• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2018

Cilat ushqime duhet t`i shmangni nëse keni probleme me aciditet dhe gazra ?

July 11, 2018 by dgreca

Aplikimi i një diete për zbrazjen e acidit, është shpesh strategjia më e mirë për lehtësimin e simptomave si dhe përmirësimin e niveleve të aciditetit në zorrët tuaja./

1 Ajshe

Shkruan: AJSHE LEKA/

Çfarë është dieta e zbrazjes së acidit?/

Dieta e zbrazjes së acidit është projektuar për të ndihmuar në përmirësimin e sistemit të tretjes, eliminimin e simptomave të uljes së acidit si dhe për të rritur sistemin tuaj imunitar, për të parandaluar këtë lloj çrregullimi të stomakut.

Sasia e acidit që prodhon stomaku varet shumë nga ushqimet që ju hani, kështu që formimi i një diete që shmang prodhimin e acidit, është thelbësor. Shqetësimi më i zakonshëm për zbrazjen e acidit është urthi, një gjendje në të cilën lëngjet ndihmojnë tretjen e ushqimit të hyjnë në ezofag, gjë që mund të rezultojë në një ndjesi djegieje.

Disa nga simptomat tjera të zakonshme të zbrazjes se acidit, përfshijnë dhimbjet e gjoksit dhe problemet me tretjen e disa ushqimeve. Kjo dietë mund të rikthejë stomakun tuaj në gjendje normale dhe gjithashtu të krijojë zakone të shëndetshme dietike që parandalojë këto simptoma në të ardhmen.

Ushqimet për zbrazjen e acidit:

Nëse ndiqni një dietë për zbrazjen e acidit, ka mjaft ushqime të sigurta për të ngrënë dhe që mund të ndihmojnë në korrigjimin e këtyre simptomave.

Ushqimet që duhet të përfshihen janë: xhenxhefili, bollguri, lëngu aloe vera, pjepri, pula, peshku, bananet, majdanozi, selino, avokado, vaji i ullirit, dardha, e bardhë vezës.

Ushqimet që duhet shmangur janë: të kuqtë e vezës, proshuta, mishi me yndyrë, krem kosi, produktet e qumështit me yndyrë të lartë, akulloret, lëngu i mishit, hudhra dhe qepa, ushqimet me erëza, çokollata, kafeina.

Përveç ndryshimit të dietës, ekzistojnë edhe disa ndryshime në mënyrën e jetesës, të cilat mund të ndihmojnë në korrigjimin e simptomave të zbrazjes së acidit, siç janë braktisja e duhanit, alkoolit si dhe përpjekja për të humbur peshë.

Konsumimi i alkoolit dhe pirja e duhanit janë të dëmshëm për shëndetin tuaj në shumë aspekte, ndërsa kur bëhet fjalë për problemin e acidit, mund të përkeqësojë simptomat dhe të sjellë sulme më të shpeshta. Me fjalë të tjera, ju të duhet të ndërpriteni  konsumin e pijeve alkoolike dhe duhanit, sepse kjo do t`ju shpërblehet me një shëndet më të mirë.

Veshja e rrobave të ngushta, posaçërisht rreth zonës së belit ose brezit, mund të përkeqësojë më tepër simptomat e uljes së acidit, pasi stomaku juaj do të jetë i ndrydhur.

Pesha shtesë do të thotë më shumë presion mbi stomakun tuaj, gjë që mund të përkeqësojë simptomat, prandaj duhet të përpiqeni që t`i largoni disa kilogramë.

Sa i përket vakteve, ju duhet të konsumoni sasi më të vogla të ushqimit dhe në vakte më të shpeshta, sepse kështu zvogëloni ngarkesën e zorrëve dhe ndihmoni në përmirësimin e balancës së acidit.

Gazrat dhe fryrja e stomakut

Me problemet gastrike përballet pothuajse çdo individ. Manifestohet me fryrje barku dhe gazra. Problemet gastrike mund të çojnë gjithashtu në stres ose ankth, infeksion gastrointestinal ose bllokim si dhe dhimbje në stomak.

Në traktin digjestiv, gazi krijohet duke gëlltitur ajrin dhe ndarjen normale të disa ushqimeve të padëmtuara nga bakteret e padëmshme që janë të natyrshme në zorrë të trashë. Dikush mund ta përjetojë këtë problem disa herë edhe në të njëjtën ditë.

Parandalimi i problemit kërkon kohë, por mund të reduktohet në masë të madhe duke ndjekur disa mënyra të thjeshta shtëpiake. Mbajtja e një diete të duhur, shmangia e duhanit dhe ushtrimi i rregullt, ndihmojnë në zvogëlimin e këtyre problemeve.

Personat që përballen me këtë problem, duhet të shmangin ushqimin që ndikon më shumë në zorrë. Kjo përfshin reduktimin e ushqimit me yndyrë, artikujt si brokoli, lakra, qepët, fasulet, bizelet, pijet e gazuara dhe birrën, lulelakrën dhe karamelet e forta. Nëse edhe produktet e qumështit krijojnë problem, atëherë duhet të provohet një lloj që përmban nivel të ulët laktozë.

Ushtrimet e rregullta dhe shëtitjet në mbrëmje ndihmojnë në reduktimin e problemit, pasi që e mbajnë sistemin tonë të barkut në një nivel të shëndetshëm dhe të balancuar.

Këshillë:

Hani ngadalë. Futja e shpejtë e ushqimit, shpeshherë mund të rezultojë me probleme të tretjes. Sistemi juaj i tretjes kërkon kohë për të tretur ushqimin, proces ky që nuk mund të bëhet nëse hani shumë shpejt. Përtypja e mirë e ushqimit që konsumoni, është domosdoshmëri dhe mund të ndihmojë në reduktimin e problemeve të stomakut. Në të vërtetë, ata që hanë shpejt, duhet të ngadalësojnë për t’u kujdesur për problemin e tyre të zorrëve.

Herë pas here shmangeni përkohësisht ushqimin me sasi të lartë të fibrave. Fibrat ndihmojnë tretjen, por shumë ushqime me fibra të larta, janë gjithashtu prodhues të mëdhenj të gazrave. Pas një pushimi, ngadalë shtoni fibra përsëri në dietën tuaj.

Fibrat janë lëndë ushqyese të rëndësishme dhe duhet të jenë pjesë thelbësore e çdo diete të shëndetshme, por nëse jeni të prirë që të keni gazra dhe fryrje stomaku, atëherë ju duhet të rritni gradualisht tolerancën tuaj.

……………………………………………….

Autorja është konsulentë për nutricion dhe dietologji: fb.com/nutricistedietologe  

Filed Under: Analiza Tagged With: acidi, Ajshe Leka, gazrat, stomaku, ushqimet

Oda Ekonomike e Kosovës, kryetar zgjedhet Berat Rukiqi

July 11, 2018 by dgreca

-Oda Ekonomike e Kosovës përfundon procesin zgjedhor, kryetari i ri Berat Rukiqi: Objektivat kryesore në mandatin 4 vjeçar do të jenë të fokusuara në mbulimin e hendekut të krijuar nga paaftësia e institucioneve për të siguruar rritje ekonomike të qëndrueshme, përkatësisht duke u fokusuar në përkrahjen dhe promovimin e eksportit, në harmonizimin e nevojave të tregut të punës me sistemin edukativo-arsimor si dhe në digjitalizimin e ekonomisë konform trendeve globale/

1Berat rukiqi2 Rukiqi flet4 gerxhaliu

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ PRISHTINË, 11 Korrik 2018/ Oda Ekonomike e Kosovës përfundon procesin zgjedhor, kryetar u zgjodh Berat Rukiqi.

Pas një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent zgjedhor, për përzgjedhjen e organeve qeverisëse të Odës Ekonomike Kosovës, proces në të cilin morën pjesë mbi 1,800 anëtarë të Odës Ekonomike, në bazë të parimit një anëtar një votë, nga të gjitha shoqatat sektoriale si dhe nga njësitë rajonale të Odës (29 shoqata dhe 7 njësi rajonale), sot u zgjodhën strukturat drejtuese, përkatësisht organet e Odës Ekonomike të Kosovës.
Procesi zgjedhor u kurorëzua me zgjedhjen e kryetarit të ri të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili njeherit ishte kandidati i vetëm. Rukiqi ka një përvojë të gjatë në sektorin publik dhe privat, duke qenë i angazhuar për 1 vit në Zyrën e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, 11 vite në pozita të ndryshme në Odën Ekonomike të Kosovës, 10 vite si staf i rregullt në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”, 4 vite kryesues i Bordit të Drejtoreve të Korporatës Energjetike të Kosovës, anëtarë i Bordit të “Millennium Foundation Kosovo”, si dhe është bashkëthemelues dhe bashkëpronar në kompaninë “Trosha”.
Në fjalimin para delegateve kryetari i ri i Odës Ekonomike të Kosovës u zotua për partneritet të fuqishëm me bizneset dhe sektorin privat në përgjithësi për përfaqësim të denjë të zërit të tyre në raport me institucionet vendimmarrëse në vend dhe partneret ndërkombëtarë.

“Objektivat kryesore në mandatin 4 vjeçar do të jenë të fokusuara në mbulimin e hendekut të krijuar nga paaftësia e institucioneve për të siguruar rritje ekonomike të qëndrueshme, përkatësisht duke u fokusuar në përkrahjen dhe promovimin e eksportit, në harmonizimin e nevojave të tregut të punës me sistemin edukativo-arsimor si dhe në digjitalizimin e ekonomisë konform trendeve globale”, theksoi Rukiqi.
Kuvendi i ri i Odës Ekonomike të Kosovës falënderoi angazhimin e strukturave të kaluara drejtuese të Odës Ekonomike të Kosovës për zhvillimin e saj, veçanërisht kryetarin e OEK-ut, Safet Gërxhaliu. Përveç kryetarit, Kuvendi i ri i Odës ka 71 anëtarë, i cili zgjodhi edhe Këshillin e ri Drejtues me përbërje nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Po ashtu zgjodhi Këshillin Mbikëqyrës dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Parim Bajramin. Të gjitha strukturat drejtuese të Odës Ekonomike të Kosovës janë zgjedhur për mandat 4 vjeçar./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Berat Rukiqi, kryetar, oda ekonomike

Rita Orë, Hyjnesha në Fron

July 10, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj e nderon këngëtaren Rita Ora me Hyjneshën në Fron: Faleminderit që duke prekë majat e suksesit në botë, nuk i harrove rrënjët tua/1 Rita OraLondër, 10 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/

“Rita Ora është këngëtarja  që ngjyrave të flamurit tonë i ka dhënë shkëlqimin më të mirë. Rita përmes muzikës ka bërë më shumë se gjithë ne, e ka ndërkombëtarizuar Kosovën”, kështu e ka vlerësuar Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, këngëtaren me famë botërore, Rita Ora, gjatë takimit të sotëm në Londër.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj falënderoi këngëtaren me prejardhje shqiptare Rita Ora, e cila kudo në botë po lartëson jo vetëm emrin e saj, por edhe të Kosovës dhe popullit shqiptar.

“Emri i Rita Orës është bërë i njohur gjithandej botës. Përmes talentit të saj, ajo është bërë një frymëzim për rininë dhe kombin e saj”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej kryeministri Haradinaj tha se figurat e shquara si Rita Ora, që arrijnë majat e suksesit në arenën ndërkombëtare janë motiv dhe shembull i mirë për rininë në Kosovë dhe kudo.

“Ambasadores së nderit, të shpallur sot e tri vjet më parë i dhurova Hyjneshën në Fron të gravuar në filigran për ta nderuar dhe për t’i përçuar mesazhin e gjithë shqiptarëve: Faleminderit që të kemi. Faleminderit që duke prek majat e suksesit në botë, nuk i harrove rrënjët tua”, ka thënë kryeministri Haradinaj./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Hyjnesha ne Fron, Per Rita Oren

150 milionë Euro për Ballkanin Perëndimor

July 10, 2018 by dgreca

Komisioni Europian lanҫon instrumentin financiar të garancisë për Ballkanin Perëndimor/

3Rama Me atlete

Në foto me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe kancelaren Merkel ndodhet edhe kryeministri ynë me atlete të bardha…/

150 milionë Euro për periudhën 2019 – 2020, në total 1 miliardë euro investime nga Komisioni Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor për stabilitet ekonomik.

Westbalkan-Konferenz London (picture-alliance/dpa/L. Neal)

Ҫelësi i përafrimit me BE për Ballkanin Perëndimor (BP) mbetet bashkëpunimi mes vendeve të tij dhe gjithë rajonin me BE. Forcimi i bashkëpunimit në këto dy kahje është kryefjala e Samitit për BP, që po zhvillohet në Londër. Komisioni Europian , në një deklaratë për shtyp nga punimet e Samitit, të martën( 10.07.2018) citon Federica Mogerinin, Përfaqësuese e Lartë e BE për Politikën e Jashtme dhe Ҫështjet e Sigurisë, të ketë thënë, të martën në Samitin e Londrës  “kemi qenë të gjithë duke punuar së bashku për ta tërhequr rajonin sa më afër BE politikisht, ekonomikisht dhe për sigurinë. Kemi parë rezultate të mrekullueshme, zgjidhje për çështjet më të vështira bilaterale. Ballkani Perëndimor po ecën vazhdimisht. Sot rikonfirmojmë se jemi së bashku me rajonin në atë rrugë, duke ndarë përkushtimin ndaj së ardhmes sonë të përbashkët”.

Stabiliteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor

Zona Ekonomike Rajonale, për të cilën palët ranë dakort në Samitin e Triestes, 2017 mbetet instrumenti kryesor për zhvillimin social-ekonomik të rajonit. Prej saj pritet rritja e interesit të investitorëve të huaj dhe nxitja e tregëtisë, që si në një reaksion zinxhir krijojnë vende të reja pune. Një vit pas zbatimit të Planit të Veprimit për këtë qëllim dëshmon për rritje të tregëtisë ndërrajonale, theksohetr në njoftimin për shtyp të KE.

Rritjes së stabilitetit ekonomik i shërben edhe rritja e aftësive digjitale në rajon, si një vazhdim i Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor, të miratuar në qershor në Sofje. Ndërkohë që shqyrtimi i mënyrave për të rritur financimin për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe fillimin e bizneseve të vogla pa financim bankar rezultoi në fokus të Samitit. Drejtim tjetër është për stabilitetin ekonomik të BP transmetimi i energjisë në rajon dhe shfrytëzimi më i mirë dhe në mënyrë të qëndrueshme i potencialeve hidrike të rajonit. Për të mbështetur këto objektiva, Komisioni Evropian, në bashkëpunim me institucionet financiare partnere, paraqiti një instrument të ri të garancisë, i cili do të fillojë veprimin në fillim të vitit 2019 në kuadrin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

“Me angazhimin fillestar të BE-së deri në 150 milionë euro në 2019-2020, garancia do të synojë të lërvrojë deri në 1 miliardë euro investime në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik dhe integrimin rajonal. Garancia do të lejojë ndarjen e rrezikut financiar për të zhbllokuar investimet private në një gamë të gjerë sektorësh si bizneset e reja të vogla dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Investime në infrastrukturë si edhe në sektorët socialë dhe të njohurive digjitale, pra duke i kushtuar vëmendje pengesave kryesore që pengojnë në rajon aksesin tek financat”, thekson njoftimi per shtyp i KE.

Forcimi i bashkëpunimit në ҫështjet e sigurisë

Në këtë fushë prioritare kryetarët e shteteve të BP, drejtuesit e vendeve partnere të BE në Procesin e Berlinit kanë ndarë ide sesi të thellojnë bashkëpunimin BP- BE për adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë: terrorizmi, radikalizimi, sulmet kibernetike, krimi i organizuar, trafiku i armëve të zjarrit. Kryefjala mbetet rritja e bashkëpunimit ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit në BP duke përfshirë edhe shkëmbimin e informacionit, thekson njoftimi për shtyp i KE. Lidhja mes korrupsionit dhe sigurisë përbën një fokus tjetër të diskutimeve. Kryetarët e shteteve të BP përsëritën angazhimin e tyre për të luftuar korrupsionin, thekson KE në njoftimin për shtyp.

Lehtësim i bashkëpunimit politik

Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë janë në qendër të rrugëtimit të vendeve të BP drejt BE-së, gjë që përfshin edhe arritjen e pajtimit të qëndrueshëm dhe të sinqertë në rajon. Krerët e shteteve dhe ministrat e vendeve të BP do të shkëmbejnë pikëpamje për çështje të dyanshme dhe të trashëguara,  si krimet e luftës dhe personat e humbur. BE-ja përkrah bashkëpunimin rinor në Ballkanin Perëndimor si çelësin e suksesit për të rritur lidhjet rajonale – në shumë projekte të BE. Për më tepër, Zyra Rajonale e Bashkëpunimit për Rininë (RYCO) pritet të paraqesë në Samit arritjet e saj më të fundit dhe Planin  Strategjik 2019-2021 për nxitjen e pajtimit dhe bashkëpunimit midis të rinjve në rajon.

Samiti i Londrës është pjesë e procesit të Berlinit, nismë diplomatike e kancelares gjermane Merkel, e mbështetur nga disa shtete anëtare të BE – Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia, Sllovenia dhe Britania e Madhe – që synon të mbështesë përpjekjet drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Samiti i Londrës u zhvillua pas publikimit nga Komisioni Evropian, në shkurt 2018 të strategjisë “Një perspektivë e besueshme e zgjerimit dhe angazhimit të shtuar të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor”, Samitit BP – BE në Sofje në qershor të këtij viti,  Samitin të Këshiilit Europian , muajin e kaluar, më 28 qershor, ku Shqipëria dhe Maqedonia morrën një datë për hapjen e negociatave, në vitin e ardhshëm, 2019 nëse përfundojnë reformat dhe arrijnë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ballkani Perendimor, Garanti, instrumentei financiar, Komisioni Europian

Hahn: Javën e ardhshme nisin përgatitjet në Tiranë e Shkup

July 10, 2018 by dgreca

Komisari i BE, Johannes Hahn thotë për DW se javën e ardhshme do të asistojë në Tiranë e Shkup në procesin përgatitor të nisjes eventuale të negociatave për BE. Për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet raporti i BE./

1 Hahn

DW: Në Londër po zhvillohet tani takimi i pestë i Ballkanit Perëndimor. Në qendër është tema e sigurisë dhe e stabilitetit. Cilat pika themelore do të jenë arritur në fund?

Johannes Hahn: Siguria është njëri aspekt dhe tjetri është zhvillimi ekonomik. Për këtë kemi pasur një konferencë javën e kaluar në Vjenë. Kur bëhet fjalë për sigurinë është çështja e bashkëpunimit midis njësive përkatëse në rajon dhe organizatave përkatëse në nivel evropian, si në çështjen e luftimit të terrorizmit, të luftës kundër kriminalitetit të organizuar, larjes së parave, trafikut të qenieve njerëzore etj. Kjo është një gjë që në thelb funksionon shumë mirë, por që ende mund të përmirësohet.

A mund ta sqaroni pak më konkretisht për rajonin, çfarë do të thotë kjo për sigurimin e kufijve, çfarë marrëveshjesh janë lidhur, si do të angazhohet Frontex-i në të ardhmen më fort?

Dihet që aktualisht në BE po zhvillohet një diskutim për mënyrën si duhet trajtuar migrimi, valët e ardhshme të migrimit. Dhe e përbashkëta që theksohet është, që për këtë, do të na duhet të përgatitemi. Dhe pjesë e këtyre përgatitjeve është që të vazhdojë bashkëpunimi këtu me vende partnere në Ballkanin Perëndimor, të cilat luajtën një rol shumë konstruktiv në valën e migrimit në 2015-ën. Prej viteve 2013-2014 BE ka investuar më shumë se 320 milionë euro në trajnimin dhe në pajisjen si dhe në mbështetjen financiare për këto vende, kur bëhet fjalë për trajtimin e migrimit. Këtë mbështetje do ta vazhdojmë të tillë. Tani është fjala që në një rast urgjent, punonjës të Frontexit të mund të vendosen në këto vende.

Në lidhje me luftimin e terrorizmit ka që tani diskutime dhe marrëveshje me Europolin. Si do të jetë ky bashkëpunim në të ardhmen?

Këtu ka marrëveshje që Europol të hapë në kryeqytetet e veçanta nga një Zyrë Ndërlidhjeje, që të bashkëpunojë ngushtë me forcat lokale policore dhe të garantojë në këtë mënyrë që të funksionojë komunikimi.

Pikërisht nga Austria vjen diskutimi për itinerarë të rinj refugjatësh në Ballkan, megjithëse shifrat nuk flasin fare për këtë, por kjo është një temë që dominoi fort edhe këtu në samit. Krahas aspekteve të sigurimit të kufirit, për çfarë u ra dakord në lidhje me pranimin apo përcjelljen e refugjatëve?

Bosnjë-Hercegovina është aktualisht veçanërisht në fokus, sepse këtu, disa vetë, më të vërtet disa vetë, përpiqen që të hyjnë në BE. Ne këtu e mbështesim qeverinë dhe administratën e Bosnjë-Hercegovinës p.sh. për vënien në dispozicion të strehimeve, që për dimrin p.sh. të merren masat e duhura, po të jetë e nevojshme që njerëzit këtu të kenë strehim dhe ushqim.

Nga ana tjetër, fjala është që ne të bashkëpunojmë me institucionet lokale, që në rast nevoje të bëhen riatdhesime, në mënyrë që këtu të mos krijohet fare situata, që njerëzit që nuk kanë fare perspektivë që të marrin azil të kthehen në vendet e origjinës së tyre.

Tiranë e Shkup: “Javën e ardhshme nis procesi përgatitor për negociatat”

Një temë që u diskutua këtu është edhe afrimi me BE, vazhdimi i negociatave të anëtarësimit, të ravijëzuara me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Që javën e ardhshme kjo punë do të kalojë në një fazë konkrete.Çfarë mund të na thoni që tani konkretisht për këtë aspekt?

Javën e ardhshme do të jem si në Shkup, ashtu edhe në Tiranë, për të asistuar, kur të përgatisim procesin përgatitor, të ashtuquajturin screening për fillimin e mundshëm të negociatave vitin e ardhshëm. Është patjetër e nevojshme që ne të bëjmë një lloj inventari se ku ndodhet vendi përkatës kandidat në të gjitha aspektet e tij juridike në krahasim me gjendjen juridike në BE, dhe në bazë të gjendjes të caktojmë objektin e negociatave.

Kjo është një punë shumë e gjerë dhe do të varet shumë që sa të angazhuar do të kontribuojnë të dyja vendet për këtë, por gjithsesi kjo është diçka që besoj se do të jetë e tillë.

Problemi i sundimit të ligjit është një problem i rëndësishëm në të gjitha negociatat. Në vendet e Ballkanit Perëndimor ka ngecje në vend e edhe hapa pas. Cilat janë hapat e ardshëm që shihni këtu?

Secili vend ka detyrat e tij të shtëpisë. Shqipëria, për shembull, ka në këtë drejtim arritje për t’u shënuar me reformën e saj të gjerë të drejtësisë, e cila tani ndodhet në fazën e zbatimit me asistencë ndërkombëtare. Kjo vlen në fakt për të gjitha shtetet e rajonit, veçanërisht përsa i përket rritjes së pavarësisë, cilësisë, profesionalizmit dhe të transparencës së drejtësisë, për të fituar edhe besimin e qytetareve dhe qytetarëve në këto institucione. Kjo pasqyrohet në fund në tërheqjen e investorëve të huaj, kur ata mund të kenë besim te një drejtësi funksionuese dhe e pavarur.

Muajin e ardhshëm përfundon raporti për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ju ravijëzuat që që muajin e ardhshëm do të bëhet hapi pasues për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kur do të ndodhë kjo dhe cilat do të jenë hapat e ardhshëm?

Ne ndodhemi në redaktimin përfundimtar të raportit tonë, sepse dihet që Kosova kishte edhe dy pika të hapura. Njëra është zgjidhur, pra vendimi dhe adaptimi përkatës në kushtetutë i një konflikti kufitar me Malin e Zi. Kjo tani është sqaruar.

Dhe e dyta është një zhvillim i qendrueshëm i vazhdueshëm në luftë kundër kriminalitetit, kundër kriminalitetit të organizuar. Nga ana jonë në maj dërguam një mision dhe tani raporti është në fazën përfundimtare. Sapo të përfundojë kjo dhe unë besoj që do të përfundojë pozitivisht, ne do të japim përfundimisht dritë të gjelbër.

Kufiri detar Greqi – Shqipëri: Hahn “Jam shumë optimist”

Si një përparim ju ravijëzuat edhe një sukses në grindjen kufitare midis Greqisë dhe Shqipërisë. Çfarë mund të na tregoni për këtë?

Hahn: Midis Greqisë dhe Shqipërisë ka një sërë çështjesh ende të hapura. Edhe këtu ka pasur për disa muaj negociata të mira dhe njëra nga temat është sqarimi i kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Shpresoj që këtu të prezantohet së shpejti një zgjidhje, sepse edhe kjo bën pjesë në këtë grup temash, që një anëtar të ri ne mund dhe duam ta pranojmë vetëm atëherë kur janë zgjidhur të gjitha konfliktet bilaterale. Po unë jam shumë optimist, që kjo do të jetë e mundur të realizohet në javët e ardhshme.

Procesi i Berlinit – bilanc i ndërmjetëm

Pra përsa i përket procesit të zgjerimit ka përparime, në një kohë që procesi i Berlinit ka ngecur pak. Si e shihni të ardhmen e procesit të Berlinit?

Unë në asnjë mënyrë nuk shoh që procesi i Berlinit të ketë ngecur, sepse procesi i Berlinit ka ofruar iniciativa mjaft të rëndësishme dhe ka dhënë shtysa të tilla, veçanërisht përsa i përket bashkëpunimit rajonal.

Me të vërtetë ne kemi përparime të mira në projektet ndërkufitare infrastrukturore, masat e para ndërtimore janë vënë në rrugë të mbarë, përsa u përket rrugëve dhe shinave; kemi pasur një takim të nivelit të lartë për digjitalizimin shumë premtues. Nga njëra anë aty u bë fjalë për hardware, për infraskturë të IT, por edhe për software.

Ajo ku jemi me të vërtetë pak mbrapa, dhe që ishte njëri nga pikësynimet, është bashkëpunimi në fushën energjetike, si përsa i përket prodhimit të energjisë, ashtu edhe përsa i përket shpërndarjes së saj. Nga ana tjetër kemi shënuar përparime të mira në zhvillimin e një hapësire ekonomike, sepse për shumë vjet këtu nuk ka pasur përparime në vëllimin e tregtisë, në një kohë kur tregtia me Evropën është dyfishuar në dhjetë vitet e fundit në 46 miliardë euro. Por në vitin 2017 kemi pasur rritjen e parë, 13 përqind të tregtisë ndërrajonale dhe kjo mund të rritet edhe më tej po të arrijmë që ta zhvillojmë këtë hapësirë të përbashkët ekonomike, ku të eleminohen barrierat e kontrollet doganore, ku të kemi një njohje reciproke të çertifikatave e kështu me radhë, këtu ka ende shumë për të bërë.

Pra procesi i Berlinit vazhdon, vitin e ardhshëm në Poloni. Cilat do të jenë për mendimin tuaj pikërëndesat?

Hahn: Kjo duhet diskutuar me miqtë polakë. Mendoj që polakët kanë një përvojë të shkëlqyer me përdorimin e mjeteve të fondeve strukturore – po ta shikoni Poloninë ajo është një vend që lulëzon, jo së fundi edhe me mbështetjen e BE. Po për këtë duhen edhe njohuri, ekspertizë në vend që mjetet të mund të tërhiqen. Dhe nga kompetenca ime e mëparshme si komisari përgjegjës e di që kjo është një sfidë. Që të përballesh që herët me këto gjëra është gjithmonë mirë. Në plan afatgjatë, synimi duhet të jetë që të gjitha konferencat përkatëse, që kanë të bëjnë me rajonin të zhvillohen po në rajon, sepse kjo e forcon mendimin e autorësisë.

Johannes Hahn është Komisari për Zgjerimin i BE. Intervistën e zhvilloi në Londër Adelheid Feilcke.

Filed Under: Politike Tagged With: Johannes Hahn, pergatitjet, Shkupi, tirana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT