• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2017

Shqiptari më i ri Janullatos, Vendim i drejtë i Presidentit

December 25, 2017 by dgreca

1 Janullatos 1

Nga Ilir Levonja/

1) Shqiptarët dhe grekët kanë në mes tyre një luftë nervash që shpesh ka konkluduar me ngjarje të dhunshme. Mos të shkojmë më larg se lufta e dytë botërore, kur luftës së tyre për të mos u pushtuar nga Italia, iu përgjigjën me monedhën e pushtuesit, fqinjit të tyre verior, ose shqiptarëve. Të gjitha konfliktet filluan nga aty deri sa prevaluan në genocide e zbrazje krahinash. Një strategji ushtarake e zgjedhur po prej fqinjësh, kësaj here osmallinjëve, shto edhe faktin e mërive dhe pabesive midis tyre që nga historia e bizantit. Edhe pse në këtë hori kohërash kur kishin një të përbashkët me shqiptarët, lirinë karshi Turqisë perandorake…, zgjodhën dhunën e pushtuesve. Nga ana tjetër shqiptarët (kur them grekët apo shqiptarët kam parasysh qarqet që na kanë dominuar si popuj) i janë përgjigjur me një mëri gati vulgare politike deri në karshillëqe infantile me Turqinë a Italinë shto edhe besimin fetar. Kur fare mire mund të përzgjidheshin plot mënyra a plot forma të tjera. Dhe në kësi raste, diplomacia më e mire është ajo me mos solidarizimin e të të kënaqurit, kur njëri fqinj ia punon tjetrit dhe anasjelltas. Megjithatë në këtë kalvar urrejtje e përbuzje popujt mes tyre kanë plot të përbashkëta. Madje ato janë si malet… Aq sa në një mëngjes të kthjellët kushdo ka pak kohë e të kuptojë se si ai ajër mesdhetar bëhet pis nga nervat e nxehta.

2) Sapo shkruan diçka karshi kësaj vlertie popujsh, ne shqiptarët i kujtojmë njëri-tjetrit, andartët, kishën me helmimet, çështjen çame dhe plot të tjera. Biles nxjerrim arshivat deri nga Vatikani a Stambolli për të mbrojtur le të themi kishën a çështjen çame. Megjithëse kishës vet ia kemi bërë në kokë prej kohësh. Kurse çështjen çame e shkëmbëjmë me një marrëveshje politike që na jep kolltukun e bashkisë së Rrogozhinës. E thënë më thjesht, që, kur një mision shoqate, grupimi krahinor për shkak të vuajtjeve a reprezaljeve e kthejmë në parti politike, patriotizmi është një grafomani. Kështu edhe me kishat e besimin që për inat të grekut, serbit e përfitimit, iu qepëm ofertave të Turqisë aq sa sot qarqet mendje nxehta na identifikojnë plotësisht me orientin. Të paktën ne shqiptarët kurrë nuk e kuptuam se patriotizmi më i vlertë është të duam dhe të ndreqim vetveten për së pari, të rregullojmë jetën brenda vetes, brenda nesh, të ndërtojmë një shoqëri duke u lodhur me hallet tona dhe jo ato të botës. Sepse ishin pikërisht hallet tona ato që, që nga 1990-ta e këtej na çuan dhe vazhdojnë të çojnë drejt Greqisë. Ju e dini se ato male, ato rrëpira janë plot ngjarje e histori sakrificash. Po ashtu edhe rrugët e metropolove të vendit helen, por këto asesi nuk duhen të identifikohen në raportin midis të mires me të këqijat. Ne le të mjaftohemi me faktin e mire. Le të tregojmë sepse jemi të tille, sepse jemi të zotët dhe se çfarë është mirënjohja për strehën që na dhanë.

3) Aktualisht në Shqipëri po diskutohen kjo dhënia e nënshtetësisë shqiptare, Janullatosit. Plot njëzetë e pesë vite më pas. Ka pasur midis përplasje historianësh, rrymash dhe kore me tradhti. Një kalvar politik me monedhën e njëfarësojtë që edhe politika greke ka aplikuar karshi shqiptarëve që kërkojnë me të drejtë shtetësinë aty. Kanë vite përpjekje mes plot peripecish dhe për më tepër një lloj racizmi shtetëror i përftuar nga fakti që thamë më sipër. Se, si ne, si grekët jemi sunduar nga mëndjet e nxehta. Jo nga gjërat e vlerta, nga të përbashkëtat tona etj. I kemi lënë vlerat jetime dhe gojën plot benzinë. Eshtë alergjike për shqiptarët ngritja e një flamuri grek në një çati shtëpie minoritarësh, ashtu sikur gjëmë ngritja e një flamuri shqiptar në një shtëpi emigrantësh atje në Greqi. Janë detaje bajate. Sidomos për kohën. Frikë absurde që nuk e meritojmë ta posedojmë.

Megjithatë në këto diskordancat shtetërore të shtetit tonë, në raport me Greqinë dhe më tutje, ishte një vendim i drejtë. Dhe më vjen mire. Mes nesh, në politkën tone ka shumë abuzime sa është e vështirë të pranosh si tillë, si veprim të duhur të një politikani. Siç është edhe në rastin në fjalë presidenti ynë, apo lideri në prapavijë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Kur thashë diskordancat, kam parasysh faktin se si një kryeministër nuk shkon në Greqi prej vitesh. Po kontradikton përmes fejbukut me fraza perandorësh edhe pse ka një ekonomi butaforike aty, dhe, me rrënjët në krahët e emigrantëve. Një fakt që vertetohet sot me kërkesat për politika afruese të këtij krahu. I cili normalisht, pas kaq vitesh ka ngritur jetën aty ku jeton. Nje poltikë duale që tjetër thotë dhe tjetër kërkon. Vendet e rajonit janë shumë të ndjeshëm karshi emigrantëve të tyre. Dhe sigurisht ndjekin politika afruese me vendet ku jetojnë ata. Dhe mire bëjnë.

Nuk dua të zgjatem më tutje, por e di që ka plot nga ata që do thonë, po, pse Anastasi lutjet i thotë në greqisht, kur salla është me shqiptarë? Unë fare thjesht, mund tu përgjigjem me konstatimin e Fan Nolit, ai le t’i thotë si dojë. Edhe ju i thoni si të doni, si tua ndjejë, se, atje sipër i rregullon Zoti vet.

Filed Under: Opinion Tagged With: i Presidentit, Ilir Levonja, Shqiptari më i ri Janullatos, Vendim i drejtë

VATRA – THE ANTI-AMERICAN VOTE BY THE ALBANIAN GOVERNMENT UNDERMINES ALBANIA’S NATIONAL INTERESTS

December 24, 2017 by dgreca

 

1-logo-vatra

DECLARATION OF THE AMERICAN PAN-ALBANIAN FEDERATION “VATRA”/

The Pan-Albanian Federation of America VATRA has followed with a high interest the issue of transferring the US Embassy the United States Embassy to Jerusalem and has supported President Trump’s stance without any reservations.

Vatra Federation, its supporters and sympathizers in the US and around the world have felt extremely disappointed by the Government of the Republic of Albania’s vote of disapproval of the resolution presented at the UN.

The “NO vote” to the US by the Prime Minister Edi Rama is not only ingratitude for the American support stretching from the state-building period of Albania up to date as well as the crucial role of the US in the creation and the recognizing process of the Republic of Kosovo, it also sends a disgracefully unsettling message to the continuity of the relations between the US and Albania. Voting down the US by the Albanian Government is the second public act by the Prime Minister Edi Rama. Previously, he had made the following statement in referring to the election of Trump as US President, “Lord have mercy, it would harm the Democratic World.”

Looking at the latest developments of US diplomacy, in the context of Kosovo’s membership to the UN, the disapproval vote of the Albanian Government towards the United States is considered by the Vatra Federation an Act against our National Interests.

Taking advantage of this crucial moment for the global diplomacy, VATRA publicly announces the deepest support for President Trump and his efforts to increase US authority in the world. Also, the Pan-Albanian Federation Vatra appreciates the highly professional presentation and dignified defense of this initiative at the UN by the Ambassador Nikki R. Haley.

In conclusion, the Pan-Albanian Federation of America VATRA, as the oldest and largest Albanian Diaspora organization, reconfirms its unwavering stance in support of President Trump and severely condemns the anti-national disposition of Prime Minister Edi Rama.

Vatra calls on the Albanian consciousness everywhere around the world in these sensitive moments to strengthen the ties of love and trust with the US, as the closest friend to our nation.

The Pan-Albanian Federation of America Vatra is attentively following the situation and will voice its concern at the highest official authorities of the United States of America.

President
Dritan Mishto

Filed Under: Emigracion Tagged With: DECLARATION OF, dritan Mishto, THE AMERICAN PAN-ALBANIAN FEDERATION "VATRA"

Kosova feston Krishtlindjen e 10-të shtet i pavarur

December 24, 2017 by dgreca

-Urime e vlerësime edhe për 2018-tën, Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut/

Kosove-Katedrale-Shen-Nena-Tereze-Prishtine-Ipeshkvi-Dode-Gjergji1 Prishtine pema.JPG

-Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji: I ftoj të gjithë ata që prijnë ose synojnë të prijnë, që ta marrin shembullin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të reflektimit, të guximit e të urtisë/

 PRISHTINË, 24 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kosova feston gëzuar Krishtlindjen e 19-të vend i lirë,  të 10-tën shtet i pavarur, me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë.

Në Rezidencën e Ipeshkvisë pranë Katedrales Shën Nënë Tereza Prishtinë, të shuguruar këtë vit në 5 shtator, në njëvjetorin e shenjëtërimit të shenjtëreshës shqiptare, sot në mbrëmje organizohet pritja solemne nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili në porosinë për Krishtlindjen 2017 shprehet me vlerësime e urime edhe për 2018-tën,  Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

“Është mirë që, gjatë vitit 2018, do ta shënojmë 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, thekson Ipeshkvi Gjergji dhe për  kryeheroin shqiptar shprehet se, “lirisht mund të themi, që mbetet prijësi më i mirë i gjitha kohëve, që ka pasur populli ynë”.

“Me këtë rast, i ftoj të gjithë ata që prijnë ose synojnë të prijnë, që ta marrin shembullin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të reflektimit, të guximit e të urtisë. Për ta rikthyer besimin e humbur, për të siguruar paqen politike e drejtësinë sociale dhe bashkëjetesën ndërfetare. E të mos hezitojnë ta ripërtërijnë miqësinë me kombet dhe vëllazërinë mes vete. Kemi nevojë për shërimin tonë shpirtëror, kulturor, shoqëror dhe politik, nëpërmjet një besëlidhjeje të re, në emër të dashurisë, të lirisë dhe të paqes që e gëzojmë”, thekson Ipeshkvi i Kosovës.

Imzot Gjergji në porosinë e Krishtlindjes uron edhe Vitin e Ri.

“Uroj që paqja e Krishtit të depërtojë në zemrën e secilit prej jush, të mbretërojë në familjet tuaja dhe të lulëzojë gjithkund në vendin tonë, e kudo në botë.

Për shumë mot Krishtlindja! Bekime e begati në Vitin e Ri 2018!”, përmbyllë porosinë Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës. Në Katedralen Shën Nënë Tereza në mbrëmjen e sotme mbahet Koncerti i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës, e nga mesnata Mesha solemne e Krishtlindjes, të cilës do t’i prijë Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Ipeshkvi i Kosovës nesër në mesditë do të kremtojë edhe meshën e Ditës së Krishtlindjes në Katedralen Zoja Ndihmëtare në qytetin e Prizrenit. Në mesditën e nesërme mbahet mesha edhe në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, e po në kryeqytetin e Kosovës në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë  në mbrëmje mbahet mesha në gjuhën angleze e edhe një meshë tjetër në gjuhën shqipe.

Në Kosovë, mesha mbahen edhe në kishat tjera katolike, ndërsa tradicionlisht festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjesin e 24 dhjetorit  dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.

24.12.2017 - Kryeministri

Kryeministri Haradinaj uron besimtarët e krishterë

Prishtinë, 24 dhjetor 2017-Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj i ka uruar qytetarët e Kosovës për Krishtlindje.

Në urim thuhet:

I nderuari Ipeshkv i Kosovës, të nderuar besimtarë katolik,

Ju uroj Ditën e Bardhë të Krishtlindjes, me lutjet që në familjet tuaja dhe të të gjithë qytetarëve të Republikës sonë, si dhe të huaj që shërbejnë në Kosovë, me dëshirë që të kenë mirëqenie, dashuri e paqe. Kjo festë e faljes dhe solidaritetit, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzve na bën bashkë si njerëz dhe si shqiptarë, na jep forcën që të ndihmojmë ata që janë në vështirësi e të përkujdesemi për të gjithë.

Kjo është Dita kur kujtojmë brezat që janë flijuar për të sotmen tonë duke na bërë bashkë për ta ndërtuar të nesërmen më të mirëqenë dhe më progresive.

Gëzuar!

 

Filed Under: Kronike Tagged With: 10 Vjet shtet, Behlul Jashari, Kosova kremton Krishtlindjen

Kryepeshkopi Janullatos bëhet shqiptar- Ia patën refuzuar 4 presidentë

December 24, 2017 by dgreca

Presidenti Meta i jep shtetësinë shqiptare kryepeshkopit Anastas Janullatos/

2 Janullatos

Presidenti Ilir Meta i ka dhënë shtetësinë shqiptare kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i president Tedi Blushi.Më herët shtetësia i është refuzuar nga presidenti Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe Bujar Nishani. Në një intervistë tre ditë më parë për një televizion grek, kryepeshkopi Janullatos tha se pas largimit të tij, në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare duhet të jetë patjetër një shqiptar dhe jo një shtetas grek. Po ashtu dhe me anë të një postimi në Facebook, Meta shpreh falenderim për peshkopinm dhe ka bërë publik vendimin e tij. Postimi i Metës Të dashur miq, Në vigjilje të Krishtlindjeve, kam kënaqësinë të bëj publik vendimin tim për t’i dhënë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos. Kontributi dhe përkushtimi i tij në 25 vite i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë kudo në botë. Fortlumturia e Tij ka dhënë, në bashkëpunim të ngushtë me udhëheqësit e tjerë të besimeve fetare në Shqipëri, një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë. Bekuar qoftë harmonia dhe bashkëjetesa fetare mes shqiptarëve!

Filed Under: Opinion Tagged With: Krypeshkopi Janullatos, Presidenti Meta, shtetsi shqiptare

Presidenti i Kosovës në 2017-tën dy vizita në Amerikë

December 24, 2017 by dgreca

-Presidenti i Kosovës, Thaçi: Vitin 2017 e fillova me vizitë në SHBA dhe takim me Zëvendëspresidentin e atëhershëm Biden, ndërsa e vazhdova me vizitën tjetër në SHBA në shtator, duke takuar Zëvendëspresidentin e tashëm Pence/

1 a ok Hashim

-Kosova në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë me 115 njohje nga shtetet anëtare të OKB-së.  2017-ta vit i suksesit për Kosovën, 2018-ta i lëvizjes më të shpejtë në perspektivën europiane e euroatlantike/

 -Adresime të fundvitit  të Presidentit të Republikës në Kuvendin e Kosovës, edhe në takim me median, ku ishte i ftuar korrespondenti i akredituar i Gazetës DIELLI – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA/

–The President calls for political and civic unity during 2018/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

 PRISHTINË, 22 Dhjetor 2017/  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,  në fjalimin e fundvitit në Kuvendin e Republikës së Kosovës tha se 2017-tën e nisi me vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku përsëri ishte në të dytën vizitë brenda një viti, në shtator.“Vitin 2017 e fillova me vizitë në SHBA dhe takim me Zëvendëspresidentin e atëhershëm Biden, ndërsa e vazhdova me vizitën tjetër në SHBA në shtator, duke takuar Zëvendëspresidentin e tashëm Pence”, theksoi Presidenti i Kosovës. Këto dy vizita, vijoi ai, kanë konfirmuar edhe një herë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin partner i Republikës së Kosovës dhe se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon.“Por, pjesë e këtij partneriteti është edhe përgjegjësia jonë që të sillemi si shoqëri dhe si shtet i pjekur politikisht, i gatshëm të luajë rol konstruktiv në rajon dhe më gjerë, duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit”, tha  Thaçi.

 Presidenti i Kosovës shtoi se gjatë këtij viti ka realizuar vizita bilaterale dhe ka marrë pjesë në forume dhe konferenca të ndryshme.“Me ketë rast, dua të veçoj edhe vizitat bilaterale në Kanada, Kroaci e Turqi.Kam takuar Presidentin e Bullgarisë në Sofje, Presidentin e Austrisë në Vjenë dhe Mbretin Abdullah në Aman.Jam nderuar me audiencë tek Ati i Shenjtë, Papa Françesku.Kam përfaqësuar Kosovën në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë, në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Jordani, në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Halifax, në Forumin e Kroacisë dhe në Samitin Bërdo-Brione, etj.”, tha presidenti kosovar.Në këto forume, theksoio Thaçi, ndër të tjera me krenari kam prezantuar transformimin e Kosovës nga një konsumues i mekanizmave të paqes e sigurisë në një promovues dhe kontribuues të paqes dhe bashkëjetesës në mes të popujve.“Kjo ka forcuar bindjen në botë se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe të qëndrueshme në tërë Evropën Juglindore”, tha Thaçi.Ai vlerësoi se, viti 2017 ishte vit i të arriturave përkundër shumë sfidave. “Kemi kaluar dy palë zgjedhje, ato të përgjithshmet në qershor dhe ato për kuvende komunale e kryetarë komunash në tetor. Këto dy procese elektorale kanë dëshmuar edhe një herë pjekurinë e politikës dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi. Kjo i ka hapur rrugë formimit të qeverisë së re, kuvendeve të reja komunale dhe zgjedhjes së kryetarëve të rinj të komunave të Kosovës. Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë treguar qartë se duan të shohin liderët e tyre të zgjedhur politikë të bashkuar në të gjitha çështjet e interesit nacional dhe shtetëror”, tha presidenti Thaçi.

Ai  ka paralajmëruar se edhe në të ardhmen do ta përcjellë me vëmendje punën e institucioneve shtetërore në përmbushjen e aspiratave dhe synimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës.“Prandaj, uroj që të na prijë e mbara në realizimin e qëllimeve tona të mira në shërbim të qytetarëve dhe shtetit tonë. Le të jetë viti 2018, vit i unitetit politik e qytetar të Kosovës”, është shprehur presidenti i Republikës.Edhe në takimin me median, presidenti Hashim Thaçi vlerësoi se 2017-ta është vit i suksesit për Kosovën dhe shprehu besimin se 2018-ta e jubileut të 10 vjetorit të pavarësisë do jetë i lëvizjes më të shpejtë drejt perspektivës europiane e euroatlantike. Presidenti Thaçi në adresimet e fundvitit në mbrëmjen e djeshme kishte edhe një bashkëbisedim me gazetarët e ftuar-të akredituar, mes të cilëve korrespondenti i Gazetës DIELLI, ku  theksoi se Kosova e përmbyll këtë vit me arritjen në 115 të numrit të njohjeve të pavarësisë dhe me anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare.

“2017-ta është për t’u vlerësuar edhe si vit i vazhdimit të thellimit të reformave demokratike nga institucionet e vendit, në ekonomi, në politikë, edhe në legjislacion”, u shpreh ai, duke theksuar edhe rritjen ekonomike prej 4 për qind.Ky vit, vijoi presidenti i Kosovës, ishte i sukseshsëm edhe për organizimin e dy palë zgjedhjeve, të përgjithëshme dhe lokale, të lira dhe demkratike e në një proces transparent.“Kosova do hyjë edhe në vitin e ri 2018 me axhenda dhe proritete të qarta për konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit”, tha presidenti Thaçi duke theksuar edhe pritjen për liberalizim vizash, e më parë kalimin në Kuvend të marrëveshjes për demarkacionin.Një adresim fundviti presidenti Thaçi e kishte edhe në 5 dhjetor para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku ka theksuar se e ardhmja e vendit që po mbushë 10 vite pavarësi “është e natyrshme dhe e sigurt në kuadër të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së”.“Qëllimi ynë mbetet i qartë, të ndërtojmë një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të saj”, është shprehur Thaçi.Presidenti ka theksuar se, “Republika e Kosovës si një vend i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm, me përcaktim evropian dhe euroatlantik, duhet të jetë e pakontestuar dhe e integruar në familjen e kombeve botërore”.Thaçi ka paralajmëruar  edhe se, “Kosova do të arrijë të përmbyllë me sukses periudhën e vuajtjeve dhe konfliktit me Serbinë, duke nënshkruar Traktatin e Paqes dhe Pajtimit”.Një nga mesazhet e presidentit ishte edhe se, “qytetarët e Republikës së Kosovës duan të shohin liderët e tyre të zgjedhur politikë të bashkuar në të gjitha çështjet e interesit nacional dhe shtetëror”.Në adresimin publik për qytetarë të bërë nga kazerma “Adem Jashari” e Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidenti Thaçi ka thënë edhe se “Forcat e Armatosura të Kosovës po bëhen në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët tanë”. “Ashtu siç krenohemi sot me Forcën e Sigurisë së Kosovës, ashtu do të krenohemi me të edhe si forcë shumetnike, profesionale dhe mbrojtëse”, është shprehur ai.Në 23 dhjetor 2016, në fjalimin fundvitit në Kuvendin e Kosovës, të parin si president Republike, Thaçi theksonte se, “këtë vit kemi vendosur marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe kemi nisur dialogun politik me NATO-n” dhe se, “janë këto dy pika të përcaktuara si qëllimet tonat dhe për këtë kemi konsensus të plotë politik dhe shoqëror”.

“Do të dëshironim që udhëtimi ynë drejt NATO-s e BE-së të jetë më i shpejtë”, shprehej presidenti i Kosovës.Në Vitin e Ri 2018 Kosova feston jubileun e 10 vjetorit të Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, kur Deklaratën në seancën solemne e të jashtëzakonshme të Kuvendit e lexoi atëherë kryeministri Hashim Thaçi.

Prej atëherë, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kosova është njohur nga 115 shtete anëtare të OKB-së, ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Presidenti bën thirrje për unitetit politik e qytetar në vitin 2018-të

Prishtinë, 22 dhjetor 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur fjalimin e fundvitit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.Në fjalën e tij para deputetëve, presidenti Thaçi ka renditur sukseset dhe sfidat që kanë karakterizuar vitin 2017.Kreu i shtetit ka thënë se prioritet yni i përbashkët mbetet gjithmonë angazhimi për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.Ai ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës kanë treguar qartë se duan të shohin liderët e tyre të zgjedhur politikë të bashkuar në të gjitha çështjet e interesit nacional dhe shtetëror.Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se edhe në të ardhmen do ta përcjellë me vëmendje punën e institucioneve shtetërore në përmbushjen e aspiratave dhe synimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

 Ky është fjalimi i plotë i presidentit Thaçi:

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës,

I nderuar Kryeministër dhe Ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare,

Të nderuara deputete, të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë Republikës së Kosovës,

Me lejoni që t’ju falënderoj juve të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që më keni dhënë këtë mundësi të raportoj përpara jush dhe qytetarëve tanë për punën time si President i Republikës së Kosovës, respektivisht për punën tonë të përbashkët në forcimin e shtetësisë së Kosovës.

 Sigurisht, prioritet i ynë i përbashkët mbetet gjithmonë angazhimi për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.Në kuadër të këtyre përpjekjeve, jam angazhuar për respektim dhe fuqizim të të drejtave të njeriut për secilin qytetar të Republikës së Kosovës.Duke filluar nga diskutimet për nevojën për përfaqësim të barabartë të gruas në të gjitha institucionet e deri te Parada e Nderit, e kam bërë të qartë se:Shteti i Kosovës, shoqëria kosovare, janë ndërtuar mbi parimet e lirisë dhe barazisë për secilin qytetar;

Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe të gjithë duhet t’i gëzojnë të drejtat e barabarta në përpjekje për të realizuar aspiratat e tyre.

 Kjo nënkupton, që ne duhet të sigurojmë prosperitet dhe dinjitet për secilin qytetar, qoftë për punëtorin, për pensionistin, mjekun, policin, ushtarin, për mësuesin, studentin apo nxënësit në shkolla.

 Ne e dimë se për ta rritur mirëqenien e qytetarëve tanë, ne duhet ta zhvillojmë ekonominë tonë dhe ta rrisim prodhimtarinë vendore.

 Në shërbim të këtij qëllimi, jam angazhuar në mënyrë aktive në promovimin e ekonomisë kosovare, të prodhimeve kosovare, në përfshirjen sa më të madhe të diasporës në investimet në Kosovë.Me konsolidimit e shtetit tonë, përkrahja e zhvillimit ekonomik të vendit ka filluar të marrë vend qendror në angazhimin tim si president, por edhe të institucioneve tjera të shtetit të Kosovës.Në koordinim me institucionet relevante, e kam përkrahur nënshkrimin e kontratës për projektin për Kosovën e Re, që sjellë investimin më të madh privat në historinë e Kosovës, me 1.3 miliardë euro investime e që do të hap mbi 10 mijë vende pune.

Përveç kësaj, unë vazhdoj të besoj se përmirësimi i infrastrukturës rrugore është kusht i domosdoshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.Prandaj, kam përkrahur përfundimin e projekteve për autostrada që do të lidhin Kosovën me rajonin e më gjerë, duke u mundësuar lëvizje më të lirë njerëzve dhe mallrave.Sigurisht se sot ishte kënaqësi të inauguronim edhe segmentin e dytë të autostradës “Arbër Xhaferi”.

 Të nderuar deputetë,

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se bazamenti kryesor i çdo shteti demokratik, duke përfshirë shtetin tonë, është sundimi i rendit dhe ligjit.

Asnjë fushë e shoqërisë sonë, nuk mund të jetë funksionale në rast se ne nuk e fuqizojmë sundimin e rendit e ligjit dhe në rast se ne dështojmë të garantojmë se të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Me dekretimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga komunitetet jo-shumicë, shumica nga të cilët punojnë në pjesën veriore të Kosovës, kemi shtrirë rendin kushtetues e ligjor të Kosovës në çdo cep të shtetit tonë.Për këtë qëllim, kam punuar me të gjitha institucionet e drejtësisë që të vazhdojmë reformën dhe konsolidimin e gjyqësorit për të garantuar që jo vetëm të kemi ligje të shkruara mirë, por edhe implementim të plotë të këtyre ligjeve.Lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit janë dhe duhet të mbeten prioritete.Kosova nuk do të dorëzohet në përballje me këto sfida dhe nuk do të lejojmë që vendi ynë të perceptohet si i korruptuar.Heronjtë e sotëm janë ata që rreshtohen në luftë të pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

 Të nderuar deputetë,

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Viti 2017 ishte vit i të arriturave përkundër shumë sfidave.Kemi kaluar dy palë zgjedhje, ato të përgjithshmet në qershor dhe ato për kuvende komunale e kryetarë komunash në tetor.Këto dy procese elektorale kanë dëshmuar edhe një herë pjekurinë e politikës dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi.Kjo i ka hapur rrugë formimit të qeverisë së re, kuvendeve të reja komunale dhe zgjedhjes së kryetarëve të rinj të komunave të Kosovës.Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryetarët e zgjedhur të komunave, tani duhet të punojnë me përkushtim për realizimin e prioriteteve të përcaktuara dhe ta përmirësojnë jetën e qytetarëve.Kur jemi tek zgjedhjet e lira, me lejoni të theksoj se unë nuk kam hequr dorë nga puna ime që të punojmë bashkërisht me partitë politike për të përfunduar me sukses procesin e reformës zgjedhore.

 Unë konsideroj se pjesa më e madhe e punës në këtë drejtim ka përfunduar dhe gjatë vitit në vijim ne duhet ta përfundojmë këtë proces.Përkundër faktit se zgjedhjet qendrore dhe lokale kanë konsumuar shumë kohë dhe energji, prapëseprapë, si president në koordinim me institucionet tjera, kam vazhduar punën në realizimin e prioriteteve të rëndësisë shtetërore.Ndër prioritet kryesore në këtë aspekt ka qenë vazhdimi i punës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.Ky është një proces shtetëror i natyrshëm dhe i domosdoshëm, i cili vjen edhe si rezultat i punës së pjesëtarëve të FSK-së, të cilët e kanë ngritur nivelin e përgatitjes dhe tani janë të gatshëm për detyra e kompetenca të reja.Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë shumetnike në të cilën mbi 10 % e pjesëtarëve të saj vijnë nga komunitetet jo-shumicë.Forcat e Armatosura të Kosovës, po ashtu do ta ruajnë dhe fuqizojnë karakterin shumetnik.Tani jemi pothuajse në fazën përfundimtare të përpjekjeve tona për të siguruar përkrahjen që procesi i themelimit të FAK-ut të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.Këtë jemi duke e bërë dhe do ta bëjmë në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët e tjerë strategjikë.Unë sot ju siguroj se Kosova gjatë vitit 2018 do të ketë kapacitet e veta mbrojtëse, pra një ushtri moderne që do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë.Kur jemi te siguria e Kosovës, më lejoni të theksoj se jam krenar që shteti ynë është lider në rajon në luftimin e ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit.Ky përkushtim i ynë ka marrë mirënjohje nga të gjithë liderët e botës së lirë e demokratike.E shfrytëzoj këtë rast që të falënderoj të gjithë mekanizmat e sigurisë kombëtare që kanë kontribuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Kosovë, por edhe në rajon.

 Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

E kaluara e jonë është e dhimbshme dhe kujtimet për vuajtjet tona ende mbeten të freskëta.Por, e kaluara e jonë është edhe ajo që na bën krenarë dhe na jep forcë për të shikuar me këmbëngulje nga e ardhmja.Për këtë qëllim, me përkushtim kam vazhduar punën për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, që synon të ndihmojë përpjekjet e shoqërisë sonë për mbylljen e kapitullit të luftës, të armiqësive dhe arritjen e pajtimit të ndërsjellë.Prandaj jam i lumtur që pas një pune të madhe, kemi arritur të themelojmë ekipin përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.Jam i sigurt se puna e këtij komisioni do të japë rezultate konkrete gjatë vitit 2018 dhe më këtë rast, dua të falënderoj organizatat e familjeve të të pagjeturve, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre.Dialogu mbetet mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve brenda shtetit tonë, por edhe me shtetet tona fqinje.

Në kuadër të angazhimit tim për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në tërë Evropën Juglindore, është edhe përkushtimi i ynë i përbashkët në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.Tani jemi gati për të vazhduar fazën përfundimtare të këtij procesi, i cili do të vazhdojë të ndërmjetësohet nga BE-ja dhe të përkrahet fuqishëm nga SHBA-ja.Sigurisht se kjo fazë përmbyllëse nuk do të jetë aspak e lehtë.Për ketë qëllim, kam filluar konsultat formale dhe jo formale me partitë politike dhe shoqërinë civile, me qëllim që të themelojmë një Grup të Unitetit për të siguruar gjithëpërfshirje në këtë proces.Unë edhe sot ju bëj thirrje publike që të jemi të bashkuar në këtë proces dhe në çdo proces tjetër që është me interes shtetëror.Sa herë jemi bashkuar, Kosova ka fituar dhe qytetarët tanë na kanë mbështetur.Kështu duhet të jetë përsëri, sepse e ardhmja e jonë, integrimi i shtetit tonë në strukturat veriatlantike, varet në masë të theksuar nga ky proces.Në çdo rrethanë, unë ju siguroj juve të nderuar deputetë dhe qytetarë të Republikës së Kosovës, se procesi i dialogut do të jetë transparent dhe se çdo marrëveshje e arritur, do të ratifikohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

 Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

 Kredibiliteti ynë shtetëror në arenën ndërkombëtare dhe shpejtësia me të cilën i afrohemi anëtarësimit në BE dhe NATO, varet kryesisht nga serioziteti ynë në përmbushjen e obligimeve tona shtetërore.Në këtë aspekt, ne nuk mundemi që në vazhdimësi të drejtojmë gishtin nga BE-ja, NATO-ja apo bashkësia ndërkombëtare duke kërkuar që t’i mbajmë ata fajtorë të vetëm për ngecjet tona.Ne duhet t’i pranojmë lëshimet tona dhe t’i përmirësojmë ato sa më shpejt që mundemi, sepse vetëm kështu mund ta zëmë hapin me shtetet fqinje në procesin e integrimeve euroatlantike.Prandaj, duhet ta ratifikojmë pa humbur kohë marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

 Ratifikimi i kësaj marrëveshje i jep fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.Janë inkurajuese bisedat e fundit që janë duke u zhvilluar në kuadër të institucioneve të Kosovës, të përfshirë të gjithë, edhe Kuvendi, edhe Qeveria dhe gjithë njerëzit vullnetmirë, ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, që të gjendet një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur, pra në javët e ardhshme.Duhet që pa humbur kohë të themelojmë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse BE-ja dhe shumë shtete tjera partnere janë të zhgënjyera me paaftësinë tonë për të zbatuar zotimet e marra përsipër.Sa më shpejt përmbushim detyrat tona, aq më shpejt do të mund të bëjmë hapa seriozë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.Si President i Republikës së Kosovës i kam bërë thirrje vazhdimisht BE-së për veprime jo vetëm teknike, por mbi të gjitha strategjike për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.Më vjen mirë që tani së fundmi edhe Bashkimi Evropian e thotë qartë se mënyra më e mirë për të siguruar paqen afatgjate në rajonin tonë është anëtarësimi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.Unë vazhdoj të besoj se mënyra më e mirë është që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE në të njëjtën kohë, pavarësisht faktit se disa shtete kanë bërë progres më të madh në përmbushjen e kritereve për anëtarësim.

 Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Një kohë të konsiderueshme të punës sime ia kam kushtuar edhe përpjekjeve për konsolidimin e shtetit të Kosovës në skenën ndërkombëtare.Vitin 2017 e fillova me vizitë në SHBA dhe takim me Zëvendëspresidentin e atëhershëm Biden, ndërsa e vazhdova me vizitën tjetër në SHBA në shtator, duke takuar Zëvendëspresidentin e tashëm Pence.Këto dy vizita kanë konfirmuar edhe një herë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin partner i Republikës së Kosovës dhe se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon.Por, pjesë e këtij partneriteti është edhe përgjegjësia jonë që të sillemi si shoqëri dhe si shtet i pjekur politikisht, i gatshëm të luajë rol konstruktiv në rajon dhe më gjerë, duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit.Gjatë këtij viti kam realizuar vizita bilaterale dhe kam marrë pjesë në forume dhe konferenca të ndryshme.

Me ketë rast, dua të veçoj edhe vizitat bilaterale në Kanada, Kroaci e Turqi.Kam takuar Presidentin e Bullgarisë në Sofje, Presidentin e Austrisë në Vjenë dhe Mbretin Abdullah në Aman.Jam nderuar me audiencë tek Ati i Shenjtë, Papa Françesku.Kam përfaqësuar Kosovën në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë, në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Jordani, në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Halifax, në Forumin e Kroacisë dhe në Samitin Bërdo-Brione, etj.Në këto forume, ndër të tjera me krenari kam prezantuar transformimin e Kosovës nga një konsumues i mekanizmave të paqes e sigurisë në një promovues dhe kontribuues të paqes dhe bashkëjetesës në mes të popujve.Kjo ka forcuar bindjen në botë se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe të qëndrueshme në tërë Evropën Juglindore.

 Të nderuar deputetë,

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë treguar qartë se duan të shohin liderët e tyre të zgjedhur politikë të bashkuar në të gjitha çështjet e interesit nacional dhe shtetëror.Prandaj është detyra e imja, detyra e juaja si deputetë, detyrë e të gjithë neve, që të punojmë pa u ndaluar për të mirën tonë të përgjithshme.Si President i Republikës së Kosovës do ta përcjell me vëmendje punën e institucioneve shtetërore në përmbushjen e aspiratave dhe synimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës.Prandaj, uroj që të na prijë e mbara në realizimin e qëllimeve tona të mira në shërbim të qytetarëve dhe shtetit tonë.Le të jetë viti 2018, vit i unitetit politik e qytetar të Kosovës.Në fund, pasi jemi në prag të festave të fundvitit, më lejoni t’ju uroj paqe, shëndet, gëzim e lumturi, juve dhe familjeve tuaja, çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Për shumë mot, urimet më të mira për Kërshëndellat dhe gëzuar Vitin e Ri!

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, konference fundviti, speciale, Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT