• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2017

TYMNAJË RRETH AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË

September 15, 2017 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/Kur Akademia e Shkencave (ASH) u formu në vitin 1972 (me një vendim të qeverisë së asaj kohe), nga brezi  im, por edhe nga  një  brez  më i  moshuarish se ne, u ndje një farë emocioni  e ndjesie positive. Kjo, jo vetën se edhe Kombi  ynë do të kishte  Akademinë e vet të Shkencave ,(si kombet e tjetë qytetëruar),  por se ngritja e saj, do t’ju jepte rrugëzgjidhje  shumë  problemeve të mëdha kombëtare të  akomuluara  nga koha. Ata ishin të shumta , por vecanërisht të albanologjisë dhe historisë  ishin më të mprehta  e  të pa argumentuara  shkencërisht   të paktën para opinionit të jashtëm.  Në këto kushte një grup jo i vogël intelektualesh të mirnjohur të fushave të ndryshme, u emruan në postet kryesore drejtuese të ASH-së. Ata qenë  bërthama  e parë e  këtij institucioni të lartë, ishin kryesisht intelektualë të formuar në shkollat jashtë Shqipërisë, me integritet,por duhet theksuar,se   mbi të gjitha ishin  edhe  të besuarit e regjimit.

Para formimit të ASH-së, ishin bërë disa studime  nga persona të vecantë e të pasionuar pas shkencës, që në kohën e Mbretërisë Shqiptare e pas saj, por studime të mirfillta e shumë  të rëndësishme për albanologjinë (edhe historinë) vinin nga studiues të huaj si : austriak, gjerman, angles, italian, kroat etj, të cilët e ndihmuan shumë  ASH-në  në hapat e parë të saj. Nuk ka asnjë dyshim që edhe regjimi totalitar në Shqipëri , ishte i interesuar që  të bëheshin përpjekje serioze për ecjen  përpara në fushën e albanologjisë dhe të historisë e më gjërë (por vetëm sipas koncepteve të  partise shtet).

Si qytetar i thjeshtë, por dhe specialist i fushës time, kam vlerësuar shumë  punime  të këtij institucioni.  Mendoj se deduksionet e  përfundimet e shumë studimeve të ASH-së, kanë qenë të rëndësishme për gjithë brezin tim  e brezin pas nesh . Ata ,nuk druaj ta them hapur se kanë lënë gjurmë edhe në formimin tim intelektual. Nga këtu më buron edhe ndjenja e “dashurisë” në se mund të quhet e tillë, për këtë institucion të vënë në shenjestër kohët e fundit. Por, megjithë ndjenjen që përmenda më lartë, nuk mund të mbyllë sytë përpara disa deformimeve  skandaloze të fushës së historisë , të cilat nën trysninë e totalitarizmit tjetërsuan ngjarje, emra,personalitete, data, e deri  periudha  të tëra, e për të cilat ASH-ja ka shumë përgjegjësi.

Debati i hapur kohët e fundit deri tek qenia ose mos qenia e ASH-së si institucion,  në gjykimin tim, është një debat  shterp, i varfër intelektualisht  e  për të ardhur keq. Sulmet e Kryeministrit Rama  ndaj saj ,më duken shumë fodulle, vulgare, të pa matura, pavend e të dëmëshme për të sotmen dhe të ardhmen e shkencës shqiptare. Po ashtu edhe  ligji për arsimin i Qeverisë Rama, i cili në brendi fsheh thikën pas shpine kundër ASH-së, më duket avangardë i qëllimeve të këqija të Kryeministrit Rama, të cilit i duket vetja (duke qenë i gjatë me trup) kreu i shkencës, i dijes,  dhe i cdo gjëje në Shqipëri.

Do të kisha dëshirë që qenia e ASH-së të mos vihej në dyshim  nga askush  dhe për asnjë  moment të vetëm . Ajo është vepër dhe vlerë e madhe  jo vetëm e Shqipërisë, por për  gjithë Kombin Shqiptar. ASH-ja detyrimisht duhet reformuar. Ajo aktualisht ka 26 anëtar akademikë,13 anëtarë akademikë të asociuar dhe 26 anëtarë nderi. Ajo ka dy seksione: Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe Seksioni i Shkencave Natyrore e Teknike. E gjitha duhet reformuar në strukturë e në përmbajtje.

Si qytetar i thjeshtë shqiptar, do të dëshiroja që ASH-ja, të merrej më shumë me dokumentimin dhe argumentimin e vijimsisë pellazgjike-iliro-shqiptare. Në cdo dokument të ASH-së , gadishulli në të cilin ne shqiptarët  jetojmë, të quhet “gadishulli Ilirik (Ballkanik).” Të nxirret në dritë se sa kultura ilire ka pjesën e vet në kulturën e Greqisë së lashtë, në kulturën romake, bizantine, otomane etj. Kur themi kultura ilire kam parasyshë atë materiale por edhe njerzore e shpirtërore, duke vënë në dukje prijsit ilir qe kanë lënë gjurmë në këto periudha. Hulumtimet duhen parë në planin drejtues dhe shpirtëror,ku të dalë në pah se sa perandorë, kryekomandantë, papa, e drejtues fetar kanë prejardhje iliro-shqiptare. Ka vend që periudha e Gjergj Kastriot- Skënderbeut të cvishet nga folklorizmat, por të zgjerohet me argumenta si figura më madhore e Kombit tonë,  madje  edhe shume e rëndësishme  europiane ashtu sic ka qenë në të vërtetë. Një argumentim më i saktë i duhet bërë ardhjes së feve në trojet shqiptare, kur, si  dhe përse, duke i qëndruar besnik versionit të rilindasve se :”feja e shqiptarit është shqiptaria dhe se … kemi bajram edhe pashkë por Shqipërinë e kemi bashkë”. Historia e pas themelimit të Shtetit Shqiptarë, të vihet mbi baza të shëndosha, me fakte e prova të argumentuara dhe e njësuar për të gjitha nivelet e arsimimit (sipas shkallës informacionit që duhet dhënë) si  dhe e cveshur nga cfaro prirje partiake e deformuese.

Si qytetar i thjeshtë, kam dëshirë që gjuha shqipe  e njësur të ruhet, por ajo të pasurohet me paskajoren e gegnishtes dhe dalëngadalë në shumë përdorime “ë”-ja e fortë e toskërishtes të zëvëndësohet me “a”-në e gegnishtes si formë më e lehte e të shqiptuarit të fjalëve. Gjuha ka nevojë të pasurohet edhe  me fjalë e shprehje të reja  nga tabani i shqipes dhe të mos lejohet që të  futen fjalë e terma të huaja pa qenë domosdoshmërisht  të nevojëshme. Këtë mund dhe duhet ta bëjë vetëm  ASH-ja.

Unë jam pjesë e pemës gjenetike te Bushatlinjve, por i lindur në Mat dhe si matjanë  do të kisha shumë dëshirë që  gërmimet arkiologjike të ASH-së, të fillonin sa më parë e të japin shpiegime  për  kështjellat e vjetra në Mat të cilat fshehin histori  të pa thëna për atë trevë dhe Kombin në tërësi. Të hidhet dritë mbi toponomet, dhe emrat psh: Mali Allamanit (Alemanit), Mali Dejës (Dea), Mali  Alojsit, vendbanimet: Germani (Gjermani), Franfth (i Fankut, francezit), Muzhakë (Muzakajt), Karica (Kroacia), Baz (në kuptimin shtab-vend qëndrimi), Burrel (Burgel-gjermanisht), Burgajet (burgjet.. po gjermanisht), Batër (Battle-betejë), etj. A mos këto  emra vendbanimesh kanë të bëjnë me periudhën e Skënderbeut i cili ka patur edhe  stërvitës të ushtrisë së tij nga vendet europiane dhe këta instruktorë kanë patur përqëndrime e rajone të vecanta stërvitjeje?  Po kështu si unë e ndoshta më shumë se unë, do të pyeste  një dibranë, mirditor, kurbinas,krutanë, shkodranë, tiranas, …preshevas, gucias,tivaras,lab, cam, shkupianë etj. Vetëm ASH-ja mund tu japi përgjigje pyetjeve  dhe problemeve të kësaj natyre.

Dhe së fundi, të shkatërrosh dihet se  është shumë e lehtë,( sic shprehet kollaj Zoti  Edi Rama), por të ndërtosh është shumë më e vështirë, aq më tepër një akademi për studime shkencore. ASH-ja  në gjykimin tim duhet mbrojtur me ligj të vecantë. Asnjë politikan nuk duhet të ketë mundësi ta preki atë. Në reformën kushtetuese lypset të parashihet që ajo të varet nga Presidenti, kurse financimi  të bëhet nga qeveria. Por financime shtesë  e për ceshtje specifike ASH-ja  ,mund të marrë  fonde edhe nga persona fizik e juridik të interesuar për punimet e saj shkencore. Shresoj se kjo tymnajë, pak  “poshtruese”  ndaj ASH-së ,do ti bëjë akademikët tanë të nderuar , të mendohen më  thellë për hapat që duhet të hedhin në të ardhmen dhe për seriozitetin e studimeve që do të bejnë. Kjo nuk është ceshtje personash të vecantë por, punë e rëndësishme e Kombit Shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Akademisë së Shkencave, asllan Bushati, Tymnajë rreth

Osman Lita dhe dëshmorët në luftë kundër komunizmit

September 15, 2017 by dgreca

Shtylla e dëshmorëve – Osman Mustafa Lita me pjesëtarët e Familjes/

1 tahir.kolgjini.zyrtareNga Tahir Kolgjini/

Të ndiemin Osman Litën nga Kalisi i Lumës, qysh në datën 02.11.1912, e shofim në skenën e atdhetarís shqiptare. Në veprën “MBROJ­TJA E SHKODRES” –faqe 223, 224 -, të përpilueme prej gjeneralave turq dhe të botueme në 1933 me aprovimin e Kryesís së Shtatmadhorís, shofim kto fraza:-«Natën e datës 2-3 Nanduer, trupat, kaluen në katundet Shtarovicë, Reç, Shtrazimir dhe Brodeçan, tue qendrue nji pjesë përjashta. Në kët mbramje, dy vetë nga Kalisi, erdhën dhe treguen se popullsija asht përgatitun me marshue drejt Prizrenit. Prandej, kërkon qi, bashkë me te, të veproje edhe ushtrija. Pak ma vonë, erdhi dhe Orman Lita, i biri i Mustafa Litës, qi ishte prej krenëve të Lumës. Ky, n’emën të krenëve të Lumës dhe të Dibrës së poshtme, solli letra, me të cillat luteshin qi ushtrija, të ndalet e të qendroje me ta. Njana prej këtyne letrave, tekstualisht asht kështu:

«Zotnís së Tij Komandantit t’Ushtrís në Restelicë

Kemi marrun vesht se keni ardhun në Shtarovicë. Lajmohemi se ushtrija, s’ka ushqim. Jemi tue mbledhun ushqime në sasi të mjaftueshme për ushtrin, qi keni. Ju lutemi kini mirësín me e këthyem ushtrín e Juej këndej.

Nderime. Ushtrija anmike, ka kalue në Rekë.

  1. Parësín e Dibrës së Poshtme:

Sheh Shaduman

  1. Parësín e Lumës:              

Ali Daci

Osman Lita

Sheh Ramadani

Xhelaleddin

Elmas Kotarja

Shenim:

1.Xhelaleddin-i, âsht Xheladin Bresa nga Buzmadhja.

  1. Sheh Shaduman -i, në vend thirrej “Sheh Zumani”.
  2. Komandant’i ushtrís, Mahmud Hajret Pasha, mbassi forcat nuk ishin në gjendje kësaj thirrjeje i përgjegjet negativisht, tue shfaqun keqardhjen e vet dhe tue u falënderue.
  3. Marshimi drejt Prizrenit, shenon luftën e Lumës kundra ushtrís serbe, tue i pasë shterrun krejt nji divizion. Mbi kët luftë, revista “SHEJZAT” në (Luma dhe luftat e Saja), ka shpalitje.

***

Si dihet, Jugosllavija e krijuemembas luftës së parë botënore, në fillim, nuk i pat respektue kufijt e Shqipnís, qi ishin caktue në vjetin 1913. Ajo, lakmonte me mbajtun vendet t’ona deri në Drinin e Zi. Pat gjetun, në Lumë e në Dibër, disa mercenarë, të cillëve iu pat lidhun rroga keshe për të mbajtun qetesín e vendit. Dhe si përfundim pretendonte se e don populli. Në kët mënyrë, synonte me mbajtun në dorë gadi krejt Lumën dhe Dibrën e Poshtme.

Kjo situatë, vazhdoi deri në vjetin1920.

Në vjetin 1920, qeverija e Tiranës, disi u mbëkambë. E mbolli farën per nji kryengritje në Lumë e në Dibër për kundra Jugosllavís. Dibra e Poshtme e prime prej Suf Xhelilit dhe Nahija e Lumës e prime prej Osman Litës, i vunë pushkën ushtrís jugosllave dhe i asgjasuen disa njisina, tue ardhun deri në Lerat e Sorrës të katundit Lusën.

Mbi këtê, ushtrija jugosllave ia behi bjeshkëve me armë të randa. Thei popullsín kryengritëse dhe vendosi topat në Gjurrën e Kalisit. Dhe prej këndej, filloj me gjuejtun katundet dhe forcat shqiptare përtej Drinit të Zi.

Kjo ushtri e anmikut, qi ishte acarue për s’tepërmi, dogji Osman Litën dhe Nahijen; dogji shum katunde në Dibrën e Poshtme dhe grabiti e plaçkiti çdo gjâ, qi gjet në këto vende. I bani katundet rrafsh me tokë.

Ata, qi shpëtuen prej kësaj morekujeje, kaluen Drinin dhe morën udhën nepër Selitë për të shkue në Tiranë. Në Selitë, këtyne luftëtarëve dhe familjeve të tyne, iu doli përpara nji pjesë e popullit të vendit dhe iu vûni pushkën nepër gryka e karma të vështira, tue iu shkaktue shum të vramë në njerz dhe tu e iu plaçkitun kafshë, bagti e ç’do gjâ, qi patënme vehte.

Nji pasqyrë tragjike!… Në kët tragjedi përshkohet dhe Osman Lita me nji familje e pasuní të madhe.

Mbas kësaj kryengritjeje, Shqipnija, ankohet pranë Konferencës s’Ambasadorëve dhe pranë Lidhjes së Kombeve. E, si përfundimi kësaj ankese, Jugosllavija, shtërngohet me lëshue vendet e Lumës dhe të Dibrës, qi i kishte okupue barbarisht.

Luma dhe Dibra, në kët rasë, lirín e tyne e fituen me gjak.

Pra, ky ishte Osman Lita dhe kjo ishte familja e Litës në Lumë.

Qè pra, po ky Osman Litë, deklarohet tradhëtár prej partís komuniste gjoja shqiptare, e prime prej Dushanave e Miladinave; dhe, vritet me 01.08.1946 në vendine quejtun “Vorret e Shullânit” në Lumë.

Nga familja e Litës, përveç Osman Litës, pjesërisht në ndeshje e sipër dhe pjesërisht tue u pushkatue, kanë mbetun dëshmorë:

Sherif Osman Lita,          (i biri)

Vehap Osman Lita           ( i biri)

Rahim Osman Lita           (i biri)

Zyber Mustafa Lita          (i vëllai)

Zejnel Ali Lita                  (nip vëllai)

Rushit Ali Lita                 (nip vëllai)

Jahja Ali Lita                   (nip vëllai)

Hasan Zejnel Lita             (stërnip vëllai)

Shevqet Zejnel Lita          (stërnip vëllai)

Uk Myslim Lita               (Kushri)

Kadri Myslim Lita            (Kushri)

Mexhit Myslim Lita          (Kushri)

Emri Isuf Lita                  (Kushri)

Asht e udhës me shenue se, me nji pjesë të këtyne dëshmorëve, kanë ndodhun dhe Ali Veli Sufa e Xhemali Mërtini prej katundit Kalis.

***

Në kët mënyrë komunizmi i ashtuquejtun shqiptar, i ka nderue (!) personalitetet dhe familjet patriotike, të cillat, përherë, ishin shkri për pavaresín e Shqipnís.

Përulemi përpara dëshmorëve të Kombit!

Marrë nga Lajmtari i të Mërguemit, viti 7, nr. 12, korrik 1976

Filed Under: Histori Tagged With: dhe dëshmorët në luftë, kunder komunizmit, Osman Lita, Tahir Kolgjini

E VRANË PA GJYQ SHKENCËTAREN SABIHA KASIMATI

September 15, 2017 by dgreca

kasimati

( Homazh në 105-vjetorin e pushkatimit)

1-ok-uran-butka-300x225

NGA URAN BUTKA*/

Sabiha Kasimati, një nga gratë e shquara intelektuale, shkencëtarja e parë shqiptare, u pushkatua vetëm pse ishte e tillë. Ajo vjen jo rastësisht nga një familje e njohur intelektuale  libohovite. I ati i saj, Abdurrahman Kasimati, i kishte kryer studimet universitare për mjekësi në Turqi, ku punoi si mjek dhe jetoi me gjithë familje deri në vitin 1927. Në këtë vit u kthye në Shqipëri, ku fillimisht u vendos në Korçë, mandej në Elbasan, tek shërbeu si mjek dhe gëzoi respektin dhe mirënjohjen e qytetarëve, por edhe vlerësimin e miqësinë e  personaliteteve të këtij qyteti: Aqif pashë Elbasanit, Lef Nosit, Visarion Xhuvanit, Ethem Haxhiademit, Sotir Paparistos, Aleksandër Xhuvanit e të tjerë.

Sabiha Kasimati lindi në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë më 15.09.1912. Atje kaloi fëmijërinë, e ushqyer nga prindërit me dashuri për Shqipërinë, por edhe për kulturën evropiane. Kur u kthye familja në atdhe, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korçës, ku filloi studimet në Liceun Francez të këtij qyteti. Ajo qe e para femër që e mbaroi këtë shkollë perëndimore, në vitin 1930. Qysh nxënëse, ajo zotëronte disa gjuhë të Perëndimit dhe të Lindjes, në mënyrë të shkëlqyer frëngjishten, aq sa habiste edhe profesorët francezë të Liceut.

Vajzat korçare, por edhe qytetarët e Korçës e kujtojnë edhe sot Sabihanë si dallëndyshen e parë të Liceut, si çupën e emancipuar, të kulturuar dhe me temperament burrëror, që mbeti si një shëmbëlltyrë  e pashlyer për vajzërinë dhe djelmërinë shqiptare.

Mbas mbarimit të Liceut të Korçës, ajo punoi disa kohë në si mësuese në shkollën normale femërore të Korçës, duke dhënë lëndët e Edukatës morale dhe të gjuhës frënge. Më vonë u transferua si pedagoge në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë, ku jepte biologji.

Në vitin 1936 mundi të plotësonte dëshirën e zjarrtë për studime të larta. Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses  me notat 30’/30’, me lavdërim ( trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoraturën. Katedra i ofroi vendin e asistentes në ihtiologjinë fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe.

Në Shqipëri punoi me entusiazmin e një vajze të re e të kulturuar, por edhe me vullnetin e një shkencëtareje të re që kërkonte t’i shërbente vendit të saj në nevojë. U emërua pedagoge në Institutin Femëror “ Nëna Mbretneshë” në Tiranë. Mbas disa vjetësh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kurë shëndetsore në një sanatorium të Torinos. Pas shërimit, aty nga viti 1945, u kthye në atdhe. Tek kthehej nga Italia, në aeroport takoi Ali Koprenckën, që ikte nga Shqipëria. Ai i tha:

– Si vete në Shqipëri? Nuk e di se ç’po bëhet atje, hataja po bëhet ! Ne, andaj po ikim. Po vendoset diktatura e kuqe.”

Sabihaja iu përgjigj: “ Atje janë gjithë shokët e shoqet dhe bashkërisht do të përpiqemi që ajo gjë të mos ndodhë dhe Shqipëria të përparojë.”

Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto, i cili më pas u pushkatua nga regjimi.

Sabihaja punoi me zell dhe përkushtim në specialitetin e ihtiologjisë ( disiplinë shkencore që studion peshqit). Për rezultatet e saj për studimin e peshqve në ujrat e vendit tonë si edhe për vlerën ushqimore dhe ekonomike  të tyre, ajo punoi 10 vjet me radhë.

Dr. Namik Kasimati, nipi i Sabihasë, kujton: “Sabihaja si ihtiologe përfundoi në vitin 1948 një studim shkencor mbi peshqit në ujrat shqiptare. E entusiazmuar, shkoi në Durrës dhe i tha shoqes së saj, Durie Hulusi: “ Jam e gëzuar që mbarova një studim mbi peshqit që do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe shteteve  të tjerë që janë në kufi me Shqipërinë”.

Dr.Sabiha Kasimati ishte emëruar shefe e sektorit të zoologjisë, por u mor vetëm me ihtologji. Atë fushë e kishte hulumtuar që nga koha e studimeve universitare, ndaj kur u kthye, hulumtoi, gjurmoi e studioi gjithë faunën ihtiologjike detare dhe liqenore të ujrave shqiptare dhe përfundoi monografinë ”Peshqit e Shqipërisë”.

Sabihaja ishte një intelektuale e kompletuar, që kishte studiuar në Perëndim, një filozofe dhe biologe që e njihte mirë thelbin dhe shfaqjen e panatyrshme e çnjerëzore të sistemit totalitar komunist, i cili po vendosej në Shqipëri. Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin  intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj. Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare.  Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi,  Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj, veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Kështu Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës.

Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja  nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.

Dr. Namik Kasimati, rrëfen: “Duke qenë se Sabihaja kishte mbaruar Liceun Francez bashkë me Enver Hoxhën dhe e njihte mirë, i kërkoi një takim.

Sabihaja: Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?

Enveri: Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin.

Pas dy ditësh, Nako Spiru, të cilin Sabihaja e kishte shok, e thirri Sabihanë për një kafe  dhe në bisedë e sipër i tha: “Sabiha, duhet ta qepësh gojën, jo me karficë, por me babushkë”.

Këto biseda Sabihaja ia kallëzoi të vëllait, Dr. Hivzi Kasimatit, babait tim, që banonte në Korçë dhe me të cilin Sabihaja takohej shpesh.”( Dr.Namik Kasimati, kujtime)

Sabihaja ishte e çiltër, e shkujdesur dhe nuk mendonte se i ishte qepur pas vdekja. Ajo kishte kurajon t’ia përplaste të vërtetën në sy Enver Hoxhës, por, nga ana tjetër,  të takonte pa droje edhe shoqet, shokët e miqtë që ishin goditur pa të drejtë nga diktatura. Një herë ajo shkoi në kampin e internimit në Jubë, ku punonin si të burgosur shokët e saj Tika Tezha, Felatun Vila etj. Mirëpo Tika i tha: “Sabi, mos shkel më këtu, sepse je në rrezik. Ne e dimë se ç’ka hequr kurrizi ynë që të detyroheshim të depononim kundër teje, në mënyrë që edhe ti  të hyje në burg”.

Ing. Viktor Kasimati, i biri i Refiut, kujton: “Një ditë, aty nga fund i vitit 1948, Sabihaja ndodhej në shtëpinë tonë. Im atë u vonua pak atë ditë se kishin pasur një mbledhje me rëndësi në shkollën Politeknike, ku punonte si pedagog. Ishte koha kur PKSH kishte dënuar Koci Xoxen dhe grupin e tij, duke ia ngarkuar atij të gjitha kimet që kishte bërë pushteti komunist mbi shqiptarët, sidomos mbi elitën intelektuale.

Im atë i tregoi Sabihasë kur po hanim drekën: “Na foli një personalitet komunist, Tuk Jakova, i cili na tha që janë kryer shumë shkelje të ligjeve dhe janë dënuar shumë njerës pa faj. Por në të ardhmen  nuk do të ndodhin më gjëra të tilla”

Sabihaja e dëgjoi me vëmendje dhe ia kthey aty për aty:

“Refi, mos i beso këto! Kjo është taktika e tyre, shtrëngo, liro pak dhe prapë shtrëngo më fort se më parë për të mbajtur pushtetin. Mbaje mend që pas pak kohe, do të rifillojnë përsëri terrorin.”

Në fakt, rifillimi i terrorit masiv në vitin 1951 mori edhe kokën e Sabihasë.

Vendimi për të realizuar këtë masakër, u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike e PPSH, saktësisht në mbledhjen e datës 20.02.1951, me pretekstin e hedhjes të një sasie të vogël dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike, që theu vetëm disa xhama në mbrëmjen e datës 19.02.1951, ora 19.15. Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet dhe me propozim të ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”.(Të gjithë anëtarët e Byrosë, përfshirë edhe E. Hoxhën : Jemi dakord me këto masa. ( Proces verbali i mbledhjes së Byrosë Politike, 20 shkurt 1951)

Shfaqet lakuriq një pushtet kriminal terrorist, që nuk respektonte as kushtetutën dhe legjislacionin që kishte hartuar e miratuar vetë. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë. “Një masë të tillë e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, dmth kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Listat i kemi gati. Po të jeni dakord ju, veprojmë që sonte”. Ai kërkoi që të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit, të pushkatoheshin pa gjyq.

Pra, ishte vetë Partia, vetë pushteti politik, me Enver Hoxhén në krye, që shkelnin ligjet dhe urdhëronin  një krim shtetëror, një terrorizëm shtetëror, një genocid shtetëror me përmasa të mëdha, për motive politike e pushtetore. Në vendimin e Byrosë politike, përveç pushkatimeve e burgimeve pa gjyq, u vendos që të bëhej një operacion masiv spastrimi, të persekutoheshin e të internoheshin persona e familje “reaksionare” në tërë hapësirën shqiptare.

Shqipëria komuniste ishte në një kapërcyell kohësh, po kalonte nga dominanca jugosllave në atë sovjetike, ndaj duheshin kurbanë të tjerë për të mbajtur pushtetin si edhe kurbanë të rinj në themelet e miqësisë me BS dhe në vijën staliniste të PPSH. “Duhen vrarë njerëz të tjerë për të mbajtur pushtetin” -thoshte Mehmet Shehu.

Arrestimet që u bënë menjëherë sipas vendimit të Byrosë Politike më datën 20-23 shkurt 1951, ishin të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjë urdhër-arresti té prokurorit dhe  pa ndonjë vendim gjykate. (Vetëm më vonë u plotësuan urdhër-reshtimet dhe procesverbalet e “gjykimit”)

Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.( Arkivi i Ministrisë së Brendshme)

Sabihaja u arrestua më 20.02.1951 me pretekstin e “bombës” nw Ambasadwn Sovjetike.

Ajo bënte pjesë në listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Përpilues  i listave të zeza, rrëfen: “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me  zëvendësministrin e tij – Kadri Hazbiu, që mbulonte Sigurimin e Shtetit”.

Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe  byroja ia miratoi njëzëri, bashkë me komandantin (E. Hoxhën), pra, i kishte duart e lira. Pa miratimin e diktatorit nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha i miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave, që ishin përzgjedhur, duke iu vwnw nga njw kryq pwrpwra. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit,  Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht. Bie fjala, emri i Reiz Selfos nuk ishte në asnjë  nga listat. Dikur Reiz Selfo kishte pasur kurajon t’ia përplaste të vërtetën në fytyrë E. Hoxhës, i cili u hakmor ndaj tij, ashtu siç u hakmor ndaj Sabiha Kasimatit, e cila i kishte thënë ish-shokut të klasës: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?”

Kryqet i kishin vënë udhëheqësit e lartë të partisë e shtetit. Për pushkatimin e saj dhe njëzet e dy intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e KQ të PPSH, me vendimin e datës 20 shkurt 1951. Nuk ka shembull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz Byroja Politike e Partisë, madje, pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe!

Akuza e Prokurorit ushtarak Siri Çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe përmban absurditete: “Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propoganduar rrëzimin me dhunë të Pushtetit popullor  dhe kanë hedhur parrulla  pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve  amerikano – anglezë e satelitëve të tyre”. (Arkivi  MB, dosja e bombes ne Ambasaden Sovjetike)

Është një akuzë kolektive për terrorizëm, e pa mbështetur në asnjë provë.

Të akuzuarit, nuk kishin asnjë lidhje apo bashkëpunim me njëri tjetrin; nuk ishin pjesëtarë të ndonjë organizate politike apo terroriste të cilësuar, asnjërit nuk i përmendet në akuzë pjesëmarrja në hedhjen e    bombës në Ambasadën  Sovjetike – për shkak të së cilës ata u arrestuan! Siç dihet botërisht, ata persona që hodhën dinamitin, si Qazim Laçi, Hysen Lulla  etj, anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar”, u arrestuan po ato ditë, u mbajtën fshehtas në hetuesi për tetë muaj dhe u dënuan për hedhjen e dinamitit në Ambasadën Sovjetike me vdekje dhe burgime të rënda. Pra ishin të tjerë ata që e hodhën dinamitin si një akt antisovjetik, antistalinist.

Siri Çarçani dëshmon: “Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjyq ndaj këtyre të pandehurve.” Po ashtu, drejtori i Sigurimit té Shtetit, Rasim Dedja, dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk është bërë gjyq dhe këtë e them, sepse nga zyrat e Ministrisë së brendshme ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit” (Proces-verbal i mbajtur nga Prokuroria e Përgjithshme, v.1992)

Me qenë se ekzekutimi pa gjyq bëri bujë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, atéhere Gjykata e Lartë Ushtarake në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, pasi ishin pushkatuar 22 të arrestuarit, nisën procedurat përpilimit  të procesverbaleve të rreme, fiktive, sikur gjyqi ishte zhvilluar. Ekzistojnë dy procesverbale gjyqësore të falsifikuara të Gjykatës së Lartë. Njëri mban datën 26.2.1951:

“Gjykata Ushtarake me kryetar nënkolonel Shuaip Panariti, anëtar kapiteni i parë Vangjel Kocani dhe kapiten i parë Nonda Papuli, e sekretar Hidaji Bejo e ka filluar shqyrtimin e çështjes më 26.02.1951 dhe është shprehur për dënimin e të gjithë të akuzuarve me vdekje – me pushkatim, duke u bazuar  në ligjin 372 datë 12.2.1946. Ky  vendim gjykate është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë.” Në fund ka firmosur  kryetari i gjykatës së Lartë Ushtarake Shuaip Panariti  dhe anëtari Vangjel Kocani; nuk është firmosur nga anëtari tjetër Nonda Papuli dhe sekretari Hidaji Bejo. ( Procesverbali i datës 26.02.1941)

Anëtari i trupit gjykues të Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe nënkryetar i saj, Vangjel Kocani, dëshmon:

“E kujtoj mirë se në vitin 1951 ka ndodhur një ngjarje në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike…Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, sigurimi ka arrestuar  dhe një pjesë  nga të arrestuarit, 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq, prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal , pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat… Shuaipi më tha se vendimi i gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit dhe në atë kohë kryeministër ishte Enver Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti, Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe ne në fakt nuk gjykojmë njeri”. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, “duhet të mbyllësh gojën e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”. Pas kësaj  kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme. Shuaipi  më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar  dhe unë e kam firmosur. Kur ma dha vendimin për ta firmosur , Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore , nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”.( Procesverbal i mbajtur në Prokurorinë e Përgjithshsme, v.1992)

Sekretari i Gjykatës së Lartë, Hydai Bejo, dëshmon: “Nuk e firmosa kur ma sollën vendimin, sepse nuk mora vesh, u bë apo nuk u bë gjyq. S’mund të hidhja firmë, pa qenë në gjykim Po ashtu, refuzoi të firmoste edhe Nonda Papuli, S’kishim si të bënim ndryshe.” (Dëshmi e Hydai Bejos, sipas proc.verbalit)

Por nuk mungojnë vetëm firmat e anëtarëve të trupit gjykues, mungojnë edhe të dhënat e tjera që shënohen zakonisht në procesverbalet, gjithashtu datat janë ngatërruar, pra, gjithçka është kundërthënëse, hartuar në nxitim e sipër. Njëri procesverbal i falsifikuar mban datën  27.2.51, kur të akuzuarit  nuk ekzistonin më, ata ishin vrarë në mesnatën e datës 26.2.1951 dhe ishin varrosur. Madje, njëri prej tyre, Jonuz Kaceli ishte vrarë nga torturat  në birucat e Sigurimit të Shtetit dhe e kishin hedhur nga dritarja, duke thënë se kishte bërë vetëvrasje!

Të gjitha këto manovrime e shkelje juridike, nuk e mbuluan dhe nuk e fshehën dot masakrën e kryer pa gjyq dhe pa asnjë fajësi të provuar.

Sabihaja nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste:

“ Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët edhe ata kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”

Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë evropiane.

Zonja Didi Biçaku, nga familja e Aqif pashë Elbasanit, e cila u arrestua në një kohë me Sabihanë dhe qëndroi në një birucë me të në burg, ka dëshmuar: “Më kujtohet çasti kur Sabihaja u kthye nga hetuesia. Ishte e qetë. Hë? – e pyeta shkurt. – Më akuzuan si terroriste, m’u përgjigj ajo. U thashë: Unë kam studiuar për biologji dhe jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci ; shkohet drejt shkatërrimit.»

E vranë pa gjyq intelektualen, pedagogen, shkencëtaren, demokraten e shquar, martiren Sabiha Kasimati! Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, deri sa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në varrezat e dëshmorëve të kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme.

Xha Kadriu nga Mëniku, që zbuloi varrin, rëfen: “Më vonë , kur ai vend, ku u pushkatuan, filloi të shpyllëzohej,  një traktoristi që po punonte aty, i ra të fikët tek pa që traktori tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuluan përsëri. Ishte trupi i patretur ende i Sabiha Kasimatit!”

  • Derguar per Diellin nga autori

Filed Under: Featured Tagged With: E VRANË PA GJYQ SHKENCËTAREN, Sabiha Kasimati, Uran Butka

MINISTRI I BUJQESISE AKUZOHET PER TORTURA NE 1999

September 15, 2017 by dgreca

Banorë të Prishtinës akuzojnë një ministër të Kabinetit të Ramush Haradinaj/Deklarate e Kryeministrit Haradinaj/ Reagim i Ministrit te Bujqesie:Jam deshmuar si person qe kerkon pajtimin e komuniteteve?

1 Minsitri Rikalo-Deklaratë e kryeministrit Ramush Haradinaj, pas akuzave të qytetarëve për ministrin Nenad Rikalo/

-REAGON ASHPER VETEVENDOSJA:Është e dhimbshme të shohësh se si qytetarët e Kosovës së pavarur ballafaqohen me torturuesit e tyre të dikurshëm, tash me poste qeveritare./
PRISHTINË, 14 Shtator 2017-Gazeta DIELLI/  Kryeminsitri i Kosovës, Ramush Haradinaj,deklaroi sot se, “i kemi marrë me shqetësim reagimet e disa qytetarëve në lidhje me mundësinë e përfshirjes së një anëtari të kabinetit, ministrit Nenad Rikalo, në, siç pretendohet, keqtrajtimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë periudhës së vitit 1999. “Menjëherë pas kësaj, përmes kanaleve zyrtare dhe me shkrim, kam kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, AKI dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e tij në aktivitetet e përmendura më sipër.
Nga përgjigjet që kam marrë, në rrugë zyrtare, nga këto tri institucione të shtetit, nuk ka asnjë të dhënë se ai ka qenë i përfshirë në veprimet e tilla.
Si kryeministër i vendit, dua të siguroj qytetarët e Kosovës, se jo vetëm në këtë rast por edhe në çfarëdo situate të ngjashme, do të veproj sipas ligjit dhe përgjegjësive që kam”, thuhet në deklaratën e dërguar sot nga Keryeministria e Kosovës.

Një televizion Kosovar ka raportuar se, “ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo, po akuzohet për torturim të qytetarëve të Prishtinës gjatë kohës së luftës”.“Banorët e ndërtesës në Kurriz të Dardanisë kanë rrëfyer për KTV-në torturat që thonë se Rikallo ka bërë dhe faktin që ai gjithmonë aty është shfaqur me uniformë dhe i armatosur”, thuhet më tej.Ndërsa pak më parë KTV raportoi se, “Prokuroria Speciale e Kosovës ka paralajmëruar hetime për rastin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo”./b.j/

***

SHKRIMI I GAZETES KOHA DITORE

Banorët e Dardanisë e akuzojnë për tortura gjatë luftës ministrin Rikallo

Ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo, po akuzohet për torturim të qytetarëve të Prishtinës gjatë kohës së luftës, raporton KTV.

Banorët e ndërtesës në Kurriz të Dardanisë kanë rrëfyer për KTV-në torturat që thonë se Rikallo ka bërë dhe faktin që ai gjithmonë aty është shfaqur me uniformë dhe i armatosur.Edhe pse kanë kaluar gati dy dekada, Fexhrije Beqiri mund ta kujtojë fytyrën e Nenad Rikallos, i emëruar ministër i Bujqësisë në qeverinë e Ramush Haradinajt.

Familja Beqiri jeton në katin e shtatë të kësaj ndërtesë në Kurriz të Dardanisë tash e disa dekada. Në katin e njëjtë, në numër 45, jetonte edhe Nenad Rikallo.Gjithçka që mund të kujtojë zonja Beqiri nga Rikallo, atëherë i ri, janë torturat dhe maltretimet ndaj banorëve shqiptarë.Djali i saj, Festimi, i ka të freskëta përjetimet për dy skena të torturave nga Rikallo, e njëra prej tyre përfshin edhe drejtimin e armës ndaj babait të tij, tashmë të ndjerë.

Në secilin kat të kësaj ndërtese ka banorë që kujtojnë tmerrin e përjetuar nga e gjithë familja Rikallo.Ata që pranojnë të flasin e kujtojnë ta kenë parë ministrin e ri, gjithmonë në uniformë.Banorët këtu janë shokuar kur e kanë parë Rikallon të jetë renditur në mesin e ministrave të qeverisë së re dhe kërkojnë largimin e tij të menjëhershëm.Rikallo është pjesë e Listës Serbe dhe deri para pak kohësh ka shërbyer si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.Ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të KTV-së për koment ndaj akuzave.

Lëvizja Vetëvendosje: Reagim në lidhje me ministrin Rikallo/

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar sot për mediat këtë reagim lidhur me ministrin e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo:Para disa ditësh disa qytetarë të Kosovës, të tronditur nga emërimi në  postin e Ministrit të Nenad Rikallos, publikuan dëshmitë e tyre për  dhunën dhe torturat që sipas tyre ai i ka bërë gjatë luftës, në shërbim të spastrimit etnik dhe represionit të organizuar nga Serbia në Kosovë.
Është e dhimbshme të shohësh se si qytetarët e Kosovës së pavarur ballafaqohen me torturuesit e tyre të dikurshëm, tash me poste qeveritare. Kjo ndodh për shkak të mungesës së një sistemi të drejtësisë që do të gjykonte universalisht rastet e krimeve të Luftës në Kosovë. E ndërkohë që shumë kriminelë të luftës shëtisin të lirë, madje arrijnë të jenë dhe pjesë e qeverive në Serbi e në Kosovë, paradoksalisht disa deputetë të Kosovës kanë krijuar një gjykatë që do të gjykojë UÇK-në për krime lufte.
Nuk bën të paragjykohen serbët vetëm pse janë serbë, mirëpo, në anën tjetër, kur ka disa dëshmitarë që flasin e rrëfejnë hollësisht për malltretime, patjetër ato duhet të merren seriozisht dhe me urgjencë. Në qeverinë e Kosovës, ministri Nenad Rikallo nuk do të duhej të vazhdonte ta ushtronte postin e tij pa u sqaruar kjo çështje.
Në vendet demokratike pushtetarët japin dorëheqje edhe për dyshime shumë të vogla administrative, që t’i hapin rrugë hetimit. Ministri Rikallo dyshohet për tortura. Ne e dimë se personat me pushtet në Kosovë janë në
gjendje ta pengojnë hetimin. Kështu që, për t’i hapur rrugë hetimeve, ai duhet të zhvishet nga secili pushtet.
Pavarësisht se në cilin institucion apo organizatë mund të ketë punuar pas luftës Rikallo, e pavarësisht se cilin shqiptar mund të ketë rastisur aty, është e domosdoshme të hetohen rastet për të cilat ai akuzohet nga dëshmitarët, dhe sigurisht që për të e për secilin të dyshuar tjetër, duhet të zbardhen të gjitha veprimet gjatë kohës së okupimit dhe luftës në Kosovë.

***

Nenad Rikalo: Deklaratë për media

Nga Ministria e Bujqësisë e Qeverisë së Kosovës iu dërgu sot mediave, bashkë me foton, kjo deklaratë e ministrit Nenad Rikalo:

Deklaratë për media

Njoftoj publikun se informacionet e ditëve të fundit që janë publikuar për mua janë të pasakta dhe qëllimkëqija dhe kanë pasur për qëllim diskreditimin tim, të Listës Serbe, Qeverisë së sapoformuar dhe punës sime të ardhshme në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Si një person që është dëshmuar në angazhim për pajtim mes komuniteteve dhe për një shoqëri multietnike gjatë 18 viteve të fundit, e kuptoj se plagët e luftës ende nuk janë shëruar dhe se ende shkaktojnë dhimbje pa marr parasysh se kujt i përkasin. Këto plagë shkaktojnë emocione të thella me të cilat më së lehti manipulohet. Në asnjë moment nuk i kam bërë asnjë të keqe asnjë shqiptari të Kosovës. Deri në vitin 1999 kam luajtur basketboll, kam studiuar dhe kam bërë një jetë të qetë në Prishtinë. Asnjëherë me asnjërin prej fqinjëve nuk jam fjalosur apo hyrë në konflikt. Tani po e shoh se disa prej tyre nuk më paskan pëlqyer edhe aq, por besoj se me shumicën kam pasur respekt.

Nga viti 2001 deri në vitin 2003 kam punuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kurse nga viti 2003 në mënyrë aktive kam punuar në sektorin civil për pajtim mes komuniteteve dhe për zhvillim të shoqërisë. Ndoshta këtë publiku nuk e di, por 4 vite kam qenë anëtarë i Bordit në fondacionin Soros së bashku me Shpend Ahmetin dhe Ilir Dedën dhe me intelektualë të tjerë të shquar nga Prishtina. Në vitin 2003 së bashku me Albin Kurtin kam marrë pjesë në themelimin e KAN-it. Në atë kohë së bashku kemi punuar për krijimin e strategjisë së luftës jo të dhunshme për një jetë më të mirë dhe për pajtim mes njerëzve në Kosovë.  Ai më vonë ka ndryshuar bindjet e veta duke nisur një rrugë tjetër, ka formuar lëvizjen Vetëvendosje e cila përdorë metoda të dhunshme për arritjen e qëllimeve politike në politikë, gjë që mua nuk më ma konvenuar. Që nga atëherë kemi ndërprerë bashkëpunimin.  Në periudhën prej vitit 2013 kam qenë pjesë e shumë projekteve dhe iniciativave të shoqërisë civile në Kosovë, kurse prej vitit 2013 deri në vitin 2017 kam punuar në Komisionin Qendror Zgjedhor në Prishtinë. Jam fytyrë publike, kam dhënë me qindra deklarata dhe intervista, gjatë kohës sa kam punuar në Komisionin Qendror Zgjedhor vazhdimisht kam qenë prezent në media përmes transmetimeve të drejtpërdrejta televizive dhe përmes kronikave të ndryshme.

Fushata e rrejshme që po udhëhiqet kundër meje dhe familjes time është e bazuar tërësisht në informata të pasakta.  Dy fakte janë të rëndësishme, vëllai im nuk ka jetuar dhe nuk ka qenë i pranishëm në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999, babai im është pensionuar në vitin 1996 pasi që i ka mbijetuar dy infarkteve. Ata që e udhëheqin këtë fushatë, mund lirisht të vazhdojnë edhe më tej të trillojnë gënjeshtra për ta, por për këtë ekzistojnë prova të padiskutueshme. Z. Zemaj deputet në Parlamentin e Kosovës, e ka gënjyer publikun kur ka shfaqur fotografinë e supozuar të vëllait tim, ku nuk gjendet ai dhe është pjesë e fushatës së qëllimshme të manipulimit të publikut.

Mendoj se publiku duhet të dijë të gjitha këto, se fushata është krejtësisht e natyrës politike dhe se qëllimi i saj është diskreditimi im dhe rrëzimi i qeverisë. Duket se çdo serb më i shquar duhet të kalojë nëpër këtë situatë me akuza të rrejshme, mirëpo këtë herë kanë zgjedhur njeriun e gabuar. Këtu jam 18 vite, jam person publik, vazhdimisht i pranishëm në media dhe nëse qëllimi i dikujt është të më frikësojë, këtë nuk ka arritur ta bëjë aspak.

Me respekt,

Nenad Rikalo

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Filed Under: Komente Tagged With: akuzohet, Minstri i bujqesise, Nenad Rikalo, per tortura

Botohet monografia “Masakra e Reçakut – krim kundër njerëzimit”

September 15, 2017 by dgreca

-Në 15 janarin e vitit 1999 forcat serbe rrëmbyen nga shtëpitë e tyre dhe ekzekutuan mbi 40 banorë civilë shqiptarë. Në atë kohë,  ambasadori amerikan William Walker, derisa ishte shef i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e ngjarjes masakren në Reçak e cilësoi krim kundër njerëzimit/

1 ok promovim

 PRISHTINË, 14 Shtator 2017-Gazeta DIELLI/ Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë ka botuar monografinë “Masakra e Reçakut – krim kundër njerëzimit”  të shkruar nga grup autorësh.Monografia në gjuhën shqipe dhe atë angleze u promovua sot në mesditë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Në këtë promovim të monografisë mbajtën fjalë rasti Prof. Ismet Salihu,  shkrimtari Ahmet Qeriqi, bashkë-autori i librit Ruzhdi Jashari, si dhe përfaqësuesi nga fshati Recak,. Agim Kameri. Në promovim morën pjesë studiues, hulumtues, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe një auditorium i gjerë.

Në Reçak, fshat i Kosovës në komunën e Shtimes, në 15 janarin e vitit 1999 forcat serbe rrëmbyen nga shtëpitë e tyre dhe ekzekutuan mbi 40 banorë civilë shqiptarë. Në atë kohë,  ambasadori amerikan William Walker, derisa ishte shef i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e ngjarjes masakren në Reçak e cilësoi krim kundër njerëzimit.

Në Kompleksin Përkujtimor Masakra e Reçakut, në Murin e Përkushtimit janë skalitur në mermer fotografitë e 44 martirëve-dëshmorëve.

Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e fundit në Kosovë, kur forcat serbe vranë, masakruan, por edhe zhdukën, më shumë se 12 mijë shqiptarë, e në fushatën e gjenocidit e spastrimit etnik rreth një milion i dëbuan, shumicën drejt Shqipërisë./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Masacra e Recakut, Proovimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT