• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

PRIORITETI I SHQIPTAREVE, BASHKIMI KOMBETAR

October 15, 2018 by dgreca

Prioritet mbi prioritet vetëm bashkimi, jo “neo-osmanizmi”,  nuk është çështje e shqiptarëve/

 Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI/1 Mehdi_Hyseni

Prioritet mbi prioritet bashkimi kombëtar, jo “neo-osmanizmi”,  nuk është çështje e shqiptarëve-

*** Detyrë dhe përgjegjësi morale, profesionale dhe kombëtare e çdo shkencëtari,  studiuesi, analisti, publicisti dhe gazetari, është që të pohojë, të shkruajë  dhe ta mbrojë të vërtetën, jo ta shtrembërojë dhe ta sakrifikojë për interesa të ulta meskine personale, ideologjike, politike, mafioze, grupore, partiake, karrieriste dhe latifundiste. –Flerti me të vërtetën është tradhti dhe përgjegjësi ndaj së vërtetës, ndaj ndërgjegjës njerëzore, ndaj profesionalizmit, ndaj interesit të përgjithshëm kombëtar, si dhe ndaj humanizmit  dhe drejtësisë si vlera universale.  

-JO stretegjisë së frikësimit dhe të dezinformimit të kombit shqiptar, me qëllim të shpërqendrimit nga sundimi i kolonializmit gjenocidal sllav (1878-2018) !

Duhet ta themi të vërtetën se pas përfundimit të Luftës së Ftohtë mes dy superfuqive botërore, SHBA-së dhe BRSS-së ( 1989-2018) shqiptarët ende nuk kanë pranuar kurrfarë oferte zyrtare nga politika dhe nga diplomacia e Anakarasë, që të mbështesin  strategjinë dhe doktrinën e  “neo-osmanizmit”. Mirëpo, nëse pranojnë një ofertë tillë për shqyrtim, dihet se cila, do të ishte përgjigjja e Tiranës dhe Prishtinës,  një JO e Skënderbeut dhe e Ismail Qemalit, sepse shqiptarët përjetësisht   fatin e tyre e kanë të lidhur me Evropën Perëndimore dhe me Amerikën, JO me  Turqinë, as me Rusinë, as me   satelitët e saj  të Ballkanit, të Evropës Juglindore, as me vededet e Afrikës  e as të Azisë.

Prandaj, nuk kemi pse të frikësoemi, të preokupohemi dhe të bëhem robër të propagandës zhurmuese sllave dhe filosllave të “neo-osmanizmit”, sepse ky fenomen nuk ka asnjë gjasë reale, që të ringjallet në katër vilajetet shqiptare, të cilat dikur ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane (1385-1912). Pra, mos u friksoni nga propagandimi i “neo-osmanizmit”, por nga kolonializmi dhe nga neokolonializmi gjenocidal sllav. Ky është rreziku permenant dhe varri i hapur i shqiptarëve të copëtuar dhe të aneksuar nga amalgama sllavo-bizantine (1878-2018). Ndërrimi i kësaj teze justifikon dhe legalizon politikisht dhe juridikisht kolonializmin dhe neokolonializmin gjenocidal sllav mbi gjysmën e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.

  -Po, supozojmë se, edhe sikur të ishte i shpërfaqur “neo-osmanizmi” (teorikisht  dhe praktikisht) hëpërhë  shqiptarët nuk janë superfuqi ballkanike e as evropiane, që të luftonin në pesë (5) fronte me pesë (5) kundërshtarë në të njëjtën kohë, sepse ky do të ishte epilogu tragjik për lirinë dhe për vetëvendosjen e  kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan.

Mirëpo, pavarësisht nga spekulimet dhe nga dezinformimet  me “pompë” të  “politikës matematikore” të   qendrave të ndryshme kishtare dhe shtetërore të aleancës sllave ballkanike dhe të eksponentëve të tyre “kujdestarë” në përhapjen e strategjisë së frikësimit nga “neo-osmanizmi” as shqiptarët, as kroatët e as popujt e tjerë josllavë në rajonin ballkanik nuk kanë pse të frikësohen nga një “fantazmë” e tillë e paragjykuar, e ekzagjeruar dhe e dramatizuar  ( me qëllim që sa më parë shqiptarët t’i fusin në luftë me Turqinë, sepse kjo do të ishte strategjia  më e sigurt  dhe më e leverdishme politike dhe gjeopolitike, që Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia ta “konservonin” edhe më tej kolonializmin gjenocidal të tyre mbi gjysmën e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike), SEPSE  Ballkani nuk është më  zonë e kontrolluar vetëm nga Turqia si dikur para 600 vitesh, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga aleatët e saj të Evropës Perëndimore (Gjermania, Britania e Madhe, Italia dhe Franca), si dhe nga Rusia.

Prandaj, pavarësisht nga propaganda perfide sllavo-bizantine dhe kusilinge në “elektrizimin” dhe në provokimin  shumëtehësh të shqiptarëve, se gjoja “ka ardhur koha të dalin në mal për ta luftuar neo-osmanizmin”, ne nuk duhet të bijmë viktimë e kësaj propagande  serbo-greke antishqiptare, sepse realisht as në afat të shkurtër e as në afat të gjatë nuk ekziston asnjë shans më i vogël, që të vijë në shprehje “neo-osmanizimi” e as “sllavizimi” i Ballkanit mbase ky, tanimë është zonë e sferës së interesit

PERËNDIMOR (AMERIKA, GJERMANIA, BRITANIA E MADHE, FRANCA DHE ITALIA) dhe e atij LINDOR (Rusia).

 Ndaj si politika, diplomacia, ashtu edhe propaganda masmediale shqiptare nuk preferohet, që të  “karrabythen” me të,  sepse nuk është detyrë e as përgjegjësi e tyre kinse  për “korrigjimin” e “neo-osmanizmit”, në asnjë fromë,  sepse,  nëse ky fenomen ekziston si i tillë ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme  të Turqisë, jo të Shqipërisë e as të Kosovës.

 Prandaj, para së gjithash dhe, mbi të gjitha objektiv prioritar i interesit të përgjithshëm nacional, duhet të jetë shkolonizimi dhe ribashkimi  i Shqipërisë Natyrale, JO hapja e ndonjë konflikti eventual me Turqinë, sepse kjo do të ishte fitorja më e madhe e aleancës ortodokse sllave me Rusinë në krye ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike në Ballkan.

Për krijimin e një konflikti të tillë mes shqiptarëve dhe Turqisë, qe më se një shekull janë duke punuar  intensivisht “fabrikat”  dhe “kuzhinat” politike dhe propagandistike të  kishave ortodokse të Athinës dhe të Beogradit, me qëllim që të fitonin aleatin e pestë-Turqinë për luftimin e shqiptarëve në Ballkan.

Mirëpo, shqiptarët nuk duhet të jenë aq naivë dhe mendjelehtë, që t’i fryjnë një zjarri të tillë serbo-grek (kinse për ta luftuar “neo-osmanizmin”), sepse do të digjeshin në flakën e tij sikurse më 1878,  1912, 1913, 1919, 1945, 1989 dhe më 1999, kur Slobodan Milosheviqi me ndihmën, me mësimet dhe me bekimin e Kishës Ortodokse  Serbe dhe të Kishës Ortodkse Greke, bëri 3 gjenocide kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1989-1999).

Jo konflikt, por bashkëpunim dhe miqësi me Ankaranë

 Deri tani kemi dëshmuar se ne  nuk duan kurrfarë konflikti me Turqinë, sepse  mjaft i kemi mbi kokë 4 armiq shekullorë sllavë ballkanikë, të cilët edhe sot mbajnë në sundimin e tyre kolonial mbi 3 milionë shqiptarë dhe më se gjysmën e Shqipërisë etnike (1878-2018). Ky është problemi  i shqiptarëve, JO “neo-osmanizmi” i imagjinuar  dhe i fabrikuar sllavo-bizantin  i “Unholly Alliance”  ortodoks i Beogradit dhe i Athinës.

Nëse Ballkani qenka në rrezik nga “neo-osmanizmi”, atëherë le t’i përgjigjet aleanca sllave ortodokse me Serbinë dhe me Greqinë në krye, sepse kanë në mbështetje Rusinë,  jo shqiptarët (myslimanë, katolikë dhe ortodoksë), sepse më se 50% e tyre ende janë nën çizmen e kolonialzimit gjenocidal sllav. Zgjidhja e  këtij problemi jetik ka prioritet për kombin shqiptar dhe për Shqipërinë Etnike, Jo kurrfarë “neo-osmanizmi”  i Turqisë.

        Gjenocidi  serb dogji Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën, jo  “neo-osmanizmi” turk !

-Vërtet,“neo-osmanizmi” nuk e shkatërroi Jugosllavinë Socialiste të Titos (1945-1990), por Serbia e Madhe me 3 gjenocidet e saj kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, me ç’rast rrezikoi jo vetëm Ballkanin, por  edhe sigurinë dhe paqen e Evropës dhe të bashkësisë ndërkombëtare (1990-1999). Kjo ishte arsyeja pse  RFJ-ja (Serbia+ Mali i Zi)e drejtuar nga kryekkrimineli Slobodan Milosheviq, u bombardua nga forcat ushtarake të Alencës së Atlantikut Verior (NATO), jo më pak se 78 ditë (24 mars-10 qershor 1999).

Ndaj e gjithë amlagama slavofile, duhet ta ketë të qartë se Shqipëria Etnike Natyrale  dhe shqiptarët në Ballkan janë në konflikt të hapur më se njëshekullor (1878-2018)  me  kolonializmin gjenocidal sllav të Serbisë, të Greqisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Ky është problemi kyç që  prêt zgjidhje nga shqiptarët dhe nga aleatët e tyre ndërkombëtar, JO   shpallja e luftës  dhe propaganda mediale filosllave kundër Turqisë, gjoja për  ta luftuar “neo-osmanzimin” e saj në Ballkan, duke e harruar kolonializmn gjenocidal sllav ortodoks! Kjo nuk është “detyrë shtëpie” parësore e politikës, e propagandës as e diplomacisë  shqiptare, POR   ndërtimi i strategjisë së përbashkët konzistente, konsensuale dhe afatgjatë për luftimin e kolonializmit gjenocidal  sllav nga territoret e Shqipërisë Etnike.

Disa pyetje, që në asnjë formë nuk mund t’i atribuohen “neo-osmanizmit”, por kanë të bëjnë  me barbarizmin, me  gjenocidin, me terrorizmin, me shfrytëzimin, me korrupsionin, me terrorin, me krimin, me dhunën, me plaçkën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike…

Së pari, për të hyrë in medias res në këtë “temë”, shtrohen këto pyetje: Kush janë ata, që pas përfundimit të luftës së ftohtë (1989-2018) po e rrezikojnë Ballkanin, janë turqit, grekët, shqiptarët, kroatët, myslimanët boshnjakë apo serbët me 3 gjenocidet e tyre (1990-1999)?   Kush bëri gjenocid ndaj Kosovës (1998/99)? Kush i vrau mbi 12.000 mijë shqiptarë në Kosovë? Kush i dhunoi mbi 20.000 mijë femra shqiptare në Kosovë? Kush i masakroi mbi 3.mijë foshnja dhe fëmijë në Kosovë? Kush i zhduku mbi  2.000 mijë shqiptarë nga Kosova? Kush i shpërnguli mbi 1 milion shqiptarë nga Kosova? Kush e ndërkombëtarizoi veriun e Kosovës? Kush  po kërkon këmbimin e kufijve të Kosovës? Kush e varfëroi Kosovën? Kush e korruptoi sistemin e drejtësisë në Kosovë? Kush e legalizoi krimin  dhe plaçkën e organizuar?  Kush shkaktoi papunësinë mbi 40%, kush po nxit eksodin sistematik të shqiptarëve nga Kosova dhe nga Shqipëria , e cila, edhe pse nuk ishte përfshirë në luftën e Kosovës, përjetoi ekzodin sistemtik të qytetarëve të vet, ku prej vitit 1990 e deri më sot (2018) mbi 1 milion shqiptarë kanë emigruar në vendet e Evropës, në Amerikë dhe në Greqi? Kush e shndërroi  Shqipërinë në “livadhe” kanabisi?  Kush e korruptoi  sistemin e drejtësisë në Shqipëri?  Kush po vret për çdo ditë në Shqipëri? Kush i vrau heronjtë shqiptarë të UÇK-së në Shqipëri, më 1998 (kolonel Ilir Konushevcin, kolonel Ahmet Krasniqi dhe Dr. Hazir Mala) ? Pse institucionet dhe organet përkatëse  të drejtësisë në Shqipëri, që 20 vjet (1998-2018) ende nuk kanë zbardhur këto krime të terrorizmit politik?

Të gjitha këto dukuri  të zeza negative dhe shkatërrimtare janë prodhim i drejtpërdrejtë i politikave të gabuara të dështakëve korrupcionistë, miliarderë dhe mafiozë  politikë  të Kosovës dhe të Shqipërisë, JO presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, e as  kurrfarë “NEO-OSMANIZMI” i Turqisë, i shpifur dhe i trilluar nga kuzhinat tradicionale sllavo-biznatine të  industrisë  politiko-propagandistike serbo-greke sllave të djeshme dhe të sotme (1331-2018).

 Fantazma e “neo-osmanizmit” makth për kolonialistët dhe për neokolonialistët sllavo-bizantinët në Ballkan

Derisa nuk ekziston asnjë fakt konkret për shfaqjen e “neo-osmanizmit” në Ballkan, me qëllim të mohimit të lirisë dhe të pavarësisë së shqiptarëve, si dhe të tëkurrjes së territorit të Shqipërisë Etnike, politika dhe propaganda shqiptare nuk duhet të bëhen robër  të këtij fenomeni të  “patentuar” dhe të përpunuar nga kuzhinat politike kishtare dhe shtetërore të Serbisë dhe të Greqisë   për të dominuar sllavët në Ballkan mbase  bashkëpunimi ekonomik, tregtar, kulturor, politik dhe diplomatik i Turqisë me vendet fqinje ballkanike,  në asnjë kuptim nuk mund të cilësohet si “neo-osmanizëm”, por  si bashkëpunim normal, i  vullnetshëm, reciprok, i ligjshëm, demokratik, miqësor dhe paqësor në frymën e standardeve  dhe të kritereve të axhendës së integrimeve të BE-së dhe të globalizmit.

Pse Turqia ka marrëdhënie të mira dhe të suksesshme  politike, ekonomike, tregtare, kulturore dhe të biznesit etj. me  të gjitha vendet e Ballkanit, kjo nuk mund  të paragjykohet dhe të akuzohet se, pas këtij bashkëpunimi të ndërsjellë dhe të  frytshëm fshihet   ndonjë “plaformë strategjike neo-osmaniste” e Turqisë për ta kolonizuar Ballkanin. Ky është nonsens, shpifje, dhe sulm i drejtpërdrejtë i “UNHOLLY ALLIANCE” i frontit të përbashkët të politikës së kishës ortodokse serbo-greke për ta destabilizuar bashkëpunimin, sigurinë dhe paqen në Ballkan, ashtu siç vepruan në dekadën e fundme të shekullit XX, me rastin e “bombardimit” dhe të shkatërrimit total të ish-RSFJ-së, ku Serbia me 3 gjenocidet e saj shkretoi Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën (1990-1999).

Në këtë kontekst si politika, propaganda shtetërore, ashtu edhe kisha ortodokse e Greqisë luajti rol të madh, duke e mbështetur kishën serbe dhe politikën gjenocidale të Serbisë së Slobodan Milosheviqit kundër kroatëve, myslimanëve  dhe shqiptarëve në Kosovë, të cilët me qindra e mijëra u maskaruan nga makineria çetniko-fashiste  hitleriste e forcave militare, paramilitare dhe policore  të Serbisë, të përgatitura, të komanduara dhe të urdhëruara nga kryekriminelët Slobodan Milosheviq, Vojislav Sheshel, Arkan, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mladiq etj.

Kjo luftë shfarosëse  nuk pati karakter të luftës civile, por thejsht, ishte një luftë me strategji dhe me përmbajtje  religjioze dhe të pushtimit territorial të kroatëve, të myslimanëve dhe të shqiptarëve në Kosovë. 

 Shqiptarët nuk duan luftë me Turqinë, sepse që 100 vjet jetojnë në paqe me të (1923-2018)

 Vetëm ndonjë politikë e paekuilibruar sllavofile, do të mund t’i konfrontonte shqiptarët me Turqinë, me qëllim që t’ia lehtësonte darën  aleancës  sllave ortodokse në Ballkan si  “sundues legjitimë” të territoreve të kolonizuara të Shqipërisë etnike (1878-2018).

Mirëpo,  shqiptarët, duhe të kuptojnë se nuk janë në konflikt me Turqinë, por me aleancën  kolonialiste sllave ballkanike antievropiane  dhe antiamerikane.

Prandaj, shqiptarët nuk duhet të bijnë viktimë e propagandës së boshtit ortodoks sllav (Beograd-Athinë),  duke e mbështetur dhe  afirmuar strategjinë e “neo-osmanizmit” të tyre,  se gjoja  “Turqia po paraqet rrezikun më të madh për shqiptarët në Ballkan”, sepse kjo është vetëm një gënjeshtër e madhe dhe provokim serioz për t’i futur në grindje shqiptarët me turqit e sotëm, si dhe me partnerët  dhe me miqtë shpëtimtarë të tyre evropianë perëndimorë (Amerika, NATO dhe BE).

Prandaj, ne duhet të jemi aq largpamës, që të mos i bëjmë “argatë”  një politike dhe një propagande të tillë antishqiptare, antiturke dhe antievropiane  perëndimore  të  “Anshlusit Sllav”, që me çdo kusht po lufton  dhe po trumbeton me të madhe se gjoja “Ballkani është në rrezik nga ringjallja e neo-osmanizmit”. Kjo është rrena  dhe shpifja më  absurde, që nuk ka lidhje me realitet e krijuara në Ballkan (1990-2018), sepse  “neo-osmanizmi” nuk bëri asnjë luftë terroriste dhe gjenocidale ndaj Kroacisë, ndaj Bosnjës dhe ndaj Kosovës (1990-2018), por Serbia  fashiste, kolonialialiste, militariste dhe gjenocidale është ajo që i bëri 3 agresione gjenocidale mbi bazën religjioze, raciste dhe gjeopolitike për rizgjerimin e territoreve të Serbisë së Madhe (1878-1999).

Ky ishte dhe, edhe sot është “neo-osmanzimi” serbo-greko-sllav, i ringjallur  edhe si doktrinë, edhe si praktikë në “luftën e shenjtë” për shfarosjen e popujve josllavë të Ballkanit. Prandaj, mendja e shëndoshë dhe interesi i përgjithshëm kombëtar, shtetëror dhe territorial shqiptar e thotë që, si politika, diplomacia, propaganda masmediale shqiptare, me çdo kusht, duhet të distancohen  dhe t’i shmangen  një rreziku të këtillë serbo-grek antishqiptar dhe antievropian, cili ka për qëllim që Shqipërinë Etnike  dhe Turqinë, t’i shndërrojë në një Siri të dytë.  Prandaj,  ne, në asnjë mënyrë nuk duhet të jemi as  avoaktë, as gjykatës, as  “gardianë, as “lojtarë” e as luftëtarë të Aleancës Serbo-Greke Sllave, e cila  për t’i mbrojtur  edhe më tej të paprekura  kolonitë shqiptare, si rrjedhim i gjenocidit kolonial të saj (1878-2018), i apelon shqiptarët, që të ngrihen në luftë kundër të ashtuquajturit  “neo-osmanizëm” të Turqisë së Rexhep Taip Erdogan.

Mirëpo, ky apel serbo-grek sllav nuk është ndonjë novus, por, theshjt një reprizë e apelit të aleancës së vendeve sllave ballkanike të viteve 1912 dhe 1913, kur u  bashkun me kryengritësit shqiptarë në luftën e kundër sundimit të Perandorisë Osmane për çlimin e Ballkanit. Mirëpo, pas çlirimit të Ballkanit nga sundimi osman, Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria pushtuan territoret shqiptare të KATËR VILAJETEVE SHQIPTARE (Manastir, Janinë, Shkodër dhe Kosovë), të cilat edhe sot i mbajnë si plaçkë koloniale jolegale.

Prandaj, duhet kuptuar qartë dhe objektivisht se zhvillimi dhe bashkëpunimi ekonomiko-tregtar, politik , kulturor, sportiv, diplomatik, si dhe marrëdhënet e mira e miqësore të Turqisë së sotme me vendet fqinje të Ballkanit, nuk mund të karakterizohen si “neo-osmanizëm” , sepse nuk përbëjnë kurrfarë rreziku për stabilitetin dhe për paqen në Ballkan. Përkundrazi, Turqia është faktor stabiliuzues dhe unifikues i të gjithë popujve të Ballkanit. Këtë e dëshmoi edhe mospërzierja dhe mosinvolvimi i saj në luftërat gjenocidale të Serbisë në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1990-1990).

 Fakte e as shembuj konkret të “neo-osmanizmit”  për gllabërimin e Ballkanit nuk ka, por ky është produkt i propagandës serbo-greke, i gatuar nga kisha serbe dhe nga ajo greke, që në dekadën e fundme të shekullit XX, kur si rrjedhim i ndikimit dhe i mbështetjes së tyre, edhe shpërthyen 3 gjenocide serbe kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1990-1999).

Për t’iu shmangur keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve të gabuara dhe qëllimkëqia të propagandës mediatike serbo-greko-sllave dhe prosllave se gjoja “Neo-osmanizmi po paraqet rrezik për Ballkanin”, së pari, ֝ është  e domosdoshme, që masmediat shqiptare në Ballkan, si dhe ato në diasporë, në asnjë formë të mos ushqehen dhe të mos operojnë me burimet  dezinformuese të propagandës politike, publicistike, diplomatike shtetërore dhe kishtare serbo-greke, se gjoja  “Turqia e presidentit Taip Rexhep Erdogan po rrezikon Ballkanin me politikën e saj  për ringjalljen e osmanizmit”. –Jo,  Turqia nuk po kërkon asgjë specifike nga  partnerët fqinjë ballkanikë veç mirëkuptimit dhe bashkëpunimit recirpok në të gjitha fushat.

Këtë e provuan edhe tri gjenocidet e fundit të Serbisë në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1989-1999), jo “neo-osmanizmi” këto tri gjenocide nuk i bëri në asnjë pëllëmbë të Ballkanit. Përkundrazi, Turqia e sotme evropiane si anëtare e NATO-s,  e OKB-së dhe si aleate e Amerikës i denoncoi këto luftëra gjenocidale të Serbisë në Ballkan, ku trupat e saj morën pjesë edhe në kuadrin e OKB-së dhe të NATO-s në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë. Gjithashtu, Turqia është ndër shtet e para, e cila së bashku me Amerikën, me Britaninë e Madhe, me Francën, me Gjermaninë dhe me Italinë e njohu Republikën e pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008).

Ballkanin po e kërcënon “Unholly Alliance” serbo-greke JO “neo-osmanizmi” e as Shqipëria Natyrale.

Për ata që nuk e dinë dhe për ata që nuk duan ta dinë “neo-osmanzimi” është pjellë politko-propagandistike e “Aleancës jo të shenjtë” serbo-greke dhe e bishtave të  agjenturave të tyre, që punojnë për interest e shërbimeve të zbulimit  dhe të kundërzbulimit sekret  shtetëror, kishtar, policor, ushtarak, informativ, publicisitik, diplomatik dhe shkencor, me qëllim të dezinformimit dhe të indoktrinimit të njerëzëve të painformuar dhe  të atyre, që ushqehen me  përfitime të ndryshme materiale, financiare dhe karrieriste, gjithnjë të disponuar dhe të gatshëm për t’i mbështetur dhe justifikuar tezat, shpifjet, gënjeshtrat dhe akuzat e rënda paragjykuese dhe paranoide të “Aleancës jo të shenjtë” sllavo-bizantine, përkatësisht serbo-greke, se gjoja “Turqia e sotme evropiane me presidetin e saj, Rexhep Taip Erdogan në krye  po rrezikon Ballkanin” !?

Mirëpo, kjo është vetëm propagandë e zezë (me burime të panjohura) dhe e bradhë(me burime të njohura), që si mjet kryesor operativ politiko-propagandistik, diplomatik, shtetëror, kishtar, publicistik dhe informativ medial po përdorë “NEO-OSMANIZMIN” e trilluar, edhe pse nuk ekzistojnë fakte e as argumente të qëndrueshme se “neo-osmanizmi po rrezikon Ballkanin”.

Përkundrazi, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë (1948-1989) e deri më sot, politika e jashtme, as diplomacia e as masmediat turke nuk kanë dëshmuar  asnjë fakt dhe asnjë argument se  Turqia e sotme ka  pretendime për “neo-osmanizimin” e Ballkanit. Kjo akuzë nuk qëndorn as në “tokë, as në qiell”, por është produkt strategjik afatgjatë  i Platformës  së Aleancës jo të shenjtë serbo-greke për ta serbizuar dhe greqizuar-kolonizuar në tërësi Ballkanin me popujt sllavë, duke i luftuar turqit, shqiptarët dhe kroatët nga teritoret e tyre autoktone sikurse këtu e shumë shekuj më parë, që nga car Dushani-mizori (1331-1355), e, edhe sot në shekullin XXI (2018).

Sa më sipër, politika dhe diplomacia shqiptare, duhet  të fokusohen në përzgjedhjen e prioriteteve të veta kombëtare dhe shtetërore, gjithnjë duke u mbështetur në  respektimin e parimit të interesave vitale, që përbëjnë kuintesencën  e mbrojtjes së interesit të përgjithshëm nacional dhe shtetëror gjithëshqiptar, sepse kjo është froma më e qëndrueshme dhe më oportune për të mënjanuar çdo formë agjitacioni, propagande dhe dezinformacioni, si dhe format e e tjera subversive të ndërhyrjes  në çështje të brendshme, me qëllim të “bombardimit” të sovranitetit dhe të pavarësisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, që të gjitha këo e pengojnë dhe e bëjnë të pamundur krijimin e atmosferës së mirëbesimit dhe të respektimit reciprok për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar mes popujve dhe shteteve të ndryshme.

Filed Under: Politike Tagged With: Bashkimi Kombetar, Prioriteti i shqiptareve, Prof. Dr. Mehdi Hyseni

GJERGJ KASTRIOTI I IDROMENOS 1887

October 15, 2018 by dgreca

KU  NUK  ASHT  DORA  E   KOL  IDROMENOS !/

1 Kole Idromenoskenderbeu

GJERGJ KASTRIOTI I IDROMENOS 1887/

1968, 5 MARS: PLOT 50 VJET…/

Nga Fritz RADOVANI/

Ishim tue punue një grup piktorësh në Shtëpinë e Kulturës në Shkoder per një ekspozitë të 7 Marsit, ditës së mësuesit, në një tavolinë me piktorin e nderuem Gasper Zojzi…

Zbriti nga shkallat dhe erdhi në drejtimin tonë drejtori Angjelin Kumrija, të cilin kam pasë fatin edhe rrezikun me e njoh që në 1955, kur kerkonte me “më angazhue me sport” nën kujdesin e kriminelit Hilmi Seiti. Më shpetoi vetem gjendja jo e mirë e shndetit… Si dhe kujdesi i madh i Dr. Dhimiter Lito, per të cilin ruej kujtime shumë të mira.

Angjelini më tha me shkue në drejtori se më priste sekretari i PPSh rrethit Xhemal Dini.

Shkova dhe mbas meje hyni edhe Angjelini. Xhemali më parashtroi një kerkesë: “Me që ke edhe vllaun, Alfonsin, në burg është mirë per ty, me shkruar një artikull në lidhje me piktorin e njohur Kol Idromeno, sesi pat punuar aq shumë per Kishen e Madhe të Shkodres, dhe Kleri Katolik nuk i pat paguar asnjë napolon per të gjithë atë mori veprash që bëri Kola!” Pra, u kerkonte me tregue unë, sesi Kleri pasunohej pa shpenzue asgja!

Per mue kje krejt e papritun tema dhe kerkesa. U mundova me u justifikue se “mos ka dokumenta që vertetojnë të kunderten n’ arkiva?!” Xhemali më preu fjalen atyperaty se, “dokumentat i disponojmë ne edhe me qenë!”… Unë kerkova me i mbushë mendjen se “me punue me vite në Kishen e Madhe e mos me u pague fare asht e pamujtun, mbasi Kola aty ka punue shumë kohë, ka fillue me pikturat, skulpturen e Shen Mëhillit, tavanin e Kishës që kerkon kohë të gjatë, pa llogaritë montimin…”, ai u merzit tue më ndigjue dhe kerkoi shkurt: “A do apo nuk do, me e shkrue artikullin?” Unë i thashë “JO !”, dhe porsa deshta me folë, u hap dera dhe hyni mbrendë Mantho Bala, që pak kohë ma parë ishte trasferue në Tiranë… Mbasi na dha doren, Mantho e kuptoi nga fëtyrat e skuquna prej nervash se aty nuk ka bisedë miqsore, dhe më tha: “Fritz, na lenë një çikë dhe shko, se kisha me biseduar dishka me shokët këtu!”… Unë dola dhe nuk u pashë ma me ata. 

Në vitin 1992, kam shkue në Arkivin e Shtetit në Tiranë dhe, në Dosjen e Argjipeshkvisë së Shkodres, ishin deftesat e pagesave nga Kisha Katolike per Kol Idromenon…  

Kam lexue para pak kohe një artikull nga një Lapere, per Kol Idromeno… Turpi ka dalë prap per fushë! Asht ringjallë tashti edhe thanja: “Shpif e shpif, se dishka mbetë!”…

ASKUSH ma shumë se“Rilindja e autorëve të realizmit socialist” nuk i sherben turpit!

VAJTOJCIT e Enver Hoxhës, i gjeni perditë nder varreza tue “ringjallë” shokët e vet…

Epoka e “rilindjes” së fallsifikatorëve shpifës, në sherbim të shperbamjes Atdhetare…

Melbourne, 15 Tetor 2018.

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, Skenderbeu i Kol Odromenos

Gjon Kadeli ish-gazetari i “Zërit të Amerikës” boton “ Kujtimet e nji t’merguemi”

October 14, 2018 by dgreca

1 Gjon kadeli

Nga Leonora Laçi/

Rastësisht më ra në duar dorëshkrimi i z. Gjon Kadeli, pasi një fragment i këtij libri do të jetë pjesë e librit të IV, të studiueses së krimeve të komunizmit, znj. Fatbardha Mulleti Saraçi.Kështu i lexova me një frymë kujtimet e z. Kadeli, ku më bëri përshtypje rrjedhshmëria e mendimeve, kujtesa e forte e autorit, pasi të shkruash kujtimet dhe përjetimet nuk është një punë e lehtë, sepse përgjegjësia është e madhe.

Të rrëmosh në të kaluaren, kur ndoshta kujtesa ka filluar të të lërë në baltë; të hysh në labirinthet e saj, të shkruash për të mos harruar; të shkruash copëza të shkëputura për të formuar të tërën; të ndash çfarë është e rëndësishme dhe çfarë është më pak e rëndësishme; të ngacmosh pjesë të dhimbshme, t’i rikthehesh asaj kohe e ta krahasosh me të sotmen, është më i vështirë shkrimi i kujtimeve përveç se t’i kujtosh ato…

Zoti Gjon Kadeli, ia ka arritur qëllimit, që me gjakëftohtësi t’i përshkruaj shumë ngjarje, të jap versionin e vet, kujtime të mirëmenduara, që të mos lihet hapësirë për t’i hedhur poshtë. Kështu ato janë ca të vërteta që mendon se i ke harruar, por ato kanë qenë gjithmonë aty, janë aty, janë ajo çfarë ti je, janë ti.

Nga opinioni mbarëshqiptar, është pritur që shumë personalitete të mërgatës gjatë vitëve 1944-2018, të shkruajnë për çështje të ndryshme të emigracionit.

Mirëpo nga ana e tjetër, rrethanat e tyre kanë qenë të atilla, ku jetesa e lodhshme, komunizmi në vendlidje, largësia nga të afërmit e tyre në atdhe, humbja e shpresës se një ditë mund të takohen me të afërmit e tyre të mbijetuar, i ka demoralizuar ata, dhe nuk kanë gjetur dot forcën, e nuk kanë mundur të dalin mbi dhimbjet e shpirtit.

Jeta e pasur plot ngjarje e autorit, është e mbushur me sakrifica, dhe mërgimtarët si ai e kuptojnë më mirë këtë libër, pasi secili gjenë vehten e tij në të. Këto janë sakrifica të mëdha, që ia kalojnë mendimeve normale dhe imagjinatës.

Kjo për më tepër, se ne po njihemi me sakrificat e një mërgate shqiptare më tepër politike se sa ekonomike, e cila është deri diku e papjekur nga eksperienca, në krahasim me emigracionin e kombeve të tjera të SHBA-së dhe Europës.

Mergata e jonë, mendoj se ishte e papërvojë dhe e papjekur asokohe, sepse ata ikën me kokën pas, nuk menduan pasurimin, por vetëm ëndërruan ditën e rikthimit në atdhe.

Emigrantët tanë politikë, për shumë dekada me padurim pritën rënien e komunizmit, një ëndërr, që për shumë vetë nuk erdhi kurrë, dhe për disa të tjerë erdhi në ditët e fundit të jetës, ndonëse shumë pak nga ata shijuan erën e demokracisë dhe lirisë së Shqipërisë.

Rrëfimet e autorit, janë vetëm një pjesë e shkurtër e një jetë të gjatë.

Ish spikeri i radios Zëri i Amerikës zoti Kadeli, synoi të lërë të shkruar në libër të zezën mbi të bardhë, ndryshe nga disa të tjerë, që kujtimet e tyre vdiqën bashkë me njeriun, trupin.

Të lësh gjurmë të së kaluarës, është një nga motivet për të shkruar atë version kujtimesh, atë prespektivë dhe histori, që ke përjetuar dhe që di.

Kalvari i autorit dhe familjes së tij, brenda dhe jashtë atdheut ishte i mundimshëm  dhe vuajtjet vazhduan për disa dekada. Ai provoi kampin e  internimit të Tepelenës kur ishte fëmijë i brishtë…, deri sa arratiset bashkë me të atin, fillimisht në Jugosllavi, ku jetoi 4 vite, më pas shkuan në Itali, mbas një viti në Belgjikë, ku banuan për 4 vite e më në fund u vendosën përfundimisht në SHBA.

Zoti Kadeli, pasi punoi pak kohë dhe mësoi gjuhën angleze, ndoqi mbrëmjeve gjimnazin, që kishte lënë përgjysëm në Kosovë.

Autori provoi lloj-lloj punësh, për të siguruar jetesën, mbijetesën, u maturua para kohe, përfundoi studimet bazë universitare në Nju Jork.

Gjoni në rininë e tij punoi si përkthyes dhe spiker për 8 vite në Zërin e Amerikës, në Seksionin e Gjuhës Shqipe, duke kontribuar për Shqipërinë edhe nga Amerika e largët.

Teksa lexoja librin e tij, më erdhën ndërmend jetë të tjera të ngjashme me të.

Sa pati nga ata që ishin të rinj e u plakën në megrim, ku familjet i takuan pas rënies së komunizmit; sa pati nga ata që nuk i gjetën as varret e familjarëve, mbeten varrëhumbur, edhe për ata që e moren vesht vdekjen e familjareve në atdhe nuk patën të drejtë t’i jepnin lamtumirën e fundit; sa pati nga ata, që iu vdiqën foshnjet nëpër kampe e krahu u mbeti thatë; sa pati nga ata, që vdiqën vetë me mallin për familje e atdhe?!

Zoti Gjon Kadeli, zgjodhi të rrefejë jetën e tij, që t’i jap një mesazh të qartë bashkëatdhetarëve të tjerë si ai, që të shkruajnë, të dokumentojnë jetën e tyre, që të na lehtësojnë punën neve, që hulumtojmë dhe shkruajmë për mërgatën, që të mos shuhet veprimtaria e tyre bashkë me njeriun, por duke shkruar të mbesin të përjetshëm.

Filed Under: Histori Tagged With: Gjon kadeli, Kujtimet e nji t'merguemi, Leonora Laci

USHTRIA E KOSOVËS VOTOHET NË KUVEND

October 14, 2018 by dgreca

1 FSK

 

-Në axhendën e Kuvendit të  Kosovës Pakoja e tre projektligjeve drejt Ushtrisë. Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare për përgatitjet e seancës plenare me 44 pika në axhendë/1 Kuvendi

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/2UshtriaPRISHTINË, 14 Tetor 2018/ Pakoja e tre projektligjeve drejt Ushtrisë së Kosovës pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës në një seancë plenare, për përgatitjet e së cilës me 44 pika në axhendë nesër mblidhet Kryesia me kryetarët e grupeve parlamentare.1 FSK-jaTre Projektligjet – për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës do jenë në shqyrtim të parë në seancë plenare, pasi në 3 Tetor 2018  u votuan me shumicë në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë.

Komisioni përkrahu projektligjet dhe i rekomandoi seancës miratimin e tyre në parim. Deputetë të maxhorancës e opozitës paralajmëruan  votën pro të grupeve të tyre parlamentare edhe në seanca plenare të Kuvendit të Kosovës, ndërsa kundër ishte vetëm përfaqësuesi i Listës Serbe.

Në 13 Shtator 2018, qeveria e Kosovës, bazuar në të drejtën e saj kushtetuese, ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Qeveria ka deklaruar se, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës përcakton kompetencat organizimin dhe funksionimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor, në mbrojtje të integritetit territorial, të qytetarëve, të pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.
Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, josdiskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.
Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, përcakton organizimin dhe kalimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj.

Para seancës së re plenare me axhendë për shqyrtimin e parë edhe të këtyre tre projektligjeve, Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në vazhdim seance për 25 pika të mbetura nga seancat e kaluara.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Ushtria e Kosoves, VOTOHET NË KUVEND

Tri motrat nga Australia, kërkojnë “rrënjët” në Shqipëri

October 14, 2018 by dgreca

Giovana Motton, Francesca Mills dhe Yvonne Duckitt janë tre motra, të cilat udhëtuan nga Australia për të gjetur rrënjët dhe të afërmit e babait të tyre, në Shqipëri.

1 Tri motrat

Vesel Çereneci u largua nga Elbasani para Çlirimit dhe nuk mundi të kthehej më. Ai u martua me një grua italiane, me të cilën pati 4 fëmijë, tri vajza dhe një djalë. Veseli u nda nga jeta shumë i ri, por vajzat e tij, tashmë zonja të moshuara erdhën në Elbasan për të kërkuar të afërmit e tyre.

“Ne jemi nga Australia dhe kemi ardhur të gjejmë të afërmit nga babai jonë. Ai lindi në Shqipëri, emigroi në Itali, në 1940 dhe në 1946-ën ai u martua me një zonjë të bukur italiane, nënën tonë. Ne gjithmonë e kemi ditur nga vinte babai ynë, çfarë bënte, por ne kurrë nuk kishim njohur të afërmit tanë”, tregon Giovanna.

Vendimin për të ardhur në Shqipëri tre motrat e morën së bashku, sepse diçka mungonte në të kaluarën e tyre dhe jeta pa të nuk do ishte e plotë. Ndërsa Shqipëria ishte dashuri me shikim të parë.

“Ohh e dua Shqipërinë. Mezi pres të kthehem në Australi, t’u tregoj miqve për Shqipërinë. Po përpiqem të gjej fjalët për ta përshkruar. Është e vjetër, e re, interesante, shumë e bukur, është numri një”, thotë Francesca.

“Shpresoj të rikthehem. Do të doja të vija sërish dhe të kaloja më shumë kohë në Shqipëri dhe mbi të gjitha të qëndrojmë në kontakt me të afërmit tanë që tani i kemi këtu, dhe janë plot”, shprehet Giovanna.

Tre motrat do të shkojnë edhe ne Dibër, për të gjetur certifikatën e lindjes së babait të tyre, një dokument që për to ka shumë rëndësi.

“Certifikata e tij do të ishte diçka me të cilën ne të vazhdojmë përpara, do mësojmë për prindërit e tij, sepse nuk dimë asgjë për ta. Dhe ajo letër është trashëgimi për ne dhe fëmijët tanë”, tha Yvonne.

Me po të njëjtën dëshirë ,edhe pjesa tjetër e familjes prej kohësh kërkonte një shenjë nga familjari i tyre Vesel Çereneci, dhe fati deshi që të paktën fëmijët të takohen.

Top Channel

Filed Under: Featured Tagged With: gjene Shqiperine, Tre motor nga Australia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT