• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2018

PRIZREN-DOKUFEST SHPALL PROGRAMIN, 100 FILMA GARUES

July 6, 2018 by dgreca

2 Prizren-Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, e nisi udhën e tij në vitin 2002, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë/1 DokuGazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/4 Prizren

PRIZREN, 6 Korrik 2018/  DokuFest ka shpallur sot programin e filmave garues për edicionin e 17-të, i cili do të mbahet nga data 03 – 11 gusht në Prizren, Kosovë.7 Priz

Festivali do të shfaqë 100 filma në gjashtë kategoritë garuese të tij e që përfaqësojnë 40 shtete – përfshirë dhjetë premiera botërore, katër premiera ndërkombëtare dhe një numër të premierave evropiane dhe rajonale. Të gjithë filmat tjerë që shfaqen në festival do të kenë premierën kosovare.3 Prizren

Organizatorët deklaruan sot në Prizren se, filma dokumentarë të jashtëzakonshëm si dhe një numër i mrekullueshëm i filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale është çka e karakterizon përzgjedhjen e këtij edicioni. Një numër i filmëbërësve do të rikthehen të prezantojnë filmat e tyre për herë të dytë ose tretë në festival, ndërsa programi përfshinë edhe filmëbërës të rinjë, puna e të cilëve prezantohet nëpër seksionet garuese.

Në ditët në vijim festivali do të vazhdojë të shpallë programet tjera speciale, përfshirë edhe programin e njohur View From the World si dhe programin e kuruar për temën qendrore të festivalit ‘Reflektimi’.

“Të guximshëm dhe avanturistikë, kështu do t’i etiketoja shumë prej filmave dhe regjisorëve pas tyre”, tha Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i festivalit.

“DokuFest vazhdon të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Prizren dhe Kosovë dhe ne jemi të kënaqur që edhe njëherë jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga filmëbërërit e ri dhe mjeshtërat e kinemasë”, shtoi ai.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.

 

PROGRAMET GARUESE:

GARA E DOKUMENTARËVE TË BALLKANIT

GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMBËTAR

GARA E FILMAVE TË SHKURTËR

GARA E DOKUMENTARËVE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

GARA E DOKUMENTARËVE TË MJEDISIT

GARA KOMBËTARE 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 100 Filma, Behlul Jashari, Doku, Prizren

VENDIMI I BE DHE DETYRAT E SHQIPTARЁVET

July 6, 2018 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

Sesioni i fundit i kryetarёve tё Shteteve e Qeverive tё BE, I u kushtua krejtёsisht çёshtjes sё emigrantёve, problemi i tё cilёve doli mё i vёshtiri sot nё tryezat e Evropёs. Mbas njё maratone prej mё shumё se 12 orёsh, mёndjet e trallisura nga pagjumёsia tё pjesёmarrёsve, miratuan njё rezolutё qё nuk zgjidhi asnjё nga problemet pёr tё cilёt ishin mbledhur. Secili prej tyre u mundua tё tёrhiqte jorganin mbi vete e pёrfundimi qe njё fitore pёr tё gjithё, qё panё tё shkruar tё zezё mbi tё bardhё, secili mendimin e tij, por njё humbje pёr Evropёn, qё bёri njё hap tё madh mbrapa, duke mos qenё nё gjёndje tё harmonizonte kёrkesat qё vinin nga anё tё ndryshme e qё ishin tё kundёrta me njёra tjetrёn.

N’atё tubim ishte planifikuar dhe diskutimi I kёrkesave shqiptare e maqedonase pёr tё filluar bisedimet pёr pranimin nё BE. Kjo çёshtje, qё u prit me shumё besim nga qeveritё ballkanase, nё atmosferёn e ndezur, tё mbarsur me ndryshime tё theksuara idesh e programesh, nga organizatorёt u vendos tё shqyrtohej njё ditё mё parё, nё mbledhjen e ministrave tё jashtёm tё Bashkimit. Megjithё vendimin e komisionit dhe pёrpjekjet e komisarёve tё tij pёr tё oksigjenuar opinionet publikё dhe klasat politike tё Ballkanit perёndimor, duke propaganduar prej kohёsh 29 qershorin si datёn kur Evropa do tё hapte dyert pёr Shqipёrinё dhe Maqedoninё, Kёshilli i ministrave tё Jashtёm rrёzoi kёrkesёn, jo haptas, siç kishte bёrё pёr rreth njёzet vite tё shkuara, por me njё mёnyrё tё maskuar, duke caktuar si datё atё tё njё viti mё vonё, pra tё qershorit 2019.

Do t’i kishim besuar sinqeritetit t’atij vendimi, sikur tё mos kishte nё majin 2019 zgjedhje tё reja pёr Parlamentin evropian. Ato zgjedhje, me gjasё, ka mundёsi qё tё pёrmbysin barazpeshat politike tё Bashkimit e tё venё nё diskutim gjithё punёn dhjetravjeçare qё ёshtё kryer deri tani nё dobi tё proçeseve tё integrimit e tё zgjerimit tё Bashkёsisё. Ёshtё njё hamёndje, aspak pёr t’u pёrjashtuar, qё forcat politike “sovraniste”, tё cilat aktualisht qeverisin nё pjesёn mё tё madhe tё Evropёs Lindore, nё Austri, Itali, tё pёrkrahura hapur apo fshehur nga SHBA dhe Rusia, tё forcohen aq shumё nё nivel evropian, sa tё venё nё diskutim nё njё optikё, sa tё re aq edhe tё vjetёr, gjithё politikёn e deritashme tё Bashkimit, pёrfshirё kёtu edhe zgjerimin e tij nё jugёlindjen e kontinentit.

Nёse Bashkimi i tanishёm nuk ёshtё nё gjёndje tё gjejё gjuhёn e pёrbashkёt pёr tri apo katёr anije me mёrgimtarё nga Vёndet me probleme tё njohura pёr tё gjithё, si pasojё e njё mendёsie qё gjen gjithёnjё e mё shumё idhtarё, sipas sё cilёs mёrgimtarёt sjellin pasiguri, varfёri, vёnё nё rrezik “sovranitetin”, kulturёn kombёtare etj., si do tё gjykojnё mbas njё viti drejtuesit e forcave populiste, qё mund tё kenё njё fuqi zgjedhore tё mjaftueshme pёr t’i vёnё vulёn çdo vendimi tё Bashkёsisё?

Pёrgjigja qё mori Shqipёria, pёr mendimin tim modest, nuk ёshtё aspak inkurajuese, pavarёsisht fjalёve tё bukura qё mund tё vazhdojnё tё thonё autoritetet e Komisionit pёr mediat apo politikanёt tanё. Kёta tё fundit, nёpёrmjet gojёve tё kryeministrit apo ministrit tё Jashtёm, e kanё gjetur pёrgjigjen nga Evropa “shumё tё mirё”, edhe se nuk mungojnё tё shprehin idenё se “duhet njё punё shumё e madhe nga ana e jonё”. Deri para 29 qershorit ata kishin njё besim tё tepruar nё faktin se vendimi do t’ishte pozitiv, mbasi “i kishin bёrё tё gjitha detyrat e shtёpisё” e se tani Bashkimi e kishte pёr detyrё tё hapte dritёn jeshile. Duke anashkaluar problemet qё Opozita e Pd kishte kohё qё i kishte vёnё mbi tryezё, qeveritarёt ndoshta fjetёn mbi dafina, aq sa ndonjёherё nuk munguan “ tё frikёsojnё” Brukselin se mund tё ketё nё horizont tё tjera alternativa pёr Ballkanin dhe shqiptarёt, paçka se ato ishin kthime prapa nё kohё tepёr tё hidhura pёr Shqipёrinё. Sigurisht, qeveritarёt e Evropёs qё i njohin mirё problemet tona prej mё shumё se njё shekulli e gjysmё, kanё vёnё buzёn nё gaz me ironi, mbas ndonjё daljeje “tё fortё” tё kryeministrit tonё, por nuk reshtin sё vёni kushte, tё cilёt ne nuk i plotёsojmё, madje edhe nuk i pranojmё nё vetёdijen dhe qёndrimin tonё.

Ndёr ata kushte, qё pёrsёriten prej shumё vitesh, bёhet fjalё pёr “…. forcimin e proçesit tё hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dёnimeve pёrfundimtare nё luftёn kundёr korrupsionit dhe krimit tё organizuar, pёrfshirё edhe nё nivel tё lartё…”

            Nuk ka asgjё tё re, janё po ato kёrkesa e padi qё i dёgjojmё nё çdo fushatё zgjedhore nё gojёn e opozitave qё synojnё tё marrin pushtetin. Me marrjen e tij, tё gjitha paditё shkrihen si kripa n’ujё dhe administrata e re paraqitet si model virtuozizmi dhe aftёsie sendёrtuese, madje dhe atёherё kur paditё marrin pёrmasa tё pёrbindёshme si ato qё i janё bёrё ministrave tё brёndshёm tё dy qeverive tё fundit. Ka mё shumё se njё tё katёrt shekulli qё flitet pёr luftё kundёr korrupsionit e krimit tё organizuar. Pёrfundimet e kёsaj “lufte”, me pёrjashtime shumё tё rralla janё pothuajse zero. Shkohet pёrpara gjithёnjё me padi tё ndёrsjellta tё njё ngjyre politike kundrejt tjetrёs, por dukuritё jo vetёm nuk pakёsohen por njohin rritje, duke kllaposur shtresa tё gjёra tё shoqёrisё.

Vitet e fundit, si pasojё e njё strategjie tё vёnё nё zbatim me porosi tё “dhomave tё sustave” tё pushtetit, apo tё paaftёsisё sё plotё pёr tё kontrolluar kursin e ngjarjeve, Shqipёrinё e ka mbuluar droga. E zgjedhur kjo si mёnyra mё e mirё pёr tё siguruar fitime shumё tё mёdha, duke shkёrbyer modele tё njohura tё botёs bashkёkohore, gjeti njё zhvillim shumё tё fuqishёm, i pamundur tё arrihet nёse nuk ka bashkёpunim institucional. Por deri tani nuk ka asnjё proçes gjyqёsor qё tё vёrtetojё dhe tё nxjerrё nё pah pёrgjegjёsitё e mundёshme tё “peshqve tё mёdhenj”. Madje edhe Drejtёsia e “reformuar” nё figurat e zonjave tё prokurorisё sё pёrgjithёshme, deri tani, mbas disa muajsh pune tё heshtur, nuk ka dhёnё asnjё shenjё ndryshimi.

“Ka njё gjykatёse nё Bukuresht, njё gjykatёse kundёr korrupsionit qё, nё pesё vjet, ka hetuar 1200 funksionarё publikё dhe ka arrestuar mё shumё se njёmijё. Kjo gjё pёrbёn tashmё njё problem politik nё njёrin nga vendet mё tё korruptuar tё Evropёs..”   shkruante pak ditё mё parё e pёrditёshmja mё e madhe italiane “Corriere della Sera”. E solla kёtё fragment pёr tё bёrё njё krahasim mes asaj qё bёn Drejtёsia nё njё tjetёr Vёnd tё korruptuar si Rumania, pёr tё kuptuar se sa larg jemi ne nga synimi i tё luftuarit tё korrupsionit. “Ndёrmjet arrestimesh e hetimesh kanё rёnё nё hall 14 ministra, 39 zёvendёs-ministra, 14 senatorё, njё eurodeputet.” Jo mё kot titulli i shkrimit ishte “Gjykatёsja rumune kundёr korrupsionit qё bёn tё dridhen pallatet e pushtetit”.

Ne sot krenohemi me vettingun, madje jemi shumё “ballёlartё” se kemi kaluar nё sitё disa gjyqtarё qё janё tunduar pёr tё marrё rushfet, pёr t’u pasuruar mё shumё se sa u lejonte fitimi i ligjshёm, duke tjetёrsuar vendimet gjyqёsore nё dёm tё dikujt a tё njё pale njerёzish. Shumё mirё. Por ritmet e proçesit janё tepёr tё ngadalёshme, edhe duke mbajtur parasysh vёshtirёsitё e praktikёs. Uroj qё pёrfundimi i atij proçesi tё jetё krijimi i njё organizmi tё Drejtёsisё sё pavarur, tё aftё qё tё hetojё shpёrdorimet shumё mё tё mёdha tё politikёs apo biznesit. Me kёtё nuk kёrkohet n’asnjё mёnyrё Shteti policor, nё tё cilin Drejtёsia tё jetё njё mashё e pushtetit politik, por Shteti i sё Drejtёs, nё tё cilin qytetari tё jetё i garantuar nё tё drejtat e liritё e tij themelore, nё tё cilin mirёqёnia e secilit tё jetё frut i aftёsive dhe punёs sё ndershme dhe jo i paligjshmёrisё sё mbrojtur nga ligji. Atёherё mund tё themi se kemi plotёsuar njё pjesё tё detyrave tona, jo kundrejt Evropёs dhe institucioneve tё saj, por kundrejt vetes sonё e qёnies si njё popull i njё Shteti demokratik.

Pjesa tjetёr ёshtё e lidhur me politikat ekonomike qё, nё 27 vjet, nuk kanё pёrmirёsuar nё masёn e duhur nivelin e pёrgjithshёm tё jetesёs sё popillsisё. Nё kёtё drejtim, nё vend tё njё politike qё do tё duhej tё kishte vlerёsuar mundёsitё potenciale tё Vendit, kryesisht nё nёntokё, energjitikё, bujqёsi e blegtori, nёpёrmjet konçesioneve tё dobishme e tё ndershme, ёshtё parapёlqyer rritja e taksave tej masёs sё pёrballueshme nga mundёsitё reale tё popullsisё. Taksat mbi rrugёt, kur karburanti, nё tregtimin e tij, sjell njё fitim prej 110 lekёsh pёr çdo litёr, ёshtё krejtёsisht e paligjёruar, madje mund tё quhet njё grabitje e hapur. Vlen tё vihet nё dukje nё kёtё rast se popuj me njё nivel jetese shumё herё mё tё lartё se i yni, pёr rrugё nё standartet mё tё larta tё mundёshme, nuk paguajnё asnjё taksё. Tё tillё janё shtete si Gjermania, Hollanda, Belgjika dhe Spanja. Austria parashikon njё abonim vjetor prej 87.30 euro, Zvicra prej 35.60 euro, kurse tarifat mё tё larta i ka Italia, tё cilat megjithatё nuk arrijnё vlerёn e tarifёs sё Rrugёs sё Kombit.

“Kёshilli vёren se dialogu i qёndrueshёm dhe konstruktiv midis Qeverisё dhe Opozitёs, mbi reformat e lidhura me BE, mbetet thelbёsor pёr tё avancuar nё agjendёn e reformёs, nё dobi tё qytetarёve dhe pёr tё afruar Vendin mё paranё Be-sё.” Pёrfundon dokumenti i kёshillit tё ministrave tё Jashtёm tё Bashkimit evropian. Siç shihet detyrat janё edhe tepёr tё dukёshme e tё vёshtira, mbasi nё tё vёrtetё dialogu i uruar ёshtё ai qё zhvillohet mes shurdhёsh. Kundёrvёnia e jashtёme pozitё – opozitё, qё nuk mban parasysh as mё tё paktёn kёrkesё tё kodit etik tё politikёs, qё e ka kthyer atё nё njё harbutёri ordinere tё neveriёshme, mbetet njё tjetёr pengesё pёr tё shkuar pёrpara.

Diskutohet me muaj pёr njё ministёr tё Brёndshёm, mobilizohen dhjetra mijra vetё pёr tё dalё nё sheshe e pёr tё kёrkuar dorёheqjen e tij dhe ministri qёndron ende nё zyrёn e tij. Edhe sikur tё jetё krejtёsisht i pastёr e i ndёrgjegjshёm, madje dhe shumё i aftё nё punёn e tij, episodi i vёllait, tё dёnuar pёr trafik e shpёrndarje droge nё formё tё prerё e tё mbajtur nёn sqetull nё Shqipёri pёr tё mos e kryer atё dёnim, ёshtё nё vetvete motiv i mjaftueshёm pёr tё mos qёndruar nё sferat e larta tё politikёs. Politika, pёr tё mos qenё e praktikuar n’ata nivele, nuk ka nevojё pёr vendime gjyqёsore, mjaftojnё edhe nenet e kodit moral pёr tё qenё vendimtarё. Mos tё harrojmё se ka patur ministra tё Evropёs qё kanё dhёnё dorёheqjen sepse dikush ka zbuluar mbas shumё vitesh se nё tezёn e diplomёs kishte diçka tё kopjuar, apo se ka mbajtur nё tё zezё pёr pak kohё shёrbёtoren e tё tjera raste tё kёtyre llojeve. Ky duhet tё jetё morali i politikanit qё duhet tё japё shembull, sigurisht jo si ai i z. Xhafa me vёllain e tij.

Ishin kёto disa nga pёrsiatjet e kaluara nё mёndje kur mora lajmin e shtyrjes pёr njё vit tё fillimit tё bisedimeve me BE. Sigurisht nuk ёshtё njё tragjedi kombёtare, nёse mbas njё viti nuk do tё ketё mё zvarritje tё tjera. Ёshtё njё pjesё tjetёr e sё pёrpjetёs sё rrugёs sonё drejt Evropёs. Si e tillё kёrkon mund e punё, por mbi tё gjitha njё proçes tё thellё vetёdijesimi pёr atё qё jemi e pёr botёn qё na rrethon e synimet tona nё lidhje me tё. Duke mos humbur besimin tek Evropa dhe projekti i saj i pakthyeshёm, duke e quajtur atё si tё vetmen mundёsi tё Shqipёrisё pёr tё shkuar pёrpara nё rrugёn e saj historike nё botёn e sotme. Sirenat e kundёrta me kёtё bindje, lavdi Zotit, deri tani nuk kanё jehonё tek ne.

Edhe BE si bashkёsi njerёzore, nuk ёshtё e imunizuar nga mangёsitё e tё metat, por nuk duhet tё harrojmё se ajo i siguroi kontinentit per afёr tre tё katёrta tё shekullit,paqe, liri, mirёqёnie, kufij tё hapur, qiej tё hapur…. Prandaj e ardhmja jonё ёshtё e lidhur me tё, prandaj ne nuk duhet tё lodhemi kurrё sё punuari pёr t’a sendёrtuar atё synim, cilat do qofshin pengesat nga vetё ne e nga tё tjerёt.

Korrik 2018

Filed Under: Opinion

HYMNI I SHBA – FLAMURI I STËRPIKUR ME YJE

July 6, 2018 by dgreca

– Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ/

1 American-Flag-Eagle

O thuaj, a sheh ti, në agshol të dritës herët,
Sa krenarë atij iu falëm në të fundmen rreze dite?
Vijave të tij dhe yjeve të tij, mes betejës rrezikjete,
Mbi fortesa e shikuam, ku plot nur ai valvitet?

Dhe vezllimi i raketave, plasja e bombave mbi krye,
Na dëshmonin përmes natës se flamuri ynë lart qëndronte.
O, thuaj se prapë valvitet Flamuri i spërkatur me yje
Përmbi dhèun e njerëzve të lirë e mbi atdheun e dragojve.

Mbi bregdet i fanitur përmes mjegullave të largësisë,
Ku armiqtë e egër shtrihen në heshtjen lemeritëse,
Çfarë është ai që na flladit, sipër shkrepave të thikët,
Sa hap krahët, sa pulitet, sa prapë ai valvitet?

Tani ai kap të parën rreze që lëshon agu përmbi tokë,
Në lavdi krejt i praruar, tani ndrin mbi këto troje:
Ky flamur stërpikur yjesh. Sa të jetë jeta ai valoftë
Përmbi dheun e njerëzve të lirë e mbi atdheun e dragojve.

Pra ku është ajo skotë që me mburrje bëjnë bè
Se kërdia e betejës dhe e luftës janë bezdira,
Pa shtëpi dhe pa atdhe dashkan të na lënë ne?
Gjaku i tyre lau gjurmët e thundrave të tyre të ndyra,

S’ka strehë që mercenarin as dhe skllavin ta shpëtojë:
Nga tmerri i arratisë a nga terri i varrit gropë:
Dhe Flamuri i spërkatur me yje në triumf po valon
Përmbi dheun e njerëzve të lirë e mbi atdheun e dragojve.

O kështu të jetë gjithnjë kur njerëzit e lirë do qëndrojnë
Në mes shtëpive të dashura dhe furisë së betejës,
Të bekuar me fitore dhe me paqe, lavdi i qoftë
Gjithëfuqisë që e krijoi dhe na e fali ne atdheun!

Dhe sulmues do të jemi, në emër të drejtësisë,
Dhe kjo është motoja jonë: “Në Zot ne besojmë!”
Dhe flamuri i stërpikur me yje në triumf do të valvitet
Përmbi dheun e njerëzve të lirë e mbi atdheun e dragojve!

THE STAR- SPANGLED BANNER

O say, can you see, by the dawn’early light,
What so proudly we hail’d at twilight’s last gleaming?
Whose broad stripes and bright stars, thro’ the perilous fight,
O’er the ramparts we watch’d, were so gallantly streaming?

And the rockets’ red glare, the bombs bursting in air,
Gave proof thro’the night that our flag was still there.
O say, does that star- spangled banner yet wave
O’er the land of the free and the home of the brave?

On the shore dimly seen thro’ the mists of the deep,
Where the foe’s haughty host in dread silence reposes,
What is that which breeze, o’er the towring steep,
As it fitfully blows, half conceals, half discloses?

Now it catches the gleam of the morning’s first beam,
In full glory reflected, now shines on the stream:
‘Tis the star-spangled banner. O, long may it wave
O’er the land of the free and the home of the brave!

And where is that band who so vauntingly swore
That the havoc of war and the battle’s confusion,
A home and a country should leave us no more?
Their blood has wash’d out their foul footsteps’pollution,

No refuge could save the hireling and the slave
From the terror of flight or the gloom of the grave:
And the star- spngled banner in triumph doth wave
O’er tha land of the free and the home of the brave.

O thus be it ever when free-men shall stand
Between their lov’d home and the war’s desolation,
Blest with vict’ry and peace, may the heav’n- rescued land
Praise the Pow’r that hath made and preserv’d us a nation!

Then conquer we must, when our cause it is just,
And this be our motto: “In God is our trust!”
And the star-spangled banner in triumph shall wave
O’er the land of the free and the home of the brave!

4_July_1776a

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Elida Buçpapaj, HYMNI I SHBA

TONIN MIRAKAJ- NE VEND TE KARTOLINES PER DITELINDJE

July 5, 2018 by dgreca

tony.IMG okme antonio belushin.IMGMe rugoven ne NY 1989.IMG_000828 nent 1994.IMG10 shtator 72.IMGme meksin.IMG_0008'94 me liolin.IMG

Vatra, një “pasuri” e çmushme, që gjenerata e re duhet ta çojë më të konsoliduar në shekullin e dytë./

dalip & Tonin

NGA DALIP GRECA*/

Tonin Mirakaj e ka nisë veprimtarinë në Federatën Vatra që në vitin 1961, pesë vite pasi kishte lënë vendlindjen. Me 20 shtator 1956 familjarisht ishin larguar nga Shqipëria për të fituar lirinë, por sapo shkelën në Jugosllavi, e ndjenë se kishin rënë nga shiu në breshër.Sistemet e qeverisjes dhe shtypjes të drejtave njerëzore, ngjasonin si vëllezërit siamezë. Gjithësesi azilkërkuesit shqiptar përfitonin në atë kohë nga që mes dy shteteve vazhdonin mosmarrëveshjet ideologjike. Sipas z. Tonin Mirakaj egzistonte edhe një tjetër faktor i favorshëm për emigrantët azilkërkues:Jugosllavia si nënshkruese e traktatit të Kombeve të Bashkuara për tëdrejtat njerëzore, duhej të pranonte refugjatë politik, për të cilët edhe merrte ndihma të konsiderueshme nga Komisariati i Lartë i Refugjatve në Gjenevë.Natyrisht që këto ndihma kontrolloheshin nga shërbimi sekret i shtetit, UDB-a, që fuste në rrjetën e saj refugjatët shqiptar.Gjuetia e UDB niste me ata që ishin të njohur, nëse nuk pranonin të futeshin në agjenturën e shërbimit sekret për t’u përdorur kundër Shqipërisë, atëherë futeshin në lsitën e armiqëve të Jugosllavisë dhe asgjësoheshin.

Në fund tëvitit 1959, Toninin me vëlla e motra i dërguan në kampin e refugjatëve të Gerovës në Kroaci.Kalimi nga Kroacia për në Perëndim ishte një aventurë më vete, që nisi në gusht 1960. Zgjodhën mesnatën dhe së bashku me një mik të familjes lanë kampin në terr dhe u arratisën.Aventura zgjati plot katër ditë e net, duke zgjedhur rrugë të parrahura, shtigjeve të maleve të Kroacisë dhe Sllovenisë, arritën në Itali.

Mbërritjen e tyre në aeroportin “Idle Wild” të New York-ut dhe historinë që sillnin me vete e ka përshkruar Gazeta”Daily News” e datës 25 shkurt 1961.

Tonini pat fatin qëtëtakonte dhe të bashkëpunonte me disa nga përfaqësuesit historik të diasporës, që kishte ardhur në ShBApas Luftës së II Botërore. Ai kujton se si njohu atdhetarë të tillësi :Miko Kokolari, nje patriot i vërtetë, dhe një ndër udhëheqsit e Vatrës. Profesor Nexhat Peshkëpia, editor i gazetës “Shqiptari i Lirë”, Prof. Rexhep Krasniqi, kryetar i Komitetit Shqipëria e lirë, Ing.Vasil Gërmenji, përfaqësues i Shqipërisë, në organizatën e kombeve të robëruara,A.C.E.N. ( Assembly of European Captive Nations), Kostandin Vangjel, sekretar i komitetit dhe të tjerë.

Në majin e vitit 1961, ai kujton se  kishte shkruar një tregim dheia dërgoi gazetës “Shqiptari i Lirë”. Pas pak ditësh mori një telefonate nga Prof. Peshkëpia, icili e ftoi për një takim në zyrën e tij, që ishte në14 East 34th Street, në Manhattan,N/Y.Profesori e priti me dashamirësi.Takimi i ka mbetë në kujtesë.Tregimi i shkruar nga Tonini“Kokrrat e Misrit” u botua në qershor të vitit 1961. Nexhatit i kishte pëlqyer tregimi, dhe e inkurajoi.U botuan disa tregime e shkrime dhe bashkëpunimi me “Shqiptari i Lirë” vazhdoi deri në vitin 1991, kur u mbyll.

Tonini kujton se me kërkesën e Kryetarit të Komitetit Shqipëria e Lirë, prof. Rexhep Krasniqit dhe bashkëpunëtorve të tij, ai kryesoi kremtimin e 28 Nëntorit të vitit 1970, ku morën pjesë me qindra shqiptarë dhe amerikanë, si dhe përfaqësues të 9 shteteve të Europës Lindore, antarë të A.C.E N.it. E ka përcjellë këtë ngjarje gazeta Shqiptari i Lirë, Nëntor-dhjetor 1970.Por kur dhe nëç’rrethana shkoi Tonini në Vatër?

Profesor Nexhat Peshkëpia, që në takimin e parëe pat këshilluar qëtëzgjidhte një një shoqëri kulturale, siç ishte Federata“Vatra” dhe jo partitë politike qe kishin grindje.

Nëfund të bisedës, Prof. Peshkëpia i kishte dhene Kanunoren.E lexoi menjëherë.Pikat 1,2, 5 dhe 28, e binden se kjo ishte shoqeria, ku duhej të shkonte.U anëtarësua në verën e vitit 1961, 51 vite të shkuara.

Tonini sjell ndërmend disa “coffee houses” në zonën ku banonte,të cilat frekuentoheshin nga shqiptarët e vjetër, që nuk i kishin në sy të mirë emigrantët politik.Mendoninse Shqipëria ishte e lirë, me qeveri shqiptare, dhe emigrantët e pas luftës i cilësonin reaksionarë. Ishte vështirë të merrje përkrahje prej tyre.Bëntepërjashtim  Miko Kokolari, i cili përpiqej të balanconte marrdhëniet mes të vjetërve dhe emigrantëve politik. Me kalimin e kohës, kjo situatë ndryshoi. Miko e kishte zyrën në Revington Street,dhe aty u vinte në ndihmë emigranteve të rinj dhe të vjetër, pa dallim.Aty, gjendej gazeta Dielli, si edhe lajmërime të tjera për aktivitete në komunitet.

Tonini u anëtarësua në degën e Vatres # 29, N.Y.dhe N.J., e cila  bënte dy mbledhje në vit.Njëra ishte për të zgjedhur delegatët për në kuvend, që ishte i përmotshëm, dhe mbahej në Boston. E dyta mbas kuvendit, ku bisedohej për vendimet, që ishin marrë në kuvend, dhe zgjidhej udhëheqja e re e degës.Këto mbledhje, bëheshin në sallën e kulturës, pranë kishës Orthodokse të Shënkollit në 48th street, ndërmjet 10 dhe 11th avenue, në Manhattan.Në mbledhjen e parë që mori pjesë si Vatran, ndjeu një gëzim të veçantë.Në atë mbledhje kishte ardhë Hirësia e Tij Peshkop Fan S. Noli.Ishte hera e parë që e takonte.

Në kuvendin vjetor të vitit 1970-71, Tonin Mirakaj ishte një ndër delegatët e degës #29, N.Y. dhe N.J.

Kujton udhëtimin nga Nju Jorku së bashku me Muharrem Babameto, Agim Karagjozi, dhe HajdarTonuzin.Ishte kuvendi i parë që merrte pjesë dhe u takua edhe me Anthony Athanas, Barny Kirka,Gregory Chiriako, Kristo Thanas,Rev. Arthur Liolin. U njoh me delegatë nga shtete të ndryshme.Nga Detroit me ing. Ahmet Dervishi, dhe Fehmi Kokolari, nga Toronto, u njoh me Ibrahim

Kullën e të tjerë. U familjarizua me punimet e kuvendit vjetor, dhe zbatimin e kanunores, si edhe me kulturën dhe pjekurinë e vatranve të vjetër si Ramadan Ali Arza, Florence Pano, Nik Kreshpani, Pauline dhe Peter Lukas,Harry Stoja e të tjerë.Të gjithë kishin një dashuri të zjarrtë për Vatrën dhe Atdheun. Kjo shprehej në diskutimet në Kuvend.Përmes jetës në Vatër fitoi pjekurinë e një aktivisti që mori përsipër edhe organizimin e drejtimin e veprimtarive.

Tonin Mirakaj ka qenëanëtar  i bordit,i zgjedhur në disa kuvende, ka qenë zv/kryetar më 1980, 1981, 1982, ndërkohë që kryetar ishte Dr. Andrea Elia, dhe 1984-85 me kryetar Harry Stoja. Po ashtu ai është zgjedhur kryetar i Deges # 29 New York dhe New Jersey, 1978-79, me N/kryetar ing.Mahmut Tsungu, sekretarRasim Sina, arkëtar Zef P. Deda, dhe anëtare Nexhmije Zaimi,Ramiz Dani, Zef Perndoca e te tjere.Kakryer edhe detyrën eakëtarit tëkësaj dege me 1976-77, kur ishte kryetare zonja Nexhmije Zaimi.Detyrën e arkëtarit të degese ka kryer edhe më 1977-78,kur ishte kryetar Selahedin Velaj.

Ndër veprimtaritë ai veçon Seminarin  e vitit 1972,kushtuar 100 vjetorit të lindjes të At Gjergj Fishtës, ku ishte bashkorganizator me Muharrem Babameto, që u organizua nëWaldorf Astoria Hotel, ne New York. Po ashtu në kuvendin vjetor të vitit 1978, u zgjodh kryetar i kuvendit tëFederatës Vatra, mbajtë në Hilton Hotel, New York, duke patur si sekretar  Rasim Sina, dhe reporter Gjeto Sinishtaj. Në vitin 1979, ishte sekretar i kuvendit te Vatres, mbajtur ne Anthony’s Pier 4, ne Boston, Mass.Ndërkohë që në vitin 1982,Tonin Mirakaj ishte një ndër organizuesit e  seminarit të 100 vjetorit të lindjes së Fan S. Nolit, mbajtë në  New York Hilton Hotel.Ai qe përgjegjës për mbledhjen e ndihmave për shpenzimet e rastit, dhe botimin e librit “Flamurtar i Kombit”, me autoreditorin e Diellit, Edward Licho.

Kronika e pjesmarrjes së tij në veprimtaritë e Vatrës është e pasur: Me 6 nëntor 1983 ishte folësi kryesor në drekën organizuar nga Vatra, për nder të editorit tëgazetës Dielli,z.Xhevat Kallajxhi, mbajtë në Anthony’s Pier 4, në Boston.Fjalimi gjendet në Dielli,March 16,1984.

Në vitin 1984,Mirakaj ishte sekretar i kuvendit të Vatrës,që u mbajt në Detroit, Michigan, ku u kremtua edhe 75 vjetori i gazetës Dielli, ndërsa nëkremtimet e 28 nëntorit 1994, kryesoi kremtimet e festës së Flamurit, që u mbajt në New York Hilton, organizuar nga Vatra, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar.

Tonin Mirakaj ka kryer edhe detyrën e sekretarit për  Vatra’s Permanent Fund, me kryetar ing. Agim Karagjozin.Po ashtu ishte anëtar i  Vatra’s “Konstitutional Revision Committee”, bashkë me profesor Sami Repishti, Harry Stoja, Agim Karagjozi e të tjerë si dhebashkorganizator me ing. Agim Karagjozin i transferimit të eshtrave të Faik Konicës, në Atdhe, 1995.

  1. Miraka ka punuar me disa kryetarë të Vatrës, si me Kristo Thanas,Nik Kreshpani, Barny Kirka,Gregory Chiriako, Ahmet Dervishi, dr. Andrea Elia, Harry Stoja, Arshi Pipa dhe ing.Agim Karagjozi. Ai pohon se tëgjithë kishin një dashuri të zjarrtë për Vatrën.Ka qenë në strukturat udhëheqëse nga viti 1970,deri më 1997. Ai veçon Anthony Athanas dhe Prof. Arshi Pipa.
  2. Mirakaj mendon se shkruhet e flitet shumë për 50 vitet e para të jetës së Vatrës,dhe fare pak ose aspak, për 50 vitet e dyta, përpjekjet dhe dedikimin e shumë vatranëve,për ta mbajtë dhe forcuar Vatrën.Nga kontribuesit udhëheqës të gjysmës së dytë të shekullit, ai veçon Peter Chikos,Kristo Thanas, Barny Kirka, Ramadan Ali Arza, Ing. Ahmet Dervishi, Dr. Andrea Elia, Pauline Lukas, Anthony Athanas. Nga aktivistët në degën # 29, New York dhe New Jersey, veçon Miko Kokolari, Vahit Çika,Muharrem Babameto, Nexhmije Zaimi,Petraq Ktona,Ing. Mahmut Tsungu e të tjerë.Nuk harron të përmend edhe editorët e Diellit Dr.Athanas Gega, Refat Gurazezi, dhe Xhevat Kallajxhiu.Të gjithë këta në Botën e Amshuar. Nga ata që ende janë në këtë Botë, çmon punën e ing Agim Karagjozit,Hajdar Tonuzit, prof. Sami Repishti, Selahedin Velaj, vëllezerit Seidi dhe Sabit Bitici, Zef Pernoca, kryetarit të tanishëm, Dr. Gjon Buçaj,Anton Çefa,Esat Bilali e të tjerë, të gjithëvatrane të “Dimrit dhe të Beharit”.

Vatrani gjysëmshekullor, mendon se Vatra ka meritën se ka ditur që të ruajë marrdhënie të shkëlqyera me bashkësitë fetare në Amerikë, veçanërisht në festën e Flamurit, aplikon rotacionin në lutjen fetare.Levizja kombetare e shqiptarve te Amerikes e ka bazen te Kisha Orthodokse dhe Vatra, qe u formua 3 vjet mbas Kishes.Të dyja mbështetën njëra tjetrën në mbrojtjen e interesave kombëtare. Keto institucione, paten ne fillim udheheqes te perbashket, qe kordinonin perpjekjet per te bashkuar mergaten shqiptare.Udheheqes te shquar, largpames, patriotë të

vertete dhe intelektualë te persosur si Fan S.Noli, Faik Konica,Llambi Çikozi, Kristo Kirka e shume te tjereorganizuan mitingje nder qytete e shtete, ku banonin shqiptare, dhe shumë shpejt themeluan Vatrën dhe degët e saj duke bashkuar në federatë më shumë se 5 mijë shqiptarë.

Për Mirakën shembull i veprimtarive të Vatrës mbetet kremtimi i 60 vjetorit te gazetes ‘Dielli’, ne Nëndor te vitit 1969, mesha ne Kathedralen e Shen Patrikut, ne Manhattan, New York,me celebrant kryesor Eminencen e TijTerence Cardinal Cooke, dhe pjesemarrje te mijra shqiptarëve, duke qene të pranishëm klerikë te tri besimeve, Katolik, Orthodoks dhe Musliman.Pati gjithashtu nje grup klerikesh dhe besimtaresh arbereshte ritit Bizantin,ardhur nga Italia.

Duke qenë një veprimtar aktiv, z. Mirakaj, ka qenë pjesë e pritjeve dhe përcjelljeve të personaliteteve nga trojet shqiptare. Ai veçon dr. Ibrahim Rugovën, që u ftua në ShBA në tetor 1989, nga Kisha katolike “Zoja e Këshillit të Mirë”, që organizoi  në Fordham University seminarin për 300 vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit. I ndjeri I.Rugova ishte nder folesit e seminarit, i ftuar nga komisioni organizator, që e kryesonte Tonin Mirakaj.Ai kujton se kaluan një javë bashkë nën shoqërimin e jë rrethi miqësh si: Dom Rrok Mirdites, Dom P.Popaj, Gjek Gjonlekaj, Fran Shala, Vellezerit Bitiçi,Simon Simolacaj,indieri Pretash Curanaj, etj.

Dr. Rugova kishte informacion të gjërë për Vatrën dhe konsideratë të lartë.Në përshëndetjen përpara ligjëratës mbi Bogdanin, ndër të tjera tha: “Nisma e kishës katolike shqiptare për tëshënuar  këtë jubile, është nismë e mirë…Pa ndonjë kompliment të tepruar, kjo nismë sikur e vazhdon traditën e Vatrës së Bostonit,ecila me decenie veproi në planin kulturor e kombëtar”.

Mirakaj kujton porosinë e Rugovës: “ Forcojeni Vatrën, se u duhet shqiptarëve”.

– E ndiej veten tëlumtur, që isha një ndër personat kryesor,që bënë të mundur, ardhjen e parë të dr. Rugovës në Amerikë, thotë Mirakaj.

Po ashtu ai kujton pritjen e dr. Berishës me 16 Qershor 1992, si presidenti i  parë i Shqiperisë demokratike:”I beme nje pritje madheshtore, me pjesemarrjene 2000 bashkatdhetarve në Hilton Hotel, në New York.Mbrëmja u kryesu nga z.Seidi Bityçi, fjalën përshëndetse e mbajti Profesor Sami Repishti.Komisioni përgatitës pati Co-Chairman z. Sokol Neçaj dhe Tonin Mirakën.

Ndër personalitetet e botës shqiptare, Miraka kujton me shumë dashuri, profesor Martin Camaj, icili kishte respekt dhe konsideratë tëveçantë  për Vatrën.Sa herë që vinte në Amerikë, e kishte mysafir në shtëpinë e tij.

Po ashtu kujton edhe takimin me presidentin Rexhep Mejdani në New York, ku Tonini ishte i ftuar së bashku me bashkëshorten në darkën e shtruar ne Roosevelt hotel me 2 Maj 2000.Ai thotë se presidenti la përshtypje të mirë me vizion intelektual.

Me një respekt të veçantë ai kujton Nexhmije Zajmin, zonjën e Vatrës, e cila pat studiuar ne Wellesley College, ku edhe botoj librin “Doughter of the Eagle”. Mori pjesë në disa mandate, në këshilla të degës # 29, NY dhe NJ, si edhe në bordin e Federatës, me qendër në Boston.Në kuvendin e  vitit 1977 u zgjodh nënkryetare e Vatres, me kryetar ingj. Ahmet Dervishin.Ne NY ajo kishte nje rreth aktivistesh me te cilet kishte nje bashkepunim shumë të mirë si: Petraq Ktona, Agim Karagjozi, Hamdi Oruchi, Selahedin Velaj, Zef Pernoca,Tonin Mirakaj etj.Kur i vinte ndonje mysafir nga larg, Nexhi i therriste miqet e saje per “Wine and cheese”, ku bisedohej gjithmone, ne nje atmosfere te kendshme miqsore. Ajo, banonte ne 120 East 79th street, dhe Tonini me familje ne 81 street dhe 5th Ave. Kjo afersi i bente vizitat me te shpeshta.Ai kujton një rast kur në shtëpinë e saj takuan të Hasan Dostin. Biseda kishte zgjatur 4 orë.

Tonin Mirakaj ndjehet i gëzuar që perjetoi atmosferën e 100 vjetorit të Vatrës, pasi është anëtar i saj për 51 vite dhe uron federatën për shekullin e dytë të jetës së saj.

Mesazhi i tij, është mesazh urimi për të gjithë vatranët, që nuk kursyen mundin e tyre për të ndihmuar federatën, me të cilën mburren shqiptarët e Amerikës, veçanërisht vatranët. Shqiptarët e Amerikes, këshillon ai, duhet t’i japin përkrahje asaj. Brezi  ri  po trashëgon një “pasuri” të çmushme, që duhet ta çojë më të konsoliduar në shekullin e dytë.

* Ribotohet me rastin e Ditëlindjes. Happy Birthday Tonin! Edhe shumë vite të gëzuara z. Mirakaj!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, ditelindje, kartoline, Tonin Mirakaj

Historiku i Xhamisë së Lushnjës që më 1967 u shndërrua në Shtëpi Pionieri

July 5, 2018 by dgreca

Për t’i dhënë pamjen e një shtëpie pionieri punëtorët e ndërmarrjes prishën kupolën, minaren dhe harkatët rreth e përqark saj. Ndërsa Xhamia e Vogël u shkatërrua deri në themel. Në vitin 2001 Xhamia u restaurua sipas formës që kishte më parë. Vlen të përmendim këtu kontributin e myftinjve në vite; Zylyftar Dervishi, Selim Mullaliu, Tomorr Boriçi dhe Gramoz Blliku./

28 niko ferro

Shkruan:Dr. Niko FERRO/

Xhamia ndodhet në pikën më dominuese të lagjes “Kongresi” në qytetin e Lushnjës. Në popull njihet edhe si “Xhamia e Madhe” kjo për faktin se pranë saj ka ekzistuar një tjetër Xhami por me përmasa më të vogla. Xhamia e Lushnjës për  nga forma e ndërtimit dhe për vlerat arkitektonike  e bëjnë atë një nga ndërtesat më të bukura të kultit të besimit islam në Bashkinë Lushnjë. Kjo xhami përbëhet nga: Kubeja, minarja, dhoma e faljes për burra, dhoma e faljes për gra, dhoma e mësimit si dhe dhoma e pritjes ose e myftiut. Numëron edhe 39 dritare të cilat ofrojnë një ndriçim të plotë në pjesën e brendshme….

1Në lidhje me historikun e saj burimet arkivore tregojnë se përpjekjet e para të qytetarëve lushnjarë për ndërtimin e një xhamie daton në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar. Zbulojmë se një ndër arsyet për të cilën besimtarët lushnjarë kërkonin ndërtimin e një xhamie të re lidhej me faktin se  Xhamia e Vogël (e ndërtuar qysh në vitin 1770 nga Hanko Pasha) nuk kishte hapësirë të mjaftueshme dhe se ishte e pamundur kryerja e namazit. Kështu në vitin 1931 besimtarët pas shumë takimesh dhe rrahje mendimesh vendosen ngritjen e një komisioni i cili do të mblidhte të hollat që do të dhuroheshin nga banorët e qytetit dhe të fshatrave.  Në krye të komisionit u vendosën njerëz të ndershëm dhe me moral të mirë në popull.[1]

Zbulojmë se ky komision bëri disa aktivitete në qytetin e Lushnjë madje edhe  në disa fshatra për sigurimin e fondeve të cilat do përdoreshin për ndërtimin e një xhamie të re. Mund të themi se puna e këtij komisioni ishte e me të vërtetë e lavdërueshme në vetëm pak kohë ata mblodhën 500 napolona floriri. Por që të përfundohej puna duheshin edhe 500 napolona të tjera Pjesën tjetër prej 500 napolona do ta plotësonte vetë Zyra e Shitjes së Tokave që dispononte.     Pas shumë diskutimesh komisioni caktoi dhe vendin ku të ngrihej xhamia. Ajo u planifikua të ndërtohej pak metra në juglindje  Xhamisë së Vogël dhe më në lindje nga varrezat e vjetra të qytetit. Ndërkaq  komisioni parashikoj ndërtimin e një parku plot pemë midis dy xhamive. Por pavarësisht angazhimit të komisionit me letrat drejtuar Nënprefekturës dhe Bashkisë nuk u arrit të binin dakord për vendin e caktuar pasi kërkohej edhe një leje nga Ministria e Punëve të Brendshme. Kjo zvarritje institucionesh vazhdoi deri në vitin 1937. Falë këmbënguljes së qytetarëve lushnjarë, Ministria e Punëve të Brendshme mori një tjetër vendim ku si zgjidhje të problemit ngarkonte Nënprefektin Z. Tafil Boletini (Nipi i Isa Boletinit) dhe Kryetarin e Bashkisë Z Burhan Kumbaro, të cilët mbështetur në planin rregullues të qytetit duhet të sqaronin nëse ndërtimi i xhamisë së re përbente apo nuk përbënte pengesë.

Nënprefekti dhe Kryetari i Bashkisë, pasi analizuan me kujdes kërkesën dhe planin rregullues, dhanë lejen për ndërtimin e Xhamisë së re. Gjithashtu ata sqaruan me argument bindës  Ministrinë e Punëve të Brendshme se ndërtimi i saj nuk pengonte planin për zhvillimin e qytetit të Lushnjës, përkundrazi do e zbukuronte edhe më shumë me madhështinë dhe hijeshinë e saj. Dhe se kombinimi ndërtesë, park e kthente atë vend një pikë çlodhëse dhe frymëzuese për qytetarët lushnjarë.

Meqenëse leja u morë pritej vetëm ardhja e inxhinierit i cili do bënte një preventiv të shpenzimeve dhe më pas zbatimin e planë-ndërtimit të xhamisë së re. Gojarisht thuhet që guri i parë i themelit të xhamisë u vendos në fund të muajit Qershor të vitit 1938 dhe se punimet vazhduan pa ndërprerje deri  më 7 Prill të viti 1939, kohë në të cilën Shqipëria u pushtua nga Italia Fashiste.

Ndërkohë situata ekonomike ishte përkeqësuar. Çmimet u rritët dhe kësisoj punimet për ndërtimi e Xhamisë u ndërprenë. Duheshin edhe 1000 napolona të tjera floriri për përfundimin e punimeve ose më saktë ndërtimin e kubesë. Qeveria e asaj kohë në bashkëpunim me komandën pushtuese italiane në vend duke dashur afrimin me komunitetin mysliman shqiptar ofrojnë 20000 fr = 1000 napolona floriri  për mbylljen e punimeve. Ndonëse ngjanë si një ndihmë “bujare” frangat e arit në fund të fundit u morën nga arka e mbretërisë së pushtuar shqiptare. Edhe sot në popull është rrënjosur ideja se ndërtimi i xhamisë u bë nga italianët por për hir të së vërtetës faktet tregojnë se napolonat u mblodhën nga ndihma dhe bujaria e elementit mysliman në qytet. Ishte pikërisht lufta shkaktarja kryesore ajo që ndikoj në mos përfundimin e plotë të punimeve dhe rritjen e shpenzimeve. Edhe sikur të duheshin të tjerë napolona floriri ato përsëri do mblidhen nga besimtarët pa kërkuar gjetkë. Po japim një shembull: Në vitin 1944 vendi mbahej i pushtuar nga forcat gjermane por kjo situatë nuk i pengoj besimtarët lushnjarë për të mbledhur 243 franga ari për blerjen e librave fetare për xhaminë e re.[2]

Pamja nga Lushnja, 29 Nëntor 1944 (Dhuruar nga Robert Elsie)/

2

Për t’u rikthyer edhe një herë Xhamisë së Madhe. Sipas dokumenteve të kohës më 5 Prill të viti 1940 u bë inaugurimi i Xhamisë së re. Atë ditë morën pjesë Mëkëmbësi i Përgjithshëm Italian i shoqëruar  nga Dr B Shapati nga Kryemyftiu i Tiranës  si dhe përfaqësues nga personeli ushtarak  të Mbretërisë Italiane në Shqipëri. Ceremonia u mbajt në orën 15:50. Aty kishin dalë në pritje autoritetet lokale, popull bashkë me parinë, klerikë të ndryshëm si dhe fëmijë.

Pritja fillimisht u bë në Bashki, ku ishte përgatitur edhe një bufe e këndshme. Në këtë rast foli edhe Kryetari i Bashkisë në emër të popullit lushnjarë Z. Burhan Kumbaro, i cili midis të tjerave parashtroi Mëkëmbësit Italianë falënderimet më të përzemërta si dhe pjesëmarrjen e tij në Lushnjë. Një falënderim të veçantë ishte edhe për ndihmën “bujare” në të holla për përfundimin e punimeve të xhamisë së qytetit. Pas tij foli Mëkëmbësi Italian i cili premtoi të tjera ndihma për fusha të ndryshme. Pas tij foli edhe Myftiu i Lushnjës i cili e falënderoi ndihmën dhe bujarin italiane një falënderim tjetër ja drejtoj punëtorëve lushnjarë të cilët punuan me zell deri në përfundimin e punimeve. Prej Bashkisë Mëkëmbësi i Përgjithshëm Italian bashkë me Kryetarin e Komunitetit Mysliman vizituan Xhaminë e Madhe. Të cilët ngelën të impresionuar nga ndërtimi.

Pavarësisht se ndërtimi i xhamisë kishte përfunduar brendësia e saj ishte bosh duheshin të tjera fonde për blerjen e tapeteve, copa, pëlhura, por ajo që është më e rëndësishmja duheshin librat për të predikuar. Ndonëse Mëkëmbësi italian deklaroi për mbështetje fjalët e tij i mori era. Disa vite më vonë e njëjta erë do i çonte përtej Adriatikut.

Edhe një herë lushnjarët vendosën vetë për gjetjen e fondeve. Në vetëm pak kohë në Korrik të vitit 1944, (mos të harrojmë se këtë periudhë vendi mbahej i pushtuar nga forcat naziste) mblodhën 243 franga ari. Kontribuuesit ishin Emin Koduzi  fr 20, Hamid Lloshi fr 10, Kol Nepravisshta fr 10, Halit Dervishi fr 20, Jonuz Kovaçi fr 10, Vejsel Pira fr 6, Haxhi Korreshi fr 5, Abaz Fuga fr 4, Bajram Arapi fr 4, Nazim Dibra fr 2, Hysen Lufta fr 5, Belul Xhaferri fr 5, Abdyl Korreshi fr 10, Jashar Leshi fr 6, Musa Gjini fr 5, Ali Dauti fr 3, Kadri Sebleva fr 4, Demir Boja fr 5, Rakip Juçallari fr 4, Latif Borova fr 3, Mehmet Debrova fr 2, Sul Shqerra fr 2, Nur Lila fr 2, Jonuz Tare fr 2,  Lat Hajdari fr 2, Ibrahim Kavaja fr 2, Bajram Borova fr 20, Selim Rexhepi fr 5,  Sherif Tabaku fr 4, Reshit Tabaku fr 3, Ramazan Boriçi fr 10, Arif Sefa fr 10, Hysni Thana fr 5, Bexhet Tahiri fr 4, Qamil Çumko fr 4, Lavdat Banushi fr 5, Daut Nuçi fr 5, Osman Bejte fr 10, Hysni Ballhysa fr 5 = 243 franga ari.

3

Por nuk mbaron me kaq  Në vitin 1967 me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit,  Xhamia e Madhe u shndërrua në shtëpi pionieri, së cilës më vonë i vendosen emrin: Shtëpia e Pionierit “Vangjel Çerepi”. Për t’i dhënë pamjen e një shtëpie pionieri punëtorët e ndërmarrjes prishën kupolën, minaren dhe harkatët rreth e përqark saj. Ndërsa Xhamia e Vogël u shkatërrua deri në themel. Në vitin 2001 Xhamia u restaurua sipas formës që kishte më parë. Vlen të përmendim këtu kontributin e myftinjve në vite; Zylyftar Dervishi, Selim Mullaliu, Tomorr Boriçi dhe Gramoz Blliku.

Si përfundim

Mund të themi se ky përshkrim i shkurtër historik, modest nuk besojmë se është shterues por mendojmë se në të ardhme mund të shërbej si pikënisje për ndërtimin e një historiku më të zgjeruar të aktivitetit të xhamisë ndër vite duke e pasqyruar atë me jetën e imamëve që kanë predikuar aty pa harruar edhe shumë të tjerë që kanë kontribuar financiarisht për këtë xhami.

Si përfundim

Mund të themi se ky përshkrim i shkurtër historik, modest nuk besojmë se është shterues por mendojmë se në të ardhme mund të shërbej si pikënisje për ndërtimin e një historiku më të zgjeruar të aktivitetit të xhamisë ndër vite duke e pasqyruar atë me jetën e imamëve që kanë predikuar aty pa harruar edhe shumë të tjerë që kanë kontribuar financiarisht për këtë xhami.

[1] Organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Artikull; “Dy fjalë rreth xhamisë së Lushnjës. Shkodër 1937 f. 155-156

[2] Kultura Islame. Viti V nr 11 (59) Korrik 1944. Lista emënore të atyne që është ndihma për botimin e librave fetarë të Komuniteti Myslimanë.

Filed Under: Fejton Tagged With: Dr. Niko Ferro, Historiku i Xhamise se Lushnje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT