• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2017

Kosovë-Kuvendi mblidhet edhe të dielën

December 9, 2017 by dgreca

-Pas debateve dydiore të 5 e 6 dhjetorit, të dielën në axhendë: Votimi për Buxhetin e Kosovës 2018/

1 Behlul ne kUvend-Këtë javë, Kuvendi i Kosovës kishte edhe një seancë tjetër plenare dyditore,  në 7 e 8 dhjetor, me vetëm një pikë në axhendë: Shqyrtimi i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021/

PRISHTINË, 9 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Votimi i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, është pika e vetme e axhendës së Kuvendit në vijimin e seancës plenare të së dielës së nesërme, në orën 15:00.

Kuvendi, në seancën dydiore të 5 e 6 dhjetorit, pas shumë debateve e replikave maxhorancë-opozitë, nuk arriti të këtë shumicën në votimin e parë të Projektligjit për Buxhetin e Shtetit për vitin 2018 dhe për votim të sërishëm u paralajmërua të mblidhet të dielën.Në sallën e seancave planere ishin 88 deputetë të Kuvendit 120 anëtarësh, prej tyre 60 morën pjesë në votim -58 ishin pro, 1 kundër e 1 abstenoi.Projektbuxheti, i cili parasheh të hyra të përgjithshme 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzime 2 miliardë e 82 milionë, nga maxhoranca kishte mbështetje me vlerësim se siguron stabilitet financiar të shtetit, e nga ana e opozitës kishte kritika e paralajmërim votimi kundër pasi, sipas saj, kthen situatën e para vitit 2015 kur ka pasur planifikim të dobët buxhetor.

Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018,  qeveria e prezantoi në Kuvend pasi e ka miratuar në 31 tetor, me ç’rast kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh me vlerësim se, “Buxheti siguron qëndrueshmëri të zhvillimit ekonomik të Kosovës”.

Edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, vlerësoi se “ky Buxhet do të sigurojë qëndrueshmëri të rritjes ekonomike të vendit, mbështetje të veprimtarive ekonomike, rritje të transfereve sociale dhe rritje te investimeve kapitale”.

Këtë javë, Kuvendi i Kosovës kishte edhe një seancë tjetër plenare dyditore,  në 7 e 8 dhjetor, me vetëm një pikë në axhendë – shqyrtimi i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021, e cila u zhvillua poashtu me debate pikëpamjesh të ndryshme nga maxhoranca e opozita dhe me shumë replika.

“Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2018 është i ndërtuar mbi këto shtylla: Sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe punësimi, integrimet euroatlantike dhe zhvillimi sektorial”, ka theksuar kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka prezantuar programin dhe u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

Një seancë e re plenare e Kuvendit të Kosovës, sipas vendimit të Kryesisë, do mbahet të enjten e javës së ardhshme.

Kuvendi i Kosovës i zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit është konstituuar në 7 shtator, kur ka zgjedhë kryeparlamentarin me 62 vota dhe Kryesinë, kurse në seanca e parë e tij ishte e jashtëzakonshme,  kur me 61 vota zgjodhi qeverianë e re të Kosovës pikërisht para tre muajsh, në 9 shtator.

Edhe seanca e dytë e Kuvendit pas konstituimit ishte e jashtëzakonshme, e ftuar sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues, nga opozita, e cila ka nisur në 10 shtator dhe  ka vijuar e përfunduar  në 3 tetor me debate  lidhur me Parimet Programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, mblodhet te Dielen

Sofra Poetike-APO S’BËHEM FLAKË E KUQE

December 9, 2017 by dgreca

Nga Bajame Hoxha(Çeliku)/

bajame-hoxha

APO S’BËHEM FLAKË E KUQE/

Përmbi mua seç vërshon/

Atëherë nata kur pushon,/

Ndaj dhe sulem nëpër terr/

Që të rri me ty njëherë,/

Se po tretem si qiri/

Që e ndeze ishe ti./

Apo s’bëhem  flakë e kuqe,/

Edhe buzët si burbuqe!/

Gjoksi ngrihet hidhet vetë,

Diç nga brenda se ç’ bërtet.

Rruzullimi prush e flakë

Thua digjet pak nga pak!

Puthja jote porsi shpuzë

Që nga larg më djeg mbi buzë.

Shpirt o shpirt mos humbim kohë

Është e shtrenjtë ti mendo,

Dashurinë që kemi ne

Mund ta ndërrojmë veç për atdhe,

Thua tjetër ka mbi dhe

Epsh e ndjenja si tek ne?!

Dashuri kaq e munguar

Nuk do ketë të krahasuar!

Pylli thellë i përvëluar

Me ca thëngjij të pashuar

Nga një zjarr i paharruar.

Lër tek unë psherëtimën

Bashkë me trupin e me frymën,

Ti mos shko me tjetër grua

Se ngado shkon më gjen mua,

Trëndafil të lulëzuar,

Si një zanë të zbukuruar,

Sirenë deti përvëluar,

Puthu, puthu pra me mua!

Si shpagim këtë e dua,

Me ditë-net të numëruar

Zemër pus e thelluar

Eja shpirt i dashuruar

Mos më lër gji trishtuar

Jam e ngrohtë s’jam nguruar!

 

Me sy t’pastër porsi qielli

Që më ndezin për së thelli,

Pa mëri pa shenjë tmerri

Që të dua për fjalë nderi

Që mbulojnë këtë rrafshinë

Tejpërtej përmbi kodrinë!

Si gur zalli dot unë s’rri

Baras natën në qetësi

Nxitoj shpejt e vij tek ty.

Se n’mes gjirit ty të ndjej

Tek të flas e tek më ndjen.

Se s’është joshur dashuria

Osh i merr ndjenjat e mia

Si në dimër dhe në verë

Dhe kur godet e bardha erë

Aromë fushe plot pranverë,

Aromë gushe si një herë

Sepse brenda gjithçka gjen,

Buzë liqenit porsi mjellmë,

Do ta gjesh pranverën zgjuar

Lule shpirti lulëzuar

Lule, lule krejt rrethuar,

Atë zjarr, atë vlerë

O Zot, o Zot!

Nuk jam e mjerë!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Apo s'behem, Bajame Hoxha(Çeliku), flake e kuqe

LE PETIT PARISIEN 1925-LUFTA PËR NAFTËN SHQIPTARE

December 9, 2017 by dgreca

LE PETIT PARISIEN (1925) : LUFTA PËR NAFTËN SHQIPTARE MES SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, BRITANISË DHE ITALISË/

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Dhjetor 2017/

1 Nafta

Gazeta franceze, “Le Petit Parisien”, ka botuar, të martën e 17 shkurtit 1925, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me interesat që ngjallte asokohe nafta shqiptare tek amerikanët, britanikët dhe italianët.

Dukej se britanikët ishin më të avancuar pranë qeverisë shqiptare mbi këtë çështje. Por amerikanët nuk kanë hezituar të reagojnë, sigurisht për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike. Reagimi amerikan ka nxitur edhe qeverinë italiane.

Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

“Londër, 16 shkurt (Dep. Petit Paris.)

Njoftohet në Washington nëpërmjet Exchange Telegraph-it se qeveria e amerikane i ka dërguar qeverisë shqiptare një shkresë proteste kundër projektit të dhënies së monopolit të një konçesioni nafte,  nën kujdesin e Anglo Persian Oil Company, qeverisë britanike.

  1. Sinclair dhe Standard Oil Company pretendojnë se konçesioni në fjalë do t’i sigurojë Anglisë një monopol virtual në të gjitha fushat e naftës në Shqipëri. Shkresa amerikane bazohet në faktin se kur Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Shqipërinë, ata këmbëngulën mbi parimin e “konkurrencës së barabartë” dhe pohon se ky parim u siguron Z. Sinclair dhe Standard Oil Company të drejta të barabarta me ato të Anglo Persian Oil Compan.

Qeveria e Ahmet Zogut thuhet se i konfirmoi Anglo Persian Oil Company një konçesion të marrë nga ajo në 1921. Qeveria italiane ka protestuar në Tiranë duke kërkuar të drejtat prioritare në të njëjtën fushë dhe negociatat mbi këtë çështje janë angazhuar në Romë midis ambasadorit britanik dhe kabinetit.”

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Aurenc Bebja, Le Petit 1925, Lufat per Naften Shqiptare

PAZARI I VJETER I SHKODRES

December 9, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1 Pazari i Vjeter Shkoder

Deri kah viti 1968 vazhdonte me qendrue në kambë kjo pamje, derisa shkatrruesit janë kujtue per sheshimin e plotë të kësaj qendre tregtare të Shkodres së vjeter. U emnova mësues në vitin 1962, dhe me të vertetë si diten e parë që shkova, me aq knaqësi punova per 8 vjet me fëmijët Lagjes së Re, që ishin banorë të Pazarit të Vjeter brij Rozafës.

Kishte shumë pak nga ndertesat e vjetra, ku Bexhisteni vazhdonte me kenë e pranë tij edhe Shtëpia e lëkurave, ndertime të bukra dhe me histori të dokumentueme.

Ura e Pulave karrshi shkollës ishte pamja e perditshme që më çonte tek Posta e Pazarit, dhe krejt brij saj fillonte ngjitja e rrugës per në Kështjellen Rozafat, një mbrekulli…

Atëherë kam formue bindjen se në Shkoder asgja që asht prishë, djegë e shembë, nuk asht kenë rastësi… Po, gjithshka e paramendueme dhe e sajueme per me mërrijtë deri tek “Piramida e kufinit me Jugosllavi” që ishte “drrasa e parë e Urës së Bunës”… Turpi i një tradhtije të pashueme që në 1913, kur “daja Esad Pashë Toptani” e shiti Shkodren!

Ngjarjet shkatrruese të Shkodres ishin një vazhdimsi e urrejtjes së Turqisë, që nuk i ka mungue asnjëherë dhuna dhe gjakderdhja sllave, shoqnue me shpartallimin ekonomik dhe kulturor, tue i pre të gjitha rrugët e një qytetnimi Europjan Shkodres e Shqipnisë.

Fillimisht kur Mark Kakarriqi mendoi me kanalizue Bunen dhe me kthye Shkodren në port detar, tue e sigurue edhe nga rreziku i permbytjeve me anën e thellimit dhe të një ndertimi modern në bashkpunim me një firmë të njohun angleze, “ishin anadollakët e Pazarit të Vjeter, që nuk donin ndihmen e kryqalijve të Anglisë, me na u sjellë këndej..!”

Asht pikrisht koha kur Familja Parruca, shet ndertesen e Shtëpisë së Kulturës, dhe iku pergjithmonë nga Shkodra, tue “puthë prakun e Derës dhe, tue mallkue ata që kthejnë!”

Malazezët sulmojnë Shkodren, dhe e mbajnë të rrethueme derisa shpallet Pavarsia!

1913: At Gjergj Fishta ven Flamurin në Kompanjelin e Kishës së Fretenve, kur rinia shkodrane sheh me sytë e vet kandilat e ndezun dhe të lidhun nga Kompaneli i Kishës tek minarja e Xhamisë së Fushës së Çelës, dhe këndon pergjatë Shkodres “Hymnin e Flamurit” me muziken e Kurtit… Francezi nuk mund ta shohin dhe do “me e ulë me topa!”… Sufleri u tha: “Jo, nuk e duem me e ndigjue Hymnin e Fratit me Alfabetin e Manastirit “Porsi fleta e Ejllit Zotit…” se, ma i mirë asht per “shqiptarë” hymni me muzikë rrumune që këndohet edhe sot! “Të pakten sllavët nuk i zen me gojë!”

1920: Kur u mblodhen “intelektualët e Haxhi Qamilit” me caktue Kryeqytetin e Shqipnisë, dhe kur mendohej se “Shkodra asht ma e pershtatshme se të gjitha qytetet tjera, si e ka pasë shpjegue Luigj Gurakuqi, per interesat tona kombtare dhe Europjane” … “Jo, ne jemi per Tiranën e Toptanëve”… E madje, mbas 90 vjetëve i shembin edhe “Shtëpinë e Atdhetarit Luigj Gurakuqi”, se gaboi: “Ai në 1908 na hapi edhe Shkollen Normale në Elbasan..!!” E, mbas Tij edhe Ministri fashist Ernest Koliqi, na hapi nja 200 shkolla Shqipe nder trojet tona… Kur shoku Tito nuk i donte ato, madje edhe vrau pa ju tutë syni Mësuesit e Nderuem Ymer Berisha, Kol Margjini, Gjergj Martini e Kol Parubi, që ua mësonin fëmijve Shqiptarë nder ata shkolla Hymnin e Flamurit të Skenderbeut!

1944: Po, tregtarët e Shkodres ku ishin kur “shokët komunista” që ua dergonin paret me shegertat e vet, ua sollen në 1945 “vllezërit grekë’ me fjetë aty dhe me i vue flaken Pazarit, kur Shkodren e drejtonin terroristët Qamil Gavoçi me Arif Gjylin, Sheuqet Peçin dhe Mehmet Shehun e kompani, tue këndue sesi “ua bëjmë… nënën Gegëve…” ?!

Vidheshin dyqanet e Pazarit të Shkodres, rraheshin e ngordhnin në hu tregtarët e atyne dyqaneve, derisa dorzonin arin… Pushkatoheshin Profesorët e nxanësit e Gjimnazeve ku partizanët vidhnin “objektet e zbulueme nga At Gjeçovi, me ua dhurue tradhtari Enver Hoxha shokve Stalin dhe Tito…”, ideatorëve të pavdekshem të pushtimit Shqipnisë nga sllavokomunistët e Veriut dhe të Jugut, pa mendue fare: “Po sot, çka do ti dhurojmë?!”

I ranë mbas shpine Atdhetarit Prek Cali forcat e Mehmet Shehut e ato të Titos, u vranë

118 Burra t’ Atyne Maleve, ua treten nder prroje Trupat e Tyne, ua plaçkitën Kullat dhe bagtitë… “Se, ashtu urdhnoi shoku komandant nga Tirana…” E sot, vazhdon tragjedia!

1945: Bash atëherë, kur “çlirimtarët” sollën grekët dhe dogjën Pazarin e Shkodres, “ata heshtën”!… kur u pushkatue “Grupi Atdhetar i Deputetëve” në Tiranë, prap  heshtën… Kur u vrane “pa faj grupi i Bashkimit Shqiptar” në Shkoder, edhe atëherë “heshtën”…

Kur u dogj Kinema Rozafat, “tue vrritë kurvat: Plumbin ballit armiqëve!”, heshtën…

Kur u ba “Revolucioni Kulturor i 1967” në Shkoder, heshtën… Kur filluen fëmija me u thanë Nanave “nënë”… Heshtën… Ashtusi, kur në Vaun e Dejës u shemb Kisha ku u kunorzue Gjergj Kastrioti, dhe “me kongrese turpi” u perjashtue në 1972 Gegnishtja…

Prap heshtën! E prap, vazhdojnë me heshtë… edhe pse Skenderbeut i vehet perqe!

Ua kanë vue traktorat Kullave të Prek Calit… E Malësorët tanë po thonë se “Heshtin”!

Edhe pse Ata Kulla ndaluen “zgjanimin e Jugosllavisë së Re e t’vjeter” prap heshtin…

Edhe pse Ata Kulla e mbarë Një Shqipni, u shkatrrue nga sllavokomunistët e Titos dhe të tradhtarit gjinokastrit Enver Hoxha, trashigimtarët e tyne SOT, po duertrokasin per “Ballkanin Përendimor”… E Shqiptarët shka bajnë?! Ate e ka thanë At Gjergj Fishta me

“28 Nandor 1913” :   “Ah! T’ mjerët na, t’ mjerët! E sod, me ‘i pecë të kuqe

E me ‘i orrl duem qi Shqyptaria e mjera

T’dalë vedit n’ dritë, si vedit çilë n’ bubuqe

Nji drandofille e njomë, kur kthen pranvera…

Jo, jo, Shqyptarë! Por banje flamrin duqe

E zhytnje n’ Dri t’ mos t’ a zhvillojë kurr era.

Flamri Kombtar nuk ka shka ban nder né,

Po kjé se dashuni nuk kem’ p’ r Atdhé

E, drue dashtni p’r Atdhé nuk ka Shqyptari;

Me gjasë, s’ çan kryet Shqyptari per komb t’ vet,

As per njatë gjuhë t’ ambel qi i la i Pari,

As pse Shqypnia n’ vedi u ba sod shtet;

Pse e shoh se veç atje, ku xhixhillon ari

Pa frymë e tue dihatun vrap ai nget:

Si Krishtin shiti Juda Iskarjotë,

Drue Atdheu nder né po shitet p’r zallotë…” (“LIRIKA” fq. 20).

Melbourne, 9 Dhjetor 2017

Filed Under: Fejton Tagged With: Fritz radovani, Pazari i vjeter, shkoder

Shenjtëreshë për Dashuri – Nëna Tereze (1910-1997)

December 8, 2017 by dgreca

2017- Përvjetorët e Shenjtëreshës- Nëna Terezë: 20 vjetori i vdekjes, 1 vjetori i shenjtërimit; 38 vjetori i Çmimit Nobel për Paqe/

1 Don Lushi

Shkruan: Don Lush GJERGJI/

Vitin që po e lëmë pas, 2017, për ne, Kishën katolike dhe popullin Shqiptar kudo në botë, ka qenë i  shënuar dhe i bekuar, shumë i frytshëm dhe domethënës në shumë kuptime dhe drejtime, sidomos në përkujtimin e përvjetorëve të Shën Nënës Tereze:

1 nene Tereza

  • 38 – vjetori i Shpërblimit Nobel për Paqe, në Oslo (Norvegji), 10 dhjetor 1979;
  • 20 – vjetori i vdekjes së Shën Nënës Tereze,  në Kalkutë,  5 shtator 1997;
  • 1- vjetori i shenjtërimit të Nënës Tereze nga Papa Françesku, në Vatikan (Romë), 4 shtator 2016;
  • Shugurimi i Shenjtërores dhe Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë,  5 shtator 2017.

Këto ngjarje shënojnë historinë e Kishës Katolike në popullin Shqiptar, si dhe historinë tonë kombëtare, me domethënie dhe porosi të mëdha dhe shumë aktuale për ne, por edhe për mbarë njerëzimin.

Ta njohim, zbërthejmë, shqyrtojmë, përjetojmë Nënën tonë Tereze, tiparet e saja dalluese, porositë e saja karakteristike,  risitë që i ka dhuruar Zoti nëpërmjet saj, domethënien  për ne dhe prej brezat e ardhshëm, veçoritë që atë e kanë karakterizuar dhe dalluar,  sidomos në domethënien e  fesë dhe të dashurisë së krishterë.

Nënën Tereze Bojaxhiu e kam takuar shumë herë gjatë njohjes, shoqërimit dhe bashkëpunimit me të, në meridianët  të ndryshme të botës, që nga takimi im i parë personal në vjeshtë në Romë në vitit 1968. Unë atëherë isha student i vitit të dytë të filozofisë në Universitetin “Urabanian” në Romë. Atë e kam shoqëruar në pesë vizitat e saja në Kosovë: 1970, 1978, 1980, 1982 dhe 1986; isha me të gjatë Çmimit Nobel për Paqe (Oslo, 1979); në shumë vende të Evropës Lindore;  sidomos në Kalkutë dhe në rrethinë (1989)…

Çdo takim ishte si i pari dhe  i fundit, që më bënte përshtypje thjeshtësia, çiltëria, mirësia, bujaria, duresa, kujdesi dhe dashuria për të varfër ndër më të varfër, të gërbulur, ata që askush nuk i donte, sidomos malli për Atdhe, lidhja e ngushtë shpirtërore me Popullin dhe Kishën ndër Shqiptarë,  por edhe vuajtja me ne dhe për ne, por edhe  për njerëzit e mbarë botës.

Gjithnjë kam studiuar dhe hulumtuar për rrënjët, burimin, zanafillën e këtij përkushtime dhe dashurie kaq prekëse dhe tërheqëse për mbarë botën. Përfundimi im është ky: janë dy burime unike që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë gjithë botës: tradita dhe përvoja familjare, kombëtare shqiptare, që mbështetet në këto parime të shenjta dhe domethënëse: “Bukë, krip dhe zemër”, dhe: “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”, si dhe përvoja dhe jeta dashurisë së krishterë në familje dhe në bashkësi famullitare, porosia e Jezusit që identifikohet me çdo njeri: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e  bëtë për mua” (Mt 25, 40). Ajo ishte Dashuria në veprim, siç e kam definuar unë. Me 17 libra kushtuar Nënës Tereze, të përkthyera në shumë gjuhë botërore, jam munduar t’i dokumentoj dhe argumentoj këto dy burime të pashterrshme për Nënën Tereze: Zotin – Dashuri dhe vëllaun apo motrën Njeri.

  1. Disa risi në jetën dhe veprën e Nënës Tereze: feja, shpresa dhe dashuria

Ndër risitë më të rëndësishme që kam hetuar unë janë këto: feja – që për Nënën Tereze ishte kërkim i Zotit në Njeriun dhe i Njeriut në Zotin në çdo fazë të jetës së saj. E kishte kërkuar Zotin dhe thirrjen, planin e tij prej moshës 12 deri 18 vjeçare, kur kishte vendosur plotësisht t’i kushtohet atij: “Dua të bëhem motër misionare për t’i ndihmuar të varfrit e botës” (Letnicë, 14 gusht 1928). Gjatë 18 viteve si “Motër e Loretos”  dhe së fundi prej vitit 1950 e deri te kalimi në amshim. Ajo kurrë nuk e ka ndarë Zotin prej Njeriut dhe Njeriun prej Zotit.

Shpresa – veprim gjithnjë dhe kudo me dashuri dhe për dashuri, me parimin: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”. 

Dashuria – flijim dhe dhurim pa kursim për t’u bërë dhe mbetur Nëna e Dashurisë.

  1. Nëna universale – universalizmi i jetës dhe dashurisë

Misioni i Nënës Tereze është Dashuria, vendveprimi është bota, mbarë njerëzimi, metodologjia është dëshmia e krishterë, qëllimi është lehtësimi dhe pakësimi i vuajtjeve, mënyra është pjesëmarrja e plotë dhe e lirë në jetën e tyre, të privilegjuar janë të braktisurit dhe të dëbuarit e botës.

Risia e dytë e Nënës Tereze ishte UNIVERSALIZMI në çdo kuptim dhe drejtim kohor dhe hapësinor në dy parime themelore: Për Zotin – Dashuri dhe Njeriun – vëlla apo motër, pra, i jetës dhe dashurisë. Askush në historinë e njerëzimit, as në atë të krishterimit, nuk kishte nisur në vepër të tillë pa kurrfarë përjashtimi kombëtar, fetar, gjinor, kastor, shoqëror, dhe vetëm ajo kishte arritur që t’i bashkonte të gjithë, hinduistët, budistët, myslimanët, të krishterët, ateistët, gnostikët, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë. Ajo nuk kishte për qëllim kthimin e të tjerëve në fenë e krishterë, në Kishën Katolike, por “që të jetë në mesin e tyre rrezja e Pranisë dhe e Dashurisë së Zotit, që t’ ua dhurojnë të gjithëve Zotin – Dashuri – Atë”.

Qëllimi i saj, pra, ishte diçka tjetër, dashuria dhe prania e Zotit në botën e sotme, sidomos ndër të varfrit më të varfër, të braktisur, të gërbulur, njerëz të përbuzur dhe të përjashtuar nga jeta e rëndomtë, për t’ua dëshmuar të gjithëve se çdo njeri është së pari Njeri, i afërmi ynë, vëlla apo motër, deri te ajo që në çdo Njeri ta shohim, njohim, duam dhe shërbejmë vetë Jezusi, dhe këtë me shembullin e jetës dhe dëshminë e përditshme.

Ja çka thotë Nëna Tereze për motrat që i ka themeluar ajo me emërtim “MISIONARET E DASHURISË”: ”Misionarja e Dashurisë duhet dhuruar, por mbi të gjitha duhet ta dhurojë vetveten… Për t’iu dhuruar të varfërve dashuri, ne duhet të jemi të afta ta duam njëra-tjetrën në bashkësinë tonë rregulltare, t’i dhurohemi tërësisht Zotit nëpërmjet të afërmit, nevojtarit… Ne jemi motra rregulltare dhe thirrja jonë nuk është puna me të gërbulur, apo me njerëz në buzë të vdekjes: Thirrja jonë është të jemi tërësisht të Jezusit. Pasi jam e Jezusit, puna ime është mjet për ta treguar dashurinë ndaj Tij. Prandaj puna është mjet e jo qëllim jete”.

  1. Vuajtja – bekim e jo mallkim

Risia e tretë e Nënës Tereze është kjo: vuajtja, pësimi, mjerimi, varfëria, gërbula, Sida, si dhe çdo pësim tjetër, nuk është mallkim, dënim i Zotit, por hir, mundësi për ta treguar dashurinë ndaj Jezusit që vuan në njerëz të tillë. Ajo e shihte, e njihte, e shërbente  dhe e dashuronte Jezu Krishtin në ata që nuk kishin më as pamje njerëzore.

Ajo thoshte kështu:”Të varfrit na japin ne shumë më tepër, na dhurojnë mundësinë që konkretisht ta duam dhe ta shërbejmë Jezusin i cili pëson në ta. Ata na japin falënderimin… Paqja do të vijë në botë nëpërmjet të varfërve. Të varfrit janë të detyruar të jenë të tillë, ndërsa ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezu Krishtit dhe për t’i kuptuar deri në fund ata që nuk kanë asgjë duke jetuar si ata dhe me ata… Ne varemi tërësisht prej Provanisë hyjnore… Ja ana më e bukur e rregullit tonë… Jepni duart tuaja për shërbim të varfërve, zemrën tuaj për t’i dashur të varfrit. Dashuria e vërtetë është gjithmonë flijim dhe dhurim”.

  1. Dhurim falas dhe në tërësi

Risia e katërtë e Nënës Tereze është dhurimi falas dhe në tërësi, me dashuri dhe për dashuri, me hare dhe falënderim. Ajo shpeshherë thoshte kështu: “Nëse nuk mund të bësh asgjë për të tjerët, atëherë së paku buzëqeshu, sepse kjo nuk të kushton asgjë, por jep shumë. Gëzimi duhet të jetë një ndër thesaret e jetës sonë… Kështu më thoshte Nëna Loke: ”Gonxhe Gjyli, bija ime, ose bëre këtë punë me zemër, ose mos e bën aspak!”.

Dhe vazhdon kështu: ”Unë ju kam thënë motrave përgjegjëse për bashkësitë tona: Bota është plot mjerime, vuajtje, pikëllime. Ne duhet të dalim në botë për ta pakësuar vuajtjen, për të qenë rrezja e Dashurisë së Zotit. Ata që vuajnë duhet të gjejnë në ne Ungjillin ngushëllues… Çdoherë kur e takoni Jezu Krishtin në të varfër, buzëqeshini. Nëse nuk doni t’i buzëqesheni Jezusit në të varfër, më mirë mos dilni fare ose kthehuni së shpejti në kuvend…”.Ja, prapë mrekullia e dashurisë dhe e shenjtërisë: Më e varfra e botës, Nëna Tereze, më së shumti i ka ndihmuar të varfrit e botës, jo vetëm në anën materiale, por edhe më tepër në atë shpirtërore dhe morale, sepse është dhuruar falas dhe tërësisht, me gëzim dhe me dashuri të plotë Zotit  nëpërmes njeriut.

  1. Kontemplative aktive në botë

Veçoria e pestë e Misionareve të Dashurisë është kjo: kontemplative aktive në botë. Kjo do të thotë të jenë tërësisht të kushtuara Zotit në lutje, meditim, adhurim, pendesë, dhe si pasojë e kësaj jete shpirtërore, të jenë edhe aktive në botë me dashuri vepruese. Pse dhe si? “Të gjitha për Jezusin, në Jezusin dhe me Jezusin”.Urata, meditimi, adhurimi, mesha, kungimi, me një fjalë e tërë jeta shpirtërore ka për qëllim që motrat të aftësohen për dashuri, për dëshmi, për veprim, për ta njohur, ndihmuar, dashur dhe shërbyer Jezusin në njerëz që vuajnë.Kontemplative aktive domethënë ta kërkojmë, gjejmë, shërbejmë Zotin jo vetëm në çaste të kushtuara atij, në jetën tonë shpirtërore, por gjithkund dhe gjithnjë pikërisht me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë.

Nëna Tereze thoshte: ”Nëse e njohim, duam, adhurojmë, ushqehemi me Jezu Krishtin vetëm në meshë, në Kungim, është tepër pak. Ne lutemi, meditojmë, adhurojmë, marrim pjesë në meshë, e marrim Jezusin në Kungim në zemër për ta vazhduar këtë kërkim dhe shoqërim me të në përditëshmëri. Nëse e gjejmë dhe shërbejmë Jezusin në të varfrit tanë, atëherë jemi kontemplative në mesin e botës”.

Për këtë Nëna jonë Tereze ishte dhe gjatë do të mbesë Ungjilli i gjallë, risia ungjillore, Misionarja e Dashurisë, Nëna e botës së mjerimit, tash Shenjtëresha  Jetës dhe Dashurisë.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: (1910-1997), don Lush Gjergji, Nena Tereze, Shenjtëreshë për Dashuri –

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT