të jetës duke nisur aty nga mesi i viteve 70, bashkë me të shoqen e kaluan jetën në një shtëpi pushimi pleqsh.Edhe aty vazhdonte të shkruante,por rrallë.Një ditë mbesa merr një kartolinë nga e shoqja,Gabriela.Në te ajo njoftonte me shumë pikëllim vdekjen e papritur të të shoqit.  Nuk kaloi shumë kohë dhe vjen kartolina e dytë dhe e fundit. E dërgonte një shoqe e Gabrielës, një zonjë franceze,  e cila me keqardhje përmbushte dëshirën e saj, për të njoftuar se edhe ajo, Gabriela Kristoforidhi, kishte mbyllur sytë përgjithmonë. Kjo kartolinë  mbylli përfundimisht lidhjet e Filipit e të familjes së tij me Atdhenë dhe pasardhësit e vet,  të cilët i deshi me gjithë zemër.

*Rudolf Deliana

                                                                                                   Mësues i merituar

                                                           Kryetar I Shoqates  Mbarekombetare “Normalisti”

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: DHE E FAMILJES SË TIJ, JETA PRIVATE E KRISTOFORIDHIT, Rudolf Deljana

Otto von Habsburg: Haradinaj është kalorës fisnik

June 9, 2017 by dgreca

1 Haradinaj
 Ambasadori i parë i Repubikës së Kosovës ne Gjermani, Dr. Vilson Mirdita,  gjatë mandatit të tij ne kuader te vizitave personaliteteve të njohura  shkon ne Poeking am Starnberger See per ta vizituar  ne “Villa Austria” pinjollin e   fundit te familjës perandorake austro-hungareze, Otto von Habsburg, i cili njihej si nje përkrahes i madh i pavarësisë së Kosoves. Në një shkrim të  tij, botuar në shtypin e Tiranës  dhe të  Prishtinës,   Mirdita e përshkruan këtë vizitë si njërën ndër takimet më të rëndësishme gjatë mandatit të tij. Ndër të tjera Mirdita shkruante se Dr. Otto von Habsburg „ edhe përkundër dëshirës së  madhe, për shkak të moshës së shtyer  dhe të shëndetit jo të mirë nuk arriti të realizonte dëshirën e  tij për të vizituar  Kosovën e pavarur, me të cilën, veç tjerash, e lidhte   edhe miqësia e madhe me Ibrahim Rugovën.”
 “Pragun e kësaj ville  para Teje e ka kaluar vetëm një politikan shqiptar, Ibrahim Rugova” i thotë ai diplomatit kosovar. Ne bisedë e sipër rreth problemeve për njohjen e shtetit të Kosovës dhe  të ardhmes europiane të saj Otto von Habsburg  thotë se  misionin e Dr. Rugovës për integrimin e   Kosovës ne Europë mund ta vazhdojë  vetem një politikan dhe ai është  Ramush Haradinaj.  Ne atë kohë me kandidatin e sotem për kryeminister të Kosovës ende merrej Tribunali i Hages, mirëpo për  Otto von Habsburg s’kishte asnjë dyshim: ” Herr Haradinaj ist ein Ritter!” (Zoti Haradinaj është kalores!”)- Xhecat Ukshini

Filed Under: Komente Tagged With: është kalorës fisnik, Otto von Habsburg: Haradinaj, Xhevat Ukshini

KOSOVA, NË PRAG TË ZGJEDHJEVE TË SË ARDHMES

June 9, 2017 by dgreca

*Presidenti Thaçi kërkon nga Quint-i të mos tolerojnë përzierjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë/

*Ambasadori i SHBA: Ardhmëria e Kosovës është në duart e juaja/

Ambasadori Greg DelawieunnamedAmbasadori-SHBA

Kosova në zgjedhjet e 11 qershorit me 29.264 vëzhgues të akreditur/

1 Behlul Jashari

-Përfaqësues i Gazetës DIELLI akredituar  nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 9 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Gjithësej 29.264 vëzhgues janë akreditur për zgjedhjet e parakohshme paralamentare të së dielës së 11 qershorit në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme akreditoi grupin e nëntë, të fundit, të vëzhguesëve vendorë e ndërkombëtarë.Vëzhguesit janë 160  nga 8 ambasada, 301 nga 7 organizata ndërkombëtare, 8.830 nga organizata joqeveritare vendore, 3.657 nga partitë politike e 15.78 nga koalicionet pjesëmarrëse në zgjedhje, 27 nga institucione ndërkombëtare (trupa të menaxhimit të zgjedhjeve nga vende të ndryshme të botës), 1 nga 1 institucion vendor, 468 vëzhgues të akredituar që përfaqësojnë media vendore dhe 36 nga media ndërkombëtare.

Përfaqësues i Gazetës DIELLI akredituar  nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari.Mbledhja e sotme Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë u mbajt në Qendrën Mediale, e cila do të jetë një hapësirë për mediat e akredituara.

Ambasadori i SHBA: Ardhmëria e Kosovës është në duart e juaja

-Video Deklarata e ambasadorit Delawie për zgjedhjet/

PRISHTINË, 9 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Para zgjedhjeve të së dielës së 11 qershorit në Kosovë, Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie në një video deklartë sot theksoi se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë pranë jush gjatë rrugëtimit – do të vëzhgojnë proceset e votimit dhe numërimit të votave në gjithë vendin. Ambasadori i SHBA, Delawie u shpreh:Urime Kosovë. E kaluat fushatën dhe tash ju jeni gati për ngjarjen kryesore.Pas disa javësh të debatit politik të dielen ju do ta keni fjalën e fundit. Ju do të dëshmoni se qytetarët e Kosovës e përcaktojnë rrugën e ardhshme të shtetit tuaj.Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë pranë jush gjatë rrugëtimit – do të vëzhgojnë proceset e votimit dhe numërimit të votave në gjithë vendin. Ne poashtu do të qëndrojmë pranë vendimit tuaj demokratik gjersa përfaqësuesit tuaj të ri përballen me sfida dhe mundësi të rëndësishme në muajt dhe vitet që vijnë.Por, ky vendim varet nga ju, dhe vetëm nga ju – qytetarët e Kosovës.  Pra, dilni dhe votoni! Zgjedhni udhëheqësit që nuk janë të korruptuar, zgjedhni ata që do të ju përfaqësojnë juve dhe interesat më të mira të shtetit tuaj, ata që do të punojnë shumë për të përmbushur fatin e Kosovës në zemër të Evropës.Ardhmëria e Kosovës është në duart e juaja.

Presidenti Thaçi kërkon nga Quint-i të mos tolerojnë përzierjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë

-“Kjo përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të shtetit tonë ka kaluar kornizat e garës elektorale dhe bëhet cenim i integritetit të shtetit tonë dhe sigurisë së qytetarëve tonë”, theksoi Presidenti Thaçi/

PRISHTINË, 9 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, kërkon nga Quint-i të mos tolerojnë përzierjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë.Kreu i shtetit priti sot ambasadorët e vendeve të Quint-it, të SHBA-së, Greg Delavie, Britanisë së Madhe, Ruairi O’Conell, Francës, Gjermanisë dhe Italisë si dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, me të cilët bisedoi për përgatitjet për zgjedhjet në Kosovë. Me Presidentin Thaçi në takim ishin edhe Kryetarja e KQZ-së,  Valdete Daka dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. Presidenti Thaçi u shpreh se të gjithë janë të përqendruar që zgjedhjet e 11 qershorit të jenë demokratike, të lira dhe të kalojnë pa asnjë incident. Presidenti Thaçi u shpreh se ndjehet i sigurt se zgjedhjet do të kalojnë mirë, megjithatë “mbetet shqetësimi për frikësimin dhe kërcënimin” e qytetarëve serbë të Kosovës nga eksponentë të shtetit të Serbisë.“Shqetësim mbetet frikësimi dhe kërcënimi i qytetarëve, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës, për të mos votuar të lirë”, u shpreh ai. Presidenti Thaçi kërkoi që vendet e Quintit t’i bëjnë të qartë autoriteteve të Serbisë që nuk do të tolerohet interferimi në çështjet e brendshme të Kosovës.

“Ju bëj thirrje që t’i dërgoni mesazh të qartë autoriteteve në Serbi që të mos frikësojnë apo kërcënojnë qytetarët serbë të Kosovës dhe t’i pengojnë të shprehin të lirë vullnetin e tyre politik”, u shpreh në takim Presidenti Thaçi.“Kjo përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të shtetit tonë ka kaluar kornizat e garës elektorale dhe bëhet cenim i integritetit të shtetit tonë dhe sigurisë së qytetarëve tonë”, theksoi Presidenti Thaçi.

Kryetarja e KQZ-së, Daka, u shpreh se KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet që zgjedhjet të jenë të drejta.

Drejtori i Përgjithshëm i PK, Maxhuni, tha se Policia e Kosovës po bashkëpunon edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve në ditën e zgjedhjeve.Presidenti Thaçi falënderoi KQZ-në, PK-në, OSBE-në, mediat, shoqërinë civile, BE-në dhe vëzhguesit nga BE dhe nga PE, që po bëjnë çdo gjë për të garantuar proces elektoral të drejtë dhe të suksesshëm./b.j/

-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Greg Delawie: Vota juaj është thelbësore në formësimin e së ardhmes së Kosovës/

-Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”  ndanë çmimet për pesë videot më të mira të garës #AsUne nuk do të votoj për kandidatët e korruptuar/
PRISHTINË, 8 Qershor 2017 / Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Greg Delawie tha sot se, “dalja në zgjedhje është tejet e rëndësishme dhe unë e ftoj secilin qytetar anekënd Kosovës të marrë pjesë në zgjedhje…”“Vota juaj është thelbësore në formësimin e së ardhmes së Kosovës”, theksoi ambasadori amerikan.
Në prag të ditës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, sot në amfiteatrin e qytetit në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, ka bërë  ndarjen e pesë çmimeve për pesë videot më të mira që janë dërguar nga të rinjtë e që kanë spikatur mesazhet e tyre për fushatën #AsUne nuk do të votoj për kandidatët e korruptuar.
Gara kishte për qëllim të nxisë të rinjtë dhe qytetarët në përgjithësi për të dhënë këndvështrimet e tyre personale mbi atë se “përse nuk do të votonin për kandidatë të korruptuar?”.
Në garë ishin gjithsej 27 video dhe juria në përbërje prej përfaqësuesve të Demokracisë në Veprim kanë zgjedhur pesë videot më të mira të realizuara nga:
Albulena Uka, Besfort Berisha, Egzona Shabani, Faik Mziu e Tringa Alidemi.
Në hapje të kësaj ceremonie,  Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim, theksoi se qëllimi i iniciativës qytetare #AsUne nuk do të votoj për kandidatët e korruptuar, është që të nxisë pjesëmarrjen qytetare në procesin e votimit dhe përmes angazhimit dhe votës së tyre të refuzojnë tolerancën ndaj korrupsionit dhe kandidatëve të cilët janë të përfshirë në afera korruptive.  “Kjo votë do të ndikojë në rritjen e integritetit politik për përfaqësim më të denjë dhe llogaridhënës”, ka thënë ai.
Shefja e Zyrës së BE-së njëherësh përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me këtë rast ka theksuar:
“Tё dielën ju do t’i zgjedhni pёrfaqёsuesit tuaj tё rinj nё Kuvend. Ky ёshtё njё rast kur do tё mund tё ndikoni drejtpёrdrejt nё tё ardhmen e Kosovёs, tё ardhmen e fёmijёve tuaj. Shfrytёzojeni kёtё rast. Mos lejoni qё tё tjerёt tё vendosin pёr ju. Dilni dhe votoni. Kjo ёshtё esenca e demokracisё.  Vendimet mirren nga ata qё dalin tё votojnё. Vota e secilёs grua dhe secilit burrё ka vlerё”, ka thënë ajo.
Ndarja e çmimeve për pesë videot më të mira u bë nga shefja e BE-së në Kosovë, Apostolova,  ambasadori amerikan në Kosovë, Delawie dhe tre aktivistë e mbështetës të zëshëm të fushatës #AsUne: alpinistja Arineta Mula dhe gazetarët e publicistët Astrit Gashi e Imer Mushkolaj.
Aktivitet e DnV-së në kuadër të fushatës #AsUne mbështeten nga USAID, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e Gjermanisë dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës, DANIDA.

Kosovë-Qeveria nuk mban mbledhjen/ 
-Nuk mbahet mbledhja e qeverisë së  Kosovës në mungesë ministrash, para zgjedhjeve të dielen/
 PRISHTINË, 9 Qershor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Mbledhja e qeverisë së Kosovës e paraparë të mbahet sot nuk u zhvillua për shkak të mospranisë së ministrave, të cilët do të duhej të prezantonin pikat e rendit të ditës. Ndërsa, të pranishëm ishin ministra nga LDK-ja, PDK-ja dhe parti të tjera. 
Në 26 maj qeveria e Kosovës zhvilloi mbledhjen e 146-të, të 21-tën në 2017-tën, të dytën si qeveri në detyrë pasi u rrëzua në 10 maj në seancën e Kuvendit në mocion mosbesimi të propozuar nga opozita e me votat edhe të grupit parlamentar të partisë më të madhe të koalicionit qeverisës PDK .
Në Kosovë pasnesër votohet,  pasi sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.
Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 do jenë të gjashtat në 18 vjet liri, të tretat në 9 vjet pavarësi, ndërsa zhvillohen tre vjet pas zgjedhjeve të kaluara të 8 qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.
Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpallen e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë pranverë, Kosova këtë vit, në vjeshtë, mban edhe zgjedhje lokale, në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Tash në largim pas mocionit të mosbesimit, qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, është zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, NË PRAG TË ZGJEDHJEVE, TË SË ARDHMES

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT