JOURNAL DES DÉBATS POLITIQUES ET LITTÉRAIRES (1883) : « PASHKO VASA, THE RIGHT MAN IN THE RIGHT PLACE »/
Nga Aurenc Bebja*, Francë/Gazeta franceze, « Journal des débats politiques et littéraires – Paris », ka botuar, të mërkurën e 16 majit 1883, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me emërimin e Pashko Vasës guvernator të Libanit.
Lideri shqiptar njihej në mjediset politiko–diplomatike osmane dhe perëndimore si një njeri i talentuar për të drejtuar poste me përgjegjësi të lartë.
Shkrimi në vijim, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » – dëshmon qartësisht se sa i vlerësuar ka qenë atdhetari shqiptar tek të huajt :
Na shkruajnë nga Konstandinopoja, 8 maj :« Sot, supozojmë të marrë fund, dhe seriozisht kësaj here, çështja e Libanit. Nga mbledhja e organizuar më parë, diçka do të dalë në dritë, dhe Vasa Efendi me shumë mundësi do të marrë në mënyrë unanime votat e ambasadorëve, sepse ai është kandidati i propozuar.
Të shtunën, Arif Pasha, Ministër i Punëve të Jashtme, thirri në një takim të jashtëzakonshëm në Portën e Lartë krerët e misioneve dhe i njoftoi se kandidati i propozuar ishte Vasa Efendiu.Përfaqësuesit e Francës, Austrisë, Italisë dhe Gjermanisë pranuan, pa hezitim, e pa u vonuar, këtë kandidaturë. Vetëm, ambasadori i Rusisë dhe i ngarkuari me punë i Anglisë dëshironin një ‘ad referendum’ (mendimin e qeverive të tyre) ; Por besojmë se udhëzimet që ata do të marrin do të jenë të favorshme për këtë emërim ; Pra, Vasa Efendiu do të jetë pasardhësi i Rustem Pashës.
Vasa Efendiu është shqiptar. Këshilltar i vilajetit të Adrianopojës, prej disa vitesh, ai ka fituar simpatinë e të gjithë qytetarëve të saj, si myslimanë dhe të krishterë. Autor i dalluar dhe madje poet në gjuhën shqipe, Vasa Efendiu është gjithashtu një administrator i ndershëm, i zgjuar, plot meritë, vendosmëri dhe energji, dhe me padyshim, ai do t’i përmbushë detyrat e tij të reja për të mirën e të gjithëve ; Ai është, ashtu siç thonë anglezët : « The right man in the right place » (Njeriu i duhur në vendin e duhur). Kjo zgjedhje është më e mira nga çdo këndvështrim ; Shqiptarët ishin krenarë dhe të lumtur që sulltani zgjodhi njërin prej tyre për të përmbushur këto funksione të rëndësishme. Mënjanimi i Bib Dodës i pati zhgënjyer disi. Vasa është ende njëri prej tyre, dhe ata vetëm se mund të krenohen për këtë zgjedhje. Pra, incidenti libanez mori fund, Rustemi u zëvendësua, kandidati i sulltanit u pranua dhe shqiptarët janë të kënaqur ; Secili prej tyre është i kënaqur : vetëm anglezëve u vjen keq për Rustemin ; Ata kanë shumë kënaqësi të tjera si kompensim. »







Nga Kaltrina HOTI/Ne flasim me njëri tjetrin. Kuvendojmë nëpër ndeja, shoqata, organizata, kuvende, ministri, qeveri… Ne flasim dhe me hijen tonë, që ecë përpara apo e kemi lënë pas. Kur them pas flasim atë që nuk e mendojmë, atë që krijon ndarje, dhe hija si e tillë është hidhëruar. Mënyra është se a e kemi veshur fjalën, a e kemi matur, a e kemi peshuar, a e kemi ajrosur që ajo të thithet, të kënaq tjetrin, një grup, një komunitet, një komb dhe më gjerë. Po për fund që të ketë shije, a e kemi kripur ashtu si ato plisat, se fjala pa shije të pështirosë. Dua të them së fjala që ka aromë shpërndahet shpejt, të ëmbëlson shpirtin dhe të buzëqesh në sy. E ç’duhet të bëjmë që të jetë e tillë?! E kaluara ka ikur, e sotmja ngutet, por që të mos na ikë e nesërmja sot ta lidhim fjalën e shpirtit që të peshojë nesër. E kaluara i mbetet për gjykim historisë, e sotmja është në tryezë, e nesërmja trokit në muret e së ardhmes. Ne që flasim gjuhën e moçme që e folën dhe perëndit, dhe pas gjithë sfidave arriti të mbijetoj, të shkruhet dhe të lexohet, ne për hir të së kaluarës që duhet vetëm ta marrim si mësim, ku fjala matej me fisnikëri, bujari e dinjitet duhet të kemi qëllimin e përbashkët, të kemi një ide para se të flasim. Ne që kemi një histori duhet të marrim forcë nga e kaluara, urtësi dhe maturi për të nesërmen. Ne që kemi kulturë të përbashkët, të lashtë e të stërlashtë, duhet të mos gjykojmë të kaluarën por të shtrojmë tryezën e përbashkët ku të kuvendojmë për bashkim resursesh njerëzore, intelektuale dhe ekonomike që ende janë në duar të huaja. Fjala jonë para se të dal nga ne duhet të matet me idenë, jo të pëshpëritet por jehona të marr malet, të futet nëpër kulla e Kështjella të rrënuara, që të zgjojë çdo gjak arbri, të trokas në çdo port me besë, për të sjellë liri, liri për të gjithë, që çdo filiz të rritet me buzëqeshje, në paq e liri. Po e gjithë kjo varet nga ndërtimi i identitetit tonë. Fjala jonë është e ardhmja jonë, e ardhmja është pa kufij. E neve ç’na duhet kufijtë që janë më gurë nga gjaku jonë dhe dora e huaj. Ne vetëm duke ushqyer një fjalë nga dita në ditë mund të bëhemi dritë e së ardhmes. Kujdes fjala bashkon, fjala ëmbëlson, fjala me aromë është shëndeti ynë. Fjala është fuqia me të cilin kemi ndërtuar identitetin personal, identiteti kombëtar fjalën pa peshë nuk ta falë. Ne vetë nuk jemi ndarë që të mos themi çdo ditë posa të zgjohemi “Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar”.