• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2018

MARRËDHËNIE ME ISH-PUSHTUESIT

August 8, 2018 by dgreca

1 SkenderNGA SKËNDER BUÇPAPAJ/

Sa për kujtesë: marrëdhëniet shqiptare me fqinjët dhe rajonin janë përgjithësisht marrëdhënie me ish-pushtuesit. Të tillë janë fqinjët e drejtpërdrejtë të shqiptarëve: serbët, malazezët, bullgarët, italianët dhe grekët. Të tillë janë edhe turqit. Vetëm kroatët, sllovenët dhe boshnjakët nuk janë ish-pushtues të shqiptarëve.

Marrëdhënie me ish-pushtuesit janë jo vetëm ato të vendeve të vogla, por edhe të shumë vendeve të mëdha. Shumë prej tyre, deri në kohët e vona, iu janë nënshtruar pushtimeve, revansheve, ripushtimeve mes tyre.

Shqiptarët kanë qenë gjithmonë të pushtuar, asnjëherë pushtues të fqinjëve, vendeve të rajonit apo atyre të largët. Ky është i vetmi përjashtim në këtë histori.

Shqiptarët shkruajnë shumë në mediat sociale për marrëdhëniet e shteteve të tyre, Shqipërisë apo Kosovës, me ish-pushtuesit. Sipas disave, marrëdhëniet me ish-pushtues të caktuar, për shkaqe dhe arsye që ata i rendisin, duhet të jenë sa më zero.

Mirëpo marrëdhëniet me fqinjët janë marrëdhënie ndërkombëtare absolutisht të pashmangshme dhe absolutisht të domosdoshme.

Në marrëdhëniet me ish-pushtuesit janë parasysh, ndër të tjerë, këta faktorë kryesorë: 1. A kanë këta ish-pushtues pjesë të territoreve të vendit tënd në shtetet e tyre? Dhe a kanë pretendime territoriale apo ripushtuese ndaj vendit tënd? 2. A kanë probleme kufitare me vendin tënd? 3. A janë faktor pengues në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit tënd këto vende ish-pushtuese?

Nga fqinjët e drejtpërdrejtë të shqiptarëve vetëm një ish-pushtuese, Italia, përjashtohet nga këto grupime. Ekzistojnë të gjitha shkaqet, arsyet, mundësitë, perspektivat për marrëdhënie sa më të shkëlqyera dhe sa më të gjithanshme të shqiptarëve me Italinë.

Marrëdhëniet më të habitshme, për të përdorur këtu një fjalë sa më të butë, janë marrëdhëniet me Greqinë. Ky vend fqinj ka në fuqi, prej 78 vjetësh, ligjin e luftës me Shqipërinë. Greqia monarkike, në marrëdhënie armiqësore me shqiptarët, me të gjitha mjetet e saj, e pengoi Shqipërinë në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare dhe në funksionimin e saj shtetëror. Megjithatë, që nga koha e kolonelëve, u rivendosën dhe ekzistojnë marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Shqiptarët dhe grekët janë fqinj të drejtpërdrejtë prej mijëra vjetësh. Ata kanë bashkëjetuar në Perandorinë Romake, në Perandorinë Bizantine dhe në Perandorinë Otomane. Vetëm prej rreth 200 vjetësh ata nuk bashkëjetojnë në një shtet.

Në Greqi jetojnë me miliona arbërorë (arvanitë), të cilët janë shtyllë e fuqishme e historisë dhe kulturës greke, shtyllë e fuqishme e shtetit modern grek. Prej vitit 1990 në këtë vend jeton dhe punon edhe një emigracion i ri prej gati një milion shqiptarësh, me ndihmesë të veçantë në ekonominë dhe në jetën greke.

Shumë nga mendjet e larta sot në Greqi e kanë kuptuar se alternativa më e mirë fqinjësore e grekëve janë shqiptarët. Aktualisht Tirana dhe Athina po punojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse pas së cilës shpresohet që Greqia të mos bëjë pjesë në asnjë nga grupimet e mësipërme. Kështu do të ishte një vend me të cilin të ndërtohen marrëdhënie sa më të mira dhe sa më të gjithanshme.

Njohja sa më e shpejtë e Kosovës nga Greqia do të ishte një faktor tjetër me ndikim shumë të madh pozitiv në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Me pranimin e Shqipërisë në BE, për çfarë është e interesuar edhe Greqia, përsëri shqiptarët dhe grekët do të gjenin veten në një bashkëjetesë të re vlerash dhe përfitimesh të pafundme.

Vendi që bën pjesë thellësisht dhe tërësisht në tri grupimet e përmendura më lart është Serbia. Kjo ish-pushtuese e ka pjesë të saj në Kushtetutë Kosovën, të cilën e konsideron krahinë të jugut. Serbia i përdor të gjitha mjetet për të mos lejuar funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës dhe integrimin e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Megjithatë, pak vjet pas mbarimit të luftës, pra prej vitit 2013, shqiptarët e Kosovës përdorin rrugët e Serbisë për të dalë në Evropë dhe për t’u kthyer nga Evropa. Gjithashtu në marrëdhëniet ekonomike të Kosovës përparësinë kryesore ekonomike e ka Serbia.

Shënjimi i vijës kufitare ndërshtetërore (demarkacioni) midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, njohja e ndërsjellët e këtyre dy vendeve, heqja dorë e Serbisë nga pretendimet territoriale dhe qëllimet ripushtuese ndaj Kosovës, heqja dorë nga çdo lloj pengimi të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndëkombëtare do të hapnin një mundësi reale për marrëdhënie sa më normale fqinjësore midis shqiptarëve dhe serbëve.

Marrëdhëniet e shqiptarëve me Turqinë, ndërkohë, janë marrëdhënie me një ish-pushtues dhe sundues 500 vjeçar. Në këtë kategori, përveç shqiptarëve, bëjnë pjesë edhe dhjetëra vende të tjera.

Turqia është një ish-pushtues pa pjesë të territoreve shqiptare në shtetin e saj. Është një vend pa pretendime territoriale apo ripushtuese ndaj shqiptarëve. Është një vend pa probleme kufitare me shqiptarët. Është faktor përkrahës në marrëdhëniet ndërkombëtare të shqiptarëve dhe në të gjitha proceset e shqiptarëve.

Në Turqi jetojnë me miliona shqiptarë, të cilët janë atje kryesisht për shkak të shpërnguljeve masive të shqiptarëve nga trojet e tyre në ish Jugosllavi dhe Greqi pas Luftës së Parë Botërore dhe deri në vitet ’50 të shekullit të kaluar. Këta përbëjnë një faktor më shumë per marrëdhënie sa më të frytshme midis shqiptarëve dhe turqve, midis dy shteteve shqiptare dhe Turqisë.

Shqiptarët, në shkrimet e tyre të shumta në mediat sociale e në mediat e tjera për marrëdhëniet me ish pushtuesit, përpiqen që arsyetimet dhe argumentimet t’i mbështesin dhe t’i shpjegojnë nëpërmjet ndjenjave të tyre. Përtej ndjenjave të tyre negative ndaj marrëdhënieve me një vend të caktuar ish-pushtues është e lehtë të dallosh ndjenjat e tyre pozitive ndaj një apo disa ish-pushtuesve të tjerë.

Ata e paraqesin zhvillimin e marrëdhënieve të shqiptarëve me një ish-pushtues si të dëmshëm ndaj zhvillimit të marrëdhënieve me një apo disa vende të tjera, të cilat marrëdhëniet tona me ish-pushtuesin e caktuar i shohin me një masë dyshimi.

Rregulli numër një, konstant, në marrëdhëniet ndërkombëtare është që marrëdhëniet mes dy vendeve të mos përdoren në dëm të një vendi të tretë. Një shtet, sado fillestar të jetë, i ka të gjitha mjetet dhe mundësitë për të qenë i kujdeshëm dhe i vëmendshëm për të mos lejuar që marrëdhëniet e dy vendeve të mos shkojnë në dëm të një vendi të tretë, aq më tepër ato të mos shkojnë në dëm të miqve dhe aleatëve.

Ndërkohë, miqtë dhe aleatët, janë gjithmonë të interesuar dhe të prirur që miku i tyre, aleati i tyre, partneri i tyre, pra edhe Republika e Shqipërisë, edhe Republika e Kosovës të kenë marrëdhënie sa më të konsoliduara, sa më konstruktive, në të mirë të paqes, të integrimeve perëndimore dhe globale, me fqinjët, rajonin dhe më gjerë. Dhe po investojnë konkretisht prej kaq kohësh që këto marrëdhënie të vihen mbi shina sa më solide.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: aleatet, pushtuesit, Skender Bucpapaj, udheheqesit

Territoret shqiptare u tkurren në bazë të gjenocidit serb

August 4, 2018 by dgreca

Nga Skënder MULLIQI?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi I zgjedhur  më vota të LDK-se, e  I zgjedhur  gadi në gjendje  të shtetrrethimit,  është duke e futur Kosovën në rrugën pa krye.  Pikëpamja e Thaçit për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjoja së nënkupton refuzim të çdo ideje për ndarjen e Kosovës, por përfshinë kërkesën për bashkimin e Preshevës me Kosovën, nuk përkon fare më realitetin .Disa muaj më parë ishte hedhur ideja për ndarjen e Kosovës, e tash gjoja bashkim te Luginës , e qe për mua është mashtrim . Kjo është një  nismë e cila nese realizohet  do të jetë katastrofale për shqiptarët.Sigurisht së kjo marveshje e hedhur nga Thaçi kontravers dhe I frikësuar nga Specialja është teza më e rrezikshme deri me sot për ekzistimin e shtetit të Kosovës. Po shtyrohet pyetja, çfarë kuptimi ka ndërrimi I territoreve shqiptaro-shqiptare më Serbinë  ? Si është e  mundur që të lejohet një aventurë e tillë shumë e rrezikshme për paqën në rajon e ndoshta edhe më gjerë? Ti rrudhim kufijet shteteror e nacional prap  pas gjithë këtye  tragjedive që i pësuam historikisht, dhe gjithë atyre padrejtësive që na u bënë  nga fuqitë e mëdha të kohës, jo që nuk justifikohet, por nuk ish dashur të lejohet të ndodhë kurrë.  Çdo ide për ndërrimin e territoreve është ide vrastare. Ne shqiptarët do të jemi humbësit e mëdhenj. Shqiptarët duhet  që të zgjohen, se është koha e fundit.Do të ndodheshin  zhvendosje  të popullatës që është e pa pranueshme për shqiptaret . Nga e gjithë kjo bëhet fjalë për këmbimin e gjysmës e Mitrovicës, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, që janë tre komuna e gjysmë, pra pjesa veriore më pjesën Lindore të Kosovës që është Lugina e Preshevës.Ndarja e Kosovës sipas planit të qetnikut, Dobrica Qosiqit ,kriminelit te luftës ,Sllobodan Millosheviqt , Akademise së Shkenacave dhe Arteve  e shumë elaborateve kundershqiptare serbe  ,jo që janë planet  më ogurzeza , por është edhe dhe lajmi më  i keq   për Kosovën dhe shqiptarët në këto 100 vitet e fundit .Jo vetëm Hashim Thaçi , por komplet kjo klasë politike ka deshtuar në shtetndertim dhe mirëqenje të përgjthshme dhe mban pergjegjersi të madhe  nese ndodhë coptimi i ri i trojeve shqiptare.Ne vend të përparimit , lulëzuan krimi e korrupcioni, kontrabandat , hajnit masovike të pronës shoqërore, e shumë negativitete të tjera . E kemi dhi punën më ka krejt , kur na u dha rasti historic ti kemi dy shtete shqiptare dhe gradualisht ti bashkojmë  edhe tokat tona etnike. Gjithëçka do të ishte shumë në rregull  dhe e drejtë sikur Kosovës ti bashkohet  pjesa natyrale siq është Kosova Lindore , por  është apsurde që Serbia të pranon një opcion politik të tillë, kur dihet për planet e tyre okupuese.Territoret shqiptare u tkurren në bazë të gjenocidit, dhe duhet të kthehen heret apo vonë , e jo të falim territore të reja Serbisë fashiste . Po flitet së do të këtë ridefinim të kufijve në Ballkan .Kjo çështje nga shumë kush komentohet së është ngritur nga takimi Tramp –Putin , ku nuk do të ekzistojnë  më si shtete Kosova, Mali i Zi e Maqedonia.Zor që ka kush informacione të sakëta së a është biseduar  në Helsinki për temën e ndarjës së Kosovës. Kjo  duket se është më shumë tezë dhe propagandë ruse .Nuk ka asnjë sinjal që amerikanët  kan ndryshuar qendrim rreth ndryshimit të kufijve .Zor që Tramp mbeshtet ndonjë skenar rus në Ballkan , duke I cenuar  serioziosht interesat amerikane  . Rivizatimi i hartave në Ballkan ose përpjekja e hapjes së temës së ndryshimit të kufijve me çdo kusht në çfarëdo pjese të Ballkanit, pa dyshim që çon në konflikte të përgjakshme, transfer të popullatës, spastrim etnik etj. Më së paku kjo sot u duhet shqiptarëve kudo që janë. E nesërmja është diçka tjetër…

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjenocidi Serb, Skender Mulliqi, territoriet shqiptare, tkurrja

Ambasadori SHBA në Kosovë: I gëzuar me deklaratën e BE-së

August 3, 2018 by dgreca

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie,  shprehet në rrjetin social Twitter: “I gëzuar me deklaratën e BE-së se drafti i statutit të Asociacionit do të diskutohet në takimin e ardhshëm në Bruksel. Mendoj se kjo duhet të na ndihmojë të gjithëve të pushojmë dhe të gëzojmë një fundjavë të këndshme”.1-Ambasadori-SHBA-ne-Kosove-Greg-Delawie

BE kërkon nga Kosova dhe Serbia të mos krijojnë tensione

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që mos te ketë tensione në Kosovë, të cilat mund t’i dëmtojnë përpjekjet e përbashkëta për arritje të një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në kohën kur të dyja palët janë plotësisht të angazhuara së bashku më Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, në përcaktimin e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin e plotë, BE pret ashtu siç janë dekoruar të dy presidentet gjatë takimit të fundit në nivelit të lartë të dialogut më 18 korrik në Bruksel, të mos ketë tensione në terren të cilat do ta rrezikojnë objektivin e përbashkët të normalizimit të marrëdhënieve,” thuhet në një komunikatë për shtyp nga zyra e Përfaqësues së Lartë të BE-së Federica Mogherini.

Një thirrje e tillë ka ardhur pasi mediat në Kosovë dhe Serbi po raportojnë për tensione të mundshme në veri të vendit gjatë fundjavës.

Sipas tyre, kjo është e lidhur me dorëzimin e draftit të parë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që pritet të jetë gati më 4 gusht (e shtunë), kur ekipi menaxhues i formuar për këtë çështje, pritet ta dërgojë atë në Bruksel.

“Në e kuptojmë se puna (për draftin) është duke vazhduar. Në të njëjtën kohë BE vazhdon të punojë më të dyja palët për të siguruar implementim e kësaj marrëveshje dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në komunikatë.

Ekipi menaxhues ka pasur katër muaj kohë për draftimin e statutit të Asociacionit. Sipas BE-së, në kohën kur ky ekip e informon Brukselin për rezultatet e punës së tyre atëherë kjo do të diskutohet në takimet e nivelit të lartë në BE nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Presidenti i Serbisë mbledh Këshillin për Siguri Kombëtare

Presidenti i Serbisë,  Aleksandar Vuçiç, ka ftuar për të shtunën në orën 8:00 mbledhjen e Këshillit për Siguri Kombëtare.Kjo mbledhje, sipas medias në Beograd, është ftuar lidhur me situatën në Kosovë.

Këtë të premte në Prishtinë kryeministri Ramush Haradinaj ka mbajtur një një takimi të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

“Gjendja në rend e ligj dhe siguri në vend është e qetë, stabile, megjithate kemi kërkuar rritjen e gatishmërisë për veprim në rast të  çfarëdo prishje të rendit dhe ligjit në vend”, deklaroi kreu i qeverisë pas takimit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Ambasadori Greg Delawie, vnedimi i BE

GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU DHE ARBËRIA E EPOKËS SËTIJ

August 3, 2018 by dgreca

1-Eugjen-Merlika-225x300NGA EUGJEN MERLIKA/

Viti 2018, si vit jubilar i historisё sonё, ose mё saktё, i pjesёs mё tё ndritur tё saj, qё 550 vite mё parё, mё 17 janar 1468, me kalimin n’amshim tё Gjergj Kastriotit, do tё mbyllte njё epokё, na kthen vёmёndjen n’atё periudhё historike qё pёr shqiptarёt, nё sajё tё fuqisё marramendёse tё ngjarjeve dhe rёndёsisё kontinentale tё pёrfundimit tё tyre, mbeti nё kujtesёn e kombit si “shekulli i madh”, “koha e Arbёrit”, dhe u bё burimi mё i kthjelltё i frymёzimit pёr shekujt pasardhёs.

Shekujt, nё rrjedhёn e tyre tё natёs sё tejzgjatur tё pushtimit osman, i ruajtёn nё kujtesё ngjarjet e asaj epoke, duke i pasuruar me elementё tё legjendёs e duke i mbuluar me njё vello tё ndritёshme pёrfytyrese, nё tё cilёn mbizotёronin ngjyrat e ndezura tё periudhёs “zulmёmadhe”. Ishte kjo mёnyrё paraqitjeje njё domosdoshmёri pёr Shqipёrinё e dy shekujve tё fundit, pёr tё patur njё pikё mbёshtetjeje e frymёzimi, qё do tё shёrbente si material lidhёs i veçorive tё ndryshme tё botёs shqipfolёse, nё kuadrin e kёrkesave madhore qё shtronte koha nё drejtim tё vetёdijesimit kombёtar e tё shtetformimit.

Por sot, mbas 550 vitesh tё ndёrrimit jetё tё kryeluftёtarit, mbas 140 vitesh tё fillimit tё ngjarjeve tё Lidhjes sё Prizrenit, pёrballimit tё parё tё madh tё ndёrgjegjёsimit kombёtar tё shqiptarёve me Evropёn mosmirёnjohёse kundrejt flijimit tё tyre pёr tё mbrojtur krishterimin evropian katёr shekuj mё parё, mbas mё shumё se njёqindvjetori tё krijimit tё shtetit tё cunguar e tё pavarur, mendoj se bёhet i domosdoshёm njё rishikim objektiv i historisё sё vёrtetё t’asaj periudhe. Kёtё kёrkesё e ka vёnё nё dukje At Athanas Gegaj, nё studimin e tij, si tezё diplome nё vitin 1936, kur shprehet :

“Pёr t’u ruajtur nga ekzagjerimet e kёtyre kronikanёvet dhe pёr tё gjykuar mё drejt mbi pohimet, shpesh kontradiktore tё historianёve tё kohёs, kemi bёrё kёrkime nё burimet arkivore, pjesa mё e madhe e tё cilave janё tё botuara.

            Besojmё qё kjo analizё ka lejuar tё nxjerrim mjaft gabime detajesh dhe shumё gjykime tё gabuara ose tё pasakta.”[1]

Mendoj se detyrё e historianёve ёshtё tё ndajnё tё vёrtetёn historike nga elementёt e folklorit apo legjendёs, nё mёnyrё qё shqiptarёt, pёr pjesёn mё tё rёndёsishme tё sё shkuarёs sё tyre, tё kenё njё tabllo tё qartё, tё vёrtetё, tё pёrcaktuar saktё nё pёrbёrёsit e tij kryesorё.

Mё duket se njё nga elementёt mё tё rёndёsishёm tё historisё sё Gjergj Kastriotit, ёshtё pёrcaktimi i saktё i moshёs nё tё cilёn ai braktisi familjen dhe shkoi nё oborrin e sulltanёve otomanё, pёr tё cilёn historiografia na jep disa variante. Gjithё kёta variante, nё lidhje me njё ngjarje tё shёnuar tё jetёs sё Skёnderbeut, janё dёshmi e njё amullie shqetёsuese nё studimin e historisё sё tij e nxjerrin para studjuesve tё sotёm njё detyrim, pёrsa i pёrket pёrcaktimit tё sё vёrtetёs s’atij episodi shumё tё rёndёsishёm tё jetёs sё personazhit. Arsyetimi logjik i pasojave t’atij episodi ёshtё i lidhur me tё gjithё ecurinё e historisё sё tij, mbasi nёse ka shkuar fёmijё shpjegon pregatitjen e tij tё gjithanshme si njё ndёr personalitetet mё tё spikatur tё kohёs sё tij, por nёse ka shkuar i madh ёshtё i kuptueshёm motivi i brёndshёm i tij nё sendёrtimin e epopesё mё tё lavdishme tё popullit tё tij.

Historiografia zyrtare e akademike e 70 viteve tё fundit e ka trajtuar epopenё e luftёrave tё Skёnderbeut si njё çast kulminant tё shpalosjes sё vlerave tё entitetit kombёtar arbёror. Po tё lexojmё historianёt e vjetёr, por edhe tё shekullit tё shkuar, nё njё pjesё tё mirё tё tyre, nxirret nё pah faktori fetar si mё kryesori nё veprimtarinё e Skёnderbeut si prijёs populli, si udhёheqёs ushtarak e si burrё shteti. Mund tё jetё bindёs apo jo, i ligjёruar apo jo, pozitiv apo jo, varet nga kёndvёshtrimi dhe mendёsia nё tё cilёn analizohet dukuria. Por nuk mund tё anashkalohet dhe, aq mё pak tё mohohet, duke u zёvendёsuar nga ai kombёtar. Mund tё diskutohet gjatё mbi tё gjithё vёshtrimet apo dritёhijet e asaj epoke madhёshtore tё historisё sonё, por nuk mund tё mohohet thelbi i saj. Njё sintezё e shkurtёr e gjithё asaj epopeje gjёndet nё njё fragment tё veprёs sё Mustafa Krujёs, “Historia e Skёnderbeut”, marrё nga libri “Shkrime historike”, faqe 358 :

“Por fuqít e Sulltanit rridhshin pajadamё prej burimesh tё pashterrueshme tё nji perёndorije qi pёrfshinte anembanё Dardanelavet gjithё Anadollin e krejt gjysishullin ballkanik gjatё Danubit e Savёs mbё nji anё, dhe Egjeut, Jonit e Adrijatikut nё tjetrёn, pёrveç nji ishulli tё vogёl Shqiptarёsh nёn nji prinjёs qi kishte damё me u bâmё flí e krishtjanizmёs me gjithё popullin e vet”

Ai popull stoik e zemёrmadh, edhe n’ata kushte ankthi e pasigurie, e ndoqi prijёsin me njё durim e forcё vullneti pёr t’u admiruar, i blatoi atij gjithshka e nuk shfaqi kurrё shenja pakёnaqёsie e kundёrshtie, edhe se fuqitё vinin duke u pakёsuar, edhe se lotёt ishin shterrur nё sytё e grave arbёreshe, atyre heroinave tё heshtura, mbi tё cilat rёndonin tё gjitha pasojat e lavdisё sё shekullit tё madh. Kujtesa historike do tё ishte shumё e mangёt, nёse nuk do t’u jepte atyre piedistalin e merituar nё altarin e vlerave tё kombit, ashtu sikurse dhe stёrmbesave tё tyre nё gjysёm shekullin e terrorit komunist.

Nё gjyqin e ftohtё tё historisё arbёrit dhe prijsi i tyre shkuan ballёlartё, sepse kishin kryer detyrёn e tyre kundrejt qytetёrimit tё cilit i pёrkisnin. Ai qytetёrim mbeti i detyruar kundrejt atij populli, pёr shekuj tё tёrё harrese e shkujdesjeje kundrejt fatit tё tij. Madje edhe kur, mbas gati pesё shekujsh lёngimi, ai popull deshi tё dilte nga errёsira e tё kishte shtetin e tij, pёrfaqёsuesit e atij qytetёrimi e njohёn atё tё cunguar, duke u bёrё pёrgjegjёs pёr njё tjetёr akt tё tragjedisё shqiptare.

Ndonjё prirje historiografike pёr t’a paraqitur atё epokё si ajo e shtetit tё bashkuar apo, pёr mё tepёr, e njё vetёdijesimi kombёtar, nuk i pёrgjigjet sё vёrtetёs. Arbёria, edhe me Skёnderbeun, mbeti njё trevё e pёrçarё nё zotёrinj tё mёdhenj e tё vegjёl, pa marrё as shembёlltyrёn dhe as ndёrgjegjen e kombit, qё ishte atёherё njё koncept i panjohur jo vetёm pёr tё, por pёr pjesёn mё tё madhe t’Evropёs. Nuk kishte kohё mё tё pёrshtatёshme pёr tё nxitur bashkimin e arbёrve nё njё shtet tё vetёm por, fatkeqёsisht nё shumicёn dёrmuese, princat arbёr, pasardhёs tё ish mbretёrve ilirё, nuk patёn as largpamёsinё pёr tё kuptuar situatat dhe as vullnetin pёr tё bashkur forcat.

Skёnderbeu u ballafaqua nё vite me tekat e pafund tё aleatёve, me ftohjen, me marrёveshjet me Venedikun apo turqit kundёr tij, me tradhёtitё madje edhe brёnda familjes, me kushtёzime tё shpeshta, me shpёrfillje kundrejt luftёs sё tij. Pati nё krahun e tij oficerёt e shtabit tё tij, me nё krye Vrana Kontin e Tanush Topinё, mbrojtёsit legjendarё tё rrethimeve tё Krujёs, por njohu dhe tradhёtitё e Moisiut, tё Hamza Kastriotit, tё Gjergj e Gojko Stres Balshёs, nё çastet mё tё vёshtira tё luftёs, mbas humbjesh tepёr tё rёnda si Berati apo Sfetigradi. Pati dashurinё e mbёshtetjen, deri nё flijim, tё popullit arbёr, por kёto nuk qenё tё mjaftueshme pёr tё vёnё themelin e asaj Abёrie tё bashkuar e tё lirё.

Pёr ne, shqiptarёt, ai mbeti fari drejtues qё na priu idealisht nё kёtё gjysmё mijёvjeçari, tё ngarkuar me re tё dёndura e tё zeza pushtimesh tё huaja e lufte tё gjatё me vetveten. U munduam tё njёjtёsohemi me emrin e tij, edhe se shpesh nuk i sendёrtuam mёsimet e porositё e tij. Megjithatё ai mbeti njё simbol, ai i qёnies sonё, i ёndrrave tona, i aspiratave tona shekullore. Ai na la njё pasuri tё pamatёshme, pёrkatёsinё, jo vetёm gjeografike, nё kontinentin evropian, ndihmesёn tonё, si popull, nё historinё e mbrojtjes sё vlerave qytetёruese t’atij kontinenti, krenarinё e tё flijuarit pёr ato vlera. Na takon ne sot, me qёndrimin tonё, me dёshirёn pёr t’u pёrmirёsuar e pёr tё ecur pёrpara nё rrugёn e qytetёrimit si njё trup i vetёm, tё tregohemi trashёgimtarё tё denjё tё emrit dhe veprёs sё tij madhore.    

*Kjo ёshtё fjala e mbajtur nga Eugjen Merlika nё sesionin e XV shkencor “Gjergj Kastrioti – Skёnderbeu – heroi kombёtar i shqiptarёve”, tё zhvilluar nga Shoqata “TROJET E ARBЁRIT” nё Lezhё mё 28 korrik 2018.                                                                                                                                                             

[1]Gegaj, At Athanas, OFM : “Arbёria dhe Gjergj Kastrioti Skёnderbe 1405 – 1468” “Eurorilindja”, Tiranё 1995 faqe1

Filed Under: Featured Tagged With: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Arberia e epokes se tij, Eugen Merlika

75 VJET NGA MARRËVESHJA HISTORIKE E MUKJES

August 3, 2018 by dgreca

1 Uran-ButkaNga Dr. Uran Butka/2 Mukja

3 MukjeNë përvjetorin e 75-të të Kuvendit të Mukjes, sapo botova, pas një hulumtimi dhe studimi të gjatë të arkivave shqiptare dhe të huaja, librin “Marrëveshja e Mukjes- shans i bashkimit, peng i tradhtisë”, një marrëveshje kombëtare mes organizatës së Ballit Kombëtar dhe Këshillit të Përgjithshëm NÇ ( 1-3 gusht 1943). Në këtë botim të plotësuar me dokumente të rinj, jepen kushtet historike që imponuan marrëveshjen e Mukjes: Në një kapërcyell kohësh: në prag të kapitullimit të  Italisë fashiste dhe të pushtimit gjerman të Shqipërisë;. në një udhëkryq  të historisë sonë: në prag të bashkimit kombëtar në luftën kundër okupatorëve, por edhe të ndarjes, të mosmarrëveshjes  dhe të konfrontimit të madh brënda vetes; në një dualitet alternativash :  nacionaliste apo komuniste,  demokratike apo totalitariste, perëndimore apo lindore.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, sidomos përgjatë  vitit 1943,  kudo,  në çdo familje,  fshat,  qytet e krahinë të vendit,  si edhe në diasporë,  flitej e shkruhej për   nevojën e domosdoshme të  bashkimit të të gjithë shqiptarëve për të përballuar  kushtet e rënda të pushtimit  italjan dhe, veçanërisht, të bashkimit për të përballuar një pushtues tjetër  më të egër,  i cili kishte bërë  daljen dhe goditjen e parë në Borovë, korrik 1943.  Pra, në prag të mbledhjes së Mukjes, bashkimi ishte një kërkesë  mbarëkombëtare, një imperativ i kohës.Mirëpo, ndarja e madhe në dy grupime  antagoniste të rezistences shqiptare,  ku përfshihej gati i gjithë  populli, e kishte  brenda mundësinë e bashkimit të përshpejtë, sidomos përballë pushtuesve nazifashistë, por e kishte brënda  edhe rrezikun  e konfliktit, sidomos përballë  presionit sllavo–komunist;  i kishte premisat  objektive edhe për bashkëpunim,  por edhe  konfrontim midis tyre për pushtet, gjë që  mund të sillte luftë civile.  Përballë këtij rreziku  të dyfishtë, e vetmja zgjidhje pozitive e shpëtimtare për Shqipërinë  ishte bashkëpunimi midis dy grupimeve më të mëdha politike e ushtarake  në luftë kundër armiqve  të përbashkët të Shqipërisë, por edhe më tej.

Këtë e realizoi Kuvendi i Mukjes.

Ndryshimi i Marrëveshjes së Mukjes nga marrëveshjet e mëparshme të shqiptarëve, qëndron në faktin se ato ishin përgjithësisht të njëzëshme, ndërsa Mukja bashkoi për interesa madhore dy krahët më ekstremë, madje armiqësorë,  të mendësisë dhe  të politikës shqiptare: Organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Lëvizjen  Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga PKSH.

Ndryshimi tjetër është, që marrëveshja e Mukjes u imponua nga poshtë-lart, nga nevoja e kërkesa e vetë popullit për bashkim e luftë të përbashkët, gati në gjithë krahinat e Shqipërisë.

A mund të bashkoheshin dy të kundërtat, kur ishte në lojë interesi kombëtar?

Po.

Së pari , sepse në këtë moment kritik bashkëpunimin e kërkonin të gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë. Bashkimi ishte  bërë nevojë e vullnet i një kombi.  Në mos në Mukje, diku tjetër do të kryhej ky akt madhor, i mbarsur në kohë. Duhej një luftë e perbashkët antifashiste dhe jo një luftë e pjesëshme, partiake.

Së dyti, edhe situata ndërkombëtare në verën e vitit 1943 ishte më e favorshme. Koalicioni i madh antifashist po përparonte në luftën kundër nazifashizmit. Misionet aleate britanike kishin ardhur në Shqipëri dhe kishin kontaktuar si me Nacionalçlirimtaren ashtu edhe me Ballin Kombëtar, kërkonin bashkëpunimin mes tyre në luftë kundër ushtrive të Boshtit dhe e mbështetnin atë.

Së treti, sepse të dy grupimet kryesore  të rezistencës antifashiste: organizata e Ballit Kombëtar dhe Keshilli I Pergjithshem NÇ, e konsideronin okupatorin si armik, shkelës së sovranitetit dhe të pavarësisë së Shqipërisë dhe si i tillë  ai duhej luftuar.

Së  katerti, deri në Mukje  grupimet kryesore politike  ende e konsideronin  njëri tjetrin si  kundërshtarë politikë, por jo si armiq. Fakti që gjatë vitit 1943, ishin nënshkruar  e arritur  mjaft marrëveshje lokale dhe kërkohej me insistim  nga populli dhe nga përfaqësuesit  e të dy organizatave  në bazë që ky mirëkuptim  të vendosej edhe në qëndër, fakti  që deri në gusht të vitit 1943, çetat nacionaliste dhe ato partizane në përgjithësi nuk erdhën në përpjekje të armatosur midis tyre, madje zhvilluan mjaft beteja të përbashkëta sin ë Gjorm, Pocestë, Reç etj, vërteton frymën egistuese të mirëkuptimit e jo të konfrontimit mes shqiptarëve.

Së pesti,  sepse zgjidhja  e çështjes  sonë kombëtare, doli si problem  jetësor  i kombit shqiptar, sidomos  gjatë Luftës së Dytë,  kur ishte  bërë de fakto  bashkimi i një pjese të mirë të trevave  të Shqipërisë Verilindore me shtetin  amë. Kërkesa  për vetvendosjen  e popullit të Kosovës sipas parimit të Kartës së Atlantiut,  u bë  shprehje e vullnetit gjithë kombëtar, gjë që  impononte e kapërcente  edhe mospajtimet  politike të grupeve  kryesore të rezistencës .Edhe  përfaqësuesit e Këshillit të Përgjithshëm   Nçl. në Mukje, megjithëse nuk e kishin  në programin e tyre  Shqipërinë etnike për arsyet që tashmë  dihen, nuk dolën kundër  dëshirës e vullnetit gjithëshqiptar për një Shqipëri të bashkuar etnike  dhe, më në fund e pranuan këtë opcion. Në një letër të Miladin Popoviçit drejtuar  Titos, në prag të Konferencës së Mukjes shkruhet ndër të tjera: ”E tanë Shqipënia asht e okupueme prej këtij  problemi”.Për këto arsye, marrëveshja e bashkëpunimi gjithëshqiptar ishin plotësisht të mundshme.Mukja po trokiste në dyert e historisë shqiptare, se  e kërkonte koha.U bënë mjaft takime e konsultime paraprake ndërmjet eksponentëve kryesorë të të dy organizatave, por elementët kryesorë bashkues ishin Abaz Kupi nga Nacionalçlirimtarja dhe Ihsan Toptani nga nacionalistët.

Dokumenti më i rëndësishëm në rrugën drejt Mukjes ishte, pa dyshim, ai i datës 18 Korrik 1943, një mesazh i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar drejtuar Organizatës së Ballit Kombëtar, hartuar dhe firmosur nga Y .Dishnica, M.Gjinishi, A .Kupi dhe M.Peza, që shpreh parimet kryesore të Lëvizjes Nacionalçlirimtae mbi të cilat u arrit edhe mirëkuptimi. Ky dokument i rëndësishëm nuk është  botuar më parë dhe është heshtur qëllimisht, sepse këto parime demokratike, si: lufta antifashiste ku të marrin pjesë gjithë atdhetarët pa dallim feje, krahine dhe ideje; moscënimi i pronës dhe i  inisiativës private, zgjedhje të lira e demokratike pas  shporrjes së pushtuesve, u shmangën më vonë.Sipas procesverbalit të mbledhjes së Mukjes, të dyja  organizatat u përfaqësuan nga këta. delegatë:

Delegacioni                                                          Delegacioni

i Ballit Kombëtar                                       i Këshillit të Përgjithshëm NÇ

1 .Z Av.Hasan Dosti                                  1. Major Abaz Kupi

  1. Z.Mid’hat Frashëri                     2. N/Kolonel Jahja çaçi

3 .Av.Thoma Orollogai                               3. Kom.Myslim Peza

  1. Av.Skënder Muço                               4.Dr.Ymer Dishnica

5  Komandant Hysni Lepenica                   5.Z.Mustafa  Gjinishi

  1. Prof.Isuf Luzaj                                     6.Dr.Omer Nishani
  2. Komandant Kadri Cakrani                7.Dr.Sulo Bogdo
  3. Major Rauf Fratari                           8.Z.Stefan Plumbi

9 .Prof.Nexhat Peshkëpia                           9.Z.Shefqet Beja

10.Av.Halil Mëniku                                  10.Z.Medar Shtylla

11.Kom.Ismail Petrela                            11.Z.Haki Stërmilli

12.Prof.Vasil Andoni                                12.Gogo Nushi

Kryetarë delegacionesh ishin Mid’hat Frashëri dhe Ymer Dishnica. Kryetar i punimeve të Kuvendit u zgjodh me propozim të Nacionalçirimtares, Thoma Orollogai, delegate i Ballit Kombëtar, ndërsa sekretar Mustafa Gjinishi i Nacionalçlirimtares.Pas një debate prej tri ditësh, u arrit marrëveshja. Pika e parë e saj ishte krijimi i Komitetit “Për shpëtimin e Shqipërisë”. Atributet e tij të rëndësishme, flasin për një zgjidhje të re politike,  për një përgjegjësi, pjekuri dhe angazhim të madh kombëtar të forcave politike kryesore në Shqipëri. Ky ishte forumi i parë pluralist në Shqipëri, si forma më demokratike  e qeverisjes së botës së qytetëruar. Kjo mënyrë  organizimi do të shtrihej  edhe ne gjithë strukturat e bazës  dhe do të unifikonte drejtimin, do të shmangte anësinë partiake, do të eliminonte përçarjen e antagonizmin, do të mënjanonte rrezikun e luftës civile, do të bashkonte në një front të përbashkët të  gjithë shqiptarët  pavarësisht nga bindjet politike, nga përkatësia partiake, fetare, krahinore,    në luftë të përbashkët  kundër okupatorëve dhe do të çelte udhën e  demokracisë së vërtetë  pluraliste perëndimore.

Në proklamatën e datës 3 gusht 1943, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, paraqiti  këtë program:

1 .Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri Aleatëve të mëdhenj Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si edhe të popujve të shtypur  kundra pushtuesit barbar, me divizën rilindse “Ja vdekje, ja liri”

2 .Luftë për një Shqipëri të Pavarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuara  nga Karta Atlantike të vetëvendosjes së popujve, për një Shqipëri etnike .

3 .Luftë për një Shqipëri  të lirë, demokratike e popullore.

Komiteti për shpëtimin e Shqipënisë do të vazhdojë luftën tue udhëhequn popullin shqiptar në rrugën e sakrificës dhe të nderit deri në formimin e një qeverie provizore.

Forma e regjimit  do të caktohet prej vetë popullit  me anën e një Asamblejeje kushtetuese të zgjedhur me sufrazh universal direkt.”

E veçanta e Kuvendit të Mukjes ishte trajtimi me përparësi dhe kompetencë i çështjes sonë kombëtare në krizë, veçanërisht i Kosovës. Në Mukje u bë përpjekja e parë  intitucionale për zgjidhjen e çështjes së Kosovës sipas vullnetit të popullit shqiptar dhe në bazë të parimit universal të vetvendosjes së kombeve.

Mid’hat Frashëri insistoi që çështja e Kosovës detyrimisht të trajtohej e të përcaktohej në këtë kuvend dhe të luftohej për zgjidhjen e saj të drejtë pas luftës, sepse, nëse nuk do të ndodhte kështu, atëherë, as që do të përmendej më çështja kosovare dhe  Kosova do të ishte e humbur. Ai  parashtroi që zgjidhja e statusit të saj të bëhej mbi të drejtën kombëtare të Shqipërisë etnike dhe mbi parimin e vetëvendosjes së kombeve, të garantuar nga Karta e Atlantikut.

Ky formulim respektonte vullnetin e popullit shqiptar për vetëvendosje dhe përjashtonte  ndryshimin e kufijve me dhunë .  Ky formulim harmonizohej  edhe me politikën e Fuqive të Mëdha Antifashiste që kishin shpallur botërisht se nuk njihnin kufijtë e ndryshuar me dhunë nga pushtuesit nazifashistë, pra ishte njëherësh edhe një pohim edhe një bashkëreshtim në Frontin Antifashist Ndërkombëtar.

Një rol të rëndësishëm në arritjen e konsensusit luajtën sidomos Mid’hat Frashëri, Ymer Dishnica, Omer Nishani, Abaz Kupi, Hasan Dosti, Isuf Luzaj, Rauf Fratari, Mustafa Gjinishi, Hysni Lepenica, Nexhat Peshkëpia e të tjerë.

Vendimet e Konferencës së Mukjes ishin të qenësishme, jo vetëm për momentin historik, por edhe për ardhmërinë e Shqipërisë e të kombit shqiptar, sepse ato konfirmonin bashkimin dhe jo ndarjen, siguronin luftë të përbashkët kundër çdo okupatori, për një Shqipëri të lirë e të pavarur, mundësonin në të ardhmen një Shqipëri demokratike dhe rreshtimin përbri Aleatëve të mëdhenj Antifashistë, por edhe përcaktonin  rrugën më të drejtë për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare.

Ky program i përbashkët u arrit, pasi të dyja përfaqësitë u treguan tolerante dhe i bënë lëshime njëra tjetrës. Në këtë pikë, Mukja është edhe shëmbull i mendimit  e i veprimit demokratik si pjesëmarrje, bisedim konstruktiv e tolerancë të admirueshme, një kompromis e një zotim i përbashkët. Është një model i dialogut kombëtar, i debatit dhe i mirëkuptimit. Aleanca që u arrit në Mukje, premtonte se edhe në të ardhmen forcat poltike shqiptare do të merreshin vesh midis tyre për çështjet themelore.

Menjëherë pas Konferencës së Mukjes, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943 një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë Shtamës kundër ushtrisë italiane, që marshonte për në Mat.

PROKLAMATË

“Çetat vullnetare partizane të Ushtrisë NÇ dhe çetat e Ballit Kombëtar nën komandën e majorit Abaz Kupi më datën 4 të gushtit 1943, në orën 10.00, mbasi muarën, vesh se ushtria italiane shkonte për në Mat, u nisën për t’i prerë rrugën në të gdhirë. Kur çetat mbërritën në këtë vend, ushtria armike, mbasi dogji disa shtëpi që ndodheshin afër rrugës si dhe komunën dhe zyrën e botores, kaloi dhe po i  afrohej Qafë-Shtamës. Mbasi çetat nuk mund të arrinin në kohë, në ato pozita ku do t’i pritnin, u detyruan të ecnin gjithë natën dhe si kaluan malin e Liqenit, i dolën përpara në kufirin e Matit, dy km afër Qafë-Shtamës.

Plot në orën 7.10 të ditës së nesërme, ushtria italiane e përbërë prej 750 vetave, mbërriti në vendin e pritjes e përnjëherësh filloi luftimi, i cili zgjati 3 orë rresht dhe mbaroi me shpartallimin  e plotë të ushtrisë armike.

Humbjet e armikut janë: 150 të vrarë, 40 të plagosur, 7 robër. Në mes të të vrarëve italianë është edhe oficeri kolonel A.P.Scarpa, të cilit i është gjetur në xhep një medalje të fituar kur ka hyrë në tokën shqiptare ditën e 7 prillit 1939. Është kapur një materjal kolosal. Të numuruar deri tani janë: një mortajë e rëndë me gjithë municione, 6 mitroloza të rëndë komplet me municione, 10 mitralozë të lehtë dhe mjaft municione për to,160  armë lufte, 7 radio fushore marrëse-dhënëse, 5 kuaj. Gjithashtu janë marrë revolverë, materjal sanitar, batanije e materjale të tjera të ndryshme .

Humbjet tona janë një i vrarë dhe dy të plagosur.”

                  Komiteti  për shpëtimin  e  shqipërisë (AQSH, f.270, d.5, v.1943)

 

Kjo luftë, dy  ditë pas Mbledhjes së Mukjes, tregoi se kjo nuk ishte një shprehje historike,  por një realitet, nuk ishte vetëm një marrëveshje në letër, por edhe një marrëveshje konkrete për bashkëpunim në luftë, nuk ishte një tradhti që, sipas E.Hoxhës – binte ndesh me interesat e Luftës antifashiste, ”por ishte  një lidhje bese  në dobi të luftës çlirimtare dhe të çështjes kombëtare, nuk ishte një gjë “formale “ e një “grackë “ – siç thoshte E.Hoxha,  po një vendim e një veprim i vullnetit të një populli; ishte, në fund të fundit, një ndërgjegje e kthyer  në lëvizje e forcave partizane dhe atyre nacionaliste, që luftuan së bashku si shqiptarë e si vëllezër kundër okupatorëve, nën drejtimin e Komitetit Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë.

Enver Hoxha, nën presionin e emisarëve  të PKJ në Shqipëri,  prishi dhe shkeli në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare Marrëveshjen e Mukjes.

Marrëveshja e Mukjes prekte sidomos interesat dhe synimet e qarqeve shoviniste serbomëdha që sundonin në PKJ, të cilat kërkonin  përjetësimin e pushtimit serb të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare, si edhe nënshtrmin e plotë të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë. Prandaj edhe prishja e njëanshme e Marrëveshjes së Mukjes ishte kryesisht rezultat i ndërhyrjes jugosllave , të cilës nuk i interesonte kurrsesi marrja dhe plotësimi i atyre vendimeve. Reagimi i shpejtë e i vendosur i kolonit malazes në Kosovë, M.Popoviçit, ishte i kuptueshëm. Kur aktet e marrëveshjes së Mukjes iu dorëzuan “mentarit” të Enverit, ai i tërbuar i grisi ato, i bëri copë-copë dhe ia hodhi në surrat Enver Hoxhës.

Kjo ndërhyrje brutale e Partisë Komuniste Jugosllave në punët tona të brëndshme vërtetohet edhe nga një letër që udheheqësi real i PKSH, M.Popoviçi, i dërgoi Titos: “Kemi ndikuar në PKSH dhe në LNçl që gjithsesi të prishim Marrëveshjen e Mukjes “.

“Traktati i Konferencës së Mukjes shkaktoi një turbullimë të madhe, – shkruante Dushan Mugosha. – Organizata e Partisë në Vlorë, nën direktivën time, shkroi traktatin dhe ua drejtoi të gjitha njësive të Ballit Kombëtar ku thuhej shkurt e qartë: kush nuk dëshiron me ne, është kundra nesh …Bash në këtë situatë, pa pritë, vjen Trakti nga Konferenca e Mukjes me nënshkrimin e Y.Dishnicës …Asht e nevojshme me pyet KQ se mos rastësisht Proklamata e Konferencës në Mukje asht falsifikim “

E.Hoxha, nën diktatin e M.Popoviçit dhe Dushan Mugoshes, me të cilët ishte në Vithkuq, pa përfillur Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i cili kishte nënshkruar me B.Kombëtar Marrëveshjen e Mukjes, pra, pa mbledhur dhe pa marrë mendimin e Këshillit të Përgjithshëm Nçl, më datën 8 gusht 1943, si një partiak u dërgoi një letër –qarkore shokëve të partisë së Vlorës, Gjirokastrës etj: ”Lajmëroheni se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të KNÇL dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në kundërshtim me vijën nacionalçlirimtare dhe disaprovohet nga KQ i Partisë. Prandaj, në rast se nuk i keni shpërndarë, çirrini dhe të mos flitet më për të “

Shkak tjetër kryesor për prishjen e njëanshme të Marrëveshjs së Mukjes ishte çështja e pushtetit. Synimi i pushtetit është një akt normal në çdo kohë, por vendimi i PKSH për ta marrë pushtetin me dhunë e me gjak, duke shkelur edhe vendimin e Mukjes se çështja e pushtetit do të zgjidhej pas luftës me zgjedhje demokratike. Kjo solli edhe luftën civile në Shqipëri, pasoja më tragjike e prishjes së Marrëvshjes së Mukjes.

Udhëheqësia doktrinore e PKSH, dënoi Marreveshjen e Mukjes në Konferencën e dytë të Labinotit, 4-9 shtator 1943, ku përveç M. Popoviçit dhe D. Mugoshës, merrte pjesë edhe Bllazho Jovanoviç, i dërgar i posaçëm i PKJ, i cili luajti një rol të madh si i dërguari i Titos në konferencë, për të hedhur poshtë marrëveshjen e Mukjes, për të dënuar protagonistët e saj, por edhe për te marrë vendimin e mesymjes ushtarake mbi Ballin Kombetar dhe nacionalistët e tjerë antifashistë, si Muharrem Bajraktari, Gani Kryeziu etj. Konferenca e Labinotit dënoi për tradhëti delegatët e saj në Kuvendin e Mukjes, edhe pse i kishte autorizuar për marrëveshje. Mustafa Gjinishi u dënua me vdekje dhe u vra në vitin 1944 në një pritë të organizuar nga E.Hoxha, Ymer Dishnica, një nga protagonistët e shquar të Marrëveshjes së Mukjes, u dënua me burg dhe mandej me internim, po ashtu edhe disa nga delegatët e tjerë të Nacionalçlirimtares. Gjithashtu i quajti tradhtarë e kolaboracionistë delegatët e Ballit Kombëtar, me të cilët lidhi marrëveshje bashkëpunimi pak ditë më parë. Madje, nisi gjuetinë e shtrigave për asgjësimin e tyre.

Pasojat e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes dhe të Luftës Civile vazhduan për gjysëm shekulli komunizëm, por ndjehen e dhe sot, në ndarjen dhe politikën e sotme konfliktuale, në urrejtjen dhe armiqësinë, mungesën e kompromisit e të bashkëpunimit për interesat e popullit dhe ato kombëtare.

Mukja është një çështje kyç  në historinë moderne, por dhe nje çelës për të hyrë brenda saj,  për të ndriçuar e shpjeguar fenomenet e ngjarjet  më të  rëndësishme të  Luftës së Dytë Botërore  dhe të gjithë periudhës gjysmëshekullore që pasoi, është një mësim për të gjithë ata që duan të mësojnë nga historia, një mesazh i nevojshëm për sot dhe për të ardhmen.

 

Filed Under: Featured Tagged With: 75 vjet, Dr. Uran Butka, Konferenca e Mukjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT