• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2018

Tahsin Dmiraj “Në syrin e ciklonit”

March 6, 2018 by dgreca

 NJË LIBËR QË NUK MUND TË ANASHKALOHET/1 Tahsim Demiraj

               Impresione për librin antologjik “Në syrin e ciklonit” TË SHKRIMTARIT TAHSIN XH. DEMIRAJ/

 

1 Faslli Haliti 3 ese nga FASLLI HALITI/Që ditën e parë të ardhjes së regjisorit të ri në qytetin tonë, qyteti e quajti atë, i ardhuri me flokë të gjata. Ky i ardhuri me flokë të gjata në qytetin tonë ishte regjisori i ri i Shtëpisë së Kulturës, Tahsin Demiri. Unë e njihja atë, sepse kishim studiuar që të dy në Liceun Artistik për pikturë. Më vonë që të dy ne u ndamë nga piktura. Tahsinin e rrëmbeu aktrimi, regjisura, kurse mua poezia.
I gjatë, simpatik, natyrë, pak e rëndë në dukje, sepse në të vërtetë ai ishte me një humor të tipit anglez, tepër qytetar, i pastër. Edhe këtë cilësi unë ia njihja regjisorit të ri që vinte nga Durrësi. Në lice bëhej humor, sepse atje studiohej për pikturë, muzikë, teatër. Si shkollë artistike, Liceu ishte më elitari nga të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë. Që në vitet pesëdhjetë, kur shkollat e mesme u bënë masive, në Liceun Artistik, nuk mund të futej kushdo. Futeshin vetëm më të talentuarit, ata që fitonin konkursin e pranimit. Kjo e bënte atë edhe më elitarist.
Që në Lice, Tahsin Demiri dallohej si një talent sui generis dhe si një nxënës që pretendonte të bëhej dikush në jetë siç e thotë edhe vetë në librin e tij “Në Syrin e Ciklonit”. Dhe rasti iu dha, me të ardhur në Lushnjë, në qytetin me intelektualë vendas e të ardhur nga Tirana dhe gjithë Shqipëria, po thuaj. Në Lushnjë ai gjeti një elitë intelektualësh specialistë  të Institutit të Kërkimeve Bujqësore, Ivan Miçurin, diplomuar në akademitë e perëndimit e të lindjes si dhe në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës në Tiranë. Jo më pak elitar ishin edhe profesorët e gjimnazit, të ardhur nga Tirana, vendasit dhe mbi të gjitha talentet e që grumbulloheshin në Shtëpinë e Kulturës që përndritej nga gjenesha e këngës, Vaçe Zela. Këtu regjisori i ri do të gjente elementin më ideal dhe pas shumë shfaqjesh të suksesshme me grupet teatrore amatore do të krijonte Teatrin e Estradës në Lushnjë

Duke qenë aktor, regjisor, piktor, skenograf, poet, Tahsin Demiri ia dilte që pjesën më të madhe të shfaqjes ta përballonte vetë. Por ai nuk mbështetej vetëm te vetja, ai mbështetej te aktorët më të talentuar dhe kjo i siguronte suksesin. Jo rrallë shfaqjet e tij ai shkëlqente me Takimet me estratadën e vendit duke u kthyer jo rrallë me trofe të ndryshme.
Premierat e Estradës së Qytetit tonë ktheheshin në një manifestim artistik gjithë kolor e dritësi. Në muzgun e atyre viteve ato bëheshin dritë dhe në qiellin e artit lushnjar filluar të shkëlqenin yje aktorësh, këngëtarësh, poetësh, piktorësh, skulptorësh, të paerrësuar e eklipsuar nga askush, emrat e të cilëve, Tahsini i bënë të njohur, në librin e tij, mbase pa harruar askënd. Tahsini botonte poezi në shtypin qendror letrar, organizonte së bashku me shokët ekspozitat e arteve figurative në Shtëpinë e Kulturës, duke marrë pjesë dhe vetë në të, realizonte skenat e dramave që vinte vetë në skenë, shkruante skeçe, pjesë dramatike me një e dy akte, bënte pllakate, shkruante tregime, radiodramatizime. Ai buronte i gjithi krijimtari. Një fat për Lushnjën.
Edhe pse i gërricur vazhdimisht nga thonjtë e disave që zhvillonin te artisti kotësisht Luftën e klasave për shkak të babait të tij të burgosur si kombëtaris, oficer akademist e me kulturë perëndimore. Por artisti periodik e përballonte këtë luftë mjeranësh me art, krijimtari, me dashuri të epërme për atdheun, njerëzit, madje edhe me mirënjohje e vlerësime për disa nga pushtetarët e partiakët e asaj kohe që janë treguar objektivë e lealë me të, për të cilët ai shprehet pa asnjë mëdyshje e rezervë, duke i përmendur edhe me emër disa prej tyre në libër. Rrëqethës edhe largimi i artistit nga Lushnja, nga vendlindja e tij e dytë siç e quan edhe ai vetë.
Unë e njihja krijimtarinë e Tahsinit që në vitet gjashtëdhjetë, kur ai erdhi në Lushnjë, por një gjë po kuptoj tani me krijimtarinë e tij, nëse te ne ato vite në krijimtarinë e tij vihej re një mëgojëz, një pengojcë e padukshme që linte përshtypjen e diçkaje të sforcuar, arsyeja paska qenë se artisti krijonte e përformonte në gjendje striksioni.  Krijimtaria e tij shihej me dyshim. Ai e dinte këtë dhe shtonte kujdesin, përforcimet që të mbrohej sa më gjatë e sa më mirë që të vinte një ditë me një libër gjithë dhimbje, peripeci, telashe, dëshpërime, bezdisje mizash, zhgënjime, por, në të cilin në asnjë çast që do të përshkruhej e në asnjë kapitull, paragraf e faqe nuk do të mungonte vetëm diçka: shpresa…
Dhe Tahsin Demiraj, i përvuajturi i madh i regjimit, ia arriti qëllimit, ai e shkroi këtë libër që s’do të mund të anashkalohet lehtë, sepse tregimet, esetë, memuaristik e tij sundohen nga jeta, popullohen me njerëz të mirë e të ligj, me të kulturuar e injorantë, me progresitë e konservatorë, me të talentuar, të penguar nga sistemi, mediokër beniaminë të sistemit të vjetër, tashmë. Personazhet e tregimeve janë kryesisht drejtorë, inspektorë, brigadierë, sekretarë partie zuzar, shefe kuadri me autoritaristë, maskilistë, pa shkollë, injorantë që vetëdemaskohen me gafat që bëjnë në të folur e me qëndrimet e tyre vanitozë përpara vartësve. Autori nuk i përqesh, nuk i tall, nuk i abrutizon, por i vë që të zbërthehen në valën e humorit si elementë dhe forca regresistë që i sillen nëpër këmbë shoqërisë dhe ngadalësojnë ecjen përpara të shoqërisë.
Por, mbi të gjitha, libri i Tahsin Demirajt, është dhe do të mbetet, një libër i dashurisë për prindërit e tij të përndritur me kulturë, etikë, humanizëm shqipëtar, përndritje të cilën, s’do të  mund ta zymtësonin dot përndjekjet e gjata perfide, paradoksale, absurde, fatale; por ky është edhe libri i dashurisë, i përkushtimit, përkujdesjes për dy fëmijët e vet, për dy neonet e tij me dritë të dëbortë që nuk e lenë asnjë sekondë të përhihet, ta mbulojë muzgu të atin e tyre të çmuar që për hir të avenirit të fëmijëve, brezit të ndritur, mori rrugën e syrgjynit, siç thotë dhe vetë në libër; por ky është edhe libri për vëllezërit, motrat, për nipat dhe mbesat, për të cilët autori shqetësohet, merakoset si për veten e vet, sidomos për motrat sa intelektuale dhe amvisa, sa estetike dhe të thjeshta, sa krenare dhe modeste; një përkujdesje të veçantë ka sidomos për vëllanë e madh, Bardylin dhe për motrën e vogël, Dezin e cila e ndoqi e s’e la vetëm të vëllanë, gjatë gjithë odisesë së tij dhe sidomos gjatë kohës që punonte në Lushnjë, qytet për të cilin ajo u bë topmodelja e tij, ndonëse e veshur me gjëra të thjeshta, por të prera e të qepura në mënyrë tepër estetike.
Po kaq libri është edhe libri i shokëve të shumtë të cilët autori i përmend me emër, i vlerëson dhe pjesëton hidhërimet dhe shumëzon gëzimet e pakta me ta. Llukan Kola, regjisori i talentuar, shoku, miku dhe mbi të gjitha protagonisti i dramës së jetës së tij të gjatë e me shumë akte demirjane e shoqëron autorin në skena të rënda dramatike dhe normale. Pranë Tahsinit, Llukani, është si Horati pranë Hamletit. Ju do t’i lexoni vetë emrat e tyre dhe do të njiheni në këtë libër dëshmi beletristike, me fatet e cilitdo, do të njiheni me ata me peripeci e me të tjerë me më shumë peripeci akoma të cilët do të jenë lexuesit më të uritur të librit të shkrimtarit Tahsin Xh. Demiraj. Prandaj thashë që në krye se ky libër zor se mund të anashkalohet.

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Esse nga Faslli Haliti, ne serin e Ciklonit, Tahsin Demiraj

NJË JETË PËR SHQIPEN – NË KUJTIM TË PROF. NORBERT JOKL

March 5, 2018 by dgreca

1-agron-alibali-2

Nga Agron Alibali/

Në mëngjesin e një dite të ftohtë marsi, pikërisht 76 vjet më parë, me 4 mars 1942, dy oficerë të Gestapos do të trokisnin në portën e apartementit të Prof. Norbert Jokl në rrugën Neustiftgasse 67 në Vjenë.Në kryerje e sipër të arrestimit, dy oficerët nazistë nuk mund të mos vërenin studion e vogël dhe modeste tê profesorit të shquar, si dhe bibliotekën me mëse 3000 libra të rrallë dhe mijëra faqe dorëshkrimesh.Trazimet në jetën e prof. Jokl kishin nisur rreth 4 vjet më parë, me “bashkimin” e Austrisë me Gjermaninë, kur Jokli ishte pushuar nga puna e tij si kryebibliotekar në Universitetin e Vjenës dhe Prof. i Gjuhësisë atje.Menjëherë filloi edhe beteja e miqve shqiptarë, në Europë e Amerikë, për shpëtimin e tij. Në krye të përpjekjeve u vunë Faik Konica dhe Fan Noli. Synimi fillestar ishte dhënia e shtetësisë shqiptare për Joklin në pritje të nguljes së tij në Shqipëri. Kurse në atdhe për Joklin po përpiqeshin edhe Poradeci, Fishta etj.

Jokli ia kishte kushtuar jetën gjuhës shqipe. Edhe pse studimet universitare i kishte kryer në drejtësi, Jokli kishte mbaruar doktoraturën në gjuhësi krahasimore, duke u specializuar në shqipen, gjuhët balltike e sllave, dhe më pas u përfshi tërësisht në këtë fushë të rrallë të dijes.

Me punën e tij këmbëngulëse dhe njohuritë e thella në gjuhësinë krahasimore, ai kishte arritur përfundime shkencore me rëndësi të jashtëzakonshme në studimet albanologjike dhe të gjuhëve indoeuropiane.  Vetë Mbreti Zog e kishte nderuar Joklin me dekoratën më të lartë të Mbretërisë me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë.  Sipas Prof. Mahir Domit, shteti shqiptar, me ndërhyrjen e Aleksandër Xhuvanit, kishte dhënë 5000 franga qysh në vitin 1926 për botimin e punimit madhor të Joklit – Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe.

Mirëpo pushtimi fashist i Shqipërisë ndryshoi rrjedhën normale të jetës dhe të historisë. Prandaj, Jokli e mendoi seriozisht për të emigruar në Amerikë dhe për të vijuar punën atje. Dhe aty atij iu gjindën sërish Fan Noli dhe Faik Konica, edhe pse ky i fundit tashmë kishte mbetur pa punë. Noli madje përfshiu në përpjekjet për shpëtimin e Joklit edhe Departamentin amerikan të Shtetit, si dhe institucione të ndryshme që ndihmonin studiues hebrenj të rrezikuar nga përndjekjet naziste.

Ndërkaq, autoritetet kolaboracioniste në Tiranë, të cilat e njihnin mirë dhe e respektonin së tepërmi personalitetin dhe punën e Joklit, i nisën atij ftesën e njohur të shtator 1941″, ku i ofronin punësim si Kryebibliotekar i Shqipërisë dhe i bënin thirrje të nisej pa humbur kohë.

Mirëpo Jokli ngurroi. Përse vallë?

Sipas gjetjeve të fundit, tri ishin arsyet kryesore:

Së pari, Jokli ende mbante shpresë për kalimin përfundimtar në Amerikë. Mirëpo dera amerikane u mbyll tërësisht pas sulmit në Pearl Harbor në dhjetor 1941.

Së dyti, duket se ai ruante njëfarë rezervë ndaj autoriteteve kolaboracioniste në Tiranë. Shqipëria e pavarur nuk ishte më. Mbreti Zog dhe qeveria e tij, që e patën vlerësuar aq shumë, ishin larguar nga vendi. Kur vetë bashkëvendësit nazistë të Joklit në Vjenë po e kërcënonin seriozisht, ç’garanci do të kishte që edhe fashistët në Shqipëri ë të mos kthenin pllakën pas nguljes së tij në Tiranë?

Dhe së treti, pengesë ishin edhe vetë biblioteka dhe arkiva e tij e jashtëzakonshme. Jokli nuk kishte familje, as fëmijë. Ai kishte vetëm librat dhe punën e tij, të pasqyruar në botimet e dorëshkrimet e çmuara e të pafund. Kur zjarri bie në shtëpi, gjëja e parë dhe e vetme është shpëtimi i vetes dhe i familjes. Librat dhe dorëshkrimet ishin fëmijët e tij. Jokli nuk mund t’i linte ato pas.

Arrestimi me 4  mars 1942 ishte filllesa e mbarimit të Norbert Joklit. Data e 11 majit 1942 jepet zyrtarisht si dita e eliminimit të tij fizik në Kampin nazist të shfarosjes në Maly Trostinec në Bjellorusi.

Siç na dëshmon Prof. Eqrem Çabej, Norbert Jokli ia la trashëgim popullit shqiptar gjithë pasurinë e tij në këtë botë, përfshirë bibliotekën dhe dorëshkrimet e tij të çmuara.Humbja tragjike e Norbert Joklit është ndër krimet më të përbindshme të nazizmit. Në bazë të doktrinës juridike të cenimit të vazhdueshëm, krimi ndaj Joklit vijon edhe sot e gjithë ditën përderisa autorët nuk janë ndjekur penalisht dhe efektet e tij vijojnë edhe sot. Në mes të viteve 1950, Prokuroria Federale Gjermane hapi çështjen penale për vrasjen e dhunshme të Prof. Joklit, ndërkohë që pasuria e tij bibliotekare dhe intelektuale ende nuk i është kthyer “popullit shqiptar”.

Duhet thënë se shteti shqiptar ka shprehur në vijimësi nderimin, por sidomos interesimin e veçantë për trashëgiminë e Joklit. Nê vitin 1977 profesorët Kostallari dhe Çabej hartuan një listë të plotë të trashëgimisë intelektuale të Joklit. Zyrtarë të lartë të kulturës shqiptare sot kanë shprehur gatishmërinë për mbajtjen e një konference shkencore në nderim të Joklit, ndërkohë që Instituti Çabej dhe Shtëpia Botuese Çabej, në bashkëpunim me gjuhëtarë të shquar, po përgatisin botimin në shqip të një ndër veprave më të rëndësishme të tij.

Një nismë private është ndërmarrë para një viti nga tre shtetas amerikanë për kthimin në Shqipëri të trashëgimisë së Joklit, në përputhje me vullnetin e tij. Mirëpo ka ardhur koha që të ndërmerren hapa konkrete institucionale për kthimin e plotë dhe strehimin e sigurtë të gjithë trashëgimisë së Joklit në Shqipëri. Por ku?

Para dy vitesh, Këshilli i Mnistrave i Republikës së Shqipërisë transferoi pronësinë e ndërtesës së ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës nga Ministria e Kulturës për tek Bashkia e Tiranës. Gazetari dhe studiuesi Ben Andoni ka hedhur idenë që ndërtesa të tansformohet në bibliotekë. Vërtetë, pse të mos t’i kthehet sërish kjo ndërtesë në pronësi dhe administrim Ministrisë së Kulturës, dhe të transformohet në Bibliotekën e Studimeve Albanologjike “Norbert Jokl”, ndofta si aneks i BKSH-së ose i Akademisë së Shkencave? Kësisoj ajo mund të shndërrohet në qendër gjithëpërfshirëse depozitare, bibliotekare dhe arkivore moderne, multimediale, e shkencave dhe studimeve albanologjike, ku do të ruheshin për brezat në vijm jo vetëm pasuria intelektuale e Norbert Joklit, por edhe biblioteka të albanologëve të tjerë të shquar, brenda dhe jashtë vendit, të cilat u mbeten familjeve pas vdekjes së tyre.

Jokli ia kushtoi jetën e tij gjuhës shqipe që, sipas Çabejt, është pasuria e vetme dhe më e çmuar që kemi si komb. Prandaj do të ishte një akt i rrallë fisnik, qytetar, dhe madje historik i Bashkisë së Tiranës rikthimi i ndërtesës së ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës nën administrimin e Ministrisë së Kulturës, dhe emërtimi e shndërrimi i saj në Bibliotekën e Studimeve Albanologjike “Norbert Jokl”.

Filed Under: Opinion Tagged With: agron alibali, Ne kujtim te Norbert Jokl

KËSHILLI DREJTUES TREGOI PJEKURINË E VATRËS 106 VJEÇARE

March 5, 2018 by dgreca

VATRA ANALIZOI ME PJEKURI E MATURI PROBLEMET AKTUALE DHE MIRATOI PLATFORMËN PËR VITALIZIMIN E SAJ. TAKIMI U MBYLL ME SHTËRNGIME DUARËSH MES KRYETARIT MISHTO DHE ISH KRYETARIT BUÇAJ-

1 Foto kryesore1 Dritan Gjon Zef1 gjoni doren1 dritani nflet 4

Në vijim të platformës për forcimin, gjallërimin dhe vitalizimin e saj, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA  mblodhi me 3 mars 2018 Këshillin Drejtues dhe analizoi me përgjegjshmëri situatën aktuale, debatet e pas Kuvendit, miratoi platformën e vitalizimit të saj etj.

Me pjekuri e urëtsi kryetari Dritan Mishto, toleroi zërat kundër, dëgjoi vërejtjet, kundërshtimet dhe pretendimet, dha spjegimet e tij dhe kërkoi që Këshilli të ruante pjekurinë karakteristike të Vatrës, e cila përherë ka ditur që të përballojë situata të vështira dhe ka mundur të mbijetoi për 106 vite, përkundër zërave dashakeqës se Vatra mbaroi, Vatra u shua, Vatra e kreu misionin etj…etj…

Këshilli i zhvilloi punimet sipas rendit të ditës, të paralajmërua publikisht, duke dëgjuar raportet përkatëse dhe platofrmën sipas seksioneve dhe drejtuesve sipas kësaj kronike:

– Prezantimi i punës së Vatra Foundation Inc-Raport nga dr. Nexhat Kaliqi.

– Prezantimi i Punës së Fondit të Studentëve-Raport nga Z. Mithat Gashi.

Raport i Kryetarit të Komisionit të Garancive të Kanunores z. Bashkim Musabelliu

–      Raport i financierit të Vatrës z. Marjan Cubi

–      Prezantimi i platformave të punës së:

–     Editores së faqeve anglisht të gazetës Dielli Znj. Rafaela Prifti

–     Këshilltarit për çështjet e kulturës z . Gezim Nika

–    Këshilltarit për Zhvillimin Ekonomik z. Elmi Berisha

–   Menaxherit të përgjithshëm të aktiviteteve z. Frederik Ndoci

Koordinatorit të medias  Dritan Haxhia.

Në pikën e rendit të ditës për shqetësimet e degës së Washingtonit dhe asaj të Usterit,që dërgoi një letër para fillimit të takimit,  u  diskutua në vijim. Ish kryetari dr. Gjon Buçaj paraqiti oponencën e  tij ndaj kryetarit Mishto, i cili dha përgjigjet e tij dhe kërkoi bashkëpunim për të zgjidhur çdo keqkuptim.

Nga ana e tij, anëtari i këshillit të të urtëve Zef  Përndocaj, paraqiti ankesat e tij për Kryetarin Mishto. Z. Mishto kërkoi mirëkuptim e  bashkëpunim.

Në fund të takimit u shtërnguan duart mes Kryetari Dritan Mishto dhe ish kryetarit Buçaj e Zef Përndocaj.

Gjithçka u zgjidh me mirëkuptim e pjekuri dhe Vatra doli më e fortë edhe nga ky ballfaqim. Për më shumë detaje do të lexoni në Gazetën Dielli të printuar. Fotografi me shume shihni ne facebook dielli vatra).

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, dritan Mishto, Gjon Bucaj, Keshilli i Vatres, Shternguime duaresh

PREKAZI-LIRI, LEGJENDË SHQIPTARE

March 4, 2018 by dgreca

-Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jubileu i  20 vjetorit/

1 Ramushi varret1 Prekaz-16 02 2018OLYMPUS DIGITAL CAMERA2 shtepia boreOLYMPUS DIGITAL CAMERA

-Para 20 vitesh, në 5 mars 1998, raportoja:  Forca të mëdha serbe të blinduara kanë filluar që në mëngjes një sulm kundër shqiptarëve në Drenicë. Prekazi po qëllohet edhe me topa të rëndë…/

1 Behluli ok kembkryq

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*/

PRISHTINË, 4 Mars 2018/ Kosova në 10 vjetorin e Pavarësisë shënon edhe 20 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – qëndresës heroike e flijimit legjendar për liri e pavarësi të Familjes Jashari në Prekaz.

Në jubileun e  20 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari në Prekaz, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Republikës së  Kosovës nën patronatin e Kryeministrit Ramush Haradinaj në 5, 6 dhe 7 Mars 2018 organizon manifestimin gjithëpopullor  “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Programi i manifestimit ka fillur me 3 dhe 4 mars 2018 me vrapimin  “Shtegu i Shpresës”, me nisje në ora 13:00 nga Prekazi-liri e legjendë shqiptare, ndërsa gjatë tre ditëve të ardhëshme axhenda është kjo:

  1. Me  5 Mars 2018:

*          Në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë e mësimit i kushtohet “Epopesë së UÇK-së”, Komandantit Legjendar Adem Jashari  dhe Familjes Jashari të Prekazit.

*          Nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në ora 10:00 do të realizohet Seanca e cila do i kushtohet “Epopesë së UÇK-së”, rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari të Prekazit dhe të gjithë të rënëve të tjerë për Liri.

*          Kuvendet komunale të Republikës së Kosovës  do të realizojnë seanca për nderë të kësaj ngjarje historike.

*          Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë duke filluar nga ora 11:00 do të mbahet ceremoni ushtarake e FSK-së e përcjellë me programin kulturor dhe artistik.

*          Zbulimi i Mozaikut (me gëzhoja) të Komandantit Legjendar Adem Jashari  në Prekaz në ora 14:00.

*          Në Tiranë duke filluar nga ora 18:00 në Muzeun Kombëtar do të mbahet akademi përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari të Prekazit dhe gjithë dëshmoreve e të rënëve për liri.

  1. Me  6 Mars 2018:

*     Në ora 09:00 fillon konferenca shkencore “Jasharajt dhe Lufta Çlirimtare” (Salla e Konferencave në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, Kryeministri bën hapjen).

*     Nga ora 10:00 deri në orën 12:00 do u bëhen homazhe Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari në Kompleksin Memorial në Prekaz.

*     Nga ora 12:00  bëhen homazhe në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së në Kosovë.

*     Në ora 17:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve do të mbahet Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari e Familjes Jashari të Prekazit dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

*     Ora 19:00 – Ekspozita kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari të Prekazit në Muzeun e Kosovës në Prishtinë.

  1. Me 7 Mars 2018:

*          Në Shkup duke filluar nga ora 12:00 në Sallën e Operës mbahet akademi përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari të Prekazit dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

*          Nga ora 18:00 në Komunën e Skenderajt do të mbahet manifestimi “Nata e Zjarreve”,  ku fillimisht  në Kompleksin Memorial në Prekaz do të ndizen flakadanët  dhe me pas në Sheshin “Adem Jashari” do te mbahet një program kulturor-artistik.

*                            Në kuadër të Manifestimit do të realizohen edhe këto aktivitete:

–   Turneu në Shah

–  Turneu në Volejboll

–   Turneu në Futsall

–   Turneu i Shenjëtarisë dhe Shigjetarisë

Këshilli Organizativ ka ftuar qytetarët që në mënyrë masovike t’i bashkohen manifestimeve dhe së bashku të nderohet vepra heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari të Prekazit dhe të gjithë të rënëve për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Para 20 vitesh, në 5 mars 1998, raportoja për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lamjeve të Shqipërisë – ATSH se forca të mëdha serbe të blinduara kishin filluar që në mëngjes një sulm kundër shqiptarëve në Drenicë.

Forcat serbe kishin zënë pozicione dhe ishin fortifikuar rreth Prekazit dhe qëllonin me armë të kalibrave të ndryshëm mbi vendbanimet shqiptare. Prekazi po qëllohet edhe me topa të rëndë, dëshmonin burime nga vendi i ngjarjeve, ndërsa ishin vënë në përdorim edhe helikopterë dhe nga veriu vinin njoftime se forca të reja ushtarake dhe policore serbe po hynin në Kosovë nëpër luginën e lumit Ibër drejt Mitrovicës dhe nga Merdare drejt Podujevës.

Në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviç, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova,  në 6 mars 1998, në një konferencë shtypi në Prishtinë para rreth 200 gazetarëve të huaj dhe vendas,  përsëriste thirrjen drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për të ndërhyrë pa humbur kohë tek autoritetet serbe dhe për t’i dhënë fund menjëherë gjakderdhjes. Rugova kërkonte që çështja e Kosovës të shqyrtohet urgjentisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Kosova të merret urgjentisht nën mbrojtjen ndërkombëtare – duke lënë të nënkuptohet edhe mbrojtjen ushtarake.

REPORTAZH

KOSOVË – LIRI E PËRJETSHME NË PREKAZ 

-Nga Behlul JASHARI-Reportazh nga Prekazi, i shkruar në mbrëmjen e 31 janarit 2010, i botuar atëherë në 1 shkurt në Tiranë – Agjencinë shtetërore-zyrtare të lamjeve të Shqipërisë/

Dëbora, si një bardhësi paqeje, e ka mbuluar Prekazin, fshatin i cili 12 vjet më parë, më 5 mars 1998, u përball me egërsinë e makinerisë luftarake serbe kundër shqiptarëve, familjes së Jasharajve të fortifikuar në kulla për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe Kosovën.

Mbi kullat legjendë valëviten dy flamuj kombëtar shqiptarë si në majën më të lartë të botës, të lavdisë, heroizmit, të sakrificësës e flijimit për liri. Flamuri kuqezi valon edhe lart në një kodrinë, ku prehen në amshim 60 heronj e dëshmorë të rënë në epopenë e Jasharëve, Prekazit, Drenicës, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Pranë varrezave memorial, ngritur me mermer të bardhë, qëndrojnë në nderim të përhershëm ushtarët e forcës kosovare.

Ky është imazhi i parë nga Prekazi në prag të dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtit.

Historia tregon se Jasharajt e Prekazit janë sulmuar tre herë. Sulmi i parë ishte më 30 dhjetor 1991, ndërsa i dyti më 22 janar 1998. Të dy herët sulmuesit u thyen dhe zmbrapsën para qëndresës heroike.

Sulmi i tretë i forcave serbe ishte ushtarako-policor, luftë kundër një familje.

Gjatë rezistencës, më 5, 6 e 7 mars 1998, plot tri ditë e dy netë, ranë heroikisht 20 anëtarë të familjes Jashari, prej 22 që ishin në rrethimin e forcave serbe. Ndër të rënët ishte edhe komandanti legjendar Adem Jashari. Shpëtoi djali i dytë i Rifatit, Bashkimi, dhe vajza e Hamzës, Besarta. Ndërsa në familjen e gjerë Jashari kanë rënë 56 dëshmorë. Mes tyre nëntë fëmijë dhe disa të moshuar deri 93-vjeç…

Kryefamiljari Rifat Jashari, në odën e tij kujton si i ka përjetuar ato ditë dramatike, i ndodhur atëherë jashtë vendit, në Gjermani, bashkë me të birin, Muratin dhe Lulëzimin e Bekimin, djemtë e Ademit dhe Hamzës.

“Do mbesim veç ne katër, pata thënë atëherë, atë ditë që ka krisë në Prekaz…”, thotë Rifati, i cili tregon se kishte bërë telefonata të shumta në Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Skënderaj… dhe kishte marrë versione të ndryshme për luftën e familjes së tij në Prekaz.

“Të vertetën drejt ma tregoi vetëm Sabit Istogu, që ishte shok i Hamzës”, vazhdon Rifati rrëfimin . “Rash në lidhje me Sabitin…Edhe m’u drejtua: Bac, kullat po i bombardojnë. Jemi në rreth të hekurt, tank pas tanku”.

Baca Rifat e vazhdon rrëfimin, flet për përtëritjen e familjes dhe të jetës, për njëmbëdhjetë fëmijtë e lindur pas zjarrit të madh të luftës, të cilët mbajnë emrat e të rënëve.

“Shpëtuan dhjetë anëtarë të familjes. Prej dhjetëve numri shkoi në 25. Që dy orë isha duke luajtur me fëmijët nëpër oborr… E çka po do pasuri më të madhe. Unë për veti pasuri më të madhe nuk di. Njëmbëdhjetë fëmijë i ka falë zoti, cilin ta kqyrësh më i shëndoshë se shoqi”.

Njeriu i familjes që ka dhënë 56 heronj e dëshmorë për lirinë e pavarësinë e Kosovës, thekson nderimin e madh e të gjithmonshëm të kombit.

“E falënderoj këtë popull, prej të gjitha viseve shqiptare, kudo që jetojnë, që kurrë nuk ka lënë vetëm…”, thotë Rifati.

Dhe, në veçanti, kryefamiljari i Jasharëve flet për Shqipërinë.

“Nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, e më duket edhe nga secili fshat i Shqipërisë, kanë ardhë në këtë odë për të na uruar kur Kosova shpalli pavarësinë. Kanë ardhur edhe shumë herë të tjera…”

Rifati i Jasharëve të Prekazit kujton me shumë mirënjohje ndihmën e gjithmonshme të Shqipërisë për Kosovën edhe në kohët më të vështira të luftës, kur strehoi shumicën e rreth një milion shqiptarëve të dëbuar. Nuk thotë kosovarëve, se “komb kosovar s’ka”.

“Po mos të mos ishte shteti amë nuk e di ku do ishim sot. E gjithë Shqipëria i priti vëllezërit e motrat nga Kosova”.

Ai vlerëson lart të gjitha angazhimet e shtetit shqiptar, edhe në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë, edhe tani me mbështetjen e diplomacisë shqiptare drejt njohjeve të reja.

Nga oda e Jasharëve në Prekaz Baca Rifat jep mesazhin se Kosova, edhe udhëheqësit e saj, edhe të gjithë, duhet të punojnë edhe më shumë për Kosovën e kombin.

“I lumi është ai që punon për komb të vet, për vend të vet…”, thotë ai.

Ai jep edhe mesazhin për unitet të shqiptarëve kudo që janë për çështjet madhore, për bashkëpunim mes partive, pozitës dhe opozitës.

Kryefamiljari tregon se në Prekaz dhe në odën e Jasharajve vizitorët e shumtë janë nga gjithë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina ePreshevës, Mali i Zi e nga shumë anë të botës, mes tyre edhe personalitete të njohura.

Ndërsa, ciceroni i Kompleksit Memoral në Prekaz, Xhevat Imeri, thotë se gjatë 11 vjetëve të pasluftës ka patur më shumë se tetë milionë e gjysmë vizitorë.

Ndër personalitetet më të larta që kanë vizituar Prekazin është edhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

“Në Prekaz janë themelet e lirisë së Kosovës”, u shpreh Kryeministri Berisha në vizitën e parë më 16 qershor 2006.

“Vizita në Prekaz është vizita në tempullin e lirisë, flaka e të cilës këtu nuk u shua kurrë. Është vizita në vendin, në shtëpinë e tribunit të lirisë, komandantit legjendar të luftës së shqiptarëve të Kosovës për liri, dinjitet njerëzor, nder, dinjitet kobëtar. Në Prekaz janë themelet e lirisë së Kosovës. Në veprën e Adem Jasharit e familjes së tij, familje që sakrifikoi sa asnjë tjetër në historinë e kombit, për lirinë e Kosovës, mbetet flaka, mbetet simboli i madh i shpresës, i besimit të shqiptarëve tek një e ardhme e shkëlqyer”, u shpreh atëhere Kryeministri Berisha, duke shprehur bindjen se kombi shqiptar në liri do të ndërtojë të ardhmen më të shkëlqyer, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Në Prekaz ishte edhe kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kushner.

“Dua ta them një të vërtetë të madhe, Prekazi lëvizi të gjithë mekanizmat botërorë që ndikuan për të vepruar konkretisht. Dhe, sikur të kishte pasur Çmim Nobel për Liri, atëherë ai do t’i takonte familjes Jashari”, ka theksuar Kushner, cituar në një nga librat në muzeun e kompleksit memorial.

Ndërsa, mijëra e mijëra vizitorë në Prekaz kanë shkruar e kanë firmosur në librin e përshtypjeve, që është një libër i madh, gjithmonë i hapur dhe i pafund.

Ndër të nënshkruarit në atë libër është edhe shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare.

Dhe, këtë shkrim nga Prekazi, që mund të jetë edhe i pafund, po e mbyllim në mbrëmjen e fundjanarit me një theksim nga ajo që ka shkruar Kadare: “Ndodhem në familjen e Jasharëve, atje ku nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që e ndriçoi krejt Prekazin, e pas tij Drenicën, e pas saj mbarë Kosovën. Ajo shkrepëtimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk zbehet kurrë”…

*-Reportazh i vitit 2010: Liri e përjetshme në Prekaz/

Filed Under: Featured

Shtohen zërat për dhe kundër zgjidhjes së kontestit të emrit

March 4, 2018 by dgreca

Nga Isuf Kadriu/1 Maqedoni ok

Ne Foto:Protestë në Shkup kundër ndryshimit të emrit kushtetues të Maqedonisë, organizuar nga lëvizja “Emri ynë është e drejta jonë”, e diel, 4 mars 2018/

Procesi i bisedimeve për zgjidhjen e kontestit të emrit që ka Maqedonia me Greqinë, ka hyrë në fazën më të vështirë pas qëndrimit të fortë të palës greke, e cila kërkon që zgjidhja të përfshijë jo vetëm ndërrimin e emrit të shtetit, për përdorim të brendshëm dhe jashtëm, por edhe ndryshimin e Kushtetutës, që nënkupton edhe një formulim të ri për identitetin, gjuhën dhe çështje tjera.

Kjo ka bërë që të rriten pakënaqësitë edhe pse në opinion tani është hapur debati nëse ndërrimi i emrit dhe i Kushtetutës rrezikon edhe identitetin, pasi njohës të çështjeve politike dhe të historisë, thonë se identiteti shtetëror dallon nga ai i ndjenjës së përkatësisë etnike brenda shtetit.

Por, nga ana tjetër, në mbrojtje të emrit aktual, është ngritur edhe Kisha ortodokse maqedonase, e cila kërkon ndërprerjen e bisedimeve, ngjashëm sikur edhe Kisha greke, e cila kohë më parë mbajti protesta në Athinë dhe Selanik në mbrojtje të pozicioneve të palës greke.

“Vetëm Zoti mund ta shpëtojë Maqedoninë, pasi pa Zotin, atdheu, kombi ynë dhe kisha nuk do të ekzistojnë në kohën kur jemi të nënçmuar deri në skajshmëri. Këtu mund të na ndihmojnë edhe grekët pasi nëse ata nuk heqin dorë nga vijat e kuqe, procesi i bisedimeve do të dështojë se ne do të shpëtojmë, nuk do të ndryshojmë as emrin e shtetit, e nuk do të humbim as identitetin e as gjuhën”, ka deklaruar në tubimin e fundit në Shkup peshkopi Petar nga Kisha ortodokse maqedonase.

Ai ka bërë thirrje për unitet, ndërsa ka drejtuar akuza ndaj partisë në pushtet të kryeministrit Zoran Zaev për heqje dorë nga interesat shtetërore dhe kombëtare.

Pavarësisht kundërshtimeve që duken se po e vështirësojnë procesin, Nano Ruxhin, ish-ambasador i Maqedonisë në NATO dhe profesor i së Drejtës Ndërkombëtare beson se problemi do të ketë zgjidhje.

Ai e arsyeton protestën e organizuar nga kisha duke theksuar, madje, se ajo mund të ketë edhe efekte të mira për t’ia bërë të qartë palës greke se edhe këtu ka njerëz që nuk janë të kënaqur me zgjidhjet që ofrohen.

Pamje nga protesta në Shkup, e diel 4 mars 2018.
Pamje nga protesta në Shkup, e diel 4 mars 2018.

“Është më se normale të ketë protesta, dhe kjo është një gjë e mirë që t’i tregojmë palës greke se edhe ne këtu kemi njerëz që nuk janë të kënaqur dhe se ai që nënshkruan marrëveshjen, mund të rrezikojë shumë. Por, në anën tjetër, gjithashtu vlerësoj se është mirë që këto protesta nuk u mbështetën të paktën deklarativisht nga VMRO-ja që nënkupton se mund të kemi një konsensus për mbylljen e problemit”.

“Unë jam optimist se zgjidhje mund të ketë, ndoshta deri në qershor. Është një mundësi e mirë për vendin pasi për herë të parë në këto 27 vjet sa ekziston ky kontest, kemi qëndrim të qartë nga Qeveria se është e gatshme për kompromis dhe tash ajo ka bërë të ditur se pranon një emër me përcaktim gjeografik dhe, madje, ka dalë edhe me katër emra konkretë”, vlerëson Ruxhin.

Sa i përket debatit për identitetin dhe pretendimet se me ndryshimin e emrit, mund të ndryshohet edhe identiteti, Albert Musliu, analist politik, thotë se kjo nuk qëndron. Ai këtë e sqaron me rastin e shqiptarëve, të cilët janë shtetas të Maqedonisë, por në anën tjetër askush nuk mund t’ua mohojë përkatësinë e tyre kombëtare.

Për gjendjen e krijuar, Musliu fajëson partitë, të cilat siç thotë, këtë problematikë gjithmonë e kanë shfrytëzuar për përfitime politike.

“Unë mendoj se emërtimi i shtetit nuk ka se si të ndikojë në destabilizimin e vendit apo në ndryshimin e identitetit tim etnik. Nëse ne nuk i marrin për bazë politikanët dhe nëse shkenca inkuadrohet në mënyrë të duhur dhe nga ana tjetër, politikanët të bëhen të përgjegjshëm dhe jo të shohin interesin e momentin, unë mendoj se edhe ajo frikë, e cila është legjitime te qytetarët, pasi ajo është e pranishme kur shohin se si çdo ditë bombardohen se do të humbin identitetin e gjuhën, atëherë nuk shoh unë se si mundet që emërtimi i shtetit, realisht, të ndikojë në humbjen e identitetit të komunitetit më të madh në Maqedoni”, konsideron Musliu.

Ndryshe, palët pritet t’i qartësojnë pozicionet e tyre gjatë vizitës së paralajmëruar në Shkup të shefit të diplomacisë greke, Nikos Kocijac.

Ende s’dihet data e vizitës së tij, por asaj i paraprinë heqja e emrit “Aleksandri i Madh”, që mbante Aeroporti i Shkupit, si dhe i autostradës në drejtim të Greqisë që tani quhet “Miqësia”.Këto veprime janë ndërmarrë nga Shkupi si shprehje e gatishmërisë për forcimin e raporteve apo për t’i dëshmuar Greqisë se Maqedonia nuk ka qasje irredentiste siç pretendon Athina, e cila vlerëson se heroi Aleksandri i Madh i takon Greqisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: emri, Issue Kadriu, maqedoni, pro dhe kunder

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT