• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2018

DIASPORA SHQIPTARE – KJO JETIME ME PRINDË GJALLË

March 17, 2018 by dgreca

1 primo.shllaku

Nga Primo Shllaku*/

 Parathënie për librin Shqiptarë në liri–Diaspora shqiptare në Amerikë, autore Eleni Karamitri/

1 Eleni Karamitri.JPG

Ramja e tabuve/

Me ramjen e sistemit tek na, pjesa ma e madhe e tabuve shpërtheu e u derdh në sheshin Skënderbej si provë se bota shqiptare do të njisohej tashma dhe se dukunitë e izolimit do t’i përkisnin të kaluemes dhe vetëm të kaluemes. Do të ishte krejt e vështirë me thanë sesa vëllim kishte pjesa e hapët dhe sa vëllim kishte pjesa e ndalueme. Kjo, mbase, do të shihet mbasi tabutë e shpalluna gjatë stinës së eksperimentit tek na, do t’i kenë ba të korrat e tyne dhe krahasimet do të jenë të mundshme. Sidoqoftë, na rezulton se na e njifnim veten pak, madje, na e kishim të ndalueme me e njotë veten dhe portreti ynë, me gjithë zellin e madh të mendjeve e vullneteve të lira, ishte një skicë e papërfundueme.

Besoj se as në botën antike, atëherë kur transporti fizik bahej me mjete të natyrës, qendrat e qytetnimit nuk ishin kaq larg dhe kaq të pakomunikueshme njena me tjetrën sa botët – ose ma mirë të themi – ciflat e botës shqiptare të hallakatuna në katër anë me nji bërthamë në mes, e cila – paradoks i paradokseve – në vend që t’i thithte dhe mblidhte, i shqelmonte dhe i izolonte.

Na ktej ishim krejt në errësinë informacioni. Dinim se kishim ca shqiptarë ose ish- shqiptarë, për të cilën merrnim vesht se janë diku vetëm përmes remitancave që vazhdonin ende t’u vinin familjarëve dhe përmes ndonjë goditje të policisë politike të regjimit që arrestonte me preferencë individë me njerëz të arratisun, por edhe me njerëz me banim jashtë qysh para Luftës së Dytë Botnore. Dinim se atje jetonte nji Fan Nol, fort i nderuem dhe i studiuem ndër ne, që delte kudo si anmik i mbretit Zog (pikë kyçe kjo për liçencimin e pranisë së tij si faktor i mbrendshëm kulture), dinin se ai Fan Nol, kishte përshndetë “gubernën e E. Hoxhës” si legjitime, dinim se ishte përkthyes i madh e i pakapërcyeshëm, superlativ që regjimi e ruante vetëm për autoportretizim, dinim se kishte shkruar tri poezi të mrekullueshme me sfond politik, dinim se qeveria shqiptare e luste të kthehej për t’i dhanë – thuhej – postin honorifik të kretarit të Kuvendit Popullor, por që ai na e refuzonte për shkak të moshës dhe të koleksionit të smundjeve që kishte. Mbas katër vjetësh të vdekjes së tij, morëm përsëri vesht se qeveria shqiptare priste vdekjen e tij që të zhvillonte pogromin e saj mbi institucionet shqiptare të kultit, me të cilin, edhe pse me bindje shum të shlira fetare, imzot Noli nuk do ta kishte përshndetur në asnji rrethanë. Pra, na të interesuemit për zhvillimet ma të gjana të kulturës dhe dritës shqiptare, jetonim në njilloj jermi kulturor, gjithsesi dëshprues, sepse informacioni vinte i vagullt dhe gjysmak, i mbështjellë me mister dhe i përpunuem jashtë kufinit të së vërtetës.

Disa shkodranë e dinin se Sami Rrepishti dhe Arshi Pipa ishin diku në Prendim, se ishin njerëz të zotë, se ia kishin “lagë letrat sistemit”, por se ç’kampionë ishin, se mese merreshin, pse ishin të denjë për t’u përmendë, askush nuk fliste, askush nuk dinte. Ata që sot thonë se e dinin qysh atëherë, nuk kanë punë me kët konstatim timin, sepse dija merr vlerë kur ndahet progresivisht përgjysëm e kshtu deri në infinit.

Sa i përket Martin Camajt që banonte edhe ma afër e që, gjithsesi me veprën e tij voluminoze, me drejtimet e interesit të tij letrar e gjuhësor, ushtronte njilloj trysnie të

dukshme e trimoshe mbi establishmentin zyrtar kulturor mbrenda Shqipnisë skajshëm të vetmueme, asnji informacion, absolutisht heshtje e thellë, ajo heshtje që duhet të ketë virtualisht mosqenia. Pra në Tiranën tonë, atëherë të kuqe, kishte njerëz që kishin marrë përsipër, duke qenë vetë vdekatarë, të shpërndanin sipas interesave të një shteti njipërdorimësh, qenien dhe mosqenien tek të njajtit vdekatarë sikurse ata vetë. Feja e trashendencës ishte zevendësue me fenë e egocentrizmit. Bariu literal i zu vendin bariut metaforik…..blegërimë operistike !

Dhe në anën tjetër të botës, burra të mirë e të selitun, burra me mend e me moral kombtar, vazhdonin punën e tyne kërkimore, shkencore, letrare, politike e gazetareske për atdheun primar pa asnji mirënjoftje nga ai atdhe. Me siguri që në Amerikë e kudo që inteligjenca shqiptare kërkonte lidhjet e saj të ligjshme me shpirtin e përjetshëm të kombit, e kishin kapë vlerën profetike të vargjeve të Nolit se mbas dimrit vjen një verë / e do kthehemi njëherë…/

Ndërsa na ktej kishim humbë çdo shpresë, në Amerikë kryekreje por edhe në qendra të tjera të diasporës, festoheshin vit mbas viti përvjetorët e Pavarësisë, mblidheshin në festa, festonin së bashku, festonin ditëlidhje personash e gazetash dhe shpirti i komunitetit shqiptar mbahej i gjallë me gjithë trysninë e madhe që bante prania e kulturës vendase mbi të gjitha kulturat kombtare atje, të marra si minoritete.

Por nuk duhet harrue se, edhe vetë anëtarët e diasporës e ndjenin shtetin shqiptar si diçka të huejtun, megjithë temenatë që ai u bënte përmes shërbimeve diplomatike.

Shteti shqiptar i diktaturës e kishte shumë frikë diasporën. Duke qenë se komunitetet shqiptare me banim në Prendim gjendeshin fare pranë qendrave të mëdha të politikës botnore, shteti shqiptar sillej kujdesshëm me ta dhe “ua krefte bishtin”. Por me mënyrat ma të sofistikueme kontrollonte zhvillimet brenda saj dhe ma vonë doli se çfarë grindjesh e përçamjes kishte futë mes tyne. Por shqiptarët, naivë dhe shpesh gogësitës nga mirëqenia e vendit pritës, nuk denonconin intrigat dhe autorët, nga turpi se mos ulnin bashkatdhetarët dhe Shqipninë si atdhe.

Me ramjen e Murit të Berlinit, procesi i desintegrimit të Lindjes komuniste, në të cilën na e dinim se nuk banim ma pjesë, u ba rrokullisës. Tek na erdhi ma parë rropama, mandej rrëzimi. Por edhe rrëzimi që erdhi, tabutë na i la të ngrehun, si elemente të një gardhi tjetër, që duhej shembë jo ma me entuziazëm, por me sistem dhe përpjekje ardhmënore.

Dallëndyshja e parë fluturon mbi diasporë.

Ramja e sistemit tek na erdhi së jashtmi dhe mendimi zyrtar i të gjitha fushave u zu gafil. Ende në qeverisje ishin të njajtit emna, në katedra dhe akademi të njajtat fizionomi, ende në shkrimet dhe studimet që u shterren dhe u rrëgjuen e njajta terminologji, i njajti kandvështrim, të njajtat interesa etnocentriste, e njajta prirje inventarizuese e mbushun gjithkund me frikën e nxjerrjes së përfundimeve organike.

Bota akademike shqiptare që i kishte mplakë epigonët e vet me nji meny monotone “gjellësh”, po përpëlitej me gjetë formulën e re të “përshtatjes”, pa i shkue fare ndër mend se kishte edhe dorëheqje, edhe autokritikë, edhe ndjesë publike për faktin se kishte heshtë, se kishte falsifikue dhe se kishte vu interesin e ngushtë vetiak mbi ndërshmëninë intelektuale dhe, siç doli ma vonë, në autokritikat e tyne të vonueme, “pas kaosit”, ata shpallën se kishin mendue që “ do të vinin të tjerët për t’i ndreqë ato që ata nuk kishin mundë me ndreqë”.

Në mesin e shkencëtarëve të rij e ma pak të rij, ideja e kthimit të fletës dhe e përqasjeve të reja u ba moto e ditës. Tabutë e ngrituna me kujdes për gati një gjysëm shekulli kishin “material”, sepse në vetvete përbanin fusha të virgjëna, e kishin të sigurtë zbulimin dhe, gjithsesi, ishin objekte ma tërheqëse se temat e rimbllaçkitura, me të cilat ushqehej skorbutikisht jeta jonë studimore.

Megjithatë ka diçka edhe heroike në preferencën e disave për t’u përballue me tabutë. Sadoqë brezi i vjetër i studiuesve që mbas viteve ’90 mbante frenat e katedrave dhe bante politikat e gradimeve shkencore, na shfaqet i shpenguem dhe bekues në zgjedhjen e temave deri atëherë tabu, realiteti ka ma shumë elemente ngurrimi dhe mëdyshje sesa thuhet.

Studiuesja Eleni Karamitri ishte ndër të parët që i hodhi preferencat e saj tek zonat “me hije” të studimeve shqiptare. Atë e ngacmonte diaspora, kjo botë e hapërderdhun në katër anët e globit, e cila, që në mesjetën e vonë, ka qenë vërtetimi i pamundësisë së botës shqiptare për të krijue nji shtet të stabilizuem me nji ekonomi po të tillë.

Harta e diasporës shqiptare nuk ndrit e tana njilloj, nëse me ndritje do të kuptonim intensitetin e veprimtarive të saj shkencore, kulturore dhe komemorative. Ndriçimi i saj i madh u vu re në fillimet e shek. XIX, kur stina e romantizmit i përflaku tokat e Italisë së Jugut dhe asaj ishullore. De Rada e Gavril Dara, Kamarda dhe Skiroi zunë fill letërsinë e madhe shqipe të shqiptarizmit, i marrë ky si koncept gjithëpërfshimës për atdheun amë dhe të gjithë hartën e diasporës së bashku. Për të gjithë ata që e dinë sesa me ngut po prishej shekulli me zakonet dhe prirjet e tij, ajo kohë do të mbetet padyshim si koha e artë e shqiptarizmit, kur diaspora merrte përsipër zgjimin e atdheut e të vetdijes kombtare pa pretendue që të kthehej kurr ma atje.

Autorja e këtij libri si edhe e disa shkrimeve e botimeve të tjera me temë diasporën, Prof. Dr. Eleni Karamitri, e kishte intuitën sesa material studimi dhe se ç’fushë e virgjën ishte diaspora, sidomos ajo e Amerikës, e cila mbetej elementi ma i ri dhe ma i gjallë i gjithë diasporës historike, për shkakun se Amerika ishte kthye në Tokën e Premtueme për të gjithë të vorfnit e botës, që atdheu i tyne nuk i mbante dot.                                                  

Autorja na thotë se diaspora amerikane ishte shumë interesante edhe për faktin se ajo përbahej nga elemente të larmishëm në pikëpamje të prejardhjes. Baza e ksaj diaspore përbahej nga pinjoj të familjeve të emigracionit ekonomik. Ktu kam parasysh shembulltarisht studiuesin, përkthyesin, shkrimtarin dhe aktivistin Peter Prifti, si dhe Stavre Frashërin, Xhevat Kallajxhiun etj. Kemi pastaj edhe emigrantët e luksit, siç kam dëshirë të quej imzot Fan Nolin dhe mikanmikun e tij, Faik Konicën, që e deshën Amerikën për mitin e saj në ngritje dhe mirëqenien e luksin e lehtë që ofronte.

Por në Amerikë kishin shkue edhe emigrantët politikë, të pakënaqunit me shtetin komunist që ishte vendosë ndër ne më 1945. Këta emigrantë aspak emigrantë, por të ikun prej atdheut nga alternativa e mprehtë “o jetë, o vdekje”, ndër të cilët do të përmendja Sami Rrepishtin, Arshi Pipën, Gjon Sinishtën etj., i kanë ba trysni shtetit dhe kulturës socialiste të atdheut të tyne. Në fakt ata nuk donin të qëndronin jashtë, ata prisnin si e si të hapej diku një spirale që ata të mund të vizitonin të paktën atdheun e tyne e le të mos baheshin të njoftuna shkrimet. Por atdheu ishte shumë serioz dhe e kishte humbë buzëqeshjen pritëse për bijtë e vet. Ata gati sa nuk vdiqën pa u kthye në atdhe, si Martin Camaj, vepra e të cilit asht nji aht i pafund lutje të heshtun për ta pa edhe nji herë shpinë e vet e vorret e prindëve. Por jo ! Atdheu nuk i donte fëmijët e tij edhe kur kta ishin ba të hajrit, poetë, gjuhëtarë, politologë e kulturologë.

Atdheu nuk buzëqeshte më, se “kishte mejtime të tjera”, do të thoshte Çajupi sarkastik.

Asht vërtet ngazëllyese kur shef autorë si E. Karamitri që me nji entuziazëm shkencor sjellin në Shqipni autorë të panjoftun e me kontribute si Peter Prifti. Ajo i ka ba zgjedhjet e saj qysh herët në fillimin e viteve ’90 dhe “fluturimin” e saj mbi “territoret” e diasporës i ka ba që më 1996 me librin e saj të parë, monografinë për dijetarin shqiptaro-amerikan Peter R. Prifti, i cili asht një përmirësim dhe pasunim i tezës së saj të doktoraturës Kontributi shkencor dhe pedagogjik në veprat e profesor Peter Priftit.

Libri në krye të së cilës destinohet ky shkrim si parathanie, mban si titull Shqiptarë në liri. Diaspora shqiptare në Amerikë – Studime letrare, dëshmi, bibliografi.(2017, 234 fq).                     Si libri i tretë i autores me këtë tematikë, po na vërtetohet se ajo po këmbëngul në eksplorimin edhe ma të thellë të diasporës, përkatësisht asaj të SHBA.

Përpjekja e saj flet ma shumë se roli i sipërmarrun i inventarizuesit të nji materiali që pret të evidentohet, të përfshihet dhe të bahet pjesë e studimeve ma integrale të letrave shqipe në shek. XX.  

Megjithse e quan pak a shumë të shterruem interesin e tij për Peter Priftin, libri që kemi në dorë, i paguen një tribut të fundëm këtij personaliteti të botës diasporake amerikane, që me kaq përkushtim dhe dizinteres vetjak u muer, simbas mënyrës së tij, me plotësimin për letërsi të nevojave të komunitetit shqiptar të Bostonit e ma gjanë.

Mos të harrojmë edhe nji fakt tjetër shum të randësishëm se aktivistët kulturorë shqiptaro-amerikanë, edhe pse ndodheshin në një vend demokratik dhe të lirë si Amerika, nuk mund të propagandonin e të përhapnin letërsinë zyrtare që zhvillohej bashkëkohësisht në atdheun e tyne amë. Letërsia zyrtare shqiptare, e ashtuquejtuna e realizmit socialist, ishte e ndotun ideologjikisht dhe për këtë shteti amerikan kishte ndjeshmëni të hatashme. Mbas 1947 kur Browder-i e shkriu partinë komuniste amerikane, shteti amerikan krijoi shërbime të veçanta për zbulimin dhe hetimin e çdo veprimtarie komuniste dhe historia e ktij shteti nuk asht nga ma demokratiket kur bahet fjalë për propagandën komuniste. Kështu që, po të shofim me kujdes edhe tekstet për të cilat kujdesej elita kulturore shqiptaro-amerikane janë paksa të kapërcyer dhe anakronikë. Mesa duket, interesat letrare nuk duhet të kapërcenin kufijtë e tematikës shtetformuese dhe indipendentiste shqiptare. Por edhe nëse duhet të bahej ndonjë përjashtim, ai përjashtim pajtohej vetëm me letërsi dokumentare dhe udhtimesh siç asht rasti i librit Përmes Mirditës në dimër, përkthimi i të cilit na duket sikur duhet të promovonte një paketë turistike, që mund të konsumohej vetëm me imagjinatë, në kushtet kur objekti i këtij libri ndodhej mbrenda një izolimi total.

Pra, mund të themi se gama letrare e përpunueme për nevojat shpirtnore të komunitetit të diasporës asht shum e vorfën dhe zgjon ndjenja gjeografikisht të kufizueme deri në të ndalueme. Ngandonjiherë na dukej se misioni i ktyne njerzve vullnetmirë e shtynte lexuesin e vet nëmos tek e pamunduna, tek e ndaluemja po se Me një fjalë, mendojmë se vepra në shqip me rezonancë ma të gjanë njerzore dhe shpirtnore, do të kryenin nji rol të shumfishtë dhe do të edukonin edhe atdhedashuni.

Por Peter Prifti me shokë e nuhasnin indoktrinimin e produktit aktual shqiptar të asaj kohe dhe u shmangeshin teksteve që mbanin erë propagandë. Se përse kta personalitete dhe njerz të shkolluar e të selitur me lirinë e mendimit nuk mbajtën një qëndrim kritik ndaj produktit të atëhershëm letrar në Shqipni, të hapnin polemika në gazetat e shumta që kishin dhe të pasunonin rubrikat me tema tërhjekëse letrare, mbetet ende nji enigmë. Frika nga censura e shtetit amerikan dhe ideja për të mos e goditë shtetin amë, ndoshta kanë ba që këta intelektualë të pajisun me dije solide, të detyroheshin të ecnin në tel, si disa mjeshtra cirku.

Autorja Eleni Karamitri ka sjellë nji risi të pëlqyeshme në këtë libër të sajin, sepse ka tentue nji paraqitje, qoftë edhe skematike, të autorëve shqiptarë të diasporës në çift. Libri trajton Nolin dhe Konicën në çift, po ashtu Arshi Pipën dhe Peter Priftin. Autorja ka shpikur një strukturë dialogjike të paraqitjes së këtyne çifteve të ndritshme të mendjes shqiptare, që punonte jashtë atdheut. Ksisoj paraqitja duale e autorëve, sa me kritere kronologjike aq edhe me kritere tematike, ka shmangë renditjen vertikale të meritave dhe ka promovue paraqitjen transversale, e cila asht edhe komparative, edhe historike.

Paraqitja e Nolit dhe e Konicës si një pendë qe që lërojnë arat e letrave shqipe, ka ma shum reliev dhe prodhon ma shum energji sugjestionuese. Veç e veç ata rezultojnë ma pak miq se e kundërta. Struktura duale e ban ma të mundshëm pajtimin moral që shpesh nuk shkon paralelisht me atë intelektual dhe personal. Kurse strukturimi dyshes Pipa-Prifti mbahet vetëm në ganxhën kronologjike. Çdo simetri humbet po të kihet parasysh agresiviteti konstant i Pipë ndaj metamorfozës diktatoriale të punëve në Shqipni. Pipa na duket se, me kritikat e tij, pak gjana i la në kambë atij sistemi. I përqasur me Peter Priftin nga kjo pikëpamje na duket ma tepër çeshtje forme dhe konseguencë strukturore.

Për historinë e diasporave tona që ndezen e fiken, sot mund të ketë fillue nji histori e re, ajo e pasjes së nji qendre që askush nuk e pengon me qenë edhe  gjeometrikisht qendra e periferive kulturore që ato përbajnë. Por asht tepër herët me thanë sesi do të zhvillohen punët. Me si kanë ndodhë punët deri tash, pesimizmi ka qenë shoku ma i sigurtë.

 

Filed Under: Mergata Tagged With: diaspora, Libri i Eleni karamitri, Primo Shllaku

Pacolli Daçiçit: Shtetësia e Kosovës, punë e kryer

March 16, 2018 by dgreca

1 Pacolli Dacic

-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli në Takimin të përbashkët të ministrave të jashtëm  të Ballkanit Perëndimor me drejtues të lartë të Komisionit Europian dhe Britanisë së Madhe në Sarajevë.  “Shtetësia e Kosovës është punë e kryer”, i tha ai ministrit të punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç/

1 Pacolli

Nga Behlul Jashari/

SARAJEVË, 16 Mars 2018-Gazeta DIELLI/ Shtetësia e Kosovës është punë e kryer, i tha sot ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ministrit të Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiç1 Tryeza Paco

Kryediplomati Kosovar foli në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës,  Sarajevë, ku nisi takimi i përbashkët i ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor me drejtues të lartë të Komisionit Europian dhe Britanisë së madhe në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Iniciativës së Triestes, dy instrumenta nxitës të afrimit të këtyre vendeve me Bashkimin Europian.

Në fillim të fjalës së vet, ministri i Jashtëm dhe numri dy i qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, pati disa fjalë keqardhjeje për përpjekjet e Bosnjës për të përjashtuar Kosovën nga ky aktivitet.Duke ju përgjigjur ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili vuri në diskutim pjesëmarrjen e Kosovës në Sofie, në takimin e ardhshëm organizuar nga Bulgaria,  Pacolli tha: “Shtetësia e Kosovës është diçka e kryer. Ne do të jemi bashkë në Sofie, si gjithë shtetet e tjerë të Ballkanit dhe të Bashkimit Europian”.Më pas, ministri Pacolli foli për implikimet e Strategjisë së Zgjerimit të Bashkimit Europian në veprimtarinë e qeverisë së Kosovës, brenda vendit dhe në marrëdhëniet me rajonin dhe BE-në.

Ministri Pacolli nënvizoi faktin se Strategjia e konfirmoi  anëtarësimin e sigurt në të ardhmen e afërt të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, diçka që tashmë u bë e qartë edhe për Serbinë.“Ne mbetemi të angazhuar fuqimisht në procesin e integrimit europian, zbatimin e marrëveshjes së Asocim Stabilizimit, ashtu si dhe në Dialogun e Lehtësuar prej BE- për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht detyruese për të dy palët”, tha  ministri Pacolli.“Po rrisim bashkëpunimin me të gjithë fqinjët, madje dhe me Greqinë që e mbështet integrimin tonë europian”, vijoi ai.

Duke ju referuar Procesit të Berlinit, iniciativë e Bashkimit Europian për të nxitur bashkëpunimin ekonomik, infrastrukturor, etj, midis vendeve të Ballkanit, shefi i diplomacisë kosovare propozoi krijimin e një Zone të Lirë Ekonomike ndërkufitare midis Veriut të Kosovës dhe Jugut të Serbisë, si një veprim asimetrik, që do të sillte zhvillim ekonomik, do të normalizonte marrëdhëniet ndëretnike dhe do të relativizonte rëndësinë e kufijve.

Duke ju referuar Zonës së Përbashkët Ekonomike në rajon, Pacolli tha se e mirëkuptonte qasjen e Bashkimit Europian që e shihte këtë Zonë si paradhomën e integrimit.Por, vijoi kryedilomati i Kosovës: “Si të zgjidhim pabarazitë në trajtimin reciprok? Si ta detyrojmë Bosnjën dhe Serbinë që të heqë pengesat për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, dhe kapitaleve në gjithë këtë hapësirë? Si ta detyrojmë Serbinë të zhbllokojë funksionimin e linjës së Interkoneksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, veprim që e kryen për të ruajtur monopolin në shpërndarjen e energjisë në rajon? Si t’i kapërcejmë pabarazitë e krijuara prej pozicionit gjeografik, duke kompensuar ato vende që nuk kanë kufij me BE-në? Na duhet, gjithashtu dhe një instancë arbitrimi për mosmarrëveshjet mes nesh, jo thjesht mbi bazë dypalëshe apo rajonale”, qartësoi ai pozicionin e Kosovës.Duke ju referuar lëvizjes së lirë të qytetarëve në rajon dhe drejt Bashkimit Evropian, Pacolli kërkoi liberalizimin e vizave me BE-në, “sepse  Kosova nuk mund të bëhet vrima e zezë e Europës”.Në fund, ministri i Jashtëm i Kosovës ju drejtua ministrit të  Jashtëm të Bosnjë Hercegovinës, Igor Crnadak, me shaka: “Duhet ta mbyll shpejt fjalimin, sepse qëndrimi im në Bosnjë është vetëm për dy ditë sipas vizës që më dhatë”.Ministri i jashtëm Pacolli bëri thirrje që të lehtësohen kontaktet midis qytetarëve boshnjakë të Kosovës apo kosovarëve në përgjithësi dhe Bosnjës, në përputhje me frymën e bashkëpunimit rajonal./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Pacolli-Dacic, Shtetsia e Kosoves

“Proletarë” të drejtësisë bashkohuni e bjerini!

March 16, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Sipas një njoftimi më të fundit, në Lezhë janë arrestuar 22 persona. Duke filluar me kryetarin e Bashkisë dhe vartës apo funksionarë të tjerë të pushtetit lokal aty. Akuza, tjetërsim të pronës, përmes këtyre korridoreve interpretuese të legjislacionit shqiptar. Nga toka arë, në truall etj., me qëllim përfitimi në ndonjë investim publik. Një modë tashmë tradicionale e shtetarëve tanë. Nuk dua t’i hyj debatit me faktin se një kryetar Bashkie, sidomos kur bëhet fjalë për prona me sipërfaqe të mëdha operon përmes këshillit bashkiak. Nuk po e konsideroj këtë pasi aty është arrestuar edhe nënkryetari apo kryetari i këshillit dhe funksionarë të tjerë. Një numër prej 22 kuadrosh, madje ka edhe më, në kërkim… Në bazë të një llogjike të thjeshtë, i bie që fitimi duhet të jetë baraz me një minierë floriri. Dhe hiset e tepsisë, goxha të majme. Sepse një kryetar nuk mundet e të bëj fallcifikime duke urdhëruar vartësit e tij. Kush vjen nga një farë përvojë në administratë e kupton këtë, madje qesh hidhët. Kështu që, ose bëhesh ortak me kryetarin, ose hiqesh nga puna. Megjithëse nga ana tjetër një kryetar shqiptar zor se ndan një haraç me njëzetë e kusur persona. Nuk ia vlen të merresh me këtë. Drejtimi është i qartë, sidomos tani që po afron edhe fushata elektorale për pushtetin lokal.
Por është naive të mendosh se dëmtuesit më të mëdhenj të pronës së shtetit qenkan ca kryetarë të porsa zgjedhur, të së djathtës, në kuptimin e një mandati. Si ky Frani i Lezhës, në zgjedhjet e fundit. Krahasuar me këta ujqërit e stazhionuar që kanë nga 3 mandate dhe po lakohen për një të katërt. Përshembull ai i Elbasanit, Durrësit, Skraparit. Pa përmendur ca isha në Fier e Vlorë. Këta i kanë shijuar si kohën me 3 si me 4 vite qëndrim në pushtet. Eimagjinoni se sa prona kanë transformuar e sa e sa firma kanë hedhur. Kështu që i bie që kjo e Franit nga Lezha, nuk është asgjë tjetër por një vrimë në ujë. Në fakt si Durrësi dhe Elbasani janë katëricëpërisht të pushtuar nga mafia e pushtetit të majtë. Aq sa janë shfaqur me pamje, sfidat e krimit kundër uniformave. Apo organeve të tjera të shtetit. Nga Durrësi përshembull, vijnë thuajse përditë denoncime publike, mbi shpërdorimin e fondeve, në transformimin e pronave bregdetare, por asgjë. Si në rastin e Elbasanit ashtu edhe të Durrësit, nuk ka një të arrestuar. Dhe a e dini përse, sepse janë një pushtet paralel me të cilin nuk dëshiron konflikt as shkëlqesia e tij, Edi Rama. Se po të kishte arrestime aty, ky kontingjenti i Lezhës ti merrte të keqen atij të Eëbasanit e Durrësit. Çfarë 22 persona? Po 222 për kokë… Po nuk e bëjnë. Aty nuk ka veting. Ka respekt padrinosh e tipit sicilian. Reforma në drejtësi filloi kështu me ca karkaleca gardhi si ky i Lezhës. Dhe në fakt mirë ja bëjnë demokratëve. Deri dje kishin një prokuror që mendoi vetëm për veten. Mbrojti ca syresh dhe nuk arrestoi asnjë, nga të dy krahët. U bë si të thuash një lloj shushunje që iu afrua tepsisë me lugë në brez. Nga ana tjetër fryma demokrate është përfshirë në një squllje për shkak të ca djemve me livando që merren me WhatsApp mbi orgjitë e tyre seksuale, jo me shifrat një katastrofë që na radhit me vendet e botës së tretë. Merren me ndryshim e datave të shenjta, mbi lirinë dhe të drejtat e njeriut. Me përzierjen e tyre me atë të krimeve të diktaturës etj. Dhe kanë të drejtë, se, nuk janë demokratë, por legena. Demokratët e kam thënë dhe herë të tjera, i ka nxjerrur në pension. Ndërkohë një popull i tërë beson këto dokrra. Mbi pastrimin e administratës. Reformat. Dhe broçkullat e fundit të Edi Ramës se, për një vit, në Shqipëri janë kthyer rreth 25 mijë emigrantë. Po, janë kthyer, apo janë përzënë?! Kjo është e gjitha. Mirëpo një të dëbuar, qoftë ky nga Greqia, Italia, apo Gjermania, apo një të pafat andej jashtë, Edi Rama e quan sukses të arritjeve qeveritare. Sukses i shtetit të tij. Ku flet vetëm ai. Ai dhe lali Eri…, industrialisti i punëve vullnetare.

Filed Under: Analiza Tagged With: bashkohuni e bjerini, Ilir Levonja, Proletarë të drejtësisë

DIELLI- Kalendar-15 mars 2005, Presidenti Rugova i shpëtoi atentatit

March 16, 2018 by dgreca

-Presidenti Rugova ndodhej në veturë dhe po kalonte rrugës për të shkuar në takim me atëherë Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana/

 Rugova-Solana

-12 prill 2005, Presidenti i Kosovës Rugova refuzoi një takim me Presidentin e atëhershëm të Serbisë, Tadiç, “para se të njihet pavarësia e Kosovës”/

rugova_engel

-7 korrik 2005, në Kosovë qëndroi Kongresisti Amerikan Eliot Engëll, të cilin Presidenti Rugova e nderoi me Medaljen e Artë të Lirisë/

-KALENDAR, Gazeta DIELLI/

PRISHTINË, 15 Mars 2018/ Para 13 viteve, në 15 mars 2005, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i shpëtoi një atentati në qendër të Prishtinës.Ngjarja ndodhi rreth orës 8 e 20 minuta, derisa Presidenti Rugova ishte në veturë dhe po kalonte rrugës për të shkuar në takim me atëherë Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, në Presidencën e Kosovës – ndërtesën e Kuvendit.

Besohet se mjeti shpërthyes, që ishte vendosur në një kontejner afër qendrës së kryeqytetit të Kosovës, ishte aktivizuar me teledirigjues, ndërsa burime të afërta me mbrojtjen e Presidentit kishin thënë se atë e kishte shpëtuar shkalla e lartë e sigurisë së makinës në të cilën gjendej, gjegjësisht shkalla e blindimit të saj.

“Për fat të keq, ende ka elementë, ende ka njerëz që dëshirojnë ta destabilizojnë Kosovën”, tha Presidenti Rugova në lidhje më atentatin, pas takimit me Solanën – Përfaqësuesin e Lartë të BE.

Pas më pak se një muaji, në 12 prill 2005, Presidenti i Kosovës Rugova refuzoi një takim me Presidentin e atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiç. “Para se të njihet pavarësia e Kosovës, takimi mund të ndodhë vetëm në rrafsh multilateral, në ndonjë konferencë ndërkombëtare”, insistonte Rugova. Në 7 korrik 2005 në Kosovë qëndroi Kongresisti Amerikan Eliot Engëll, të cilin Presidenti Rugova e nderoi me Medaljen e Artë të Lirisë, për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës. Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, Engëll tha se Kosova do të jetë shumë shpejtë e pavarur.

“Jam i sigurt, ashtu siç marr frymë, se Kosova do të bëhet një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik, sepse qytetarët e Kosovës nuk meritojnë më pak, sepse qytetarët e Kosovës duan t’i bashkohen demokracive të gjithë botës”, u shpreh Engell, duke i vlerësuar marrëdhëniet e popullit  të Amerikës dhe të Kosovës të mrekullueshme dhe të fuqishme.

Kongresisti Engell tha se Rugova është një patriot i madh dhe Kosova është fatlume që e ka lider./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, DIELLI- Kalendar-15 mars 2005, i shpëtoi atentatit, Presidenti Rugova

Kosova ka nevojë për një Strategji të qartë në Diplomacinë Ekonomike

March 16, 2018 by dgreca

1 Besnik Hoti

Nga Besnik Hoti/ Zëvendësministër MPJ/*

Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Ministria e Punëve të Jashtme ka pasur dy synime themelore: themelimin dhe funksionalizimin e shërbimit diplomatiko-konsullor, si dhe lobimin për njohje dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Gjithashtu gjatë këtyre viteve Ministria e Punëve të Jashtme e ka promovuar në mënyrë aktive diplomacinë publike si mjet i prezantimit dhe forcimit të imazhit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në mënyrë paralele poashtu ështe zhvilluar edhe diplomacia ekonomike, por, e cila nuk ka ndikuar në axhendë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për këtë arsye ka dalë si domosdoshmeri hartimi i një strategjie kombëtare për diplomacine ekonomike. Një orientim i tillë drejt diplomacisë ekonomike vjen natyrshëm pas konsolidimit të shtetësisë dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës ku deri më sot, është njohur nga 116 vende të ndryshme të botës dhe e anëtarësuar mbi 60 organizata të ndryshme ndërkombëtare. Prandaj, në këtë fazë të re të zhvillimit të Republikës së Kosovës, nevojitet një qasje e re proaktive ndaj diplomacisë ekonomike.

Kjo qasje e re duhet t’i adresoj të gjithë faktorët që sot e mundësojnë rritjen ekonomike dhe përmirësimin e imazhit të Republikës së Kosovës si vend potencial për investime, duke krijuar një listë të prioriteteve, koordinimin e politikave, dhe proceseve institucionale, në formën e një strategjie, e cila do të mundësojë realizimin e një standardi të  qëndrueshëm në diplomacinë ekonomike, duke suportuar investitor në sfera të ndryshme dhe sektor kyç të ekonomisë.

Strategjia Kombëtare për Diplomacinë Ekonomike si strategji e zhvillimit nuk adreson të gjitha aspektet e qeverisjes, por vetëm ato që lidhen me zhvillimin gjithëpërfshirës të diplomacisë ekonomike. Për më tepër, ky dokument duhet të  përfaqësoj një dokument nismash zhvillimore të cilat prioritizohen si  objektiva kombëtare.

Po ashtu, duhet kuptuar se zhvillimi i shtetit të Kosovës varet nga performanca ekonomike si dhe promovimi i bashkëpunimit ekonomik në tregje, investime dhe zhvillimin e turizimit. Për te pasur një diplomaci ekonomike të sukseshme duhet pasur qasje racionale në të shfrytëzimin e avantazheve të   ambientit të jashtëm, e cila do të mundësojë rritjen e përfitimeve nacionale në të gjitha fushat e aktiviteteve, duke përfshirë tregtinë, investimet, si dhe të gjitha shkëmbimet e tjera të nevojshme ekonomike. Pra, në kuptimin e përgjithshëm diplomacia ekonomike, mund të shërbejë për të zgjeruar rritjen e influencës ekonomike dhe duke shërbyer më shumë si strategji, se sa instrument i politikës së jashtme. Në këtë aspekt, diplomacia ekonomike kalon nga promovimi i bizneseve jashtë vendit drejt zhvillimit të strategjisë, e cila involvon rrjetin diplomatik për ti përfaqësuar dhe ndihmuar në reklamimin e produkteve vendore në tregjet ndërkombëtare. Po ashtu, përmes misioneve diplomatike mundësohet promovimi i potencialeve ekonomike dhe burimeve natyrore, fizike dhe njerëzore të Kosovës.Disa  prej qëllimeve kryesore të diplomacisë ekonomike përmes strategjisë kombëtare duhet të jetë:

-lehtësimi i qasjes në tregjet e huaja për bizneset nacionale;

– tërheqja e investimeve direkte të huaja; dhe

– Pjesëmarrja në institucionet ndërkombëtare duke i’u shërbyer interesave nacionale.

Kompenentat kryesore të cilat do të mundësojnë realizimin e një diplomacie të sukseshme ekonomike, nuk përfshin vetëm angazhimin ekonomik të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por më tepër, atë të Tregtisë së Industrisë, dhe Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Pra, nuk ështe vetëm një njësi e promovimit të diplomacisë ekonomike në kuadër të hierarkisë institucionale. Por, të gjitha këto institucione shtetërore së bashku duhet të ndërrmarin nisma të përbashkëta për funksionalizimin ndër-institucional me qëllim realizimin e suksesshëm të diplomacisë ekonomike. Bashkëpunimi i këtyre institucioneve ështe i domosdoshëm për shkak të ndërlidhshmërisë së ushtrimit të diplomacisë ekonomike dhe praktikimit te diplomacisë tradicionale.

Roli i misioneve diplomatike konsullore në tërheqjen e investimeve strategjike të huaja

Tërheqja e investimeve direkte të huaja do të bazohet në legjislacionin në fuqi, përkatësisht në Ligjin Nr. 05/L-079 për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës dhe Ligjin Nr. 04/L-220 për Investimet e Huaja. Këto dy ligje kanë për qëllim nxitjen, tërheqjen dhe krijimin e kushteve për realizimin e investimeve strategjike në Republikën e Kosovës. Ligji inkurajon dhe mbështet investimet vendore dhe të huaja në sektorët si; energji, infrastrukturë, miniera, transport dhe telekomunikacion, turizëm, bujqësi dhe shëndetësi. Poashtu këto ligje japin garanci maksimale juridike për investitorët e huaj. Gjithashtu ligji për themelimin e zonave ekonomike dhe zonave ekonomike të lira ka për qëllim “nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në Kosovë duke iu ofruar investitorëve infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarisë afariste. Pra, ky ligj do të krijojë premisa për tërheqje të drejtpërdrejtë të investimeve të huaja që sjellin vlerë në ekonominë e Kosovës.Prandaj është e domosdoshme duke u bazuar në kapacitetet ekzistuese të misioneve diplomatiko-konsullore, të fuqizohet më tutje promovimi i diplomacisë ekonomike si dhe monitorimi i vazhdueshëm i punës së këtyre misioneve për promovimin e mundësive të reja, potencialeve dhe idenfitikimin e investitorëve strategjik.

Gjithashtu duhet bërë përcjellja e ngjarjeve biznesore në vendet ku misionet diplomatike janë të akredituara për të prezantuar imazhin e Kosovës si destinacion i përshtatshëm për bizneset e huaja. Në këtë kontekst, misionet diplomatike duhet të sigurojnë material propagandues për kapacitetet egzistuese të Kosovës, me qëllimin e mbajtjes së prezantimeve përpara bisnemenëve në vendet e cileve misioni diplomatik është i akredituar. Po ashtu, një nga objektivat kryesore të “diplomatëve ekonomike” duhet të jetë edhe mbrojtja e bisneseve nacionale të cilat operojnë në tregjet e huaja, si dhe mbështetja e tyre për krijimin e lehtësirave të eksportit të produkteve vendore në rrjetin ekonomik ndërkombëtar. Një nga pikat kryesore të misoneve diplomtike duhet të jetë edhe vendosja e kontakteve me diasporën tonë dhe intensifikimin e bashkëpunimit me bisneset kombëtare.

Në përgjithësi top prioritet i Qeverisë së Kosovës duhet të mbetet PROGRESI EKONOMIK. Ministria e Punëve të Jashtme dhe misionet diplomatike, duhet të shfrytëzojnë diplomacinë ekonomike për të implementuar këtë prioritet. Në këtë rrafsh puna e përditshme e Ministrisë duhet të jetë:Përfaqësimi i Republikës së Kosovës si një destinacion për promovimin e tërheqjes së investimeve të huaja dhe të bërit biznes,

-Aktivitete për stimulimin e eksporteve të produkteve vendore; këto aktivitete duhet të kontribuojnë në përforcimin e pozitës së vendit si vend i përshtatshëm në të bërit biznes dhe si vend i përshtatshëm për turizëm.

Trajnimi i stafit të autorizuar për aktivitete ekonomike

Duhet të sigurohet trajnim adekuat për personelin e autorizuar për aktivitet ekonomike, qofshin ata diplomatë të cilët deri më tani kanë pasur pozita të rëndësishme në hierarkinë diplomatike, apo ata të cilët për herë të parë e pretendojnë një gjë të tillë. Në këtë aspekt, një rol të vecantë duhet ta luaj edhe Akademia Diplomatike përmes trajnimeve adekuate.

Pastaj caktimi i ‘diplomatëve ekonomikë’ duhet të ndodhë në bazë të analizave të detajuara nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke marrër parasysh interesin e vendeve të huaja për të ardhur dhe investuar në Republikën e Kosovës. Krijimi i një stafi i cili mund të shërbejë si përgjegjës për promovimin e interesave ekonomike të Kosovës në vendet ku duhet të shërbejnë, përbënë një proces kompleks në vetvete. Së pari, ata duhet të njohin kapacitetet e vendit të tyre në kuptimin e gjerë, duke përfshirë këtu legjislacionin i cili e rregullon sferën e ekonomisë, ndryshimet të cilat ndërrmiren në vazhdimësi përmes legjislacionit me qëllim për të përmisuar ambientin e biznesit për investitorët e jashtëm dhe të brendshëm dhe projektet madhore për të cilat ka nevojë Kosova. Me një politikë të tillë afat-mesme (2018-2021) duhet të parashohim ndryshime kulitative në strukturën e stafit nëpër misione diplomatike dhe konsullore dhe në përgjithësi në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të futur rrjetin diplomatik në shërbim të promovimit të ekonomisë.

  • E falenderojme zv.Ministrin Hoti qe e ndau kete opinion studimor me lexuesit e Diellit.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Besnik Hoti, Diplomacinë Ekonomike, ka nevojë për një Strategji të qartë në, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT