• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2017

Pozita e krijuesit shqiptar në diasporë

September 25, 2017 by dgreca

1 Anton Marku 2Nga Anton Marku/

Vjenë, 25 shtator 2017/Krijuesit bëjnë pjesë në grupin më deficitar por dhe më elitar dhe avangard të komunitetit shqiptar në diasporë. Profili i tyre është specifik ndaj kërkon një çasje tjetër shoqërore dhe institucionale nëkrahasim me pjesën tjetër të komunitetit.  

Përgjatë migrimit masiv të shqiptarëve drejt perëndimit, sidomos në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, kryesisht në shtetet gjermanofolëse të Evropës u vendosën edhe një pjesë e intelektualëve, të cilët në vendet e tyre të origjinës ishin marrë me veprimtari krijuese dhe tashmë kishin bërë një emër. Disa prej tyre kishin botuar libra, të tjerët ishin bërë të njohur në fushën e muzikës, aktrimit, arteve pamore e të ngjajshme. Por, në një ambient të ri dhe të huaj, në të cilin pothuajse gjithçka duhej të fillonte nga e para, arti detyrimisht do të duhej të priste ditë më të mira. Në këtë rast do të fokusohemi tek roli dhe rëndësia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në mbatjen gjallë të shpirtit artdashës jashtë mëmëdheut.

Prapavija

Me themelimin e Lidhjes së Shkrimtareve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në vitin 2011 krijuesit shqiptarë në Austri arritën të kenë një adresë të tyre, një emër, një shenjë dalluese, një ‘‘kulm mbi kokë’’, qoftë ai dhe virtual. Lidhja u vu në jetë nga entuziazmi i themeluesve të saj dhe për një periudhë të shkurtër kohore arriti që të identifikojë dhe anëtarësoj mbi 30 krijues/e nga të gjitha rajonet e Austrisë. Në dy vitet e para të veprimtarisë së saj u organizuan më se 20 orë letrare në gjuhën shqipe, dhe ate jo vetëm në Vjenë, por dhe në Linz, Graz, Salzburg, Wiener Neustadt, Baden, Kapfenberg, Knittelfeld, etj. Nga viti 2013 orët letrare mbahen në të dy gjuhë, atë shqipe dhe gjermane. Që nga ajo kohë anëtarët e Lidhjes botuan mbi 40 libra individualë, ndërsa u publikuan edhe dy antologji të përbashkëta, po ashtu në të dy gjuhët ‘‘Illyrcum 1’’ dhe ‘‘Illyricum 2’’. Në anën tjetër u vendosën dhe thelluan kontaktet dhe bashkëpunimi me Shoqatën e Shkrimtarëve të Austrisë, PEN klubin austriak, Shoqërinë Austriake për Letërsi, shtëpi botuese, institucione shtetërore, organizata qeveritare e joqveritare, autore dhe autorë austriakë dhe të huaj, etj. Disa nga anëtarët e Lidhjes tashmë janë pranuar si anëtarë të rregullt në këto subjekte me renome kombëtare e ndërkombëtare.

(Mos)mbështetja

Anëtarët e Lidhjes ‘‘Aleksandër Moisiu’’ ofrojnë punë vullnetare, pa asnjë kompenzim financiar. Falë dashamirësisë së disa sponzorëve Lidhja ja ka dalur që të mbijetojë financiarisht. Por, në raport me numrin e madh të biznesve shqiptare, sidomos në qytetin e Vjenës (mbi 150), numri i atyre që shprehin dëshirën dhe vullnetin për të ndihmuar këtë subjekt është tepër i ulët. Një pjesë e këtyre biznismenëve të vetquajtur i nënçmojnë, përbuzin e dekujajojnë krijuesit duke mos fshehur dëshirën që ata para tyre të shëndrrohen në lypës që shtrijnë dorën. Ashtu siç dhe zakonisht ndodhë në jetë: Ata që kanë më shumë japin më pak. Shpesh dhe aspak. Megjithatë, edhe pse në shikim të parë mund të duket se krijuesit tanë në Austri gëzojnë një respekt të posaçëm në komunitet, kjo për fat të keq nuk reflektohet edhe tek pjesëmarrja në aktivitetet  e organizuara, blerja e librave, revistave, pikturave, skulpturave, etj. Ky respekt ka më shumë karakter deklarativ se sa praktik. Fitohet përshtypja ata që e duan kulturën, sidomos letërsinë, nuk po ja dalin që ta dëshmojnë këtë, ndërsa ata që nuk e duan nuk po arrijnë që ta fshehin këtë fakt.

Nonsenset mërgimtare

Në një situatë normale do të pritej që elitat (artistët, mjekët, inxhinierët, arkitektët, politologët, juristët, ekonomistët, etj) të jenë në ballë të proceseve, ndër të tjera edhe të atyre për mbatjen gjallë të gjuhës shqipe në diasporë. Për fatin e hidhur, kjo pjesë e komunitetit tonë në mërgim është, me pak përjashtime, pjesa mëpasive, më e fjetur, më e painteresuar dhe më e paangazhuar në këtë proces. Janë mu këta që më së paku marrin pjesë në orët letrare, promovimet e librave, ekspozitave, shfaqjeve teatrale apo koncerteve tëmuzikës klasike. Këtyre nuk u mbeten shumë prapa për nga mosaktivizimi as studentët shqiptarë në Austri.

Letërsia në mërgatë

Sa dhe si shkruhet gjuha shqipe në diasporë?

Me shumë pak përjashtime ajo shkruhet pak, dobët dhe keq, pa përdorim të standardeve elementare, me gabime të shumta ortografike, drejtshkrimore dhe logjike. Pa pikë, presje, apostrof apo thonjëza. Të njëjtën gjë e bëjnë, dhe atë me shumicë, edhe disa gazetarë të vetshpallur në mërgatë, të cilët botojnë artikuj nëgazeta të ndryshme pa përfilluar pothuajse asnjë rregull gjuhësor. Sa i përket letërsisë që krijohet në diasporë ajo është kryesisht patriotike, nacionaliste, populliste, politike e me tone melankolike, e cila shumë rrallë ja ka dalë të lirohet nga historia, temat e luftës dhe nostalgja për ‘‘kohërat e vjetra’’. Ajo po ka vështirësi që të transformohet, reformohet dhe adaptohet me trendet që sot po ndodhin në letërsinë bashkëkohore, e cila sot shkruhet shkurt, qartë, është më dinamike, më reale, prezize, shumëdimensionale, më e hapur dhe më progresiste.

Ka dallim, madje të madh, mes autorëve të librave dhe shkrimtarëve. Jo gjithçka që shkruhet meriton dhe të botohet. Numri i veprave të publikuara nuk e bën autorin automatikisht shkrimtar. Atë e bëjnë vetëm vlerat e veprës, për cilësinë e të cilëve fjalën e fundit e ka kritika dhe lexuesit. E kundërta e kësaj janëpoetët e facebook-ut që komentojnë çdo ditë njëri-tjetrin. Aty postohen edhe poezi të pa artikuluara artistikisht, pothuajse monotone. Të rralla janë ato të stilit modern, me rrjedhë dhe harmoni mes mendimeve, fjalëve, rreshtave e vargjeve. Do të ishte një kombimim i përkryer nëse ata do të posedonin dhe talentin po aq sa e kanë vullnetin.

Në lidhje me këtë mund të konstatohet se kualiteti i letërsisë që ‘‘prodhohet’’ në diasporë nuk është ai që do të duhej të ishte. Me përjashtime të rralla, temat nuk përpunohen aq sa duhet, figurat letrare si metaforat dhe simbolet përdoren vend e pa vend, veprat nuk shquhen për ndonjë thellësi mendimi, narracion, meditim refleksiv apo mesazhe të qëlluara, unike dhe origjinale. Në këtë lloj letërsie dominon poezia, pastaj proza e shkurtër. Esej, drama apo romane botohen në numër të papërfillshëm. Në përgjithësi mungojnë edhe konkurset letrare, të cilët autorëve do t’u mundësonin që të sprovoheshin në konkurencëme njëri-tjetrin. Po ashtu ka pak apo aspak botime gazetash e revistash periodike e as kurse shkrimi. Për kritikë të mirëfilltë letrare as që mund të bëhet fjalë. Edhe vështrimet/rezencionet që shkruhen janëkryesisht me elemente pozitive, madje dhe superlative, edhe atëherë kur vepra nuk i plotëson kushtet minimale të botimit. Ka pak sjellje të reja apo emra të rinj. Sidoqoftë, disa autorë shqiptarë po ja dalin qëedhe të përkthehen në gjuhën gjermane apo dhe në gjuhë të tjera.

Racionaliteti kulturor  në këtë rast do të mund të vinte në pah faktin se krijuesit nuk duhet doemos të ju shërbejnë shteteve apo kombeve. Ata duhet të jenë të lirë që të vënë në pikëpyetje dhe t’i vështrojnë me sy kritik këto konstrukte shoqërore por edhe lirinë, drejtësinë, idelogjitë, religjionet dhe fenomenet tjera si këto. Ata nuk duhet të jetojnë nga shkrimet e tyre, por të jetojnë për të shkruar.

Sa po lexohet?

Duke ditur se po jetojmë në epokën në të cilën individualizmi dhe egoja personale janë duke u etabluar si alternativë ndaj socializimit dhe solidaritetit ndërnjerëzor, mund te thuhet lirisht se sot po lexohet pak, shumë pak, edhe pse librat, për fat të mirë, nuk mungojnë e as çmimet e tyre nuk janë të papërballueshme për xhepin e mërgimtarëve.

Përfundim

Pozita e krijuesit shqiptar në diasporë në përgjithësi e në Austri në veçanti nuk është e lehtë. Edhe pse një pjesë e vogël e tyre i’a ka dalur që me sukses të gjej vendin që meritojnë në skenën kulturore të shteteve ku veprojnë, pjesa më a madhe e tyre është lënë në mëshirën e vetvetes, në udhëkryq krijues dhe në kërkim të identitetit artistik. Megjithatë, një numër i tyre po i’a del që të ballafaqohet me sfidat që u dalin përpara në rrugën e përfaqësimit sa më dinjëtoz të gjuhës, kulturës dhe artit shqiptar në botë.

Ajo dhe është jeta e tyre. Tjetër nuk kanë. As që kërkojnë.

Autori është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ 

Qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë personale

Filed Under: Emigracion Tagged With: Anton Marku, e krijuesit shqiptar, ne diaspore, Pozita

GAZETA “VULLNETARI” DHE TRUPAT VULLNETARE TE VATRËS

September 25, 2017 by dgreca

GAZETA “VULLNETARI” NE AMERIKE ME BOTUES KOL RODHE DHE TRUPAT VULLNETARE TE VATRËS/

1 aqif Permeti

* Aqif Përmeti,(i pari ne foto) ish Menaxheri i Diellit, Komandanti që stërviti Trupat Vullnetare të Vatrës në SHBA dhe i shoqëroi në Shqipëri,- u shpërblye duke u pushkatuar nga Diktatura Komuniste….

2 Kole Rodhe
– Vatrani Kole Rodhe(Foto e dyte), ish Kryetari i Besa-Besën më 1908, themelusi dhe botuesi i Gazetës”Vullnetari”, ish Luftëtari i Cetave patyriotike të Korcës, ish deputeti i Parlamentit Shqiptar, ish Prefekti i Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës, vdiq në Burgun e Burrelit….

4 gazeta Vullnetari

NGA DALIP GRECA*/Botoi Gazeta”DIELLI” SHBA

Gazeta “Vullnetari” ishte një tjetër pioniere e shtypit shqiptar në Mërgatën Shqiptare të Amerikës, që mori përsipër mbrojtjen e Shqipërisë në vitet e vështira të mungesës së shtetit. Fillimisht si një buletin informues e më pas një gazetë me pretendime profesionale ajo e kreu detyrën më së miri. Numri i parë i Vullnetarit është publikuar me 18 Shkurt 1916 në Natick-Massachusetts. Ishte e përdyjavshme, botuesi i së cilës fillimisht, në numrat e parë, nuk e shënonte emrin, por mjaftohej me shënimin:” Organ Kombëtar. Botohet dy herë në muaj- Popullore, Politike dhe Satirike. Pajtimi: Kush të dojë dhe sa të dojë.”
Në faqen e parë gazeta botoi programin, ku spikaste qëllimi i botuesit dhe mbështetësve të gazetës: Gazeta ka si qëllim të mbrojë vetëqeverimin dhe tërësinë e Shqipërisë, të forcojë Lëvizjen Kombëtare, të godasë çdo kundërshtar, që pengon Lëvizjen Kombëtare, të demaskojë publikisht para shqiptarëve intrigantët, provokatorët, dhe përçarësit, të mbajë lart nderin e atdhetarëve të shkëlqyer dhe shqiptarëve Kombëtarë etj.

DENONCIMI I MASAKRAVE GREKE

Vullnetari, që në numrin e parë denonconte masakrat e grekëve në Jug të Shqipërisë dhe vajtonte fatin e popullit të masakruar, ndërkohë që godiste fort përçarjet mes shqiptarëve, përfshi dhe tek shqiptarët e Amerikës.
Në numrin e parë Vullnetari shkruante: A e dëgjoni vajtimin e nënave shqiptarka? A e dëgjoni ulërimën e fëmijëve?Keni pak mëshirë për ata që presin dhe shpresojnë në punërat tuaja, në veprat, në shpëtimin tuaj. A është koha tani, or zotërinj, për sharje, për çpifje kundra njeri-tjetrit? Vullnetari sillte në vëmendje vargjet e Vaso Pashë Shkodranit:
Vjen njeri i huaj dhe u rri në Votër
Për me Ju turpnu me gru e me motër,
Mblidhuni ju varza, mblidhuni ju gra,
Me ata syt’ e bukur që dini me kja….
Edhe të vajtoni Shqipninë e mjerë,
Qi ka met’ e shkret’, pa emën e pa ner..
Nuk, nuk , këtë marrni kurkush s’e do…
Kët’ faqe të zezë kurkush se duron….
Editoriali i Gazetës titullohej”Kush na mpron e mprojmë dhe i jemi mirënjohës”. Në të demaskohej pabesia dhe dinakëria turke ndaj shqiptarëve, si dhe politika agresive e shteteve fqinje. Vullnetari shkruante:”Të copëtuar nga propaganda e shteteve lakmonjëse, të prishur e të djegur nga shtetet fqinje Greqia, Serbi Malziu, të shastisur nga propaganda, të lëftuar pa mëshirë nga ata që iu dhanë një shtet të krasitur dhe të pasiguruar, shqiptarët kanë lypur kurdoherë mbrojtje. Shqiptarët kanë nevojë për mbrojtje. Ata shtete që iu sigurojnë shqiptarëve jetën e Kombit, ndere dhe pasurinë e tij, le të jenë tësigurtë se do t’iu jemi “krahu i djathtë” dhe se do iu jemi kurdoherë mirënjohës.”
Në shkrimin”Shqipëria Jugore si varr i Zbuluar”, gazeta denonconte edhe politikën Europiane ndaj Shqipërisë:” Nuk qe mjaft mosvërejtja e Konferencës së Londrës për çështjen e Shqipërisë Jugore, nuk qe e mjaftë krasitja e viseve më të mira, më pjellore, dhe thjesht të shqiptarta; si Konica, Janina- Kryeqyteti i Toskërisë dhe shtrati i Pirros, Mbretit të Shqiptarëve, si Preveza-skela e parë natyrale e Shqipërisë, që padrejtësia Evropiane i bëri theror në duart e armikut, i cili me pahir dhe duke shkretuar gjithçka, po mundohet të na Ç’kombësojë….”
Artikulli me pathos komëbtar mbyllej me thirrjen:” Le të jemi të gjithë të bashkuar në Flamurin e Vatrës, që të mundim të ndalojmë çdo padrejtësi, që i bëhet Shqipërisë,t’i kundërshtojmë me hov çdo armik dhe kundërshtar, që tenton të shtjerë në robëri Shqipërinë a pjesë të saj.

KURORË GJEMBASH-KOKA E ESADIT TRI KACIDHE

Në numrin 6, publikuar me 1 Maj 1916,publikohet informacioni se Gazeta “Vullnetari” kishte për botues dhe editor patriotin korçar Kol P.Rodhe, një nga vatranët e dimrit dhe të beharit. “Vullnetari” u bë një zëdhënës i bashkimit Kombëtar, duke goditur individët apo grupet përçarëse, duke replikuar fort me grindavecët dhe të shiturit tek grekërit. Vullnetari goditi ashpër me artikuj, poezi, karaikatura Esad Toptanin dhe ndjeksit e tij, duke i cilësuar si tradhëtarë të Kombit. Numri i dytë i gazetës, i publikuar me 3 Mars, hapej me Esatin: ”Kurorë Gjembash- Koka e Esatit Tri Kacidhe”, ku i numëroheshin të gjitha prapësitë që kishte bërë Esati në dëm të çështjes shqiptare: Që nga tradhëtia e Shkodrës, i propozuar si princ i Shqipërisë nga ana e Serbisë, Malëziut(Malit të Zi) dhe Greqisë, organizator i kryengritjeve në Shqipërinë e Mesme, i dëbuar prej Mbretit(Princ Vidit), i blerë prej Italisë, i marrëveshur me Greqinë(me ndërmjetësinë e Italisë) për rënien e Korçës në duart e grekëve dhe shumë tardhëti të tjera, që numëroheshin prej Vullnetarit dhe që në mënyrë të pamëshirshme e damkoste si tradhëtar…”Ky njeri në vend të kurorës me dafina, meriton kurorë gjembash”, arrinte në përfundim gazeta.
Vullnetari nisi botimin edhe të karikaturave kundër Esatit dhe botoi poezi satirike si:

DERA E TOPTANIT

Nga dera e toptanit
Dolli një egërsirë,
Zu këmbën e Sulltanit
Ha njerës pa mëshirë…
…………………………………….
Kombin fisnik të Skënderbeut
Kurkush se turpërovi,
Vetëm Esati, i poshtri i dhe’ut…

……………………………………………..
Nga raca e bekuar,
Raca e Kastriotit,
Dolli një i mallkuar,
Që vate kundra Zotit….

Poezia, me 10 shtrofa katërshe, nuk e kursente fjalorin e varfër të shqipes së asaj kohe.Gazeta që botohej në Natick të Massachusetts, replikoi fort ashpër me Gazetën Italiane “Corriere delle Puglia”, e cila në pjesën shqipe të numrit të saj të 1 dhe 2 shkurt 1916, shkruante një artikull fort të çuditshëm me titullin”Gegëria në dorë të Austrisë”.Vullnetari shkruan se redaktori i pjesës shqipe S. Gjika na qenkish tepër i friksuar me hyrjen e austriakëve në Shqipëri; dhe kjo s’na çudit, sa na bën të zgurdullojmë sytë, entuziazma e tij që iu jep katilave të Esatit, të lëftojnë, –thotë, burrërisht kundra armikut, se atëherë nderohen armët e Shqipërisë. Esat Pasha, shkruan z. Gjika, i deklaroi luftë Austrisë, dhe po lufton trimërisht kundra armiqëve! E pyesim z. Gjika: Austria, a është aleate e Turqisë? Si guxon t’I bjerë flamurit të Osmanllisë të cilin e ka dhe Esati? Apo e ka ndërruar?! Dhe, në e ka ndërruar, cilin ka në vend të tij? Sa për flamurin tonë(kuq e zi) e dimë se nuk e ka (se do t’I hajë mushkëritë)… Mos ka Flamurin e Serbisë? Apo të Malziut?!
Vullnetari ironizon z. Gjika: “Në të vjen keq për Esatin, shko ndihi, të marrësh dhe një plagë tjetër, si atë që more nga maja e Rashbullit…pa sa për shqiptarët, të lutemi, mos i këshillo se na vjen keq që të vriten bashkë me osmanllinjtë. Në të vjen keq për Shqipërinë dhe shqiptarët, jemi me një ngushëllim; shqiptarët, kush i mbron e mbrojnë; kush iu ndih-e ndihin, kush vritet për ta, vriten ata për të….

VULLNETARI NË MBËSHTETJE TË VATRËS, KUNDËR PËRÇARSVE

Botuesi i “Vullnetarit” mbështese punën Kombëtare të Vatrës, e cila po i dilte për Zot çështjes Shqiptare dhe ishte një avokate e fuqishme në mungesë të shtetit. Gazeta shkruan për bashkimin dhe lufton fort kundër përçarjes, kundër grupimeve. Është koha kur një grup i madh vatranësh,udhëhequr nga ish kryetari i Vatrës në vitin 1913, paralelisht edhe Editor i Diellit, Kristo Dako kritikonte ashpër, vend e pa vend Komisionin e Qendrës dhe në vitin 1917, me bashkëshorten Sevasti Qiriazi dhe mbështetësit e tyre krijuan Partinë Politike, duke i marrë Vatrës një pjesë të konsiderushme të anëtarësisë. Gazeta “Vullnetari” duke ruajtur principet e shtypit të lirë, i pasqyroi veprimtaritë e Dakos me grupimin e vet, ndërkohë që bëri edhe oponencë të fortë ndaj tij.
Në numrin e 3 Marsit 1916, gazeta botoi shkrimi”Konferenca e z. Kristo Dako në Natick, Mass”. Duke përshkruar një nga konferencat e Dakos në Natick, Vullnetari e pasqyron të plotë kronikën,natyrisht edhe fjalën e Editorit dhe botuesit të saj Kol Rodhe, i cili e kritikoi Dakon për artikullin përçarës që kishte botuar në Gazetën”Koha “ të Mihal Gramenos, ku bëheshin kritika për Komisionin qendror të Vatrës dhe hidheshin akuza të pa faktuara. Gazeta përshkruan dhe diskutimin e atdhetarit Kristo Kirka, i cili lexoi një letër që Kristo Dako ia kishte dhënë kur kishin kaluar nga Shqipëria në Europë, me lejen që ta lexonet para shqiptarëve,kurdo që ta shihte të arsyshme. Çudi, pyeti z. Kirka, dikur ne gëzonim besimin tek njëri-tjetri, ndërsa sot jo.Gazeta kritikon veprimine z. Dako, që nuk priti leximin e letrës nga z. Kirka, por shkoi para mbylljes së takimit.
“Vullnetari” u përpoq që në dy vjet e ca muaj që vazhdoi botimi, të rrokte të gjithë ngjarjet në dhe përreth Shqipërisë, të përgatiste shqiptarët e Amerikës për t’i dalë zot Atdheut, u bënte thirrje që të jepnin kontribut financiar për t’ndihë Atdheut, të mënjanonin grindjet mes grupeve e krahinave, besimeve dhe sherreve të kota.

TRUPAT VULLNETARE TË VATRËS

Ashtu si zëri i Vatrës, Gazeta Kombëtare”Dielli” edhe “Vullnetari”ia nisi herët të propagandonte nevojën e përgatitjes të Trupave Vullnetare për të shkuar në Shqipëri dhe për të luftuar për Lirinë e Atdheut të robëruar. Ishte shtruat detyrë për çdo degë të Vatrës në fshatra apo qytete e shtete,të ngrinte grupin e ushtarëve vullnetarë, të cilët duhej të stërviteshin dhe të bëheshin gati për t’u nisur drejt Atdheut me qëllim që ta mbronin nga fqinjët grabitqarë që synonin tokat shqiptare.
Sipas Gazetës’Dielli” vendimi për organizimin e Trupave Vullnetare të Vatrës ishet marrë në mbledhjen e Komisionit të Qendrës me 6 Mars 1915 me propozimin e pjestarëve të Komisionit : Kristo kirka, Kol Tromara, Nick Dishnica dhe Andrea Kristo. Pas propozimit ishte zgjedhë komisioni organizator i vullnetarëve i përbërë nga: Kristo Kirka, Kol Rodhja, Kol Tromara, Kost Chekrezi dhe Vangjel Sotiri. Komisioni qendror që udhëhiqte Vatrën në vitin 1915, kur u mor ky vendim përbëhej nga: Faslli Frashëri, Mice Bardho, Kost Isaak, Costa Th. Ratska(arkëtar), Vani Chekani(sekretar i komisionit), Loni Kristo -sekretar i Vatrës,(Noli dhe Konica ishin në Europë). Komandanti i përgjithshëm i Trupave ishet caktuar Aqif(Akif) Përmeti.
Gazeta “Vullnetari” në numrin e publikuar me 17 Mars 1916, në shkrimin redaksional”Çështja e Vullnetarëve” argumentonte domosdoshmërinë e përgatitjes luftarake të djemve shqiptaro-Amerikënë, që u thirrën Trupat Vullnetare të Vatrës, me qëllim që kur të vinte momenti të marshonin drejt Atdheut dhe këmbëngulte për përshpejtim të përgatitjes. Në artikull argumentohej se humbjet e deriatëhershme të tokave shqiptare kishin ardhë nga mungesa e një ushtrie të rregullt profesioniste dhe të organizuar atdhetarësh. Gazeta shkruante: Shqipëria ka dështuar në mbrojtjen e saj sepse në ushtri janë rreshtuar gjithëfarë tipash, përveç atdhetarëve, edhe kriminelë e plaçkitës, që nuk kishin qëllim të luftonin për Atdhenë, por për pronë e fitime. Ajo kohë duhet të mbetet e shkuar, arsyteonte editori i Vullnetarit dhe shtonte: Tani, besojmë se Trumbeta do të na thërrasë dhe nëqoftëse na gjenë të papërgatitur, të paorganizuar, atëherë nuk është faji i atyre që kanë mjeshtëri tradhëtinë dhe shkatërrimin. Gazeat u bënte thirrje të gjitha kolonive, ku jetonin shqiptarët, të nisnin përgatitjet, me qëllim që kur të binte Kushtrimi të ishin gati.
Duket se përgatitjet e trupave Vullnetare kishin nisë që në vitin 1915. Dalim Në këtë përfundim pasi në numrin e 31 Marsit të Vullnetarit, botohej një kronikë-njoftim- koment, ku flitej për Trupat Vullnetare të Bostonit. Gazeta njoftonte se me 2 prill 1916, në orën 1 e 30 minuta pasdite, Vullnetarëte Bostonit do të festonin motin e ushtrimit të përgatitjeve.Pra me 2 prill 1916, mbushej moti ç’ka nënkupton faktin se trupa Vullnetare e Bostonit ishte krijuar në Prill 1915. Gazeta ftonte të gjithë shqiptarët e Bostonit dhe rrethinave që të merrin pjesë në këtë festë Kombëtare dhe t’i uroninVullnetarët për patriotizmin e tyre.Burrat ishin të lutur që të merrnin me vete edhe zonjat dhe të festohej së bashku. Vullnetarët do të ishin të veshur me uniformat ushtrake dhe do të demonstronin disa ushtrime përpara mbledhjes. Gazeta njoftonte se adresa ishte :Vendi i përgatitjes i Trupave Vullnetare: 995 Ëashington Street, ku Vatra kishte marrë me qera një hangar të madh.
Gazeta uronte nga zemra vullnetarët e Bostonit për atë ditë të shënuar, e cila do të mbetej e paharruar. Kronika mbyllej me urimin:Dhëntë Zoti,që përsëshpejti,djmtë luftëtarë të lirisë, të venë në Shqipëri, për të mbaruar detyrën Kombëtare!
Festa u bë e madhe. Trupat vullnetare të veshura me uniforma të rregullta parakaluan përmes thirrjeve entuziaste të shqiptarëve dhe të amerikanëve që ksihin mbushur dy anët e rrugëë, edhe pse koha ishte me shtërngatë shiu.Banda muzikore shoqëronte parakaluesit.

FLAMURI KOMBËTAR ÇANË RRUGËT E BOSTONIT

Sipas gazetës mësohet se Trupat Vullnetare ishin krijuar pranë degëve të mëdha të Vatrës. Kështu psh në një shkrim polemik të botuar në faqen e parë të Vullnetarit të 20 Mjait 1916, shkruhet se pranë degës së South Bridge ishin grumbulluar 62 Trupa vullnetare. Në atë kohë Vatra kishte rreth 80 degë.
“Vullnetari i kushton rëndësi të veçantë përgatitjes së ushtrisë së organizuar. Krahas përgatitjes të Trupave Vullnetare, gazeta nxit shqiptarët që të shkojnë në shkollë ushtarake për t’u përgatitur si oficerë sepse Atdheu ka nevojë. Në një njoftim të publikuar në Faqen e parë të numrit të 19 Korrikut 1916, gazeta shkruan:”Në doni Atdhenë, Mësohuni Oficerë”. Në njoftim gazeta paralajmëronte se Kapiteni i Xhandarmërisë Shqiptare Lytfi Topojani, i marrëveshur me z. Paskal Jubani, mësonjësin e oficerëve shqiptarë në shkollën ushtarake të Italisë, do të hapnin shumë shpejt shkollë për të mësuar dhe për të nxjerrë oficerë shqiptarëtë mbaruar, shumë të përgatitur.”Ky rast s’duhet t’ju ikë nga dora. Shkolla do të hapet në atë koloni ku do të ketë më shumë kërkesa. Pagesa për një muaj $2.00”, njoftonte gazeta.
“Vullnetari” entuziazmohet nga përgatitja dhe paraqitja në publik e Trupave vullnetare të Vatrës. Në një shkrim të botuar në faqen e dytë të numrit të 18 Korrikur 1916 nën titullin:”Flamuri Kombëtar çanë rrugët e Bostonit”, shkruhet se për të parën herë Vullnetarët e Bostonit dhe të Natick-ut marshuan në Paradë me Flamurin Kombëtar dhe me dy Banda ushtarake. Shiu me rrebesh ksihte përmbytur rrugëtr e Bostonit, por vullnetarët shqiptarë me madhështi çanin ujërat dhe paarkalonin. Për nder të Kombit Shqiptar dhe të Vullnetarëve trima, qeveria e Bostonit, iu dha për atë ditë, nëj Bandë ushtarake. Një shumicë e madhe civilësh shqiptarë shkonin pas vullnetarëve. Amerikanët po habiteshin me këtë paradë në mes të shiut. Gjithandej dëgjoheshin:Urraaaa dhe duartrokitje për Shqipërinë dhe shqipatrët.
Gazeta e mbyllte përshkrimin me urimin:Iu lumtë atdhetarëve që nderojnë emrin shqiptar përpara Botës amerikane. Dhëntë Zoti, që për së shpejti të çajnë rrugët e qyteteve të Shqipërisë.
Gazeta”Vullnetari” me seriozitetin e politikës së saj botuese me propagandën që bën në ndihmë të Atdhut, ç’ka shihej si detyrë për shqiptarëte Amerikës, mori edhe përkrahjen e gazetave amerikane. Njëra prej tyre, “NATICK TRIBUNE” shkruante se “Shqiptarët duke parë Kombin e tyre të shkelur prej fqinjëve, të grabitur prej llojë-llojë ushtrishë, po zgjerojnë idealine tyre Kombëtar në të gjithë qytetet dhe fshatrat e Shteteve të Bashkuara. Veçanërisht në këtë fshat(Natick) ku jetojnë një shumicë mjaft e madhe shqipatrësh,prej shumë kohësh botohet gazeta”Vullnetari”, e cila duhet të përkrahet. Në artikullin e gjatë shkruhej se për punët kombëtare të Vullnetarit dhe përgatitjete shqiptarëve për t’i dalë zot vendit, do të informojnë në vazhdimësi.

TRUPAT VULLNETARE PËRGATITETISHIN NGA OFICERË AMERIKANË DHE SHQIPTARË

Në numrin 12 të publikimit, gazeta boton në faqe të parë një fotografi të madhe që ka zënë të katër kolonat e gazetës, e cila ka si titull hapës”Disa nga Shpresat e Atdheut”.Poshte fotografisë , nën shënimin:”Një pjesë e Trupave Vullnetarëve- Boston-Natick”, publikohen disa nga emrat e Trupave vullnetare, dhe në mesin e tyre Oficeri amerikan që përgatit Trupat e Ntaick z. Charls Green. Ja disa nga emrat e Trupave Vullnetare: Rako Katundi, Zaharia Chekani, Koli Kuqali, Koli Bodi, Rako Panariti, Lambi Jorganxhi, Toli Prifti, G. John, Sotir Andrea, Filip Theodor, Koli Nochka, Nake Treska, Ilo Burgaleci, Kocho Sterio, Rako S. Treska, Aleks Frashëri, Mihal Gërmenji, Gjimi katundi, Kristo Lara, Vani Grecho, Nasi Dishnica, Naum Pojani, Kristo Trebicka, Idemeno Bratko, Pando Kondili, Gjim Panariti.
Në shënimin redaksional që përcjell fotografinë e Trupave Vullnetare përcillet ideja e domosdoshmërisë për t’i aftësuar ushtarakisht djemtë shqiptarë që t’I dalin zot Atdhut. Nëse të tjerët përgatisin ushtri të mëdha e të fuqishme për të zaptuar tokat e shteteve të vegjël, ne le të përgatisim trupat tona, për t’u treguar atyre se nuk do t’i lejojmë që të na marrin tokat tona. Gazeta shkruante: Duke patur Trupa Vullnetare në të gjitha kolonitë e Amerikës do të heshtin së foluri armiqtë kundër nesh dhe bota njerëzdashëse do të kuptojnë se shqiptarët janë të zot të mbajnë me nder Shtetin e tyre dhe e meritojnë të rrojnë në një shtet të vetin.
Komenti na përcjell dhe një informacion shtesë për organizimin e nëj Kuvendi të madh me pjesmarrjen e të gjithë trupave vullnetare të ngritur pranë degëve. Vullnetari shkruan: Kuvendi i Trupave Vullnetare që do të organizohet, do të vërë tërë fuqinë për shtimin e Trupave dhe për shumëfishimin e Vullnetarëve. Gazeta ftonte atdhetarët më të stërvitur në çështjet komëbtare që të propagandonin nëpër koloni rëndësinë e shtimit të këtyre Trupave, që Atdheu i priste me padurim për t’i dalë zot.
Gazeta do t’i rikthehej disa herë çështjes së përgatitjes së Trupave Vullnetare, herë me entuziazëm, e herë me tone kritike për ato degë ku stërvitja nuk shkonte mirë. Numri i 2 tetorit e trajton me shqetësim ngadalësinë e përgatitjeve dhe bën thirrje për ndërgjegjësim të kolonive shqiptare,që ta përkrahin më shumë Vatrën në nismën e saj për përgatitjen e trupave. Nën Titullin emadh me shkronja kapitale, ” Organizohuni sa është dita”, editori pyet:”Ç’na nevojitet të trajtojmë çështjen e vullnetarëve dhe përse s’përparon shtimi dhe përgatitja ashtu siç e kërkon nevoja e Atdheut…?”.
Gjatë shtjellimit të artikullit sqarohet se e vetmja rrugë është përgatitja dhe shtimi i trupave vullnetare, ndryshe, Shqipëria është e mbaruar. Editori përpiqet që t’i prekë atdhetarët në shpirt. Ai shkruan:”Atdhetarët, që e panë me syshkatërrimin e Shqipërisë prej reaksionarëve,ishin aq të pakët, por edhe të pabashkuar, sa s’mundnin të mbanin duart e gjakosura të tradhëtorëve, dhe kështu të shtërnguar ikën duke lënë Shqipërinë në mes të tymit dhe të flakës të tmerruar. Iknë atdhetarët, posi ata trimat e thyer prej mizorisë së armiqëve dhe shpresat janë varur tek organizimi i një fuqie, qëtë shpëtojë Atdhenë nga duart e tradhëtorëve dhe pushtuesve…
Vullnetari evokon trimëritë e atdhetarëve dhe vajton për fatin e Atdhut: Ardhnë mandatarët, dhe pasi u kallëzuan shokëve të tyre shkatërrimin e pamëshirshëm të Shqipërisë përhapën idenë se i vetmi shpëtim i Shqipërisë është formimi i Trupave Vullnetare. Atheu është duke rënkuar….Editori argumentonte:Atdhetarët që e dëshirojnë ta shohin Shqipërinë si një shtet të Europës, përnjëherësh e rrokën idenë e shenjtë dhe u shkrojtën Vullnetarë për t’i shërbyer Atdheut në Kohë rreziku. Regjistrohu edhe ti atdhetar që të dhimbet Atdheu për ta shpëtuar atë nga vuajtjet!.
Më pas “Vullnetari” informon lexuesit e vet se Kuvendi i Vatrës ndau një fond për të organizuar një Kuvend të Trupave Vullnetare. Por koha po kalon dhe qendra nuk po lëvizte, degët po ashtu. Vullnetari nuk ia kursen kritikat. Gazeta lëshon thirrjen: O burra pra, të mos flemë!
Gazeta informon në vazhdimësi për përgatitjet e Trupave vullnetare. Në një kronikë nga Jamestown(Xhejms taun), që publikohej në numrin e 28 Marsit shkruhet se Trupi Vullnetar i kësaj qyteze ku banonin mjaft shqiptarë kishte bërë përgatitje të vazhdueshme dhe kishte shënuar përparime të mëdha. Kjo trupë drejtohej nga oficerë shqiptarë, me në krye oficer Kame Menkulasi, oficeri Sabri Daut Korça dhe tetari Demir Zvezda. Gazeta përhiron komandantin e Trupës Abas Kamenica, oficerët dhe të gjithë Trupën që po i nderon shqiptarët me përparimet që ka bërë. Në kronikën e publikuar informohet komuniteti shqiptar se Banda muzikore”Mbretëresha Sofia” me kryetarin e saj Ysen Belortaja do të organizonte në zyrën e Vatrës të kësaj qyteze “Albanian Pazar”, ku do të ishin të pranishëm edhe trupat vullnetare.

TRUPAT VULLNETARE TE VATRES FORMUAN GARDEN KOMBETARE TE SHQIPERISE

Trupat Vullnetare së bashku me Bandën Muzikore të Vatrës patën si komandant të përgjithshëm Aqif Përmetin, i cili u priu atyre në udhëtimin historik drejt Shqipërisë.Arritën në Durrës rreth 20 Shkurtit të vitit 1920.
Po kush ishte komandanti i Trupave vullnetare të Vatrës? Aqif Përmeti ishte ushtarak i karrierës, që i kishte kryer studimet në Akademinë Ushtarake të Stambollit, nga viti 1903 deri me 1906. Nga akademia doli me rezultate të larta dhe me gradën toger. Që më 1912, në shtetin e pavarur shqiptar, iu përkushtua Atdheut duke u radhitur në radhët e Xhandarmërisë shqiptare.Duke qenë në vijën e parë të luftës kundër shovinistëve grekë, ai u detyrua që pas ikjes së Princ Vidit, me 1914, të linte Atdheun, dhe emigronte në Boston. Menjëherë u përfshi në Vatër dhe vijoi veprimtarinë për cështjen Kombëtare. Më 6 Mars 915 iu caktua detyra e organizimit të Trupave Vullnetare të Vatrës.
Kontributi që dhanë Trupat Vullnetare në vendosjen e qetësisë dhe rendit në zonat Jugore të Shqipërise ishin të ndjeshme. Ata arritën deri në Vlorë, ku rreshtuan përkrah luftëtarve të Luftës së Vlorës. KëngaHimn”Vlora-Vlora” është kompozuar nga drejtuesi i bandës së Vatrës Thoma Nasi. Ishte ajo këngë që ndezi zemrat e luftëtarve. Komandanti i Trupave Vullnetare dhe organizatori i Ushtrisë Shqiptare, Aqif Përmeti, u shpërblye nga diktatura komuniste me plumba.

* Editori falenderon Emil Nace, nipin e Kolë Rodhes, që bëri të mundur një kopje të koleksionit të Gazetës”Vullnetari”, që tashmë ndodhet në Vatër.

Filed Under: Featured Tagged With: AQIF PËRMETI, dalip greca, Gazeta Vullnetari, Kole Rodhe, Trupat e Vatres

Grupe kriminale, droga dhe dhuna në familje

September 25, 2017 by dgreca

….PD e LSI debate të ashpra me Qaton në Komisionin e Sigurisë/1 Droga siguria

Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka nisur me debate për shqetësimin e madh që është krijuar për fenomenin e dhunës në familje, por edhe grupet kriminale, nisur nga rastet e fundit ku të paktën në 5 raste është sulmuar policia.

Është drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit, Altin Qato ai i cili po raporton në Komisionin e Sigurisë në Kuvend.

Deputeti i PD, Flamur Noka ka lëshuar akuza të forta në drejtim të policisë së shtetit, ndërsa sipas tij, Shqipëria është vend transit për drogën. “Një Shqipëri që është vend transit i drogave të forta, nuk mund të ketë polici të besueshme.

Drejtues të lartë të policisë janë të përfshirë në trafikun e kanabisit. Ndërsa drejtues policie janë të larguar me kërkesë të ambasadës amerikane.

Nëse do vazhdoni ta mbani policinë në lidhje me krimin, do ta degradoni dhe kalbeni. Në 4 vitet që shkuan nuk u fol gjë tjetër vetëm për drogën.

Ato që thashë nuk bazohen në hamendje. Deklaratat e prokurorisë dhe informacionet e shërbimit sekret flasin për përfshirjen e zyrtarëve të policisë së shtetit janë të lidhur me drogën.

Partnerët ndërkombëtarë sidomos ata amerikane e kanë evidentuar këtë” deklaroi Noka.

Nga ana e tij, deputeti i LSI, Endrit Brahimllari ka ngritur pyetjen se çfarë masash po merren nga policia për dhunën në familje.

Ndërsa Qato ka deklaruar se “po analizojmë rastet dhe po studiojmë ndërhyrjen. Nuk mjafton policia. Duhet dhe partneritet mes aktoreve të tjerë”.

Deputeti i djathtë Ervin Salianji ka kërkuar informacion nëse është zbardhur ndonjë grup i strukturuar kriminal.

Filed Under: Politike Tagged With: Dato ne Komision, Droga, PD-LSI, rendi e sigarai

18 Vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi-SHBA: ULTIMATUM SERBISE

September 25, 2017 by dgreca

Zyrtarja e Trump gozhdon Vuçiçin: i dorëzon dosjen e re të vëllezërve Bytyqi, vrasjes makabre të tre shqiptarëve me shtetësi amerikane/

3 gjoni takon vellainFoto:Ne Kuvendin e Vatres 2017, Familjes Bytyqi iu dorezua Mirenjohja nga Federata VATRA/

17-vite-nga-vrasja-e-v-euml-llez-euml-rve-bytyqi-p-euml-rgjegj-euml-sit-edhe-m-euml-tutje-mbi-ligjin_hd-780x439

Ndërsa BE i kërkon Serbisë si kusht që të njohë Kosovën, SHBA ka mbyllur qarkun, duke i kërkuar  që brenda disa muajve të gjejë fajtorët e Ylli, Mehmet dhe Agton Bytyqit, me kombësi shqiptare, por shtetas amerikanë, që u vranë më viti 1999 nga policia serbe, ndërsa u arrestuan në kufi teksa po ndihmonin disa romë që po dilnin nga Kosova.

Vëllezërit Bytyqi, të cilët ishin ushtarë të UÇK-së janë rasti më tipik i sjelljes së luftëtarëve shqiptarë ndaj civilëve, por edhe i sjelljes së autoriteteve serbe.

Sipas të dhënave, amerikanët jo vetëm dyshojnë por kanë fakte se vrasja e vëllezërve Bytyqi ishte një hakmarrje ndaj SHBA që u bë me urdhër të një zyrtari të lartë të Beogradit.

Dhe pikërisht për këtë çështje që SHBA e kërkon vit pas viti, pas fotos së presidentit serb me Donald Trump në Nju Jork, e ka takuar një zyrtar i lartë i administratës amerikane.

Bëhet fjalë për Elisabeth Millard, Asistenten e Sekretarit Amerikan të Shtetit, e cila ka takuar në Nju Jork presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Siç bën të ditur televizioni serb B92, zyrtarja e lartë e DASH ka kërkuar gjithashtu që të dënohen edhe fajtorët e djegjes së disa objekteve përpara ambasadës amerikane në Beograd në një tubim të vitit 2008 pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Tre vëllezërit Bytyqi janë vrarë pas torturave të shumta: ata u burgosën nga policia serbe më 26 qershor 1999, u dënuan në gjykatë për kundravajtje penale për kalim të paligjshëm kufiri, e më pas një urdhëri të paligjshëm nga larg i kanë dërguar në Petrovo Selo, në një objekt të shërbimit sekret serb dhe i kanë torturuar.

Më pas të lidhur me tel i kanë dërguar tek një varreze masive me shqiptarë, ku pasi i kanë qëlluar në zverk i kanë hedhur në turmën e kufomave.

Trupat e tyre u gjetën në pranverën e viti 2011 dhe pas kësaj qeveria amerikane kërkon hetimin e gjykimin e aktit.

Siç duket SHBA nuk kërkon thjesht drejtësinë për tre shtetas amerikanë, por hapja e proçesit “Bytyqi” do të nxjerrë “lakrat” e “lakrorit” të horroreve të krimeve serbe ndaj shqiptarëve.

Pasi do të nxjerrë metodën e arrestimeve, torturat, vrasjet dhe varrezat masive.

Ky është një kusht përfundimisht që Vuçiç duhet ta zbatojë brenda vitit që të mund të nisë integrimin e vendit të tij në BE, por edhe të sigurojë që Donald Trump të vizitojë Beogradin, si një inkurajim politik.

Drejtësia serbe ka “larë duart” me këtë çështje pasi ka liruar të akuzuarit për vrasjen “Bytyqi”.

Prokuroria për Krime të Luftës e Serbisë, në datën 23 gusht të vitit 2006 ka ngritur aktakuzë kundër ish pjesëtarëve të Speciale të shërbimit sekret serb, konkretisht ndaj eprorëve Sreten Popoviç dhe Milosh Stojanoviç me akuzën e krimeve të luftës

Gjykata e Qarkut në Beograd, në datën 22 shtator të vitit 2009, ka sjellë aktgjykimin me të cilin, në mungesë të provave, të akuzuarit i ka liruar nga aktakuza.

Edhe apeli, por edhe Gjykata e Lartë ka mbyllur çështjen. SHBA kërkon rihapjen e gjykimit, kësaj radhe me prova të reja që Uashingtoni duket se i zotëron. /tesheshi

Filed Under: Featured Tagged With: 18 Vjet pga vrasja e, vellezerit Bytyqi

Foto e rrallë/ Momenti kur komunistët arrestojnë At Zef Pllumin

September 25, 2017 by dgreca

Historiani dhe studiuesi Kastriot Dervishi, me anë të një statusi në Facebook, sjell në vëmendje goditjen që regjimi komunist i dha At Zef Pllumit. Ai ka shkruar lidhur me momentin kur eshtë arrestuar nga komunistët, At Zef Pllumi, duke e nisur shkrimin e tij me titullin: “At Zef Pllumi dhe vigjilenca e “njeriut të ri”. Ndiqeni komentin e studiuesit te njohur, Kastriot Dervishi:

1 At Zef Pllumi

50-vjetori i arrestimit të dytë/

At Zef Pllumi dhe vigjilenca e “njeriut të ri”/

Në Shqipërinë komuniste nuk ishin vetëm njerëzit e regjimit keqbërës. Propaganda krijoi “njeriun e ri”, shërbëtorin më të verbër ndaj atij sistemi. “Njeriu i ri” i droguar nga ideologjia komuniste, përkundrejt një teneqeje dekoratë, apo fletëlavdërimi, kujtonte se duke i bërë keq tjetrit i shërbente atdheut. Historia që po tregoj është e vitit 1967, kohën kur Shqipëria komuniste mbylli institucionet fetare dhe goditi gjithë klerin e vendit. Njëri prej këtyre klerikëve, Zef Pllumi, duke mos e duruar dot atë gjendje, provoi të arratisej nga Shqipëria nëpërmjet kufirit tokësor në Rrethin e Shkodrës. U nis i vetëm drejt kufirit. Mori drejtimin e Qafës së Pejës. Arriti t’i shpëtojë syrit të rojeve kufitare të postës së Thethit, por jo syrit të “njeriut të ri”. Në bjeshkët e Nikçit “njeriu i ri”, vigjilonte. 8 punonjës të ndërmarrjes së pyjeve e pikasën dhe kërkuan dokumentin që duhej për të qarkulluar në ato zona. Ata dyshuan dhe e shoqëruan. Procesverbali “për kapjen e personit të dyshimtë Zef Gjeto Pllumi” u hartua nga kryetari i këshillit popullor të zonës, tekniku i pyjeve, kryetari i kooperativës Nikç dhe sekretari i organizatës bazë të partisë. Tekniku i pyjeve (i fotos), i përkushtuar deri në fund për realizimin e poshtërisë së tij, me dy punëtorë dhe dy pushkatarë e dërgoi At Zefin në Tamarë, pikërisht atje ku do ta merrnin njerëzit e specializuar të regjimit, të cilët do t’i jepnin dënimin e dytë me 25 vjet burgim.
At Zef Pllumi u burgos dy herë nga regjimi komunist në periudhat: 15.10.1946-15.10.1949 dhe 27.9.1967-11.4.1989. Kësisoj qëndroi 25 vjet i burgosur.

Fotoja që bashkëlidhet tregon çastin e ndalimit të At Zef Pllumit më 27 shtator 1967. Tekniku me emrin Marash në emër të “njeriut të ri” bën ndalimin në kufi.

Filed Under: Histori Tagged With: arrestimi i At Zef Pllumit, foto e rralle, Kastriot Dervishi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT