• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2018

GJERGJ KASTRIOTI DHE ALEATET

January 19, 2018 by dgreca

2 ok AzetaGJERGJ KASTRIOTI, LIDHJET ME MBRETERINE E NAPOLIT, PAPATIN DHE REPUBLIKEN E VENECJAS NE SHEKULLIN E XV/1 ok Azeta

 NGA DR. AZETA ZHABJAKU KOLA/3 azeta okNe shekullin a 15te, hapesira Shqiptare – territori ku jetonin shqiptaret etnike  shtrihej nga gjiri i Kotorrit ne veri deri tek gjiri i Patras (Greqi) ne jug. Ky territor ndahej ne zona influence. Princat shqiptare qe zoteronin pjesen me te madhe te ketij territori ku secili kishte zoterimin e vet personal, ishin ne konflikte me njeri-tjetrin. Republika e Venecias zoteronte qytetet bregdetare, Durresin, Lezhen, Shkodren, Drishtin, Tivarin, Ulqinin dhe Kotorrin, ndersa Osmanet kishin okupuar juglindjen e hapesires shqiptare qe ne fund te shekullit te 14te. Me kthimin e Gjergj Kastriotit ne tokat aterore ne 1443, ai i mblodhi udheheqesit shqiptare ne Kuvendin e Lezhes me 3 Mars 1444, me qellim qe te arrinte unitet mes tyre dhe te krijonte nje lidhje ushtarake – Lidhjen e Lezhes – ne menyre qe te perballonte vershimin e ushtrive Osmane qe synonin te arrinin ne Adriatik.

Skenderbeu ishte nder te paret shqiptare qe mendoi seriozisht per krijimin e shtetit te pare shqiptar qe doli nga Lidhja e Lezhes. Beslidhja e Lezhes krijoi nje trup organizativ i cili u kombinua me aparatin ekonomik, administrative dhe luftarak te familjes Kastrioti me ne krye Gjergj Kastriotin. Ky trup organizativ zhvilloi karakteristikat e nje qeverie qendrore, autoriteti i te ciles u zgjerua per te perfshire ne te aparatin ekonomik te anetareve te tjere te Lidhjes se Lezhës. Ne kete menyre, hapesira shqiptare, shuma e territoreve te familjeve fisnike shqiptare ishte nen nje trup shteteror administrativ qe mund te krahasohet me nje mbreteri feudale. Organet drejtuese te shtetit shqiptar te dala nga kjo lidhje ishin Udheheqesi i Shtetit, Asambleja e Fisnikeve, Keshilli i Lartë, dhe Keshilli i Luftes. Keto organizma kishin si detyre te shqyrtonin situatat dhe merrnin vendime ne kohe paqeje dhe lufte. Beslidhja krijoi edhe nje ushtri me Skenderbeun si komandant, si edhe nje milici me forca vullnetare te afte te perdornin armet dhe te rekrutoheshin ne rast nevoje. Per te financuar ushtrine, Lidhja krijoi nje fond te perbashket, ne te cilin te gjithe pjesetaret e Lidhjes ishin te detyruar te kontribonin ne baze te nje kuote te caktuar.  Parate mblidheshin nga te ardhurat e kripës, nga taksat, si dhe nga tregetia e grurit dhe e metaleve.

Sulltani Mehmeti II erdhi ne fuqi ne 1451 dhe me kurorezimin e tij filloi vala e dyte e pushtimeve Otomane ne Ballkanin Perendimor, perfshi edhe tokat shqiptare, vecanerisht qytetet e Beratit dhe Krujes me keshtjellat e tyre te cilat u sulmuan perseri ne 1450 nga forcat Turke. Nderkohe qe tokat shqiptare ishin nen sulmet e ushtrive Otomane, Mbreti Alfons V i Napolit ishte i ndergjegjshem se mbreteria e tij ishte e rrezikuar nga kjo ofensive Turke kaq afer territorit te tij ne Jug te Italise. Mbreti Alfons i vleresonte  shqiptaret si nje faktor te domosdoshem dhe me rendesi qendrore ne luften kunder agresoreve Turq per t’i luftuar dhe nxjerre ata jashte nga tokat e Ballkanit. Ne keto vite, Alfonsi V dergoi rreth 200 ushtare kembesore ne ndihme te Gjergj Kastriotit. Gjithashtu, Mbreti i Napolit i shkruajti Papes ne Rome me 25 Mars 1451dhe i rekomandoi atij ambasadoret e “te perndriturit” Skenderbej, Peshkopin e Krujes, Ate Stefanin si dhe Nikolle de Bercuci prej urdherit te Shejt Dominikut. Ne 26 Mars dhe me 7 Qershor 1451, Skenderbeu, Gjergj Arianiti, Muzak Topia dhe Gjon Muzaka, midis te tjereve nenshkruan nje marreveshje bashkepunimi me Mbretin e Napolit Alfonsin V, ne te cilen ky i fundit i ofroi ndihme forcave shqiptare per clirimin e tokave jugperendimore te territorit shqiptar qe ndodheshin nen okupimin Otoman. Ne baze te kesaj marreveshje, territoret qe do te cliroheshin me ndihmen e Alfonsit V do te njihnin ate si zot. Plani ishte qe qyteti i Beratit te clirohej i pari dhe per te arritur kete plan dhe per te lehtesuar zbarkimin e forcave te Mbretit Napoletan ne tokat shqiptare ne Durres, Skenderbeu rindertoi keshtjellen qe gjendej ne pjesen jugore te ketij qyteti si dhe ndertoi nje keshtjele te re ne vendin e njohur me emrin Kepi i Rodonit.

Ne 29 Maj 1453, trupat Otomane pushtuan Konstaninopojen, kryeqytetin e Perandorise Bizantine per shekuj me rradhe. Kjo ngjarje shkaktoi traume dhe frike ne te gjithe Europen e Krishtere. Nje vit me pas, ne 1454, forcat Osmane pushtuan Novobrden ne Kosove, e cila ishte qender e prodhimit te argjendit dhe arit. Popullsia e kesaj qendre shqiptare u shperngul edhe pas premtimeve te Sulltan Mehmetit II se populli i krahines nuk do te ndeshkohej. Ne veren e vitit 1455, 12 mije luftetare shqiptare dhe nje kontingjent ushtaresh i mbretit Alfons te Napolit sulmuan qytetin e Beratit per ta marre nga dora e Turqve pas pese vjet pushtimi. Artileria Aragonese e mbretit Napolitan goditi me ngulm muret e keshtjelles se Beratit dhe u duk sikur beteja do te fitohej, por Sultan Mehmeti II dergoi nje ushtri prej 20 mije ushtaresh te cilet shkaterruan dhe vrane 5 mije ushtare shqiptare te udhehequr nga Muzak Topia dhe 5 mije ushtare Napolitane te mbretit Alfons V. Turqit e mbajten Beratin dhe nuk e leshuan me pas kesaj beteje. Ne 1456, pas humbjes se Beratit, dhe i deshperuar nga dezertimi i komandanteve te tij, Moisi Golemi dhe Hamza Kastrioti, Skenderbeu i kerkoi ndihme Dukës se Milanos Francesco Sforza, por edhe pse ai ishte simpatizant i luftes se shqiptareve, Sforza ofroi vetem ndihme morale.

Pas vdekjes se Mbretit Alfons V te Napolit, ne 1460 dhe 1461, Skenderbeu i ofroi ndihmen e tij djalit te Alfonsit, Ferdinand Mbret i Napolit gjate dy ekspeditave ne Bari dhe Barletta. Ferdinandi luftonte kunder kudershtareve te tij politike ne Jug te Italise si dhe kunder Princit Frances, René i Anjou i cili kerkonte te merrte mbreterine e Napolit per vehte. Kur Princi i Tarantos, Giovan Antonio de Orsini komunikoi me Skenderbeun nepermjet nje letre ne te cilen synonte ta dekurajonte mbeshtetjen e Skenderbeut per Ferdinandin e Napolit, Skenderbeu iu pergjigj:

Kruje, 31 Tetor, 1460 … Te nderuar Princa dhe zoter! …Ju pergjigjemi

se nese ju mendoni se ne jemi besnike, ashtu si thoni, dhe nese mendoni

se ne jemi te mencur dhe te kujdesshem, ju nuk duhet te çuditeni per kete,

sepse ju duhet te kujtoni se keshilla, ndihma, favori dhe puna hyjnore e ketij mbreti engjellor ishin ato qe me mbrojten mua dhe vasalet e mij nga shtypja

ne duart e pameshirshme te Turqve, armiqte tane dhe armiqte e fese Katolike.

Dhe nese une do te isha eliminuar, me siguri Italia do ta kishte ndjere, po ashtu edhe mbreteria qe ju thoni eshte e juaja, mund te ishte bere e tyre … Gjergj Kastrioti, Skenderbeu.

 

Cila ishte gjendja e Kishes Katolike ne kete kohe? Keshilli i Firenzes i mbledhur ne 5 Korrik 1439 synonte ti jepte fund percarjes 400 vjecare midis Kishes Katolike dhe asaj Ortodokse dhe te vinte Kishen Ortodokse nen autoritetin e Romes. Papa me origjine Venecjane, Eugenio IV e rivendosi autoritetin e Kishes Katolike dhe Papes se Romes, por Kryqezata e vitit 1443 nuk arriti te ndaloje vrullin e ushtrive Otomane qe sulmuan dhe moren Konstantinopojen ne 1453. Ne 1457, Kuria e Romes ndiqte me ankth zhvillimet e fundit ne territoret Shqiptare, sepse lidhjet midis Kishes Katolike te Shqiperise dhe Kishes se Romes kishin qene historikisht gjithmone te forta.

Oliver Jens Schmitt, nje historian zviceran dhe autor i librit Das Venezianische Albanien, 1392-1479 (Arberia Venedike, 2001) e trajton luften 25 vjecare te shqiptareve si nje rast hakmarrje personale te Skenderbeut, te cilit Turqit i vrane te jatin, Gjon Kastriotin, lord i principates se Krujes. Si pasoje Schmitt argumenton se Skenderbeu e organizoi kete lufte per te marre hakun e te jatit. Ky interpretim eshte miop dhe si rrjedhoje i pasakte. Eshte nje e vertete historike e pamohueshme se kryengritja 25 vjçare e shqiptareve me ne krye Skenderbeun ishte sfida me e madhe e shekullit te 15-te qe ju be avancimit te trupave Otomane ne Ballkan. Skenderbeu zgjodhi te lidhej me perendimin dhe Kishen Katolike si asnje princ tjeter ortodoks dhe kjo i beri shqiptaret kundershtaret me te vendosur te Turqve ne Ballkan. Kjo kthese ofron një shpjegim më të besueshëm se teoria e Schmitt për kryengritjen e Skënderbeut, si dhe mbështetjen që ata morën nga Roma, Venecia, Napoli dhe fuqi të tjera Evropiane per dekada me rradhe.

Nga viti 1450 e me vone, Kisha Katolike dhe Papa i Romes, veçanerisht Papa Calixtus III dhe Pius II u bene mbeshtetesit kryesore te kryengritjeve ne Shqiperine e mesme dhe te veriut. Ne nje leter drejtuar Skenderbeut me 9 Qershor 1457, Papa Calistus III i drejtohet prijesit Shqiptar  me fjalet “i dashur djale.” Papa e inkurajon Skenderbeun per te vazhduar luften e tij se bashku me luftetaret shqiptare ne emer to katolicizmit. Ai i dergoi nje anije te forte e te armatosur mire Skenderbeut duke i premtuar se do te dergonte te tjera se shpejti. Me 2 Shtator 1457, Skenderbeu dhe ushtria e tij korren nje fitore te rendesishme ne Fushen e Ujebardhes (beteja e Albulenes) ne te cilen ushtria shqiptare e cila kishte vetem 8 deri ne 10 mije luftetare, shkaterroi ushtrine Turke me gati 10 here me teper ushtare duke marre 30 mije te burgosur lufte. Kjo fitore pati jehone te madhe ne Evropen Perendimore. Hamza Kastrioti, nipi renegat i Skenderbeut qe udhehiqte ushtrine Osmane u kap rob dhe u burgos. Ne 11 Shtator 1457, Papa Kalistus III ju drejtua serish Skenderbeut ne nje leter ne te cilen ai e pergezoi dhe vleresoi qendresen e tij ndaj Turqve duke e quajtur Skenderbeun “ushtar dhe atlet i Krishtit” (Athleta Christi). Papa i ofroi fonde financiare nga parate e mbledhura per kryqezaten e re dhe dergoi perfaqesuesin e tij, Gjon Navarre, ti mblidhte ato ne Dalmaci dhe tia dergonte keto fonde Skenderbeut. Po ne 1457, Cardinal Piccolomini njohu meriten e  Papes ne ndihmen qe ai i dha Skenderbeut ne nje leter qe i shkruajti zotit Martin Meyer ne te cilen thuhet:

në të vërtetë, as atleti i Krishtit dhe mbrojtësi i palodhur i besimit                tonë, Skënderbeu – ndoshta keni dëgjuar për famën e tij, sepse thonë                se ai ka vrarë ose ka marrë të burgosur mbi tridhjetë mijë turq – nuk                do të kishte bërë gjithë atë kërdi në Turq, nëse ai nuk do të ndihmohej                nga paratë e Calistus. Nje vit me vone, ne 1458, Papa Kalistus III i dergoi Skenderbeut rreth 5 mije fiorina me  anene e perfaqesuesit te tij.                Po ate vit, Papa Kalistus III vdiq duke lene rreth 15 mije dukate per tu perdorur ne luften kunder Turqve dhe u zevendesua nga Papa i Ri, Pius II i njohur edhe me emrin Eneas Silvio Piccolomini. Pius II mblodhi Keshillin e Mantoves ne 1459 ne te cilin u diskutua per organizimin e nje fushate te re kunder Turqve (de far impressa contra Turchi) me nje numer te konsiderueshem te princave Europiane qe moren pjese ne kete kongres internacional. Vendet Katolike Europjane te kohes rreshtuan forcat dhe burimet e tyre financiare per fillimin e nje lufte te perbashket kunder pushtuesve Mysliman. Ne letren e tij drejtuar personaliteteve Europiane, Pius II permendi territoret shqiptare dhe vete shqiptaret si nje force e mundshme qe do ti shtohej koalicionit Evropian. Ne planin e tij, nga 40 mije trupa qe formonin ushtrine e koalicionit Evropian, 20 mije do te mblidheshin nga forcat e Skenderbeut, dhe gjysma tjeter nga shtetet e tjera te Evropes. Papa dhe Duka nga Burgundy do ti mblidhnin keto forca ne Ragusa qe te bashkohesin me trupat e Skenderbeut. “Kush mund te dyshoje,” tha Papa Piu II ne konferencen e Mantoves, “se Osmanët nuk do te munden prej ketyre trupave? Ata do te perballen nga Gjergj Kastrioti dhe nga grushti i forte i ushtareve shqiptare …” Rendesia e madhe qe Kisha Katolike i jepte qendreses shqiptare me ne krye Skenderbeun eshte e qarte nga keto dokumente te kohes te cilat kane ardhur deri ne ditet tona si deshmi historike te patjetersueshme.               Republika e Venecias administrohej nga Senati i perbere prej fisnikeve te familjeve me te vjetra e te pasura Veneciane. Ajo ishte shume pragmatike ne menyren se si i drejtonte punet e saj ne shekullin e 15te, ashtu si gjate gjithe historise se saj nje mije vjecare. Venecia ishte nje republike detare, dmth. e nxirrte jetesen e saj nga tregetia dhe te ardhurat e mallrave qe i siguronte nga tokat e saj te Perandorise se Detit (Stato da Mar) neper Adriatik, Jon, Egje, Detin e Zi etj. Republika e Perndritur (Serenissima Republica di Venezia)  ishte e vendosur te ruante privilegjet e saj tregetare dhe rruget e hapura detare ne cdo rast dhe me cdo kusht. Ne vitet 1447-1448 Venecia hyri ne lufte me Dukagjinet dhe Skenderbeun i cili ishte aleat i familjes se Dukagjineve per te marre Danjen qe mbahej nga Venecja, e cila i duhej kesaj te fundit si nje arterie ujore qe e lidhte me detin Adriatik. Pasi Skenderbeu refuzoi 1000 dukate te ofruara nga Senati Venecian per te hequr dore nga Danja, ne 23 Korrik, 1448, Skenderbeu fitoi betejen ne dyert e Shkodres kunder ushtrise Veneciane prej te ciles zuri rob rreth 1000 ushtare mercenare te Venecias pasi kishte vrare rreth 2500 te tjere. Senati Venecian u perpoq te eliminonte Skenderbeun si kundershtar i hapur i interesave te Republikes se Perndritur ne kete kohe. Ne te njejten kohe, Andrea Venier, Proveditor i Shkodres hyri ne besedime me Osmanet per te bindur ata qe te hynin ne konflikt me Skenderbeun. Po ashtu, Venecianet  u perpoqen qe te bindnin Dukagjinet per te prishur aleancen me Skenderbeun, por te gjitha keto perpjekje deshtuan. Ne marreveshjen e paqes mes Skenderbeut, George Arianitit (pefaqesues i fisnikeve te tjere shqiptare) dhe Andrea Venierit si perfaqesues i pales Veneciane ne Tetor te 1448 ne Lezhe, Republika e Venecias mbajti Danjen por u detyrua ti paguante Skenderbeut nje pension vjetor prej 1400 dukatesh si dhe e perjashtonte nga taxat per 200 ngarkesa me kripe nga Durresi. Skenderbeut ju njoh edhe e drejta te strehohej ne Venecia ne rast se rrezikohej nga Turqit. Familja e princerve Arianiti te cilet ishin aleate te Skenderbeut po ashtu perfitoi privilegje tregetare nga republika e Venecias ne kete marreveshje.               Republika e Venecias e cila ne menyre aktive luftonte per te mbrojtur interesat e saj ekonomike kishte firmosur  marreveshje paqeje me Sulltanet Osmane ne 1419, 1430, 1446 dhe 1454. Me vendim te Senatit Venecian te 31 Dhjetorit 1454, administratori Venecian i Shkodres si dhe te gjithe rektoret Venecian ne tokat shqiptare kishin marre udhezime qe te qendronin neutral ne te gjithe konfliktet midis Skënderbeut dhe turqve, ne menyre qe paqja qe Venecia kishte lidhur me Sulltanin te ruhej me cdo kusht. Te mos harrojme se renia e Konstantinopojes nje vit me pare ne 1453 e kishte trembur e tronditur Senatin Venecian se tepermi. Per kete arsye, Republika e perndritur e Venecias pranoi ti paguaje nje shume vjetore Sulltanit ne menyre qe te ruante privilegjet e saj tregetare dhe perfitimet financiare qe dilnin prej saj ne Mesdheun lindor. Venecia e theu marreveshjen e paqes se 1454 me Osmanet ne 28 korrik te vitit 1463, kur e kuptoi se lufta me ta ishte e pashmangshme. Konflikti e pare midis Vencias dhe Osmaneve zgjati per 16 vjet dhe perfundoi ne 1479 kur te dy palet nenshkruan marreveshjen e paqes me te cilen Shkodra, qendra e Arberise Venedike iu dha Turqve fitues te konfliktit.               Si perfundim, gjate shekullit te 15te, hapesira shqiptare u pershkua nga konflikte te shumta ne te cilat Skenderbeu ishte figura kryesore qe dominoi kete shekull si drejtues i kryengritjeve me karakter clirimtar kunder pushtuesve Osmane. Skenderbeu luftoi edhe kunder Republikes se Venecias e cila nderhyri ne te drejtat e fisnikeve shqiptare ne territoret shqiptare per interesat e veta ekonomike. Kisha Katolike ne Rome dhe Mbreteria e Napolit e mbeshteten luften e shqiptareve me Skenderbeun ne krye. Ata  vleresuan sakrificat dhe trimerine e tij si dhe aftesine e tij si strateg i talentuar ushtarak i cili mundi te perdore nje numer te vogel ushtaresh besnike kunder nje ushtrie te panumert dhe te armatosur mire, sic ishte ushtria Otomane. Skenderbeu u quajt “Atlet i Krishtit” dhe drejtimi i tij nga Evropa Perendimore i perjetesoi shqiptaret si kundershtuesit me kokeforte te pushtimit Osman ne Balkan dhe mbeshtetes te fese Katolike ne Ballkan. Ne kete pervjetor te Skenderbeut, Shqiperia dhe Kosova gjenden ne udhekryq si asnjehere tjeter ne historine e tyre dhe kerkojne nje drejtim ideologjik, shpirteror e kulturor. Shembulli i Skenderbeut ne shekullin e 15te dhe kthimi i tij nga perendimi jane modeli me i mire te cilin pushtetaret shqiptare ne Shqiperi, Kosove e Maqedoni duhet te ndjekin me ngulm e pa vonese, nese duam qe kombi dhe etnia shqiptare te mbijetoje ne shekujt e ardhshem.                                                                                            New York, 17 Janar, 2018Pergatitur nga Azeta Kola Ph.D.Visiting Scholar at the Center for European and Mediterranean Studies New York UniversityAssistant Professor of History, NYU Liberal Studies

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Azeta Zhabjaku Kola, Gjergj Kastrioti, Mbreteria e Napolit, Papati, Venecja

Bob Dole nderohet me Medaljen e Artë të Kongresit

January 18, 2018 by dgreca

Bob Dole, nderohet si shembull i vlerave më të mira amerikane/

Zeri i Amerikes- Një prej drejtuesve më të njohur të Kongresit amerikan, ish Senatori Bob Dole, u nderua dje me Medaljen e Artë të Kongresit “për shërbimin ndaj vendit”, në një ceremoni ku republikanët dhe demokratët, i lanë mënjanë përplasjet e forta partiake, për të nderuar një prej ligjvenësve më të shquar, që për dekadat që shërbeu në Kongres u njoh si politikan që luftonte për arritjen e konsensusit. Ceremoninë e ndoqi kolegia Keida Kostreci.

President Donald Trump speaks during a Congressional Gold Medal ceremony honoring former Senator Bob Dole on Capitol Hill, Wednesday, Jan. 17, 2018, in Washington. (AP Photo/Evan Vucci)
President Donald Trump speaks during a Congressional Gold Medal ceremony honoring former Senator Bob Dole on Capitol Hill, Wednesday, Jan. 17, 2018, in Washington. (AP Photo/Evan Vucci)

Si rrallë ndonjëherë kohët e fundit këtu në Shtetet e Bashkuara, republikanët dhe demokratët, ishin jo vetëm të pranishëm në një ceremoni, por të bashkuar në një zë për të nderuar një nga figurat më me peshë të politikës amerikane moderne. Ish-Senatori Bob Dole u nderua me Medaljen e Artë të Kongresit në një ceremoni ku theksi u vu tek shërbimi, heroizimi dhe udhëheqja e ish-senatorit Bob Dole.

Presidenti Donald Trump e quajti ish-senatorin nga Kansasi, një amerikan të madh që erdhi nga një qytet i vogël dhe u bë ushtar, kongresmen dhe një udhëheqës i admiruar nga të gjithë.

“Kjo është trashëgimia që i lë vendit tonë madhështor dhe do të ekzistojë për një kohë të gjatë pasi të mos jemi më këtu. Je një mik, një patriot, një hero, një udhëheqës dhe sot nderohesh me Medaljen e Artë të Kongresit. Është një nder që jam këtu me ty Bob, faleminderit për shërbimin tënd.”

Zoti Dole ishte një përkrahës i hershëm i Presidentit Trump dhe i vetmi ish-kandidat presidencial republikan që e mbështeti atë.

Medalja iu dha ish-senatorit për shërbimin ndaj vendit si “ushtar, ligjvënës dhe burrë shteti” dhe iu dorëzua nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

“Bob Dole ka luftuar gjithmonë për ata që kanë luftuar për ne. Ai është mishërimi i njeriut të ndershëm. Është ky lloj heroi amerikan, mbrojtës vetëmohues, i palëkundur i atyre që nuk mbrojnë dot veten, që nuk marrin gjithmonë atë vlerësim që meritojnë”.

“Senator Dole, falë jush Amerika është shumë më mirë. Në emër të Kongresit dhe gjithë amerikanëve ju faleminderit dhe zoti ju bekoftë”, tha ai.

Vetë zoti Dole falenderoi të pranishmit dhe me humorin që e karakterizon dhe që u vu në pah nga të pranishmit, bëri shaka.

“Dua të falenderoj të gjithë folësit që thanë aq fjalë të mira. Ndoshta nuk janë të vërteta por ishin të mirë me mua”, tha ai.

I respektuar nga të dyja palët e politikës

Pat Roberts, senator republikan nga Kansasi, përmendi përçarjen në politikën amerikane dhe tha se disa mund të thonë që nuk ka asnjë temë për të cilën të biem të gjithë dakord. Mesa duket vlerësimi për zotit Dole, nuk ishte një prej tyre. Për të dhënë medaljen, duhet mbështetja e 2 të tretave të anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe 67 senatorëve.

“Në më pak se dy ditë, kisha siguruar votat e të 100 senatorëve. Nuk kisha nevojë të shkoja t’u kërkoja firmat, ata erdhën tek unë dhe më pyetën nëse mund të nënshkruaja. Duhet të jesh një person shumë i veçantë që ne të 100 të jemi kaq entuziastë dhe mirënjohës, që të bashkoheshim për këtë kauzë bipartizane për këtë vlerësim të veçantë”, tha ai.

Patrick Leahy, Senator demokrat nga Vermonti dhe mik i Senatorit Dole, vlerësoi aftësitë e tij, si udhëheqës bindës, i besueshëm dhe që gjithmonë e mbante fjalën.

“Ai u bë shembull i vendosjes së interesave të vendit, para atyre të partisë”, tha ai.

“Senatori Dole, ka thënë: ‘sfida jonë nuk është që të vëmë në diskutim idealet e Amerikës, ose t’i zëvendësojmë ato, por të arrijmë të jemi në lartësinë e tyre. Le t’i kushtojmë vëmendje këtyre fjalëve kuptimplota. Senatori Bob Dole, për një jetë të tërë që ju keni kaluar duke mbrojtur, çuar përpara dhe mishëruar idealet tona më të çmuara amerikane, ju falenderojmë”, tha kryetarja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Ushtar, ligjvënës dhe burrë shteti

Ish- Senatori Dole, është një legjendë e politikës dhe ndërgjegjes amerikane. Si ushtar në Luftën e Dytë Botërore, ai u plagos rëndë në Itali në vitin 1945 dhe asnjëherë nuk rifitoi komandën e dorës së djathtë.

Që atëherë, ai gjithmonë mbante një laps në atë dorë, në mënyrë që askush që e takonte të mos përpiqej t’ia shtrëngonte atë.

Ai filloi karrierën 35 vjeçare në politikë në moshën 27 vjeçare në Dhomën e Përfaqësuesve dhe më pas në Senat, ku i bë kreu i republikanëve, një post që e mbajti për afro 11 vjet nga 1985 – 1996.

Ai ishte kandidat republikan për president në vitin 1996 por humbi garën para Bill Clintonit, i cili kandidonte për rizgjedhje, Pasi humbi, ai dha dorëheqjen nga Senati.

Hero për shqiptarët

Ish- Senatori Dole kujton se megjithëse humbi në fushatën presidenciale, ai kishte fituar votat e pothuajse gjithë shqiptarëve. Dhe për një arsye të fortë.

Zoti Dole është një hero për shqiptarët për rolin që luajti për të mobilizuar Kongresin dhe administratën amerikane në favor të Kosovës.

Për këtë arsye, Xhim Xhema, një biznesmen dhe veprimtar i kahershëm shqiptaro-amerikan dhe mik i zotit Dole, që e ndihmoi edhe gjatë fushatës presidenciale, nuk mund ta mos ishte i pranishëm në ceremoni:

“Senatori Dole, nuk është vetëm një hero amerikan, por një hero i madh shqiptar, një shqiptar i madh. Ai na shpëtoi dy herë. Kur filloi lufta dhe Serbia na përzuri nga shtëpitë tona. Më pas ishte ishte personi kryesor që e bindi Senatin të mbështeste Bill Clintonin që të ndërhynte kundër ish-Jugsllavisë, atëherë Serbia.”

Por ai shton se angazhimi i tij ishte instrumental edhe më pas, duke thënë se ishte ai që e bindi ish-Presidentin Bush që të mbështeste pavarësinë e Kosovës.

“Pra për herë të dytë ai na shpëtoi. Ai është heroi ynë dhe na shpëtoi dy herë nga pushtimi. Unë them se përveç Skënderbeut, Bob Dole është figura më e rëndësishme, në historinë e Shqipërisë dhe i kemi një borxh të madh”, thotë zoti Xhema.

Elmi Berisha, veprimtar shqiptaro-amerikan, që ka bashkëpunuar me zotin Dole, si ish-përfaqësues i posaçëm i ish-Presidentit Ibrahim Rugova në Shtetet e Bashkuara, tha se ceremonia është e rëndësishme sepse po dekorohet një hero amerikan por edhe sepse…

“Po dekorohet një hero amerikan tek shqiptarët, sepse senatori Dole është një nga njerëzit kryesorë, i cili ka ndihmuar në pavarësinë e Kosovës. Sikur të mos ishte senatori Dole, pavarësia e Kosovës do të ishte pak më ndryshe.”.

Arsyeja tjetër thotë ai, ishte miqësia e zotit Dole me ish-Presidentin Ibrahim Rugova.

“Burra si senatori Dole, personalitete si ai i senatorit Dole, vijnë rrallë dhe janë të pashlyeshëm në historinë e shqiptarëve, kryesisht në lidhje me interesat e shqiptarëve në Ballkan dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me pavarësinë e Kosovës. Prandaj ne si shqiptaro-amerikanë, duhet të mos ndalemi asnjëherë por të punojmë me miqtë tanë amerikanë siç e kemi senatorin Dole dhe miq të tjerë që i kemi ende dhe miq të rinj që do të vijnë në Kongres dhe në Senat dhe ta ndërtojmë dhe të kultivojmë marrëdhëniet të cilat kanë qenë tradicionale që thoshte presidenti historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova që duhet të jemi dhe të mbetemi në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës Amerika është jetike për shqiptarët. Shqiptarët i janë mirënjohës tërë jetën Amerikës”.

Bob Dole ka treguar vazhdimisht interesim të veçantë për Kosovën. Ai e vizitoi atë në vitin 1990 dhe ishte ndër të parët dhe ndër të paktët zëra që paralajmëruan se në Kosovë po afrohej lufta.

Në vitin 1998, Bob Dole e vizitoi përsëri Kosovën dhe paralajmëroi se tani masakra ishte e afërt. Senatori i bëri thirrje administratës Clinton për veprime energjike.

Ai sensibilizoi ligjvënësit e tjerë për të kërkuar që presidentit serb Sllobodan Millosheviç t’i dërgohej një mesazh i qartë për Kosovën, ashtu siç ishte vepruar më parë edhe në Bosnje.

Bashkëshorte dhe partnere

Në ceremoninë e djeshme, shumë nga folësit vlerësuan dhe bashkëshorten e zotit Dole, Elizabeth Dole, ish-senatore dhe ish-sekretare transporti. Dhe ishte pikërisht ajo që foli në emër të shokut dhe partnerit të jetës:

“Çfarë privilegji të flas në emër të njeriut që dua”, tha ajo para se të lexonte pjesën tjetër të fjalës së bashkëshortit të saj.

Dhe në emër të tij, ajo përfundoi.

“Po ndaj me ju një mësim që e kam nxjerrë gjatë 60 vjetëve. Udhëheqja fillon duke parë përtej momentit, tek e ardhmja.”

Filed Under: Featured Tagged With: Bob Dole, me Medaljen e Artë të Kongresit, nderohet

GJERGJ KASTRIOTI DHE MBI PEGAS

January 18, 2018 by dgreca

2 visari-zhiti-1Nga Visar Zhiti/

 Teksa po nxirrja nga librat e mi baladat për Gjergj Kastrioti Skënderbeun, thashë me vete se ka mbi 5 shekuj që Heroi ynë enden dhe nëpër këngë si nëpër pllaja e fusha betejash, së pari në ato të popullit të tij dhe të gjuhës së tij, por dhe në popuj të tjerë e gjuhë të tjera.1 skenderbeu-2-1024x680

Shkon te të gjithë fqinjët ballkanikë, që nga pasardhësit e tjerë të ilirëve, kroatë e malazias,  te grekërit dhe te sllavët e jugut, në Serbi, Bullgari, etj,  te rumunët dhe rend triumfator nëpër Itali, jo vetëm te arbëreshët e tij, shkon në Francë, Belgjikë, Gjermani, në vendet e Europës Veriore, në gjuhët anglo-saksone, në Poloni e në Rusinë dy kontinentale, edhe në Azi, pse jo dhe në Afrikë, Egjipt dhe kapton tej, në Amerikë ku adhurimi shtohet si për një Kryeluftëtar të lirisë dhe mbrojtës të qytetërimit Perëndimor..

Kali i tij duket se është bërë me flatra, i shndërruar në Pegas dhe ai ndal i bronztë në sheshe dhe poema…

         Dua të risjell disa prej baladave të mia, pjesëza të nxjerra nga libra të ndryshëm, të shkruara ndër vite, edhe në burg, fshatrave, por dhe në metropole të Europës.

         Se si më frushullojnë tani, si flatrime të flatrave të Pegasit Skënderbejan.

NË SHTËPINË E VOJSAVËS

Ndërsa ngjiteshim

nëpër rrugën e bardhë

(me borën si shpirt i hapur)

për të shkuar

në shtëpinë e Vojsavës

të gjithë nga pak

u shndërruan

në Skënderbej…

Gradec, 17. 02. 1993

 ( nga libri “Mbjellja e vetëtimave”) 

 SKËNDERBEU

DHE NJË ÇËSHTJE E ERRËT

NË JETËN E MOISI GOLEMIT

 Kur isha fëmijë,

Babanë tim dhe Skënderbeun

kam adhuruar më shumë nga burrat e botës

Dhe të gjitha vetëtimat

më dukeshin si vringëllima të shpatës së heroit.

Çdo vit në shkollë do të mësonim

për vdekjen e Skënderbeut

dhe do të qaja, kur të tjerët dilnin,

i fshehur tek dera.

Ashtu si kali i tij që s’pranoi më zotëri tjetër

dhe unë s’pranoja më të mësoja gjëra të tjera.

E urreja Moisi Golemin që iku, na tradhtoi,

tradhtinë s’do ia falja kurrë.

Tokë mëmë, atë që në një rrugë të tillë do të shkojë,

Lëre fëmijë, mos e rrit,

ç’e bën kot burrë!

Tani vonë, në një si legjendë,

im atë ma rrëfeu,

që ikja e Gjeneralit paskësh qenë e sajuar: plan, plan!

Atë e kishte nisur vetë Skënderbeu…

Në luftë duhet të jesh herë me kryet-skile

dhe herë me trupin-luan.

Ç’mision i rëndë mes të huajve… të shtiresh…

sulltanit dorën t’i puthësh,

Të përsëritësh thëniet e tij të vrazhdai gjoja si mençurira.

Të hash me frikë se mos helmi vdekjeprurës

është me sherbetin e ëmbël

në kupat e florinjta.

Të kesh frikë dhe në harem, nëpër qejfe,

se femrat raportojnë dhe mënyrat

e shtrirjes mbi pelerinë…

Që nga çadra ushtarake deri tek gjysmë hëna qiejve

hija jote duhej të komplotonte me gjithë perandorinë.

Dhe të mos kuptohesh

si identiteti nën përkrenare!

Ti në rrezik që atdheu sa më larg rrezikut të jetë!

Po e ardhmja merret veç me ato që duken, si malet,

ku ta gjesh, si ta shpjegosh

një pikëz loti të fshehtë?

Eh, sa jetë që humbin kuturu

si dyndje shigjetash nëpër luftëra…

Po ai që sakrifikoi në shekuj diçka ende më të shtrenjtë:

Emrin e tij.

Janë vënë gabim statuja, janë hequr statuja,

por të lutem, ndreqi gabimet, moj histori!

Gjeneral, ç’torturë dhe për kohën

pas vrasjes tënde,

e cila është pjesa më e rëndësishme për heronjtë.

Prindërit diçka biblike ripërtërijnë, ja ashtu me hamendje,

që emrin “Mojsi” vënë tek djemtë edhe sot.

—————————————————–

Kur u dënua autori, në aktakuzë pati dhe këtë poezi

“si shtrembërim të realitetit historik me qëllim që t’u dalë në mbrojtje

tradhtive që zbulonte dhe ndëshkonte PPSH” (Viti 1979).

Nga libri “Mbjellja e vetëtimave”

 *  *  *

… erdhën arbëreshë

me plisat e bardhë mbi krye. Vija e zezë në tirq –

shenjë zie e përhershme për Vdekjen e Skënderbeut.

… kambanat nisën të bien vetë…

*  *  *

…a e di si përdorej folja bërtas në kohën e Gjergj

Kastriotit Skënderbeut? Nkelthas. Po qaj? Nklaj.

Ç’është ajo “n” përpara, shenjëz e urave të përmbysura,

e skeleteve të ngrehinave?…

 Nga libri “Si shkohet në Kosovë”

MBRËMJE TETORI, FLETË E GRISUR DITARI

Po prisja shiun turk, s’po vinte që s’po vinte, si grua edhe shiu,

rruga e panjohur mbeti e thatë, e pandjeshme, gjithë ato brigje

përreth, pa sirenat magjepsëse. Urat mbi Bosfor, aq të  mëdha

dhe të famshme, nuk arrinin te asnjë dorë zonje, te asnjë puthje,

kot binin më gjunjë. Ndala te një librari, më e afërta, po shfletoja

një antologji, kërkoja një emër gruaje. Ku është poezia e saj,

mes flokëve dhe shamisë si një petale e mbetur fluture,

te vështrimi dinak i syve të zinj, te buzët e enjtura të mosfoljes,

një poezi femër kërkoja, të vezullonte si manikyr dielli në thonjtë

e gjatë prej Kostandinopoje, si buqeta me lule në dyqanin

e mbrëmjes me burra, që s’iu dhurua asnjë dashurie, si abazhuri

i harruar ndezur në anë të shtratit të zbazur buzë detit. Dhoma ime

lundron në Stambollin e madh të sulltanëve.

Ç’më porosit i fshehur

brenda meje Skënderbeu?

Dera e xhamtë rrotullohet si gjeratore

prej uji, del ëndrra e gruas,

mëndafsh dhe hënë dhe premtim.

Një çadër e kotë në dorë. Shiu është dashuri, s’po bie që s’po bie.

E shkruar në Stamboll,

nga libri “Thesaret e frikës”

 DY VARRE PESËQIND VJET LARG NJËRI-TJETRIT

 

Përsëri erdhën nga larg, nga shkretëtirat. Kaluan

malin e fundit. Panë detin e madh, të huaj.

Si llahtarí të kaltër, harbonjëse shtynte dallgët,

si gjokset lakuriqe të grave të haremeve. Ja çadra e

tyre si trëndafil mes mijëra çadrave ushtarake, mes                                                                             

topave dhe kuajve nën rrapëllimën e daulleve dhe kazanëve,

nën emblemat absurde. Pluhur i para pesëqind vjetëve.

Atje poshtë ishte qyteti i vogël, i pushtuar.

Kisha dhe varri i Gjergj Kastriotit, i xhindit, që xhindosi Sovranin e madh.

Do të suleshin ata, gjithmonë ata, të njëjtët ata,

do të shkulnin pllakën e rëndë të varrit,

do të nxirrnin eshtrat e heroit si eshtrat e vetë kombit.

Pastaj do t’i thyenin, copa-copa, eshtrat me baltë, të gjata sa shpatat.

Do të thyenin kafkën si kubenë e qiellit. Të çmendur dhe makabër.

Nga një copë kockë si hajmali do të varnin në qafë ushtarët

për të pasur fat nëpër betejat si armiku i tyre i madh.

Pesëqind vjet më parë, kur dhe varret tani janë varrosur në harresë.

Ra nata. Nata e kombit. Me heroizma si me gërmadha, pa skelete heronjsh.

Nata me britma robërish që digjeshin si pishtarë.

Pesëqind vjet natë ballkanike.

Frutat e pemëve ashtu si buka s’kishin shije.

Rrënjët thithnin gjak të turbullt, të përzier.

Nëpër tokë kalbeshin trupa barbarësh dhe dezertorësh,

bejtexhinjsh dhe devesh, spiunësh e kuzhinierësh të paqes më të kuqe se lufta.

Njeriu binte e malet bëheshin më të lartë nga kufomat.

Malet u mbushën me partizanët e luftës më të fundit tëbotës, plot si me pyje.

Gërmadhë u bë mishi i historisë dhe ne kujtuam se erdhën ditë të reja.

Besuam tek urat. Besuam që deti u bë e dashura e të gjithëve si liria.

Kështu thoshin këngët.

Pastaj, ah, pastaj kur u hap tymi i betejave,

nëpër pellgje pamë pasqyrimin e sundimtarëve të ikur,

të sundimtarëve tanë  që na udhëhoqën,

u përzjehej pasqyrimi nëpër pellgje,

binin si pluhuri i pushtuesve të para pesëqind viteve.

Na merreshin mendtë si këmbët.

Dhe u sulëm ne, vetë ne, jo pushtuesit, te kishat tona.

Thyem kryqin e megjithatë nuk shpëtuam dot nga udhëkryqi ynë.

Në një  tjetër kishë gjetëm skeletin e Gjergjit… jo, jo të Kastriotit…

të Gjergj Fishtës, më të madhit rapsod të shekullit njëzet, e fundmja lahutë e botës.

Në zjarr i kishim hedhur librat e tij. O Zot!

Jo, jo, nuk do t’ju them që pushtuesit anadollakë

na vodhën skeletin e kryetrimit dhe ne, vetë ne,

me duart tona, ditën me diell, humbëm skeletin e poetit, (s’ua ndamë letrarëve të rinj si copa hajmalish

kockat e tij), e hodhëm në lumë. Në lumin që vinte

nga sllavët. Me brinjët e poetit mund të bëhen lira të bukura.

E shkruar në burg, Spaç, 14 janar 1983

Nga libri “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”  

                                                             E shkruar në burg, Spaç, 14 janar 1983

Nga libri “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”                                                               

PËRKRENARJA E GJERGJ KASTRIOTIT

 Ka më shumë se pesëqind vjet

që udhëtoj

për të mbërritur

te kjo përkrenare –

me një dhi të florinjtë përsipër,

fluturuese,

që u hidhet qiejve.

Mbi brirë ka ende copëra yjesh,

shirita ylberësh.

Poshtë ka diçka nga toka e saj e errët. Ja,

reliefet e fatit, gunga të metalta – nyje ngjarjesh

dhe prapë terr.

Ka më shumë se pesëqind vjet që udhëtoj,

kalova mes betejave si mbi kufoma. Lashë pas

kështjellat. Ç’male që na vodhën

si sëndyqe karvanësh në Ballkan.

Ujëvarat rrëzohen –

valle vajzash

që hidheshin humnerave.

Gjithmonë në atdheun tim ulet nata,

ja si kjo përkrenare,

që unë e shoh i magjepsur.

Bie më gjunjë.

Xhamat si koha s’më lënë të prek.

Polen fluturash aty – gjurmët

e gishtave të poetëve.

Dëgjoj këngën e tyre si kori i burrave

në tragjeditë e lashta.

Dhia e praruar më njohu,

më ndjell me sy.

Afrohem drejt saj dhe blegërij

si livadhet e atdheut.

Gjithmonë kjo dhi kullot brenda meje.

Dhe shpesh herë

brirët e saj kanë dalë

mbi kokën time.

Hutohem. Flas përçart.

Ç’ëndërron përkrenare

e ikur kaq larg?

Cilin vallë? Përveçse kryet e popullit!

Po shpata e tët zoti

ku është?

Mbase mjaft goditëm midis nesh. Ti

na duhesh më shumë sot,

o Përkrenare,

hijerëndë

dhe sublime,

e bukur si ideja e kombit.

Vezullim yt vazhdimisht

na avitet

… si mëngjesi.

Vjenë, 30.12.1991

                  Nga libri “mbjellja e vetëtimave”

Filed Under: Featured Tagged With: DHE MBI PEGAS, Gjergj Kastrioti, Visar Zhiti

SKËNDERBEU NUK ËSHTË PERSONAZH MITIK POR HISTORIK

January 18, 2018 by dgreca

1 fxharra1 Mhilli moderator

NGA FAHRI XHARRA*/

“…Ditën e 31 majit 1999, në kulmin e bombardimeve të NATO-s, shënimi i  ditës merret me një polemikë midis shqiptarësh në gazetën “Illyria” të NjuJorkut. Shkak është shkrimi “Skënderbeu e kishte nënën sllave” (me autor Fatos Lubonjën),botuar pak ditë më parë në “Courrier International” të Parisit. Autori shqiptar i shkrimit fajësohet me një gjuhë tejet të  ashpër, për qëndrim antishqiptar e njëherësh antieuropian. Pra, është 31 maj i vitit të fundit të mijëvjeçarit të dytë. Shprehja “ora e keqe”, më shumë se metaforë, është përcaktim i saktë i kohës për Kosovën. Ajo mezi po merr  frymë nën masakrën serbe, një nga më të egrat e shekullit. NATO-ja është  duke bombarduar Serbinë, për shkak të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarët po paguajnë taksën. Shkurt, për ndëshkimin e Serbisë, NATO-ja ka vënë aviatorët dhe avionët më modernë të saj, kurse Kosova ka vënë gjënë më të vjetër në botë, në kësi rastesh: gjakun. Liria e kërkon se s’bën  këtë  karburant të vjetër, dhe shqiptarët e dinë këtë. Hakmarrja serbe është në  kulmin e saj: grirje  foshnjash, përdhunime vajzash e grash, djegie shtëpish, vrasje verbazi, shpërngulje, tmerr…”

Retë e zeza valojnë mbi qiellin tonë, kjo nuk është hera e parë. Ato re janë të përcjellura me vetëtima e bubullima, s’është hera e parë. Kemi kaluar ne si komb, kohëra edhe më të turbullta. I kemi bërë ballë tradhtive nga më të ndryshmet. Tradhtitë nga vetë individët e vendit tonë, të tokave shqiptare, janë të njohura. Njëra nga poshtërsitë më perfide është mohimi i vetvetes, mohimi i të kaluarës sonë, mohimi i të mëdhenjve tanë. Nga qarqet më antishqiptare, nga kuzhinat e tyre po përgatitën meny të ndryshme me anën e të cilave po mundohen të na krijojnë historinë tonë pa heronj. Si duket, programet vijnë të gatshme, bile edhe në gjuhën shqipe, se si të mohohet e tërë e kaluara e jonë. Olsijazexhitë, nexhmedinspahitë, fatoslubonjat, rexhepqosët, fatlumsadikëtnuk po kanë të ndalur në mohimin e çdo çkaje shqiptare. E duan popullin tonë pa histori, pa heronj, pa ardhmëri.

Kombi ynë, ka një figure historike si Skenderbeu, qe ju mungon kombeve te tjerë, sidomos atyre qe kërkojnë te na zhbëjnë. Pikërisht për ketë, ne emër te demitizimit te figurave historike, po ngrihet një stuhi propagande nga te huaj dhe shqiptare te shitur kundër tij. Ata kane përpunuar nje strategji qe ta shpallin Skenderbeun, te paktën jo shqiptar, dhe ne pamundësi te kesaj, ta shpallin atë si një kryengritës, qe luftoi kundër turqve për hakmarrje personale.

Retë e zeza, vijnë e do të shkojnë përkundër zhurmës shurdhuese që e kanë, përkundër dritës friguese qe e lëshojnë. S`do të ketë mohim të së kaluarës sonë. Skënderbeu, kalorësi i Europës dhe i Shqiptarisë do të jetë krye kreje mbi të gjithë shqiptarët pa dallim feje apo bindje politike. Krenaria shqiptare në të njejtën kohë edhe krenarja Europiane, përkundër asaj që i pengon  aziatët, flamuri i tij do të valojë edhe në shekujt e ardhshëm të ardhmërisë sonë. Nëse Skënderbeu i ka tmerruar mehmetfatihët ne kohën e tyre, po i tmerron edhe sot fatihët e rinj, që duan t’i shtrijnë rrënjët e tyre të thara edhe një herë në këtë tokë të përgjakur.  Pra mallkua qoftë aj bir shqiptari, që dhuratën historike të perëndisë, Skënderbeun, që nuk e ka në gji, dhe si hajmali mbrojtëse t`a përcjellë gjithë jetën.Iu themi të gjithëve, larg duart nga historia e jonë, largë duart nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Dy te shiturit F. Lubonja dhe sidomos A. Klosi, mundohen ti heqin atij dimensionin gjigant historik dhe kur munden dhe përkatësinë shqiptare, duke e ditur qe është ky hero, emri i te cilit na rreshton te paktën te barabarte mes europianeve te tjerë.Shkruani për heroin shqiptar Skënderbeun , mos e lini te zvogëlohet dhe te cenohet figura e tij nga këta individë te shitur.Ardian Klosi( i ndjere) dhe Fatos Lubonja janë  me te vërtete mohuesit me te madhej. Duan te jene Evropian dhe intelektual, kur vete Evropa i ka ngritur monumente dhe buste këtij njeriu legjendar, sado qe mund te ketë pasur ato probleme qe ka ç’do udhëheqës qe duhet te mbaj vendin, aq me tepër ne balle te një bajlozi te madh siç ishte Turqia. Nuk kam pare asnjë shtet te Evropës apo te botes, te mundohet kaq shume sa mohuesit te ulin te vetmit heronj qe te paktën njihen me dokumentacione, apo ti bëjnë ata sikur nuk janë Shqiptare. Ne jemi ata te çilet ngremë lapidare dhe varreza te huajve dhe leme dëshmoret tanë tek plehrat vetëm te mbushin xhepat e tyre. Tani po e vërtetojnë edhe pseudo-injorantet te cilët duan te bëjnë te njeten gjë me figura te cilat i nderon je bote e tere.

Figura mbikohore e Gjergj Kastriotit duhet shikuar në tri aspekte; e para në atë të një figure të civilizimit të përbashkët të familjes europiane, e dyta të ruajtjes dhe shpalosjes së identitetit të plotë të shpirtit kombëtar, kulturor e europian dhe se fundi të mbrojtjes së vlerave rrënjësore të shpirtit, identitetit dhe kulturës së përgjithshme si të kombit shqiptar europian ashtu edhe të përbashkësisë së plotë të familjes europiane.

Gjergj Kastrioti është simbol i civilizimit europian të kombit shqiptar, ai nuk ka kufij të panjohur gjeografik as vend që nuk ka dijeni për këtë hero dhe figurë stoike të kombit shqiptar europian, madje ka shtete dhe kombe europiane e botërore që jo vetëm kanë respekt të thellë shpirtëror, por edhe e duan si pjesë të civilizimit të tyre europian. Në këtë kontekst mendoj se Gjergj Kastrioti së pari është bir i madh i kombit shqiptar europian, së dyti është një ndër bijtë më të vlerësuar të historisë së Europës së bashkuar dhe së treti është një figurë e mbarë botës së civilizuar dhe posaçërisht e vlerave universale të familjes europiane.

Nga lufta e drejtë 25-vjeçare e popullit shqiptar për t’u çliruar nga pushtuesit osman, të udhëhequr nga komandanti legjendar Gjergj Kastrioti, lindi dhe u ndërtua periudha më historike e këtij populli. Pa këtë periudhë, shqiptarët do të ishin pa histori dhe johistorikë. Pra, ky bir i madh i Arbërisë na bëri me histori, na dha emër. Si çdo luftë në histori, edhe lufta çlirimtare e shqiptarëve në shekullin XV, e udhëhequr nga ngadhënjimtari i betejës së Torviollit dhe të Albulenës, e kishte çmimin e vet. Princi i famshëm i fisit të

Kastriotëve, për herë të parë në histori, arriti të bëjë bashkimin politikshtetëror të popullit shqiptar. Figura e Tij sintetizon një epokë të tërë të historisë kombëtare shqiptare – luftën njëshekullore kundër pushtuesit osman (1380-1479), për mbrojtjen e tokës, të lirisë dhe të pavarësisë së vet.

Në mes të shekullit XIX do të duken agimet e para të pranverës shqiptare. Do të lind Rilindja Kombëtare. Pa periudhën skënderbeane, nuk do të kishim as Rilindje. Pa këto dy epoka të lavdishme të historisë së popullit shqiptar, nuk do ta kishim as Vlorën e 1912-ës të Ismail Qemalit. Me fjalë të tjera, nuk do të kishim liri, pavarësi, dinjitet dhe as shtet shqiptar. Qëndresa epike e këtij mjeshtri të artit luftarak zuri vend në kujtesën historike të çdo shqiptari. Vepra kolosale e këtij vigani paraqet ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar.

Skënderbeu nuk ka bërë luftë fetare .. Skenderbeu nuk ishte një kryqëzator, por ai bënte luftë çlirimtare kombëtare. Mos të harrojmë se kryeheroi ynë është rritur si mysliman dhe ne nuk shohim se ai e urrente këtë fe, por se për të ishte jetike që luftën nuk mund ta bënte kundër turqve ndërsa ende mbante fenë e tyre të sjellë në vendin e shqiponjave.

Nëno moj – i drejtohem Shqipërisë,  ky  sistemi komunist i të kaluarës së turpshme i paska përgatitur do bijë dhe bija tuaja që në çdo kohë të vjellin vrerë mbi ty . Ti nuk e di nënë e dashur , që në atë mbledhjen  e Katovicës me Gorbaçovin (Servet Pëllumbi: Ramiz Alia zbatoi “Katovicën”, 28 Prill 2015 mapo.al ) Ramiz Alija i kishte  sjellur do rregulla që duhet t`i përmbahen ata që e duan shkatërrimin e Shqiperisë. E sheh moj nëno që Katovica i kishte përgatitur edhe Fatos Lubonjën ,edhe Ardian Klosin e tani së fundi po del në shesh një dobiç i ri nga “zbatimi i Katovicës “   Nëno, shihe se çka shkruan shtypi i Shqipërisë: “Skënderbeu ka qenë më shumë i krishterë se shqiptar”, kështu është shprehur publicisti Mustafa Nano, gjatë një takimi me nxënës, me të cilët ka diskutuar ndër të tjera edhe për çështje që lidhen me identitetin e shqiptarëve dhe fqinjërinë me serbët e grekët, tema të nxitura nga libri i tij më i fundit, “Sandviç; Kuku për ty, Nëna Shqipëri  kur Mustafa Nano i thotë botës:  “Ne sot themi që Skënderbeu ka qenë shqiptar dhe ka qenë i joni, ndërkohë që ai ka qenë më shumë i krishterë se shqiptar kur u bë i famshëm, madje ai nënën e ka pasur sllave. Etnia nuk ka qenë shumë e rëndësishme atëherë dhe martesat mes shqiptarëve dhe serbeve bëheshin pa problem.

Mustafa Nanos dhe të gjithë atyre që  e pretendojnë një “eliminim“ të Skënderbeut nga historia, iu kisha kujtuar librin: “Skenderbeg u pesmama” botuar në Pançevë (Serbi ) me 1883, ku Skënderbeut i këndohet si shqiptar e jo si katolik apo ortodoks:

‘Nese mendon Epirin ta robërosh,

Skenderbeun gjallë ta zesh

Merr 50 mijë ushtarë

Sepse ti nuk e di cka janë shqiptarët

Njeri do tu u hidhet njëqindve

Skenderbeu do tu hidhet njëmijëve’

(Këtë këngë popullore serbe e shkëputa nga  nga libri i serbëve : “Skenderbeu në këngë“, faqe 11

Tani nje shkrim qe ia pata drejtuar Oliver shmitit , te porositurit nga qaret me ekstreme te Beogradit per zhberjen e histories shqiptare  ….

SKËNDE RBEU NUK ËSHTË PERSONAZH MITIK POR HISTORIK

A ka qenë Skënderbeu vërtetë një “atlet i krishtërimit” apo një aventurier e një hakmarrës? Deri vonë, askush nuk guxonte ta vinte këtë në dyshim për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Disa vite më parë, historiani Oliver Jens Schmitt, në një vepër të tij kushtuar Gjergj Kastriotit, ndër të tjera servirte edhe një dokument, sipas të cilit lufta e tij kundër Sulltanit s’ishte gjë tjetër veçse hakmarrje personale ndaj vrasjes së të atit. Në këtë 100-vjetor të pavarësisë, revista “Përpjekja” i ka kushtuar një numër të veçantë pikërisht Skënderbeut. “

Mrekulli dhe mrekulli shqiptare, dhe vetëm shqiptarët dijnë të bëjnë këso mrekullira”. Askush nuk paska guxuar ta vë në dyshim meritën e Skënderbeut! Dhe ja që tani na doli njëfarë dr. Schmitti i cili pa kurrfarë fytyre po e studion në mënyrën më “serioze”dhe më “drejtkallxuese” se si paska arritur Skënderbeu që “të prishë rehatinë” e tij personale prej Begu dhe përkundër të

gjitha të mirave që i kishte dhe që e rrethonin, t`i kujtohej se ka për të “larë një borxh” sipas Kanunit. Skënderbeut si “fytyrë mitike” që ishte, dhe po “vërtetohet” nga drejtkallzuesit e historisë, i duhej patjetër që “të mbronte” fytyrën e Kastriotëve dhe në mënyrën më aventuriere të hakmerret.

Që patjetër të na groposin krenarinë tonë të vjedhur, “Historianit” që flet rrjedhshëm shqip dhe serbisht, dhe që na mahnitë me aftësitë e tij zbërthyese të dokumenteve (të përzgjedhura sipas dëshirës së tij dhe të komentuara sipas qëllimit të tij), i japim vend në foltoret tona dhe në hapësirën tonë që përditë e më tepër po na mjergullohet. Pa u harruar për të përmendur dhe “falenderuar”, është edhe ndihma e shqiptarëve të llojit të Artan Putos dhe atij të Fatos Lubonjës, të cilët me një mohim kombëtar ia çelin dyert e shëmtimit të historisë sonë nga paçavurët e llojit të dr. Shmittit. Hajde ku është katandisur populli shqiptar që lejon paçavure të tilla,si të jashtme ashtu edhe të brendshme! O bobo, e ç`na zuri të papërgatitur kjo kohë e dreqit të mallkuar!

Studiuesi gjerman H. A. Barnatzik shkruante se që nga viti 1444 gjer më 1468, u zhvilluan 24 beteja të përgjakshme, në të cilat Skënderbeu, heroi gjenial i shqiptarëve, arriti t’i zmbrapste turqit, të cilët pa dyshim,do të kishin vërshuar në të gjithë Evropën. Po, po, shkruante dhe nuk hamendej të na “mbushë’ mendjen se heroi ynë ishte shqiptar i vërtetë dhe se “i paskësh premtuar babait të tij Gjonit, se do t`ia nxjerrë hakun”.

Hajde Schmitt hajde, edhe ju ndjekësit e tij! Po Papa Nikolla V, bashkëkohës i Gjergj Kastriotit, e konsideronte si “mit” kryetrimin shqiptar kur i dha titullin “Atlet i Krishterimit”?!

Ç`është miti? Një rrëfim i trilluar për diçka që nuk ka qenë kurrë dhe nuk është e vërtetë, është përrallë, legjendë; diçka që lakohet sipas dëshirës së treguesit duke ia veshur një petk të rrejshëm dhe përrallor. Skënderbeu nuk ishte Willhelm Teli, legjenda e të cilit fillon në shekullin e 15 -të, në kohën e themelimit të Federatës së vjetër të Zvicrës. Telli ishte figura qendrore e patriotizmit zvicerian (Wikipedia). Skënderbeu nuk ishte as Robin Hudi i folklorit anglez, i njohur si njeri i shpatës dhe shigjetës “i cili iu merrte të pasurve dhe iu jepte të varfërve.” Pra dr. Schmitti duhet të bindet që po gabon rëndë e edhe më shumë duhet që ndjekësit e tij të mos bëhen “përrallë me tupan” si ç`thonë në  Gjakovë, me teoritë, zbërthimet, mbërthimet e tyre sa qesharake aq edhe të pakapshme për kohën e sotme.

Doktori po m`a kujton shkrimtarin  gjerman Karl May-in (1842 – 1912) i cili me Winnetun dhe Old Shattelandin e tij gjuhet mbi popullin tonë për t`i bërë romanet e tij më interesante me fantazinë e pakontrolluara dhe ofenduese. Karl Mayi nuk dinte shqip, e vërtetuar se kurrë s`kishte qenë në anët tona; por ti i mosrespektuari doktor Farkëtari (Schmitt), pse na farkëton trillime që nuk zënë vend kurrë. Kur Karl Friedrich Mayi shkruante, ne nuk guxonim të shkonim në shkolla shqipe po nga ata porositësit e tu; por sot, përkundër asaj që i ke gjetur disa ndjekës besnikë, të kotë e ke. Por sidoqoftë, prapëne na duhet të merremi me ty.

“Patjetër që serbët i shqetëson fakti se shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Europes, pasardhës të pellazgëve dhe të ilirëve mitikë.  Patjetër i shqetëson fakti se Shqipëria ka stof katolik europiano-perëndimore shprehur më së miri në figurat me famë botërore si Gjergj Kastrioti i cili jo më kot u quajt “atlet i krishtërimit” sepse për 25 vjet ndaloi përparimin e hordhive turke drejt perëndimi) dhe të ShenjtesGonxhe Bojaxhiu-Nënë Terezës (e cila u shndërrua në nënë e paqes, e mirësisë, e humanizmit për botën mbarë) dhe jo oriental dhe bizantin sikurse janë serbët. Patjetër që nuk u shkon për shtati serbëve identiteti katolik europian i shqiptarëve, që janë ura lidhëse vertikale e Shqipërisë me Europën Perëndimore e cila nuk u ndërpre asnjëherë, sepse ky stof katolik i shqiptarëve dhe kontributi i tyre për kulturën e përbashkët europiane me shpatë para 5 shekujsh me humanizëm në epokën moderne, e bën teorinë e tyre të pabesueshme dhe banale.” (P.Sh)

Për hakmarrje personale, Skënderbeu mund të vriste vetë Sulltanin dhe e kishte këtë mundësi sepse kishte hyrje të lirë tek ai si Gjeneral i lartë, por nuk e bëri këtë sepse Gjergj Kastrioti u shty nga një motiv më sublim se sa ai personal. U shty nga atdhedashuria dhe patriotizmi, prandaj serbët i shqetëson ky fakt dhe duan përmes Schmitt ta sulmojnë figurën eSkënderbeut sepse nuk e kanë një të tillë për veten e tyre. Një popull që e ka filluar formimin e shtetit nga shqiptarët (Karagjorgjeviqët), një popull që shkrimleximin e ka nga shqiptarët (Vuk Karaxhiqi), si munden të të bindin për njollosjen e Skënderbeut, të po atij Skënderbeu që me shekuj janë munduar ta përvehtësonin?

O ti zotëri i një makinerie mirë të koordinuar antishqiptare! Njëzet e pesë vite lufte të pandërprerë nuk mund të quhet hakmarrje aventuriere private. Por kjo është një ide “a la Karl May”! Një ide që nuk pi ujë në analet e historisë. Por qëllimet janë të tjera: Si të gjithë të huajt që shkruajnë me keqdashje për historinë e Shqipërisë, ai kërkon të eliminojë Skënderbeun si personalitet qendror i historisë së Shqipërisë. Nuk është e vështirë që të kuptohet se përse bëhet kjo gjë. Por mohimi i kombit shqiptar është qëllimi i tyre dhe i të gjithë atyre që qëndrojnë prapa.

Heroi ynë kombëtar dhe shqipëtarët e tij, ia kanë dhënë realisht dhe historikisht përgjigjen Otomanizmit, Europës dhe sigurisht edhe sot (apo nesër) Oliver Schmittit apo oliverëve të nesërm. Shpirti i madh i një populli për liri, Skënderbeu, e thotë vetë: “Lirinë nuk jua solla unë, atë e gjeta këtu midis Jush”. Pra, kjo është dëshmi e qartë historike… psikologjia e vetë fjalëve të Tij. Shpirti i rezistencës që gjeti mes bashkatdhetarëve të vet.

Apo jo z. Oliver Shmitt?

“Shqiptarët janë e vetmja rracë në Ballkan, që tregon të vërtetën historike”, thoshte Edith Durham, e juve nuk iu mbush mendjen? Pra, mos ta zgjasim se edhe vetë jeni të bindur se Gjergj Kastrioti- Skënderbeu (1405- 1468) personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë. “Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë e të organizuar, shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai e kuptoi,më qartë se kushdo tjetër, detyrën që shtronte çasti historik: nevojën e bashkimit politik si kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e interesave të të gjitha shtresave shoqërore, të pasura e të varfëra, të kërcënuara tashmë prej pushtuesve osmanë në çështjet jetike”.

*Per arsye shendetsore, autori nuk mundi te udhetonte. Moderatori Mhill Velaj e lexoi në Simpoziumin me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu organizuar nga Kisha Zoja e Shkodrës dhe Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, NUK ËSHTË PERSONAZH MITIK, POR HISTORIK, Skenderbeu

VITI I GJERGJ KASTRIOTI- SKENDERBEU, SI KOHE REFLEKTIMI

January 18, 2018 by dgreca

 

1 ok Romeo salleIMG_95141 romeo shoku1 Gjonaj Romeo1 Balaj Romeo1 Deda Romeo1 a salle em vatrane

NGA PROF. ROMEO GURAKUQI*/

Sot, më datë, 17 janar 2018, populli shqiptar në çdo  trevë përkujton 550- vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skanderbe, e njohur si figura më e madhe e historisë së kombit shqiptar, falë të cilit ne kemi lirinë dhe një atdhe, por edhe si një nga figurat e mëdha të historisë europiane të kohës kapërcyell, ndermjet Mesjetës dhe Kohës së Hershme të Modernitetit Europian.

Në këtë 550- vjetor popullli shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, si dhe në trojet e tjera shqiptare Malësi, Ulqin, Dibër, Tetovë, Gostivar, po e pret me nderim të veçantë përvjetorin e 550-të të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeg, në këtë kohë reflektimi, mbasi ai është më afër andrrës ri-europianizuese, pas një ndërprerje afatgjatë të shkaktuar nga regjimet e dhunës së gjithanshme, të udhëheqjeve të deformuara në aspektin e kodeve tradicionale patriotike arbnore dhe kulturës politike dhe shtetformuese skenderbegiane.

Nën udhëheqjen e Skenderbeut, arriti kulmin lufta një shekullore, që arbërit banë për mbrojtjen e vatrës së tokës amë dhe lirisë, kundër pushtuesve osmanë, asokohe rishtarë në Ballkan. Në këtë epope, lufta për organizimin dhe bashkimin politik të të gjithë shqiptarëve, të shpërndarë deri më atëherë nën sundimin e princërve të veçantë arbnorë, shënoi një hap të mëtejshëm, drejt bashkimit shtetëror, i përgatitur ky bashkim mbretnor, nga e gjitha faza pararëndëse e ecjes së njëkohshme e popullit tonë, krahas popujve të tjerë europianë.

Në shekullin XV, shqiptarët, nën udhëheqjen e Skenderbeut, duke luftuar për të mbrojtur tokën, familjen, përkatësine europiane të kombit, lirinë e vet, u banë nji ledh mbrojtës për të ndalur vërshimin shkatërrues të agresionit të sulltanëve, kundër qytetërimit europian të Arbërisë adriatikase dhe joniane dhe qytetërimit romano-bizantin në tanësi. Kështu, populli ynë, dha një kontribut të shquar në një nga çastet ma vendimtare për mbrojtjen e Europës dhe kulturës së saj, nga pasojat shkatërrimtare, që sillte me vete pushtimi huaj i ardhur nga djerrinat.

Heroi ynë kombëtar ka nji rol te rëndësishëm themelor, si udhëheqës shtetëror dhe prijës ushtarak i Arbërisë, të riformatuar territorialisht, në kushtet e vështira të shekullit XV. Figura e tij qëndron ndërmjet dy periudhave të mëdha të historisë kombëtare, si udhëheqës i epokës së randësishme kapërcyell, ndërmjet mesjetës arbnore rilindase dhe humaniste (kuptuar se pari konvencionalisht), dhe modernitetit të hershëm europian, nëpër të cilin, Arbëria, si pjesë e pandarë e kontinentit dhe qytetërimit Adriatikas, kishte filluar te ecte , duke konsoliduar themelet e bashkimit të popullit të Gegërisë dhe Toskërisë të saj si dy njësi të pandara mes tyre. Këte e them mbasi, pavarësisht vështirësive, që krijonin ndarjet ndërmjet dy Kishave, ndarjet krahinore dhe politikat separatiste të principatave feudale arbnore, karakteristike për periudhën e Mesjetës të Epërme, populli shqiptar hyri në periudhën kur ndodhi invadimi i sulltanëve, i formësuar si një kombësi e përcaktuar, me një ndërgjegje pak a shumë të qartë për rrugën  e vet të veçantë, si një unitet me vete, i formuar historikisht, në bazë të origjinës së gjuhës si dhe një formimi shpirtëror e kulturor të përbashkët. Ka qenë kjo ndërgjegje dhe kjo pjekuri evolutive politiko-kulturore, që i mundësoi popullit shqiptar, t’i bëjë ballë rrezikut më të madh, që njohu deri atëhere, pushtimit të shtetit osman, që i kanosej, jo vetëm me asimilimin e plotë politik, por edhe me zhdukjen e tij të plotë fizike dhe shkrirjen e komponentëve identitarë kulturorë, vendas. Po kjo ecje nuk ishte produkt i izoluar i kësaj ane të Europës, por ishte kah europian zhvillimor. Epoka e Skënderbeut ka qenë produkt i idesë së kombësisë të sapoformuar, i kulturës arbnore të ngjizur me humanizmin italik dhe ndikimin e mbetur kulturor, që Perandoria Bizantine ushtronte ende mbi pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Kjo epokë ishte produkt i themelimit, nga fillimi i shekullit XIV, i strukturave shtetërore me vulë tipike arbnore. Nga njëra anë kemi princat shqiptarë dhe bri tyre qytetet e Arbërisë Venedikase. Është koha e ekspansionit të arbërve etnikë brenda strukturave të tyre të trashëguara kulturore dhe kishtare. Arbërit etnikë e përvetësuan atë përzjerje ndikimesh latine dhe greke, katolike dhe orthodokse, mbasi pikërisht në këtë hapësirë të Arbërisë së Mesme, kalonte asokohe, brezi i gjërë kufitar ndërmjet besimit katolik dhe orthodoks, midis kulturës katolike më vulë italike dhe traditës dhe kulturës orthodokse bizantine. Epoka e Skënderbeut ka qenë kulmi i procesit të vitalitetit të arbërve etnikë, i ristartuar nga fundi i shekullit XIII, të cilët ishin mbizotërues të porteve të Durrësit dhe Lezhës, zotërues të ofiqeve të larta në Kishën Katolike të Arbanonit, Durrësit, Shkodrës, Ulqinit dhe brendatokës. Ishte koha kur kultura arbnore, e fuqizuar nga marrja e kontrollit të Kishës Katolike në këto anë nga vendasit, fillon të mbizotërojë mbi larminë e kulturës bizantine. Jo rastësisht, prijësit shpirtërorë të Arbërisë, si: Pal Ëngjëlli, ishin jo vetëm, kishtarë dhe ambasadorë, por edhe kultivuesit e parë të shkrimit të gjuhës shqipe, d.m.th të mjetit komunikativ mes një populli me ndërgjegje dhe me udhëheqësi. Arbëria ishte pjesë e gjithë prirjeve të zhvillimit të përgjithshëm europian, dhe mbi të gjithë i prijeve politike shtetformuese nacionale. Parë në këtë këndvështrim, në epokën e Skenderbeut dhe nën udhëheqësinë tij, ne mund të zbulojmë pa mëdyshje procesin fillestar të themelimit politik të kombit (pas separatizmit feudal pararëndës), proces që u ndal dhe u amortizua nga pushtimi otoman.

Por, gjatë epopesë së shekullit XV, nën udhëheqjen e Skenderbeut, u kalit ai unitet, dhe ajo trashëgimi historike pararandëse, në mënyrë të atillë, sa, me gjithë kushtet e vështira të robërisë gati pesë shekullore otomane, ky popull arriti të dalë nga kjo periudhë e errët, në shekullin e XIX, me shtylla të ngjizura kombëtare në udheheqësi, për shkak të farkëtimit rezistent të zemrës arbnore skënderbegiane. Rilindja (Rinashimentoja) Arbënore e shekujve (XIV-XV) (në qoftë se e përdorim se pari konvencionalisht si kohë, si ndikim anësor i gadishullit italik, si ndikim i Kishave, si proces politik përbashkues politik, i principatave të vogla në një Principatë të madhe) pavarësisht robërisë pesë shekullore, arriti të prodhojë Risorgjimenton shqiptare (Rilingjalljen Kombëtare) të shekullit XIX dhe XX. Dhe kjo falë kujtesës së Gjergj Kastriotit dhe pasuesve të tij të lavdishëm, të asaj kohe historike, popullit në Shqipni dhe komuniteteve të lira arbëreshe dhe arvanitase, gjakut tonë rezistues, që na qëndron përherë si kujtesë për vëmendje, kurajo për mbijetesë dhe pamposhtje para sfidave, që forcat e errësirës ripërtërijnë në kohë.

E tham këtë, se Gjergj Kastrioti dhe pasuesit e tij, bazuar në Kodin Shqiptar të Fjalës së Dhanun, arritën të ndërtojnë Besëlidhjen, të mbrojnë popullin dhe ta orientojnë atë për nga hapësira nga ku lind liria. Pse e themi, që bazamenti i këtyre dy shekujve kapërcyell shërbeu si bazë për Rilindjen Kombëtare? Sepse duke u nisur nga gjysma e shekullit XIV, mbi gërmallat e Perandorisë së Car Dushanit, u mëkëmbën principatat e Balshajve, Topiajve, Komnenëve, të Spatajve, dhe hapësira e gjërë e qyteteve arbnore të Adriatikut, që nuk kishin pothuajse asnjë ndryshim, përsa i përket zhvillimit ekonomik, shoqëror, kulturor dhe institucional, krahasuar me hapësirën italiane të Rinashimentos dhe Humanizmit, i cili prodhoi një modul të qenësishëm dhe të qëndrueshëm ngjizjeje kulturore, gjuhësore dhe të krenarisë së hershme të nacionalitetit. Ashtu si edhe në bregun perëndimor të Adriatikut, edhe Arbëria dhe principatat e saj në pjesën lindore, kishin formësuar karakteristikat e njësive të vogla shteterore, ndërsa Rilindja dhe Humanizimi i shekullit XIV dhe lufta e përbashkët e rezistencës së shekullit XV, farkëtoi kulturën, jetën dhe veprat, shekullare dhe kishtare, ngjashmërisht sikurse pjesa ma e përparuar e kësaj kulture në Perëndim të Europës.

Pikërisht në periudhën e  shekujve (XIV – XV), kur principatat mesjetare shqiptare, afërsisht të ngjashme si edhe principatat mesjetare gjetkë në Europë qenë formësuar, mbi trojet shqiptare vërshoi invazioni i shtetit të osmanëve, dhe kështu, arbërve dhe ballkanikëve të tjerë, iu desh të përballen, në Maricë në vitin  (1371), në Savër në vitin  (1385), në Fushë –  Kosovë  ne vitin (1389), në Krujë në vitin (1415), në Berat dhe Vlorë  në vitin (1417), me vërshimet e akixhinjve ardhacakë, që ishin shekuj mbrapa në procesin zhvilllimor shoqëror, ekonomik dhe institucional, krahasuar me kulurën e kontinentit ku shkelën të paftuar. Mbi të gjitha, ata ishin krejtësisht të ndryshëm nga pikëpamja e vlerave kulturore dhe institucionale.

Dhe pikërisht në këtë kohë fatale, në mbrojtje të trojeve të Arbërisë, spikat një burrë shteti, udhëheqës ushtarak më i shquari ndër të gjithë princërit arbënorë, djali i Gjon Kastriotit, Gjergji, i mbiquajtur, Skanderbeg  për arsye të rrethanave të veçanta të jetës së tij të trazuar, nder pengje dhe deportime sulltanësh.  Ai u bë përfaqësuesi ma i spikatur i Parësisë arbnore, në kryesimin e një fronti të rezistencës dhe mbijetesës së qytetërimit europian shqiptar, në mbrojtje dhe të kulturës europiane, kundër invadorëve osmanë. Pas rënies së parë të Arbërisë, ishte ai që ndërmori kthesën historike dhe vendimtare, për Shqipërinë, gjatë viteve (1443-1449), gjë që nuk ndodhi për principatat e tjera ballkanike. Ishte ai, që me udhëheqësinë dhe largapamësinë e tij, diti të ndërtojë metodën për kapërcimin e përçarjes së vendit ndër zotërime vasale, drejt krijimit të një njësie përbashkuese, shtetërore dhe ushtarake, që i qëndroi nga (25 – 35) vite përparimit të shtetit osman, pikërisht në apogjeon e shtrirjes së tyre të pandalun në Europën Juglindore.

“Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush… armët nuk jua solla unë, por ju gjeta të armatosur”, përbëjnë thelbin e startit, që na e sjell sot të pastër dhe të freskët penda e humanistit shkodran Marin Barleti, themeluesit të historiografisë shqiptare. Mbi këtë fillesë, Gjergj Kastrioti, në pranverën e vitit 1444 thirri Kuvendin e Lezhës, ku prijësit e krahinave, që bënin një jetë politike të veçantë, nën hijen e peshës së kambës së sulltanëve, Gjergj Araniti, Andre Topia me dy djemtë, Komninin e Muzakën dhe nipin Tanushin, Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Muzakajt me vend,  Lekë Zaharia, Pjetër Spani me katër djemtë, Lekë Dushmani, etj, formësuan institutin e Besëlidhjes Ndërshqiptare, dhe e kurorëzuan atë në Institucionin Politik, që në histori ka hyrë me emrin “Lidhja e Lezhës”. Lidhjes së njësisë së gjuhës, kulturës, tokës amë, iu bashkëngjit tashmë lidhja shtetërore, një bashkim në plan politik dhe ushtarak i vendit, i nxitur nga nevoja e mbijetesës dhe emergjenca e ndaljes së goditjes shkatërrimtare mbi nacionalitetin e sapongjizun arbnor. Lidhja e Lezhës ishte kështu organizata e parë politike e përbashkët, që njësoi në një drejtim, prijësit feudalë shqiptarë, njësim ky, që hidhte themelet e bashkimit shtetëror, me të cilin, kombi ynë në formësim e sipër, u orvat të dilte nga mesjeta në modernitetin e parë, modernitet fillestar, që u ndal fatkeqësisht nga rasti historik, jo fatlum. Detyra themelore, që shtrohej para anëtarëve të Kuvendit të Parësisë në Lezhë, ka qenë gjetja e rrugëve dhe formave për bashkimin e forcave politike dhe ushtarake të vendit. Kuvendi arriti të ndërtonte një udhëheqësi të vetme, të përhershme politike dhe ushtarake, të kryesuar nga Gjergj Kastrioti.

Por megjithatë, ky organizëm i parë politik ndihmoi popullin shqiptar, për më shumë se tre dhjetëvjeçarë, përmes betejave ngadhnjimtare, të njohura në histori si ajo e Terviollit, e Drinit, e Ujit të Bardhë, Krujës dhe Shkodrës, zhvilluar në vitet (1474 – 1478 – 1479), të mposhtte rezistencën e një makinerie të re, të pandalshme dhe shkatërrimtare, që derdhej mbi qytetnimin tonë, dhe të bahej bastioni i ndaljes, dhe llogorja e bashkimit, fronti i rezistencës së popujve europiano qendrorë (hungarez) dhe italikë.

Jo rastësisht, shtetet italiane e vendosën Shqipërinë e Skenderbeut, në radhën e partnerëve të të gjitha aksioneve diplomatike, që u zhvilluan në lidhje me çështjen e pushtimit të huaj, që vinte nga  rrugëkalimi i Europës Juglindore. Skënderbeu u përpoq të bashkërendonte veprimtarinë ushtarake, politike dhe diplomatike, me hungarezët, gjatë viteve (1443-1444), 1448, 1456, me shtetet italiane, Papatin dhe Napolin, Venedikut, posaçërisht në harkun kohor të viteve (1463-1468). Ky bashkërendim, në këtë fazë ka qenë vendimtar, mbasi Arbëria e Skanderbegut, bëhet partner me shtetet europiane, që mbartnin nivele shtetformimi modern dhe përfaqësonin vatrat themelore të kulturës së Humanizmit dhe Rilindjes, dhe vendi ynë  u vendos dhe u konsiderua  në një radhë me ata, politikisht, ushtarakisht, kulturalisht, për t’i bëre ballë kërcënimit osman. Skënderbeu dhe Gjergj Araniti, që prej vitit 1451 qenë pjesë e aksionit të gjërë diplomatik, të startuar nga Alfonsi i Aragonës dhe i Napolit, Mbretëria e Napolit në vitin 1455 dhe Venediku në periudhën e fundit të jetës së Skenderbeu, gjate viteve (1463-1468).

Këto shtete, kanë qenë pjesëmarrëse me forca të armatosura në mbështetje të epopesë shqiptare. Në periudhën e viteve (1460-1462), Gjergj Kastrioti ishte vetë në një sipërmarrje diplomatike në Italinë e Jugut, për t’i bindun shtetet kryesore italiane si : Napolin, Shtetin Papnuer, Milanon, të angazhoheshin seriozisht në frontin shqiptar, aty ku luhej fati i Europës, në atë moment, dhe jo më vonë. Skënderbeu u përpoq të bëhej, së bashku me Papën Piu II, nismëtar i një aksioni të përbashkët europian për  përballimin e agresionit. Por koha ishte tragjike dhe fati gjeografik, u kishte dhanë shqiptarëve misionin vetësakrifikues, për të ndalur përkohësisht agresionin mbi pjesë tjetër të Europës.

Me Gjergj Kastriotin dhe familjen e tij është e lidhur edhe historia e flamurit tonë kombëtar. Historiani i parë i veprës së Gjergj Kastriotit (Skanderbe), bashkëkohës dhe bashkëluftëtar i Heroit tonë kombëtar, Marin Barleti, ka lënë si dëshmi një flamur të kuq të qëndisur me shqiponjën dykrenare, që Skënderbeu  e mbante në duar dhe që ky flamur  ishte flamuri i fisit të tij. Flamuri i kuq me shqiponjën dykrenare, u ruajt në kujtesën  e një populli, të ndodhur  nën peshën e randë të pushtimit, dhe shërbeu si simbol i rezistencës së një kohe lavdiplotë, për t’u ngritur sërish pas 500 vitesh robëri, me, 6 prill 1911, në Bratilë të Deçiqit nga Dedë Gjo’ Luli dhe me 28 nëntor  1812 në Vlorë nga Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçori, Luigj Gurakuqi dhe etërit tanë shtetformues, të cilëve duhet t’u jemi përjetësisht mirënjohës, për ngjizjen e drejtë të trashëgimisë skenderbegiane, ngjizjen e kombëtarizmit shqiptar në bashkëkohësinë europiane, mbi parimin e parë, atë të albanianizmit, gjegjësisht shqiptarizmit, laicizmit, vllaznisë së pandame ndërshqiptare pavarësisht besimit, njësueshmërisë kulturore, bazuar në gjuhën, kulturën, doket, zakonet, respektin e dinjitetit njërëzor, konstitucionalizmin e bazuar mbi Besëlidhjen ndërshqiptare, lirinë e përbashkët dhe ri-vendosjen në gjirin e kulturës europiane. Kur rilindasit tanë rikonceptuan flamurin e Skandergut si flamur kombëtar, nuk kishin aspak para tyne një model pikture të kjartësueme të flamurit të Kastriotëve. Ata thjesht morën nga Barleti informacionin, i cili qe i mjaftueshëm për ta zgjidhur mbi një bazë të sigurt historike, një herë e mirë, problemin e bashkëngjitjes së simbolit nacional me kombin dhe historinë e tij të lavdishme.  Mbi bazën e këtij riskicimi të rilindasve, në mënyrë indipendente nga njëri – tjetri, terzitë shkodranë në vitin 1911 dhe udhëzuesit e Marigosë në vitin 1912, qendisën Flamurin Kombëtar Shqiptar, i cili na bën sot krenarë, ne Bijtë e Shqipes të shpërndame në të katër anët e globit.

Shteti shqiptar i Gjergj Kastriotit (Skenderbeu), në aktivitetin e vet diplomatik, e vlerësoi randësinë e bashkëpunimit me Europën, si kusht të domosdoshëm për të mbijetuar. Periudha e viteve (1466 -1467) ka qenë nje periudhë shumë kritike, ndaj ai u bëri thirrjen e fundit për ndihmë aleatëve europianë. Ai dërgoi të birin në Venedik, ndërsa në dhjetor  të vitit 1466 u nis vetë për Romë, për ta bindur Papa  Palin e  II mbi nevojën dhe  domosdoshmërine për ndihma. Skënderbeu arriti në Romë më, 12 dhjetor 1466, i veshur me zhgunin e ashpër e të thjeshtë që mbante gjatë luftës, i shoqëruar nga kalorësit e tij. Thuhet, se Qyteti i Romës i bëri heroit tonë, një pritje madhështore, të denjë vetëm për një udhëheqës të mbuluar me lavdi. Me ndihma të kufizuara Skandërbeu u kthye në Shqipëri, në fillimin e  prillit 1467 dhe për 9 muaj rresht iu desh të përballonte ekspeditat e Mehmet Fatihut, të cilin, pengesa shqiptare e kishte ndalur në rrugën drejt Italisë. Fitoret e shqiptarëve dhe mbrojtja e Krujës, i krijuan hapësirën e nevojshme kohore Skanderbeut për të mbledhur, një kuvend të krerëve shqiptarë, sërish në Lezhë, në janar të vitit 1468. Në pragun e mbajtjes së kuvendit, një ushtri osmane e ardhur nga Kosova, sulmoi Shkodrën. Skënderbeu, i cili ndodhej i sëmurë në Lezhë, nuk mundi të merrte pjesë në luftime, por ushtria e tij, edhe pse pa prijësin e saj, arriti të korrte një fitore tjetër të rëndësishme mbi sulmuesit. Pas pak ditësh, me, 17 janar 1468, i mbuluar me lavdi të përjeshtme, Gjergj Kastrioti, ndërroi jetë në Lezhë dhe u varros, në Katedralen e Shën Kollit, aty ku ndodhet sot Mauzoleu, i cili u zbulua dhe u përcaktua si vendvarrim i prijësit legjendar, nga arkeologut të famshëm  Frano Prendi.

Vdekja e tij u përjetua si tronditje e thellë e Arbërisë, mbasi shqiptarët humbën prijësin, që i udhëhoqi për një çerek shekulli në një luftë të pabarabartë, si një ushtarak i madh. Fitoret e njëpasnjëshme  provuan, se Skanderbeu ishte një strateg i shkëlqyer, me aftësi të radha. Ai arriti të korrte fitore të suksesshme në beteja spikatëse siç mund të përmendim: betejën e  fitores duke u tërhequr në Torvioll, duke sulmuar në Ujët e Bardhë, duke luftuar kundër kalorësve të lehtë turq ose kalorësisë së rëndë italiane, apo duke i hapur betejë ushtrisë armike, si në: Oranik e Pollog, në shtigjet malore si në Grykën e Vajkalit. Figura e Skënderbeut mbeti po aq madhore dhe e dashur për popullin, që drejtoi edhe pas vdekjes së tij. Kronisti venedikas, Antonio Sabeliko shkruante 19 vjet pas vdekjes së heroit, në vitin 1487, se populli shqiptar “i këndon trimëritë e tij të çuditshme me vjersha solemne dhe me kanë treguar burra të denjë për t’u besuar se, ndërmjet zjarrit të luftës, në çastin kur çdo gjë dridhej përpara armëve të barbarit, një numër i madh vajzash mblidhej çdo ditë në udhëkryq të atyre vendeve ku Skanderbeu kishte sunduar, dhe këndonin lavdinë e princit të vdekur, ashtu siç e kishin zakon të moçmit në gostitë e hrejonjve të mëdhenj”. Një burrë shteti anglez, që jetoi në  shekullin XVII, i quajtur William Temple, e ka vendosur Skenderbeun në radhën e shtatë kapitenëve të mëdhenj, jo mbreterorë, pranë Belisarius, Huniadit, etj. Kujtimi i Gjergj Kastriotit mbeti i paharruar dhe u ruajt si gjëja ma e shtrenjtë dhe u bë burim frymëzimi për luftën çlirimtare edhe në kohët më të errëta Emri i Heroit u bë flamur i bashkimit të shqiptarëve në kalvarin e gjatë të mbijetesës së tyre, për t’u shfaqur pas 5 shekujsh, si simbol i bashkimit për të gjithë, në luftën për lirinë e vendit dhe krimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Epopenë e Skënderbeut, ne tradicionalisht e kemi të ndërtuar sot, duke u mbështetur në veprat e dy autorëve, Marin Barletit dhe Giammaria Biemmi. E një rëndësie të veçantë është edhe vepra e humanistit shkodran “Historia e Skënderbeut” , pasi përmes kujtimeve të bashkëkohësve dhe bashkëluftarëve, u botua për herë të parë në Romë, në harkun e viteve (1508-1510). Kopjet unikale të kësaj vepre ruhen si një relike e shenjtë, edhe në Bibliotekën e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” , si dhe  në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

Barleti na kujton faktin, se Emri SKANDERBEG, me të cilin u ba i famshëm heroi ynë kombëtar, prej emërimit të tij nga osmanët pas dorëzimit peng, kishte parasysh Aleksandrin e Madh të Maqedonisë, dhe është i lidhur  para së gjithash me madhështinë e figurës dhe veprës së tij , si dhe me rolin që ai luajti  për mbrojtjen dhe prirjen e rilindjes së një populli në një moment aq të vështirë historik. Kastriotët dhe Kastrioti i madh, përpunuan një stemë, që t’i lidhte ata me kohët e lavdishme të Molosëve Epirotas, Pirros, nga rridhte edhe Aleksandri i madh, të cilët, siç na e kumton Marin Barleti, shqiptarët e shekullit XV i njihnin me krenari, si pasardhës të tyre të drejtpërdrejt. Vetë Skenderbeu i shprehej kështu Princit të Tarentit në vitin 1460: “Ne quhemi epirotë dhe duhet ta dini, se në kohë të tjera, stërgjyshërit tanë, kanë kaluar në vendin tuaj, që ju e mbani sot dhe kanë bërë me romakët luftime të mëdha dhe e dimë se më të shumtën e herës, u ndanë me nder se sa  me turp”.

“Historia e jetës dhe e veprave të Skanderbeut, princit të epirotëve”, e Marin Barletit, asht nji vepër e përbame prej 13 librash, e mbështetur në dëshminë e tij personale, të bashkëqytetarëve të tij, që kanë qenë luftëtarë në Ushtrinë e Skenderbeut, ndërmjet të cilëve spikat, Pjetër Engjëlli, shok lufte dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejt në epope. Dashuria për Atdheun, është një nga idetë më të larta, që përshkon si një fill i kuq gjithë veprën e Barletit, të cilën ai e jep në përshkrimin e veprës së Skanderbegut. Dhe ai e vendos këtë fill në fjalët e Skanderbegut: “nëse dashuria për atdhe, burrëria, nderi i prindërve, mund t’ia ngjallin ndjenjat krenare ndokujt, atëherë, rrëmbeni armët, mprehni me plot të drejtë shpatat, mbrojini po e deshi puna edhe me gjak, Krujën e truallin e të parëve… kryejeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin kurrë s’duhet kujtuar, se është derdhur tepër gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër”.

Viti i Skanderbeut, asht nji kohë reflektimi, për së paku dy parime themelore drejtuese ndër shqiptarët e thjeshtë dhe ata vendimarrës (politikëbërës):

Së pari, është koha që trashëgimia europianiste, albanianiste, laike, konstitucionale dhe liridashëse, e epokës Skenderbegiane, të jetë aksioma udhërrëfyese e kombit tonë në procesin e bashkimit njërëzor ndërshqiptar dhe e drejtimit shtetëror drejt integrimit në Europën e Bashkuar. Dy shtetet shqiptare, pavarësisht mbështetjes së jashtëzakonshme të dhënë nga Aleati ynë themelor strategjik, krijuesi, mbrojtësi dhe garantuesi ndërkombëtarë i qenieve tona shtetërore në kohë të ndryshme, SHBA, gjenden sot në një moment frenimi në aspektet e ndërtimit të strukturave bashkëkohore të shtetit të së drejtës, respektimit të lirive, demokracisë funksionale, shekullarizimit të pacënueshëm. Sfidat e antishtetit, të lidhura me korrupsionin politik, krimin e organizuar, dobësia e shtetit para depërtimeve antialbanianiste, fryma e largimit të forcave të mirëfillta intelektuale dhe profesionale, kanë ndalur kohën e ecjes së procesit integrues europian dhe i kanë kthyer dy vendet shqiptare, nga pararoja të procesit integrues Euro-Atlantik, në vagonin e fundit të trenit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Brukselit. Dhe ky pozicion duhet të ndryshojë. Por mos harroni, se Shqipëria dhe Kosova, vetë, pa ndihmën e kualifikuar të burimeve të ditura shqiptare, të mbeshtetura nga Aleati ynë strategjik, nuk do të munden dot ta ndryshojnë këtë pozicion aspak optimist. Një pakt i menduar mirë, që do të skicojë një road map europianizues për Shqipërinë dhe Kosovën, do të ishte një imperativ, që Viti i Skënderbeut do të duhej ta prodhonte, dhe komuniteti shqiptar në SHBA do të duhej ta lobonte në të gjitha anët.

Së dyti, studimet shqiptare dhe shkenca shqiptare e studimeve për periudhën e Skënderbeut dhe historinë mesjetare në përgjithësi, kanë nevojë për një program të mbështetur në mënyrën më profesionale. Nuk duhet të fshehim më, se numri i studiuesve të kualifikuar, të cilët janë në gjendje të punojnë në mënyrë indipendente në burimet historike të shekujve (XII-XVII) është aq i kufizuar, sa shkenca shqiptare e studimeve mesjetare nuk është në gjendje të marrë pjesë dhe të përballojë debatin shkencor bashkëkohor në lidhje me problematikat, që shkencëtarët e huaj, kryesisht fqinj paraqesin herë pas here. Shteti, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, është tërësisht i pavëmëndshëm ndaj një ripërtëritjeje të strukturuar të Shkollës së Studimeve Historike dhe Albanologjisë e Ballkanologjisë në përgjithësi, ndërsa shkollat universitare vetë, pa një ndërhyrje strategjike të shtetit, nuk do ta kenë edhe për një përiudhë të gjatë mundësine për rivendosur në shtyllat e duhura procesin e formimit të studiuesit të mirëfilltë medievist.

Tiranë, më, 15 janar 2018,Nju Jork, 17 Janar 2018

* Mbajtur në Simpoziumin me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu organizuar nga Kisha Zoja e Shkodrës dhe Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”

Filed Under: Featured Tagged With: Romeo Gurakuqi, SI KOHE REFLEKTIMI, VITI I GJERGJ KASTRIOTI- SKENDERBEU

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT