Banorë të Prishtinës akuzojnë një ministër të Kabinetit të Ramush Haradinaj/Deklarate e Kryeministrit Haradinaj/ Reagim i Ministrit te Bujqesie:Jam deshmuar si person qe kerkon pajtimin e komuniteteve?
-Deklaratë e kryeministrit Ramush Haradinaj, pas akuzave të qytetarëve për ministrin Nenad Rikalo/
-REAGON ASHPER VETEVENDOSJA:Është e dhimbshme të shohësh se si qytetarët e Kosovës së pavarur ballafaqohen me torturuesit e tyre të dikurshëm, tash me poste qeveritare./
PRISHTINË, 14 Shtator 2017-Gazeta DIELLI/ Kryeminsitri i Kosovës, Ramush Haradinaj,deklaroi sot se, “i kemi marrë me shqetësim reagimet e disa qytetarëve në lidhje me mundësinë e përfshirjes së një anëtari të kabinetit, ministrit Nenad Rikalo, në, siç pretendohet, keqtrajtimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë periudhës së vitit 1999. “Menjëherë pas kësaj, përmes kanaleve zyrtare dhe me shkrim, kam kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, AKI dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e tij në aktivitetet e përmendura më sipër.
Nga përgjigjet që kam marrë, në rrugë zyrtare, nga këto tri institucione të shtetit, nuk ka asnjë të dhënë se ai ka qenë i përfshirë në veprimet e tilla.
Si kryeministër i vendit, dua të siguroj qytetarët e Kosovës, se jo vetëm në këtë rast por edhe në çfarëdo situate të ngjashme, do të veproj sipas ligjit dhe përgjegjësive që kam”, thuhet në deklaratën e dërguar sot nga Keryeministria e Kosovës.
Një televizion Kosovar ka raportuar se, “ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo, po akuzohet për torturim të qytetarëve të Prishtinës gjatë kohës së luftës”.“Banorët e ndërtesës në Kurriz të Dardanisë kanë rrëfyer për KTV-në torturat që thonë se Rikallo ka bërë dhe faktin që ai gjithmonë aty është shfaqur me uniformë dhe i armatosur”, thuhet më tej.Ndërsa pak më parë KTV raportoi se, “Prokuroria Speciale e Kosovës ka paralajmëruar hetime për rastin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo”./b.j/
***
SHKRIMI I GAZETES KOHA DITORE
Banorët e Dardanisë e akuzojnë për tortura gjatë luftës ministrin Rikallo
Ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo, po akuzohet për torturim të qytetarëve të Prishtinës gjatë kohës së luftës, raporton KTV.
Banorët e ndërtesës në Kurriz të Dardanisë kanë rrëfyer për KTV-në torturat që thonë se Rikallo ka bërë dhe faktin që ai gjithmonë aty është shfaqur me uniformë dhe i armatosur.Edhe pse kanë kaluar gati dy dekada, Fexhrije Beqiri mund ta kujtojë fytyrën e Nenad Rikallos, i emëruar ministër i Bujqësisë në qeverinë e Ramush Haradinajt.
Familja Beqiri jeton në katin e shtatë të kësaj ndërtesë në Kurriz të Dardanisë tash e disa dekada. Në katin e njëjtë, në numër 45, jetonte edhe Nenad Rikallo.Gjithçka që mund të kujtojë zonja Beqiri nga Rikallo, atëherë i ri, janë torturat dhe maltretimet ndaj banorëve shqiptarë.Djali i saj, Festimi, i ka të freskëta përjetimet për dy skena të torturave nga Rikallo, e njëra prej tyre përfshin edhe drejtimin e armës ndaj babait të tij, tashmë të ndjerë.
Në secilin kat të kësaj ndërtese ka banorë që kujtojnë tmerrin e përjetuar nga e gjithë familja Rikallo.Ata që pranojnë të flasin e kujtojnë ta kenë parë ministrin e ri, gjithmonë në uniformë.Banorët këtu janë shokuar kur e kanë parë Rikallon të jetë renditur në mesin e ministrave të qeverisë së re dhe kërkojnë largimin e tij të menjëhershëm.Rikallo është pjesë e Listës Serbe dhe deri para pak kohësh ka shërbyer si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.Ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të KTV-së për koment ndaj akuzave.
Lëvizja Vetëvendosje: Reagim në lidhje me ministrin Rikallo/
Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar sot për mediat këtë reagim lidhur me ministrin e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo:Para disa ditësh disa qytetarë të Kosovës, të tronditur nga emërimi në postin e Ministrit të Nenad Rikallos, publikuan dëshmitë e tyre për dhunën dhe torturat që sipas tyre ai i ka bërë gjatë luftës, në shërbim të spastrimit etnik dhe represionit të organizuar nga Serbia në Kosovë.
Është e dhimbshme të shohësh se si qytetarët e Kosovës së pavarur ballafaqohen me torturuesit e tyre të dikurshëm, tash me poste qeveritare. Kjo ndodh për shkak të mungesës së një sistemi të drejtësisë që do të gjykonte universalisht rastet e krimeve të Luftës në Kosovë. E ndërkohë që shumë kriminelë të luftës shëtisin të lirë, madje arrijnë të jenë dhe pjesë e qeverive në Serbi e në Kosovë, paradoksalisht disa deputetë të Kosovës kanë krijuar një gjykatë që do të gjykojë UÇK-në për krime lufte.
Nuk bën të paragjykohen serbët vetëm pse janë serbë, mirëpo, në anën tjetër, kur ka disa dëshmitarë që flasin e rrëfejnë hollësisht për malltretime, patjetër ato duhet të merren seriozisht dhe me urgjencë. Në qeverinë e Kosovës, ministri Nenad Rikallo nuk do të duhej të vazhdonte ta ushtronte postin e tij pa u sqaruar kjo çështje.
Në vendet demokratike pushtetarët japin dorëheqje edhe për dyshime shumë të vogla administrative, që t’i hapin rrugë hetimit. Ministri Rikallo dyshohet për tortura. Ne e dimë se personat me pushtet në Kosovë janë në
gjendje ta pengojnë hetimin. Kështu që, për t’i hapur rrugë hetimeve, ai duhet të zhvishet nga secili pushtet.
Pavarësisht se në cilin institucion apo organizatë mund të ketë punuar pas luftës Rikallo, e pavarësisht se cilin shqiptar mund të ketë rastisur aty, është e domosdoshme të hetohen rastet për të cilat ai akuzohet nga dëshmitarët, dhe sigurisht që për të e për secilin të dyshuar tjetër, duhet të zbardhen të gjitha veprimet gjatë kohës së okupimit dhe luftës në Kosovë.
***
Nenad Rikalo: Deklaratë për media
Nga Ministria e Bujqësisë e Qeverisë së Kosovës iu dërgu sot mediave, bashkë me foton, kjo deklaratë e ministrit Nenad Rikalo:
Deklaratë për media
Njoftoj publikun se informacionet e ditëve të fundit që janë publikuar për mua janë të pasakta dhe qëllimkëqija dhe kanë pasur për qëllim diskreditimin tim, të Listës Serbe, Qeverisë së sapoformuar dhe punës sime të ardhshme në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Si një person që është dëshmuar në angazhim për pajtim mes komuniteteve dhe për një shoqëri multietnike gjatë 18 viteve të fundit, e kuptoj se plagët e luftës ende nuk janë shëruar dhe se ende shkaktojnë dhimbje pa marr parasysh se kujt i përkasin. Këto plagë shkaktojnë emocione të thella me të cilat më së lehti manipulohet. Në asnjë moment nuk i kam bërë asnjë të keqe asnjë shqiptari të Kosovës. Deri në vitin 1999 kam luajtur basketboll, kam studiuar dhe kam bërë një jetë të qetë në Prishtinë. Asnjëherë me asnjërin prej fqinjëve nuk jam fjalosur apo hyrë në konflikt. Tani po e shoh se disa prej tyre nuk më paskan pëlqyer edhe aq, por besoj se me shumicën kam pasur respekt.
Nga viti 2001 deri në vitin 2003 kam punuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kurse nga viti 2003 në mënyrë aktive kam punuar në sektorin civil për pajtim mes komuniteteve dhe për zhvillim të shoqërisë. Ndoshta këtë publiku nuk e di, por 4 vite kam qenë anëtarë i Bordit në fondacionin Soros së bashku me Shpend Ahmetin dhe Ilir Dedën dhe me intelektualë të tjerë të shquar nga Prishtina. Në vitin 2003 së bashku me Albin Kurtin kam marrë pjesë në themelimin e KAN-it. Në atë kohë së bashku kemi punuar për krijimin e strategjisë së luftës jo të dhunshme për një jetë më të mirë dhe për pajtim mes njerëzve në Kosovë. Ai më vonë ka ndryshuar bindjet e veta duke nisur një rrugë tjetër, ka formuar lëvizjen Vetëvendosje e cila përdorë metoda të dhunshme për arritjen e qëllimeve politike në politikë, gjë që mua nuk më ma konvenuar. Që nga atëherë kemi ndërprerë bashkëpunimin. Në periudhën prej vitit 2013 kam qenë pjesë e shumë projekteve dhe iniciativave të shoqërisë civile në Kosovë, kurse prej vitit 2013 deri në vitin 2017 kam punuar në Komisionin Qendror Zgjedhor në Prishtinë. Jam fytyrë publike, kam dhënë me qindra deklarata dhe intervista, gjatë kohës sa kam punuar në Komisionin Qendror Zgjedhor vazhdimisht kam qenë prezent në media përmes transmetimeve të drejtpërdrejta televizive dhe përmes kronikave të ndryshme.
Fushata e rrejshme që po udhëhiqet kundër meje dhe familjes time është e bazuar tërësisht në informata të pasakta. Dy fakte janë të rëndësishme, vëllai im nuk ka jetuar dhe nuk ka qenë i pranishëm në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999, babai im është pensionuar në vitin 1996 pasi që i ka mbijetuar dy infarkteve. Ata që e udhëheqin këtë fushatë, mund lirisht të vazhdojnë edhe më tej të trillojnë gënjeshtra për ta, por për këtë ekzistojnë prova të padiskutueshme. Z. Zemaj deputet në Parlamentin e Kosovës, e ka gënjyer publikun kur ka shfaqur fotografinë e supozuar të vëllait tim, ku nuk gjendet ai dhe është pjesë e fushatës së qëllimshme të manipulimit të publikut.
Mendoj se publiku duhet të dijë të gjitha këto, se fushata është krejtësisht e natyrës politike dhe se qëllimi i saj është diskreditimi im dhe rrëzimi i qeverisë. Duket se çdo serb më i shquar duhet të kalojë nëpër këtë situatë me akuza të rrejshme, mirëpo këtë herë kanë zgjedhur njeriun e gabuar. Këtu jam 18 vite, jam person publik, vazhdimisht i pranishëm në media dhe nëse qëllimi i dikujt është të më frikësojë, këtë nuk ka arritur ta bëjë aspak.
Me respekt,
Nenad Rikalo
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural