• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2018

KREJT JETËN NË SHËRBIM TË FJALËS SHQIPE

March 19, 2018 by dgreca

Portrete mërgimtarësh të suksesshëm/

imri

Nga Sabit Abdyli/

Imri Trena që nga vendosja e tij në Norvegji nuk reshti së punuari në shërbim të të ardhurve shqiptarë në Norvegji në vitin 1999. Që në ditët e para organizoi brenda kampeve shkollën dhe manifestime kulturore më fëmijët që kishin përjetuar trauma nga ushtria e policia gjakatare serbe që i nxori me plumba e zjarr nga shtëpitë e tokat denbabaden të tyre. Nuk reshti së angazhuari me gjithë qenien e tij për t’ju lehtësuar dhembjen e dhënë shpresa fëmijëve se nuk jemi të humbur, por edhe në këto kushte do mësojmë germat, këngët e gjithçka tjetër të nisur në tokën nënë. Me rastin e festave kombëtare përgatiti programe kulturore. Ndërkohë hapi edhe klasë mësimi të gjuhës shqipe. Imri Trena i lindur në fshatin Begracë, komuna e Kaçanikut, agronom me profesion, i cili kishte punuar edhe si mësues vazhdoi duke zgjeruar aktivitetin e tij në ruajtjen e gjuhës e traditave shqiptare. Hapi një radio ku nga studio e saj përhapi në etër fjalën e muzikën shqipe, informoi për situatën në tokat shqiptare, mblodhi rreth radios gjithë shqiptarët anë e kënd botës, foli me ta, u dha mikrofonin në dorë të shprehin dhembjet e gëzimet, kujtojnë e gjejnë të afërmit që lufta i kish përplasur edhe përtej oqeaneve, u dha në dorë mikrofonin talenteve të fjalës së shkruar, këngës, humorit, rapsodëve, duke i bërë kështu me emër përmes valëve të radios së tij. Imriu kur nuk është në studio të radios, është me nxënësit, kur nuk është në shkollë, është me ndonjë aktivitet kulturor, gjithmonë në punë dhe pak orët që i mbeten shkruan poezi, tekste këngësh etj. Kudo i suksesshëm. I suksesshëm edhe për faktin se ka ndihmesën e bashkëshortes, djemve e vajzës. Ka mbi 20 vepra të botuara. Radioja kryeredaktor i së cilës është Imriu dëgjohet gjithandej botës. Me punë e program 100% shqip ka një armatë të tërë dëgjuesish të të gjitha moshave, gjinive e rajoneve. Argëton e informon, interviston njerëz të kulturës, këngës, sportit e artit, organizon në radio konkurse të diturisë nga fusha e dijes etj. Gjithmonë me mesazhe të shëndosha e në frymën kristal shqip.

Filed Under: Emigracion Tagged With: KREJT JETËN NË SHËRBIM, Sabit Abdyli, TË FJALËS SHQIPE

Shallvaret e Ramës dhe Oboti i përmbytur

March 18, 2018 by dgreca

2 Oboti 1Nga Ilir Levonja/1 Rama

Ka më shumë se dy javë që rrethinat e Shkodrës, janë nën pushtetin e ujit. Shkarkimet nga kaskada e lumit Drin, reshjet e shiut etj…, kanë sjellur një përmbytje të përmasave katastrofike. Kush ka pak njohuri nga ciklet e bujqësisë, e di fare mirë se sa dëm sjell një situatë e tillë në prag të stinës së mbjelljeve, për blegtorinë, frutikulturën apo të mbjella të hershme. Pa përmendur zairetë që kanë shkuar për lesh apo mykun e mureve si paradhënie për ndonjë katastrofë verën që vjen. Përfshi këtu edhe sëmundjet epidemike. Por nuk është vetëm kjo…, mungesa e një solidarizimi me atë pjesë të njerëzisë nën ujë, kalon edhe me nota ironie, puna e dobët e pushtetit lokal. Edhe pse Shkodra ka në qeveri një pjesë të konsiderueshme postesh. Po them nga zëvendëskryeministri, ministri i jashtëm etj., prapë të gjithë janë ironik. Pushteti lokal, mohimi i sasisë së prurjeve të ujit nga hapja e portave të Vaut të Dejës e më sipër. Nga ana tjetër propagandën më të qelbur të një shtypi dështak, i cili harxhon energji pa fund për debatin e një top modeleje me Muç Nanon. Apo për shallvaret e Edi Ramës, një turkoshaku nga rinia tironce që qeveris me nisma vullnetare dhe shfaqet vetëm në inagurime. Në ca zgafella betoni, gjoja moderne, po aq sa shajaket e tija, duke zhdukur çdo element nga shkuara, siç është rasti konkret me teatrin kombëtar. Mbyllja e gojës që u bën artistëve dhe që çuditërisht një opinion i tërë nuk e merr aspak për fyerje apo nëpërkëmbje të dinjitetit.

Këto vitet e fundit, katastrofat natyrore, në rastin konkret përmbytjet janë bërë gati të përvitshme. Dhe kjo e ka shpjegimin, mungesa e projekteve bonifikuese, pastrimi, kullimi e shtratifikimi i lumenjëve dhe përrenjëve. E kam çikur edhe në opinione të tjera. Ka qënë kaq mikroskopike sa e gjitha përmblidhet me historinë e atij skllavatorit para një viti në lumin e Osumit, që vajti për ta pastruar dhe u pastrua vetë, pasi e mori rrjedha dhe e degdisi. Janë shtuar aq shumë sa nuk ka vit që Vjosa mos të përmbyti Novoselën dhe ato anë që quhen si Myzeqeja e Labërisë. Semani mos të përmbyti Fierin, e Shkumbini fushat përreth tij. Po kështu edhe me Veriun. Duke i bërë peshqesh kur thotë populli, edhe këto basenet e lumit Drin, si Vau i Dejës, Fierza e Komani. Vepra të diktaturës së proletariatit, me punë vullnetare, që zakonisht u trumbetohen vetëm pluset dhe asesi minuset. Nga ana tjetër fatkeqësia ka kapur përmasat e një katastrofe edhe për faktin e mungesës së sigurimit të pronës. Një kulturë e munguar që po vazhdon të thellohet e simuluar edhe nga politikat dështake të shtetit tonë. Megjithatë është tepër naive tu thuash qytetarëve sot, rrini nën ujë se pushteti lokal nuk po punon siç duhet. Por kjo tezë nuk vlente dje kur përmbytej Novosela a rrethina e Fierit. Eshtë naive sepse një pushtet lokal, sidomos ai i joni, nuk ka fuqi financiare kur bëhet fjalë për shtratifkim a thellim të rrjedhave të lumenjëve. Janë kafshata financiare që nuk i kapërcejnë dot ato llogari në sirtarë kompesatoje. Aq më tepër kur punët janë trashur nga që nuk janë kapur me dorë për dekada të tëra. Kushedi sa fonde janë firuar në ato zyrat rajonale të kanalizim-kullimeve.

Nga ana tjetër mua më shqetëson edhe indeferenca opozitare. Reagimi qytetar i një trualli me aq fuqi intelektuale, etj. Një opozitarizëm që duhet bërë në fushat me ujë të Obotit, jo në atë kuvend ku mandati është kthyer në një paçavure xhepi. Po duket se Shqipëria është grumbulluar e gjitha në Tiranë. Rrethinat i duan për të mbjellë drogë e për bujtina ku drekohet mirë, për modë etj. Nuk e di nëse i kanë marrë dëmshpërblimet ata të jugut, përmbytjet e vjetshme. Kur shallvarexhiu pozoi me ca keca në duar. Por di këtë që faturës së vjetshme, do i shtohet edhe kjo e sivjetshmja. Thjesht nga që ka indiferencë, dështim, e mendje tinzare me zona elektorale veri e jug.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Oboti i përmbytur, Ilir Levonja, Shallvaret e Ramës

VRITET GAZETARI, BIE QEVERIA

March 18, 2018 by dgreca

“Sulmi kundër gazetarëve është një sulm kundër të gjithë neve”/

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/  Ja, mu në qëndër të Evropës, në Slovaki, vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian, është vrarë muajin e kaluar gazetari Jan Kuciak dhe e dashura e tij.  Vrasja shkaktoi protesta të mëdha anë e mbanë Slovakisë që sipas disa të dhënave në shtyp ishin më të mëdhat që ka parë ai vend, ç’prej demonstratave anti-komuniste të vitit 1989, përfshirë protestat në kryeqytetin Bratislava, ku demonstruesit mbanin plakarta me fjalët: “Sulmi kundër gazetarëve është nji sulm kundër të gjithë neve” dhe “Mafia largohu nga vendi im”.  Si rrjedhim i protesatve të mëdha politike mbarë popullore, Kryeministri i vendit, Robert Fico u detyrua të jepte dorëheqjen nën presionin e kërkesave popullore që ai dhe qeveria e tij të dorëhiqeshin, si rrjedhim i vrasjes së gazetarit Jan Kuciak.  Më së pari dha dorëheqjen Ministri i Punëve të Mbrendshme, Robert Kalinak, por largimi i tij nuk mundi të shpëtonte qeverinë e Kryeministrit të deritanishëm Robert Fico, i cili dha dorëheqjen fund javën që kaloi, përballë trazirave politike dhe protestave publike.   Njoftohet se dhjetëra mijëra sllovakë anë e mbanë vendit morën pjesë në protesta anti-qeveritare gjatë javëve të fundit, për të kërkuar hetime të gjithanshme nga ana e qeverisë mbi vrasjen e gazetarit Jan Kuciak dhe të dashurës së tij, Martina Kusnirova.

Media vendase dhe ndërkombëtare njoftojnë se kur u vra gazetari Kuciak, ai ishte duke përgatitur një shkrim që do nxirrte në shesh lidhjet midis një grupi italian të krimit të organizuar, i njohur si “Ndrangheta” dhe disa individëve të afërt me kryeministrin Robert Fico. Mos zbulimi i aktorëve të këtij krimi ka shkaktuar zemërimin e publikut mbi korrupcionin në vend, gjë që më në fund çoi në dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë së tij.  Mos zbulimin e këtij krimi, protestuesit e kanë cilësuar si një gjë të turpshme për vendin dhe kanë akuzuar qeverinë se ka keq-informuar publikun mbi këtë çështje. Presidenti sllovak, Andrej Kiska akuzoi qeverinë për ushtrim të një “pushteti arrogant” në lidhje me këtë çështje.  Ndërkohë, është njoftuar se të premtën ishte në plan të zhvilloheshin protesta të tjera në më shumë se 30-qytete, anë e mbanë vendit.

 

Slovakia, megjithëse anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian(BE), është prekur rëndë nga korrupcioni vitet e fundit, ndërkohë që si rrejdhim i këtij fenomeni të pakontrolluar, partitë politike të të gjitha ngjyrave kanë humbur besimin tek publiku.  Por, fatkeqsisht, u nevojit vrasja e një gazetari investigativ dhe të dashurës së tij që të nxirrte nga gjumi, masat e gjëra të zemëruara të popullit që të dilnin në protesta, jo vetëm për të demonstruar kundër korrupcionit në nivelet më të larta të qeverisë së Kryeministrit Slovak, por edhe për të kërkuar drejtësi dhe për t’i bërë presion organeve qeveritare për zbulimin dhe kapjen e vrasësve të gazetarit në fjalë.

 

Media të ndryshme thonë se kryeminisitri i dorëhequr Robert Fico konsiderohet si një arrogant që e ka zakon të tallet me kundërshtarët e tij politikë dhe me kritikët e tij në media – madje duke i quajtur gazetarët si, “prostituta anti-slovake”, ndërkohë që sipas disa mediave, menjëherë pas vrasjes së gazetarit, ai bëri një sërë akuzash të një natyre konspirative, me qëllim për të larguar vëmendjen e publikut nga kriza e krijuar pas vrasjes së gazetarit Jan Kuciak dhe të dashurës së tij, Martina Kusnirova.   Njoftohet gjithashtu se hetimeve për vrasjen e tyre i është bashkuar FBI-aja amerikane dhe Policia britanike “Scotland Yard”.

Dihet se gazetaria investigative është një zanat i rrezikshëm por i pa zevendësueshëm për cilën do shoqëri që beson në ligj e drejtësi dhe për të mbajtur përgjegjës pushtetarët.   Gazetarët që përballen me rreziqet më të mëdha në kryerjen e punës së tyre të përditëshme janë pikërisht ata të cilët mbulojnë krimet financiare, organizatat që merren me shitblerjen e drogës dhe me mbulimin e korrupcionit në përgjithësi.  Në këtë kategori  gazetarie, bënte pjesë edhe gazetari i vrarë slovak Jan Kucian dhe më heret Daphne Caruana Galizia, e cila është vrarë tetorin e kaluar në Maltë.  Të dy këto shtete bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian dhe mund të merret me mend prej disave se krime të tilla nuk duhej të ndodhin ose nuk duhej të ndodhnin në vende si këto, ku të drejtat e gazetarëve dhe liria e shtypit janë të sanksionuara me kushtetutën vendase dhe me ligje që duhet të zbatohen anë e mbanë BE-ës dhe nga strukturat e bllokut evropian të cilat duhej të siguronin dhe të lehtësonin punën e gazetarëve, pa rrezikuar jetën e tyre, në krye të detyrës.  Por, fatkeqësisht, njerzit janë njerëz kudo, si në vendet demokratike ashtu edhe në vendet me sisteme dikatoriale politike — ka njerëz të korruptuar dhe kriminelë që merren me krime ose mbrojnë krimet dhe të korruptuarit, deri në nivelet më të larta qeveritare e shtetërore.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, në të gjitha rastet e vrasjeve të gazetarëve investigativ – fatkeqsisht, janë — njëherazi qeveritë, individët dhe grupet që gazetari i vrarë po investigonte – të njëjtit persona të cilët njëkohsisht kontrollojnë gjithashtu policinë, prokurorët dhe gjykatësit, e të cilët sipas ligjit duhej të ushtronin drejtësinë në mbrojtje të gazetarëve të vrarë, duke sjellur para gjyqit vrasësit e fjalës së lirë.

Në mungesë të drejtësisë nga autoritetet shtetërore, vrasjet e gazetarëve si në Sllovaki ashtu edhe në Maltë, me të drejtë kanë shkaktuar zemërim publik, trazira politike dhe protesta të mëdha në këto vende për të kërkuar drejtësi dhe zbulimin e vrasësve – në rastin e Slovakisë duke shkaktuar dorëheqjen, fillimisht, të ministrit të mbrendshëm dhe më vonë të kryeministrit, duke shkaktuar kështu rënjen e qeverisë.

Liria duhet të mbrohet çdo ditë ka thënë ish presidenti amerikan Ronald Reagan. “Për lirinë duhet të luftohet, liria duhet të mbrohet dhe tu dorëzohet brezave të ardhëshëm për të bërë të njëjtën gjë”, për ndryshe do ta humbasim.  “Detyra e parë e çdo qeverie”, ka thënë ai, “është mbrojtja e popullit, e qytetarëve dhe jo të shkatërrojë jetën e tyre…Ne populli i diktojmë qeverisë çfarë duhet të bëjë dhe jo anasjelltas. Ne, populli, jemi shoferi e jo qeveria.  Qeveria është vetura dhe ne vendosim se në ç’drejtim duhet të shkojë ajo, cilën rrugë duhet të ndjekë dhe me çfarë shpejtësie”, është shprehur dikur ish-Presidenti amerikan, Ronald Reagan.

Një student pjesëmarrës në protestat më të mëdha popullore në Sllovaki ç’prej revolucionit anti-komunist të vitit 1989, i tha agjencisë së lajmeve AFP se, “Unë dua një Slovaki të denjë e të ndershme, ku qeveria punon për të mirën e qytetarëve të vet dhe jo në dobi të saj”.  Ashtu si në revolucionin anti-komunist të vitit 1989, me protestat paqësore të fundit, sllovakët treguan se zemërimi i popullit dhe vullneti i tyre për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe liritë në përgjithësi dhe siç u shpreh student sllovak, për një “Sllovaki të denjë e të ndershme”, është mjeti më i mirë për të bërë ndryshime në qeveri, përfshirë edhe rënien e saj kur vritet fjala e lirë.

Filed Under: Analiza Tagged With: BIE QEVERIA, Frank shkreli, NË SLLOVAKI, VRITET GAZETARI

Disa pyetje për Qeverinë me rastin e 5-vjetorit të peticionit për Rrugën e Arbërit

March 18, 2018 by dgreca

16,000 përkrahës kërkojnë që peticioni të pranohet formalisht nga Kryeministri Edi Rama/

Nga Gëzim Alpion & Grupi i Lobimit/

1 Gezim AlpionSot është 5-vjetori i peticionit online për Rrugën e Arbërit. Me këtë rast, falenderojmë të gjithë nënshkruesit dhe mediat për përkrahjen e vazhdueshme.

Peticioni filloi para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, me shpresë se do të rezultonte në një dialog konstruktiv, me Qeverinë e re, për këtë vepër të zvarritur që nga viti 2005. Ne theksuam që në fillim se peticionin do ta mbajmë të hapur deri në përfundimin e rrugës me standarde ndërkombëtare dhe se nuk do të ndikohemi nga asnjë forcë politike.

Premtimet i kemi mbajtur, por Kryeministri Edi Rama refuzoi ta pranonte peticionin formalisht gjatë mandatit të parë. Kohët e fundit, disa anëtarë të Grupit të Lobimit kanë pranuar ftesa nga Kryeministri për tu takuar me të në veprimtari të ndryshme. Ne shpresojmë se, në një kohë të përshtatshme për z. Rama, interesimin personal të të cilit për këtë vepër e vlerësojmë, do të na krijohet mundësia të ndajmë me të mendimet, sugjerimet dhe shqetësimet tona, disa nga të cilat do t’i përmendim më poshtë.

Në vendet demokratike, kur një peticion siguron një numër të caktuar nënshkrimesh, shqyrtohet nga institucionet shtetërore. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, një vend me 65.5 milionë banorë, një peticion me 10,000 nënshkrime, merr përgjigje nga qeveria; kur numri i përkrahësve arrin në 100,000, debatohet në Parlament.

Përse në Shqipëri, ku popullsia është më pak se 3 milionë, një peticion me më shumë se 16,000 përkrahës (13,000 online dhe 3,000 në formularë) jo vetëm që nuk përfillet, po edhe përçmohet kaq gjatë nga Qeveria? Çfarë mesazhi i përcjell ky qëndrim nënshkruesve, numri i të cilëve sa vjen e shtohet? Po dibranëve, të cilët, që nga copëtimi i kësaj zone në 1913-tën, kanë njohur vetëm injorim nga qeveritë në të dyja anët e kufirit dhe vazhdojnë të jenë viktima të ‘kolonializmit intra-nacional’, që shfrytëzon çdo pasuri pa bërë asnjë investim të dukshëm? Po bashkëatdhetarëve, në zona të tjera të ‘largëta’ dhe po aq të lëna pas dore? Po intelektualëve, që nëpërmjet një nisme të tillë, po dëshmojnë, edhe pse në mënyre modeste, se nuk janë të shkëputur nga problemet e vendit? Po elitës në diasporë, të cilën kryeministri i radhës e fton në Tiranë, gjoja për të kontribuar në zhvillimin e vendit, por askush, deri tani, nuk duket se ka ngenë të marrë parasysh propozimet e saj konkrete? Dhe mbi të gjitha, po brezit të ri, që për fat të keq, edhe pas afro tre dekadash amullie, synon të largohet nga vendi pasi nocionet ‘demokraci’ dhe ‘shtet i së drejtës’ i janë zvetënuar?

Dikush mund të pyes, përse edhe pas pesë vitesh, ne jemi të gatshëm për të biseduar me qeverinë? Sepse, si intelektualë, ne besojmë në dialog. Është për të ardhur keq që, ky brez politikanësh, duket sikur vepron, vetëm kur përballet me protesta rrugësh.

Ja disa nga çështjet që do të ngremë ne në takimin me Kryeministrin, po qe se na jepet mundësia.

Ne duam sqarime se kush mban përgjegjësi për veprimet e mëparshme arbitrare në lidhje me Rrugën e Arbërit? Përse vazhdoi sharada me kinezet kur ne kishim paralajmëruar që në fillim se, edhe pas hartimit të një ligji të posaçëm nga Parlamenti, dhe nënshkrimit të një kontrate me palën kinez, gjithçka do të dështonte?

Siç thamë në fillim, ne i përshëndesim përpjekjet e Kryeministrit dhe Qeverisë për të siguruar fondet në mënyrë që punimet për ndërtimin e kësaj vepre, që është bërë prej kohësh një tregues i frikshëm dhe i turpshëm i shkallës së ulët të efikasitetit të shtetit, më në fund, të fillojnë. Megjithatë, duhet te jesh naivë të besosh se kjo çështje është e ‘përfunduar’ ngaqë u bë një prezantimi virtual.

Dibranëve u është uruar edhe më parë kjo vepër iluzive. Prandaj, kanë të drejtë të jenë skeptikë për aq kohë sa nuk ka transparencë për fondet, projektin, kur fillojnë, sa do të zgjasin dhe kur do të përfundojnë punimet, për kompetencën teknike të kompanive që do të angazhohen në realizimin e kësaj vepre, për penalitetet me të cilat Qeveria dhe sipërmarrësit do të përballen po qe se ka devijime në projekt, dhe nëse dibranët do të ‘diskriminohen’ përsëri duke ju kërkuar të paguajnë për ‘privilegjin’ për të ardhur në Tiranë.

Po qe se Qeveria nuk është në gjendje të sqarojë publikun për çështjet e mësipërme, nuk ka asnjë garanci se, ajo që ndodhi me rrugën e Kukësit dhe të Elbasanit, ku kostot u shumëfishuan gjatë kohës së ndërtimit dhe punimet u bënë me cilësi të dobët, të mos përsëritet edhe me Rrugën e Arbërit.

Në videoprezantimin e rrugës nga Ministria e Transportit, segmenti aktual ‘Bulqizë-Ura e Çerenecit’, konsiderohet i ndërtuar. Ne konstatojmë se ky segment nuk i përmbush standardet e rrugëve europiane. Prandaj, kërkojmë që Qeveria ta rishikojë këtë segment.

Nëse ky segment është kuti me të cilin do të matet cilësia e punimeve, kjo do të thotë se edhe segmentet e reja do të jenë me cilësi të dobët. Ndërtimi shkel e shko i Rrugës së Arbërit do të jetë një përbuzje tjetër jo vetëm për 200,000 dibranë po edhe për të gjithë taksapaguesit shqiptarë.

Ne shpresojmë që kjo nuk do të ndodhë, dhe se Rruga e Arbërit do të jetë vërtet, siç e ka cilësuar Kryeministri, ‘rruga e parë me standarde europiane’ në Shqipëri.

___________________________________

Peticioni mund të nënshkruhet këtu: http://chn.ge/1NZeyGu

Filed Under: Analiza Tagged With: Disa Pyetje, Gezim Alpion, Peticioni, Rruga e Arberit

Lindja e Hibridit Kontroversial

March 18, 2018 by dgreca

2-Alfons-Grishaj1-250x300

Nga Alfons GRISHAJ/

Njeriu, krijon në jetë konceptin e vet për universin dhe shoqërinë. Zgjidhja  e tij lind si dëshirë dhe si nevojë, shpesh herë dhe si pasion. Për disa, dëshirat janë modeste e të kufizuara  brenda një kornize. Për ëndërrimtarët – vizionarë, hapësirat janë të pakufizuara deri në infinit. Por ka dhe një kategori tjetër, e cila mundohet të realizojë një ide apo një qëllim, të cilin edhe kur e arrijnë nuk ia dalin ta menaxhojnë, ose e trajtojnë në mënyrën e tyre. Qëllimi personal hipotekues (e kam përmendur diku dhe në një shkrim tjetër)  asfikson “suksesin” dhe paaftësia për ta trajtuar drejtë arritjen, lind një rrugë virale, e cila mund infektojë dhe degradojë atë dhe rrethin ku jeton. Rrezik ky, që shpesh të çon në autoritarizëm, pamëdyshje, kanceri i zhvillimit shoqërisë dhe shtetit.

Bernard Shaw said: “ The reasonable man adapts himself to the world, the unreasonable one persist in trying to adapt the world to himself. Therefore all progress depends on the unreasonable man.”

Por çfarë ndodh? Ashtu siç thashë më sipër, njeriu krijon konceptin për universin dhe shoqërinë, por shqiptari ka specifikat dhe natyrën e vet, çka duket në faktin që megjithëse ka kohë që vegjeton në konglomeratin e rruzullit akoma nuk ka tjetërsuar “stilin” e të menduarit dhe të vepruarit.

Një pjesë e shoqërisë tonë edhe pse ka vite që është larguar nga atdheu duke ndërtuar një jetë pa kokëçarje, jeton në bazë të normave tradicionale, kjo, është për t’u admiruar deri në njëfarë mase. Sepse, kur vjen puna tek gjykimi i shëndoshë dhe frutdhënës, ka prapë diçka që mungon. Gjykimi vjen i pluhurosur, nganjëherë anakronik e destruktiv. Kjo nuk ka të bëjë më shumë me traditën dhe genin, sesa me personin e transformuar nga kushtet dhe rrethanat e jetesës, nga ambieti shoqëror i djeshëm, por dhe i sotëm. Pse vazhdon të ndodhë kjo?

Unë do sjell shkurt pa ngarkesa këndvështrimin tim duke gjilpërizuar “diapozitivat” nga kazani i fikur i rregjimit, të cilët sollën shkatërrimin tradicional në kohë dhe hapësirë, duke fshirë  përfundimisht balancat e klasasave shoqërore shqiptare, bashkë me traditën mijë vjeçare, të zëvendësuar me filozofinë komuniste të “barazisë”. Dikush mund të thotë: “Ishte koha …, dhe koha sjell ndryshimet e veta.” Jo!  koha është e njëjtë, dhe jo siç thonë disa mendimtarë që koha sjell shërim dhe ndryshim. Moti dhe brezat lëvizin, duke evoluar, regresuar apo ndenjur në vendnumëro, por jo koha! Njeriu e ka në dorë ta administrojë kohën, t’i  japë formë si skulptori veprës, ose ta tresë në hiç!

Retrospektivë, diapozitivi i parë:

Populli shqiptar vuajti dhe u varfërua nga luftërat e gjata me pushtues. Në Shqipëri, latifondistët dhe të pasurit numëroheshin me gishtë. Midis klasës  tyre dhe shtresave të tjera pati një disnivel të theksuar. Latifondistët dhe klasa e pasur nuk luajti ndonjë rol sinjifikativ në zhvillimin e vendit, sepse ishin oportunistë, herë me “baba” turkun, herë më interesat e ngushta private që ua diktonte biznesi. Megjithatë,  ndihmuan në punësimin e fshatarësisë që nuk kishte tokë.

Diapozitivi  i dytë:

Familjet me prejardhje borgjeze, të cilat kanë qenë të pakta në Shqipëri, përbënin inteligjencëne vendit. Avokatë, doktorë, profesorë etj. Ato u bënë shembulli i dijes dhe vetëdijes kombëtare, dhe me klasin e lartë që i  karakterizonte, emancipuan shoqërinë në sjellje, kulturë e dije, duke ndërtuar bazamentin e ndërgjegjes shoqërore dhe nacionale shqiptare.

Diapozitivi i tretë:

Familjet qytetare, pavarësisht nga veshja, me apo pa ferexhe, me barnavekë apo me kësula të huazuara, allafrënga apo tradicionale, ruajtën  gjithnjë finesën dhe kulturën e hollë të stilit të jetesës dhe sjelljen civilizuese. Spiranca e vaporit kombëtar u ankorua gjithnjë në qytet.

Diapozitivi i katërt:

Familjet “malësore”, familje këto që u shpërngulën nga qyteti, të  detyruar nga rrethanat pushtuese. Zhvendosja e tyre për të ruajtur fenë dhe tradicionin e pastër krijoi  karakterin nopran, karakterin malkoc (Malkoc. Koc-mali, i fortë si shkëmbi. Kurse në gjuhën komuniste: Malësorë. Malok, njeri i rëndomtë, injorant; që ka prejardhjen prej malit etj… Fjalë e stisur pa pikë kuptimi neologjistik), i cili, adoptoi stil të ri jetese për t’i mbijetuar natyrës së egër dhe mungesave jetike. Besimi tyre për të qëndruar të pastër dhe burrëror u bë legjendë deri në ditët e pushtimin komunist. Ata ishin në ballë të luftërave për liri. Qenë të parët që ngritën krye kundër internacionalizmit proletar.

Diapozitivi i  pestë:

Popullsia fshatare, e cila përbënte dhe pjesën më vitale të popullit tonë, pikërisht për prodhimet bujqësore dhe blegtorale. Ishin  rregullatori jetik i qytetarëve dhe malësorëve. Qenia e tyre punëtore e urtë ndihmoi gjithnjë në zgjidhjen e problemeve jetike dhe kombëtare të popullit shqiptar.

Këndvështrimi aktual i pesë diapozitivave më lart, i shpërbërë forcërisht  në një:

Gjatë revolucionit komunist, këto pesë shtylla njerëzore që mbajtën gjallë frymën dhe balancën  nacionale u tradhëtuan. Boshti tradicional filloi të zvetnohet, duke huazuar traditën sllave (si më parë turke),  aspak perëndimore dhe civilizuese, për të cilën luftoi populli shqiptar me në krye, Skënderbeun. Kështu, aristokracia latifondiste dhe pronarët e mëdhenj të tokave, klasa borgjeze, shtresa qytetare, malësorët dhe fshatarët u shkrinë në epruvetën e dhunës ideologjike dhe kimike të PP-së, duke krijuar një hibrit kontroversial. Kjo ishte tradhëtia dhe pabesia më e madhe e regjimit. Në sfond u shaq zambi me drapër e çekan, kazëm e lopatë. Drapëri për të prerë qafa,  dhe çekani për të shtypur koka…kazma e lopata për të hapur varre për viktimat e prera nga drapëri dhe çekani. Pasojat qenë shkatërruese, sa dhe geni i fortë u dëmtua rëndë psikologjikisht, nga injektimi i sensit të frikës dhe vetëmbrojtjes përtej imagjinatës, deri në sëmundje.

Këtu, kam parasysh disa familje tradicionale patriotike të vuajtura nga diktatura që mbijetuan nga holokausti barbar komunist. Fatkeqësisht shoh se, trashëgimtarët e tyre, në vend që të jenë mendje hapur, persona nobël, e të përçojnë traditën brilante patriotike në bazë të principeve fisnike, notojnë në pellgun dehumanist, duke përdorur chicanery. Përmendja e biografive në punë vullnetare dhe anatemimi i njerëzve të civilizuar e patriotë  për retaliation nuk përkon me frymën e të parëve, dhe me filozofinë moderne perëndimore. Frymëzimi i pakuptimtë nga “tregimtarët” e përrallave me katallaj, vë në lëvizje lokomotivën e shpifjeve që ulërijnë tym të zi. Tymnaja nxin dhe atë pak virtyt që fiket bashkë me nisjen e nonsensit.. Në këtë rast, fisnikëria kualitative bjerr kuptimin e martirizimit të shenjtë. Ujitja e broçkullave me benzinë shfaq ndjeshëm egërsinë e huazuar nga ideatorët e drapër-çekanit. Fryma sjelljes ciklopiste ndez motorat e luftës  brenda llojit, grish frymën e vet’humbjes dhe ngul kazmën varrmihëse në proçesin e zhvillimit.

Ky budallallëk i shfaqur rrallë tek klasa e vuajtur, është me shumicë tek klasa  politike shqiptare, çfarë tregon se, brezi tjetër do të ketë të njëjtën ngarkesë virusale.

Në botën e qytetëruar respektohet mendimi i shumicës si shenjë civilizimi, si verdikt human e ligjor. Po pse nuk ndodh në shoqërinë tonë kjo dakordësi si rregull e busull në zhvillimet politiko-shoqërore?

Sëmundja e të shkuares në tashmen, egoizmi, cmira, ushqejnë  obsesionin në abisin e ripërsëritjes së refrenit të unshëm egocentric.

Çfarë duhet bërë për të shëruar mbartjen negative të mikrobit deformues në breza? Propaganda e shëndoshë duhet të jetë e qartë për një luftë parimore për të mundur të keqen. Nuk është e lehtë, biles shumë e vështirë. Në këtë luftë duhen të ndërgjegjësohen filantropët për të ngritur një fond për një komision psikologësh historianësh, dhe poltikanësh që nuk e kanë virozën anakronike  që të punojnë sëbashku me vetmohim për të dalë nga ky batak i turpshëm. Kjo do zvogëlojë hapësirën e infektimit dhe spekullimeve që ushqen rritjen e malit të plehrave. Përdorimi i kartonit të shumicës së shëndoshë (jo shumicës grabitqare) duhet të funksionojë për vendosjen e disiplinës, jo si ndëshkim indisiplinor, por si ligj. Nëse fryma e “arsyes” presupozon pritje dhe klemencë për të rregulluar nonsensin sistematik të hibritit kontroversial, biles stimuluar me dyshek dhe jorgan puplash… siguroj se, budallallëku do fitojë trofenë e arsyes,  çfarë nënkupton sakrifikimin e konceptit të lirisë dhe të drejtës. Si pasojë, fantazmagoria e hekuraçave dhe shulave të ndryshkur do rishfaqë botën e errët pa diell, në të cilën kemi jetuar më parë.

O, Zot! Në këtë kontekst, pranoj se, “radikali i lirë” është një molekulë që  nuk mund të karikohet!

 

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: alfons Grishaj, e Hibritit Kontroversial, Lindja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT