• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2018

VIZITA DHE FJALA E PRESIDENTIT BUSH NË TIRANË

June 11, 2018 by dgreca

Fjala e Presidentit Amerikan Bush në 10 qershor 2007 ngjarje viti/

berisha-bushi-735x400

-Shtypi në Prishtinë e vlerësonte ngjarje viti fjalën e Presidentit Amerikan Bush në Tiranë në 10 qershor 2007: “Herët apo vonë do të duhet të themi: ‘Mjaft, është mjaft. Kosova është e pavarur’”.  “Atë ditë, burrri më me ndikim në bot, George W. Bush, e shprehu hapur përkrahjen e tij dhe garancinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë e Kosovës”, shkruante gazeta “Koha Ditore”/

-“Viti i Ri 2008 është një tjetër vit historik i realizimit të Pavarësisë, ëndërrës shekullore, pritjeve tona të madha”, shkruante në 30 dhjetor 2007  gazeta tradicionale e Kosovës “Rilindja” në faqen e parë, ndërsa në Kalendar uronte: Gëzuar Viti i Pavarësisë 2008/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari – PRISHTINË, 10 Qershor 2018/

gezuar pavaresineNGJARJA E VITIT 2007: VIZITA DHE FJALA E PRESIDENTIT BUSH NË TIRANË, KA VLERËSUAR SHTYPI I KOSOVËS

Në fundvitin 2007 kam raportuar nga Prishtina: Vizita dhe fjala për pavarësinë e Presidentit Amerkan Xhorxh Bush në Tiranë më 10 qershor 2007 ëshë vlerësuar ngjarja e vitit 2007 në numrat specialë festivë të Vitit të Ri 2008 të gazetave të Kosovës.

“Ngjarja e vitit: Fjala e Presidentit Bush”, thuhet në një titull në faqen e parë të gazetës “Zëri”.

“Në veçanti, paraqitja e Presidentit Bush në Tiranë, ishte e tillë që ndodhë një herë në historinë e një populli. Bush ishte shumë i qartë, shumë i saktë, shumë i drejtpërdrejtë: Kosova do të behet shtet”, ka shkruar “Zëri”.

“10 qeshori 2007, sipas të gjitha gjasave, do të mbetet dita më vendimtare në historinë e definimit të statusit të Kosovës, pas datës së shpalljes së pavarësisë. Atë ditë, burrri më me ndikim në bot, George W. Bush, e shprehu hapur përkrahjen e tij dhe garancinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar gazeta “Koha Ditore”.

Presidenti Bush,  ka vazhduar gazeta, “foli në mes të Shqipërisë, dhe në mënyrën më të qartë të mundur”. “Herët apo vonë do të duhet të themi: ‘Mjaft, është mjaft. Kosova është e pavarur’”, tha ai në vizitën e tij, mbase më të popullarizuarën të bërë jashtë SHBA-së, gjatë këtyre dy mandateve të tij, shkruan “Koha Ditore” nën titullin “Figurat e vitit në Kosovë dhe për Kosovën” dhe mestitullin “Garantuesi”.

Ndër “Figurat e vitit në Kosovë dhe për Kosovën” “Koha Ditore” me nëntitullin “Avokati i Kosovës” ka radhitur edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, dhe në kontekst të vizitës së Presidentit  Bush në Shqipëri ka theksuar: “Ndryshe, Berisha ishte vlerësuar edhe si njeriu më i duhur nga Presidenti Amerikan për t’ia përcjellë Prishtinës garancinë se pavarësia e Kosovës do të vijë gjithësesi, vetëm se duhet pasur kujdes nga hapat e ngutshëm”, ka theksuar gazeta.

“Koha Ditore” ka përkujtuar se Kryeministri Berisha  ia ka kushtuar Kosovës edhe “një pjesë të madhe të takimee e vizitav të tij jashtë vendit, madje edhe në selitë kryesore të botës.”

“Ndër to, më kulmori ka qenë fjalimi i tij në Asamblenë e Prgjithshme të Komeve të Bashkuara, kur tha se Serbia duhet të dijë se koha e kolonizimit ka kaluar dhe Kosova duhet të jetë përfundimisht e pavarur”,  ka shkruar kjo gazetë.

Me titullin “Ngjarja e vitit 2007 – vizita e Presidentit Amerikan në Shqipëri”, gazeta “Bota Sot” ka shkruar se “në kalendarin e vitit 2007 do të shënohet me shkronja të arta 10 qershori”. “Me këtë datë në tokën shqiptare zbriti Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh Bush” dhe “dha porosinë e madhe: ‘Kosova do të bëhet e pavarur!’”, ka theksuar kjo gazetë.

“10 qershor – Presidenti Bush: Pavarësia është rezultat i fundit”, ka shkruar “Epoka e Re”, e cila ka përkujtuar se Presidenti Amerikan u deklarua për pavarësinë e Kosovës “në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, e cila u përshkua nga pyetjet rreth Kosovës”.

“Presidenti Bush në Tiranë tha se Kosova do ta fitojë pavarësinë”, ka përkujtar ngjarjen e madhe gazeta “Kosova Sot”, nën titullin “Viti i afrimit të pavarësisë”.

Gazeta tradicionale e Kosovës “Rilindja”, që për Vitin e Ri të pritjes së pavërsisë ka dalë numër i jashtëzakonshëm, vizitën e Presidentit Bush në Tiranë më 10 qershor e ka vlerësuar “një ngjarje tepër të rëndësishme historike” për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin. “Zgjidhja e statusit të Kosovës  nuk përfaqëson më vetëm vetvetën, por ka marrë tashmë një kuptim thelbësor gjeopolitik”, ka theksuar gazeta në shkrimin me titull “Shqipëria në arenën ndëkobëtare”, ku veçmasështë nënvizuar rëndësia shumë e madhe vizitës së Presidentit Bush në Tiranë.

Ngjarje tjetër historike në procesin e statusit të Kosovës shtypi i Prishtinës ka vlerësuar arritjen në OKB të Propozimit të Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur të Kosovës,  të cilin dokument Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Muun, ia ka dorëzuar zv.kryenegociatori Albert Rohan, më 15 mars. “Viti 2007, që po shkon, mbetet në histori si vit i Planit të Ahtisaarit për pavarësinë e Kosovës, dokumentit të OKB-së me përkrahje të gjerë ndërkombëtare dhe me ndonjë kundërshtim. Viti i Ri 2008 është një tjetër vit historik i realizimit të Pavarësisë, ëndërrës shekullore, pritjeve tona të madha”, shkruan “Rilindja” në faqen e parë.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, ne Tirane, VIZITA DHE FJALA E PRESIDENTIT BUSH

MYSLIMANËT SHQIPTARË NUK JANË TË TURQIZUAR….*

June 11, 2018 by dgreca

DOKTOR DEMETRIUS ALEXANDRE ZAMBACO (1886) : “SHTATËZËNËSIA TEK GRATË SHQIPTARE DHE KUJDESI PËR FËMIJËN”/

– Myslimanët shqiptarë, të strehuar në malet e tyre, nuk janë aspak të turqizuar, dhe ruajnë me bashkatdhetarët e krishterë, zakone krejt të ndryshme nga ato të bashkëfetarëve prej Azie apo Afrike./

Nga Aurenc Bebja*, Francë /
image

Në dokumentin me titull “Contribution à l’étude de la femme en Orient. Dr. Zambaco, de Constantinople.”, të doktorit Demetrius Alexandre Zambaco (1832 – 1913), gjejmë një përshkrim të veçantë në lidhje me shtatëzënësinë e grave shqiptare dhe kujdesin e tyre për fëmijën, më saktësisht në faqen n°196, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

“…Do të shtoj dy fjalë për myslimanët shqiptarë, të cilët, të strehuar në malet e tyre, nuk janë aspak të turqizuar, dhe ruajnë me bashkatdhetarët e krishterë, zakone krejt të ndryshme nga ato të bashkëfetarëve prej Azie apo Afrike.

 Dhe së pari, poligamia nuk ekziston në Shqipëri. Edhe pse ka më shumë vajza sesa djem, është shumë e rrallë që një shqiptar të marrë një grua të dytë. Do të ishte një fyerje për gruan dhe të gjithë familjen e tij.Në Shqipëri nuk ka skllevër. Megjithatë hasim atje zeshkanë dhe zezakë. Ata janë pasardhës të skllevërve etiopianë, të sjellë në vend nga pashallarët dhe guvernatorët turq. Këta zezakë, absolutisht të lirë, janë malësorë të vërtetë që mbrojnë me xhelozi lirinë e tyre. Ata që pashë janë të hollë, të zgjuar, madje paraqesin të njëjtën formë të kafkës si shqiptarët.Shqiptarja, e njohur për guximin e saj, nuk duhet të bërtasë gjatë lindjes, sepse është diçka e turpshme nëse nuk përballon dhimbjen. Ajo ndërron fshehurazi rrobat e fëmijës së saj, ndoshta për të shmangur të qarat të cilat nuk mund t’i kontrollojë dot. Fakti është se fëmija vjen në botë pa dijeninë e babait, i cili mëson ngjarjen vetëm pas lindjes. Është nëna e gruas, dhe në rast mungese, gruaja më e moshuar e familjes, që kryen funksionin e mamisë.Në Shqipëri ka shumë druajtje. Pra, është e turpshme të flitet për shtatzënësinë. Gruaja e fsheh atë sa më shumë që të jetë e mundur. Një grua shtatzënë ka gjithmonë me vete një kanif, që të presë kordonin e kërthizës nëse është e nevojshme.

 Gruaja popullore punon tokën me burrin e saj deri në një periudhë shumë të vonshme të shtatzënësisë.Të porsalindurin e lajnë çdo ditë ; koka e tij qëndron e zbuluar, gjymtyrët e tij nuk bllokohen nga mbulesat, por lihen në gjendje të lirë ; fëmija rritet rehatshëm. Kështu shqiptarët i kanë këmbët e tyre të drejta dhe jo të shtrembura si shumica e osmanllinjve. Gruaja shqiptare është një shoqe e vërtetë dhe e barabartë me burrin e saj, nuk është një qenie inferiore që Perëndia ka krijuar për kënaqësinë e njeriut dhe për plotësimin e nevojave të tij natyrore.

 Në Shqipëri ka një respekt të jashtëzakonshëm për gruan më të moshuar të familjes, e cila gjithmonë pyetet për të gjitha interesat dhe aktet që kanë të bëjnë me anëtarët e saj të ndryshëm.Së fundi, zakonet shqiptare nuk lejojnë abortin siç ndodh tek myslimanët e tjerë. Kështu, gratë mund të lindin deri vonë. Ka nga ato që lindin derin në moshën 48 dhe 49 vjeç…”

*Titulli i Dielli-t

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Dr. Zambaco, Myslimanet shqiptare

Hallemëdhenjtë e qytetit tim

June 11, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Këtej nga një rrugë e heshtur, me ca shina tramvaji, në qoshk kafeje, sa hapa kompjuterin me del fytyra e Ramës nga qyteti im. Në një panel specialistësh dhe interesaxhinj…, sepse nuk e kuptoj se çfarë lidhje ka Ruçi me Bashkim Finon me hadhemëdhenjtë e Myzeqesë dhe Darsisë sime. Një platformë brutale e butaforisë sonë, ideologjisë… llogaridhënia qytetarëve. Mirëpo kur e shikon nga ambjentet e perëndimit, të gjithë platformistat të duken kunguj gardhi. Nominim që askush tjetër më mirë se myzeqarët nuk ia di kuptimin këtij togfjalëshi. Shkurt, ligjërata për drejtësinë. Në fakt hadhemëdhenjtë e mi Edi kanë nevojë për rrugë. Jo se duan ta injorojnë drejtësinë tënde të shpifur që e ke katapultuar tek tre emra nga qeveria e djeshme. Megjithëse ke në pushtet që nga 2013 vazhdon avazin e gjynahqarit karshi këtyre emrave si e keqja e vendit. Arrestojei ata, ose arresto veten. Se demokracia është akt dhe shifra. Po ty nuk ta mban se je edhe vetë pjesë e klanit të Zemunit. Hallemëdhenjtë e mi janë të përvëluar nga drejtësia sepse e kanë provuar në kurriz qitapin kushtetues të juripudencës shqiptare, sidomos pas 97-tës kur përdhunimet e vrasjet kapën kulmin. Sado që ke një afimitet me Lushnjen prapë ti nuk e njeh. Shko në varrezat e qytetit dhe të kuptosh se sa është terur ai qytet. Drejtësia jote???? As për letër higjenike nuk hyn në punë atyre hallemëdhenjëve,  pasi e dinë mirë që në kulturën tonë mjerane një dorë para e bën mushkonjën buall. Pa përmendur juristët e inkubatorit të dëmdemokracisë sonë. Po e thënë shkoqur, deri tani kjo drejtësia jonë nxorri dy rryma. Ata që vazhdojnë e flasin në emër të ligjit për krimet e komunizmit. Dhe këta sharmanët e sotshëm të Kristalit ku se kanë problem ta ngrenë nga varri edhe Eskobarin e Medelenit në Kolumbi. Dhe faktet e fundit po e tregojnë qartë se shqiptarët kanë lidhje të pastra me kolumbianët. Po jemi tek lushnjarët…, futu një herë në ato rrugica lagjesh dhe të shikosh realitetin e pa rruar. Ku edhe pse rrethina të hershme, ato rrugica janë edhe trashe tubacionesh të kalbëzuara, mortje plehrash e muti, ngucje frike dhe droje, sidomos gjatë dimrit  ku të ha të gjallë balta. Kushedi sa herë është çarë e stërçarë një syresh. Dhe nëse hap arkivat e tenderimeve në Bashki, nuk mbetur këmbë marangozi a saldatori, a futbollisti pa përvetësuar milionat e hedhura, këmbë qerrexhiu me firmë ndërtimi etj. Ato miliona të këtyre viteve do kishin lidhur Lushnjën me Savrën me kohë dhe me gjashtë korsi. Por nuk janë bërë. Unë jam rritur në lagjen e kodrës dhe e di deri në frymën e fundit se, asgjë nuk duam më shumë të gjithë ata, vetëm pak rrugë normale, njerëzore, me drita e kanalizime si bota përreth dhe kundruall. Dhe do të jepnin gjithçka për pak ndriçim, vota pa diskutim e me shumicë. Do e mbanin në supe cilindo shtetar, qoftë ky i majtë a i djathtë, i kuq a i verdhë…, mjaft tu rregullonte e sistemonte rrugicat ku jetojnë. Por kurrë nuk e kanë bërë… , nuk e bëjnë. Dikur specialistët e socializmit i hapnin me traktor dhe na ngushtonin gardhet. Avllitë na i rrëzonin…, por deri aty rrinin, tek dheu. Dheu që ta hante shpirtin në dimër. Nuk kishte poshtërim më të madh se këpucët me baltë. Kurse sekserët e dëm demokracisë i kanë futur në konflikte gradhesh, me teorinë çarjes së herëpashershme dhe ngushtimit të rrugëve, aq sot ato duken si shtigje mbeturinash dhe zagarësh. Edhe pse në ato  rrugë kanë jetuar e kanë dalë plot emra deri me histori kombëtare. Futu një herë atyre rrugicave, por jam i bindur që nuk të nxënë më. Nuk ta bëjnë të mundur horlliqet e informalizmit të ecësh. Aq më tepër ty që me dashuri të Zotit të kemi edhe shtatlartë. Futu dhe të shikosh se si do të të bëhen supet, koka etj.  Lushnja nuk është sheshi i reformës agrare. Janë rrugica labirinthe, garrupe plehrash që ti një herë nuk doje t’i ricikloje. Dhe tani do me shumë histeri. Pa iu futur suportit në bujqësi, vendi që mban peshën kombëtare është sot plotësisht truall investitorësh jetim. Po ti e ke mendjen tek Saliu, tek zhgarravitjet e radhës. Tek pika i rafte reformës tënde në drejtësi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Hallemëdhenjtë e qytetit tim, Ilir Levonja

KOSOVA JUBILE, 10 VJET SHTET ME HIMN

June 11, 2018 by dgreca

KOSOVA JUBILE, 10 VJET SHTET ME HIMN(PA TEKST)/

Himni-Kosove

-Kosova në jubileun e parë të Pavarësisë 10 vjet edhe me Himn Shtetëror/

 -Himni i Kosovës ka edhe tekstin, por Limitet e Pakos Ahtisari e kane censuruar/

PRISHTINË,  11 Qershor 2018-Gazeta DIELLI-Behlul JASHARI/ Në vitin e 10 vjetorit të shpalljes së  Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurtin historik 2008 edhe Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës mbush poashtu 10 vjet nga miratimi në Kuvendin e shtetit të ri.

Propozimi me shifrën “Europa” u miratua pikërisht para 10 viteve në 11 qershor 2008 në një seancë të veçantë të Kuvendit 120 anëtarësh si Himn shtetëror i Republikës së Kosovës, me 72 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime.

Kompozitori Mendi Mengjiqi është autor i melodisë pa tekst, e përzgjedhur mes 134 propozimeve të paraqitura në konkursin publik për Himnin.

Komisioni për Simbolet Shtetërore të Kosovës kishte dërguar në Kuvend tre propozime, ndërsa Kryesia e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare nxorën në votim vetëm propozimin e parë – melodinë me shifrën “Europa”.
Në seancë plenare, deputetët u ngritën më këmbë për të nderuar Himnin e Republikës së Kosovës, të transmetuar në sallën e Kuvendit.
Në prag të 15 qershorit 2008, ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, shteti i ri i Kosovës me Himnin i plotësoi simbolet shtetërore, pasi Kuvendi kishte miratuar edhe Flamurin e Stemën që në 17 shkurt, në ditën e shpalljes së Pavarësisë.

Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës kishte një konkurrencë të madhe,  nga 134 propozimet 110 ishin nga Kosova, ndërsa 24 nga shtetet tjera të botës: 7 prej Francës, 5 prej Shqipërisë, nga 2 prej Gjermanisë, Suedisë e Sllovenisë,  nga 1 prej SHBA-së, Britanisë së Madhe, Holandës, Rusisë, Zelandës së Re dhe Kroacisë.

Autori i Himnit, kompozitori Mengjiqi  menjëherë pas miratimit të melodisë ka thënë se pret që me kohë ajo të bëhet edhe me tekst.

 “Kur e kam punuar këtë himn tërë kohën kam menduar në tekst dhe me kohë ma merr mendja do  t’u mbetet poetëve që të shkruajnë vargjet për këtë muzikë”, ka thënë autori.

“Himni është një vepër solemne dhe ekzekutohet nëpër raste të veçanta,  duhet të jetë muzikë e mburrjes, e krenarisë, muzikë e paqes, dhe këtë ma merr mendja se e kam thënë përmes muzikës”, ka deklaruar Mengjiqi.

“Himni i Kosovës e ka tekstin”, ka shkruar shtypi kosovar në 6 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë duke bërë të ditur se në fakt kur ishte propozuar melodia nga autori Mendi Mengjiqi, ajo shoqërohej edhe me vargje.

“Për shkak të limiteve të vendosura nga Pakoja e Ahtisaarit, komisioni përzgjedhës ishte detyruar që të heq tekstin”, shkruante shtypi, duke shtuar se “tashmë që kjo pako i takon së kaluarës, ka ardhur koha që qytetarët e Kosovës të mësojnë edhe tekstin e bukur që i kushtohet dashurisë për mëmëdheun”.

HIMNI I KOSOVËS

O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë

Çerdhe e dashurisë

N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë

Vend i të parëve tonë

Ti qofsh bekue për jetë e mot

O nënë e jonë

Ne të dalim zot

O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë

Çerdhe e dashurisë

Kosova para 10 vitesh u bë me Himn Shtetëror edhe në prag të Ditës së Lirisë – 12 Qershorit, ditës kur në vitin 1999 nisën të hyjnë forcat shpëtimtare të NATO-s.

Në 2018-tën e 19 vjetorit të Lirisë e të 9 vjetorit të  Himnit, Kosova me Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 është e njohur deri sot nga 116 shtete të botës – anëtare të OKB-së.

Filed Under: Komente Tagged With: 10 vjet, Behlul Jashari, Hymni i Kosoves

Presidenti Meta përshëndet 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

June 10, 2018 by dgreca

Presidenti Meta përshëndet 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit/

Prizren, Kosovë

     

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm në veprimtaritë përkujtimore të 140-vjetorit të Lidhjes historike të Prizrenit, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Së bashku me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe Rifat Jasharin në prani të deputetëve e përfaqësuesve të qeverisë së Republikës së Kosovës, akademikëve, historianëve, pasardhësve të pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit, krerëve të bashkësive fetare, ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, etj., Presidenti Meta fillimisht mori pjesë dhe përuroi gurthemelin e kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit: Ymer Prizeni, Abdyl Frashëri dhe. Më tej Presidenti Meta dhe Kryeministri Haradinaj vizituan ekspozitën e hapur me këtë rast në Kompleksin Memorial të Lidhjes.

Presidenti i Republikës përshëndeti seancën solemne të mbajtur në Kompleksin Monumental të Lidhjes së Prizrenit, duke iu drejtuar të pranishmëve:

“Jemi mbledhur sot në këtë qytet të bukur dhe historik për të përkujtuar të gjithë së bashku 140-vjetorin e krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kësaj ngjarje lapidare në historinë e kombit tonë.

Krijimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte vazhdim i Lidhjes së Lezhës të krijuar nga Gjergj Kastriot Skënderbeu shekuj më parë dhe shënonte në vetvete një kulminacion të rizgjimit dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare për të shpalosur identitetin kombëtar dhe politik të Kombit tonë, për të legjitimuar aspiratat e tij për shtet-formim dhe për t’ia bërë ato të ditura të gjithë botës.

Qysh në themelimin e saj Lidhja Shqiptare e Prizrenit u përball me sfida të jashtëzakonshme të brendshme dhe ndërkombëtare.

Në rrafshin e brendshëm Lidhja u përball me vështirësi të panumërta për bashkimin politik të katër Pashallëqeve, për formimin e strukturës së saj organizative mbarëkombëtare, për ndërtimin administrativ, për krijimin e ushtrisë dhe për ndërmarrjen e aksionit politik, diplomatik dhe ushtarak për realizimin e programit të saj.

Në planin ndërkombëtar Lidhja Shqiptare e Prizrenit u krijua dhe ushtroi veprimtarinë e saj në një prej situatave rajonale dhe ndërkombëtare më të rrezikshme dhe më kërcënuese për fatet e kombit shqiptar dhe territoreve të tij.

Kriza Lindore Ruso-Osmane dhe Traktati i Shën Stefanit që e pasoi atë, tentonin të fshinin nga faqja e dheut kombin shqiptar dhe të aneksonin territoret e tij në dobi të interesave të shteteve të reja të sapokrijuara të Ballkanit dhe të disa Fuqive të mëdha.

Kongresi i Berlinit i mbledhur për të adresuar Krizën Lindore njohu shumë shtete të reja të pavarura në Ballkan, por as që i përfilli aspiratat legjitime të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.

Në këto rrethana Lidhja Shqiptare e Prizrenit do të përballej nga njëra anë me rrezikun shovinist të politikave aneksioniste të shteteve fqinje dhe nga ana tjetër me injorimin dhe heshtjen ndaj çështjes kombëtare shqiptare prej Fuqive më të mëdha të kohës.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u gjend e rrethuar fqinjësisht dhe ndërkombëtarisht qysh në gjenezën e saj.

Prandaj asaj iu desh të ndërmerrte një veprimtari shumëplanëshe politike, diplomatike dhe ushtarake. Politikisht për ndërtimin e platformës shtet-formuese të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, diplomatikisht për bërjen e saj të ditur te Fuqitë e kohës dhe në vendet fqinje, ushtarakisht për të mbrojtur me armë, gjak dhe sakrifica popullin shqiptar dhe territoret e tij.

Për shkak të rrethanave jashtëzakonisht të vështira të krijuara nga agresiviteti militarist i shteteve fqinj si dhe nga koalicioni ushtarak i Fuqive të kohës për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk jetoi gjatë.

Por pavarësisht kësaj, platforma politike e saj, aksioni diplomatik ndërkombëtar, vlerat e shquara të identitetit kombëtar shqiptar që ajo lartësoi, rezistenca dhe sakrificat e jashtëzakonshme që ajo ndërmori do të mbeteshin të gjalla përjetë dhe do të ushqenin përgjithmonë aspiratën e pashuar të popullit shqiptar për liri e pavarësi.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit shkaktoi një jehonë të madhe në qarqet politike të vendeve fqinje, por edhe të Fuqive më të mëdha të kohës.

Mediat e tyre e pasqyruan gjerësisht platformën dhe veprimtarinë e saj, duke vënë në dukje aspiratat e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, identitetin e tij kombëtar, vendosmërinë për të themeluar shtetin e tyre të pavarur dhe sovran, por njëkohësisht edhe fuqinë ushtarake kundër një bashkësie shtetesh fqinj dhe një koalicioni fuqish kundër tyre.

Ndonëse në një kohë relativisht të shpejtë kjo Lidhje u shua, ajo avancoi programin e saj të bartur në ngjarje të tjera mbarëkombëtare.

Lidhja e Pejës, Kongresi i Manastirit, Lidhja e Junikut janë hapat e hedhura nga populli shqiptar për të jetësuar hap pas hapi programin madhor që nisi pikërisht këtu në Lidhjen e Prizrenit.

Në historinë e popullit shqiptar sa më shumë kohë do të kalonte aq më shumë do të lartësohej Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe do të kuptohej mesazhi i saj frymëzues përgjithmonë. Shpallja e pavarësisë së Shtetit Shqiptar në Vlorë në vitin 1912, shpallja e pavarësisë së Shtetit të Kosovës, zgjerimi i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në hapësirat e tyre në Ballkan nuk ndahen asnjë çast nga Lidhja Shqiptare të Prizrenit, nga programi, vizionet dhe aspiratat e saj për të lartësuar identitetin kombëtar dhe evropian të shqiptarëve.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit qëndron edhe sot e gjithë ditën në përpjekjet e mëdha të mbarë shqiptarëve për të zgjeruar hapësirat e tyre të lirisë, demokracisë dhe integrimit Evropian dhe Euro-Atlantik. Si e tillë ajo nuk është një relike historike, por është edhe sot një vepër e gjallë frymëzuese për të gjithë ne dhe për të gjitha kohërat.

Prandaj sot përkulemi me ndjenjë të jashtëzakonshme të respektit dhe mirënjohjes për Abdyl Frashërin, për Ymer Prizrenin, për Sulejman Vokshin e gjithë ata burra të mençur e atdhetarë, të cilët sakrifikuan gjithçka pikërisht për të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe mbarë kombit tonë. Sot përkulemi me respekt të jashtëzakonshëm edhe përpara sakrificave të Adem Jasharit dhe të gjithë heronjve të Kosovës, që janë në themel të këtyre arritjeve që Kosova ka shënuar gjatë 10 viteve të pavarësisë së saj.

Veçanërisht Lidhja Shqiptare e Prizrenit, udhëheqësit e saj vizionarë dhe legjendarë, pasuesit e tyre janë një frymëzim për rininë shqiptare, që të rritet me frymë atdhetare, me shpirtin e lirisë, me formim qytetar e demokratik, me kulturë bashkëkohore dhe evropiane. Vetëm me një rini të tillë ëndrra e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit jo vetëm do të mbahet gjallë, por aspiratat e saj legjitime do vijojnë të jenë frymëzim mbarëshqiptar në kohët që do vijnë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!
E paharruar jeta dhe vepra e themeluesve dhe drejtuesve të saj!
Zoti bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe mbarë shqiptarët kudo në botë!”

Filed Under: Politike Tagged With: 140 vjet, pershendetje, Presidenti Meta, Prizren

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT