• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2017

HAPET KONSULLATA E NDERIT E R. SË KOSOVËS NË ZELANDËN E RE

October 28, 2017 by dgreca

Konsulli ndShkruan:Sabit ABDYLI/ Auckland, 27 tetor 2017 -Në qytetin metropol të Aucklandit të cilin nga gjitha anët e spërkasin valët e Paqësorit  herë qetësisht herë me rrëmbim në praninë  e përfaqësueseve të Komunitetit shqiptar, strukturave politike të qytetit dhe pushtetit qendror, konsuj të shteteve të ndryshme të akredituar në Auckland dhe miqve tjerë në mënyrë solemne u bë hapja e Konsullatës së nderit të Republikës së Kosovës me seli në qytetin e përmendur.
2pritje kons Zeland
Konsullata do të drejtohet nga Prof. Dr. Kenneth Eduard Jackson, i cili ka qenë pjesë e misionit të USAID-it në Kosovë, ka vizituar shpesh Kosovën dhe është  mik i mirë i shqiptarëve.
Me këtë rast ambasadori i Republikës së Kosovës dr. Sabri Kiçmari falënderoi Guvernatoren e Përgjithshme dhe Qeverinë e Zelandës së Re   për aprovimin e propozimit për konsull nderi të prof. Jackson duke vlerësuar ketë si ndërmarrje të rëndësishme për marrëdhëniet mes dy shteteve. Në këto nëntë vjet pavarësie, vazhdoi dr. Kiçmari, Kosova tregoi se është  faktor paqeje e sigurie në rajonin e Evropës juglindore dhe  pjesë e pandashme e saj (Evropës) në rrafshin politik, gjeografik, historik e kulturor me synime të qarta integrimi në BE e NATO. Ambasadori  falënderoi Qeverinë dhe popullin zelandez për pranimin dhe pritjen e një numri refugjatësh shqiptarë në vitin 1999, falënderoi për votën pro Kosovës në UNESCO në vitin 2015 dhe për angazhimin konstruktiv  në debatet në KS të OKB-ës në vitet 2014-2015. Në fund ambasadori Kiçmari uroi Qeverinë e re në krye me znj. Jacinda Ardern e dal nga zgjedhjet parlamentare të këtij muaji. Pastaj doli në podium Konsulli Jeckson i cili në  fjalën e tij tha se është i nderuar që tash e tutje do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Zelandën e Re duke premtuar  kështu se do të punojë  me zellin më të madh në thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve dhe shprehu bindjen se Kosova  do të jetë pjesë e BE.
Në emër të Korit diplomatik të pranishmit i përshëndeti Konsulli i nderit i Panamasë, i cili përcjelli urimin e Korit konsullor për hapjen e Konsullatës së nderit të Republikës së Kosovës, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe koordinim të aktiviteteve me Konsullatën e nderit të Republikës së Kosovës.
————-
Konsulli i nderit Prof. Dr. Kenneth Jackson u lind në Merton (Angli). Në vitin 1972 emigroi në Zelandën e Re. Katër dekada me radhë ka punuar në Universitetin e Aucklandit. Ka mbajtur ligjërata në universitete të shumta: në Indi, Kinë, Japoni dhe Kosovë. Në vitin 2016 ka punuar në një komision profesional të Parlamentit të Republikës së Kosovës për hartimin e raportit rreth industrisë së resurseve, minierave dhe ekonomisë.
Sabit Abdyli
Foto 1. Dr. Kicmari, 2. Konsulli Prof. Jeckson, 3… pjesmarres ne ceremoni

Filed Under: Emigracion Tagged With: Konsullata e nderit, Sabit Abdyli, Zelande e Re

Si e vlerësonte A.Ermenji Naim Frasherin ?

October 28, 2017 by dgreca

Frasherllinjte

Nga Gëzim Llojdia/

 1.Vendi ynë po zhytej më thellë në diktaturë aty rreth viteve ’50 në gazetën:” Flamuri”, muaji prill 1950 prof Abaz Ermenji hedh në letër ,një ese të mrekullueshme për poetin  tonë të dëshirueshëm, Naimin.Ai thotë, se në dhjetorin ,që vjen mbushen plotë pesëdhjetë vjet,që kurrë  fytyra e Naimit u ftohë mbi letrat shqipe si flakë e bardhë e një qiriri. Në vjeshtën  e fundit trupi i poetit do të shkonte në Madrivernqoi, por Ermeni vijon duke thënë se :”Qoftë mister qoftë dëshirë e veçante që Perëndeshat e Parnasit kanë për miqtë e tyre, Naimit nuk iu lejua të shkelte pragun e kohës sonë, por mbet si monument në horizontin e shekullit, që shkoi, sikur desh të thosh; “këtu është kufiri im”. Si duket, frymë e tij pat për mision të zgjoj nga gjumi i parë vetëdijen e shurdhër kombëtare, pastaj u pre: si ai zefiri i butë që përkëdhel natyrën e fjetur dhe e mbush me dridhma e njomështirë, n’avujt e parë të mugullimit, pastaj shuhet n’agim të ditës. Më tej Ermenji në vitet 50 të shekullit të XX tek Flamuri thotë se le ta çojmë një çast mendjen në shekullin e XIX duke kujtuar erën e nxehtë, që kishte nisur të frynte përmbi Evropën plakë.

2.FrasherllinjteErmeni shprehet se trumbetat e kryengritjes po oshtinin në tërë Ballkanin duke e afruar këtë me shfaqjet e kohës së antikitetit,po shqiptarët çfarë bëjnë në atë kohë shprehet ai ?

Dhe përgjigja e qartësuar është sigurisht që lëvizin.

Dhe në këtë mishmash lëvizje armët e tyre shndrisin në të gjitha anët që larg deti i Mesdheut. Profesori këtu nxjerr një fakt që kanë shqiptarët;të njohur për mjeshtërinë e luftës,por dhe një të keqe që luftojnë për botën dhe jo për veten  e tyre. Duke shqyrtuar historinë e shkruar merr një mesazh nga historia e Skënderbeut,pra kjo kohë e lavdishme,kohët që u mbyllën me një perëndim të përgjaktë,duke lënë pas një natë robërie nga më të errëtat. Kuptimi është më i qartë kur flitet për pushtimet pavarësisht se çfarë soji ishte I mbuluar,qoftë ai edhe me petkun e islamit. Ai shprehet se vetëdija kombëtar erdhi dhe u shurdhuar u thye boshti I idesë qendrore për një shtet të lirë,të pavarur. Duke vijuar kronologjinë historike ai shprehet së shqiptarët u shpërndanë nëpër botë si kashta që merr era,si gjymtyrët e një trupi të këputur në mes. Fjalë për fjalë e germë për germë ai shprehet:”Dhe kudo që vanë e zunë qendër, u c’quan e duall  përsipër mbi popujt vendas. Bij Arbëreshi ishin shqipet e Sulit dhe delfinët e Hidras e tė Species, që ngritën nga pluhuri i shekujvet ballin e Helladhës famë-madhe, Shqiptaret qenë ata që zgjuan në lugun e Nilit Egjiptin e Faraonėve, ose ata që, duke ecur mbi gjurmët e Gjikëve, ju duall për zot fushave të  begatëshme të Vllahisė ; prapë një pjesë e shqiptarëve që ajo që iu bë shtyllë Perandorisë s’otomanėve si stërgjyshet e tyre, Ilirët, që iu bënë shtyllë Perandorisë Romake. Kurse brenda n’atdhé, në Shqipërinë mëmë: Disa thonë kemi fe, disa thonë kemi din/Njani thotë jam turk, tjetri latin.

Duke sjell Naimin poetë e zemrës tonë që u këndon bijve të shqipes. Ardhja e Naimit duhet kuptuar ai një ardhje e mirë porositur,sepse pikërisht në atë errësirë të shëmtuar ai flet me gjuhën e zemrës së zjarrtë.

Çfarë kërkon të sjelli gjuha poetike e Naimit sipas prof Ermenjit?

a-kërkon të shpërndajë hijet, që kanë mbuluar gjykimin e shqiptarëve,

b- kërkon të ngrohë ndjenjën kombëtare të mpirë nga robëri e ashpër,

c- kërkon të kthejë mendjen, zemrën dhe hovin luftarak të bijve të shqipes, prej botës së jashtme, n’atdhenë e dashur, në vendin e bukur: Tek mërzen cjapi me zile edhe fryn veriu në verë, tek mbin lulja me gaz shumë, e me bukuri e m’erė.

Çfarë bënë kësisoj Naimi sipas prof Ermenjit?

Naimi shkund nga pluhuri i harresës historinë e ndritur të stërgjyshërve tonë, dhe ua nxjerr si pasqyrë syvet t’errur të shqiptareve, u kallëzon sesa i larte është fisi i ynë që dikur mbushte boten me lavditë e tij, u këndon Skënderbenë, u përmend Pirro e Aleksandër dhe u tregon se kane dale prej racës sonë: Selefqinjtė, Ptolemenjtė, gjithë ç’qenë të mëdhenjtë.

4.Naimi këndon jetën dhe natyrën shqiptare, këndon bagëtinë e bujqësinë, këndon punën dhe virtytin, dhe me të gjitha këto, kërkon të forcoje idenë e të përkëdhele dëshirën e lirisë e të mvëhtësisë kombëtare. Kërkon t’u shtjerë ndërmend shqiptarëve se janë një komb me vete, më i lashtë e m’i fisëm nga të tjerët, dhe se duhet të punojnë për të krijuar një bosht jete kombëtare. Iu kujton se nderi e lavdi e tyre është në Shqipëri, dhe jo në botën e gjerë: Ti Shqipëri më ep nderë, më ep emrin shqiptar, Zemrën ti m’a gatove plot me dëshirë e me zjarr. Duke shqyrtuar anët artistike ai shprehet se vargu i  tij nuk ishte i  gdhendur as i  përsosur,është e thjeshtë,por i përzemërt e i dashur si fjalët e foshnje,i ngrohtë e plotë shpirt si psherëtima e një mëme. Duke kërkuar pozicionin mes letërsisë dhe historisë sipas Ermenjit ai përket më tepër historisë se letërsisë. Duke hedhur këtë tezë i ai nis dhe e argumenton me fjalët se:”Në një kohë kur vetëdija kombëtare është shurdhuar, kur shqiptarët kanë harruar vet-veten, ai del si fytyrë apostulli dhe iu lejet ungjillin e kombësisë . Del e hap dritën e një vatre shqiptare, përgatit fushën shpirtërore për një bosht mendimesh lirie e mvehtësije, rreth të cilit do të sillej jeta shqiptare në t’ardhmen.  Këto ndjenja e mendime Naimi i përhap me anën e vjershës, të cilën e gjen si mjetin më të mirë për t’i shpurë drejt në zemër të popullit. Prandaj edhe gjuhë e tij është  ajo e fshatarit të thjeshtë. Naimi, si ai mësonjësi i mirë që ulet e bëhet një me nxënësit për të derdhur më lehtë në shpirt të tyre atë e ka në shpirt të tij, zbret në radhën e popullit dhe i hap pa druajtje zemrën e ëmbël e të qetë. Duke analizuar krejt veprën e Naimit ai shprehet vepra e Naimit është poetike në tërësinë e saj. Duke folur për vargëzimin naimjan, prof. Ermenji ka bërë këtë zbarthim:” Zemër e tij është gjithmonë njëlloj, e patrazuar prej furtunash e valësh, e ndritur dhe e ëmbëlsuar kundrejt botës së jashtme nga një diell i përhershëm dashurie. Kur shqyrton në thellësi poezinë e Naimit ai shprehet se kjo gjendje që duket më tepër monotone ndoshta i përket influencës së besimeve të vjetra persiane, që e shohin botën nën dy ngjyra. Duke e theksuar më poshtë ndikimin e bektashizmit të cilët kanë një histori të mirëfilltë letrare, që rrjedh nga kohërat pas mjegullës ai me vjershat morale kërkon të ëmbëlsoj  shpirtrat e zgjuar,mëshirën,virtytin,’ti u zbus shqiptarëve ndenjën e egërsisë. Duke qenë panteist ai shfaq dashurin, për natyrën dhe këtë prof Ermenji e përmend, por diku nga mesi i këtij shkrimi, ai shprehet se ai ka theksa aq të fort sa që na bëjnë të mendojmë Shën Françeskun dhe mistikët e mëdhenj. Në të vërtetë ndikimi i Naimit ka qenë nga Rumiu e më tej tek poete pers, që sollën krijime fantastike. Ajo linjë mbeti në themel edhe të krijimeve bektashinj,të cilët kanë edhe hynqarin e tyre, që ka pas shkuar vjersha,pa shqyrtuar dervishët e më pasmë apo mistikët e mëdhenj,madje gruaja mistike që u dashurua shumë pas Zotit ,quhej Rabije ,për tu hedhur tek Jonuz Emre,që në Turqi ka disa tyrbe,ku bëjnë edhe falje ndonëse ishte një poet. K jo lidhje mes  njerëzve që kishin ndikim nga fryma e mistikëve është e pranishme edhe tek poezia e Naimit. Mirëpo duke qenë më tepër bektashi dhe hartues  i  statutit të parë për bektashizmin shqiptar,ai është njëkohësisht gurë vendësi i parë  i  këtij komuniteti shqiptar, gjer gjuha e tij ishte përveç të tjerave dhimbja dhe shpresa. Prandaj ngrohtësia naimjane na sillet në vargëzime e këtillë,bardhësi që buronte nga mistika bektashiane,për të mirën të bukurën dhe kombëtaren. Duke kanalizuar në këtë udhë shkrimin e prof Ermenjit , them se ai ka pasur njohuri të mjaftueshme kur thotë se  ndjenjat panteiste, që i kish të lindura në zemër (ose i  vinin nga besimi bektashian në lidhje me besimet e vjetra hindane e persiane që Naimi kish thithur ), i vlejnë këtë ere t’i japë je shpirt të vetëm gjithë natyrës shqiptare e t’i pajtojë të gjitha gjërat në frymën e ngrohtë të jetës. Në :”Bagëti e Bujqësi”, këngëtari i ynë prek nervin e jetës shqiptare dhe  i frymëzuar nga malli i atdheut, i sheh të gjitha nënë një dritë, natyrë ,njerës, kafshë e gjera, i lidh të gjitha në një harmoni të këndshme, u jep të gjithave një shpirt e një qëllim dhe i mbulon me afshin e nxehtë të dashurisë së tij. Shikoni se me ç’hov të natyrshëm …Duke qenë një armik i shpallur i regjimit ,në rreshtat e fundit prof  thekson një ide që duhej ngulitur fortë në kokë.

5.Se çfarë do të bënin pasardhësit pas Naimit me Shqipërinë dhe fjalët Mëmëdhe sidomos regjimtarët e viteve 1945-1990,që e përdorën historinë për të luftuar armiqtë e tyre personalë. Ja mbyllja që ka bërë A.Ermenji tek gazeta Flamuri në prill të vitit 1950. Naimi jetoi në një kohë kur dashuria e atdheut ish romantike. Dhe ndoshta s’mendoj se pas tij do të vinin ditë ku tingujt e shenjtë Shqipëri e Mëmëdhe të përlyheshin nëpër buzë katilësh e kurtizanesh, si fjalët e Krishtit në gojën e Judës. S’mendoj se Shqipërinë, që ai e këndoi me aq dëshire e mallëngjim, do t’a ledhatonin më vonë, dhe ndoshta me fjalë më të holla e më të gdhendura, gjuhë të ftohta lajkatarësh, gjuhët e atyre që e përdorin pendën si mjet fitimi, dhe përrallen e patriotizmës si plaçkë tregu!… Por le të shpresojmë. Jeta sillet. Kohët ndryshojnë si stinët e vitit. Kush tha se pas këtij dimri nuk do të dalë një prendverë shqiptare e kaltër, e mbarsur me frymën e dashurisë së thjeshtë tė Naimit? Atëherë lulet që do të çeli jeta kombëtare e jona, do të kenë tjetër ngjyrë e njomështi, tjetër bukuri dhe erë. Vetëm gazi që vjen nga një dashuri e vërtetë i hedh popujt përpara, pjell e krijon; dhe ngre maja të larta ne historinë e njerëzisë. Kush tha se ky gas ngjallës e krijonjës nuk do tė hapet edhe një herë si zjarr i shenjtë nëpër zemrat shqiptare, duke zënë fill nga ajo shkëndijë e dashurisë së thjeshtë që rrodhi prej frymës së Naimit? Është një fakt që duhet pohuar se mërgimtarët shqiptarë që ikën nga vendlindjet e tyre për shkak të përndjekje të regjimit,hapën gazeta shqipe në Evropës,Amerikës e gjetkë me synimin për të ngjallur shpresën për kombin shqiptar,që kishte pasur rilindës,që kishte histori,por që një fatkeqësi e madhe i kishte rënë,ardhja e një regjimi,që mbylli kufijtë me botën dhe përndoqi deri në gen kundërshtarët e tij.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gezim Llojdia, Naim Frasherin ?, Si e vlerësonte A.Ermenji

Arti i të folurit ka vdekur!

October 27, 2017 by dgreca

1 alfons 2

Nga Alfons Grishaj/

Arti i të folurit njihet mijëra vjet më parë. Gjuha e pasur pasqyron dhe fsheh, ngatërron dhe paqëson, gënjen dhe vërteton, frymëzon dhe degradon, ngjall dhe varros. Vërtetësia brilante e fjalës, servirur ndershmërisht është një privilegj që nuk e kanë as politikanët dhe as tregtarët. Biles, ky privilegj, qendron varur si relike kallpë në fodullëkun e pjesës dërmuese të gazetarëve, të cilët, shiten dhe blihen si skllevër në pazarin e politikës, duke braktisur ndërgjegjen profesionale. Dikur mendimtari, oratori, filozofi, poeti,  shkrimtari apo gazetari ishin rob të ndërgjegjes së kulluar që nuk njihnin kompromis as me paratë dhe as me  diktaturat.

Njëherë e njëkohë, Ciceroni, kur vuri re që Mark Antoni po imitonte me vepra Çezarin, i drejtohet me këto fjalë: “Your ambition to reign, Antony, certainly deserves to be compared with Caesar’s. But in not a single respect are you entitled to the same comparison… His character was an amalgamation of genius, method, memory, culture, thoroughness, intellect and industry.” * Megjithëse Ciceroni, e pat urryer Çezarin, para dhe pas vdekjes, nuk i kurseu fjalët e vërteta. Kush është sot  ai burrë  që thotë fjalë të tilla për kundërshtarin e të sfidojë imituesin bash para tehut të shpatës …?

Sajimet dhe shpifja janë mekanizma që thyhen gjithnjë në pragun e të vërtetës. Jemi i vetmi popull në botë që bëjmë rolin e hetuesit, prokurorit dhe gjykatësit. Opinioni ynë është gjithnjë ekstrem. Në fakt, këtu u jap pak të drejtë se, kur nuk ka ligje dhe shtet, dikush do hamendësojë për personat dhe ngjarjet. Politikani nuk e ka për asgjë të bëjë rolin e Eftibidës kurtizane, kurse gazetarët (jo të gjithë) e kanë për sport të bëjnë orgji më të… Këtë kishte parasysh dhe Edi Rama, kur iu drejtua gazetarëve me fjalët: “S’keni si ta kuptoni ju që as lexoni, as përpiqeni të thelloheni, as doni të dëgjoni për të kuptuar për çfarë bëhet fjalë.” E më tej vazhdon në të njëjtin stil: “Mos u ofendoni fare se ju e ulni dhe e ngrini këdo si ju teket edhe kujtoni se askush nuk ka të drejtë t’ u thotë se jeni pjesë e një kazani të madh.”

Mbase ka vite që nuk kam dëgjuar fjalë më të goditura që dalin nga një gojë e shtrembër!

Nëse flasim për “Përrallën e Shllavarisë”,  këto janë fjalët më brilante nga goja e një politikani vagabond që udhëheq “Shllavarinë”. Siç dihet, në “Përrallën e Shllavarisë”, vendi udhëhiqej nga vagabondë dhe kriminelë. (Këtë krahasim e kam bërë dhe më parë…)

Tani, gazetarët janë zgjuar dhe duket sikur po e godasin heroin e tyre që i udhëhoqi në reforma vendnumëro, kanabizim të vendit, shtim borxhi shtetëror, rritje papunësie, pasiguri, kleptokraci, krim dhe tradhëti… Jo ore zotërinj! Edi Rama, ka të drejtë se e di se me kë ka të bëjë… Ai e kupton se, një popull që vuajti për dyzeteshtatë vjet për liri dhe për bukën e gojës, pasi zgjedh të birin pas të atit, s’ka rrugë tjetër veçse të përsërisë historinë. Rama e di se në ç’ shkallë është ndërgjegja qytetare!  Dhe pas kësaj,  me intuitën e dhelprës shpreson që me anë të takimeve kokë më kokë do ia dalë të ngrohë mendjen e çdo “kryengritësi”, në jastëqe me pupla shumëngjyrëshe që i ofron sponsori tashmë jo anonim, Piggy Bank e drogës. Opozita ka gjetur një kundërpëgjigje origjinale, ku përfaqësuesit e saj në Parlament, protestuan me pankarta ku shkruhej: “Qeveria e Drogës”. Kreu i PD-së, Lulëzim Basha, një politikan aktiv që ka për dëshirë aksionet politike, paralajmëron: “Ky është vetëm fillimi”. Po çfarë fillimi? Fillimi i një fundi, apo fillim pakufi?

Pra arti i të folurit hamendëson dhe fsheh! Paralajmëron rrufe që nuk dihen kur do  bubullojnë shpresën e një  oguri të mirë apo të zi!

Politika pa aksion prodhon retorikë. Po retorikat politike ushqejnë ferra që nuk çelin lule. Politikani, mendimtari apo llafollogu duhet ta peshojnë mendimin pa e nxjerrë fjalën. Nëse fjala del e pasitur mirë, konfuzioni dhe gabimi janë si mielli pa ujë që nuk mund të bësh as bukë e jo më revani! Llafollogët shterpë i shohim tek fryhen si gjelat, duke bërë deklarata dhe romuze, që nuk ngrohin dhe gicilojnë askënd! Gjenialiteti prodhon ide inovative që nuk kanë nevojë për artin e të folurit, se vepra ka shkronja të arta që gdhenden në faqet e historisë. Kurse shterpësia prodhon inkursione llafollogjie pa vepra frytdhënëse. Këtë e  shohim  tek  rrypat e politikës shqiptare.

Çfarë duhet të zgjedhë populli refrenin e gjinkallës, punën e bletës apo gënjeshtarin tradicional? Unë mendoj se, të dy të parat janë të pranueshme. E para, është shumë efikase për njerëzit që  kanë filluar të shurdhohen. E dyta, është mirëqenie dhe pa të njeriu nuk bën dot. Nëse e para është për shurdhë (memecë), d.m.th. nuk është e  nevojshme për masën. E dyta, është për të gjithë, prandaj njeriu duhet t’i shërbejë asaj. Pas kësaj, aktualisht  nuk ka më vend për gënjeshtarin tradicional, që shqiptari dhe bota e qytetëruar vuajti për një gjysëm shekulli?! Duhet gjetur mënyra për të ndaluar propagandën, babëzitjen e tre breznive që dolën nga revolucioni  komunist?

Nëse Ciceroni, një ndër oratorët politikanë më të mëdhenj të Romës, bëri Mark Antonin, të mendojë dhe të heqë dorë nga imitacioni tiranik, përse oratorët, mendimtarët dhe gazetarët e sotëm nuk janë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë me Ramë-Tahirët dhe sojin kriminal?! Mendoj se, për njeriun e sotëm arti i të folurit nuk është më një vlerë dhe ndërgjegje, por hile dhe pabesi! Njeriu i sotëm e di mirë këtë. Kjo është dhe arsyeja që ende  militojnë  sirenat me  fyej të kuq?

Në këtë situatë, shteti nuk ekziston! Arti i të folurit ka vdekur! Bashkë me të po varroset besa dhe ndërgjegja qytetare.

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Arti i të folurit, ka vdekur!

Përurohet shtatorja e Azem Hajdarit, përshëndetje nga VATRA

October 27, 2017 by dgreca

Statuja AzemitVATRA:Vatra dhe vatranët shprehin besimin dhe shpresën se idealet demokratike të Azem Hajdarit dhe bashkëluftëtarëve të tij demokratë, do të frymëzojnë qytetarët shqiptarë, që të kontribuojnë për të ndërtuar Shqipërinë Demokratike, Europiane, në vend të Shqipërisë së varfër, të pushtuar nga krimi, të zotëruar nga bandat, trafiqet e droga, nga korrupsioni./

1 Monika

TIRANË– Shtatorja e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdarit është përuruar sot në Tropojë ku merrnin pjesë kryedemokrati Lulzim Basha, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi por edhe përfaqësues të trupave diplomatikë.3 azem

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur përurimin e shtatores së udhëheqësit të Lëvizjes Studentore Shqiptare të Dhjetorit 1991, Heroit të Demokracisë dhe ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Azem Hajdari në Tropojë.1 Princi1

Në vijim, mesazhi i Presidentit Meta iu përcoll të pranishmëve të shumtë në ceremoninë e përurimit të shtatores, që u zhvillua në qendrën e qytetit të Bajram Currit, nga Këshilltari Ushtarak i Tij, Gjeneral Brigade Piro Ahmetaj.

Në mesazhin e Presidentit Meta ndër të tjera thuhet se, vendosja e monumentit të Azemit në vendlindjen e tij të shtrenjtë është një gjest fisnik mirënjohje, jo vetëm për kontributin e tij të pazakontë por edhe për vlerat shoqërore e kombëtare që kjo vatër e patriotizmit ka mbajtur në shekuj.

1 Rrustemi BashaNë fjalën e tij, kreu i PD, Lulzim Basha tha se ka ardhur me gëzim dhe dëshirë të madhe në këtë festë të bukur, kthimin e Azem Hajdarit në Tropojën e tij të shtrenjtë.“Këto male janë plot me heroizëm dhe lavdi. Azem Hajdari ju përket ju, i përket Tropojës dhe ju jeni krenar për birin tuaj”, iu drejtua ai qytetarëve të mbledhur në qendër të qytetit.“Sa më shumë shkon koha, Azem Hajdarit i detyrohemi shumë për ç’ka bëri për lirinë e gjithëve ne”, nënvizoi Basha, duke shtuar se, “kjo është vetëm njëra prej përmendoreve që ngrihen për të.

1heroiNë fakt, theksoi Basha, “përmendoren më të madhe, Azem Hajdari e ka në mendjet dhe zemrat tona. Ai vazhdon të na ndriçojë rrugën”.“Në mendjen dhe zemrat time, të mbarë rinisë shqiptare, kujtimi i Azem Hajdarit na shërben të kujtojmë se liria është gjëja më e çmuar në jetë. Tropoja sot është shumë e bukur me përmendoren e Azem Hajdari”, u shpreh kreu i PD .

1 Ok azemi 1

Berisha: Azem Hajdari do të kthehej e do të shndërrohej në legjendën e vërtetë

Në përurimin e shtatores mori pjesë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në fjalën e tij theksoi se, “Azem Hajdari do të kthehej e do të shndërrohej në legjendën e vërtetë. Do të ngrihej si luan mbi mitrolozët, përballë autoblindave, përballë një diktature më të rëndat e Evropës, do të brohoriste. Do të shkallmonte dyert e mbyllura të lirisë dhe dinjitetit për shqiptarët, që shqiptarët të ngrihen kudo si njerëz me besim dhe krenarë”

Kryebashkiaku Dushaj: Djalin tonë e përcollëm të ri, dhe na u kthye në bronx

Ndërsa kryebashkiaku i Tropojës, Besnik Dushaj në fjalën e tij u shpreh se, “djalin tonë të bukur e përcollëm të ri, dhe na u kthye në bronx. Azem, ti je gjallë dhe faleminderit që na dha mundësitë të ëndërrojmë”…

Nje pershednetje te veante ka derguar tek organizatoret e ceremonise Federata Panshqiptare e Amerikes permesso Kryetarit Dritta MIshto. Po e percjellim te plot:

PËRSHËNDETJA E VATRËS NË PËRURIMIN E SHTATORES SË HEROIT AZEM HAJDARI

1 flet deputetjaI NDERUAR Z. BESNIK DISHA, KRYETAR I BASHKISE”BAJRAM CURRI”

E nderuar Familja e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari

Të nderuar deputetë të Parlamentit Shqiptar

Të nderuar Bashkatdhetarë

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ndjehet e vlerësuar, që t’ju përcjellë sot në këtë ditë të veçantë të përurimit të Shtatores së Dëshmorit të Kombit dhe Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, në sheshin me të njëjtin emër në Bajram Curri.

Ftesa Juaj na nderon, por në pamundësi për të qenë fizikisht me ju në këtë ditë historike, me shpirt jemi aty, me JU, me Azemin!

VATRA, ndjehet mirë që është një nga kontribuset modeste në këtë projekt që përjetëson Heroin e Demokracisë, tribunin e përmbysjes së komunizmit, ideatorin e Demokracisë,njeriun që vuri në themelt e Demokracisë Jetën e tij.

Heroi Azem Hajdari ishte mik i mirë i VATRËS. Ai u prit disa herë me respekt e nderime nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA gjatë vizitave të tij.

Po ashtu delegacioni i Federatës VATRA pati të gjithë përkujdesjen e Azem Hajdarit,gjatë vizitave që ajo bëri në Shqipëri, që nga marsi i vitit 1991, 92, 96 e më pas. Do të mbeten të paharruara nga Kryesia e Vatrës përkujdesja që tregoi Azem Hajdari gjatë viiztës që bëri këtu në Bajram Currin e Azemit, një grup vatranësh në prillin e trazuar të vitit 1998. Delegacioni i Vatrës, vizitoi të plagosurit e Luftës së Kosovës në Spitalin e Bajram Currit, solli nga Amerika ndihma, medikamente dhe mbështeti me kontribute financiare Luftën e Kosovës. Pikërisht në ato kushte të vështira Vatra pati ndihmën e pakursyer të Azem Hajdarit, siç e pat këtë ndihmë edhe gjatë vizitave të tjera.

Vatra dhe vatranët shprehin besimin dhe shpresën se idealet demokratike të Azem Hajdarit dhe bashkëluftëtarëve të tij demokratë, do të frymëzojnë qytetarët shqiptarë, që të kontribuojnë për të ndërtuar Shqipërinë Demokratike, Europiane, në vend të Shqipërisë së varfër, të pushtuar nga krimi, të zotëruar nga bandat, trafiqet e droga, nga korrupsioni.

Le të jetë kjo Shtatore, Jo vetëm një Kujtesë për heroin dhe Demokracinë reale, por le të shërbejë edhe si frymëzim për të realizuar aspiratat e Azemit dhe brezit të Tij,  për një Shqipëri të demokratizuar sipas modelit amerikan.

 

KRYETARI

DRITAN MISHTO

Nju Jork, 27 tteor 2017

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: përshëndetje nga VATRA, perurohet, shtatorja e Azem Hajdarit

NDERROI JETE NE BOSTON ARNOLD ÇELAJ, 26 VJEÇ

October 27, 2017 by dgreca


1 Uruci
Arnold Çelaj ndërroi jetë në moshën 26 vjeçare në Boston, MA, Sot ngushëllimet, Nesër Varrimi/

1 shenje zije

Një humbje e madhe ka ndodhur në familjen shqiptare të Ramazan dhe Dituri Çelaj në Boston MA. Me 19 tetor 2017 ndërroi jetë në moshën 26 vjeçare djali i tyre i dashur Arnold Çelaj. Arnoldi ishte një djal i dashur, i zgjuar, i talentuar, veçanërish në muzikë, ai shkroi poezi të frymëzuara. Kishte pasion për të kënduar dhe për të luajtur në kitarë.

Arnoldi la në pikëllim të thellë prindërit Ramazan dhe Dituri, motrën Albiona (Çelaj)Nurko, la gjyshet e dashura, dhe shumë kushërinjë.

Njoftohet komuniteti shqiptar se Shërbimi funerale organizohen të premten me 27 tetor 2017 nga ora 4:30-8:30 mbasdite në Shtëpinë Funerale Kfoury Keefe Funeral Home, që ndodhet në adresën:

Kfoury Keefe Funeral Home

8 Spring Street

West Roxbury, MA 02132

Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit Organizohet ditën e Shtunë, 28 Tetor 2017, në orën 10 AM, duke u nisur nga Funerali drejt Forest Hill.

Ngushëllimet më të thella Familjes Çelaj dhe Uruçi.

Shpirti në Paqë Arnoldit!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Arnold Çelaj, nderroi Jute, ne Boston

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT