• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2017

Bukuritë natyrore të Kosovës prezantohen në Zvicër

December 19, 2017 by dgreca

1 prezantimi-Kosova shënon me ekspozitë Vitin 2017, si Vit i shpallur Ndërkombëtar nga Kombet e Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizmit/2 Prezantimi

 MELIDE, 18 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI/ Në qendrën e Arteve, “Ibrahim Kodra”, në Melide të Zvicrës, është hapur ekspozita “Bukuritë Natyrore të Kosovës”, ekspozitë kjo që synon të forcojë dhe zgjerojë marrëdhëniet sociale dhe kulturore në mes Konfederatës Zvicerane dhe Republikës së Kosovës.

1 ekspozita

Organizimi i kësaj ngjarje u bë si rezultat i bashkëpunimit me Komunën e Melides, Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë dhe Muzeun Kombëtarë të Republikës së Kosovës, ndërsa ky projekt iu dedikua vitit 2017, i cili është shpallur nga Asambleja e 70-të e Kombeve të Bashkuara si Vit Ndërkombëtar i Zhvillimit të Qëndrueshëm të Turizmit për Zhvillim. Ky aktivitet u hap nga Drejtoresha e Artit të Fondacionit, “Ibrahim Kodra”, Maria Pacolli, e cila edhe prezantoi nismën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa me një video mesazh të pranishmëve iu adresua edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Turizmin Botëror, Taleb Rifai.

Njoftimi i dërguar nga MPJ e Kosovës thekson se, turizmi sot është bërë një katalizator i rëndësishëm i transformimit pozitiv, që mund të kontribuojë në një zhvillim të qëndrueshëm në ekonomi, shoqërim, ambient dhe fusha të tjera.

Ai, gjithashtu, mund të forcojë paqen, duke mbështetur mirëkuptimin në mes popujve, rritjen e vetëdijes së trashëgimisë së pasur në mes kulturave të ndryshme dhe duke ftuar gjithsecilin që të vlerësojë vlerat e tij.

Në këtë ekspozitë ka marrë pjesë edhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bern, Nazane Breca, e cila ka theksuar se “kultura bën një kontribut të madh, që Kosova të njihet më shumë dhe që të zbulohen thesaret e saj”.

Ekspozita “Bukuritë Natyrore të Kosovës” në Qendrën e Arteve në Fondacionin “Ibrahim Kodra” ka prezantuar fotografitë e realizuara nga fotografët ndërkombëtarë dhe pjesëmarrësit në garën e fotografisë më të mirë për promovimin e Kosovës për vitin 2017, e cila ishte organizuar pak kohë më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Autorët e fotografive të ekspozuara në këtë ekspozitë janë si më poshtë: Aleksandra Hiltmann, Arben Islami, Erza Rudi, Jeta Abazi Gashi, Maria Pacolli, Marieke Lebet-Booij, Shkelzen Rexha, Yllka Fetahaj, Agon Nimani, Arian Mavriqi, Armend Nimani, Bleron Caka, Dea Lajqi, Sehida Miftari.

Në ekspozitë janë shfaqur edhe punime tjera artistike, duke përfshirë artistin kosovar, Sylë Mujaj. Pas përfundimit të ekspozitës është shërbyer edhe ushqim tradicional nga Kosova. Ekspozita do të mbetet e hapur deri në 14 Janar 2017. /b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: bukurite natyrore, kosova, ne Zvicer

MOS MA KUJTO TË KALUARËN

December 19, 2017 by dgreca

fadil_lushi_thmb1211

Nga Fadil LUSHI/Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për fjalën TJERR jep këto shpjegime:E bëj fill leshin, pambukun, lirin etj. duke e tërhequr pak nga pak nga shtëllunga dhe duke e dredhur me dorë a me makinë. Tjerr lesh (pambuk, mëndafsh). Tjerr trashë (hollë). Tjerr me furkë (me makinë).

  • fig. E zgjat shumë e pa nevojë një punë, një bisedë etj., e stërholloj, e bëj tërkuzë. I tirrte fjalët. E ka zakon ta tjerrë. I tjerr gjatë gjërat ai. Mos e tirr më tutje!
  • fig. Shpif a sajoj diçka të paqenë. Pse tjerr kot! Nuk është mirë të tjerrësh.

 

* Tjerr (pret) hollë… Tjerr lëmshe kundër dikujt –  shpif shumë kundër dikujt, thur intriga të mëdha.

              Miq të nderuar! Në këtë shkrim të radhës do bëj përpjekje ta them të vërtetën për një ngjarje me rëndësi historike, një ngjarje sa humane, po aq emancipuese dhe po aq denigruese. Për këtë arsye do të shkruaj për sebepin tim dhe të gjeneratës sime dhe, në veçanti, për “shokun” nga një mëhallë e kasabasë së Tetovës. Ju them që në fillim, se nuk do të tjerr as leshin as pambukun, nuk do të tjerr as me furkë e as me makinë,  nuk do ta stërholloj shkrimin, po as tërkuzë nuk do ta bëj, nuk do të sajoj a të trilloj gjëra të paqena, përkundrazi, në këtë shkrim do të bëj përpjekje të identifikoj njerëz të cilët lëre që jetojnë në një realitet të shtrembëruar dhe në iluzion, por mëtojnë ta zbehin dhe ta anashkalojnë kontributin e disa shqiptarëve që ndërtuan të kaluarën e tyre të lavdishme. Nëse jo për diçka tjetër, atëherë do ta bëj për gazetën në fjalë, për lexuesit e mi të çmuar dhe, në instancën e fundit, për hir të njerëzve të cilët në ditën e njëzetedytë dhe të njëzetetretë të muajit dymbëdhjetë të motit 1968 kërkonin lirinë e munguar të vatanit të tyre të zaptuar. Prandaj, jo më kot, iu referova Fjalorit të gjuhës sonë dhe kujtesës sime pamore e dëgjimore.

             Dikur moti prindërit tanë mendjendritur thoshin: Nëse do jetimin ta ndihmosh a ta mishërosh, mos e paragjyko, mos e përmend të mirën që do t’ia bësh dhe nëse do t’ia bësh një nder, bëje me tamam dhe mbaje për vete…, mos e bëj sa për sy e faqe…, sepse jetimi s’përdëllehet dot kollaj. Por ama, mos harro se një ditë edhe ti mund të biesh në hall të madh, andaj do të duhet të bësh kujdes se në derën e kujt do të trokasësh për të kërkuar ndihmën pa interes! Asokohe ne, që ishim axhami në fiqir, nuk e kuptonim në asnjë mënyrë këtë thënie popullore që lakohej nga prindërit tanë të varfër, por të mençur, për faktin se kjo filozofi ndoshta nuk na hynte në punë, po ndoshta edhe nuk besonim se një ditë do të ballafaqohemi me këtë mençuri popullore.

            Kritikët letrarë shqiptarë thonë se Azem Shkreli ishte një njeri i cili u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare. Ai njëherë, pos të tjerash, kishte thënë: “Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, se njëra gjysmë komploton kundër saj”. Ky përgjysmim i së vërtetës shkreliane, pa fije dyshimi, sot e gjithë ditën e Perëndisë, do të gjejë vend në muhabetin e pshurrur të “mikut tim” në vijim të këtij shkrimi.    

           Sot e kaq dekada pas takova “shokun” e mëhallës sime. Ishte duke dalë nga haleja e kasabasë. Sigurisht që ato hapësira i kishte frekuentuar sa për të bërë çiçën pa pare. Pasi u “përshëndetëm”, pa një pa dy, ashtu thjesht e pshurri muhabetin fare. Bënte sikur ende frymonte, njësoj si në vaktin e babait të tij komunist, gjegjësisht ish-kolaboracionistit i përbetuar. Sikur e kishin zaptuar ethet malarike. Sikur e kishte kapluar nostalgjia për vitet e ikura. Sikur nuk ndërgjegjësohej sa i përket shqiptarizmit të tij të rremë. Sikur kishte harruar detyrimin moral ndaj meje dhe të tjera borxhe të pashlyera ndaj miqve të tij, që fatkeqësisht nuk frymojnë më. Çdo fjalë timen e merrte me inatin e tij prej vitesh të akumuluar, gjithsesi pa të drejtë. Më dukej se nuk ishte në terezi, sikur i kishte luajtur tepeleku i kokës, edhe ashtu të boshatisur.

Duke vërejtur se po e shpërdoronte durimin tim, ia ktheva: – Pa më thuaj, “mor dost”, ç’të mungon e ç’të mundon! Ma ktheu hazërxhevapin, ashtu si ndër dhëmbë, duke më thënë: “Ore, pse nuk ma urove gjyshërinë time!”. Fillimisht mëtova “ta gjezdis ashtu kot” përgjigjen time, por duke qenë i ndërgjegjshëm se nuk do t’ia kapte radakja, ia ktheva troç, ashtu drejtpërdrejt pa frikë, ‘açik’, në sy: – Po kur u martove, o “mik im”, e që sot qenke bërë gjysh! “Ehe, a hiç nuk të kujtohet, ishte moti 1981, pikërisht në vitin kur komunistët ty ta morën “masën e samarxhiut”, në vaktin kur bashkëpunëtorët e tim eti ta morën bukën e gojës”. – Eh, “xhanëm, miku”, të lus mos ma rikujto atë kohën tënde…, fare mirë e mbaj mend kur babai yt ftoi gjithë burrat dhe gratë e lagjes në dasmë, kurse mua më la mënjanë me a pa të “drejtën” e tij. Ehe, sa shumë u pikëllova në atë kohë. Ti “shoku”, tok me babin tënd, asokohe më lënduat e më anashkaluat! Dhe kur shokët e klasës e kishin pyetur babanë tënd se për ç’arsye mungoja unë në dasmë, ai ishte përgjigjur: “Kam të ftuar funksionarë të lartë të partisë komuniste“, e të tjera broçkulla dhe gjepura kalamajsh! Dhe tashti, miku, më thuaj ç’kuptim do të kishte “urinimi” im! Dhe “miku” duke u çakërdis nga mendja, ma ktheu njësoj si daulltari i grupit a bandës frymore, të cilit para dasmës i çahet daullja: “Nuk të thashë të më ‘urinosh’, por të më urosh a të më japësh uratën!”. Ja ktheva se e ç’kuptim do të kishte kjo uratë apo ky ‘urinim’, po ç’të duhet kjo uratë irredentisti, uratë njeriu i cili dikur moti mëtoi të ta prishë rehatinë e familjes sate komuniste, rehatinë e babait tënd, i cili dikur hante bukën dhe qengjin e katundarit fisnik shqiptar, e mandej bënte duanë e kaurit-komunist dhe ca të tjerë shqiptarë!… Ç’të duhet urata e njeriut të cilin babai yt e konsideronte rebel dhe shkatërrues sistemesh!

           “Mbreti Solomon, të cilit një ditë ia sollën për gjykim dy gra të cilat pretendonin se ishin nënat e një foshnje, e zgjidhi çështjen duke gjetur nënën e vërtetë, nisur nga gruaja e cila shprehu më shumë dhembshuri për foshnjën. Solomoni menjëherë nxori një shpatë dhe kërcënoi të ndante më dysh foshnjën, por njëra nga gratë iu hodh te këmbët duke iu përgjëruar që t’ia falte jetën foshnjës dhe se ajo hiqte dorë nga pretendimet e saj kundrejt foshnjës. Solomoni e kuptoi që ajo ishte nëna e vërtetë dhe jo gruaja tjetër, e cila u pajtua me faktin që foshnja duhej ndarë në dy pjesë”.

Eh, “xhanëm miku”, të vërtetën mos e ndaj përgjysmë…, mos e nguc foshnjën, lëre të RRITET!

P.S.

Ky shkrim u dedikohet të gjithë pjesëmarrësve të demonstratave të vitit 1968 në Tetovë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Lushi, MOS MA KUJTO TË KALUARËN

Kryetari i Unionit te Pavarur Studentor Antikomunist në Vatër

December 18, 2017 by dgreca

Kryetari i Unionit te Pavarur Studentor Antikomunist Shqiptar z. Alfred Pëllumbi viziton Vatrën/

2 Dritan Pllumi

Më 18 Dhjetor 2017, Kryetari i Unionit të Pavarur Studentor Antikomunist Shqiptar z. Alfred Pëllumbi vizitoi selinë e Federatës Panshqiptare Vatra dhe u prit nga Kryetari i saj Dritan Mishto.Pëllumbi uroi përzemërsisht Kryetarin Mishto për zgjedhjen e tij si Kryetar i Vatrës dhe vuri në dukje ndryshimet që po perceptohen kudo në trojet shqiptare rreth ngritjes së profilit të Vatrës në botën shqiptare.

Nga ana e tij, Kryetari Mishto falenderoi Kryetarin e Unionit të Pavarur Studentor Antikomunist Shqiptar per respektin e treguar ndaj historisë, trashëgimisë dhe vlerave të Vatrës dhe shprehu bindjen se ky akt tregon respektin e gjerë të të gjithë studentëve dhe të rinjve shqiptarë ndaj Vatrës si  vlerë e cmuar e historisë moderne të kombit tonë.Alfred Pëllumbi është njëkohësisht mik i vjetër i Kryetarit Mishto. Të dy bashkëbiseduesit kujtuan betejat studentore për rivendosjen e demokracisë në vitet 1997, 1998 e vijim kundër qeverive socialiste Nano, Majko dhe Meta. Përmbysja e qeverisjes demokratike me revolucionin e dhunshëm komunist të vitit 1997 nuk gjeti pajtim tek studentët, të cilët nën drejtimin e Unionit të Pavarur Studentor Antikomunist filluan një varg protestash në mbarë universitetet shqiptare. Protestat studentore kundër qeverive socialiste kulmuan me grevën e urisë së nisur më 10 Dhjetor 1998, për gjetjen e vrasësve të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari dhe vijuan periodikisht deri në riardhjen e Partisë Demokratike në pushtet në vitin 2005.

Në kujtim të bashkëpunimit me Azem Hajdarin, një grup vatranësh nën nismën e Kryetarit të Federatës Dritan Mishto u bënë donatorë në ndërtimin e bustit të heroit të demokracisë në Tropojë.(Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Alfred Pëllumbi, dritan Mishto, Kryetari i Vatres, viziton Vatren

Vajza e Dritave të Krishtëlindjeve

December 18, 2017 by dgreca

(Histori e Vërtetë)/

2-Alfons-Grishaj1-250x300

Nga Alfons Grishaj/

Bora filloi më vonë se vitet e tjera. Tisi i bardhë kish mbuluar çdo gjë. Romantikët, dhe pse nuk pëlqejnë erën e veriut, që nuk lë të shijosh parajsën e radhës, përsëri s’i ndal asgjë ta përkëdhelin bardhësinë e  përsosur me penel, poezi, këngë dhe lurtim fizik.

1 Christmas-Outside-Home-Decorations-02Ishte muaji Krishtëlindjeve. Atmosfera ndihej kudo, në rrugë , dyqane e ambiente pune. Shtëpitë, shkollat, qendrat e biznesit ishin stolisur tradicionalisht. Njerëzit e gëzuar uronin njëri-tjetrin, “Merry Christmas!”. Drerët dhe sorkadhet dilnin  shkujdesur buzë pemëve, rreth shtëpive e sikur thonin, është koha jonë dhe ju nuk mund të bëni pa ne. Legjenda tregon se, drerët fluturojnë sëbashku me Santa Claus, shtëpi më shtëpi, për t’u shpërndarë dhurata fëmijëve, prandaj në muajin Dhjetor, drerët janë krenarë dhe të paprekshëm.

Krishtëlindjet janë kulmi i gëzimit. Por jo të gjithë galdojnë dhe ndjejnë atmosferën festive… Për vajzën e vogël, Mukades, koha e Krishtëlindjeve ishte koha e dilemave dhe torturës shpirtërore. Sa afrohej muaji i festave, ajo bëhej e heshtur dhe mbyllej në vetvete. Nganjëherë qante me ngashërim. Rrinte tek dritarja, shijonte flokët e bardhë të dëborës  , kundronte dritat shumëngjyrëshe të Krishtëlindjeve dhe pyeste veten, pse babai dhe familja  e saj nuk lejonin që shtëpia e tyre të stolisej si shtëpitë e fqinjëve, shoqeve dhe shokëve të klasës? Në shkolla e dyqane kudo ndihej atmosfera festive, por në shtëpinë e saj nuk kish as drita shumëngjyrëshe, as pemë Krishtëlindjesh, as dhurata. Familja e saj vinte nga lindja e mesme dhe babai me besim islam , mundohej të ruante traditën që kish trashëguar nga të parët. Po trashëgimia e tij, një relike e çmuar, që nuk mund të aplikohet si në vendin e tij, jo se është e ndaluar, përkundrazi, porse fëmijët dhe kultura perëndimore është asimiluese…

Sa më tepër rritej, vajza bëhej më këmbëngulëse në pyetjen e saj: “Pse vetëm shtëpia e tyre nuk stolisej?! Babai i përgjigjej shkurt: “Nuk është festa jonë, nuk është shkruar në Kuran!” Befas një ditë,  Mukadesi i afrohet të atit dhe i thotë: “E kam mbaruar së lexuari Kuranin! Aty nuk shkruhet se Muhameti është kundër dritave dhe zbukurimeve…. A e di ti baba kush është Krishti … ?! Në Kuran është Hazreti Isa! ”Avdyli mbeti pa gojë. Flokët iu rrënqethën dhe një flakë e brendshme i mbuloi  fytyrën. Vajza nisi “sulmin” duke  hequr shaminë nga koka. Flokët e gjata iu derdhën mbi supe dhe shpinë, dhe sytë e zes iu bënë më të zes …si një shkëlqim shenjtnorësh. Patundur qëndronte si statujë mermeri para të jatit, e më zë që dridhej vazhdoi dialogun sikur të ishte një tridhjetvjeçare dhe jo një fëmijë nëntë vjeç: “E kuptoj që je lodhur, shko fli! Po, nesër unë dua një përgjigje. Nuk dua përgjigjet e viteve të shkuara, se nuk e di çfarë do ndodhë me mua… Më vjen zor t’u dal shoqeve dhe shokëve të mi para syve. Ata gëzojnë, zemra ime vuan, a e kupton baba këtë? Disa më shikojnë me dhimbje, disa me përçmim! Pale më keni mbuluar dhe me këtë shall (duke tundur shallin në ajër) që të dallohem nga fëmijët e tjerë. Këtë nuk e vë më! Ti, do e lidhësh tek guri i varrit tim…”

Pasi mbaroi fjalët vrapoi për në  dhomën e vet, duke qarë me dënesë. Avdyli i habitur bëri dy tre hapa për tek e bija për të nxjerrë dufin, por nuk mundi. Donte të ulurinte si një luan i plagosur, por zëri nuk  mori komandë nga skutat e ndërgjegjes. Thirri të shoqen, e cila nuk bëhej e gjallë nga respekti dhe zakoni për mos i kthyer fjalë burrit. Dhe pse thellë në shpirt Hajdia, nuk pajtohej me disa zakone dhe praktika të burrit dhe vendit të vet, të cilat nuk përkonin me perëndimin, ajo qëndronte si Nimfa nën ujë dhe shfaqej vetëm atëherë kur nuk kish njerëz . Avdyli me një zë të ulët e të shqyer  tregonte zemëratë dhe frikë nga  shpërthimi i vajzës,  urdhëroi të shoqen t’i bënte një çaj me kamomil dhe ginger dhe të ulej pranë tij. Pasi piu çajin, sikur e mblodhi veten dhe vazhdoi bisedën me të shoqen . Hajdia vuri gishtin mbi Kuran ,  në faqen e hapur  shihej   emri i Hazreti Isa (Krishti)  ,  ajo filloi bisedën  : “ Mbas shumë vitesh   Allahu na fali Mukadesin…,  mendoj se Hazreti Isa është  Meleku i saj ! Fëmijët kërkojnë pak , ne ua kufizojmë dhe atë .“

Avdyli shikonte të shoqen . Kurani dhe sjellja e të bijës ia kishin turbulluar ndërgjegjen .  Nata i shkoi si një minut ëndrre.

Të nesërmen Avdyli doli nga shtëpia më herët se zakonisht. Sytë i kishte të skuqur dhe fytyrën e vrenjtur. Tek dera e garazhit u ndesh me komshiun i tij, Lleshin, i cili po  përgaditej për të shkuar në punë. Ai  ishte emigrant si Avdyli , por me kulturë  shqiptare. Komshinj,prej vitesh  respektonin njëri-tjetrin sikur të ishin njohur që në fëmijëri. Avdyli, nuk e përshëndeti si zakonisht komshiun e vet, hypi në makinë dhe u bë gati të nisej, por aty për aty ndryshoi mendim. Ndaloi makinën dhe u afrua duke përshëndetur Lleshin përsëri: “Mik i dashur Les (Llesh), jam në hall të madh, dua këshillën tënde.”

Lleshi, mendoi se një gjëmë e madhe kish ndodhur…, la makinën e ndezur dhe ftoi mikun të hynte brenda në shtëpi. Ai,  shpjegoi  shpërthimin e vajzës  natën e shkuar… Lleshi, një burrë i urtë, kur fillonte ligjëratën këshillëmirë nuk kishte dëshirë të dilte duar bosh, iu drejtua komshiut: “ Mukadesi ka lindur në Amerikë dhe jo në Arabi. Ajo edukohet  midis shoqeve dhe shokëve  që nuk njohin psikologjinë tonë, e cila vjen nga zakone tërësisht të panjohura për ta, të pakuptimta për brezin që  rritet. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe përgjegjës për mbarëvajtjen edukimit  në bazë të kulturës këtu, për arsye se fëmijët tanë nuk kanë për të  kuptuar kurrë, ato çfarë kemi mësuar dhe çfarë kemi hequr ne. Nëse, nuk i kuptojmë, mundet t’i humbasim përkohësisht, mbase dhe përgjithmonë”.

Avdyli dëgjonte sikur të ishte një adoleshent dhe jo  baba. Në mend i erdhi filmi, “Fiddler on the Roof”*, personazhi i filmit Tevye ,  fshatar Izraelit që jetonte në një fshat të Rusisë, i cili mundohej të mbante traditën dhe të martonte tri vajzat sipas zakonit me bashkëkombas, por secila nga vajzat zgjodhi fatin e vet. Sa herë ndodhte kjo, Tevye drejtohej nga qielli dhe pyeste Zotin me zë të lartë …, pastaj binte në paqe. Trurin e Avdylit e përshkoi një drithmë vizive, sikur Mukadesi kish varur vehten në pemën përballë shtëpisë. Brofi në këmbë: “Allah! Nuk ka me ndodhë kurrë!”. Lleshi e shikoi me bisht të syrit  por nuk e ngacmoi më tej.

Orari për punë nuk i lejoi të vazhdonin më tej bisedën. Vendosën ta vazhdonin pasdreke. Avdyli, pasi la punën, shkoi menjëherë në shtëpine e Lleshit. Biseduan gjatë… Shtrënguan dorën njëri-tjetrit për t’u parë pas pak. Tek dera e priste Mukadezi, e cila e shikoi të jatin të dërmuar dhe për herë të parë që hynte në pragun e derës  kokë ulur.  “Baba a je lodhur?” –  E pyeti vajza. Ai nuk i ktheu përgjigje, por e ftoi vajzën ta shoqëronte në dhomën e vet që ish nga perëndimi. Vajza shkoi pas tij e tulatur për të pritur ndëshkimin e shpërthimit të natës së kaluar…

Pas pak Lleshi u shfaq tek shtëpia e komshiut. Në dorë mbante një kuti të cilën e uli në tokë. Shkoi në garazhin e vet, mori shkallën dhe u kthye. Hapi kutinë, nxori kordonin e thurur me drita jeshile dhe të kuqe. Pasi kishte rrëkëllyer një gotë raki, filloi fërshëllimën, çfarë tregonte se ishte në humor. Filloi stolisjen e shtëpisë së komshiut, plan që patën rënë dakord në shtëpinë e tij. Ndërsa biseda vazhdonte midis Mukadezit dhe Avdylit, Lleshi instaloi dritat, vendosi spinën në prizë, dhe dritat shkëlqyen në shtëpinë e vajzës  vogël që ëndrroi me vite të gëzonte me shoqet dhe shokët e saj.

Ai trokiti në derë si Santa Claus, me vete kish sjellë dhe ca lojra për vajzën e Krishtëlindjeve. I jati urdhëroi të bijën të hapte portën. Mukadezi rendi dhe e hapi  dhe ç’të shikonte, dritat e varura tek hyrja dhe rreth shtëpisë, shkëlqenin. Harroi Lleshin, vrapoi jashtë në dëborë, duke kërcyer dhe thirrur me gëzim: “Thank You ! Thank You Baba! Thank You God! Thank You! “Hajdia kishte mbuluar fytyrën dhe qante në heshtje prej gëzimit. Jo prej zbukurimit të shtëpisë që kishte marrë pamje festive, porse shikonte për herë të parë vajzën që brohoriste me ngazëllim. Avdyli i emocionuar  tha: “Që sot e tutje, kjo shtëpi çdo vit do  mbulohet me drita! Pema e Hazreti-Isait (Pema e Krishtit), do jetë më e madhe se e fqinjëve, apo jo Les?” Tek përmendi Hazretin Isa, sikur u qetësua, bindi veten se nuk kish shkelur Kuranin e Shenjtë, sepse Isai, qe dhe Profet i tyre.

Lleshi, tek shikonte atë mrekulli, çoi kokën nga qielli: “O Zot, sa e naltë dhe misterioze asht puna jote!”Babai dhe  nëna, përqafonin vajzën, duke shijuar sëbashku shkëlqimin e dritave të Krishtëlindjeve që reflektonte në fytyrën e ngazëllyer të Mukadesit. Me syrin e mendjes , Avdyli shikoj mbi pullaz burrin me violinë , tek i shkeli syrin…

Fëmija kish fituar botën e vet, kurse babai, vajzën.

————————————

Mukades , e shenjtë .

Fiddler on the  roof,   Violinë në çati,  fitoi  Oscar…. vitin 1972 .

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, të Krishtëlindjeve, Vajza e Dritave

Kaos dhe tymuese në parlamentin shqiptar, Opozita do nisë protestat

December 18, 2017 by dgreca

-Tiranë, kaos dhe tymuese në parlament, shumica zgjedh kryeprokurorin e përkohshëm./

1 Parlamenti tym

  • Opozita bëhet bashkë, nga janari nis vala e protestave masive kundër Ramës/
  • Rama falenderon Adriatik Llallën, i thotë PD e LSI-se: Sot latë namë!

Parlamenti në Tiranë sapo zgjodhi prokuroren e re të përgjithshme, Arta Marku, në një seancë të tensionuar nga protesta e opozitës brenda dhe jashtë Kuvendit.Ajo u betua, ndërsa salla është plot me tymra shumëngjyrësh të hedhura nga deputetët e opozitës,njoftoi Zëri i Amerikës nga Tirana.

Kryetari i Parlamentit arriti të hedhë në votim pikën 5 të rendit të ditës për prokuroren e përgjithshme, megjithë rrëmujën brenda dhe jashtë ndërtesës.Një polic njoftohet se u plagos në kokë dhe një zonjë po ndihmohet për shëndetin e trazuar nga përplasjet.Opozita ka mbledhur mijëra përkrahës të saj në sheshin para parlamentit “për të protestuar kundër kapjes së prokurorisë nga kryeministri Rama”, si u shpreh kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Deputetë të opozitës po flasin në shesh, ndërkohë që brenda në sallë plenare socialistët po përpiqen të ndjekin rendin e ditës.

Shumica votoi që zgjedhja e prokurorit të mbetet në rendin e ditës, por opozita tha se kjo është një nismë antikushtetuese e rrezikshme. Kryetari i parlamentit, Gramoz Ruci, tha se opozita mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe se ecuria e seancës është e rregullt.

LSI u bëri thirrje 3 kandidatëve për prokurorë që të tërhiqen nga kandidimi.

Protestuesit e opozitës hodhën fishekzjarre ngjyrues në oborrin e Kuvendit, ndërsa nisën të shtyhen me kordonat e policisë.

Deputetja e opozitës, Grida Duma, tha në tubim se protestuesit mezi po presin të hyjnë në sallën e Kuvendit, sepse “ajo është salla juaj dhe jo e socialistëve të korruptuar, që po rrëmbejnë drejtësinë”.

Ndësa deputeti socialist, Ulsi Manja, tha se kjo është hera e parë që prokurorin e përgjithshëm nuk e zgjedh Partia Demokratike, ndaj ata protestojnë.

“Kjo duhej të ishte një seancë normale dhe ligjet dhe rregullat janë të qarta. Pretendimet e PD-së nuk qëndrojnë dhe pjesëmarrja në tubim nuk është e madhe, sepse njerëzit u thirrën jo për hallet e tyre si papunësia” – tha ai.

Kuvendi ndërpreu punimet disa herë pasi deputetët e Partisë Demokratike zunë vend në foltore për të mos lejuar vazhdimin e seancës, ku pritet të votohet prokurori i përgjithshëm i përkohshëm. përgjithshme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha fillimisht në një fjalë të shkurtër se sot është një nga ditët më dramatike të parlamentit, se shumica parlamentare po kërkon të marrë një pushtet që nuk i takon si prokuroria.

“Kjo është një seancë antikushtuese. Socialistët po bëhen gati për një grusht shteti, po pushtetet duhet të jenë të ndara nga njëri-tjetri” – tha zoti Basha.

Ai theksoi se edhe reforma në drejtësi i sheh të ndara pushtetet ashtu si Kushtetuta.

“Binduni urdhërit popullor ose përballuni me pasojat” – tha zoti Basha.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se jemi bërë pjesë e një nisme humanitare në ndihmë të qendrs spitalore të Kosovës, duke u përpjekur ta futë seancën në një rrjedhë normale.

Deputeti Sali Berisha kërkoi të marrë fjalën, por u pengua nga punonjësit e parlamentit dhe foli shkurt pas një pushimi, duke denoncuar përpjekjet e shumicës për të uzurpuar postin e prokurorit të përgjithshëm.

Burime mediatke bëjnë të ditur se policia e kryeqytetit ka shoqëruar deri tani 5 përsna në lidhje me përplasjen me policinë para Kuvendit dhe tensionin që shoqëroi seancen ku u zgjodh Kryeprokurorja e Përkohëshme. Ndërkohë policia ka rrethuar me shirita të gjithë zonën ku ndodhi përplasja për të kërkuar objekte apo sende që mund të fajsojnë të ndaluarit.

Basha pas zgjedhjes se kryeprokurorit te perkohshem: Rama konsumoi pucin kushtetues

Pas votimit të kryeprokurores së Perkohshme nga maxhoranca Lulzim Basha deklaroi se sot u konsumua puci kushtetues.

Lulzim Basha: “Ky është reagimi i qytetarëve kur shkelet Kushtetuta,ky është reagimi i njerëzve kur kapet drejtësia,ky është reagimi  i popullit kur kriminelët marrin peng prokurorin për të mbyllur dosjet e krimit.

Sot parlamenti ka konsumuar një puç kushtetus.Edi Rama ka konsumuar dhunimin e Kushtetutës për të mbrojtur Sajmir Tahirin,Vangjush Dakon,Qazim Sejdinin, ministrat e tij të korruptuar dhe vetë veten e tij.

Opozita ka mbajtur qëndrimin e saj,qytetarët janë bashkuar dhe dua t’i përshendes,t’i përgëzoj dhe t’i falenderoj nga zemra. 

Sot i kemi treguar mbarë vendit dhe gjithë shqiptarëve dhe gjithë faktorit ndërkombëtar se ne,nuk jemi e nuk do bëhemi kurrë fasadë e autokracisë kriminale. Shpërbërja e krimit në pushtet dhe pushtetit lidhur me krimin sapo ka filluar dhe opozita do të vazhdojë me vendosmëri,me besim të madh këtë rrugë, në krye të qytetarëve të bashkuar pë demokraci dhe liri”.

Opozita bëhet bashkë, nga janari nis vala e protestave masive kundër Ramës

1 basha-1513603222

Partia Demokratike aleatët e saj dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të jenë bashkë në protestat masive që do të organizohen prej janarit të vitit të ardhshëm, (2018).

Pas mbledhjes në selinë PD, kryetari Basha bëri publik qëndrimin e opozitës: ” Opozita tregoi sot se nuk do të lejojë parlamentarizëm fasadë. Vendimi unamim është nisja e një vale protestash popullore për të ndalur cmendurinë e narkokryeminsitrit që sot është dhe kryeprokuror i vendit”.

Rama falenderon Adriatik Llallën, i thotë PD e LSI-se: Sot latë namë!

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për median i quajti përplasjet dhe tensionet e sotme përpjekje e dëshpëruar e opozitës për bllokimin e reformës në drejtësi. Shefi i qeverisë falenderoi Adriatik Llallën për punën e vështirë, duke theksuar se ai nuk u pengua kurrë dhe as u sulmua kurrë nga qeveria.

Rama i kujtoi opozitën se ishin ata që edhe në protestat e kaluara kanë tentuar të bllokojnë drejtësinë dhe zgjedhjet.

Ndërsa për LSI, Rama tha: Ishin po këta që sot gjuanin me tymuese, shishe, këpucë, por vetëm se atëherë disa bërtisnin në çadër dhe disa hidhnin gurin me qetësi dhe fshihnin dorën me dashuri, derisa i humbën edhe qetësinë edhe dashurinë edhe tepsinë.

Pjesë nga deklarata e Ramës

Edi Rama: “Dua ti kërkoj ndjesë sot gjithë shqiptarëve por edhe partnerëve për shfaqjen e shëmtuar për të bllokuar reformën në drejtësi. Shfaqjen e dha opozita, por faturën e kësaj shfaqje e merr e gjithë Shqipëria e cila është më afër  se kurrë çeljes së negociatave për anëtarësim me BE dhe nuk i meriton as baltën, as tymin dhe as dëshpërimin e kësaj opozite që prej dy vitesh udhëhiqet nga frika e reformës në drejtësi.

Bëra sa munda dhe nuk e di ca mund të bëja më shumë për të çelur dialogun me opozitën lidhur me zgjedhjen e prokrurorit të përkohshëm. As kërkesat e përsëritura të SHBA dhe BE për të gjetur një zgjidhje me mirëkuptim për ta sjellë opozitën në tryezën e dialogut.

Zgjedhja e prokurores së përgjithshme të përkohshme vetëm me votat tona ishte legjitime, e konfirmuar edhe nga misionet e SHBA dhe BE që asistojnë procesin e vështirë të reformës në drejtësi. Por nuk ishte zgjedhja e dëshiruar prej nesh.

Ne dëshirojmë një zgjedhje me mirëkuptim me opozitën të cilën e ftuan në dialog deri në fund. Për ne nuk kishte rëndësi thjesht të respektohej kushtetuta, por ishte me rëndësi që këtë detyrim ta përmbushnim me opozitën. Jemi në një moment të rëndësishëm dhe presim hapjen e negociatave me BE. Ashtu sikundër çdo shfaqeje uniteti në funksion të kushtetutës, ligjit dhe reformës në drejtësi është një pikë e fituar dhe çdo shfaqje si kjo e sotme është një pikë e humbur.

Opozita zgjidhi rrugën e dëshpëruar të baltës dhe tymit, ku nuk kurseu as përfaqësuesit e SHBA dhe BE duke akuzuar edhe vetë ambasadorin e SHBA

Prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla është i pari në 27 vjet që largohet nga detyra pa asnjë konflikt me shumicën qeverisëse.

Maks Haxhia, Arben Rakipi, Dhori Solloaku, Ina Rama u zgjidhën të gjithë me miratimin e Sali Berishës dhe që të gjithë gjatë kohës së tyre në detyrë u masakruan publikisht. U shanë, fyen nga po Sali Berisha dhe partia e tij sepse u munduan të bëjnë detyrën duke respektuar kushtetutën e ligjin.

Adriatik Llalla që dua ta falenderoj sot për punën dhe kontributin në një detyrë të  vështirë ku në më shumë se një rast prokuroria ka vepruar me hetime nuk u pengua kurrë dhe as u sulmua kurrë nga qeveria që unë drejtoj. Sepse ne jemi ndryshe dhe kurrë nuk e përdorim fuqinë e pushtetit për të bërë presione ndaj organit të akuzës.

Për ne nuk ka dy standarde, nuk ka dy drejtësi, nuk ka vija sjellje ndaj drejtësisë dhe përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor që përcaktohen nga na intereson politikisht apo sna intereson politikisht një veprim apo vendim në sistemin e drejtësisë.

Pavarësisht faktit se ai pushtet është i korruptuar deri në palcë dhe kërkon reformën që kemi nisur dhe nuk do ta ndalë askush as me balte dhe as me tym dhe as me thirrje për protesta kundër reformës në drejtësi.

Ka dy vjet që bëhemi gazi i botës si i vemti rast unikal në historinë e proceseve të integrimit ku opozita dhe jo shumica qeverisëse i kundërvihet reformës në drejtësi.

Në korrikun e vitit të shkuar u synua rrëzimi i qeverisë, për të bllokuar kalimin e paketës së parë të reformës në drejtësi që u kthye në betejë të pashembullet mes reformistëve dhe të tremburve  nga drejtësia e re. Ishin po këta që sot lanë nam me një sjellje histerike, veçse nuk ishin haptazi bashkë. Disa  ishin përballë në llogoren e frikës së tyre disa ishin pas shpinës sonë në llogoren e kolaicionit, ku i interesonte tepsia dhe Shqipëria.

Për tre muaj me radhë në gjysmën e parë të këtij viti u mor peng Bulevardi për të marrë peng reformën në drejtësi, duke kërcënuar shkatërrimin e zgjedhjeve.

Ishin po këta që sot gjuanin me tymuese, shishe, këpucë, por vetëm se atëherë disa bërtisnin në çadër dhe disa hidhnin gurin me qetësi dhe fshihnin dorën me dashuri, derisa i humbën edhe qetësinë edhe dashurinë edhe tepsinë.

Protestuesve të sotëm dua ti bëj një pyetje të thjeshtë: Po mirë qytetarë që nuk e doni këtë qeveri a mund të ketë ndër ju budallenj që të mendojnë se SHBA dhe BE të pranojnë që drejtësia të kapet përmes një puçi kushtetues.

A mund të ketë ndër ju budallenj që të besojë që ndërkohë që Shqipëria pret të çelë negociatat, SHBA dhe BE lejojnë marrjen e proceseve gjyqësore nga kryeministri?! Unë nuk besoj se ka të tillë budallenj qofshin mbështetës apo kundërshtarë të kësaj qeverie.

Koha do të tregojë edhe shumë më tepër sesa dimë për të tremburit, të kapurit, të zhyturit dhe të mbyturit në batakun e politikës apo drejtësisë së vjetër që është në gramat e fundit.

Ne sot bëmë detyrën që kjo kohë mos vonojë me tëpër deri kur ne, kjo forcë që sot qeveris Shqipërinë, PS mori përsipër të udhëheqë reformën në drejtësi.

Sot nuk e bëmë dot bashkë me opozitën zgjedhjen legjitime, edhe pse u përpoqëm deri në fund. Por kush i merr lutjet e mia për dialog ndaj kreut të PD për dobësi, janë përgjegjshmëri shtetformuese. Vullneti për ta përfshirë opozitën në çdo proces.

Ky vend nuk mund të jetë më përshesh në çdo shesh ku marrin fjalën ata që politikën e duan mjet për të ruajtur privilegjet e  tyre dhe jo për të luftuar për njerëzit.

Opozitën nuk e zgjedhim dot, opozita është ajo që kemi dhe ne do vazhdojmë të kërkojmë dialog.

Shtet, punë mirëqenie do të thotë së pari zbatim në çdo hap i reformës rrënjësore në drejtësi, me opozitën apo pa opozitën për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Filed Under: Featured Tagged With: Kryeprokurorja e perkohshme, Parlamenti, protestat e opozites, Tym e Kaos

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT