• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

ARIZONA-PROMOVOHET LIBRI ‘’FAIK KONICA,DRITEHIJET E NJE DIPLOMATI”

October 13, 2018 by dgreca

1 agron LulzimNGA LULZIM MULLIQI/ SHBA/1 faik-konica-dritehijet-e-nje-diplomatiKeto dite ne ambientet e lokalit Nick & Beni’s Pizza,prone e bashkeatdhetarit tone,Arben Tafilica,ne Surprise te shtetit te Arizones nen patronatin e Shoqates se grave shqiptaro-amerikane te Arizones dhe Shoqates kulturore shqiptaro-amerikane “ Shqipe e Arizones “ u mbajt promovimi i librit “ Faik Konica,dritehijet e nje diplomati” te  autorit Agron Alibali.Ne kete promovim te ketij libri moren pjese nje numer simbolik i bashkeatdhetareve tane qe jetojne,punojne dhe veprojne ne shtetin e larget te Arizones.

1 agroni flet

1 MulliqiGjithashtu merrnin pjese edhe intelektualet,prof.dr. Shahin Berisha,ligjerues ne disa Kolegje dhe Universitete amerikane dhe prof.dr. Zeqir Veselaj nga Universiteti i Prishtines.Vlene te permendet se njera nga organizatoret e ardhjes se autorit,Agron Alibali ne Arizona ishte veprimtarja e dalluar e Shoqates se grave shqiptaro-amerikane te Arizones,zonja Kristina Kellici.Kete promovim e shpalli te hapur veprimtari i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan te Arizones,prof.dr. Arben Lasku.Ai ne fillimi pershendeti autorin e librit,Agron Alibalin dhe te gjithe pjesemarresit e pranishem ne kete takim.Dr.Arben Lasku,theksoi se autori ne kete liber ka pershkruar me nje mori dokumentash figuren e Faik Konices si nje diplomat i shquar i kohes,si dijetar dhe atdhetar i devotshem qe ndihmoi ne forcimin e mardhenieve mes SHBA-ve dhe Shqiperise.Me pas e mori fjalen autori i librit” Faik Konica,dritehijet e nje diplomati”,Agron Alibali,i cili theksoi se per veprimtarine letrare dhe artistike te Faik Konices eshte shkruar edhe me heret nga autore te tjere,por e vecanta e ketij libri eshte se ne kete liber eshte perfshire veprimtaria diplomatike,zakonore, Juridike dhe kushtetuese e Faik Konices,gjate qendrimet te tij si diplomat ne SHBA.Ai theksoi se libri bazohet ne arkiven e legates shqiptare ne SHBA,si dhe ne tere praktiken diplomatike dhe konsullore te legates se Konices dhe konsullit Prifti ne Boston.Pra risia e ketij libri eshte vete mbeshtetja ne dokumente paresore,historike dhe arkivore  ku shfaqet veprimtaria e legates shqiptare ne Uashington ne lidhje me raportet dypaleshe ne mes Shqiperise dhe SHBA-ve,si dhe mardheniet

e legates shqiptare me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe Shoqaten e shqiptareve te Amerikes “ Vatra”,gjate kohes kur Faik Konica sherbeu si diplomat.Gjithashtu autori Agron Alibali,u ndal duke analizuar ngjarjet kronologjike te kohes,duke vene ne dukje gjykimet e sakta te Faik Konices per etapat e ndryshme te shtetit iliro-shqiptar,qe nga kohet e lashta si Mbreteria e Bardhylit,deri ne mesjete.Autori nje vemendje te vecante i kushtoi edhe shtetit autonom te Ali Pashe Tepelenes,perpjekjeve per pavaresi ne periudhen e Rilindjes sone kombetare,qeverise se Vlores dhe te drejtes zakonore shqiptare..Ne vijim e mori fjalen edhe gazetari  Mr.Sc.Lulzim Mulliqi,i cili theksoi se vete titulli i librit eshte shume kuptimplote,keshtu qysh nga titulli kuptohet se lexuesi ka te beje me nje perzonash te vecante sa te kompletuar,por aq edhe kompleks dhe kontravers,sepse ne njeren ane paraqet shkelqimin e diplomatit ne etapa te caktuara kohore dhe ne anen tjeter paraqet edhe zbehjen e figures se tij sidomos ne raportet e tij me Fan Nolin te cilin e kishte denoncuar tek autoritet amerikane,duke e quajtur si bolshevik.Ne anen tjeter,gazetari Lulzim Mulliqi theksoi se ne veprimtarine e tij diplomatike,Faik Konica shkelqeu,duke u bere njeri nga diplomatet me te zeshem te kohes dhe njeri nder hartuesit  e pare te terminologjise juridike dhe diplomatike ne gjuhen shqipe.Gjithashtu,Lulzim Mulliqi vleresoi larte kontributin e Faik Konices ne rrafshin e diplomacise,duke nenvizuar rolin e tij te rendesishem ne zhvillimin e maredhenieve dypaleshe (bilaterale) ne mes te Shqiperise dhe SHBA.Ku njera nga arritjet me te medha te Konices ishte lidhja e disa traktateve dypaleshe ne mes SHBA-ve, dhe Shqiperise ne mes te dy lufterave boterore sic ishin:Traktiti i Natyralizimit,ai i Ekstradimit dhe Arbitrimit nderkombetar.Me pas pati nje numer diskutimesh dhe pyetjesh nga te pranishmit si nga:prof.dr. Shahin Berisha,prof.dr. Zeqir Veselaj,Dr. Elonia Lasku,Kristina Kellici etj.Ne fund te ketij promovimi u dhe nje koktej,ku te pranishmit u sherbyen me ushqime tradicionale shqiptare dhe pije te ndryshme.

Filed Under: Komunitet Tagged With: agron alibali, Lulzim Mulliqi, pFaik Konica, Promovimi ne Arizona

NJË TRINI DHE TRE SHQETËSIME NGA KOHA DIABOLIKE…

October 13, 2018 by dgreca

1 Treshja Trinia– Sot, datëlindja e poetëve Pano Taçi, Dritëro Agolli, Migjeni – /

2Visari

 nga Visar ZHITI/

…Migjeni e kujton Amerikën në shkrimet e veta, kurse Pano Taçi ka patur gjyshin emigrant dhe donte të arratisej, të vinte te ai, edhe pse vetë kishte qenë partizan, e kapën dhe kështu nisi kalvari, po edhe Dritëroi ka patur të atin emigrant në Buenos Aires dhe në Çikago dhe të dy bashkë kanë qenë partizanë…

Me Dritëroin jam takuar dhe në SHBA, në Festën tonë Kombëtare në Detroit, madje gazetari dhe miku unë Dalip Greca na bëri dhe një foto, mes nesh është: ambasadori William Wallker, ai që shpalli botërisht “Masakrën e Reçakut” në Kosovë.

Në të kremtet tona bie dhe hija e dheëmbjes vazhdimisht…

                                        -nga shënimet e mia- 

Pikërisht sot, në 13 Tetor mediat vizive e të shkruara, kujtesa kompjuterike, etj, bëjnë me dije dhe datëlindjen e dy poetëve të njohur shqiptarë, Migjenit e Dritëro Agollit, që s’janë më në këtë jetë, ndërsa si asosacion idesh kujtesa njerëzore (imja) nxitet të shtojë dhe një datëlindje të tretë, të poetit të veçantë, bohemit të persekutuar, Pano Taçi, që dhe ky s’është më.

Teksa më mbërrijnë shënimet e dikurshme, botimet me këtë rast, mendoj nëse ka diçka tjetër për të shtuar.

Një trini poetësh jona. Por në kohë diabolike, që morën prej saj dhe i dhanë. Si rrjedhojë dhe tre shqetësime, sipas meje. Në fillim po përkujtoj.

Migjeni, autor i shekullit XX, nuk e përjetoi diktaturën e më pastajme, vdiq më herët, por vepra e tij nuk u ndalua nga regimi siç ndodhi me mjaft autorë të tjerë, u studiua, u vlerësua dhe shkëlqeu mynxyrshëm në diktaturë.

Kurse Dritëro Agolli dhe Pano Taçi janë dy dukuri të tjera nën diktaturë në fushën  e letrave, dy fate të ndryshme poetësh, edhe pse e nisën ngjashëm, të dy kishin qenë partizanë qysh fëmijë për çlirimin e vendit, ku pas asaj lufte u instalua diktatura më e egër në të gjithë perandorinë komuniste. Krijimtaria e të dyve u zgjat dhe në moshë të thyer, në shekullin e ri, XXI.

I pari lavdërohej së tepërmi, mbahej mirë, poezitë e tij futeshin në tekstet shkollore, i dyti dënohej së tepërmi, i ndalohej poezia dhe futej burgjeve.

Pse? Mos i duheshin si të tillë sistemit? Tani, në postdiktaturë, kur po mbushen tri dekada dhe ka ndërruar sistemi, por po me ne, është krijuar dhe largësia e duhur për të gjykuar të lirë letrat shqipe, klasikët e saj.

DEMONI I KRIJIMIT

13 tetori, sikur e bën mbarë të flasim për tre poetët e lindur në këtë ditë, nën shenjën zodiake të djallit metaforikisht. Jo pse në këtë muaj do të renditen dhe datëlindjet e atyre që kanë sunduar më së shumti Shqipërinë. Kthehemi te tre poetët e sotshëm.

Pani Plak, por dhe engjëlli plak e quanin Panon tonë. Aq sa me miq, po aq dhe vetmitar, i përvuajtur dhe buzagaz, që, kur ishte në burg në diktaturë, duhej të ishte më i lirë së brendshmi, i një lirie të tmerrshme, të leckosur si rrobat e të burgosurit, ndërsa kur ishte i lirë e në demokraci, mbeti në burgun e varfërisë dhe të mosmirënjohjes, deri dhe të braktisjes. Edhe botimet e tij janë të varfëra, libra të vobektë. Harrohej në gjallje dhe s’e di a nëpërmendet tani, që ka ikur në qiell.

Dritëro Agolli është autor i njohur poemash e romanesh, tregimtar dhe dramaturg, patriarku i socialistëve, siç e quajnë, por dhe i realizmit socialist, i asaj metode letrare vrastare, siç e sulmojnë, me miq shumë e me lavdira e përvjetorë e me botime të shumta e luksoze.

Migjeni mbetet poeti më i ri i shqiptarëve, që modernizoi poezinë shqipe, europian i viteve ‘30 dhe klasik, ndërkohë themeltar sidomos në prozën e shkurtër, i konsideruar me të padrejtë si pararendës i socrealizmit dhe i nënvleftësuar me të pasdrejtë më pas po për këtë arsye, vrojtues i revoltuar i mjerimit, blesfemist si i kaplluar vërtet nga djalli.

Tre poetë, të pangjashëm dhe me fate të ndryshëm, me rëndësi të ndryshme, madje jo dhe aq të pakrahasueshme, mendoj, bashkëkohës aq sa mund të ishin, se e njëjta koha s’është e njëjtë për asnjërin, që shpalosin tri drejtime të letrave shqipe, ku i pari, sipas kronologjisë kohore, Migjeni, zë vend të qëndrueshëm, edhe pse me një libër, të realizmit kritik do të thoshim si në shkollë, por që ndikoi ndjeshëm në shkëputjen e letrat shqipe nga romantizmi i vonë, sarkastik deri edhe kafkian, guxoj të shtoj, duke patur parasysh ca parabola të tij, etj, kurse Agolli, ndër më të shquarit e mëvonshëm, prijës në socrealizmin shqiptar, tregimtar spartan dhe romancier me humor popullor, kur lufta e klasave dhe kulti i individit ishin normë, sa entuziast në socializëm, kur sundonte djalli, i vlerësuar ndërkaq nga udhëheqja, nga djajtë thënë më mirë, po aq i zhgënjyer në demokraci, edhe i trishtë, por prapë i vlerësuar nga udhëheqja e re, nga djajtë e rinj, mund të shtojë ndokush, ndërsa Pano Taçi, që u bë i njohur vonë, por asnjëherë sa ata, ishte poeti i pafat, i vetëbërë, edhe pse dënohej për të mos qenë i tillë. I  burgosur dhe internuar gjatë diktaturës, pra i flakur në ferr, me djallin e armatosur mbi kokë, ndërsa pas rënies së diktaturave, edhe pse viti ’90 e gjeti 62 vjeçar, boton libra të shumtë me poezi, tradicional, por i përqendruar në dhimbjet e persekutimit, në terrin dhe qëndresën, e thërret djallin për ta damkosur dhe e gjen atë dhe në mashtrimet në demokraci, prandaj dhe sarkazma bëhet më  e hidhët, edhe banale prej lodhjes, besues dhe mosbesues, i avitet qiellit, por flatrat i ka të thyera dhe i kthehet një dashurie cigane, duke nxjerrë libra erotikë me “poezi pornografike”, të parët në llojin e tyre, që e gajasnin lexuesin me një si donzhuanizëm të allasojshëm shqiptar.

Tre poetë – një trini diabolike, në kohë diabolike, më saktë.

ELIPSET E TRE JETËVE

Duke lënë jashtë rastësinë e 13 tetorit, se ç’forcë a mister qiellor deshi që të lindnin në atë datë të vjeshtës së dytë, do të desha të thosha se ka diçka përbashkuese në jetët e poetëve në përgjithësi, fat dhe fatalitet, ku nuk mund të shkëputet demoni i krijimit. Elipset e jetëve kanë dhe pika takimi, ndonjëherë dhe përzierje.

Kur u shua Migjeni, fare i ri, as 27 vjeç, Taçi ishte vetëm 10 vjeç dhe Agolli 7 vjeç, pra bashkëkohësia e tyre është fare e pakët, si të thuash pak vite ajër të përbashkët përthithën në truallim amëtar. Taçi me Agollin u rritën si shkollarë dhe me poezinë e Migjenit.

Do të desha të risjell kronologjinë e tre jetëve, nxjerrë nga botimet e tyre, duke futur dhe ndonjë të dhënë tjetër të kohës, se sikur arrihet të kuptohet disi më mirë diçka nga realiteti i përbashkët.                                             

1911- Kur Shqipëria e rropatur ende s’e kishte ftuar mëvetësinë, aq e dashur dhe po aq rrezikshme, lindi Migjeni në Shkodër. Arsimin fillor e mori në vendlindje në një shkollë serbo-ortodokse. E çojnë të studiojë në Tivar. Daja i Migjenit, Jovan Kokoshi nga Kavaja, e dërgon në gjimnazin e Manastirit dhe po këtu, në vitin 1927 kryen Seminarin Ortodoks “Shën Joan Teologu”.                   

1917- Në Rusi shpërthen revolucioni bolshevik, që do të ndryshonte rrjedhën e historisë botërore, me ndikim fatal dhe në Shqipërinë e vogël.               

Lind Musine Kokalari, që do të jetë shkrimtarja e parë shqiptare dhe desidentaja e parë grua në perandorinë komuniste, themeluese e një partie opozitare e do të burgosej e më pas do të vdiste në internim.                                            

1928- Parlamenti shqiptar shpall Mbret Zogun I. Shqipëria shpallet mbretëri. Lind Pano Taçi në Gjirokastër, ku merr dhe mësimet e para, ndërsa gjimnazin do ta vazhdojë në Tiranë me mësues filozofin, shkrimtarin dhe poetin Isuf Luzaj, i ikuri politik, patrioti i dënuar me vdekje.                                                

1931- Ndërsa vazhdonte të bëhej kryeqyteti i ri Tirana, pas bulevardit të madh u ndërtuan 6 pallatet e 6 ministrive, vendi po institucionalizohej ndërkaq, në Jug-lindje, në një fshat të Korçës, në Menkulas të Devollit, lindi Dritëro Agolli. I ati i tij, Rizai, kishte mërguar në Buenos-Aires dhe në Çikago (e dinte përmendësh Khajamin dhe Naim Frashërin, dy poetët më të mirë në botë, sipas tij).                                                                                                           1933- Migjeni emërohet mësues i gjuhës shqipe në shkollën “Skanderbeg” të Vrakës në Shkodër dhe boton në revistën “Illyria” prozën “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”. Dy vjet më vonë kërkon të shkojë në Slloveni për kurime, por kunsullata jugosllave në Shkodër nuk ia jep vizën, punë djajsh dhe ikën në Greqi. Kthehet dhe vazhdon mësuesinë në gjimnazin e Shkodrës.                                                                                                             1936- Shpërngulet në Pukë. Shtypshkronja “Gutenberg” bën gati 1000 copë të librit ”Vargjet e lira”, por “censura ndalon qarkullimin e tyre”, shkruhej në botimet e mëparshme. (Nuk gjendet në arkiva ndonjë dokument që e dëshmon dhe nuk na duket aq bindës ky fakt diabolik. Sepse Migjeni po botonte dhe po çmohej në shtypin e kohës.) Në fund të vitit përgatit librin e ri “Novelat e qytetit të Veriut”.                                                                              Në Gjirokastër lind Ismail Kadare, shkrimtari që do të merrte famë botërore.                                                                                                        1937- Mbreti Zog martohet, edhe pse i besimit musliman, me konteshën e bukur katolike hungareze, Geraldinë Appynoi, ndërsa At Gjergj Fishta nxjerr versionin përfundimtar të eposit të tij “Lahuta e Malcis”,  dhe në Pukë Migjeni, me rastin e festes kombëtare, 28 Nëntorin, mban një fjalim para popullit të Pukës. (Sot nuk duket me aq rëndësi, hollësi e tepërt, se fjalimet e tilla i mbajnë dëndshëm pushtetarët.)                                                                                1938- Migjeni niset për në Torino dhe shtrohet në sanatoriumin “San Luigi”. Vdes gjatë natës së 26 gushtit. Zi në botën shqiptare të letrave. Botohen proza dhe poezi të tij.                                                                                     1939– Nis Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste. Ajo qëndresë heroike e atyre pak njerëzve në bregdetin shqiptar do të shënonte fillimin e rezistencës me armë në Europë kundër djallit përbindëshëror nazi-fashist.                                                                                                          1941- Themelohet në Tiranë Partia Komuniste e Shqipërisë, të pranishëm në drejtim janë dhe dy demonë serbë…                                                     

  1942– Pano Taçi, i përfshirë në lëvizjen antifashiste që 12 vjeç, futet në Debatik (Djemtë e bashkuar, antarë të ideve komuniste) dhe del malit partizan. Dy vjet më pas nxjerr poezinë e parë në “Bleta”. Ia botoi poeti i njohur Lasgush Poradeci.                                                                                                         

1943- Dritëro Agolli, edhe ai 12 vjeçar, përfshihet në luftë, (diku shkruhet si 9 vjeçar), bëhet korrier batalioni, teksa i ati është partizan dhe lufton me armë në dorë për çlirim e vendit.                                                    

1944- Del libri “Vargjet e Lira” të Migjenit. Shqipëria, e vendosur në anën e drejtë të historisë, çlirohet… (por jo shqiptarët…).                                                   

1945- Mbaron Lufta e Dytë Botërore. Fitojnë Aleatët Perëndimore me Bashkimin Sovjetik kundër Boshtit Nazist. Humbjet ishin të mëdha, u vranë 60.754.000 njerëz në botë.                                                                             

1946- Vendoset shërbimi i detyruar ushtarak. Nisin arrestimet e klerit katolik, Enver Hoxha shkon për vizitë zyrtare në Beograd, kurse Pano Taçi, i përjashtuarnga gjimnazi për “dashuri borgjeze”, i magjepsur pas një vajze të bukur, motër e njërit prej presidentëve të ardhshëm të Republikës, tundohettë arratiset në Greqi, që më pas të ikte në SHBA tek gjyshi.Panoja dënohet me 4 vjet burg, në kënetën e Maliqit njeh mes të dënuarve shkrimtarin Mitrush Kutelin. Pas dy vjetësh lirohet dhe e çojnë në internim.                                

1947- I kthehet Shqipërisë ishulli i Sazanit, qeveria refuzon planin Marshall, Enver Hoxha takohet me Stalinin në Moskë, djalli i vogël me Djallin e Madh dhe Dritëroi boton poezinë e parë “Vullnetari i hekurudhës” në gazetën “Rinia”.                                                                                                        1951– Bomba në ambasadën sovjetike në Tiranë, pretekst për arrestime intelektualësh, pushkatime, mes tyre dhe një grua, shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati. Pano Taçit ia shtojnë internimin në Savër të Lushnjës, me akuzën se nuk kishte dashur të votonte.                                                

1952- Hapet Kinostustudia “Shqipëria e re”, Dritëroi mbaron gjimnazin e Gjirokastrës, “akademinë e tij letrare¨, siç e quante dhe e nisin për studime në Lenigrad, Sant Petërsburgu i dikurshëm.                                                                       

1953– Shqipëria në zi për vdekjen e Djallit të Madh, Stalinit. Pano Taçi shkruan poemat për Kosovën “Treni i muhaxhirëve”, “Gryka e Kaçanikut”. E pranojnë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, por një vit më vonë kritikohet ashpër për poemën “Kambanari”, si reaksionare që nxit kryengritje.                  

1955- Shqipëria e uritur nuk pranon një ndihmë ushqimore me vlerën 850.000 dollarë nga Presidenti Eisenhauwer, por bëhet anëtare themeluese e Traktatit të Varshavës. Dritëroi martohet në Bashkimin Sovjetik me një ruse të bukur, Nina Novikova, kurse Enver Hoxha takohet me Hrushovin, një tjetër djall, por shumë më i zbutur. Pano Taçi në internim, me kontroll të rreptë policor.

1956- Sillen eshtrat e Migjenit nga Italia në Shqipëri, nga Torre di Pelice në Shkodër, në Varrezat e Dëshmorëve. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu shkojnë në Kinë. Djajtë ndërrojnë drejtimin.

1957- Hapet universiteti i Tiranës. Dritëroi nis punën si gazetar në “Zërin e Popullit”. Ribotoheti zgjeruar libri i Migjenit “Vargjet e lira” dhe dekorohet me titullin “Mësuesi i Popullit”.                                                                              1960- Mbledhja e 81 partive në Moskë, kacafytje përbindshërore. Pano Taçi lirohet nga internimi.

1961- Ndëpriten marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, vdes Mbreti Zog afër Parisit, del Vepra e plotë e Migjenit (nën kujdesin e Skënder Luarasit), i jepet “Urdhëri i Lirisë”, kurse Pano Taçi martohet.

1962- Fronti Demokratik në Shqipëri, siç ishte caktuar, i fiton përsëri zgjedhjet 99.99%, me një pjesëmarrje të zgjedhësve 99.99%. Lirika të Pano Taçit përgatiten për botim nga kritiku dhe shkrimtari Drago Siliqi, por befas cilësohen nga lart “pa frymën e kohës, ku zotëron grija kapitaliste”. Pano dënohet me burgim për agjitacion e propagandë, kur djali i tij ishte vetëm 3 muajsh.

1964- Vjen për vizitë kryeministri kinez Çu En-lai, (demonë nga Azia), ndërkaq gruaja ruse e Dritëroit së bashku me djalin ikin përgjithmonë. Pas një viti Dritëroi martohet me gazetaren Sadije Kecaj nga Shkodra, e cila do ta shoqërojë me devocion e përkujdesje për më shumë se gjysme shekulli.

1967– Nis fushata kundër besimeve fetare, djalli arrin të mbyllë dhe të shembë të gjitha kishat dhe xhamitë në Shqipëri, ndalohen kopshtet/bahçet private, tërmet në Dibër dhe Librazhd, ndërsa Pano Taçi lirohet nga burgu dhe e internojnë në vendet e tërmetit. Dritëroin e çon shteti për vizitë në Kinë.

1970– Vendi shpallet i gjithë i elektrifikuar. “Pranë dritës – i pa parë”, -kishte shkruar Fan Noli. Pano Taçi vjen në Tiranë, bën punërat më të rënda e më të vështirat ashtu si burg. Vendoset bashkëpunimi mes universiteteve të Tiranës dhe Prishtinës.

1971- Dritëroin e çojnë për vizitë në Kongo dhe nis botimi në revistën “Hosteni” i romanit të tij “Shkqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Kthehet nga Parisi.   1972- Pleniumi IV i Partisë për letërsinë dhe artet, ku dënohet autorë dhe libra, festivali i 12-të dhe artistë. Dritëroi emërohet sekretar për letërsinë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe pas një viti kryetar i saj dhe prapë pas një viti deputet dhe do ta vazhdojë karrierën paralamentare për 30 vjet gjithsej.

1976– Enver Hoxha kritikon Kinën në Kongresin VII të tij, me Kushtetutë shpallet Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë (një emërtim disi i gjatë për një vend tejet të vogël), kurse Pano Taçin e arrestojnë sërish. 10 vjet burg. Përpiqet të vrasë veten. Me bishtin e lugës pret damarët si Esenini. Ia shpëtojnë jetën me zor. Kafe dhe cigare do t’i dërgonte në burg dhe poeti qiellor Lasgush Poradeci.                                                                                                     1979- Dënimet vazhdonin gjithandej, si më parë. Arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg “për poezitë e tij kundër socrealizmit” dhe autori i këtij shkrimi, kur ende s’ishte bërë 27 vjeç. Dritëroi, duke qenë dhe kushëri nga nëna me të, bën përpjekje për ta ndihmuar, për t’ia lehtësuar dënimin, por nuk ishte e mundur.

I thotë nënës së atij: “të mira i ka poezitë”, por “…ia bënë shokët gjëmën…”.

1980- Dritëronë e dërgojnë në Turqi. Botohet në Prishtinë, kur Kosova bënte pjesë në ish-Jugosllavi, “Vepra e Migjenit”, në katër volume luksoze dhe monografitë për të.

1985- Vdes diktatori Enver Hoxha, djajtë ndihen pa kreun. Pano Taçi lirohet nga burgu dhe përsëri e çojnë në internim, sa më larg Tiranës, në Peshkopi e përreth. Lajmërohet se gjyshi i vdes në Amerikë, por dhe babai me nënën në Shqipëri, të cilët i ndjente ende më larg. Djalin nuk e takonte dot, se nuk i lejohej një “armiku të shpallur”.

1987- Vendosen marrëdhënie diplomatike me Kanadanë e R.F. Gjermane. Sipas lajmeve në gazetë, një grup shkrimtarësh, Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Nasho Jorgaqin, Androkli Kostallarin, etj, i lejojnë të marrin pjesë në grup në një kongres në Itali, në Palermo, më pas Agolli e Kadare shkojnë në Beograd në konferencën për nacionalitetet.

1989– Shëmbet Muri i Berlinit, që ndante jo vetëm Gjermaninë në dysh, por dhe botën, me një “luftë të të ftohtë” e të gjatë mes tyre.

1990- Rënia e perandorisë komuniste, e diktaturave të saj në Europë. Mbi 100.000.000 numërohen viktimat, të vrarët e saj në të gjithë botën, disidentë, kundërshtarë, martirë. Shumë më tepër se të vrarët e Luftës së Dytë Botërore. Djalli në kohë paqeje qënkësh më i rrezikshëm se njeriu në kohë lufte.                                                                                                                       Nisin protestat antikomuniste. Dyndjet e shqiptarëve nëpër ambasada, ikja e tyre jashtë. Vendosja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Ramiz Alia viziton SHBA. Kadareja kërkon strehim politik në Francë, vjen Nënë Tereza në Shqipëri. Botohet në frengjisht romani i shokut Zylo i Dritëroit, ftohet dhe autori. Mes trazirave kudo, themelohet në 12 dhjetor Partia Demokratike me kryetar mjekun kardiolog, Prof. Dr. Sali Berisha dhe në janarin e mëpastajmë amnisti për të burgosurit politikë.                                                                                 1991- Dritëroi kthehet në Shën Petërsburg, në Lendingradin e dikurshëm, ku kishte studiuar. Në Kongresin X të PPSH Dritëroi do të kritikonte hapur vijën partisë-shtet dhe kultin djallëzor të Enver Hoxhës për të cilin kishte kontribuar dhe ai si poet.

1992- Dritëroi me një grup kolegësh shkrimtarësh shqiptarë shkojnë në Gjermani me rastin e botimit të një antologjie të poezisë shqipe. Një vit më pas, në vazhdim të botimeve të tij, Dritëroi nxjerr vëllimin “Pelegrini i vonuar”, etj.

1994 – Pano Taçi 66 vjeçar boton librin e tij të parë “Blerim i thinjur”, ku përfshin shumë poezi të shkruara fshehurazi nëpër burgje dhe internime. Mësuesi i tij i hershëm, filozofi dhe shkrimtari Isuf Luzaj, do t’i shkruante nga SHBA-ja: “Të paskëshe qenë italian, do të udhëtoje në enciklopeditë euro-amerikanë, me Borgesin dhe Kalderonin… Vazhdo të shkruash në gjirin e kombit tonë”…                                                                                                            1996– Tronditet “demokracia e brishtë” nga Djalli i Parave, nga firmat piramidale finaciare dhe të gjithë vendin fillojnë protestat e humbjes, dhuna e rikthimeve. Pano Taçi nxjerr librin tjetër “Dhe vdekja do paguar”, Dritëroi “Çudira dhe marrëzi”, etj, dhe shkon në Greqi. Në parlament qëllohet me armë dhe plagoset deputeti Azem Hajdari, udhëheqësi i protestave studentore. UÇK-ja në Kosovë sulmon forcat serbe.

2000– Pano Taçi boton dramat “Qirinjtë” dhe “Flakë në terr”. Vazhdon me poezitë dhe do të nisë memuaret e veta, të mbetura në dorëshkrim. Zgjedhjet vendore i fitojnë socialistët, Edi Rama – kryetar i Bashkisë së Tiranës.

2001- Bashkia e Pukësi jep Migjenit titullin “Qytetar Nderi”.

Dritëroi viziton SHBA më pas 2009- Shqipëria futet në NATO. Ndërkaq Pano Taçi është bërë i njohur, ftohet në festivale poezie në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, edhe kur andej bëhej lufta mes gueriljeve të shqiptarëve dhe forcave qeveritare, etj, ndërkaq ai do të bëhet më i dashur për lexuesin, sidomos pas botimeve me erotikë të hapur si “Hukama e Venusit”, “Lakuriq”, etj, edhe pse me pseudonimin letrar, Burgim Pata (“Burgim” përmbledh fatin e autorit, kurse “Pata” bashkon dy rrojket e para të emrit dhe mbiemrit të tij: Pa-no Ta-çi). Do të marrë çmime letrare, por jo dëmshpërblimin e burgut, do t’i prishin befas shtëpinë për t’u ngritur një pallat në atë truall. Klani i djajve të ndërtimit, do të thoshin…

Pa shtëpi muze do të ishin dhe Migjeni, dhe At Gjergj Fishta, etj.

2011- Dritëro Agolli merr një tjetër “Honoris Causa”, këtë rradhë nga Universiteti Europian i Tiranës…

2012– Pano Taçi shtrohet në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërron jete në 13 qershor, në moshën 84 vjeçare. Kryeministri i vendit, Berisha, do të ngushëllonte komunitetin e letrarëve dhe familjarët. Trupi i tij do të vendosej në hollin e Teatrit Kombëtar, ku do të bënin homazhe miqtë e shumtë, qytetarë e artistë si dhe Presidenti i Republikës.

Fjalën e lamtumirës për Pano Taçin në vendin e prehjes, në Tufinë, do ta mbante poeti Agron Tufa. “Sa pak qiell për ty, do të perifrazonte ai një titull libri të të Ndjerit…                                                                                                  2014- Botohet në 4 volume poezia e mikut të Dritëroit dhe të Pano Taçit e jo vetëm, Fatos Arapit, poetit që lëvroi një poezi qytetare, më evropiania në vitet e mbylljes të diktaturës komuniste.

2017- në 3 shkurt do të mbyllte sytë përgjithmonë Dritëro Agolli, në moshën 86 vjeçare. Do të përcillej për në Tufinë me nderime të shumta, me homazhe e duartrokitje dhe me fjalën e kryeministrit Edi Rama. Librari e shkolla kishin marrë ndërkaq emrin e tij.

TRE ÇËSHTJE DHE NJË DËSHIRË SI PËRFUNDIM

Tre poetë të një datëlindje. Të dashur të tre. Nga të ndryshëm me mënyra të ndryshme. Deri dhe me urrejtje…

Sipas meje me këta tre poetë, Migjeni, Agolli dhe Taçi, mund të ngrihen dhe tre çështje, të konsoliduara keqas dhe të mbartura si atavizmë:

1- Keqpërdorimi i traditës duke u nisur jo vetëm nga keqkuptimi i saj. Së pari ajo u gjymtua në diktaturë, duke përdorur kriterin e “kufizimeve ideore” dhe të “luftës së klasave” edhe në kulturë, u ndaluan autorë të rëndësishëm, klasikë, gjithashtu dhe nga autorët që u lanë, u ndalua një pjesë e veprave, duke u përsëdytur ndryshe ky gabim, duke himnizuar nga pjesa e mbetur. Pra tradita nuk shikohej pasuri kulturore e vendit dhe si përvojë e shekujve, por se sa i shërbente ideologjizimit dhe çimentimit të regjimit.

2- Diktatura përçau egërsisht letërsinë shqipe, e ndau më dysh, ku njërën pjesë e bëri të sajën, i dha kushte begatimi, duke e vënë në shërbimin të vetes, të propagandës “trushplarëse”, ndërsa pjesën tjetër e dënoi, duke pushkatuar autorë, duke burgosur sistematikisht e duke ndaluar vepra, pa u lodhur punoi me të gjitha mjetet diktatoriale, me qëllim që nga kjo pjesë të mos dalë asgjë, të bëhet e mosqenë.

3- Dukuria e daljes së letërsisë nga burgjet, e autorëve dhe veprave të tyre. Sa janë përfshirë ato në jetën letrare kulturore të vendit, edhe zyrtarisht, deri tek tekstet shkollore.

Në një farë mënyre Letërsia Shqipe e gjysmës së dytë të shekullit XX i përket një metode të veçantë, “Realizmit të dënuar”, sipas meje, sepse i tillë ishte realiteti i tyre.                                                                                     Të dënuar ishin jo vetëm ata që u dënuan, që nuk lejoheshin të krijonin, por, tjetërsoj sigurisht dhe ata që u drejtuan të bënin letërsi të socrealizmit, pra s’ishin të lirë, u mashtruan, u përdorën dhe u keqpërdorën.

Sado absurde dhe e papranueshme të duket sot, është e habitëshme, por shpjeguese ajo që ka treguar Dritëroi për veten dhe Kadarenë në një intervistë, ku sipas tij, kryeministri i atëhershëm, Mehmet Shehu, ka thënë: “Ju jeni dy shkrimtarët kryesorë të vendit dhe jeni si dy qe që lëroni tokën. Ne, herë ngacmojmë njërin e herë tjetrin me hosten, në mënyrë që puna të shkojë mbarë”.  Ai “hosten” për shumëkënd në fakt ishte pushkë. Kur me shkrimtarët e vet veprohej ashtu apo dhe me ata si Pano Taçi që “devijuan”, mendoni se ç’është bërë me kundërshtarët, me ata që ishin kundër doktrinës komuniste qysh në krye e realizmit socialist.

Tre çështjet që përçika, duan studime serioze, profesionistët e kritikës, akademikët e letërsisë, etj, teksa duket se ecet zyrtarisht në udhën e lënë, por le të kthehemi për ta përmbyllur te tre autorët e sotshëm.

Poetët kanë dhe një jetë tjetër, atë të poezive, që vazhdon.Mbetet krijimi që, si të thuash nuk ka më as biografi dhe as rrethana, por vetëm vlera.

Kur isha student në Shkodër, në kohën e diktaturës, shkoja në shtëpinë muze të Migjenit. Shikoja reliket e tij, fotot, i veshur hijshëm, me elegancë, me borsalinë, ja dhe stilografi mbi tryezë, që s’dihej çdo të shkruante më tej, aq sa dhe demoni i vdekja duket se iu tremb dhe e rrëmbeu aq të ri. Mes miqsh bisedonin se po të kishte qenë gjallë Migjeni, a do të ishte bërë shkrimtar i Realizmit Socialist? A do ta shmangte dot? Me siguri do të përfundonte në burg, thoshim ose do të kishte vrarë veten. Edhe mund ta vrisnin. Ja, i vranë kumtin e veprës. Po ai vetë e vrau më parë!?…

Gjithsesi vepra e tij është e vetëmjaftueshme dhe e pazëvendësueshme, me rëndësi e prijëtare. Tablotë e mjerimit dhe blasfemitë përsëriten. Dhe dhëmbja dhe protesta. Teatri “Migjeni” mund dhe duhej të dramatizonte nga vepra e atij, se i mban dhe emrin.

Dritëroi – këngëtar i baltës së vendlindjes, fëshfërimë grunoresh në Jug, fjalë me shijen e bukës, të pjekur në kryqytet…

Prozator dhe me humor thumbues, të cilat dëshmojnë një epokë që s’është, zhgënjimet dhe trishtimi i më pastajmë dhe është e ardhmja që do të gjykojë më shumë e do të vendosë më shumë.

Unë si lexues e kam dashur Dritëronë, e kam takuar me kënaqësi të veçantë kudo, në kafene, në parlament, në SHBA dhe kam venë lule pranë bustit të tij…                                                                                    Dëgjoj fyellin e  drunjtë, elegjiak të Panit plak, të Panos tonë… shkoj andej nga kafe “Europa”, ku ai rrinte me orë të tëra, shkruante dhe me porosi të pronarit i çonin dy kafe falas çdo ditë. Po sikur atij t’i jepej në kohë dhe mjaftueshëm dëmshpërblimi i vërtetë dhe puna e pa paguar e 24 viteve burg, e internime, mbase do të kishte dhe ai një kafene të veten, një librari, një… ndarja e shkrimtarëve duket se vazhdoi si në diktaturë, suksesi dhe fama, mirëqenia dhe varfëria po kështu, ishin përcaktuar një herë nga djalli dhe s’kishte zot që t’i ndryshonte… ndërkaq nëpërmend një vegim që kam patur përnjë portret të Pano Taçit në kafe “Europa”, pikturë ose skulpturë, me llullën mes dhëmbëve të zverdhur dhe kasketën mbi kryet e zbardhëllyer dhe në një nga qelqnajat e mëdha të dritareve të shkruhej një poezi e tij, që më mrekullonte me thjeshtësinë dhe kumtin, me universalizmin e saj, e dija përmëndësh, të denja për çdo antologji në botë, thosha.

Diçka i mungon tokës,/ nga qielli t’i zbresë./ Diçka edhe qiellit,/ nga toka t’i ngjitet ka shpresë./ Më bëhet i gjej te vetja/ ç’mungon te gjithësia:/ Qiellit: urrejtja,/ tokës: dashuria.

Mbetet një nga pengjet e mia, një dëshirë ende e vlefshme, që të vihen mureve, të gdhenden gurëve, shkëmbinjve, nëpër parqe e rrugë vargje nga eposi, nene nga Kanuni, lutje nga Shenjtja Nënë Tereza, poezi nga De Rada, Naimi, Fishta, Migjeni, pra nga Rilindja dhe të rilindurit e me radhë.

Ato do të sjellin më shumë estetikë të brendëshme, energji pozitive, siç i themi, prani kulture, do t’i shërbenin mjedisit si pemët e mendimit të bukur.

 

Filed Under: Featured Tagged With: DHE TRE SHQETËSIME, NGA KOHA DIABOLIKE..., NJË TRINI, Visar Zhiti

Poeti Fatos Arapi, fisniku i bukurive të shpirtit

October 13, 2018 by dgreca

1Fatos_Arapi_Traboini– nga Kolec Traboini/

Fatos Arapi ishte dhe mbetet një ndër nga poetët më të shquar e më të veçantë në letërsinë shqipe. Tek ai gjente harmoni të përkryer njeriu dhe poeti. Të gjitha ata që shfryjnë mllefe në këtë dite zie për poezinë shqipe e nuk njohin vlerat e vërteta të një jete krijuese, e kanë paguar dhe vetë haraçin e diktaturës, por kinse janë ndryshe e dalin si vaj mbi lakra. Po kërkojnë të na thonë se kush ka qenë Fatos Arapi (1929-2018) dhe krijimtaria e tij. E kush po ngutet ta përgojojë poetin e vdekur dhe ende të pavarrosur? Bash ata që as e kanë njohur e as e kanë lexuar ndonjëherë poetin e profesorin tonë të nderuar. Nuk ka pasur njeri në Shqipëri që nuk e ka paguar haraçin e vet në diktaturë, por në fund të fundit  siç njeriut i vjen vdekja, vjen peshorja që mat vlerat e ndan grurin nga egjra.

Nuk më pëlqejnë as urra-të e surrogateve komuniste, por as dhe të sharat pa tru në kokë për çdo artist që fati e vuri të jetojë në kohë të keqe. Në fund të fundit kush ka qenë i talentuar ka lënë edhe vlera. Ne flasim për vlerat e jo për plehrat. Mirëpo disa nuk munden ndryshe, veç duke gërmuar ndër plehra. Poetët nuk i krijojnë diktaturat. Përkundrazi poetet janë të parat viktima të diktaturave edhe dje edhe sot. Ky është një mësim historik. Është tragjedi jo vetëm për shkrimtarin, por edhe për popullin, kur regjimet i kthejnë krijuesit në vegla të tyre të verbra.

Fatos Arapi pavarësisht se ka paguar haraç të madh krijues, është një familje patriotesh, ai e donte atdheun e vet, lindi e jetoi dhe vdiq në këtë Atdhe për të cilin ndjente krenari. Lexoni poezinë e tij për atdheun me një dashuri sublime. Po sjell një strofë:

Atdheu është dhimbje, është dhimbje.

një prill i pikëlluar në shpirt.

atdheu është kryqi, është kryqi.

e mban – dhe të mban ty – në shpirt.

Edhe atdheu ndjen krenari për të tillë bij. Ai ka qenë një poet lirik me vlera të veçanta që nuk ka mbet për ta vlerësuar disa që as nuk e kanë idenë çfarë është poezia, por telendisën e përpëliten si daci në gaviç në mjerimin e vet mohues e smirëzi. A nuk shpifin edhe për Migjenin kështu, atë gjeni që e ktheu në rrugë të mbarë hullinë e poetikes shqiptare duke e modernizuar atë.

Në një poezi të tij, ndoshta të fundit nga dora e Fatos Arapit, shkruante:

Lexoni heshtjen.

Këtë forcë e qetësi shpirtërore, që me

dorë të saj vendos epoka të tëra para e prapa jush.

Lexoni heshtjen,

Ajo do t’ju tregojë dramën e vërtetë

të një shpirti të papërlyer

me gjakun e ëndrrave hyjnore.

Lexoni heshtjen,

Zbërtheni kodin e moçëm të saj

dhe përshëndetni ditëlindjen e një shprese.

Po ne a nuk po mundemi ta ruajmë kodin e heshtjes pikërisht në ditën e humbjen se madhe të poetikës shqiptare, në ditën e nderimit të fundit për poetin? Një smirë e ligësi e madhe po e shtyn njeriun të flasë pikërisht atëherë kur duhet të heshtë, sepse për analiza poetike, nëse kanë prirje kritizerësh, ka edhe të nesërme. Gjithsesi, edhe nëse i hyjmë një komenti që bëjnë dashakeqësit duke e vendosur Fatos Arapin në rendin e tretë të poetëve të asaj kohe, duhet të dini çfarë mendonim ne studentët që merreshim me letërsi atëbotë dhe botonim edhe ndonjë libër. Treshen në vlerësimin zyrtar e shihnim të përmbysur, sepse e vërteta ishte se ai i treti, pra Fatos Arapi,  në të vërtetë ishte i pari dhe liriku më i mirë i atyre viteve, me pas do te dilnim Frederik Rreshpja, Vehbi Skënderi dhe Ndoc Gjetja e të tjerë.

“E bukura do ta shpëtojë botën” ka thënë Dostojevski. Dhe poeti ynë Fatos Arapi ka lënë perla poetike, çfarë e motivon më së miri dashurinë e lexuesit për autorin. Po citojmë një perlë poetike drithëruese të këtij autori “Si s’të desha pak më tepër”:

Unë e desha përtej vdekjes,

Ashtu dashurova unë

Edhe prap s’ia fal dot vetes:

S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,

T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…

Të gënjejmë mallin që s’shuhet,

Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,

Atje ku nis “ca pak” tjetër,-

Asaj që më rri mes Zotave:

“Si s’të desha pak më tepër…”.

Lirikat e Fatos Arapit janë poezi që mbijetojnë në kujtesën e popullit, në bukurinë shpirtërore të brezave. Nuk i harroj kurrë fjalët që më ka thënë në Athinë në vitin 1995, shkrimtari i njohur ndërkombëtarisht Kosta Valeta, kur po flisnim për letërsinë shqipe: “Padyshim Fatos Arapi është liriku më i madh i poezisë së sotme  shqipe, një poet që ju nderon ndër popuj të tjerë. Them kështu sepse e njoh poezinë e tij.”

Urdhëroni tani e lexoni këto poezi dhe uluni e shkruani të tilla perla, po të keni këllqe, o ju kritizerë. Por pikësëpari duhet ta dini, e nëse nuk e dini ta mësoni para se të uleni e të shkruani me shafran kundër poetit, se shpifja dhe denigrimi nuk kanë qenë e kurrë nuk do të jenë art.

Nderim për poetin lirik Fatos Arapi, këtë fisnik të rrallë të bukurive të shpirtit.

12 tetor 2018

Filed Under: ESSE Tagged With: Fatos Arapi, fisniku i bukurive, Kolec Traboini, te shpirtit

Pasi të vdesin, bëhemi sikur po i çmojmë!

October 13, 2018 by dgreca

Nga Emin AZEMI*/

Largimi i njerëzve nga kjo botë, përpos zbrazëtisë që lënë, na bëjnë të ndjehemi keq për shumë çka, por mbi të gjitha largimi i tyre nxjerr në pah hipokrizinë e atyre që mbesin gjallë. Tash së fundmi na u largua edhe poeti Fatos Arapi, prishësi i kanoneve socrealiste të poezisë shqipe, por pak ditë më parë dikush nga personat publikë në Shqipëri u ankua në shtyp se poeti i madh gati ishte harruar nga njerëzit, sidomos nga kolegët dhe institucionet. Ne kujtohemi se është dikush gjallë, vetëm kur ai të vdes. Sa paradoksale! Ne edhe me vdekjet e njerëzve duam të bëjmë njëfarë kapitali moral. Bile të gënjejmë paturpësisht se e kemi pasur edhe mik të afërt… Tash, Fatos Arapin të gjithë e vajtojnë. Edhe ata që s’u kujtuan t’ia çelin derën sa ishte gjallë. Kështu vepruan edhe me Teki Dërvishin, Kasëm Trebeshinën, Frederik Reshpjen… Disidentët e letrave po deshka të vdesin që të na tregojnë se sa të rëndësishëm janë, por vetëm si të vdekur. Sa janë të gjallë ne i mbysim me xhelozi, me mospërfillje, me konkurrencë false… Sa keq na vjen për vdekjen e tyre! A thua pse nuk mundemi ende t’i shfrytëzojmë? Apo t’ua bëjmë jetën edhe më zi?
“Nuk mund të bëhesh profet në vendlindjen tënden”. Është kjo një thënie e lashtë, sa vet njeriu që luftoi për të fisnikëruar vrazhdësinë e gjërave që e rrethonin. Poetët dhe filozofët në Antikë kishin një vend të privilegjuar shoqëror, sidomos ata që kishin statusin e oborrtarit, por ata assesi nuk lejoheshin të udhëhiqnin shtetin. Frika nga poetët kishte detyruar shumë sundimtarë të shpiknin mekanizma e metoda të ndryshme perfide, që i paraqisnin si gjoja kujdes ndaj tyre. Në të shumtën e rasteve ata shpikën mospërfilljen, si mënyrën më të mirë të largimit të njerëzve të dijes nga vendimmarrja, sepse vetëm në atë mënyrë vendimmarrja bëhej më pak e denjë për vlerësim, e më shumë si gjakim për lakmi.
Poetët, filozofët, shkencëtarët, fundja nuk kanë kurrfarë nevojë të meritojnë lavde e elozhe nga vdekatarët e zakonshëm. Ata nuk kanë nevojë edhe për dhembjen tonë të shpifur, sepse ata kanë një dhembje tjetër që ne s’e shohim e dëgjojmë. Prandaj, ata shkojnë të vetmuar dhe kthejnë kokën prapa, jo për të parë se kush po i vajton rrejshëm, por për t’u habitur se pse disa epigon mediokër nuk mundën më të shkruajnë asnjë rresht pas vdekjes së tyre. Epigonizmi në letrat shqipe ende nuk është studiuar me themel, por vdekja e Fatos Arapit tash, dhe e Teki Dërvishit disa vite më herët, na e kujtoi faktin që paraqitja e krijuesve të rrejshëm ka qenë hije e atyre që ne sot i vajtojmë, jo për humbjet që pësoi letërsia, por për mungesën e ndikimeve të tyre të fshehura në vargjet e epigoneve tanë të fëlliqur, që sot si mumie qëndrojnë prapa statujave të heshtura të “idhujve” të tyre të dikurshëm.
Epokat e njerëzimit u mbushen me kujtime të trishta për vepra që shpesh u penguan me tehun e shpatës dhe me gjuhën e zjarrit. Por, njerëzimi vazhdoi të shuaj etjen në burimet e kristalta të dijës e bukurisë që trashëgim mijëravjeçarë na e lanë poetët e filozofët. Ndër ta, është edhe Fatos Arapi, një emër i madh në shpatullat tona të hajthme dhe të pafuqishme për ta mbajtur e respektuar sa qe gjallë.

  • E dergoi autori

Filed Under: Analiza Tagged With: bëhemi, Emin Azzemi, Pasi të vdesin, sikur po i çmojmë!

Ngjarja bamirëse ‘Meet Us Halfway’ rikthehet përseri në Nju Jork

October 12, 2018 by dgreca

1 Meet Us Halfway

12 Tetor 2018- Pak ditë po na ndajnë nga ngjarja tashmë tradicionale “Meet Us Halfway” e cila po mbahet për herën e tretë me radhe në qytetin e Nju Jork-ut.  Kjo mbrëmje filantropie e cila po organizohet nga fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është ngjarje e cila do të ngritë fonde për shpëtimin e jetëve të nënave dhe fëmijëve në Kosovë. Kjo mbrëmje e bamirësisë do të mbahet në klubin prestigjoz Yale të Qytetit të Nju Jork-ut me datën 16 Tetor 2018 nga ora 18:30 deri në 21:00.

Gjatë kësaj mbrëmje do te ketë Muzikë, Rrjetëzim, Koktel dhe Ankand të Qetë, ku shumë personalitete nga bota e biznesit, kultures ,politikës dhe arteve kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre. Folëse e mbrëmjes do jetë Shkëlqesia e saj, Ambasadorja Besiana Kadare, Përfaqësuese e Përhershme e Republikës së Shqipërisë në Organizaten e Kombeve te Bashkuara në Nju Jork, ndërsa musafore nderi do të jetë Ambasadore Teuta Sahatqija. Me këtë rast do të ketë edhe një pike muzikore nga këngëtarja me origjinë Angleze – Cara Frew.

Në vitin 2016 për here te parë u mbajt ngjarja bamirëse ‘Meet us Halfway’, ngjarje e cila tashmë është shndërruar në aktivitet të vjetor të Fondacionit për mbledhje të fondeve dhe rritje të vetëdijësimit. Shuma e mbledhur nga sponsorizimet dhe shitja e biletave gjatë dy ngjarjeve “Meet Us Halfway” të viteve të kaluara ka arritur në shumën rreth $86,025.0, shumë e cila është përdorur e gjitha për programe dhe shërbime që u dedikohen nënave dhe fëmijëve.

Gjithashtu fondet e ngritura nga  shitjet e biletave dhe nga donacionet e dhëna në ngjarjen e cila do mbahet me 16 Tetor 2018 do të dedikohen për mbështetjen e programeve të Fondacionit në Kosovë, specifikisht në: furnizimin me pajisje mjekësore, mbështetjen e dorëzimit të medikamentit Surfaktant, zhvillimin e sistemit të transportit neo-natal, zgjerimin e ‘Klasave për Nëna‘ si dhe skrinimin e kancerit të qafës së mitrës.

Kjo mbrëmje nuk do ishte e mundur pa mbështetjen e miqve  dhe anëtareve të bordit të fondacionit që jetojnë dhe veprojnë në Amerikë siç janë,  Ambasadore Teuta Sahatqija dhe mbështetja e jashtëzakonshme e Konsulatës Gjenerale të Kosovës në Nju Jork, Fadil Berisha,  Bledar Asllani, Drin Kukaj, Mark Kosmo, Sara Shala dhe  Valon Xharra.

Për të qenë pjesë e ngjarjes, bileten tuaj mund ta bleni përmes platformës Eventbrite të cilin mund ta gjeni në vegëzen vijuese: https://www.eventbrite.com/e/meet-us-halfway-iii-tickets-46105538908.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Meet us Halfway, Nju Jork

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT