• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2018

LE FIGARO:Le Figaro (1914) : Konflikti i autorësisë për pullën e re postare

April 14, 2018 by dgreca

LE FIGARO:Le Figaro (1914) : Konflikti i autorësisë për pullën e re postare artistike të heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut të famshëm/

1 Aurenc Bebja

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Prill 2018/

“Le Figaro” ka botuar, të enjten e 5 marsit 1914, në ballinë, një shkrim në lidhje me konfliktin e autorësisë së pullës së re postare artistike të heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut të famshëm.Cilat kanë qenë palët e përfshira në këtë konflikt ? Aurenc Bebja, nëpërmjet faqes së tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë rrëfimin e plotë të prestigjiozes franceze mbi këtë ngjarje :

Për Filatelistët

“Ne njoftuam, ditën e kaluar, lëshimin e një pulle të re postare nga mbretëria e re e Shqipërisë.Kjo pullë e re ofron një imazh shumë artistik të heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut të famshëm.Dhe ky portret ka një histori, e cila është :

1 PullaDisa vite më parë, një skulptor medaljesh i talentuar, Heinrich Kautsch, mori përsipër, pas kërkesës së një komiteti revolucionar shqiptar, krijimin e një medalje që synonte të shërbente si model për monedhën e një republike të ardhshme shqiptare. Revolucioni dështoi, por medalja u ruajt me kujdes nga udhëheqësit shqiptarë dhe u bë kështu prototipi i pullës së re.Por, medalisti, Z. Kautsch, nuk u shqyrtua për këtë transformim të veprës së tij, dhe sigurisht ndihet i pakënaqur. Revista filatelike franceze thotë se ai mund të “pretendojë autorësinë e pullave postare aktuale të Shqipërisë” dhe Z. Henri Kautsch shkruan se ai ka parashtruar një ankesë, në bazë të së drejtës së autorit, pranë qeverisë shqiptare.

Shteti i ri mund të mos ketë ende një legjislacion të plotë mbi pronën artistike. Kjo, për atë, është një mundësi e shkëlqyer prove, nëse i jep të drejtë Z. Kautsch, që të tregojë se ai është i denjë të ushtrojë sovranitetin e pavarur, që Evropa i ka dhënë atij !”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Le Figaro, Pulla Postare, Skenderbeu

Mos u trembni për presidentin

April 14, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

A është presidenti ynë i korruptuar?

O Zot nga ta kapësh?! Në fakt të gjitha betejat sociale tonat, nuk po përdor terminologjinë, popullore, përfundojnë në legjenda njëshash. Në ca habi kolektive, ku një grup i shqyen sytë grupit tjetër. Të thuash, sikur një dorë e fshehtë ka trazuar ato vendet intime, tonat, që, veç të tilla nuk janë më. Dhe me këtë ”katarsis” që shoqëria jonë po pretendon se po bën, do iki ky apo do iki ai. Do iki i joni apo do iki i yni.

Asnjë nuk do iki. Përkundrazi, ne do solidarizohemi më shumë me ta. Më shumë me pasuritë e tyre. Më shumë do t’i duam, Jaguarët, Tuaregët, a Ferrarit e tyre. Më shumë do duam varfërinë tonë. Më shumë do ia ngulimin gishtin në sy njëri-tjetrit.

A është numri një i shtetit tonë i korruptuar?

Kush nuk është i korruptuar tek ne? Ta marrim nga 1990-ta e këtej. Shikoni vetveten. Shokun. Shikoni fqinjin tuaj, bashkëfshatarin që iku me një valixhe druri në Tiranë. Sa shumë jeni mjaftuar duke thënë. I lumtë, ia gjeti anën. T’i rrojë partia. Sa shumë e keni dhenë fjalën, votën, vetëm e vetëm pse, ua kanë kërkuar me atë devizën bajate bëje për mua. U duken si frazallogji kur ua themi se djemtë e pallateve me kontribut vullnetar, janë sot milionera. Eshtë fare e kollajtë ta verifikosh një të ardhur përmes borderosë dhe vlerës financiare të pronës a një biznezsi që dikush posedon. Fare, fare e kollajtë. Fare e kollajtë, por mungon thelbësorja, mosdëshira e qëllimtë. Nuk ka për ta futur në burg Rama, Sali Berishën. Dhe as Sali Berisha, Ramën. Hiqeni nga mendja. Kështu edhe me emrat e tjerë, deri tek presidenti. Sot e djathta po bën opozitarizëm me miellin e propagandës së diktaturës. Miell për petulla. Atë pluhur magjik që rrënoi një front opozitar si Balli Kombëtar dikur. Vetëm me miell nuk na takon të bëjmë pis ambjentin. Qoftë ky edhe në rastin kur simbolizon drogën. O bëjmë opozitë duke hedhur mandatet, o hiç fare. Nuk është opozitë kjo me vula-vula, gropa-gropa. Kjo është marrëveshje për të shtyrë ditët. E majta është shpërbërë, sado që ca socialistë të vjetër përpiqen t’i rregullojnë xhaketën supeve Edi Ramës, e bëjnë për inat të së vjehërrës. Eshtë në mes stili i murit të dominove. Po u rrëzua njëra, do bjen të gjitha me radhë. Njerëzit që janë më të lumtur në këtë kauzë haberesh nga parlamenti, janë pikërisht këta që akuzohen më shumë. Përshembull beteja qytetare e Kukësit u sfumua, deri sa ktheu kuvendin në shfaqje me miell e ujë të gazuar. Kërkush nuk do ta kuptojë se konçesione të tipit si ky i Kuksit, janë drejtpërësëdrejti krimi ekonomik. Por kemi ca plagë nga e kaluara, tenderin e rrugës së kombit. Kësisoj betejat palosen në sirtarë. Sado që ne çirremi mbi poshtëristë e këtij, sado që ata çirren mbi poshtërsitë e atij tonit. Nuk ka opozitarizëm me çunin e Fahri Balliut. As me Sali Berishën. Ta mendosh 30 vjet demokraci, dhe akoma Sali Berisha opozitar, shtetar…, është fare e kuptueshme. Berisha ka hallin e çunit të vet, jo të Shqipërisë. Basha, jo e jo…

Tani, kush do hyj në burg? Pa diskutim këto kontingjentet e nënniveleve. Të përdorurit. Me keqardhje, për ato miliona që myken në kllëfa jastëkësh gjumi. Deri sa një ditë, ashtu si edhe thamë për krimet e komunizmit, i bëm se ashtu ishte koha. Kështu do themi edhe për tenderimet. Për pasuritë e grave dhe fëmijëve. Ashtu ishte koha. Si shokët. Dhamë, na dhanë. Ndaj sot jemi të pasur.

Mos u trembi për presidentin. As për Saliun…, për Edi Ramën jo e jo. Në burg po shkon Shqipëria.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Mos u trembni, per Presidentin

Histori-Tre dëshmorët e Uglarit

April 14, 2018 by dgreca

Qamil S. Dardhankodra-Toronto, Kanada/

Janë të ralla vendbanimet siç asht katundi Uglar i çarkut të Gjilanit që nga nji vend kaq i vogël që ishte dikur, të dalin tre dëshmorë të shquem të atdheut.

1 Vehbi- brahimiI pari ishte Liman Uglari, nji burrë i shquem i asaj kohe. Ai u vra në verën e vitit 1907 në luftë me diversantët serbë të hedhun në Shqipninë e pushtueme nga barbarët osmanlij. Lufta me komandosët serbë u zhvillue në Kishën e Pisjanit, aty mbeti i vramë Liman Uglari – dëshmor i atdheut. Për Limanin tregojnë se kishte luftue kundër bandave të hajnave e të cubave që nuk e lenin popullin të qetë veçanërisht shqiptarët e shquem e të pasun. Kundër këtyne bandave nuk luftoi qeveria turke ato i shikonte nëpër gishtrij sepse ata ishin aleatët e tyne. Njiherë nji tregtar shqiptar nga Gjilani kërkoi mbrojtje nga Limani sepse në dyqanin e tij në pikë të ditës hynin cubat dhe nën kërcnimin e armëve merrnin pare e mall. Në këtë dyqan Limani qëndroi disa ditë, e kishte vërejtun se hynin disa “njerëz” silleshin e mbështilleshin dhe dilnin jasht. Mbas disa ditësh Limani u lodh dhe i tha tregtarit se do të shkonte por do ta lente aty varun gaxharremken (shtagën). Thuhet se ma vonë kur vinin hajnat e shihnin shtagën e Limanit aty, ktheheshin pa krye punë.

Sot disa nga mbasardhësit e Limanit mbajnë mbiemnin Januzi dhe jetojnë në Uglar, Gjilan, Ferizaj, etj.

Dëshmor i dytë nga ky katund asht Idrizi, ai u vra në nji nga kryengritjet e fundit (1910-1912) antiturke që u zhvilluen në Grykën e Kaçanikut. Gjatë luftës heroike të shqiptarëve kundër egërsinave turke ngjau që nji grup i luftarëve shqiptarë të zihet rob nga ushtria turke – kjo nuk asht kurfarë dobësie sepse kjo asht rregull apo pjesë e luftës që u ndodh edhe ushtrive ma të forta që nga parahistoria e deri më sot. Këtë grup luftarësh i çojnë në çadrën e nji nga komandantëve turq. Ky i pyet të gjithë me rend se si i kishin emnat, etj., kur e pyet trimin nga Uglari – ky thotë – Idriz; kur e ndëgjoi se si e kishte emnin ky rob lufte kjo bishë pa nji pa dy heq shpatën dhe ia heq kokën Idrizit nga Uglari tue i shkelun të gjitha rregullat dhe konventat ndërkombëtare të luftës, nënshkruese e të cilave ishte edhe qeveria turke. Sa herë e kam ndëgjue këtë rrëfim tragjik nga pleqt, rrëfyesit thoshin se turku në këtë rast kujtoi se e zuni Idriz Seferin dhe e vrau – jo ky mendim nuk qëndron. Xhelati turk e dinte shumë mire që ky nuk ishte Idriz Seferi nji nga komandantët e ushtrisë kryengritës shqiptare që ishte ba halë në sy për turqit se po të ishte Idriz Seferi i vërtetë ky do të ishte gëzim dhe fitore e madhe për Turqinë dhe menjiherë do të njoftohej Sulltani, Stambolli e Europa.

Vehbi Ibrahimi (1938-1981) atdhetar i madh që punoi e veproi në vend dhe në Europë për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar. Vehbiu ishte luftar antisllav që punoi e luftoi parreshtun deri në ditën e fundit të jetës së tij. Ai ishte nji nga figurat e qëndresës kombëtare që veproi gjansisht në Europë dhe i cili e kishte kuptue se qeveria komuniste e antishqiptare e Tiranës jo vetëm që po e sabotonte luftën e shqiptarëve nën ish Jugosllavinë por po e luftonte në të gjitha mënyrat e mundësitë Luftën Çlirimtare Kombëtare të shqiptarëve të pushtuem. Prandaj asht shumë e besueshme që jo vetëm atdhetarin Vehbi Ibrahimi që u vra në Gjermani dhe shumë të tyjerë në Europë e Amerikë, i vrau sigurimi komunist i Tiranës i cili kishte tani dhjetëra vjet që po e kryente punën e UDB-së së Beogradit.

Banorët e Uglarit dhe të asaj ane janë krenarë, mburren dhe i kujtojnë me krenari këto tri figura madhore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: e Uglarit, Histori-Tre dëshmorët, Qamil Llapashtica

Kosova me Kompleks Rezidencial Qeveritar

April 14, 2018 by dgreca

-Qeverita e Kosovës, në mbledhjen e sotme, miratoi vendimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme, të cilat do të preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Kompleksit Rezidencial Qeveritar” në zonat kadastrale të Prishtinës dhe Graçanicës/1 kompleksi qev

-Para 10 viteve, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës paralajmërohej se shteti i ri do të bëhet me objekte të reja qeveritare…Edhe Pallati Rilindja, 18 katësh në qendër të Prishtinës, u shpronësua e rinovua dhe u shndërrua në ndërtesë qeveritare. Punëtorët e Rilindjes ende në pritje të realizimit të drejtave të garantuara me ligj/
1 qev rezidenca-Qeveria, në mbledhjen e 41-të, miratoi Projekt Kodin Penal të Republikës së Kosovës/1 RILINDJA

 SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari  /                     

 PRISHTINË, 13 Prill 2018/ Kosova ndërton Kompleksin Rezidencial Qeveritar në periferi të kryqytetit, Prishtinës.

Qeverita e Kosovës, në mbledhjen e sotme, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, miratoi vendimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme, të cilat do të preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Kompleksit Rezidencial Qeveritar” në zonat kadastrale të Prishtinës dhe Graçanicës.

Ndërtimi i kompleksit qeveritar që parashihej të bëhet në lagjen “Prishtina e Re” në periferi të kryeqytetit, në lokalitetin Hajvli, në një hapësirë prej 35 hektarësh, është ide e para 10 viteve, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurtin historik 2008. Ky projekt, që llogaritej të kushtojë rreth 90 milionë euro, pritej të jetë pjesë e projekteve që do të paraqiteshin në Konferencën e donatorëve për Kosovën.Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe të komunës së Prishtinës në shkurt 2008, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë, kanë biseduar për këtë projekt dhe realizimin e tij “në pajtim me përformancen e re që duhet të kenë institucionet e Republikës”.Në prill 2008, në një mbledhje të qeverisë së Kosovës paralajmërohej se  shteti i ri do të bëhet me objekte të reja qeveritare, ndërkohë që disa ministri ishin të vendosura nëpër shtëpi private në mungesë të ndërtesave publike.Pas shpalljes së pavarësisë edhe Pallati Rilindja, 18 katësh në qendër të Prishtinës, u shpronësua e rinovua dhe u shndërrua në ndërtesë qeveritare.

 PALLATI I SHTYPIT RILINDJA I SHPRONËSUAR, 10 VJET NDËRTESË QEVERITARE, PUNËTORËT QË ISHIN ATY ENDE PRESIN REALIZIMIN E TË DREJTAVE TË GARANTUARA ME LIGJ

Pallati i Shtypit Rilindja filloi të ndërtohet në nëntor 1971 dhe u finalizua në kohën kur Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 ishte element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të pavarura, të reja të rajonit. RILINDJA pasi kishte investuar në truallin e Pallatit të Shtypit filloi edhe ndërtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.

Të gjitha ndërtesat që kishte, përfshirë atë ku tash është Ministria e Diasporës dhe Agjencia e Statistikave, Rilindja i ka dhënë për investim në ndërtimin e Pallatit të Shtypit – kullës 18 katëshe, me vendimin e  datës 28. 5. 1976 të qeverisë së atëhershme të Kosovës. Për investim në Pallatin Rilindja punëtorët kanë ndarë një pjesë të rrogave të tyre afër 15 vjet për kthimin e kredive që kishte marrë ndërmarrja.Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë së Kosovës ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati Rilindja tash ndërtesë qeveritare, prej mëse 10 vitesh.Punëtorët e ndërmarrjeve që ishin në Pallat, të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja e të tjerët gjatë gjithë këtyre viteve ende janë në pritje të realizimit të drejtave të ligjëshme. Një  nga të drejtat e garantuara me ligj për punëtorët është pagesa e 20 përqindëshit të vlerës së çdo prone të shronësuar. Çështja e 20 përqindëshit pritet të zgjidhet pasi të hyjë në fuqi Ligji me ndryshime e plotësime për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i miratuar në 30 mars 2018 në  Kuvendin e Kosovës, ku është thënë se, “përmes këtij Projektligji synohet të krijohet edhe një mekanizëm për shpronësimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore që janë të nevojshme për sektorin publik” dhe se, “nëpërmjet këtij mekanizmi qeveria e Kosovës si autoritet shpronësues do të paguajë 20 përqind të mjeteve financiare dedikuar për punëtorët përfitues të ndërmarrjeve shoqërore”.Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar,  që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën e 12 Shkurtit 2014 drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila në vazhdimësi është në mbështetje të së drejtës së gazetës tradicionale të Kosovës e punëtorëve të saj.Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj kanë bërë kërkesat e tyre bazuar në ligje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.Para 73 viteve, në 12 Shkurt 1945, në Prizren nisi të dalë gazeta shqiptare, tradicionale e Kosovës, Rilindja me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e më pas vazhdoi në dalë në kryeqytetin Prishtinë.Gazeta historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit e Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare. Në  ballinë të numrit të fundit të 30 Dhjetorit 2008 është paralajamruar: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”

QEVERIA MIRATON PROJEKT KODIN PENAL TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 PRISHTINË, 13 Prill 2018- Gazeta DIELLI / Projekt Kodi Penal i Republikës së Kosovës u aprovua sot nga qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 41-të, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj. Qeveria theksoi se,  ky Projekt Kod është bazuar në tre parime themelore: sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; funksionimi i organeve te pavarura për zbatimin e ligjit; mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të njeriut.

Plotësimet dhe ndryshimet e Kodit Penal të Republikës së Kosovës kanë qëllimin e vetëm, që të avancojnë sundimin  e ligjit, forcimin e institucioneve të pavarura në luftimin e krimit dhe qasje e drejtë dhe efektive në sistemin e drejtësisë për të gjithë qytetarët pa dallim.

Kodi i ri adreson tre tema të gjëra: Masat kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; Masat për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut; Masat kundër terrorizmit dhe parandalimin e tij.Dënimet për vepra penale që ndërlidhen me korrupsion janë rritur dhe janë propozuar amendamente të reja që i ndalojnë personave të dënuar për korrupsion që të ushtrojnë pozita dhe funksione në administratën publike në kohëzgjatje deri në 10 vjet nga shpallja e aktgjykimit dënues.Në hartimin e këtij Kodi kanë qenë të angazhuar 180 anëtarë të grupeve dhe nëngrupeve tematike, të përbëra nga shoqëria civile, mediat, institucionet ndërkombëtare, kanë punuar në ndryshimin dhe plotësimin e 100 neneve të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e vlerësoi si ditë të suksesshme miratimin e këtij Projekt Kodi, që e ka të fokusuar forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe luftën e të gjitha formave të krimit në vendin tonë.Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se Projekt  Kodi Penal i Republikës së Kosovës është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian si dhe në harmoni të plotë me Kushtetutën vendit.Gjatë mbledhjes, ministri i Financave njoftoi kabinetin qeveritar  me situatën financiare dhe të projekteve zhvillimore të qeverisë. Ministri Bedri Hamza përmendi treguesit makroekonomikë zhvillimorë dhe trendët e tyre, që paraqesin rëndësi për zhvillimin e vendit. Ai theksoi nevojën e disiplinës financiare për të ruajtur trendët pozitive të zhvillimit në Kosovë, por theksoi edhe sfidat që paraqiten në këto zhvillime.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, qeveria e Kosoves, Rezidenca

Hipokrizi e politikë

April 14, 2018 by dgreca

1 astrit LULUSHI

Nga Astrit Lulushi/Hipokrizia nuk është e mirë, është gënjeshtër me emër tjetër; mashtrim, lajkë, shpifje, pretendim, që jeton me lavdi të huazuar. Njerëzit që shkojnë në kishë a xhami, por nuk besojnë në Zot; njerëzit të cilët janë vegjetarianë, por veshin këpucë e xhaketa lëkure; ata janë të angazhuar në hipokrizi, ose sillen ndryshe nga ajo që thonë se besojnë. Feja e dënon hipokrizinë.
Por në politikë ndodh ndryshe. Ndonjë edhe mund të thotë se politika është e vlefshme, por meqenëse është e lidhur pashmangshmërisht me hipokrizinë, gënjeshtra nuk duhet të jetë e gjitha e keqe. Njerëzit pranojnë më lehtë atë që duket se është sesa atë që është, thotë Makiaveli tek Princi. Nisur nga parimi i mbijetesës së më të fortit (Seleksionimi Natyror), duket se njerëzit evoluojnë për të luajtur lojën e jetës sipas mënyrës makiaveliane.
Të tjerë thonë se mënyra më e mirë për të qenë i drejtë është që të jesh i drejtë. Por meqenëse është shumë më e vështirë të jesh i drejtë se sa të dukesh i drejtë, njeriu për lehtësi shpesh zgjedh si duket dhe jo si është. Kështu, njeriu mbushet me fuqi e pushtet që në fakt nuk i takon. Dhe nga puna e ndikimi i tij, shtrembërimi i realitetit zmadhohet. Aq më tepër që pushteti dhe privilegji vetë e përkrahin shtrembërimin.
Hipokrizia ka qenë prej kohësh në vemendje të psikologëve. Karl Jung thoshte se hipokritët nuk janë në dijeni të hijes së natyrës së tyre. Çdo individ ka nevojë për ndryshim, përmbysje, ripërtërritje, por jo duke i detyruar të tjerët nën maskën hipokrite të dashurisë ose ndjenjës së përgjegjësisë ose eufemizmave të tjera. Nëse njerëzit edukohen për të parë qartë hijen e natyrës së tyre, mund të shpresohet se ata gjithashtu do të mësojnë të kuptojnë dhe t’i duan më shumë të tjerët. Më pak hipokrizi dhe pak më shumë vetëdije mund të kenë rezultate të mira. Sepse njeriu është i prirur për të fajsuar tjetrin për gabimet dhe padrejtësitë e veta.
Benjamin Franklin thoshte se hipokrizia është vetë-mashtrim. Kur mbron një vendim a një post, njeriu hipokrit përpiqet të krijojë prova të rreme. Dhe, kur kërkohet të japë dëshmi, ai përpiqet të kërkojë dhe interpretojë “prova” që konfirmojnë atë që tashmë beson. Për më tepër, njerëzit priren të mendojnë shumë për veten e tyre, duke theksuar pikat e forta dhe arritjet, dhe duke anashkaluar dobësitë dhe dështimet e veta. Studime të ndryshme kanë provuar se rregullat morale të njeriut çojnë në dënimin e pabesisë, ndërsa rregullat e çiftëzimit e nxisin një person ta kryejë atë. Fuqia i zmadhon këto efekte. Njeriu me pushtet, ka më shumë gjasa të kryej pabesi, duke sfiduar kështu besimin e tjetrit.

Filed Under: Politike Tagged With: Astrit Lulushi, Hipokrizi e politikë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT