• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2018

NË ZELANDËN E RE U SHËNUA 10 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 17, 2018 by dgreca

1 zelandeShkruan: Sabit Abdyli/4 xhoi
Auckland, 17 shkurt 2018/Në sallën e stolisur me flamurin kombëtar e të shtetit të Kosovës u tubuan tok së bashku shqiptaro-zelandezët për të festuar Ditën e Pavarësisë. Ditën më të rëndësishme të krejt historisë së Dardanisë, siç tha Sefedin Zeka me rastin e hapjes së manifestimit.
6 ZelandeNë ketë solemnitet ishte edhe konsulli i nderit për Republikën e  Kosovës në Zelandën e Re  prof. dr. Kenneth Jackson me  bashkëshorten e tij, zonjën Marry, i cili gjithë qejf e mori fjalën dhe me fjalët më të mira uroi të pranishmit.
2 zelandeJam i kënaqur, vazhdoi ai, që përfaqësoj Republikën e Kosovës dhe  kam bindjen  se do të bëjmë më të mirën për shtetin e Kosovës dhe të Zelandës së Re.
3 xelande 1
Nën tingujt e këngës shqipe  të tubuarit kokë më kokë  evokuan kujtimet e së kaluarës, drekuan me gatimet tradicionale të kuzhinës shqiptare, vallëzuan e kënduan deri në orët e vona të ditës. Vlen përmendur punën e Flamur Sejdiut i cili bëri  organizimin si është më së miri për mirëvajtjen e manifestimi.

Filed Under: Komunitet Tagged With: 10 vjetori i Kosoves, Sabit Abdyli, Zelanda e Re

Dhjetë vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe….

February 17, 2018 by dgreca

…mesazhi i përçarjes së kryeministrit të Shqipërisë/

2-enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi / Sot Kosova është në festë! Ka dhjetë vjetorin e lindjes së shtetit të saj! Një ditë që na bën krenarë të gjithë ne shqiptarëve! Një ditë e jashtëzakonshme dhe më e me kuptim sesa vetë shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, sepse 28 nëntori i 1912-ës pa 17 shkurtin e 2008-ës ishte gjysmak! Me 17 shkurtin e vitit 2008 shqiptarët u bënë me dy festa kombëtare! Rasti i vetëm në kontinentin europian, ndaj duhet të jemi e të ndjehemi krenarë! Kosova në këto dhjetë vjet ka kapërcyer sfida të shumta. Ka bërë një rrugëtim marathonomak, ka dëshmuar pjekuri, maturi dhe ka arritur vërtet shumë. Nëse ne debatojmë me kritika dhe qëndrime reflektuese, kjo ndodh për shkak se duam që njëherë në jetën tonë si komb të realizojmë më të mirën e mundshme. Mjaft kemi zgjedhur të keqen më të vogël, për të shpëtuar nga e keqja më e madhe! Shtetin e Kosovës tashmë e respektojnë qytetarët e saj. Simbolet e këtij shteti, fillimisht të kontestuara me të drejtë, janë bërë pjesë e identitetit të Kosovës, më së shumti për hatër të shtetit dhe jo të vokacionit! Dhe kështu është mirë! Pa konsolidimin dhe njohjen përfundimtare të shtëtësisë së Kosovës nuk ka të ardhme, përparim e zhvillim të kombit shqiptar! Në këto dhjetë vite shqiptarët e përjetojnë Kosovën në mënyra të ndryshme, disa me zemër, disa me stomak, disa me mendje, të tjerë me egoizëm të shfrenuar dhe pak sosh e përceptojnë “si lopë që i duhet marrë vetëm qumështi”! Por shumica dërmuese e shqiptarëve e duan Kosovën me zemër, një pjesë e madhe prej tyre me zemër e me mendje, janë shumë pak ata që e duan Kosovën si rezervat të pasurimit të tyre dhe si mundësi të provokimeve në funksion të mbajtjes së pushtetit. Një ndër këta është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama! E gjithë bota në ditën e dhjetë vjetorit të Kosovës përcolli mesazhe pajtimi, unifikimi dhe fjalë miqësie e inkurajimi prej të urtësh. Ndërsa Edi Rama përdori në Prishtinë mbrëmjen e kaluar diskursin e Aleksandër Vuçiç, duke përçarë politikën shqiptare në Prishtinë. Dikush thotë se “ishte ditë feste dhe pija ka bërë punën e vet”! Dikush tjetër aludon se janë vjedhur pasuordet e FB të dy kryeministrave! E vërteta është se kryeministri i Shqipërisë jo vetëm përçan me diskursin e tij arrogant, por e bën këtë edhe me veprimet protokollare të pazakonta. Ai është kryeministër dhe si i tillë ka për detyrë funksionale të jetë mysafir i kryeministrit të Kosovës. Por Edi Rama nuk di protokolle, nuk di rregulla, e madje me qëllim të caktuar i shkel ato. I mban lidhjet protokollare me miqtë e tij në Prishtinë. Në rastin konkret me Hashim Thaçin, i cili ka për homolog në Shqipëri Ilir Metën! Hashimi me vetëdije i prin së keqes, prishjes së rregullit, sepse nuk heq dorë nga protagonizmi i tij në Kosovë, edhe pse Kosova është Republikë Parlamentare! Kështu ndodhte gjithashtu me Isa Mustafën, i cili ishte detyruar t’i tregonte Ramës kufirin e sjelljes ndaj tij. Këtë tentoi të bënte kryeministri Haradinaj mbrëmë, kur i tregoi kufijtë e kësaj sjelljeje Edi Ramës! Një raport dhe një marrëdhënie e paprecedent ndërshqiptare e midis shteteve! E gjitha për fajin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, sepse edhe në ditë feste është në kërkim të protagonizmit e vihet në funksion të politikave përçarëse! Me akte të tilla përçarëse ai prish mortin e dasmën! Eshtë i paparashikueshëm e si i tillë i rrezikshëm jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe për stabilitetin e paqen në rajon. Kosova po feston sot 10 vjetorin e pavarësisë. Por sfidat e saj nuk kanë përfunduar. Eshtë fjala për sfidën e shtetësisë. Nëse Kosova do të besojë se miku i ngushtë i Aleksandër Vuçiç dhe i Baton Haxhiut, pra se Edi Rama do të ndihëmojë atë për të kapërcyer sfidat e ardhshme, Kosova dhe institucionet e saj gabohen rëndë. Nëse ndodh kjo, 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës do ta festojmë me ndarjen e saj. Prandaj, i bindur në destruktivitetin e kryeministrit të Shqipërisë, i bëj thirrje më së pari mikut të ngustë të Edi Ramës, pra presidentit të Kosovës, të heqë dorë nga bashkëpunimi në të keqe me kryeministrin aktual të Shqipërisë, të refuzojë këshillat dhe mendjen e tij ngatërrestare, të krijojë konsensus dhe kohezion në politikën e Kosovës, të mos synojë protagonizmin e tij në shembullin e Edi Ramës, por të ndihëmojë që Kosova të bëhet shtet me të drejta të plota në të gjitha organizatat ndërkombëtare e me sovranitet të plotë në kufijtë e saj aktualë! Sa kohë që Edi Rama do të lejohet të ndërhyjë në punët e Kosovës, aq kohë Kosova nuk ka për të patur hajr, nuk ka për të shënuar ndonjë sukses, përveçse regresit të pashmangshëm! Edhe nëse e lejoni Aleksandër Vuçiçin të vijë në Kosovë për arësye diplomatike, nxirreni jashtë kryeministrin e Shqipërisë, sepse ju përçan dhe ju denigron më keq se presidenti i Serbisë! Së paku Aleksandër Vuçiç ruan një farë etike, ndërsa ky i joni e bën llom kudo që shkel!

Filed Under: Analiza Tagged With: 10 veetori i Kosoves, Enver Bytyci, mesazhi i Edi Rames

Njëqind vjet luftoi Kosova

February 16, 2018 by dgreca

PËLLUMB LAMAJ/1 Ok Pellumb Lamaj

NJËQIND VJET …/

Kishte burra Shqipëria/
Me shpirt e donin vatanin/
Jo si sot xhandar partish/
Atdheut i vënë zjarrin/

Do bashkohet Shqipëria/
Me Kosovë e Çamëri/
Thërret gjaku i dëshmorëve/
Zëri nënës Shqipëri…./

Njëqind vjet u pre pema e Lirisë
Por rrënjët e kombit ishin të thella
Ato njomeshin me gjak martirësh
Filiza buronte Kosova ndër breza

Njëqind vjet u pre flamuri
Me mijëra thika u copëtua
Jo,nuk vdiq Shota Galica,
Xhem Gostivari,Shaban Polluzha

Njëqind vjet luftoi Kosova
Kurrë nuk u dorëzua shqiptari
Jehojnë trojet e Shqipërisë Etnike
Të qofshim fal Familja Jashari

Sot na thërret Presheva martire
Sytë e përmalluar kërkojnë trungun nënë
Po troket ora e racës Ilire
Kush është burrë,të ngrihet në këmbë

Prekaz Drenicë…2012

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Njëqind, Pellumb Lamaj, vjet luftoi Kosova

KRONIKA- SHKURT-KOSOVA NE 10 VJETOR

February 16, 2018 by dgreca

Nderime në Prekaz e Prishtinë/

-Kryeministri Haradinaj: Sot nderojmë sakrificën dhe punën e madhe të të gjithë atyre që u flijuan për Pavarësinë e Kosovës/

Prekaz-Prishtinë, 16 shkurt 2018-Gazeta DIELLI/

“Jemi këtu në vendin e sakrificës, në vendin e kthesës, në Prekaz, në varrezat e familjes Jashari, Komandantit Legjendar Adem Jashari. Përulemi me respekt. Lavdi të rënëve për liri dhe urime Kosovë dhjetëvjetori i Pavarësisë. Urime shqiptarëve kudo që janë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas homazheve tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

I shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, kryeministri Haradinaj, më pas ka vazhduar me homazhe edhe te shtatorja e Zahir Pajazitit, në varrezat e dëshmorëve në Velani dhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Në këtë ditë, kryeministri Haradinaj ka kujtuar sakrificën e të rënëve për liri dhe punën e palodhshme të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për pavarësinë e vendit.

“Urime 10 vjetori i Pavarësisë gjithë qytetarëve të Kosovës, shqiptarëve kudo që janë. Nderojmë sakrificën, punën e madhe dhe flijimet e atdhetarëve. Në këtë rast, nderojmë presidentin historik Ibrahim Rugova, nderojmë veprën e tij për pavarësinë e Kosovës. Urime!”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

****

* Presidenti Thaçi dekorojë me Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë të gjithë deputet që votuan dhe nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij ligjore dhe kushtetuese, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë të gjithë deputetët që më 17 shkurt 2008, votuan dhe nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës.Gjatë ditës, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar me Medalje Presidenciale në 10-të Vjetorin e Pavarësisë personalitete kombëtare dhe ndërkombëtare, organizata vendore dhe ndërkombëtare.

***

Kosovë-Vizitorë nga Qeveria e SHBA-ve për 10 vjetorin e pavarësisë

PRISHTINË, 16 Shkurt 208-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë deklaroi sot se do të mirëpresë në Kosovë Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare, Robert Karem, dhe Ndihmës Administratorin e USAID-it për Evropë dhe Evroazi, Brock Bierman, të cilët vijnë për të nderuar festimet e Dhjetëvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. “Shtetet e Bashkuara janë krenare për përkrahjen tonë dhënë Kosovës që nga viti 2008, dhe presin që të festojnë me shumë miq dhe aleatë këtë javë”, thekson deklarata e dërguar, ku bëhet e ditur edhe axhenda e takimeve.Duke nisur prej sot e ditëve të ardhshme Karem dhe Bierman do të kenë takime të veçanta me drejtuesit e institucioneve më të larta të Kosovës. Karem do të mbajë fjalim në emër të Qeverisë së SHBA-ve në Pritjen Shtetërore.

***

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, uron presidentin Thaçi me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës

Prishtinë, 16 shkurt, 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë një letër urimi nga Presidenti i Komisionit Evropian, Claude-Juncker, me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Letra e plotë:

Shkëlqesia Juaj,

Ju faleminderit për letrën tuaj dashamirëse të datës 26 janar 2018 përmes së cilës më keni ftuar të marr pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, më 18 shkurt 2018, në Prishtinë.Fatkeqësisht, nuk do të kem mundësi të jap një përgjigje pozitive për ftesën tuaj për shkak të angazhimeve ekzistuese në ditën përkatëse.Megjithatë, kam kënaqësinë t’ju informoj se do të vij për një vizitë në Prishtinë më 28 shkurt 2018, në kuadër të vizitës sime në Ballkanin Perëndimor.Përfitoj nga kjo mundësi për t’ju përcjellur dëshirat e mia më të mira për ngjarjen solemne.

Sinqerisht i Juaji,

Jean-Claude Juncker
President i Komisionit Evropian

***

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier uron presidentin Thaçi për dhjetëvjetorin e pavarësisë

Prishtinë, 16 shkurt, 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë, ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Letra e plotë:

Zoti President,

Në përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Juve dhe të gjithë qytetarëve të vendit Tuaj ju uroj nga zemra.Kur kthej kokën nga dhjetë vjetët e shkuar, gëzohem posaçërisht të shoh se shtetësia e Kosovës është arritur të konsolidohet në mënyrë të qëndrueshme. Më shumë se 110 njohje, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe rishtazi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian paraqesin një bazë të qëndrueshme për zhvillime të tjera të suksesshme në vendin Tuaj.Në vitet e ardhshme mbetet qenësore që Kosova të vazhdojë me vendosmëri rrugën e reformave, para se gjithash në fushën e sundimit të ligjit dhe ekonomisë. Unë, veç kësaj, Ju inkurajoj që së bashku me Serbinë të bëni hapa përpara në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ju mund të jeni të sigurt se Gjermania do të mbetet edhe më tej një partnere e besueshme e Kosovës.Edhe në emër të bashkëkombësve të mi, të gjithë qytetarëve në Kosovë iu uroj një të ardhme paqësore në mirëqenie dhe liri, ndërsa Juve mbarësi.

Frank-Walter Steinmeier
President i Republikës Federale të Gjermanisë

***

Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, uron presidentin Thaçi për dhjetëvjetorin e pavarësisë

Prishtinë, 16 shkurt, 2018 – Në vazhdën e urimeve me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë një telegram urimi edhe nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella.

Letra e plotë:

Shkëlqesisë së tij Hashim Thaçi

President i Republikës së Kosovës

Me rastin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë, kam kënaqësinë që në emër të popullit italian dhe në emrin tim t’Ju përcjell urimet më të mira të prosperitetit dhe mirëqenies për Republikën e Kosovës.
Gjatë këtyre dhjetëve vjetëve, Prishtina dhe Roma kanë ndërtuar një marrëdhëniet të fortë dypalëshe. Italia ka rikonfirmuar vazhdimisht afërsinë e saj me Kosovën, duke përcjellur – siç dëshmohet edhe nga pjesëmarrja jonë në misionet ndërkombëtare si EULEX-i dhe KFOR-i – forcimin e institucioneve dhe sigurisë së saj.Për më tepër, Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Italisë në rrugëtimin e integrimit evropian që nga pavarësia e saj, një synim që duhet realizuar përmes normalizimit të plotë të marrëdhënieve me shtetet fqinje, veçanërisht me Serbinë, dhe miratimin e reformave të brendshme që kanë për qëllim konsolidimin e rendit dhe ligjit.Duke Ju uruar sukses të plotë në ceremonitë për festimin e këtij përvjetori të rëndësishëm, ku për fat të keq nuk do të mund të marr pjesë, edhe një herë shpreh urime më të përzemërta për Ju dhe për popullin mik kosovar.

Sergio Mattarella

President i Republikës Italiane

 

***

Presidenti austriak Alexander Van der Bellen uron presidentin Thaçi për dhjetëvjetorin e pavarësisë

Prishtinë, 16 shkurt, 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të dhjetëvjetorin të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka marrë një telegram urimi edhe nga Presidenti i Republikës Federale të Austrisë, Alexander Van der Bellen.

Letra e plotë:

I nderuari z. President,

Ju faleminderit për ftesën për festimet e datës 18 shkurt me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës.Me keqardhje më duhet të Ju njoftoj se pjesëmarrja ime në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës nuk është e mundur për arsye të agjendës së planifikuar kohë më parë.Megjithatë, më lejoni që me këtë rast të Ju shpreh urimet e mia të sinqerta me rastin e dhjetëvjetorit të ekzistimit të Republikës së Kosovës dhe të Ju dëshiroj suksese në realizimin e detyrave Tuaja të marrë me këtë funksion të lartë.

Me nderime,

Alexander Van der Bellen
President i Republikës Federale të Austrisë

***

Presidenti Thaçi për World Street Journal: Kosova është mrekullia e vogël e Evropës

Në një shkrim autorial për gazetën prestigjioze amerikane, “The Wall Street Journal”, në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se pas një dekade si republikë e pavarur, Kosova ka mjaft arsye për të festuar.Por, siç thotë ai, ndërsa ne i vlerësojmë arritjet dhe sfidat me të cilat përballet shteti ynë, duhet të kujtojmë pikën fillestare të zymtë dhe rrugën pasuese që Kosova ka marrë për të arritur shtetësinë.“Kam qenë ende student kur diktatori Sllobodan Millosheviq nisi një sërë luftërash në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ai ngulmonte që ta krijonte atë që ai e ka quajtur “Serbi e Madhe” dhe imponoi me forcë regjimin e aparteidit ndaj shqiptarëve të Kosovë”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se shqiptarët e Kosovës bënë përpjekje që të përgjigjen përmes rezistencës paqësore gjatë fillimit të viteve 1990, por racionaliteti nuk mbizotëroi. Ai tha se kjo ishte arsyeja pse duhej të fillonim të luftonim për lirinë tonë dhe të shpresonim që ata që besonin në vlerat perëndimore do të na ndihmonin.

“Pushkat tona të gjuetisë as që mund t’i bënin ballë ushtrisë dhe policisë serbe. Shpirti ynë dhe vlerat tona ishin të forta, por kjo kishte pak rëndësi pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të bashkësisë ndërkombëtare. Kosova u shpëtua nga ata që ndjenin përgjegjësinë për të mbrojtur civilët nga një gjenocid tjetër ballkanik”, ka shkruar presidenti Thaçi.I pari i vendit ka shtuar se që nga momenti që Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) çliroi Kosovën më 1999, ishte e qartë se një shtet i ri do të lindte. Republika e Kosovës u bë shteti më i ri në Evropë më 17 shkurt 2008.

Presidenti Thaçi ka shkruar se ata që e lexojnë deklaratën tonë të pavarësisë e kuptojnë se asgjë në përpjekjet tona për ndërtimin e shtetit nuk ishte e njëanshme. Negociatat e udhëhequra nga laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, ishin të thella dhe shteruese. NATO, Bashkimi Evropian dhe aleatë të tjerë punuan së bashku për të siguruar paqen dhe stabilitetin pas pavarësisë. Puna e tyre ishte jetike për të siguruar një tranzicion të qetë.Ai ka theksuar se Kosova ka pasur kundërshtarët e saj që nga ditët e para.“E majta ekstreme konsideron Kosovën një kukull të imperializmit amerikan dhe britanik, ndërsa e djathta ekstreme nuk e çmon diversitetin tonë fetar dhe etnik. Këto ekstreme janë imponuar në peisazhin politik dhe mediatik trans-atlantik – dhe, fatkeqësisht, u ndihmuan nga makineria propagandistike e Rusisë – dhe trysnia ndaj Kosovës nuk është zbutur”, ka shkruar ai.Megjithatë, shkruan presidenti Thaçi, Kosova është shteti me rritjen më të shpejtë ekonomike mesatare në Ballkanin Perëndimor në dekadën e fundit.
“Ne ishim të parët në rajon që zgjodhëm një presidente grua. Sportistët tanë, producentët e filmit, muzikantët dhe personalitetet kulturore nga vendi ynë kanë fituar vëmendje ndërkombëtare”, ka shkruar ai.Tutje, presidenti Thaçi shkroi se sfidat mbeten. Ai theksoi se ka udhëhequr dialogun me Serbinë që prodhoi Marrëveshjen historike të Brukselit më 2013, e cila hapi një epokë të rë për paqen dhe bashkëpunimin mes dy shteteve, pas një shekulli të armiqësive. Gjithashtu, ai është shprehur se mbetet i angazhuar për të punuar drejt një marrëveshjeje të re përfundimtare që do të shënojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Bashkimi Evropian është ngatërruar disi. Në strategjinë për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor që ka aprovuar së fundi, Kosova fare pak përmendet, e supozohet se kjo vjen si rezultat i shqetësimeve të Spanjës rreth separatizmit. Sidoqoftë, miqtë tanë në Madrid e dinë se Spanja nuk kishte një Sllobodan Millosheviq, dhe Kosova nuk është Kataloni. BE-ja, me pohimet e saj për zonat e përbashkëta tregtare dhe çështjet e tjera teknike, po ia huq thelbit. Sigurisht se ne duhet t’i përmbushim kushtet e BE-së për mjedisin, ekonominë dhe sundimin e së drejtës. Por, ne vërtetë jemi në rrugën e duhur”, ka shkruar presidenti Thaçi në editorialin e tij për gazetën amerikane “The Wall Street Journal”.

***

Presidentja kroate Kollinda Grabar-Kitaroviq uron presidentin Thaçi për dhjetëvjetorin e pavarësisë

Prishtinë, 16 shkurt, 2018 – Presidentja e Republikës së Kroacisë, Kollinda Grabar-Kitaroviq, në prag të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Letra e plotë:

I nderuari z. President,

Përzemërsisht Ju falënderoj për letrën Tuaj në të cilën me ftoni në ceremoninë solemne të shënimit të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet më 18 shkurt të vitit 2018 në Prishtinë.Fatkeqësisht, për shkak të obligimeve shtetërore të dakorduara më herët, nuk do ta kem mundësin të jem e pranishme në ngjarjen e cekur. Gjithashtu, dua t’ju informoj që në ceremoninë solemne të shënimit të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, mua do të më përfaqësojë zonja Marija Kapitanoviq, ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Republikën e Kosovës.Juve zotëri President, Ju dëshiroj mbajtjen e suksesshme të këtij përvjetori të rëndësishëm, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shtetin Tuaj dhe tërë popullin kosovar. Republika e Kroacisë fuqimisht e mbështet pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës, si dhe realizimin e anëtarësimit në integrimet euro-atlantike.Shpresoj që se shpejti do ta kemi një rast ku mund t’i shkëmbejmë mendimet, si për perspektivat e avancimit të mëtejshëm e raporteve tona, ashtu edhe mbi çështjet e rëndësishme, që i kontribuojnë stabilizimit të gjendjes në Evropën Juglindore dhe përfundimit të projektit të unifikimit evropian.

Ju lutëm, i pranoni z. President, konsideratat e mia më të larta.

Kollinda Grabar-Kitaroviq

***

Rita Ora comes to Prishtina tomorrow

In honor of the 10th Anniversary of the Independence of Kosovo, the world famous singer with origin from Kosovo, Rita Ora, will join the Jubilee celebrations.Rita Ora will arrive in Kosovo tomorrow at 13:00 o’clock, and at 15:00 o’clock, together with the Organizational Council for the Marking of the Anniversary of the Independence, she will hold a conference for local and international media at the Swiss Diamond Hotel, who are staying in Kosovo these days.The singer with origin from Kosovo, Rita Ora, has personally expressed her readiness to come and sing in Prishtina, thus making a gift to the Republic of Kosovo on the big jubilee, on the tenth anniversary of the declaration of independenceThe performance of our world-famous singer will stretch from the “Skenderbeu” square, along the Mother Teresa” square, to the “Zahir Pajaziti” square in Pristina on February 17, 2018, at a festive concert that starts at 20:00 o’clock.

At the request of Rita Ora, the entire festive concert will be open to all citizens of Kosovo.We invite you all to join us at this jubilee celebration and to rejoice jointly the achievements of our country so far.

***

Veseli: Krenarë me partneritetin Kosovë-SHBA

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim Ndihmës Administratorin e USAID-it për Evropë dhe Evroazi, Brock Bierman.Në takim i diskutua për mbështetjen e vazhdueshme që populli amerikan, nëpërmjet USAID-it dhe organizatave të tjera, ka dhënë dhe po jep për Kosovën, në rrugën e saj të zhvillimit demokratik dhe shtetndërtimit.Kryeparlamentari Veseli tha se mbështetja e taksapaguesve amerikanë për Kosovën në vlerë prej 900 milionë dollarësh, ka dhënë efektet e saj pozitive në shumë segmente të jetës në Kosovë. “Tani, në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, në emrin e gjithë popullit të Kosovës falënderoj të gjithë taksapaguesit amerikanë për këtë mbështetje. Si Kuvend i Kosovës jemi krenarë për partneritetin me USAID-n”, theksoi kryeparlamentari Veseli.Ndihmës Administratori e USAID-it për Evropë dhe Evroazi, Brock Bierman tha se Kosova ka shënuar zhvillim që nga vizita e tij e fundit në Kosovë. Ai tha se ndihet e kënaqur që po merr pjesë në shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. “Jam këtu për të forcuar raportin me Kosovën dhe të uroj për përparimet që janë bërë që nga vizita e fundit. Jam këtu që një ditë dhe po shoh ndryshime të jashtëzakonshme”, theksoi Bierman.

***

Kosova e Shqipëria Konsullatë të përbashkët në Danimarkë

-Në Kopenhagë inaugurohet Konsullata e përbashkët Kosovë – Shqipëri/

Kopenhagë, 16 Shkurt 2018-GazetaDIELLI/  Në një ceremoni të veçantë në Kopenhagë të Mbretërisë së  Danimarkës, Konsulli i Republikës së Kosovës në Kopenhagë, Arton Krasniqi dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Kastrit Robo,kanë bërë inaugurimin e Konsullatës së përbashkët të dy vendeve tona.

Në prani të autoriteteve daneze dhe trupit diplomatik të akredituar në Kopenhagë, konsulli Krasniqi ka theksuar nevojën e vazhdimit të projekteve të përbashkëta dhe inicimin e nismave të reja të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, si dhe për bashkëpunim në kuadër të agjendës bilaterale dhe multilaterale. “Sot është një ditë e veçantë, pasi po hapim konsullatën e përbashkët me Shqiperinë,  e treta e këtij lloji dhe gjithsesi jo e fundit. Këtë ditë e madhështon data e neserme, 10 vjetori i pavarësisë së Kosovës, pavarësi kjo që nuk u arrit leht kur kemi pasrasyshë sakrificën e shumë brezave”, tha konsulli Krasniqi.Nga ana tjetër ambasadori i Shqipersisë, Kastriot Robo në fjalën e tij para të pranishmëve e ka vlerësuar lartë aktin e hapjes së Konsullatës së përbashkët. ”Do të punojmë së bashku për t’i ofruar shtetasve si të Republikës së Shqipërisë ashtu edhe të Republikës së Kosovës, shërbime sa më pozitive sa më moderne, profesionale dhe nuk ka dyshim se qytetarëve tonë do t’iu ofrohen shërbime sa më të mirë të mundshme.Ai ndër të tjera tha se kjo konsullatë do jetë adresë kryesore të kërkesave të qytetarëve tanë për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të promovuar të drejtat dhe identitetin e tyre.”Po ashtu, do të jetë një pikë reference për bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës e Danimarkës, pasi ky rajon përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të partneritetit strategjik mes dy vendeve si dhe është ndër më të pasurit dhe më të zhvilluarit në botë dhe do të shndërrohet në adresën kryesore të kërkesave të qytetarëve tanë për të mbrojtur interesat e tyre e për të promovuar të drejtat dhe identitetin”, ka thënë konsulli i Kosovës Arton Krasniqi./b.j/

***

Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë Julie Payette uron Presidentin Thaçi për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës

Prishtinë, 16 shkurt 2018 – Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Julie Payette, i ka dërguar një telegram urimi Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Letra e plotë:

Shkëlqesi,

Në emër të të gjithë kanadezëve, do të doja t’ju falënderoj për ftesën tuaj xhentile. 10 vjetori i pavarësisë së Kosovës është një mundësi për të festuar të gjitha arritjet që njerëzit tuaj kanë bërë në dekadën e fundit.

Më vjen keq që nuk do të jem në gjendje t’ju bashkohem më 18 shkurt, për shkak të një agjende tashmë të plotë; megjithatë, një përfaqësues kanadez do të jetë i pranishëm për të përcjellë rëndësinë e marrëdhënieve tona, të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta dhe interesat e përbashkëta

Ju dëshiroj juve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës gjitha të mirat përderisa ju shënoni këtë ditë të lumtur.

E juaja sinqerisht,

Julie Payette

***

Presidenti Thaçi dekoron kryeministrin e Republikës së Shqipërisë me medaljen presidenciale

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dekoruar kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me medaljen presidenciale në dhjetëvjetorin e pavarësisë.

Presidenti Thaçi shprehu falënderimin e tij kryeministrit Rama për vizitën në Kosovë, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.Kreu i shtetit tha se “Sot pata nderin dhe kënaqësinë në autoritetin tim kushtetues dhe ligjor që të ndaj medaljen presidenciale me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë për kryeministrin e Shqipërisë, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Duke e vlerësuar lartë kontributin e kryeministrit Rama, presidenti Thaçi tha se zëri i tij ka qenë i fuqishëm në mbështetje të lirisë, por edhe të shtetndërtimit. “Duke çmuar dhe respektuar shumë angazhimet për konsolidimin e shtetit të Kosovës, në proceset më të vështira që ka kaluar vendi, zëri i Edit ka qenë i fuqishëm në mbështetje të lirisë së Kosovës, në mbështetje të procesit të shtetndërtimit, edhe tash të konsolidimit dhe të integrimit të Kosovës sa më të shpejtë edhe në NATO, edhe në Bashkim Evropian”, tha presidenti Thaçi.Ndërsa Kryeministri Rama tha se është një nga momentet më emocionuese të tij. “Është pa diskutim një nga momentet më emocionuese për mua. Është një nder i jashtëzakonshëm, dhe dua t’ju shpreh gjithë mirënjohjen time juve personalisht dhe dua të falënderoj Kosovën për këtë emocion kaq të paharrueshëm”, tha Kryeministri Rama.Presidenti Thaçi tha se projekti i Kosovës së lirë dhe i pavarur, pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian është edhe projekt i përbashkët.

Filed Under: Kronike Tagged With: 10 vjet, Behlul Jashari, kosova, kronike

AMBASADORI XHEJMS PËRDU: PAJTUESI I BALLKANIT

February 16, 2018 by dgreca

 James W. Pardew: “Peacemakers: American Leadership and the End of Genocide in the Balkans”/

1 Peacmaker Pardew

 (Me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës)/                                         

1-Frank-300x212

  Nga Frank Shkreli/

Konsullata e Republikës së Kosovës në Nju Jork, si pjesë e veprimtarive të saj në kuadër të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, organizon të martën që vjen, me 20 Shkurt, promovimin e librit të posa botuar të Ambasadorit amerikan Xhejms Përdu (James W. Pardew) me titull: “Peacemakers: American Leadership and the End of Genocide in the Balkans” (Pajtuesit: Udhëheqja Amerikane dhe Fundi i Gjenocidit në Balkan). Ambasadori Përdu ka patur një karierë të gjatë dhe të dalluar ushtarake dhe diplomatike. Para se të fillonte karierën e tij diplomatike, Z. Përdu kishte shërbyer në ushtrinë amerikane për 27 vjetë, në detyra të larta të inteligjencës, përfshirë, ndër të tjera, postin e zëvëndës Drejtorit për Inteligjencë dhe Drejtor i Inteligjencës së Jashtme, në periudhën e shembjes së komunizmit anë e mbanë Evropës lindore dhe qëndrore dhe në ish-Bashkimin Sovjetik.

Ai doli në pension nga ushtria amerikane në vitin 1994 për të filluar një karierë të re në diplomaci.   Gjatë krizës ballkanike, Xhejms Përdu ishte në qëndër të zhvillimeve dhe të veprimtarive politiko-diplomatiko-ushtarake të Shteteve të Bashkuara në atë rajon, duke filluar që në vitin 1995, fillimisht si pjesëmarrës në negociatat e ish-ambasadorit Riçard Holbruk për të ndaluar luftën në Bosnje, e deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.  Ambasadori Përdu llogaritë në rezymën e tij profesionale edhe detyrën e kryenegociatorit amerikan në bisedimet e Ohrit midis palës shqiptare dhe palës sllavo-maqedonase.  Z. Perdu ka kryesuar gjithashtu edhe task-forcat, ose grupet ndër-qeveritare të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, të organizuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga Pentagoni gjatë krizave në Ballkan, ndërkohë që ka shërbyer edhe si këshilltar politik pranë Aleancës së NATO-s.   Ishte në këtë kapacitet që unë kam pasur rastin dhe fatin e mirë që e kam takuar Ambasadorin Përdu, pasi isha caktuar Drejtor për Europën të merrja pjesë — si përfaqsues i VOA-s si njëra ndër entet e interesuara — në takimet ndër-qeveritare të punës për Ballkanin, ku merrnin pjesë përfaqsues të shumë agjencive amerikane, e të cilat kryesoheshin dhe koordinoheshin nga Ambasadori Përdu.  Fillimisht, Z. Përdu u emërua Drejtor i Zyrës përgjegjëse për Ballkanin, në Departmentin e Mbrojtjes dhe nga viti 1996 e deri në vitin 2008 ka shërbyer në Departamentin Amerikan të Shtetit.  Në vitin 1997, Presidenti Bill Klinton e emëron Z. Perdu në detyrën e Ambasadorit, emërim i cili u miratua nga Senati i Shteteve të Bashkuara.

“Ai është i njohur në qarqet ballkanike dhe e njeh mirë Ballkanin”, ka thënë për Ambasadorin Përdu, ish-ambasadori dhe ish zëdhënsi i Departmentit të Shtetit, Filip Riker edhe vet ky njohës shumë i mirë i çështjeve ballkanike.  Ambasadori Xhejms Perdu, duke filluar nga viti 1966 e deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ka qenë në qëndër të politikës amerikane kushtuar Kosovës dhe si i tillë ka luajtur një prej roleve kryesore në zhvillimet politike, diplomatike, ushtarake dhe ndërkombëtare, të cilat me në fund – nën udhëheqjen kryesore të Shteteve të Bashkuara – më në fund çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, 10-vjetori i të cilës festohet me 17 Shkurt.  Nga viti 1999 e deri në 2001, Ambasadori Perdu ka shërbyer si Zëvëndës këshilltar i posaçëm i Presidentit dhe i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Ballkanin, gjatë luftës së NATO-s në Kosovë dhe si i tillë ka marrë pjesë në bisedimet diplomatike për paqë, që pasuan konfliktin.  Në këtë kapacitet, Z. Perdu ka zhvilluar, gjatë asaj kohe, bisedime me krye-kriminelin serb Sllobodan Millosheviç dhe me udhëheqsit politikë shqiptarë të Kosovës.  Në Uashington ai ka shërbyer si bashkrendues i Misionit Verifikues Ndërkombëtar dhe pas fushatës së suksesshme të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, Z. Xhejms Përdu ka luajtur rol të rëndësishëm në vendosjen e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë dhe në krijimin e institucioneve qeveritare dhe të sigurisë në atë vend.  

Përveç punës së tij të dalluar në lidhje me fatin e të ardhmes së Kosovës, Ambasadori Përdu është marrë gjithashtu edhe me të drejtat e shqiptarëve në përgjithësi në rajonin e Ballkanit.  Sekretari i Shtetit, në administratën e Presidentit Xhorxh W. Bush, Gjenerali Colin Powell e ka dërguar Ambadorin Përdu në Maqedoni, në verë të vitit 2001, për të gjetur një zgjidhje politike ndaj konfliktit etnik të përmasave që rrezikonin të fusnin Maqedoninë në një luftë civile, me pasoja të rënda për mbarë rajonin e Ballkanit.  Pas disa javë negociatash, të dy palët arrijtën marrveshjen e quajtur “Marrveshja e Ohrit”, e cila u nënshkrua nën mbikqyrjen e Ambasadorit Përdu dhe përfaqsuesit evropian, në gusht të vitit 2001.   Më vonë, nga viti 2005-2008, Ambasadori Përdu ka shërbyer në detyrën e Zëvëndës Ndihmësit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, i cili ka mbikqyrur stafin ndërkombëtar për Operacione dhe Menaxhim Krizash me qëndër në Bruksel, me përgjegjësi, ndër të tjera, për zhvillimin e politikës së NATO-s ndaj Kosovës.  Falë përvojës së tij të gjatë në konfliktet e Ballkanit, Ambasadori Përdu ka marrë pjesë edhe në bisedimet e Grupit të Kontaktit, si përfaqsues i NATO-s, bisedime këto që kishin të bënin me zhvillimin e politikës ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe njëherazi ka dhënë ndihmesën e tij edhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të ashtuquajturin Plani Ahtissari, përpjekje këto që më në fund përfunduan në pavarësinë e Kosovës.

 Libri i posa botuar i Ambasadorit Përdu, “Pajtuesit: Udhëheqja Amerikane dhe Fundi i Gjenocidit në Balkan”, sipas botuesit, është historia e parë gjithëpërfshirse e një ndërhyrjeje të suksesshme shumëkombëshme në Balkan nga vitit 1995-2008, e treguar nga një zyrtar i lartë amerikan, i cili gjëndej në qëndër veprimtarive dhe përpjekjeve të drejtë për drejta,  për të para ndaluar   krizat dhe si njëro prej përpiluesve kryesorë i politikave për zgjidhjen eventuale të tyre.  Ai, ndër të tjera, përshkruan në hollësi se si i ndjeri Riçard Holbrooke dhe përfaqsuesit amerikanë pas tij, ndihmuan për të ndaluar ose para ndaluar luftëra shkatërruese në Bosnje, Kroaci, Kosovë dhe Maqedoni.  Në librin e tij, ai flet për dramën njerëzore në luftë por edhe në fushën e diplomacisë, duke pasqyruar njëkohësisht edhe motivet, karakterin, talentin dhe dobësitë e udhëheqësve të rajonit me të cilët i është dashur të punonte gjatë asaj periudhe.  Në kujtimet e tija, “Ambasadori Përdu demonstron se përdorimi i fuqisë ushtarake amerikane për të pakësuar dhe për të eliminuar vuajtjet njerëzore, është në përputhje të plotë me vlerat amerikane”, thuhet në vlerësimin e librit nga ana e botuesit.  Megjithse kanë kaluar disa vite nga luftrat në Ballkan, libri i Z. Përdu është gjithashtu një kujtesë edhe për situatat e sotëme të krizës në botë se pa udhëheqjen e vendosur të Shteteve të Bashkuara dhe pa një bashkpunim shumëkombësh, është e vështirë të merret me mend zgjidhja e krizave kritike ndërkombëtare kudo qofshin atë.

Në një vlerësim të librit të ri të Ambasadorit Përdu, Marc Grossman, ish-Zëvëndës Sekretari amerikan i shtetit pët Çështje Politike shprehet se, amerikanët duhet ta ndjejnë vetën të lumtur që Ambasadorin Përdu, siç ishte shprehur edhe ai vet, “e kishte tërhequr diçka në Ballkan”.  Ish-diplomati amerikan Grossman vlerëson se diplomati Xhejms Përdu ka kontribuar pa ndërprerje dhe pozitivisht për kauzën e paqës dhe të drejtësisë në atë pjesë të Evropës, të prekur nga dhuna.  Ai e cilëson librin gjithashtu si një studim të rëndësishëm se si dhe kur duhet të përdoren të gjitha mjetet politike, diplomatike dhe ushtarake të shtetit, për të realizuar misionin e caktuar. 

 Në këtë 10-vjetor të pavarësisë së Kosovës, jo vetëm Amerika duhet të jetë e lumtur – siç thotë Marc Grosmman – për rolin që ka luajtur Ambasadori Përdu dhe nepërmjet tij e kolegëve të tij amerikanë e ndërkombëtarë të jemi mirënjohës edhe për rolin që kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë Shtetet e Bashkuara në Kosovë dhe në rajon – gjatë luftës dhe më pas – por sidomos   në periudhën e pavarësisë së Kosovës, deri në ditët e sotëme. Ndërsa Profesori David L. Anderson i Universitetit Shtetëror të Kalifornisë i vlerëson kujtimet e Ambasadorit Përdue duke thënë se, “Rekomandimet e tija në favor të një diplomacie active, për lidhjet që duhet të ekzistojnë midis përdorimit të forcës  kur është e nevojshme dhe përdorimit të diplomacisë, si dhe rëndësia ka stabiliteti evropian për politikën e jashtme amerikane – janë këshilla dhe porosi me shumë vlerë për zyrtarët e sotëm publikë në Amerikë dhe për shtetasit ndërkombëtarë”.

 Duke marrë parasyshë përvojën dhe rolin e Ambasadorit Përdu në politikën amerikane karshi Kosovës dhe Ballkanit në dekadën e fundit të shekullit të kaluar dhe dekadën e parë të shekullit 21, Konsullata e Republikës së Kosovës në Nju Jork, nuk kishte mundur të identifikonte një person më të përshtatshëm për të promovuar librin e tij — në kuadër të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës — se sa librin e ushtarakut dhe diplomatit amerikan, Xhejms Përdu.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: AMBASADORI XHEJMS PËRDU:, Frank shkreli, PAJTUESI I BALLKANIT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT