• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2017

Nga shqiptar të Çamërisë tek çami i pabesë

July 16, 2017 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Çfarë ndodhi me shqiptarët e Çamërisë që erdhën refugjatë politikë në Shqipëri pas tragjedisë që ndodhi më 1944-’45, kur ushtria EDES e udhëhequr nga Napoleon Zerva kryen genocid mbi këta njerëz? Në fillim sistemi komunist në Shqipëri me ndihmën edhe të minoritarëve grekë, të cilët ishin të shumtë nëpër institucionet drejtuese të larta të shtetit u përkujdesën që të fshinin nga kujtesa e shqiptarëve të Çamërisë historinë dhe kulturën e tyre të lashtë. Qysh më krye gjeti shtrat fjala ogurzezë se çamët janë të pabesë dhe kanë bashkëpunuar me italianët dhe gjermanët kundër popullit grekë. Por, në të vërtetë çamët ishin rreshtuar në masë të madhe në ushtrinë partizane greke EAM-ELAS dhe shqiptare UNÇ.

Sistemi komunist u përkujdes që në postet e larta të shtetit shqiptarë të mos kishte asnjë drejtues që ishte me origjinë nga Çamëria, duke lënë të mendohet se çamët i përkasin një shoqërie të ulët. Në fakt, historikisht nga fara e shqiptarëve të Çamërisë kanë dalë shumë burra të zgjuar e të ditur që kanë qenë edhe drejtues të lartë të perandorisë osmane, pa folur për Gjin Bue Shpatën, i cili ishte shqiptar i Çamërisë. Marko Boçari nga Çamëria që bëri fjalorin greqisht-shqip më 1809, trimëritë e tij në çlirimin e Greqisë. Për të vazhduar me ideatorin e Lidhjes së Prizrenit Abedin Pashë Dinon, e mjaft të tjerë. Pra, për një fqinjësi të mirë me Greqinë, Shqipëria komuniste nisi të shkruaj librat e rinj për atë që nuk ka ndodhur dhe s’kanë qenë asnjëherë çamët; histori e re, me kulturë të re.

Kështu, pas viteve 1990 ishte e vështirë që pas 50 viteve dhe dy brezave të thuhet e të mbrohet e vërteta për shqiptarët e Çamërisë. Vetë kombi shqiptar, pothuajse kishte harruar se çfarë ishte dhe është në të vërtetë, sepse ishte kultivuar teoria e njeriut të ri socialist, “internacionale do të jetë jeta e re”, pra kozmopolitizmi. Komunizmi pati suksese në besueshmërinë e teorisë se shqiptarët e Çamërisë janë ndryshe nga ne, shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, ata ishin dhe janë të huaj për ne, ata janë “çamët e pabesë”, ndërsa ne jemi shqiptarët me besë, që përbuzim vëllanë tonë prej Kosove apo Çamërie për mikun grek e serb.

Ajo që është edhe më tragjike, vetë shqiptarët po “gëlltitin” çështjet e tyre kombëtare, sepse në mënyrë fanatike në emër të anëtarësimit në BE janë vënë të bindur në shërbim të grekëve dhe sllavëve. Dikush për t’ju bërë qejfin grekëve manipulon zgjedhjet që të mbesin jashtë Kuvendit ata që mbajnë mbi supet e tyre çështjet e ndryshme kombëtare nga Çamëria, Ilirida, e kështu me radhë. Ndërsa, ai më i “shkurtëri” kërkon që shqiptarët t’i lërë konsumatorë të produkteve serbe duke na kthyer në shërbëtorë të tyre.

Por, lavdi Zotit, ka ende shqiptarë që nuk ju binden servilitetit dhe nuk bëjnë marrëveshje në dëm të çështjeve kombëtare. Mirëpo, është mëkat që raca shqiptare të bëhet shërbëtore e grekëve dhe serbëve duke ju shërbyer symbyllurazi për interesat karrieriste të disa individëve që këshillohen me pjellën e keqe që i kanë shërbyer tradicionalisht UDB-së dhe Asfalisë.

Dhe sigurisht të gjitha këto “ia them nuses që t’i dëgjojë vjehrra”. Dhe në këtë rast “vjehrra” është udhëheqja politike e shqiptare që i uroj të mos ketë “vesh të rëndë”, sepse lufta ideologjike midis atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën vazhdon ende përballë legjionit të njerëzve me aftësi të kufizuar intelektuale që në shqip i thonë: Të paditur!

Filed Under: Komente Tagged With: arben llalla, Nga shqiptar të Çamërisë, tek çami i pabesë

Pse qytetari dixhital i Ramës fa schifo

July 16, 2017 by dgreca

Nga Skënder Buçpapaj/

‘Qytetari dixhital’ i Ramës ‘é una schifezza’ do të thoshin italianët, është një neveri, një krupë, një gërdi, themi ne shqiptarët.

I ashtuquajturi ‘komunikim me qytetarët’ që kryeministri aktual i Republikës së Shqipërisë Edi Rama ka ndërmarrë në ndërkohën mes zgjdhjeve të reja parlamentare dhe formimit të qeverisë së re ‘socialiste’, nuk është asgjë tjetër veçse një kopjim, një plagjiaturë e “qytetarit dixhital”, që ish kryeministri Sali Berisha ka ndërmarrë në faqen e tij në facebook pas zgjedhjeve parlamentare të para katër vjetëve.

Në ato zgjedhje Sali Berisha e humbi pushtetin, e humbi zyrtarisht drejtimin e Partisë Demokratike dhe, përveç paraqitjeve të tij në seancat parlamentare të të enjteve, nuk ka me çfarë të merret. Kohën e tij më aktive Berisha ua kushton statuseve në faqen e tij zyrtare në facebook dhe komunikimeve me qytetarët. Këta e njohin ish kryeministrin me shkeljet e ndryshme në administratën shtetërore, me fakte të freskëta negative shpesh në kohë reale, që ndodhin në jetën e përditshme anembanë vendit.

Qytetarët që pa ndërprerë e njohin me realitetin, Berisha i përmbledh në “Qytetarin dixhital” dhe komunikimin e tij e konsideron një rubrikë mediatike. Pa përjashtim, të gjitha statuset e Berishës, të buruara nga ky komunikim gjejnë botim të menjëhershëm në të gjitha llojet e mediave shqipe, të të gjitha llojeve.

Vetëm një numër i vogël i tyre nuk konfirmohet nga realiteti, pra janë të rreme, të sajuara qëllimisht nga qytetarët e ndryshëm, për t’ia zbutur ndikimin këtij komunikimi të Berishës. Prej shtatorit të vitit 2013, kur u largua nga pushteti, Berisha, siç e përmenda, i ka gjithnjë e më të pakëta mjetet për ta verifikuar shkallën e vërtetësisë së një informacionit nga terreni. Prandaj reagimi i publikut ndaj kësaj mënyre komunikimi të ish kryeministrit është kryesisht miratuese.

Rama e ka kopjuar në shumëçka Berishën. Përgjithësisht politikanët shqiptarë i kopjojnë shumë pasardhësit e tyre, nga Enveri, Mehmet e deri tek këta të fundit. Të gjitha këto kopjime ‘fanno schifo’, ngjallin neveri. Por kjo do të ishte temë më vete. Rama po e kopjon tashi Berishën ish kryeministër, pra nuk po e kopjon Berishën kryeministër, çka ngjall, veç të tjerash mosmiratime në publik dhe jo vetëm në personat që preken drejtpërdrejt nga këto që publiku i quan ‘listat e zeza’ apo ‘fletërrufe’ të Ramës.

Në këto ‘lista të zeza’, ‘fletërrufe’, ‘dacibao’, ‘gazeta muri’ krahas emrave të panjohur, përfshihen edhe emra personalitetesh të shquar. Këta të fundit nuk i kanë ardhur pas qejfit ndonjë teke të ndonjë militanti ‘socialist’ dhe ky ia nxin emrin drejt e tek vëmendja e kryeministrit aktual.

Publikimi i emrave, të shquar apo të pashquar, të njohur apo të panjohur le të jenë këta, nga kryeministri aktual, në kohën kur ai e mban veten të jetë në kulmin e pushtetit, më i votuari pas Enver Hoxhës, më i stërfuqishmi pas tij, lind një dyshim të fortë, ngre një dyshim të madh: Kryeministri më shumë se fuqinë e tij, më shumë se pushtetin e tij a mos po e ndjen pafuqinë e tij, papushtetin e tij. (?!?) Tashi që e ka timonin i vetëm dhe që po e mbërthen e po shtrydh gjithnjë e më shumë në duart e tij, a mos vallë anijen po ia rrëmbejnë valët dhe atij po i ngelet vetëm timoni?!!!

Sepse një kryeministër në pushtet, për më tepër një kryeministër në ngjitje marramendëse, siç e mendon ai veten e tij, do të kishte mundësinë t’i verifikonte njoftimet e qytetarëve dhe, vetëm pasi t’i ketë veirifikuar, natyrisht, në kohën sa më të shpejtë, t’i shpallë emrat bashkë me bëmat dhe me pasojat e bëmave të tyre.

Administrata e Ramës është e krimbur. Është mirë që kryeministri ta mbajë vëmendjen të përqëndruar pikërisht aty. Për administratën joshtetërore, Rama le të krijojë e konsolidojë institucionet.

Le të ketë edhe pak besim tek Reforma në Drejtësi. Sepse komunikimet e Ramës me qytetarët nuk e zëvendësojnë Reformën në Drejtësi. Edhe këtu duket se po kapërcej në një temë tjetër.
“Listat e zeza” të Ramës, veç të tjerash, nuk shpëtojnë nga sensi i hakmarrjes. Nuk shpjegohen ndryshe ngutjet e një kryeministri, që e kalon një pjesë të madhe të përditshmërisë së tij duke komunikuar në facebook me qytetarët, për të borohoritur sapo në rrjetën e merimangës së tij të komunikimit me publikun bie ndonjë emër i madh.

Filed Under: Opinion Tagged With: i Ramës fa schifo, pse, qytetari dixhital, Skender Bucpapaj

ERLISA KULLA, MYSAFIRE TEK DIELLI:RRUGETIMI DREJT SUKSESIT

July 16, 2017 by dgreca

Intervistë me 15 vjeçaren shqiptare Erlisa Kulla, fituese e çmimit të parë në konkursin kombëtar “Pyet Gjyshërit” organizuar nga Instituti  për Demokraci, Media dhe Kulturë/2 erlisa intervGazeta DIELLI- Prejardhja e Erlisës?

Erlisa Kulla – Babai im, Gjergji Kulla, është nga fashti Zëmblak i rrethit të Korçës, ndërsa mamaja ime është me origjinë nga fshati Bitinckë i rrethit Devoll nga fisi Lame. Deri në vitin 2000 familja ime ka jetuar në Zëmblak. Në vitin 2000 familja ime u zhvendos në Tiranë. Babai im është inxhinier elektrik dhe ka një kompani për tregtimin e materialeve elektrike. Nëna ime është mësuese matematike dhe punon në shkollën e mesme të Vorës dhe në vitin 2011 ka dalë një nga mësueset më të mira në Shqipëri. Familja ime përbëhet nga: gjyshërit, prindërit dhe vëllai më i madh.Unë kam lindur më 10 qershor 2001 në Tiranë.

1 Erlisa Kulla

 

DIELLI – Shkollimi?

Erlisa Kulla – Në moshën 3-vjeçare kam shkuar në një kopësht ku kam marrë mësimet e para. Që në kopësht prindërit e mi evidentuan dëshirën dhe talentin tim për të pikturuar. Në moshën 6-vjeçare, pa hyrë ende në klasën e parë, fillova të ndiqja një kurs pikture. Si gjithë moshatarët e mi, më pas fillova klasën e parë në shkollën publike 9-vjeçare “Gjon Buzuku”. Në klasën e pestë u transferova në shkollën 9-vjeçare jopublike “Albanët”. Në këtë shkollë mbylla studimet e mia të ciklit 9-vjeçar. Shkollën e mesme po e vazhdoj në gjimnazin “New York High School” në Tiranë. Në të gjitha vitet e shkollimit tim, që në arsimin parashkollor, ciklin e ulët, të lartë, e tani në të mesëm, rezultatet e mia kanë qenë të shkëlqyera dhe në të dyja shkollat e fundit kam arritur të fitoj bursë të plotë mësimore falë arritjeve të mia akademike.1 ekspozita ne muze

Ne Foto:Vizitore ne ekspoziten e Erlisa Kulla ne Muzeun Kombetar ne Tirane/

DIELLI -Aftësitë ekstrakurrikulare të Erlisës?

Erlisa Kulla – Jam e talentuar në pikturë dhe në 8-9 qershor 2016 kam hapur një ekspozitë personale në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Gjithashtu kam aftësi të mira muzikore dhe praktikoj kitarën. Në shkollën “Albanët” kam qenë aktive në aktrim dhe kërcim.

Gjatë kohës që studioja në shkollën “Albanët” një karakteristikë e rëndësishme e kësaj shkolle ishin projektet që organizoheshin dy herë në vit. Temat ishin të ndryshme dhe unë kisha hapsirë të demostroja aftësitë e mia si lidere grupi dhe gjithashtu gjatë kësaj kohe u aftësova në përdorimin e kompjuterit i cili tashmë është miku im më i mirë.

DIELLI- Formimi  në picture, si erdhi?….

Erlisa: Sikur përmenda dhe më sipër, që në vogëli kam ndjekur kurse pikture, dhe ende vazhdoj t’i ndjek. Në shkollën “Albanët organizoheshin çdo vit aktivitete të ndryshme ku përfshiheshin ekspozita e konkurse pikture ku unë kam fituar gjithnjë vëndin e parë. Në vitin 2012 kam marrë pjesë në konkursin e parë jashtë shkollor me titull “Tirana…më e mirë” organizuar nga shoqata Zemra e Tiranës ku fituar Çmimin Qytetari i Vogël. Në maj të këtij viti u bëra pjesë e një konkursi online të Primo Albania në të cilin fitova çmimin e parë për grupmoshën time. Pika më kulminante në “karrierën” time si piktore është ekspozita ime personale e pikturës e titulluar “Ngjyrat e botës sime”.

 

DIELLI – Mund të na tregoni diçka për konkursin “Pyet Gjyshërit”

Erlisa Kulla – Ishte një ditë e nxehtë mesgushti kur mamaja ime më tregoi për konkursin “Pyet gjyshërit”. Unë, mami dhe gjyshi im nga mami ishim duke pushuar në plazhin e Golemit. Ajo e kishte gjetur atë rastësisht në Facebook dhe mund të them që ishte nxitësja kryesore që unë të bëhesha pjesë e këtij konkursi të organizuar nga IDMK-Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë. Fillimisht u njoha më imtësisht me atë çfarë përfaqësonte dhe kërkonte ky konkurs. Kërkohej një reflektim personal për diktaturën (një periudhë e pajetuar nga mua) pasi të pyeteshin gjyshërit të cilët e kishin jetuar dhe e kishin vuajtur këtë kohë. Produkti përfundimtar duhet të ishte një video 4 minuta në formën e një Digital Storytelling. Biseduam gjatë me mamin e cila jo vetëm e ka jetuar atë periudhë por e ka vuajtur pasi rridhte nga një familje e persekutuar, dhe për këtë arsye i ishte mohuar e drejta e studimit të lartë.

Në fillim pyeta veten: Ç’është Digital Storytelling? Pas kërkimesh të shumta në internet fillova të krijoj një ide më të qartë të asaj që duhej të paraqisja. Menjëherë mendova: intervistë me gjyshin. Duke qenë se gjyshi ka qenë muzikant në atë kohë, mendova se do të kisha informacion të mjaftueshëm për të treguar realitetin artistik të asaj kohe. Por mendova se një intervistë e thjeshtë do të ishte krejt e zakonshme, aspak kreative. Përse të mos kombinoja aftësitë e mia në pikturë dhe në teknologji? Gjithashtu vendosa që mënyra e trajtimit të ishte më gjithëpërfshirëse si në tematikë (jo vetëm muzika) edhe në njerëzit që do e gjenin veten aty (jo vetëm gjyshi im); doja që të tingëllonte therëse dhe goditëse edhe në kohën e sotme.  Pas kapërcimit të vëshirësisë për zgjedhjen e tematikës, ishte momenti për konkretizimin e ideve.

Ishte mami ajo që ndezi një shkëndijë në imagjinatën time: treni. Vetëm kaq më duhej dhe i thashë: “Stop mami, tani e vazhdoj vetë.” Në mëndjen time filloi të ravijëzohej një histori 50 vjeçare e një kombi të tërë. Edhe pse kjo periudhë ishte e pajetuar për mua mund të them se perceptimin për të e kam shumë të hershëm, kjo përmes rrëfimeve të dhimbshme dhe të paimagjinuara (ndonjëherë më dukeshin qesharake) të gjyshes time nga mami. Ajo ka qenë shumë e vuajtur pasi që në moshën 3-vjeçare i vdes e ëma dhe në moshën 9-vjeçare përjeton burgosjen e të atit për shkak se kishte ndihmuar kushurinjtë e tij të arratiseshin. Shpeshherë i kërkoja të më tregonte përralla dhe unë qaja teksa dëgjoja historitë e saj, për të kuptuar më pas që ato nuk ishin përralla. Edhe përse ajo nuk jeton më, historitë e saj më shërbyen si një bazë e fortë për të krijuar historinë time.

Duke pasur një ide të qartë dhe një bazë të mirë informacioni nisa punën time. Për të treguar një histori më duheshin personazhe të cilët vetë kishin historinë (background-in) e tyre. Vendosa që nga historitë e gjyshes të nxirrja tipare të caktuara të komunizmit të cilat do të përfaqësoheshin nga këto personazhe.

 

DIELLI – Po si?

 

Erlisa- Një udhëtim me tren dhe… stacione. Pikërisht stacionet do të pasqyronin elementet e përditshmërisë në komunizëm nëpërmjet personazheve. Fillimisht bëra një listë të elementeve që do të paraqiteshin në çdo stacion.

DIELLI-Po kur ky udhëtim të mbaronte?

Erlisa- Çdo gjë do të paraqitej me anë të vizatimeve në formën e një videoje të animuar Stop Motion e cila kishte vështirësitë e veta pasi kërkonte durim, saktësi dhe përqëndrim të madh. Në këtë mënyrë realizova rreth 120 vizatime të cilat po të bashkoheshin në sekuenca të vogla, jepnin idenë e lëvisjes (animimit). M’u desh të punoja rreth dy javë 6-7 orë në ditë. Për të fituar kohë i kërkova ndihmë vëllait që të më ndihmonte me skanimin e çdo vizatimi. Erdhi momenti kur këto vizatime duheshin montuar. Programi me të cilin vendosa të punoja (Adobe Premier Pro CC), ishte shumë i komplikuar dhe i panjohur për mua, por gjatë gjithë kohës kërkoja në internet për ta mësuar si ta përdorja. Një vështirësi tjetër ishte edhe zgjedhja e kolonës zanore. Doja diçka më shumë tërheqëse se sa të trishtueshme dhe në fund vendosa për melodinë ekzistuese të videos e cila është një melodi me kitarë. Kur e dëgjova për herë të parë pata një mori ndjesish, nga trishtim në shpresë, dhe mendova se do të ishte më se e përshtatshme.

Doja që me anë të videos time të jepja një emocion të fortë dhe një reflektim të qartë të asaj çfarë vërtet përfaqësonte ajo kohë. Kur dyert e trenit të hapeshin, njerëzit do të mund të shikonin efektet e komunizmit tek një njeri i thjeshtë, fshatar, këngëtare, shkrimtar, familje e internuar, votues, nxënëse apo ushtar. Në secilin prej stacioneve shumëkush që e ka përjetuar atë kohë mund të thotë: “E di çfarë do të thotë të jesh në vendin tënd.” Në fund të këtij udhëtimi të gjithë personat e pranishëm zbresin të lumtur nga ky udhëtim i padëshiruar me shpresën se ky tren nuk do të kalojë më kurrë. Ngela shumë e kënaqur me produktin final pasi videoja ime përmbante të gjitha ato çfarë ky konkurs kërkonte: një histori që përfshinte risi, kreativitet dhe reflektim.

Pas dërgimit të videos time në zyrat e IDMC erdhi momenti të prisja për ditën e shpalljes së çmimeve. Dija vetëm që në juri do të kishte personalitete të shquar të fushave të ndryshme në Shqipëri; Fatos Lubonja (analist), Eno Popi (moderator ne Top Channel), Persida Asllani (drejtoreshë e Biblotekës Kombëtare), Zamir Kokonozi (pedagog në Akademinë e Arteve), Leo Çashku (producent në Akademinë “Marubi”). Ishte një kënaqësi e madhe për mua që puna ime do të vlersohej nga njerëz me këndvështrime të gjera e me botëkuptime të formuara, të cilët tregoheshin kritikë seriozë për kohën e kaluar diktatoriale.

Mund të përmend faktin se kisha një frikë të brendshme se si puna ime do të pritej pasi ishte këndvështrimi i një vajze vetëm 15-vjec për një kohë krejtësisht të panjohur për të, të bërë të prekshme vetëm nga tregimet e gjyshërve, dhe mundësitë e gabimit apo keqinterpretimit ishin të shumta. Duke qenë një temë tepër delikate, i druhesha komenteve të njerëzve lidhur me mënyrën e paraqitjes dhe të perceptimit, por jam vërtet e lumtur që kam marrë komente shumë pozitive, të ndjera e prekëse. Në fund gjithë kjo punë e lodhshme u kurorëzua me çmimin e parë në ceromoninë e shpalljes së çmimeve më 27 tetor 2016, ku u ndjeva më e vlerësuar se kurrë.

Qëllimi i punës sime nuk ishte vetëm paraqitja e komunizmit si një periudhë shumë e errët e shoqërisë shqiptare por goditja e karakteristikave negative të tij, si për shembull; burokracia, servilizmi, lufta e klasave, padrejtësia, kulti i individit etj. Kjo kujtesë të shërbejë si një mënyrë për të reflektuar për gabimet e së shkuarës, prej të cilave vuajtjet e një populli të tërë nuk patën të sosur.

Në fund të videos do të lusja secilin prej shikuesve, që e kanë përjetuar ose jo komunizmin, t’i bënin një pyetje të thjeshtë vetes: “A do të doja unë të isha (sërisht) udhëtar i këtij treni?”

 

ERLISA FITOI çmimin e pare të këtij konkursi në rang kombëtar! Urime Erlisa!

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Erlisa Kulla, fituesja e commit te pare

DY ANIJE NE SHENGJIN… NJE ME MEN, TJETRA ME MALL

July 16, 2017 by dgreca

Dy anije po presin për shqiptarët në portin e Shninit (Shëngjinit) prej mijëra vitesh ardhur nga Atlantida !../Lek-Gjoka 70Fejton nga Lek Gjoka/Thonë se ka qindra mijëra vjeçare që dy anije të ardhur nuk dihet se nga ku , ndoshta nga kontinenti i zhdukur i Atlantidës janë të ankoruara në portin e Shninit (Shëngjinit). Nëpër mijëra vjeçare lajmi i ardhjes së tyre shpesh herë merr një rendësi të madhe sepse luan një rol të rëndësishëm për kombin shqiptar që fatmirësisht i shpëtoj zhdukjes si kontinenti nga ai dhe dy anijet kanë ardhur në tokat e të parëve të tyre.. ..Madje kur erdhën rreth fillimit të Marsit të vitit 1444 dikush lajmëroj në Lisus (Lezhë) Gjergj Kastriotin për ardhjen e tyre. Sapo kishte mbaruar Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës dhe e gjithë paria e Arbrit kishte shenja gëzimin dhe optimizmi në sy për një fitore madhështore ndaj pushtuesve osmanë dhe Sulltanit të madhërishëm që si një Lucifer i ishte lëshuar gadishullit ilirik e me tej.
-Gjergj, o Aleksandri i ri i Arbënisë!- u dëgjua një zë në sallën e princave shqiptarë- dy anije janë ankoruar në portin e Shninit. Njëra ka ngarkesë plot plaçka deri dhe shkarpa për të prodhuar gëlqere ndërsa tjetra ka ngarkesë vetëm men .Cilën do të merrni ne fillim sepse atë që do ta nisni në fillim duhet ta shkarkoni të gjithën.
Të gjithë kthyen kokën nga vinte zërit. Një heshtje varri ra në sallën e kuvendit.
-O ti Za, që Zeusi, Zoti të solli këndej nga  ne në tokën e vet !- ushtoi zëri i dragoit shqiptarë Gjergjit të Kastriotit- na len të shkarkojmë anijen e menve se për to ..
-Jo, Jo !- e ndërpreu Gjergjin zëri i një fisniku nga mesi i sallës- men kena boll, po deshi edhe po ju shesim fare lirë, dona plaçkë.
-Po mirë !- u dëgjua përsëri zëri- vazhdoni se unë po iki dhe..
-O Za, o i dërguari i Zeusit Zot në tokat e tua !- e ndërpreu Gjergj Kastrioti- anijen me men do ta shkarkojmë të parën- të lutëm mos ik na hap portën e anijes.
Në sallë ra një heshtje varri. Zëri u zhduk drejt Shninit dhe hapi anijen e plaçkave ndërsa anijen e menve e saldoi një saldator i ardhur nga një planet tjetër dhe me të mbaruar punë hipi në një disk fluturues dhe u zhduk në qiell drejt vendlindjes së tij.
Kështu kaluan qindra e qindra vite dhe anijet shkonin e vinin në portin e Shninit e gjithmonë shqiptaret shkarkonin vetëm anijen e plaçkave ndërsa në anijen e menve shisnin men fare lire . Madje njëherë nga fillimet e shekullit të XX-të sapo At Gjergj Fishta kishte lidhur me drita në Shkodër Kishën e Madhe me Xhaminë e Plumbit dhe Riza Pasha që donte të shkatërronte kishën katolike u step sepse në qelën e Kishës shikoi shqiptarët katolikë dhe myslimane tek bisedojnë plotë endje bashkë . Ai i largua i turpëruar nga Kalaja e Rozafës drejt Lezhës ndërsa paria e Shkodrës po diskutojnë për lajmin e sapo mbërritur që sapo ishin ankoruar dy anije në Shnin një me men dhe tjetra plot plaçkë. Si me shpejtësinë e dritës u mblodhën në shkollën e Jezuitëve në Shkodër i gjithë paria e kombit shqiptar. Qeveria e Vlonës që shpalli pavarësinë e Shqipërisë ishte shkrirë . Në Lushnjë të Myzeqesë ishte mbledhur një kongres për shpëtimin kombëtar por të gjithë shqiptarët ishin lëshuar me vrap drejt Shninit dhe shkarkonin anijen e plaçkave dhe shkarpave. Por anija e menve akoma rrinte e mbyllur.
– Dëgjoni burra !- ushtoi zëri i poetit kombëtar At Gjergj Fishtës – Shqipnia ashtë në rrezik të copëtimit , ndaj po ndahemi gati të shkojmë në kongresin e fuqive të mëdha ja Evropiane që të luftojmë bashkërisht myslimanë e të krishterë për të mos na zhdukur. Si thua ti Monsinjor Bumci !- iu drejtua kryetarit të delegacionit shqiptar në kongresin e Paqes në Paris- çfarë të bëjmë se kanë ardhur në Shnin dy anijet ajo me men dhe ajo me shkarpa?
-Ta shkarkojmë sa ma parë anijen e menve o Atë Gjergji.
– Jo, jo !- u dëgjua një zë nga mesi i sallës –  për men iu kalojmë të tanëve por dona shkarpa se…
…Zogu me në fund e shpalli veten mbreti i shqiptarëve por në Parlament kishin filluar sherret e shamate sa herë që dy anijet ankoroheshin në Shnin dhe gati të gjithë turreshin me vrap për plaçka e shkarpa por .. fatkeqësia me e madhe nuk vonoj dhe erdhi fill pas mbarimit të Luftës së dytë botërore . Pasi komuniste dhe diktatori Hoxha kishte dërguar dikë dhe kishte vjedhur ca tonelata men në anijen e menve në Shnin u hodh në sulm ndaj vëllezërve të tij shqiptare që në mbledhjen e Mukjes . Dukë pasur në tru ideologji komuniste që Luciferi e kishte shpërndarë në Tokë mend që kishin vjedhur komuniste në anije iu kthyen njëri – tjetrin me dhunë, vrasje , internime, persekutime . Madje me forcë shkarkuan edhe anijen e shkarpave dhe për gjysme shekulli morën mallkim e Zeusit Zot . Fatmirësisht nga pranvera e 92-it e theu qafën diktatura e Luciferit komunist dhe me të marrë vesh lajmin të dyja anijet u ankoruan prape në Shnin . Shumë të mërzitur sodisnin shqiptaret që vetëm kanë vështrim nga deti për të ikur . Jo për të ikur drejt kontinentit të zhdukur të Atlantidës por drejt Evropës , Amerikës megjithëse Bjeshkës dhanë kujën për braktisjen dhe shtetin e lotëve të mallit .

Vitet ikin me vrap. Anijet vinin në Shnin dhe politikanët shqiptarë u lëshuan me vrap anijes se plaçkave . Kaloi edhe stuhia luftës civile e 97-të ku prapë shqiptaret ngaqë nuk kishin nevojë për men u vranë me njëri-tjetrin . Pas Shqipërisë së copëtuar shteti gjakatare i Milosheviqit u lëshua plotë dhunë kudo në ish Jugosllavi. Në 98-tën ndali çizmen ushtarake në Kosovë dhe nisi spastrimin etnik të shqiptarëve në trojet e veta . U përgatiten shqiptaret e Kosovës dhe dukë u shamatuar u nisen për Shnin për të anija e plaçkave por … Amerika e fuqishëm i ndalon në rrugë dhe i detyron të marrin mente që ju nevojiten dhe filluan luftën çlirimtare . Me pas dukë parë egërsinë e makinerisë ushtarake serbe i dha ultimatum por si shpesh herë ballkanasit nuk kishin nevojë për men shteti i Serbisë nuk pranoj paqe ndaj Amerika dhe NATO  iu lëshuan me tërë forcën e saj dhe Kosova fitoi pavarësinë por nuk e kuptoj dot se përse dhe deri kur shqiptarët në gadishullin ilirik do të pranojnë të shkarkojnë anijen e menve në Shnin që të gjithë shqiptarët bashkë të vazhdojnë udhëtimin e jetës në Anijen e përbashkët Evropiane ?!..

 

Jacksonville Florida
Korrik 2017

Filed Under: Fejton Tagged With: dy anije ne Shnin, Lek Gjoka, Shengjin

Kosovë-Shugurohet Katedralja Nënë Tereza

July 15, 2017 by dgreca

1 Imzot Troshani-Papa Françeku emëron Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani të Dërguar të Veçantë për kremtimin e shugurimit/

2 Ipeshkevia

-Ipeshkvia e Kosovë shpall programin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë/

1 Katedralja ok-Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik/

-Në 16 gusht 2016 një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në Ipeshkvinë e Kosovës u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji,  ku u theksua se Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite  me afër 2 milionë dollarë/

1 Behluli Dom Lushi

SPECIALE- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 15 Korrik 2017/ Papa Françeku ka emëruar Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani, të Dërguarin e Tij të Veçantë për kremtimin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, u njoftua nga Vatikani – Selia e Shenjtë sot në nesditë, në orën 12:00.

Në të njëjtën orë në Prishtinë lajmin e gëzueshëm e përcolli Mons. Lush Gjergji, Vikari Gjaneral i Ipeshkvisë së Kosovë, në një konferencë shtypi në Rezidencën e Ipeshkvisë, pranë Katedrales Nënë Tereza, ku ishte edhe korrespondenti i Gazetës DIELLI. Me këtë rast u bë edhe përurimi i Stemës së Festës së Shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.

Ipeshkvia e Kosovë shpalli sot Programin e Shugurimit të Katedrales Nënë Tereza, që do të jetë në 5 shtator 2017, ditën e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Kremtimi solemn i Meshës së Shugurimit do bëhet në mesditë, nga ora 11:00.

Kremtimi fillon me hapjen e Ditëve të Nënë Terezës, në ditëlindjen e saj dhe ditën e bekimit të gurthemelit të Katedralës, në 26 gusht. Në këtë ditë, nga ora 18:00, në Katedrale do ketë do ketë takim lutjeje dhe meditimi me Nënë Terezën.

Në 2 shtator bëhet hapja solemne e aktiviteteve kuturore e shpirtërore treditëshe të festës. Në 3 shtator në orën 11:00 zhvillohet meshë në Katedrale, ndërsa në 4 shtator  në ora 18:00 – Mesha, Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë.

Në Këshillin Organizativ janë: Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, Vikari Gjaneral Mons. Lush Gjergji, Kancelari Don Shan Zefi, Famullitari i Katedrales Don Fatmir Koliqi, Sekretari i Ipeshkvit Don Meriton Dedaj, Drejtori i Caritasit Don Vitor Sopi, Ekonomi Don Kastriot Idrizi, Dekani Don Lenc Sopi.

Don Zefi ka shpjeguar simbolikën e Stemës së realizuar nga i riu Lin Halili.

“Në Stemë, Katedralja brenda dy krahëve të Shqiponjës simbolizon Popullin dhe Kishën që ka lind Shën Nënë Terezën, e cila qëndron në ballë të Katedrales, duke bekuar Vendin, Popullin dhe Kishën e vet”, u shpreh ai.

E njohur në botë si Nënë Tereza, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, është shpallur e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016 në Vatikan.

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

Katedralja nisi të ndërtohet derisa shënohej në Kosovë edhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

 

Në ditën e 16 gushtit 2016, një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, në Ipeshkvinë e Kosovës  dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Në këtë takim në verën e para një viti, edhe nga ana e delegacionit të Vatrës edhe nga ana Ipeshkvit u theksua se Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite  me afër 2 milionë – 1.800.000 dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Me delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA, ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj.  Gjatë gjithë kohës isha edhe unë – korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen Nënë Tereza, gurthemelin e së cilës e vuri Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe këtë të gjithë e kujtonim gjatë bisedës.

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra,  të gjithë vatranëve.

“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës.

Presidenca e Kosovës ka vite që ndanë dekoratën Medalja Humanitare Nëna Terezë, që u jepet personave që kontribuojnë në çështjet humanitare…

 

KARDINALI SHQIPTAR TROSHANI I DËRGUAR SPECIAL I PAPA FRANÇESKUT PËR SHUGURIMIN E KATEDRALES NËNË TEREZA

 

Në Vatikan, sot, në orën 12:00, Selia e Shenjtë ka lajmëruar se Papa Françeku ka emëruar Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani, të Dërguarin e Tij të Veçantë për kremtimin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, i cili do të jetë më 5 shtator 2017. Lajmin e ka publikua edhe gazeta zyrtare e Selisë së Shenjtë “L’Osservatore Romano”.

Ipeshkvia e Kosovës, e prirë nga bariu i saj Imzot Dodë Gjergji, me moton “Vjet në Romë – sivjet në Prishtinë”, pati lajmëruar se në njëvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, do të shugurojë Kishën Katedrale, e cila i kushtohet bijës së popullit dhe kishës sonë, shenjtëreshës së dashurisë. Këtë ngjarje të madhe festive tani i jep solemnitet edhe më të madhe Papa Françesku duke e emëruar të Deleguarin e Tij të Veçantë, Eminencën e Tij Kardinal Ernest S. Troshani.

 

Kush është Kardinali Ernest Troshani?

Ernest Simoni Troshani lindi më 18 tetor 1928 në Troshan, fshat pak kilometra larg Shkodrës, në një familje thellësisht fetare. Në moshën dhjetë vjeçare hyri në kolegjin e françeskanëve, në Troshan, duke nisur kështu, udhën e studimeve, që do ta formonte si meshtar. Në vitin 1948, në kulmin e persekutimit nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, edhe kuvendi i fretërve u plaçkit dhe u shndërrua në vend torturash për të burgosurit, ndërmjet të cilëve, pothuajse të gjithë vëllezërit e vegjël shqiptarë të Shën Françeskut. Ishte 20 vjeç kur, duke dalë prej kuvendit, u caktua nga regjimi si mësues në fshatra të humbura mes malesh, ku  nisi ta shndërrojë detyrën e mësuesit, në vepër misionare dhe ungjillëzuese. Atëherë e morën ushtar: pas dy vjet shërbimi të rëndë (1953-55), përfundoi fshehurazi studimet e teologjisë  e, më 7 prill 1956, u shugurua meshtar në Shkodër. Për t’iu bindur  Ipeshkvit, u inkardinua në dioqezë, ndonëse zemra e tij mbeti për gjithë jetën françeskane.

Më 24 dhjetor, pas Meshës së Krishtlindjes, u arrestua e u mbyll në një birucë, në burgun e Shkodrës. Si u dënua me vdekje, dënimi iu kthye në 25 vjet punë të detyruar. Ndërsa kryente dënimin, u bë atë shpirtëror e pikë referimi për  bashkëvuajtësit.

Më 22 maj 1973 u dënua përsëri me vdekje, me akuzën se po përgatiste kryengritjen për rrëzimin e regjimit. Dëshmitë në favor të  tij e shpëtuan nga plumbi, por jo nga puna e detyruar. Punoi kështu 18 vjet me radhë, nga të cilat 12 në minierë. U lirua më 1981, por vijoi të shikohej si armik i popullit  e, si i tillë, u detyrua të merrej, për bukën e gojës, me pastrimin e gjirizeve të qytetit.

Ditën, pastrues i gjirizeve, natën pastrues i shpirtrave, ai vijonte shërbimin shpirtëror, atje ku ndërronte një jetë a ku lindte një jetë e re. E kështu, deri në rrëzimin e regjimit, më 1991. Që asokohe vijoi të shërbejë si meshtar në një mori fshatrash, duke punuar për pajtimin e gjaqeve e duke vijuar dëshminë ungjillore. Dëshmi, që e preku thellësisht Papën Françesku, kur vizitoi Tiranën, më 21 shtator 2014. Papa Françesku e ka krijua kardinal më 19 nëntor 2016. Troshani është kardinali i dytë i shqiptarëve, pas Kardinal Mikel Koqiqi.  (Nga Jetëshkrimi i Kardinalit i lexuar pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të datës 09. 10. 2016.).

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Katedralja, Kosovë-Shugurohet, Nene Tereza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT