• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2017

Shqiptarët në Festën e Shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza

September 3, 2017 by dgreca

1 Mesha-Në “Ditët e Nënë Terezës” sot u mbajt mesha e fundit e së dielës në Katedralen në Prishtinë para shugurimit në 5 shtator/

1 Marjani dila

-Riti i shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës fillon me procesionin nga rezidenca ipeshkvore drejt dyerve hyrëse të kishës…/1 grupi Zefit

-Në “Ditët e Nënë Terezës” e festën e shugurimit të Katedrales të pranishëm edhe vatranë nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, të shumë mirëpritur edhe në Ipeshkvinë e Kosovës…/

1 ok Meshe1 Behluli KatedraljaSPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI, i akredituar nga Këshilli për Media i Shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza/

PRISHTINË, 3 Shtator 2017/ Këmbana e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë binte sot para orës 11:00 të fillimit të meshës së fundit të së dielës para shugurimit të kësaj Shenjtërore, që në 5 shtator 2017 do të udhëhiqet nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e për këtë po bëhen të gjitha përgatitjet.

Derisa shumë njerëz mbërrijnë në meshë flasim me Don Lush Gjergjin, Vikar Gjaneral i Ipeshkvisë së Kosovës. “Është mesha e fundit e së dielës në Katedrale para shugurimit”, i konfirmon ai korrespondentit të Gazetës DIELLI, ndërkohë që vijojnë festimet e “Ditëve të Nënës Terezë”, të nisura në 26 gusht, në ditëlindjen e shënjëtëreshës shqiptare, të njohur e të admiruar në gjithë botën, në ditën e bekimit të gurthemelit të Katedralës.

Ndërsa, nesër, një ditë para shugurimit të Katedrales, Mesha, Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës zhvillohet në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë, në orën 18:00.

Nga Ipeshkvia e Kosovës, Komisioni për Media i krijuar enkas për ngjarjen e madhe të shugurimit të Katedrales Nëna Terezë, për të cilën  janë bërë tashmë edhe akreditimet e para të mediave vendore dhe ndërkombëtare, mes të cilave Gazeta DIELLI, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, me korrespondentin në Prishtinë, sot u njoftua edhe “Ecuria e ritit të shugurimit të kishës”:

“Që nga shekulli i 4-të është zakon që një kishë katolike të fillojë të përdoret në formë solemne, para së gjithash në një kremtim solemn eukaristik – në meshë të shenjtë (shërbesë liturgjike). Zakonisht një kishë e re kushtohet, respektivisht shugurohet nga ipeshkvi i vendit.
Riti i shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë fillon me procesionin nga rezidenca ipeshkvore drejt dyerve hyrëse të kishës. Prijnë ministrantët (shërbestarët liturgjikë) dhe priftërinjtë bashkëkremtues pas të cilëve shkojnë i Deleguari i posaçëm i Vatikanit kardinali shqiptar Ernest S. Troshani i shoqëruar nga ipeshkvi i vendit Mons. Dodë Gjergji bashkë me ipeshkvinjtë e tjerë të ftuar. Në hyrje të kishës bekohet uji i përgatitur për të bërë ripërtëritjen e dëshmisë së pagëzimit të besimtarëve. Duke hyrë, kisha dhe hapësira e kishës spërkaten me ujë të bekuar. Në ndërkohë këndon kori i kishës i cili do ta përcejllë ceremoninë gjatë gjithë kohës.

Vijojnë leximet nga Shkrimi i Shenjtë. Pas Ungjillit dhe predikimit vijon kushtimi apo shugurimi në kuptimin e plotë të fjalës, i cili hapet me litanitë – ku thirrën në ndihmë ndërmjetësia e shenjtërve dhe shenjtëreshave të Kishës katolike. Vijon vendosja e relikteve – pikat e gjakut të Shën Nënë Terezes, në vendin e përgatitur – te truporja e saj anash altarit kryesor. Pastaj altari pastrohet me ujë të bekuar dhe lyhet me bagmin apo vajin e shenjtë. Gjithashtu me këtë vaj të shenjtë lyhen edhe dymbëdhjetë kryqet e apostujve në muret e kishës. Mbi altar digjet temjani apo kemi, shoqëruar nga një këngë e kënduar e bashkësisë dhe lutja e kushtimit nga ana e ipeshkvit. E gjithë kjo pasohet nga kremtimi eukaristik – kushtimi i dhuratave, respektivisht kujtimi i Darkës së fundit të Jezu Krishtit.

Në përfundim të gjithë besimtarët e këndojnë lutjen ‘Lavd e ndera të qoftë, o Zot’ në shenjë mirënjohje për këtë ngjarje të rëndësishme. Të pranishmit shpërndahen pas marrjes së bekimit solemn të kardinalit”.

“Ecuria e ritit të shugurimit të kishës” iu dërgua korrespondentit të Gazetës DIELLI nga Don Shtjefën Doda – Këshilli për Media i Shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza bashkë me mesazhin, ku mes tjerash, shkruan:

“I nderuar z. Jashari,

Ju konfirmojmë se i kemi marrë të dhënat Tuaja për akreditim duke aprovuar kështu kërkesën Tuaj për të përcjellë shugurimin e kishës “Shën Nënë Tereza” me 5 shtator 2017, në Prishtinë.

Ju do ta keni vendin e caktuar për media brenda kishës e cila do të shugurohet…

Duke ju falënderuar për mirëkuptim e bashkëpunim Ju përshëndesim përzemërsisht.

Mirë se të vini!”.

Në festën e shugurimit të Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë do jenë të pranishëm edhe vatranë nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, të ardhur edhe enkas e janë shumë mirëpritur edhe në Ipeshkvinë e Kosovës, si dhe shqiptarë të tjerë të diaspores sonë nga shumë vende të botës.

Vatranë nga SHBA, të Shqipërisë, Kosovës e viseve tjera shqiptare janë të pranishëm edhe në aktivitete tjera të “Ditëve të Nënë Terezës”, të nisura në 26 gusht. Në këtë ditë edhe u takuan me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji,  i ardhuri enkas bashkë me bashkëshorten Dila,  Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres, njëherësh  arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, anëtari i Komisionit, Fran Marku, si dhe Tomë Paloka që do e botojë së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”…

Në 31 gusht, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i ka pritur në takim në Ipeshkvi dhe i ka shoqëruar në vizitë Katedrales  Zef Balajn, vatran i vjetër, anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që ka ardhë me bashkëshorten Lina, anëtarin e Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, si dhe Nue Balajn, nip i Zefit, që ishin së bashku.

Edhe në këto raste u theksua se shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse  në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës”  vlerësoi lart të gjitha kontributet, ndërsa takoi e falënderoi vatranët edhe gjatë koktejit.

“Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë me 5 shtator”, u shpreh Ipeshkvi Gjergji.

 

Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza bëhet në 5 shtator 2017, në ditën që është e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të shenjëtëreshes shqiptare.

 

Para një viti, në 2016-tën, shenjtërimit të Shën Nënë Terezës i parapriu Koncerti i Filharmonisë së Kosovës “Valsi Hyjnor” në Bazilikën Shën Pali Jashtë Mureve, në 3 shtator, me një përfaqësi mbarëshqiptare. Meshën e Shenjtërimit e udhëhoqi Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan në 4 shtator.  Mesha e falënderimit është udhëhequr nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, në 5 shtator.

Në 26 gusht, kur  nisën “Ditët e Nënës Terezë”  në mbrëmje feste e programi kulturor me këngë klasike dhe recitim të poezive dhe uratave të Nënë Terezës në Katedrale u hap edhe një ekspozitë e autorit Sakip Imeri e fotografive dokumentare që nga vënia e gurthemelit të Katedrales në Prishtinë.

Pjesë e veprimtarive është edhe ekspozita me fotografi e dokumente “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”, e cila është hapur në Bibliotekën Kombëtare në kryeqytetin e Kosovës, me bashkëorganizim të Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Ipeshkvisë së Kosovës.

Nën një nga fotografitë e ekspozitës lexojmë: “Gonxhe Bojaxhiu nxënëse në shkollën fillore shqiptare të Shkupit, në vitin shkollor 1922/1923”.

Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016).

Në 10 dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja,  Nëna Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”

 

Biografi i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji,  Vikar Gjaneral i Ipeshkvisë së Kosovës, ka shkruar: “Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu? Bija e Kolë Bojaxhiut, me prejardhje nga Prizreni, dhe Drane lindur Bernaj – Bojaxhiu, nga Novosella e Gjakovës, por edhe më tepër bija e krishterimit tonë dymijëvjeçar, e  traditës, kulturës dhe martirizimit të popullit shqiptar….

Kush ishin prindërit e saj? Kolë Bojaxhiu (1872-1919) ishte tregtar i njohur, ndërtimtar, muzikant, poliglot, patriot i shquar, por mbi të gjitha bamirës dhe babë i shumë të varfërve të Shkupit dhe të rrethinës. Angazhimin e tij për drejtësi dhe barazi e pagoi edhe me jetë,  si duket qe helmuar në Beograd, sepse i mbronte të drejtat themelore të njerëzve të pambrojtur, sidomos të shqiptarëve.

Drane Bojaxhiu (1889-1972) ishte grua e mirë, shtëpiake e kujdesshme, nënë e zellshme dhe shumë e përshpirtshme, shpirt dhe zemër për çdo nevojtar, edukatorja e parë e Gonxhe Bojaxhiut.

Familja Bojaxhiu pati edhe dy fëmijë të tjerë: Lazër Bojaxhiu (1905-1981) dhe Age Bojaxhiu (1908-1973)”.

“Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujtonte fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, Kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, nga takimi i parë në vitin 1975, në një bisedë ekskluzive që kam zhvilluar në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, në qershor 2010

“Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë… Kur i tham se jemi nga Kosova, Nëna Tereze menjëherë u shpreh shqip, duke treguar se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakoshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët…”, tregonte Zefi.

Ai tregonte se me Nënën Tereze është takuar edhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”.

Po ashtu, Zefi tregonte  se me Nënën Terezë ka pasur 3-4 takime edhe në Romë.

“Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë…”, shprehej Zefi, derisa bisedonim në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralën në ndërtim në Prishtinë…

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

Katedralja në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Shqiptarët në Festën e Shugurimit, të Shenjtërores

Për figurën e Skënderbeut dhe seriozitetin tone të munguar

September 3, 2017 by dgreca

1 akri Cipa

Nga Akri Çipa/Nju Jork/

Çështja e trajtimit të figurës së Skënderbeut, e ngritur rishtazi në diskursin publik për arsye të ndryshme dhe shpeshherë të palidhura me njëra-tjetrën, megjithëse mund të duket anakronike në pamjë të parë, është tejet e rëndësishme për Shqipërinë e ditëve tona. Pikërisht prej këtij fakti ajo është një çështje që duhet trajtuar me seriozitet dhe, mbi të gjitha, përtej patetizmave nacionaliste dhe ndasive artificiale.

Skënderbeu është figura më përbashkuese e një populli të vogël por me diferenca të mëdha. Ndërmjet shqiptarëve ekzistojnë diferenca të theksuara kulturore ndërmjet atyre që jetojnë në Shqipëri dhe atyre që jetojnë në Kosovë. Ekzistojne ndasi ndërmjet veriut dhe jugut të vendit. Ekzistojnë diferenca të qënësishme në bazë të përkatësisë qytetare, bindjeve politike, historive familjare. Sikurse, në kohët e fundit, ka filluar të theksohet edhe diferenca fetare. Por, përtej këtyre elementëve përçarës, jemi një komb që ka ditur të qëndrojë bashkë, qoftë edhe në kohërat më të errëta. Dhe aftësinë për të qëndruar bashkë nuk e kemi fituar vetvetiu, por e kemi si pasojë e një procesi të gjatë formues dhe përbashkues.

Në këtë proces përbashkues elementët më dominantë janë gjuha shqipe dhe, jam i bindur për këtë fakt, figura e Skënderbeut. Gjuha për arsye se, që në gjenezë të kohërave, është ura e komunikimit ndërmjet individëve me njëri-tjetrin dhe me komunitetin. Figura e Skënderbeut për shkak se pozicionon një histori të përbashkët dhe identitare ndërmjet shqiptarëve të të gjitha krahinave, evidenton një filiz identiteti europian në një periudhë ku historia e rajonit mëtonte drejt shtypjes së këtij identiteti dhe është një gurthemel i qënësishëm i trajtëformimit të shtetit shqiptar duke përbërë rastin më të shkëlqyer të tejkalimit të tribalizmit.

Duke mos patur çfarë t’i bëjnë gjuhës shqipe, anonimë tastierash, por edhe persona me peshë në diskursin tonë shoqëror, kanë shënjestruar shpeshherë figurën e Skënderbeut për të vënë në pikëpyetje identitetin shqiptar. Problemi i çmitizuesve të figurës së Skënderbeut është se gjithmonë e anashkalojnë faktin që vlera e tij është tek figura. Për shkak se nuk dëshirojnë ta sulmojnë direkt figurën e tij, revizionizmin e tyre e nisin tek jeta e Gjergj Kastriotit. Kështu, kanë vënë në dyshim origjinën e tij, synimet strategjike të tij, vërtetësinë e luftës së tij ndaj Perandorisë Osmane dhe kanë mëtuar të ngrejnë hipoteza të rrezikshme për të supozuarën luftë fetare.

Gjykoj që popujt duhet të kenë gjithmonë guximin të përballen me të vërtetat historike. Por, në këtë rast, nuk bëhet fjalë për një lloj të vërtete që do të na bëjë të lirë. Zhurmnaja që ngrihet herë pas herë është ose rezultat i provokatorëve dhe historianëve auto-didaktë, ose kryqtarëve çmitizues të figurës, të cilët nuk nisen me idenë e gjetjes së të vërtetës historike, por me qëllimin e vetëm të demontimit të figurës.

Që figura e Skënderbeut është glorifikuar mbi figurën reale të tij, kjo është e pamohueshme. Përtej Marin Barletit dhe biografëve të hershëm të Skënderbeut, rilidasit u kujdesën për këtë fakt. Por, ky mitizim, nuk ka qënë ndonjëherë i dëmshëm. Përkundrazi, sikurse e thashë dhe më parë, ishtë një lartësim që ndikoi në themelimin e shtetit shqiptar. Të gjitha lëvizjet shtetformuese në Ballkan dhe më gjerë kanë shfrytëzuar lartësimin e figurave historike për të pasqyruar bashkimin kulturor dhe historik të krahinave të ndryshme brenda një elementi të unifikuar shtetëror.

Skënderbeu nuk duhet të ketë dhe nuk ka nevojë për kult. Por, bashkë me Ismail Qemalin, ai mbetet figura më përcaktuese e shtetit shqiptar. Më shumë se aq: Skënderbeu i jep një dimension historik Shqipërisë. Një dimension të cilin vendet përreth nesh përpiqen dëshpërimisht ta krijojnë në mënyrë fiktive. Ndërkohë që Shqipëria e ka në mënyrë të patjetërsueshme. Në fakt, edhe vetë revizionistët e historisë nuk e mohojnë dot figurën dhe dimensionin historik që Skënderbeu përfaqëson dhe prandaj përpiqen thjesht të deformojnë elementë të vegjël karakterizues dhe e kontekstualizojnë në mënyrë dashakeqe.

Në vazhdën e këtij serioziteti të munguar ishte dhe debati i ngjallur prej raportimit të mediave online për mbulimin e statujës së Skënderbeut ditën e djeshme. Thuajse të gjithë besimtarët myslimanë të gjendur në atë shesh nuk e vënë në dyshim qënësinë e Skënderbeut si hero kombëtar dhe mëvetësine unitare të figurës së tij. Fatkeqësisht, në debatin e ngritur, qoftë në mënyrë naive, qoftë në mënyrë tendencioze, ky fakt u vu në dyshim. Ajo çfarë duhej diskutuar realisht në atë situatë, ideja nëse elementët përbashkues dhe laikë ishin mbuluar për shkak të riteve fetare, u la në harresë. Sikurse pritej, gjithë trumpetuesit online dhe jo vetëm e futën debatin në hulli sa qesharake, aq edhe destruktive.

Sikurse e thashë në fillim, trajtimi i figurës së Skënderbeut nuk ka nevojë për patetizma. Ai nuk ka nevojë për të patur një vit të përkushtuar ndaj tij. Ai nuk ka kurrfarë nevoje. Jemi ne si shoqëri të cilët kemi nevojë të ndërgjegjësohemi për vlerën identitare që përfaqëson Gjergj Kastrioti. Nuk mund t’u fshihemi të vërtetave historike dhe duhet të përballemi me to. Por, të vërtetat historike nuk vijnë nga provokatorë të rëndomtë. Ndaj këtyre individëve duhet të sillemi me indiferentizmin që meritojnë. Fatkeqësisht, ngaqë nuk kemi ende një diskurs të shëndoshë publik, shpenzojmë tepër kohë duke ndjekur rrjedha fiktive dhe, mbi të gjitha, të padobishme dhe të pavlera të cilat thjesht na largojnë nga e vërteta. Kjo është mungesa e seriozitetit që duhet ta tejkalojmë.

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Çipa, dhe seriozitetin, Për figurën e Skënderbeut, tone të munguar

Histori e shkurtër e ”Një jetë…disa histori”

September 3, 2017 by dgreca

NGA MARJANA BULKU/

1 Marjana doktoresha

Eshtë pothuajse katër vjecare kjo historizë por mbart kaq shumë emra, personazhe,problematikë saqë natyrshëm më nxit të jem falenderuese që këtë komunitet të gjallë dhe aktiv media arrin ta përjetësojë duke jua transmetuar edhe brezave.1 Mali

Dhe keshtu ka ndodhur në fakt, atë maj kur promovohej Charld Telford Erickson në Vatër me autor Mal Berishën , pikërisht aty do të nisnin kontaktet e para me televizionin Albanian Culture TV, me kronikat e pafundme mbi festat dhe gëzimet, tubimet dhe promovimet, sukseset dhe vështirësitë që janë sfida që jo pak herë i bëjnë bashkë shqiptarët e Amerikës.2 Marjana regjNdodh që në momente të tilla të takosh miq që koha të bën ti njohësh pak nga pak e të mbeten të tillë përjetë.Dy bashkëthemeluesit e televizionit Albanian Culture Mimoza dhe Adem Hasanbelliu kishin ndërtuar jo vetëm një arkiv shumëvjecar por edhe kushtet për ti dhënë jetë lirisë time krijuese e cila ishte ndërprerë në kulmin e vet në atdheun tonë të dashur. Ata atëherë nuk e dinin këtë, nuk e dinin as që fjala mua më kishte mbetur në gojë , e pathënë, e gjallë, por në humnerën e harresës.1 Me Tinken Ata nuk e dinin atëherë këtë, ata thjesht i besuan zërit tim dhe më thanë:krijo, cfarë të duash ndërto! Ndërkohë unë kisha ndjekur arkivate tyre plot, kisha ”takuar” personazhe që edhe pse me mundim ia kishin dalë në botën e lirisë e cila është kaq e pafundme dhe pa njerëzit me guxim dhe iniciativa do të ishte kaq bosh.Pa kuptuar isha futur nëpër atë galeri të pasur kulturore, historike, politike ku grupime dhe individë kishin mundur të ndërtojnë lidhjet Kosovë, Shqipëri, Mal I Zi, Maqedoni e ku ti nuk pyet prej nga je pasi merr përgjigjen ”jam shqiptar”. Kuptova se Shqipëria jonë e vogël këtu është kaq e madhe, e një gjuhë, himn e flamur nuk janë thjesht simbole, janë dashuri, janë detyrim, janë vlera që na bashkojnë jo për force nacionalizmash por me shpirtin e përmallimit që vetëm kur ikën prej atdheut mundesh ta kuptosh vërtet. Me kohë kuptova se  pse një artist si Adem Belliu e ktheu shtëpinë e vet në Vatër të kulturës Shqiptare dhe pse një bujare si Mimoza ia ka vënë në dispozicion këtij televizioni kohën e vet dhe madje edhe dy fëmijët e vet te mrekullueshëm Vera dhe Gerti Belliu .Intelektualizmi nuk është thjesht një diplomë universitare, është një vullnet që s’ndalet, është një mision përtej detyrës dhe detyrimeve. Më vonë po aty takova fisnikun Beqir Sina që as dhuna e gjatë komuniste nuk ia ka zvetënuar butësinë e zërit dhe të shpirtit, takova të palodhurin e Diellit të Vatrës panshqiptare , gazetarin editorialist nga i cili ke aq shumë për të mësuar Z.Dalip Greca.

A ia kanë/kemi dalë?!

Janë dhjetra personazhe, qindra histori, mijëra problematika të diskutuara në atë studio që nuk ka qenë vetëm e shqiptarëve të Amerikës, por e cdo shqiptari brenda dhe jasht Amerikës.Kemi ndjerë atdheun më pranë dhe i kemi përcjellë atdheut jetën tonë këtu , me sfidat dhe gëzimet, sukseset dhe emocionet që janë të pandara nga ditët tona të këtushme. Jemi bërë bashkë edhe kur kohët dhe politikat e castit na kanë përcarë sepse në atë studio cdo ditë flitet për Shqipërinë, për diasporën, për cështjet që na bashkojnë, nderojnë, përjetësojnë.

Historia e ”Një jetë…disa histori” nis me rrëfimin shumëplanësh të profesoreshë Lumi Hadrit,e cila detyrohet të lërë Kosovën në vitin 1986 por në fakt nuk e la kurrë atë sepse kurrë nuk reshti së menduari dhe së punuari për Kosovën.

Nëpër ato fillime kujtoj edhe zonjën Vera Kurti , një intelektuale që përlotet teksa flet për autizmin, këtij fenomeni me përmasa të cuditëshme të cilit ajo i është përkushtuar profesionalisht, madje edhe përmes studimesh dhe publikimesh.

Prezenca e diplomatit dhe mjeshtrit të penës dhe humorit Z.Pëllumb Kulla do të mbetet e paharruar për larminë e përvojave që solli aty, sensit të humorit dhe mesazheve të forta drejtuar politikës, komunitetit shqiptaro-amerikan me mjeshtërinë ”made in Kulla”.

E madhja doktoreshë Shpresa Xhakli dhe pse ta fsheh frymëzimi im, është një pasuri e vecantë në studio , me atë komunikim brilant, rrëfimet prekëse, përjetimet e rralla dhe plot ngjyra jete ku emocionet jetësore mbartin edhe ngjyra trishtimi e gëzimi që Xhakli jonë i rrëfen aq bukur me lotët që i qeshin dhe që i qajnë.

Në Albanian Culture TV rinia ka qënë jetë dhe vitalitet, kjo është ndjerë jo vetëm nga prezenca e tyre por edhe nga energjia që të rinjtë edhe pse të edukuar në USA kanë për vendin ku u lindën të parët e vet Classmate forever dhe Zamane Bodini me Lendita Hoxhën , vajzat e mencura dhe humane që i dhanë dritë e bukuri ciklit ”Një jetë …disa histori”. Po kështu Granit Limani , djaloshi kosovar përpara të cilit ti thua…”sa me fat është ai shtet i ri me bij kaq të zgjuar”!

Personazhet sa vijnë dhe shtohen, natyrisht duke pasuruar komunikimet tona me të gjithë brenda dhe jasht studios.Disa komunikime u shndërruan në kujtime të paharruara…kujtoj të madhin kantautor dhe producent artistin Adi Hila, disa komunikime do ishin frymëzim dhe motiv për të ecur përpara nëpër kohë dhe me cilësi ,kam parasysh Ambasadorin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar në atë kohë Zotin Mal Berisha dy herë i pranishëm në studion tonë.Ka patur edhe personazhe që janë hite nëpër komunitetet ku jetojnë dhe prezenca në studio është nderim reciprok si psh Kampioni i botës ne kick boks Ismail Keta.Zonja Ruki Kondaj autore dhe zbatuese e Ligjit për Trashëgimninë kulturore në Parlamentin e Ontarios. Kështu televizioni shkoi përtej komunitetit të shqiptarëve të Amerikës por duke përcjellë kontribute dhe vlera mbarëshqiptare ,ato të humanizmit, historisë dhe traditës, këtyre vlerave që rrojnë më gjatë se njeriu.

Nuk ka qenë e lehtë ,jo jo aspak e lehtë për mua të udhëtoja drejt asaj studioje , kush i din distancat që na ndajnë e kupton vetë mundimin prandaj unë po i shmang komentet e tepërta në këtë rrëfim rrëfimesh, por dua të kujtoj  verën 2015 kur ime më pësoi një goditje në tru, për fat i mbijetoi, por për mua ishte aq e vështirë ti rikthehesha rrëfimeve të jetës kur jeta e njeriut tim aq të shtrenjtë ishte në rrezik. Mimoza dhe Ademi më ftuan të shkonim te Pirro e Pavlina Mani…si mund t’u thoja jo. Ne ishim rritur me filmat e tyre.Shqipëria komuniste nuk na la asgjë tjetër trashëgim përvec kinemasë, me hijet dhe drithijet e veta .Atë fund vere times plot kalvare po shkonim drejt një ikone me histori pafund Pirro Mani. Në atë familje ku arti frymon art duke filluar që nga lulet në oborr, pikturat në mur,bisedat që nuk shterrojnë e deri te bujaria e aristokrates së skenës dhe familjes Pavlina Mani, ti mund të pohosh që jeta është një trajektore që duhet tia ndjekësh me sy ,me shpirt, me penë, me foto,me dashuri, cdo kilometër.

Sa jetë japin rrëfimet e Gjilberta Lucës, Pranvera Cobës, Luka Hajdinit…aq sa kur vijnë ato në studio duket sikur edhe muret këndojnë.

Nuk e kemi lënë jasht vemendjes as politikën megjithëse unë e quaj aksident…Aleksandër Mici , një republikan dinjitoz, Profesor Shenasi Rama , një shkollë e opozitarizmit, Grid Roi që analizon ftohtësisht politikën edhe pse mbetet i dashuruar me folklorin , Mimoza Hajdarmataj një tregues simbolik se si nganjëherë parlamenti i Shqipërise pati edhe fisnike si ajo.Profesor Enea Janko ishte aty duke folur për politikat ekonomike ,ato që do mund ta ndihmonin Shqipërinë në ditët e vështira.
Në atë studio ndodh të takosh njerëz që nuk mundesh ti harrosh kurrë ,janë nga ato që nuk ndalojnë së shkëlqyeri profesionalisht por edhe përmes kontributeve vullnetare duke edukuar brezat që rriten në emigracion… Ana Kohen e Drita Gjongecaj falemnderit që ishit aty.

Revolucionaren në art, atë që ia ve vulën me mendim dhe me bojë duke e thënë hapur të vërtetën edhe kur ajo është pis ,Zake Prelvukaj  në atë studio na e solli një mik , jurist, estetik dhe fotograf, nxënës i Gjon Milit dhe Fadil Berishës, mjeshtri fisnik Ilir Rizaj i cili është një aset i cmuar i komunitetit tonë.

Unë ndalem me respekt të thellë e me një memorje të kthjellët kur kujtoj praninë e artistes së Popullit Tinka Kurti në ACTV biseda me të cilën mbart të gjitha detajet e një jete plot dhe më shpie tek një nga ngjarjet më të bukura këtu ”Festivali i filmit shqiptar” me organizator Artiot Myrtaj, djali i talentuar prej Kosove që kosovës i thurr film.

Merita Halili e Raif Hyseni dy artistët që nderojnë cdo mjedis e kudo ku janë ato këndohet shqip, janë ato që i dhanë liri edhe muzikës shqiptare duke e shndërruar në subjekt dhe lëndë të programeve universitare…e kështu ”Një jetë …disa histori” përcjell falenderimet në emër të një komuniteti ,aktiv apo pasiv, gjërat që ndodhin përreth nesh janë edhe në këtë studio modeste.

Janë shumë shkrime e publikime, botime e promovime që rigorozisht drejtohen nga e talentuara Raimonda Moisiu,kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, ajo që ka një ftesë përherëv -on- nga unë ,por Veneta Callpani  e Pierre Semsia ia kanë transmetuar më së miri punën sistematike nëpërmjet ACTV si një thesar mendimi i publikuar apo  që do ti shkojë lexuesit.

Nuk e kam shmangur dot lokalizmin edhe pse në një vend të madh si Amerika, nje dobesi apo cilesi kjo …nuk di , Dibrës time të vogël kam dashur ti bëj pak vend përmes zërit të Vera Lacit e rapsodive të Sherif Dervishit sepse Albanian Culture është mjeshtre në bujari dhe model në mikpritje. Këtë kemi dashur të mbajmë gjallë, atë cka na nderon pse te mos e amplifikojme?!.Duke qenë se vij nga një trevë e varfër materialisht por e pasur në histori shpesh pohoj me bindje se pasuri për ne janë njërëzit dhe historitë e tyre.Dhe kjo formule ka vlere edhe per shqiptaret e Shqiperise se vogel ne Ameriken e madhe. Le ti bëjmë bashkë ato.

Janë shumë e do jenë akoma më shumë… që të gjithë miq të ekranit të kulturës shqiptare, erdhën e do të vijnë aty për të mbetur të përhershëm në kujtesën vizive, atë të mendimit dhe problematikës.Dhe sapo ata largohen unë pohoj përsëri ;Po, jeta është një trajektore që duhet tia ndjekësh me sy ,me shpirt, me penë, me foto,me dashuri, cdo kilometër.

Filed Under: Emigracion Tagged With: 20 vjet, albanian culture tv, Marjana Bulku, nje histori

Shpirtërisht jemi në Prishtinë

September 3, 2017 by dgreca

Shpirtërisht jemi në Prishtinë te Katedralja “Shën Nënë  Tereza”/

1 Thanas Dom Lushi1 Gezuar ThanasThanas & Julia Gjika/

Më 5 shtator përurohet në Prishtinë Katedralja “Shën Nënë Tereza”, një godinë kulti madhështore me dimensione dhe bukuri të kishave të Rilindjes europiane. Në gushtin e vitit të kaluar patëm fatin të vizitonim Prishtinën. Natyrisht të shkosh në Prishtinë dhe të mos vizitosh këtë katedrale është një neglizhencë e pafalshme. Eshtë si të shkosh në Romë e të largohesh pa vizituar katedralen e Shën Pjetrit.

Katedralja “Shën Nënë Tereza” është ndërtuar në qendër të kryeqytetit të Kosovës. Kurse monumenti i saj, realizuar prej skulptorit Vasil Rakaj, ndodhet anës shëtitores “Nënë Tereza”, pranë hotelit “Ilyria”. Ky hotel ishte rikonstruktuar si hotel modern prej biznesmenit Pacolli.

Ditën e parë takuam disa nga kolegët, profesorët Sadri Fetiu, Agim Vinca, Isak Shema, Xhemil Byryci dhe Abdyl Kadolli me të cilët vizituam Institutin Albanologjik, Bibliotekën Kombëtare dhe Fakultetin Filozofik. Drekuam së bashku dhe kujtuam kohën kur ishim njohur në Tiranë.

Në mbrëmje, unë me bashkëshorten time, poeten Julia Gjika darkuam së bashku me Monsinjor Dom Lush Gjergjin dhe familjen e të ndjerit profesor Engjëll Sedaj.

Bisedat ishin mbresëlënëse me të dy grupet. Këmbyem librat që kishim botuar vitet e fundit. Kur kërkuam të vizitonim Katedralen e re, Dom Lushi na sugjeroi të shkonim të nesërmen, sepse ditën shihen më mirë bukuritë e saj. Dhe vërtet, kur shkuam të nesërmen u mahnitëm. Shtylla prej gurësh mermeri të skalitura e lëmuara të krijonin përshtypjen se ndodheshe në ndonjë katedrale të kryeqyteteve të Europës Perëndimore. Aty e kuptuam se dhuratat monetare të shqiptarëve katolikë të Kosovës dhe të diasporës nga SHBA-të, Gjermania, Zvicra, Kanadaja, etj ishin shpenzuar me maturi dhe art. Dom Lushi na shpjegoi pikturat, arkitekturën dhe gjithë bukuritë e katedrales. Na fali dhe nga një broshurë me fotografi e tekste shpjeguese. Edhe pse ende vijonin punimet në disa ambjente, brenda katedrales sundonte një atmosferë shenjtërie, që të ngjallte respekt e dashuri për Zotin dhe shenjtoren tonë Nënë Tereza.

Kur hipëm me ashensor në majë të këmbanores pamë gjithë qytetin e Prishtinës. U mahnitëm me shtrirjen e tij, ndërtesat e bukura nga të gjitha anët. Prishtina kishte marrë pamjen e një kryeqyteti të vërtetë europian.

Na erdhi keq që nuk mundëm t’i përgjigjeshim ftesës së Monsinjor Dom Lush Gjergjit për të shkuar këto ditë e për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të kësaj katedraleje madhështore. Le të shërbejë ky shënim e këto foto si shprehje e respektit dhe e dëshirës së paplotësuar për të qena atje mes miqve tanë…

Filed Under: Komente Tagged With: jemi në Prishtinë, te Katedralja, Thanas & Julia Gjika

Shugurohet katedralja e Shën Pjetrit në Tivar

September 3, 2017 by dgreca

TivarTivari41 Ipeshkve TivKisha Katolike në dioqezën e Tivarit, në Malin e Zi, u pasurua te Dielen me 3 Shtator , me një katedrale: është ajo e Shën Pjetrit. Në orën 11.00, meshën e rastit e kremtoi kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj, në praninë e ipeshkvit të nderit, imzot Zef Gashi, nismëtar i rindërtimit të katedrales, dhe  të ipeshkvijve të tjerë, të meshtarëve e besimtarëve katolikë. Kujtojmë se fondet për ndërtimin e kishës u siguruan edhe nga bashkësitë e emigrantëve, të shpërndara nëpër botë.

Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe shume shqiptarë të Amerikës, të cilët janë donatorë të ndërtimit të kësaj Katedraleje. Hollesi do te sjellim ne gazeten ne print.2 Marjani me grupin21271173_1309022042539746_2720464554715506844_n

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Imzot Gjollesha, Kaedralja e Tivarit, Shugurohet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT