• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2018

NJË VEPËR MONUMENTALE, E RRALLË NË LETRAT SHQIPE

May 18, 2018 by dgreca

Remzije J. ZEKOLLI/2 remzije

(Prend Buzhala “Gojëtaria mbretëresha e fjalës së shqiptuar”, Rozafa,  Prishtinë 2017. Ese, trajtesa,studime,antologji e teksteve të fjalimeve nga gojëtaria shqiptare. Vëllimi i parë)

Studiuesi i palodhur i letërsisë shqipe, me punën e tij fisnike, çdo ditë  është duke na befasuar, është duke bërë mrekulli me krijimet e tij magjike. Me librin e tij të veçantë “Gojëtaria mbretëresha e fjalës së shqiptuar”, grumbullon një thesar të çmuar të kombit shqiptar. Është e para antologji, me sa e dimë, që përmbledh brenda një vëllimi fjalimet më të njohura të personaliteteve të shquara  shqiptare, që na antika ilire (me Konstantinin e Madh), vazhdon me kryefjalimet historike të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, të Pal Engjëllit etj, e deri te koha jonë, te Ismail Kadare.

  1. Arkëz e pasur me  fjalime të personaliteteve të shquara kombëtare

Autori e sistematizon materien e këtij libri me pedanteri. Ky vëllim përfshin, në fakt, tri shtresime tekstore. Kështu, ky vëllim ngërthen analizat e autorit për secilin fjalim veç e veç, pastaj e përfshin të plotë fjalimin e personalitetit përkatës historik. Por libri ka edhe faqe citatesh e fragmente tekstesh analitike mbi oratorinë, nga autorë e dijetarë botërorë, që nga Arsitoteli, e deri te autorët modernë evropianë e botëror.

Në këtë libër janë  mbledhur fjalimet e personaliteteve të shquara shqiptare  që i kanë mbajtur në raste dhe momente të veçanta. Ato janë fjalime që lidhen për një ngjarje të shquar historike, fjalime të tipit mortor me rastin e vdekjes apo të vrasjes së një personalitetit historik në të kaluarën etj. Këto fjalime i shoqëron me një vlerësim, analizë, kritikë  të kuptueshme e të pranueshme për lexuesin. Është një analizë teorike-letrare e aspektit retorik dhe nga ky aspekt na jep jo vetëm informacion të bollshëm për retorikën, por edhe analiza konkrete nga ky aspekt. Tekstet autoriale ngërthejnë edhe shtresime të tjera analitike, si ato historiko-letrare, socio-historike, kulturologjike, estetike, filozofike, tekstologjike; do të thotë, se teksti analitik i Buzhalës është shumëdimensional dhe multidisiplinor.  Por mbizotëron analiza e fushës së dijeve retorike.

Është një punë ë palodhur e tij, vetëm sistemimi dhe grumbullimi  materies së librit është një punë që do përkushtim dhe angazhim, besa edhe flijim të madh deri tek realizimi i tij. Një libër i tillë kaherë i ka munguar letrave shqipe. Vërtet, është një përkushtim i madh me dije të spikatur vetë strukturimi i një materieje kaq specifike.

Fjalimet e tilla kanë hyrë në historinë e kombit dhe në kujtesën  tij historike, qoftë për nga përmbajtja e rëndfëdia e tyre, por edhe ppr vlerat shprehëse që ato shfaqin. Prandaj autori me të drejtë përdor termin vlerësues “antologji e teksteve të fjalimeve nga gojëtaria shqiptare.”Në fillim, në vend të hyrjes, vijnë dy ese analitike: “Gojëtaria, mbretëresha e fjalës së shqiptuar” ((Tryeza 1: Në vend të hyrjes. RETORICORUM)” dhe “Magjistarët a mashtruesit

e fjalimeve publike (Tryeza 2: Në vend të hyrjes. RETORICORUM)”. Te eseja e parë analitike autori thekson:

“Sa pak dihet, ndër ne, për RETORIKËN ANTIKE, përgjithësisht për retorikën, oratorinë, gojëtarinë, këtë mbretëreshë të Fjalës së Shqiptuar…

Na mungon një antologji tekstesh të retorikës, një histori e retorikës dhe një tekst-bazë e studimor i kësaj lënde…. Secili shkrim, në këtë vëllim, pretendon të jetë analizë sadopak shumështresore, që gërsheton eseizmin me argumentin historik, tekstologjinë retorike me poetikën e figurës, artin e të folurit në publik me elementet e retorikës letrare, bazat e kulturës së të folurit me reflektimet shoqërore, filozofike a me fushat e ndryshme të dijes… Retorika antike, që nga Aristoteli i moçëm, konsiderohet art i shprehjes, i TË FOLURIT BUKUR, i diskursit, që kishte të bënte me angazhimet e saj në sferën politike, në atë të poezisë, mitit dhe arsimit: për ta bindur,për të ndikuar, motivuar dhe nxitur një publik a masë të caktuar njerëzish. Kësisoj ndodhi deri në shk. XIX. Më vonë, fenomenet retorike ishin sferë e studimeve të gjuhësisë, meqë është thelbi i lëndës gjuhësore që karakterizon një tekst retorik a një fjalim të shkruar a të folur.

Gjithashtu, retorika, që nga fillimet e saj, është fushë e studimeve filozofike.Fjala retorikë rrjedh nga gr rhētorikós Greekῥητορικός, latinisht “Oratorio”, dhe gr ῥήτωρ lat orator “, FOLËS PUBLIK. Sot studimi i dikurshëm retorik, përdegëzohet në shumë dije të komunikimit e ndëkomunikimit… ”

Se çfarë ka qenë përzgjedhja, na e sqaron vetë autori:

Fjalimi, i përfshirë në këtë vëllim, sipas intencës autoriale, duhej t’i përplotësonte disa kritere:

– të jetë një Fjalim i Rëndësishëm dhe i Njohur që ndërlidhet me një ngjarje të rëndësishme,

– të jetë i dokumentuar (i ruajtur në trajtën e shkrimit), dhe jo i rikomponuar a i përfolur,

– të jetë mbajtur nga një personalitet i rëndësishëm që ka lënë gjurmë në historinë ilire, arbërore, shqiptare, a që është me këtë origjinë dhe që ka lënë gjurmë në historinë botërore,

– të ketë vlera retorike dhe gjithsesi

– të ketë etikën njerëzore historike. Janë mënjanuar fjalimet (dhe protagonistët e tyre) që shprehin urrejtje ose që përfaqësojnë ideologji totalitare.

Kësisoj, bëhet, ndoshta, përpjekja e parë që ky vëllim të pretendojë të jetë, ndoshta i pari, që përfshin fjalimet nga koha e Ilirisë e deri më sot, me pretendime antologjike.

Autori sqaron se udhëheqësit dhe politikanët, kishin pranë vetes oratorët më të mirë të asaj kohe, se ARTI I BINDJES, që kërkonte stil, pasion, gjykime e arsyetime mjeshtërore, ishte edhe objekt studimi i shumë trajtimeve të kohës sonë, se efektiviteti i një fjalimi pikësynon harmoninë e plotë në mes mendimit, veprës dhe fjalës, se vetëm personalitetet e mëdhenj (madhështia e tyre nuk qëndron tek forca e armës, por tek forca e jashtëzakonshme e veprës në dobi të njerëzimit), arrijnë që mendimet e tyre t’i paraqesin plotësisht nga pikat që ngjyrosin fjalën, prandaj edhe veprat e tyre janë aq të pastra, aq madhështore, ashtu sikundër të tilla shfaqen edhe fjalët që shqiptojnë …se një kusht tjetër, që përmendin studiuesit e retorikës për një orator, është personalitetit i folësit, oratorit, i cili patjetër duhet të ketë vlera njerëzore, si fjalimi i Kenedit më 20 janar 1960: “Mos pyetni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por çfarë mund të bëni për vendin tuaj. Të dashur qytetarë të botës, mos kërkoni se çfarë për ju mund të bëjë Amerika, por çfarë mund të bëjmë së bashku për lirinë e njeriut”.

Autori na bën me dije se edhe në shqip ka vepra të përkthyera fjalimesh, por edhe një vëllim fjalimesh nga vetë shqiptarët, se  me titullin “Fjalimet që ndryshuan botën” përfshihen fjalime të personaliteteve botërore, që kanë vlerë tej-antologjike siç është APOLOGJIA E SOKRATIT në Gjyqin e Athinës, apo fjalimet e Ciceronit kundër Katilinit, që po komplotonte Republikën e Romës etj. në fund të këtij teskti hyrës, autori thekson:

“Vështirësi kishte në gjetjen e fjalimeve origjinale në formën e shkruar. Bie fjala, kur flitet a shkruhet për Abdyl Frashërin, studiuesit e tij thonë se ai mbajti “një fjalim të zjarrët” në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit; nga ky “fjalim i zjarrtë” autorët shkëpusin nja tri fjali. Askund nuk gjendet ai fjalim (të paktën autori i këtyre rreshtave nuk arriti ta gjente). A kanë mbajtur fjalime apo ligjërata Naim Frashëri, Sami Frashëri, Jeronim De Rada dhe cilat janë ato? Po ashtu, autorit i mbetet merak që nuk ka arritur të gjejë fjalime të tilla nga autoritete të rëndësishme të historisë, kulturës a letërsisë sonë. Prandaj ky libër u konceptua si Vëllimi i Parë, për të mos i vënë pikë mbylljes vetëm me këto shkrime e me këto prezantime fjalimesh.”

Kështu, në vazhdim vijnë, tesktet e fjalimeve a ligjëratave të tyre, këta perdoanlitete historike: Kosntantini i Madh Ilir, Gjergj Kastrioti–Skënderbeu, Pal Engjëlli, Pjetër Bogdani, Fjalimi që ka mbajtur në Kuvendin e Arbënit 14-15 Janar 1703  Vinçenc Zmajeviku, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Hoxhë Hasan Tahsini, Át Shtjefën Gjeçovi, Luigj Gurakuqi, Petro Nini Luarasi, Ismail Qemali, Avni Rrustemi, Mithat Frashëri, Fan Noli, Át Gjergj Fishta, Dom Lazër Shantoja, Hasan Prishtina, Faik Konica, Át Anton Harapi, Aleksandër Xhuvani, Hafiz Ali Kraja, Marije Shllaku, Musine Kokalari, Shën Nëna Tereze, Don Simon Jubani, Aristidh Kola dhe Ismail Kadare.

  1. Gojëtaria e vjetër shqiptare dhe mendime të personaliteteve të shquara botërore për gojëtarinë

Paradigma historike e ndërgjegjes së lirisë, titullohet shkrimi për fjalimin e Konstantinit të madh Ilir,  vlen për t’u cituar e që ka të bëjë me (Ediktin e Milanos për liritë fetarei vitit 313): “Hyjnisë së lartë t’i bëjmë nderimin që me të drejtë i takon, duke iu dhënë të krishterëve të drejtën për të adhuruar të lirë. . Duke u bazuar në këtë dokument,  na bën të kuptojmë se qysh në atë kohë i kanë dhënë një rëndësi të veçantë tolerancës fetare, paqes,  lirisë së mendimit dhe shprehjes, duke mos ia mohuar të drejtën e adhurimit askujt. Autori flet edhe për vlerat retorike klasike të atij fjalim-edikti.

Gojëtaria, në librin e Buzhalës vazhdon rrugëtimin me Skënderbeun. Autori,  ka përzgjedhur dy fjalime historike: Fjalimin e Gjergj Kastriot Skënderbeut përpara arbërorëve pas çlirimit të Krujës nga osmanët më 28 nëntor 1443 dhe Fjalimin e tij në Kuvendin e Lidhjes së Lezhës më 2 mars 1444,  në kishën e Shën Kolit. Autori i vlerëson si fjalime kryehistorike, që ndërlidhen me dy ngjarje të mëdha historike. Tesktet merren nga Barleti, por jepen edhe ato të Nolit. Po shkëpusim një fragment që më la mbresa si lexuese e librit: Ashtu si ju kujtonja ashtu ju gjeta, stërnipër të thjeshtë të një race të vjetër e bujare trima dhe besnik të pa tronditur të vendit dhe të mbretit tuaj.. Buzhala me një elegancë prej një studiuesi këmbëngulës dhe pasionant,  na ofron fjalime të rëndësishme historike.

Fjalimin e radhës  e titullon: Panagjeriku i Pal Engjëllit,  të cilin e bënë në Raguzë,  me rastin e vizitës së Skënderbeut atje. Do shkoqisim këtë frazë nga fjalimi i tij: Çka është pra më fisnike, më e ndritur  dhe më e spikatur se qyteti i Raguzës, i cili jeton e qeveriset me ligjet e veta pa iu dhënë e pa iu shtruar kujt Pali e njofton për pavarësinë e Raguzës, i cili ka edhe pozitë të përshtatshme gjeografike,  për ta ushtruar atë mvehtësi të tij dhe kushte për zhvillimin e tregtisë.

“Barleti ka formim klasik për shkrimin e tij: atë aristotelian, siç janë thirrjet, patosi dhe etosi”, vlerëson autori, duke shtuar se Skënderbeu, nëpërmes Barletit, na del Mbrojtës i Lirisë.: “Askund nuk përdor formula fetare të krishtera! Ani pse Barleti ishte një prift, dhe anise ai shkruan: “Tani, ndonëse rronim e hanim bashkë dhe kishim një zemër dhe një shpirt, me gjithë këtë asnjë nga këta s’më kish dëgjuar kurrë të zë n’gojë atdhenë, lirinë dhe krishtërimin, gjersa ardhi rasa në betejë të Nishit…. Tingëllojnë të fuqishme edhe sot ato fjali: “Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat….” (përkthim i Nolit).

Ja si duket analiza retorike e Buzhalës:

“Për nga retorika e shprehjes, Fjalimi i Skëbnderbeut që e shënon Barleti, përdor thënie figurash të eksklamacionit, thirrmës, lavdit. Lavdi, nga heroi, kapërcen tek liridashësit. Fjalitë e tilla eksklamative, thirrmore, dhe me intonacion thirrmor, shprehin ndjenja të forta, patos të zjarrtë, etos të fortë moral, luftarak, atdhedashës dhe liridashës: ‘Të nisemi, pra, pa ngurrim dhe kudo të tregohemi me guxim prej fitimtarësh; fati do të na ndihmojë në përpjekjet tona, fati, që gjer më sot s’na është ndarë në çdo punë e na ka ecur për bukuri.’ Tipi i tillë i thënies retorike, shfaqet më i fuqishëm. Teksti është i pasur me gamën e gjerë të botës emocionale (shpreh atdhedashuri, liridashje, zemërim fisnik kundër armikut, habi që fuqizojnë dashurinë e trimërinë, lumturinë e gëzimin e çlirimit, shpreh keqardhje, mobilizim, fjali pyetëse që shprehin nxitje e vrull etj… Nga ana tjetër, bien në sy edhe figurat retorike të përforcimit ((auxesis), shkallëzimi i fjalive me ton gjithnjë në rritej, gjithnjë e më të ngritur, përforcime të përsëritjes së fjalëve dhe ideve, denduria epigramatike, që sintetizon thelbin e fjalisë në formë sentence që merr përmasa historike (“Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu”)… Sikur të mos ishte personalitet historik, as kjo thënie nuk do të kishte mbijetuar. Sa historikisht vetëdije-formuese është kjo thënie ndër ne!

Mesazhe të fuqishme na përcjell edhe sot”

Fjalimin e radhës Buzhala e ka titulluar Biografia e heroit të kulturës: Fjalimi profetizues për shembjen e armikut,  dhe kush do mund ta bënte këtë përveç Pjetër Bogdanit. Me pasion dhe punë të palodhur Buzhala na i sjellë në këtë libër këto fjalime,  të cilat janë thënë në raste të veçanta, Bogdani me rastin e vdekjes së ungjit të tij Ndre Bogdabit. Buzhala jep edhe një biografi të Ndreut,  për ta njohur lexuesi se kush ishe ai personalitet që mbajti fjalën e rastin. Pjetër Bogdani është i njohur me libritn e tij “Çeta e profetëve” dhe me plot të drejtë Buzhala Boganin e quan predikues të shqiptarizmit i humanizmit dhe i dijes. Oratoria e vjetër e personaliteteve të kombit përfundon me fjaimin në Kuvendin e Arbërit të Vincenvc Zmajevikut,  të cilin Prend Buzhala e titullon:  Mrekullia e qenies arbënore, trashëgimi shpëtimi edhe për të sotmen, në këtë fjalim përshkruhet gjendja reale e toakve shqiptare. Ai  u angazhua që lutjet dhe shkolla të mbaheshin në gjuhën shqipe.

  1. Nga gojtaria e rilindësve shqiptarë e deri te koha jonë

Libri vazhdon me shpalosjen e fjalimeve të rilindësve shqiptarë,  të cilit i prinë Abdyl Frashëri e që autori e quan Fjalët emblematike që bënë Shqipërinë, ku këtë fjalim ai e mbajti në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit. Abdyl Frashëri,  vëren rrezikun e gllabërimit të tokave shqiptare edhe nga fuqit tjera dhe e arsyeton domosdoshmërin e Kuvendit të Lidhjes së Prizërenit  dhe thirrjen për kryengritje ku ndër tjera thekson: Porta e lartë nuk dëshiron t’u dal në ndihmë shqiptarëve , në kohën kur fshinjët mësyjnë për të rrëmbyer territoret shqiptare.. Vetëm një studiues serioz siç është Buzhala,  me këtë arsenal të fuqishëm, njohurish për fjalimet e personaliteteve mund t’i sjellë lexuesit këtë arkëz të vlefshme një thesar të çmuar.

Këtu vend meritor kanë edhe mendimet e Aligerit për oratorinë ku ndër tjera citojmë: Dhe shfaqet në mbrëmje kur retorika flet përmes shkrimit, nga një distancë.

Fjalimin e  At Shtefën Gjecovit,  Buzhala e titullon: Etosi nacional i kuvendit dhe pleqnisë,  të cilin e ka mbajtur në Krujë  ditën e Shën Gjergjit. Si çdo herë Buzhala i pa përtesë,  rrëfen biografinë e Gjecovit, i cili është i njohur si kodifikues i Kanunit të Lekë Dukagjinit. Libri, është i pasur,  me fjalimet e personalitetev të mëdha shqiptare, Luigj Gurakuqit, me rastin e hapjes se Normales së Elbasanit, Petro Nini Laurasi në Kongresin e dytë të Manastirit. Vijnë edhe këtu tekste të personaliteteve të shquara botërore dhe mendimet e tyre për oratorinë.

Po ndalemi pakës tek fjalimi i Ismail Qemailit me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë,  apo siç e titullon me plot të drejtë Buzhala:  Fjalimi që priti pesë shekuj, natyrisht autori  tregon pak histori si arriti deri tek ky fjalim: Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëve dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemra  nga gazi i madh.. Buzhala vlerëson se në të kaluarën ishte vendimtare arsyeja e rezistencës atdhetare kundër pushtuesve dhe arsyeja e këtyre betejave historike është ajo që i dha rëndësi të dorës së parë SHPIRTIT SHQIPTAR. Te ky shpirt, nuk është e habitshme, prandaj, përse edhe urtia, edhe pathosi, edhe etosi nacional, i ngjyrosin fjalimet e tilla në momentet kyçe të historisë sonë: “nuk ishte e habitshme që ai edhe te Fjalimi i tij të shprehte vlera të larta intelektuale, pa e ndërlikuar me shprehje të pakuptueshme, por arrinte të spikaste prirje sintetizuese: “Së këndejmi, ky Fjalim jo vetëm që përbën vlera të shquara të elokuencës e të entuziazmit të pafund kombëtar, i ardhur në Ditën e Pavarësisë e të Lirisë së shumëpritur pas pesë shekujsh; por paraqet dhe Zërin e Edukimit Etnik të pathyeshëm… “

Libri vazhdon me personalitete të shquara,  të cilat në mënyra dhe rrethana të caktuara historike kontribuuan në ndryshimin e gjendjes së popullit shqiptar. Avni Rustemi në gjyqin francez,  pasi vrau tradhëtarin e kombit Esat Toptanin, fjalimin e Mithhat Frashërit me rastin e themelimit të Lidhjes së mësuesve, fjalimin e Fan Nolit në Parlamentin shqiptar, si opozitë e tij e gjatë leximit  vërejmë se fjalimi i tij është mbajtur pasi është vrarë Avni Rustemi në Vlorë. Do ndalem pak tek fjalimi i At Gjergj Fishtës, të cilin e mban me rastin e varrimit të Avni Rrustemit. Buzhala këtë fjalim e quan: Porosia e madhe e Fishtës për idealizimin shqiptar. Fishta,  ishte orator i madh i guximshëm dhe njeri realist. Po ta jap fjalën  ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombëtar do të triumfoj e Shqypnia ka me përparue e kire e lulzueme . Autori analizon: “Nëse estetika mbështetet kryesisht në zgjidhje e problemeve Të kategorisë së të bukurës, nëse etika trajton etosin (veprimtarinë e lirshme të njeriut), moralin), atëherë njeriu ka nevojë që ta shqyrtojë edhe një fushë-veprimtari të veten, siç është e vërteta. Kësisoj, edhe te Fjalimet e Fishtës përgjithësisht, po edhe te ai për Avni Rrustemin në varrimin e tij, ne lexojmë edhe bukurinë e shprehjes, edhe etosin kombëtar shqiptar, edhe të vërtetën që ai me aq pasion e kërkonte dhe të tri këto shëmbëlltyra të ndërgjegjësimit e të botës shpirtërore të njeriut, i thadron teshëmbëlltyra e Avniut.”

Autori me kujdes ka renditur fjalimin e Don Lazër Shantojës me rastin e 28 Nëntorit, pastaj të Hasan Prishtinës me rastin e varrimit të Luigj Gurakuqit, për të cilin autori analizon: “Meqë edhe ky Fjalim, rëndom i takon ligjëratës epideiktike (lavdit, lartësimi, mbrojtjes së një figure publike), atëherë pathosi apelativ i drejtohet sa shqiptarëve, sa një si bashkëbisedim e bashkëndjesi me bashkëluftëtarin, me njeriun e idealeve të përbashkëta.”  Vijnë fjalime si i Anton Harapit me rastin e varrimit të Çerqiz Topullit të cilin autori e titullon: Vizioni e kodi retorik i qenies shqiptare, ai mes tjerash në këtë fjalim do të theksonte:  Ku veni o burra, Cerciz e Mujo, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit para se të ndaheni. Nuk marrë parasyhs c’krahine e cet e c’besim patët, më mjafton të dij se besuet në një zot, e si Kristal i kulluet rrodhi ndër dejt t’uej gjaku shqiptarë. . Fjalime në këso rastesh e rrethanash lexuesit i vinë me këtë libër të cilën Buzhala i grumbullon me pasion.

Fjalimi i Alekzandër Xhuvanit,  në varrimin e At Gjergj Fishtës, po edhe i Hafiz Ali Krajës po në varrimin e Fishtës,i cili ndër tjera thekson: Vepra yte poet o poet, ka për të formue një faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptarë,pse, në aktivitetin që ke zhvillue ndër konferencat politike ndërkombëtare, nuk je tjetër vecse me i sigurue kombit tanë të drejtata , që ai i ka jetike e si ma i vjetri komb në ballkan.   Nuk kanë mbetur pa u përfshirë as personalitetet femra në këtë libër të cilat më fjalimet e tyre sidomos në gjykatë  kanë lënë gjurmë në historinë e kombit. Më habit fakti si nuk u gjend asnjë fjalim apo thënie e Shotë Galicës, Zhanë Darkës shqiptare. Me vlera edhe historike edhe oratorike, vjen Fjalimi i Marie Shllakut në gjyq,i  Musine Kokollari, po ashtu në gjyq. Do të ndalem tek nobelistja e vetme shqiptare deri më tani, Shën Nënë Tereza. Këtë fjalim të mbajtur në Oslo studiuesi Buzhala e titullon:  Fjalimi Shën Terezian i paqes dhe mbrojtjes së jetës, mua më la mbresa ky fragment nga ai falim i saj para botës që u tubua për t’ia dhuruar çmimin Nobël për paqe: Më bën të mendoj se katërqind vjet më parë , kur Shën Francesku e krijoi këtë lutje, njerëzit duhet të kalonin po ato vështërsi, që kemi sot, me që na përshtate kaq shumë.  Ta falënderojmë Zotin për mundësinë që kemi, gjithë së bashku, sot, për këtë dhuratë të paqes që na kujton se jemi krijuar për ta jetuar këtë paqe. . kah fundi autori përfshin fjalimin e Don Simon Jubanit që e mban meshën e parë pas demokratizimit të Shqipërisë, të cilin autori e titullon Fjalimi i qytetërimit të lirisë dhe lirisë fetare, si i pari fjalim, prelud, i proceseve demokratike në Shqipëri.

Edhe çështja arvanitase zë vend në fjalimet e personaliteteve, të cilat Buzhala i ka mbledhur në këtë libër, si ai i Aristidh Kola-s, ligjëratë e tij e mbajtur në Athinë. Dhe Ismail Kadare e përmbyll këtë maratonë fjalimesh që autori me pjekuri, durim, mençuri na i ka sjellë në këtë libër. Fjalimin e Kadaresë e titullon: Diskursi Kadareian për lirinë, këtë fjalim Kadare e mban në Izrael,  ku merr çmimin Book Fair. Në këtë fjalim Kadare mes tjerash potencon: Unë isha një shkrimtarë murg i letërisë e natyrishme të kasha një lidhje positive, hormonioze me lirinë. Po merrja një cmim të madh për lirinë në letërsi, në kohën që gjysma e veprës sime nuk ishte shkruar në liri , por në robëri..

Përfundim

Karakteristikë e llojit të veçantë i këtij libri është,  fjalimet e personalitetev shqiptare, emrues oratoria që nga historia e lashtë deri tek koha e sotme. Nëse te Pal Engjëlli,  autori vëren poetikën panagjerike që imitojnë veprat e lavdishme të oratorëve paraardhës të tyre, si limpiacusi i Gorgias, Olimpiazi i Lysias apo Panegjeriku dhe Panathenaicus-i, fjalimi i famshëm i Perikliut (sipas Tukididit, hyn në radhën e panagjerikut), te Bogdani autori thekson se ndër shekuj, arbri e shqiptari, ka kërkuar nga Njeriu i letrave që të jetë edhe profet; se mjetet kryesore shprehëse të këtij Fjalimi, janë rrëfimi historik biografik dhe evokimet jetësore; fjalimi gërshetohet e shprehet me një EVOCATIO, sipas traditës antike romake, me anë të të cilës (evocatio, si fjalë e përnderimit hyjnor), nderohen njerëzit e shenjtë. Kësisoj, ky fjalim mandej merr edhe tone elegjiake, thuret si një baladë për gjendjen e rëndë. Paraqitjen e Jani vretos e cilëson si ligjëratë iluministe e një epoke të re, kur Vreto shfaqte interesime sociologjike, filozofike, etike, politike dhe gjithsesi, edhe të letërsisë artistike, mbasi ii ishte në korrent me veprat, mendimet e idetë e autorëve të njohur evropianë, meqë njihte gjuhë të huaja, me besim të palëkundur në forcën e arsyes njerëzore, dhe në përparimin dijeve shkencore. “Jani Vreto ligjëron si një folës i mirë përballë dëgjuesve të mirë e atdhetarë; ai flet drejtpërdrejt, por shtjellueshëm, duke ishfaqur shkallë-shkallë qëndrimet e pikëpamjet e tij”, vlerëson autori. I kësaj ryme është edhe vlerësimi për fjalimin e Hoxhë Hasan Tahsinit: Fjalimi që ndau epokën e dijes nga ajo e errësirës: “Diskursi i tij është diskurs retorik mbi dijen dhe arsimin. Gjithnjë sipas shembullit antik, aristotelian, dhe civilizimeve religjioze që erdhën më vonë; ai ndjek atë traditë që e quante retorikën si mjet të udhëheqjes së njerëzve për edukim, arsimim e formim.”

“Të shumta janë edhe Fjalimet që e shquajnë si orator Luigj Gurakuqin, një personalitet që u spikat në shumë fusha: në atë të jetës politiko-shoqërore dhe në atë të jetës arsimore-kulturore” thotë autori dhe e karakterizon fjalimin e Gurakuqit si Shpërthim  në një përmasë tjetër gojëtarie, pothuajse përmasë platonike, ku edukimi ka edhe vlerat e së bukurës, edhe ato të një realiteti të epërm, dmth atë të një humanizmi si vetëdije të zgjuar moderne, si vetëdije për harmoninë shqiptare, ku shpirti i folësit duhet të ligjërojë sa më bukur, sa më ëmbël, si lyra e Amfionit dhe Orfeut dhe ku ligjërimi i bukur dhe i mirë gërshetohet me të vërtetën. Të tilla janë edhe fjalimet e rilindasve tjerë që u përmendën më lart. “Bukuria dhe porosia e amshueshme edukuese e një fjalimi” komenton Buzhala për fjalimin e Mithat Frashërit. Me vlera komentue4se retorike është edhe shkrimi “Karakterizimi e zemërimi aristoteliani Fan Nolit përballë anarkisë” (“Shakaxhiu i përparimit dhe pesë anarkitë”, fjalim i Fan S. Nolit i mbajtur në parlamentin shqiptar më 1924). Për Nolin autori thekson se “Një ndër mjeshtrit më të spikatur të shkrimit retorik, ka qenë Fan Noli. I njohur si Njeri i Letrave në poezi, publicistikë, përkthime, dramaturgji, historiografi, muzikologji, ai prirjet e tij folëse i shfaqi edhe si klerik dhe politikan. Dhe kudo u shqua aftësia e tij oratorike… Perëndimorja shfaqet si shpëtim, ideal, kryeideal për përparim, liri e demokraci. Aty ai merr frymë, është vetvetja, me identitetin kulturor evropian!”. Kurse për Faik Konuicën, ai na e jep profilin e tij oratorik në planin e nivelit të lartë intelektual: “Prandaj, oratoria klasike do të ishte e varfër për ta përshkuar Fjalën e tij të Shkruar. Nga ana tjetër, ai është i dalluar për qëndrimet kritike që ka mbajtur jo vetëm ndaj figurave të shquara kombëtare, që nga Naim Frashëri e deri te Noli e Gurakuqi; por edhe për qëndrimet e tilla për sa i përket karakterit të shqiptarit. “

Karakterizim interesant retorik autori e zbërthen edhe për fjalimin e Shën Nënës Tereze:

“Në strukturën e tij, ky fjalim sikur u përgjigjet tri kërkesave të Aristotelit për retorikën e ato janë: ethos-i (besueshmëria), pathos-i (hapësira e krijuar emocionale)dhe logos-i (argumentet para publikut). Nëse fjalimet me ethos të shpeshtën i karakterizon, sikundër thotë Aristoteli, besueshmëria, ato shpallin edhe misionet edhe vizionet për një botë më të mirë. Prandaj ajo shpall se ishte Misionare e Dashurisë, kurse Vizioni i saj i ishte për një Botë pa varfëri ekstreme. Ajo me këmbëngulje ishte në mbrojtje të jetës, prandaj quhet dhe Misionare e Jetës, edhe kur të tjerët shfaqën dyshime ndaj kërkesave e programit të saj në mbrojtje të jetës (sidomos ndaj abortit).”

Duke e përmbyllur karakterizimin oratorik të kadaresë, autori vë në dukje se “Ismail Kadare shquhet edhe për Fjalën e Gjallë, të drejtpërdrejtë, në disa forma të komunikimit publik: në Fjalimet ceremoniale të marrjes së çmimeve e mirënjohjeve prestigjioze botërore; në intervistat e shumta në mediet elektronike e të shkruara, në debatet me lexues etj. Duke qenë figura epiqendrore e letërsisë së sotme shqipe, padyshim që Kadare ka shuar edhe kureshtjen e të gjitha shtresave shoqërore për çështje nga më të ndryshmet: për letërsinë, për aktualitetin, për Kosovën, identitetin nacional dhe për problemet më të mprehta të shoqërisë shqiptare.”

Kjo do të thotë se Buzhala ofron një tryezë të pasur nocionesh, analizash, komentimesh, observimesh, një gërshetim të mahnitshëm dijesh dhe burim frymëzues intelekti, gjithnjë me një citatësi tejet të pasur nga retoristët e të gjitha kohëve.

Libri i Prend Buzhalës “Gojëtaria mbretëresha e fjalës së shqiptuar. Ese, trajtesa,studime,antologji e teksteve të fjalimeve nga gojëtaria shqiptare” (Vëllimi i parë), është një vepër monumentale e rrallë në letrat shqipe.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Gojetaria mbreteresha e foals, Prend Buzhala, Remzije J. Zekolli, se shqiptuar

Disidenca e dritës

May 18, 2018 by dgreca

Nga Gladiola Jorbus/

Pa ndrojë mund të themi se çdo autor, në vetvete është sui generis. Profesorit Vaso Papaj, ndashtimi i paveçuar profesor, besoj se i shkon për shtat. Vazhdimisht, ai shfaqet si intelektuali që rravgon dhe përsiatet në mugëtirë e mugëllimë, në dritë e terrinë, në tejskajshmërinë e odisesë së një kërkimi shpirtëror që shkon drejt katharsisit. Por a do të arrijë ndonjëherë, ndërgjegjja e shoqërisë sonë shkallën sipërore të purifikimit?!

Çdo vend që ka vuajtur nën një regjim diktatorial, karakterizohet nga një e kaluar e errët, që i ka lënë plagë të vështira për t’u shëruar. Përkujtimi i personazheve që provuan në lëkurën e tyre ç’do të thotë privim nga të drejtat dhe liritë themeltare të jetës, veçse të fisnikëron e të shndërron në një person që kontribuon për ndërtimin e kujtesës historike; pasi njohja dhe trumbetimi i të vërtetës është një e drejtë e domosdoshme.

E si të mos konsiderohet shkrimtari, një krijesë misionare e flijëplote që kërkon të mbështetet mbi të drejtat njerëzore e thëniet hyjnore; në emër të jetëve të pajetuara, të dashurive të paplotësuara, të prezencave të munguara, të ëndrrave rinore të thërrmuara?!

Profesor Vaso, një përfaqësues dhe praktikant i shkencave ekzakte deri në krijimin e metaforave, me përmbajtje fotonike. Dihet rëndom që shpejtësia e dritës është 300.000 km/s në vakum, pra në hapësirën boshe. Këtë shpejtësi nuk e sfidon dhe as nuk e superon asgjë; duke u cilësuar kështu  më e madhja në Univers. Ndërsa në mjediset optike më të dendura, kjo shpejtësi nis e zvogëlohet.

Ashtu ndodh dhe me humbëtirën e autorit Papaj. Dritën mund ta ndiejnë vetëm kush e ka bukurinë në shpirt, qofshin këta dhe në abis, në humnerë a në ferr. Kurse të tjerë, mjeranë e bilmezë, edhe pse rrethohen nga drita, nuk mund ta prekin atë, as të përndriten, sepse zymtësia dhe shëmtia shpirtërore u ka veshur shpirtin.

Autori i rritur brigjeve të Adriatikut, pasi ka pirë njelmësinë e ujit të detit e të lotëve, imponon dhe pretendon vëmendje e respekt. Zëri i shkrimtarit që lutet për një botë më të mirë është vox Dei –zëri i Zotit.

Gjithashtu, Vaso Papaj provokon dhe një trajtim antikonformist të veprës së tij. Shpresa, e vetmja që mund të zbusë ekzistencën e padurueshme dhe të bëjë të mundur mbijetesën e pamundur në një kalvar Golgote, regëtin në grahmat e saj të fundit.

Edhe këtu, gjuha shqipe duket sikur na ka punuar një trill sa cinik, aq dhe fonetik, përmes  formave të ndryshme gramatikore. Shpeshherë, ne formojmë çifte antonimike duke iu referuar bashkëtingëlloreve të zëshme e të shurdhëta (sh, zh, ç) dhe përfitojmë fjalë si: dëmtoj – zhdëmtoj, liroj – çliroj, palos – shpalos.

Kur shqiptojmë emrin shpresë, ë –ja fundore shurdhohet, dhe duket sikur folja pres, përcjell fjalën shpres(ë); pres- shpres. Një gaz- maraz apo paradoks ?! Gjithsesi, edhe nën përmasat më të humnershme të horizonteve që s’premtonin ardhmëri, shpresa shpërthen brishtësisht dhe tenton të çlirohet nga vargonjtë e realitetit mbytës, në veprën e autorit të sipërpërmendur.

Konceptet e formuluara nga mendimet origjinale, empirizmi, kujtimet dhe empatia kohë – autor; ripërmasojnë tranzicionin e ekzistencës dhe vështirësinë maksimale në një shtet, ku ligji sipas Thomas Akuinit do të përkufizohej: “Lex malla, lex nulla” – “Një ligj i keq nuk është ligj”.

Prof. Vaso, përmes triologjisë së tij “Dritë në humbëtirë” aktualizon fort, kumtin e pavdekshëm shekspirian, të verbalizuar nga Hamleti unikal:

“Në kohën ku jetojmë, u dashka që vetë virtyti t’i kërkojë ndjesë vesit”.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Disidenca e dritës, Gladiola Jorbus

Urrejtje patologjike e akademikëve memurë ndaj gegnishtes

May 18, 2018 by dgreca

nga Kolec Traboini/

1 Kolec urrejtja

Problemi më i madh gjuhësor në rrafshin e sotëm kombëtar qëndron tek alergjia që kanë disa gjuhëtarë të ashtuquajtur akademikë ndaj çdo gjëje që quhet Gegnishte. Janë sëmurë psiqikisht prej kësaj urrejtje. Kanë futur në Fjalorët e miratur akademikë ( botimet to ena to dhio to tria) me mijëra fjalë të huaja turqisht e sërbisht a më gjërë dhe tregohen agresivë të pandreqëshëm (lloshizmi – e kam quajtur ) ndaj formave dialektale të trungut kombëtar. Kjo është një debilëri e zyrtarizuar për të cilat paguhen me miliona nga taksimet e përbindshme që bën shteti në një vend shumë të varfër e në mjerim si ne (20%). Kur pensionet në Shqipëri janë sa dieta ushqimore mujore e një qeni (dëgjoje ti Alfret Peza, milioneri i kazanit që llomotit përnatë në TV duke i lëpirë b… qeverisë). Është katandisur fjalori GJLSH pra, si gjeldeti i rjepur në prag të vitit të ri, i eksportuar ky nga turko-serbia.

Fjala e parë e Iliadës ështe MENI, e të parës vepër letrare në botë, dhe e gjen vetëm e vetëm ( e përsëris jo pa qëllim) në gjuhën shqipe e këta gjuhtarët e Enver Hoxhës, vetëm se është Gegnishte, e kanë zhduk nga fjalori duke vënë vetëm fjalën MËRI, çfarë të huajt e konsiderojnë fjalë tjetër sepse ndryshimi i një gërme i ndryshon kuptimin çdo fjalë. 
Këta akademikë janë një bandë me ndërgjegje të kalbur që një qeverisje me mend në kokë do ti hidhte në kosh të plehrave e jo ti ushqente si vemje vegjetuese. Dhe pse flenë gjumë edhe Akademikët e Kosovës; edhe kjo është një fenomen i çuditshëm vegjetativ që ka kapluar rrafshin tonë kombëtar në të cilin kudo paraqitemi në bjerrje.

Kolec TRABOINI

18 maj 2018

Filed Under: Komente Tagged With: akademikët memurë, GEGNISHTJA ?, Kolec Traboini

Çadra/Ombrella e turpit

May 18, 2018 by dgreca

Nga Andon Dede, Nju York/

Prej kohësh më kishte bërë përshtypje një fakt apo dukuri fare e rëndomtë: shihja kryqeveritarët shqiptarë, apo dhe politikanë të tjerë të rangjeve të larta, në ceremonira të ndryshme, apo edhe thjesht kur dilnin nga zyrat apo Kuvendi dhe, po të ishte duke rënë shi, dikush ua mbante çadrën/ombrellën.( i përdor të dy sinonimet që të mos ngatërrohet me çadrat e protestës). Më dukej një ritual shumë i shëmtuar, si diçka që nuk shkonte e më linte një shije të keqe: tamam anadollakë, thosha me vete, edhe një veprim kaq të thjeshtë, personal, e duan nga të tjerët?! Po kur ndryshuan kaq shpejt këta zotërinj apo shokë, kur vetëm pak kohë më parë, ishin njerëz fare të zakonshëm, si ne të gjithë?! Unë, edhe më parë, e kisha vënë re tjetërsimin që pësojnë njerëzit kur bëhen me pushtet: atyre iu dukej se, me që po i ngrejnë në pozitë, nuk janë më si më parë, por iu ka ndryshuar edhe truri, janë bërë më të mënçur e, për pasojë, nuk janë më ata që ishin por të tjerë, të një rangu më të lartë. Dhe e shihja këtë ndryshim në çdo veprim të tyre. Kush nuk e ka përjetuar një dukuri të tillë mund të mos më besojë kur t’iu them se ata dhe një “Mirëmëngjez!”, nuk ta jepnin më si më parë. Por, të kthehemi tek tema e çadrës.

Edhe pse e vlerësoja si një gjë që stononte, madje të shëmtuar, nguroja të shkruaja diçka, nga droja se dikush mund të më thoshte: “Ama dhe ti me se po merresh?! Punë çadre…A e vlen, kur ka kaq shumë gjëra më të rëndësishme…”. M’u kujtua, me këtë rast, thënia e një burri të mënçur se “në gjërat/veprimet e vogla të njerëzve mund të zbulosh tipare të rëndësishme të karakterit të tyre”.

Fati e desh që të vija me banim në Amerikë. Dashje apo pa dashje, në kronikat televizive, pata rastin të shihja shpesh edhe presidentët e poltikanë të tjerë të rëndësishëm, që në kohë me shi, hapnin çadrat për të mos u lagur. Disa herë kam parë Klintonin, Obamën e së fundi dhe presidentin miliarder, Trumpin. Përsëri mu ngacmua tema e vjetër, por siç na ndodh shpesh, prapë e lashë.

Pak ditë më parë, ndoqa në Televizion tek emisioni provokativ i K. Myftarit: “Ju flet Moska”, pikërisht këtë temë. Më në fund mu mbush mendja që të shkruaj dhe unë këto rreshta. Autori i emisionit nuk ndalej vetëm tek kjo dukuri por e ngulte bisturinë edhe më tej: se në ceremonira të tilla përkujtimore, si ajo që paraqiti ai tek Varrezat e Dëshmorëve, as nuk vihet fare me çadër, siç na e ilustroi dhe me një ceremoni të tillë në Francë. Për më tepër që ne kemi dhe vetë një “traditë” të tillë: më kujtohet që në manifëstimet apo parakalimet e 1 Majit, kur binte shi dhe i afroheshin tribunës, nuk na lejonin të mbanim çadra. Lageshim e shpesh, uji na hynte deri në palcë, por kjo mbase nuk lidhet me temën që nisëm. Mirëpo, ja që kujtesa nuk më lë rehat se, siç thashë, autori Myftaraj ndalej dhe në detaje të tjera domethënëse: se çadër-mbajtësi qe një goxha intelektual dhe i biri i një prej përkthyesve më të spikatur, sidomos nga Gjermanishtja. Kjo bëri që të më vërshojnë në mendje tërë ato përjetime nga Diktatura dhe konkretisht nga Lufta e Klasave, dukuria më e tmerrshme e atyre viteve. Shumë nga të ashtuquajturit reaksionarë, edhe pse njerëz të ndershëm e me kulturë, shumë syresh me universitete perëndimore e zotërues të disa gjuhëve të huaja, detyroheshin të bënin punë krahu. Shefat apo bosat e tyre, po të shprehemi me teriminologjinë e kohës, as që mund të krahasoheshin me ata, për nga formimi intelektual e kulturor. Por ja që atyre duhet t’iu shërbenin intektualë me formim perëndimor e shpesh herë, siç kam qënë vetë dëshmitar, edhe njohës e ushtrues të muzikës apo arteve të tjera. Më dhimbseshin mu në shpirt, por as që guxoja të shprehesha publikisht. Me ndryshimin e sistemit, menduam se dukuri të tilla, që stonojnë e të kujtojnë të kaluarën e largët anadollake, do të merrnin fund, por ja që nuk ndodhi kështu. Dhe kush i manifeston këto “spektakle”, duke u krekosur? Të ashtuquajturit “intelektualë” apo dhe “modernë”, siç përpiqen ta shesin veten, paçka se si zor t’ua pranojë njeri një status të tillë.

Edhe nga ky shembull i vogël del mesazhi aktual: se sa larg jemi Europës ku po përpiqemi të shkojmë, sa haraç të madh na duhet të paguajmë në çdo drejtim.

Nju York, 17 maj 2018

 

Filed Under: Opinion Tagged With: And on Dede, Cadra, Ombrella e turpit

Kulla, Vdekja e Enver Hoxhës dhe Realitet butaforik i shoqërisë shqiptare

May 18, 2018 by dgreca

*Romani i Kullës “Vdekja e Enver Hoxhës”, -një shëmbull i bukur se si historia bëhet drith, për mokrat e krijimtarisë letrare/

*Vdekja e diktatorit i ka shërbyer Kullës si një prozhektor i fuqishëm për të ndricuar tërë shtresat e shoqërisë shqiptare të fundshekullit që kaloi: veteranë të devotshëm dhe anëtarë të Byrosë Politike, artistë, poetë, ushtarakë…/1 vdekja e Enver HoxhesNga Dalip Greca/*

Një dhuratë të hidhët i ka rezervuar shkrimtari Pëllumb Kulla diktatorit Enver Hoxha, në përvjetorin e 100 të lindjes, tetor 2008. Ndërkohë që e veja e Hoxhës rreket që të arrijë qëllimin e një rehabilitimi vlerësues historik, sic e proklamoi në intervistën e shumëpërfolur me Rudina Xhungën, Kulla sjell një realitet butaforik, ku parakalon shoqëria shqiptare, e shformuar, militante, e shtirur, dyfytyrëshe, që duket e shushatur nga vdekja e diktatorit dhe ku secili vrapon që të përlotet e të duket i pikëlluar. Kulla nën titullin “Vdekja e Enver Hoxhës – shumë romane në një”, na çon 23 vite të shkuara, kur diktatori sapo ka vdekur, por Shqipëria nuk është gati që ta gëlltisë lajmmortin dhe partia ende nuk e ka përgatitur opinion që ta përcjell me ligjërime vaji, ku tekstet i përgatit ajo vetë me militantët. Kulla nuk shan në roman, nuk mallkon, nuk përqesh, por ka arritur, që edhe pa këto, t’na japë një shoqëri kufomë, ku frika e mban në këmbë ngrehinën që ka ngritur partia-shtet dhe i pari i saj, që vajtohet. Pasi e lexon romanin krijon përshtypjen se shkrimtari Kulla nuk merret me karikaturizimin as të diktatorit as të ngrehinës së frikshme që ngriti ai brenda telave me gjemba të 28 mijë kilometrave katrore, ku e ndërtoi Mbretërinë e tij gjysëm shekullore. Natyrisht Kulla nuk zë në gojë as mbret as mbretëri, as diktaturë as diktator. Nuk është e nevojshme: diktatura jo vetëm nënkuptohet, por ajo është e pranishme kudo. Autori nuk shpenzon asnjë fjalë për analizën e mbretërimit enverist. Rrëfimi i tij nis në kufirin historik, kur mbreti sapo ka mbyllur sytë. Natyrshëm derdhet në roman imponimi i një pikëllimi të përgjithshëm, gati ushtarak në qendër dhe në provincë. Ashtu sic ndodhte me cdo direktivë të Partisë, ku nga qendra-kryeqyteti, vraponin kasnecët në provincë, po ashtu zbret dhe direktiva e shfaqjes së pikëllimit për udhëheqësin. Në roman tekstet e vajtimit dhe të dhimbjes zbresin nga Tirana nëpër rrethe ose e kundërta nga rrethet në qendër, ku bashkë me ata që do të vajtojnë kanë ardhë edhe ata që thurin vargjet e vajit. Për këtë qëllim mobilizohen poetët e Realizmit Socialist, të cilët prodhojnë vargje, fraza të ngarkuar me dhimbje, që ua vënë në gojë të përzgjedhurve, që natyrisht janë edhe ata me biografi të skanuar mirë e mirë. Për të shmangur keqkuptimet, autori na ndihmon me nje shënim të shkurtër, që në hyrje të librit: “Ky libër tregon për Shqipërinë, por nuk është histori. Është një sprovë mbi një nga temat e saj qëndrore, morale. Kam përdorur vetëm dy emra të vërtetë: atë të sovranit dhe të gruas së tij. Emrave të sundimtarëve nuk ke se si t’u shmangesh. Është një lloj haraçi që ata u paguajnë krijuesve, kur rrinë aq gjatë në krye të vendit. Për vërtetësinë e ngjarjeve unë ve dorën në zjarr dhe ndryshe nga të tjerët, unë e ve edhe sikur ai të jetë i ndezur! Vetëm titulli i librit mund të shkaktojë diskutime. Sepse ka gjithnjë e më shumë zëra, që thonë se Enver Hoxha nuk ka vdekur ende”. Megjithatë Kulla na e sqaron njëherë e mirë se Enveri vdiq, por udhëheqja e lartë ka vendosur që ta mbajë sekret derisa të rivendosë sigurinë e plotë të vazhdimësisë dhe deri sa Shqipëria të bëhet gati që ta përcjellë atë me madhështi e pikellim. Romani nis me përgatitjet që bëhen në shtëpinë e grimjerit, që pret të shoqen, që të festojnë së bashku me djalin, përvjetorin e martesës. Grimjeri krejt papritur, e le festën në familjen e tij dhe rrëmbehet për një shërbim të pazakontë: zbukurimin për publik të fytyrës së udhëheqësit të vdekur. Mjeshtrin e makiazhit vijnë dhe e marrin njerëz të panjohur, që u heq udhën drejtori i Kinostudios, ku ai punon. Askush nuk di gjë për vdekjen e madhe deri në atë çast. Madje në sheshin e Universitetit vazhdojnë të bëhen prova për koncertin me këngë e valle, ku flitet që do të marrë pjesë edhe vetë …Enver Hoxha! Valltarë e këngëtarë janë në errësirë të plotë për gjëmën. Makina me xhama të zinj që sjell grimierin te shtrati i të vdekurit të madh, kalon mes sheshit, teksa nga jashtë hyn zëri i këngëtares: “Kush më merr mua/Merr yll, jo grua…” Duket se asgjë nuk ka ndodhur, jeta vazhdon, por sapo grimjeri ka hyrë aty ku mbahet kufoma, njeriu të cilit i është besuar sekreti, jep njoftimin e mortit: “Duhet të ta themi dhe ty një lajm të hidhur, që pak e dinë: Enver Hoxha nuk është më! U nda nga ne! Komandanti na la! Mua m’u mor fryma. Sikur m’u shemb tavani përsipër. – Komand… Koman… – përsërisja unë i mekur. – Po, po – tha Teloja. – Gjëmë e madhe u gremis mbi atdhe. U nda nga gjiri ynë. Ja, siç e pe, atje, nën çarçaf! Unë kisha ngrirë i tëri. – Këtë gjë e di vetëm familja. E dinë anëtarët e Byrosë Politike. Dhe ata, jo të gjithë. Vetëm Sekretariati. E kupton? Askush tjetër. – Mjekët! – më shpëtoi mua. – Më të besuarit – plotësoi ai. – Kirurgu që bëri zbrazjen e trupit nuk e di se cili është i vdekuri. Ai nuk e di se kujt ia hoqi të brendshmet. Ne i hapëm dhe i shfaqëm atij vetëm pjesën që i duhej për punë. Ty po ta themi të fshehtën, se na duhesh. Atdheu përgatitet. Lajmi nuk është i lehtë. Armiqtë e brendshëm dhe ata të jashtmit duhet ta marrin këtë lajm atëherë, kur gjithçka të jetë bërë gati, që jeta e vëndit dhe fatet e popullit të mos kenë asnjë rrezik edhe pa shokun Enver. E kupton tani, se çfarë lloj të fshehte të kemi besuar ty?”… Romani rrjedh lirshëm, rrëfimi është i natyrshëm, dramatik, dialogu dinamik dhe ngjarjet rrokullisen marramendshëm. Gjithandej bëhen përgatitje, tamam si në një shfaqje për të cilën punojnë skenaristë, regjisorë. Partia në provincë, ashtu si edhe në qendër, teston se si do ta presin vdekjen e të madhit. Secili nga ata që pyeten e quan provokim testimin dhe betohet se për të Madhin nuk ka vdekje kurrë. Madje të gjithë ata që dalin nga takimi me sekretarin e parë të Partisë shkojnë dhe e denoncojnë atë në Degën e Punëve të Brendshme. Skenat e krijuara janë thurur mjeshtrisht në funksion të idesë të zbërthimit të butaforisë kolektive të udhëhequr nga partia, asaj të paradës së pikëlluar, që i parapriu dhe e shoqëroi vdekjen e liderit komunist. Kulla operon bukur me detajin: Në provat gjenerale për vdekjen e mundshme të udhëheqësit, Komiteti i Partisë ka dërguar në Shtëpinë e Pushimit mjetin që të marrë poetin, që do të krijojë vargjet elegjiake që populli ia thur udhëheqësit të madh. Poeti ndodhet me pushime së bashku me të shoqen. Autori i elegjisë është figurë e realizuar artistikisht.Atë e ndeshim edhe në kapitujt më pas, ku poetët e rretheve janë thirrur që të furnizojnë me fraza pikëllimi e qëndrese bashkëkrahinarët e tyre. Vargjet e gatshme, që thurin muzat e vjershëtorëve, plotësojnë dekorin e vdekjes dhe ushqejnë turmën me pikëllimimin e nevojshem. *** Direktiva për thirrjen e grumbullimin poetëve lokalë ka ardhur nga Komiteti Qendror. Komitetet e Partisë në rrethe shpallin mobilizimin e tyre të përgjithshëm. Grimjeri bëhet dëshmitar i ngjarjeve që zhvillohen lart, tek shtëpia e zotave, nga dalin edhe udhëzimet se sa pikëllim do të shfaqin fytyrat e anëtarërve të Byrosë Politike. Grimjeri do të vizatojë e pikturojë faqet e tyre, aq sa pikëllimi të duket i besueshëm sipas shkallëve dhe posteve që mbajnë. Nga ana tjetër, udhëzimet përmbajnë edhe detaje të tilla, si kush do të qajë i pari, kujt do t’i bjerë të fikët, kush do të qëndrojë më gjatë para arkivolit. Vdekja që përgatitet të shpallet është në dorën e një super-regjisori, që natyrisht, publiku mund ta ndjejë, por nuk do ta shohë. Të tërë ata që e dinë të vërtetën u duhet ta mbajnë sekret. Edhe grimeri nuk duhet t’ia tregojë as të shoqes kur kthehet në shtëpi, por e ka të vështirë ta ruajë të fshehtën. Ndërkohë, në ndihmë të fshehtësisë, televizori përcjell kronikën e po asaj mbrëmje, në të cilën Enver Hoxha sapo ka pritur një delegacion nga Brazili. Edhe vetë grimjeri habitet: ”Nuk po e kuptoja isha në ëndërr tani, apo kisha qenë në ëndërr tërë ato orë që kalova pranë të vdekurit. Enver Hoxha dukej i hequr, fytyra e tij shfaqej mjaft e tretur, megjithëse jo aq sa ishte para një ore, kur unë e prekja me gishta duke bërë plane të merresha me të. Ishte një efekt i çuditshëm, si një shaka e egër. Dukej sikur ai pat pritur sa të zhdukesha unë nga porta e sallës së nëndheshme, pat palosur çarçafin e në majë të gishtave kish nxituar të përgatiste pritjen e brazilianit. Një ndjenjë e çuditshme, kjo. Isha si i çakërdisur nga ajo që po shihja”… Situata të tilla e bëjnë tërheqës romanin. Më pas mësojmë se ata që po organizojnë skenën e madhe të homazheve, shohin në video ceremoninë e varrimit të Josif Stalinit, dhe e marrin andej përvojën për përcjelljen e nxënsit të tij besnik. Skenari tirret me vizitën në ekspozitë, ku i pari i partisë zëvendësohet nga sozia, dublanti, i tij. Sozia do të asistojë dhe në koncertin e të rinjve, ku do të duket pak si i sëmurë. Plani është që të ikë para se të mbarojë shfaqja, dhe të nesërmen të jepet lajmi zyrtar se ndërroi jetë. Grimjeri merret gjatë edhe me fytyrën e atij që po zëvendëson në detyrat e mbrame liderin e vdekur. “Në mes të programit, shoqja Nexhmije e thirri edhe një herë Telon. Këtë radhë dukej se ishte diçka serioze, që nuk kish të bënte … Ajo i shprehu njeriut me mustaqe të hijshme një shqetësim. Ne e pamë se si, ai, i alarmuar, foli me dikë në radio. Disa trupruajtës erdhën me një frymë, e rrethuan udhëheqësin (lexo: dublantin) dhe e morën atë për krahësh, duke i bërë me shënjë veturës kryesore të afrohej deri afër tribunës. Gruaja u ngjit me të shoqin në veturë, ndërsa kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor i u drejtua zyrtarëve të lartë, që qenë ngritur në këmbë të shqetësuar. Ai i bëri ata me dije, se nuk ish gjë për t’u alarmuar dhe i siguroi se shoku Enver do ta merrte veten menjëherë. Ata nuk kishin shkak të krijonin panik të panevojshëm e të turbullonin me rrjedha të pakëndëshme atë koncert të bukur rinor. Bile ata duhet të vazhdonin të vallëzonin tok me artistët. Këtë porosi pat lënë dhe shoku Enver, ndërsa ish duke hipur në veturën e tij….” Në kapitullin e dytë me titull “Vargje për gra që dinë të vajtojnë”, përcillet për lexuesit atmosferën se si u punua në rrethe për të përgatitur masën që të vajtonte udhëheqësin. Përgatitja, që u bën Sekretari i parë i rrethit atyre që do të mbajnë peshën e inskenimit dhe zbatimit të pikëllimit të turmës, ku është thirrur edhe poeti, është nga pjesët më të bukura të librit. Përmes dialogut, ai përcjell thelbin e militantizmit. Kur sekretari pyet se si do të pritej vdekja e udhëheqësit, ata reagojnë: – Vetëm ai nuk vdes! – ia ktheu Namiku me zë shpelle. – Nuk ka vdekje për Enver Hoxhën, shoku Aziz! – kish menduar një përgjigje edhe poeti, Moisi Dhëmblani. – Për ne, po. Për të, jo! Sekretari i Parë pa të dytin. I dyti qeshi dhe ia mori fjalën. – Hë, mo, lerini folklorizmat, tani! – Ligoraqi i ftoi të qetësoheshin. – Le që ju të tërë të zanatit të folklorit jeni. Mirë e ka pyetjen shoku Aziz. Ja, i mbylli sytë! Me folklore do të mburremi?! Të papërgatitur do të na zerë gjëma?! Kurrë mos vdektë, me ju jam dhe unë! Po ja, ta zemë, vdiq?! Poeti, rebelohet, dhe betohet: “E thyej penën dhe nuk shkruaj për vdekjen e Udhëheqësit!” – thotë. Është po ai, që më pas do të krijojë elegjinë: Si t’i ngrë ligjet e tua,/nga t’i nisim ligjërimet?!/ “’të janë hapur kështu duart/sa s’t’i mbajnë më dot gjëmimet/o baba e o biro! Oi, oi! Ai që si unë, merr përsipër të rrëfejë tërë shtjellën e ngjarjeve në libër, do të riskojë të zbulojë të papriturat e shumta që janë përgatitur për lexuesin dhe kurrsesi, nuk do të arrijë, në dy faqe, atë, që një autor i njohur për rrëfimin mjeshtëror, për pikturimin e karaktereve tërheqës dhe për stilin e tij të veçantë ka bërë përgjatë romanit të tij. Vdekjen e Enver Hoxhës ai nuk e ka keqpërdorur dhe nuk ka abuzuar me të, siç mund të mendojë çdokush sapo sheh mbi ballinën e librit emrin e një profesionisti të satirës dhe humorit. Vdekja e diktatorit i ka shërbyer Kullës si një prozhektor i fuqishëm për të ndricuar tërë shtresat e shoqërisë shqiptare të fundshekullit që kaloi: veteranë të devotshëm dhe anëtarë të Byrosë Politike, artistë, poetë, ushtarakë, të deklasuar dhe martirë të ndryrë burgjeve. Kolonat e gjata të vajtonjsve të ndërtuara nga organizatat e masave gjarpërojnë nga viset më të largëta drejt kryeqytetit për t’i lënë lamtumirën udhëheqësit. Përcjellja për varreza është dhënë në libër si një rit religjoz: “Atë ditë në orën njëmbëdhjetë, ranë për pesë minuta në gjunjë dhe në heshtje gjithë shqiptarët, jo vetëm në Tiranë e jo vetëm në sheshin Skëndërbej, por kudo ku i zuri ajo orë: në fabrika, në rrugë, në ara, në klasa shkollash, në vagonët e trenave, në stallat e bagëtive, në radhët ushqimore, në qelitë e burgjeve. Lajmet televizive i treguan gjerësisht këto pamje në orët e mbrëmjes”. Me këtë vepër Pëllumb Kulla shënon një rritje të mëtejshme në krijimtarinë e tij dhe jep një shëmbull të bukur se si historia bëhet drith, për mokrat e krijimtarisë letrare. Libri është realizuar nga Shtëpia Botuese Arbëria. Redaktor është Roland Gjoza ndërsa ballina mban emrin e piktorit të njohur Maks Velo. …
*E risjellim në Dielli online për shkak të aktualitetit, folklorizmit dhe butaforizmit të shoqërisë shqiptare e cila luftën kundër komunizmit, diktatorit e bën me fushata, sa herë i duhet politikës aktuale për të larguar vëmendjen nga  realiteti i sotëm….Marre prej Gazeta 55 Online-11-10-2008 /

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, pellumb Kulla, Vdekja e Enver Hoxhes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT