• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2017

LURE’49-MISIONI I MADH I PRERË NË MES

September 15, 2017 by dgreca

KUVENDI I LURËS i  28 GUSHTIT 1943, MISIONI  I  MADH I PRERË NË  MES/1 Mithati Abazi Ne Foto: MIT’HAT FRASHËRI  DHE  ABAZ KUPI  –  Londër 1949/

Shkruan:Eugen SHEHU/

eugen_shehu[1] Pas firmosjes nga ana e nacionalistëve shqiptarë dhe nacionalçlirimtarëve,të marrveshjes së Mukjes,si edhe krijimit të komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë me atributet e një qeverie provizore,u duk se fatet e shqiptarëve do të ridhnin ndryshe.Vërtet se Shqipëria ishte futur pa dashur në vorbullën e luftërave,por në Mukje u parapa se fryma e mirëkuptimit dhe vëllezërisë do t’a çonte vendin drejt një të ardhmje të sigurtë.Pikërisht me këtë meszh të madh,burrat e shquar të kombit tonë,Mid’hat Frashëri,Abaz Kupi,Hasan Dosti,Ali Bej Këlcyra etj,iu drejtuan trevave të Veriut të shtetit amë,duke u kumtuar bashkimin e madh,për çlirimin e kombit dhe atdheut,sa më parë.

Lajmi i rënies së Musolinit,u përcoll me përqafime e këngë patriotike qysh në Mukje,por kjo s’do të thoshte se lufta kish mbaruar.Forcat italiane zotëronin qytetet më të mëdha të Shqipërisë dhe qëndrimi i mëvonshëm i tyre do të varej prej Romës.Ndërkaq,që në ditët e para të gushtit 1943,komanda gjermane e Beogradit,pat dërguar disa reparte speciale të saj,në fushat e Aviacionit të Tiranës,Shkodrës,Shijakut,Kuçovës,Berat e Vlorës.Zënia e menjëhershme e këtyre fushave dhe masat e larta të sigurimit,parakuptonin ofensivën e shpejtë gjermane në shtetin amë shqiptar.Për RAIHUN E TRETË ngushtia detare e otrantos kishte një rëndësi të jashtzakonshme.Përmes kësaj ngushtice detare,mund të depërtonin në Ballkan,focat Aleate me ç’rast mund të goditnin në shpinë ato gjermane.Pikërisht për këtë shkak thjesht gjeografik,fati i shqiptarëve do të përkundej ende në dallgë detesh.Midis kapitullimit të ushtrisë italiane,ardhjes së ushtrisë gjermane si edhe rritjes së hovit të aradhave nacionalçlirimtare me ndihmat e mdhaja serbosllave,nacionalistët shqiptarë ngarendën të thërrasin bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje,krahine dhe ideje,për mos t’a lënë atdheun e tyre si plaçkë lufte në duart e të huajve por të përpiqeshin e luftonin për indipendencën e trojeve etnike.Në të njejtën kohë,inkursioni i nacionalistëve shqiptarë drejt trevave veriore në gushtin e vitit 1943,lidhej padyshim me vendimin e marrë në mukje për vetvendosjen e Kosovës. Nëse në vitin 1943,midis shtetit amë,Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare realisht nuk egzistonin kufij,shtrirja e frymës së Mukjes edhe në këto treva,do të krijonte premisa më të lehta,për ardhmërinë etnike të shqiptarëve.Kërkesa e natyrshme e nacionalistëve shqiptarë që viset e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare,t’i bashkangjiten shtetit amë i shkonte për shtat parimeve të lirisë së kombeve,të shprehura në kartën e Helsinkit,apo dokumentet të tjera të bashkësisë ndërkombëtare.

Por ndërsa burrat atdhetarë të Shqipërisë,shkonin nëpër malet veriorë të Shqipërisë,për të lidhur besën që të luftohej si kundër okupimit të shkuar edhe kundër serbosllavëve,në kampin komunist shqiptar,ngjarjet vraponin në kahje tjetër.Me të mësuar mbi vendimet e marra në Mukje,udhëheqësia e lartë e beogradit shoven,reagun menjëherë me ashpërsinë e tyre,sidomos ndaj emisarëve të tyre ushtarak në Shqipëri.Me dhjetra telegrame e dokumente të tjera,rrëfejnë zemërimin e beogradit dhe kërkesat e tyre për të përmbysur gjendjen e krijuar.Është kjo aryseja që në mesin e muajt gusht,Miladin Popoviqi,nga shatbi i përgjithshëm nacionalçlirimtarëve, i raporton pos të tjerave beogradit se ;”Kemi biseduar me shokët kryesorë të Komitetit Qendror të PKSH dhe studiuar çështjen,situatën dhe atëherë vendosëm që të nxjerrim një trakt ku të shpreheshim që të mos njihej mënyra e organizimit të komitetit për Shpëtimin  e Shqipërisë dhe as funksionimi i tij si instanca më të larta në luftën nacionalçlirimtare”. ( V.Dedijer. ”Marëdhëniet shqiptaro jugosllave” – Beograd 1949 ).

Pra komunistët jugosllav me mision në Shqipëri në muajin gusht 1943,u hodhën në sulm për të prishur samëparë marrveshjen e mukjes,me ç’rast do ta kishin më të lehtë,në të pastajmen, problemin e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare.Vukmanoviç Tempoja ish-anëtar i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë NCJ dhe i dërguar i Titos në Shqipëri,u lidh më 10-15 gusht menjëherë me E.Hoxhën e M.Shehun dhe duke patur si mbështetës të parë të tij,Koci Xoxen,thirri një mbledhje urgjente të klikës komuniste shqiptare,në fshatin Kucakë të Korçës.Në takimin e Kucakës,Tempoja,i cili sapo kthehej nga takimet me komunistët grek,nuk mungoi të shfaqte idenë e një konference ballkanike,me çrast problemi i Kosovës nuk mund të konsiderohej preokupim i forcave politike shqiptare.Gjithashtu,ai nuk harroi të kritikojë qëndrimin “e butë” të Partisë Komuniste ndaj Ballit Kombëtar.Ndërsa për antarët e delegacionit nacionalçlirimtar në Mukje,haptaz tha të shihej jo vetëm qëndrimi por edhe goditja si “tradhëtar” të frymës komuniste.Veçanërisht në Kucake,u denua veprimtaria antibolshevike e Mustafa Gjinishit dhe Ymer Dishnicës,të cilët sipas procesverbalit të kësaj mbledhjeje,kishin rënë  këmbë e kokë “në pozitat e Ballit Kombëtar”.Në Kucake jo pa qëllim nuk ishin thirrur as Abaz Kupi,as Baba Faja Martaneshi as Myslim Peza,të cilët në vitet e luftës kundër italianëve,kishin luftuar okupatorin thjeshtë si nacionalistë.Emisarët e Titos,i druheshin këtyre figurave popullore,ndaj menduan të godasin vetëm Gjinushin dhe Dishnicën për të patur në këtë mënyrë më të lehtë,të shkatërroheshin krejt çfar ishte ndërtuar në Mukje.Qëndrimit të prerë të Tempos,në Kucake të Korçës,iu bashkangjitën edhe sahanlëpirësit e klikës së Tiranës : Enver Hoxha,Gogo Nushi, Mehmet Shehu, Liri Gega,Koço Tashko etj.Ata dënuan bashkëluftëtarët e tyre të frontit nacionalçlirimtar,duke dëshmuar kësisoj jo vetëm servilitetin ndaj Beogradit,por sidomos antishqiptarizmin e kobshëm të tyre.Në këtë mënyrë,takimi urgjent i Kucakës,shërbeu si prolog i asaj goditje të madhe,e cila do të jepej në Labinot të Elbasanit më 4-8 shtator 1943.Në këtë mënyrë,në datat 20-25 gusht,klika komuniste e Tiarnës,ndërmori një varg masash si propagandistike dhe ushtarake e politike,duke  shpallur përfundimisht kundërvënien ndaj nacionalizmit shqiptar.Kudo,nëpër qytete organizatat komuniste muarën urdhër të prerë që të grisnin të gjitha proklamatat e shperndara pas Mukjes.Madje këto organizata,në mënyrë intensive filluan propagandën kundër Mukjes dhe Ballit Kombëtar.Shtabet ushtarake nacionalçlirimtare,të cilët deri në ato momente,patën kryer edhe ndonjë aksion të përbashkët me forcat nacionaliste,tanimë nisën të ideojnë plane e veprime luftarake,jo kundër okupatorit,por kundër forcave të Ballit Kombëtar.Por klika Bollshevike  eTiranës,në gushtin e vitit 1943,u bë plotësisht e qartë ; “Tani që kemi shprehur qëndrimin tonë,më shumë se kurrë,duhet të forcojmë radhët tona,pozitat tona politike dhe ushtarake… Që të dalim me sukses,është konditë e domosdoshme,të godasim me tërë forcën politike dhe ushtarake,këdo që do të pengojë t’i biem me peshën tonë të rëndë,me gjithë peshën e luftës së ushtrisë nacionalçlirimtare”

( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë . Fondi 40 , dosja 4 , fleta 52 ).

Pikërisht për të mos lejuar lojën e komunistëve serb në kurriz të popullit shqiptar,inkursioni i Mid’hat Frashërit,Abaz Kupit,Cen Elezit,Hysni Demës etj.në trevat veriore të Shqipërisë ishte një veprim sa i mençur aq edhe energjik.Këmba e tyre shkeli në dyert më bujare të vatrave shqiptare, ndërsa fjala e tyre me peshë kumboi në shpirtin fisnik të banorëve të Gjakovës,Bulqizës,Dibrës, Vinjollit,Lumës,Kolesjanit,Kukësit,Kërçishtit etj.Në këto biseda të ngrohta,kokë më kokë, Mid’hat Frashëri e Abaz Kupi,treguan rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë,si nga partizanët ashtu edhe nga komunizmi,duke i gryshur këta për bashkimin e madh.Madje,ajo  çka vlen të mos harrohet është fakti se burrat nacionalistë,muarën kontakte jo vetëm me parinë e vendit por edhe me disa prej komandantëve të aradhave nacionalçlirimtare të cilët duke mos ditur servilizmin e eprorëve të tyre ndaj beogradit,iu zotuan Frashërit dhe Kupit se do të bashkonin armët dhe zemrat kundër armiqve të përbashkët. Në mbrëmjen e 25 gushtit 1943, burrat nacionalistë , Abaz Kupi, Muharrem Bajrakatri,Mid’hat Frashëri,Hasan Dosti etj, u mblodhën në Lurë, në kullat  e njohura për trimëri të Menajve.Aty u vendos që kuvendi të mbahej tri ditë më pas,me çrast do të mblidheshin trimat e krejt trevave veriore.Udhëheqësit kryesorë të këtij kuvendi,vendosën,që punimet e tij të mbaheshin në afërsi të fshatit,në pyjet e pafund të Lurës për të qenë të sigurtë në çdo kohë.Por burrat e Menajve, dhanë besën e tyre,se në kullat ku ata patën luftuar aq herë si kundër sllavëve ashtu edhe italianëve,kuvendi do t’i kishte të siguruara punimet e tij.Në këtë mënyrë,për të repsektuar këtë fis luftëtarësh trima por edhe krejt banorët e Lurës,u vendos që takimi i beslidhjes të mbahej pikërisht aty.Në ditën e parë të këtij kuvendi,pasi u lexua liste e gjatë e trimave pjesmarrës, e mori fjalën Mid’hat Farshëri.Ideatori i Lëvizjes Nacionaliste shqiptare në prillin e vitit 1939,me fjalën e vet të matur dhe të ngrohtë,iu spjegoi të pranishmive pse bashkimi i tyre ishte imperativ i kohës.Ai u ndal në zakonin shqiptar të gjakmarrjes,të dasive e mërive krahinore,si mentalitete të yshtura nga armiqtë,duke iu kërkuar përfaqsuesve të trevave veriore në ate kuvend t’i mbyllin këto plagë dhe me besën e çmuar të shqiptarëve të bashkojnë zemrat.Duke evokuar më pas ngjarjen kulmore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,Mid’hat Frashëri nxiti tek trimat pjesmarrës në këtë takim,idenë e njëmendë të bashkimit,si të vetmen shpresë të egzistencës shqiptare në ato momente.Më tej fjalën e kanë marrë Abaz Kupi,Hasan Dosti,Fiqri Dine, Muharrem Bajrakatari etj,të cilët kan potencuar jo vetëm nevojën e bashkimit shpirtëror por edhe atij ushtarak të formacioneve nacionaliste të trevave veriore.Nevoja e këtij organizimi parashihej si kusht i domosdoshëm,veçanërisht në trazirat e brendshme politike.Nisur nga mendimi se komunistët shqiptarë,kishin unifikuar veprimtarinë luftarake të tyre me shtabin e Beogradit,ishte Fiqri Dine i cili hodhi idenë e krijimit të një komande të vetme luftarake,të trevave veriore e cila më pas do të lidhej edhe me komandën ushtarake të forcave të jugut,të cilat drejtoheshin prej Hysni Lepenicës. Në komandën luftarake të sapokrijuar,u përfshinë luftëtarët  më të shquar të krahinave veriore,të cilët patën dëshmuar prej kohësh jo vetëm antiitalianizmin,por edhe antikomunizmin e tyre.E shoh të udhës,të sjell në këto rreshta,Rezollutën  e këtij Kuvendi madhorë,i cili me 30 gusht 1943 do të përcillej si një mesazh i madh shprese në krejt trevat veriore të Shqipërisë.

“Vendime me randësi në Malet e Shqipërisë së Lirë “

Kombi shqiptar gjendet përpara historisë.Rryma të ndryshme politike,të mbrendshme e të jashtme,herë në formë organizate,herë në formë partish dhe ndonjë herë të shpikura nga ndonjë person i vetëm mundohen të tërheqin popullin tonë në drejtime të ndryshme politike,duke krijuar kështu çregullime dhe anarki të plotë në opinjonin publik.Në këtë gjendje të vajtuar e të lëkundur andej dhe këndej në objekte të turbullta ose të huaja,të importuara nga larg,Shqipëria po sheh me keqardhje këte synim të opinjoneve të ndryshme që ka për qëllim  sabotimin e drejtëpërdrejtë të Nacionalizmit Shqiptar.

Populli shqiptar,i hidheruar nga helmi i të shkuarës,matet shumë perpara se të ecë në udhën e tij, e duke përfituar nga eksperienca e historisë do të mundohet shumë para se ta vendosë përfundimisht dhe në formë totale ecjen e tij drejt revulucionit kombëtar.Disa ngjarje me rëndësi që janë prodhimi i gjendjes shoqnore politike të një kombi shkruajnë historinë e tij dhe përcaktojnë në mënyrë matematike karkaterin e lëvizjes së atij kombi.Ngjarje me rendësi historike tregojnë që pas kaq lëkundjeve,Shqipëria ka akoma burrat e saj,të cilët,të mbledhur rreth flamurit dhe të lidhur me besë,vendosin mbi të ardhmen e kombit.Ky manifestim shfaqet në Shqipërinë tonë të fortë sa herë që nënqiellin e saj ngrihen re të zeza të rrezikut dhe burrat e maleve,ata burra që kanë mbetur të paprekur nga propaganda e huaj,me turmat turren drejt bashkimit të shenjtë kombëtar.

Në malet e lira të Shqipërisë,në Lurën,duke iu përgjigjur thirrjes së organizatës sonë,krerët dhe bajraktarët e Dibrës,Matit,Krujës,Lurës dhe Lumës,u mblodhëm në një kuvend madhështor për të dhënë besën shqiptare.

Shqiptarë dhe Shqiptarka,pleq dhe të rinj,ju lajmërojmë se Besa u lidh në Lurë dhe kjo Besë kurrorizoi Bashkimin kombëtar me frymë nacionaliste për shpëtimin e Mëmëdheut tonë të dashur, për një Shqipëri të bukur.Asnjë s’mundi ta tunde shpirtin e vendosur të dibranit,të lumjanit, të matjanit,të krutanit, asnjë propagandë nuk bëri që malësori i Lurës të harrojë kombësinë dhe,kur erdhi dita që historia të përsëritet në zërin e thirrjes së birit Abdyl Farshërit,krerët e maleve u mblodhën si në Prizren për të përsëritur Epopenë Kombëtare.

Për mirëmbrojtjen  eAtdhuet malësorët tanë krenarë vendosën edhe besën e vendit, e cila ka për qëllim të shange çdo konflikt midis personash dhe të rregullojë çdo grendje të drejtash,të punojë gjakun,si edhe të sigurojë qetësinë nga keqbërësit.Që kjo forcë vigane të mbrojë më së miri Atdheun tonë,Kuvendi rregulloi edhe një komendë të përbashkët ushtarake.Në këtë Kuvend madhështor morrën pjesë këta burra fisnikë,prijësat e trimave të maleve që kurrë,gjatë shekujve,armiqtë nuk mundën t’i sundonin dot :

  • Fiqri Dine                                               –          Maqellare
  • Muharrem Bajrakatari –         Ujmisht
  • Cen Elezi            –         Sllovë
  • Abaz Kupi –          Krujë
  • Hysni Dema –         Homesh
  • Myftar Kaloshi –          Kanderx
  • Ali Maliqi                                              –           Kercisht
  • Aqif Lleshi –             Zogaj
  • Sule Kurti –             Zmash
  • Ukë Cami –              Golloborde
  • Selman Mena – Lurë
  • Bilal Kola – Mallcukull
  • Xhemal vata – Macukull
  • Sale Llani – Derjan
  • Shaban Valteri – Vinjoll
  • Murat Basha – Klos
  • Dule Allamani –              Patine
  • Isuf Cela – Patine
  • Isuf Selmani – Lis
  • Rushit Daci – Kalise
  • Metush Luma – Bicaj
  • Sadik Spahija – Kolosian
  • Bajram Lata – Kurdari
  • Adem Cara –             Selite
  • Kapllan Allamani – Patine
  • Dede Leshi – Perllat
  • Frok Gjeta – Thkelle
  • Ndrec Lufi – Selite
  • Ali Kadia – Lis
  • Has Doci – Arni
  • Xheme Shahini –              Arni
  • Halit Osmani – Arni
  • Cen Elezi – Gurrë e Madhe
  • She Ali Bulqiza –       Bulqizë
  • Dervish Lusha – Arras
  • Ramadan Hoxha –              Muhur
  • Faik Shehu – Peshkopi
  • Ali Lita –              Kala e Dodës
  • Ramadan Cekri – Ujmisht
  • Selim Sul Kaloshi – Sinje
  • Mahmut Previzi –          Dibër e Epërme
  • Murat Mera – Kalise
  • Haziz Arifi – Lurë
  • Llan Mena – Lurë
  • Preng Gjergji – Lurë
  • Ramadan Doda – Reç
  • Ibrahim Gjoci – Lurë
  • Gjon Biba –            Lurë
  • Mat Hoti – Lurë
  • Nikol Ibrahim Mandija – Shkodër
  • Kap Bajram Mena – Lurë
  • Tahir Mena –              Lurë
  • Etem Tahiri – Gjakovë
  • Ibrahim Kaloshi – Dibër
  • Hasan Koka – Macukull
  • Haziz Kaloshi – Dibër
  • Zejnel Lita – Dibër
  • Xhetan Hasani – Lushnje
  • Ismail Lika       –              Dibër
  • Dali Lika – Lushnje
  • Gafur Alush Aga – Lumë

 

                                                                                       Rroftë Shqipëria !

Lurë, gusht 1943( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë . Fondi 270 , dosja 4 , fleta 3-7 ).

Mesazhet e kësaj rezollute ishin dhe meten,mesazhe të shpresave të mëdha,jo vetëm për trevat veriore shqiptare por për krejt Shqipërinë Etnike.Kjo ishte një nga arsyet që klika komuniste e Tiranë,me t’i rënë në duar Rezolluta,vendosi të mbledhe në mënyrë urgjente Komitetin Qendror.Në këtë Rezollutë,si edhe në vetë aktin e Kuvendit të Lurës,komunistët shqiptarë dhe “edukatorët” e tyre,të ardhur prej Beogradi,shihnin sendërtimin  e ideve emblematike të Mukjes.Ata i tmerronte ky sendërtim,ngase nuk mund të lejonin t’u shkëputeshin nga domenet sllave si Kosova ashtu edhe maqedonia shqiptare.Në këtë mënyrë,në konferencën e Labinotit më shtator 1943 ashtu sikundër u hodhën poshtë vendimet e Mukjes,Kuvendi i Lurës u etiketua prej misionarëve jugosllav si mbledhje reaksionarësh të cilët krijojnë të fusin përçarje midis komunistëve në Ballkan.Edhe kësaj radhe,krerët komunistë shqiptarë,të udhëhequr nga parimet internacionaliste,pothuajse në unitet me njëri tjetrin, e dënuan ashpër Kuvendin e Lurës.Madje,ky dënim do të vazhdonte në krejt vitet e diktaturës komuniste.Kështu ndërsa kullat e Menajve u dogjën e rrafshuan në vitet 1944-1946,një gjë e tillë ndodhi edhe me ato të Bajraktarit,Markagjonit,Demës,Dines,Elezit etj.Ndërsa mbi nipërit e mbesat e tyre nata e gjatë komuniste,urdhëroi vetëm dhunë e terror.Kësisoj misioni i madh i Kuvendit të Lurës mbeti në mes,i prerë paradoksalisht prej vetë shqiptarësh të shitun tek pushtuesit kriminel sllav.Mesazhet e Kuvendit të Lurës, janë mesazhe për ardhmërinë,si sot dhe në të ardhmen.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Abas Kupi, Eugen Shehu, Kuvendi i Lires, Mit'hat Frasheri

NUSJA NGA TIRANA

September 15, 2017 by dgreca

Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia/1 ok nuse

 Nxehtësia e stinës së verës atë mbasdite sikur nuk donte të largohej nga qyteti edhe pse Dielli pas një dite të gjatë kishte marrë udhën e tij drejt malit me vija në perëndim të qytetit.
Dalëngadalë u ul mbi kreshtën e malit duke lëshuar rrezet e tij të purpurta drejt qiellit si krahë të hapura përshëndetëse për t’u fshehur pastaj prapa malit dhe për të rifilluar ritualin e tij të përditshëm, lindjen, në agimin tjetër të ditës së re.
Qyteti dukej se po zgjohej nga ajo përgjumje mbasditore.
Njerëzit filluan të dilnin nga shtëpitë e tyre për të bërë ritualin e përnatshëm, shëtitjen në bulevardin kryesor të qytetit që në gjuhën e qytetarëve njihej; xhiroja e mbrëmjes.
Atë mbasdite, të shumtë ishin djem e vajza të të njëjtës moshë tek ecnin drejt qendrës së qytetit; ishin njoftuar se në një nga stendat në qendrën e qytetit kishte dalë lista me emrat fitues të maturantëve që kishin aplikuar për vazhdimin e studimeve në shkollën e lartë.
Midis nxënësve të ndryshëm që ecnin drejt qendrës së qytetit ishte edhe Mihali.
Pasi e lexoi emrin e tij si i përzgjedhur për të vazhduar studimet në shkollën e lartë, mendoi të shkonte në shtëpi, t’i jepte lajmin e shumëpritur edhe mamasë së tij.
Mihali jetonte në një nga shtëpitë e vjetra muzeale karakteristike të atij qyteti të vjetër dhe historik.
Shtëpia e tij nga qendra e qytetit nuk ishte shumë larg, por, rruga për të mbëritur sa më parë në shtëpi, Mihalit po i dukej e gjatë.
Mbante një gëzim të madh brenda vetes që ia shprehte edhe fytyra e tij e qeshur.
Ishte djalë i pashëm, shtatlartë, trup elegant. Njerëzit që e njihnin, thoshin, se i kishte ngjarë të atit.
Kur ecte udhëve të qytetit të gurrtë ku ishte lindur dhe ishte rritur, pamja e tij mashkullore tërhiqte shumë shikimin e vajzave; shumë nga ato edhe mendonin që të ishin përkrah tij.
Ishte djalë i sjellshëm, me një edukatë të lartë për ta patur zili.
Fati i keq i jetës, e kishte dënuar; në moshën e tij 6-të vjeçare, kishte humbur njeriun më të dashur të jetës, babain!
Tetë vite jetë bashkëshortore kishin kaluar bashkë prindërit e tij duke iu gëzuar fëmijës, djalit të tyre të vetëm me emrin e bukur, Mihal, që vetë i ati ia kishte zgjedhur atë emër.
Pas vdekjes së bashkëshortit, e ëma e tij e kishte lidhur jetën me birin e saj duke iu përkushtuar çdo gjë të shtrenjtë të jetës si të gjitha nënat për fëmijët e tyre.
Rrobat e zeza, që nuk i hoqi asnjëherë nga trupi gjatë gjithë jetës së saj pas humbjes së bashkëshortit, i jepnin hijeshi duke e treguar grua fisnike ashtu edhe siç ishte vërtetë.
Ishte vendase në atë qytet. Në atë shtëpi të madhe karakteristike siç janë të gjitha shtëpitë e lagjeve muze, ishte lindur dhe ishte rritur. Ishte bijë e vetme, pa vëlla dhe pa motër. Për këtë arësye, prindërit e saj kishin dashur që bija e tyre edhe pas martesës të vazhdonte të jetonte aty me bashkëshortin dhe pasardhësit e tyre si trashëgimtarë të asaj shtëpie.
Kur Mihali po i afrohej shtëpisë, shtëpi e gurrtë dykatëshe, në taracën e madhe të shtëpisë, dalloi të ëmën që sapo e kishte parë nga larg, me dorën ngritur po e përshëndeste.
Edhe Mihali i qeshur, ia ktheu përshëndetjen me dorë.
     – Shpirti i mamamasë! T’u bëfsha kurban, sa i mirë që je! Sa të bukur të ka mamaja! – mërmëriti me vete Gena duke shoqëruar ecjen e të birit derisa ai iu afrua portës së madhe të shtëpisë.
Mihali hapi portën dhe hyri brenda. Sipër, në krye të shkallëve, e ëma po e priste buzagaz.
Ngjiti shkallët e gurrta; u përqafua me të ëmën, ndërsa ajo e puthi në faqe.
     – Hë, – e pyeti ajo duke ndjerë frymëmarrjen e tij.
     – Po, mama! Kishte dalë lista me emrat fitues për studentët që do vazhdojnë studimet e larta universitare. Jam i gëzuar. Lexova dhe emrin tim. Ekonomi financë – shpejtoi ai të thoshte.
     – Si? – e pyeti e ëma e habitur.
     – Më ka dalë e drejta e studimit për ekonomi financë, në universitet në Tiranë – përsëriti ai të njëjtat fjalë.
     – Shumë mirë, të keqen mamaja. Zoti ta bëftë mbarë kudo që të shkosh edhe atje në shkollë në Tiranë.
Gena u mundua të mos e japë veten. Dëshira e saj ishte që i biri të studjonte për inxhinieri. E thoshte shpesh herë me veten e saj fjalën, inxhinier, dhe i tingëllonte kaq bukur ajo fjalë, saqë edhe ajo vetë e mendonte djalin e saj inxhinier.
     – Shumë mirë, të keqen mamaja – përsëriti ajo. Hapi krahët e përqafoi prap të birin pa harruar edhe ta puthë në faqe.
* * *
Gjatë viteve studentore në universitet, Mihali u njoh me një vajzë të bukur kryeqytetase; e quanin Natalja.
Përveç bukurisë, Natalja shquhej si një vajzë e edukuar me kulturë të lartë qytetare, kulturë, e trashëguar edhe nga vetë familja e saj.
Në çdo bisedë që Mihali dhe Natalja bënin, fjalët e tyre të ngrohta, buzëqeshja e tyre e ëmbël, tregonin se i kishin kuptuar ndjenjat e njëri tjetrit.
Një mbrëmje të bukur pranvere, në shëtitjet e tyre në fundjavë, të ulur në një nga stolat në kodrat e Liqenit Artificial, kur Mihali ia kishte kapur dorën dhe po ia ledhatonte, vendosi ti shprehte hapur ndjenjat e tij që ajo të bëhej shoqja e tij e jetës.
Natalja nuk mundi dot ti bëjë ballë tundimit për t’iu përgjigjur.
Me syt të mbërthyer me njëri tjetrin, në atë gjysëmerrësirë të asaj mbrëmje të argjendë pranverore, Mihali priste fjalën e shenjtë, siç po e mendonte ai në atë çast.
E tundonte vetëm mendimi, nëse Natalja, si bijë e lindur dhe rritur në kryeqytet, nuk mund ta linte Tiranën njëherë e përgjithmonë e të jetonte në një qytet tjetër krejt të panjohur për të edhe pse kishte dëgjuar dhe Mihali i kishte folur shpesh për bukurinë, traditat e bukura të atij qyteti, për mikpritjen që tregonin vendasit, veçanërisht për të huajt, të ardhurit nga qytetet e tjerë.
Ndërsa në përkatësitë e tyre fetare që ishin të ndryshme nga njëri tjetri, Natalja ishte lindur dhe rritur në familje të besimit musliman, ndërsa Mihali i lindur dhe rritur në familje të besimimit të krishterë, nuk e kishte menduar asnjëherë si pengesë.
Natalja edhe pse kishte shumë kohë që ndjente për Mihalin, në atë çast, ndjenja sikur ia trazoi edhe më shumë shpirtin e saj. Ajo ndjenjë u bë më e zjarrtë në të gjithë qënien e saj.
Buzëqeshi, afroi kokën pranë kokës së tij derisa buzët e të dyve ishin shumë pranë njëra tjetrës. E hoqi dorën nga dora e Mihalit që vazhdonte ta ledhatonte, e përqafoi duke shqiptuar bukur dhe pastër fjalët: “Edhe unë të dua Mihal, sot dhe për gjithë jetën. Jam dhe do jem e jotja sonte dhe përgjithmonë. Do jetojmë bashkë të dy, në familjen tënde, me mamanë tënde, me fëmijët tanë të ardhshëm. Ndjehem e lumtur pranë teje, Mihal”.
* * *
Edhe familja e Nataljas e priti më kënaqësi zgjedhjen që kishte bërë bija e tyre.
Po me të njëjtën kënaqësi e priti edhe Gena, mamaja e Mihalit zgjedhjen e të birit për nusen e ardhshme të shtëpisë.
Në vitin e fundit të mbarimit të shkollës së lartë, dashuria e tyre u kurrorëzua me fejesë.
Lajmi i fejesës së Mihalit me një vajzë nga Tirana, pati jehonë të madhe në qytetin e tij. Vetë banorët ndjeheshin si të privilegjuar që një vajzë po linte kryeqytetin për të jetuar në qytetin e tyre.
Ishte ndër rastet e rralla.
Kurioziteti për të parë vajzën tiranase, të fejuarën e Mihalit, ishte i madh sa shpesh herë, gratë e lagjes e pyesnin Genën se kur do ta shihnin nusen e Mihalit.
Një ditë të bukur fundjave, Mihali u pa të vinte në shtëpi përkrah të fejuarës së tij, Natalja ishte vërtetë një vajzë shumë e bukur, me një nur folklorik, truprregullt me tipare të zeza, pothuajse si të gjitha vajzat e reja, të bukura të atij qyteti. Vetëm koncepti që është vajzë kryeqyteti i shtynte njerëzit që ta shikonin me kërshëri.
Buzagaz i përshëndeste edhe ajo njerëzit që Mihali i përshëndeste.
* * *
Ceremonia e martesës së çiftit bshkëshortor Natalja – Mihal u organizua ashtu siç edhe pritej nga të gjithë; dasmë e madhe.
Pothuajse, të gjithë banorët e atij qyteti ndjenin gëzim në zemrat e tyre.
“Lavdi Zotit që Gena ia arriti kësaj dite të bukur të gëzojë djalin e saj, dritën e syve, që vetë ajo me mund e sakrifica e kishte rritur dhe edukuar atë djalë, pa patur pranë dhe pa ndjerë dashurinë dhe kujdesin e ngrohtë atëror” – shpreheshin.
Që në javët e para e sapo ardhur nuse në atë qytet, Natalja u mundua t’i përshtatej jetës, traditave zakoneve të atyre njerëzve të mrekullueshëm.
Gena nuk gjente dot fjalë si ta shprehte atë gëzim dhe kënaqësi të madhe për nusen e djalit të saj që për të, siç shprehej vetë Gena, ishte jo vetëm nusja e djalit të saj, por i kishte dhënë gjithë dashurinë e nënës ndaj bijës së saj ashtu si edhe vetë Natalja ishte bërë për të bija e shtëpisë së munguar.
Ndjeje kënaqësi shpirtërore kur shikoje udhëve të qytetit, ato të dyja vjehër – nuse tek dilnin të kapura për krahu.
Pas njëfarë kohë kur Natalja kishte hyrë nuse në atë shtëpi, nga Tirana i vijnë prindërit e saj për vizitë; sigurisht edhe të takoheshin, të shmalleshin me bijën e tyre.
Gëzimin për ardhjen e prindërve të saj, Natalja nuk mund ta fshehte. Vetë buzëqeshja e saj ia lulëzonte fytyrën.
Sapo prindërit e saj u takuan me Genën, me Nataljan dhe me Mihalin, babai i saj, Dilaveri, me një pamje fisnike burrërore, ku rrezatonte kultura e tij e lartë e trashëguar nga familja e tij, u çua nga ndenjësja ku rrinte ulur në dhomën e pritjes.
Natalja iu afrua: – Ç’dëshiron, babi?
     – Faleminderit bija ime, nuk dua asgjë. Krushkën Gena, dua ta pyes.
     – Urdhëro krushk – iu përgjigj Gena që edhe ajo ishte çuar në këmbë nga vendi ku rrinte ulur.
Pas atij veprimi u çua në këmbë nga ndenjësja ku rrinte ulur edhe mamaja e Nataljas.
Mihali, që ndodhej në korridor, kur dëgjoi ato fjalë, hyri në dhomë pa kuptuar se ç’po ndodhte.
Dilaveri e hodhi shikimin në dhomë. U duk se diçka po mendonte të thoshte. Pas një heshtje të shkurtër, iu drejtua Genës.
     – Krushkë! Unë dhe bashkëshortja ime kemi ardhur sot këtu, ndodhemi në shtëpinë tuaj, pranë jush, pranë bijës sonë. Më lejo, krushkë, të të pyes në emrin tim personal dhe në emrin e bashkëshortes sime si prindër të Nataljes. Ne, prindërit e saj, e kemi nderin ta kalojmë këtë prag? Na e ka lënë vajza jonë me sjelljen e saj ndaj teje, ndaj jush të gjithë, ta mbajmë kokën lart?
Në dhomë kaploi një heshtje!
Ishin të papritura ato fjalë të dalë nga goja e krushkut Dilaver.
Natalja vet u ndje e papërgatitr nga ato fjalë që dëgjoi nga ati i saj. U duk se diçka mendonte, syt i mbante përdhe.
Mihali eci disa hapa drejt tij; qendroi në mes të vjehrit dhe vjehrës. Nuk foli; hapi krahët, i përqafoi. Ashtu po rrinin ata të tre të përqafuar.
     – Krushk i nderuar – filloi Gena të flasë. – I nderuar krushk Dilaver dhe ti krushkë. Më pyete në emrin tuaj personal dhe në emrin e familjes suaj të nderuar, nëse bija juaj Natalja, nusja jonë që është edhe bija ime e dashur dhe e shtrenjtë, me sjelljen e saj shembullore, me dashurinë, respektin që tregon, të paktën ndaj meje si vjehër, jo vetëm ua ka hapur juve të gjithë rrugën për të hyrë dhe për ta kaluar këtë prag me nder, por, të ndjeheni të lumtur dhe krenarë ta mbani kokën lart për bijën tuaj. E dëshiroj që, kështu dhe përgjithmonë do jetë bija jonë Natalja, nuk ka se si të ndodhë ndryshe.
     – Faleminderit krushkë Gena – ndërhyri mamaja e Nataljas.
     – Faleminderit krushkë, – foli Dilaveri. U afrua, zgjati dorën drejt Genës për t’ia shtrënguar në shenjë falenderimi.
Të njëjtin veprim bëri edhe mamaja e Nataljas.
Dy gratë krushka, si të mos mjaftonte shtrëngimi i duarve me njëra tjetrën, hapën krahët për t’u përqafuar.
Mihali i shikonte plot kënaqësi dhe një buzëqeshje shndriste në fytyrën e tij.
     – Bija ime, Natalja – foli Dilaveri dhe iu afrua të bijës. Hapi krahët, e përqafoi. – Qofsh e bekuar gjithë jetën tënde Natalja. Paç përherë, në gjithë jetën tënde bashkëshortore e familjare bekimin tonë prindëror. Ndjehemi vërtetë të lumtur.
     – Lumturia është e jona, e të gjithë neve – foli Gena. – Të njëjtin bekim prindëror ua kam dhënë edhe unë që në ditët e para të jetës së tyre bashkëshortore.
Ata të gjithë së bashku po përjetonin ndjenjën e lumturisë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: NUSJA NGA TIRANA, Perr Pandeli Simsia

Presidenti Trump në Florida zonat e prekura nga stuhia

September 14, 2017 by dgreca

Presidenti Trump dhe Zonja e Parë vizitojnë në Florida zonat e prekura nga stuhia /

Gov. Rick Scott, R-Fla., right, looks on as President Donald Trump speaks during a briefing on Hurricane Irma relief efforts, Thursday, Sept. 14, 2017, in Ft. Myers, Fla. (AP Photo/Evan Vucci)

Gjatë një vizite të enjten në Floridën e shkatërruar nga uragani, Presidenti Donald Trump vlerësoi punën e personelit të emergjencës dhe të ushtrisë, si përgjigje ndaj uraganit Irma, që shkaktoi dëme të mëdha ndërsa goditi javën e kaluar shtetin jugor amerikan.

“Të gjithë bënë një punë të shkëlqyer”, – tha presidenti Trump në Fort Myers, ndalesa e tij e parë gjatë vizitës me dy ndalesa në Florida.

Stuhia shkaktoi të paktën 25 të vdekur në Florida dhe Presidenti vlerësoi punën e ekipeve të emergjencës, që parandaluan viktima të tjera.

Për Presidentin Trump dhe Nënpresidentin Mike Pence, vizita e sotme në Fort Myers dhe Naples në bregun jugperëndimor të Floridës ofron mundësinë që ai të shohë vetë se si njerëzit po e përballojnë gjendjen e krijuar nga Uragani Irma dhe se si kanë reaguar autoritetet federale. Stuhia i goditi fuqishëm të dy qytetet me erëra të fuqishme dhe shira të rrëmbyer, që shkaktuan përmbytje masive.

Presidenti ka në plan të takohet edhe me disa nga banorët që po i ndjejnë më tepër pasojat e stuhisë së fuqishme.

Ai tashmë e ka deklaruar Floridën zonë të fatkeqësisë natyrore, një vendim që mundëson dhënien e menjëhershme të fondeve të rimëkëmbjes.

Zyrtarët thonë se do të duhet një kohë e gjatë për të riparimin e dëmeve të shkaktuara nga uragani, që shkatërroi gjithashtu disa ishuj të Karaibeve.

Përparësi është rikthimi i energjisë elekrtike për 3 milionë banorë të shtetit, të cilët vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike. Kompanitë e energjetike thonë se kthimi i energjisë mund të marrë një javë ose më tepër.

Zyrtarët po ashtu janë duke zhvilluar hetime lidhur me vdekjen e 8 të moshuarve në një azil në qytetin Hollywood, në se mungesa e ajrit të kondicionuar ishte shkaku i vdekjeve.

Guvernatori i shtetit Rick Scott, tha se është duke u zhvilluar një hetim kriminal, pasi siç duket azili nuk ka patur energji elektrike që në momentin që qyteti u godit nga stuhia. Nuk është e qartë përse gjeneratorët nuk funksionuan për ta mbajur të freskët temperaurën në ndërtesë.

Scott i urdhëroi autoritetet të kontrollonin edhe azilet e tjera të shtetit. Nga kontrollet doli se 150 nga 700 azilet që ka Florida, ende të mërkurën ishin pa energji elektrike.

Në ishujt Florida Keys, zona më e goditur nga stuhia, qindra njerëz qëndronin në radhë në parkingun e një qendre tregtare për të marrë ushqime dhe ujë, që i shpëndanin ushtarët e Rojes Bregdetare.(kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: ne Florida, President Trump

Ferik Ferra-Natë ilire dhe të tjera

September 14, 2017 by dgreca

Cikël poetik nga poeti i shquar Ferik Ferra/

FerikFerra_portret

Natë ilire/

Mbi Tarabosh shuen muzgu flakë e hire,/

në terr përzihen të butat rreze hane,/

e mbi liqe veç nji lundricë ardiane/

heshtjen ia përkëdhel natës ilire./

 

Qyteti fle i ndem në myshqe e fire,

lëkundet mbi shpinë të ujnave, ia kande,

malet të ulen shesh mbi zaje e ranë

presin si  në andërr agimin e endire.

 

Rozafa përmbi ujna feks kësaj nate,

lëpin me vravshka valët e prarueme,

valët që çohen nalt si maja shpate.

Mandej ngadalë me duert e saj të irnueme,

të bardhët gjinj letshëm i qet prej tisit,

që t’ia thëthijnë me et pinjojt e fisit.

    Nina nana

 Nina nana djepin t’përkund hana,

rrezja e dritës mbi pallate e tbana,

jepi o mal hua petkun e borës,

jepi o gji ngadalë prekjen e dorës,

jepi o diell buzqeshjen tande n’maja,

jepi o lule ngjyrë e erë ndër vllaja,

jepi o zanë çurlikimin e bylbylit,

jepi o qiell në sy bishtin e yllit,

jepi o pyll të plotë shtatin e lisit,

jepi o tamel në shpirt trimnin e fisit,

jepi mendjen t’kthjelltë si ujë burimi,

jepi nusen t’veshun n’petk florini,

jepi zemren t’bardhë si shkuma e valës.

Ky asht, bir, në shpirt bekimi i nanës.

Xheni…

                             Për njëvjetorin/

Kur Xheni qesh, dy buzët e vogla i hapen,

dy sytë e saj të zi shkëlqejnë nga gazi

e duart e vogla turren drejt hapësirës,

që atë e ndajnë nga bota e saj e vogël.

I buzëqesh botës me një ëmbëlsi fëminore

e s’din se ajo botë është lëmsh me nyje,

ku gërshetohen leqet nëpër yje,

ku helmi e gazi në çdo çast përleshen,

ku thundra e lajka në çdo çast ndërrojnë veshjen,

se bota s’është qylym i butë me u shkelë,

po një mejdan nga kohë e lashtë e ngelur,

ku lufta s’pranë e lulet zor me u çelë

gjithmonë kan për ta pasë,

n’sa sytë e fytyta jote,

gjithnjë e lajnë me gaz.

Agimin që nuk e pe            

                   Nanës/

Qielli mbeti bosh, hana perëndoi,

duke shtye me ngut jastikun e rrezeve,

mbrenda kupës së natës yjet u përhumbën,

kushedi në ç’pelerinë engjëjsh vezullojnë në ar.

Çarçafi i bardhë i dritës u ngrit mbi male,

çastet s’i kapim dot me turravrapin e zemrës,

gjumi shtriu eshtnat e lodhuna nëpër vite,

e ftohta e zbardhëllimit ngjeth trup e petale.

 

Burbuçet e rrezeve çelin mbi lavën e agimit,

fryma ngeli e varun mbi çengelin e shpresës,

gurra e lotëve nis rrugën mbi kalldramin e heshtjes,

mbi sytë e tu, nanë, që për herë të parë rrinë mbyllun.

Vajz’ e valëve 

                         … tjetër vend më pret

Mbi gjoks gërshetat deri n’hark të belit,

bardhri e shkumës tretur selvisë shtat,

ballin e hanës deti ia mban lart,

brilanti i syve ngjyen rrezet e diellit.

 

Përpara shtrihen deri n’qiell hapsira,

drejt gurit valët vijnë e lidhen lak,

pret nimfa e bukur sipër gurit plak,

shëgës së buzëve lot e psherëtima.

 

Ai asht diku në qiell ose në det,

me dashurinë lënguar malleve,

kur vala të ngrijë vajzën e valëve,

n’mos qofsha unë është kënga që e pret.

Bubi Xhefri/

Para të zotit

bubi Xhefri

me rrypin e qafës në dhambë,

hidhet gjith gaz

mbi dy kambët e para

për të dalë jasht në kopsht

ku bredh,

një copë e lirisë së lidhun

me lëkurë të butë

e ngazëllimi

sa mezi mer frymë.

  *   *   *

1-anton-cefa

Dy kujtime:

Për nji tubëz “Diell të vështirë”*

Nga Anton Çefa/

    -Mikut tim të vjetër Ferikut-

Ishtë nji kohë e largët

e pakohë,

e fjala e pafjalë,

kur u ndamë.

Vitet e udhët s’na panë.

Lakmia jonë te fjala

Delir në gur të ashtit,

se kishte pritje koha

e vargjet tona ishin mbushë me pritje.

Na rreshkej etja n’gjak

për fluturim,

por s’kishte qiell,

kur u ndamë.

Vitet e udhët s’na panë.

Po koha e ban çudinë nji ditë,

harrimin s’ia len harrimit,

përmbi tryezë pa pritë  më hedh

nji tubëz me “Diell të vështirë”.

Ah, diell i vështirë,

sa të ashpër na i solle dimnat!

Tani që bornat mbulojnë krenat tonë

po i japim pak shkëlqim lakmisë së hershme

dhe fjalës që buloi në degë të pritjes.

*Titulli i nji vëllimi poetik, që Feriku më dërgoi si kujtim.

Udhave të Kolombit

Nga Ferik Ferra

–Mikut tim Anton Çefës-

Në mëndafshin e xhamit

ishuj jargavani rrëshqasin,

udhave t’Kolombit

nata prek dherat e kontinentit të ri,

ku ditë e vite do të zbardhin qiellin

fjalën e vargun në liri.

Larg mjegullat e atdheut

kthyer në qelq

vezullojnë në kujtime trëndafili,

mure, kopshte e agime,

rrugica me pluhur

e lule mbi arkapi

ngjeshur me ditët e rinisë e të fëminisë

ku duart e të afërmve e t’miqve

presin në kthimin e një dite.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa, cikel poetik, Ferik Ferra, poeti i shquar

Ruçi, degjenerimi i politikës dhe turpërimi i PD

September 14, 2017 by dgreca

1 Tomorr alizoti

Nga Tomorr Alizoti/

Për të gjithë ata që duan të gjejnë arsye apo justifikime për emërimin e Gramoz Ruçit si Kryetar të Parlamentit dhe Fatmir Xhafajt si ministër të Brendshëm, shoqëria duhet të ketë vetëm neveri dhe asgjë tjetër. Në vitin 2012, u dënua me 5 vjet burg Xhon Demjanuk, 91-vjeçar, për shkak se kishte qenë roje në burgun nazist në Sibohor të Polonisë, ndërsa në vitin 2016 u dënua, po me 5 vjet burg, Reinhold Hanning, i cili, gjithashtu ka qenë roje në kampin e Auschvitcit.

Imagjinoni ç’mund të thuhet në rastin e Gramoz Ruçit, i cili ka qenë ministër i Brendshëm dhe drejtor i Sigurimit Kriminal të Shtetit apo për rastin e Fatmir Xhafës, që ka qenë hetues dhe gjyqtar në një regjim genocidial-totalitarist si komunizmi. Pra, edhe rojet e kampeve po dënohen me burg gati 70 vjet pasi ka rënë nazizmi, ndërsa ne po vendosin në krye të shtetit sot, ata, që 27 vite më parë, ishin në krye të regjimit komunist. Çdo kujtim, dhimbje dhe vuajtje e komunizmit është gjallë, çdo psherëtimë apo rënkim nga torturat, piskamë nga lajmet dramatike për arrestime, burgosje apo pushkatime, çdo imazh i skalitur i kampeve të Spaçit, Burrelit dhe kujtdo tjetër është e gdhendur pashqitshmërisht në mendjet e atyre që vuajtën, por edhe tërë popullit.

Krimi kishte emër, ndonëse fshihej pas një regjimi, pas një partie, pas një ideologjie. Emrat ishin Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, por edhe Ramiz Alia, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafa, Nexhat Haznedari, Fehmi Abdiu, etj., etj. Dhimbja do të na shoqërojë ne, siç do të shoqërojë hija e krimit ata, që e mbajtën në këmbë diktaturën, por edhe ata, të cilët sot, sjellin në krye të vendit njerëzit e diktaturës dhe gjejnë justifikime për rikthimin në krye të vendit të Ruçit apo Xhafajt.

Një turp i rëndë do të shoqërojë edhe ata që uzurpuan apo përdorën opozitën dhe Partinë Demokratike, duke u hequr si parti që ngrihet mbi gjakun, dhimbjet dhe idealet e atyre që masakroi komunizmi. Partia Demokratike, sot, më shumë ngrihet mbi turpërimin apo talljen me dhimbjen e atyre që u pushkatuan apo persekutuan nga komunizmi. Dy ditë më parë, grupi parlamentar i Lulzim Bashës tregoi se është aq i ndotur, sa tre prej tyre votuan pro Gramoz Ruçit.

Është e qartë se ata janë ish-spiunë të Sigurimit të Shtetit, të cilëve Ruçi me siguri ua ka emrat, pseudonimet dhe u njeh dosjet. Një turp më i rëndë ishte mënyra se si Lulzim Basha dhe njerëzit e tij në grupin parlamentar u përpoqën të shpjegojnë votimin. Ata e mohuan fare atë, ata thanë se Rama manipuloi votat. Në këtë moment, këto të vërteta të mëdha, të rënda dhe shumë të turpshme për partinë, lajmet, për të cilën të burgosurit e komunizmit i ndiqnin me drithërima në qeli në vitin 1990, do të zhurmohen nga një kor zvarranikësh, të cilët do të thonë se kritikët e Bashës kanë inate personale, se ata që kritikojnë Bashën, kanë qenë hajdutë dhe ministra për tetë vite, se mes tyre ka spiunë apo ish-sigurimsa etj.

Ky kor i poshtër që nuk ka asnjë ideal, nuk e ka fare problem hajdutërinë e ish-ministrave, nëse ka patur ish-ministra hajdutë, nuk e ka problem të qenit ish-spiunë të ndonjërit prej kritikëve, sepse vetëm dje u provuan se Basha minimumi, ka tre prej tyre të zgjedhur të tijtë, nuk e ka aspak problem faktin që mes kritikëve mund të ketë njerëz që kanë punuar me Nexhmije Hoxhën sepse vetë Basha ka zgjedhur njerëz të tillë më parë, por edhe tani.

Ky kor është ndoshta një prej grupeve me pa formë, pa trajtë që ka njohur ndonjëherë Shqipëria në këto 27 vite. Gramoz Ruçin apo Fatmir Xhafën nuk i emëroi Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, por Partia Demokratike dhe Lulzim Basha po tregojnë dhe kanë treguar se nuk e kanë fare shqetësim një gjë të tillë, po tregojnë, dhe këtu po tregohen të sinqertë, se ata nuk janë një grup apo një parti që ka ndonjë bindje politike, ndonjë qëndrim moral që ka lidhje me të djathtën. Partia Demokratike, sot, kori i njerëzve të Bashës, po tregojnë se janë që të gjithë një grup interesi, të cilët kanë për parim gjithçka që u bën punë.

Ata kanë parim mungesën e parimit. Gjithkush në Shqipëri, çdo demokrat sidomos, e ndien se kjo PD është një parti e tillë. Ky ishte momenti ideal që PS, një parti që në thelb nuk ka reflektuar asgjë nga krimet e komunizmit dhe nga bartja e vetëdijes kriminale të partisë së punës, të emëronte Ruçin Kryetar të Parlamentit. Ky është momenti kur PD është më e dobët se kurrë dhe ky është momenti kur PD është zhveshur krejtësisht nga çdo ide apo bindje dhe moral i djathtë.

Sigurisht, duke e ditur këtë, njerëzit pranë Bashës, deputetë të afërt të tij, po përdorin një gjuhë të ashpër kundër komunizmit, me qëllim që të fshehin sadopak karakteret bosh dhe mungesën e plotë të parimit dhe bindjeve. Kur ata shajnë apo kritikojnë komunizmin, duken si karikatura dhe kjo gjë do t’i ndjekë përgjithnjë. Të qenit i djathtë dhe antikomunist është çështje bindjeje të brendshme. Tërë lista e kandidatëve të Bashës, me përjashtime periferike, të qëllimshme, nuk pati asnjë zë të qartë, të njohur të djathtë dhe antikomunist dhe këtu nuk po flas asfare për veten.

Dua të qetësoj çdo përfitues dhe servil profesionist pranë kryetarit, se beteja ime nuk është një betejë për vendin tim në PD, por një betejë në kujtim të vuajtjeve të atyre që u masakruan sepse ishin patriotë dhe antikomunistë dhe një betejë për të dhënë një mundësi fluksit të djathtë të ketë zë. Lulzim Basha do të vazhdojë të bëjë si i djathtë, do të shtyjë njerëzit e tij bosh të flasin si të djathtë, të hakërrehen si antikomunistë, por emërimi i Ruçit do të pasohet nga të tjerë, djemtë dhe vajzat e byrosë politike do ta popullojnë gjithnjë e më shumë politikën dhe parlamentin sepse kjo është opozita më pa bojë e gjithë këtyre viteve.

Të djathtët e vërtetë, ata që e njohin se ç’është ajo, atyre që iu dhemb ajo. Ata Basha dhe grupi i tyre i mbajnë jashtë, larg, ose i përdorin si zbukurim, duke qenë deri në fund perversë. Jam i bindur se do të vijë një moment, kur vetë PD të nxjerrë në sipërfaqe atë që fsheh, të nisë të flasë për ta lënë pas atë që ka ndodhur në komunizëm, të shohim “përpara”. Në këtë moment, që nuk do jetë larg, do të kemi zyrtarisht jo më ish-gazetarë të ZP-së, apo ish-nëndrejtorë të institutit të studimeve marksiste-leninsite, por vetë njerëz të byrosë politike.

Mund të kemi edhe ne Ruçin tonë. Atëherë do të kemi ndoshta një parti të re demokratike të djathtë, nëse brenda PD nuk do të ketë patur një lëvizje për t’i dhënë kësaj pamjes së tanishme. Ia vlen shumë më tepër ta mbrosh kujtimin e atyre që u masakruan, ta nderosh dhimbjen e gjakun e atyre që u vranë apo persekutuan nga ai regjim dhe të jesh jashtë parlamentit, jashtë PD-së, se sa të jesh aty dhe të jesh karikaturë dhe votues apo mbrojtës i votuesit të Ruçit.(Panorama)

Filed Under: Analiza Tagged With: degjenerimi i politikes, Tomorr Alizoti, turperimi i PD

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT