• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2018

Politikanët e korruptuar dhe inkriminuar ta shesin atdheun!

February 10, 2018 by dgreca

2 enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi /

Prej gati 20 vitesh kam elaboruar në punimet e mia temën e ndarjes, përkatësisht të mosndarjes, së Kosovës. Kam shkruar me dhjetra e dhjetra komente e analiza si dhe qindra faqe libri për këtë temë, duke vënë në dukje faktin se “Ndarja është e dëmshme, e rrezikshme dhe zgjidhja më e keqe e problemit të Kosovës”! E megjithatë nuk janë komentet, opsionet, kundërshtitë verbale e të shkruara ato që përcaktojnë zhvillimet në një vend, në një rajon apo më gjerë, në plan global. Zgjidhjet dhe moszgjidhjet, e drejta dhe e padrejta, e vërteta dhe gjysmë e vërteta, apo gënjeshtra, rikonstruktohen bazuar në disa parametra tjerë, të cilët përbëjnë atë që quhet gjeopolitikë, ekulibër gjeopolitik, apo strategji globale, rajonale ose kontinentale. Kosova përbën një rast si ky, ku interesat e Fuqive të Mëdha janë të ndryshme. Investimi i NATO-s dhe SHBA-së për të mundësuar lindjen e shtetit më të ri në Europë nisi me një ngërç. Te Ura e Mitrovicës forcat franceze vendosën në qershorin e vitit 1999 kufirin real midis shqiptarëve dhe serbëve. Ndërkaq “patriotët” e mëdhënj që “i mbijetuan” luftës për çlirimin e Kosovës, ata që politikisht e “udhëhoqën” këtë luftë dhe sot janë në krye të shtetit të Kosovës, ishin të zënë me “plaçkën e kësaj lufte”, nuk e “patën mendjen” te territori dhe integriteti territorial i Kosovës. Çliruan me ndihmën e NATO-s oborrin e shtëpisë së babës dhe menduan se kufijtë e Kosovës përfundojnë aty, të çezma pranë derës së këtij oborrit! Ai burri me mend, që mund ta orientonte politikën ndryshe, ishte në Francë, sepse nuk kishte garanci për jetën e tij për t’u kthyer në Kosovë. Për pasojë u shpërngulën nga serbët në ikje e të frikësuar jo pak, por rreth 20 mijë shqiptarë nga veriu i Mitrovicës dhe komunat e tjera në veri të vendit. Edhe sot e kësaj dite këta shqiptarë, që lanë pasuritë e tyre në veri, nuk guxojnë të rikthehen në shtëpi e të gëzojnë pasuritë e tyre! Ndësa Beogradi për këta të Prishtinës do të kishte sjell në Kosovë edhe nja 200 mijë serbë jo të Kosovës nga Nishi, Kragujevaci, Rasha e zonave të tjera të “shkretëtirës” serbe! Fatmirësisht ata vetë nuk duan ta ndërtojnë jetën në Kosovë. Ndryshe, nga 10 përqind, serbët do të shkonin në 20 e 30 përqind të popullsisë së vendit dhe politikanët e korruptuar e të inkriminuar në Prishtinë e në Tiranë do ta shisnin këtë si një “histori suksesi”! Tani shqiptarët në Kosovë janë para faktit të kryer. Politikanët e inkriminuar dhe të korruptuar janë pajtuar që “ta shesin atdheun”. Ata provuan t’i bëjnë të gjitha dhe ne shqiptarët heshtëm. Na vodhën, na lanë të uritur e të raskapitur, e ne i duruam! Na poshtruan si qenie njerëzore e madje intelektuale e akademike dhe përsëri u shkuam nga mbrapa si delet! Na grabitën pasuritë e nuk na japin as rrogat për punën që bëjmë e përsëri i duartrokasim si në Phenian! Na shajnë, na fyejnë, na poshtërojnë e prapë ne u buzëqeshim! Na morën erzin e na bënë që të mos na lënë të lirë në ventin tonë, në kontinentin tonë, të cilit i përkasim, e përsëri ne u bëjmë dauanë. Duke denigruar moralisht, politikisht dhe energjitikisht subkoshiencën kombëtare tonën, këta politikanët tanë hajdutë, kriminelë, drogaxhi, grabitës të pronave qytetare e publike, këta njerëz pa din e iman, këta që për ideal kanë paranë, pasurinë, pushtetin e makutërinë, kanë vendosur më në fund të na e shesin atdheun, të bëjnë pazar me territoret shqiptare! Deti që japin në jug të Shqipërisë është një thelë e kokoshit, ndërsa gërshëra në veri të Kosovës është tragjedia e jonë. Të gjitha informatat çojnë në përfundimin se “zgjidhja e konfliktit shqiptaro-serb” dhe “krijimi i asaj jugosllavisë ediane e vuçiçiane” do të ketë si kurbën territorin shqiptar të veriut të Kosovës. Beogradi me dekada punon për këtë projekt. Madje la menjëanë edhe Marrëveshjen e Asosacionit, thjesht për t’u angazhuar për një marrëveshje tjetër më të leverdisshme, atë të përfitimit të territoreve dhe pasurive kombëtare të Kosovës në veri të vendit. Në prapaskenë e elaboruan këtë opsion jashtë syrit të publikut. Punuan fort në Bruksel. Angazhuan diplomacinë ruse dhe atë greke. Madje vetë ministri i Jashtëm i Greqisë, Kotzias, me impenjim të madh u përfshi në këtë aksion politik, për të bindur europianët në këtë lloj zgjidhje të konfliktit. Këtyre përpjekjeve iu bashkua kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Vetëm me një kusht: Mbështetjen e Europës për pushtetin e tij dhe amnistinë e saj për pasuritë e drogës e të krimit! Marrëveshja e parë midis tij dhe Viçiç ka të bëjë me ndarjen e Kosovës. Pas kësaj marrëvesheje ishin “të justifukuara” të gjitha “provokaciat” alla bvallkanike, sepse ato duheshin për të maskuar marrëveshjen e shitjes së atdheut e të pasurive të tij. Edi Rama nuk foli asnjëherë për ndarjen e Kosovës, por nxiti Rexhep Qosjen që ta elaborojë një variant të tillë. Udhëheqësit e tjerë në Prishtinë fillimisht u treguan kundërshtues të këtij opsioni. Por kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë u erdhën në ndihmë europianët. Sajuan Gjykatën Speciale, si “gozhdë Nastradini”! Vunë “lëkurën e ujkut “përpara Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramushit deri diku, dhe këta sa herë shohin “lëkurën e ujkut”, pra sa herë u përmendin Gjykatën Speciale, dridhen nga frika. Tentuan ta zhbëjnë këtë gjykatë fantazmë që ngjall frikë te politikanët e korruptuar e të inkriminuar të Kosovës! Nuk ia arritën dhe mirë u bë për këtë! Por në pamundësi për ta zhbërë, shkuan më tej. U pajtuan me opsionet europiane, kupto serbe e ediane të Tiranës, për “zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb”. Zgjidhja e vetme që pranon Beogradi është ndarja. Sepse me ndarjen Vuçiç “shpëton fytyrën” dhe veç këtij interesi, Brukseli nuk ka asnjë interes tjetër. I duhet Vuçiç si katalizator i prezencës europiane në Serbi e më pas në Ballkan. Nëse Europa nuk futet në Serbi, vështirë se do të futej në pjesët e vendet e tjera të rajonit. Nëse Serbia do qëndronte në influencën ruse, atëherë rajonet e tjera do ishin nën influencën amerikane. Europianët do të mbeteshin jashtë. Për këtë arësye në Bruksel e mbështesin fort çdo zgjidhje të konfliktit midis Kosovës e Serbisë, pavarësisht kostos që duhet të paguajnë shqiptarët! Në fund të fundit, nuk është hera e parë që shqiptarët paguajnë për interesat e Europës e të Serbisë! Eduard Grey e thoshte më 1913 se Konferenca e Ambasadorëve në Londër mori një vendim të padrejtë për shqiptarët, por se ai ishte një vendim që ruajti ekuilibrin midis Fuqive Europiane. E njëjta gjë ndodh edhe sot. Për ne shqiptarët, me një elitë politike të korruptuar e inkriminuar, historia përsëritet vazhdimisht dhe për këtë nuk kemi se kujt t’i kërkojmë hak! As Europës, as Serbisë, as Rusisë, as Greqisë! Jemi ne vetë ata që ulemi në tavolinë dhe e ndajmë pasurinë tonë me të tjerët. Ndërsa jemi bujarë me cepat e territoreve të atdheut, nuk jemi aq bujarë me veten, me qytetarët që qeveritë tona qeverisin! Ndërsa jemi bujarë me udhëheqësit e Beogradit, jemi gati të shkojmë në hell njëri-tjetrin, pikërisht për të plotësuar interesat e Beogradit! Në Kosovë është ndjerë me kohë era e “vëllazërim-bashkimit të tipit Rama Vuçiç”! Ish ministri i Jashtëm, Hoxhaj, reagoi ashpër ndaj përpjekjeve të Edi Ramës për të marrë përsipër “zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb”! Të njëjtën gjë deklaroi edhe Thaçi në një intervistë të ditëve të fundit në RTV “Zëri i Amerikës”. Ai u shpreh se Tirana nuk mund të jetë partnere e Beogradit për zgjidhjen e këtij konflikti. Deri këtu është gjithçka okay, sepse konflikti shqiptaro-serb është zhvilluar në territorin e Kosovës e midis shqiptarëve të Kosovës e serbëve në Kosovë e në Serbi. Por mediat e Prishtinës bëjnë me dijë se Thaçi, si dhe Haradinaj, janë pajtuar me ndarjen e Kosovës, si zgjidhje për”pajtimin shqiptaro-serb”. Kryministri i Kosovës tha në Zëri i Amerikës së viti i ardhshëm do të jetë viti historik i zgjidhjes së këtij konflikti. Por askush nuk thotë se si, se çfarë do të vijë e me cilën kosto pas kësaj “zgjidhjeje”! Kjo do të thotë se Edi Rama tashmë do t’i pjekë gështenjat me duart e Thaçit, Veselit e Haradinajt dhe do t’i hajë bashkë me Vuçiçin! Përfundimisht duket se nuk është vështirë të fusësh në kurth politikanët e korruptuar e të inkriminua shqiptarë në Prishtinë e në Tiranër. Këta politikanë duket se u bëjnë punë Europës dhe Fuqive të Mëdha, sepse ata mund të ta shesin atdheun për të “ruajtur lëkurën e tyre”! Për të tillë politikanë nuk ka rëndësi atdheu, territori, sovraniteti, rëndësi ka trafiku, kanabizimi, kriminalizimi, forca, dhuna, tutela, arroganca, pasuria, farë e fisi, grabitja, vjedhja dhe gjithçka tjetër që lidhet me interesat e tyre e të klanit që ata përfaqësojnë! Derisa t’i zgjidhin problemet dhe konfliktet në rajon, europianët janë pajtuar që t’i mbështesin këta politikanë rrace të moçme, të tipit të Esat Pashë Toptanit, pavarësisht se edhe Esat Pasha do të turpërohej përpara kësaj çmendurie që bëjnë politikanët harbutë e makutër të kohëve të sotme! Nëse nuk krijohet një organizim i fuqishëm, që të tronditë nga themelet estabilishmentin politik të sotëm, që veç interesave të ngushta të veta, nuk përfaqëson asgjë tjetër, atëherë duhet të përgatitemi që edhe atë territor që do të mbetet mbas ndarjes së Kosovës t’ia falim djallit, sepse më duket se nuk do të mbetet këmbë shqiptari idealist e atdhetar në këto troje! Ose luftë ose ikje nga lufta! Ikje do të thotë emigrim dhe lënien e vendit në mëshirën e politikanëve të korruptuar e inkriminuar! Luftë do të thotë qëndresë, mospajtim me këtë klasë politike, sidomos në qeverisje, por pjesërisht edhe në opozitë, që nuk sheh asgjë tjetër veç interesit të saj! Fatkeqësisht disa segmente “patriotike” janë formuar pikërisht nga kjo klasë politike e korruptuar e inkriminuar! Shihni Albin Kurtin, i cili ka kumbarë të tij Rexhep Qosjen Ky Qosja në modelin e Qosiçit të Beogradit bën thirrje për ndarjen e Kosovës! A ka folur ndonjëherë për këtë Albini? Ka folur për bashkim kombëtar, po. Por bashkimin kombëtar të reklamuar të Albinit e preferojnë edhe Daçiç e Vuçiç! Ai do të ishte një bashkim i Kosovës së copëtuar me Shqipërinë e viktimizuar! Çfarë pune i prish Beogradit ky lloj bashkimi?! Për këtë punon Albin Kurti dhe për këtë ka mbështetjen e fuqishme të Edi Ramës! Deri diku edhe të Hashim Thaçit! Dua të jem i pasaktë, dua të më fajësojnë për “shpifje”, madje të më “dënojnë” për këto që po shkruaj. Mjafton që kjo të mos jetë e vërteta. Por nuk dua të mbetem borxh para opinionit publik e të na thonë: “Po ju ekspertët, studiuesit, akademikët, ku ishit? Pse nuk na paralajmëruat për atë që mund e do të ndodhë”! Prandaj i shkrova këto radhë! Ju lutem, hajdeni ta ndalojmë shitjen e atdheut!

Tiranë, më 10.02.2018

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Politikanët e korruptuar

Shqiptarët duan të jenë pjesë e vendimmarrjes për emrin e ri

February 10, 2018 by dgreca

1 shqiptaret maqedoni1

Bisedimet për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, kanë shtuar zërat në mesin e shqiptarëve se edhe ata duan të jenë pjesë e mbylljes së këtij problemi, apo që zgjidhja e mundshme të reflektojë karakterin shumetnik të Maqedonisë.

Forumi i intelektualëve shqiptarë, vlerëson se çdo zgjidhje që mund arrihet, nuk do të jetë e vlefshme për shqiptarët nëse nuk pasqyron realitetin në Maqedoni, si shtet ku jetojnë dy bashkësi të mëdha etnike, maqedonasit shqiptarët.

“Pa një marrëveshje ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, çdo vendim, çdo emërtim i vendit do të jetë i pavlefshëm për arsye se praktika na ka mësuar që të mendojmë kështu. Në vitin 1991, shqiptarët nuk u përfillën as për Kushtetutën, as për flamurin, as për pavarësinë, e as për asgjë tjetër, prandaj ajo edhe e solli luftën e vitit 2001”.

“Pra, patjetër emri i Maqedonisë duhet të përfshijë realitetin pasi një emër ku përmenden vetëm maqedonasit dhe injorohen shqiptarët, unë besoj se do të jetë bazë për një situatë kofliktuoze në të ardhmen”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Shpëtim Pollozhani, një nga drejtuesit e Forumit Shqiptar, duke bërë të ditur se ky mekanizëm së shpejti do të dalë edhe më një propozim konkret për emrin e ri të Maqedonisë.

Pollozhani për këtë anashkalim të shqiptarëve, fajëson BDI-në, partinë politike shqiptare në qeveri, e cila, sipas tij, ka marrë rolin e të nënshtruarit në qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev.

Bisedimet për çështjen e emrit deri më tani janë zhvilluar mes grupeve negociuese të të dy vendeve, ndërsa tani mes vet ministrave të Punëve të Jashtme, të cilët më pas për rrjedhën e bisedimeve apo qëndrimet e palës tjetër, do t’i informojnë drejtuesit më të lartë shtetërorë.

Në këto bisedime konsultuese përveç BDI-së, nuk merr pjesë opozita shqiptare, e cila gjithashtu ka reaguar për mospërfshirjen e saj, ndërsa ka bërë të ditur se do të kundërshtojë çdo zgjidhje që mund të jetë me ndonjë emërtim sllav.

“Ne si Aleancë për Shqiptarët, jemi kundër tendencave për sllavizmin e emrit, ashtu siç e kemi thënë që jemi kundër emrit sllavo Maqedoni. Gjithashtu, jemi kundër propozimit që dëgjohet në qarqet diplomatike rreth idesë që të përdoren emra me përcaktim gjeografik të shkruar vetëm në gjuhën maqedonase si “Gorna Makedonija”. Ne e kundërshtojmë këtë, sepse edhe kjo paraqet tendencë për sllavizëm dhe përvetësim të emirit”, deklaron Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët në opozitë.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim në Qeveri, thonë se shqiptarët janë pjesë e zgjidhjes së kontestit dhe se emri i ri duhet të pasqyrojë realitetin. Por, Bujar Osmani zëvendëskryeministër për çështje evropiane, gjatë vizitës së fundit në Beograd ka deklaruar për mediet se për këtë parti më me rëndësi është që të gjendet një zgjidhje pasi kjo do të zhbllokonte procesin euro- integrues.

“Unë mendoj që shqiptarët janë shumë të interesuar se si do të quhet Maqedonia. Emri i Maqedonisë duhet të reflektojë realitetin demografik në vend dhe prandaj ne jemi pjesë e këtyre bisedimeve. Por, për ne është shumë me rëndësi të zgjidhet, të mbyllet kjo çështje, për shkak se po bllokon integrimin në NATO dhe për ne NATO-ja është si të jesh apo të mos jesh. Është çështje ekzistenciale për shtetin, është çështje ekzistenciale për popujt që jetojnë brenda, përfshi këtu edhe shqiptarët”, ka deklaruar Osmani.

Kryeministri Zoran Zaev së fundi ka deklaruar se qeveria që ai drejton pranon një zgjidhje për emrin me përcaktim gjeografik, ndërsa si emra të mundshëm për zgjidhje përmenden Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Vardarit dhe Maqedonia (Shkupi).

Bisedimet pritet të intensifikohen nga java e ardhshme, ndërsa Qeveria nuk e përjashton mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje deri nga fundi i marsit. Në rast të ngecjes së negociatave pritet përfshirja në to e diplomatëve të lartë perëndimorë.Zgjidhja e kontestit 25-vjeçar do të nënkuptonte edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe zhbllokimin e procesin të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Filed Under: Featured Tagged With: -GREQIA KËRCËNON SHQIPTARËT, e emiri, Greqi, macedoni, prese, shqiptaret

DUKE KUJTUAR EDITORIN E DIELLIT BAHRI OMARI

February 10, 2018 by dgreca

BAHRI OMARI, “NDERI I KOMBIT SHQIPTAR’’/

4 Bahri Omari

Nga Luan Çipi, në përvjetorin e lindjes/

 Bahri Omari u lind në 10 Shkurt të vitit 1889 në qytetin e Gjirokastrës dhe ishte biri i Iljazit dhe Rehos, që formonin një familje të nderuar qytetare gjirokastrite në gjendje të mirë ekonomike dhe me tradita të lashta atdhetarie.

U shkollua në vendlindje dhe më tej, në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore “Mülkiye-i-Sehahané” për Shkencat Politike-Administrative, në Stamboll.

Në moshën 25 vjeçare u emërua nënprefekt i Himarës. Në këtë funksion, në vitet 1913-14, pati nderin të organizoj dhe udhëheq çetat patriotike kundër andartëve të pushtimit grek të Shqipërisë së jugut, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Në vitin 1915 Bahri Omari, emigroi në ShBA, ku shpejt doli në krye të djalërisë shqiptar përparimtar atje dhe shpejt u bë drejtor i gazetës “Dielli” të Federatës  Atdhetare Pan-Shqiptare “Vatra”.

Në vitin 1919 ai u kthye i ftuar në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë, në zgjedhjet parlamentare, në 1921 dhe 1923, si përfaqësues i opozitës, duke i qëndruar përballë me sukses në prefekturën e Gjirokastrës, partisë së Myfit bej Libohovës. Në vitin 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, themeloi dhe u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike-Nacionale dhe botoi e redaktoi organin e saj, “Shekulli”. Janë të njohura qëndrimet e tij të spikatura, plot dashuri e adhurim për kosovarët dhe çamët. Bahri Omari shprehet në artikujt e “Diellit”: “Një Shqipëri e coptuar, pa zëmrën e saj Çamërinë dhe Janinën, pa kryen e saj Kosovën e Gjakovën, s’mundet të ketë jetë të gjatë midis fqinjëve të saj lakmues.”

Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu në vitin 1924, Bari Omari, si kundërshtar i tij, u detyrua të lëvizi me fanolistët nëpër Evropë. Gjatë kësaj kohe u formua dhe “Bashkimi Kombëtar”, ku ai aderoi ndër të parët. U vendos në Bari të Italisë për një kohë të gjatë dhe qëndroi atje deri në vitin 1939, kur u kthye në Tiranë dhe atje  i ndjekur dhe  i përgjuar nga italianët.

Me mjaft interes dhe kuriozitet kundrohen nga opinioni, marrëdhëniet me kunatin e tij, Enver Hoxhën, (20 vjeç më të ri) ku spikat kujdesi dhe përpjekjet e vazhdueshme të Bahri Omarit për edukimin, shkollimin dhe punësimin e nxjerrjen në jetën normale të tij. Këtu përfshihen për një periudhë të gjatë, ndërhyrja ndër miqtë e mbetur në Shqipëri, për t’i siguruar atij bursë studimi në Francë.

Në vitin 1942 Bahri Omari u bë anëtar i organizatës së Balli Kombëtar. Enver Hoxha vazhdonte të strehohej shpesh në shtëpinë e tij në Tiranë. Kunati i kujdesshëm, vazhdoi ta ndihmojë shumë Enver Hoxhën ekonomikisht edhe gjatë kësaj periudhe, ashtu siç e kishte ndihmuar edhe më parë, gjatë studimeve dhe punësimit të tij në perëndim.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, Bahri Omari, u bë Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, për periudhën shkurt – qershor 1944.

Ky ishte shkaku që në muajin prill të vitit 1945, Gjyqi Special me prokuror po gjirokastritin (ish toger të Zogut) Bedri Spahiu dhe kryetar, (teneqexhiun fillorist) Koçi Xoxe, e dënoi me vdekje bujarin e ditur, Bahri Iljaz Omarin, për fajin politik “se ishte me Ballin Kombëtar dhe kishte punuar 5 muaj si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në Qeverinë pro Gjermane të Rexhep Mitrovicës dhe për akuza të tjera ordinere”, pa asnjë fakt personal veprimi kriminal. Thjesht se ai e mendonte të dobishëm bashkëpunimin e përkohshëm me pushtuesin “rrugë kalues” (edhe pse duke gabuar) duke e quajtur këtë si më “të mirin” veprim për  vendin e vet, për ta pasur atdheun me kufi të plota, duke përfshirë Kosovën dhe Çamërinë. Ai, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë të kohës (përfshirë dhe kreun e tyre,  nacionalistin e provuar, Mitat Frashërin), u lidhën me boshtin Italo-Gjermano-Japonez, dhe të ndërgjegjshëm e si antikomunist të vendosur, mendonin që aleanca me Ruso-Anglezo-Amerikanët, do rrezikonte copëtimin dhe ndofta deri asgjësimin e Kombit Shqiptar.

Gjyqi u zhvillua në kinema “Kosova” (sot “Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë, seancat transmetoheshin edhe nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10.00. U ekzekutua ditën e nesërme dhe trupi u hodh  në një hendek tek “Kodra e Priftit” në Tiranë.

Mendoj, veç të tjerave, se nuk duhet harruar një fakt historik, (që do më ngelej peng, po mos ta përmendja): Italia Fashiste e hoqi fare postin përfaqësues të Ministrit të Jashtëm Shqiptar. “Kuislingët” pro Gjerman, e krijuan atë. Kjo, është e vërteta, është një  shfaqje pavarësie e krenarie shqiptare. Nga ana tjetër, nuk u lidh asnjë pakt zyrtarisht me Gjermanët dhe, “Qeveritarët” Shqiptar, refuzuan dhe ndaluan të dërgonin në luftë forca ushtarake në ndihmë të frontit, me gjithë kërkesat e përsëritura  të gjermanëve.

Duhet të theksoheshin me rastin e gjykimit, virtytet e larta të publicistit, atdhetarit dhe politikanit demokrat Bari Omari dhe sidomos guximi dhe trimëria e tij, që spikati sidomos para pushkatimit, në moshën 56 vjeçare, kur, pa iu trembur syri, u thirri shokëve: “Ktheni ballin nga pushkët! Ne nuk jemi tradhtarë”.

Dhe në këto momente madhështie kulmore trimërie, (po të përjashtojmë 5 muajt kur vërtetë gaboi deri në faj), gjithkujt i del para syve me admirim, jeta e tij plot përpjekje, atdhetari e deri heroizëm, si publicist, nëpunës shteti, deputet e politikan demokrat, që veproi gjithë jetës me qytetari e në luftë parimore:

Në Parlamentin Shqiptar ai ishte pjesëtar i opozitës, krahas personaliteteve të njohura si Fan S.Noli, Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina si edhe më të rinjve: Stavro Vinjau dhe Ali Këlcyra. U shqua si pjesëmarrës në diskutime për çështje të rëndësishme, siç qenë plotësimet kushtetuese të Lushnjës, që njihen si ”Statuti i zgjeruar i Lushnjës” dhe ku, ndër të tjera, dilte në mbrojtje të laicitetit të shtetit shqiptar. Vlen të përmendet veprimtaria e tij aktive parlamentare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë të të drejtave të grave. Gjithashtu kujdesi për pavarësinë e parlamentit, ku mbahet mend këmbëngulja e tij me postulatet: “Mjerë ai shtet që ligjet i bazon në ambicionet politike”, ose “Parlamenti nuk duhet të shndërrohet në gjykatë”, dhe “Qeveria duhet të marrë informata…që nëpunësit që emëron të mos kenë kryer krime”. E të tjera ndërhyrje parimore demokratike që vlejnë si model edhe për ditët tona. E tillë është p.sh., vërejtja që bën për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë shtetasit. Ose porosia për lirinë e shtypit, që: “Gazetarët duhet të kenë të drejtë të kritikojnë qeverinë.”  dhe shumë ndërhyrje të tjera që e dëshmojnë si shembull të njeriut të ditur e të deputetit, që është vërtet në shërbim të interesave të elektoratit dhe që evidentojnë veçanërisht kompetencën e tij në fushën e administratës publike, për të cilën ishte diplomuar.

Bahri Omari dallohej edhe për mendimin e tij të pavarur e origjinal, kur del në disa raste edhe kundër mendimit të kolegëve të tij të opozitës, ndërsa u qëndron besnik deri në fund parimeve që mbronte opozita demokratike me vendosmëri. Vlen të vihet në dukje se, sikurse pjesa më e madhe e deputetëve të kohës, ai dallohej për etikën e lartë në debatet parlamentare, shpeshherë të nxehta, pa kaluar asnjëherë në fyerje ndaj kundërshtarëve, çka mungon sot dhe duhet të jetë shembull e mësim i mirë për çdo parlamentar.

Pa dyshim një periudhë e vështirë e jetës së Bahri Omarit ishte Shqipëria e fillim viteve 1944, kohë kur desh të zgjidhte mes pushtimit nazist dhe Shqipërisë komuniste. Ajo zgjedhje e vështirë vuri në mëdyshje shumë burra shteti. Ishte nga një anë pushtuesi, që sillte bashkimin e tokave shqiptare dhe për kundrejt, “aleatët”, pro grek e sllav, nga rrezikohej deri cungimi e mohimi i krejt Shqipërisë. Një shqetësim tjetër imediat ishte frika nga komunizmi për Shqipërinë, një regjim që s’kishte sjellë rezultatet e pritura gjetiu. Nga ana tjetër ballas ishte mendimi se, duke mos zhvilluar luftën e duhur ndaj pushtimit nazist, pas lufte, Shqipëria rrezikonte shpërbërjen si shtet i pavarur.

Sidoqoftë, pjesëmarrja në anën e kundërt, pra në Organizatën e Ballit Kombëtar, që bashkëpunoi me Gjermanët, si edhe pranimi i funksionit si këshilltar shtetëror dhe për më tepër, ministër gjatë pushtimi gjerman, i kushtuan shtrenjtë Bahri Omarit. Këtu mendoj se ndikoi për keq dhe lidhja familjare me Enver Hoxhën, i cili vuri pandehmën e shpikur se, ndërhyrja për t’i shpëtuar jetën të kunatit, ishte “kurth ndaj tij për ta denigruar politikisht”!

Askush nuk e mendonte dhe nuk do kërkonte deri dënimin me vdekje të Bahri Omarit. Një dënim simbolik, si i përfshirë në disa pikëpamje me kundërshtarin politik po, por kurrsesi jo dënim kapital. Edhe vet babai i diktatorit, Mulla Halili, mbajti qëndrim të prerë dhe e dënoi deri me mohim të përkohshëm birin e tij, gati indiferent e mosmirënjohës. Dënimi kapital i Bahri Omarit ishte një ekstremitet i paligjshëm i një trupi gjykues inkopetent, tendencioz dhe partiak, që nuk kishte asnjë jurist në përbërjen e tij. Gjyqi patjetër duhet të kishte marrë parasysh kontributin e tij në shërbim të vendit, si deputet i parlamentit të parë shqiptar, si publicist i njohur atdhetar, si veprimtar i shquar te shoqëria VATRA e  shqiptarëve të Amerikës, si politikan i ndershëm e demokrat,  të merrte parasysh se postin e ministrit e mori në një kohë kur kjo ishte një sakrificë me rrezik e pa asnjë përfitim vetjak dhe së fundi, duhet të vlerësonte ndihmën që i dha lëvizjes kundër pushtuesit dhe vetë kreut të kësaj lëvizjeje. Një shtet ligjor nuk do ta ekzekutonte, por shteti shqiptar i pas 1944-ës, jo vetëm që nuk ishte as demokratik, mandej as i ligjshëm e deri atëherë, as i votuar e as i zgjedhur.

Kaluan mbi 73 vjet nga koha e pushkatimit prej komunistëve të atdhetarit Bahri Omari dhe ende gjëmon në vesh thirrja dhe profecia e tij prej trimi: “Ne, nuk jemi tradhtarë! Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Erdhi shpejt koha që ai burrë i shquar i kombit, deputet, publicist dhe demokrat përparimtar, vatëran i Amerikës, u rigjykua nga historia dhe nga ish Presidenti i Republikës, (që ishte edhe jurist në arsimim dhe njëkohësisht kreu e përfaqësuesi i drejtimit legjislativ të vendit) u shpall “Nderi i Kombit”,  çka është njësoj si të jetë falur, rilindur e nderuar në shkallë kombëtare. Dhe kjo, gëzoi dhe qetësoi shumë shqiptarë!

Tiranë, më 10 Shkurt 2018

Filed Under: Vatra Tagged With: 129 vjet, Bahri Omari, Luan Cipi, nga Dita e lindes

PUSHTIMI I SHQIPERISE, REAGIMI SUEDEZ

February 10, 2018 by dgreca

PRILL 1939 / REAGIMET E SHTYPIT SUEDEZ MBI PUSHTIMIN E SHQIPËRISË NGA ITALIA FASHISTE/

1 auren B

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Shkurt 2018/

Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar, të dielën e 9 prillit 1939, në faqen n°2, reagimet e shtypit suedez mbi pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.Aurenc Bebja, nëpërmjet faqes së tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë, për lexuesin shqiptar, reagimet e “Stockholms Tidningen”, “Dagens Nyheter” dhe “Social Demokraten” :“Shqetësimet suedeze Flitet në Stokholm :

Duke komentuar ngjarjet në Shqipëri, i gjithë shtypi vë në dukje, me zemërim dhe shqetësim, se në një kohë të shkurtër tre shtete të pavarura janë sulmuar brutalisht.Pa dyshim, shkruan “Stockholms Tidningen”, gazetë liberale, Suedia nuk është Shqipëria. Por Evropa, në cilën Suedia bën pjesë, ka ndryshuar në mënyrë dramatike.

Gazeta liberale, “Dagens Nyheter”, deklaron se Italia ka kopjuar në mënyrë servile, për Shqipërinë, proçedurat hitleriane ndaj austriakëve dhe çekëve. Sipas kësaj gazete, “pushtimi i Shqipërisë kërcënon të minojë të gjithë mbështetjen e kërkuar nga Z. Chamberlain në Ballkan për sistemin e tij të ri të sigurisë dhe për të arritur këtë rezultat Italia nuk ka hezituar të shkelë marrëveshjen me Anglinë.”

Nën titullin : “Musolini feston të premten e shenjtë”, Social Demokraten shpërthen egërsisht ndaj bombardimeve të qyteteve shqiptare, “gjë që dëshmon – thotë ajo – se sa e rëndësishme është për popujt e pavarur, si Spanja, të jenë të kujdesshëm ndaj sigurisë së miqësisë fashiste.”

Gazeta nuk u jep asnjë rëndësi shpjegimeve zyrtare të Romës se pushtimi i Shqipërisë është diktuar nga shqetësimet e sigurisë. Ajo beson se Shqipëria do të shërbejë si bazë për veprime të mëtejshme kundër Jugosllavisë dhe pjesës tjetër të Ballkanit.”

Filed Under: Komente Tagged With: Arena Bebja, Pushtimi i Shqiperise, shtypi suedez

11 SHKURT 1945 – 2018: JALTA DHE SHQIPNIA …

February 10, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

1 Jalta

  • “MOJ SHQYPNI,  E  MJERA  SHQYPNI,/

  KUSH  TË  KA  QITË  ME  KRYE  N’ HI ?”/

                                          Vaso Pash’ SHKODRANI (1880)/

Gjithë Bota i kishte ngulë sytë tek Jalta, prej ku pritej Liria, Drejtësia dhe Demokracia!

Ruzvelti, Çerçilli dhe Stalini ishin që me daten 4 Shkurt 1945 kokë në kokë tue bisedue.

Askush nuk dinte se shka po vendoset atje! Pritej Paqa!.. Kjo ishte e sigurt!

Partia Komuniste Jugosllave kishte formue Partinë Komuniste në Shqipni që në 1941, dhe në drejtimin e saj kishte gjetë një terrorist gjinokastrit të quejtun Enver Hoxha, me të gjitha tiparet e duhuna per ata tue fillue nga tradhtia e Atdheut, e deri tek vllavrasja.

Me 29 Nandor 1944 partizanët “çlirimtarë” zhigatën edhe Flamurin e Kastriotit me yllin e kuq komunist të Jugosllavisë titiste, dhe e vendosën në unazen e kompanjelit Kishës së Fretenve në Shkoder… Parashikimet e pleqve të dijtun filluen me dalë!

Nder rrugët e Shkodres ndigjohej kanga e rinisë komuniste: “Bijt’ e Stalinit jemi ne!”

Vendimet e konferencave të Teheranit (1943) dhe të Jaltës (1945) dikund u “dyllosen”!

Ruzvelti i ShBA aty kishte dyllosë edhe mbi 300 letra të shkrueme me doren e tij prej një paralitiku të mësheftë, të cilat, fillonin kështu: “I dashur shoku Stalin!”… Besoj, se ky rresht i shpjegon të gjitha ato letra që sollen robninë dhe terrorin stalinist në Europen e robnueme komuniste nga Siberia e largët aziatike e deri tek lumi Elba, në zemer të kontinentit vjeter, ku gjithshka monumentale shekullore u rrokullis deri në vitin 1991…

Mu në zemer t’ Europës, një nga shtetet ma të vjetra të Ballkanit, Shqipnia e Gjergj Kastriotit… “Dikur e permendun nder librat e vjeter të historisë”, nuk zehet me gojë!

Harresë…, apo dashakeqje?! Ma shumë se gjithshka urrejtje!..

Jalta 1945…

Ja dhe dokumenti i urrejtjes shekullore: “Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste. Pesë vendet e tjera, që më vonë u bënë satelitë sovjetikë: Bullgaria, Çekosllovakia, Hungaria, Polonia dhe Rumania patën qeveri koalicioni, në të cilat komunistët ishin më të fuqishem.”

“… Kominformi quajti ‘demokraci të reja’ Jugosllavinë, Poloninë, Çekosllovakinë dhe Shqipërinë…” Henry Kissinger “Diplomacia” faqe 443.

“Si rezultat , Bashkimi Sovjetik pati mundësi ta kthente pushtimin ushtarak në një rrjet regjimesh satelite” H. Kissinger, faqe 441.

Ruzvelti deklaroi: “Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barren e rindertimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit.” H. Kissinger, fq. 396.

Europa Lindore e Qendrore dhe Ballkani asnjëherë nuk mujten me u shkëputë nga politika dhe okupacioni ushtarak i Bashkimit Sovjetik, pa vullnetin e tij. Qeverisja dhe diktaturat ishin të kontrollueme dhe shpesh të imponueme nga paktet formale sovjetike.

Shqipnia u shkëput nga BS se Byroja Politike kerkoi me ruejtë kolltukët e vet… Por, kjo shkëputje kishte adresen e bashkpunimit vrastarë nepermjet Kinës komuniste…

Kur stafeten e qeverisjes e mori diktatori Ramiz Alia, qendrimin e tij e mbështeti pa asnjë mëdyshje edhe Nexhmije Hoxha, të cilët së bashku hapne “pusin e demokracisë”, të rrethuem me vrasje e barbarizma nder piramida, vjedhje dhe shperdorime, demokrat të balsamosun, agjenta sllavokomunistë, polumbarë në Detin Jon, vorreza boshe greke, shpartallues të qendresës kufitare nder Malet e Veriut, Ambasada pa Ambasador… Dhe, pakte e antarsime në “Konferenca Islamike”, me votime të hapta antiamerikane…  

E mbi grumbujt e gurve të daltuem t’ oxhakve t’ shembun të shtëpijave historike të Luigj Gurakuqit, At Gjergj Fishtës, Osman Kazazit dhe Prekë Calit me Trimat legjendarë…

Një za i fuqishem ushtoi:

      “MOJ  SHQYPNI,  E  MJERA  SHQYPNI,

  KUSH  TË  KA  QITË  ME  KRYE  N’ HI ?”

            Melbourne, 10 Shkurt 2018.

Filed Under: Analiza Tagged With: 11 SHKURT 1945 – 2018: JALTA, DHE SHQIPNIA ..., Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT