• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2017

Një qendër Rinore Shqiptare në Stamford

October 6, 2017 by dgreca

Urime Qendrës Rinore Shqiptare të Stamford-it, CT/

Nga Shefqet Kërcelli/te rinj te qendres 2Nga data 2 tetor 2017, hap dyert Qendra Rinore Shqiptare, Stamford , e cila është vatra më e re e dijes, e kulturës dhe promovimit të gjuhës e traditave shqiptare. Një ndër iniciatorët kryesorë të saj është zoti Richard Lukaj, i cili mbajti fjalën e hapjes në qendrën e të rinjve në SHBA. Kjo qendër ka për qëllim prezantimin, ruajtjen dhe edukimin e vlerave shqiptare. Në fokus të saj mbetet gjuha shqipe, ku gjeneratat e reja do kenë një mundësi të madhe ta mësojnë atë dhe ta trashëgojnë si një aset shumë të madh për komunitetin shqiptar.
Selia e qendrës është në Stamford, shteti Connecticut, në këtë adresë: 1086 Long Ridge, Stamford, CT.
Hapja zyrtare e qendrës do bëhet më 6 tetor, ndërsa një ditë më pas do të nisë dhe programi shkollor publik, një hapësirë, që fton të gjithë, që duan t’i bashkohen kësaj strehe kulturore, ku prindërit dhe të rinjtë e komunitetit në zonat e Lower Fairfield dhe Westchester do të fillojnë programin në fjalë, ku do përfshijë dhe disiplinën e valleve tradicionale dhe aktiviteteve sportive. “Qendra Rinore Shqiptare”, do të shërbejë si një dritare dimensionale, ku ju ofron të rinjve të komunitetit shqiptar të mësojnë më shumë për prejardhjen, historinë, e kulturën e origjinës së tyre. Ende pa hapur dyert, duket qartë që komuniteti ka gjetur besimin te kjo qendër, tek ndërtimi i saj, pasi kërkesat kanë qenë të shumta për klasa mësimi të nivelit fillestar, të mesëm dhe të avancuar. Mësimi në klasa do të jepet nga mësues të certifikuar dhe artistë të kualifikuar e profesionistë.
“Qendra Rinore Shqiptare” do të jetë organizata e parë në Shtetet e Bashkuara, me një program të zhvilluar shumëdimensional. Kjo është bërë e mundur, nëpërmjet ndihmës së mësuesve të dedikuar ndaj gjuhës shqipe, “Epos Dance Ensemble” dhe “Cedar Stars Soccer Academy” në bashkëpunim me vullnetarë, organizata jofitimprurëse dhe biznese lokale.

Udhë të mbarë kësaj fidanishte të kulturës dhe gjuhës shqipe. Sa më shumë jetgjatësi dhe shoqe të reja, që ta ndjekin në këtë rrugëtim fisnik. Kjo është një thirrje dhe për filantropistët shqiptarë në SHBA e kudo.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Shefqet Kercelli, të Stamford-it, Urime Qendrës Rinore Shqiptare

130 VJETORI I PROF. SIMON RROTA… NA KUJTON

October 6, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
1 simon rrota PIKTORI SIMON RROTA(1887 – 1961)/

130 VJETORI I PROF. SIMON RROTA… NA KUJTON !/

■Artistin e madh të piktures në Shkoder, Qytetarin model të Kështjellës plakë Rozafat, Mësuesin e perkushtuem të rinisë Shkodrane, Etnografin e kultures sonë kombtare, Historianin e saktë të ngjarjeve të lavdishme, Prindin e kujdesëshem aty ku mungonte dhe, skalitësin e papersëritshem të edukatës dhe moralit Europjano – Përendimor.

2 rrota02

Shqipnia me Malet e fushat e Saja kreshnike ishin Shpirti dhe jeta e Veprave të Tij…

1 Dasma-Shkodrane_Kol-Idromeno-388x220

Penelat nder duertë e Tij vezullonin si fijet e mëndafshta të rizave të papersëritshme dhe tingllonin mbi shkrepa të Maleve si çakçirët e trashigimtarëve të pathyeshem të Viseve të Lekë Dukagjinit dhe Herojve të pavdekshem të Gjergj Kastriotit. Ata penela trokisnin nder dyertë me harqe guri të Shkodres, ku ruhej ajka e vjeter e kostumeve të lashta Ilire…1 simon Rr Te korrat

■Profesor Simoni asht lé në Shkoder me 23 Tetor 1887. Asht shkollue po në qytetin e lindjes nder Françeskanë, ku edhe asht zbulue talenti i Tij në artin e pikturës. Njohja me piktorin Kol Idromeno i jep shtysen me vazhdue Akademinë e Arteve të Bukra në Brera, Itali, deri në vitin 1920. Gjatë asaj kohë vizitoi Francën dhe Austrinë, pra të tri mbretnitë e njohuna të artit Perëndimor, ku u brumos me kulturën e artit moderne.

Mbasi perfundoi studimet per pikturë para se të kthehej në Shqipni, u martue atje, dhe krijoi një familje model, gja që e pasoi edhe nder të gjithë trashigimtarët e vet.

Ka banue në rrugen Badra, per të cilen shkruen në librin e Tij “Rrethimi i Shkodres” romancieri i parë Shqiptar Don Ndoc Nikaj, në vitin 1913 kur tregon se: “Rruga ma në shej nga malazezët kur gjuenin me gjyle… Ishte rruga Badra e Shkodres…” Ishte pra, ajo rrugë ku, jo ma larg se 100 ml., jam le dhe rritë e njohë me Profesorin tim…

■Me hapjen e Gjimnazit Shtetit në Shkoder në vitin 1922, nder të parët edukator të atij gjimnazi asht edhe Prof. Simon Rrota, dhe që vazhdon profesionin e mësuesit të vizatimit në Shkollen Pedagogjike deri në pak kohë para se të mbyllin edhe jeten e Tij prej edukatori të nderuem dhe të palodhun me 27 Janar 1961.

Profesori ka lanë vepra që me dinjitet perfaqsojnë me saktësi Rilindjen Shqiptare, tue i perjetsue karakteristikat e saj në veprat e Tija të historisë kombtare, etnografike dhe gjithmonë të shprehuna me një frymzim origjinal. Ka lanë shumë vepra në vaj, karbon, lapsë, akuarel dhe kryeveper e Tij mbetët boceti i vepres ma të madhe që ka zbatue në vaj “Vuemja e Gurit të Parë” në Kishen Katedrale të Shkodres, në 1958.

■Kjo asht nder të paktat vepra që ka shpetue pa u zhdukë nga “Revolucioni Kultural 1967”. Sejcili penel aty asht i lidhun me një nga episodet e Historisë së Shkodres.

E, pa u gabue aspak mund të them se Prof. Simoni per nga saktësia nder veprat e Tij nuk i lente asgja mangut vllaut të vet, shkenctarit gjuhësisë sonë At Justin Rrotës.

Prof. Simoni ishte një mjeshter i papersëritshem në punimet me lapsë dhe karbon. Kujtoj njëherë që me mori në shtëpinë e Tij dhe më tregoi një dosje me disa vizatime. Edhe sot ruej në kujtesën time një punim me karbon “Borë në Rrmaji”, ndersa nder punimet me vaj pikturat e prindve të Tij me kostumet e vjetra shkodrane, mbesin një thesar i etnografisë Shqiptare, tue mos harrue asnjëherë veshjet malësore dhe ato zadrimore, që të duket se në gjokset e tyne nuk janë pikturue por janë montue vargjet e monedhave të arit me motivet e mbrekullueshme kombtare të qindisuna nder ta.

■Veprat e Profesor Simon Rrotës janë gurtë e themelit të veshjeve tona kombtare, dhe asnjëherë nder ta nuk ndeshet njeriu para dyshimit, mbasi saktësia ishte gjithshka e paraqitun me aq mjeshtri dhe dashni nga Piktori i madh i Shkodres nder ato piktura.

Atëherë kur shkolla Pedagogjike e Shkodres ishte ba streha e studentave “Mëkatnorë të deklasuar”, asht një mësues që mendon per me shpetue jeten e sa të rinjëve nga rrugët e vështira e plot rreziqe nder skajet ma të largëta dhe të humbuna të Shqipnisë komuniste, e Ky asht Prof. Simon Rrota. Atje ku rinia shkodrane shkonte me perhapë “driten e partisë”, nuk ishin vendasit që mendonin me ua ba keq, sa ishte “motivacioni i dosjes së degës së mbrendshme” të  Shkodres që i ndiqte mbrapa deri në vdekje.

Kam pasë fatin në vitin 1953 me kenë nxanës në shkollen pedagogjike dhe me pasë një Mësues dhe Prind shumë të Nderuem dhe fisnik, që më dha i pari në jeten time, “mjaltin e ambel” të artit të bukur të pikturës, kryesisht në gjininë e grafikës me bojë kine “bardh’e zi”, e Ky ishte pikrisht Ai Burrë që kalonte perditë para shtëpisë sime, e që porsa fillova me marrë mend, unë ishe krenar kur Ai më pershëndette me aq perzemersi… Ishte Prof. Simon Rrota…që banonte në atë shtëpinë karakteristike, me një pullaz thik, që të dukej ma shumë se ishte ndertue me perballue boren e madhe, sesa nga vetë shija e veçantë artistike e arkitektit që jetonte nen kulmin e saj.

Sa fillonte pranvera, Prof. Simoni ishte gjithnjë në një copë të vogel toke ku me capin e tij ringjallte gjelbrimin e shermashekut e të shemshirëve rrethues të shtëpisë.

■Ishte një mbasdreke kur na thirri në sallen e vizatimit të shkollës mue dhe Dorotea Serreqin, kishim të dy kaligrafinë e bukur e biografinë… (nuk po shkoj ma gjatë).

U ulëm në një tavolinë ku ishin disa copa kallami me pambuk të lidhun ndër maje. Në mungesë të brushave kishte përgatitë ato copa kallamash për me shkrue me to. Kujtoj si tashti fjalët e Tij: “Për shka po ju tham mos i tregoni asnjë njeriu, ju kam thirrë me ju mësue me shkrue bukur mbasi të dy keni kaligrafinë e bukur, por due me ju mësue me shkrue “parulla”, mbasi tue dijtë me shkrue parulla kanë me pasë nevojë për ju, e keni me kenë të kërkuem, mbasi komunizmi nuk asht gja tjetër veç propagandë!” … Profesori, nuk ishte i pakujdesëshëm në të folun, njihëj mirë me familjët tona. Kjo ndihmë bujare e Tij shoqnue me një dashni prindore të pakufi mue më ka shpëtue jetën, prandej edhe i jam mirënjohës… Kur nxanësit e Tij i kanë shkrue këta rreshta kanë dashtë me shprehë një moment fantazije fëminore, por kanë thanë një të vërtetë:

Deri sa të sillet bota,

                                                Edhe hyjt’ rreth rruzullimit,

                                                Do të rrnojë Simon Rrota,

                                                Profesor’i vizatimit!

***

Muzeu i Shtetit në Shkoder asht kenë një shtëpi e dytë e Prof. Simonit, ku gjithnjë mendonte e punonte si me mujtë me nxjerrë nga podrumet e errta “materialet” e At Shtjefen Gjeçovit dhe dijetarëve të tjerë, që mykeshin e po kalbeshin vetem se ishin kenë pronë e muzeumeve të gjimnazeve të Françeskanëve apo Jezuitëve në Shkoder.

■Në ballin e një shkalle më pat dhanë me shkrue një citat të Gjergj Kastriotit. E kishte të ruejtun që nga punimet e para të Buzukut, botue në “Hylli i Dritës”… Kujtoj në Muzeun e Shkodres një punim me vaj, ku një malsor po i jepte me pi ujë kalit tek Ura e Mesit. Nder të gjitha veprat e Tij shihet kujdesi per të tregue landen e veshjes, tue fillue nga rizat e mëndafshta, sumllat metalike të xhamadanave, brandavekët e grave shkodrane, çakçirët e malësorëve, ksulat e leshta të fshatarëve e gurët e pathyeshem të Rrozafës.

Do të shkonte njëditë në Kala Rozafat me drejtorin e muzeut, Vasil Llazarin dhe disa puntorë, një natë perpara erdhi e më ftoi me shkue me ata. Ishte vizita e parë me një dijetar të vertetë në Kështjellen Rozafat. Kur arrijtem atje nalt më çoi tek një beden guri nga Veriu ku shihej Shkodra, Kiri, Drini e deri larg malet rrethuese… Aty më shpjegoi: ■“A sheh një dishka që nuk e ka rreth vetes asnjë Kështjellë në Botë, nga Veriu dhe Lindja të dy Xhamijat dikur ishin kenë Kisha, si kjo e Selvisë dhe ajo e Plumbit…turqit i shkatrruen… ndersa, atje poshtë perballë Urës së Bunës, pak meter mbas thertores së vjeter, asht një hark që dimnit mbytet n’ujë, asht dera e një Kishës nga Perëndimi që lidhej me një tunel që vinte deri tek kjo shpellë, që na e kemi këtu krejt pranë, e në rasë rreziku kur rojet e Kështjellës rrethoheshin nga ushtria turke, Shqiptarët uleshin neper tunel, hynin në Kishë dhe prej aty, me lundra e barka iknin naten neper liqenin e Shkodres, në drejtim të Veriut nder Male e bashkoheshin me malësorë. Ndersa, nga Jugu asht Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë, Kisha shekullore, që kujtohet Mbrekullia e Figures së Zojës në 1467…Edhe Ajo në vitin 1913 u gjuejt me top nga malazezët dhe kishte nalt kompanjelin e këputun…Ndersa Kisha, perballë nesh këtu në Kala asht e pesta në qender të kater të tjerave poshtë, që ruejnë të paprekuna tash sa shekuj Kështjellen dhe Qytetin tonë të bukur e heroik po, edhe të martirizuem të Shkodres…”

Në vitin 1969 në Shtëpinë e Kulturës së Shkodres, drejtori i saj agjent i sigurimit Angjelin Kumrija, më pat zhdukë disa vepra në dhomen e piktorit Ferdinand Paci. Më vjen keq shumë per dy nga portretet e punuem me një pasion të madh prej meje, që i pata punue per ekspoziten personale të vitit 1966, Portretin i Prof. Simonit dhe Ai i piktorit Zef Kolombi, një tjeter kolos i artit pikturës në kujtimet e mija per vlerat e Shkodres!

Në këte 130 vjetor nuk dij a do të kujtohet Bashkia e Shkodres per Prof. Simon Rroten!

■Fjalët e Atyne dijetarëve që patëm fatin me njohë në vitet e rinisë, na nguleshin nder tru e ndoshta, “Ata ishin shinat që Mësuesit tanë na dhanë drejtimin e gjithë jetës!”

E pra, unë nuk jam i vetem që u rrita e mësova nga Profesori i Madh Simon Rrota, e prej Tij ndoshta… jam ky që jam, po, piktor jam vetem nga i paharrueshmi i rrugës Badra: Piktori Simon Rrota, që nuk i vjen kurrma Shkodres…

            Melbourne, Tetor 2017

 

Filed Under: Histori Tagged With: 130 vjetori i Prof. Simon Rrota, Fritz radovani

Tensione në parlament, përjashtohet Basha

October 6, 2017 by dgreca

Në Shqipëri, seanca e djeshme e parlamentit nisi me tensione të cilat u acaruan duke çuar në përjashtimin e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Shkak u bënë diskutimet për reformën zgjedhore. Parlamenti do të duhej të vendoste sot për ngritjen e një Komisioni të posaçëm për këtë çështje. Por Partia Demokratike tha se kishte kërkuar që për këtë temë të zhvillohej edhe debat në sallë. Kryetari i grupit socialist Taulant Balla u shpreh kundër. “Ne kemi rënë dakort me konsensus për ngritjen e Komisionit të posaçëm. Diskutimet tani duhet të bëhen në këtë komision”, deklaroi Balla.1 Basha Parlament

Nga ana e tij kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, u shpreh në favor të debatit për reformën zgjedhore, por kërkoi kohë. “Ne nuk jemi të përgatitur për diskutime”, u shpreh ai duke propozuar shtyrjen e debatit për javën e ardhshme. Propozimi i tij u hodh në votë duke marrë dhe mbështetjen e socialistëve.Vendimi solli reagimin e ashpër të kryetarit demokrat Basha, i cili i kërkoi drejtuesit të parlamentit Gramoz Ruçi të mblidhte Konferencën e kryetarëve. “Kjo lojë, nuk mund të vazhdojë gjatë, ndaj mblidh Konferencën e Kryetarëve. Mos ngri kartonat bosh këtu. Ose përndryshe, bëhu përgjegjës për bllokimin total të punimeve të këtij parlamenti. Mblidh Konferencën e Kryetarëve tani! Vendos për një afat të arsyeshëm debati. Nuk mund të shtyhet me një javë debati. Për një afat të arsyeshëm debati ne kemi propozuar orën 16:00, nëse ju duhet më shumë kohë të përgatiteni, merrni orën 18:00”, u shpreh zoti Basha duke refuzuar më pas të largohet nga foltorja e parlamentit. I rrethuar edhe nga deputetët e tjerë të PD-ës, zoti Basha nuk lëvizi edhe pas ndërprerjes së seancës, ndërsa zoti Ruçi deklaroi se ishte i detyruar që të vendoste për përjashtimin e tij nga seanca. Edhe pas këtij vendimi, zoti Basha nuk ka lëvizur nga vendi, duke bërë që seanca të bllokohet, dhe kryetari i parlamentit të vendosë për pezullimin e saj deri në orën 13.00.

Por edhe pas rifillimit të seancës në këtë orë, sërish zoti Basha nuk ishte larguar nga salla dhe deputetët demokratë qëndronin rreth tij pranë foltores. Për këtë arsye zoti Ruçi shtyu sërish hapjen e seancës për pasdite në orën 18.00, ndërsa deputetët demokratë nuk lëvizën nga salla.

Sseanca e mbrëmjes, vetëm pak minuta, aq sa u deshën për të miratuar me shpejtësi ngritjen e disa nënkomisioneve parlamentare. Në përfundim të saj zoti Basha foli për një “atentat ndaj demokracisë”, pas të cilit “Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të shqyrtojë këtë gjendje të rëndë dhe do të rekomandojë hapat e mëtejshëm që Partia Demokratike, jo vetëm Grupi Parlamentar i saj, por edhe aleatët tanë, dhe gjithë qytetarët, do të hedhim së bashku. Ne nuk do të lejojmë kurrë që Gramoz Ruçi dhe Edi Rama ta kthejnë 30 vite pas orën e Shqipërisë”, deklaroi zoti Basha.Pak minuta më pas përgjigja erdhi nga kreu I grupit parlamentar socialist Balla sipas të cilit “për ndëshkimin e zotit Basha është zbatuar rregullorja e parlamentit”. Lidhur me këmbënguljen e PD-ës për debat lidhur me reformën zgjedhore, ai u shpreh se “demokratët duhet të shprehen se cili nen i rregullores së parlamentt është shkelur në këtë rast. Po qe se e thone atëherë janë në të drejtën e tyre”, nënvizoi Balla.(Sipas VOA-s)

Filed Under: Kronike Tagged With: perjashtohet Basha, Tension ne Parlaient

Pacolli: Kosova dhe Serbia duhet ta arrijnë pajtimin e madh

October 6, 2017 by dgreca

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli thotë në intervistë për DW, se Berlini zyrtar ka pasur një rol shumë konstruktiv dhe efektiv në formimin e qeverisë së Kosovës.

1 Pacolli2

DW: Zoti ministër, ditë me parë keni qenë së bashku me Presidentin e Kosovës në SHBA, ku takuat shumë udhëheqës të vendeve të ndryshme të botës, nga këto takime a mund të presë Kosova ndonjë njohje të re të pavarësisë së saj?

Behxhet Pacolli: Takimet kanë qenë të shumta dhe takimet kanë pasur qëllimin e rihapjes së dyerve të Kosovës tek shtete të shumta të botës tek ato që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe për t}ua rikonfirmuar se Kosova është shtet partner i tyre dhe është i faktorizuar dhe Kosova është e interesuar të ketë marrëdhënie diplomatike dhe të rrafshit ekonomik me këto shtete. Kurse pjesa tjetër e takimeve karakterizohet me përpjekjet tona për njohje të reja dhe të kemi sa më tëpër miq.

Vazhdoni ta keni prioritet  arritjen e njohjeve për Kosovën, në të kaluarën disa herë jeni ankuar në mospunën sa duhet të  Ministrisë së Jashtme, por tash e udhëhiqni ju këtë dikaster?

Njohjet e Kosovës ngecen paksa dhe në mandatin e kaluar kanë ardhur vetëm dy njohje të Kosovës. Ne agjendën time kryesore e kam thellimin e marrëdhënieve diplomatike me të gjitha kontinentet dhe me shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Njohjet e Kosovës janë shumë me rëndësi dhe asnjehërë nuk do të ndalemi.

Z. Pacoli, është një çështje mjaft aktuale, referendumi për pavarësinë e Katalonjës, shumë vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës po bëjnë krahasim të refendumit të Katalonjës me rastin e Kosoves, cili është qëndrimi i Kosovës në këtë rast?

Unë nuk shoh ndonjë ndërlidhje ndërmjet Katalonjës dhe Kosovës. Katalonja synon të ndahet prej një shteti të konsoliduar, një shteti demokratik, prej një shteti që ka investuar shumë në Katatonjë dhe standardi jetësor në këtë rajon ka qenë shumë më i lartë sesa në pjesët e tjera të Spanjës. Që mos të hy në problematikën e Spanjës me Katalonjën, Kosova ka pasur një pozitë krejtësisht tjetër, Kosova ka qenë praktikisht e okupuar nga Serbia, kështu që rasti i Kosovës nuk mund të krahasohet me atë të Katalonjës.

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi, ka mbetur e pa zgjidhur, ju ishit për vizite në Mal të Zi dhe autoritet malazeze thanë se çështja e demarkacionit për ta ka përfunduar, ndërkohë që Kosova po kërkon rinegocim të marrëveshjes. Çfarë do t՗ bëhet tani?

Se çfarë ka ndodhur para ardhjes sime në këtë detyrë, nuk do të merrem, por realiteti është që kemi një problem që kërkon zgjidhje. Kemi një marrëveshje të nënshkruar me palën malazeze dhe ajo marrëveshje është ratifikuar në parlamentin e Malit të Zi, mbetet të ratifikohet edhe në parlamentin e Kosovës. Ajo marrëveshje tashmë ka marrë një karakter ndërkombëtar dhe është një marrëveshje që “de-jure” kërkon të respektohet. Unë nuk kam probleme që ajo marrëveshje nuk respektohet, sepse askush nuk ka bërë akoma asgjë, askush nuk ka shkuar ta spostojë kufirin me poshtë dhe ne nuk kemi konflikt me Malin e Zi. Por, ekziston edhe një fakt tjetër që në Kosovë opinioni është i ndarë sa i përket kësaj çështjeje dhe ky opinion shihet edhe në parlamentin e Kosovës. Për Malin e Zi çështja e demarkacionit është çështje e mbyllur, ne e kuptojmë atë dhe e respektojmë, por ne duhet ta shohim këtu brenda se ç}ka ndodhur. A ka baza reale që të dëshmohet se marrëveshja e nënshkruar nuk është e drejtë dhe vërtetë kemi humbur territor apo jo. Unë e di që Mali i Zi nuk është i interesuar që të marë territor të Kosovës, sikundër që Kosova nuk është e interesuar që të marë territor të Malit të Zi. Por, sidoqoftë është e drejtë e çdo qytetari të Kosovës që ta di se si qëndron puna. Tash është formuar një komision dhe ky komision duhet t’i sjell dëshmitë e vlefshme të përdorura ndërkombëtarisht që marrëveshja paraprake ka qenë e gabuar. Nëse nuk ka dëshmi ne do të kthehemi prap te marrëveshja e parë. Mali i Zi nuk ka asnjë arsye të ngutet dhe të kërkojë diçka nga ne të cilën ne sot nuk mund ta bëjmë, siç është ratifikimi tash i asaj marrëveshjeje.

Mali i Zi nuk ka arsye të ngutet, por Kosova po, sepse, mos-ratifikimi i demarkacionit në parlamentin e Kosovës e ka stopuar liberalizimin e vizave për Kosovën?

Po, tash është problem i yni, sesa jemi ne në gjendje që të kemi dëshmi dhe ta dëshmojmë, se është i nevojshëm një negocim tjetër, këtë akoma nuk e di. Unë personalisht mendoj se duhet të sillen faktet. Nëse nuk ka fakte, ne duhet t}u tregojmë qytetarëve që nuk ka fakte dhe marrëveshja është ajo që është. Por, gjatë vizitës sime që kisha në Bruksel, unë nuk kam dashur që ta bëjë ndërlidhjen e këtyre dy çështjeve, demarkacionit dhe liberalizimit të vizave. Demarkacioni është një kusht i imponuar për Kosovën padrejtësisht dhe këtë ua kam thënë të gjithë atyre, me të cilët kam biseduar dhe në fund kisha biseda konstruktive dhe me komisionerin Johanes Hahn, zonjën Mogherini dhe ua kam thënë këtë dhe unë besoj që kam hasur në mirëkuptim dhe pothuajse është vendosur që të formohen dy grupe, një nga Kosova dhe një nga Komisioni Evropian për të biseduar mënyrën sesi të lirohemi nga kushti i demarkacionit dhe procesi i integrimeve të mos jetë peng i kësaj pike, por të ecet përpara dhe në procesin e integrimeve të përfshihet liberalizmi i vizave.

Para se të emëroheni në postin e ministrit të Jashtëm ju kishit një vizitë në Berlin. Siç e dini Berlini zyrtar ka marrë një rol të rëndësishëm në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Kosova. Tash atje ka një qeveri të re, mendoni se në të kaluarën Kosova nuk ju ka qasur sa duhet orientimeve të saj me Gjermaninë?

Unë konsideroj që ka qenë e drejtë që unë jam konsultuar me miqtë tanë gjerman, sepse Gjermania është një shtet që luan një rol thelbësor në BE. Hyrja ime në një koalicion parazgjedhor dhe pas zgjedhjeve hyrja në një koalicion tjetër ka pasur karakterin krejtësisht konstruktiv që Kosova të mos mbetet peng i bllokadës institucionale dhe Kosovës t’i ndihmohet që të ecë përpara dhe kjo është respektuar nga pala gjermane. Unë sot dua t’ju them që në programin qeveritar janë disa pika kyçe që janë diskutuar në Berlin dhe miratuar me kryeministrin e sotëm Ramush Haradinaj dhe sot janë pjesë e programit qeverisës. Unë ju them se Berlini zyrtar ka pasur një rol shumë konstruktiv dhe efektiv në formimin e kësaj qeverie.

Dialogu me Serbinë: është folur për një fazë të re të dialogut në kohën kur një sërë marrëveshjesh të arritura në të kaluarën me Serbinë nuk janë zbatuar nga pala serbe, siç thotë, Prishtina zyrtare. Kësaj radhe do të ketë Kosova vija të kuqe apo qasje tjetër në këtë dialog?

Mos të flasim për vija të kuqe, dialogu nuk duron vija të kuqe, dialogu bëhet që të amortizohen problemet, sfidat. Vija të kuqe ka dhuna, ka forca, lufta dhe dialogu nuk duhet të ketë vija të kuqe, por të gjejë rrugëdalje të problemeve të ndryshme që mund të ketë. Unë besoj, se dialogu i ardhshëm i Serbisë do të jetë një proces i cili synim ka zgjidhjet dhe jo të jetë për konsum publik. Proceset kanë marr kahje të duhur dhe e shoh se ka lëvizje pozitive nga Serbia. Iniciativa e Vuçiqit në këtë drejtim nuk duhet të kritikohet por duhet të merret si konstruktive dhe nga ajo pjesët interesante duhet të merren dhe të studiohen dhe të përdorën si bazë për biseda e mëtejshme. Një e di që Serbia e ka të qartë se një pajtim me shqiptarët do t’i kontribuonte shumë rajonit dhe Serbisë dhe edhe ne e kemi të qartë në Kosovë se realiteti është ky. Serbia është një shtet i konsoliduar ka një pjesë të madhe të vijës kufitare me Kosovën dhe Kosova sot paraqet një klient të rëndësishëm për mallrat e Serbisë dhe çka duhet të ndodhë këtu, duhet të ndodhë intensifikimi i punëve dhe ne sa më shpejtë të punojmë në temat ku mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe kapitalit, mallrave, ideve dhe këtë duhet ta mundësojmë dhe këto ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e standardit jetësor. Serbia e di që dita e pajtimit me Kosovën do të vijë dhe do të përmblidhen në konkluzat e të gjitha përpjekjeve që janë bërë deri tash dhe këto konklzua do të mbyllen dhe do të ketë një titull, marrëveshja e pajtimit. Unë i gëzohem atij pajtimi, sepse përfiton Kosova, përfiton Serbia, përfiton rajoni dhe qeveria e Kosovës nuk do të ndalet në këtë drejtim. Ndoshta në hapjen e fazës përfundimtare të dialogut do të ketë një kufizim në kohë për tema të cilat konsiderohen si të nevojshme tash për tash. Unë e di që ne kemi bërë shumë lëshime dhe nuk janë lëshime që kanë ndodhur nga mosdija jonë apo se ne kemi qenë të paaftë, por janë lëshime që konsiderohen si një ndihmë për Serbinë për të arritur deri te pajtimi i madh dhe këtë nuk duhet ta harrojmë asnjëherë dhe tërheqja jonë në prag të konfirmimit të anëtarësimit të Kosovës në Interpol ishte një gjest shumë i qartë se jemi duke i ndihmuar procesit të dialogut. Ne këto momente jemi seriozisht duke menduar që mos të aplikojmë edhe në UNESCO dhe këto janë sinjale të forta që ne i dërgojmë Serbisë, se ne jemi duke i ndihmuar procesit për arsye se pajtimi duhet të ketë edhe një substancë brenda dhe kjo substancë është që Serbia mos të bllokojë në të ardhmen iniciativat integruese nëpër organizatat rajonale evropiane dhe botërore. Unë them se ndoshta në këtë samit do të ishim anëtare të UNESCO-os. Nuk i kushton Kosovës shumë, po presim edhe pak dhe ta pasurojmë kontratën e pajtimit edhe me këto tema.(Bisedoi: Bekim Shehu)

Filed Under: Interviste Tagged With: Behget Pacolli, Kosove-Serbi, Pajtimi i madh

Haradinaj: Për Demarkacionin vendosim pasi ta gjejmë të vërtetën

October 6, 2017 by dgreca

“Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën për Demarkacionin dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë do t’i drejtohemi partnerëve politikë në Kosovë por edhe partnerëve ndërkombëtarë”. Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovë Ramush Haradinaj. Ai thotë po ashtu se në platformën e re të Qeverisë së Kosovës për dialogun do të përfshijë të gjithë akterët vendimmarrës në vend. Po ashtu, Haradinaj sqaron edhe arsyet e tërheqjes së Kosovës nga votimi për anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL.

1kopertina-haradinaj

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, cilat ishin arsyet që Kosova u tërhoq nga anëtarësimi i saj në dy organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si UNESCO dhe INTEROPL-i?

Ramush Haradinaj: Vitin që po e përmbyllim ishte vit i ndërprerjeve institucionale, pra shpallja e zgjedhjeve, vonesat në ndërtimin e institucioneve dhe në mungesën e një pune konsistente paraprake. Pra një agjendë jo e qëndrueshme ose e të arriturave jo të konsoliduara në drejtim të anëtarësimit në këto dy institucione ka bërë që ne ta rishqyrtojmë strategjinë tonë deri në anëtarësim. Do të thotë sa i takon INTERPOL-it kemi filluar veç punën për vitin që vjen.Ndërsa, për UNESCO është pas dy viteve. Por kërkohet një mobilizim më serioz, pra aplikimi ynë dhe hyrja në votim. Ndryshe, hyrja në votim pa sigurinë e plotë të votës do të ishte një precedent jo i mirë për Kosovën, në planin ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë: Zyrtarët në Beograd në vazhdimësi kanë deklaruar se do ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në këto organizata. A mund të ngrihet kjo çështje në kuadër të dialogut të Brukselit, i cili është thënë se ka si qëllim normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi?

Ramush Haradinaj: Besoj, po është me interes të trajtohet qasja e palës në dialog, në këtë rast e palës nga Beogradi. Pse?- Për shkak se ekziston një angazhim i madh, po e quaj ashtu, obstruktiv në perspektivën e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, mirëpo nuk është e tëra. Por, një pjesë e madhe e punës është e jona, sikurse të kishim një punë serioze në Kosovë, do të ishte një realitet tjetër.

Ka munguar një punë serioze paraprake, nuk ka ekzistuar një mekanizëm ndërministror dhe me organet përkatëse që ka një politikë konsistente dhe është punuar në baza individuale paraprakisht dhe përveç mungesës së një pune të tillë serioze, ka munguar edhe mobilizimi i partnerëve që përkrahin dhe që janë me ne në këtë plan. Kësisoj, pra nuk është vetëm puna ose suksesi i Beogradit në kundërshtim, por është mungesa e një angazhimi serioz të palës kosovare në këto dy procese.

Radio Evropa e Lirë: Kur jeni të gatshëm t’i filloni takimet në kuadër të dialogut politik me Beogradin?

Ramush Haradinaj: Ne e kemi një proces të dialogut që po vazhdon. Presidenti i vendit (Hashim Thaçi) është pjesë e këtij procesi dhe e përfaqëson Kosovën, por jemi në përgatitje të një platforme të mirëfilltë të asaj se çka pret Kosova nga dialogu. Për këtë platformë do të përfshijmë të gjithë akterët vendimmarrës në vend.

Pra, duhet një diskutim i brendshëm për këtë, në mënyrë që vazhdim i dialogut të jetë shërbim për popujt, pra të mos mbetet dialog vetëm i liderëve dhe këtu na pret shumë punë në ditët që vijnë.

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë zoti kryeministër, ju keni takuar dje në Prishtinë, Drejtorin e Komisionit Evropian për Zgjerim, i cili përsëriti se kosovarët do të mund të llogarisin në liberalizimin e vizave kur t’i përmbushin dy kriteret e fundit, ku njëri ndër kryesorët mbetet ai i ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Kur do të procedoni tutje me çështjen e Demarkacionit?

Ramush Haradinaj: Tani ne jemi realist në të gjitha temat. E dimë obligimin që i del Kosovës në reformat e brendshme në rend dhe ligj, në çrrënjosje të korrupsionit. Pra, nuk është vetëm një vlerësim…edhe Sekretari amerikan i Shtetit, po edhe të gjithë na drejtohen me një përkrahje të parezervë, që Kosova të përmirësojë gjendje në rend dhe ligj, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizimit. Ndërsa, edhe tema e Demarkacionit është temë e cila ka filluar dhe po procedohet më tutje. Për ratifikim në versionin që është, Kosova nuk i ka dy të tretat (e votave në Kuvend). Pra, duhet gjetur një zgjidhje, por nuk i ka dy të tretat për ratifikimin e versionit ekzistues.

Radio Evropa e Lirë: A prisni mbështetje nga faktori ndërkombëtar në përpjekjet e juaja që Marrëveshja për demarkacionin të rishikohet edhe njëherë, marrë parasysh kërkesat e faktorit të jashtëm, që marrëveshja të ratifikohet sa më shpejt?

Ramush Haradinaj: Në gjendjen e tanishme askush nuk ka se si të ndërhyjë, për shkak se është një gjendje e atillë, ku Mali i Zi e ka ratifikuar Marrëveshjen dhe e ka kryer obligimin e vet nga një marrëveshje paraprake. Kurse Kosova nuk po arrin ta ratifikojë në Parlament me shpjegimin se të gjeturat janë gabim.

Pra, versioni ekzistues është gabim nga Komisioni (paraprak). Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë po do t’i drejtohem në fillim partnerëve politikë të gjithëve në Kosovë, po edhe partnerëve ndërkombëtarë që të trajtohet kjo temë në përputhje me substancën.

Ekzistojnë proceduara standarde mes vendeve kur kanë konteste të tilla dhe ne nuk bëjmë përjashtim, pra janë vende të BE-së ose vende të NATO-s. Andaj, edhe ne nuk bëjmë përjashtim do t’i respektojmë ato procedura.

Radio Evropa e Lirë: Pra, prisni përkrahjen e faktorit ndërkombëtar?

Ramush Haradinaj: Është disi ta quaj ashtu një angazhim që është në dobi, sepse avancimi i Malit të Zi drejt NATO-s, drejt BE-së, avancimi i Kosovës, zgjidhja e të gjitha temave të hapura, lehtëson agjendën edhe evropiane edhe të NATO-s, po edhe të Amerikës për rajonin. Edhe në jemi të interesuar që të mbërrimë te një zgjidhje. Duhet ndihma edhe mirëkuptimi edhe i palës malazeze.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, nga dita e parë e punës keni hasur në një rezistencë mjaft të ashpër politike në Kuvend nga opozita. Sa e konsideroni sfiduese vendosjen e dialogut me opozitën për çështje për të cilat do të kërkohet mbështetja e këtij tabori politik?

Ramush Haradinaj: Tani është fat i madh se jemi demokraci, ka opozitë dhe kjo është shumë e mirë për qeverisje. Pra, na obligon, jo vetëm në seriozitet në punë, por edhe në kujdes, në ballafaqim të angazhimeve tona. Kuptohet, për mua është interes vendosja e komunikimit me opozitën, me shoqërinë civile. Sot gjatë ditës kam punuar me shoqërinë civile.

Kjo nuk bëhet për hatër të Qeverisë edhe nuk bëhet për shkak se Qeveria nuk mundet që t’i ushtrojë funksionet e veta, por kjo bëhet për shkak të obligimit që e kemi në vend edhe unë e mirëpres një komunikim me opozitën.

Opozita e ka një qasje të kundërshtimit të caktuar opozitar. Ma merr mendja që ata do të evoluojnë në këtë, për shkak se kjo Qeveri është serioze, është vepruese, është kompetente edhe për tu përballur me këtë Qeveri nuk vlejnë praktikat që janë përdorur nga opozita për qeveritë e kaluara . Bëhet fjalë për një kualitet tjetër, për parametra të tjerë dhe është mirë që ata sa më shpejt të përballen me ne për planet qeverisëse që lidhen me zhvillimin ekonomik, me luftën kundër korrupsionit, me forcimin e rendit dhe ligjit.

Nëse vazhdojnë që të përballen me ne me vënien në pikëpyetje të vlerave patriotike, të aspekteve të marrëdhënieve ndëretnike e të tjera, është humbje kohe për ta, për shkak se ne jemi njerëz që kemi rrugëtuar gjatë në interesin e Kosovës, për interesin e Kosovës.

Po ashtu, vet jam njëri prej atyre që kam ndihmuar në partneritetin me miqtë e Kosovës, sidomos me ata që janë aleatë që kanë rrugëtuar me Kosovën në çdo etapë.

Kështu që, më mirë do të ishte për ta që të fokusohen në temat që kanë të bëjnë me hapjen e vendeve të punës, me zhvillimin e jetës. Në tema të tjera, vërtetë janë gabim.

Radio Evropa e Lirë: Do ta ftoni opozitën të jetë pjesë e dialogut me Beogradin?

Ramush Haradinaj: Qeveria aktualisht dhe unë do ta mbështesë agjendën që ka Presidenti (Hashim Thaçi) për dialogun. Pra, ne jemi mbështetës të kësaj agjende edhe vet roli i Presidentit është një rol si funksion institucional, është unifikues, është përfaqësues i të gjithëve. Unë e mirëpres angazhimin e opozitës në këtë temë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund, një prej marrëveshjeve kryesore të dialogut me Serbinë deri në këtë fazë, është themelimi i Asociacionit të komunave serbe. Kur do të procedohet në drejtim të themelimit të këtij Asociacioni?

Ramush Haradinaj: Tash ne kemi një gjendje të qartë, do të thotë kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që e gjen marrëveshjen për Asociacionin jo në harmoni me Kushtetutën. Ne na mbetet që të veprojmë në një të ardhme në bazë të asaj që parasheh Kushtetuta e vendit, duke respektuar edhe të gjeturat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pra, është një proces në të cilin Kosova mund të veprojë në rrethana të caktuara bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ajo që është po ashtu me rëndësi është që Kosova do të kishte vepruar në plot tema sikurse Kosova të ishte më e sigurt në perspektivën e vet. Një qasje e re e Serbisë që t’i adresohet vendeve të BE-së dhe të bëjë analogji të Kosovës me Kataloninë, nuk i lehtëson këto tema. Pra është një qasje e gabuar. Çdoherë është thënë se duhet të krijohet klimë për zbatim të obligimeve të ndërsjella. Kjo vërtetë e vështirëson klimën e ndërmarrjeve që duhet t’i merr Kosova në përputhje jo vetëm me dialogun por edhe me objektiva e veta që i ka.

Ne nuk jemi kandidat për BE, ne jemi vetëm me MSA, do të thotë kjo është një fazë shumë e vonuar për Kosovën. Liberalizimi i vizave nuk na është dhënë. Ne nuk kemi avancuar drejt NATO-s në shkallën e duhur. Ende nuk e kemi dhënë emrin kushtetues të Ushtrisë së Kosovës dhe mandatin kushtetues.

Pra, disa procese të këtilla e kishin rritë mundësinë, kapacitetin e Kosovës që të ndërmarrë veprime që janë të guximshme në avancim të mëtejmë për plot tema që i ka vendi.

Radio Evropa e Lirë: Kur mendoni se do të bëhet kjo klimë për të proceduar me Asociacionin?

Ramush Haradinaj: Kontribut të madh jep vet Qeveria me mënyrën e punës, me një angazhim serioz në tema që i përmenda më herët. Pra, vet qeverisja efektive, vepruese, e përgjegjshme dhe që garanton funksionimin e vendit ndihmon në këtë klimë.(Intervistoi:Arton Konushevci)

Filed Under: Interviste Tagged With: demarkacioni, Ramush Haradinaj, zgjidhja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT