Nga Alfons Grishaj/
Arti i të folurit njihet mijëra vjet më parë. Gjuha e pasur pasqyron dhe fsheh, ngatërron dhe paqëson, gënjen dhe vërteton, frymëzon dhe degradon, ngjall dhe varros. Vërtetësia brilante e fjalës, servirur ndershmërisht është një privilegj që nuk e kanë as politikanët dhe as tregtarët. Biles, ky privilegj, qendron varur si relike kallpë në fodullëkun e pjesës dërmuese të gazetarëve, të cilët, shiten dhe blihen si skllevër në pazarin e politikës, duke braktisur ndërgjegjen profesionale. Dikur mendimtari, oratori, filozofi, poeti, shkrimtari apo gazetari ishin rob të ndërgjegjes së kulluar që nuk njihnin kompromis as me paratë dhe as me diktaturat.
Njëherë e njëkohë, Ciceroni, kur vuri re që Mark Antoni po imitonte me vepra Çezarin, i drejtohet me këto fjalë: “Your ambition to reign, Antony, certainly deserves to be compared with Caesar’s. But in not a single respect are you entitled to the same comparison… His character was an amalgamation of genius, method, memory, culture, thoroughness, intellect and industry.” * Megjithëse Ciceroni, e pat urryer Çezarin, para dhe pas vdekjes, nuk i kurseu fjalët e vërteta. Kush është sot ai burrë që thotë fjalë të tilla për kundërshtarin e të sfidojë imituesin bash para tehut të shpatës …?
Sajimet dhe shpifja janë mekanizma që thyhen gjithnjë në pragun e të vërtetës. Jemi i vetmi popull në botë që bëjmë rolin e hetuesit, prokurorit dhe gjykatësit. Opinioni ynë është gjithnjë ekstrem. Në fakt, këtu u jap pak të drejtë se, kur nuk ka ligje dhe shtet, dikush do hamendësojë për personat dhe ngjarjet. Politikani nuk e ka për asgjë të bëjë rolin e Eftibidës kurtizane, kurse gazetarët (jo të gjithë) e kanë për sport të bëjnë orgji më të… Këtë kishte parasysh dhe Edi Rama, kur iu drejtua gazetarëve me fjalët: “S’keni si ta kuptoni ju që as lexoni, as përpiqeni të thelloheni, as doni të dëgjoni për të kuptuar për çfarë bëhet fjalë.” E më tej vazhdon në të njëjtin stil: “Mos u ofendoni fare se ju e ulni dhe e ngrini këdo si ju teket edhe kujtoni se askush nuk ka të drejtë t’ u thotë se jeni pjesë e një kazani të madh.”
Mbase ka vite që nuk kam dëgjuar fjalë më të goditura që dalin nga një gojë e shtrembër!
Nëse flasim për “Përrallën e Shllavarisë”, këto janë fjalët më brilante nga goja e një politikani vagabond që udhëheq “Shllavarinë”. Siç dihet, në “Përrallën e Shllavarisë”, vendi udhëhiqej nga vagabondë dhe kriminelë. (Këtë krahasim e kam bërë dhe më parë…)
Tani, gazetarët janë zgjuar dhe duket sikur po e godasin heroin e tyre që i udhëhoqi në reforma vendnumëro, kanabizim të vendit, shtim borxhi shtetëror, rritje papunësie, pasiguri, kleptokraci, krim dhe tradhëti… Jo ore zotërinj! Edi Rama, ka të drejtë se e di se me kë ka të bëjë… Ai e kupton se, një popull që vuajti për dyzeteshtatë vjet për liri dhe për bukën e gojës, pasi zgjedh të birin pas të atit, s’ka rrugë tjetër veçse të përsërisë historinë. Rama e di se në ç’ shkallë është ndërgjegja qytetare! Dhe pas kësaj, me intuitën e dhelprës shpreson që me anë të takimeve kokë më kokë do ia dalë të ngrohë mendjen e çdo “kryengritësi”, në jastëqe me pupla shumëngjyrëshe që i ofron sponsori tashmë jo anonim, Piggy Bank e drogës. Opozita ka gjetur një kundërpëgjigje origjinale, ku përfaqësuesit e saj në Parlament, protestuan me pankarta ku shkruhej: “Qeveria e Drogës”. Kreu i PD-së, Lulëzim Basha, një politikan aktiv që ka për dëshirë aksionet politike, paralajmëron: “Ky është vetëm fillimi”. Po çfarë fillimi? Fillimi i një fundi, apo fillim pakufi?
Pra arti i të folurit hamendëson dhe fsheh! Paralajmëron rrufe që nuk dihen kur do bubullojnë shpresën e një oguri të mirë apo të zi!
Politika pa aksion prodhon retorikë. Po retorikat politike ushqejnë ferra që nuk çelin lule. Politikani, mendimtari apo llafollogu duhet ta peshojnë mendimin pa e nxjerrë fjalën. Nëse fjala del e pasitur mirë, konfuzioni dhe gabimi janë si mielli pa ujë që nuk mund të bësh as bukë e jo më revani! Llafollogët shterpë i shohim tek fryhen si gjelat, duke bërë deklarata dhe romuze, që nuk ngrohin dhe gicilojnë askënd! Gjenialiteti prodhon ide inovative që nuk kanë nevojë për artin e të folurit, se vepra ka shkronja të arta që gdhenden në faqet e historisë. Kurse shterpësia prodhon inkursione llafollogjie pa vepra frytdhënëse. Këtë e shohim tek rrypat e politikës shqiptare.
Çfarë duhet të zgjedhë populli refrenin e gjinkallës, punën e bletës apo gënjeshtarin tradicional? Unë mendoj se, të dy të parat janë të pranueshme. E para, është shumë efikase për njerëzit që kanë filluar të shurdhohen. E dyta, është mirëqenie dhe pa të njeriu nuk bën dot. Nëse e para është për shurdhë (memecë), d.m.th. nuk është e nevojshme për masën. E dyta, është për të gjithë, prandaj njeriu duhet t’i shërbejë asaj. Pas kësaj, aktualisht nuk ka më vend për gënjeshtarin tradicional, që shqiptari dhe bota e qytetëruar vuajti për një gjysëm shekulli?! Duhet gjetur mënyra për të ndaluar propagandën, babëzitjen e tre breznive që dolën nga revolucioni komunist?
Nëse Ciceroni, një ndër oratorët politikanë më të mëdhenj të Romës, bëri Mark Antonin, të mendojë dhe të heqë dorë nga imitacioni tiranik, përse oratorët, mendimtarët dhe gazetarët e sotëm nuk janë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë me Ramë-Tahirët dhe sojin kriminal?! Mendoj se, për njeriun e sotëm arti i të folurit nuk është më një vlerë dhe ndërgjegje, por hile dhe pabesi! Njeriu i sotëm e di mirë këtë. Kjo është dhe arsyeja që ende militojnë sirenat me fyej të kuq?
Në këtë situatë, shteti nuk ekziston! Arti i të folurit ka vdekur! Bashkë me të po varroset besa dhe ndërgjegja qytetare.