• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2018

Mëngjes maji në Muzeun Historik Kombëtar

May 12, 2018 by dgreca

Nga Marjana BULKU/ Tirane/

1 Muzeu.JPG1 Muzeu Vera.JPG1 Muzeu

Vera kishte udhëtuar nga Nju Jorku i largët për të asistuar me kamerat e Albanian Culture TV në atdheun e prindërve të saj, timin , tonin. Nuk mund ti thuash jo një ekzplari të rrallë të rrallë si ajo për mënyrën se si gjuha shqipe mbahet gjallë , flitet saktë dhe bukur duke u bërë shembull për të tjerët. Kishte mjaftuar vetëm një komunikim i shpejtë me mikun tim , drejtor i Muzeut Kombëtar zotit Dorian Koci për ti çelur shtegun atij vullneti të bukur 23 vjeçar që kulturën e saj amerikane nuk e ndan kurrë nga ajo shqiptare. Dhe Muzeumi ynë historik kombëtar ishte vendi më ideal për të udhëtuar nëpër historinë tonë përmes kamerave televizive por edhe rrëfimeve të shtruara e të mençura të Dorian Koçit që përveçse drejtues i këtij institucioni është edhe iniçues mjaft nismave dhe risive që e kanë afruar muzeun me qytetarët .Duket se ikjet nga atdheu e kanë shndërruar atë në një destinacion që mbart të shkuarën tonë që mister e bën edhe distanca që na ndan.Ne duam të dijmë se sa vend ze e kaluara por edhe e tashmja aty, nëse janë prezente arritjet dhe përpjekjet e shqiptarëve të vjetër dhe të rinj që jetuan larg truallit amë por nuk reshtën kurrë së shkruari për të. Doriani na siguron që historitë vatrane do të jenë objekt me vlerë universale dhe pjesë e pasurive tona kombëtare. Ne flasim për Diellin, ekzemplarët e tij, mundësitë e katalogimit apo dixhitalizimit, departamentin e krimeve të komunizmit dhe arkifaktet që e bëjnë historinē jetëgjatë , të pranueshme , të besueshme. Ne nuk harrojmë të përmendim suksesin e shqiptarëve të Kanadasë të cilët tashmë kanë një ligj për trashegimninë tonë kulturore.Nuk harrojmë t’i kujtojmë vetes dhe të tjerëve rolin jetik që luajnë televizionet shqiptare në SHBA por kudo ku jetojnë shqiptarë në ruajtjen e historisë, ngjarjeve, individualiteteve duke u shndërruar kështu në vepra të sotmes dhe të të ardhmes. Jetojmë kohë të vrullshme ku jo çdo histori josh, frymëzon, prevalon por është detyrë që nga historitë të marrim më të mirën dhe brezave tjua lemë të çelura këto porta dijeje ku hyjnë e dalin protagonistë të ndryshëm. Në tokën amerikane mësimi i historisë është detyrim , hallkë , parakusht, etj ku të gjithë e tejkalojnë me dhjetra mënyra e ku natyrshëm

muzetë janë nga më argëtuesët mjet. Në Shqipërinë tonë , datat dhe historitë , protagonistët dhe etapat historike na ndajnë. Ky mëngjes dialogues muzeal në majin e Tiranës na rrëfeu me gjuhën e ngjyrave të pranverës histori të lashta e moderne që marrin jetë prej nesh.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Marjana Bulku, Mengjes Maji, Muzeu Tirane

Kombi ju përulet me nderim Sepse jeni Bijtë e tij!

May 12, 2018 by dgreca

Untitled

Gabohesh prof Fuga- Eugent Bushpepaj,nje mrekulli bashke me Eleni Foureiras dhe Ermal Meten/

ELIDA BUCPAPAJ

Nga Elida Buçpapaj/

Në vend se të mrekullohej Prof.Fuga se e kishte rastin,  ka shpërthyer gjithë pezëm në një status që i kundërvihet këngës Mall të Eugent Bushpepës i cili ngriti në këmbë gjithë Altice Arena në Lizbonë për performancën po ashtu edhe shqiptarët kudo ndodheshin!

Kjo këngë i plotëson të gjitha ato që Prof.Fuga thotë se i mungojnë.

Kënga e Eugent Mushpepës është me identitet europian, është një rok i mbështetur në folkun e traditës shqiptare.

Ku i kishte veshët Prof.Fuga që nuk e kapi mozaikun e folkut shqiptar si pjesë e së gjithës europiane ?!

Ndërsa zëri i Eugentit i paparë, që të le pa frymë!

Eugent Bushpepa ka bërë paraqitjen më moderne të Shqipërisë, duke mos e harruar Rona Nishliun me Suus, si një kanautor me të gjitha prerogativat për të qenë krenari shqiptare dhe europiane. Me një zë të jashtëzakonshëm që e bëri prezantuesen e televizionit zviceran, sepse prej këtij kanali po e ndiqnim Eurosong, të shprehej në superlativa për zërin e këngëtarit shqiptar! Wow çfarë zëri!

Gara e sivjetme e EuroSong që po mbahet në Lizbonë të Portugalisë ishte shumë kompetitive, të gjitha vendet kanë sjellë aty më të mirët e tyre. Ka zëra, muzikë, tekste dhe performanca!  Edhe sikur të mos kishte arritur të kalonte garën, ne të gjithë shqiptarët duhet t’i ishim mirënjohës Eugent Bushpepës se na paraqiti mrekullisht. Kështu reagoi Zvicra, për përfaquesit e Konfederatës Helvetike, motër e vëlla Corinne Gfeller e Stee Gfeller, që nuk mundën të kalonin me Stone, por bënë një paraqitje të shkëlqyer dhe Zvicra i përgëzoi dhe nxori në pah meritat e këngëtares që ishte vërtetë për t’u lavdëruar.

Ka qenë diçka e rëndomë paraqitja jo me standarte e Shqipërisë në EuroSong, zakonisht për mungesë të këngës, ku fituesit e Festivalit të Këngës ishin të zgjedhur për interesa të zhurisë, por kësaj here kënga dhe këngëtari ishin për standing ovation!

Prof.Fuga duket ka qenë me humor të keq, sepse nuk ka si të ndodhë ndryshe kur në këngën e Eugent Bushpapës nuk ka vënë re asgjë, as rrënjët, as folklun, as zërin, fytyrën dhe shpirtin e një Artisti të madh shqiptar që të bën t’i heqësh kapelen e t’i ngrihesh në këmbë sepse të gjithë suksesin e ka arritur me talendin dhe mundin e tij.

Nga ana tjetër EuroSongu i 2018 është shumë i veçantë sepse është një demonstrim ala grande i gjenisë dhe talentit shqiptar, në Shqipëri i ndrydhur dhe i burgosur nga politika, ndërsa jashtë atdheut shpërthyes dhe viktorioz e triumfues.

Sivjet bashkë me Eugent Bushpapën nga shteti amë, Italia konkuron me Ermal Metën, ndërsa Qipro me Eleni Foureira. Të tre janë të magjishëm, vinë me zhanre të ndryshme, pop, folk rok dhe një përzierje e etno folk me pop, por bashkohen tek talenti dhe gjenia shqiptare që është unike dhe na bën të jemi krenar !

Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me plehrat e politikë shqiptare, plehrat e politikës nuk kanë asgjë të përbashkët me gjakun dhe talentin shqiptar, por ne jemi prindërit, vëllezërit e motrat, gjyshërit e gjyshet, e bashkatdhetarët e Eleni Foureiras, Eugent Bushpepës dhe Ermal Metës dhe ndihemi plot me shpresë! Shpresën na e jep potenciali i tyre, që shpreh potencialin kombëtar!

Të tre artistët na e zbardhin faqen me talentin dhe punën e tyre gjigande që i bëri të ngjiten në skenat botërore duke e nisur jetën nga zero si emigrantë.

Janë njerëz të ndershëm së pari! Kështu tha prezantuesja e Zvicrës për familjen e Eleni Foureira-s, se i jati i saj është murator, ndërsa nëna rrobaqepëse, por duke jetuar në Europë ata arrijnë tek suksesi, sado e  vështirë qoftë gara, shumë e vështirë, tepër e vështirë por e ndershme, ndërsa në Shqipëri gara është gjithmonë e pistë! Eugent Bushpepa bën përjashtim!

Urimet më të mira Eugent Bushpepa!

Urimet më të mira Eleni Foureiras !

Urimet më të mira Ermal Meta!

Urimet më të mira për treshen shqiptare!

Kombi ju përulet me nderim. Sepse jeni Bijtë e tij!

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Elida Buçpapaj, Ermal Meta, Eugent Bushpepa, Eurovizion, Fuga

Lidhjet e forta të Kosovës me Europën

May 11, 2018 by dgreca

1 Pacolli BE.jpg

-Ministri i jashtëm Behgjet Pacolli adreson ministerialin e vendeve të Procesit të Vishegradit plus 4 vende të Ballkanit Perëndimor, me një fjalim ku tregon lidhjet e forta të Kosovës me Europën/

-“Mos e harroni Kosovën. Kosova është krijesë e Bashkimit Europian dhe ne jemi pjesë natyrale e Europës. Baballarët që udhëtonin me hekurudhë përgjatë Europës 50 vjet më parë e kanë të vështirë t’i shpjegojnë fëmijëve të tyre sot pse ata nuk mund të udhëtojnë”, i tha ministri i jashtëm Pacolli, homologëve të tij nga Bashkimi Europian mbledhur në Greqi/

PRISHTINË, 11 Maj 2018-Gazeta DIELLI/ Gjatë punimeve të ministerialit  të vendeve të Procesit të Vishegradit (Poloni, Hungari, Republikë Çeke, Sllovaki), plus vendet e Ballkanit Perëndimor, në forumin kushtuar zgjerimit, e mori fjalën dhe ministri i jashtëm, dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli.

I prezantuar nga nikoqiri, ministri i jashtëm grek Kotzias “si njeriu që përfaqëson Kosovën, vendin për të cilin punon shumë dhe e do shumë”, z. Pacolli mbajti një fjalim orientuar përgjithësisht tek lidhjet e forta tradicionale të Kosovës me Europën, posaçërisht me Bashkimin Europian. Duke folur për këto lidhje, ai tha se “50 vjet më parë gjyshërit dhe baballarët e Kosovës udhëtonin lirisht me tren përgjatë Europës në hekurudha që sot janë vjetëruar. Sot ata e kanë të vështirë t’i shpjegojnë fëmijët dhe nipërve të tyre pse ata nuk kanë të drejtë të udhëtojnë”.

 Duke vlerësuar Strategjinë e Zgjerimit si perspektiva unike për Kosovën dhe rajonin, shefi i diplomacisë kosovare,  shprehu shqetësimin që “një vend i krijuar nga Bashkimi Europian, me një legjislacion tërësisht sipas normave europiane, rrezikon të harrohet megjithatë, si tregon izolimi i qytetarëve të Kosovës për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave.”

Dhe më tej, ai vijoi: “për ta ilustruar rëndësinë tonë, po i referohem shembullit të fëmijëve tanë që shpesh nuk e ndërtojnë dot objektin e tyre në lojën Lego, sepse harrojnë ndonjë element të vogël… Pa ne, Europa nuk është e plotë, nuk është e qëndrueshme…. Po nëse fëmijët mund t’i këshilloj të përkujdesen për të gjithë pjesët e lojës së tyre, si përfaqësues i një vendi të vogël, e kam të vështirë t’ju këshilloj juve, përfaqësuesve të shteteve të mëdhenj. …Megjithatë ju sugjeroj: sa herë që shikoni fëmijët që luajnë këtë lojë, kujtohuni për Kosovën”, tha ai.Duke ju referuar fjalimit të Sekretarit të shtetit për punët europiane dhe marrëdhëniet me jashtë, Ivan Korçok,  ministri Pacolli i bëri thirrje publike atij që Sllovakia ta njohë Kosovën sa më shpejt si kontribut për bashkëpunimin europian.Pjesëmarrja e ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli në ministerialin e Sunionit, Greqi, vijon me aktivitete të tjera, si dhe takime dypalëshe./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: lidhjet e forta, Pacolli, të Kosovës me Europën

Drejt një marrëveshje BE-Kosovë-Shqipëri

May 11, 2018 by dgreca

-Prishtinë, qeveria kosovare miraton nismen e marrëveshjes mes të Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Shqipërisë për programin e bashkëpunimit ndërkufitar, IPA II. Në realizimin e këtij programi kontributi financiar i Bashkimit Evropian është në vlerë 840 mijë euro/

Qeveria-Kosove-11 05 2018

PRISHTINË, 11 Maj 2018-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme të 46-të, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, miratoi në parim nismen e lidhjes së marrëveshjes trepalëshe në mes të Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Shqipërisë për programin e bashkëpunimit ndërkufitar, IPA II, në mes të Kosovës dhe Shqipërisë për vitet 2015-2017. Në realizimin e këtij programi kontributi financiar i Bashkimit Evropian është në vlerë 840 mijë euro

Miratimin në parim të kabinetit qeveritar e mori edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes financiare trepalëshe në mes të Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Maqedonisë për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II në mes të Kosovës dhe Maqedonisë. Edhe  për këtë kontributi financiar i Bashkimit Evropian kap vlerën prej 840 mijë euro.

Qeveria miratoi edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes financiare për IPA 2018, në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ministria e Integrimeve Evropiane njoftoi kabinetin qeveritar me zbatimin e prioriteteve të axhendës Evropiane dhe të gjeturat kryesore të Raportit të Bashkimit Evropian për Kosovën për vitin 2018.

Në informatë evidentohen veprimet në të cilat ministritë e qeverisë së Kosovës duhet të angazhohen gjatë muajit maj. Edhe kryeministri ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit që të fokusojnë vëmendjen në aktivitetet dhe veprimet që lidhen me procesin e integrimeve evropiane.

Po sot, qeveria miratoi edhe Strategjinë e komunikimit dhe informimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës 2018-2021. Strategjia trajton komunikimin e procesit të Integrimit Evropian, respektivisht Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Strategjia ka për qëllim gjithashtu edhe ndërtimin e mirëkuptimit të qëndrueshëm dhe të thellë në mes të qytetarëve të Kosovës për të gjitha aspektet e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke përfshirë sfidat, përfitimet dhe detyrimet. Në këtë mënyrë, qytetarëve do t’u mundësohet që të bëjnë zgjedhje të informuar dhe të marrin pjesë aktivisht në formësimin e së ardhmes evropiane të Kosovës.

Kryeministri informoi kabinetin për takimin e zhvilluar me Bordin e Drejtorëve të “Trepçës”, të cilët e kanë njoftuar për finalizimin e statutit të ndërmarrjes, i cili do të dorëzohet në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, më pas në Qeverinë e Kosovës dhe në Kuvendin e Kosovës.

 Hekurudhat e Kosovës do të jenë përfituese të një granti prej 17 milionë eurosh, pasi në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u  miratua nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për negocim të marrëveshjes për grant nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore Fushë Kosovës-Mitrovicë.Po në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për financimin e ndërtimit të rrugës Kijevë-Zahaq. Marrëveshja financiare për këtë projekt ka vlerën 80 milionë euro. Kjo marrëveshje kompleton financimin nga institucionet ndërkombëtare financiare për autostradën Kijevë-Zahaq, e cila financohet me 71 milionë euro kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe 17 milionë euro fonde nga burimet tjera./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: BE-Shqiperi-Kosove, Behlul Jashari

GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU DHE DITA E SHËNGJERGJIT

May 11, 2018 by dgreca

46 Asllan ne Kembe

Nga Asllan Bushati/*

Në kuadër 550 vjetorit të largimit nga jeta të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe të kremtimeve që bëhen në të gjithë trojet shqiptare në kujtim të kësaj dite të shënuar, më lejoni të paraqes fare shkurt, disa mendime thjeshtë të karakterit ushtarak për figurën e Skënderbeut dhe disa “thërrime popullore” për Ditën e Shëngjergjit si festë e të trija besimeve. Trajtesa nuk bëhet me pretendime akademike, por për një audiencë të gjërë, që dëshiron të ketë disa njohuri më të gjëra për Heroin tonë Kombëtar dhe 6 majin Ditën e Shëngjergjit.

Historia e luftrave dhe ajo e artit ushtarak,i kanë analizuar me shumë hollësi të gjitha betejat e Skënderbeut kundër turqëve. Ata janë një thesar i madh përvoje dhe për nga veçantitë kanë specifika krahasur me betejat e mesjetës të vendeve të tjera. Medoemos që në të ardhmen duke u studiuar arkivat e kësaj periudhe ,do të dalin në dritë më shumë se deri tani edhe më mirë vlerat e Skënderbeut si strateg e mjeshtër i madh i artit ushtarak, si gjeneral i madh i kohës me famë europiane e botërore. Por, në këtë prezantim të shkurtër, do të ndalemi shumë shkurt vetëm në tri beteja që sollën tri sinteza të reja në artin e të luftuarit.

Fillimisht për Betejën e Torviollit. Ajo nisi si betejë e zakonshme ku u vunë përballë kuadrate të mëdha ushtarake turke e shqiptare. Turqit kishin epërsi të madhe në numër. Kurse forcat shqiptare të komanduara nga Skënderbeu, ishin më të pakta dhe ishin rreshtuar si më poshtë: në vijën e parë kishte (tre-katër rrjeshta), shpatarët të paisur me shpata e parzmore. Pas tyre vinin tre-katër rrjeshta të tjerë me ushta e thika të mëdha (kama), që alteroheshin me shpatarët dhe pas tyre disa rrjeshta harktarësh të paisur me shigjeta dhe shpata ose sopata me bisht të gjatë. Ushtria ishte rreshtuar në tre skalione dhe pas tyre kishte edhe forca rezervë për të përballuar të papriturat e betejës. Në anën e djathtë rreth një kilometër nga fushbeteja ishte përqëndruar grupimi i parë i kalorsisë. Në anën e majtë, pak më larg se i pari (plotësisht në fshehtësi), ishte vendosur grupimi i dytë i kalorësve.

Beteja filloi e ashpër dhe pas katër-pesë orë luftimesh, Skënderbeu tërhoqi skalionet e qendrës pak prapa, për ta mashtruar armikun sikur kishte pësuar humbje të rënda dhe se po jepte shenja tërheqje nga fushëbeteja. Në fakt ky ishte një kurth taktik për t’i futur turqit në një “xhep në formë patkoi”. Ashtu u bë, turqit u mashtruan dhe ai fillimisht i goditi në krah me kalorsinë e grupimit të parë, dhe më pas nga shpina me grupimin e dytë kalorsiak. Pas këtyre dy lëvizjeve taktike, turqit ranë në rrethim të plotë dhe pas tetë-nëntë orë luftimesh, humbën katastrofisht betejën e parë me Skënderbeun dhe u detyruan të tërhiqen drejt Stambollit.

Mësimi i madh që doli nga kjo betejë për artin ushtarak ishte se tërheqja e zgjuar taktike e shoqëruar me sulm në krah dhe më pas edhe në shpinë, rezultoi vdekjeprurëse për turqit. Kështu betejën mund ta fitojë edhe një ushtri më e vogël në numër nëse ajo komandohet nga një mjeshtër i taktikës, siç ishte i madhi Skënderbe.

Një betejë tjetër, shumë simbolike, ishte ajo kundër Ballaban Pashës, të cilin Skënderbeu e njihte mirë që në fëmijëri, në karakter dhe në mendësi, si epror i lartë ushtarak turk. Nisur nga këto, e lejoi atë të ecte i pashqetësuar me një ushtri të stërmadhe gati njëqindmijëshe nga Manastiri, Kërçova, Dibra, Gryka e Radikës, Bulqizë, Klos, Suc, Perlat, Rrubik dhe kur arriti në Skuraj (aty ku takohet lumi i Matit me Fanin), e sulmoi dy orë para agimit në katër pika të kolonës me tetë grupime forcash. Konkretisht: Gallatë-Skuraj dhe Rrubik-Skuraj, pastaj Rrëshen-Ulëz dhe Baz, Bushkash-Ulëz. Në qendër e sulmoi nga Burgajet-Suc dhe Burrel-Suc dhe në pjesën fundore Gurrat-Klos dhe Guri i Bardhë-Klos. Agimi e gjeti ushtrinë e Ballaban Pashës të coptuar në katër pjesë dhe në prag të muzgut Ballabanin të zënë rob, betejën të humbur dhe ushtrinë të shkatërruar.

Mësimi që doli nga kjo betejë për historinë e artit ushtarak është se kush kryen sulmin natën, të kombinuar me atë në pritë, ka përparësi edhe kur raporti i forcave është me diferencë të madhe në disfavor, siç ndodhi me Ballaban Pashën 10 me 1.

Një dimension tjetër të veçantë në fushën e mendimit ushtarak përbën beteja e Albulenës (Uji i bardhë-Llixhat).

Hamza Kastrioti (nipi Skënderbeut), u emruar nga Sulltani në krye të një ushtrie tetëdhjetëmijëshe, me qëllim për të shkatërruar përfundimisht rrezistencën shqiptare të organizuar nga Skënderbeu. Ai, i pa shqetesuar, ndoqi rrugën Egnatia dhe u vendos në kushte fushore midis lumejve Mat dhe Ishëm dhe në thellësi rrëzë kodrave të vijës Milot, Fush-Krujë. Duke mos ndeshur në asnjë rezistencë, ai mendoi se ushtria e Skënderbeut ishte shkatrruar dhe urdhëroi t’i jepej një ditë pushim ushtrisë për të larë rrobat dhe kryer shërbime të tjera vetiake. Por Skënderbeu, në fshehtësi të plotë, kishte përgatitur që më parë, një ushtri dhjetëmijë vetash (tetë mijë këmbësor dhe dy mijë kalorës) dhe e grupoi të gjithë në faqen perëndimore të Malit Skënderbeg në vijen: Skuraj-Gallatë-Vinjollë-Gardhnoc-Cudhi. Pikërisht këtë ditë pushimi, në mes të ditës ai i sulmoi forcat turke nga drejtimet: Skuraj-Milot-derdhja e Matit; Daul-Laç-Fushë Kuqe;Gardhnoc-Livadhe-Mamurras-Gjiu Patokut dhe Shkretë-Fushë Krujë-Derdhja e Ishmit. Midis Laçit e Mamurrasit është një kodër përballë fshatit Sanxhak. Aty ishte shtabi dhe haremi i Hamzajit i cili u zu rob i pari dhe pastaj gjithë ushtria brenda disa orësh u shpartallua dhe u largua në panik drejt këthimit në Stamboll. Skënderbeu në këtë betejë zuri një sasi shumë të madhe robërish, mjete luftarake, rezerva ushqimore e mjetesh monetare, krahasuar me gjithë betejat e tjera.

E reja që solli beteja e Albulenës në artin ushtarak, ishte befasia, e cila e realizuar mirë dhe në kohë të përshtatshme e shpërfillë dhe ndryshimin e madh në raportitin e forcave. Në këtë rast, ai ishte 8 me 1 në favor të turqëve, por që betejën e fitoi Skënderbeu.

Parë, jo vetëm nga këto tri beteja që përmenda shkurt më lart, por në tërësi të gjitha luftimet e Skënderbeut, në gjykimet e shumë historianëve dhe studiuesve të artit ushtarak, ai çfaqet si një strateg dhe mendimtar i madh i fushës së luftës. Kjo na bën nder të madh ne si komb, por edhe na obligon që në frymën e veprës së tij, të ecim, të mendojmë, veprojmë e, po të jetë nevoja, edhe të luftojmë me mendimin ushtarak të kohës.

Por, Skënderbeu përveçse luftëtar dhe strateg, ishte edhe një burrë i madh shteti. Ai me shumë urtësi e mendjemprehtësi i organizoi gjithë princat shqiptarë nën një lidhje të vetme (Lidhja e Lezhës) e cila ishte forumi politik vendim-marrës për kohë paqe dhe kohë lufte. Poashtu, me shumë mençuri, organizoi sistemin e vet diplomatik, duke realizuar mbeshtetjen e pothuaj gjithë vendeve të Europës së asaj kohe, veçanërisht të Venedikut, Mbretërisë së Napolit, Austrisë, Hungarisë, Raguzës, princa të rëndësishëm të vendeve fqinjë si ata të Malit Zi dhe Serbisë etj.

Për të ilustruar përmasat e burrshtetit, po citoj tre paragrafe nga fjalimi i fundit i Skënderbeut para prijësave, gjeneralëve dhe diplomatëve. marrë nga Le Grand Castriotto d’Albanie, Historie faqe 70 të Stephan Zannovich, ku thuhet: “Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar.

Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e arniqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni…

Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike. por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin …

Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me giysëm veshi … Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhe të jetë bujar.”

Siç dihet, më 17 janar 1468, Gjergj Kastriot-Skënderbeu u largua nga kjo jetë. Por ai na la një pasuri shumë të madhe se: fitoi 25 beteja me perandorinë osmane, fuqia më e madhe ushtarake e kohës, mbrojti trojet shqiptare e europiane, mbrojti krishtërimin, por mbi të gjitha na la faqebardhë para kombeve të tjera europiane, me epopenë që ai organizoi e drejtoi. Vdekja e tij ishte një humbje e pa zëvëndësueshme për gjithë shqiptarët pa dallim feje, katolikë, ortodoks dhe një pjesë fare të vogël që ishin konvertuar në muslimanë. Në këtë dëshprim të madh popullor u ngriten shumë versione se si figura e tij të mbetej përgjithmonë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, por në së është e mundur edhe të botës krishterë. Kështu hapi i parë u bë nga besimtarët katolikë në pothuaj të gjitha kishat shqiptare, që kërkonin prej klerit udhëheqës të kishave që t’i propozohej Papës, që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu të shpallej “Shejt”, dhe 6 maji ditëlindja e tij të pagzohej si “Shëngjergji”. Që nga viti 1468 deri në vitin 1478, udhëheqësia katolike shqiptare bëri gjithë perpjekjet e duhura që ta realizonte një gjë të tillë, por qe e pa mundur. Papa, pas dhjetë vitesh, shprehu qendrimin zyrtar të Papatit se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është “Kalorësi i Krishtit” dhe ai meriton gjithë nderimet nga Kisha katolike, por duke qenë se në tehun e shpatës së tij kanë përfunduar shumë jetë njerëzish, ai nuk mund të shpallet “shejt”. Me këtë qendrim të Papatit u pajtua edhe Patriarkana e Stambollit, duke mbyllur përfundimisht mundësinë e të shpallurit “shejt” për Gjergj Kastriot-Skënderbeun,

Kleri shqiptar, i shtyrë nga trysnia popullore, por edhe duke mos patur zgjidhje tjetër, vendosi me besimtarët e vet që datën 6 maji (ditëlindjen e Gjergj Kastriot-Skënderbeut), ta shpall festë popullore mbarë shqiptare, për të gjtha besimet, dhe kjo ditë feste të emërtohet “Dita e Shëngjergjit”. Poashtu, një krahinë të tërë në jug të Kështjellës së Stelushit (vendlindja e Skënderbeut), ju dha emri krahina e Shëngjergjit (emër të cilin e mban edhe sot). Për këtë ditë të shënuar u vendos që ritet nuk do të mbaheshin në kisha (në atë kohë nuk kishte xhami në trojet shqiptare), por në çdo shtëpi, lagje, fshat a qënder e banuar, me rregulla të mirëpranuara nga të gjitha palët.

Disa nga rregullat që vazhdojnë të jenë edhe në ditët e sotme janë: pavarsisht nga besimi, sejcili do ta përshëndes tjetrin me urimin”Gëzuar Shëngjergjin”. Në derën e shtëpisë dhe të stallave (vathës) së bagëtisë do të vendoset një degë arre e njomë në shenjë urimi për shëndet, prodhimtari të bollshme dhe bageti e bulmet të begatë. Me degën e arrës njerëzit mund të prekin njëri-tjetrin duke thënë: “ta lashë” që nënkupton të preka me degën e arrës duke ta uruar Shëngjergjin. Që nga kjo ditë, qingjat dhe kecat ndahen veças gjatë natës (pushimit të drekës) që të mblidhet qumëshi duke filluar bulmetin e ri.

Djemt mblidhen sëbashku, me veshjet më të mira, dhe fillojnë me tokitjen e vezëve me ngjyra (marrë nga riti i Pashkëve), pastaj urojnë njëri tjetrin duke shkëmbyer arra, fiq të thatë, bukë fiku, mana të thatë etj. Pas urimit, me lagje ose grup moshash luajnë “kala dibranshe” dhe në fund, mundje belas (sipas moshës dhe peshës) dhe më i forti shpallet fituesi i ditës Shëngjergjit dhe gjithë vitit.

Vajzat vishen me veshjet më të bukura dhe shpalosin para njëra-tjetrës qendisjet, punëdoret e punimet me vegjë, që kanë bërë gjatë perudhës dimrore. Poashtu “konkurojnë” njëra-tjetrën për shamitë, grykëzat e këmishave, jelekët, përparëset, çorapet etj.

Edhe ushqimi i Ditës Shëngjergjit ka dy veçanti të dallueshme nga ditët e tjera, ku, si për drekë dhe për darkë serviret tavë me mish të pjekur me qumësht, si dhe laknur (laknor) i bërë me djathë të njomë, miell misri dhe gjalp.

Këto rregulla (rite popullore), fillimisht u përhapën në gjithë trojet shqiptare. Por me kalimin e kohës, nga trysnia e pushtuesit për të zhdukur çdo gjë që kishte të bënte me Skënderbeun, nga ndasitë ndërfetare për çeshtje të veçanta, disnivelet kulturore, shumimi i festave fetare e shtetrore, urbanizimi etj, solli atë që, në disa treva, kjo festë filloi të zbehej sa në disa u harrua fare. Por ka zona që edhe sot vazhdojnë ta festojnë po me aq dashuri si para 520-530 vitesh. Kjo është më e theksuar veçanërisht në brezin e tokave që kanë qenë nën zotërimin e Kastriotëve.Duke përkujtuar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, këtë burrë të madh të Kombit tonë, këtë strateg e mendimtar brilant të mendimit ushtarak dhe ditëlindjen e tij (6 majin), të cilën e njohim me emrin : “Dita e Shëngjergjit”, i bëjmë nder se shkuarës, të sotmes dhe vemë gurë në themelet e së ardhmes së Kombit tonë.

* Kumtesa e përgatitur nga Asllan Bushati per Akademinë përkujtimore me rastin e 613 vjetorit te Lindjes së Heroit Gjergj kastrioti Skënderbeu Organizuar nga Kisha Katolike”Zoja e Shokdrës” në bashkëpunim me Vatrën. Kumtesa u lexua nga anëtari i kryesisë së Vatrës Zef Balaj.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, DITA E SHËNGJERGJIT, GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU DHE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT